Hyrje > Shqiptarët dhe Europa > Shqiptarët në shekullin XVII humbën shansin t’i bashkoheshin Evropës

Shqiptarët në shekullin XVII humbën shansin t’i bashkoheshin Evropës

SHQIPTARËT NË SHEKULLIN XVII HUMBËN RASTIN T’I BASHKOHESHIN EVROPËS

Konferencë Prishtinë 2015

Prishtinë, 20 tetor – Shqiptarët janë gjetur në një pozitë mjaft të palakmueshme në luftërat e Aleancës së Shenjtë kundër Perandorisë Osmane gjatë shekullit XVII.

Brenda një lufte, i njëjti popull luftoi për të dyja anët. Ballkani dhe Evropa Juglindore do të shndërroheshin në një arenë të interesave politike, fetare dhe strategjike të këtyre dy fuqive dominuese të kohës. Ajo që e pësoi keq ishte popullata shqiptare dhe ajo e rajonit. Por pos kësaj lëshoi rastin historik që t’i bashkëngjitej Evropës në proceset zhvillimore të asaj kohe, shkruan sot “Koha Ditore”, duke raportuar nga kjo tryezë.

Kjo pjesë e historisë konsiderohet si një prej fatkeqësive më të mëdha që i ka ndodhur popullit shqiptar: u vranë mijëra veta, u shkatërruan e u dogjën qytetet, dhe jo pak banorë kryesisht myslimanë u shpërngulën. E pikërisht kjo fatkeqësi do të shfrytëzohej si forma e veprimit të propagandës serbe. Do të propagandonin se serbët po e lëshonin Kosovën, kinse vendin e tyre dhe se shqiptarët po vinin nga malet e Shqipërisë dhe po i dëbonin ata.

Këto kanë qenë disa nga konstatimet që janë nxjerrë të hënën në tryezën shkencore “Luftërat e Aleancës së Shenjtë kundër Perandorisë Osmane gjatë fundit të shek. XVII dhe gjysmës së parë të shek. XVIII”, organizuar nga Dega e Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Shtatë studiues prezantuan kumtesat që sollën detaje për luftërat mes dy fuqive më të mëdha të asaj kohe, asaj Osmane dhe Habsburge.

Osmanologu Nehat Krasniqi në fjalën hyrëse të kësaj tryeze ka thënë se kjo është një nga “temat më të rëndësishme, por njëherësh edhe më komplekse të historisë së popullit shqiptar dhe jo vetëm”. Ai, po ashtu ka thënë se qëllimi i kësaj tryeze është ndriçimi i historisë së shqiptarëve gjatë këtyre luftërave.

“Disfata e rëndë që pësoi ushtria osmane para mureve të Vjenës më 12 shtator të vitit 1683, paraqet pikë kthese në raportet midis Perandorisë Osmane dhe Evropës.

Paraqet një tregues të qartë, të animit të peshores së forcës ushtarake, kah ana evropiane”, ka thënë Krasniqi. Ka kujtuar se të ndërgjegjshëm për këtë dhe të nxitur fuqimisht nga Papa Inoçenti XI, disa nga vendet evropiane, në radhe të parë Perandoria Habsburge, si fuqia kryesore evropiane e asaj kohe, Polonia, Venediku, Papati dhe disa vende të tjera më të vogla, në pranverën e vitit 1684 krijuan Aleancën e Shenjtë për ta luftuar Perandorinë Osmane, së cilës pas dy vjetësh iu bashkëngjit edhe Rusia. Këto luftëra, studiuesit i kanë trajtuar nga aspekte të ndryshme.

Profesori universitar Muhamet Mala, në kumtesën “Ndikimi dhe pasojat e këtyre luftërave për Ballkanin dhe shqiptarët”, ka thënë se shekulli XVII paraqet një periudhë të hidhur për shqiptarët.

“Pikërisht në këtë kohë Kosovës iu rikthye nami historik po edhe strategjik i fashitur që para 240 vjetëve nga koha e betejës së parë dhe të dytë të Kosovës. Në fakt, Ballkani apo Evropa Juglindore, siç parapëlqejmë ta quajmë tani, në dekadën e fundit të shekullit XVII shndërrohet në një arenë ku gërshetohen interesa politike, fetare dhe strategjike të dy fuqive dominuese të kohës, por për herë të parë në kohën e re vjen në shprehje edhe roli i artereve vendore”, ka thënë Mala. Sipas tij, qoftë shqiptarët apo serbët dëshironin që të përfitonin nga rasti. E, megjithatë, nuk kishte qëndrim unik kudër një armiku të përbashkët.

“Derisa një pjesë e madhe e shqiptarëve u lidhen me austriakët, pjesa tjetër, sidomos aristokracia, qëndroi në vijën osmane. Serbët formalisht bashkëpunuan me austriakët, por në esencë Venediku për ta paraqiste aleatin e vërtetë strategjik. Në anën tjetër, futja e Francës në luftë kundër Austrisë e përgjysmoi forcën ushtarake austriake duke u bërë shkaktare e humbjeve të tyre edhe në Ballkan”, ka thënë Mala. Nga kjo situatë ai ka thënë se pësuan shqiptarët po edhe popujt e tjerë të rajonit, duke lëshuar rastin që të bëheshin pjesë e proceseve të zhvillimit në Evropë.

“Për këtë arsye mendoj se historia e Ballkanit paraqet vonesë dyshekullore në raport me pjesën tjetër të Evropës”, ka thënë Mala.

Osmanologu Nehat Krasniqi, i cili u prezantua me kumtesën me titull “Karakteri i luftërave Habsburgase-Osmane dhe roli i shqiptarëve në to”, ka thënë se ka mjaft argumente që tregojnë për karakterin fetar të këtyre luftërave.

“Kjo ka bërë që pjesëmarrja e shqiptarëve johomogjenë në aspektin fetar të shkojë në drejtime të kundërta. Kjo ka qenë një prej fatkeqësive më të mëdha që i kanë ndodhur popullit shqiptar me shkatërrime në masë, djegie të qyteteve, vrasje të banorëve e më pas shpërngulje”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se popullata e Rrafshit të Dukagjinit, nga Prizreni përmes Grykës së Lumës ka depërtuar deri në Elbasan, ku një pjesë e madhe ka vdekur dhe kanë qenë të njohura varret e prizrenasve. Pjesa e popullsisë shqiptare myslimane nga Rrafshi i Kosovës, përmes Grykës së Kaçanikut, Shkupit ka depërtuar në Maqedoninë Lindore.

“Kjo ka qenë një fatkeqësi e madhe e cila pastaj ka prodhuar edhe disa favore. Fakti që tanimë pushteti qendror osman nuk mund t’i kontrollonte sanxhakbejlerët shqiptarë, ata patën mundësi shpeshherë që të merrnin vendime kokë më vete dhe të radhiten e të veprojnë ashtu siç mendonin se është më së miri për vendin e tyre”, ka thënë Krasniqi.

Për lëvizjet e popullsisë dhe për propagandën serbe ndaj shqiptarëve ka folur profesori e studiuesi Gazmend Rizaj. Ai u prezantua me kumtesën “Lëvizjet demografike të popullsisë së Ballkanit pas Luftërave austro-osmane 1683-1690 nga prizmi i historiografisë ballkanike” dhe me këtë rast ai ka thënë se kjo periudhë e historisë është studiuar pak.

“Duke tejkaluar pjesën fillestare se si ndodhi lufta dhe disfata me pasoja të mëdha për Perandorinë Osmane, mund të themi se të gjitha këto luftëra që po ndodhnin, patën për pasojë lëvizjen demografike të popullsisë, por jo vetëm nga Kosova, por nga mbarë Ballkani. Që nga dita e parë kur nisi fushata e osmanëve pati lëvizje të popullsisë krishtere nga frika e osmanëve dhe më pas kur ndodhi tërheqja e osmanëve, ndodhi e kundërta”, ka thënë Rizaj. Sipas tij, kjo është pjesa me e koklavitur e historisë së popullit shqiptar.

“Jemi gjetur në një situatë mjaft të palakmueshme. Brenda një lufte, i njëjti popull lufton për të dyja anët. Një fat i vetëm në këtë luftë ka qenë që nuk kemi pasur konfrontim mes vete, sepse përndryshe kemi qenë në dy taborë kundërthënës. Mirëpo ky është fati ynë historik”, ka thënë Rizaj. Sipas tij, një pjesë të rëndësishme në këtë histori luan edhe propaganda serbe. Ai ka thënë se nëpër arkiva në botë ende gjenden shkrime të serbëve që flasin për këtë pjesë të historisë dhe për Kosovën në veçanti, të cilat nuk janë të vërteta.

“Historiografia serbe e ka fokusuar një objektiv të vetin ekspansionist pikërisht në këtë pikë. Këtu spekulohet për një shpërngulje aspak normale të kinse popullsisë serbe, për ta justifikuar atë se Kosova kinse ka qenë dhe duhet të jetë e Serbisë, por jo e shqiptarëve të cilët kinse kanë ardhur nga bjeshkët e afërta të Shqipërisë për ta plotësuar këtë vakuum territorial. Është një absurditet i veçantë për të cilin vlen të diskutohet”, ka thënë Rizaj.

Por këto luftëra nuk kanë qenë vetëm në fokus të serbëve. Ishin mediet angleze ato të cilat raportuan për zhvillimet në këtë pjesë të Evropës.

Historiani Memli Krasniqi në kumtesën e tij me titull “Shqiptarët dhe Perandoria Osmane në mjetet e informimit publik anglez gjatë shek. XVIII” ka përmbledhur disa prej shkrimeve që kanë botuar gazetat angleze. Ai ka thënë se shqiptarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Perandorinë Osmane.

“Dihet mirëfilli se Perandoria Osmane deri në gjysmën e parë të shekullit XVIII ishte një superfuqi globale, ndërsa shqiptarët përfaqësonin së paku në pjesën evropiane të saj shtyllën e fuqisë së saj ushtarake. Natyrisht në rrethana të tilla edhe opinioni publik evropian, në këtë rast, ai anglez, nuk kishte se si të anashkalonte faktorin shqiptar”, ka thënë Krasniqi, i cili më pas citoi disa prej raporteve të botuara.

“Më 1729 shtypi anglez lajmëronte se Pallati Mbretëror Vjenez kishte dhënë 200.000 dukatë (florinj) për të rekrutuar ushtarë në Shlezi, Bohemi dhe provinca të tjera të Perandorisë Habsburgase. Ata ishin të bindur që Perandoria Osmane po bëhej gati për të sulmuar përsëri Vjenën, dhe këtë e mbështesin edhe në të dhënat se ishte bërë lista e të gjithë meshkujve në Shqipëri nga mosha 23-30 vjet të aftë për luftë”, ka thënë Krasniqi.
Në këtë tryezë shkencore u prezantuan edhe Naser Ferri që referoi në temën për “Monedhat Habsburge në Ballkan dhe në botë”, Pëllumb Xhufi që ka referuar për “Pushtimin e Vlorës nga Venediku më 1690” dhe Nuri Bexheti në temën “Beteja e Sentës (1697) dhe pjesëmarrja e shqiptarëve në të”.

 

Burimi: http://koha.net/?id=4&l=80271#.ViY1UgDrKPo.facebook

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: