Archive

Archive for the ‘Ballkanologji’ Category

Një iniciativë e papranueshme që mëton përçarjen e shqiptarëve dhe boshnjakëve

10/05/2020 Leave a comment

Ismet AZIZI

 

NJË INICIATIVË E PAPRANUESHME QË MËTON PËRÇARJEN E SHQIPTARËVE DHE BOSHNJAKËVE

Ismet Azizi

Ismet Azizi

Ka kohë që portali “Sandzacke.rs” zhvillon fushatë mediale kundër meje, Ismet Azizit, Ali Dacit dhe shoqatës “Kosova për Sanxhakun”. Fushata është tërësisht kundër bashkëpunimit dhe afrimit të mëtejmë mes shqiptarëve dhe boshnjakëve të Sanxhakut që është qëllimi ynë i dyanshëm. Tanimë, siç është vërtetuar, ky bashkëpunim dhe afrim i pengon dikujt në Sanxhak. Për këtë arsye, dikush në mënyrë të papranueshme i kanalizon “mospajtimet” nëpërmjet këtij portali në formë më të papranueshme. “Mospajtimet” kanë formë të politikës shoviniste serbomadhe që gjithmonë ka pasur për qëllim shpërndarjen e urrejtjes mes boshnjakëve dhe shqiptarëve, dhe si rezultat edhe largimin e këtyre dy popujve dhe krijimin e një hendeku të pakapërcyeshëm mes Sanxhakut dhe Kosovës së bashku me Shqipërinë.

Para disa ditësh kjo tendencë i ka kaluar të gjitha kufijtë e pranueshëm dhe është paraqitur me pamfletin propagandues të titulluar “INICIJATIVA: Zabraniti učešće na izborima za BNV svima koji provode “albanizaciju”, që është botuar në “Sandzacke.rs”. Në këtë pamflet bëhet me dije se aktorët e kësaj iniciative shkojnë aq larg sa që kërkojnë nga boshnjakët që të deklarohen publikisht kundër shqiptarëve. Është kërkuar edhe ndalimi i qarkullimit të njerëzve, në këtë rast të shqiptarëve, si dhe heqja e të drejtës së votës atyre që deklarohen apo ndjehen shqiptarë në Sanxhak. Autorët e këtij pamfleti fashist kërkojnë që shqiptarëve të Sanxhakut, nëse dëshirojnë të përfshihen në politikë apo aktivitete kulturore, duhet ta bëjnë këtë në rajonin e Luginës së Preshevës. Me fjalë të tjera, kjo është një kërkesë që bënë një sygjerim të rrezikshëm për shpërnguljen e shqiptarëve nga Sanxhaku për shkak se në këtë vend nuk do t’i gëzojnë as të drejtat themelore njerëzore. Një politikë të këtillë, së paku në letër, nuk e ka kërkuar asnjë regjim serb duke u nisur nga ai i Nikolla Pashiçit e deri te ai i Millosheviçit. Por, këtë e kërkon dikush nga Sanxhaku, nga radhët e atyre që ende e quajnë veten boshnjakë. Asnjëherë më parë nuk ka pasur nisma të këtilla, të cilat nuk mund të cilësohen ndryshe vetëm si shumë të rrezikshme. Madje, kjo nismë përmban elemente të veprës penale edhe sipas sistemit juridik të tanishëm të Republikës së Serbisë. Prandaj, nuk kemi se si të mos e parashtrojmë pyetjen: kush janë këta njerëz të rrezikshëm që me diskriminime mundohen t’ia kalojnë edhe regjimeve serbe që janë anti-boshnjake dhe anti-shqiptare?

Nuk duhet shumë për të menduar dhe parë se nisma e tillë ia kalon edhe politikës gjenocidiale të Sllobodan Milosheviçit. Në fakt, kjo nismë është shumë e rrezikshme pasi përmban elemente dhe karakteristika fashiste. Është e paimagjinueshme që në Sanxhak në shek. 21, edhe pas dështimit të një politike serbomadhe, të cilën e ka dënuar bota, tani të lajmërohet një politikë tjetër që ia kalon kësaj të parës.

Shoqata “Kosova për Sanxhakun”, e drejtuar nga Ismet Azizi,  edhe një herë shfrytëzon rastin të përsërisë faktin se aktiviteti ynë nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç asaj që e ka prezantuar publikisht, dhe që është ruajtja e miqësisë mes shqiptarëve dhe boshnjakëve dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë pa marrë parasysh pengesat që paraqiten në këtë rrugë.

Ne jemi në rrugë të drejtë dhe shpresojmë që nismat e tilla fashiste do të ndalen dhe ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë që t’i ruajmë lidhjet tona të cilat historikisht kanë qenë të ngushta.

Shoqata 'Kosova për Sanxhakun'

Autori shkruan në emër të shoqatës “Kosova për Sanxhakun”.

Nuk i besoj Vuçiqit, ndihmësve dhe përkrahësve të tij!

26/04/2020 Leave a comment

Mirza HAJDINOVIÇ

 

NUK I BESOJ VUÇIQIT, NDIHMËSVE DHE PËRKRAHËSVE TË TIJ!

Mirza Hajdinović

Mirza Hajdinović

Është i mirëseardhur izolimi i këtyre ditëve të them edhe një vërejtje, lexova kolumnën të cilën autori e kishte titulluar “Mos i beso Vuçiqit edhe kur të dhuron respirator” dhe thotë, madje Mali i Zi qartë i thotë “baju”, nuk duam të na dhuroj dy nga tre respirator të cilët na vodhi.

Sidoqoftë, unë do të paralajmëroja që Vuçiqit t’i besohet kur thotë “100 për një”, vriteni një, ne njëqind, e ta shihni. Këtë e dëshmojnë 8372 boshnjakët dhe Srebrenica e cila ndodhi jo shumë vonë pasi ai i tha ato fjalë dhe të gjitha ato varreza masive në tërë Bosnjën, Sanxhakun dhe Kosovën.

Na përkujton për këtë edhe dje në deklaratën e tij edhe Kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti, i cili kujton krimin e ndodhur 21 vjet më parë kur 147 civilë u vranë në komunën e Skenderajt, përfshirë 7 fëmijë, 2 deri në 15 vjeç të familjes Duriqi dhe 7 gra nga familja Saranda. Kryeministri Kurti tërheqë vërejtjen se edhe pas 21 vjetësh nuk mund ta shijojmë pranverën sepse, siç thotë ai, “Kriminelët serbë që kanë kryer këto vrasje janë ende në liri. Ka nga ata që janë nëpunës civilë, disa në ushtri dhe polici, e të tjerët në administratën civile “.

Tani ajo që më lëndon dhe shqetëson. Dëshira ime është sot që t’i referohem edhe urdhrit të Vuçiqit që kjo ushtri serbe të dërgohet në kufij, me urdhra të rreptë, madje dhe të përdorë armë! T’i besojmë? Sigurisht që jo!

Njëfarë cirku merimange në rolin e një mjeku që këtyre ditëve është duke u përpjekur pa sukses të na argëtojë tha “në Republikën Serbe e trajtojmë RS (lexoni: etnitet gjenocidi të Republikës Serbe) si pjesë të territorit tonë, si territori i Serbisë”. Ne kemi dëgjuar fjalë të njëjta nga Ministri serb i Mbrojtjes për shumë vite. Nga ana tjetër, ajo pjesë e Bosnjës, duke mos fshehur qëllimet dhe dëshirat e saj kriminale, vazhdon përpjekjet e saj për tërheqjen e kufirit brenda Bosnjës. Nën pretekstin e luftimit të virusit shpallë gjendje të jashtëzakonshme në atë pjesë të Bosnje dhe Hercegovinës. Për fat të keq  që tragjedia të jetë edhe më e madhe, në realizimin e këtij plani, ekzekutorët e tyre më të mirë janë disa persona me emra dhe mbiemra boshnjakë.

A thua na porositin që t’i besojmë atyre, se kjo ushtri dhe polici serbe, me të gjithë kriminelët në radhët e saj, nuk do të kalojnë Drinën dhe të vazhdojnë atje ku u la në vitin 1995?!

Shtetet tjera të rajonit nuk i besojnë Vuçiçit dhe nuk besojnë ta quajmë “luftë kundër koronavirusit”, nuk besojnë edhe kur jep dhurata. Ato dërguan forcat e vet të armatosura në kufijtë e vet menjëherë pasi që ai kishte urdhëruar ushtrinë serbe, dhe me këtë rast për të  evituar që të mos të ndodhë Srebrenica tjetër, Kukuroviqi, Shtrpci, Prijedori, Raçaku, Drenica,…

 

Categories: Ballkanologji Tags: , ,

Komiteti i Bashkimit Evropian për Sanxhakun është gjithnjë e më i domosdoshëm

19/04/2020 Leave a comment

KOMITETI I BASHKIMIT EVROPIAN PËR SANXHAKUN ËSHTË GJITHNJË E MË I DOMOSDOSHËM

Enis Imamoviç

Enis Imamoviç

thumbnail

Enis Imamoviç, homazh tek varri i Shaban Polluzhës në Polluzhë

Lidhur me sulmin e fundit të Qeverisë së Republikës së Serbisë ndaj  institucioneve nacionale boshnjake dhe në institucioneve me rëndësi të veçantë për boshnjakët në Sanxhak, duke pezulluar demokracinë dhe vendosjen e pushtetit autoritar “okupues”, deputeti i Partisë së Aksionit Demokratik( SDA) të Sanxhakut, Enis Imamoviç u dërgoi  letër zyrtarëve të BE, në të cilën ndër të tjera ai tha:

“Kulmi i paligjshmërisë dhe presionit ndodhi pikërisht sot kur me vendim të Ministrisë së Arsimit, u caktua me forcë dhe në mënyrë të paligjshme “Këshilli i përkohshëm i shkollës”, në të cilin u emëruan të gjithë zyrtarët dhe “skifterët” e partisë së regjimit pushtetar.

Pas bisedimeve tona të fundit në Parlamentin e Serbisë, situata dhe pozita e boshnjakëve në Sanxhak është përkeqësuar edhe më tej, dhe ky rast vetëm dëshmon se armiqësia e autoriteteve serbe ndaj Sanxhakut është e pranishme dhe po zgjerohet vazhdimisht në të gjitha fushat.

Do të dëshiroja t’ju kujtoja se ne atëherë, ia përcollëm delegacionit të Bashkimit Evropian kërkesën për krijimin e një Komiteti të BE për Sanxhakun, dhe për këtë apeloj tek ju që t’i kushtoni vëmendje të veçantë kësaj çështjeje”, thuhet në fund të komunikatës së lëshuar për medie nga Partia e Aksionit Demokratik, lider i së cilës është Dr. Sulejman Uglanin.

Uglanin: Korona do të kalojë, por nacionalizmi serbomadh mbetet armik i vazhdueshëm

07/04/2020 Leave a comment

Ismet AZIZI

 

UGLANIN: KORONA DO TË KALOJË, POR NACIONALIZMI SERBOMADH MBETET ARMIK I VAZHDUESHËM

Uglanin

Presidenti PAD-it (SDA) të Sanxhakut Sulejman Uglanin deklaroi se “efektet anësore” të gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë koronavirusit janë, para së gjithash, të një natyre ekonomike, ato vijnë dhe paraqesin kërcënim objektiv për qytetarët e Sanxhakut.

Ai e porositi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se duhet dashur të bëjë përpjekje  që gjat gjendjes së jashtëzakonshme ta kthej besimin e qytetarët të Sanxhakut tek shteti.

Në një intervistë për SNews, Uglanin përkujton se PAD-it (SDA) i Sanxhakut ishte i ftuar dhe mori pjesë në takimin e partive parlamentare me presidentin e Serbisë më 17 mars 2020 në Beograd në lidhje me gjendjen e jashtëzakonshme dhe shtyrjen e zgjedhjeve, duke theksuar se Vuçiq e shfrytëzoi këtë mundësi për të kërcënuar boshnjakët dhe përfaqësuesit e tyre.

“Do të ishte mirë që presidenti i Serbisë (Aleksandar Vuçiq) të kërkonte shpjegim, të ulemi dhe të gjejmë mënyrën për t’ua kthyer besimin e humbur të boshnjakëve, në të vërtetë atë ndjenjën e mosbesimit dhe frikën nga ana e organeve shtetërore serbe. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, “tha Uglanin.

Konstatimi “nëse kjo do të nënkuptohet integrimin e boshnjakëve ndaj shtetit”, Uglanin nënvizon se “shumë shpejt do të vijnë disa njerëz të cilët tash janë të rinj dhe të cilët nuk pyeten, por do të pyeten shumë shpejt, dhe ata do ta bëjnë atë”.

 

Ftesë për serbët të ndershëm

 

Lideri i PAD-it (SDA) të Sanxhakut theksoi se “koronavirusi do të jetë dhe do të kalojë, por se armiku i vazhdueshëm dhe i përhershëm i boshnjakëve është një, nacionalizmi serbomadh i cili boshnjakët në Sanxhak i konsideron të racës së ulët”, dhe u bëri thirrje “serbëve të ndershëm” që të bëjnë diçka kundër kësaj çështje.

“U bëj thirrje serbëve të ndershëm, intelektualëve, të rinjve të bëjnë diçka në lidhje me të dhe të japin një grimcë shprese, drite, që të ketë shpresë, për një harmoni shumëkombëshe këtu, në këtë mjedis ende të rrethuar nga serbomëdhenjtë. Siç ka qenë gjithmonë, në mesin e serbëve ka njerëz të ndershëm, veçanërisht në mesin e të rinjve të cilët ende nuk e kanë përlyer fytyrën, nderin dhe duart me krime ndaj boshnjakëve, “tha Uglanin.

Ai përsëriti qëndrimin që kemi ndaj një situatë shumë të palakmueshme që kreu i shtetit përfaqëson vazhdimësinë e politikës së Millosheviçit që sundon edhe sot.

Siç shton komuniteti ndërkombëtar nuk ndëshkoi krimet dhe as kjo udhëheqje e shtetit nuk filloi procedurat e lustracionit për krimet e gjenocidit dhe krimet në Shtrpc, Severin, Kukuroviç e të tjera.

“Gjithçka që nuk ndëshkohet ekziston mundësia të ndodhë përsëri. Ata njerëz që janë sot në pushtet s kanë përjetuar sukses politik pas krimeve për të cilat janë fajtorë, si në Sanxhak, në Kosovë dhe në tërë Bosnjën. Këta njerëz, për sa kohë që të jenë në pushtet, ushtria serbe, policia serbe, sigurimi shtetëror serb, përfaqëson për boshnjakët kërcënim objektiv të forcave të  armatosura, kështu ne si boshnjakë, i përjetojmë ata,” tha lideri i PAD-it (SDA) për Sanxhak.

 

Qëllimi i qeverisë serbe është të përçajë boshnjakët

 

Duke komentuar lëvizjet e autoriteteve qendrore nga Beogradi drejt boshnjakëve të Sanxhakut gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe ngjarjet që lidhen me mësimin në gjuhën e tyre amtare boshnjake dhe emërimi i organeve të përkohshme menaxhere, dhe këshillit të shkollës në Shkollën Fillore Avdo Megjedoviq, Uglanin e karakterizoj si qëllim të Qeverisë, që përmes Mladen Sharçeviqit, të futë përçarje mes boshnjakëve në Sanxhak, sepse kjo filloi dhe ndodhi para se të vendoset gjendja e jashtëzakonshme.

Sipas tij, “qëllimi i ideologëve serbomëdhenjë është të tregojnë se boshnjakët janë një racë e ulët, të vendosin përçarje mes tyre, dhe se asnjë boshnjak mos të ketë legjitimiteti dhe legalitet të kërkojë çfarëdo qoftë për boshnjakët.”

“Janë mashtruar. Këshilli Kombëtar Boshnjak ka legjitimitet absolut të bazuar në zgjedhjet e fundit “, porositë Uglanin, duke theksuar se do të mbështesë anëtarët e organeve të shkollës fillore të Avdo Medjedevic të zgjedhur ligjërisht, në luftë të drejtë, dhe se në ditën kur gjykata të jep verdiktin e saj, do të jetë turp për të gjithë ata që së bashku me Sharçeviqin punuan për të shkatërruar dinjitetin boshnjak njerëzor dhe kombëtar.

Duke folur për gjendjen e jashtëzakonshme, Uglanin shprehu dëshirën e tij për zhdukjen e shkaqeve për të cilat është vendosur, por ai sensi i përbashkët kërkon që ta marrim situatën seriozisht dhe të respektojmë vendimet e qeverisë.

Ai tërheqë vërejtjen  dhe paralajmëron se qytetarët e Sanxhakut po shpenzojnë kursimet e tyre të fundit të parave duke blerë ushqim ose furnizime të fundit të tyre me ushqim, duke mos fituar asgjë.

“Ne themi se është më mirë ta parandalojmë sesa ta kurojmë, por i njëjti sens i zakonshëm na thotë se nëse vazhdon kështu, ne do të vdesim nga uria  sepse ekonomia është zhdukur. Nëse marrim kredi nga Banka Botërore, ne do të bëhemi një vend nen kolonial dhe do të bëhemi, Zoti na ruajt, të mjerë. Ne duhet të mendojmë një hap më tej, situata është siç është, ne duhet të angazhojmë shkencën,” tha ai.

Për boshnjakët, koronavirusi përfundon Uglanin, është ende i panjohur, efektet e vdekjes së të cilit nuk dihen, por kujton se një ideologji serbomadhe vrau në fillim të korrikut 1995, për pesë ditë  8372 boshnjakë në një Srebrenicë të vogël.

“Këto të dhëna flasin se janë më shumë sesa virusi që mori jetë njerëzore në shtetet më të mëdha të botës. Për ne boshnjakët në Sanxhak rreziku i vetëm objektiv është ideologjia serbomadhe, e cila shkatërron gjithçka para nesh dhe kërcënon të shfarosë  të gjithë boshnjakët, ky është problem për ne.

Kurora ishte dhe do të kalojë, por kjo ideologji serbomadhe nga viti 1918 e mban të gjithë Sanxhakun nën okupim, me pëlqimin e heshtur të ish Lidhjes së Kombeve, tani BE ”, tha Uglanin, duke shprehur shpresën e tij që një Bruksel zyrtar, përmes Parlamentit Evropian, të krijonte një Komitet Evropian për Sanxhak, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës caktojnë një të dërguar të posaçëm për Sanxhakun në mënyrë që  vetëm përmes ndërhyrjes ndërkombëtare të zgjidhet  problemet, ndërsa  Statusi Special do të ishte çelësi i të gjitha mosmarrëveshjeve territoriale dhe politike midis popujve dhe shteteve në Ballkan.

Gjatë një interviste ekskluzive, të regjistruar në shtëpinë e Uglanin, kryesisht për respektimin e masave të jashtëzakonshme, konkludon se çdo fatkeqësi me vete sjell përfitime të caktuara dhe se ora policore, ndalimi i daljes dhe atmosfera pandemie janë një mundësi e mirë që njerëzit t’i kthehen familjeve të tyre, vetë vetës, mandej të shohim pozicionin dhe statusin objektiv në familje.

“Siç  tha një mik i yni, qe ka një javë që  jetoj me familjen time, u njoha dhe pashë që ata ishin disa njerëz të mirë. Prandaj, ka rrethana të reja, “tha Uglanin, duke dëshiruar që sa më shpejt që të pushojë gjendja e jashtëzakonshme, do të ketë më pak dëme për të gjithë qytetarët.

SNews transmetoi tërë intervistën me liderin Uglanin, përfshirë videon, të dielën më 5 Prill.

Edhe një herë Ahmedin Shkreli e nxjerr nga binarët presidentin serb Vuçic

30/03/2020 Leave a comment

Ali DACI

 

EDHE NJË HERË AHMEDIN SHKRELI E NXJERR NGA BINARËT PRESIDENTIN SERB VUÇIÇ

Ahmedin Shkreli

Ahmedin Shkreli

Ahmedin Shkreli i prish rendin e ditës presidentit serb, i cili e humb durimin duke iu kërcënuar Z. Shkreli që të mos përzihet në punët e shtetit.

Në Pallatin “Serbia” në Beograd, presidenti Vuçiç kishte ftuar në një takim partitë parlamentare por edhe ato jo-parlamentare për të marrë një vendim rreth zgjedhjeve parlamentare të paracaktuara për datën 26 prill të këtij viti. Në këtë takim duhej të merrej vendimi për mbajtjen apo shtyrjen e tyre për shkak të situatës së krijuar nga pandemie e Corona virusit. Pasi që situatën Vuçiçi po e mbante nën kontroll siç edhe është mësuar gjer më tani, që të jetë i pakontestuar në vendimet e tij, kësaj radhe i doli krejt ndryshe nga sa e kishte menduar. Shteti serb si duket do që të frikësojë popullatën jo serbe duke zbatuar orën policore në të gjithë vendin si pretekst të shfaqjes së epidemisë atje. Një gjë të tillë Vuçiçi do ta ndërmarrë edhe në Sanxhak. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i PAD-së, z. Ahmedin Shkreli, i cili iu drejtua presidentit serb, se ai nuk duhet t’i dërgojë forcat policore e ushtarake në Sanxhak, pasi populli nuk do që t’i shohë ata me sy.

Meqë Ahmedini i prishi rendin e ditës këtij presidenti anti-shqiptar e anti-boshnjak, ai u nxeh dhe humbi durimin duke e kërcënuar Z. Shkreli se ai nuk duhet të përzihej në punët e shtetit. Zoti Shkreli e vuri në lojë presidentin serb me buzëqeshjen dhe durimin e tij për çka Vuçiçi edhe e kërcënoi se do t’ia ndalë buzëqeshjen në buzë, duke ia bërë me dije se do të përdorte forcën e shtetit kundër tij. Këtu shihet shumë qartë se presidenti Vuçiç nuk është mësuar të ketë opozitë nga radhët e kombësive të tjera në Serbi, pasi përfaqësuesit e partive të tjera boshnjake ia mbajnë ison për çdo gjë që ai vendos, pa marrë parasysh nëse është në dëm të sanxhaklinjve.

Zotit Vuçiç po i vjen fundi dhe ai ndodhet në një krizë nervore me të gjithë radikalët e çetnikët në Serbi.

Me këtë Z. Ahmedin ia bëri të ditur Vuçiçit se populli i Sanxhakut nuk duron më shtetrrethimin serb, tani kinse për t’i vënë në karantinë sanxhaklinjtë.

Po ashtu, ia bëri me dije se populli i Sanxhakut nuk duhet të tregohet i dobët përballë kërcënimeve të radikalëve serbë. Fobia serbe nuk ekziston më tek boshnjakët dhe shqiptarët e Sanxhakut.

Sapo ofrohen zgjedhjet në Serbi, rriten tensionet në Sanxhak

01/03/2020 Leave a comment

Ismet AZIZI

 

SAPO AFROHEN ZGJEDHJET NË SERBI, RRITEN TENSIONET NË SANXHAK

Ismet Azizi

Ismet Azizi

Për deri sa  partitë shqiptare  në Luginë të Preshevës  janë unifikuar dhe po bëjnë përgatitje serioze  për të dal  me listë unike  për zgjedhjet parlamentare në Serbi, Sanxhaku po vlon nga ndarjet dhe urrejtjet ndërpartiake.

Votuesit në Sanxhakun verior që shtrihet në Serbi janë  të ndarë kryesisht në tre tabore përkatësisht në tre parti parlamentare.  E para e Rasim Lajiq, që në vazhdimësi është pjesë e qeverisë e cilës do qoftë , tjetra e themeluar së voni nga Muamer Zukorliq që  me çdo kusht don të jetë pjesë e  më të fortit, e që akuzon dy të tjerat se janë  parti pro qeveritare dhe ajo më e vjetra tradicionale e S. Uglanini, e cila nga këto dy të parat por edhe nga  partitë dhe qarqet qeveritare  akuzohet si parti pro shqiptare, përkatësisht e akuzuar se e ka mentorin diku në mesin e shqiptarëve.

Përderisa  Lajiq nuk brengoset shumë, sepse ndihet i sigurt,  Zukorliq po bënë përpjekje, duke shfrytëzuar  pozitën e kryetarit të Komisionit për Arsim në Parlamentin e Serbisë  të  shtrojnë ndikimin e tij në sistemin arsimor përkatësisht t’i futë nën ombrellë të tij shkollat me mësim në gjuhën bosniane ( boshnjake).

Një gjë të tillë,  ditëve të fundit  Zukorliq po mundohet ta bëjë  në të vetmen shkollë ku mësimi tërësisht zhvillohet në  gjuhën bosniane (boshnjake ) në shkollën fillore “ Avdo Megjedoviq” të  lagjes Sallakovc të N. Pazarit. Para disa ditësh ministri  i Arsimit të Serbisë, duke shkelur të gjitha kushtet e konkursit për drejtor në shkollën e përmendur, anulon zgjedhjen e drejtorit i cili ishte zgjedhur me konkurs , duke emëruar  ushtrues detyre  personin  i  cili as që kishte konkurruar për këtë pozitë.  Drejtori i emëruar ushtrues detyre  del të jetë  nga radhët e  partisë së Zukorliqit, gjë që revoltoi  mësimdhënësit dhe prindërit.

Qytetarët dhe prindërit e nxënësve të lagjes Sollakovc në N. Pazar, të pa kënaqur me vendimin e Ministrit të Arsimit të Serbisë rreth emërimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të shkollës , kanë bllokuar hyrjen dhe nuk lejojnë hyrjen e drejtorit të emërua nga Ministri.

Në lidhej me situatën e krijuar lideri i partisë së Aksionit Demokratik dhe themeluesi i Këshillit Kombëtar Boshnjak, partia e së cilit ka shumicën në këtë organ më të lartë të Boshnjakëve duhet të jep pëlqim për zgjedhjen e drejtorëve në shkolla, në një prononcim të tij për media deklaron:   “Regjimi aktual i presidentit serb Vuçiq, i modeluar nga modeli rus në Çeçeni, po përpiqet ta imponojë myftiun disa vjeçar Muamer Zukorliq   në krye të pushtetit civil si   përfaqësues special të regjimit okupues serbomadh në Sanxhak.

Sipas këtij modeli, ministri serb Sarçeviq, duke injoruar Kushtetutën dhe ligjet, vullnetin e punonjësve dhe të prindërve në një konkurs publik legat, me vendimin e tij përpiqet të imponojë ekstremistin fetar  Zukorliq për drejtor në  një shkolle fillore në Novi Pazar, e cila është shpallur me rëndësi të veçantë për boshnjakët”.

Në lidhje me gjendjen e krijuar po  japim  edhe  qëndrimin e Partisë  së  Aksionit  Demokratik  të Sanxhakut ( SDA) e cila dënon ashpër përpjekjet e ministrit serb dhe kreut të Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimi Muamer Zukorliq, gjithashtu deputet dhe kryetar i Komisionit për Arsim në Parlamentin e Serbisë, në të cilën thuhet :

Mladen Sarceviq dhe Muamer Zukorliq të cilët po përpiqen të koordinojnë veprimet e tyre t’i poshtërojnë boshnjakët. Regjimi serbomadh, me pëlqimin dhe mbështetjen e shërbëtorëve  të tij në Sanxhak, përfiton çdo mundësi për të shprehur kërcënime dhe armiqësi ndaj boshnjakëve dhe për t’iu mohuar atyre   gjuhën boshnjake.

Dje, ministri serb Sarçeviçq abuzoi me foltoren e parlamentit  për të shpreh urrejtje dhe armiqësi ndaj popullit boshnjak dhe bëri thirrje publikisht për respektim të  Kushtetutës dhe të ligjeve  që garantojnë boshnjakëve të drejtën për arsimim në gjuhën e tyre. Në këtë mënyrë, kërcënohet regjimi serbomadh dhe shërbëtorët e tij të Sanxhakut, përmes mediave dhe përhapja e dezinformatave përmes shërbimit sekret serb po u bën presion vazhdimisht punonjësve dhe prindërve të fëmijëve në Sanxhak për të heqin dorë nga të drejtat e tyre.

Ne i kërkojmë ministrit serb Sarçeviq të kërkojë falje boshnjakëve për mohimin   Identitetit të tyre kombëtar   dhe të ndalet presioni i vazhdueshëm ndaj prindërve dhe punonjësit e institucioneve arsimore ku fëmijët arsimohen në gjuhën boshnjake.

Partia e Aksionit Demokratike në Sanxhak do të marrë të gjitha masat e mundshme për ta mbrojtur kushtetutshmërinë dhe ligjet që garantojnë të drejtat e popullit boshnjak në Sanxhak”.

Xhemijeti përfaqësonte dhe mbronte interesat e shqiptarëve

27/02/2020 Leave a comment

Jusuf BUXHOVI

 

XHEMIJETI PËRFAQËSONTE DHE MBRONTE INTERESAT E SHQIPTARËVE

Jusuf Buxhovi

Jusuf Buxhovi

Për shkak të rrethanave të vështira nëpër të cilat kalonte popullata shqiptare, e cila ishte ballafaquar me diskriminim të hapur, pa përjashtuar këtu edhe dhunën dhe terrorin shtetëror që kryhej ndaj saj në emër të zbatimit të “Ligjit për mbrojtjen e shtetit” të shpallur dhe të dekreteve të tjera “kundër terrorizmit”, në Shkup u themelua partia e parë politike me emrin “Shoqata Isla-me muhavazihukug”, ose “Xhemjeti”, që ndër Shqiptarët u quajt edhe “Bashkimi”.

Kuvendi i saj themelues u mbajt më 18 dhjetor 1919. Në kuvendin themelues morën pjesë 64 pjesëmarrës. Kryetar u zgjodh Nexhip Draga, luftëtar i denjë i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (deputet në Parlamentin Osman), nënkryetar Sheh Sadedini, ndërsa sekretar Aqif Blyta. Politika zyrtare e Mbretërisë SKS kuvendin e vlerësoi “Kongres i Myslimanëve të Jugut”, të përbërë nga “Turq, Sllavë të islamizuar dhe Arnautë”.

Në të vërtetë “Xhemjeti” kishte petkun fetar (islam), orientimin turk (gazeta e saj “Hak” do të botohet në gjuhën turke dhe atë serbe), ndërsa dihej se përfaqësonte dhe mbronte interesat e shqiptarëve.

Ky maskim ishte i domosdoshëm, sepse Mbretëria SKS nuk njihte kombësinë shqiptare, ndërsa lejonte atë turke, pranonte “identitetin islam”, të cilit i lejohej pasqyrimi në planin shoqëror, kulturor, por edhe politik me të cilin duhej të eliminohej, por edhe të luftohej deri në pikë të fundit identiteti shqiptar qoftë edhe si i papranuar.

Natyrisht se brenda këtij konstrukti dhe në këto rrethana, ku “dekori i lirisë së shprehjes fetare” përjashtonte identitetin kombëtar (shqiptar), mbrojtja e interesit të Shqiptarëve, së paku në planin shoqëror dhe ekonomik, ku mbrojtja nga diskriminimi si dhe shpërngulja e organizuar, shfaqej si prioritet kryesor.

Kjo parti, megjithatë, nuk ishte në gjendje që të ruante autonominë e vetë, meqë ajo ndodhej në gërshetimin e ashpër të dy partive rivale serbe në këtë pjesë: asaj Radikale dhe Demokrate, të cilat ishin të interesuara për elektoratin e banovinave ku përfshiheshin shqiptarët (Zetës, Moravës dhe sidomos të Vardarit me kryeqendër Shkupin), por që këtë ta bëjnë disi, duke ruajtur edhe “Xhemjetin”, jo si partner koalicioni, po si një vasal, të cilit i caktoheshin detyrat dhe i jepej ndonjë shpërblim për këtë. Por, edhe si e tillë, “Xhemjetit”, zuri t’i ngushtohej hapësira, veçmas pas prononcimeve kundër shpërnguljes së Shqiptarëve dhe kërkesës për kthimin e muhaxhirëve shqiptarë, të bërë nga deputeti Ferhat Ali Draga në Parlamentin Jugosllav, të cilën ai e deponoi edhe në Konferencën e Hagës.

Kjo deklaratë shtyri Beogradin që të punojë për ta rrënuar nga brenda këtë parti me anën e krijimit të fraksioneve të ndryshme, por edhe me trysni të tjera nga jashtë, që do të çojnë te shkatërrimi i saj katër vjet më vonë, madje edhe te burgosja e Ferhat Ali Dragës.

Si rrjedhojë e këtyre presioneve, kur do të dalin në pah dy-tri fraksione, që do të kërkojnë që partia t’i kthehet çështjes fetare, në Kongresin e Dytë më 1921, partia ndërroi emrin në “Organizata Myslimane e Serbisë Jugore e Mbretërisë SKS”, gjë që tregonte qartë se Beogradi nuk dëshironte kurrfarë organizimi politik të Shqiptarëve, pos atij fetar, i cili ishte i domosdoshëm që atyre, në njërën, t’u çrrënjosej çfarëdo vetëdije kombëtare dhe në tjetrën anë, t’u forcohej ajo fetare dhe e të qenit “turq”. Me anën e saj mund të shpërnguleshin lirisht, çështje kjo që për një pjesë të popullatës që nuk mund t’i bënte ballë diskriminimit dhe dhunës së përhershme shtetërore që ushtrohej ndaj saj, ose që nuk mund t’u përshtateshin rrethanave të reja, të fitonin mundësinë për t’u larguar nga vendi.

Në përputhje me këtë orientim që iu imponua nga shteti, struktura organizative e kësaj partie, rrumbullakohet në Kongresin e Tretë, më 4 prill 1922, me ç’rast ajo tashmë kishte karakterin e një shoqate të gjerë, në të cilën përfshiheshin që të gjitha rrymat politike në të cilat ishin të përfshirë Shqiptarët pa pasur të drejtë që politikisht të identifikohen si të tillë. Kështu, në këtë kongres morën pjesë 11 deputetët shqiptarë që ishin zgjedhur në parlamentin jugosllav. Kongresi zgjodhi kryetar Qenan Zijanë nga Manastiri, nënkryetar Ismet Bej Kemalin, deputet nga Gjakova dhe arkëtar Kemal Osmanin nga Shkupi. Nga viset e Kosovës, përfaqësues në kongres ishin: nga Prishtina Haxhi Xhemajl Efendija dhe Sylejman Haxhi Efendija, nga Gjilani Hysein Agë Okllani dhe Sherif Bajrami, nga Peja Nazif Bej, nga Pazari Aqif Haxhi Ahmeti. Në Kongres mori pjesë edhe Sali Jusufi si përfaqësues i Llapit. Në Kongres u vendos që “Hak” të dalë çdo ditë në gjuhën turke, kurse dy herë në javë në gjuhën serbe. Gazeta duhej të redaktohej dhe të botohej në Beograd.

Ky përcaktim kishte rëndësi për pushtetin jugosllav, që me anën e një gazete të tillë, te Shqiptarët të imponohej vetëdija turke bashkë me atë serbe, pikërisht siç do ta thotë edhe Çubrilloviqi “Shqiptarëve t’u krijohet bindja se i takojnë Lindjes dhe vetëdijes islame”.

Para se të ndodhin këto zhvillime, Kosova dhe Maqedonia, të shpërndara tashmë administrativisht në disa qarqe të lidhura me rrethe në Serbi (të Zetës, Moravës dhe Vardarit), do të futen në zgjedhjet e para parlamentare: në ato komunale në gusht të vitit 1920 dhe ato parlamentare të 28 nëntorit 1920, të cilat njëherësh duhej të shfrytëzoheshin për demonstrimin e politikës hegjemoniste të Beogradit në këto anë, e cila duhej të shkonte në dobi të krijimit të mëtutjeshëm të psikozës për shpërnguljen e Shqiptarëve.

Në këto rrethana, në rrethet e Graçanicës, të Zveçanit, të Shkupit dhe të Manastirit, në të cilat ishin të përfshira të gjitha vendbanimet e deridjeshme të Kosovës dhe të Maqedonisë Perëndimore, në zgjedhjet parlamentare u paraqitën katër parti: Partia Radikale, Partia Demokratike, Partia Komuniste dhe “Xhemjeti”. Kjo e fundit ishte në koalicion me Partinë Radikale, dhe ia doli të fitojë tre deputetë, njëri prej tyre Shqiptar (Mehmet Ali Mahmuti). Këto katër parti fituan 18 deputetë, prej tyre 10 Serbë dhe 8 Shqiptarë. Vlen të theksohet se në Kosovë ishin 85.159 zgjedhës të regjistruar, ndërsa në zgjedhje dolën 46.561 vetë. Më së shumti deputetë fitoi Partia Demokratike 9 sish (katër Shqiptarë: Sherif Bajrami, Ramush Osmani, Sefedin Mahmutbegu dhe Ismet Karabegu), Partia Radikale fitoi tre deputetë (një shqiptar: Musa Sheh Zade), Partia Komuniste fitoi tre deputetë (një Shqiptar: Ethem Bylbyli i Zveçanit).

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1920, edhe pse do të duhej të mbeteshin në kuadër të një kornize të garës zgjedhore, megjithatë, gjatë dhe pas mbajtjes së tyre, u kthyen në një manifestim të hegjemonizmit serbomadh, ku u demonstrua fryma antishqiptare. Kjo atmosferë doli në pah, veçmas pas shpalljes së rezultateve përfundimtare. Radikalët e Pashiqit, të dëshpëruar që nuk kishin marrë më shumë se tre deputetë (kishin llogaritur se do të merrnin 12-13), do t’u kthehen metodave të njohura të qërimit të hesapeve me Shqiptarët. Këtë herë, në shkurt 1921, pasi që do të kenë demonstruar në Prishtinë dhe rrugët e tjera të qyteteve të Kosovës, duke u kërcënuar me gjakderdhje, policia e Beogradit që drejtohej nga Radikalët, me pretekst të pastrimit të vendit nga kaçakët, që ato ditë kishin vrarë një xhandar (ndonëse kjo nga popullata shqiptare nuk konfirmohej dhe thuhej se as që kishte pasur “luftë” me kaçakët siç alarmohej në të katër anët), hyri në Llap dhe bëri një gjenocid të vërtetë, duke vrarë e masakruar qindra Shqiptarë. Ngja-shëm u veprua edhe në disa qytete e katunde shqiptare, ku aksionet e xhandarmerisë të shoqëruara nga çetnikë vendorë të mbledhur rreth shoqatës “patriotike” “Bela ruka”, themeluar nga Radikalët “për mbrojtje nga terroristët”, arsyetoheshin me “terrorin” e kaçakëve.

Legjislatura e parë e cila u mblodh më 8 dhjetor 1920, solli ndryshimet e para, të cilat shkuan në dëm të demokracisë dhe në dobi të forcimit të unitarizmit, të cilin e drejtonin partitë serbe (Radikale dhe Demokrate). Këto parti imponuan kushtetutën e re, me të cilën u nxor edhe ligji “Për mbrojtjen e shtetit”, me të cilin u përjashtuan nga demokracia lëvizja punëtore dhe e majta. Me këtë ligj, po ashtu, pakicave iu ndaluan partitë politike, siç u krijua edhe një platformë diskriminuese për pjesëmarrjen e tyre politike në partitë e “popujve shtetformues”. Ndër to ishte nënshkrimi i deklaratës së lojalitetit shtetëror, deklarimi i gatishmërisë së përfshirjes në luftë “kundër terrorizmit” dhe njohja e gjuhës serbe dhe e shkrim leximit. Kjo e fundit përjashtonte një pjesë të madhe të popullatës shqiptare nga çdo aktivitet politik të kësaj natyre si dhe të drejtën për t’u zgjedhur, meqë në gishta numëroheshin ata që mund ta plotësonin këtë kusht.

Në këto rrethana, në Kosovë dhe Maqedoni filloi dhuna e Radikalëve, të cilët, si parti në pushtet, në përbërje të së cilës ishin edhe deputetet e “Xhemjetit”, ndërmori një fushatë të gjerë të demonstrimit të fuqisë si parti shtetërore, e cila kërkonte që Shqiptarëve t’u imponohej dhunshëm pa u lënë alternativë. Në përputhje me këtë përcaktim, Radikalët themeluan degët e partisë në të gjitha qytetet e Kosovës dhe të Maqedonisë, duke përfshirë dhunshëm në udhëheqjen e saj njerëzit me ndikim, por edhe të tjerët, të cilët detyroheshin të deklaroheshin se “me vullnet” i bashkoheshin kësaj partie. Falanga e saj “Bela Ruka” (njësi paramilitare çetnike e lidhur me oborrin mbretëror), sillte qytetarët nëpër tubimet e kësaj partie dhe i detyronte që të anëtarësoheshin. Madje, në këshillat vendorë të radikalëve, Shqiptarët detyroheshin që të mbanin fjalime përshëndetëse në dobi të kësaj partie.

Kjo bëri që në zgjedhjet e vitit 1923 “Xhemjeti” të futet në koalicion me Radikalët, “lidhje” kjo që ishte fare e panatyrshme dhe e dëmshme për të, por ajo ishte e imponuar dhe e paraparë që ashtu edhe të shkatërrohej. Kjo ndodhi pas dy vitesh, kur Radikalët nuk do të jenë në gjendje që t’i mbikëqyrin të gjitha veprimet e liderëve të tij, veçmas të autoriteteve, siç ishte Ferhat Ali Draga, i cili do të përpiqet që hapësirën parlamentare ta shfrytëzojë për të nxjerrë në pah gjend-jen e rëndë të Shqiptarëve si dhe dhunën shtetërore ndaj tyre.

Të njohura do të jenë qëndrimet e tij kundër shpërnguljes së Shqiptarëve në Turqi dhe reformën agrare, e cila ishte vënë në shërbim të kolonizimit të Kosovës me Serbë dhe në dëm të Shqiptarëve, por po ashtu, të njohura janë edhe deklaratat dhe protestat me rastin e dhunës së organizuar që ushtrohej ndaj Shqiptarëve nga militantët e radikalëve dhe të demokratëve si dhe të “Dorës së Bardhë”, e cila organizonte fushata “patriotike” kundër “terroristëve”, me ç’rast për militantët e saj “terroristë” ishin gjithë ata Shqiptarë që nuk pajtoheshin me politikën shtypëse të Beogradit dhe kundërshtonin shpërnguljen në Turqi. Edhe pse ishte në koalicion me Radikalët, Ferhat Draga, i cili nga Demokratët dhe të tjerët cilësohej “vegël e radikalëve”, do të fillojë të nxjerrë në pah ujdinë e këtyre dy partive “armike” në vend, rreth terrorit shtetëror në Kosovë, të cilat bashkëpunonin ngushtë në këtë çështje. Si dëshmi për këtë, para parlamentit jugosllav ai solli rastin e zgjedhjeve komunale të gushtit 1923, kur në gjithë Kosovën, veçmas në Prishtinë dhe Mitrovicë, këto parti organizuan terror shtetëror ndaj Shqiptarëve. “Të gjithë ata që përdorën terrorin gjatë zgjedhjeve komunale nuk i konsideroj as radikalë e as demokratë, sepse ata janë gjakpirës, sepse një shtypës gjithmonë është shtypës. Është turp dhe marri që ndër ne të derdhet aq shumë gjak në Prishtinë dhe Mitrovicë, dhe kjo të ndodhë ditën e zgjedhjeve”.

Me këtë rast Draga shpjegoi edhe arsyet pse ishte përcaktuar për lidhjen me Radikalët, që sipas tij ishte e pashmangshme për t’i arritur disa qëllime. “Ne prej Partisë Radikale nuk kemi kërkuar asgjë më tepër veç asaj që na garanton Kushtetuta dhe lejojnë ligjet ekzistuese. Prej tërë kësaj ne nuk kemi fituar asgjë, edhe pse Kushtetuta na garanton. Ne nuk mund të hapim shkollat në gjuhën amtare, megjithëse ligji na i lejon.”

Por, Ferhat Draga, më shumë se për të tjera armiqësohet me “aleatët” e tij pse do ta kritikojë, por edhe do ta frenojë shpërnguljen e Shqiptarëve në Turqi, këtë objektiv shumë të rëndësishëm të politikës hegjemoniste të Beogradit. Krahas denoncimit që do t’ua bëjë militantëve të shtetit, të cilët veprojnë haptas për ta terrorizuar popullatën shqiptare, siç ishte Miliq Kërsta në rrethin e Istogut, për të cilin thotë se “i armatosur deri në dhëmbë vret sipas dëshirës”, Draga do të denoncojë edhe Reformën Agrare, e cila haptas përdorej si mjet për kolonizimin e Kosovës me Serbë dhe popujt e tjerë sllavë. “Ne nuk jemi kundër reformës agrare. Le të zbatohet ajo në ato vende ku ka pak popullsi. Konsiderojmë se së pari duhet t’u jepet tokë vendasve tanë, që janë bujq e nuk kanë mjaft tokë, e pastaj ç’tepron të sillen kolonët, bujq të vyeshëm, nëse është nevoja. Por në radhët e kolonëve që sillen tash, pjesa më e madhe prej tyre, nuk janë për bujqësi, si për shembull në Dukagjin, ku ka aso rastesh që koloni merr pushkën, lahutën dhe ulet nën hije, ndërsa tokën ia punojnë Shqiptarët nën presionin e “autoritetit” të pushkës. Ka raste kur Shqiptari e mbjell, e korr dhe e bën duaj, pastaj ia beh koloni i merr duajt dhe i çon në lëmë të vet. Të gjitha këto bëhen me qëllim të caktuar që të tronditet popullsia shqiptare dhe të shpërngulen”.

Draga do të protestojë me fjalët se “problemi i pakicave, në këtë rast i Shqiptarëve, po sjell rrjedhime të kobshme për ta. Tendenca që Shqiptarët të shkrihen, nuk është e mundur të realizohet. Shkrirja e kësaj popullate dhe shpërngulja nuk do të bëhet realitet kurrë”.

Këto dhe deklaratat e ngjashme të Ferhat Ali Dragës, si dhe shkrimet e vazhdueshme të gazetës “Hak” rreth krimeve të organizuara ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, që bëheshin nën direktivat e shërbimeve speciale ushtarake dhe policore, të cilat megjithatë nuk mbeteshin pa jehonë në opinionin e brendshëm të vendit, por edhe në atë të jashtmin, bënë që “Xhemjeti”, por edhe drejtuesit e saj, Ferhat Draga dhe të tjerët, që nuk pajtoheshin me atë që ndodhte në Kosovë dhe pjesët e tjera të banuara me Shqiptarë, Radikalët dhe Demokratët (veçmas këta të parët që kontrollonin pushtetin), të fillojnë skenarin për shkatërrimin e “Xhemjetit” dhe likuidimin politik të Ferhat Ali Dragës dhe liderëve të tjerë, edhe pse ata, që nga fillimi i bashkëpunimit të detyrueshëm me këto parti, kishin fituar anatemën e “bashkëpunëtorëve” të Radikalëve, gjë që ua kishte ulur autoritetin te një pjesë e Shqiptarëve, të cilët i shihnin “vegla të tyre”.

Urdhri për rrënimin e “Xhemjetit” dhe të liderëve të tij, në radhë të parë të Dragës, erdhi nga Pashiqi, i cili kishte dërguar në Kosovë dhe Maqedoni emisarin e tij, Toma Popoviqin, që një pjesë të “Xhemjetit” nga radhët e fanatikëve myslimanë, të lidhur për klerin, ta bëjë për vete, duke e lidhur drejtpërdrejt me Radikalët. Natyrisht se kjo lidhje duhej të bëhej me premtime dhe disa favore që do t’u jepeshin atyre, ndërsa përçarja nga brenda, me akuza dhe kundër akuza të ndërsjella midis tyre, të mbetej mjet i përhershëm. Meqë ndër Shqiptarë tashmë kishin filluar t’i fusin gishtat edhe faktorët e tjerë (veçmas Kroatët të cilët kërkonin aleatë kundër prirjeve gjithnjë e më të theksuara të politikës hegjemoniste serbe), Radikalët e Pashiqit po edhe Demokratët, kërkonin që këtë ta pengonin me çdo mjet. Kjo shtoi edhe më shumë përkushtimin e këtyre partive të rrënonin çfarëdo autoriteti midis Shqiptarëve, i cili sado pak do të denjonte që skenën politike jugosllave ta shfrytëzonte për këtë qëllim. Në këtë drejtim partitë politike serbe pajtoheshin plotësisht, dhe si do të shihet, u mbetej që t’i ndanin detyrat, që kjo të arrihej sa më shpejt dhe me mjete sa më brutale, në mënyrë që me rrënimin e autoriteteve shqiptare të arriheshin dy qëllime njëherësh: likuidimi nga skena politike i atyre që ishin jashtë mbikëqyrjes serbe dhe për t’i dëshpëruar Shqiptarët me çka ata, duke humbur çdo shpresë se mund të mbijetojnë disi duke iu bashkuar aleancave në vend kundër hegjemonizmit serbomadh, do të detyrohen të shpërngulen përfundimisht. Këtu, pra del në pah, ajo që më vonë do të dëshmohet fund e krye, se për hegjemonizmin serbomadh skena politike në Kosovë, Maqedoni dhe pjesët e tjera të Jugosllavisë, nuk ishte për qëllime politike, e aq më pak për të mirën e parlamentarizmit, por për t’u demonstruar dhuna me anën e së cilës aktrimi i demokracisë duhej të kthehet në mjet për përmbushjen e programeve nacionale hegjemoniste, të shprehura qysh nga “Naçertanja” e Garashaninit për të arritur te elaboratet morbide që elita intelektuale serbe do t’i hartojë, siç ishte ai i Çubrilloviqit, që do të shfaqet pak më vonë në “Klubin Kulturor Serb”, për të cilin u bë fjalë  më parë.

Në të vërtetë, ky përcaktim, që pak më vonë do të bëhet shkaktar edhe i shkatërrimit të Jugosllavisë së Versajës, do të fillojë të sprovohet në Kosovë dhe Maqedoni dhe ndaj Shqiptarëve për t’u zgjeruar pastaj edhe ndaj të tjerëve (Kroatëve, Sllovenëve), siç do të jetë rasti edhe me likuidimin e liderit politik kroat, Stjepan Radiçit, në parlamentin jugosllav. Kjo “mostër” do të fillojë me “Xhemjetin” dhe liderët e saj kryesorë, edhe pse ata gjatë gjithë kohës do të shfrytëzohen “si partnerë” koalicioni, por që do të rrëzohen, pikërisht ngase partitë unitariste dhe hegjemoniste serbe do të kuptojnë fare mirë se edhe në rrethanat e një “bashkëpunimi” të dhunshëm me këto parti, edhe në rrethanat e një sjellje vasale të tyre, kjo jo vetëm që nuk u shkonte përshtati, por bënte të kundërtën, ngaqë te Shqiptarët, siç do të konstatojë Çubrilloviqi në elaboratin e tij të njohur “Shpërngulja e Shqiptarëve” gjendja e mbijetimit edhe si të shtypur do të “rrisë vetëdijen nacionaliste të Shqiptarëve e me të edhe irredentizmin si fenomen të pashmangshëm”.

Ky vlerësim dëshpërues, i cili politikën hegjemoniste serbe do ta drejtojë drejt hapave më radikalë, pra të zhdukjes së çështjes shqiptare me anën e dhunës shtetërore dhe të shpërnguljes në masë të tyre, siç do të veprohet në të vërtetë gjatë gjithë kohës, për Pashiqin dhe të tjerët, mund të kalonte paraprakisht nëpër disa shkallë: nga ajo e përdorimit të tyre për qëllime të partive politike serbe, siç do të ndodhë deri në vitin 1925, likuidimi i partive të tyre politike në tërësi dhe shkrirja e elektoratit shqiptar në partitë serbe, siç do të ndodhë nga vitit 1925 e deri në vitin 1938 dhe së fundi, përcaktimi për largimin e tyre të plotë nga çfarëdo animimi politik, siç do të ndodhë nga viti 1938 e deri në vitin 1941.

Megjithatë, Pashiqi dhe bashkëmendimtarët e tij, nga vitit 1925 ia dolën që të rrënojnë nga brenda “Xhemjetin”, edhe pse qysh më 1922 me ndërrimin e emrit në “Organizata Myslimane e Serbisë së Jugut në Mbretërinë SKS”, ia kishin imponuar karakterin fetar dhe identitetin turk duke e detyruar që këto t’i kutivojë vetëm brenda identitetit fetar dhe kombësisë turke, me çka duhej t’i përgatitej terreni shpërnguljes masive me anën e marrëveshjeve me Turqinë. Ky veprim, megjithatë, duhej të shoqërohej me masa të ashpra të terrorit shtetëror ndaj Shqiptarëve, në mënyrë që ato të kurorëzoheshin edhe me eliminimin dhe burgosjen e liderëve të kësaj partie. Paralajmërimin e këtij veprimi do ta bëjë gazeta “Hak”, e cila, po ashtu do ta përjetojë fatin e “Xhemjetit”. “Ka kaluar një decenie qysh se shkopi i oligarkisë radikale pa mëshirë ka rrahur e ndjekur çdo gjë që nuk kryqohet më në mënyrë radikale dhe nuk merr frymë sikundër bëjnë radikalët. Posaçërisht në kohën e fundit, ithtarët e radikalëve po armatosen për të vazhduar terrorin. Pushteti i radikalëve njihet për të keq, sepse shpërndahej prona shoqërore nga pushteti i saj, nxitej shovinizmi fisnor (popullor), ndiqeshin të gjithë njerëzit e ndershëm në anët jugore”.

Terrorin shtetëror të Radikalëve e vërteton edhe një letër e konsullit gjerman në Beograd, Wolfbeck që ia kishte dërguar Ministrisë së Jashtme gjermane, ku bëhet e ditur se para zgjedhjeve qeveria kishte filluar terrorin dhe se në të drejtpërdrejt ishin përfshirë Pashiqi dhe Pribiçeviqi. Aty thuhet se terrori i ashpër ishte evident sidomos në regjionin e Kosovës dhe të Dukagjinit.

I njëjti burim bën të ditur se terror po ushtrohej edhe ndaj këshillave të “Xhemjetit” nëpër qytete, me ç’rast shkatërrimin e tyre qeveria e arriti duke detyruar udhëheqësit e tyre që të shpërngulën në Turqi. Kishte raste, si në Gjakovë, Pejë, Istok. Drenicë dhe të tjera, që ata shpallen kaçakë.

Që të shuhet “Xhemjeti”, ose siç quhej ndër Shqiptarë “Bashkimi”, Pashiqi vendosi që së pari të burgoset Ferhat Ali Draga. Draga u burgos më 21 janar 1925 me urdhrin e prefektit të Mitrovicës, i cili ia komunikoi vendimin personalisht. Atij iu bë një gjykim i shpejtë, kryesisht politik, që e shpalli “fajtor” dhe e dënoi me 20 vjet burg. Aktakuza e ngarkoi se gjatë Luftës së Parë Botërore kishte vrarë Serbë, por pas pak u amnistua nga mbreti bashkë me Bedri Pejanin. Ai u burgos edhe në vitin 1927, por prapë u lirua nga dënimi me “anën e faljes”. Pos Dragës u burgosën edhe disa persona me autoritet. Policia ndërmori masa të gjera bastisjeje edhe ndaj disa deputetëve shqiptarë, duke vënë në shënjestër autoritetet kryesore…

Marrë nga libri MAQEDONIA, nga antika deri te koha jonë

%d bloggers like this: