Hyrje > Mesele kombëtare > Dy shkaktarët e Ballkanit

Dy shkaktarët e Ballkanit

Prof. dr. Eshref YMERI

 

DY SHKAKTARËT E BALLKANIT

Eshref Ymeri

Eshref Ymeri

Siç bëhej e ditur nga mjetet e informimit masiv, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, para do kohësh i kishte ardhur një ftesë nga një organizatë të rinjsh, për të marrë pjesë në një takim që organizohej në Beograd më 23 prill 2015. Por kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, para mbajtjes së atij takimi, pati deklaruar se do ta arrestonin Hashim Thaçin nëse shkonte në Serbi. Ai qe shprehur:

“Ligjet ekzistojnë ende dhe ne do ta arrestojmë Thaçin nëse vjen këtu” (Citohet sipas: “Vuçiç kërcënon Hashim Thaçin: do ta arrestojmë nëse vjen në Serbi”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Panorama”. 18 prill 2015).

Shkaktar i madh ky kryeministri Vuçiç. Dhe ja sepse:

Së pari, strukturat juridike të shtetit serb, që gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, pra, kur në pushtet ishte Millosheviçi, kishin vendosur për të arrestuar jo vetëm Thaçin, por edhe disa udhëheqës perëndimorë, si Bill Klintoni, Toni Bler etj, etj. Sipas kryeministrit Vuçiç, vendimet që qenë marrë nga organet gjyqësore serbe në kohën e Millosheviçit, vazhduakan të jenë në fuqi edhe sot, paçka se Millosheviçi përfundoi me duar të prangosura dhe u ul para Tribunalit të Hagës për të dhënë llogari për krimet që kreu ndaj disa popujve të Ballkanit. Pra, megjithëse sistemi qeverisës i Millosheviçit u përmbys se dështoi më turp, ligjet e tij vazhduakan të zbatohen edhe tani, kur Serbia, normalisht, duhet të jetë një vend, demek, i demokratizuar! Por ato ligje u zbatuakan “vetëm për Hashim Thaçin” dhe jo për udhëheqësit e tjerë perëndimorë. Se Toni Bler ka qenë për vizitë në Beograd dhe askush nga strukturat e drejtësisë së shtetit serb nuk qe kujtuar për “arrestimin” e tij. Domosdo që kryeministri Vuçiç ka qenë i detyruar të dilte me një shaka zbavitëse para opinionit publik serb që njihet mirë për çmendurinë e tij politike në qëndrimin ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Së dyti, sikur kryeministri Vuçiç të ishte me të vërtetë i interesuar për “arrestimin” e Hashim Thaçit, ai nuk duhej të dilte me një deklaratë publike për ndalimin e tij nga organet e drejtësisë serbe. Ai, kuptohet vetvetiu, duhej të priste që Hashim Thaçi të shkonte në Beograd dhe pastaj organet e drejtësisë mund të vepronin për “arrestimin” e tij.

Së treti, kryeministri Vuçiç përsëri ka qenë i detyruar nga halli të bënte një shaka jo fortë të hollë kur pati deklaruar për “arrestimin” e Thaçit nëse ky do të shkonte në Beograd. Sepse, në të vërtetë, Vuçiçi dhe gjithë -içët e tjerë të politikës serbe, nuk kanë qenë dhe nuk janë kurrë të interesuar për “arrestimin” e Hashim Thaçit. Sepse Thaçi për ta është “pasuri kombëtare” me vlera të jashtëzakonshme për mbrojtjen e interesave serbe në Kosovë. Vallë nuk është Thaçi ai, i cili, gjatë gjithë bisedimeve që janë zhvilluar me Boegradin në Bruksel, duke filluar nga 19 prilli i vitit 2013 dhe deri tani, i ka bërë Serbisë lëshime pas lëshimesh, në dëm të interesave kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, në dëm të tërësisë territoriale të Kosovës dhe në të mirë të pakicës kriminale serbe në Veriun e Mitrovicës?

A nuk dëshmon për fajin e rëndë të Thaçit fakti që Ura e Ibrit vazhdon të mbetet e bllokuar me pirgje zhavorri se kështu u do qejfi kriminelëve serbë, të instaluar në Veriun e Mitrovicës? Po a nuk ishte vallë ajo pakicë terroriste serbe në Veriun e Mitrovicës, e cila, gjatë viteve të luftës, shërbeu si mbështetje e fuqishme e bandave kriminale të Millosheviçit, të Sheshelit dhe të Arkanit për masakrimin e popullit shqiptar të Kosovës?

Këto fakte Thaçi i di fort mirë, por me qëndrimet antikombëtare që ka mbajtur në Bruksel gjatë takimit me krerët e Beogradit, ai ka dëmtuar rëndë interesat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe kriminelët serbë në Veriun e Mitrovicës i ka bërë me krahë, duke i shndërruar në krekacorë shovinistë, të cilët, shqiptarët rrënjës të asaj treve nuk i lejojnë të kthehen në vatrat e tyre dhe të rindërtojnë shtëpitë e shkatërruara. Ky është një qëndrim antikombëtar jo vetëm i Hashim Thaçit, por edhe i shumicës parlamentare thaçiste, e cila i ka dhënë atij mandatin, si ish-kryeministër dhe tani si ministër i jashtëm, për t’i bërë lëshime të turpshme Beogradit, pa kërkuar paraprakisht daljen e tij me pendesë publike para opinionit ndërkombëtar dhe pa dëmshpërblimin e të gjitha shkatërrimeve dhe krimeve të rënda që shovinizmi kriminal serb kreu në Kosovë gjatë viteve të luftës.

Po atëherë, pas gjithë këtyre lëshimeve skandaloze që Thaçi dhe klika rreth tij i ka bërë Beogradit në dëm të interesave kombëtare të Kosovës dhe të tërësisë së saj territoriale, si shpjegohet fakti që kryeministri Vuçiç kërkuakej “arrestimin” e tij nëse ai shkonte për vizitë në Beograd?

Përgjigjja është fare e thjeshtë. Vuçiçi kërkon t’ia rritë aksionet Thaçit, në mënyrë që ky të vazhdojë të mbetet në majat e pushtetit për mbrojtjen e interesave të Serbisë në Kosovë. Me këtë deklaratë “kërcënuese”, Vuçiçi ka bërë një rrugë e dy punë: nga njëra anë, mundohet t’ia rritë autoritetin Thaçit (që ka si pikësynim të zgjidhet president vitin e ardhshëm) në sytë e popullit shqiptar të Kosovës, si, demek, “njeri i rrezikshëm” i Beogradit, kurse, nga ana tjetër, qetëson skifterët e politikës shoviniste serbe (që s’kanë fort haber nga marifetet e politikës së fshehtë) në qëndrimin ndaj Kosovës, në mënyrë që ndonjë snajper i kuturisur të mos e bëjë atë të pësojë fatin e ish-kryeministrit Xhinxhiç nëse do të lejonte ardhjen e tij (Thaçit) në Beograd.

Shkaktari i dytë i Ballkanit, edhe më zbavitës sesa kryeministri Vuçiç, është zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi, i cili, më shumë se një muaj më parë, në një intervistë për të përditshmen austriake “Der Standard” ka theksuar se Kosova është duke shqyrtuar disa mundësi për të paditur Serbinë për krimet gjenocidale në Kosovë.

Sipas tij, ka shumë shqiptarë që kanë përgatitur dosje dhe dëshirojnë ta paditin Serbinë për dëmet e luftës, duke e bërë përgjegjëse qeverinë e Serbisë të viteve ’90 për shkatërrimin e 65% të pronës private të kosovarëve.

Ai ka deklaruar:

“Duke parë që në Serbi ende nuk ka vullnet për të kërkuar falje, ne duhet të gjejmë mënyra ta dokumentojmë historinë dhe të gjejmë sadopak ngushëllim për familjet e mbi 10 mijë të vrarëve dhe 20 mijë grave të dhunuara, duke përdorur instrumentet ligjore” (Citohet sipas: Thaçi për “Der Standard”: Serbia do të paditet për gjenocid në Kosovë”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Koha Jonë”. 30 prill 2015).

Tani, pasi kanë kaluar 16 vjet nga përfundimi i luftës dhe më shumë se shtatë vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Hashim Thaçi “kujtohet” për të gjetur mënyra për të “dokumentuar” historinë e krimeve barbare të shovinizmit shtazarak serb, të konkretizuara me shkatërrime dhe me vrasje masive, si edhe me përdhunimin e 20 mijë femrave. Heshtja e deritanishme e Thaçit për ndëshkimin e Serbisë për ato krime të rënda që kreu në Kosovë dhe për dëmshpërblimin e të gjitha shkatërrimeve që la pas, i ka fyer rëndë ndjenjat kombëtare të mbarë qytetarëve kosovarë, ka fyer dhe ka poshtëruar rëndë femrat kosovare që bishat serbe i përdhunuan aq masivisht. Heshtja e deritanishme e Hashim Thaçit ka qenë një investim i fuqishëm në shërbim të shovinizmit serbomadh dhe një shërbim i pallogaritshëm që ai i ka bërë brukselizmit që ky të vazhdojë ta trajtojë Kosovën, si edhe mbarë trojet etnike shqiptare, si një parcel eksperimentale: të ulë në tryezën e bisedimeve kriminelin me viktimën, e cila, me prejardhjen e saj nga radhët e etnisë shqiptare, përfaqësuaka një krijesë mendjelehtë, pa kurrfarë dinjiteti dhe pa kurrfarë vetëdijeje kombëtare. Vallë a nuk i pati vlerësuar mendjelehtë shqiptarët ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, admirali Gregori Xhonson, i cili, gjatë vizitës në Maqedoni në vitin 2001 i pati bindur autoritetet e qeverisë së Shkupit se nuk mund ta fitonin luftën kundër shqiptarëve, por mund ta ruanin shtetin e tyre, nëse do të nënshkruanin një marrëveshje, e cila do t’i joshte shqiptarët mendjelehtë dhe do të ruhej status quoja edhe për një kohë të gjatë në këtë shtet të krijuar si Republikë jugosllave në vitin 1945” (Citohet sipas: Ahmet Qeriqi. “I robëruari s’ka ç’humb në luftë, përveç këmishës së zezë të robërisë”. Marrë faqja e internetit. 16 dhjetor 2009).

Pra, kjo është bindja e patundur e Bashkimit Evropian të Brukselit, se shqiptarët janë mendjelehtë dhe me ta mund të sillesh si të ta dojë qejfi, madje deri në atë shkallë, saqë viktima shqiptare duhet të ulet përballë kriminelit serb dhe nuk duhet të kuturisë t’i kërkojë atij llogari për krimet që ka kryer kundër saj.

Shqiptarët nuk janë mendjelehtë. Përkundrazi, populli shqiptar është një popull me zgjuarsi të lindur, me një nuhatje të hollë politike dhe me një vetëdije të lartë kombëtare. Por të huajt dhe kryesisht Bashkimi Evropian, mendjelehtësinë mercenariste të politikanëve shqiptarë, ia faturojnë mbarë popullit shqiptar. Pikërisht mercenarizmi i politikanëve shqiptarë neve, si komb, na ka nxirë faqen në sytë e botës.

Dhe viktimat shqiptare të barbarisë serbe, sipas Hashim Thaçit, u dashka që t’i përgatitin vetë dosjet e krimit për të kërkuar drejtësi në Gjykatën e Hagës për ndëshkimin e Serbisë! Sigurisht, se s’u mbetet rrugë tjetër. Se Kosova është një vend pa zot. Se Hashim Thaçi dhe mbarë klasa politike udhëheqëse e Kosovës, si mercenarë të Beogradit dhe të Brukselit, i ka lënë jetimë qytetarët e vet që ranë pre e barbarisë millosheviçiane. Se Hashim Thaçi dhe parlamenti thaçist, në kundërshtim flagrant me interesat e popullit të vet, kanë rënë në gjunjë para Beogradit dhe para Brukselit. Prandaj unë kam plotësisht të drejtë kur them së Thaçi është “pasuri kombëtare” për Serbinë. A nuk ishte Thaçi ai që u ngrit e erdhi në Tiranë dhe takoi kryeministrin Rama për t’i kërkuar atij rivarrosjen në Vlorë të eshtrave të Isa Boletinit? Vallë a nuk ishte paradoksale nisma e Hashim Thaçit? Sigurisht që po. Se ai kërkonte t’u vinte në osh kriminelëve serbë të Veriut të Mitrovicës dhe politikës së Beogradit, sipas të cilëve eshtrat e Isa Boletinit nuk duhej të rivarroseshin në vendlindjen e tij. Prandaj edhe Hashim Thaçi nuk mori pjesë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit të Kosovës në vendlindjen e tij se nuk arriti ta çonte dot në vend vullnetin e Beogradit dhe të pakicës kriminale serbe në Veriun e Mitrovicës.

E meritojnë të përshëndeten të gjithë ata intelektualë shqiptarë që ngritën zërin e tyre të fuqishëm për rivarrosjen në vendlindje të eshtrave të Isa Boletinit. Midis tyre më ra në sy këmbëngulja e prof.dr. Nexhmedin Spahiut, i cili pati deklaruar në internet se nëse eshtrat e Isa Boletinit nuk rivarrosen në vendlindjen e tij, atëherë qeveria e Kosovës Veriun e Mitrovicës e konsideruaka si pjesë të territorit të Serbisë.

Nisma e Thaçit për “ndëshkimin” e Serbisë për krimet e rënda që kreu gjatë luftës në Kosovë, është një parainvestim që ai, sa për sy e faqe, kërkon të bëjë në sytë e opinionit publik kosovar, me qëllim qe t’i ngrejë aksionet e veta për t’u ulur në kolltukun e presidentit vitin që vjen. Prandaj edhe shakaja e tij për “ndëshkimin” e Serbisë tingëllon mjaft e shpëlarë për këdo që i thotë vetes shqiptar me vetëdije kombëtare. Parlamenti thaçist le ta zgjedhë Thaçin president vitin tjetër dhe populli shqiptar i Kosovës, me heshtjen e tij, le t’ia shikojë përsëri “hairin” si president, ashtu siç ia ka parë deri vjet si kryeministër që e çoi  ekonominë  drejt rrënimit katastrofik, me pasojë braktisjen e vendit nga mijëra e mijëra qytetarë kosovarë.

 

Tiranë, 14 qershor 2015

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: