Hyrje > Orientalizmi shqiptar > Komunikimi estetik tradicional dhe bashkëkohor

Komunikimi estetik tradicional dhe bashkëkohor

Metin IZETI

 

KOMUNIKIMI ESTETIK TRADICIONAL DHE BASHKËKOHOR

Metin Izeti

Metin Izeti

Filozofia, në përgjithësi, dhe ajo e artit, në veçanti, ka bërë përpjekje maksimale për konceptimin e unitetit esencial të botës, por ama përmes vendqëndrimeve të ndryshme metodologjike. Nëse themi që ky lloj i aktivitetit mendor e paraqet mendimin sistematik me të cilin mëtohet të ruhet relacioni konceptual i ideve të ndryshme në relacion me tërësinë dhe Një-shin, atëherë, krahas të gjitha problemeve që bota i ka në periudhën e fundit me mospërputhjet metodologjike të ideve filozofike dhe metafizike me metodologjinë e shkencës dhe teknologjisë pozitiviste, një proces i tillë i mendimit ende sot e kësaj dite e ka vendin e merituar në kuadër të mendimit të përgjithshëm dhe historisë së tij në shoqërinë njerëzore.

Për ta sqaruar në esencë thellësinë e shijes, mendimet rreth së cilës janë dhënë shumë si në të kaluarën ashtu edhe tash, gjithsesi se duhet ta kemi parasysh edhe mënyrën e komunikimit që i ngërthen në vete rezultatet e hulumtimeve dhe qasjeve filozofike dhe sociologjike, por edhe të atyre antropologjike dhe psikologjike. Si pasojë e kësaj do të kemi mundësi të zbresim në natyrën e fenomenit artistik, si gjatë krijimit të veprës artistike ashtu edhe në përjetimin e saj. Qysh herët Ibn Halduni ka theksuar se vetëm përjetimi estetik ka mundësi ta rrumbullakojë kornizën e veprimit kulturor. Në realitet, në periudhën klasike, rrjedhimisht në diskursin tradicional, paraqitet si fenomen aktiv social.

Konstatimi i Ibn Haldunit është i lidhur ngushtë edhe me ajetin e Kur’anit, ku i Madhi Zot thotë: “Thoni: “Kjo është “ngjyra” që na ka dhënë Allahu! S’ka “ngjyrë” më të bukur se ajo që jep Allahu! Ne vetëm Atë adhurojmë!” (Bekare, 2:138). Kjo thënie e diskuton platformën filozofiko-artistike të krijimit të Zotit në gjithësi dhe përqendrimin e fenomenit të përkushtimit përmes këtij botëkuptimi. Ndoshta ky është një nga problemet më të mëdha që i përjeton njeriu bashkëkohor në mungesën e kësaj qasjeje në diskursin bashkëkohor dhe, së bashku me të, edhe në gjenin e njeriut modern. Kur them modern nuk e kam parasysh vetëm njeriun modern me botëkuptime ateiste, por edhe atë me botëkuptime teiste, i cili fenë e ka zhveshur nga përjetimi i të bukurës dhe me të mbjell vetëm arrogancë, interes dhe shëmti.

Komunikimi tradicional, që në bazë e ka shpalljen, është një ngjarje sociale që kërkon ta inkuadrojë edhe kontributin e përmasës estetike dhe psikologjike. Qasjet e ndryshme të njerëzve ndaj orientimeve të caktuara të shijes nuk kanë të bëjnë fare me një vepër artistike të caktuar, në këtë rast gjithësinë, por ata e diskutojnë plasaritjen dhe çarjen e subjektit soditës në kuadër të historisë dhe hapësirës. Ndërkaq, sa i përket dallimit në pranimin e veprës artistike, ajo është vetëm e jashtme dhe kushtore, ndërsa nëse subjekti është absolut dhe total, universal dhe i tërësishëm. Vetëm atëherë veprat artistike mund të diskutohen si pasqyrime dhe hije të ndryshme, siç na mëson edhe Ibn Arabiu.

Ibn Arabiu çështjen e komunikimit e kupton si deklarim të veprës artistike dhe, përmes kësaj, e ka për qëllim popullaritetin që vepra artistike e ka në botëkuptimin pezhorativ dhe jokritik. Historia e artit dhe kulturës ka shembuj të pasur të llojeve të ndryshme artistike, të cilat janë deklaruar dhe popullarizuar më tepër se disa të tjera. Në këtë kornizë mund të vendoset drama, piktura, poezia etj., që kryesisht janë disiplina figurative. Ndërkaq në anën tjetër disiplinat jofigurative sikur kanë ngelur pak më prapa nga ky deklarim dhe komunikim, në veçanti në botëkuptimin tradicional artistik. Si pasojë e kësaj, kjo çështje është edhe një nga diskutimet kryesore të filozofisë dhe sociologjisë së artit bashkëkohor. Më saktë, problemi qëndron në konstatimin e realitetit se vlera artistike domosdoshmërisht e determinon komunikimin e veprës ose këto dy çështje janë inkompatibile? Problemi komplikohet edhe më shumë në çastin kur një numër i madh i artistëve “popullorë” në periudhën e tyre të veprimit kanë qenë totalisht të margjinalizuar. Nëse termi komunikim, që në kuptim të ngushtë do të thotë “deklarim” dhe që qëndron në lidhje të ngushtë me popullaritetin e veprës, nënkuptohet ngushtë si mundësi e auditorit që ta kuptojë dhe konceptojë veprën artistike, atëherë shpesh ndodh që ai të favorizohet në mesin e të tjerëve, por të mos e ketë kualitetin e duhur artistik. Tërë kjo varet prej konceptit të artit nga ana e subjektit, e kupton atë si element racional dhe vetëdijesor dhe i eliminon elementet e intuitës dhe mbiracionalitetit ose vepron anasjelltas. Prandaj lirisht mund të thuhet se dallimi midis komunikimit artistik-tradicional dhe atij bashkëkohor qëndron në këtë epiqendër.

Si pasojë e eliminimit të intuitës dhe kontemplacionit në vlerësimin estetik bashkëkohor është paraqitur edhe paragjykimi se intuita nuk e lejon komunikimin dhe deklarimin e veprës artistike në relacionin autor-auditor. Hegeli në veprat e tij e ka kundërshtuar fuqimisht këtë koncept dhe ka synuar që ta paraqesë forcën e prezantimit të idesë dhe konceptit të brendshëm përmes formës. Kjo ka ndikuar që ai mos ta përjashtojë edhe të shëmtuarën nga konteksti artistik dhe estetik.

Nga orientimi i mësipërm i komunikimit formal ka rrjedhur edhe qëndrimi bashkëkohor se arti “komunikativ” dhe “popullor” është më reprezentativ në paraqitjen e mimesisit/pasqyrimit të të përgjithshmes dhe konceptuales. Si rrjedhojë, vlera estetike është nxjerrë nga një akt joestetik, rrjedhimisht nga kuptimi jokritik i popullaritetit të veprës artistike.

Nëse themi që plani konceptual dhe ideor – në të cilën bazohet në mënyrë direkte ngjarja sociale – nuk është i rëndësishëm për artin modern, ndërsa nga ana tjetër tradicionalistët kanë dëshirë të na bindin se “rrjedha e ideve” e determinon “aftësinë komunikative”, atëherë domosdoshmërisht përballemi edhe me pyetjen: A nuk ka vallë në strukturën e veprës artistike “stil” dhe “poesis”, që lidhen me vlerat transpersonale? Nëse themi që nuk ka, atëherë gjithsesi duhet t’i kundërshtojmë idetë e Hegelit, që thonë se idetë e trajtësuara kanë kuptim filozofik dhe esencial vetëm nëse e reprezantojnë sa më denjësisht idenë. Një qasje e tillë e shkatërron në rrënjë momentin krijues të artit. Më saktë, vullneti dhe imagjinata krijuese e përfitojnë karakterin e rrënimit subjektiv pa ndonjë kuptim transpersonal. Sikur një konstatim i tillë të ishte i drejtë, atëherë nuk do të kishte dallim midis artit të bletës, ku ka një instikt artistik të verbër dhe jo shumë të qartë për ne dhe aktivitetit të artistit.

Molla Sadra Shirazi është përqendruar në këtë përmasë të komunikimit dhe ka folur për përjetimin intersubjektiv, që do të thotë se në këtë rast përjetimi nuk përvetësohet vetëm në kontekst objektiv dhe as vetëm në atë subjektiv individual. Struktura e intelektit, që te Molla Sadra e ka kuptimin edhe të shpirtit, në masë të madhe është e lidhur jo vetëm me angazhimin komunikativ të njeriut. Këtu bën pjesë edhe komunikimi i zbulesës hyjnore, imanente dhe brendahistorike, por më tepër me përmasën metahistorike dhe transpersonale të njeriut. Që këtu del ideja e tij e iluminimit të objektit nga transpersonaliteti absolut. Në këtë segment mund të kuptohet edhe konstatimi i Heidegger-it, i cili thotë se “Historia e mendimit dhe kulturës europiane bazohet në faktin se realiteti dhe qenia janë të kuptuara në përmasën lëndore dhe, si pasojë e kësaj, edhe “lënda e veprës artistike është konsideruar si përjetim estetik”. “Karakteristikë dalluese e artit bashkëkohor është që përjetimin e përmbajtjes e ka përqendruar në substancën dhe jo në konceptin dhe idenë. Si rrjedhojë, thotë Heideggeri, “arti i ri e paraqet aktin të cilit nuk i janë dhënë konceptet”.

Nuk është i rastësishëm as qëndrimi i Tost-it dhe Mierendorff-it që arti bashkëkohor është më “pak i kuptueshëm” se arti tradicional. Nëse do të përpiqemi që ta nxjerrim një teori estetike nga ky konstatim, atëherë mund të themi se arti bashkëkohor nuk e ngërthen dimensionin që e bën atë të kuptimtë dhe e afron me shpirtin. Pra, ai nuk e ka shkallën mbiracionale të intuitës dhe përjetimit imagjinativ. Si pasojë e kësaj edhe atëherë kur vizualiteti është shumë i qartë, vepra artistike nuk është e kuptueshme. Elementi i dytë, që nuk e ngërthen planin racional, por e ka atë imagjinativ, nënkupton se nuk është më pak i rëndësishëm dhe ka domethënie në kuptimin e tërësor të veprës artistike. Por, në një shoqëri ku parimi mbretërues nuk është artistik, vështirë pranohet esenca e vërtetë e artit, rrjedhimisht, dimensioni formativ.

Maurice Blanchot me plot të drejtë ka theksuar se ka dallim midis asaj që autori e mendon, që e ka mishëruar në vepër dhe domethënies së vërtetë të veprës. Si rrjedhojë, esenca e veprës artistike është në faktin që ajo nuk pranon të përfundojë, por është një proces permanent i mbindërtimit.

Nga kjo që u tha mund të konstatohet se arti tradicional është më ekzaltues dhe më i kuptueshëm, por më pak komunikativ se ai modern. Kjo është kështu për shkak se vepra estetike duhet të vlerësohet sipas elementeve estetike dhe jo atyre joestetike, rrjedhimisht sociologjike ose psikologjike. Me fjalë të tjera, vepra artistike tradicionale e ka autonominë e saj dhe për këtë gjallëron në të gjitha epokat, si p.sh. xhamia e Kordobës ose Katedralja e Kelnit, dhe kjo e bën atë sferë eminente të kulturës dhe zhvillimit njerëzor. Ndërkaq, nëse vepra estetike analizohet në bazë të elementeve joestetike, në bazë të komunikmimit populist ose “suksesit” formal, atëherë humben shumë elemente estetike dhe artistike të esencës së saj. Në përmasën sociale të veprës, botëkuptimi i komunikimit tradicional inkuadron këtu edhe mbulesën. Ajo nuk reduktohet në vepër thjeshtë historike, por me vete e bart edhe sqarimin e përmasës transhistorike dhe transpersonale të veprës artistike dhe vetëm ky element e mundëson “vazhdimësinë e përhershme” të veprës artistike.

Prandaj nuk duhet të harrohet fakti se në konceptin e gjerë të komunikimit është i rëndësishëm edhe dimensioni vlerësor i veprës dhe jo vetëm dimensioni trajtësor. Për shembull, Muhjuddin ibn Arabiu në Lindje ose Mjeshtër Eckharti në Perëndim nuk ka qenë i popullarizuar dhe komunikativ sa Gazaliu ose Thoma Aquinasi, por ama edhe dy të parët e kanë shprehur realitetin për evolucionin e letërsisë së shpirtit. Tash a duhet t’i ndalojmë të parët dhe t’i theksojmë vetëm të dytët ose anasjelltas? Duhet ta kemi parasysh se “ një vizion shprehet përmes mjeteve të caktuara të shprehjes, që i konvenojnë dhe që mund ta shprehin atë”. Në lidhje me këtë çështje shumë bukur tingëllon një thënie e Eugen Ionesco-s, i cili e definonn këtë realitet si distancim permanent dhe thotë: “Kur kemi dëshirë të flasim për çdokënd, atëherë nuk themi gjë për askënd. Gjërat që u interesojnë të gjithëve shumë rrallë janë brenda interesit të çdo njeriu individualisht. Në realitet, krijimi artistik në esencë është agresiv si pasojë e risisë që e paraqet. Ai shpeshherë shkon kundër auditorit të gjerë, e kundërshton pjesën më të madhe të publikut, ai shndrit me pazakonshmërinë e tij… Si rrjedhojë, disa herë vepra artistike mund të jetë jo shumë populiste në periudhë të caktuar.”

Kështu përfundimisht vijmë në konstatimin se për zhvillim artistik, si nga aspekti i pozitës së parë ose të dytë estetike, nevojitet qasje reale dhe pa paragjykime e të dy konstituentëve të strukturës artistike: tehna (përmasa artistike) dhe poiesis (kreativiteti). Bashkimi i këtyre dy elementeve, si në komunikimin artistik tradicional, ashtu edhe në atë bashkëkohor, do të kishte rezultuar me ndërtimin e konceptit të vërtetë të estetikes dhe komunikimit konkret përmes mjeteve artistike, ku e drejtpërdrejta dhe e tërthorta do të jenë të pajtuara në relacionin midis subjektit dhe objektit.

 

Burimi: http://shenja.mk/index.php/opinion-analize/31338-komunikimi-estetik-tradicional-dhe-bashkekohor.html

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: