Hyrje > Personalitete të rëndësishëm > Haxhi Vehbi Dibra – Hoxha që ngriti flamurin kombëtar në Vlorë

Haxhi Vehbi Dibra – Hoxha që ngriti flamurin kombëtar në Vlorë

Roald HYSA

 

HAXHI VEHBI DIBRA – HOXHA QË NGRITI FLAMURIN KOMBËTAR NË VLORË

Haxhi Vehbi Dibra

Haxhi Vehbi Dibra

Vehbi efendiu është një nga figurat me kontributin më të madh në historinë moderne të Shqipërisë. Kontributi i tij politik e patriotik është i përmasave të jashtëzakonshme dhe me përgatitjen e tij të lartë ai u kthye në një figurë shumë aktive të patriotizmit shqiptar. Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) u lind më 1867 dhe u rrit në qytetin e Dibrës së Madhe prej nga mori edhe mbiemrin dhe u njoh gjerësisht në të gjitha trojet shqiptare. Vehbi efendi Dibra qysh në moshën e fëmijërisë shquhej për një zgjuarsi dhe mendjemprehtësi të rrallë. Ai dallohej midis moshatarëve për zellin e tij të madh për të mësuar. Më pas vazhdon studimet e larta në Stamboll. Pas kryerjes së studimeve të larta për teologji, kryen specializime në degë të veçanta, si: filozofi islame, logjikë e jurisprudencë. Ai i zotëronte shumë mirë tri gjuhët klasike të Lindjes muslimane turqishten, persishten e arabishten. Ai bëhet kështu në një figurë qendrore të historisë shqiptare të Pavarësisë, së bashku me Ismail Qemalin. Në vitin 1892, në moshën 25 vjeç emërohet myfti i Dibrës, duke zëvendësuar babain e tij[1]. Vehbi Efendiu lozi një rol të rëndësishëm në Kongreset e Manastirit 1908, 1910, ku mbështeti Dervish Himën e dom Nikollë Kaçorrin dhe alfabetin e gjuhës shqipe me germa latine. Ai i drejtoi me shumë kujdes punimet e Kongresit të Dibrës më 1909, ku me shumë zgjuarsi amortizon presionin e partisë xhonturke e pranishme në këtë kongres me një numër të madh pjesëmarrësish. Merr pjesë në ngritjen e Flamurit në Vlorë së bashku me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Hafiz Sherif Langun, si delegatë të Dibrës dhe aty zgjidhet  Kryetar i Pleqësisë (Senatit) së Parë Shqiptare, të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemal bej Vlorës, ku me fetvanë e tij ngrihet flamuri me shkabën dy-krerëshe, si dhe hedh firmën së bashku me delegatët e tjerë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë dhe në ngritjen e qeverisë së parë të Shtetit Shqiptar. Shpallet nga qeveria e Vlorës Myfti i përgjithshëm i Shqipërisë dhe zëvendësohet në postin e kryetarit të Senatit nga Eqerem bej Vlora. Në ato vite shumë të trazuara të dy luftërave ballkanike dhe menjëherë të Luftës së Parë Botërore, ai si një politikan i aftë dhe njeri me veti të larta organizative jep kontributin e tij të vlefshëm në saje të emrit të mirë që gëzonte në popull si klerik i lartë dhe teolog i ditur. Gjithashtu jep kontributin e tij në ngritjen e flamurit kombëtar nëpër rrethe të ndryshme të vendit, si dhe në krijimin e organizimin e pushtetit lokal në prefektura e nënprefektura. Nga dokumentet e Qeverisë së Vlorës shumë prej tyre mbajnë firmën e tij, si zëvendëskryetar pasi Ismail bej Qemali largohet në mars 1913 drejt Evropës me mision dhe e ngarkon Vehbi efendiun ta zëvendësojë në këtë detyrë shumë të vështirë për kohën, që po përjetonte vendi. Në shtator 1913 kontribuoi gjerësisht në organizimin e kryengritjes kundër serbëve në Dibër. Më 1 Mars 1918 ndodhi një akt i pazakontë, ku disa të krishterë shkodranë hodhën parulla ofenduese ndaj muslimanëve nëpër qytet, si: “Poshtë xhamija”, “Poshtë Mevludi”, por akoma më e keqja ishte therja e derrit në derën e xhamisë. Kjo u prit me indinjatë të thellë nga muslimanët e Shkodrës, të cilët normalisht që reaguan me shumë zemërim ndaj këtij akti vandal, por kryemyftiu Vehbi Efendiu bëri takime e bisedime me klerikë të ndryshëm të krishterë, dhe në mënyrë demonstrative tha se këto veprime nuk i sjellin ndonjë dëm bashkimit të popullit, dhe se 4 apo 5 ferra nuk përfaqësojnë komunitetin e krishterë dhe nga ana tjetër iu drejtoi një notë proteste autoriteteve Austro-Hungareze, pastaj bëri përpjekje të shumta për të qetësuar gjendjen. Më 1916-ën, pasi Shqipëria ishte krejt e pushtuar nga fuqitë e huaja, ai ia del të krijojë Gjyqin e Naltë të Sheriatit, të cilin e drejtoi vetë, duke u përpjekur që shqiptarët të mos e humbnin pusullën në ato vite të turbullta lufte. Qysh në këto momente kur ai drejton Gjyqin e Naltë ai nxjerr një qarkore për përdorimin e shqipes në administratë, si dhe porosit vulat në gjuhën shqipe me shqiponjën dy-krerëshe. Ky institucion e vazhdon jetën e tij deri në shkurt të vitit 1923, ku po me iniciativën e tij, të Hafiz Ali Korçës, Hafiz Ismet Gurit etj., mblidhen 36 delegatë nga e gjithë Shqipëria për të marrë pjesë në Kongresin e Parë të Xhamisë në kryeqytetin e sapozgjedhur të vendit Tiranën. Menjëherë pas fillimit të punimeve H. Vehbi Dibra zgjidhet drejtues i këtij Kongresi, që e shkëput Xhaminë shqiptare nga qendra e Stambollit, Kalifati dhe Meshihati, duke shpallur mëvetësinë e saj. Në këtë Kongres u bënë një sërë reformash ku Gjyqi i Naltë i Sheriatit kthehet në Këshillin e Naltë të Sheriatit. U mor vendimi për nxjerrjen e reviste që do të ishte zëdhënëse e Komunitetit Mysliman (Zani i Naltë), si dhe hapja e sa më parë e një Universiteti (Medrese Alije-e lartë), ku do të mësoheshin jo vetëm arabishtja e shqipja, por edhe gjuhë të tjera perëndimore. Gjithashtu shumë shkrime të tij me karakter fetar janë botuar në faqet e revistës “Zani i Naltë”, si dhe ka shërbyer si vaiz në xhami të ndryshme të Tiranës, ku është shquar për oratorinë dhe shërbimet e tij të vyera. Deri në vitin 1929 shërben si kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe për arsye moshe tërhiqet për t’ia lënë vendin kryetarit pasardhës dr. Behxhet Shapatit. Vdes në Tiranë në mars të 1937-ës, e varroset duke u përcjellë nga respekti dhe nderimi i qindra-mijëra muslimanëve nga të katër anët e Shqipërisë, ku në varrimin e tij morën pjesë funksionarë të lartë të shtetit.[2]

 

[1] Gaçe, Bardhosh. Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare, Sh.B. Naim Frashëri, Tiranë 1997.

[2] Xhelili, Qazim. Vehbi Dibra- Personalitet dhe veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, Albin, Tiranë 1998.

 

Burimi: http://aldohysa.blogspot.de/2014/04/haxhi-vehbi-dibra-hoxha-qe-ngriti.html?view=snapshot

  1. 28/09/2015 te 14:33

    Tërë jetën, qoftë i paharruar kujtimi për këtë atdhetar të madh!

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: