Hyrje > Mesele botërore > Pengmarrje

Pengmarrje

Justinian TOPULLI

 

PENGMARRJE

Justianian Topulli

Justianian Topulli

Po jetojmë një epokë dhimbjesh, aq sa duke perifrazuar një thënie profetike, na duhet të themi se ato që ikën nuk janë asgjë para këtyre të sotmeve, e ndoshta nuk do të jenë asgjë para atyre që do të mund të përjetojmë nesër. Kështu pra, na u desh që gjumin e natës ta bëjmë përsëri të trazuar dhe qetësia të na merret peng nga krimi monstruoz i terrorizmit, që s’ka as fe e as moral.

Këta kriminelë po na marrin peng jetën, besimin, qetësinë dhe gjithçka të mirë, për të cilën ne kemi nevojë nga kjo botë.

Ata po tentojnë të na marrin peng besimin, duke folur në emër të tij, me interpretimet e tyre vrastare tekfiriste.

Ata po tentojnë të na marrin peng të drejtën islame, duke përligjur monstruozitetin e vrasjeve të tyre të padrejta.

Ata po tentojnë të na marrin peng luftën, duke e shpërfytyruar emrin e saj, në simbolikë të krimit dhe terrorit.

Ata po tentojnë të marrin peng traditën, kulturën dhe trashëgiminë e një qytetërimi të tërë islam, duke i veshur atij dhunshëm petkun e monstruozitetit.

Ata po tentojnë të marrin peng vetë Islamin dhe mesazhin e tij hyjnor e të mëshirshëm për botën.

Po kush janë këta kriminelë, këta havarixhë të kohëve moderne, që kërkojnë të marrin peng vetë historinë dhe të ardhmen e muslimanëve dhe vetë njerëzimit?!

A nuk e shohin këta çunakë mendjelehtë, se me çmendurinë e tyre absurde, kanë marrë peng politikën rajonale dhe atë globale, duke u bërë katalizatorë të shtimit të vuajtjeve të muslimanëve?!

A nuk e shohin këta kriminelë, se me veprat e tyre po përligjin vuajtjet, dëbimet, emigrimin, vrasjet, përdhunimet, grabitjet, diktaturat, indiferencën dhe papërgjegjshmërinë e botës, karshi çdo gjëje që ka emrin islam e musliman?

A nuk e shohin këta njerëz të çekuilibruar, se po i hedhin benzinë zjarrit të islamofobisë dhe ksenofobisë anti-muslimane kudo në botë?!

A nuk e shohin këta delirantë, se po provokojnë fantazmat e kryqëzatave, epokën e luftës së ftohtë dhe ideologjitë e përplasjeve mes qytetërimeve?!

Por, pse duhet vallë që, çdo herë të shfajësojmë vetveten, duke distancuar veten dhe fenë tonë prej këtyre kriminelëve të pafytyrë?! Pse vallë na duhet përherë të deklarohemi për çfarë nuk jemi dhe jo se çfarë jemi?!

Përse vallë, sa herë që njerëz të marrë bëjnë marrëzira, ne si muslimanë na duhet të dënojmë marrëzinë e tyre, sikur ajo të ishte pjesë e jona?!

Pse vallë na duhet të ulim kokën dhe të na vijë turp për këtë fe që kemi, ndërkohë që Zoti na e dhuroi atë, për ta mbajtur kokën lart?!

Kush janë pra këta pengmarrës, që guxojnë të na marrin peng identitetin dhe dinjitetin tonë islam?!

Këtë kancer që kërkon të marrë peng gjymtyrët tona, duhet ta mjekojmë vetë së pari, në njërën anë duke de-legjitimuar teologjikisht dhe moralisht ideologjinë e tyre vrastare tekfiriste, nëpërmjet debatit dhe ligjërimit të brendshëm dhe atij publik, dhe në anën tjetër, duke çuar në vend porosinë e Profetit tonë karshi tyre, për t’iu shkurtuar këmbët, aty ku nuk bën punë as këshilla dhe as debati, gjithsecili sipas pozitës dhe mundësisë që i ka dhënë Zoti në këtë botë.

Pengmarrjes nga ky grusht injorantësh, dhe kauzave të drejta e të padrejta që ai shfrytëzon, i duhet dhënë fund drejtësisht, dhe për këtë, si vendet muslimane, ashtu edhe pjesa e tjetër e botës, duhet të ndajnë si gabimet, ashtu edhe përgjegjësitë për ndryshimin e situatës.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: