Arkiv

Archive for the ‘Arkivistikë’ Category

Mbi funksionet e persishtes në administratën dhe kulturën osmane

01/12/2012 Lini një koment

Dr. Dritan EGRO

 

MBI FUNKSIONET E PERSISHTES NË ADMINISTRATËN DHE KULTURËN OSMANE*

Dr. Dritan Egro

Dr. Dritan Egro

Irani dhe Turqia, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë dy komponentë kryesorë të botës islame. Prej më se 1000 vjetësh janë fqinjë me njëri-tjetrin dhe, çka është më e rëndësishmja, kanë afro 300 vjet (qysh prej viteve 30 të shek. XVIII) që nuk kanë luftuar kundër njëri-tjetrit; për rrjedhojë edhe kufijtë e tyre janë më se historikë dhe nuk kanë ndryshuar qysh prej kësaj kohe.

Ndikimet, marrjet dhe dhëniet mes Iranit dhe Turqisë osmane janë sa historike aq dhe të ndërsjella, ndërkohë që përdorimi i gjuhës perse në Perandorinë Osmane, siç do të përpiqemi ta shtjellojmë edhe më poshtë, është i lidhur me dimensionin kulturor dhe me atë administrativ. Përdorimi i gjerë i persishtes dhe i arabishtes përbënin një element të fuqishëm për konsiderimin e Perandorisë Osmane një shtet oriental/islamik. Me fjalë të tjera, Shteti Osman ishte turk në thelb, pasi dinastia drejtuese ishte me origjinë turke dhe gjuha zyrtare ishte turqishtja osmane, por shkalla e lartë e përdorimit të dy gjuhëve të mëdha të fesë dhe të kulturës islame i dhanë asaj një karakter të fortë oriental.

Në këtë shkrim do të ndalem vetëm në dy aspekte kryesore: së pari, në faktin se si Shahname-ja shërbeu si model për historishkrimin e shekujve të parë të historisë osmane dhe së dyti, se si persishtja së bashku me arabishten ishin pjesë përbërëse e formimit teknik dhe kulturor-letrar të nëpunësve të lartë të Shtetit Osman.

Pushtimi osman i Konstantinopojës në vitin 1453 shënoi hapin vendimtar në shndërrimin e Shtetit Osman në një formacion politik me interesa botërore. E padyshim një shteti që rritej dhe zgjerohej vazhdimisht do t’i duhej që edhe ta legjitimonte veten e tij me vepra të shkruara ku të himnizohej historia e dinastisë osmane. Gjatë viteve të sundimit të sulltan Mehmetit II në viset osmane lulëzoi ai zhanër i letërsisë i cili njihet me emrin Shahname. Në këtë kontekst historiko-letrar, aty nga viti 1456, një poet pers i quajtur Kashifi shkroi një vepër që e titulloi Gazavatname-i Rum (Lufta dhe heroizmi në viset ish-bizantine), një vepër persisht në vargje sipas modelit të Shahname-së, e cila glorifikonte sukseset ushtarake të sulltan Mehmetit II.[1]

Po gjatë viteve të sundimit të këtij sulltani, Stambolli u invadua nga një numër i konsiderueshëm poetësh persë, të cilët kryeqytetin e ri osman e shihnin si vendin më të përshtatshëm për të nxjerrë në pah dhuntitë e tyre letrare. Konkurrenca u shfaq jo vetëm mes poetëve persë dhe poetëve osmanë, por edhe mes vetë poetëve persianë me ambicien se cili prej tyre do të tërhiqte më shumë vëmendjen dhe interesimin e sulltan Mehmetit II. Kashifi, Hamidi, Muali dhe Shehdi janë vetëm disa prej tyre.

Falë kontributit të tyre sot mund të thuhet pa ndrojtje që modeli i Shahname-së si një formë e hershme e historiografisë osmane të oborrit u instalua aty nga mesi i shek. XV.[2]

Por persishtja dhe stili i Shahname-së janë të pranishme edhe në dokumente të tjera të rëndësishme osmane, siç janë fetihname-. Dokumentet që i lajmëronin botës islame rënien e Selanikut në vitin 1430 dhe atë të Krujës në vitin 1478 u përpiluan po në gjuhën perse.[3]

Të njëjtin interesim, pra që mbretërimi i dinastisë osmane të vihej mbi baza të forta historike, e vazhdoi sulltan Bajaziti II. Madje, ai shkoi edhe më tej, kur urdhëroi dy prej burokratëve dhe dijetarëve më të mëdhenj të kohës, respektivisht Idrisi Bitlisi dhe Kemal Pashazade, që të shkruanin nga një histori të dinastisë osmane, respektivisht në persisht dhe në turqishten osmane.

Idrisi Bitlisi shkroi atë vepër e cila sot është e mirënjohur në qarqet osmanistike me emrin Hesht Bihist. Kjo vepër përfaqëson modelin më të sofistikuar të historishkrimit pers. Këtë e dëshmon edhe vetë autori kur shkruan se në atë kohë, pra në gjysmën e dytë të shek. XV, kishte disa vepra të shkruara turqisht për dinastinë osmane, por atyre u mungonte eleganca në stilin e të shkruarit.[4]

Si për të plotësuar këtë mangësi të literaturës historiko-letrare, që shkruhej sipas modelit pers, në shek. XVI në strukturat e Shtetit Osman u krijua një zyrë e veçantë: zyra e şahnamexhi-ut. Ky pozicion në strukturat e Shtetit Osman u krijua nga sulltan Sulejmani i Madh në mes të viteve 1550. Detyra e tij ishte të kompozonte vepra legjendaro-historike në stilin e Shahname-së. Progresi i vërejtur në kompozimin letrar të këtij zhanri, sidomos nga poeti osman Arif, bëri që Sulejmani i Madh të ndërmerrte hapin konkret për institucionalizimin e zyrës së shahnamexhiut dhe ta emëronte atë në këtë pozicion.[5]

Vetëm se duke iu drejtuar fundit të shek. XVI, ndonëse kjo zyrë mbante të njëjtin emër, gradualisht vendin e persishtes filloi ta zërë turqishtja osmane, pasi vendin e përshkrimeve të fitoreve triumfatore osmane, tashmë e zunë përshkrimet e personaliteteve historike të kohës, zakonet dhe traditat. Një fenomen i tillë u shoqërua edhe me zëvendësimin e vargëzimit me shkrimin në prozë. Megjithatë, këtu duhet theksuar se merita e traditës letrare perse në poezisë epike ishte fondamentale edhe për letërsinë turke të këtij zhanri (Hüsrev ve Şirin), pasi turqishtja e shek. XV nuk gëzonte elegancën dhe shkallën e sofistikimit që kërkonte gjuha letrare e një shteti që po korrte fitore “epike”. Madje edhe huazimi i lidhjes gramatikore gjinore nga persishtja në turqishten osmane është një tregues i qartë i realitetit që shprehëm më sipër.

Si në Lindje ashtu edhe në Perëndim kur bëhet fjalë për formacione shtetërore jetëgjata, menjëherë mendja të shkon te roli dhe pesha që kanë mbajtur burokratët dhe dijetarët në zgjatjen e jetës së tyre. Në Perandorinë Osmane një figurë e rëndësishme ishte katibi. Ai përgatitej si i tillë pasi kalonte në një proces të gjatë që fillonte, së pari, me studimin e Kuranit dhe të haditheve të Profetit Muhamet dhe, së dyti, me mësimin e gjuhës arabe dhe perse, dhe mundësisht me përdorimin e tyre për qëllime ligjërimi. Këto dije plotësoheshin me njohuri nga historia islame dhe letërsia perse e arabe.

Katibët kishin edhe gjasat më të mëdha, që për shkak të shkallës së lakmueshme të dijes që zotëronin, të ishin edhe burokratët-teknicienë të cilët mbanin korrespondencën zyrtare të Shtetit Osman. Këta zyrtarë, që njiheshin me emrin mynshi (münşi), ishin përpiluesit e të gjitha tipeve të dokumenteve zyrtare, njohës të përkryer të elementeve përbërëse diplomatike të tyre, ku veçanërisht duhej të njihnin formulat standarde që përdoreshin për titujt. Për të arritur në këto nivele mynshitë osmanë shfrytëzuan materialet metodike në arabisht, persisht, në gjuhën urdu, si dhe modelet selçuke të kësaj fushe.

Në mes katipit dhe mynshiut ekzistonte një lidhje e fortë, e cila bazën e kishte te dija islame dhe praktikat burokratike në administrimin e shtetit. Këtu nuk duhet të kalojmë pa vënë në dukje kontributin fondamental të Perandorisë Sasanide, e cila në momentin kur ra në duart e ushtrisë myslimane arabe konsiderohej si vendi i katibëve/mynshi dhe i kaligrafëve.[6] Këtë avantazh Irani i kësaj kohe e gëzonte për faktin se kjo Perandori përbënte një model të avancuar për kohën në nivel shtetformues e burokratik.

Tashmë është një fakt i njohur historik që kryeministri selçuk Fahreddin Ali përdorte persishten në vend të arabishtes si gjuhë të shkrimit të dokumentacionit zyrtar të shtetit. Pra, burokratët ishin mjeshtrit e artit të kompozimit të dokumentacionit shtetëror osman. Ka shumë gjasë që praktika e kompozimit të dokumenteve dhe hartimi i formulave diplomatike perse nëpërmjet selçukëve të kenë kaluar edhe tek osmanët.

Nga ky kontingjent nëpunësish të lartë teknicienë dhe të mirarsimuar dolën edhe figura të njohura të administratës së lartë osmane, si nishanxhi(nişancı) dhe reisylkyttap (reisülküttab), të cilët shpalosën aftësitë e tyre jo vetëm në kompozimin e dokumenteve zyrtare, por edhe në shkrimin e divaneve dhe në lëvrimin e zhanreve të ndryshme të letërsisë orientale të kohës.

Prej kontingjentit të katibëve/mynshi dolën edhe ata që njiheshin me emrin tahrir katibi, (regjistrues kadastral), të cilët kishin për detyrë që në çdo qendër të banuar të një sanxhaku të kryenin regjistrimin e kryefamiljarëve dhe të pronave. Praktika kadastrale osmane i detyrohet shumë praktikave perse dhe një fakt i tillë dëshmohet lehtë edhe nga terminologjia e përdorur nga osmanët gjatë këtij procesi, për shembull termat hane (shtëpi), bive (e ve), mürde (i vdekur).

Është shumë interesant fakti që qysh te defterët më të hershëm osmanë, që kanë mundur të mbërrijnë deri në ditët tona, në ata të gjysmës II të shek. XV, hasim fjali-kompozita në persisht të cilat në trajtën e tyre klishe janë shoqëruar me kompozita turqisht.[7] Madje, në shek. XVI gjuha e defterëve kadastralë osmanë, merr trajta të mirëfillta të një gjuhe finance me kodin e saj të shprehjes. Këtu fjala është për një gjuhë mikse mes persishtes dhe turqishtes osmane, por që sot është lehtësisht e kuptueshme për specialistët osmanistë, pasi mbizotërojnë klishetë dhe falë këtij realiteti sot nga studiuesit e fushës kjo gjuhë njihet me emrin specifik gjuha osmane e financës.

Në përfundim do të thoshim se gjatë periudhës osmane marrjet dhe dhëniet mes Perandorisë Osmane dhe Iranit kanë qenë intensive, porse stili i poezisë epike perse u konsiderua nga osmanët një model i cili i shkonte mjaft mirë ambicieve të tyre botërore.


* Ky shkrim është botuar në revistën kulturore-shkencore “PERLA”, Viti IX, 2009, Nr. 1.
[1] H. Inalcik, “The Rise of Ottoman Historiography”, From Empire to Republic (Essays on Ottoman and Turkish Social History), The Isis Press, 1995, f. 11.
[2] Ibid.
[3] Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV – burime osmane, përgatitur nga Selami Pulaha, Universiteti Shtetëror i Tiranës – Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Tiranë 1968.
[4] H. Inalcik, “The Rise of Ottoman Historiography”, f. 14.
[5] Ch. Woodhead, “From Scribe to Litterateur: the Career of a 16th century Ottoman Katib”, Bulletin (British Society for Middle Eastern Studies), vol. 9, no. 1 (1982), p. 64.
[6] Ibid., p. 67.
[7] Suret-i Defter-i Vilayet-i Gorice ve Premedi ve Konice, Arkivi i Kryeministrisë – Stamboll, (“Maliyye’den Müdevver” collection), nr. 231; H. Inalcik, Hicri 835 tarihli Suret-i Defter-i Sancak-i Arvanid, TTK, Ankara 1954.

Intervistë me Hajrullah ef. Hoxhën, veteran i publicistikës islame në Kosovë

26/11/2012 Lini një koment

INTERVISTË ME HAJRULLAH EF. HOXHËN, VETERAN I PUBLICISTIKËS ISLAME NË KOSOVË

“Edukata Islame” me sukses i ka përmbushur e tejkaluar objektivat dhe pritjet e themeluesve dhe botuesve të saj

Hajrullah efendi Hoxha, është njëri ndër veteranët e publicistikës islame në gjuhën shqipe në Kosovë, që së bashku me H. Sherif ef. Ahmetin, janë nismëtarët dhe bartësit kryesorë të fillimit të botimeve të literaturës dhe periodikut me tematikë islame në gjuhën shqipe.

Për numrin e 100-të të “Edukatës Islame” me Hajrullah efendi Hoxhën biseduam ekskluzivisht për rrugën, sukseset, vështirësitë e sfidat që ka njohur “Edukata Islame” për këto 4 dekada, në këta 100 numra, me të cilët ka bërë historinë e fjalës së shkruar islame te ne.

Hajrullah efendi Hoxha

Pak biografi për Hajrullah Hoxhën
Hajrullah ef. Hoxha

Hajrullah Hoxha u lind në vitin 1939 në fshatin Korroticë të Epërme, komuna e Drenasit. Shkollën fillore katërvjeçare e kreu në Korroticë të Ulët, ndërsa gjimnazin e ulët në Komoran. Medresenë e ulët e kreu në Prishtinë, kurse të mesmen dhe kualifikimin e lartë profesional në Sarajevë. Në vitin 1964 u punësua imam në Deçan, kurse në vitin 1969 u transferua për imam dhe referent fetaro-arsimor në Mitrovicë. Në vitin 1979 u emërua administrator në Kryesinë e Shoqatës së Ylemave në Prishtinë, ku punoi deri në vitin 1998, pastaj ai kaloi në Kryesinë e Bashkësisë Islame dhe u emërua sekretar i Redaksisë për Botime islame. Këtë detyrë ai e kreu deri në vitin 2005, kur edhe u pensionua. Hajrullah Hoxha është autor i “Takvimit” dhe bashkëpunëtor i rregullt i revistës “Edukata Islame”, në të cilën, që nga themelimi i saj e deri më sot, kontribuoi me më së 60 punime. Diku 40 prej tyre janë nga fusha e historisë islame, përkatësisht vazhdime të punimit me titull: “Muhamedi a.s. dhe përhapja e fesë islame”. Ndërsa, të tjerat janë përkthime me përmbajtje të ndryshme nga gjuha boshnjake dhe arabe. Ai disa kohë ka qenë korrektues i “Edukatës Islame”, një mandat katërvjeçar kryeredaktor i saj, ndërsa nga numri 55/1992 e deri 100/2012 sekretar i Redaksisë, përveç në “Edukatën Islame”, ai ka të botuar artikuj të shumtë në “Takvim” dhe në revistën “Dituria Islame”. Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Edukata Islame: Hoxhë efendi, ju jeni ndër të paktë themeluesit e publicistikës islame te ne, a na thoni në çfarë rrethanash është vendosur për themelimin dhe botimin e revistës “Edukata Islame”, kur dihet që atë kohë në pushtet ishin komunistët?

Hajrullah efendi Hoxha: Në skenën politike të Jugosllavisë, pas rënies së regjimit famëkeq të Rankoviçit, i cili që nga koha e Luftës e Dytë Botërore, duke ushtruar dhunë sistematike mbi popullatën shqiptare pengoi zhvillimin dhe përparimin normal të tyre në aspektin kombëtar dhe fetar, ndodhën ndryshime të mëdha. Në këto rrethana të krijuara në prag të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, populli shqiptar në Kosovë dhe në viset tjera, përherë të parë filloi ta ndjejë veten të lirë dhe të ketë të drejtë për t’u ankuar publikisht në tubime zyrtare për të gjitha padrejtësitë që i ishin bërë dhe t’i gjykojë bartësit e tyre me emër dhe mbiemër. Këto ndryshime pozitive u kurorëzuan me përmirësimin e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare të ndërprera për dy dekada. Andaj, si rezultat i ndryshimeve të përmendura pozitive padyshim ka qenë edhe vendimi për botimin e “Edukatës Islame”.

Vendimi për botimin e revistës “Edukata Islame” mund të themi se nuk ka qenë vetëm kërkesë e kohës, por edhe imperativ i saj, sepse nevojat dhe kërkesat e popullatës shqiptare të besimit Islam për ta njohur fenë e tyre përmes literaturës të botuar në gjuhën shqipe për çdo ditë ishin më të mëdha. Popullata shqiptare e pas Luftës së Dytë Botërore, e cila ishte 98% analfabetë ajo tani ishte arsimuar në masë të madhe, duke filluar nga ata që e kishin vetëmësuar shkrim – lexim shqip e deri, tek ata që kishin doktoruar në shkenca të ndryshme.

Nga ana tjetër, botimi i kësaj reviste do t’u shërbente atyre si armë mbrojtëse nga akuzat e pabaza të propagandës antifetare, e cila ishte e pranishme sidomos në arsim dhe në mjetet e informimit. Pas përmirësimit të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare, propaganda në fjalë kishte marrë përmasa edhe më të mëdha nga ndikimi i frymës ateiste që mbretëronte në këtë të fundit, ku feja ishte e ndaluar me ligj.

Kjo propagandë përbëhej nga kombinimi ekstrem i ideologjisë komuniste, staliniste dhe të asaj nacionaliste kurse parulla kryesore të saj ishin: Feja është opiumFeja e shqiptarit është Shqiptaria, dhe fenë katolike na e kanë imponuar me dhunë romakët, fenë ortodokse bizantinët, ndërsa fenë islame turqit, dhe si të tilla të gjitha janë të huaja për ne. Ata, me këtë rast nuk dinin ose nuk donin ta dinin se, si parullën e parë Marksi, ashtu Pashko Vasa të dytën, i kanë thënë në rrethana të caktuara historike nga shkaqet dhe qëllimet e caktuara, andaj si të tilla ato nuk i përgjigjeshin as kohës as vendit as realitetit. Ndërkaq, sa i takon parullës së fundit ata totalisht harronin se edhe komunizmi si ideologji dhe sistem të cilin e respektonin dhe adhuronin shqiptarët si këndej ashtu edhe andej kufirit nuk ishte prodhim shqiptar por imponim nga sllavizmi serbo-rus. Andaj, kushti në fjalë është dashur të vlejë edhe për këtë të fundit ose për asnjërën. Në shtypin ditor gjithashtu bërja synet e fëmijëve u quajt akt barbar që lë pasoja psikike te fëmijët gjatë tërë jetës se tyre. Ndërkaq, në qendrat spitalore të Perëndimit shumë njerëz në atë kohë i bënin synet fëmijët e tyre edhe pse nuk i takonin fesë islame, këtë e bënin në emër të higjienës dhe preventivës nga sëmundjet venerike.

Viktimat e një propagande të tillë tendencioze ishin sidomos gjeneratat e reja, të cilat duke mos pasur mundësinë për t’u njohur me mësimet e vërteta të fesë islame, shumica e tyre formonin botëkuptime të gabuara për të. Andaj, marrja e vendimit nga Shoqata e Ylemave për botimin e revistës “Edukata Islame” në rrethanat e lartpërmendura ishte një akt sa i rëndësishëm po aq i guximshëm dhe jo vetëm i nevojshëm por edhe i domosdoshëm. Ky vendim u realizua falë angazhimit vetëmohues të, H. Sherif Ahmetit, kryetar i Shoqatës së Ylemave, dhe të disa bashkëpunëtorëve të rinj, të cilët kishim diplomuar në Medresenë e Sarajevës ose të Prishtinës, dhe tashmë ishim punësuar në Bashkësinë Islame.

Do theksuar se në vitin 1971 ndodhën dy ngjarje me rëndësi të madhe fetare dhe kombëtare: vendimi për botimin e “Edukatës Islame”, që u bë gurthemel i publicistikës islame në gjuhen shqipe, dhe vendimi për hapjen e Universitetit të Prishtinës, i cili u bë vatër e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare.

Edukata Islame: Hoxhë efendi, a na thoni tash e kujt ishte nisma për botimin e saj?

Hajrullah efendi Hoxha: Iniciatori kryesor i nismës për botimin e revistës “Edukata Islame” ka qenë kryetari i shoqatës së Ylemave, H. Sherif. ef. Ahmeti, natyrisht në marrëveshje paraprake me kryetarin e Kryesisë së Bashkësisë Islame, Hfz. Ismail ef. Hakiun, Zoti i mëshiroftë të dy.

Nga ardhja e tij në krye të shoqatës më 1969, ky ishte hapi i dytë i tij në këtë drejtim, pas botimit të Takvimit për herë të parë në gjuhën shqipe për vitin 1970.

Edukata Islame: Paraprakisht a është debatuar në forumet e Shoqatës së Ylemave për botimin e ndonjë reviste apo të literaturës në përgjithësi?

Hajrullah efendi Hoxha: Shoqata e Ylemave që nga viti 1962 e shtypte Buletinin Informativ në dy gjuhë serbokroatisht dhe shqip për nevojat e saj interne. Ky Buletin kishte karakter informativ për aktivitetet dhe veprimtaritë administrative si të Shoqatës së Ylemave ashtu edhe të Bashkësisë Islame. Si i tillë ai më nuk i përgjigjej kohës as nuk i plotësonte nevojat e anëtarësisë së shoqatës se lëre më kërkesat e të interesuarve për literaturë fetare, numri i të cilëve shtohej çdo ditë e më tepër. Duke u bazuar në faktet e lartpërmendura dhe pas një diskutimi të gjithanshëm, Këshilli Ekzekutiv i Shoqatës Ilmije (i cili më vonë u quajt: Kryesia e Shoqatës së Ylemave), në mbledhjen e mbajtur më 2 shkurt 1971, mori vendimin për botimin e një reviste fetare, e cila me përmbajtjen e saj do t’i plotësonte si nevojat e anëtarësisë së vet ashtu të lexuesve të tjerë të interesuar. Në bazë të propozimit të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame, H. Ismail Hakiut, revista u emërtua “Edukata Islame”.

Edukata Islame: Pasi që Shoqata e Ylemave ka qenë themeluese dhe botuese e “Edukatës Islame”, mundësisht, na i thoni disa fjalë për veprimtarinë e saj?

Hajrullah efendi Hoxha: Shoqata e Ylemave është themeluar dhe ka vepruar në kuadër të Bashkësisë Islame. Anëtarë të shoqatës kanë qenë imamët, punëtorët administrativë të organeve të Bashkësisë Islame dhe të Medresesë, imamët e ramazanit dhe muezinët.

Shoqata i ka pasuar organet e veta prej këshillave në terren e deri te kuvendi. Edhe pse i ka pasur organet e ndara me Bashkësinë Islame, kanë bashkëpunuar ngusht mes vete në organizimin dhe zhvilli­min e jetës fetare ndër pjesëtarët e besimit islam. Shoqata e Ylemave më tepër është marrë me çështjen e shtypit fetar, për arsye, se ndër detyrat kryesore të saj, sipas statutit, ka qenë kujdesi për botimin e revistës së saj, të Takvimit dhe të edicioneve tjera me përmbajtje islame për nevojat e veta dhe të Bashkësisë Islame.

Edukata Islame: Me çfarë vështirësish është përballur redaksia e revistës në fillim të punës së saj?

Hajrullah efendi Hoxha: Qysh në fillim të punës së saj, redaksia e revistës u ballafaqua me vështirësi të natyrave të ndryshme, në mesin e të cilave më e theksuara ka qenë mungesa e bashkëpunëtorëve. Kjo ndodhte për arsye se shumica dërrmuese e gjeneratave të mëparshme të ylemave edhe pse ishin ixhazetli – të diplomuar dhe posedonin aftësi të mëdha profesionale, për shkak të mosnjohjes së rregullave të gjuhës dhe metodave të shkrimit, nuk ishin në gjendje të shkruanin qoftë edhe një artikull në gjuhën shqipe.

Ata kishin mësuar dhe ishin diplomuar nëpër medrese të ndryshme, gjatë sundimit të Jugosllavisë monarkiste, e cila ua kishte ndaluar me ligj popullatës shqiptare si shkollimin ashtu shtypin në gjuhën amtare. Në anën tjetër edhe ne gjeneratat e reja, të cilat ishim shkolluar, në medresetë me plan-program të reformuar, ku mësoheshin përveç lëndëve fetare edhe ato shkencore të shkollave të mesme laike, për shkak të papërvojës dhe mosekzistimit të literaturës fetare të mëhershme në gjuhën shqipe, të cilën do të mund ta shfrytëzonim, ose ta merrnim si model sesi duhet shkruar, kishim probleme të caktuara në këtë drejtim.

Burim kryesor i literaturës me të cilën kishim mundësi të shërbeheshim ka qenë në gjuhën arabe ose boshnjake, të cilat disa prej nesh nuk i njihnin mirë. Pavarësisht nga kjo që u tha më lart, mendoj se të shkruarit është një mjeshtri në vete, e cila kërkon talent, prirje, njohje dhe aftësi, vullnet dhe durim. Sipas përvojës sime shumëvjeçare, do të thosha se vula e suksesit në këtë çështje janë këto dy të fundit. Prandaj, falë vullnetit të pathyer dhe punës vetëmohuese të një grupit të vogël bashkëpunëtorësh të rregullt në krye me h. Sherif Ahmetin, “Edukata Islame” nuk e ndërpreu rrugëtimin e saj, ndërsa me arritjen e kuadrove të afta të shkolluara në qendra të ndryshme universitare të botës islame, problemi i bashkëpunëtorëve, gradualisht vinte duke u eliminuar.

Edukata Islame: Hoxhë efendi, kush ishin atëkohë bashkëpunëtorë të revistës?

Hajrullah efendi Hoxha: Bashkëpunëtorët e parë më kryesorë të revistës “Edukata Islame” në vitet e para të botimit të saj kanë qenë, H. Sherif Ahmeti, hfz. Muharrem Adili, h. Rashit Osmani, m. Bajruh Ahmeti, H. Jashar Jashari, H. Jetish Bajrami, Hfz. Avni Aliu, T. Nelaj (Feti Mehdiu), Ibrahim Spahia dhe unë. Kryeredaktor i revistës ka qenë h. Sherif Ahmeti, ai ishte shtylla kryesore për përgatitjen e saj, i cili me aftësitë e tij të larta profesionale e redaktoi dhe e pasuroi me tema bashkëkohore për një periudhë të gjatë afro shtatëmbëdhjetëvjeçare. Shpeshherë për shkak të mungesës së materialit të nevojshëm, në fillim ai detyrohej të merrte pjesë me dy ose tre artikuj në një numër.

Edukata Islame: Si e priten besimtarët dhe masa e gjerë botimin e revistës “Edukata Islame”

Hajrullah efendi Hoxha: Gjatë sundimit të sistemit komunist jugosllav, edhe pse feja ishte formalisht e lirë, si në Kosovë ashtu edhe në viset tjera shqiptare rrethanat politiko-shoqërore dhe mungesa e kushteve të nevojshme, kanë qenë shkaktare kryesore për mosbotimin e literaturës islame në gjuhën shqipe për një kohë të gjatë. Mirëpo, dëshirat, nevojat dhe kërkesat e besimtarëve, qofshin ata të moshuar apo të rinj, autodidaktë apo të shkolluar çdo ditë e më tepër vinin duke u shtuar. Shpeshherë këto kërkesa ata i drejtonin në Bashkësinë Isla­me ose në Shoqatën e Ylemave, duke i kritikuar për mosangazhim të nevojshëm.

Një numër i konsiderueshëm i tyre, pasi që dinin gjuhën serbokroate, ngase ishin të detyruar ta mësonin në shkolla dhe në ushtri, mungesën e shtypit islam në gjuhën shqipe e plotësonin me marrjen e shtypit që botohej në Sarajevë. Në rrethana të tilla dalja nga shtypi e revistës “Edukata Islame” u mirëprit te shumëkush me gëzim dhe kënaqësi të papërshkruar. Një gëzim i tillë kishte karakter të dyfishtë: fetar dhe kombëtar.

Pas daljes nga shtypi të kësaj reviste, falënderimet dhe urimet me dëshira të sinqerta për sukses dërguar redaksisë së saj përmes telefonit ose letrave me postë kanë qenë të shumta. Me këtë rast do të theksoja përmbajtjen e një letre të tillë nga një lexues dhe bashkëpunëtor i “Edukatës Islame”.

“Unë, si lexues i pasionuar dhe njëkohësisht deri diku edhe bashkëpunëtor i faqeve të kësaj reviste të ndritshme, jam gëzuar që kjo revistë është duke depërtuar pa pengesa ndër lexues, ndoshta me ndonjë vonesë nganjëherë por edhe kjo e ka arsyen e vet. Masa myslimane shqiptare duhet të jetë krenare që në historinë e saj po përjeton daljen e kësaj reviste në gjuhën amtare, në të cilën janë duke u shqyrtuar tema autoriale për mbarë masën myslimane e sidomos atë rinore, e cila shumë pak di për islamizmin dhe principet e tij. Pra revistës në fjalë i dëshirojmë suksese po ashtu edhe bashkëpunëtorëve të saj dëshiroj përparim dhe hapje të horizonteve të ndritshme islamike. Me përshëndetje të përzemërta Eselamu Alejkum, Ibrahim Spahija.(shih: Edukta Islame, nr. 8).

Gjithashtu, urimet e tilla të shprehura gojarisht as me rastin e ta­kimit me lexuesit e kësaj reviste nuk mungonin. Me një rast në bisedë e sipër një xhematli nga Llapi më pati thënë: “Unë, prej fillimit kur ka dalë “Edukata Islame” rregullisht e kam marrë dhe e kam lexuar me kënaqësi të madhe sidomos shkrimet e mulla Sherifit dhe shkrimet tua. Keni bërë punë të madhe, Zoti ju shpërbleftë me të mirat e Tij. Sikur të kishit mundësi për t’i tubuar ato shkrime në një libër do të ishte edhe më mirë, sepse do ta merrnin jo vetëm ata që nuk i kanë lexuar por edhe ne që i kemi lexuar”.

Pasi që nga Lufta e Dytë Botërore, “Edukata Islame” ishte revista e parë dhe e vetmja fetare në gjuhën shqipe në të gjitha trevat shqiptare, dalja e saj u mirëprit edhe ndër shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë. Interesimi për marrjen e saj, i cili realizohej përmes organeve të Bashkësisë Islame të vendeve të lartpërmendura dhe përmes parapagimit në redaksinë e saj, ishte i madh. Këtë mund ta vërtetojë mesë miri edhe ky rast. Gjatë luftës kur ishim refugjatë në Maqedoni, imami i xhamisë kryesore të Reçicës së Madhe-afër Tetovës, mulla Taxhudini, më vendosi për strehim në familjen e tij. Kur më prezantoi në familje se kush jam me emër e mbiemër dhe ku punoi, babai i tij tha: “Ky emër po më duket si i njohur, a mos je ti një Hajrullah Hoxha, që me mulla Sherif Ahmetin e keni qitur “Edukatën Islame”? Pasi që iu përgjigja pozitivisht i thashë: “Po kah të ka rënë në dorë ty “Edukata Islame”? Ai më tha: ” Në atë kohë Taxhudini ka qenë në Siri, duke studiuar. Në fillim unë i kam marrë disa numra të saj në Bashkësinë Islame në Tetovë, të cilat ende i kam dhe nga njëherë ose i marrë dhe i lexoj vetë ose ua jap fëmijëve për t’i lexuar”. Unë me këtë rast mbeta i habitur për faktin se edhe pse kishte kaluar një kohë e gjatë nga ajo kohë, përjetimet dhe kujtimet për të ende i kujtonte me mall e respekt.

Për daljen e revistës “Edukata Iislame” qe gëzuar shumë edhe veprimtari i çështjes fetare dhe kombëtare imam Vehbi Ismaili, emigrant i Shqipërisë në SHBA, Zoti e mëshiroftë. Ai me rastin e vizitës së tij në Shoqatën e Ylemave, ku u prit nga H. Sherif Ahmeti, H. Ismail Hakiu e shumë të tjerë, atë gëzim dhe kënaqësinë e tij e shprehu përmes urimeve dhe dëshirave të sinqerta për punë të mbarë dhe të suksesshme. Duke pasur parasysh se në Shqipëri jo vetëm shtypi por edhe feja tërësisht ishte e ndaluar, dhe se askund tjetër nuk botohej literaturë islame në gjuhën shqipe përveçse në Prishtinë, si njeri vizionar dhe largpamës, na tha: “Pasi që keni të drejtë për të botuar revista dhe libra fetare në gjuhën shqipe, për çka ndiej kënaqësi të madhe, do t’u sugjeroja që ato t’i botoni me tirazh sa më të madh, sepse mund të ndryshojë situata politike në Shqipëri dhe të lirohet çështja e fesë, kështu që ato do t’u hyjnë në shërbim vëllezërve tanë shqiptarë-myslimanë atje”

Nga kjo kuptohet sesa ai e çmonte lart fjalën e shkruar fetare në gjuhën shqipe dhe se sa e madhe ishte shpresa e tij për ta parë Shqipërinë të lirë nga diktatura komuniste. Më në fund kjo parandnjenjë dhe dëshirë e tij u realizua ngase i dha Zoti ymër për ta parë Shqipërinë e lirë, ndërsa ne e përmbushëm dëshirën e tij ngase në vitet 90, kur u shkatërrua komunizmi, ku jo vetëm numra të ndryshëm të “Edukatës Islame” që i kemi pasur tepricë në depo, por tërë literatura e botuar nga Shoqata e Ylemave dhe Bashkësia Islame që e posedonim ua dërguam falas në Shqipëri.

Edukata Islame: Atë kohë në çfarë rrethanash ka punuar redaksia e një reviste fetare, gjithnjë duke pasur parasysh se keni vepruar në sistemin komunist?

Hajrullah efendi Hoxha: Në sistemin komunist jugosllav, besimi, manifestimi dhe predikimi i fesë, kanë qenë të lejuara dhe garantuara me ligj. Megjithatë, propaganda antifetare dhe pengesat e natyrave të ndryshme ndaj institucioneve fetare, sidomos në Kosovë, kundër islamit, asnjëherë nuk kanë pushuar.

Edhe pse në rrethana të tilla kontradiktore dhe në kushte jo të mira, redaksia e “Edukatës Islame” e zhvilloi punën e saj me sukses duke mos rënë në kundërshtim me rregullat ligjore të parapara për shtyp.

Në fillim, edhe çështja e shtypjes së “Edukatës Islame” ishte problem. Drejtorët e shtypshkronjave, si komunistë të përbetuar, refuzonin shtypjen e saj vetëm pse kishte karakter fetar, me përjashtim të atij të shtypshkronjës “Progres” në Mitrovicë. Në atë kohë unë isha imam në Mitrovicë dhe kisha raporte të mira me drejtorin e shtypshkronjës në fjalë, i cili ishte një njeri dinjitoz dhe intelektual i mirëfilltë.

Pas një bisede të shkurtër pa kurrfarë ngurrimi ai e pranoi ofertën tonë për shtypjen e “Edukatës Islame”. Pra, duke iu falënderuar guximit qytetërues të z. Burhan Gashit, Zoti e mëshiroftë, respektit të tij ndaj fesë islame dhe fjalës së saj të shkruar në gjuhën shqipe, si Takvimi një vit më parë, ashtu “Edukata Islame” e panë dritën e botimit. Në këtë shtypshkronjë të dy botimet e përmendura u shtypën rregullisht për afro 20 vjet.

Gjatë kohës së sundimit komunist çdo vepër para se të dilte nga shtypi duhej censuruar (redaktuar) rreptësishtë nga prokurori publik. Andaj, me rastin e përgatitjes së materialit për botim për çdo numër është dashur t’i kushtohej kujdes i veçantë që të mos ketë në të elemente antiligjore ose politike. Më kujtohet si sot kur me një rast lidhur me këtë h. Sherif Ahmeti më pati thënë: “ Hajrullah, besoj se ti në pikëpamje fetare nuk gabon, por ki kujdes në pikëpamje politike, sepse shumë lehtë ajo mund të shkaktojë ndërprerjen e mëtejshme të “Edukatës Islame”.

Për shkak të rrethanave të ndërlikuara politiko-shoqërore në prag të viteve 90-ta, redaksia e “Edukatës Islame” u përball me vështirësi të natyrës së ndryshme, madje edhe të natyrës politike. Me një rast, papritmas, me erdhën në zyrë dy njerëz të pushtetit (Këshilli Koordinues Krahinor i LSPP), një serb e një shqiptar. Ky i fundit ishte Sherefedin Sylejmani, komunist i hershëm, ndërsa atë të parin nuk e njoha as që i kam lodhur mentë për t’ia mbajtur emrin në mend. Si kryeredaktor (i zorit) i “Edukatës Islame” që isha në atë kohë, kërkuan prej meje me këmbëngulje botimin e saj në dy gjuhët serbokroate dhe shqipe, për nevojat e anëtarësisë dhe të myslimanëve nga territori i Sanxhakut, pasi që ajo ishte organ i shoqatës që vepron në nivel të Republikës të Serbisë. Një kërkesë të tillë kurrë njëherë nuk e kishin bërë, as gojarisht as me shkrim imamët e Sanxhakut.

Sikur ta kishin bërë, sigurisht do t’ua kishim pranuar me kusht që atë ta botonin ndaras njësoj siç patëm vepruar me Kalendarin e murit. Mirëpo, kërkesa e tyre dukej qartë kishte karakter tendencioz dhe me prapavijë politike. Duke pasuar parasysh të gjitha këto, u mundova t’u përgjigjem në mënyrë sa më të shkurtër dhe sa më racionale duke thënë, Imamët dhe myslimanët e Sanxhakut kanë literaturë të mjaftueshme në gjuhën e tyre amtare që botohet në Sarajevë, ndërsa sa i përket botimit të “Edukatës Islame” në gjuhën serbokroate, pasi është organ i Shoqatës që vepron në nivel të Republikës së Serbisë, nuk kemi mjete financiare. Pas kësaj Sherefedini, më tha: “Mjetet financiare ua sigurojmë ne”, ndërsa shoku i tij shtoi, “Së paku temat kryesore të përkthen serbokroatisht”.

Atëherë unë u thashë: “Temat më kryesore të “Edukatës” janë marrë e përkthyer nga Gllasnku i Sarajevës, të cilat ata i kanë lexuar shumë herët, sepse Edukata del 3-4 herë në vit”.

Në realitet ashtu edhe ishte, sepse gati çdo numër të “Edukatës Islame” ka pasuar nga një temë të përkthyer nga Husein Xhozo ose Sinanudin Sokolloviqi. Me kaq mori fund biseda rreth kësaj çështjeje por ata shkuan të pakënaqur, ngase nuk hasëm në mirëkuptim për realizimin e qëllimeve të tyre.

Edukata Islame: Si bëhej shpërndarja e “Edukatës Islame”?

Hajrullah efendi Hoxha: Shpërndarjen e “Edukatës Islame”, Shoqata e Ylemave, si botues i saj, e bënte përmes këshillave të saj në terren, ndërsa këto të fundit përmes anëtarëve të tyre – imamëve dhe myezinëve , i shpërndanin në xhamia. Përveç territorit të Kosovës, në bazë të kërkesave kemi dërguar edhe në këshillat e Bashkësisë Islame: Bujanoc, Preshevë, Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Beograd, Titograd dhe Ulqin. Transportimi i saj në kë­shillat brenda Kosovës zakonisht bë­hej me veturë të Shoqatës, ndërsa jashtë Kosovës, me anë të postës. Përveç dërgesave me shumicë, në redaksi kanë qenë të parapaguar një numër i konsiderueshëm i lexuesve nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Diaspora, të cilëve “Edukatën Islame” rregullisht ua dërgonim me anë të postës.

Si shpërndarjen e “Edukatës Islame” ashtu edhe të literaturës tjetër rregullisht e kemi bërë me H. Abdullah Zhegrovën – Zoti e mëshiroftë! Ai në atë kohë një mandat ishte kryetar i Shoqatës së Ylemave, kurse pas vdekjes së H. Jakup Hoxhës, u emërua si sekretar i saj. Pas daljes së çdo botimi nga shtypi, pavarësisht nga kushtet atmosferike të kohës me shi apo borë, të ftohtë apo të nxehtë, ne sa më parë e kemi shpërndarë atë në terren. Shpeshherë kemi udhëtuar natën, madje edhe kur nuk ishte gjendja e mirë e sigurisë, ngase deri në drekë punonim në zyrë. Me gjithë gjendjen shumë të rëndë politike në vitet e 90’ta, demonstratat e shumta dhe kontrollimet e rrepta policore, ne nuk ndaleshim së qarkulluari, sa që njëherë ka ndodhur që ora policore na ka zënë në qytetin e Suharekës. Shpeshherë kemi qenë të ndaluar dhe kontrolluar nga policia serbe. Kështu vepruam me vite të tëra deri më 28.12.1992, kur ai ndërroi jetë në udhëtim e sipër. Atë ditë duke u kthyer nga Prizreni, ku morëm nga shtypshkronja “Takvimin” për vitin 1993, unë u ndala në Komoran për të vazhduar rrugën për Prishtinë, ndërsa ai shkoi për të shpërndarë Takvimin në Drenas, Skenderaj, Mitrovicë dhe në Vushtrri, ku edhe banonte. Në hyrje të Mitrovicës, pas ndërrimit të një gome të veturës, me të hyrë brenda ai kishte ndërruar jetë.

Nuk ishte lehtë të ndahemi nga një shok i dashur e i ngushtë, me të cilin ishim shoqëruar gjatë shkollimit për 8 vjet, katër vjet në Prishtinë dhe katër tjera në Sarajevë. Me të kishim punuar më se 13 vjet në një zyrë, ishim shoqëruar çdoherë kur dilnim në terren deri në ditën kur ndërroi jetë. Zoti i madhërishëm e shpërbleftë dhe na bashkoftë me të në Xhennet!

Me një rast, derisa ishim duke e shpërndarë “Takvimin” për vitit 1993, me Salih Jasharin, policia na kontrolloi, dhe vetëm pse e panë xhamin e “Hysrev Begut” në ballinën e tij, na kërcënuan: “Çfarë po ju duhet juve xhamia e Sarajevës? A mos keni lidhje ju me myslimanët e Bosnjës, të cilët po luftojnë kundër nesh?

Gjithashtu edhe çështja e shitjes së literaturës islame fetare ka qenë tejet e kufizuar me ligj. Ajo ka pasur të drejtë të behët vetëm në zyrat e Bashkësisë Islame dhe të Shoqatës së Ylemave, nëse kjo e fundit ka pasur të veçanta, në xhamia dhe oborret e tyre, ndërsa në vendet publike ose në treg ka qenë e ndaluar. Kjo është dëshmuar praktikisht në disa raste, ku milicia ua ka konfiskuar ose i ka marrë në pyetje shitësit e saj dhe ua ka tërhequr vërejtjen duke i kërcënuar, nëse prapë vazhdojnë.

Edukata Islame: Hoxhë efendi, Edukata tani po përgatit të botojë numrin e saj të 100-të, si e përshkruani rriten e saj?

Hajrullah efendi Hoxha: “Edukata Islame” gjatë veprimtarisë së vet dyzetenjëvjeçare u përball me vështirësi dhe probleme të natyrës së ndryshme duke filluar nga ato me karakter profesional e deri tek ato me karakter politik. Mirëpo, falë angazhimit vetëmohues të botue­sit të saj, kryeredaktorëve, bashkëpunëtorëve dhe stafit teknik ajo arriti që të mbijetojë dhe ta kryejë me sukses misionin e saj për të cilin ishte themeluar. Kohën e veprimtarisë së “Edukatës Islame” mund ta ndajmë në tri periudha: Periudha e parë fillon në vitin e daljes së saj 1971 dhe vazhdoi deri në prag të viteve të 90-ta. Periudha e dyte fillon në vitet e 90-ta dhe vazhdoi deri pas luftës, ndërsa periudha e tretë filloi në vitin 2001 dhe vazhdon deri më sot kur po e botojmë numrin 100-të jubilar të saj.

Fillimin e periudhës së parë e karakterizonte numri i kufizuar i bashkëpunëtorëve dhe tirazhi i vogël prej 1000 ekzemplarëve, mirëpo kohë pas kohe si numri i bashkëpunëtorëve ashtu dhe tirazhi erdhën duke u shtuar. Të gjithë bashkëpunëtorët gjatë kësaj periudhe ishin vetëm nga kuadrat e Bashkësisë Islame, për shkak të sistemit komu­nist, me përjashtim të z. Ibrahim Spahisë dhe Ferid Berishës, të cilët ishin punëtorë të arsimit, si ish-nxënës të medresesë (i pari i medresesë “Isa beg” të Shkupit, ndërsa i dyti i asaj “Atik” të Gjilanit, dhe Mehmet Zhinipotokut, me punë të përkohshme në Francë. Kryeredaktor i saj gjatë kësaj periudhe ishte H. Sherif Ahmeti, i cili me aftësinë profesionale dhe punën e tij të palodhshme bëri që “Edukata Islame” të vazhdojë daljen e saj me rregull. Ndërsa falë kërkesave gjithnjë më të mëdha nga lexuesit tirazhi i saj arriti deri në 5000 copë.

Periudhën e dytë e karakterizojnë siç dihet vështirësitë e ndryshme, gjendja e rëndë politike, dhuna shtetërore dhe lufta. Të gjitha këto shkaktuan daljen me shumë vështirësi të revistës “Edukata Islame” saqë e herë- herë edhe me pauza të gjata.

Edhe pse numri i bashkëpunëtorëve nga radhët e intelektualëve ishte në shtim e sipër, cilësia e përmbajtjes ishte përmirësuar dhe numri i faqeve ishte shtuar, tirazhi i saj, shkaku i gjendjes së vështirë, gradualisht vinte duke u zvogëluar deri sa zbriti në 1000 copë. Në fillim të kësaj periudhe unë isha kryeredaktor, ndërsa nga viti 1992 e deri 2001 ishte H. Resul Rexhepi.

Për shkak të ndryshimeve organizative në Bashkësinë Islame dhe ndërprerjes së veprimtarisë së Shoqatës, Bashkësia Islame më 2001, mori mbi vete botimin e mëtejmë të “Edukatës Islame”.

Periudhën e tretë të “Edukatës Islame”, e cila fillon në vitin 2001 dhe vazhdon deri më sot e karakterizon ajo që është më e vlefshmja në botë – liria, e cila u arrit falë Zotit të madhërishëm, e pastaj atyre që sakrifikuan jetën ose pasurinë e tyre si dhe falë ndihmës ushtarake së Aleancës Veri-Atlantike me në krye SHBA-të.

Duke filluar nga botimi i parë i saj pas luftës, në “Edukatën Islame”, shihen ndryshime të mëdha si në formën ashtu edhe në përmbajtjen e saj. Këto ndryshime pozitive më së miri vërehen në përbërjen e Redaksisë, të drejtuar nga publicisti i njohur, z. Qemajl Morina, anëtarë të cilës ishin si p.sh. akad. Jashar Rexhepagiqi , akad. Pajazit Nushi, Dr. Ejup Sahiti etj. Numri i intelektualëve të tillë është i madh edhe në mesin e bashkëpunëtorëve të “Edukatës Islame”. Andaj, falë punës së palodhshme të kryeredaktorit të saj, z. Qemajl Morinës dhe bashkëpunëtorëve të tij, “Edukata Islame” për nga përmbajtja gjatë kësaj periudhe është shumë më e pasur me tema të zgjedhura dhe aktuale, ndërsa madhësia e saj ka arritur deri në 350 faqe. Për kundër tërë kësaj, tirazhi i “Edukatës Islame” prej 1000 copë është tepër i vogël dhe i pajustifikueshëm, duke marrë parasysh se numri i imamëve në Kosove arrin përafërsisht shifrën e njëjtë.

Nga numri i parë deri në numrin 100 jubilar të saj, në “Edukatën Islame”, janë botuar artikuj dhe punime të ndryshme me karakter fetar, shkencor, kulturor dhe kombëtar. Në të janë shtjelluar tema nga Akaidi- besimi, Fikhu- jurisprudenca islame, Ahlaku- morali dhe etika, Tefsiri- komentimi i Kur’anit, Hadithi- thëniet dhe veprimet e Muhamedit a.s., Historia Islame, si dhe tema tjera shkencore, filozofike, pedagogjike sociale dhe kulturore. Në këto tema dominon metoda e interpretimit bashkëkohor të mendimit islam për njeriun, fenë dhe botën.

Edukata Islame: A i ka përmbushur “Edukata” objektivat dhe pritjet e themelueseve të saj?

Hajrullah efendi Hoxha: Edhe pse u themelua dhe veproi një kohë të gjatë në sistemimin komunist – antifetar, “Edukata Islame” arriti të prezantojë me sukses dhe në mënyrë të drejtë parimet, mësimet dhe vlerat e mirëfillta të fesë islame. Në faqet e saj u trajtuan dhe u shqyrtuan me përkushtim ide dhe tema të rëndësishme fetare, etike, kulturore, filozofike, sociale dhe shkencore. Si e tillë, ajo gjatë veprimtarisë së saj 41-vjeçare ka dhënë një kontribut të çmuar fetar e kombëtar.

“Edukata Islame”, sipas mendimit tim, në këtë mënyrë jo vetëm që e arsyetoi themelimin dhe ekzistimin e saj por me sukses i ka përmbushur madje edhe i ka tejkaluar objektivat dhe pritjet e themeluesve dhe botuesve të saj.

Edukata Islame: Si e shihni çështjen e publicistikës islame në gjuhën shqipe?

Hajrullah efendi Hoxha: Publicistika islame në gjuhën shqipe, nga themelimi i saj e deri më sot, është zhvilluar në mënyrë institucionale në kuadër të Shoqatës së Ylemave dhe Bashkësisë Islame, mirëpo, me fillimin e proceseve demokratike në vitet 90-ta, ajo mori karakter edhe privat. Kur i shoh sot libraritë private të stërmbushura me literaturë islame në gjuhën shqipe, e cila numëron sigurisht me mijëra tituj, duke filluar nga Ilmihali e deri te komentimet voluminoze të Kuranit, dhe e krahasoj me kohën kur e kemi pasur të shtypur në gjuhën shqipe vetëm Ilmihalin e vogël (1957), zemra më kënaqet dhe sytë me mbushen me lot nga gëzimi. Mirëpo, kur mendoj nganjëherë pa emocione dhe i analizoj autorët dhe titujt e kësaj literature, për­mbajtjen dhe kohën e shkruar të saj, si dhe përzgjedhjen e titujve për botim pa kritere të mirëfillta, filloj të them me vete:

“Nga kush po financohet botimi paushall i kësaj literature islame në gjuhën shqipe?! Nëse investitorët e saj janë myslimanë të sinqertë dhe dashamirë të islamit dhe të myslimanëve, atëherë pse këtë punë nuk ua kanë besuar zyrtarisht organeve të Bashkësisë Islame, të cilat janë kompetente për çështjet fetare dhe kanë kuadro për përzgjedhjen e titujve sa më të nevojshëm për vendin tonë, si dhe për kontrollimin e përkthimit të tyre që të jetë sa më i përpiktë dhe më i rrjedhshëm? Pse këtë punë ua kanë besuar personave të caktuar madje edhe laikë, të cilët në mënyrë private i përkthejnë titujt e caktuar, i botojnë dhe i shesin sikur të ishte mall i kontrabanduar? Çfarë kanë nevojë lexuesit e rëndomtë për një literaturë të tillë voluminoze, në të cilën përfshihen edhe shumë vepra të shkruara para më së një mijë vjetëve, në kohën e dekadencës së myslimanëve, në të cilat janë shqyrtuar çështje dhe probleme të atëhershme, e që sot nuk janë fare aktuale? Kujt i duhet një literaturë e tillë, e cila e orienton vëmendjen e lexuesit më tepër kah problemet e së kaluarës sesa kah problemet aktuale dhe perspektiva e së ardhmes? Të gjitha këto, e shumë dilema të tjera, më bëjnë të brengosem dhe të dyshoj: Vallë a mos një veprimtari e tillë i ka shkaqet dhe qëllimet e caktuara, në mesin e të cilave është edhe mbjellja e farës së përçarjes së myslimanëve në bazat e medhhebeve dhe sekteve të ndryshme, pasojat e së cilës tashmë kanë filluar të jenë të pranishme thuajse në çdo mjedis.

Botimi i tillë i literaturës pa plan dhe pa kontrollim të saj, dhe shpërndarja e saj masive, në hapësirat shqiptare, sidomos pas luftës në Kosovë, sipas mendimit tim u përngjan vërshimeve të përroskave ose lumenjve që nuk e kanë shtratin e rregulluar pas shirave të mëdha. Me ç’rast ato më tepër u sjellin dëme sipërfaqeve të tokave të vërshuar sesa dobi.

Me qëllim që të mos ndodhë diçka e tillë edhe në Bashkësitë Islame në trojet shqiptare, do t’i sugjeroja që të formojnë nga një organ-institut të veçantë botues, me ekspertë të zgjedhur në lëmi të ndryshme, i cili do të drejtonte dhe kontrollonte tërë veprimtarinë botuese të saj, qofshin ato revistat apo botime tjera të veçanta.

Edukata Islame: Në Edukatën Islame jeni i pranishëm me punimin “Muhamedi a.s. dhe përhapja e fesë Islame” nga numri 1 deri në atë 60, në 38 vazhdime, si keni pasur durim të shkruani për 25 vjet rreth në një temë?

Hajrullah efendi Hoxha: Në “Edukatën Islame” nr. 1, është botuar vazhdimi i tretë i punimit në fjalë, ndërsa dy pjesët e para kanë qenë të botuara në dy numrat e fundit të “Buletinit Informativ”. Ndërsa, sa i përket çështjes së durimit, ai ka qenë i bazuar në vullnet të pathyeshëm dhe në dëshirë të madhe, të cilat së bashku më kanë shoqëruar vazhdimisht dhe i kam kuptuar dhe vlerësuar si dhurata tepër të çmueshme nga Allahu i madhërishëm. Megjithatë, dëshira, vullneti dhe durimi në fjalë kanë qenë të bazuara: Në ndjenjën e dashurisë ndaj Allahut xh.sh, të Dërguarit të tij dhe Fesë Islame;

Në ndenjën e përgjegjësisë morale për shfrytëzimin dhe përhapjen e diturisë së poseduar. Në dëshirën e madhe për t’ua bërë të mundur popullatës shqiptare të besimit islam për ta njohur biografinë e Muhamedit a.s. dhe të fesë islame në mënyrë të drejtë përmes fjalës së shkuar në gjuhën amtare. Në shpresën e madhe për shpërblimin e be­gatshëm të Allahut xh.sh., për mundin dhe kontributin e dhënë në udhëzimin e njerëzve në rrugën e drejtë të Tij.

Duke u mbështetur në fjalët e Muhamedit a.s. thënë shokut të tij: “O, Muaz, nëse Allahu e drejton një njeri përmes teje në rrugë të drejtë, më e dobishme është për ty se e tërë bota dhe çka ka në të”.

Edukata Islame: Pasi që punimi në fjalë është i një rëndësie të veçantë për faktin se për herë të parë është shkruar te ne për jetën e Muhamedit a.s., a mendoni për ta tubuar e botuar atë në një vëllim?

Hajrullah efendi Hoxha: Lidhur me ketë çështje kam pasuar sugjerime dhe propozime edhe më herët nga disa dashamirë të mi, mirëpo vetëm kohëve të fundit kam vendosur që t’i rikthehem ta korrigjoj tërë atë material dhe ta përgatis për botim. Por, edhe kjo ka punë dhe do kohë.

Nëse kam ymër dhe më punon shëndeti, shpresoj se kjo punë me ndihmën e Zotit do të kryhet me sukses, mirëpo nëse ndodh e kundërta, jam i bindur që do ta përfundoni ju.

Edukata Islame: Hoxhë efendi, cila është porosia juaj për lexuesit dhe bashkëpunëtorët e “Edukatës…”?

Hajrullah efendi Hoxha: Kushtet për punë, mundësitë dhe rrethanat tani, krahasuar me atë kohë kur kemi punuar ne janë të pakrahasueshme në çdo aspekt: politik, ekonomik, profesional, teknologjik, informativ etj., me fjalë të tjera ato sot janë ideale, andaj vetëm kërkohet shfrytëzimi i tyre në mënyrë maksimale. Në kontekst të kësaj për lexuesit e “Edukatës Islame”, bashkëpunëtorët dhe anëtarët e redaksisë me këtë rast porosia ime është:

Të punojnë edhe me më përkushtim, në përhapjen e mendimit dhe mësimeve islame, përmes fjalës së shkuar në gjuhën shqipe duke llogaritur këtë si një obligim të domosdoshëm fetar me përgjegjësi të madhe morale. Të gjithë i përshëndes përzemërsisht me selam dhe iu dëshiroj suksese në punë.

Gjithashtu, edhe revistës “Edukata Islame”, me rastin e botimit të numrit jubilar i dëshiroj shtegtim të pandalshëm në rrugën e saj të trasuar që katër dekada, si dhe suksese të reja.

Edukata Islame: Hajrullah efendi, ju faleminderit shumë për këtë intervistë të dhënë, gjatë së cilës ndiem kënaqësi të veçantë. Ne ju dëshirojmë shëndet dhe suksese në punën tuaj?

Hajrullah efendi Hoxha: Në fund e falënderoj Allahun e madhërishëm që më ka bërë të munduar që edhe unë të jem prej atyre që kanë kontribuar me shkrime për të mirën e islamit dhe të myslimanëve shqiptarë. Ndërsa juve që e keni paraparë këtë intervistë me mua si një dëshmitar i gjallë i rrjedhave në redaksinë e “Edukatës Islame” dhe si një bashkudhëtar i saj i pandashëm, ju falënderoj përzemërsisht dhe ju dëshiroj sukses.

Intervistoi: Ramadan Shkodra

E vërteta për Luftën e Parë Ballkanike

18/11/2012 Lini një koment

Ukshin ZAJMI

E VËRTETA PËR LUFTËN E PARË BALLKANIKE

Historia serbe, ajo në përgjithësi, madje edhe ajo shqiptare, Luftën e Parë Ballkanike e njeh si luftë të aleancës ballkanike kundër Perandorisë Otomane. A është vertetë kështu!? Në këtë pyetje duhet të përgjigjen historianët e posaçërisht institucionet që merren me histori dhe sektorët e historisë të Akademive të Shkencave.

Kundër përkufizimit të këtillë të kësaj lufte mund të gjendet literaturë autentike shqiptare, otomane e posaçërisht serbe me bollëk, madje edhe në qarqet arkivore bullgare, malaziase,  greke e gjetiu. Pse heshtët në këtë sferë nuk dihet, por historianët dhe punonjësit e sektorëve përkatës të instituteve e të Akademive, sikur veprojnë në stilin “më mirë të heshtet se sa të punohet drejt e të konfrontohet me historianët serb apo ballkanas”!?

Historia shqiptare njef përpjekjet e mëdha shqiptare për të vetëdijësuar popullatën vendore por edhe qarqet ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë së trojeve shqiptare nga Perandoria Otomane. Kjo është bërë përmes kongreseve e tubimeve të shumta, përmes letrave e memorandumeve të ndryshme në adresë të fuqive të mëdha, përmes kërkesave, ultimatumeve e besa edhe të luftërave të shumta kundër kësaj Perandorie.

E gjithë kjo është bërë falë zgjuarsisë dhe strategjisë së rilindasve shqiptarë, të cilët, jo vetëm që inicuan e cyten këto veprime, por ishin edhe në ballë të këtyre bëmave duke vepruar drejtëpërdrejtë, por edhe duke parashikuar rreziqet që mund të vijnë nga apetitet territoriale të popujve fqinj. Të përkujtojmë me këtë rast Lidhjen Shqiptare të Prizrenit karshi Kongresit të Berlinit dhe të gjitha bëmave në Gadishullin Ilirik deri në vitin 1912, kur filloi Lufta e Parë Ballkanike (Ilirike).

Për të arsyetuar këtë qëndrim, se lufta e aleatëve serb, malasiaz, bullgar e grekë nuk ishte luftë kundër Perandorisë Otomane por Luftë për të okupuar trojet shqiptare, po e përmendi shkrimin e Jovan Cvijiqit “Lufta ballkanike dhe Serbia” (Review of  Reviews, Nëntor 1912)në të cilin, ai përmend rajonin gjeografik për të cilin është e interesuar Serbia: “Serbia e vjetër” në të cilin gravitojnë Sanxhaku i Novipazarit,  Fusha e Kosovës, Dukagjini dhe disa krahina në jug të bjeshkëve të Sharrit me kufirin e marrur vesh me Bullgarinë në vijen: Ohër-Veles-Kriva Pallankë, qytete këto që do t’i takojnë Bullgarisë.

Ndërsa sa i përket “Stara Serbisë” thuhet se ajo” del me një rrip të ngushtë në Detin Adriatik rreth Shkodrës, Lezhës madje sigurisht edhe Durrësit”. Këtë përkufizim territorial ai e përshkruan në bazë të “hulumtimeve përsonale shkencore” gjatë viteve 1900-1912, duke e cilësuar si “ vend me anarki dhe presion më të madh, jo vetëm në Gadishullin ballkanik, por si i  vetmi madje edhe në botë”.

Për t’i ndihmuar kësaj ideje Vlladan Gjorgjeviqit i duhet një libër i tërë për të treguar se “Shqiptarët nuk kanë aftësi për të zhvilluar jetë shtetërore” (Gjorgjeviq 1913:181) andaj edhe qeveria serbe qëndron në konstatimin se “Shqiptarët nuk janë popull, por fise të ndara dhe të hasmuara në mes vete: pa gjuhë, shkrim e fe të përbashkët”.

E gjithë kjo u bë për të propoganduar popullsinë vetanake dhe ate ndërkombëtare, dhe pikërisht këtu lindi edhe termi “Serbi e vjetër” sepse këtu, në Kosovë, u zhvillua Beteja e Kosovës në vitin 1389. Andaj përgatitjet për të realizuar aspiratat e tyre okupuese filluan në kohen kur shqiptarët patën bërë punën e vet për çlirim nga Perandoria Otomane. Qeveria serbe prej vitit 1904 në mënyrë të organizuar dërgoi njësi të çetnikëve në Kosovë (Damjan Pavlica: Lidhje).

Aleatët të cytur nga Rusia, filluan bisedime sekrete gjatë vitit 1911 deri në shtator të vitit 1912. Mali i Zi, në shtator të vitit 1912 lidhi marrëveshje gojore me Bullgarinë, ndërsa me Serbinë me 6 tetor  1912 lidhi konventë ushtarake me Serbinë në Lucern të Zvicrës (Lidhje). Marrëveshjen në mes të Bullgarisë e Serbisë e përgatitën Rizov dhe Teodorov (Bullgari) dhe Millovanoviq (kryetar i qeverisë serbe), ndërsa marrëveshja u arrit në një udhëtim tri orësh me tren mes të Goshevit e Millovanoviqit, nga Beogradi për në Nish me 13 mars 1912.

Popullsia e disa qyteteve të Kosovës në atë kohë (viti 1912) sipas gjermanit Gustav Vajgand ishte: Prishtina-67% shqiptarë, 30% serb, Prizreni- 63% shqiptarë 36% serb, Vushtria- 90% shqiptarë 10% serb, Ferizaji -70% shqiptarë 30 % serb, Gjilani -75% shqiptarë 23% serb, kurse Dukagjini me Gjakoven janë definuar me banorë ekskluzivisht shqiptarë (Lidhje). Sipas një dokumenti të Ministrisë së punëve të jashtme të Italisë, Shkupi në vitin 1912 kishte 50.000 banorë prej të cilëve 40 mijë ishin shqiptarë, 4 mijë bullgar dhe vetëm 150 serbë, shkruan historiani Skënder Hasani.

Populli shqiptar u organizua, luftoi me kërkesa e armë dhe siç dihet hynë në Shkup, kryeqytetin e Vilajeit të Kosovës, me 12 gusht 1912 pasi ai ishte çliruar nga çetat e Ali Efendi Topallit.

Nga Shkupi i dërguan edhe një ultimatum Perandorisë Otomane, dhe sipas disa të dhënave krerët shqiptar u shpërndanë, me të vetmin gabim, që aty nuk e shpallën pavarësinë. Disa u kthyen nëpër vendet e veta, e sipas disa të dhënave, disa të tjerë shkuan duke luftuar edhe në drejtim të Selanikut.

Se në gusht të këtij viti shqiptarët çliruan edhe Shkupin shkruajnë edhe historianët tjerë. Për këtë shih, Peter Batrl: Albanien (Vom Mitteralter bis zur Gegenwart),Verlag Friedrich Pustet, Regensburg, 1995 dhe i përkthyer edhe në gjuhen serbe: Peter Bartl: Albanci (od srednjeg veka do danas) CLIO, 2001 përkthyer nga Lubinka Milenkoviq, Pasthenia dhe ekspert redaktimi, Dr. Dushan T. Batakoviq, faqe 137.

Në këto rrethana, kur në trojet shqiptare nuk kishte pushtet të organizuar otoman, kur shqiptarët ishin lodhur e raskapitur nga luftërat me këtë perandori, soldateska serbe, pikërisht me armatën e tretë të saj ia mësuni këtyre trojeve, armatë me numër të njejtë si në luftën e fundit, dhe bëri kërdi, e cila e tronditi edhe botën. Shqiptarët iu kundërvunë gjithandej ku mundën e patën fuqi. Forcat serbe ndaj Kosovës u vërsulën me 63.000 trupa kurse Mali i Zi në këto ekspedita angazhoi 35 mijë veta, e në këtë luftë u angazhuan edhe çetat çetnike të Gjilanit, Lisicës, Lukovës e të Llapit, që u futen e organizuan më herët.

Shqiptarët të pa organizuar aq sa duhet, me mungesë të madhe të mjeteve luftarake e posaçërisht të municionit, të ushqimit për ushtarë e popullësi nuk mundën t’i përballën këtij sulmi shkatërrues, andaj kufinjt u thyen dhe hordhitë serbe e malazeze u futën në territorin e Kosovës duke bërë masakra brutale.

Shtabi serb atbotë pat dhënë urdhër që çdo vendbanim ku shkrepët një plumb nga shqiptarët të shkatrrohet, e pas kësaj të bëhet masakër pa kursyer të sëmurët, të plagosurit, gratë dhe fëmijët ( Lav Trotsky, The Balkan War, 1912-13: The War Correspondence of Leon Trotsky, New York: Monad Press, 1980, faqe. 293).

Në kohën e nënshkrimit të marëveshtjes paqësore të Londrës (30.05.1913) vendet ballkanike mbanin territoret e pushtuara: Bullgaria-Trakinë dhe Maqedonin Jugore; Greqia- Maqedonin jugore me Selanikun dhe pjesë të Epirit; Serbia-  Maqedonin qendrore dhe perendimore, Sanxhakun, Kosovën me një pjesë të Dukagjinit, dhe Mali i Zi –një pjesë të Sanxhakut dhe një pjesë të Dukagjinit (marrë nga Leksikoni Historik i Malit të Zi) (Lidhje). Bilanci i kësaj lufte pushtuese për Serbinë ishte se ajo shtoi territorin e vet për 81% dhe rriti numrin e banorëve për 1.3-1.4 milion banorë të rinj.

Nga kjo pjesë e banorëve ¾ flasin gjuhën shqipe. Mendohet se gjatë kësaj lufte më tepër se 20 mijë shqiptarë humbën jetën dhe se mbi 60.000 banorë musliman u shpërngulen.(Dubravka Stojanoviq: U spirali zloqina: balkanski ratovi Lidhje) Për të përkujtuar këtë fitore të Serbisë Krali Petër i Parë, me 31 tetor të vitit 1913 themeloi Medaljen “Përkujtimorja për Çlirimin e Kosovës 1912” e cila iu nda eprorëve dhe ushtarëve që morën pjesë në këtë kasaphane të shqiptarëve.

Nga e gjithë kjo që u tha, shihet qartë se kjo luftë nuk ishte luftë kundër Perandorisë Otomane por Luftë për okupimin e Kosovës, andaj edhe Medalja e themeluar e dëshmon këtë të dhënë, andaj tash e tutje, në mos të tjerët, atëherë shqiptarët këtë luftë nuk duhet ta quajnë Lufta e parë ballkanike kundër Perandorisë Otomane, por Luftë për pushtimin e Kosovës apo të trojeve shqiptare./INA

Harta e vendeve të fshehta

09/11/2012 Lini një koment

Ejyp MIKULLOVCI

 

HARTA E VENDEVE TË FSHEHTA

Piri Reis world map

Skuadra Teknike e Zbulimit 8
Forcat Ajrore te Shteteve te Bashkuara te Amerikes
Westover Airforce Base
Massachusetts
6 Korrik 1960

Subjekti: Harta e Botes se Admiralit Piri Reis
Për: Profesor Charles H. Hapgood
Keene College,
Keene, New Hampshire.

I dashur Profesor Hapgood!

Kerkesa juaj per te analizuar disa te dhena te pazakonta ne Harten e Botes se Piri Reis te vitit 1513 eshte marre parasysh nga organizata jone.
Deklarata se pjesa e poshtme e hartes paraqet Brigjet e Princes Martha te Queen Maud Land ne Antarktike dhe Gadishullin Palmer, jane te arsyeshme. Ne mendojme se ky eshte
shpjegimi me llogjik dhe mbase me i sakti i hartes. Detajet gjeografike te treguara ne pjesen e poshtme te hartes perputhen ne menyre te habitshme me rezultatet e profilit sizmik te kryera perreth majes se kupoles se akullit nga ekspedita Anglo-Suedeze e vitit 1949 ne Antarktike. Kjo tregon se vija bregdetare eshte hedhur ne harte perpara se te mbulohej nga shtresa e akullit. Shtresa e akullit ne kete zone tani eshte e trashe rreth 1 milje.
Nuk kemi asnje ide sesi eshte e mundur qe te dhenat e kesaj harte te perputhen ne njohurine gjeografike te vitit 1513.

Harold Z. Ohlmeyer

NenKolonel ne Komanden e USAF

Pavaresisht nga gjuha e qete, letra e Ohlmeyer eshte nje bombe e vertete. Nese Queen Maud Land ishte hedhur ne harte perpara se te mbulohej nga akulli, kartografia origjinale duhet ta kete realizuar kete gje jashtezakonisht shume kohe me pare.
Por saktesisht sa kohe me pare?
Shkenca konvencionale na meson se shtresa e akullit ne Antarktike ne shtrirjen dhe gjendjen aktuale eshte me miliona vjet e vjeter. Mbas nje studimi te kujdesshem ky nocion pesoi nje krisje serioze, aq serioze sa skemi nevoje te supozojme se harta e vizatuar nga Admirali Piri Reis paraqet Queen Maud Land sic ka qene me miliona vjet me pare. Evidenca me e fundit sugjeron se Queen Maud Land dhe zonat e tjera ne afersi qe dallohen ne harte kane kaluar nje periudhe te gjate kohe pa akull gje qe mund te mos kete perfunduar deri 6 mije vjet me pare. Kjo evidence na heq barren e te shpjeguarit se kush (ose cfare) kishte teknologjine per te ndermarre nje rilevim te kujdesshem gjeografik te Antarktikes, te themi 2 milion vjet me pare, shume kohe perpara se te ekzistonte njeriu. Duke ndjekur te njejten llogjike meqe kartografia eshte nje kompleks dhe aktivitet i civilizuar na detyron te shpjegojme sesi ka mundesi qe edhe 6 mije vjet me pare te ishte krijuar nje harte e tille, shume kohe perpara se te zhvillohej civilizimi i pare i njohur nga historianet.

BURIME ANTIKE

Ne perpjekje per te shpjeguar kete fakt ja vlen qe te kujtojme veten tone mbi disa fakte gjeologjike dhe historike:
1. Harta e Piri Reis qe eshte nje dokument autentik dhe jo nje falsifikim eshte bere ne Konstandinopoje ne vitin 1513 te Eres Sone.
2. Ajo perqendrohet ne brigjet perendimore te Afrikes, brigjet lindore te Amerikes se Jugut dhe brigjet veriore te Antarktikes.
3. Eshte e pamundur qe Piri Reis ta kete marre kete informacion ne lidhje me rajonin e fundit nga eksploratore bashkekohes me te pasi Antarktika u zbulua ne vitin 1818, pra me shume se 300 vjet me pas nga koha kur ai vizatoi harten.
4. Brigjet e cliruara nga akulli te Queen Maud Land sic tregohen ne harte jane nje mister kolosal pasi evidencat gjeologjike konfirmojne faktin qe data me e fundit kur kjo toke mund te jete vezhguar dhe si rrjedhoje hedhur ne harte mund te jete vetem viti 4000 Para Eres Sone.
5. Eshte e pamundur te percaktohet datimi me i hershem per kryerjen e kesaj harte por mesa duket Queen Maud Land ka mbetur e paprekur nga akulli per te pakten 9000 vjet perpara se te perpihej komplet.
6. Nuk ka asnje civilizim te njohur nga historia qe mund te kete patur aftesine ose nevojen per te kryer rilevim (ose vezhgim) te brigjeve ne nje periudhe qe lidhet midis 13.000 p.e.s. dhe 4000 p.e.s.

Me fjale te tjera, enigma e vertete e hartes se 1513-es nuk eshte dhe aq perfshirja e nje kontinenti qe u zbulua vetem ne 1818-en por paraqitja e nje pjese te bregdetit te ketij kontinenti pa pranine e akullit i cili ka ne kete toke te pakten qe 6.000 vjet me pare dhe nuk eshte shkrire qe nga ajo kohe.
Si mund te shpjegohet kjo gje? Piri Reis me bujari na ka dhene disa pergjigje ne nje sere doreshkrimesh te kryera prej tij mbi vete harten. Ai na thote se nuk eshte pergjegjes per rilevimin origjinal dhe per kartografine. Ne te kunderten, ai pranon se rroli i tij ka qene thjesht ai i i vizatuesit dhe kopjuesit dhe se harta ishte si rrjedhoje e nje numri te madh hartash dhe burimesh te tjera informacioni. Disa prej tyre ishin vizatuar nga eksploratore bashkekohes ose pothuaj bashkekohes (perfshi ketu dhe Kristofor Kolombin) i cili nderkohe kishte mberritur ne Ameriken e Jugut dhe ne Karaibe ndersa dokumentat e tjera datonin shekullin e katert p.e.s. ose dhe me heret.

Piri Reis nuk ka tentuar asnje shpjegim mbi identitetin e kartografit qe e kishte prodhuar harten e hershme. Sidoqofte ne vitin 1963 Profesor Hapgood paraqiti nje zgjidhje provokuese te problemit. Ai debatoi mbi faktin qe disa nga burimet e hershme te cilat ishin perdorur nga admirali turk, ne vecanti ato qe i perkisnin shekullit te katert p.e.s. ne vetvehte ishin bazuar ne burime akoma dhe me te hershme dhe si rrjedhoje ato vete ishin bazuar ne burime te cilat e kishin origjinen ne nje kohe edhe me te hershme. Hapgood argumenton se ka patur evidenca te pakundershtueshme qe toka eshte hedhur ne harte perpara vitit 4000 p.e.s. nga civilizime te panjohura dhe te pazbuluara ende te cilet kishin arritur nje nivel te larte dhe te avancuar teknologjik.
Duke ju referuar rivizatimit te Hapgood, nga Aleksandria kopjet e ketyre si dhe disa nga hartat origjinale ishin transferuar ne qendra te tjera te dijes ku njera prej tyre ishte Konstandinopoja. Si perfundim kur Konstandinopoja ra ne duar e Venedikasve gjate Kryqezates se Katert ne vitin 1204, hartat filluan te bien ne duart e lundertareve dhe aventuriereve Europiane:

Shumica e ketyre hartave ishin te Mesdheut dhe te Detit te Zi. Por edhe harta te zonave te tjera mbijetuan. Ketu perfshihen dhe hartat e Amerikes dhe hartat e oqeanit Arktik dhe atij Antarktik. Nga kjo behet e qarte qe udhetaret e lashte kane shkuar nga poli ne pol. Sado e pabesueshme te tingelloje, evidencat tregojne se disa njerez te lashte kane eksploruar Antarktiken kur brigjet e kesaj kane qene te pa mbuluara nga akulli. Po ashtu eshte e qarte se ata kane patur aparatura lundrimi per te percaktuar me saktesi gjatesite gjeografike, gje qe ka qene shume me teper superiore nga sa ishin te pajisur njerezit e koheve te lashta, atyre mesjetare dhe koheve moderne deri ne pjesen e dyte te shkekullit te tetembedhjete.
Kjo evidence per nje teknologji te humbur do mbeshtesi dhe do i japi besueshmeri dhe shume hipotezave te tjera te cilat kane ardhur ne ditet tona nga nje civilizim i humbur ne nje kohe te larget ne te kaluaren. Studiuesit i kane zhvleftesuar shume nga keto evidenca duke i konsideruar si mite por ja ku e kemi nje evidence te cilen ata se kundershtojne dot. Kjo evidence kerkon me force qe cdo evidence tjeter qe eshte anashkaluar duhet rianalizuar nga e para dhe me nje mendje te hapur.

Ndonese mbeshtetja e Albert Einstein dhe pohimi i mepasshem i John Wright, presidenti i American Geographical Society qe u shprehen se Hapgood ka paraqitur “nje hipoteze qe meriton me plot gojen te studiohet me vemendje”, asnje studim shkencor nuk eshte kryer mbi anomalite e ketyre hartave te vjetra. Por ndodhi e kunderta, ne vend qe te duartrokitej dhe te pershendetej per kontributin serioz ne debatin e vjetersise se civilizimit njerezor Hapgood deri sa vdiq, ju kthyhen krahet nga pjesa me e madhe e shokeve te tij te profesionit te cilet shprehen mendimet ne nje menyre te tille qe eshte konsideruar si “nje sarkazem e trashe dhe e papritur duke zgjedhur, gjera pa rendesi dhe faktore qe nuk ishin subjekt verifikimi, si baze per te denuar punen e tij, duke kerkuar ne kete menyre te shmangnin ceshtjet thelbesore”.

PIRI REIS DHE BURIMET E TIJ

Ne kohen e tij Piri Reis ka qene nje figure mjaft e njohur; identiteti i tij historik eshte mese i konfirmuar. Nje admiral i flotes Otomane Turke, ai ka qene shpesh i perfshire ne anen e fituesit ne beteja te shumta detare gjate mesit te shekullit te gjashtembedhjete. Reis konsiderohej si nje ekspert i tokave te Mesdheut dhe ishte autor i librit te famshem mbi lundrimin Kitabi Bahriye i cili paraqiste pershkrime te detajuara te brigjeve, gjireve, rrymave, cektinave, vendeve te ankorimit, ngushticave dhe kanaleve te deteve Egje dhe Mesdhe. Por ndonese kishte nje karriere te shkelqyeshme ai ra viktime e atyre te cileve ju sherbente dhe ju pre koka ne vitin 1554 ose 1555 te eres sone.
Te dhenat e hartave te cilat Piri Reis perdori per te vizatuar harten e tij ne vitin 1513 ka shume mundesi qe te kene qene te ruajtura ne Bibloteken Perandorake te Konstandinopojes per te cilat admirali njihet ne histori qe ka patur privilegjin e aksesit dhe studimit. Ato burime (te cilat mund te jene trasheguar dhe kaluar brez pas brezi ose kopjuar nga qendra te diturise akoma dhe me te lashta) nuk ekzistojne me ose te pakten nuk jane gjetur me. Por sidoqofte Harta e Piri Reis e vizatuar ne nje lekure gazele dhe e mbeshjtelle tub u rizbulua ne vitin 1929 ne nje raft te pluhrosur ne biblotekn e Pallatit Perandorak te Konstantinopojes.

Si i përdhunonin, vrisnin dhe masakronin gratë falangat greke

26/10/2012 Lini një koment

Ibrahim Daut HOXHA

SI I PËRDHUNONIN, VRISNIN DHE MASAKRONIN GRATË FALANGAT GREKE

Ibrahim Daut Hoxha

Të majmur, të armatosur gjer në dhëmbë dhe të ndërsyer nga sundimtarë të tërëfuqishëm shtetesh e qarqesh grabitqare evropiane –së pari ruse- të bekuar nga gjakpirës me veshje patriarku, me kryqin në ballë e në duar zjarr e hekur, të 700.000 ushtarët e mbretërive Ballkanike, bashkarisht iu vërsulën Shqipërisë: më 9 tetor 1912 egërsirat malazeze e pas 9 ditësh hiénat megaliideiste athino-fanarite dhe kuçedrat naçertaniste sllavojugore. Njësitë ushtarake mësyese shoqëroheshin nga 10-ra e 10-ra grupe paraushtarakësh, të përbëra prej gjithfarë gjakataro-kusarësh nga më të llahtarshmit. Meqë ushtria osmane u ndodh  në çmobilizim e sipër, viset shqiptare u gjëndën të mbrojtura vetëm nga «Batë Ordù», «Vardar Ordù», «Jànja Kollordù» «Iskàdra Kollordù», të komanduara përkatësisht nga: gjenerali kosovar Ali-Riza Pashai, gjenerali turk, Zeki Pashai, nga gjenerali shqiptar çam Esad Pasha Janina dhe nga i lavdishmi gjeneral shqiptaro-turk, Hasan-Riza Pashai. Përkrah këtyre 4 njësive ushtarake arritën të renditeshin ngutësisht jo më shumë se 10.000 luftëtarë vetëdashës shqiptarë të jashtë shërbimit të detyruar ushtarak, shumica ende të pa armatosur. Të mësyrë nga njësi disa herë më të shumta, njësitë mbrojtëse osmane dhe vetëdashësit në fjalë, pas një qëndrese nga më vetëmohueset, u shtrënguan të tërhiqeshin përditë më në brendësi të tokës shqiptare; mësyesit e dehur nga “fitorja” e pameritueshme, krahinat e shtëna në dorë i përzhisnin si me llavë vullkanike, kurse ata dhe ato që kapnin, i grinin me plumba, sëpata e thika; dëfrimet më të kënaqshme për ta ishin çnderimi i përdhunshëm, thelëzimi me kama e sëpata si dhe shikanetë(raprezalje) më të turpshme dhe më të fëlliqura ndaj femrave shqiptare të besimit islam. Meqë gjëmat e tyre në tërësi s’arrin koha të tregohen në muaj e vite të tërë dimri, unë hop këtu e hop atje do të mundohem të përmend vetëm mynxyrat më të llahtarshme. Pasi shfrenin dufin e tyre shtazarak faqe lukunisë përdhunuese, këtyre të mjerave u hidhnin në tumane nga një mac, i varnin kokëtatëpjetë nëpër trarët e ndërtesave apo ndër degë pemësh dhe i rrihnin me shkopinj të prerë posaçërisht me kunja. Me ta godisnin sa trupin e viktimës aq edhe macin; ky, i egërsuar tejskajshmërisht nga dhimbja, tërbohej dhe çante me thonj kofshët dhe barkun e të mjerës; ndërsa viktima ulërinte nga dhimbjet e llahtarshme, përdhunuesit e bishëruar gajaseshin dhe të shfytyruar shanin fenë islame, pejgamberin Muhammet (a. s.), kombin dhe flamurin shqiptar me fjalë nga më të ndyrat. Kjo kuçedri vazhdonte sa e mjera viktimë s’jepte më shenjë jete. Plakat –sidomos ato më të moshuarat- bëheshin preja e tyre më e kapshme, sepse, si të pa fuqishme që ishin, nuk shpejtonin dot me kohë për t’u mërguar nga vendbanimet e tyre e kështu kapeshin më shpesh prej tyre. Madje këto bëheshin edhe  viktimat ndaj të cilave  ata me «inàt kaùri» -siç thuhet- përdornin mjetet më dhimbjeshkaktuese dhe mënyrat më të lemeritshme. Ende me dhimbje therëse përmenden nga nipërit dhe stërnipërit e tyre pësimet e plot plakave, ndër to  Merjo(Mejreme) Hoxha(Smaìli) në fshatin Jànjar; kur kjo po bënte përpëlitjet e fundit, hienat greke i vunë zjarrin shtëpisë e kështu të mjerën plakë e poqën së gjalli. Si kësaj ia bënë edhe Rakibé Hasanit në fshatin Ninat, ku dogjën edhe shtëpinë e Hoxhë Hasan-Tahsin Efendiut tok me bibliotekën e tij atje. Në fshatin Markat, pas çnderimit –ishte përbindshmëria e parë për secilën viktimë- bënë së fundi thela – thela me kamë e hanxhar plakën në myk, Zihùre Canen. Po kështu ia bënë edhe Haxhê Shemes në fshatin Vërvë.  Në Konispol përdorën mjete edhe më të llahtarshme dhe mënyra më të përçùdshme. Burrat e kapur i zhvishnin lakuriq, i varnin në degët e një peme të madhe në tregun e qytetit dhe i rrihnin për vdekje e para tyre shpinin gratë e kapura; me shkopinj majëmprehur u shponin organet mashkullore dhe duke u zgërdhirë e gajasur, detyronin me kërcënime dhe goditje femrat që t’i shikonin; paturpësisht u hidhnin rromuze nga më të turpshmet. Të pakënaqur me  shtazërinë e tyre, për to përgatitën vdekjen më të llahtarshme: shkuarjen e tyre së gjalli në hell. Po, desh Zoti që hellet të zbuloheshin disa orë para përdorimit. Kjo falë ndërhyrjes së Kajzerit gjerman, të cilit iu bë ngutësisht e ditur nga tre konispolitë, kur ndodhej në Korfuz. Ai kërcënoi mbretin e Greqisë dhe kështu konispolitet shpëtuan nga përbindshmëria  e megaliideistëve. Mbyllja e femrave të besimit islam nëpër burgje e shtëpitë e tyre për shumë ditë pa ngrënë e pa pirë, ishte një tjetër mynxyrë që shkaktonte vdekje të lemeritshme për to. Përmenden ende nëpër gojëdhënat emrat e plot prej atyre të ngratave që hoqën të zitë e ullirit dhe vdiqën aq mizorisht; ndër to edhe halla ime në fshatin Dhrohomî, 14-vjeçarja Shemshiê mulla Qamil Bejdeshati, fqinjet e afërta me të, Sheko mulla Sali Hasani e Léko(Taléko)Màni; kjo tok me katër vajzat dhe me të shoqin. Vdekje të tilla pati në çdo venbanim, fshat e qytet të Çamërisë; në Filat, Hajrié Póni tok me fëmijën ende në bark të saj, Beko e Haso Arapi, Hanko, Qazo e Shéko Hajredini(Çafài), Zeko(Zeqirjê) Tirana etj. Në  Konispol gjënden ende anëve të qytetit disa varreza femrash që vdiqën asisoj. Vdekje të tilla pati edhe në Lùrë, Margëllëç, Pargë, Prévez e Janinë. Shkurt, gjëmat, kujet, zia, vajet vazhduan të nxirosnin e helmonin tërë krahinat ku thundra megaliideiste dhe ajo naçertaniste arriti të shkelte. Urrejtja shtazarake kryqtare e tyre nuk njihte skaj.

Për mynxyrosësit megaliideistë e naçertanistë të viteve të Luftës Ballkanike e të Luftës I Botërore si edhe të viteve ndërmjet këtyre dy luftrave, Mit’hat Frashëri shkruan: «Ata që gjer atëherë vetëm përmendja e emrit “shqiptar” i bënte të dridheshin, tani, ky fitim i pa nder i tërbonte, i bënte ta shihnin veten e tyre zot mbi tokën shqiptare dhe i nxiste të bënin më të zezat e barbarizmave». ASDRENI (Aleksandër Drenova) i ndëshkon me këta vargje të endur prej tij: «Dhelpra-greku, po na gjuan,/ mos na lerë vend për varr,/ na shkel vatrën, na merr gruan,/ na hyn brenda si kusar…/ Këtij qeni me tërbim…/ bini trima pa pushim!». Jan Vruhua i fshikullon me këto fjalë: «Athina ka dërguar njerëz të hurit e të litarit…Me veprimet përpirëse e sjelljet e shëmtuara provojnë se armiqësia greko-shqiptare kurrën e kurrës do të mos pushojë aty e gjersa të shuhet njëra palë prej nesh…..». Mynxyra të tilla prej egërsirash –siç do të shihet- do të vazhdonin pa ndërprerje edhe në të ardhmen. Të xhindosur nga dërrmimi që ushtria cube greke po pësonte nga goditjet e rrufeshme të ushtrisë osmane qemaliste në Anadollin Perëndimor, pushtetarë grekë po ziheshin me teshat e tyre dhe po hanin veten. Për të shfryrë dufin prej të marri, në dimrin e viteve 1921-1922, iu vërsulën popullatës së pambrojtur islamike brenda shtetit të tyre, sidomos në Çamërì e Janinë. Nën emrin «Sinomosîa» (Komploti) – të shpikur qëllimisht të gënjeshtërt- ushtarakë të të gjitha armëve dhe shërbimeve, nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Halévrës e të gjeneral Baìrës, përkatësisht kryesundimtar dhe komandant divizioni në guvernatoriatin e Janinës si dhe të këshilltarëve të vet, dhespotëve të Janinës dhe të Paramithisë, u vërsulën tërbimthi nëpër viset shqiptare nën zgjedhën greke. Duke shpërthyer bishërisht portat dhe dyert e ndërtesave ushtarë, horofillakë e politofillakë dyndeshin brenda tyre, turreshin drejtpërdrejt tek karsellat e nuseve dhe fusnin në teshat e pajës fletushkat e shkarravitura në zyrat asfaliane. Kontrollorët që vërtiteshin si kali në lëmë nëpër të ndarat e rihapnin karsellën dhe «gjénin» fletushkën ku thuhej se shteti shqiptar e ai turk paskëshin dërguar aq e kaq pushkë, fishekë e bomba për armatimin e kryengritësve të besëlidhur kundër pushtetit helenik. Tok me meshkujt, me goditje grushtash, shkelmash, qytash e tytash pushkësh, nga ndërtesat nxirreshin edhe femrat. Ndërsa ndaj meshkujve përdoreshin ndëshkime të aty për aty vendosura, si t’ju tekej; për femrat ndëshkimi ishte i paracaktuar, ai më argëtuesi për xhelatët: hedhja e maceve në tumane, varja kokëposhtë dhe goditjet me shkop të maceve dhe të viktimës. Vazhdimin e përfundimin i kësaj lloj kafshërie -meqë e kam treguar- s’po e përmend, pasi tanimë ai dihet. Ndër emrat e femrave më të njohura që e pësuan, përmenden edhe ajdonàtaset(paramithìaset): Hanëme Adem Bàko, Xhevrié Muhedini, Zekié Bako etj. Minìnaset: Hajrié Kàçi, Zùbo(Zubidé) Bràho etj.

Duke dënuar kanibalitë greke kundër çamërve, Justin Godardi në veprën e vet «L’Albanie» (Paris, 1922), shkruan edhe: «Greqia në Çamëri po përpiqet me të gjitha mjetet dhe mënyrat që të shuajë pikërisht karakterin shqiptar».

Me të vënë thundrën e vet në viset jugore shqiptare: Çamërí, Mollosí e krahinat, përtej gramozite, sundimtarët grekë filluan zhdukjen në masë të shqiptarëve e shqiptareve të besimit islam. Gjithnjë dinakërisht vetëpërgatitën shtigje të paudhta dredharake për të zbatuar synimet e tyre gjakësore. Një prapësi të tillë e përdorën edhe me rastin e luftës së bashkëpërgatitur, të së quajturës: «Lufta Italo-Greke» apo më drejt: «Lufta Greko-Italiane» e viteve 1940-1941. Kur sundimtarinë e tyre pushtetarët neofashistë grekë e kishin përgatitur plotësisht «për luftë» (Jan G. Sharra, «I Istoria tis periohjis Igumenicas 1500-1950», Athinë, 1985, fq. 605) e pasi prej njësiteve ushtarake zbuluese -që shpesh e më shpesh dyndnin fshehtazi thellë e më thellë brenda kufirit shtetëror shqiptar (Jan G. Sharra, pjesëmarrës në ato njësite)- mësuan se njësitë ushtarake italiane ishin ku e ku më të pakta se ato greke gati për kundërmësymje, befasisht   njësitë e rëndësishme ushtarake i tërhoqën nga viset shqiptare; nga Çamëria i zmbrapsën vetëm një ditë para shpërthimit të luftës; aty-këtu nëpër të -në kurrize kodrinore e malore lanë ndonjë dhjetshe ushtarësh si dhe roje kufiruajtëse. Kur afroheshin njësitë ushtarake italiane, «mbrojtësit», shkrehnin që nga larg ndonjë a dy krëhëre fishekësh mitralozi të lehtë dhe avullonin nga sytë, këmbët.  Kështu «tërheqja strategjike» e kryegjaksorit, kryeurdhëruesit të ushtrisë hienase greke,  Aleksandër Papagósit, vazhdoi deri atje ku s’kishte më vendbanime shqiptarësh muslimanë; pra, u përmbush përcaktimi dhelparak-kanibalesk grek që fuqitë e armatosura e pushtetushtruesit grekë ta shndërronin Çamërinë në shesh lufte dhe të shfarosnin çamërit e besimit islam. Sapo një skuadron kalorie italiane hyri në Paramithí, u mësy rreptësisht nga njësitë ushtarake greke; skuadroni ia dha vrapit mbrapsht, nga atje kishte shkuar. Katilët me veshje ushtarake greke, gjoja se po kërkonin «armiqtë», çanin e shpërthenin rrufullisht porta e dyer të ndërtesave dhe dyndeshin nëpër të ndarat; rrëmbenin çdo send të çmuar që u zinte syri apo që e gjenin nëpër sepetet; femrave u shkulnin kafshërisht nga qafa gjerdanët prej një apo disa 5-lirshe ari, nga gishtat unazat dhe vathët prej floriri tok me pjesën e llapës së veshit; kush u pëlqente –kryesisht vajzat dhe nuset- i përdhunonin shtazërisht. Në dokumentet e kohës përmenden një për një me emër të mjerat, sidomos ato të familjeve më me peshë. Brenda fare pak ditëve ushtria greke rivërshoi në tërë vendet e Çamërisë nga ishte «tërhequr strategjikisht»; vrau, preu, burgosi këdo deshi dhe grabiti gjithçka mundi; në tërë vendin u rivendos pushteti robërues grek, i cili filloi bishërisht interrnimin e tërë meshkujve; sapo meshkujt i mbyllën nëpër çarqet e shfarosjes masive, iu vërsulën femrave: «Me shkak gjoja të hetimeve apo të paraqitjes për çështje vetjake, pushtetarët thërrisnin në zyrat e tyre zonja bukuroshe dhe i përdhunonin…Përdhunimet e vajzave dhe të grave me emër ishin të shumta. Dalja e detyrueshme me dhunë e grave myslimane ishte e madhe…për inat kundërfetàr…Këto të këqia bëheshin me symbyllësinë (lejimin) dhe bekimin e shtetit….Qeveria nuk deshi të lëshonte urdhëra përkatëse për të penguar disa repartee ushtarake, disa pushtetarë publikë dhe disa keqbërës që kryenin vrasje, dhunime, plaçkitje e veprime të shëmtuara në dëm të popullsisë jo luftarake të pambrojtur çamoshqiptare, që përbëhej nga pleq, gra e fëmijë të pafajshëm».(Jan G. Sharra, «I Istoria tis Periohjìs Igumenicas 1500-1950», v. e përmendur, fq. 618, 628, 629, 631, 632). Madje edhe në fillim të prillit 1941, kur ushtria greke po hiqte shpirt nën goditjet e rrufeshme të njësive ushtarake gjermano-bullgare të komanduara nga feldmareshali Sigmund List, jorgj Vasillakua, zv. prefekt e drejtor i asfalisë greke në Çamërinë e Mesme dhe Veriore –përgjegjësi kryesor i çdo të këqie të deriatëhershmne- urdhëroi grumbullimin dhe shfarosjen e krejt femrave dhe fëmijëve të besimit islam të mbetur ende gjallë.

Edhe pse kjo gjëmë –falë rrethanave- s’u përjetua, shtegu u la hapur me marrëveshjen gjermano-greke të 9 prillit 1941; kjo, nga mundësit e nënshkruar prej gjeneralit gjerman, Ditrih, nga të mundurit prej gjeneralit grek, Deden. Me këtë marrëveshje Çamëria lihej sërisht nën zgjedhën e shtetit grek dhe të  organizmave e sundimtarëve të deriatëhershëm. Koha u zvarrit me vrasje të tek-tukshme e të aty-këtushme, deri në mesditën e 27 qershorit 1944, kur –thuhet në «La Question de la Chamouria», fq. 143, 144- Çamërisë iu vësul divizioni X EDHES-sit EOAS-sit «jeniqìsfaì» (i therjes së përgjithshme); në Paramithi vërshoi regjimenti XVI i tij, i komanduar nga majori çantallì, Vasil Kamàra. Sulmi i beftë, i ngjashëm me atë të turmave të hiénave, çorroditi dhe tmerroi qytetarë; këta s’dinin ku të fshihnin kokën, sepse kushdo që kapej, therej a grihej me plumba. Me sharje si: «palo shqilà tùrkos» (qen i keq turk)  etj. futeshin egërsisht nëpër shtëpitë dhe grabisnin gjithçka me vlerë, sidomos ato prej ari. Nënat, për të shpëtuar fëmijët nga thika, binin mbi ta. Po xhelatët u ngulnin kamat në kurriz dhe bashkë me to çanin edhe fëmijën poshtë tyre. Ndër të shumtat përmendet edhe Bedrie Behluli; ndërsa dy të bijat e saj i shnderuan dhe i mbërthyen së gjalli në mur me vellóna. (Gozhdë të gjata trarësh). Me të bijën e mulla Çenit (Husejnit), u argëtuan derisa ajo shoi me britma e kuje. Nurié Mulazimit -të shoqes së myftiut, Hasan Abdullah Seitit- dhe Fetié Saliut, me darë gozhdësh u shkulën dhëmbët e shumtë prej ari. Nuriesë   me thika i prenë edhe 5 nga gishtërinjtë dhe i grabitën unazat e florinjta, të zbukuruara me gurë xhevahiri; dhe, kur këto, të njomura prej rrëkeve të gjakut po ulërinin të lebetitura nga dhimbjet, EOEA-sitë gajaseshin përvjellësisht. Disa  gra i njomnin me vajguri dhe u vinin flakën; ato që nuk shkrumoheshin, po mbeteshin ende gjallë me shpirt ndër dhëmbë, i mbyllnin në të ndarat e ndërtesës deri sa zinin krimba dhe vdisnin; njëra prej tyre ishte edhe Sanié Bollati. Pasi kryen shtazërinë e sapotreguar,  Nurié Mulazimit dhe së bijës 12-13 vjeçare, Fatime Hasan Abdullah Seitit, në krye të shkallëve të shtëpisë u prenë kryet me thikë, sikur të ishin berra e jo njerëz. Hazizije Ahmetin dhe të shoqen e kunatit të saj i çanë me sëpatë si kërcunj druri. Për të shpëtuar të bijën, Shuquranen nga çnderimi, e ëma, Fatime Prronjua u dha bishave tërë florinjtë para dhe bizhuteri që kishte si edhe disa 10-tra mijë para letër. Po, si vunë këto në dorë, hienat greke e zbatuan që e zbatuan shtazërinë e tyre. Gjulo Muslinë, nusen e Ibrahim Bollatit dhe motrën e Muhamet Bakos i përdorën si tabelë qitjeje me pistoletë. Duke u tallur «pa të shohim kush qëllon më mirë», i bënë shoshë me plumba naganti. Bidê Nuh Hasim Dinos I çane barkun dhe i qitën fëmijën për ta pare –sipas bastit- në ishte femër a mashkull. Rreth 40 femra të fshehura në një guvë poshtë kalasë i përdhunuan nga disa herë secilën. Plot vajza i çnderonin përdhunisht në sy të prindërve të tyre. Shumë të reja, për të mos rënë në duar të xhelatëve, jetës së vet rinore i dhanë fund me hedhje nga lartësi vdekjeprurëse: dritare të katit të 3-të, minare xhamish, mure a buza të larta, madje edhe puse të thellë e ujëshumë etj. Niko Zhangua, ngjarjepërshkrues prej Popóve –fshat sipër Shkallës së Paramithisë- për sa ndodhi, në librin e vet: «O Anglikos Imperializmos qe i Ethniqi Andistasi 1940-1945» (Imperializmi anglez dhe qëndresa kombëtare 1940-1945), Athinë, 1985, ndër të tjera shkruan: «Barbarizëm në Paramithì…. historia fsheh fytyrën e vet nga turpi».

Cilindoqë mundi t’i shpëtonte valës së parë shfarorëse –po që ditët e pastajme e kapën vendfshehjeve të andej-këtejshme- e ndrynë nëpër ndërtesa të ndrysheme të shndërruara në burgje: godina ushtarake, shkolla, shtëpi banimi etj. Një prej tyre, ku mbyllën plot gra e vajza, ishte dhe shkolla «Vullgàri»; pasi ato përdhunoheshin nga disa bisha greke, thereshin me mundime të tejskajshme a griheshin me plumba revolveri. Fatimé Jahja Zejnelin e përdhunuan masivisht; nga dëmtimi e më tepër nga turpi e hidhërimi ajo i dha fund jetës.  Kushurira ime, Salihà Mìlja(Qamili), e mbyllur në një godinë ushtarake, më ka treguar: «Zervìstët u vërsulën mbi vàshazt, nuset e gratë e rȃ si cjéptë në dhî. Brritmat e ture ishin aq të llahtarshme, sa më thêrin akoma veshët. Më fluturoi mëndja aq, sa harrova edhe timbîr sa një lis, Hakinë 25-vjeçar që ma therën si dash përpara sîve të mî nonjë sahat më përpara; i shtipën edhe kriet me një shkëmb. Si bënë ç’deshën me të mjerat, shumë nga ato i therën e pastaj na futën ne plakave që të nxjerrjëm kufomat dhe të lȃjëm gjakun në dushemê; dikue shkuar me mënde se do vinej nonjë komisjon nga Shqipëria, lìenj pëllëmët në gjak e damkosinj mùrin». Në librin «Aktes agresifs du gouvernement monarcho-fascistes grec contre l’Albanie», Tiranë, 1947, kreu XIV, fq. 64, 65, thuhet: «Gratë e mbyllura në shtëpi të Sali Hafuzit edhe pse të uritura dhe të  cfilitura, përdhunoheshin e rriheshin nga oficerët zervistë…»; në vijim përtmend emrat e disave që rrjedhimisht atje edhe vdiqën. Jan Zhangua, shkruan: «Erë kundërmonjëse në shtëpinë e Sali Hafuzit, ku mbaheshin mbyllur gra e fëmijë… Pamje rrënqethëse e grave myslimane që I tërhiqnin zvarrë e I përdhunonin gjysëm të vdekura». Jan G. Sharra shën edhe: «Urrejtja dhe àhet shpërthyen me egërsi të pa parë mbi gratë, fëmijët e pleqtë dhe të pafajshmit e tjerë…».

Meqë mynxyrat e ndodhura në Paramithì janë pa fund e pa anë, po mjaftohem me kaq, për t’iu lënë pak vend mynxyrave të ngjashme që ndodhën në vendbanime të tjera të Çamërisë. Në fshatin e madh, Karbunȃr u derdh regjimenti X i divizionit X, i komanduar nga majori çantalli, Stefanìdhi. Kush s’arriti të mërgohej me kohë, u ther dhe u flak nëpër hendeqe; ndër ta edhe 41 gra, disa tok me bijt e bijat e tyre; përmenden ende emrat e Hatixhe Bushit dhe të 7 fëmijëve të saj, të të tria vajzave të Muharrem Agushit, ai i nuses së Hodo Piros, i Ajshê Agushit,  i Merjemésë, e ëma e  Mehmet Qemalit dhe të tri bijave të tij; të shoqes –shtatzënë- i çanë barkun së gjalli dhe i qitën fëmijën për të vërtetuar bastin: e kishte mashkull a femër. Një grua prej Kajcani dhe vocërraken e saj e kapën duke ikur në fshatin fqinjë, Grikë; e ndanë me sëpatë në 4-pjesë; vocërrakja, duke mos kuptuar ç’kishte pësuar e ëma, u gjet e vdekur duke thithur njërin prej gjinjve të saj. Në qytetin Margëllëç hienat e po atij regjimenti therën plakën e mbajtur (ulóke) nga përdhesi, Qamilê Abazi dhe një 106-vjeçare që s’kishte se si të iknin para vërshimit të bishave zerviste. Egërsirat e regjimentit 40 të divizionit X, të komanduar nga majori çantalli, Agora, më 28.7.1944 në kalanë e qytet-skelës Pargë, grinë me plumba 47 shqiptarë e shqiptare të besimit islam. Të tmerruar nga shtrëngata zerviste, pargaritët e pargaritet vraponin andej-këndej për t’u strehuar diku; kur s’gjenin, vetipeshin tek oficerët anglezë. Këta –dëshmon Niko Zhangua- ua dorëzonin zervistëve, të cilët i vrisnin «në masë» në prani të tyre. Në fshatin Skorpjonë egërsirat zerviste përdhunuan dhe pastaj thelëzuan femrat e familjes së Sako Banushit, të kapura në ikje e sipër.

Jan G. Sharra në fq. 670 të «I Istoria tis Periohjìs Igumenìcas 1500-1950» (v. e p.), shkruan edhe: «Kush donte të mbetej gjallë…duhej të linte truallin e shenjtë të atdheut të vet, shtëpinë e pasurinë dhe të merrte rrugën  e mërgimtarit». Dhe, duke sjellë ndër mend ç’kishte parë prej fshatit të vet sipër udhëkalimit, në fq. 665 dëshmon: «Pamja (Tabloja) që paraqitnin ishte rrënqethëse dhe e vajtueshme…Mijëra vetë: burra, gra, fëmijë, pleq e plaka në një vargan kilometrash të gjatë të ngjashëm me një gjarpër vigan në lëvizje e turkoevgjitësh (arixhinjsh) në dukje, me dhimbjen dhe keqardhjen në fytyrat e tyre, të ngarkuar me çka kishin mundur të merrnin me vete, ecnin nëpër udhën që konjukturat e mbrapshta me veprime të paramenduara u krijuan kaq pësime çnjerëzore dhe të ashpra.».

E ka fjalën për çamërit në jug të rrjedhës së lumit Kalamà, nga për të dalë në pjesën veriore të Çamërisë, duhej doemos të kalonin vetëm nëpër urën e atij lumi; njësiti ushtarak gjermano-nazistësh dhe bashkëpunëtorët e tyre grekë vëzhgonin rreptësisht «me sytë katër» secilin kalimtar. Minê Hasani prej Grikëhóri -njëra prej asaj mizërie kalimtaresh e kalimtarësh, që prej kushedi se ku në njërën dorë mbante vocërraken e vet dhe në tjetrën një bohçà me sendet më të vyera që kishte patur- duke vrapuar me shpirt ndër dhëmbë nëpër breshëritë prej plumbi të pushkëve e mitralozëve të zervistëve që i ndiqnin këmba-këmbës, për t’u lehtësuar disi e të shpejtonte edhe më, e humbi aq, sa në vend që të flakte bohçanë, në lumë hodhi vocërraken që sakaq e përpiu rryma.

Mbasi zervistët zhdukën krejt shqiptarët myslimanë në jug të rrjedhës së Kalamait, më 22-23.09.1944, regjimenti XVI i tyre kaloi në veri të tij. Me thikat dhe plumbat e tyre së pari grinë tërë ata që s’arritën të vetëmërgoheshin prej fshatit Spàtar. «Ata që kapnin nëpër fshatra –thekson Niko Zhangua- u hiqnin kryet me thikë; nuk përjashtonin as fëmijët, gratë e të sëmurët». Si kudo gjetkë egërsirat e «Tàğma ton turkofàğon» (batalioni i turkngrënësve) nën thirrjen «Simera pende lefta ehji sfera!» (Sot plumbi (vetëm) pesë qindarka kushton), u hiqnin kryet meshkujve; kurse femrat –përfshi edhe plakat- i përdhunonin sa e si ua kishte ënda e sëfundi i thelëzonin si mos më keq; 50 e ca vjeçares, Pashê Çulànit, pas përdhunimit i shkulën dhëmbët prej floriri, me lloj-lloj rromuzesh e zvarritën një copë herë dhe së fundi e vranë me musibét të patreguar. Tërë femrat e familjes shumëvetshe të Sako Balos prej Skorpjone e ndalur në Spatar «sa për të marrë frymë», pas përdhunimit kafshërisht, u çanë gjinjtë me thika dhe së fundi i vranë përbindshmërisht. Në shtëpinë e Damin Muhametit çnderuan, rrahën për vdekje dhe therën 5 gra tok me tri vocërraket e tyre. Hane Isufin dhe fqinjën e vet, Feridê Dhërmicën, 70-vjeçaren Kije Nùrçen, të bijën e Haxhi Çulanit, Ajshê, Hava e Nazo Arapin i çderuan shumë herë, ua bënë trupin tërë plagë dhe u prenë kryet si berrit. Ndër të 70 të thelëzuarit në lagjen «Breg» të atij fshati, shumica ishin gra e fëmijë.(Fletorja «Bashkimi», Tiranë, dt. 4 e 18.03.1972, fq. 2).

Me të shuar gjithëkënd që gjeti në Spatar, «Tağma ton turkofàğon»vërshoi drejt Filatit; shpërtheu si vrungullímë në pasditën e 23 shtatorit 1944. Gjëma dhe hataja ishin të ngjashme me ato në Paramithi, Pargë e kudo gjetkë. Niko Zhangua, duke dënuar gjakësitë dhe fëlliqësitë e atij batalioni atje, shkruan: «Njerëz të egër e barbarë që kërkonin lira e plaçkë, hynin si zotër nëpër shtëpitë, dhunonin vajza e gra dhe vritnin kë të donin». Emrat e disa prej viktimave mbahen ende mend: Qamilê Hallunin, pasi e përdhunuan grekçe disa prej tyre, e zhveshën lakuriq, e rrahën sa trupin ia bënë tërë plagë; këto iu veshën me krimba dhe brenda 3-4 ditëve ajo shoi me lemeri; e zvarritën për këmbësh dhe e flakën në përrua. (Fletorja «Bashkimi», Tiranë, dt. 11.3.1947, fq. 1, 2). Të njëjtën gjëmë pësuan edhe plot femra të tjera, njëra nga të cilat ishte edhe e shoqja e Sherif Sulejmanit.(«Bashkimi», dt. 4.3.1947).

U tha se ata e ato që mundën t’i shpëtonin thikës dhe plumbit të valës së parë goditëse «jeniqísfaí», i kyçën nëpër burgje, kryesisht në shtëpitë madhështore të Sali Hafuzit. Nga të rreth 500 vetët e mbyllur atje, shumica dërrmuese ishin femra. Gjatë 6 muajsh dergjjeje në kushtet më mjerane, nga mungesa e çdo lloj shërbimi shëndetësor, nga flliqësia, morrat, ndëshkimet trupore, sëmundet dhe uria vdiqën më se një e treta e tyre, kryesisht të moshuarat. Ndërkaq, gjatë tërë atyre muajve vazhdimisht kur me lajka e kur me kërcënime, u thoshin: «Në doni të shpëtoni, ndërroni fenë; në qafë ku kishit florinjtë, varni kriqin, betohuni në kishë dhe martohuni me ne!».Legjendaret çame, vendosmërisht, pa pikë frike, përgjigjeshin njëzëri: «Nuk e ndërrojmë fenë e nderuar muslimane me një copë hekur, edhe sikur mishtë me gërshërë të na prisni!». Kjo përgjigje burrërore i tërbonte panterat kryqtare greke, andaj dhe shkopinjtë s’ua ndanin prej kurrizi, të shoqëruar këta me sharjet më të ndyra të llojit të posaçëm grek ndaj fesë islame, profetit Muhammed, kombit dhe flamurit shqiptar. Kur për shkak të trysnisë botërore s’kishim më mundësi t’i mbanin të mbyllura në xhehnemin e grek, rreth 250 gra e fëmijë i nisën në këmbë nëpër udhën: Paramithî-Minínë-Filat-kufۡí; mbi 20 prej tyre i mbytën në rrjedhën e furishme të lumit Kalamà; ndër to edhe të shoqen plakë të Ahmet Maliq Jahos. Plot të moshuara vdiqën udhës. Nuk ishin të pakta femrat që të krishterët shqiptarë –shumë më të ndyrë edhe se vet grekërit- i përdhunuan masivisht; ndër to edhe Gjulo Brahimin. Shoqëruesi anglez gjatë një nate tejet të errët e me shi e breshër të dëndur i la në fshatin Kóskë, disa km. larg kufirit. Duke mos ditur se nga të shkonin, të mjerat u rrasën në trungjet e rrepeve deri në mëngjes, kur mbi 25 gra –kryesisht të moshura- kishin ngrirë përjetësisht, ndër to edhe 7-vjeçarja Hafizê, e bija e vogël e myftiut Hasan Abdullah Seit Mulazimit, e vetmja e mbetur gjallë deri atëherë nga ajo familje. Të njëjtat mynxyra iu bënë edhe të burgosurave në Filat. Prej atij qyteti e deri në kufirin shtetëror «çnderuan tërë vajzat e nuset që u pëlqenin».(«Bashkimi», dt. 28.2 dhe 4.3.1947, fq. 1,2). Ndër të përdhunuarat përmenden edhe Hafizê Murat Çafai nga Dolani, Ildize Hamiti nga Filati dhe Mazê Saliu etj. («Bashkimi», dt. 14.3.1947, fq. 1).

Një valë tjetër goditëse prej egërsirash kryqtare athino-fanarite në Filat dhe udhës Filat-Kufi shpërtheu më 13.3.1945; gjatë saj panterat greke shkyen gjithkënd që mundën, shumica femra. Lidhur me sa u tha, Niko Zhangua, në librin e vet: «O Anglikos Imperializmos qe i Ethniqi Andistasi 1940-1945», shkruan edhe: «…duhet të shohim fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që bëmë…». Ndërsa unë e shoh plotësisht të arsyeshme të theksoj fjalët me mend dhe me vend të shënuara prej atdhetarit të mirënjohur shqiptar nga fshati Malëshovë e Zagorisë, Jan Vrùhua: «armiqësia greko-shqiptare kurrën e kurrës do të mos pushojë aty e gjersa të shuhet njëra palë prej nesh…..». Dhe kjo vetëm e vetëm për shkak të qarqeve kryqtare a-f. përherë në mësymje të shfrenuar ndaj kombit shqiptar dhe ndaj Shqipërisë së tërë. Tërë mynxyrat që ato qarqe gjakësore e të paùdhta –për jo pak prej tyre jam vet dëshmitar- i kam përshkruar me hollësi e vërtetësi të patjetërsueshme, sidomos në veprat e mia: «Çamëria dhe Janina në vitet 1912-1922», «Viset Kombëtare Shqiptarer në Shtetin Grek», «Daut Hoxha» dhe «Enciklopedi Jugshqiptare» I dhe II. Madje edhe në dhjetra e dhjetra emisione radiofonike dhe televizive, pothuaj gjysmën e të cilave kam mundur ta ruaj nëpër DVD, si dëshmi historike për brezat e ardhshëm.  «O breza pasardhësish! Mos harroni dhe mos falni pa ndëshkimin përkatës mynxyrat që pararendësit tuaj vuajtën fare-fare padrejtësisht duke mbrojtur vatrat dhe trojet e veta nga egërsirat mësyese kryqtare me pamje njeriu!».

Fajin e pakurrfarëdyshimtë për mynxyrat dhe gjëmat e gjithfarshme që nxinë jetën e çamërve në vatrat dhe trojet e tyre amtare mijëravjeçare e bënë  politikanët fuqiplotë evropianë më 1913 e 1923; ata nuk e përfillën –madje  përçmuan- luftën titanike dhe përpjekjet legjendare 100-vjeçare të tyre kundër vërshimeve kuçedrake greke të shpeshpërsëritura. Edhe ditët në vijim janë politikanët fuqiplotë të po atyre shteteve, që, pa kurrfarë përgjegjësie njerëzore, kombëtare dhe ndërkombëtare nuk duan t’i thërresin mendjes për të ndrequr mëkatet e politikanëve të tërëfuqishëm pararendës të tyre, edhe pse zotni Toni Blêr –kur qe kryeministër- e përmendi: «Jemi këtu për ndreqjen e padrejtësive që shqiptarëve u janë bërë në të kaluarën». E them me bindje dhe e theksoj këmbëngultazi se faji i politikanëve të tërëfuqishëm evropianë pararendës u takon edhe atyre të sotmëve, po aq sa edhe pararendësve të tyre. Ndryshe nuk do të pranonin në gjirin e vet BE-ist (??!!!) pushtetarët e shtetit grek, të cilët ndjekin ende pikë për pikë politikën vrasëse dhe shqipmbytëse të të parëve të vet. Qoftë edhe sa për sy e faqe ndaj botës, të paktën e të paktave do të kishin patur guximin të kërkonin ndjesë për kanibalizmat ndaj çamërve dhe nuk do të kishin paturpësinë që në truallin shqiptar mollosiàn të mbanin ende ngritur truporen e Napoleon Zervës, përbindshit që përpiu shqiptarët e krahinave jugore shqiptare: Çamërìnë e Mollosìnë. Ky Dahàq i viteve tona, me faqenxirësinë e mostrave si veten, më 1950, prej Parizi –ku i paùdhi ishte duke i marrë shpirtin e tij të katil- botërisht shpalli: «….detyrën që m’u besua për pastrimin e Epirit nga myslimanët e Çamërisë, e përmbusha». Çiltazi dëshmon se kanibalizmat e tij në atë vend shqiptar, i bëri me porosi të krerëve kryqtarë të Athinës. Prandaj sundimtarët e sotmë s’ka se si të mohojnë a mënjanojnë gjakësorët pararendës e rrjedhimisht e vetë veten e tyre.

«O bashkëkombës të mi e breza pasardhës! Mos harroni dhe mos falni pa ndëshkimin e duhur mynxyrat që bashkatdhetarët tanë të lavdishëm  vuajtën duke mbrojtur me vetëmohim vatrat dhe trojet e veta nga egërsirat hiéno-rriqebulliàne kryqtare greke e sllavo-jugore me veshje njeriu!».

Marrë nga faqja: http://www.gazetametropol.com/si-i-perdhunonin-vrisnin-dhe-masakrkonin-grate-falangat-greke/

Mbi gramatikën e persishtes të Naim Frashërit

18/10/2012 Lini një koment

Abdullah REXHEPI

MBI GRAMATIKËN E PERSISHTES TË NAIM FRASHËRIT

Abdullah Rexhepi

Naim Frashëri ishte njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës perse. Ai arriti të krijojë në këtë gjuhë dhe si trashëgim na ka lënë Divanin ‘Tahajjulat’ (Ëndërrime). Gjatë qëndrimit në Stamboll, Naim Frashëri pos që punoi në administratën e Portës së Lartë, ishte edhe mësues i gjuhës perse. Ai u njoh nga afër me sistemin e mësimit të persishtes nëpër shkollat e atëhershme dhe vërejti mangësitë dhe të metat e këtij sistemi. Prandaj ai e pa të nevojshme të shkruajë një gramatikë mbi gjuhën perse duke u bazuar në metodologjinë moderne të mësimit të gjuhëve. Naimi gramatikën e tij e emëroi ‘Kavaid-i Farsije ber Tarze Novin’ (Rregullat e persishtes sipas metodës së re). Gramatika është e ndarë në dy pjesë; pjesa e parë përbëhet nga të dhënat për rregullat gramatikore të persishtes, kurse në pjesën e dytë zënë vend katër ushtrime në formë dialogu. Naimi këtë gramatikë e ka shkruar në gjuhën osmane, ndërsa shembujt dhe ushtrimet janë në gjuhën perse dhe osmane. Në këtë artikull do të mundohem të përshkruaj dhe analizoj këtë gramatikë të poetit tonë kombëtar. Në fillim do të analizoj rregullat gramatikore të persishtes që janë sjellë në këtë vepër dhe pastaj do t’i krahasoj me rregullat gramatikore të kësaj gjuhe. Më pas do të flas për pjesën e dytë të gramatikës.

Hyrje

Gjuha perse radhitet në mesin e gjuhëve të familjes indo-europiane dhe për nga tipologjia e saj është gjuhë flektive. Ajo sot në Iran, Afganistan dhe Taxhikistan është gjuhë zyrtare, kurse flitet edhe në Indi, Pakistan dhe disa shtete të Kaukazit. Si çdo gjuhë tjetër edhe persishtja ka kaluar nëpër etapa të ndryshme kohore dhe ka pësuar ndryshime. Persishtja e sotme është persishtja e evoluar “Dari” dhe është e vjetër rreth 1200 vjet, e cila në Iran dhe rajonin e Lindjes së Mesme është përhapur me ardhjen e fesë islame. Shumë studiues, persishten e kanë quajtur edhe gjuha e artit dhe kulturës islame. Për lashtësinë e gjuhës perse flasin dokumente të shumta të vjetra, ndërsa për rëndësinë e saj kanë folur studiues të spikatur botërorë. Sami Frashëri thotë se “Gjuha perse është krijuar për poezinë dhe poezia për gjuhën perse”. Ndër elementët që gjuhën perse e bënë të pavdekshme janë edhe eruditët e letërsisë perse të cilët veprat e tyre i shkruan në këtë gjuhë. Atë e bënë të pavdekshme, Dakiki, Rudeki, Ferdusi, Hoxhviri, Sa’adi, Mevlana, Hafezi, Xhami, etj., veprat e të cilëve janë ndër trashëgimitë më të vlefshme të njerëzimit. Qytetërimi i lashtë dhe i pasur iranian dhe kryeveprat letrare dhe mistike të shkruara në gjuhën perse kanë ndikuar që shumë jo iranianë të interesohen për mësimin e kësaj gjuhe.
Iranianët si në shumë shkenca të tjera, shkëlqyen edhe në shkrimin dhe hartimin e gramatikave të gjuhës arabe, por një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për gjuhën perse. Është interesant fakti se gjuhëtarët më të mëdhenj të arabishtes janë iranianë ose me prejardhje iraniane. Iraniani Sibevejhi është autor i veprës ‘El Kitab’, e cila sot e kësaj dite shfrytëzohet referencë për sintaksën e gjuhës arabe, Abu Ali Farsi, Abdulkadir Xhurxhani (Gorgani), Zamahshari dhe shumë gjuhëtarë të tjerë të arabishtes janë iranianë. Për këta thuhet se nuk kanë lënë pa trajtuar asnjë aspekt dhe hollësi të gjuhës arabe, por nuk kanë shkruar asnjë fjali mbi gramatikën e gjuhës perse . Megjithatë nuk duhet lënë pa përmendur se iranianët edhe pse nuk kanë hartuar ndonjë gramatikë të veçantë për gjuhën e tyre në të kaluarën, por në shumë vepra të tjera, si kritikë letrare, filozofike dhe në hyrje në fjalorëve të persishtes kanë dhënë shpjegime edhe për disa rregulla gramatikore të kësaj gjuhe. Si shembull mund të përmendim librin ‘Al Muaxhem fil Me’ajir Esh’aril Axhem’ të autorit Shemsudin Ibni Muhamed Ibni Kejs Razi.

Gramatika e gjuhës perse

Jo iranianët ishin ata të cilët u interesuan për shkrimin e gramatikave të gjuhës perse dhe arabët e turqit ishin të parët që shkruan gramatikat për mësimin e persishtes. Gramatikat e para të persishtes që u shkruan në gjuhën arabe dhe turke ishin plotësisht nën ndikimin e gramatikës së gjuhës arabe dhe mund të thuhet se kishin dallim shumë të vogël nga gramatikat e gjuhës arabe. Këto gramatika shkruheshin duke u bazuar në morfologjinë dhe sintaksën e arabishtes. Shumica e tyre u botuan jashtë Iranit, sidomos në Stamboll të Turqisë. Është i madh numri i gramatikave të tilla, por të gjitha janë të shkruara me metodologjinë klasike. Naimi bashkë me Samiun ishin ndër të parët në Perandorinë Osmane që u interesuan dhe shkruan rreth filologjisë moderne. Të dy ata zotëronin gjuhët më të rëndësishme të Lindjes dhe Perëndimit dhe ishin të njohur me arritjet e fundit gjuhësore në perëndim. Kështu që Naim Frashëri duke patur parasysh joefikasitein e këtyre gramatikave të persishtes, e ndjeu të domosdoshme hartimin e një gramatike e cila do të lehtësonte mësimin e persishtes për nxënësit turq. Naim Frashëri në Stamboll për një kohë ishte edhe mësues i persishtes dhe kishte njohuri të sakta për sistemin e mësimit të persishtes nëpër shkollat e perandorisë osmane. Naimi gjithashtu kritikonte sistemin e mësimit të persishtes nëpër medresetë e Perandorisë Osmane. Ai thotë se nxënësi akoma pa mësuar disa fjalë të kësaj gjuhe, e detyrojnë të lexojë Gjylistanin e Saadiut, ndërsa ende pa e kryer kapitullin e parë të Gjylistanit, atij ia japin Divanin e Hafezit i cili është i vështirë për ta kuptuar edhe nga vet mësuesit dhe studiuesit e letërsisë persiane.
Naimi gramatikën e tij të persishtes e emëroi ‘Kavaid-i Farsije Ber Tarzi Novin’ që në shqip mund të përkthehet si ‘Rregullat e persishtes sipas metodës së re’. Ndër studiuesit shqiptarë, për herë të parë për këtë gramatikë ka folur i ndjeri dr. Hasan Kaleshi, i cili shkruan: “Sado që në burimet shqipe thuhet se vepra e parë e Naimit është Tehajjulat, në të vërtetë vepra e tij e parë e botuar është Gramatika e persishtes sipas metodës së re, botuar në Stamboll më 1871. Në këtë vepër Naimi nënshkruhet vetëm si Mehmet Naim, nëpunës në Drejtorinë e shtypit (Kalem-i Matbuat apo Matbuat Kalemi). … Kjo është gramatikë e shkurtër, por praktike, hartuar sipas gramatikave evropiane me paragrafe (ka gjithsej 185 paragrafe) . Pra siç thotë edhe orientalisti i mirënjohur shqiptar, Hasan Kaleshi, Tahajjulat nuk është vepra e parë e botuar e Naimit, por është Gramatika e persishtes. Është interesant të theksohet fakti se deri në vitin 1871 askush, madje asnjë iranian nuk kishte shkruar gramatikë të persishtes në bazë të metodologjisë moderne. Gramatika e Naimit gjithashtu ka nderin të jetë edhe gramatika e parë moderne e gjuhës persiane. Ngase nëse bazohemi në gramatikën e parë persiane ‘Dastur-i Sohan’ të shkruar nga Mirza Habib Esfehani në vitin 1872 (1289 Hixhri Kameri), atëherë Naimi gramatikën e tij e botoi në vitin 1288 H.K., pra një vit para Mirza Habib Esfehanit. Supozohet se Naim Frashëri dhe Mirza Habib Esfehani e kanë njohur njëri-tjetrin dhe kanë bashkëpunuar në gazetën iraniane ‘Ahter’ që botohej në Stamboll. Mirza Habib Esfehani është studiuesi i parë iranian që në vend të shprehjeve tradicionale për librat e gramatikave si ‘Morfologjia (Sarf) dhe Sintaksa (Nahv) e persishtes’ ka përdorur fjalën ‘Dastur’ (Gramatikë).

Gramatika e Naim Frashërit

‘Kavaid-i Farsije Ber Tarzi Novin ‘ gjithsej ka 168 faqe. Kjo vepër është e ndarë në dy pjesë, pjesa e parë ka 65 faqe dhe në atë jepen të dhëna rreth rregullave të gjuhës perse, sidomos për pjesën morfologjike të kësaj gjuhe, kurse pjesa e dytë e cila ka 83 faqe, përbëhet nga katër ushtrime dhe një fjalor në fund me disa fjalë persisht – osmanisht. Naimi në hyrje të kësaj gramatike shkruan: “Gramatika është çelësi i çdo gjuhe dhe boshti i të mësuarit të lehtë të një gjuhe. Duke e ditur rëndësinë e gjuhës së ëmbël persiane dhe faktin që nuk ekziston një gramatikë moderne ne këtë gjuhe, atëherë unë vendosa të shkruaj një gramatikë modeste për mësimin e kësaj gjuhe”. Pastaj vazhdon me shkronjat e gjuhës perse dhe flet rreth shqiptimit të tyre. Por duhet theksuar fakti se Naimi i ndikuar nga gramatikat e gjuhëve evropiane për herë të parë flet për llojet e fjalës (pjesët e ligjëratës) dhe fjalën e klasifikon në gjashtë lloje: emri, mbiemri, përemri, folja, ndajfolja dhe numërori. Një klasifikim i tillë nuk ishte bërë në gramatikat e mëparshme të hartuara nën ndikimin e metodologjisë së gramatikave të gjuhës arabe. Pastaj në kapitullin e parë Naimi ofron të dhëna rreth emrit, formave të tij, për krijimin e shumësit dhe për rasat e emrit. Është interesant se autori i veprës ‘Rregullat e persishtes sipas metodës së re’ emrin e lakon në katër rasa, gjë e cila nuk praktikohet edhe në gramatikat e sotme të gjuhës perse në Iran. Naimi emrin në gjuhën perse e lakon në rasat si: emërore (nominativ), gjinore (gjenetiv), kallëzore (akuzativ) dhe dhanore (dativ). Por nuk dihet pse ai këtë nuk e vazhdon edhe me lokativin dhe ablativin. Në gramatikat moderne të gjuhës perse të shkruara në Iran nuk ekziston një diskurs i tillë, por kemi vetëm lidhëzat. Pastaj Naimi shpjegon çdo rasë dhe funksionimin e emrit në rasën përkatëse, kurse për çdo shpjegim sjell edhe shembuj nga gjuha perse. Në radhë vjen mbiemri, rreth të cilit ofron sqarime të hollësishme. Ai flet edhe për shkallët e mbiemrit, atë krahasore (komperativ) dhe sipërore (superlativ). Në vazhdim gjithashtu flitet edhe për numërorët rreshtorë, shpërndarës dhe thyesat. Në këto pjesë nuk ka ndonjë risi në krahasim me gramatikat tjera. Më pastaj poeti ynë kombëtar flet për përemrin në gjuhën perse. Edhe përemrin e lakon në rasat e lartpërmendura. Naim Frashëri përemrat e gjuhës perse i ndan në katër grupe: vetorë, dëftorë, përemri lidhor ‘ki’ dhe përemrat e pacaktuar. Në mesin e filologëve iranianë ekzistojnë divergjenca në lidhje me klasifikimin e përemrave dhe sot kemi disa grupe të përemrave, por grupet që i sjell Naim Frashëri në gramatikën e tij nuk janë aspak të diskutueshëm dhe janë të pranuar nga të gjithë gjuhëtarët iranianë.
Në vazhdim Naimi flet për foljen e persishtes. Për nga forma atë e ndan në tri grupe: një, infinitivi; dy, folja rrënja e së cilës përdoret nëpër kohë të ndryshme dhe që tregon një veprim apo ngjarje; tre, folja jo e plotë e cila nuk i nënshtrohet një kohe të caktuar, por që përdoret për shprehjen e një ngjarje (folja ndihmëse). Por për nga kuptimi, Naimi foljen e ndan në transitive (Moteaddi) dhe intrasitive (Lazem). Deri këtu nuk haset ndonjë risi apo dallim me gramatikat e tjera. Por divergjencat e gramatikës së Naimit me gramatikat tjera, madje edhe me gjuhën perse fillojnë në zgjedhimin e foljeve nëpër kohë. Këtu jam i bindur se ai është nën ndikimin e plotë të gjuhës turke ose të ndonjë gjuhe tjetër evropiane, por më tepër duket se ai zgjedhimin e foljeve turke e përkthen nga ndonjë gjuhë tjetër në gjuhën perse. Ai foljen e zgjedhon në njëmbëdhjetë kohë të ndryshme. Këtu do t’i përmend vetëm ato kohë në të cilat Naimi Frashëri zgjedhon foljen e gjuhës perse, por që nuk figurojnë fare as në gjuhën perse e as në gramatikat e vjetra dhe të reja të kësaj gjuhe. Autori i librit ‘Rregullat e persishtes sipas metodës së re’ infinitivin e foljes ‘Budan’ (Jam) e lakon në kohën e tashme (prezent) si: bovam, bovi, bovad – bovim, bovid, bovand. Por kjo folje në gjuhën perse zgjedhohet vetëm në kohën e shkuar, kurse në prezent ajo shndërrohet në formën ‘Hast/Ast’ dhe mund të zgjedhohet vetëm në këtë kohë. Më pas Naimi gjithnjë duke qenë i ndikuar nga gjuha turke (ose nga ndonjë gjuhë tjetër evropiane), foljen e persishtes e zgjedhon edhe në kohën e tashme të mënyrës dëshirore, ku nuk ekziston një zgjedhim i tillë në gjuhën perse, si: ke bashem (të jem), ke bashi, ke bashed – ke bashim, ke bashid, ke bashend. Ai po këtë folje e zgjedhon edhe në kohën e shkuar të mënyrës dëshirore e cila gjithashtu nuk gjendet në persishte, si: ke bude bashem (të kisha qenë). Në vazhdim, Naim Frashëri foljen e persishtes e zgjedhon edhe në Aorist, Koha e gjerë apo Prezenti II (Genish Zaman), kohë e cila nuk ekziston fare në gramatikën dhe gjuhën perse. Naimi këtu mundohet që foljen e persishtes t’a fusë në kontestin e gjuhës turke, por që kjo lloj folje nuk merr asnjë kuptim në gjuhën perse, si baverem (besoj), baveri, bavered – baverim, baverid, baverend. Gjithashtu duhet sqaruar se folja ‘Baver’ në persishte është folje jo e plotë dhe përdoret me foljen ndihmëse ‘Kerden’ kështu që zgjedhohet vetëm folja ndihmëse, kurse vet folja Baver është statike. Naimi këtë folje e zgjedhon edhe në kohën e tashme si: mibaverem (besoj); në kohën e shkuar: baveridam; e shkuar e pacaktuar: baverida’em; e pakryera e së shkuarës (imperfekti i caktuar): mibaveridam; e shkuara e largët: baverida budam; e ardhmja: hahem (khahem) baverid, në kohën e tashme dëshirore: ke baverem; në të shkuarën dëshirore: ke baverida bashem; dhe urdhëri: baver, bavered, baverid, baverend. Asnjë nga këto fjalë dhe zgjedhime nuk gjenden në fjalorin dhe gramatikat e gjuhës perse dhe këtu siç u tha edhe më lartë, Naim Frashëri ka qenë i ndikuar nga një gjuhë tjetër dhe strukturën e foljes së persishtes e ka futur në strukturën dhe rregullat morfologjike të një gjuhe tjetër, në këtë rast turqishtes. Ai edhe në shembujt e tjerë vazhdon në po këtë metodë.
Pjesa e dytë e gramatikës së Naim Frashërit përbëhet nga katër ushtrime në formë dialogu. Edhe kjo pjesë e gramatikës së Naimit është një risi në mësimin e gjuhëve të huaja në Perandorinë Osmane. Duke qenë i njohur mirë dhe nga afër me sistemin e mësimit të gjuhëve të huaja, sidomos të persishtes në atë kohë, Naimi është i mendimit se një individ përveç shkrim-leximit, rregullave gramatikore dhe kuptimit të një gjuhe të huaj, në këtë rast persishtes, duhet gjithashtu të përgatitet për të komunikuar në atë gjuhë. Ai në njërin nga këto katër ushtrime e kësaj vepre kritikon sistemin e mësimit të gjuhës perse. Në hyrje të pjesës së dytë të gramatikës së persishtes, filologu shqiptar thekson faktin se një person nuk është njohës i mirë i një gjuhe derisa nuk është i aftë të flasë në atë gjuhë. Ai gjithashtu thotë se një individ edhe pse mund të mësojë mirë arabishten dhe persishten, por nëse nuk arrin të flasë në atë gjuhë, padyshim se nuk do të përvetësojë si duhet atë dhe mundësia e të gabuarit është shumë më e madhe. ‘Deri më tani janë shkruar libra të shumtë për gjuhën arabe dhe atë perse, por nuk mund të hasim në asnjë libër për të mësuar komunikimin në këto gjuhë, ky libër do të jetë një dhuratë modeste për ata që duan ta mësojnë gjuhën perse’, shkruan Naimi në hyrje të pjesës së dytë të gramatikës së gjuhës perse. Ai pastaj sjell katër ushtrime mjaft të gjata ku dy persona në formë dialogu flasin për gjuhën perse, gjeografinë e Iranit, letërsinë perse, poetët iranianë, kulturën iraniane dhe për popullin e këtij vendi. Në fund të këtyre ushtrimeve është edhe fjalori me disa fjalë persisht-osmanisht.

Përfundim

Siç shihet, Naim Frashëri nuk ishte vetëm mjeshtër i fjalës dhe poezisë, por gjithashtu edhe një gjuhëtar i përsosur, sidomos një njohës i thellë i gjuhës perse. Ai bashkë me vëllain e tij, Samiun bënë revolucion në filologjinë turke dhe perse. Siç vërehet edhe në gramatikën e tij të persishtes, ai është i pari në mesin e gjithë atyre gjuhëtarëve që gramatikën e gjuhës perse e shkroi duke u bazuar në metodologjinë moderne të gramatikës. Gramatika e tij e persishtes edhe pse mund të posedojë rregulla apo fjalë të paqena në gjuhën perse, por nuk duhet harruar se Naimi ishte i pari që shkroi gramatikën e persishtes duke u bazuar në rregullat gramatikore të gjuhëve të tjera dhe në dorë nuk kishte asnjë referencë për tu konsultuar. Megjithatë, ai si një njohës i persishtes dhe zhvillimeve të gjuhësisë në perëndim, arriti të shkruajë një gramatikë të gjuhës perse, e cila më pas sigurisht që ka qenë shtytëse apo ndoshta edhe bosht për babain e Gramatikës moderne të persishtes, Mirza Habib Esfehani, me të cilin ka bashkëpunuar ngushtë. Gramatika e Naim Frashërit gjithashtu mund të jetë e një rëndësie të veçantë për historinë e gjuhës perse.

Një lutje shpirtit të shenjtërueshëm të Pejgamberit t’onë (alejhi selam)

27/09/2012 1 koment

Hafiz Ibrahim DALLIU

 

NJË LUTJE SHPIRTIT TË SHENJTËRUESHËM TË PEJGAMBERIT T’ONË (ALEJHI SELAM)

Hafiz Ibrahim Dalliu

Hafiz Ibrahim Dalliu

La i lahe il-lall-llah
Muhammedyrr-rresulu-ll-llah,
S’kimi tjetër t’mir’ ejvah
N’doresh ja Resulell-llah!

Por n’dete t’fajvet jem kah mbytmi,
Me faqe n’pluhnit po zhytmi,
Ditn’ e vajit kur do t’pytmi,
N’doresh ja Resulell-llah!

Punët kur do t’na shikohen,
T’mira e t’liga kur t’peshohen,
Të mçeftat kur t’na zbulohen,
N’doresh ja Resulell-llah!

Kur t’vie mbi njerëzit skutera
Kur t’i mbulojë të gjithë menera
Prej frykës t’ju bjerë punhera,
N’doresh ja Resulell-llah!

Kur t’na epen n’dorë tefterët,
Kur t’thonë “nefsi, nefsi” tjerët
Kur t’tremben dhe pejgamberët,
N’doresh ja Resulell-llah!

Gra e burra t’ri e të vjetër
Kur t’terohen porsi i letër,
Përveç teje s’kimi tjetër,
N’doresh ja Resulell-llah!

Kur t’kalojmë n’urët Siratit,
T’randuem tepër prej mëkatit,
Mos na dajë prej shefaatit
N’doresh ja Resulell-llah!

Vetëm ke ti asht uzdaja,
Se veç ty do t’shkojë rixhaja,
Kurban t’u baftë gjithë dynjaja,
N’doresh ja Resulell-llah!

Ti je shembull’ i gjithë mirësivet
Ti je ma i ndershmi i nebivet
Si elmasi n’varg t’inxhivet
N’doresh ja Resulell-llah!

Ti je Diell’ i dituniës,
Ja ke ndriçue sytë njerziës
Je i dashm’ i Perëndiës
N’doresh ja Resulell-llah!

Njaj Zot qi kreu qiell e dhe
N’jetët t’atë ka ba be
Në kët gradë kurkush ma s’le
N’doresh ja Resulell-llah!

N’rruzllit t’dheut ane e m’anë
Në çdo çast thirret ezanë
Ty Resulull-llah tu t’thanë
N’doresh ja Resulell-llah!

Për Ty asht krijue gjithsija
Ç’pare bajnë lavdat e mija
Ty t’ka lavdue vetë Perëndija
N’doresh ja Resulell-llah!

Ty t’a ka huva bota
Se i ke mund besat e kota
Me shumë dokumenta t’plota,
N’doresh ja Resulell-llah!

Ti na e ke këndue Kur-anin
Ti na e ke mësue Imanin
Ti na e ke diftue dermanin
N’doresh ja Resulell-llah!

Por se na at’udhë nuk po e ndjekim
Përnej po vujm e po hjekim,
Prap ke ti kryet e përpjekim,
N’doresh ja Resulell-llah!

Gjeti nuk kimi ku t’futmi,
N’derët t’ate vimë nuk tutmi,
Se ke shumë mëshirë, pra lutmi
N’doresh ja Resulell-llah!

Për hatrit bies Fatime
Dhe t’s’amës Saje Hadixhe
Nën flamurin t’at na shtje
N’doresh ja Resulell-llah!

Dhe pse na u ka prish morali
Lutju Zotit kot t’na fali,
Ndëshkimin mbi ne t’i ndali,
N’doresh ja Resulell-llah!

Lutju pra fort Perëndisë
Si fëmija s’amës për sisë,
Për Mbretin e gjith Shqipnisë,
N’doresh ja Resulell-llah!

Qi t’a rujë prej çdo rreziku
T’i vie galib ç’do anmiku
T’shkëlqejë si dritë elektriku
N’doresh ja Resulell-llah!

Hafiz Ibrahim Dalliu,
S’i shpërtitet far njeriu
M’ty veç tretet si qiriu,
N’doresh ja Resulell-llah!

Tiranë, 1935

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 77 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d blogues: