Home > Orienti > Terrori i shenjtë: Historia e Urdhrit të Vrasësve

Terrori i shenjtë: Historia e Urdhrit të Vrasësve

Jefferson M. GRAY

 

TERRORI I SHENJTË: HISTORIA E URDHRIT TË VRASËSVE

 

Assassins-Creed

SEKTI I ASASINËVE/ Cila ishte organizata terroriste më e lashtë në Lindjen e Mesme që tmerronte sulltanët dhe perandorët e botës.

Gjatë kryqëzatave, sekti mysliman i njohur si “Vrasësit” (Assassins ose Hashshashin) i zhduknin armiqtë e fuqishëm duke përdorur një metodë shokuese: vrasjen.

Për gati dy shekuj, nga viti 1090 deri në vitin 1273, Urdhëri i Vrasësve ka luajtur një rol të madh në Lindjen e Mesme. Një sekt i vogël shiit, që njiheshin si Vrasësit, ishin gjeografikisht të shpërndarë e konsideroheshin si heretikë nga mazhoranca sunite myslimane. Por në fund të shekullit të 11, Hasan Sabbah-u i pamëshirshëm e ktheu këtë sekt në një nga grupet terroriste më të rrezikshme në të gjithë botën. Edhe sundimtarët më të fuqishëm, sulltanët, vezirët, perandorët dhe krerët e shteteve të ndryshme jetonin të tmerruar nga të ashtuquajturit “Vrasësit”.

Fanatikë e të disiplinuar, Hasan Sabbah dhe pasardhësit e tij ishin praktikues të shkëlqyer të luftës asimetrike. Ata krijonin mjete sulmi që ishin në avantazh përballë kundërshtarëve të tyre, si dhe vinin në rrezik një numër të vogël të ushtrisë së tyre. Si një formë efektive e parandalimit, liderë politikë, fetarë e ushtarakë prodhuan një ekuilibër të qëndrueshëm mes pushtetit të tyre dhe të armiqve, duke e ulur nivelin e konfliktit dhe humbjen e jetëve nga të dyja anët.

Sot, 750 vjet pasi mongolët i shkatërruan ata, metodat e përdorura nga Asasinët, vrasjet sistematike për t’i dhënë fund një qëllimi politik, gjetën përdorim nga grupet terroriste si Hamas, Hezbollah dhe Al-Kaeda. Por për Hasan Sabbah, veprat e terrorit ishin një përgjigje legjitime për vetëmbrojtje pikërisht sepse në target të tyre ishin liderë fetarë, politikë e ushtarakë që sipas tyre kishin kryer veprime armiqësore kundër komunitetit. Me siguri Hasan Sabbah kishte për t’i parë me përbuzje taktikat e përdorura nga grupet terroriste të sotme në Lindjen e Mesme ku në target janë civilë të paarmatosur.

Pas vdekjes së Profetit Muhamed në vitin 632, bota myslimane u nda në dy grupe Sunnitët dhe Shiitët. Shiitët besonin se vetëm një imam i frymëzuar nga hyjnitë mund ta interpretonte e kuptonte Kuranin, që sipas myslimanëve përmban këshillat që Zoti i dha profetit Muhamed. Ndërsa sunitët besojnë se Kurani mund të kuptohet nëpërmjet studimit dhe drejtimit nga dijetarët. Ata pranojnë udhëheqjen e kalifëve. Me kalimin e viteve, komuniteti shiit u nda edhe më tej për shkak të keqkuptimeve. Në mes të shekullit të 8, komuniteti i quajtur Ismailët vendosën të ndjekin një imam, Ismail bin Jafar, i cili nuk pranohej nga shumica e shiitëve. Shiitët ismailianë, një minoritet brenda një minoriteti, dhe paraardhësit e Vrasësve, u shpërndanë në të gjithë botën myslimane.

Besimi i tyre karakterizohej nga sofistikimi teologjik dhe një barazi radikale që dënonte pasurinë dhe luksin e gëzuar nga kalifët suni që sundonin shumicën e tokave myslimane në kryeqytetin e tyre Bagdad. Grupi i tyre ishte kryesisht i pozicionuar në vendet ku ndodhen sot Irani, Iraku, Libani, Siria dhe Gadishulli Arabik. Duke qenë se ato ishin një grup i përbuzur e konsideroheshin si heretikët, ismailianët u bënë një sekt revolucionar që në bazë të misioneve sekrete kërkonin të përhapnin teologjinë e tyre.

Ubayd Allah i ismailianëve udhëhoqi një revolt të suksesshme kundër një dinastie sunni në zonën e Tunizisë moderne dhe themeloi kalifatin Fatimid (emër i marrë nga vajza e preferuar e Muhamedit) në janar të vitit 910. Kalifët e Fatimid pushtuan Egjiptin në vitin 969 dhe më pas u drejtuan më në lindje për të pushtuar Palestinën, qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës, si dhe pjesë të Sirisë. Ata ëndërronin të merrnin Bagdadin dhe ta bashkonin të gjithë botën myslimane nën një sundim të vetëm. Si kryeqytet zgjodhën Kajron dhe zhvilluan një infrastrukturë për të mbështetur misionet e tyre jashtë vendit. Por në mesin e shekullit të 11, një grup i fuqishëm i ushtrisë sunnite nga Azia Qendrore, fitoi kontrollin e Persisë dhe Mesopotamisë. Në të njëjtën kohë kalifati Fatimid filloi të dobësohej për shkak të përçarjeve të brendshme dhe e humbën kontrollin e tyre në Siri, Arabi dhe në bazë e tyre në Tunizi. Kur kalifati e humbi të gjithë zellin e tij revolucionar, i përqendroi forcat për të mbrojtur territoret e mbetura.

Rënia e kalifatit Fatimid ishte në fazat e parë në vitin 1078 kur një ismailian i zjarrtë nga Persia, Hasan Sabbah, mbërriti në Kajro. Një figurë e rëndësishme e këtij komuniteti, Hasan lindi mes viteve 1040-1050 në Rayy, Teherani i sotëm. I ditur, aktiv dhe tepër ambicioz, ai u konvertua në ismailian kur ishte i ri pasi vuajti një sëmundje të rëndë pothuajse fatale. Për shumë vite ai punoi si agjent sekret ismailian në qytetin e tij.

Në vitin 1076 autoritetet u përpoqën ta arrestonin atë, por Hasan u arratis. Mentori i tij e konsideronte një pasuri të pazakontë Hasanin për grupin ismailian, për personalitetin e tij të pabesueshëm të kombinuar me zgjuarsinë dhe aftësitë në debat. Ai e dërgoi Hasanin në Kajro për udhëzime të avancuara.

Në vitin 1081, Hasan iu bashkua eprorit të tij në Isfahan. Për vitet e ardhshme ai ndërmori shumë misione në Persi. Përveç se të rekrutonte njerëz të tjerë, Hasan kishte një tjetër objektiv: të gjente një bazë të favorshme nga e cila ai mund të niste fazën e radhës së luftës së ismailianëve. Në fund të viteve ’80, ai gjeti një luginë të rrethuar nga male të larta në veri të lumit Shah. Pasi gjetën një bazë të përshtatshme, Hasani vendosi të vidhte kështjellën nga Selxhukët. Pasi dërgoi misionarët e tij në kështjellë për të infiltruar të tjerët, Hasani vetë u fut fshehurazi në kështjellë më 4 shtator 1090.

Kur komandanti i selxhukëve zbuloi se diçka nuk shkonte, ai u përpoq të dëbonte personat e konvertuar në ismailianë. Por zbuloi se pjesa më e madhe e garnizonit tani i përgjigjej Hasanit dhe jo atij. Komandanti u dorëzua. Hasani u tregua bujar duke i dhënë 3 mijë dinarë ari komandantit përpara se ta largonte atë. Pavarësisht se një selxhuk u përpoq t’i prishte punë Hasanit, duke shkatërruar disa shtëpi e duke vrarë disa të konvertuar, ai nuk arriti ta merrte kështjellën.

Pasi kishte përballuar disa kundërshtime, Hasani kërkoi të shtrinte autoritetin e tij në të gjithë qarkun e Rudbar. Kudo që ishte e mundur, Hasan fitonte në vende të fortifikuar nëpërmjet aktivitetit të tij misionar të quajtur “propagandë”. Por Hasani ishte i gatshëm të përdorte edhe grushtet e shteti apo sulmet e drejtpërdrejta, si plaçkitjet, gjakderdhje apo edhe luftën për të arritur atë që donte.

Një tjetër rajon të cilin Hasani e identifikoi si potencialisht të rëndësishëm për Ismailizmin ishte Kuhistani, një rajon i thatë në Persinë Lindore me male të ulët. Hasani që dikur strehohej në Alamut, nuk e la zonën shkëmbore për 35 vitet e ardhshme, prandaj i dërgonte vartësit e tij për misione në vendet e tjera.

Selxhukët fillimisht e panë ‘pushtimin’ e Hasanit si një problem lokal. Por sukseset e ismailianëve në Rudbar dhe Kuhistan bënë që ata të jepnin një përgjigje më të fortë. Sulltani selxhuk, Malik Shah dërgoi ushtri në Rudbar dhe Kuhistan për të parandaluar përhapjen e “infeksionit ismailian”. Kur selxhukët rrethuan Alamut-in në korrik të vitit 1092, ishin në dispozicion vetëm 60-70 luftëtarë ismailianë, dhe magazinat ishin pothuajse bosh. Hasani dhe burrat e tij shumë shpejt po vuanin për ushqim, dhe rënia e Alamut dukej e pashmangshme.

Por Hasani arriti t’i dërgonte një mesazh një prej njerëzve të tij që jetonte përtej maleve në Qazvin, rreth 150 milje në veriperëndim të Teheranit modern. Të ngarkuar me ushqim e armë, 300 vullnetarë ismailianë kaluan malet për të ardhur në Alamut, kaluan nëpër linjat e selxhukëve dhe arritën t’i dorëzonin furnizimet e tyre në garnizon. Kjo bëri që Ismailianët të mblidhnin forcat. Më vonë atë verë, garnizoni Alamut dhe aleatët e Hasan jashtë kështjellës nisën një sulm kundër selxhukëve.

Me fitoren që korri, Hasani ndërmori një sulm akoma më të fuqishëm ndaj shtetit selxhuk, një sulm që do të zinte vend në histori për keq si për të ashtu dhe për komunitetin që ai drejtonte. Në fillim ai identifikoi Vizier Nizam al-Mulk si armikun më të rrezikshëm.

Në fillim të tetorit, Bu-Tahir mësoi se Sulltani Malik Shah dhe shoqëruesit e tij, përfshi Nizam al-Mulk ishin nisur nga kryeqyteti selxhuk i Isfahanit për në Bagdad. Mbrëmjen e 16 tetorit 1092, Nizam al Mulk iu bashkua Malik Shah në tendën e tij për të festuar Ramazanin. Pas kësaj, shoqëruesit e çuan Nizam-in atje ku e priste haremi i tij. Bu-Tahir, i maskuar me veshjen e tij, tha se kishte kërkesë për shqyrtim të vezirit dhe mori një kamë dhe e qëlloi për vdekje në gjoks Nizman-in.

“Vrasja e këtij djalli është fillimi i lulëzimit,” tha Hasani pasi mori vesh për vrasjen e Nizam-it. Me vrasjen e Nizam al-Mulk, ismailianët kërkonin t’i tregonin myslimanëve sunni se tani ata përballeshin me një armik, që pavarësisht se më i pakët në numër dhe me mjete ushtarake më pak të fuqishme, ishte në gjendje të mbronte veten. Misioni i kryer me sukses nga Bu-Tahir shënoi fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet mes ismailianëve dhe armiqve të tyre.

Shumë shpejt, Hasan filloi të rekrutonte agjentë të rinj, si vezirë, gjeneralë, liderë fetarë dhe urbanë, madje edhe princa të krishterë u bën pjesë e tyre, duke formuan sektin e njohur me emrin “Urdhri i Vrasësve”.

Gjatë dekadave të vijim, “Vrasësit” përdorën terror politik. Hasani krijoi një lloj atmosfere intensive ideologjike që i bënte vullnetarët të gatshëm për të kryer misionet e tyre vdekjeprurëse. Këta vullnetarë ishin të rinj të zgjedhur për kurajon e tyre, shkathtësinë dhe ishin të gatshëm të linin mënjanë jetët e tyre për të qenë nën komandën e eprorit. Anëtarët më të mirë të “Vrasësve” kombinonin vendosmërinë e tyre për të t’i vetë-sakrifikuar si kamikazë, aftësinë luftarake për operacione të veçanta, dhe punën si agjentë të fshehur për kohë të gjata. Të gjitha këto cilësi i shtinin frikën kundërshtarëve të sektit.

Hasan Sabbah

Hasan Sabbah

Anëtarët e “Vrasësve” i sulmonin objektivët e tyre në vende publike, shpesh njerëz që faleshin e luteshin në xhami kryesore, madje edhe në prezencë të një numri të madh truprojash, kur e dinin që kishin pak shanse të arratiseshin edhe nëse sulmi do të ishte i suksesshëm. Kjo gjë ia rriste akoma më shumë panikun dëshmitarëve. Fakti që disa persona dilnin vullnetarë të vetë-sakrifikoheshin për të vrarë armiqtë e besimit të tyre i lemeriste të tjerët.

Metodat e vrasjes së “Vrasësve” zgjeronin tmerrin e viktimave të tyre. Ata vrisnin me thika, mjaftueshëm afër sa për të parë terrorin dhe dhimbjen e fundit në sytë e armikut dhe për t’u spërkatur me gjakun e tij. Sulmet e “Vrasësve” dërgonin një paralajmërim të qartë se liderët që lëndonin anëtarët apo interesat e sektit, duhet të prisnin vdekje të dhunshme, edhe nëse hakmarrja e tyre përmbushej pas disa vitesh. Një prefekt i qytetit të Aleppo-s, që nxiti një masakër në vitin 113 ku mbetën të vrarë disa qindra anëtarë të sektit, e zbuloi hakmarrjen dhe mungesën e mëshirës së “Vrasësve” gjashtë vjet më vonë. “Vrasësit” i zunë pritë atij dhe dy djemve të tij përgjatë një rruge lumi dhe i vranë të tre. Po të njëjtin fat kanë pasur edhe shumë udhëheqës të tjerë.

Një tjetër karakteristikë e rëndësishme e “Vrasësve” ishte se ata kurrë nuk vrisnin pa pasur një shkak. Ata kurrë nuk thernin civilë. Shumica e personave që kanë rënë pre e thikave të tyre ka qenë fakti se ata inkurajonin masakra kundrejt ismailianëve dhe urdhëronin ekspedita ushtarake kundër sektit të tyre. Hasan i konsideronte këta liderë si objektiva ushtarake të një lufte për jetë-a-vdekje. Të pafajshmit kurseheshin. Me kalimin e kohës, rritja e reputacionit të sulmeve të frikshme të “Vrasësve”, të kombinuar dhe me mbrojtjen e tyre të suksesshme në bazat e tyre kryesore, i pengonte gjithnjë e më shumë liderët Sunni për nxitjen e sulmeve të tjera. Kjo luftë mes “Vrasësve” persianë dhe armiqve të tyre sunni zgjati deri me ardhjen e mongolëve një shekull më vonë.

Numri i viktimave të “Vrasësve” filloi të binte që pas vrasjes së Nizam al-Mulk dhe vdekjes së Hasanit në vitin 1124. Dhe këto vrasje ndodhnin zakonisht jashtë Sirisë në vitet e mëvonshme. Politika e terrorit të “Vrasësve” justifikohej si mjet vetë-mbrojtjeje. Këto lloj taktikash kushtonin më pak jetë për të dyja krahët, më pak se sa operacionet ushtarake. Hasani ishte gjithashtu aq i zgjuar sa ta kuptonte se ndonjëherë ishte më mirë të pengonte një udhëheqës armik se sa ta ta vriste atë dhe të rrezikonte hakmarrje nga familja e tij. Prandaj, kur Sanjar Malik Shah, një pjesëtar i selxhukëve që udhëhoqi Persinë Lindore, dërgoi disa ekspedita ushtarake kundër ismailianëve në fillim të viteve 1100, Hasani korruptoi një anëtar të gjykatës së Sanjari-it dhe dha urdhër që në dyshemenë pranë shtratit të Sanjar-it të ngulej një thikë gjatë kohës që ai flinte.

Sanjari u tmerrua kur zbuloi armën mëngjesin e ditës tjetër, por ai nuk ia kishte idenë se kush ishte përgjegjës për këtë dhe prandaj me mbajti sekret incidentin. Më vonë Hasani i dërgoi një tjetër mesazh nëpërmjet një njeriu të tij: “Mbase thika që u ngul në dyshemenë e dhomës së gjumit, do të ishte më mirë të ngulej në gjoksin e butë të Sulltanit”. Sanjari i tmerruar menjëherë arriti një pakt armëpushimi me “Vrasësit” që zgjati për një çerek shekulli.

Vrasja e Nizam al-Mulk do të kishte sjellë një hakmarrje të egër. Por një muaj pas vrasjes së Nizamit, Sulltani 37-vjeçar Malik Shah u sëmur dhe vdiq në nëntor të vitit 1092. Vdekja e tij shkaktoi 12 vite luftë civile të brendshme. Kjo i lejoi Hasanit dhe “Vrasësve” të ndiqnin objektivat e tyre edhe për një dekadë tjetër. Një përfitim i menjëhershëm ishte dështimi i ekspeditës selxhuke kundër fortesave të “Vrasësve” në Kuhistan.

“Vrasësit” morën avantazh të madh nga lufta civile e selxhukëve për të vjedhur e pushtuar fortesa të tjera. Këtu përfshiheshin dhe zona Girdkuh, që lidhte Persinë me Kinën, kështjellën Lamassar, të cilën “Vrasësit” e pushtuan gjatë një nate sulmi në vitin 1102, si dhe fortesa të tjera jashtë kryeqytetit selxhuk, Isfahan.

Këto përparime vazhdonin pavarësisht zhvillimit të një përçarjeje mes ismailianëve persë dhe sundimtarëve të tyre në Kajro. Në vitin 1094, kalifi i Fatimid Ma’ad al-Mustanisr Billah, vdiq pas 60 vitesh sundim, dhe shpërtheu një luftë e shkurtër civile me dy djemve të tij, Nizar-it dhe al-Mustali-t. Lufta përfundoi me mposhtjen e Nizar, zënien rob të tij dhe vdekjen në burg.

Hasan Sabbah dhe liderët e tjerë ismailianë e kishin mbështetur Nizarin. Edhe pas vdekjes së tij, ata vazhdonin të insistonin se puna e imamit duhet t’i jepej një prej pasardhësve të Nizar, apo dikujt që ai kishte caktuar. Por besnikëria e tyre ndaj Nizar, e ndau lëvizjen ismailiane. Pas vitit 1094, sirianët, mesopotamët dhe persianët që e pranonin Nizarin si imam u njohën si ismailianët nizarë. Ndërsa kundërshtarët e tyre në Kajro, që e konsideronin Nizarin si uzurpues të paligjshëm u quajtën mustalianë.

Çuditërisht kjo përçarje pati pak efekt tek “Vrasësit”. Hasan Sabbah njihej gjerësisht nga komunitetet ismailiane në Siri dhe Persi si pushtetplotë. Por kur përfundoi lufta civile selxhuke në vitin 1105, sulltani fitimtar Muhamed Tapar, nisi një plan sulmues kundër “Vrasësve”. Selxhukët pushtuan fortesat e “Vrasësve” në jug-perëndim të Persisë, dhe rimorën kështjellën në Shahdiz pranë Isfahanit pas një luftë të ashpër.

Tapar më pas e ktheu vëmendjen në bazën origjinale të “Vrasësve” në Rudbar. Nga viti 1107 deri në vitin 117, ai dërgoi ushtri për pushtimin e kështjellave të “Vrasësve”. Hasani dhe ndjekësit e tij po vdisnin nga uria dhe i dërguan gratë dhe vajzat e tyre në Girdkuh, për të qenë më të sigurta. Sapo selxhukët ishin gati të pushtonin vendet Alamut dhe Lamassar pranverën e vitit 118, disa të dërguar nga Isfahan arritën me lajmin se Muhammed Tapar kishte vdekur. Selxhukët u larguan duke i lënë edhe njëherë Vrasësit të festonin triumfin e tyre.

Por Hasani e kuptoi se “Vrasësit” nuk mund të lulëzonin më në kushtet e një lufte të vazhdueshme, si ajo që kishte ekzistuar nga viti 1107 deri në vitin 1118. Gjatë viteve të fundit të jetës së tij, Hasan i fokusoi energjitë e tij në përforcimin e sigurisë së “Vrasësve” dhe jo në zgjerimin e tyre.

Udhëheqësi i madh i “Vrasësve” vdiq më 12 qershor 1124, pas një sëmundjeje. Hasani ishte një figurë e jashtëzakonshme, që të kujton Vladimir Leninin përsa i përket vullnetit të tij të hekurt, i pamëshirshëm në ndjekjen e objektivave të tij fetare e politike, i zgjuar dhe i kujdesshëm ndaj gjetjes së pikave të forta e të dobëta të armiqve të tij. Njerëzit e tij e nderuan atë, dhe bënë një vend të shenjtë për Hasanin në malet e Rudbar.

“Vrasësit” vazhduan të lulëzonin edhe disa kohë pas vdekjes së Hasanit. Ata madje e zgjeruan ndikimin e tyre në mesin e shekullit të 12 edhe në Siri. Në vitin 1103 ata kishin themeluar një komunitet në Alepo. “Vrasësit” sirianë e dinin se nuk do të ishin të sigurtë nëse nuk gjenin një bazë të fortifikuar, kështu që ato shpenzuan disa vite duke u përpjekur të imitonin vëllezërit e tyre persianë për gjetjen e një kështjelle. Pas disa dështimesh, ata arritën të marrin kështjellën e Qadmus në vitin 1132. Në dekadën që pasoi, ata fituan edhe gjashtë kështjella të tjera në rajon, një prej të cilave shërbeu si kryeqytet i degës së tyre në Siri për 130 vitet e ardhshme.

Kur gjenerali kurd, Saladin, ishte në prag të bashkimit me shtetet e tjera myslimane ndërmjet Kajrod dhe Alepos nën sundimin e tij mes viteve 1170, “Vrasësit” sirianë u përpoqën dy herë ta vrisnin atë, por pa sukses. Në fund ata arritën një marrëveshje me Saladinin dhe bashkekzistuan lehtë me të dhe pasardhësit e tij.  Një nga vrasjet më të rëndësishme të “Vrasësve” ishte eliminimi i Conrad-it të Montferrat. Conrad, një lord karizmatik e dinak nga Italia Veriore, që kishte shërbyer si komandant ushtarak i Saladinit, sapo ishte zgjedhur sundimtari i ri i mbretërisë së Akrës. Vdekja e tij e parakohshme në prill të vitit 1192 i dha fund çdo mundësie tjetër ringjalljeje të kristianizmit në Tokën e Shenjtë. Vdekja e tij, i solli “Vrasësit” në qendër të vëmendjes të botës perëndimore. Aty u pa që emri i sektit të tyre “Assassin” ishte sinonim me fjalën angleze “murderer” (Vrasës).

Në fillim të shekullit të 13, zelli misionar që i karakterizonte Vrasësit në kohën kur udhëhiqeshin nga Hasan, ishte zbehur. Megjithatë ata arrinin t’i bënin ballë armiqve. Në dekadën e tretë të shekullit të 13, një fuqi e re erdhi në Lindje të Mesme, ndaj së cilës “Vrasësit” provuan se ishin të paaftë ta frikësonin. Mongolët nën sundimin e Çingis Khanit shkatërruan të gjithë qytetet e pasura dhe të populluara të Azisë Qendrore. Mongolët arritën t’i mposhtnin lehtë “Vrasësit” gjatë sulmit të parë, por më pas lufta mes tyre zgjati një çerek shekulli.

Në fillim të viteve 1250, mongolët kërkonin t’i jepnin fund këtij sekti të rrezikshëm për të garantuar sigurinë e tyre. Në tetor të vitit 1253, Han Mongke, një nga nipërit e Çingis Khanit, urdhëroi vëllain e tij të dërgonte një ushtri në Persi dhe t’i eliminonte “Vrasësit” njëherë e mirë.

Ushtria mongole arriti në Persi në fillim të vitit 1256 dhe cilësia e “Vrasësve” nuk ishte më ajo e kohës së Hasanit. Udhëheqësi  i fundit i “Vrasësve”  ishte Rukn Din Kuhr Shah, një djalosh pa ndonjë inteligjencë, kurajo e forcë karakteri të madhe. Ushtria mongole shkatërroi shumë nga kështjellat e “Vrasësve”. Por megjithatë Khur Shah nuk u dorëzua. Mongolët e zunë rob atë, por e trajtuan mirë, duke i çuar shpesh mesazhe që të jepte urdhër që të gjithë kështjellat të dorëzoheshin. Pasi të gjitha u dorëzuan përfshi dhe atë të Alamut, mongolët i rrafshuan të tëra. Vetëm kështjellat në Lamassar dhe Girdkuh rezistuan deri në dhjetor të vitit 1270.

Edhe pse “Vrasësit” sirianë donin t’i injoronin mongolët, nuk e kishin forcën e duhur për të ruajtur pavarësinë e tyre. Ashtu siç historian Juvaini i përshkruan “ata mbetën një përrallë në gojët e njerëzve dhe të botës”. Kështu e morën dënimin e tyre, dhjetëra mijëra pjesëtarë të një sekti që ishte i përçmuar nga bota.

  1. No comments yet.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.