Hyrje > Trashëgimi kulturore > Metafora e Hamamit të Hyrës

Metafora e Hamamit të Hyrës

Arianit SLLAMNIKU

 

METAFORA E HAMAMIT TË HYRËS

Arianit Sllamniku

Arianit Sllamniku

Gjilani si qendër e Anamoravës, por edhe kryqëzim i shumë qytetërimeve të largëta, njihet për aktivitete të ndryshme, por edhe për protagonistë kureshtarë, pragmatikë, por edhe të veçantë.

Sot ku qëndron Ambulanca e Qytetit dhe objekti në krah të saj, ku kalohet në rrugicën njëkaheshe pas Postës Qendrore, mu mbi lumin e betonuar të Banjës, tek këndi ka qenë edhe Hamami i famshëm i Qytetit apo banja publike e kohës osmane, në të cilin hamam është zhvilluar rituali gjeneral i pastrimit të trupit nga ata kasabali (qytetarë), por edhe kalimtarë të cilët kanë gjetur Gjilanin për ta kaluar natën pasi që gjendeshin edhe bujtinat apo konakët në shehrin plot jabanxhinj.

Në të njëjtin objekt të ndërtuar mbi lumin Banja, burimi i të cilit ujë vije nga drejtimi i kodrës së Gllamës, hynte në hamam dhe dilte në pjesën tjetër të objektit të gurtë, i cili kishte ornamentet për pastrim si kusia, lejka (pacërka) dhe arna të hollë, por të pastër, e që hyrja në hamam ishte modeste, pasi që duhej të mirëmbahej, kujdesej dhe jo vetëm.

Hamami i kishte mbetur në pronësi një familjeje rome të Përlepnicës nga pronarët – bejlerë të kasabasë, familje që ishte hyzmeqare nëpër çifligjet e tyre, familje e cila ishte trashëguar vetëm me një vajzë të bekuar me emrin Hyrë.

Pasi që nëna kujdesej për shtëpinë, e cila gjendej në fshatin Përlepnicë, babai i shtyrë në moshë ia dha zanatin vajzës së re për përkujdesjen e hamamit dhe sjelljen me myshterinjtë, rëndomtë jabanxhinj.

Hyra e re, entuziaste për punë, por edhe më ekzagjeruese, pasi bejlerët dhe kasabalitë e shehrit po kanë nevojë për Hyrën dhe shërbimet e saj, por në anën tjetër e shkreta me një shtat sorkadheje kishte 3 herë në ditë t’i ndërronte peshqirët, ta lante e fshinte çimenton (platenë) disa herë verë e dimër dhe me gjithë këtë punë mbante familjen e saj, por edhe vetveten.

Qyteti rritej, puna shtohej, myshterinjtë ditë për ditë më të kënaqur me Hyrën, pasi që ajo kishte filluar të inkasonte mjete edhe nga shërbimet shtesë, ajo kishte filluar t’ju fërkonte trupin myshterinjve aty ku nuk arrinin ata që të pastrohen mirë, kuptohet se me një pagesë shtesë.

Në anën tjetër komunikimin e kishte të shkurtër dhe të prerë me një dozë mendjemadhësie dhe mburrjeje në të mrrolur, pasi frikësohej që po hyjnë myshterinjtë në veresi e ajo e shkreta mezi që bëhej një herë në javë të shkonte në vizitë shtëpisë, në Përlepnicë.

Hyra pasi mbushi një moshë, edhe pse e martuar me një burrë hall-ligsht të fshatit të saj, vazhdonte fërkimin e myshterinjve me mburrje dhe nën arsyetimin e saj para akrebave dhe vjehërrisë se: “Çka kish bo more pa mua Gilani, i kish mlue krejt llomi…”

Burri i saj i kënaqur që gruaja po i përmendet në shehër si grua hyzmeqare e zonja, por edhe që arrinte të mbante atë dhe nënën e saj (pasi që nuk kishte fëmijë) me punën që bënte, ai vazhdonte sefanë si shumica e burrave romë, të cilët i kishin gratë hyzmeqare të bejlerëve.

Dikur plaku i saj vdiq, por derisa ishte gjallë krejt lajmet e shehrit i shkonin në katund, pasi që ju kishte shërbyer kasabalive dhe kishte akreba që ju shërbenin ende atyre nëpër çifligje katundeve, derisa për Hyrën e vet pyeste gjithmonë: “Hyra jeme a po jav lan a po jav fërkon, se bajagi be bacit i ka ra ni gibet i rond, pun’ pa prit e pa dasht”, por gjithmonë ata që pyeteshin ia kthenin me fjalë miradije dhe duke i dhënë gajret atij, me njërën këmbë në tokë e tjetrën nën dhe: “Baci, Hyra shumë e zoja, edhe po bon hyzmet mirë. Nuk e dimë çka kish bo shehri me bo mos mu pas kon Hyra në krye të Hamamit”, e romit plak i shkonte buza si në gaz me një gjoks të shpërfaqur, më jashtë se zakonisht, dhe ju skuqnin faqet…

Qyqja edhe pse punën e bënte pa hile, prapëseprapë ajo grua me flokë, zi si futa, mbetej po ajo “romja e Përlepnicës” dhe nuk bëhej tjetër, ani pse nuk e nënçmonin qyteti para masës sepse kishin nevojë për fërkim të shpinës apo edhe të gjoksit e që Hyra dinte ta bënte më së miri, por edhe dinte t’ua shtie hilen jo vetëm me fërkim, por edhe me ujin e nxehtë që ju ndalte nga vada dhe lëshohej vetëm i ftohti.

Asaj i shkonte për shtati edhe parashikimi i fatit përmes filxhanit ku shpeshherë mblidhte gratë rreth vetes, duke i joshur për madhështinë e saj me tregime të vogla, por edhe interesante që lidheshin me zanatin e saj e që grave të kasabasë ju vinte çudi sjellja e Hyrës me burrat e huaj, por që asnjëherë nuk ia kumtonin sepse pak a shumë edhe gratë e shehrit vareshin tek Hyra jo për shumë punë, por për punën e komentimit të fatit të tyre përmes një filxhani të kafesë turke që e konsumonin të paktën një herë në javë me të ftuarën speciale, me Hyrën në krye të vendit.

Por qysh e re në moshë Hyra e kishte kuptuar që pozitën që e ka nuk mund ta gëzojë përgjithmonë e sidomos nëse nuk ua bënë hyzmetin mirë kasabasë, andaj edhe pse e shëndoshur dhe në peshë, por e gjithmonë e telisur me hallhalle e qafore dhe gjithmonë në shkëlqim-dhëmbi i dukatit përpara, nga frika se po e humb namin e fituar në shehër, ajo nuk dinte të ndalur, sa lart e poshtë, një tupan ku kërcite bam Hyra ose ishte e pranishme ose haberi i shkonte në dakik, duke mos e humbur hapin me mendjen e saj se “shehri nuk bën pa Hyrën!”.

Por shkoi edhe një kohë, Hyra me peshë të shtuar dhe e lodhur nga tempoja e punës dhe e aktiviteteve ditore që kishte filluan që të pakësohen myshterinjtë, pasi që për shërbimet e Hyrës, sepse goja e saj prej një llafazaneje bëri që tregimet e saj për përvojat me myshterinjtë e saj të qarkullonin nëpër Gjilanin e kapixhikëve jo të paktë dhe veshëve të zgërdhirë në qypat në muret me qerpiçë.

Hyra ashtu siç njihej në fillim nga kasabaja si një “maxhupe e Përlepnicës” me ten të murrmë, e cila mundohej me “të bardhtë me zhivë” ta zbardhonte dhe flokë të zezë, bojë qymyri, e cila edhe ishte ënjtur nga trashësia e tepruar, përfundoi karrierën e saj në Përlepnicën periferike si një grua që pas daljes nga hamami nuk e bënte askush mall për njeri bile, e vetmuar dhe e izoluar, ashtu edhe siç ishte ende pa e marrë gibetin e hamamit nga i ati i saj.

Vdiq dhe u varros në Përlepnicë duke mos lënë pasardhës dhe asgjë pos kujtimit që ishte një hyzmeqare e shkretë, me një intelekt të kufizuar dhe të cilës ia merrte mendja se pa të Gjilani do të përmbysej e që veten e shihte si një shpëtimtare të kasabasë, e cila gjallëronte në të katër anët edhe para ardhjes së saj.

Dikujt do t’i duket që edhe këtë mendim të shprehur e kemi me bisht (me temsil), por edhe po të ishte ashtu, Hyra vërtet del se është një mësim i mirë për gjininë femërore të ditëve të sotme, të cilat po ta merrnin si mësim, jo që nuk do të kishin vetëm shëndet, por do të kishin vetëm dobi!

 

Burimi: http://www.zeri.info/zerat/59527/metafora-e-hamamit-te-hyres/

Kategori: Trashëgimi kulturore Etiketa: , ,
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: