Hyrje > Shqiptarët në botën arabe > Mbesa e Konicës vjen nga Siria: Dua pasaportën e Shqipërisë

Mbesa e Konicës vjen nga Siria: Dua pasaportën e Shqipërisë

Fatmira NIKOLLI

 

MBESA E KONICËS VJEN NGA SIRIA: DUA PASAPORTËN E SHQIPËRISË

Mona Ajlani

Mona Ajlani

Mona Ajlani është sot 60 vjeçe. Në kokë mban një shami të bardhë, poshtë së cilës qëndrojnë dy sy të ftohtë, të akullt, të ujtë, bojëqiell të pastër. Me një palë pantallona e xhaketë të zezë që i mbulojnë trupin, ajo ka lënë Damaskun e shkrumbuar nga bombardimet, ka kaluar nëpër Libi, mandej në Turqi derisa ka shkelur tokën shqiptare, falë një vize 90-ditore që iu dha nga ambasada shqiptare në Egjipt, mbasi një banor i Vorës paraqiti për të një garanci.

I ka ende të freskëta kujtimet e luftës, shtëpinë e bombarduar në një zonë të kthyer ushtarake, imazhet e fundit të së motrës që u nda nga jeta, rrugët e shkreta, qytetin fantazmë që kontrollohet nga policia e shtëpinë nga e cila e nxorën me përdhunë vetëm me rrobat e trupit. Atje, veç varreve të babait, nënës, motrës e tezes, nuk e pret asgjë. Kur të gjithë sirianët e tjerë lanë vendin e u nisën drejt Gjermanisë, Mona Ajlani udhëtoi drejt Tiranës. “Jam gjysmë shqiptare. Ime më ishte Merushe Konica, vajza e Mehmet Konicës. Vendosa të vij këtu pasi flas shqip dhe ndjehem shqiptare. Nuk do ndihesha askund njësoj”, rrëfen ajo për “Gazeta Shqiptare”.

Në çantën që mban në krah ka disa dokumente të vulosura nga Ministria e Jashtme siriane, siç është certifikata familjare. Për të marrë ato vula i është dashur të udhëtojë mes “raketave” që çanin qiellin, por pa to, dokumentet nuk do të kishin vlerë. “Që të vija në Shqipëri, duheshin dokumentet. I kam marrë me vështirësi, por duhej t’i merrja. Atje nuk mund të rrija më: nuk kam as shtëpi e as njeri. Shtëpia ku jetoja unë është bombarduar. Për një muaj kam fjetur ku kam mundur, derisa erdha këtu”.

Gishtërinjtë e gjatë shtrëngojnë fort çantën, ndërsa gjatë rrëfimit të kalvarit të saj, shpesh bojëqiellja zbehet kur sytë i rrëmbushen me lot. Tri vite më parë, në Shqipëria erdhi Randa, kushërira e saj që pasi mori nënshtetësinë shqiptare, jeton në Kosovë. Atëkohë, Mona priti të ikte e motra e sëmurë. Tri vite më pas, ajo është e vetme, në Tiranën që e njohu në vitin 1994. Pasardhëse e Konicës dhe e Toptanëve (e ëma Edibe Zavalani-Konica), Mona rikthehet për të jetuar pjesën tjetër të jetës duke i kërkuar shtetit shqiptar nënshtetësinë, nëse ky shtet, do të mund të gjejë vend, për ata, shqiptarët e harruar të Sirisë.

Kur Mehmet Konica vdiq në Itali, e shoqja, Edibja me dy vajzat: Merushen dhe Lavdien, kishin mbetur në Tiranë, madje regjimi i kish dënuar me vdekje. Atëkohë, anglezët bënë një marrëveshje me Enver Hoxhën, marrëveshje nga e cila, tri femrave të familjes Konica iu shpëtohej jeta. Sipas kësaj ujdie, Enver Hoxha binte dakord që Edibja, Merushja dhe Lavdie Konica të shkonin në Itali, me kusht që nipi i Enver Hoxhës, që vuante nga një sëmundje e rëndë, të merrej për kurim nga Italia me helikopter. Për këtë marrëveshje biseda është bërë me Koçi Xoxen, por për interesat e Enver Hoxhës. Xoxe dhe anglezët kanë bërë bisedime, nga të cilat përfitonte familja e Mehmet Konicës dhe nipi i Enver Hoxhës(histori e rërfyuer nga familja e M.Konicës).

Ndërkohë që Edibe (Zavalani) Konica (mbesë e Toptanasve) me të bijat ndodhej në Itali, Ahmet Zogu takon presidentin sirian Shukri Kuvetli dhe i kërkon të strehojë në Siri familjen e Konicës dhe kështu u bë.

70 vite më vonë, mbesat e Mehmet Konicës janë rikthyer ne atdhe, duke kërkuar që atdheu ti pranojë, në tokën që dikur e lanë për shkak të komunizmit. Ikën prej këtej për ti shpëtuar vdekjes dhe rikthehen po për ti shpëtuar vdekjes.

Mona ku keni jetuar deri tani?

Kam jetuar në Siri, në Damask. Kam qenë në të njëjtin qytet me Randën. Kam lindur aty, jam shkolluar dhe jam rritur aty. Kam kaluar gjithë jetën në Damask.

Si ka qenë jeta juaj atje prej tri vitesh kur ka shpërthyer lufta?

Jeta ka qenë shumë e vështirë. Në çdo sekond jetonim me frikën se mund të binte raketa. Pas shtëpisë sime ranë dy të tilla, ne shpëtuam, por u dogjën dy taksi. Gjithsesi, kishim shumë frikë për jetën. Lufta atje vazhdon dhe bëhet gjithnjë e më e ashpër.

Ku bëhet lufta në qytetet e mëdha?

Më shumë në periferi. Po unë jetoja në periferi të Damaskut.

Pse qëndruat deri tani?

Kisha motrën të sëmurë, në koma. Ajo vdiq para 8 muajsh. Prej asaj dite, unë nuk kisha më pse rrija atje dhe vendosa të iki.

A patët vështirësi për të hyrë në Shqipëri?

Luan Shehu, një mik i familjes sime nga Vora, më dërgoi garanci dhe një deklaratë që më pret. Dërgova pasaportën në ambasadën shqiptare në Egjipt dhe meqë kisha një garanci, më lejuan të vija me vizë 90-ditore.

Pse nuk lejohet ardhja në Shqipëri?

E di që ka probleme, ndaj kërkova vizë përmes garancisë. E dërgova në ambasadën shqiptare me postë dhe ma kthyen po me postë.

Çfarë rruge bëtë për të ardhur?

Ika nga Siria në Liban, nga Libani në Stamboll dhe më pas në Tiranë.

Çfarë kërkoni nga shteti shqiptar?

Dua leje qëndrimi që të rri në Shqipëri, dua nënshtetësinë shqiptare. Nëna ime dhe e Randës (Konicës) ishin motra. Unë nuk kam marrë leje qëndrimi, unë kam marrë vizë si turiste. Nëse kalojnë tre muaj, çfarë do të bëhet me mua? Duhet të iki? Po ku të iki nëse dëbohem nga Shqipëria?

Shtëpia juaj në Siri është djegur?

Po, se jetoja në periferi. Ajo u bombardua. Gjithsesi, tani atje në zonën ku ishte shtëpia ime, është zonë ushtarake, nuk hyn dot më.

Si e ke mësuar shqipen që e flet në gjuhë letrare?

Në shtëpi, me gjyshen, me nënën e me tezen. Banonim bashkë e kemi folur shqip. Kam lindur më 1954-ën dhe kam jetuar me gjyshen gjatë. Në shtëpi flisnim shqip, jo arabisht. Edhe tezja fliste shqip. Edibe ka pasur dy vajza kur iku nga Shqipëria, që në atë kohë ishin rreth 25 vjeçe. Të dyja ikën nga Shqipëria të rritura e flisnin mirë shqipen dhe e mbanim mend, ndaj në shtëpi ne flisnim shqip. Pasi vdiq nëna dhe u sëmur motra, atëherë e flisja më pak se nuk kisha me kë. Fqinjët tanë sirianë e mësuan shqipen nga ne.

Sa shqiptarë ka në Siri nga brezi i ikur rreth viteve 1900?

Ka nga ata që kanë shkuar atë kohë. Pastaj ishte një kohë kur mbreti Zog dha urdhër të hiqen perçet, ato që nuk donin t’i hiqnin, ikën në Siri.

Si quhen shqiptarët e Sirisë atje?

Arnautë. Ka shumë të tillë, është pothuaj një lagje me 1000 a më shumë shqiptarë.

Janë akoma në Siri apo kanë ikur?

Disa kanë ikur e disa janë ende atje.

Shqiptarët atje me se merren, me se jetojnë?

Punë të ndryshme kanë bërë. Asnjë nuk merret me politikë.

Pra, nuk janë të përfshirë as në luftime?

Jo. Aspak.

Njihen si shqiptarë ata?

Varet nga njerëzit. Disa nuk njihen si shqiptarë, sepse nuk e tregonin origjinën. Nuk donin që të njiheshin si të ardhur në Siri, jo se kishin probleme, por kështu ishin.

Po familja juaj?

Ah, për ne e gjithë bota e dinte se ishim shqiptarë. Nuk e di pse nuk donin, por kur erdhi mbreti, nuk donin as ta shihnin.

Kur erdhi mbreti atje?

Erdhi Leka Zogu diku në vitet 1960. Mbaj mend që po kthehesha në shtëpi me mamin. Gjetëm një automobil të madh tek dera që na priste. Ishte sekretari i Lekës dhe na ftoi që në darkë të shkonim në hollin e hotelit ku rrinte ai për një darkë që shtrohej për shqiptarët e Damaskut.

Ju shkuat?

Shkuam posi. Kam qenë e vogël, po mbaj mend që mbreti ishte i gjatë. Shqiptarët e tjerë nuk erdhën. Ishim unë, gjyshja, nëna, tezja dhe fëmijët e saj. Isha gjashtë vjeçe. Mbaj mend shumë pak gjëra.

Para se të niseshit, si e keni lënë shtëpinë ku banonit së fundmi?

Kam dalë me shumë pak gjëra. Unë rrija në shtëpinë e një kushëriri atë kohë, pasi e jona ishte shkatërruar dhe kushëriri që kishte ikur, më la të rrija në shtëpinë e tij. Nuk kisha marrë leje dhe më nxorën.

Për ç’leje e keni fjalën?

Aktualisht, për të qëndruar në një shtëpi, ose nëse do marrësh shtëpi me qira, ose të rrish në shtëpinë e dikujt, duhet të marrësh leje nga forcat e sigurisë. Unë ndenja në shtëpinë e kushëririt tre vjet se s’kishte njeri, për aq kohë s’më thanë gjë, derisa një ditë erdhën e më nxorën. Kisha 10 minuta kohë të bëja gati një çantë e të dilja dhe vura në çantë ç’mund të vija për kaq pak kohë.

Me kë keni qëndruar?

Me vëllain tim, që ka ikur në Turqi tani. Derisa na vdiq motra ishim bashkë në këtë shtëpi. Më pas ai iku në Turqi me familjen, e unë këtej.

Pse e doni nënshtetësinë shqiptare?

Që të jetoj këtu. Duhet të kërkoj strehim politik, ekonomik? Çfarë të bëj? Por, si fillim duhet të jem e regjistruar diku. Më lejohet të rri 90 ditë këtu me vizën që kam, po më pas çfarë të bëj? Në Siri nuk kthehem dot.

Në Siri nuk ka më asgjë që ju pret?

Jo, asgjë.

Keni qenë më parë në Shqipëri?

Po, kam qenë në vitin 1994. Erdhëm me tezen që ishte ende gjallë, vajzën e saj Randën dhe time motër. Erdhëm dhe qëndruam 20 ditë. Morëm vizë nga Egjipti. Takuam në Vorë, babanë e Luanit, i cili ishte rritur nga gjyshja ime. Kemi lidhje me familjen e gjyshes, Dylber Toptani e fëmijët e Dylberit. Rezana Toptani vdiq, atëherë ishte gjallë. I ati i Rezanës ishte djali i tezes së mamit tim. Motra e gjyshes, ende jetonte në vitin 1994.

Çfarë keni vizituar atë kohë?

Jetuam në një shtëpi në lagjen “Ali Demi”. Vizituam një kala që s’e di tani se cila është, por ishte afër Tiranës, jo larg. Ka ndryshuar shumë prej atij viti, ka ndryshuar 90%. Kemi qenë edhe në Krujë.

Si e njihni familjen e Luan Shehut në Vorë? Si lidheni me ta?

Babai i Luanit ka mbetur jetim kur ishte shumë i vogël, gjashtë muajsh. Gjyshja ime e njihte dhe i tha do ta marr ta rris unë. Bëhet fjalë për vitin 1927. Atë kohë, e mbajti 11-12 vite, pra derisa u rrit. Në vitin 1992, këta lexojnë një shkrim te gazeta “Republika”, ku në fund shkruhej Lavdie Konica, tezja ime me të cilën erdhëm këtu në vitin 1994. Më tej, djali i Luanit, duke kërkuar gjeti adresën tonë në Siri përmes një gazetari që quhej Beqir Ismaili, filluam letërkëmbimin dhe në vitin 1994 erdhëm për vizitë. Jeta është e çuditshme. Në vitin 1927 gjyshja ime rriti babanë e Luanit, e tani është Luani që na ka pritur si mua, edhe Randën, vajzën e Lavdie Konicës.

Ndryshe nga shumë emigrantë sirianë, ju vendosët të vini në Shqipëri. Pse nuk shkuat në Gjermani?

Sepse jam gjysmë shqiptare. Nëna ime, Merushe Konica është shqiptare. Preferoj të jem në Shqipëri. E di shqipen e ndjej si shtetin tim. Nëna ime nuk dinte arabisht. Jetoi atje 50 vite të jetës së saj dhe nuk e mësoi dot, fliste vetëm shqip.

Mona, a ke njohur xhihadistë shqiptarë?

Jo. Asnjë. Ata shumica shkojnë në luftë duke kaluar nga ana e Turqisë, pra nga kufiri me Turqinë. Ne në Damask, jemi 700 km larg tyre.

Cili është mesazhi që keni ju për ata që shkojnë për të luftuar përkrah ISIS?

Gabimin e jetës po bëjnë. Gjithë këta që po shkojnë janë gënjyer nga propaganda që bën ISIS. Ka shumë të huaj që kanë shkuar, duan të kthehen e nuk kthehen dot, e mes tyre ka anglezë, francezë e amerikanë.

Ju si besimtare, a mund të na thoni a ka lidhje islami me atë që kërkon ISIS?

Nuk kanë fare lidhje. Ajo që thotë ISIS është një gjë e ajo që kërkon Islami është tjetër gjë. Unë nuk jam as me qeverinë, as me ata, por jam kundra fanatizmit dhe dhunës, dhe ai fanatizëm nuk e ka bazë në islam.

Kush ishte Mehmet Konica?

Mehmet Konica (1878-1948) ishte ministër i punëve të jashtme, diplomat karriere dhe veprimtar politik shqiptar. Anëtar i delegacionit të Qeverisë së Vlorës dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913). Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit u emërua ministër i punëve të jashtme, detyrë të cilën e mbajti edhe në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës. Në vitet 1920-1924 shërbeu si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Në periudhën 1925-1939 ka shërbyer si këshilltar politik pranë kryetarit të shtetit shqiptar. Mehmet Konica ishte një ndër të paktët dëshmitarë të tragjedisë shqiptare të kufijve. Ai e ndoqi atë nëpër disa etapa. Që nga viti 1913, deri më 1923. (Burimi wikipedia)

Randa, mbesa tjetër e Mehmet Konicës

Tri vite më parë, Gazeta Shqiptare botoi një intervistë më Randa Al Azem, mbesën tjetër të Konicës. E martuar me një shqiptar nga Presheva ajo jeton tani në Prishtinë. Në rrëfimin e saj për GSH, Randa që ia doli të merrte nënshtetësinë shqiptare tregonte udhëtimin e familjes së saj nga Shqipëria në Siri. Kushërirë e Ahmet Zogut, e Toptanasve dhe e Sulejman Delvinës, jeta e pinjollëve të Konicajve ka qenë një endje nëpër cepat e globit, por sot, ata janë kthyer prej nga ku ikën para më shumë se 70 vitesh. “Mamaja ime, Lavdia është rritur në Pallatin Mbretëror të Zogut. Kujtimet e saj të fëmijërisë lidhen me princeshat, motrat e Zogut me të cilat luante. Madje mbante mend se kur luanin kukafshehtas, shpesh ajo i kërkonte ndihmë mbretit Zog për t’u fshehur dhe ai e ndihmonte. Kur nëna ime u martua në Damask, atje erdhi ministri i Pallatit Mbretëror për të ditur se në ç’familje po jepej e bija e Mehmet beut. Duhej që të ishte dakord ai, para se të bëhej fejesa, dhe pa ok-ejin e tij, nuk mund të bëhej, sepse ai përfaqësonte dakordësinë e mbretit Zog, i cili interesohej për mirëqenien e vajzave të Konicës. Meqenëse nuk i njihnim njerëzit mund të ndodhte që të martohej me çdo njeri, prandaj, duhej interesuar më pare, shprehej ajo.

 

Burimi: http://www.balkanweb.com/site/mbesa-e-konices-vjen-nga-siria-dua-pasaporten-e-shqiperise/

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: