Hyrje > Mesele kombëtare > Kur lexova një libër dhe… një letër

Kur lexova një libër dhe… një letër

Prof. Dr. Eshref YMERI

 

KUR LEXOVA NJË LIBËR DHE… NJË LETËR

Dr. Eshref Ymeri

Dr. Eshref Ymeri

Para pak ditësh lexova librin mjaft interesant të publicistit të mirënjohur Xhevdet Shehu, me titull “Prapaskena”. Sot, më 30 shtator, në gazetën “Dita”, lexova edhe letrën që Nexhmije Hoxha i drejtonte autorit të këti libri. Në librin në fjalë shkruhet e zeza mbi të bardhë dhe del në pah fare shkoqur se Enver Hoxha ishte duke përgatitur pasardhësin. Por pasardhës i denjë për mendësinë e Enver Hoxhës, i cili në çdo hap shikonte vetëm armiq, nuk mund të ishte Mehmet Shehu. Pasardhës duhej të ishte vetëm Ramiz Alia, njeriu pa “klorofil politik”, siç e ka karakterizuar bukur fare Xhelil Gjoni. Sepse, sipas bindjes sime të patundur, Enver Hoxhën, thellë në vetëdijen e tij, e kanë pasë munduar gjatë komplekset e inferioritetit para Mehmet Shehut, i cili, megjithëse pjellë e diktaturës komuniste, kishte një tjetër formim si burrë shteti dhe, siç del nga libri i Xhevdet Shehut, tjetër këndvështrim për zhvillimin e vendit, me orientim perëndimor. Ishin pikërisht komplekset e inferioritetit ato që e patën torturuar Enver Hoxhën edhe para lules së inteligjencies shqiptare, të cilën, fill pas luftës, ai e zhduku pa iu dridhur qerpiku. Sepse ajo kishte kulturë universitare perëndimore, kurse Enver Hoxha s’qe i aftë të përfundonte ndonjë universitet në Perëndim. Por Nexhmije Hoxha, në letrën që i drejton Xhevdet Shehut, e anashkalon qëllimisht arsyen e vërtetë të shpërthimit tërbimtar të Enver Hoxhës kundër Mehmet Shehur, fill pas ikjes së këtij të fundit për në botën e përtejme. Si shpjegohet që deri natën duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981, Enver Hoxha nuk dinte gjë absolutisht për “poliagjentizmin” e Mehmet Shehut dhe menjëherë pas (vetë)vrasjes së tij, ai na e shpalli poliagjent, pa i paraqitur opinionit publik asnjë fakt konkret? Shpërthimi egërsor i Enver Hoxhës kundër Mehmet Shehut, dëshmonte fare qartë se urrejtja mitike kundër këtij të fundit kishte kaluar një periudhë të gjatë inkubacioni në qenien e Enver Hoxhës. Prandaj ai ka pasë pritur rastin më të përshtatshëm për ta shfryrë atë urrejtje të ndërkryer, që është mjaft karakteristike për monarkët e diktaturave më të egra. Madje nuk u mjaftua me “vrasjen” e Mehmet Shehut në mbledhjen e Byrosë Politike, por iu turr edhe kufomës së tij në varrezat e Sharrës dhe e degdisi diku në një humbëtirë të Ndroqit. Kaq katastrofik na paskej qenë inati mizor i Enver Hoxhës kundër kryeministrit Shehu dhe familjes së tij. Po kush na siguron që atë punën e fejesës së Skënder Shehut me Silva Turdiun nuk e ka pasë kurdisur vetë Enver Hoxha me rrjetin e tij, në mënyrë që të gjente një vjegë ku të kapej për t’ia zënë kokën me derë Mehmet Shehut, siç edhe ia zuri konkretisht?

Në letrën e saj, Nexhmije Hoxha deklaron:

“Nuk është Enveri që vrau Mehmetin, por është Mehmeti që vrau Enverin”.

Kjo është një deklaratë absurde. Me këtë deklaratë, Nexhmije Hoxha kërkon të fshehë gjurmët e krimit të Enver Hoxhës. Po a nuk ishte Enver Hoxha ai që e vendosi Mehmet Shehun para “skuadrës së pushkatimit” në mbledhjen e Byrosë Politike në pasditen e 17 dhjetorit 1981? A nuk ishte ai që ndërseu kundër tij turmën servile të Byrosë Politike? Vallë a nuk ishte Enver Hoxha ai që Mehmet Shehun e vrau për së gjalli atë pasdite ogurzezë?

Pas asaj pasditeje gjëmëndjellëse, ku Byroja Politike, me yshtjen e Enver Hoxhës, kishte marrë përsipër rolin e “skuadrës së pushkatimit” të Mehmet Shehut, ç’rëndësi ka që lexuesi të rri e të përsiatë gjatë nëse ky i fundit ia hoqi vetes apo dikush tjetër ia shkrepi në zemër me një pistoletë pa zhurmë. Sepse Enver Hoxha e pati vrarë Mehmet Shehun që në atë mbledhje poshtëruese që pati organizuar kundër tij, në bashkëpunim të ngushtë me konet e veta, anëtarët e Byrosë Politike. Dhe e vetmja arsye, bindëse, sipas Enver Hoxhës, për poshtërimin e Mehmet Shehut në atë mbledhje të Byrosë Politike, na paskej qenë fejesa e djalit të tij me Silva Turdiun, paçka se babai i saj punonte profesor në universitet. Sigurisht që ajo fejesë shërbeu thjesht si vjegë, pas së cilës Enver Hoxha u kap me thonj e me dhëmbë për zhdukjen e Mehmet Shehut, me qëllim që drejt kryepushtetit t’i hapej drita jeshile Ramiz Alisë, njeriut pa shtyllë kurrizore që doli para publikut me deklaratën paradoksale, sipas së cilës Shqipëria nuk na qenkej as Lindje, as Perëndim. Kjo është edhe arsyeja që Nexhmije Hoxha e anashkalon qëllimisht motivin e vërtetë të zhdukjes së Mehmet Shehut prej Enver Hoxhës. Sepse pjellat e diktaturave i tremben së vërtetës si djalli vetëtimës.

 

Tiranë, 30 shtator 2015

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: