Hyrje > Mesele kombëtare > Një pamflet rrëqethës

Një pamflet rrëqethës

Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

NJË PAMFLET RËQETHËS

Eshref Ymeri

Eshref Ymeri

Më 12 qershor 2015, në faqet e internetit ishte botuar pamfleti i zotërisë Rexhep Shahu, me titull “T’u shtoftë jeta, qeveri!”

E lexova me shumë kërshëri. Më pikoi në zemër për ato të vërteta që shpaloseshin në atë pamflet. Kisha lexuar edhe më parë për gjendjen e rëndë ekonomike që ishte krijuar në Kukës dhe për largimin masiv të njerëzve për në emigracion. Por nuk mund ta përfytyroja dot atë pamje tragjike që zotëria Rexhep Shahu zbulon në pamfletin e vet. Fuqia stigmatizuese e atij pamfleti është e jashtëzakonshme. Ajo më ktheu shumë prapa në kohë dhe më solli në kujtesë pamfletin e Ciceronit (Marcus Tullius Cicero  106-43 p.e.r.) që e pati botuar në vitin 61 p.e.r.  kundër Publij Klodit (Publius Clodius Pulcher 93-52 p.e.r.), një demagog ky nga radhët e patricëve romakë, të cilin gjykata e pati nxjerrë të pafajshëm pas fyerjes që i kishte bërë perëndeshës së dëlirësisë Bona Dea.

Më kujtoi njërin nga mjeshtrit e shquar të pamfletit të periudhës së klasicizmit, Erazmin e Roterdamit (Desiderius Erasmus Roterodamus, 1466-153). Në pamfletin me titull “Lëvdatë budallallëkut” (Lob der Torheit), të botuar në vitin 1509, ai stigmatizon princat, priftërinjtë dhe skolastikën.

Më kujtoi pamfletin e famshëm të Daniel Defosë (Daniel Defoe 1660-1731), me titull “Rruga më e shkurtër për të larë hesapet me disidentët (The shortest Way with the Dissenters), të botuar në vitin 1702, në të cilin demaskonte obskurantizmin klerikal.

Më kujtoi pamfletin e Lev Tolstoit me titull “Nuk mund të hesht” (Nje mogu mollçat), të botuar në vitin 1908. Në atë pamflet shkrimtari i shquar i çjerr maskën carizmit për ekzekutimin e fshatarëve të pafajshëm pas revolucionit të viteve 1905-1907 që pati shpërthyer në Rusi, me qëllim që të mbillte frikë dhe tmerr në radhët e popullit rus. Tolstoi shkruan:

“Sot, më 9 maj, ka ndodhur diçka e tmerrshme… Sot, në Herson… janë ekzekutuar me varje në litar dymbëdhjetë fshatarë… Dymbëdhjetë veta, pikërisht nga radhët e atyre njerëzve, me punën e të cilëve ne ushqehemi, të atyre njerëzve që ne i kemi shthurur dhe po vazhdojmë t’i shthurim me të gjitha mënyrat, duke filluar nga helmi i vodkës e deri tek ajo gënjeshtra e tmerrshme e besimit, të cilin ne vetë nuk e marrim për të vërtetë, por që po mundohemi t’ua mëkojmë atyre me se s’bën. Dymbëdhjetë të tillë janë varur në litar pikërisht nga ata njerëz që mbahen me ushqim dhe me veshëmbathje me djersën e atyre të gjorëve”.

Qeveria shqiptare nuk ka ushtruar asnjë dhunë fizike ndaj qytetarëve kuksianë, por ajo ka ushtruar një dhunë të tmerrshme shpirtërore kundër tyre. U ka kërkuar të paguajnë faturat e prapambetura të energjisë elektrike që arrijnë në miliona lekë. Në pamundësi për të paguar dhe për të mos përfunduar nëpër burgje, një masë e madhe qytetarësh kuksianë janë detyruar të braktisin atdheun dhe të degdisen familjarisht në emigracion. Për pasojë, siç shkruan zotëria Rexhep Shahu, shumë pallate janë boshatisur, nëpër shkolla janë rralluar nxënësit, mësuesit janë larguar, pa nxjerrë përfundimet vjetore, njerëz të moshës së tretë kanë mbetur në mëshirë të fatit deri në atë shkallë, saqë, për shkak të moshës së rënduar, nuk janë në gjendje të shkojnë të tërheqin pensionin.

Por gjendja katastrofike ku e ka katandisur vendin qeveria Rama-Meta, nuk është karakteristike vetëm për Kukësin, siç përshkruhet vërtetësisht në pamfletin e zotërisë Rexhep Shahu. Një gjendje e tillë ka pllakosur mbarë vendin.

Ja se si e përshkruan gjendjen ekonomike të qytetit të Vlorës gazetarja Laureta Petoshati:

“Të gjithë mendojnë se Vlora është një bastion i së majtës dhe ky krah politik shpreson se edhe këtë herë fitoren do ta ketë më të lehtë, aq sa në gazetën “Telegraf”, të datës 08.06.  2015 në intervistën dhënë gazetarit Çlirim Hoxha, shkruhet shprehimisht: “Flet për “Telegraf” kryebashkiaku i ri i Vlorës”, duke zhvlerësuar kështu zgjedhjet dhe demokracinë pjesëmarrëse. Asnjëherë nuk duhet folur para kohe. Atë e vendos sovrani popull, pasi në terren gjërat qëndrojnë ndryshe, pavarësisht tymnajës së mediave. Te komuniteti vlonjate, qysh vjet që kam punuar si gazetare në terren, kam parë se po kristalizohej mendimi se e majta që është në pushtet është tjetërsuar dhe është duke e humbur thelbin e vet social. Nga dita në ditë po rritet varfëria, si shkak i papunësisë dhe i masave drastike të qeverisë. Në Vlorë pakënaqësia është e dyfishtë, sepse njerëzit janë të pakënaqur dhe nga puna e bërë për 18 vjet nga pushteti vendor në pesë mandate, ku në dy prej të cilave kishte në krye dy mjekë dhe në tre të fundit një mësues të gjuhës frënge” (Citohet sipas: Laureta Petoshati. Leli apo Deromemaj? Vlora ka nevojë për një menaxher transformimi”. Marrë nga faqja e internetit “VOAL”, 10 qershor 215).

Pasojat e masave drastike të qeverisë Rama-Meta u dukën açik edhe në Vlorë: me mijëra qytetarë vlonjatë morën rrugën e emigracionit.

Çuditërisht, e njëjta politikë qeveritare, me pasojë varfërimin e njerëzve, ndiqet edhe në Kosovë: me dhjetra mijëra qytetarë, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, janë detyruar të braktisin vendin. A thua të jetë rastësi ngjashmëria e një dukuri e tillë: zbrazja e vendit nga qytetarët e vet? Nuk e di. Por për një gjë gjithsekush duhet të ketë një mendim të kristalizuar: shqiptarët, tradicionalisht, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë varrmihës të vetvetes, si pasojë e politikës mercenariste të klasës në pushtet.

Qeveria Rama-Meta nuk kishte se ç’t’u merrte më atyre banorëve kuksianë, si edhe gjithë atyre të zonave të tjera që qenë detyruar të braktisin vendin. Si qytetarë që s’kishin para për t’i dhënë qeverisë, ata, me sa duket, nuk i duheshin më asaj. Prandaj edhe ata u detyruan të emigrojnë në një mënyrë aq masive. Por a nuk do të kishte qenë më mirë vallë që qeveria Rama-Meta t’ua falte kamatëvonesat të gjithë atyre qytetarëve të varfër dhe çmimin e energjisë për kilovatorë, t’ua caktonte pak më të reduktuar? Se në fushatën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, kryetari i opozitës së asokoshme, zotëria Edi Rama, premtoi uljen e TVSH-së së energjisë elektrike deri në 06%. Por nuk e mbajti fjalën. Madje çmimin e energjisë e ngriti mbi 20%. A nuk do të kishte qenë më mirë që qeveria, përmes uljes së taksave, përmes investimeve, përmes masave lehtësuese për investitorët e huaj,  të nxiste hapjen e bizneseve të reja që njerëzit të punësoheshin që t’u rriteshin të ardhurat?

Në kulmin e dëshpërimit për zbrazjen e Kukësit nga qytetarët e vet, zotëria Rexhep Shahu shkruan:

“A thua kanë ardhë në pushtet Rama e Meta me shpopullue Shqipërinë? A mos i ka sjellë në pushtet ndonjë fuqi e huaj që i intereson të zbrazet Shqipëria nga shqiptarët?”

Lexuesit le ta klikojnë në google titullin e pamfletit të zotërisë Rexhep Shahu dhe të njihen vetë me të vërtetat drithëruese që përshkruhen aty.

Mund të jetë edhe kështu, siç hamendëson zotëria Rexhep Shahu, se, siç e përmenda më lart, varrmihësit e shqiptarëve kanë qenë politikanët mercenaristë. Por mund të jetë edhe dashuria e verbër që ushqejnë për pushtet Rama dhe Meta, të cilët, të dehur prej saj, me politikën që po bëjnë, po sjellin si pasojë varfërimin e popullit shqiptarë. Pikërisht kjo politikë me pasoja varfëruese, i ka detyruar disa dhjetra mijëra qytetarë të zbrazin atdheun për të gjetur kafshatën e gojës në vende të huaja. Pikërisht kjo politikë me pasojat e lartpërmendura që ndjekin Rama dhe Meta, me vetëdije apo pa vetëdije, në thelb, është një politikë antikombëtare. Prandaj do të ishte mirë që ata të heqin dorë nga dashuria e dendur për pushtet për hedhjen në dorë të të gjitha levave të tij. Sepse është si zor që ta besosh se një dashuri e tillë do të ketë pasoja të mira për politikën e tyre. Se dashuria e dendur, – thotë populli, – është e keqe dhe e nëmur.

 

Tiranë, 18 qershor 2015

Kategori: Mesele kombëtare Etiketa: , ,
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: