Arkiv

Arkiv për Kategorinë ‘Letërsi arabe’

Arti dhe kaligrafia e gjuhës arabe

10/05/2012 Lini një koment

Bujar SPAHIU

ARTI DHE KALIGRAFIA E GJUHËS ARABE

Bujar Spahiu

Kur’ani, si në aspektin e stilit të lartë letrar si libër hyjnor me dinamizmin e tij që depërton në zemrat e njerëzve është një ndër librat themelorë qiellorë që ka ndikuar shumë dhe ka lënë gjurmë në ndjenjat, estetikën dhe artin islam.

Rrënjët e artit islam bazohen dhe burojnë nga Kur’ani Famëlartë dhe Suneti (Tradita) e Profetit Muhammed. Profeti ka thënë: “Me të vërtetë Allahu është i bukur dhe e do të bukurën”.

Arti është një nga rrugët më të rëndësishme që bën të zhvillohet shpirti dhe ndjenjat e përparimit, arti është një çelës magjik që zbulon dhe hap thesaret e fshehta, pas dyeve të hapura me të, idetë veshin rrobën e trajtës, kurse iluzionet pothuajse trupëzohen.

Arti vjen në krye të faktorëve, që me ruajtjen e botës ndiesore të njeriut, duke i treguar për çdo rast asaj bote ndiesore më të lartën e synimeve, i shtyn shpirtrat që të ndjejnë nga thellësia në thellësi. Sikur të mos ekzistonte arti në botën e ndërhyrjes dhe zbulimit të njeriut atëherë nuk do të kishim mundësi të shihnim asnjërën prej bukurive që ekzistojnë aktualisht. Dhe ata shpirtra artistë të zjarrtë do të groposeshin në tokë për të humbur me gjithë projektet, planet dhe përfytyrimet e tyre, prandaj arti është një tablo që i përshkruan njeriut thellësinë e botës së brendshme, dhe në sajë të artit ndjenjat dhe mendimet më të thella, konstatimet më të çuditshme dhe dëshirat më intime janë regjistruar sikur të ishin regjistruar në një plan dhe pothuajse janë bërë të pavdekshme.

A nuk ishte si rrjedhojë e shoqërimit të besimit prej artit që kjo botë madhështore, me faltoret e saj të ngritura, me minaret si gishta dëshmie që tregojnë botën e përtejme, dhe me motivet e dizajnet e bekuara në ballë të mermereve që konsiderohet secila prej tyre si një mesazh më vete, me artin e shumëllojshëm të shkrimit dhe me punimet e pazbehura dhe qëndismat e bukura sa krahët e fluturave, kjo botë madhështore, pra qe shndërruar në një galeri bukurish që nuk ngopesh së pari. Gjallëria e dhuntive njerëzore ka shumë lidhje me shpirtin e artit. Nuk ka dyshim se interesimi dhe konsiderata për një vepër arti i përkasin, më tepër se sa vetë veprës mjeshtërisë dhe artit në shpirtin e saj.

Është arti që e bën hekurin më të çmuar se arin, bakrin se bronzin, sigurisht në sajë të artit, mineralet më të pavlefshme shndërrohen në gjëra më të çmuara se ari, argjendi dhe diamanti, pra të gjitha artet e bukura në vijën tonë të të menduarit, janë dhurata të pavdekshme të shpirtrave të bekuar artistikë për njerëzimin.

Gjuha arabe është një ndër faktorët kryesorë që bashkoi shumë popuj në një qytetërim që u edukua e u frymëzua nga Kur’ani. Alfabeti arab u bë kështu për popujt vendas muslimane njësoj siç u bë alfabeti latin për popujt e krishterë të Perëndimit. Por ndryshimi mes gjuhës latine dhe asaj arabe, është se shkrimi arab nis nga e djathta në të majtë. Shkrimtarët arabë përdornin si mjete shkrimi pena të kuqe (kalem) ose furça të posaçme për të shkruar dhe për shekuj të tërë ka qenë një nga artet më të respektuara. Po të flasim në përgjithësi, në shekujt e parë të Islamit ka pasur dy lloje të dallueshme shkrimi: kursij dhe kufij. Në shek. XI shkrimi kufij doli nga përdorimi, duke u zëvendësuar nga një lloj i ri shkrimi i quajtur nas’hi që u përdor gjerësisht në kopjimin e Kur’anit dhe që ishte ndoshta shkrimi më i përhapur në botën arabe. Shkrime të dallueshme u zhvilluan në rajone të veçanta. Në Spanjë shkrimimagribi (perëndimor), u zhvillua dhe u bë shkrimi standard për Kur’anin në Afrikën Veriore. Një kontribut të veçantë për kaligrafinë arabe kanë dhënë Persia dhe Turqia. Këta dy popuj adoptuan alfabetin arab për gjuhët e tyre, dhe kjo i mundësoi atyre zhvillimin e kaligrafisë dhe artit, ku u krijua shkrimi taliki tek persianët dhe ai divani tek turqit. Me gjithë vështirësinë e shkrimit dhe vështirësitë në të lexuar, një gjë e veçantë në kaligrafi është edhe tugra osmane me një kompozim të ndërlikuar. Në kaligrafinë arabe shfaqet një profesionalizëm i mirëfilltë ku përveç pergamenëve, papiruseve dhe letrës i gjen të shkruara në gur, mure, pllaka qeramike, në xhami dhe objekte monumentale.

Në shek. XVII u përhap jashtë mase shkrimi osman ‘Divani’ ku pëlqehej shumë nga kancelaritë osmane dhe përdorej shumë për qëllime dekorative.

Shkrimi hurr është shkrimi më i ri kaligrarik i kohëve tona që u zhvillua në pjesë të ndryshme të botës arabe gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar, dhe i cili është elegant dhe shumë i stilizuar.

Shkrimi kufij është triumfues i kohërave të hershme të Islamit. Ai u krijua pas themelimit të dy qyteteve muslimane të Basrës dhe të Kufes në Irakun e sotëm në dhjetëvjeçarin e dytë të shek. I hixhri. Ky shkrim ka masa specifike të përpjesshme, së bashku me kënde të theksuara dhe forma katrore. Ai u bë i njohur si el-hat el-kufij. Shkrimi kufik pati një ndikim të thellë në të gjithë kaligrafinë dhe artin islam.

Shkrimi nas’hi është një nga shkrimet e hershme që u zhvillua në botën islame. Ai pati një ndikim të madh në popull dhe stili i tij paraqet një linjë me të vërtetë ritmike, ku më vonë u reformua në një shkrim estetik të pranueshëm për Kur’anin Famëlartë i cili ishte i lehtë në të shkruar e në të lexuar.

Shkrimi rika ose rukah (faqe e vogël) është rrjedhojë e shkrimit nas’hi dhe thuluthi dhe është më i thjeshtuar dhe është pëlqyer shumë nga kaligrafët osmanë i cili më vonë u bë shumë i përdorur dhe i popullarizuar në dorëshkrime.

Shkrimi talik (i varur) mendohet të jetë zhvilluar nga persianët nga një shkrim i vogël i hershëm arab i quajtur ‘Firamuz’. Taliku, që njihet gjithashtu edhe si farisi, është një shkrim i thjeshtë kursiv që me sa duket është në përdorim qysh nga fillimi i shek. IX. Kaligrafi Abdul-Haj nga qyteti i Astarabadit, duket se ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpunimet e hershme të këtij shkrimi. Ai u nxit nga patroni i tij Sheh Ismaili që të formulojë rregullat themelore të shkrimit talik. Ky shkrim edhe sot parapëlqehet shumë nga arabët dhe është stili kaligrafik autokton ndërmjet muslimanëve turq, persianë dhe indianë.

Nastalik - kaligrafi persian Mir Ali Sulltan Tabrizi përpunoi nga shkrimi talik një tjetër lloj shkrimi më të lehtë dhe elegant, i cili u bë i njohur nën emërtimin nastalik. Fjala nastalik është një kompozitë që rrjedh nga fjalët nas’h dhe talik. Megjithatë kaligrafët turq dhe persianë vazhduan të përdorin talikun si një shkrim monumental në raste të rëndësishme. Shkrimet talik dhe nastalik janë përdorur gjerësisht për kopjimin e antologjive poetike persiane, këngët epike, në miniaturat dhe në punimet letrare, por jo për kopjimin e Kur’anit Famëlartë.

* Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 1/1, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2008, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”. www.acfos-albania.org & acfos_albania@yahoo.com

Roli i fisnikërisë shqiptare në zhvillimin kulturor të vendit

06/05/2012 Lini një koment

Dr. sc. Nehat KRASNIQI

 

ROLI I FISNIKËRISË SHQIPTARE NË ZHVILLIMIN KULTUROR TË VENDIT

Prof. Dr. Nehat Krasniqi

Prof. Dr. Nehat Krasniqi

Tri arsye themelore më kanë shtyrë që të merrem me këtë temë: e para, është se fisnikëria shqiptare ka luajtur rol parësor dhe të pazëvendësueshëm në zhvillimet kulturore islame në trojet shqiptare, pothuaj gjatë tërë periudhës osmane, më saktë deri në fund të dekadës së tretë të shek. XIX, por rolit të saj nuk i është dhënë vendi i merituar në shkencë; e dyta, është qëndrimi anashkalues i institucioneve shkencore shqiptare, që mbahet ndaj trashëgimisë kulturore shqiptare me frymë islame, përgjithësisht. Ky qëndrim ka varfëruar shumë atë pjesë të trashëgimisë kulturore.

Edhe pse roli i fisnikërisë shqiptare në zhvillimet kulturore të vendit nuk është trajtuar më parë si temë e veçantë, megjithatë janë publikuar punime, të cilat sjellin informacione deri-diku të mjaftueshme për këtë temë. Do veçonim këtu kontributet e studiuesve: H. Kaleshi[1], E. Vlora[2], K. Frashëri[3], S. Rizaj[4], V. Buharaja[5], J. Rexhepagiq[6], F. Duka[7], H. Bushati[8], N. Krasniqi[9], M. Asimov[10], R. Vërmica[11], M. Kiel[12] etj. Nga literatura e zgjedhur turke po veçojmë enciklopeditë, si: Kamus-ul’a‘lam e Samiut, Sicill-i osmani e Mehmed Süreyyas, Islam ansiklopedisi, Türk ansiklopedisi; biografitë dhe biobibliografitë e poetëve (tezkiretu’ş-şuara) të autorëve Sehi, Latifi, Salim, Riza, Bejani, Kënali-zade Hasan Çelebi, Mehmed Tahir Bursallë, Ali Emiri e të tjerë, Seyahatnamen e Evliya Çelebisë, veprën e E. H. Ayverdit: “Vepra të arkitekturës osmane në Evropë”, si dhe sallnamet e katër vilajeteve shqiptare, të cilat ofrojnë informacione me vlerë. Burime informacionesh të rëndësishme, për këtë temë, kemi pasur edhe Koleksionin e dorëshkrimeve orientale të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, si dhe koleksionet e dorëshkrimeve orientale të bibliotekave speciale dhe familjare në Kosovë dhe jashtë saj.

* * *

Depërtimi osman në tokat shqiptare, që filloi nga dekada e tetë e shekullit XIV, dhe instalimi i pushtetit osman në këto toka gjatë dekadave të mëpastajme, krijuan kushte për një varg procesesh, që lidhen ngushtë me zhvillimin etnik dhe historik të shqiptarëve. Konfirmimi i vasalitetit të një vargu fisnikësh shqiptarë ndaj sulltanëve osmanë dhe fillimi i pranimit të fesë Islame prej tyre dhe vartësve të tyre, iu hapi rrugën e integrimit shumë të shpejtë në jetën shoqërore të Perandorisë Osmane. Sistemi i ashtuquajtur “gulam-i mir” u mundësonte djemve të fisnikërisë shqiptare, të veçuar si shtresë shoqërore dhe të formuar qysh në periudhën paraosmane, që të edukoheshin në institucionin më të rëndësishëm, në “Enderun-i Humajun”, ku përgatiteshin kuadro për funksionet më të larta administrative shtetërore. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kanë mbaruar shkollimin në Enderun-i humaju, apo nëpër institucione të tjera arsimore osmane dhe kanë arritur pozita të ndryshme ushtarake e administrative, përfshirë këtu edhe pozitën e sadr-i a‘zamit, (kryeministrit të shtetit osman). Ata dhe sidomos pasardhësit e tyre, pastaj, u bënë shtresa drejtuese e vendit dhe bartësit e shartuesit kryesorë të kulturës islame në trojet shqiptare. Sipas të dhënave që kemi, nga gjiri i popullit shqiptar kanë dalë 39 kryeministra, 14 admiralë, 9 ministra të financave, 3 sheyh’ul-islamë, shumë vezirë, pashallarë, beglerë, sanxhakbeglerë, valinjë, myteselimë, mir-i miranë, si dhe rreth 400 poetë e shkrimtarë e shumë myderrizë, myftilerë, kadilerë, naibë, e të tjerë.

Disa dyer të mëdha shqiptare, si: Skurajt, Mahmut-begollët, Vlorajt, Asllan-pashallitë, Sinan-pashët, Bushatllinjët, Kurt-pashët, Bargjinollët, Hoxhollët, Rrotllat, Rexhep-pashët, Gjinollët, Toptanët, Biçakçinjtë, Tepelenasit etj., fituan të drejtën e trashëgimit familjar të posteve, ofiqeve dhe gradave të larta shtetërore, duke ushtruar pushtet, pothuaj, autonom në njësi të ndryshme administrative brenda hapësirës etnike shqiptare. Këto dyer të mëdha kanë pasur të gjitha tiparet dhe rolin e një fisnikërie të mirëfilltë shqiptare. Pikërisht në këto dyer janë përpunuar idetë jetike për fatin historik të popullit shqiptar.
Roli dhe kontributi i fisnikërisë shqiptare, në drejtim të zhvillimit të kulturës dhe të civilizimit islam ndër shqiptarët ka qenë i gjithanshëm, i shumëllojshëm dhe vendimtar për këto zhvillime. Ai është shfaqur kryesisht në këto pika:
1. Kanë themeluar një varg kasabash të reja, duke futur frymën e urbanizmit oriental islam.
2. Kanë themeluar një varg institucionesh fetare, kulturore e arsimore, përpunohej, krijohej dhe kultivohej kultura shqiptare me frymë islame dhe prej nga përhapej ajo.
3. Kanë përkrahur dhe kanë inkurajuar dijetarët, letrarët dhe artistët.
Ndër kasabatë më të rëndësishme shqiptare që ka themeluar fisnikëria vendëse janë: Korça, Kavaja, Gjakova, Kaçaniku, Tirana, Peqini, Zinova, Rogova etj.
Korça statusin e kasabasë e ka fituar pas ndërtimeve dhe vakufimit të objekte prej Iljaz Bej Mirahorit në vitin 1495. Iljaz beu i njohur edhe si Koxha Mirahor, është lindur në Panarit[13]. Si fëmijë i krishterë me emrin Ilo, u mor devshirme, kur Sulltan Murati II hyri në Shqipëri. U shkollua dhe u aftësua në Enderun-i Humajun në Edrene që ishte kryeqendër e Perandorisë Osmane. Pas shkollimit ai pati një karrierë të bujshme. Një kohë ka shërbyer si oficer i trupës së jeniçerëve. Fitoi famë si luftëtar trim, sidomos në luftën për marrjen e Konstantinopolit nga ana e Sulltan Mehmetit II, më 1453. Për aftësitë që tregoi, sulltani e gradoi bej. Iljaz beu ka qenë vali në disa vilajete osmane. Në vitet 1460-65 ai ka qenë vali i Janinës[14]. Në kohën e Sulltan Mehmet Fatihut arriti pozitën e Mirahorit. Vitet e pleqërisë Koxha Mirahori i ka kaluar në Korçë, ku dhe ka vdekur në vitin 1500-501. Është varrosur në tyrben pranë xhamisë që vet e ka ndërtuar. Iljaz bej Mirahori në Korçë përveç xhamisë ka ndërtuar edhe një medrese, një imaret (kuzhinë ku ushqeheshin të varfrit falas)[15], një teqe të tarikatit halveti, disa dyqane që përbënin pazarin, i cili ishte nga më të bukurit në Shqipëri. Ai është ndërtuar me gurë të gdhendur e me qepena të hekurta, në dy anët e lumit Morava[16]. Iljaz beu në Korçë ka ndërtuar edhe një hamam. Zbukurimet e xhamisë së Iljaz beut dhe mbulesa e plumbtë është bërë nga pasardhësi i tij, Mehmet beu në vitin 1572.
Kavaja ka arritur të promovohet kasaba në vitin 1561 pas ngritjes së Xhamisë së Vjetër dhe objekteve të tjera nga Ali Hajdar Beu. Xhaminë Kubelije të Kavajës e ka ndërtuar pasardhësi i Ali Hajdar beut, Kapllan pasha, në vitin 1735[17]. Nga dera fisnike e Kavajës ka pasur edhe poetë të shquar, njëri prej tyre ka qenë “Tevfik” Kavaja. “Tevfik” Kavaja ka ndërtuar, në vitin 1817, sahat-kullën (kullën e orës) shumë të bukur të Kavajës[18]. Mësimet i ka vijuar në Shkodër e Tiranë ku, përveç tjerash, ka zotëruar shumë mirë poetikën dhe stilistikën. Vdiq në vitin 1260 H. / 1844, duke lënë një përmbledhje poezish.. Ka njohur mirë krijimtarinë poetike të poetëve shqiptarë nga qytetet fqinje me Kavajën, gjë që e dëshmojnë poezitë nazire (imituese).
Gjakova ka fituar statusin e kasabasë me objektet që ka ndërtuar dhe ka dhuruar Sylejman Hadim-aga, nga fshati Guskë i rrethit të Gjakovës. Ai në vitin 1003 H. / 1594 ka dhuruar një xhami, që njihet me emrin Xhamia e Hadumit, një mekteb (shkollë), një bibliotekë, një muvakit-hane (objekt për matjen e kohës dhe për caktimin e kalendarit me ndihmën e kuadranteve astrolabike), një hamam, një han dhe disa dyqane. Për mirëmbajtjen e këtyre objekteve, ai pastaj ka kërkuar nga Sulltani që t’i bashkëngjiten vakëfit të tij një varg tokash nga haset sulltanore dhe të ardhurat e tyre të përdoren për mirëmbajtjen e objekteve dhe pagimin e personelit të angazhuar me punë në këto objekte. Zhvillimi i arsimit dhe kulturës në Gjakovë gjatë periudhës osmane nuk mund të merret me mend pa kontributin e familjes Kurtpasha. Pinjollët e kësaj familjeje kanë ndërtuar pothuaj të gjitha objektet e kultit dhe të kulturës islame në Gjakovë. I pari pashë i kësaj dere fisnike ka qenë Kurt Pasha, muhafiz i Ujvarit në vitin 1663. I biri i tij, Hasan Pasha, ka qenë pjesëmarrës aktiv në luftërat austro-turke. Në vitin 1694, Hasan Pasha ka qenë mytesarrif i Shkodrës. Mbi njëzet pasardhës të Kurt Pashës, kanë arritur gradën pasha. Disa prej tyre u dalluan si mbështetës të zhvillimeve kulturore e arsimore në Gjakovë. Mahmud Pasha, i biri i Hasan Pashës, ka ndërtuar xhaminë dhe mektebin në qendër të Gjakovës që mban emrin e tij. Murad Pasha, i biri i Adem Pashës, (vd. rreth vitit 1748), ka ndërtuar dhe ka dhuruar Medresenë e Madhe dhe Teqenë e Madhe të saadinjve në Gjakovë[19]. Këto dy objekte kanë qenë institucionet më të rëndësishme kulturore edukative të Gjakovës. Myderriz i parë në Medresenë e Madhe të Murad Pashës në Gjakovë, ka qenë Yvejs efendiu nga Shkodra. Ndërsa shehi i parë i Teqesë së Madhe ka qenë Sylejman Axhiza Baba, po nga Shkodra[20].
I ati i Murad Pashës, Adem Pasha, në ato vite, ka qenë mytesarrif në disa sanxhaqe shqiptare. Në vitin 1694 ka qenë mytesarrif i Ohrit, në vitin 1696 mytesarrif i Elbasanit, në vitin 1697 përsëri mytesarrif i Ohrit, ndërsa në vitin 1699, kur Axhiza Baba vjen në Gjakovë, Adem Pasha ishte mytesarrif i Shkodrës[21]. Shejh Sylejman Axhiza Baba në Gjakovë ka ardhur në vitin 1699 dhe ka filluar aktivitetin për ngritjen shpirtërore të masave dhe për përhapjen e tarikatit Saadi, tarikat ky, deri atëherë i papranishëm në trojet shqiptare. Objektet që Murad Pasha ndërtoi, kanë rëndësi të veçantë kulturo-arsimore dhe fetare. Teqenë e Madhe Murad Pasha e ka ndërtuar në vitin 1714, siç konfirmon Axhiza Baba me një tarih (kronogram) në Divanin e tij[22]. Ndërsa vakufimi i saj dhe i objekteve tjera që ka ndërtuar Murad Pasha, është bërë në vitin 1732. Axhiza Baba, në Divanin e tij i ka kushtuar një poezi lavdëruese Mehmet Pashës së Gjakovës, nga e cila kuptojmë se ai, në vitin 1717, përkrah Mehmet Pashë Gjakovës ka marrë pjesë në luftën kundër venedikasve që është zhvilluar në Ulqin[23]. Axhiza Baba ka vdekur në Prizren në vitin 1747-48.
Murad Pasha ka qenë mecen i vërtetë i dijetarëve dhe intelektualëve të kohës. Ai edhe vetë ka qenë njeri i ditur dhe i penës, gjë që vërtetojnë dorëshkrime të cilat ruhen nëpër disa koleksione në Prishtinë, Gjakovë dhe Sarajevë. Nga dera fisnike e Kurtpashëve dolën dijetarë dhe poetë, si: Sejfedin Pasha, i biri i Ali Pashë Gegës (vd. 1790); Ahmed Kurd Pasha ( vd. 1827) dhe Mustafa Pasha (i biri i Sejfedin Pashës). Sejfedin pasha i parë ka ndërtuar një xhami e cila quhej Xhamia e Sefës. Edhe zonjat Sofa dhe Hanka, të cilat kanë qenë nga kjo derë fisnike, kanë ndërtuar nga një xhami në Gjakovë.
Kaçaniku ka marrë statusin e kasabasë në vitin 1003 H. / 1594 kur Koxha Sinan Pasha, i biri Ali begut, i lindur në Topojan të Lumës, ndërtoi aty xhaminë, një hamam, një shkollë, një imaret dhe dy hane. Sinan Pasha gjatë periudhës 1580-1596 ka zënë pozitën e vezir-i azamit pesë herë.
Sinan Pasha dhuroi një varg objektesh fitimprurëse: 12 dyqane në Shkup, një hamam në Prishtinë, si dhe pasuri tjera të paluajtshme në disa fshatra të Shkupit, në disa fshatra të Kosovës, në Lumë, në Shqipërinë jugore, në Ulqin e gjetiu[24]. Edhe djali i tij, Mehmed Pashë Kaçaniku (vd. 1605) themeloi një varg vakëfesh. Në vitin 1601 ai ngriti një xhami në Shkup. Po në Shkup, ndërtoi një shkollë. Mehmed Pashë Kaçaniku ka ndërtuar edhe një bibliotekë dhe një teqe në Shkup[25]. Titujt e librave të bibliotekës, i ka shënuar në vakufname. Po ky vakif ka ndërtuar edhe një xhami dhe një shkollë në Gostivar, kurse për mirëmbajtjen e tyre ka vakufuar një karavansaraj dhe një hamam në Gostivar.
Tirana e ka fituar statusin e kasabasë falë objekteve që i ka ndërtuar dhe i ka dhuruar Sylejman Pashë Bargjini, nga fshati Mullet[26]. Ai, para se të vritej në luftë në vitin 1o24 H. /1614, ka ndërtuar xhaminë, e cila njihej me emrin Xhamia e Vjetër, një hamam, një imaret, një furrë dhe sarajin e tij. Sylejman Pashë Bargjini ka qenë i zoti i penës dhe i shpatës. Ka shkruar poezi në të tri gjuhët e orientit islam: në arabisht, në persisht dhe në osmanisht. Në poezitë e tij, Sylejman Pasha ka përdorur pseudonimin poetik “Halimi”, që ka domethënien “i buti”; “i mëshirshmi”[27]. Në poezitë e “Halimi” tiranasit reflektojnë shpirtmadhësi, butësi dhe shije artistike të hollë. Ndërsa me xhaminë e tij, ndërtimin e së cilës vetë e ka projektuar dhe e ka mbikëqyrë,[28], ka promovuar një stil autentik të xhamisë shqiptare. I biri i Sylejman “Halimi” Pashë Bargjinit, Ahmet Pasha, në vitin 1633 i ndërtoi minarenë xhamisë dhe një krua pranë saj[29].
Djali i Ahmet Pashës, Ibrahim Pashë Bargjini dhe i biri, Kahraman Beu, që prej kohësh ishin angazhuar në lëvizjet kryengritëse të Bushatllinjëve, si përkrahës, por edhe si miq familjarë të tyre.(Zonja e Mahmud Pashë Bushatit ka qenë e bija e Ibrahim Pashë Bargjinit, më vonë edhe bija e Ibrahim Pashë Bushatit u martua me Ahmet Pashë Bargjinin II). Ibrahim Pashë Bargjini u burgos nga pushteti osman dhe, më vonë, u ekzekutua në burgun e Jedi-kules, në vitin 1788, me pretekst se nga burgu ka komunikuar msheftas me dhëndrin e vet, Kara Mahmud Pashën, të shpallur fermanli nga Sulltani dhe të rrethuar në Kalanë e Shkodrës[30].
Rol të veçantë në zhvillimet kulturore në Tiranë dhe më gjerë kanë lozur pasardhës të themeluesit të këtij qyteti nga vija femërore. Mehmet Molla Beu në vitin 1208 h./ 1793 hodhi themelet e xhamisë më të bukur të Tiranës, e cila sot njihet me emrin Xhamia e haxhi Ed’hem Beut. Kështu e mori emrin, sepse Mehmet Molla Beu nuk arriti ta përfundojë ndërtimin e saj deri sa qe gjallë dhe, pas vdekjes së tij në vitin 1223 h./ 1808, i biri, Haxhi Ed’hem Beu, e përfundoi ndërtimin dhe dekorimin e saj në vitin 1236 h./1820. Këto të dhëna i përmban mbishkrimi i vendosur mbi portalin e jashtëm të saj. Autor i këtij mbishkrimi është Haxhi Ymer Mustafa Kashari, i cili, në krijimtarinë e vet poetike, përdorte pseudonimin “Suzi”, e jo poeti turk Ahmed “Suzi” nga Sivasi, siç supozon M. Kiel[31]. Një mbishkrim tjetër është skalitur mbi portalin e brendshëm të xhamisë. Autor i këtij mbishkrimi është poeti, dijetari dhe arsimtari tiranas Ibrahim Alltiparmak efendiu, i cili, në krijimtarinë e vet poetike, përdorte pseudonimin “Muznib”, e jo “një farë Zija”, siç shkruan K. Frashëri[32]. Ibrahim “Muznib” Alltiparmak efendiu ka qenë mësues i djalit të Haxhi Edhem Beut, Ali Riza Beu, i lindur në vitin 1832[33]. Pas ndërtimit të minares së xhamisë, të sofasë dhe pas zbukurimit të interierit dhe eksterierit të saj, Haxhi Ed’hem Begu ndërtoi kullën e sahatit dhe medresenë. Vitin e përfundimit të ndërtimit të kullës së sahatit 1238 h./1822, e ka shënuar poeti krutan Shaban “Hulusi” Bej Toptani (vd. 1833) në një poezi përhajruese me kronogram, të cilën ia ka kushtuar Haxhi Ed’hem beut[34]. Nuk kemi gjetur askund vitin e ndërtimit të medresesë së Haxhi Ed’hem Beut, por mund të supozojmë se ndërtimi i saj nuk do të ketë shkuar më vonë se viti 1825. Haxhi Ed’hem Beu (1783-1848) ka qenë poet mjaft prodhimtar. Ka përdorur dy pseudonime poetike: “Shehidi” dhe “Vefaji”. I takonte tarikatit bektashi, e jo atij kaderi, si thotë K. Frashëri[35]. Ai, madje, pas largimit nga Tirana, afër dhjetë vjet (1808-1818) ka qëndruar në Karaağaç në dergjahun bektashi të Mustafa Fatih Babës, ku ka shërbyer si postneshin (Baba) i këtij dergjahu[36]. Një Divan i Haxhi Ed’hem Beut gjendet në Bibliotekën Universitare të Stambollit, me numrin e signaturës Ty 1017.
Në Tiranë kanë jetuar dhe vepruar edhe tre poetë dhe shehlerë kaderi, të cilët kanë bërë aso kohe. Ata janë Sheh Rexhep “Lisani”, Sheh Selim “Halimi” dhe Hasan “Hadim” Tirana.
Sheh Rexhep “Lisani” Tirana (1670-1789), ka qenë sheh dhe poet i dalluar tiranas. I ati quhej Dervish Kubati, që nga mbiemri kuptohet se ka qenë me prejardhje nga fshati Kubat. Ka jetuar e vepruar në Tiranë, ku plot shtatëdhjetë vite qëndroi në postin e shehit të tarikatit kaderi[37]. Vdiq në Tiranë në moshën 119 vjeçare, më 1789[38]. Në krijimtarinë e tij letrare Sheh Rexhepi nënshkruhej me emrin poetik “Lisani”. Ai ka qenë një sheh shumë i ditur dhe i ngritur.
Sheh Selim “Halimi” Tirana (1793-1853) u lind në Tiranë. Është djali i Sheh Junus Efendiut dhe nipi i Sheh Rexhep “Lisani” Efendiut. Mësimet fillestare i mori në vendlindje, pastaj mësoi edhe nga i ati. Ndërsa mësimet e larta dhe ato speciale nga fusha e tesavufit, i vazhdoi në Dibër, te dijetari dhe shehu i njohur kaderi, Sheh Osman Efendi Dibra. Pasi mori nga ai hilafetnamen (diplomën për sheh) dhe veshi hërkën (rrobën e shehit), u kthye në Tiranë. Pas vdekjes së të atit, në vitin 1831, Sheh Selim “Halimi” zuri postin e tij. Këtë post ai e ka mbajtur 23 vite rresht, deri kur vdiq në vitin 1853. Është varrosur në tyrben pranë teqesë së kaderive në Tiranë. Sheh Selim “Halimi” Tirana kishte njohuri solide nga fusha e fikhut (e drejta e sheriatit). I zotëronte të tri gjuhët orientale: arabishten, persishten dhe osmane. Ka shkruar poezi në këto tri gjuhë, por tarihi (poezia jetëshkrimore) në gjuhën perse, të cilin ia kushtoi gjyshit të tij, Sheh Rexhep “Lisani” Efendiut, është një dëshmi e qartë se në çfarë shkalle të lartë zotëronte këtë gjuhë dhe letërsinë e poetikën orientale përgjithësisht. Përveç poezive të shumta që ka lënë në gjuhët orientale, Sheh Selim “Halimi” ka bërë edhe komentimin e disa veprave të njohura mistiko-filozofike, siç është vepra e Abdyl-Kadër Gjejlaniut “Tuhfetu’l-gajb”. Komentimin e kësaj vepre e ka përfunduar në vitin 1242 H./1826.[39] Për këtë dijetar e poet, të dhëna jetëshkrimore me interes sjell poeti tiranas Said Efendiu, i biri i Haxhi Ymer “Suzi” Kasharit, me mersijen (elegjinë) kushtuar Sheh Selimit me rastin e vdekjes.[40]
Hasan “Hadim” Tirana (vd. 1805) ka qenë sheh i kaderive dhe poet i letërsisë se teqeve. U lind në Tiranë ku edhe vijoi shkollimin. Mësime speciale nga fusha e tesavufit dhe e ngritjes shpirtërore mori nga dijetari dhe gnostiku më i madh tiranas i asj kohe, Sheh Abduselam Tirana (vd. në vitin 1776), i njohur me atributin e lartë “Shejhu’l-islam”.[41] Hasan “Hadim” Tirana nga ky dijetar i famshëm mori, po ashtu, hilafetnamen për sheh kaderi. Ai kishte themeluar një hanikah (teqe) në Tiranë, ku mblidheshin ithtarët e rendit kaderi, të cilët i mësonte dhe edukonte në frymën e këtij rendi. Pas një veprimtarie mbi dyzetvjeçare, ka vdekur në Tiranë në vitin 1805 dhe është varrosur në tyrben pranë hanikahit të tij[42]. Ka shkruar shumë poezi të karakterit mistiko-filozofik në të tri gjuhët orientale.
Peqini ka arritur të promovohet kasaba falë objekteve që ka ndërtuar dhe dhuruar Abdurrahman Pashë Peqini, nga fshati Çicul (Vd. 1687). Abdurrahman pasha në vitin 1666 ka ndërtuar një xhami, një hamam, shtatë kroje, hane, dyqane, ura etj. Abdurrahman Pasha ka qenë i afërm i Hoxha –zade Hasan Pashës. Në vitin 1669 u bë aga i jeniçerëve. Në vitin 1674 fitoi gradën e vezirllëkut dhe pozitën e valiut të Bagdadit. Prej atje, më 1679 shkoi në Egjipt, kurse në vitin 1681 u emërua vali i Bosnjës. Në vitin 1682 ishte muhafiz (komandant) i kalasë së Kamenicës, kurse në vitin 1684 u bë vali i Budimit. Në vitin 1685 qe komandant i ushtrisë osmane në Hungari dhe, po atë vit, shkoi vali në Halep. Në vitin 1686 shkoi vali në Budim, për herë të dytë dhe atje, më 26 gusht 1687, është vrarë në luftë, në moshën 80 vjeçare. Ai, përveç vakëfeve që ka lënë në Peqin, ka rindërtuar edhe tyrben e Ma’ruf-i Kerhit në Bagdad[43].
Nga kjo derë kanë dalë veprimtarë të shquar shoqërorë dhe kulturorë, si Xhafer “Sadik” Pashë Peqini (vd. 1834). Xhafer Pasha u lind në Peqin, qytezë kjo që, atëherë, binte nën juridiksionin e Vilajetit të Shkodrës. Ai rrjedh nga një familje fisnike peqinase, e cila luajti rol parësor në themelimin dhe zhvillimin e kësaj qyteze. I ati i Xhaferit, Sylejman Pashë Peqini (vd.1820), ishte një nga autoritetet e vendit. Stërgjyshi i Xhaferit, Abdurrahman Pashë Peqini (vd.1687), ndërtoi dhe një varg objektesh të rëndësishme, të cilat Peqinit i dhanë tiparet dhe statusin e një qyteze. Mësimet e para, Xhaferi i mori në vendlindje, ndërsa studimet i ka vijuar në Shkodër. Në Shkodër mori mësime nga myderisi shkodran me famë, Myrteza “Safi” Efendiu, si dhe nga dijetarë të tjerë shkodranë[44]. Pas vdekjes së babait, Xhaferi kthehet në Peqin, ku, më 1821, u emërua mydyr (prefekt) i kësaj qyteze. Për aftësitë administrative, por edhe ushtarake, që tregoi Xhaferi, pas një viti, fitoi gradën vezir. Në vitin 1827, Xhafer Pasha u emërua mytesarrif i Maçinit (tani Dobruxha në Rumani), në vitin 1829 u emërua guvernator i Inebahtit (Lepanto) dhe, po atë vit, u emërua vali i Karlli-ilit. Në luftërat që ndodhën atëherë në vilajetin e Karlli-ilit, Xhafer Pasha mori pjesë dhe tregoi aftësi të rralla ushtarake[45]. Në vitin 1833 ai shkoi në Stamboll ku u prit në audiencë te Sulltan Mahmudi II[46]. Një vit më pas (1834), Xhafer Pasha vdiq.
Xhafer Pasha në shkrimet e tij ka përdorur pseudonimin poetik “Sadik”. Një gazel i Sadikut është botuar nga biografi i parë i tij, Ali Emiri. Përndryshe, vepra e tij letrare ka mbetur në dorëshkrim dhe ruhet në bibliotekën popullore (Millet Kütüphanesi) në Stamboll. Ajo është e përmbledhur në një divan në të cilin gjejmë poezi të Xhafer “Sadik” Pashës të shkruara gjatë kohës së sundimit të tre sulltanëve osmanë: të Selimit III (1789-1807), të Mustafës IV (1807-1808) dhe të Mahmudit II (1808- 1839).[47] Xhafer Pasha ishte poet, por edhe stilist i dalluar, ishte njeri i vendosur, i edukuar dhe fisnik. Tek ai pikasnin atributet më të mira njerëzore. Poet i njohur peqinas ka qenë edhe vëllai i Xhafer Sadik Pashës, Ibrahim Fehmi bej Peqini (vd. 1853). Biobibliografët dhe autorët e antologjive të ndryshme të letrarëve osmanë ofrojnë pak të dhëna për këtë poet, madje, e ngatërrojnë me ndonjë person tjetër.
Përveç këtyre kasabave (qytezave) që u përmenden më lart, ka pasur edhe vendbanime të tjera që kanë arritur statusin e kasabave, por, për arsye të ndryshme, ato nuk kanë njohur një zhvillim progresiv dhe, me kalimin e kohës, e kanë humbur këtë status. Vendbanime të këtilla kanë qenë Zinova e Opojës dhe Rogova e Hasit.
Zinova statusin e kasabasë e ka fituar falë ndërtimeve dhe vakufimeve të Mehmet Kukli-begut. Kukli-begu ka qenë njëri nga legatorët më të rëndësishëm shqiptarë. Me objektet që ka ngritur, e ka ndihmuar shumë zhvillimin e kulturës islame ndër shqiptarët e sanxhakut të Prizrenit dhe më gjerë. Nga vakufnameja e tij, e legalizuar në vitin 1538, në Prizren, shohim se ai ka vakufuar këto objekte: 2 xhami, 1 mesxhid, 1 teqe, 3 hamame, 14 karavansaraje, 167 dyqane, 1 urë, 2 puse, 16 gurë mulliri, 50.000 akçe argjendi, shumë parcela tokash, si: vreshta, bahçe, livadhe, male etj. Prej këtyre, në kasabanë Zinovë të Opojës, ka vakëfuar: 1 shkollë, 1 xhami, 1 mesxhid, 1 karavansaraj, 1 hamam dhe 1 krua[48].
Rogova statusin e kasabasë e ka arritur falë bujarisë së birit të saj Hasan Pashë Jemishçiu (“Perimtari”), sadriazam (kryeministër) i Perandorisë Osmane prej 22 korrikut të vitit 1601 deri më 4 tetor të vitit 1603, kur u shpall fermanli dhe u ekzekutua nga sulltani. Hasan pasha në Rogovë ka ndërtuar fillimisht një urë në vitin 987 H./ 1579[49], pastaj, në vitin 989 H/ 1581 ka ndërtuar xhaminë e cila edhe sot qëndron. Përveç këtyre, Hasan Pasha në Rogovë ka ndërtuar një hamam, një imaret, një karavan-saraj disa kroje dhe dyqane. Po ashtu, nga kjo periudhë ka mbetur edhe kulla e tij, e njohur si kulla e Hasan Agës. Hasan Pasha ka lënë vakëfe edhe në Prizren dhe në Gjakovë.
Kontribut tejet të rëndësishëm zhvillimeve kulturore i ka dhënë dera fisnike e Bushatlinjve të Shkodrës, sidomos duke filluar nga Mehmet Pashë Plaku e këndej, qoftë duke themeluar institucione të arsimit e të kulturës, apo qoftë duke u marrë edhe vetë me krijimtari letrare[50]. Medreseja e Qafës, e ndërtuar nga Mehmet Pashë Plaku, ka qenë institucion me rëndësi të veçantë për zhvillimin e arsimor dhe kulturor të Sanxhakut të Shkodrës dhe më gjerë. Myderrizi i parë që ka dhënë mësim në këtë medrese është Murteza “Safi” Shkodra (vd. pas vitit 1775), i biri i Murteza “Raxhi” Shkodrës. Nga tradita njihet si Myrteza efendi Shoshi[51], ka qenë myderrizi kryesor, poeti e mjeshtri i poetëve dhe myftiu i Pashallëkut të Shkodrës. Si dijetari më i dalluar shkodran që ishte, Mehmed Pashë Plaku ia besoi arsimimin dhe edukimin e fëmijëve të vet. Kështu që, mësuesi dhe edukatori kryesor i Ibrahim “Halili” Pashës, qe Murteza “Safi” Shkodra. Ibrahim Pasha edhe artin e letërsisë dhe poetikën i mësoi nga ky poet i dalluar i kohës së tij.[52] Ky dijetar i shkëlqyer dhe poet elokuent, me rastin e vdekjes së Mehmed Pashë Plakut, i kushtoi një tarih (poezi jetëshkrimore), nga kronovargu i së cilës del viti 1189 H/ 1775, që tregon vitin e vdekjes së tij[53].
Murteza “Safi” Shkodra nxori një plejadë shkollarësh e poetësh, të cilët, pastaj, i dhanë shtytje e ndihmesë të rëndësishme zhvillimit kulturor, arsimor e shoqëror të vendit, në veçanti Pashallëkut të Shkodrës. Kontribut i veçantë i tij është nxitja e dashurisë për artin e letërsisë te studentët e tij. Po veçojmë këtu Ibrahim Halili Pashë Shkodrën dhe Xhafer Sadik Pashë Peqinin. Personalitetin e Murteza efendiut e stolisnin virtytet më të larta që mund të kishte një intelektual i lartë i kohës së tij. Jehona e famës së tij kishte arritur deri në Oborrin sulltanor. Prandaj ai ka qenë ftuar nga Shejhu’l-islami i Perandorisë Osmane për vizitë pune dhe, në atë rast, është pritur edhe në audiencë te Sulltani.[54]
Mehmed Pashë Plaku ka ndërtuar edhe objekte tjera. Nga ato po përmendim Xhaminë e Plumbit, e ndërtuar në vitin 1773, dhe bibliotekën e pare publike e cila njihej si Biblioteka e Vakëfit. Objekte të rëndësishme kulturore ka ndërtuar edhe Kara – Mahmud Pasha. Medreseja e Pazarit me Bibliotekën dhe Xhaminë e Madhe janë ndërtime të tij.
Me krijimtari letrare nga kjo derë fisnike janë marrë: Ibrahim Pasha, me emrin letrar “Halili” (vd. 1809); Mehmed Pasha, me emrin letrar “Asaf” (1768-1802) dhe Mustafa Pasha, me emrin letrar “Sherifi” (1797-1860). Bijtë e Mustafa Pashës: Mahmud “Hamdi” Pasha, i lindur në Shkodër më 1824 dhe Hasan “Haki” Pasha, i lindur në Shkodër më 1826. Këta janë dëshmuar poetë të talentuar dhe të thellë. Nga këta do të veçonim Mehmed “Asaf” Pashë Shkodrën (1768-1802). Në shkrimet e tij, Mehmed Pasha është nënshkruar me emrin poetik “Asaf”. Mehmed “Asaf” Pasha ka qenë dijetar i ngritur, shkrimtar letrar i formuar dhe poet me talent dhe shije të hollë artistike. Kështu, Mehmed Asaf Pasha ka qenë shëmbëlltyrë e poetit, intelektualit dhe e pushtetarit të kohës[55]. Poetët bashkëvendës të Mehmed Asaf Pashës, shkonin në zyrën e tij dhe lexonin poezitë e tyre. Me dijetarët dhe, sidomos, me letrarët që shkruanin në persishte, Mehmed Asaf Pasha shkëmbente letra me anekdota në vargje. Njëri nga ata ishte dijetari e poeti Mesud Kamber Demiri nga Shkodra, i cili, sipas Ali Emirit, ishte poet i rangut të Saibit[56] dhe Nabiut[57]. Mesud Kanberi i kishte dërguar Mehmed Asaf Pashës një poezi të shkurtër në gjuhën perse, me të cilën kërkonte nga ai përmbledhjen e fetfave të Ali Efendiut.[58]
Një derë fisnikësh, që u dallua në Prizren për kontributin që i dha përparimit të jetës kulturore, duke themeluar e dhuruar institucione të ndryshme, ishte familja e famshme Rrotlla, me prejadhje nga fshati Nangë i Lumës, e cila në Prizren kishte sunduar mbi një shekull, nga fillimi i shek. XVIII deri në fund të dekadës së katërt të shek XIX. I pari i kësaj familjeje ishte Salih Zajmi, të cilit, pas aftësive që kishte treguar në luftën e Kretës, në vitin 1667, sadriazami Fadil-Ahmet pashë Qypërliun i kishte dhuruar një zeamet. Salih Zaimi la dy djem: Mahmudin dhe Mehmedin, për të cilët nuk kemi informacione, nëse kanë pasur farë pozite ose jo. Por nipi i tij, Salih Pasha, i biri i Mahmudit, në vitin 1747 fitoi gradën Pashë dhe u emërua sanxhakbe i Prizrenit. Këtë pozitë e mbajti deri në vitin 1749/50. Pas tij, sanxhekbejlerë të Prizrenit patën ardhur të bijtë e tij, Emrullah Pasha (qe vrarë nga pashai i Shkodrës më 1774) dhe Ismail Pasha (sanxhakbeg i Prizrenit në vitet 1785/86). Këtë pozitë, më pastaj, e patën marrë të bijtë e Emrullah Pashës, Tahir Pasha 1794/95 dhe Rustem Pasha (1800). Më vonë këtë pozitë e kishin arritur bijtë e Tahir Pashës, Said Pasha (1805-1815), Mahmud Pasha (1819-1836) dhe Emin Pasha, i cili qe emëruar për të dytën herë sanxhakbe i Prizrenit në vitin 1842 (vdiq më 1843)[59]. Nga ndërtimet që kanë bërë ata, po veçojmë: Tahir pashë Rotlla, sipas vakufnames së tij, një kopje të së cilës kemi në dorë, në vitin 1794 ka dhuruar 120.000 akçe dhe një mulli me dy gurë në Nashec afër Prizrenit për mirëmbajtjen e ndërtesës së medresesë pesëdhomëshe, të cilën e ka ndërtuar afër xhamisë së Mehmet Pashës. Mahmud Pashë Rrotlla ka ndërtuar tri xhami në Prizren: njërën në Kala në vitin 1828, tjetrën në Bylbyl-dere dhe të tretën në Mahallën e Hoçës në vitin 1833. Mahmud Pasha ka ndërtuar, po ashtu, një medrese ndërmjet viteve 1806-1831, Kullën e sahatit në vitin 1816. Nga një kullë sahati ka ndërtuar në Rahovec (1791) dhe në Mamushë (1815). Djali tjetër i Tahir Pashës, Emin Pasha (Vd. 1843) në Prizren ka ndërtuar një xhami (1831) dhe ka themeluar një medrese, ndërtimi i së cilës është përfunduar në vitin 1855-56, pas vdekjes së themeluesit të saj. Myderrizi i parë i Medresesë së Emin Pashës ka qenë Mehmet Tahir efediu, farefis i Emin Pashë Rrotllës.
Dera fisnike e Mahmut-begollëve të Pejës, po ashtu, ka ndihmuar zhvillimin kulturor të Pejës dhe të sanxhakut të Dukagjinit. Shumica dërmuese e objekteve fetare dhe kulturore arsimore në Pejë janë ndërtuar dhe janë dhuruar prej tyre. Kjo derë ka dhënë mbi 20 pashallarë, ndër ta edhe kryeministrin Merre Hysejn Pasha i cili, në pozitën e kryeministrit të Perandorisë Osmane, ka ardhur dy herë gjatë viteve 1622-1623. Merre Hysejn Pasha në Pejë ka ndërtuar Xhaminë e Plumbit, një hamam dhe një han. Medreseja e Vjetër dhe Biblioteka e Vjetër janë ndërtuar nga pjesëtarë të kësaj familjeje fisnike. Kara Hysejn Pasha, i biri Mahmud Pashës, ka ndërtuar një xhami në Pejë. Ahraman Pasha ka ndërtuar një shkollë (mejtep).
Familja fisnike Gjinolli ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës në Prishtinë. Jashar Pashë Gjinolli (vd. 1840), në vitin 1834 ka ndërtuar një xhami, ndër më të bukurat në Kosovë nga aspekti i dekorimeve. Dekori artistik i kësaj xhamie është i ngjashëm me atë të Haxhi Ed’hem Beut në Tiranë dhe të Xhamisë së Larme në Tetovë. Abdurrahman Pasha, i biri i Jashar Pashës, në vitin 1869 ka ndërtuar Ruzhdijen (gjimnazin e ulët). Pas djegies në vitin 1881, atë e kanë rindërtuar bijtë e Abdurrahman Pashës: Zija Bej Prishtina, Ali Danish Beu dhe Fuad Pasha.
Një derë fisnike shqiptare që ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare me frymë islame, është ajo e Rexhep Pashë Tetovës. Ka qenë djali i një Dervish Shalës. Kjo familje fisnike, që nga fillimi i shek. XVIII ka ndihmuar kulturën dhe arsimin. Teqeja bektashiane e Harabati Babës në Tetovë është rindërtuar nga Koxha Rexhep Pasha në vitin 1780, kur edhe u gradua Pashë. Në këtë vit, ai ka vendosur mbishkrimin mbivarror të Harabati Babës, kurse në vitin 1790 ka ndërtuar aty një krua. Kryevepër e Abdurrahman Pashës është Kalaja e Tetovës. Nga kjo derë fisnike kanë dalë shumë pashallarë, por edhe poetë të njohur. Mehmet Akif Pasha (1822-1893), pastaj i biri tij, Salih Rashit Pasha (1846-1920), kanë lënë një krijimtari të begatë poetike. Abdurrahman Pashë Tetova, së bashku me vëllezërit e vet, mbante nën pushtetin e tij krahinën nga Prizreni deri në Shtip. Mori pjesë në Lëvizjen kryengritëse të pashallarëve shqiptarë kundër pushteti qendror Osman të viteve ‘30 të shek. XIX. Në fillim të vitit 1834 Abdurrahman Pashë Tetova u thirr në Stamboll prej nga nuk u kthye më.
Medresenë më të madhe në Berat e kanë ndërtuar bashkëshortët Ajshe Kadën dhe Sali Beu në dekadat e fundit të shek. XVII.[60]
Pashallarët e Beratit, veçanërisht Ismail Pashë Velabishti dhe Ahmed Kurd Pasha, kanë ndihmuar jetën kulturore. Për të parin, dihet se ka shkruar edhe poezi shqipe dhe se ka qenë mecen i Nezim Beratit, përfaqësuesi më të rëndësishëm të letërsisë shqipe alhamiado.
Dera fisnike Libohova, e njohur si familja e Asllan Pashallinjëve të Janinës, i ka kontribuar zhvillimit kulturor të vendit. Zylfikar Aga është ndërtuesi dhe dhuruesi i Bajrakli Xhamisë në mes të Pazarit të Janinës, para vitit 1583[61]. Asllan Pasha, sanzhakbe i Janinës, në vitin 1615 ndërtoi në Kalanë e Janinës xhaminë e tij madhështore[62]. Asllan Pasha II, i biri Mustafa Pashës dhe dhëndri i Mahmut Pashë Begollit të Pejës, ka ndërtuar pazarin e Janinës. Ai ka qeverisur në Janinë nga viti 1702 deri më 1740[63]. Libohova, nga fundi i shek. XVII, mori tiparet e një qyteti.
Është me shumë rëndësi të theksohet se edhe femra shqiptare të dyerve fisnike, kanë dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e kulturës gjatë periudhës osmane. Dervish Hatixhja nga Tirana ka një vend të veçantë në mesin e femrave shqiptare që i kontribuuan zhvillimit të kulturës. Ajo është gruaja e parë që krijoi poezi shqipe alhamiado[64]. Po ashtu, ajo ka ndërtuar një teqe ku, më vonë, u bë sheh i kësaj teqeje të tarikatit Kaderi. Ky është rasti i parë dhe mbase i vetmi në historinë tonë, që një femër shqiptare të mbajë postin e shehit. Zejnep Hanmi në Tiranë ka ndërtuar një xhami. Fatma Hanmi ka ndërtuar një faltore në një fshat të Beratit. Koxha Hanmi ka ndërtuar një xhami në Durrës. Ajshe Hatuna ka ndërtuar një mesxhid në Elbasan. Rabie Hatuna, e bija e Mustafa Efendiut, ka ndërtuar një xhami dhe një zavije në Elbasan. Po në Elbasan, është e njohur Xhamia e Nazireshës. Hatixhe Hatuna ka ndërtuar një xhami në një lagje të Shkodrës, Hanife Hatuna, po ashtu, ka ndërtuar një mesxhid në Shkodër, Fatime Sherife Hanmi ka ndërtuar xhaminë e Qafës në Shkodër, të cilën pastaj dhëndri i saj, Mustafa Pashë Shkodra, e ka meremetuar. Gylfem Hatuna ka ndërtuar një xhami në Pejë. Motrat Sofa dhe Hanka kanë ndërtuar nga një xhami në Gjakovë. Në Prishtinë, po ashtu, dy zonja kanë ndërtuar nga një xhami që njihen me emrat Xhamia Hatunije dhe Xhamia Kadrije. Shehzade Hanmi, e bija e Mehmet Tahir Pashë Rrotllës nga Prizreni, ka ndërtuar një xhami në Gjilan në vitin 1835. Hysnija Hanmi ka ndërtuar xhaminë më të bukur në Tetovë. Ajshe Hatuna në vitin 1596 ka ndërtuar një Xhami në Tetovë. Po në Tetovë, Mensure Hanmi ka ndërtuar një hamam.

Përfundim

Gjatë periudhës osmane në Shqipëri, fisnikëria shqiptare ka qenë shtysë e zhvillimeve kulturore. Ajo ka ndërtuar dhe ka dhuruar një varg medresesh, bibliotekash, xhamish e teqesh, si dhe një varg objektesh ekonomike, tregtare e utilitare. Me të ardhurat që realizonin objektet ekonomike tregtare, mirëmbaheshin institucionet kulturore, arsimore e fetare dhe paguhej personeli që punonte në këto institucione. Të gjitha këto institucione e objekte të ndryshme, në këtë periudhë, janë ngritur fund e krye sipas sistemit të vakëfit.
Si rrjedhojë e islamizimit më masovik të shqiptarëve, në shek. 18 kemi një zhvillim më intensiv të jetës kulturore në vend. Këtë e ka shoqëruar edhe përdorimi më dendur i gjuhës shqipe në jetën letrare e fetare, gjë që i ka dhënë një cilësi të re jetës kulturore shqiptare. Roli i fisnikërisë shqiptare në këtë kohë merr peshë më të madhe dhe përmasa më të gjera.
Rrjeti relativisht i gjerë i mektebeve që janë hapur madje edhe nëpër viset rurale me popullsi shqiptare myslimane, si dhe hapja e medreseve nëpër të gjitha qytetet dhe kasabatë e vendit, na çon në përfundimin se arsimi dhe edukimi i komunitetit shqiptar të besimit islam, në këtë periudhë, ka njohur një masivizim të lakmueshëm për rrethanat e atëhershme. Ky masivizim ka shkallëzuar, sidomos në shekullin XVIII, në radhë të parë, falë kontributit të fisnikërisë shqiptare në ndërtimin e institucioneve edukative e kulturore. Po ashtu, mbështetur në planprogramet mësimore të medreseve vendore, në këtë periudhë, si dhe në nivelin mjaft të lartë profesional dhe intelektual të arsimtarëve (myderrizëve) që jepnin mësim në to, gjë që pasqyrohet në veprat e tyre të mbetura në dorëshkrime, arrijmë në tjetër përfundim: këto medrese kanë qenë fidanishte të inteligjencies fetare e akademike të kohës. Në këto medrese janë kopjuar, komentuar e krijuar vepra të shumta, fushash dhe disiplinash të ndryshme shkencore, letrare e fetare, të cilat presin të studiohen nga historianët, historianët e kulturës, linguistët, teologët dhe sidomos nga orientalistët. Nga koleksionet e ruajtura të dorëshkrimeve, del se një pjesë e konsiderueshme e tyre është rezultat i punës intelektuale të fisnikërisë shqiptare, kurse një pjesë tjetër e rëndësishme e këtyre dorëshkrimeve kanë qenë pronë e kësaj fisnikërie.
Fisnikëria shqiptare, krahas pjesëmarrjes aktive në jetën politike dhe qeverisëse të vendit, gjithmonë ka pasur rol të veçantë që t’i sigurojë vendit rregullin, paqen, sigurinë dhe kështu të mbajë të zgjuar në popull ndjenjën për vetadministrim dhe besimin në forcat e veta, njëkohësisht ka luajtur rolin kryesor në zhvillimin kulturor të vendit.
Gjatë tërë periudhës së sundimit osman, fisnikëria shqiptare, ka përkrahur bujarisht dijen dhe artin dhe ka kultivuar shijen e hollë për të bukurën dhe të madhërishmen.

 

* Punimi është version i zgjeruar i kumtesës së lexuar në Simpoziumin e dytë Ndërkombëtar “Kultura dhe Civilizimi Islam në Ballkan” ( Tiranë 5-7 dhjetor 2003).

 

[1] Hasan Kaleši: Najstariji vakufski dokumenti u Jugoslaviji na arapskom jeziku = Dokumentat më të vjetra të vakufevet në Jugosllavi në gjuhën arabe, Prishtinë 1972; Hasan Kaleši, Ismail Eren: Prizrenac Mahmud -Paša Rotul, njegove zadužbine i vakufnama, Në: Antikitete të Kosovës VI-VII, Prishtinë 1973; Kemal Ozergin, Hasan Kaleshi, Ismail Eren: Prizren Kitabeleri, Në: Vakıflar Dergisi VII, Ankara 1968. (Hasan Kaleshi): Përmendoret e arkitekturës islame dhe dorëshkrimet orientale. Në: Kosova dikur e sot, Beograd 1973, f.467-478.
[2] Eqrem bej Vlora: Kujtime, Tiranë:Shtëpia e librit dhe e komunikimit, 2001; Ekrem Vlora: Kalaja e Kaninës: [separat i revistës Shejzat], Romë,1961.
[3] Kristo Frashëri: Historia e Tiranës, Vëll.I, Tiranë: Toena 2004.
[4] Skender Rizaj: Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, Prishtinë:Rilindja 1982.
[5] Vexhi Buharaja: Mbishkrime turko-arabe në Shqipëri (Dorëshkrim, ruhet në Arkivin e Institutit të Historisë ) Tiranë,1980.
[6] Jashar Rexhepagiq: Školstvo i prosveta na Kosovu: Od kraja XVIII stoleca do 1918. godine. Prishtina, 1974 ; Jashar Rexhepagiqi: Dervishët dhe teqetë. Bot. i dytë, Pejë: Dukagjini, 2003.
[7] Ferit Duka: Berati në kohën osmane (shek. XVI-XVIII). Tiranë 2001.
[8] Hamdi Bushati: Shkodra dhe motet. Vëllmi I Shkodër 1998: Vellimi II Shkodër 1999. ; Hamdi Bushati: Bushatllinjtë. / Pajisur me shënime dhe një Suplement nga Nexhmi Bushati. Shkodër 2003
[9] Nehat Krasniqi: Dy dokumente gjenealogjike të rendësishme. në: “Dituria Islame”, nr. 59, Prishtinë 1994; Nehat Krasniqi: Kronika (Menakib) e Tahir efendiut, burim i rendësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane. Në: Edukata Islame, nr.57,Prishtinë 1995; Nehat Krasniqi:Mehmet Kuklibegu – legatori më meritor për zhvillimin ekonomik dhe kulturo-arsimor të Opojës gjatë shek XVI. Në: Penda, nr.1. Prizren 1995; Nehat Krasniqi: Kontributi i pashallarëve Bushatlinj të Shkodrës në fushën e kulturës. Në: Seminar i katërt ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”, Vëllimi I. Shkodër 2002.
[10] Muxhait Asimov: Osmanska epigrafika na Kosovu i Metohiji. (Disertacion i doktorates në dorëshkrim). Prishtina 1995.
[11] Raif Vırmica: Kosova’da Osmanlı Mimari Eserleri. Ankara 1999.
[12] Machiel Kiel: Ottoman architecture in Albania 1385-1912. Istanbul 1990.
[13] N. D. N. : Korça dhe kadundet e qarkut. Korçë 1923, f. 35.
[14] Poaty f. 60.
[15] Mehmed Süreyya: Sicill-i Osmanî 3, Istanbul 1996, f. 796.
[16] N.D.N.: Korça dhe katundet e qarkut, f. 36; 43.
[17] Machiel Kiel: Ottoman architecture in Albania 1385-1912. Istanbul 1990, f. 158. Sipas Mehmed Syrejasë, Kapllan Pasha me gradën mirimiran ishte muhafiz i Vlorës. (Sixhill-i Osmani 3, f.867).
[18] Ali Emiri, Po aty; Machiel Kiel, Ottoman Architecture in Albania 1385-1912, Istanbul: Research Centre for Islamic History, Art and Culture, 1990, f. 155.
[19] Nehat Krasniqi, Dy dokumente gjenealogjike të rëndësishme, Në: Dituria Isalame, nr. 59, Prishtinë 1994, f. 14.
[20] Është e pambështetur hipoteza se Axhiza Baba rrjedh nga familja e Bushatllinjëve.
[21] Mehmet Süreyya: Sicill-i Osmanî 1, Istanbul 1996, f. 141.
[22] Në kopjen e Divanit të Axhiza Babës që ruhet në Teqen e Sheh Banit në Gjakovë, f.118-119, është poezia epigrafike të cilën autori ia ka kushtuar ndërtuesit të Teqes së Madhe, Murad Pashës. Data e ndërtimit të saj del nga kronogrami: “Allah gani” i cili sipas llogaritjes ebxhedike jep vitin 1126 H. që është ekuivalent me vitin 1714 sipas erës sonë.
[23] Divani i Axhiza babes, që ruhet në Koleksionin e Dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare dhe universitare të kosovës, f 43-44.
[24] Hasan Kaleshi: Najstariji vakufski dokumenti u Jugoslaviji na arapskom jeziku = Dokumentat më të vjetra të vakufevet në Jugosllavi në gjuhën arabe, Prishtinë 1972, f. 274; 328.
[25] Hasan Kaleši, Mehmed Mehmedovski: Tri vakufnami na Kačanik Mehmed Paša. Skopje 1955, f. 15 ; 33.
[26] Ali Emiri: Işkodara Vilayeti Osmanlı Şairleri, Në: Istanbul , Mil-let Kütüphanesi, Trh. 1190, f. 20.
[27] Ali Emiri. Po aty.
[28] Ali Emiri. Po aty.
[29] O. Myderizi: Qyteti i Tiranës. /ribotim/ Tiranë 1998, f. 43.
[30] Mehmed Süreyya: Sicill-i Osmanî 3, Istanbul 1996, f. 772; Ahmed Cevdet Paşa: Tarih-i Cevdet, cild 4, Istanbul 1973, f. 138-139.
[31] Machiel Kiel. Po aty f. 257.
[32] Kristo Frashëri. Po aty f. 187.
[33] Ali Emiri. Po aty, f. 33. Kur biobibliografi dhe bibliofili turk Ali Emiri e viztoi Vilajetin e Shkodrës në cilësinë e inspektorit financiar në vitin 1896, Ali Riza Beu i kishte dhenë atij të dhëna biografike për 12 poetë tiranas dhe krutanë. Ali Riza Beu aso kohe ishte pensionuar duke qenë Kajmekam i Kazasë së Kavajës
[34] Ali Emiri. Po aty, f. 28.
[35] Kristo Frashëri. Po aty f. 243.
[36] Baba Rexhepi: Misticizma Islame dhe Bektashizma. New York 1970, f. 343-345; Ali Emiri. Po aty f.28.
[37] Ali Emiri, Işkodra … Vep. e cit. fl. 21.
[38] Dhimitër S. Shuteriqi, Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, Prishtinë: Rilindja, 1978, f. 145.
[39] Ali Emiri, Işkodra vilayeti … Vep. e cit. fl. 23.
[40] Po aty, fl. 22.
[41] Për pozitën dhe rolin e shejhu’l-islamit në komunitetin mysliman në përgjithësi dhe në Perandorinë Osmane në veçanti, shih punimin: Institucioni i shejhu’l-islamit te osmanlinjtë dhe shejhu’l-islamët shqiptarë, Në: “Dituria Islame” nr. 50, Prishtinë, 1993, f. 24-26.
[42] Ali Emiri, Işkodra vilayeti … Vep. e cit. fl. 25.
[43] Mehmed Süreyya: Sicill-i Osmanî 1, Istanbul 1996, f. 95.
[44] Ibnülemin Mahmud Kemal Inal, Son Asır Türk Şairleri, cüz 9, Istanbul: Maarif matbaası, 1940, f. 1559.
[45] Mehmed Süreyya, Sicilli Osmanî, cilt 2, Istanbul, 1996, f.383.
[46] Istanbul Kütüphaneleri Türkçe Yazma Divanlar Katalogu, IV cilt, fasikul I,II, f.129.
[47] Istanbul Kütüphaneleri Türkçe Yazma … vep. Cit. f. 130.
[48] Nehat Krasniqi: Mehmet Kuklibegu – legatori më meritor për zhvillimin ekonomik dhe kulturo-arsimor të Opojës gjatë shek XVI. Në: Penda, nr.1. Prizren 1995
[49] Mbishkrimin e urës së Hasan Pashë “Perimtarit” e ka gjetue z. Shaqir Shala, autor i librit Kronika e Rogovës. Ai ma solli një fotokpje të mbishkrimit për ta lexuar dhe për ta përkthyer. Informacioni për përmbajtjen e këtij mbishkrimi këtu po paraqitet për here të pare. Mbishkrimi respektivisht kronogrami përmban tre vargje në gjuhën osmane me shkrim sulus. Autori i kronogramit poeti i mirënjohur shqiptar Valihi, përndryshe autor edhe i kronogramit të xhamisë se Hasan Pashës në Rogovë. Përmbajtja e kronogramit është si vijon: ”Aynı ayān Hasan Ağa kim oldı makbūl-i șahınșahı cihān. Ola ta müˇberā binā-i sebīl yaptı bir cisr muședded erkān. Valīhi dedi onun için tarih: Hey aceb cisr metin’ül-bünyān”. Vlera numerike e kronostikut është 987 që tregon vitin e ndërtimit të urës sipas kalendarit hixhrijan dhe i përgjigjet vitit 1579 sipas erës sonë. Domethënia e këtij kronogrami është: I njëjti bujar Hasan Aga i cili u bë i pranueshëm i mbretit të mbretërve të botës. Që të bëhet ndërtimi i rrugës te vendkalimi i lumit , ka bërë një urë të përforcuar me shtylla. Valihi për këtë e tha kronstikun: O urë e çuditshme ndërtim i fortë.
[50]Më gjërësisht lidhur më këtë shih: Nehat Krasniqi, Kontributi i pashallarëve bushatlinjë të Shkodrës në fushën e kulturës, Në: Seminari i Katërt Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj” 20-22 nëntor 2000, Vëllimi i parë, Shkodër 2002.
[51] Hamdi Bushati, Shkodra Dhe Motet, Vëllimi I, Shkodër, 1998, f. 596- 597.
[52] Ali Emiri, Işkodra Vilayeti… Vep. e cit. fl. 3.
[53] Po aty, fl. 2. Një kopje e kësaj poezie ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.
[54] Më gjërësisht për këtë vizitë të tij në Stamboll, shih: Hamdi Bushati, Shkodra … Vep e cit , Vëllimi II,
f. 90-91.
[55] Sadettin Nüz’het Ergun, Türk Şairleri, Istanbul, /s.a./ f. 97.
[56] Saib (vd. 1676). Poet i njohur persian nga Tebrizi. Është dalluar me gazelet dhe kasidet e tij të bukura.(Më gjërësisht: Ibrahim Alaettin, Meşhur adamlar, cild IV, Istanbul, 1933-36, f.1402.)
[57] Nabi (vd. 1712). Poet i njohur turk, i cili u dallua me poezitë e tija filozofike.
[58] Zenbil-li Ali Efendiu, respektivisht Ali Efendi Shporta, ka qenë njëri ndër shejhulislamët më të shquar të Perandorisë Osmane. Ka mendime se ka pasur prejardhje shqiptare. (Shih: Kultura Islame , Tiranë 1942 viti II, nr. 16, f. 90).Pozitën e shejhulislamit e ka mbajtur prej vitit 1503 e deri në vdekje më 1526. Gëzonte epitetin e njeriut të drejtë e të guximshëm, sa dhe u bë simbol i drejtësisë. Vepra e tij “Fetavi” konsiderohet nga më të arrirat në fushën e jurisprudencës islame.(Shih: Ismail Hami Danişmend, Izahlı Osmanlı Tarihi Kronolojisi : Osmanlı Devlet Erkanı, Istanbul: Türkiye yayınevi, 1971, f.111).
[59] Nehat Krasniqi: Kronika (Menakib) e Tahir efendiut, burim i rendësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane. Në: Edukata Islame, nr.57,Prishtinë 1995.
[60] Po aty, f. 192.
[61] Ajet Libohova: Breznitë Libohova në shekuj, Tiranë, 2003, f. 9.
[62] Po aty, f. 12.
[63] Po aty, f. 29.
[64] Një poezi të saj e ka botuar për herë të parë Kristo Frashëri në librin Historia e Tiranës, Vëll. I, Tiranë 2004.

Burimet e gjuhës letrare arabe

13/04/2012 Lini një koment

Mr. Azem XHELADINI

BURIMET E GJUHËS LETRARE ARABE*

Azem Xheladini

Kur arabët filluan të vendonin rregullat dhe çështjet e gramatikës së tyre, u përballën me tre burime të gjuhës së tyre: Shpallja hyjnore (Kur’ani Fisnik), Fjala profetike (porositë e profetit Muhammed a.s.) dhe poezia klasike arabe. Studiuesi duhej që të mos vendosë ndonjë rregull pa i shqyrtuar këta burime brenda mundësive dhe dijes së tij.

Kur’ani Fisnik

Kur’ani konsiderohet burimi kryesor dhe argumenti më bindës për vënien e ndonjë rregulli mbi gramatikën e gjuhës arabe dhe shkrimin e këtyre rregullave. Kjo, sepse sipas mësimeve Islame, Kur’ani është fjalë hyjnore e shpallur nga Zoti i gjithësisë, përmes engjëllit Xhebrail, profetit të fundit të njerëzimit, Muhamedit a.s. të cilin e zgjodhi Krijuesi i gjithësisë për t’i bartur mbarë njerëzimit shpalljen e fundit hyjnore. Vetë Muhamedi a.s. ngarkonte me detyrën e regjistrimit të gjithë asaj që shpallej, menjëherë pas shpalljes, njerëzit më besnik të shkrimit si Uthmanin (Osmanin), Aliun, Zejd bin Thabitin, Ubejj bin Ka’bin r.a., etj. Shpallja e Kur’anit zgjati për 23 vjet dhe kjo ishte e ndarë në dy periudha:

a) – Periudha e Mekës – fillon, rreth vitit 610 e. s. duke vazhduar deri në vitin 622 e. s. Përmbajtja e pjesëve të shpallura në Mekë ka të bëjë kryesisht me pastrimin e besimit nga politeizmi dhe idhujtaria, duke i thirrur njerëzit në monoteizëm, të besojnë një Zot të vetëm. Flasin edhe për ringjalljen dhe daljen para Krijuesit të gjithësisë dhe dhënien e llogarisë në Ditën e Gjykimit, para Gjykatësit suprem dhe absolutisht të drejtë. Ata që bëjnë vepra të mira përgëzohen me lumturi dhe parajsë, ndërsa keqbërësit kërcënohen me mjerim dhe ferr. Suret e shpallura në Mekë, janë kryesisht të shkurtra dhe karakterizohen nga një rimë e nivelit të lartë, madje më e larta që kanë njohur ndonjëherë arabët, prandaj edhe konsiderohet burimi kryesor i gjuhës letrare arabe.
b) – Periudha e Medinës – fillon pas shpërnguljes së profetit Muhamed a.s. nga Meka në Medinë më 622 e. r. Suret e Kur’anit të shpallura në Medinë janë kryesisht të gjata dhe kanë të bëjnë kryesisht me norma dhe rregulla për organizimin e jetës së muslimanëve, duke i ilustruar herë-herë me ngjarje të ndryshme nga popujt e mëhershëm dhe profetët e mëparshëm. Këto sure kryesisht flasin fillimisht për nxitjen për vepra të mira, për përcaktimin e normave dhe rregullave, të cilat do t’i përmbahet shoqëria Islame, rregullat brenda familjes, normat e martesës, trashëgimisë, divorcit, mirësjelljes ndaj prindërve. Po ashtu përmenden edhe rregullat sociale-ekonomike si: shit-blerja, garancitë financiare, trajtimi i borxheve, shoqëritë ekonomike të përbashkëta (sh. a.), zeqati, lirimi i robërve. Po ashtu përmenden edhe sanksionet e ndryshme si dhe procedurat e lejimit ose ndalimit të një gjëje. Krahas këtyre udhëzimeve normative nuk mungojnë udhëzimet e përmendura në suret e shpallura në Mekë që kanë të bëjnë me pastrimin e besimit, rregullat e adhurimit qoftë individual apo kolektiv.
Këto sure, jo të gjitha janë të rimuara si suret e shpallura në Mekë, por kryesisht janë të renditura në prozë. Ka edhe prej tyre sure të shkurtra, të cilat kryesisht janë të renditura në fund të Kur’anit, siç është rasti me suret: Insaan, Bejjineh, Zilzele, Nasr, Felek, Naas.
Kur’ani përbëhet nga gjithsej 114 sure. Për të lehtësuar leximin është i ndarë në tridhjetë pjesë të njohura te muslimanët si xhuz’e dhe secili xhuz’ ndahet në dy hizbe, e secili hizb në katër pjesë të njohura si të katërta (4/4).
Ka raste ku në disa sure jo të gjithë ajetet janë të shpallur vetëm në periudhën e Mekës ose Medinës, por brenda të njëjtës sure ka ajete të shpallura edhe në Mekë edhe në Medinë.
Muslimanët edhe në ditët tona besojnë se Kur’ani është i pandryshueshëm deri sa të ekzistojë bota. Deri tani teksti integral i Kur’anit nuk ka pësuar asnjë ndryshim që nga koha e përfundimit të shpalljes së tij.
- Studiuesit e gramatikës arabe ishin unanim për argumentimin e ndonjë rregulli nëse është i qëlluar me dialektet e (mënyrat e të lexuarit të) Kur’anit.
Edhe pse ata mund të lexoheshin në mënyra të ndryshme, të gjitha ishin të transmetuara besnikërisht dhe nga njerëz të dëshmuar për besnikëri, dhe mbështeteshin në shkrimin e Mus-hafeve (kopjeve bazë) të cilat u shkruan nën përkujdesjen e Uthmanit•.
Këto kopje janë më të sakta për t’u argumentuar me to, se sa çfarëdo lloj fjale tjetër e cila nuk është nga përmbajtja e Kur’anit. Vlen të përmendet këtu se ndër shkaqet kryesore të ruajtjes së Kur’anit të pandryshuar është edhe nxënia përmendësh e tekstit të tij në tërësi. Kjo traditë vazhdon edhe në ditët tona nga muslimanët e mbarë botës, madje ka edhe nga shqiptarët, (vetëm në muftininë e Tetovës janë të regjistruar rreth 350 hafizë , në rrethinën e Shkupit ka fshatra ku shumë familje kanë nga një hafiz, madje ka raste kur brenda të njëjtës familje ka nga tre e më tepër hafizë, siç është rasti me fshatin Studeniçan), të cilët e dinë tërë tekstin e Kur’anit përmendësh. Ndërsa fragmente ose kapituj të tërë dinë përmendsh një numër i konsiderueshëm i muslimanëve në tërë rruzullin tokësor.
Radhitja e tekstit të Kur’anit u bë nga vetë Muhamedi a.s. sipas udhëzimeve hyjnore, dhe gjenerata e tij e mësonin përmendësh nga vetë Muhamedi a.s.
Ndër komentuesit më të njohur të Kur’anit, i pari përmendet vetë Muhamedi a.s. i cili ua sqaronte besimtarëve përmbajtjen e pjesëve të caktuara të Kur’anit. Pas Muhamedit a.s. si më të njohur përmenden dhjetë komentues: hulefai rashidinët, Ibn Mes’udi, Ubejj ibn Ka`bi, Zejd ibn Thabiti, Ebu Musa Esh`ariu, Abdull-llah ibn Zubejri dhe Ibn Abbasi. Më pas, me kalimin e kohës, komentimi i Kur’anit u bë shkencë më vete.
Përveç transformimit të arabishtes në gjuhë të fesë së shpallur, në rrafshin gjuhësor, Kur’ani pasuroi gjuhën arabe me fjalë të reja të cilat nuk ishin dëgjuar më herët, si p.sh. :الفرقان ، الكفر ، الايمان ، الاشراك ، الإسلام ، النفاق ، الصوم ، الصلاة ، الزكاة ، التيمم ، الركوع ، السجود. Përveç këtyre, Kur’ani nuk ndërhyri vetëm në fondin e fjalëve të arabishtes, por ndryshoi edhe mënyrën e rrëfimit të ngjarjeve të mëhershme të cilat i trajtonte, ngjarje të cilat arabët nuk i kishin dëgjuar më herët. Thirrja që i drejtohet mbarë njerëzimit për njësimin – “teuhidin” e Allahut, mënyra e përshkrimit të krijimit të universit, krijimi i qiejve e tokës, natës e ditës, etapat e krijimit të njeriut, përshkrimi i krijimit të fetusit që nga çasti i ngjizjes e deri në lindje, etj.
Në vijim po përmendim disa qëndrime të disa njerëzve të njohur rreth Kur’anit:
-”Kur’ani është simfoni unike, tingujt e së cilës i kanë shtyrë njerëzit deri në lotderdhje dhe ekstazë” (Marmadjuk /Muhammed/ Pikthal).
-”Unë shpresoj se s’do të kalojë shumë kohë, kur të urtët e botës do të bashkohen dhe do t’i zgjidhin problemet e botës, sipas parimeve të Kur’anit. Vetëm ato janë të drejta dhe i garantojnë njerëzimit lumturinë” (Napoleon Banaparti).
-”Në sy të Kur’anit, nuk ka ndonjë dallim, një mbret me fuqi të madhe, nga një i vobektë i mjerë. Mbi këto themele dhe në të tilla baza, është trupëzuar dhe kompozuar ligji themelor i Sheriatit, i cili nuk ka shembull në botë” (Edward Gibon).
-”Ne gjejmë, madje, edhe nga të krishterët, si p.sh. Alvari spanjoll, i cili, edhe pse është i njohur për fanatizmin e tij kundër Islamit, pranon se Kur’ani ka stil elokuent dhe të bukur. Të krishterëve, nuk u mbetet tjetër, veçse ta lexojnë Kur’anin dhe të mrekullohen prej tij” (Sir Thomas W. Arnold).
-”Islami s’ka nevojë për pendën tonë, sado që penda jonë të arrijë elokuencën dhe përshkrimin. Penda jonë ka nevojë për Islamin, për pasurinë e tij shpirtërore dhe morale që përmban ai, ka nevojë për Kur’anin e mrekullueshëm, nga i cili mund të mësojmë shumë. Kjo gjuhë që deshi Allahu (të jetë gjuhë e Kur’anit) është gjuhë e përkryer, kulmi i saj është Kur’ani, i cili është maja e majave, sepse ai është fjala e Allahut” (një autor i krishterë libanez).
-”Kur’ani fisnik është krenaria e arabëve në gjuhën e tyre, nuk i është dhuruar ndonjë populli nga popujt e globit libër si ai, as libër fetar e as i përgjithshëm, qoftë nga stili i shprehjes, qoftë nga ndikimi në shpirtërat dhe zemrat e njerëzve. Kjo vihet re qoftë në rastet kur flet për adhurimin e Allahut si një Zot të vetëm dhe madhërinë e tij, ose për krijimin e qiejve e të tokës. Po ashtu kur flet për ringjalljen, dhe kur u përcakton njerëzve rregullat të cilave duhet t’u përmbahen, me të cilat do të arrijnë lumturinë dhe shpëtimin në të dy jetët: në atë të kësaj bote dhe atë pas vdekjes dhe ringjalljes” .
Kur’ani është libër i cili u përcakton muslimanëve rregullat me të cilat duhet ta përputhin jetën e tyre, u përcakton atyre rregullat në familjet dhe shoqërinë e tyre, ku duhet të udhëhiqen nga drejtësia dhe mëshira, nga vëllazërimi i përgjithshëm. I pasuri ndihmon të varfërin me pasurinë e tij. I mëson të ndërtojnë shoqërinë e tyre ku nuk do të ketë dallim mes arabit dhe joarabit, mes të ziut e të bardhit.
Nga sa u përmend, mund të vërejmë se përse Kur’ani ka rëndësinë primare dhe përse konsiderohet burimi kryesor i gjuhës letrare arabe.

Tradita profetike – Hadithi

Hadith quhet krejt ajo që është rrëfyer për Muhamedin a.s. qoftë fjalë, vepër, apo miratim i ndonjë fjale a vepre që është thënë ose është bërë nga dikush në prani të tij ose nga ndonjë paraardhës, e që nuk bie ndesh me normat e Kur’anit.
Hadithi konsiderohet si burimi i dytë autentik pas Kur’anit ku mbështeten arabët për të përcaktuar për ndonjë fjalë se a është e thesarit arab apo jo. Kjo, meqë pas Kur’anit, arabishtja nuk ka njohur ndonjë fjalë që mund të përballet me hadithin për nga lartësia e nivelit të shprehjes, pastërtia e gjuhës, stili poetik, rregullsia e ndërtimit sintaksor, ndërtimi i fjalive, etj.
Hadithi fillimisht ruhej dhe mësohej përmendsh duke u transmetuar gojarisht nga brezi i parë e me radhë, sepse vetë Muhamedi, nuk e pëlqente shkrimin e tij nga droja se mos përzihej me tekstin e Kur’anit, e pastaj nuk do të mund të dallonin njerëzit se cila pjesë është Kur’an – fjalë hyjnore, e cila pjesë është hadith – fjalë ose vepër profetike. Ai i porosiste shokët e tij që t’i mësojnë fjalët e tij dhe t’ua bartin brezave që vijnë pas tyre.
Është e njohur porosia e tij me rastin e hutbes- fjalimit të lamtumirës në Malin Arafat më 632 e.s.: “I pranishmi nga ju le t’ia tregojë këto porosi atyre që nuk janë të pranishëm”.
Për një kohë të gjatë hadithi transmetohej gojarisht nga njëri tek tjetri. Si transmetues më të njohur të hadithit numërohen: Ebu Hurejre, Aisheja, Abdullah bin Umeri, Abdullah bin Amri, Ibn Abasi, Enes bin Maliku, etj. Kështu bartej nga gjenerata në gjeneratë, deri te gjenerata e dytë pas Profetit.
Shkrimi i hadithit fillon që në kohën e vetë Muhamedit, por këtë gjë ia lejoi vetëm një grupi të vogël njerëzish të cilët nuk e kishin shumë të zhvilluar nxënien përmendsh.
Tregohet për një njeri nga radhët e Ensarëve , i cili iu ankua se nuk mund t’i mbante përmendsh porositë e Muhamedit të cilat ia drejtoi popullit me një rast, e ai e porositi atë që “të ndihmohet me dorën e djathtë” (të shkruaj).
Po ashtu me një rast i porositi shokët e tij që t’ia shkruajnë një fjalim të cilin e mbajti para popullit, një Jemenasi i cili nuk mund ta nxinte përmendsh.
Edhe pse kishte raste të veçuara kur ai e lejonte shkrimin e hadithit, ai nuk e lejonte që kjo të përgjithësohej nga droja se mos përzihej me tekstin e Kur’anit.
Përmbledhja e parë e shkruar e hadithit është ajo e Ibn Shihab Ez-Zuhriut, (vdiq më 123 h.). Pas këtij, regjistrimin e haditheve e vazhduan edhe disa të tjerë duke bërë përmbledhjen dhe klasifikimin e hadithit. Përmbledhjet më të njohura dhe të pranuara nga të gjithë dijetarët në mbarë botën Islame si të sakta janë gjashtë dhe quhen الكتب الستة الصحيحة – /el kutubu es-sittetu es-sahiihatu “të gjashtë koleksionet e sakta”. Padyshim se në krye të përmbledhjeve qëndrojnë Buhariu dhe Muslimi. Hadithet e përfshira në këta dy koleksione, janë vetëm hadithe të cilat nuk ka asnjë fije dyshimi se e kanë burimin nga vetë Muhamedi. Kjo është arritur falë kritereve shumë të rrepta që i vunë këta dy dijetarë për ta pranuar një hadith si të saktë.
Pjesë të hadithit kemi të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, ku deri tani janë dhjetë vëllime të përmbledhjes së Buhariut me emrin “Sahihul Buhari në gjuhën shqipe”. Ka edhe disa përmbledhje të tjera më të vogla të përkthyera por, në ta janë përfshirë kryesisht hadithe për nevoja të përditshme.
Sa i takon hadithit duhen përmendur dy mënyra të ruajtjes së tij: 1. Transmetimi i kuptimit të hadithit, 2. Transmetimi i përpiktë i tij.
Këtu vlen të theksohet transmetimi i përpiktë i tekstit të hadidthit ashtu siç është transmetuar nga vetë Pejgamberi a.s. Rastet e tilla janë të shumta, ku mund të përmendim vetëm disa prej tyre siç janë lutjet e ndryshme, porositë e shkurtra – të cilat kanë marrë formën e fjalëve të urta dhe citohen si nga muslimanët, ashtu edhe nga të tjerët. Pastaj rëndësi të veçantë të pjesës së hadidthit kanë shkresat e ndryshme të cilat ua dërgoi vetë Pejgamberi a.s. personaliteteve dhe udhëheqësve të ndryshëm të asaj kohe, marrëveshjet e ndryshme me fise të ndryshme, besëlidhjet e ndryshme, e të ngjashme.
Hadithi konsiderohet si burimi i dytë pas Kur’anit, meqë vetë hadithi i shtyu studiuesit e ndryshëm të jetës së Pejgamberit a. s. të hartojnë libra të tërë për jetën dhe porositë e tij. Përveç kësaj, këta studiues u morën edhe me jetën e vetë transmetuesve të hadithit. Në këtë mënyrë u shfaqën shkrimet e para historike, të cilat përveç hadithit studionin edhe vetë jetën e transmetuesve në imtësi, për të konstatuar se nëse mund të transmetohet nga ai ose jo.
Hadithit i takon merita e nxitjes së shkrimeve historike dhe hapjes së rrugës për shfaqjen e shkrimeve të ndryshme për dijetarët e secilës fushë në veçanti. Nga sa përmendëm, nuk mbetet vend për dyshim se krahas Kur’anit, Hadithi vjen menjëherë pas tij si burim i gjuhës letrare arabe.
Kjo është vetëm një përpjekje për t’i dhënë një pasqyrë të përgjithshme lexuesit, pa pretenduar se kemi thënë gjithë atë që mund të thuhet për këta dy burime.

*Ky artikull është botuar për herë të parë në revistën “URA”, nr. 1/1, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2008, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”. http://www.acfos-albania.org & acfos_albania@yahoo.com

Mërgimtari

31/03/2012 Lini një koment

MËRGIMTARI

Vargje të nipit të Imam Aliut r.a mbi udhëtarin e kësaj bote.


Nuk janë Shami dhe Jemeni vende të mërgimit
Mërgimi i vërtetë është drejt varrit dhe qefinit
Udhëtimi është i largët e ushqimi s’më mjafton
Forca më është dobësuar e vdekja po m’kërkon
Kam mbi supe mëkate të cilat nuk i di
Veç Allahu i ka ditur në dukje e fshehtësi
Më ka lënë në jetë sa i butë është treguar
Kur shtoheshin mëkatet Ai i ka mbuluar
Sa orë edhe ditë kalojnë pa pendim
Pa u mërzitur, pa qarë dhe pa frikësim
Unë vetë i mbylla dyert gjithnjë duke mëkatuar
E syri Allahut përherë më ka shikuar
Ah, për gabimin e shkruar n’pakujdesinë që shkoi
E më pas keqardhjen që zemrën ma përvëloi
Më lër të vajtoj për vetveten time
E kohën të kaloj me kujtime e hidhërime
Tashmë lëre qortimin o ti që më qortoje
Sikur ta dish se ç’kam do më arsyetoje
Më lër të derdh lotë, lotë pa pushim
Ndoshta një pikë loti është shkak për shpëtim
Ja tek jam i shtrirë, mbi shtrat më rrotullojnë
Duart e familjarëve të cilët më rrethojnë
Janë mbledhur rreth meje, dikush po loton
Dikush po qan me zë e dikush po m’vajton
Kanë sjellë edhe mjekun t’më shohë e kurojë
Por mjekësia sot s’mund të më shpëtojë
Trupi u bë gati e vdekja m’u afrua
Hiç pa mëshirë po më merr edhe mua
Shpirtin ma morën pas gargarës së dridhur
Në atë moment pështyma mu bë shumë e hidhur
Sytë mbi mbyllën dhe të gjithë shkuan
Të më blejnë qefinin disa u larguan
Njëri prej të dashurve me vrap nxitoi
Të sillte një larës të më lajë e pastrojë
Dhe erdhi një burrë për të më pastruar
Më zhveshi nga rrobat e më la të vetmuar
Më vendosën mbi rrasa ashtu i shtrirë
Dhe bënë gati ujin për të më dëlirë
Me ujin që rridhte tri herë më lanë
- Qefinin bëni gati – thirri dikush matanë
Pa mëngë më veshën një rrobe të lirë
S’më lanë lanë si ushqim vec erës së mirë
Më nxorrën nga kjo botë oh sa trishtim
S’mora gjë me vete në këtë udhëtimin tim
Katër burra më mbajtën e të tjerët rrinin
Pas tyre të heshtur nga pas më përcillnin
Më nxorrën përpara pastaj u larguan
T’më falin xhenazen pas imamit u rreshtuan
Më falën një namaz pa sexhde e ruku
Me shpresë tek Allahu t’më falte këtu
Pastaj ngadalë në varr brenda më zbritën
Gropën e varrit për mua përgatitën
Ai që ishte pranë fytyrën ma zbuloi
Loti që i rrodhi sa shumë më lëndoi
U çua aty pranë i vendosur qëndroi
Gropën e varrit me rrasa mbuloi
Hidhni dhe mbi të, tha duke shpresuar
Të jetë te Mëshiruesi njeri i mëshiruar
Në errësirën e varrit pa babë edhe nënë
Pa motër e vëlla aty më kanë lënë
I vetëm fillikat oh sa mjerim
Për këtë ndarje ku s’kam as punë për shpëtim
Munkeri dhe Nekiri sapo m’u afruan
Me pamjen e tyre sa shumë më tmerruan
Veç tek Ti shpresat, më fal o Zoti im
Se sot jam një peng i mëkatit tim
Familja e ndau të gjithë pasurinë
Ndërsa mua mëkatet më rëndojnë mbi shpinë
Me një burrë tjetër gruaja u martua
E la të komandojë ç’më përkiste mua
Fëmijët të gjithë i vuri në shërbim
Dhe pasurinë e morën pa çmim e mundim
Me bukuritë e kësaj bote ti mos u mashtro
Se ç’bëri kjo botë me njerëzit shiko
Shiko çdo njeri që botën sundoi
A mori gjë me vete pasi nga bota shkoi?!
O mbjellës i së mirës, të mirën do korrësh
O mbjellës i së keqes, të keqen do shohësh
Kënaqu nga kjo botë me çka posedon
Sikur të kesh shëndetin ty të mjafton
Largohu nga mëkatet, mundohu të fitosh
Kënaqësinë e Allahut me punët që do të veprosh
Në Sham dhe Jemen, aq sa vetëtima shndrrit
Salat dhe selam pastë Pejgamberi ynë
Dhe falënderimet qofshin vetëm për Krijuesin
Dhuruesin e të mirave, Falësin, Mëshiruesin.

Përktheu nga gjuha arabe dhe përshtati në shqip: Mustafa TERNIQI

Një autor shqiptar nga Prizreni që ka shkruar në gjuhën arabe

23/03/2012 Lini një koment

Mr. Sadik MEHMETI

 

NJË AUTOR SHQIPTAR NGA PRIZRENI QË KA SHKRUAR NË GJUHËN ARABE
(Haxhi Ymer Lutfi ef. Paçarizi – ld. 13 janar 1870 – vd. 25 tetor 1928)

Haxhi Ymer Lutfi ef. Paçarizi

Haxhi Ymer Lutfi ef. Paçarizi

Duke qenë se gjuha arabe është gjuhë e Kuranit dhe duke qenë se Kurani është burimi themelor dhe kryesor i fesë dhe i predikimit islam, në bazë të të cilit ndërtohet dhe zhvillohet jeta e myslimanëve, edhe gjuha arabe ka qenë dhe ka mbetur gjuhë fetare e gjithë mysli­manëve, dhe ajo kishte përfshirë dhe përfshin hapësira edhe më të gje­ra nga ato që i kishin banuar dhe i banojnë arabët. Paraqitja e Kuranit ka qenë një nga faktorët themelorë për formimin dhe përhapjen e gju­hës arabe dhe, falë Kuranit, shumë popuj të ndryshëm, shpesh edhe më të kulturuar se vetë arabët, duke përqafuar Islamin, kanë pranuar edhe gjuhën arabe dhe kështu kanë kontribuar për përparimin e më­tejmë të qytetërimit islamo-arab. Gjatë tërë mesjetës, po edhe sot e kë­saj dite, gjuha arabe përfaqëson jo vetëm gjuhën e shkencave islame, po edhe një gjuhë diplomatike për tërë myslimanët. Një varg veprash nga disiplina të ndryshme shkencore, që kultivoheshin në atë kohë, të cilat lindën në vendin tonë, po të shkruara në gjuhën arabe, tregojnë se sa përpjesëtime kishte marrë studimi i gjuhës arabe si gjuhë islame dhe e qytetërimit islam, dhe sa me intensitet qe mësuar ajo[1].
Në shek. XV dhe në fillim të shek. XVI pjesa më madhe e terri­to­reve tona kishin rënë përfundimisht nën qeverisjen osmane. Nga ajo kohë filloi edhe procesi i përhapjes së Islamit dhe i zhvillimit të kultu­rës islame. Kështu, arabishtja si gjuhë e kulturës dhe qytetërimit islam, tek ne kishte filluar të mësohej njëkohësisht me fillimin e për­hapjes së Islamit. Përhapja e xhamive, mektebeve, medreseve, teqeve dhe bibliotekave ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme në kultivimin dhe mësimin e gjuhës arabe. Këto institucione të shumta, i kushtuan kuj­des të madh mësimit të gjuhës arabe. Xhamitë, si institucioni më i rë­ndësishëm fetar islam, në Kosovë kanë njohur një shtrirje të madhe në kohë e hapësirë dhe ato, gjatë tërë historisë së tyre, përveçse faltore, u bënë edhe shkolla të para. Më vonë, afër xhamive u ndërtuan godina për arsimin fillor, të ashtuquajtura kuttāb ose maktab, numri i të cilave u rrit aq shumë, saqë në çdo fshat kishte të tillë, madje në shumë raste kishte edhe më tepër se një[2]. Me një fjalë, në çdo vend, zakonisht ki­shte aq mektebe, sa kishte edhe xhami. Madje në vendet ku nuk kishte xhami a mekteb, mualimët/mësuesit shkonin përkohësisht për t’i më­suar fëmijët[3]. Në këto shkolla mësohej shkrimi arab dhe leximi i te­ksteve nga Kurani.
Një shkollë të ngjashme më 1513 kishte ndërtuar edhe Suziu, ma­dje ai edhe vetë ishte mësues në të[4]. Në anën tjetër, vakëflënësi shqi­ptar, Gazi Mehmed pasha, pranë njërës prej xhamive më të bukura jo vetëm në Prizren, kishte ndërtuar edhe medresenë e parë në Kosovë, e cila, për nga përmbajtja dhe niveli i arsimit, dallohej në tërë Ru­meli­në[5]. Kurse vakëfnameja e Kuklibeut, e vërtetuar më 1538, dëshmon se ky bamirës dhe vakëflënës ndër më të mëdhenjtë shqiptarë, në atë ko­hë kishte ndërtuar shumë objekte fetare dhe social-humanitare, si dhe kishte ndërtuar dy xhami, të cilat njëkohësisht ishin edhe shkolla[6].
Në Kosovë, përveç mektebeve (numri i të cilëve ishte shumë më i madh), pastaj shkollave iptidaie (iptidāi-ya), rushdie (rüshdiya) dhe idadie (idādiya), gati në çdo qytet relativisht të madh të Kosovës ve­pronte edhe nga një medrese (madrasa)[7].
Secila medrese, sipas rregullit, kishte bibliotekë/kutubhāne të ve­tën, me një fond solid librash në dorëshkrim në gjuhët orientale (ara­bisht, turqisht dhe persisht). Më e vjetra prej tyre, me sa dihet, është ajo që e themeloi Suziu në Prizren (1513). Një bibliotekë tjetër mjaft e vjetër që ekziston edhe sot, është ajo e Mehmed pashës po në Prizren, e ndërtuar në vitin 1537[8]. Pothuaj pranë të gjitha medreseve kishte edhe libra të vakëfnuar, të cilët tregojnë qartë se kujdesi më i madh i kushtohej gjuhës arabe dhe lëndëve të cilat librat themelorë i kishin në gjuhën arabe. Në këto medrese, të themeluara sipas shembullit turk dhe arab, mësoheshin: komentimi i Kuranit (tafsīr), shkenca për Tra­ditën (‘ilm al-hadīth), doktrina/apologjetika (‘aqāid), e drejta e Sheri­atit (fiqh) dhe burimet e së drejtës së Sheriatit (usūl al-fiqh), e drejta e trashëgimisë sipas Sheriatit (farāid), gramatika dhe sintaksa e gjuhës arabe (sarf, nahw) etj.. Nxënësit për disa vite mësonin gramatikën dhe sintaksën e gjuhës arabe. Mësimi zhvillohej duke lexuar, duke sqaruar tekstet dhe duke mësuar përmendsh rregullat e morfologjisë dhe sinta­ksës, e përveç gramatikës dhe sintaksës, mësoheshin edhe leksikogra­fia (‘ilm al-luga), retorika (‘ilm al-balāga) dhe metrika (‘ilm al-‘arūd). Kishte edhe shkolla në të cilat mësohej vetëm një disiplinë, p.sh. Tradita islame dhe të lexuarit e drejtë të Kuranit e mësimi i tij për­mendsh (‘ilm al-qirāa). Këto shkolla quheshin “Dār al-hadīth” dhe “Dār al-qurrā”[9].
Gjuha arabe, sipas praktikës së shumëgjuhësisë në Perandorinë Osmane, ka qenë gjuhë e shkencës, persishtja gjuhë e poezisë, kurse turqishtja gjuhë e administratës dhe e dijeve profane. Kjo traditë në Perandorinë Osmane, si bartëse e kulturës dhe qytetërimit islam, ka zgjatur gjithnjë deri në shek. XIX, dhe, si rrjedhojë, shkenca islame bazohej në njohjen e gjuhës arabe, jo vetëm për të njohur dhe studiuar Kuranin e Hadithin, por për të njohur edhe shkencat e tjera, si metri­kën, retorikën, stilistikën gramatikën, poetikën dhe disa disiplina të tjera, të cilat studioheshin dhe komentoheshin në gjuhën arabe në tërë Botën Islame[10].
Kur kihet parasysh fakti se tek ne gjuha arabe ishte mësuar kaq shumë, atëherë nuk është për t’u çuditur që shumë njerëz me prejar­dh­je nga viset tona, zotëronin aq mirë gjuhën arabe, saqë veprat e tyre, pothuaj në të gjitha disiplinat shkencore dhe letrare që shkruheshin në atë kohë, i kanë shkruar në gjuhën arabe. Dhe jo vetëm që i kanë shkruar, por, për nga stili, përmbajtja dhe qasja origjinale, u kanë bërë konkurrencë autorëve që gjuhën arabe e kishin gjuhë amtare, madje shumë herë edhe ua kanë kaluar atyre.
Krijimtaria e autorëve shqiptarë në gjuhët orientale nuk është hu­lumtuar sa duhet, edhe pse nga ata ka pasur shumë, madje kanë qenë, sikurse u tha, shumë të njohur.
Numri i saktë i autorëve shqiptarë që kanë shkruar në gjuhët orie­ntale, do të dihet pasi të bëhen hulumtime në bibliotekat e Turqisë dhe të vendeve në rajon dhe pasi të hulumtohen dorëshkrimet orientale-islame që kanë mbetur në vendin tonë e që ruhen në disa biblioteka institucionale dhe private. Megjithëkëtë, për një numër të madh të ule­mave, poetëve, letrarëve, filozofëve, shkrimtarëve shqiptarë, që kanë shkruar në gjuhët orientale, fatkeqësisht nuk do të mësojmë kurrë, për shkak se dorëshkrimet/veprat e tyre janë shkatërruar, janë djegur, ka­në humbur dhe kanë shkuar në pakthim, e së bashku me to edhe të dhënat dhe shënimet për këta autorë.
Sido që të jetë, gjatë hulumtimeve tona në Arkivin e Kosovës, kemi gjetur gjashtë vepra dorëshkrim në gjuhën arabe nga fusha të ndry­shme të islamologjisë të një autori shqiptarë nga Prizreni, i cili, ndonëse i përket periudhës së vonshme të atyre autorëve tanë që kanë shkruar në gjuhën arabe, megjithatë, me veprat e tij që ka lënë, meri­ton dhe duhet të radhitet ndër më meritorët për t’u studiuar, kurse ve­prat e tij pasurojnë listën e dorëshkrimeve orientale në përmasa botërore.
Fjala është për personalitetin e shquara në fushën e dijes dhe kul­turës islamo-shqiptare, prizrenasin haxhi Ymer Lutfi ef. Paçarizi (al-Hağği Ümar Lutfi efendi Pāçārīzī), i cili iu bashkua radhëve të gjata të atyre autorëve prizrenas që kanë shkruar në gjuhët orientale, si myde­rriz Ali efendiu, Suziu, Nehariu, Suxhudiu, Ashik Çelebiu, Sa’ji, She­m’iu, Behariu, Texhel-liu, Mehmet Tahir efendiu, haxhi Rrystem ef. Shporta… dhe shumë të tjerë.
Veprat dorëshkrim në gjuhën arabe të këtij autori shqiptarë nga Prizreni, që po paraqesim këtu, përveç vlerës historike dhe faktit se pasurojnë listën e dorëshkrimeve orientale në përmasa botërore, kanë edhe vlera fetare dhe didaktike; ato u përkasin fushave dhe disiplinave të ndryshme të islamologjisë.
Këto vepra, – përshkrimi eksterier i të cilave po jepet këtu, – po i paraqesim me qëllimin që jo vetëm studiuesit, para së gjithash teolo­gët – arabologë (meqë këto vepra dorëshkrim janë në gjuhën arabe), të informohen për këto vepra, por mbi të gjitha t’u vihen në dispozicion dhe të tërheqin vëmendjen e tyre, qoftë për t’i studiuar, komentuar dhe shpjeguar, qoftë mbase, – që do t’i bëhej një shërbim shumë i mirë shkencës dhe do të lahej një pjesë e borxhit ndaj këtyre autorëve, -për shkak të vlerave dhe rëndësisë që kanë, – edhe për t’i përkthyer në gjuhën shqipe. Këto vepra dorëshkrim duhet dhe meritojnë të studi­ohen, të vështrohen dhe të analizohen nga aspekte të ndryshme. Do të ishte mirë dhe me interes të shumëfishtë që studentët e Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës, qoftë në mënyrë individuale, qoftë në mënyrë grupore, t’u bëjnë një vështrim këtyre dorëshkrimeve dhe t’i shfrytëzojnë për përgatitjen e punimeve të diplomës në këtë fakultet, secili në fushën që e ndien veten të aftë, gjithnjë me synimin që këto studime t’i zgjerojnë gjatë veprimtarisë së tyre shkencore të mëtutje­sh­me. Nga një kopje e këtyre dorëshkrimeve gjithsesi duhet të sigu­rohet për nevojat e Bibliotekës së Fakultetit të Studimeve Islame.

Jetëshkrimi i Haxhi Ymer Lutfi ef. Paçarizit

Për jetën dhe veprën e Ymer Lutfi Paçarizit janë shkruar disa stu­di­me, madje janë botuar edhe monografi. E, megjithëkëtë, pa u për­me­ndur dhe pa u studiuar kanë ngelur edhe shumë vepra dhe shumë aspekte të këtij autori që ka shkruar mbi gjashtëdhjetë vepra në gjuhët orientale, përfshirë këtu edhe një “Divan”.
Biografët e haxhi Ymer Lufti Paçarizi thonë se ka lindur më 13 janar 1870 në Prizren. I ati i tij, Mustafë efendiu, ishte imam në Pri­zren. Të parët e haxhi Ymer ef. kishin ardhur në Prizren nga Malësia e Dibrës. Pas mbarimit të mektebit iptidai (shkollës fillore) dhe rush­di­j­es (gjimnazit të ulët) më 1887 ai qe regjistruar në Medresenë e Fa­ti­h­ut në Stamboll, ku qëndroi deri më 1901. Pas Stambollit shkoi në Kajro dhe u regjistrua në universitetin e famshëm “Al-Azhar”, ku studioi ka­tër vjet gjuhën arabe, shkoi në haxh në Mekë dhe prej andej e vizitoi Sudanin. Më 1905 u kthye në Prizren. Pas fitores së xhonturqve, gëzoi autoritet të madh dhe besimin e qeveritarëve të atëhershëm, për se kreu edhe disa detyra diplomatike. Mirëpo, u dëshpërua shpejt nga xhonturqit. Haxhi Ymer Lutfi Paçarizi ka vdekur më 25 tetor 1928. Ai qe varrosur në Terzi Mahallë, e më pastaj është bartur në varrezat e Kuriçeshmes tek këmbët e varrit të Sofi Babës. Në ato varreza janë varrosur edhe shoku i tij i vjetër nga ditët në Stamboll, haxhi Rrystem Zihni ef., dhe simpatizuesi i tij Hafiz Abdullah ef. Hizri- Telaku[11].
Haxhi Ymer Lutfi Paçarizi gjatë gjithë jetës, ka shkruar pander­prerë. Ka shkruar mbi 60 vepra në prozë dhe poezi në gjuhën arabe, turke dhe persiane[12], pa përmendur këtu edhe shkrimet e botuara në shtypin e kohës, si në “Ma’lumāt”, “Tarcümān-i Hakikat”, “Fen u Edep”, “Top”, “Hakk” etj..
Veprat e haxhi Ymer Lutfi Paçarizit u përkasin fushave të ndry­shme, si fetare, filozofike, mistike, politike, didaktike-pedagogjike dhe lirike në stilin e poezisë së divanit.
Sipas biografit të haxhi Ymer Lutfi Paçarizit (N. Hafizi,) mësojmë se ky autor, ka lënë dorëshkrim katër vepra në gjuhën arabe, prej të cilave, – sipas të njëjtit burim, – vetëm njëra prej tyre (ad-Durr al-yatīm fī tafsīr Alif Lām Mīm) ruhet në Arkivin e Kosovës.
Në anën tjetër, gjatë hulumtimeve tona në Arkivin e Kosovës, ke­mi gjetur edhe pesë vepra të tjera në gjuhën arabe të këtij autori të përmbledhura në një “mağmū’a”, e cila ruhet në Bibliotekën e Arkivit të Kosovës në fondin e dorëshkrimeve orientale nr. i sig. 29, nr. i in­ventarit 6207. Kjo d.m.th. se këto pesë vepra të këtij autori në gju­hën arabe nuk kanë qenë të njohura deri më sot dhe këtu të dhënat për to jepen për herë të parë, për t’u pasuruar kështu opusi krijues i haxhi Ymer Lutfi Paçarizit edhe për pesë vepra të tjera.
Kjo “mağmū’a”[13] ka gjithsej 19 faqe. Është e shkruar me shkrimin nes’h, mjaft korrekt, bukur dhe lexueshëm. Ka formatin 21×14 cm. Teksti 16×10 cm. Titujt e veprave janë të shënuar.
Ndonëse nuk shkruan, këtë
“mağmū’a”, kur e krahasojmë me dorë­shkrimet e tjera të këtij autori që ruhen në Arkivin e Kosovës, më­sojmë se e ka kopjuar Mehmet Kamili i biri i haxhi Jakubit, i mbiquajtur Tosko nga Prizreni.[14].
Vepra e parë në përmbledhjen tonë është:

1. ad-Durr al-yatīm fī tafsīr Alif Lām Mīm
الدر اليتيم فى تفسير الم

Që në të vërtet është komentim i pesë ajeteve të para të kaptinës “al-Bakara”, të njohur si “Alif Lām Mīm”. Kjo vepër ka pesë faqe (1-6).
Fillimi pas besmeles:
يا من اسبغ علينا نعمه ظاهرة و باطنة … صل و سلم على رسولنا… اما بعد فيقول العبد الفقير الى لطف ربه القدير انى اردت ان افسر اول البقرة ليتقتطف الاخوان منه الثمرة بلسان الحقيقة على ما استفدت من افواه رجال الطريقة فنقول (اﻟم)…

Fundi:
نور قلوبنا بمشاهدة وجهك الكريم المستنر و حققنا باذواق المحمدية “فى مقعد صدق عند مليك مقتدر”

2. Diyā’ al-Budūr fī talmīhāt al-āya an-Nūr
ضياء البدور فى تلميحات اﻵية النور

Është komentim i ajetit 55 të kaptinës “an-Nūr”. Kjo trajtesë ka katër faqe (6-9). Këtë komentim autori, sikurse e thotë vetë në fund, e ka shkruar në ditën e dhjetë të muajit të bekuar të Ramazanit në vitin 1331. (=13 gusht 1913)
Fillimi pas besmeles:
الحمد لله الذى جعل قلوب اوليائه مشكات الحقائق و الاسرار…و الصلاة و السلام على من جعله الله سراجا منيرا…اما بعد فهذه تلميحات لاية النور المسمى بضياء البدورو اشرقت الارض بنور ربها…

Mbarimi:
هذا ما سنح لى فى يوم العشر من شهر رمضان المبارك فى سنة احدى و ثلثون و ثلث مائة و الف

3. Ağrayi al-falak fī āyat al-mulk
أجراى الفلك فى ﺁية الملك

Është komentimi i tri ajeteve të para të kaptinës “al-Mulk”. Ka 4 faqe (9-12). Këtë komentim autori, sikurse e thotë vetë, e ka shkruar në mesin e muajit të bekuar të Ramazanit në vitin 1331. (=18 gusht 1913)
Fillimi pas besmeles:
تبارك الذى بيده الملك و هو على كل شيء قدير… .و الصلاة و السلام على من ارسله داعيا الى الله باذنه و سراجا منيرا…و على اله و اصحابه ال العرفان و اصحاب الذوق و الوجدان. اما بعد فهذه تفسير اية الملك على لسان الحقيقة المسمى باجراى الفلك فى اية الملك و بالله التوفيق…

Mbarimi:
هذا ما سنح لى فى نصف شهر رمضان المبارك فى سنة احدى و ثلثون و ثلثة مائة و الف

4. Sharh as-salāt an-nūriya al-huyūlāniyya
شرح الصلاة النورية الهيولانية

Është komentim i një vepre/trajtese të një autori anonim të ta­rki­katit melamij, që ka të bëjë me Salatet dhe selamin dërguar Muha­medit a.s.. Ka pesë faqe (13-16).
Këtë komentim autori, sikurse e thotë vetë, e ka shkruar në ditën e tretë të muajit të bekuar të Ramazanit në vitin 1331. (=6 gusht 1913)
Fillimi pas besmeles:
حمدا لمن جعله صلاة محمد تقريبا لذاته و جعلنا ينبوعا لظهور تجليات صفاته و الصلاة و السلام على سيدنا محمد الذى بصلاته يحصل للسالكين المتوسلين القربة الى درجات اصحاب اليقين… اما بعد فلما رايت الصلاة المنسوبة الى قطب الملامين الموحدين… اردت شرحها فشرحتها و سميتها “بالصلاة النورية الهيولانية” مستعينا بالله فى ما كتبت من المعانى و البيان…

Mbarimi:
هذا ما سانح لى فى شرح الصلاة النورية الهيولانية فى يوم الثالث من شهر رمضان المبارك فى سنة احدى و ثلاثون و ثلاث مائة والف

5. as-Salā al-lutfiyya ‘alā ad-durr-rra al-hafiyya
الصلاة اللطفية على الدرة الخفية

Në këtë trajtesë autori i dërgon salavate dhe selame Pejgamberit të Allahut, Muhamedit a.s., duke i dhënë atij epitete nga më të bukurat dhe nga më të ndryshmet, gjithnjë duke pasur parasysh vlerën e madhe gjatë dërgimit të salavateve mbi Pejgamberin Muhamed a.s..
Aty përshkruhen cilësitë e Pejgamberit Muhamed a.s. me një stil të lartë dhe shumë lakonik. Ka tri faqe (16-18).
Fillimi pas besmeles:
اللهم صل على سيدنا محمد سر الذات الاحدية و مظهر الصفات الصمدية حزينة الحكم و الاحسان و مدينة العلم و العرفان…

6. as-Salā al-badariyya wa at-tawas-sulāt al-hayriyya
الصلاة البدرية و التوسلاة الخيرية

Në këtë trajtesë autori u dërgon salavate dhe selame, – pas Pejga­mberit a.s., – ashabëve, që kanë marrë pjesë në betejën e Bedrit (ashāb al-Badr), duke ngritur lart trimërinë dhe heroizmin e tyre. Autori këtu ka përdorur një varg shprehjesh dhe epitetesh të larta për pjesëma­rrë­sit e betejës së Bedrit, duke lavdëruar shpatat e tyre, imanin, bindjen, trimërinë, guximin, heroizmin, sakrifikimin e jetës dhe pasurisë së tyre, devotshmërinë, sinqeritetin, zemrën dhe trupin e pastër të tyre. Autori nuk lë pa përmendur se janë pikërisht ata ashabë që mposhtën shtatëdhjetë prijës të kufrit nga radhët e mushrikëve kurejshitë. Ai përmend po ashtu edhe pozitën e lartë që kanë ata tek Zoti i tyre. Au­tori, në fund, lutet që bekimi i tyre, – për hir të Muhamedit a.s., Te­vratit, Inxhilit dhe Kuranit, – të na mbërthejë edhe ne.
Fillimi pas besmeles:
اللهم صل و سلم و بارك على من ارسلته رحمة للعالمين و شرفته بختم الانبياء و المرسلين و على اله و اصحابه الوجدان و اليقين … خصوصا منهم اصحاب البدر هم السابقون الاولون من المهاجرين و الانصار…
Mbarimi:
اللهم افض علينا من بركاتهم بحرمت سيد ولد عدنان و بحق التوراة و الزبور و الانجيل و الفرقان صلاوات الله و سلامه على نبينا و عليهم اجمعين.
Ç’është e drejta, haxhi Ymer ef. Paçarizi ashabëve pjesëmarrës në betejën e Bedrit u ka kushtuar edhe një vepër tjetër në vargje në gjuhën turke, e cila po ashtu ruhet në Arkivin e Kosovës. Aty, autori secilit ashab që ka marrë pjesë në këtë betejë, u ka kushtuar nga një dyvargësh, duke përmendur emrat e tyre veç e veç, renditur sipas alfa­betit. Konsiderojmë se kjo vepër është nga të rrallat vepra të autorëve tanë të kësaj natyre dhe të këtij lloji, mbase edhe më gjerë… Vepra mban titullin تفريج صدر بتوسل اصحاب بدر (Tafriğ-i sadr bi tavas-sul ashāb-i Badr), dhe autori e ka shkruar në vitin 1324/1906; ka gjithsej 24 faqe.
Si përfundim
Duke shfletuar dhe lexuar veprat e haxhi Ymer efendi Paçarizit, kuptojmë se ky autorë njihte gjuhën arabe në një nivel të lartë dhe në mënyrë të mrekullueshme. Ky autor nga Prizreni padyshim mbetet ndër alimët, poetët, shkrimtarët dhe figurat më interesante dhe më komplekse të periudhës së vonshme të autorëve tanë që kanë shkruar në gjuhët orientale dhe, si i tillë, meriton një respekt të veçantë dhe duhet të kemi një kujdes të shtuar për të dhe veprimtarinë e tij.
Në fund fare, të konstatojmë me të drejtë se haxhi Ymer Lutfi Pa­çarizi, me veprat e tij tejkalon kufijtë lokalë të vendit ku lindi e u rrit, ku jetoi e veproi; ai me veprat e tij iu bashkua radhëve të gjata të atyre autorëve dhe personaliteteve të shquara të kombit tonë, që i dhanë kontribut kulturës dhe qytetërimit islam në trojet tona, në veça­nti, dhe kulturës e qytetërimit islam, në përgjithësi; ai rrjedhimisht u bë pjesë e pandashme e kulturës dhe qytetërimit botëror. Të tillë duhet ta konsi­de­rojmë dhe të tillë duhet ta trajtojmë.

———————————-
[1] Më gjerësisht: Dr. Hasan Kaleši, Najstariji vakufski dokumenti u Jugoslaviji na arapskom je­ziku”, Prishtinë, 1972, f. 22.
[2] Prof. Dr. Ziya Kazici, Historia e arsimit islam, Tiranë, 2001, f. 18.
[3] Dr. Jašar Redžepagić, Razvoj prosvete i školstva albanske narodnosti na teritoriji današnje Jugoslavije do 1918 godine, Pristina, 1968, f. 43.
[4] Më gjerësisht: Akademik Jašar Redžepagić, Razvoj i obelježa turskih škola na teritoriji dana­šnje Jugoslavije do 1912 godine, “Studie”, 1988, f. 52 – 53.
[5] Hasan Kaleši, Spomenici islamske arhitekture i orijentalni rukopisi, në “Kosova nekad i danas”, Beograd, 1973, 470.
[6] Hasan Kaleši, “Kosova nekad i danas”, Beograd, 1973, f. 922.
[7] Madžida Bećirbegović, Prosvjetni objekti islamske arhitekture, “Starine Kosova”, VI-VII, Prishtina, 1972-1973, f. 82.
[8] Hasan Kaleši, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, “Gjurmime Albano­lo­gjike”, 1, Prishtinë, 1962, f. 95.
[9] Dr. Hasan Kaleši, Najstariji vakufski…, vep. cit., f. 23.
[10] Fehim Nametak, Književnost bosnaskohercegovačkih Muslimana na turskom jeziku do XVII stoljeća, Godišnjak institut za jezik i književnost, Sarajevë, 1982, f. XI/119, Cituar sipas: Dr. Jusuf Ramić, Izućavanje arapskog jezika kod nas, në: “Zbornik Radova”, nr. 2, Sarajevë, 1987, f. 237.
[11] Fejzulah Hadžibajrić, Omer Lutfijin Tahmis na Bosnjakovu kasidu o Fususul-Hikemu, në: “Anali Gazi Husrev Begove Biblioteke”, knjiga V-Vi, Sarajevë, 1978, f. 188.
[12] Më gjerësisht për jetën dhe veprën e haxhi Ymer Lutfi Paqarizit shih: Mark Krasniqi, Haxhi Ymer Lutfi Paçarrizi, në: “Jeta e Re”, nr. 5, Prishtinë, 1955, f. 418-426; Mark Krasniqi, Ha­xhi Ymer Lutfi Paçarrizi, në: “Zani i Rinisë, Prishtinë, 1957, nr. 14; Hasan Kaleši, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, në ”Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë, 1962, f. 113-115; Dr. Nimetullah Hafizi, O životu i pesničkim delima Hadži Omer Ljutfi Pačarizija, “Vjetari” i Arkivit të Kosovës, nr. VIII – IX, Prishtinë, 1975, f. 87-104; Mr. Tacida Hafiz, Haci Ömer Lütfi – Eserlerinden seçmeler, Prishtinë, 1992; Mr. Ilijaz Rexha, Poema re­volucionare e Haxhi Ymer Lutfi Paçarizit, në: “Vjetari i Arkivit të Kosovës”, numër jubilar, Prishtinë, 1981, f. 221-240; Hasan Kaleshi, Roli i shqiptarëve në letërsitë orientale, në: Se­mi­na­ri i Kulturës Shqiptare për të Huaj, nr. 2, Prishtinë 1976, f. 164; Jashar Redžepagić, Ško­lstvo i prosveta na Kosovu od kraja XVIII stoleca do 1918. godine, Prishtinë, 1974, f. 44-47; Fejzulah Hadžibajrić, Omer Lutfijin Tahmis na Bosnjakovu kasidu o Fususul-Hikemu, në: “Anali Gazi Husrev Begove Biblioteke”, knjiga V-VI, Sarajevë, 1978, f. 187-204 etj.
[13] Fjala arabe ““mağmū’a” “, d.m.th. “përmbledhje”, “koleksion”. Është nxjerrë nga fjala arabe “ğam’a”, „me grumbullue“, „me tubue“etj.. Shih: Salih Trako, Medžmua pjesnika Šakira, “Anali”, GHBB, knjiga, II – III, Sarajevo, 1974, f. 109.
[14] كتبه الفقير خادم الملامى محمد كامل ابن الحاج يعقوب المعروف طوسقو الپرزرينى – “Kopjimin e ka bërë i përvuajturi i tarikatit melamij Mehmed Kamili i biri i Haxhi Jakubit i mbiquajtur Tosko nga Prizreni. Mehmed Qamil Tosko ka lindur më 1879. Ky kopjues, pas vdekjes së haxhi Ymer Lutfi Paçarizit, ka qenë sheh i teqesë së melaminjve në Prizren.

Fjalori i ri Arabisht-Shqip

20/03/2012 Lini një koment

Prof. Murat GECAJ

 

FJALORI I RI ARABISHT-SHQIP

Prof. Murat Gecaj

Prof. Murat Gecaj

Kohët e fundit u publikua Fjalori i ri Arabisht-Shqip (Prishtinë, 2011). Për ta informuar në mirë lexuesin e interesuar, këtu poshtë po vendosim parathënien, që është paraqitur aty.
Gjuha arabe, e në veçanti gjuha standarde arabe, të cilës i kushtohet ky fjalor, është njëra ndër gjuhët më të përhapura në botë, posaçërisht ndër gjuhët e gjalla semite. Duke ruajtur karakteristikat semite, ajo është e një rëndësie të veçantë për semitologjinë dhe për filologjinë, në përgjithësi. Arabishtja, historikisht, ka pasur një shtrirje të vrullshme e, në veçanti, pas shpalljes së Kur’anit, në shek. VII të e.r. Ajo është shtrirë nga Iraku e gjerë në Marok dhe prej Sirie e gjerë në Sudan, por edhe jashtë këtyre kufijëve. Gjuha arabe, nëpërmjet Kur’anit, që nga shek. VII të e.r. merr edhe formën e saj standarde, të cilën e ka ruajtur deri në ditët e sotme. Ajo, me këtë, edhe merr statusin e gjuhës fetare te mbarë myslimanët dhe, në të njëjtën kohë, bëhet bartëse kryesore e civilizimit islam. Prandaj ka pasur ndikim të madh te popujt islamë në Azi, Afrikë dhe Evropë e më gjerë. Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane në Ballkan, ndikimi i arabishtes është shtrirë edhe në gjuhën shqipe, kuptohet nëpërmjet turqishtes. Andaj, edhe numri më i madh i fjalëve të ashtuquajtura orientalizma është me prejardhje arabe. Studimi i fondit të orientalizmave në gjuhës shqipe e bën edhe më shumë të nevojshme mësimin e gjuhës arabe.
Edhe pse kontaktet e popullit shqiptar me gjuhën arabe janë të hershme, shumë pak është bërë në hartimin e literaturës ndihmëse për mësimin dhe studimin e saj. Gjatë gjithë kësaj periudhe, nëse lëmë anash disa elifba të hartuar nga autorët shqiptarë, nuk kemi ndonjë përpjekje për hartimin e ndonjë doracaku ose fjalori të arabishtes.

Kopertinat e Fjalorit Arabisht-Shqip

Vetëm në fillim të Rilindjes Kombëtare kemi përpjekjet e para të hartimit të doracakëve të gjuhës arabe në gjuhën shqipe. Ndër ta, duhet cekur Hafiz Ali Korçën me abetaren e gjuhës arabe dhe me veprën “Çelësi i librit”. Kështu, titullohet vepra e morfologjisë arabe. Në këtë vepër përfshihet morfo-sintaksa arabe. Mirëpo, përveç hartimit edhe të disa doracakëve të mësimit të gjuhës arabe nga disa autorë, nuk kemi pasur ndonjë përpjekje për hartimin e ndonjë fjalori arabisht-shqip, pos të atij Mr. Fahredin Ebibit, një fjalor me një numër të vogël fjalësh. Këtë vit, doli në dritë edhe një fjalor tjetër arabisht-shqip i autorit Sylejam Topçini, dhe tani ky i yni. Fjalorët e lartpërmendur, për fillim, besoj të jenë të mjaftueshëm për të qenë bazë për mësimin e arabishtes dhe, në të njëjtën kohë, të shpeshtohet me përkthimin e letërsisë.
Mësimi i gjuhës arabe nëpër medrese e nëpër fakultete, për një periudhë kohore të gjatë, e ka bërë të domosdoshme nevojën e një fjalori, si ky me rreth 100 000 fjalë. Synimi ka qenë që të përgatisim një fjalor, i cili do të përdoret si fjalor burimor nga nxënësit, studentët, studiuesit dhe gjithë ata, që janë të interesuar për gjuhën arabe.
Shtetit Shqiptar, pas rënies së komunizmit dhe Republika e Kosovës tani, kanë shpeshtuar kontaktet me shtetet arabe. Besoj që edhe ky fjalor do të jetë një ndihmesë e madhe në përforcimin e këtyre kontakteve mes popullit shqiptar dhe atij arab. Gjithashtu, qëllimi i këtij fjalori është që të krijojë një lidhje gjuhësore mes arabishtes dhe shqipes.
Ky fjalor, para se gjithash, është fjalor i gjuhës standarde arabe. Që nga shekulli i dytë dhe i tretë i Islamit gjuha arabe, me ndikimin e puristëve, në masë të konsiderueshme e ka ruajtur formën e saj në aspektin fonetik, morfologjik, sintaksor dhe leksikor. Por, kjo nuk do të thotë që ajo nuk ka pësuar ndryshime, duke iu përshtatur jetës bashkëkohore, shkencës në përgjithësi, teknologjisë, artit dhe gjithë rrjedhave të civilizimit dhe kulturës.
Duke marrë parasysh literaturën klasike shumë të pasur, ky fjalor, krahas leksikut bashkëkohor të gjuhës arabe, përmban edhe mjaft fjalë të vjetra.
Synimi ynë ka qenë që të hartojmë një fjalor praktik, ndaj nuk kemi pasur pretendim që të përfshijmë zhvillimin historik të gjuhës arabe. Kryesisht, jemi bazuar në përvojën e disa autorëve të fjalorëve të ndryshëm, qofshin ata arabisht-arabisht ose arabisht e në ndonjë gjuhë tjetër.
Falënderoj recensentët, që me këshillat dhe sugjerimet e tyre më ndihmuan që ky fjalor të jetë sa më me pakë mangësi.
Jam i vetëdijshëm që edhe ky fjalor aq i vëllimshëm, si gjithë fjalorët tjerë në gjuhët e huaja, ka edhe mangësitë e veta. Por, më mban shpresa që përdoruesit e tij do të më kuptojnë që nuk ka qenë e lehtë të përqendrohem për kuptimin e saktë të një fjale të caktuar, duke e pasur parasysh poliseminë mjaft të zhvilluar të gjuhës arabe. Gjithë sugjerimet dhe vërejtjet qëlli-mira do të më ndihmonin në përmirësimin e mangësive të mundshme, në rast të ribotimit të këtij fjalori.
Falënderoj shtëpinë botuese ”Mendimi Islam”, e cila mori përsipër botimin dhe distribuimin e këtij fjalori.
* * *
Në vazhdim, në Fjalor janë dhënë udhëzime për përdorimin e tij, meqenëse alfabeti arab shkruhet nga e djathta në të majtën dhe Fjalori ynë shkruhet nga e majta në të djathtë.
Pjesa e arabishtes është e ndarë krejtësisht nga ajo e gjuhës shqipe. Fjala në arabishte, për shkak të natyrës së alfabetit arab, fillon nga ana e djathtë, kurse e shqipes nga e majta.
Renditja e fjalëve në fjalor është bërë sipas principit etimologjik- semantik, pra, sipas rrënjës së fjalës dhe është renditur sipas rendit alfabetik. Kjo metodologji është ndjekur nga hartuesit e shumë fjalorëve të gjuhës arabe, qofshin ata arabisht-arabisht ose arabisht e në ndonjë gjuhë të huaj.
Për ta theksuar edhe më shumë rrënjën e fjalës, e kemi dalluar me këtë shenjë • dhe e kemi lënë të pa vokalizuar, si dhe rresht në vete.
Në krye të rreshtit, veç fjalëve të mëvetësishme, vihen edhe fjalët njërrokëshe, dyrrokëshe, konsonantet, shkurtesat dhe afikset.
Në kuadër të një rrënje të fjalës me tri konsonante, fillimisht pason folja me gjitha llojet e veta në vetën e tretë të gjinisë mashkullore në kohën e kryer الماضى . Nëse e njëjta rrënjë e foljes ka një e më shumë forma të llojit të parë, atëherë janë renditur sipas vokalit të konsonantit të mesëm të rrënjës së foljes në kohën e tashme المضارع si p.sh.: يَكْتُبُ -ُ كَتَبَ ؛ يَجْلِسُ -ِ جَلَسَ ؛ يَقْرَأُ َ- قَرَأَ . Ndodh që renditja e foljeve të jetë bërë edhe sipas formës së masdarit, nëse folja ndryshon kuptimin, duke marrë një formë tjetër.
Foljet me tri konsonante rrënjësore الثلاثي المجرد janë të renditura sipas llojeve të foljeve. Pas llojeve të foljeve, pasojnë gjithë emrat e prejardhur nga ajo folje, të renditur sipas renditjes alfabetike.
Format jo të rregullta të kohës së tashme të foljeve të parregullta janë dhënë në tërësi: وَأَدَ – يَئِدُ ؛ وَأَصَ – يَئِصُ .
Pas vokalit të mesëm pason masdari i foljes. Nëse një folje ka një e më shumë forma të masdarit, atëherë format e masdarit janë renditur sipas rendit alfabetik ose shkallës së përdorimit. Të gjithë format e masdarit janë dhënë pa nunacion التنوين ,nëse kanë lakim të plotë. Po qe masdari lakohet sipas lakimit jo të plotë, atëherë është vokalizuar.
Shkurtesa ه pas foljeve simbolizon kundrinën, që shpreh qenie njerëzore, të ashtuquajtur عقليّ p.sh. أَخْبَتَ إلى (ل) ه përulem (përkulem, gjunjëzohem) para; ضَيَّفَ ه ه
kthehem me [dikë] mysafir te; Shkurta هـ simbolizon kundrinën, që shpreh qenie jonjerëzore dhe gjësendetë të ashtuquajtur غير العقلّي: صَفَّى هـ من هـ derdh [ujin] prej [kovës]; سَقَى هـ فى هـ derdh [ujë] në [shakull].
Llojet e zgjeruara, si zakonisht, janë dhënë të vokalizuar në formë të plotë. S’do mend se gjithë foljet nuk kanë përdorim në gjithë llojet e foljeve. Ndaj janë dhënë vetëm ato lloje të foljeve, që ka një folje e caktuar. Gjithë emrat e prejardhur të foljeve janë renditur sipas rendit alfabetik.
Pas llojeve të foljeve, në raste të rralla, janë dhënë edhe forma të derivuara, qofshin folje ose emra foljorë, nga foljet me tri konsonante, psh. سَكَنَ > تًمَسْكَنَ ؛ حَمَلَ > حَوْمَلَ.
Edhe foljet me katër dhe me pesë konsonante (الخماسيّ, الرُباعيّ) janë të radhitura sipas të njëjtit rend, pra llojet e foljeve, për të vazhduar me emrat e prejardhur prej foljeve.
Krahas fjalëve, kemi dhënë edhe disa togfjalësha, si për shembull: عُطْلَة اْلأَسْبُوعِ ِ fundjavë, عَظْم الْكَعْب kockë e thundrës etj., ose edhe fjali të tëra: إِنَّ الْبُغَاثَ بِأَرْضِنَا يَسْتَنْسِرُ “Te ne edhe të dobëtit bëhen të fuqishëm”; fjalë të urta عُصْفُورٌ فِى الْيَدِ خَيْرٌ مِنْ أَلْفٍ فِى الشَّجَرَةِ “Më mirë një vezë sot, se një pulë mot”, ”I përmbyturi kapet edhe për një fije kashte”.
Për format e emrave të prejardhur (emrave, masdareve, participeve, mbiemrave dhe numërorëve) janë dhënë edhe format e shumësit të parregullt, rrallë herë edhe ai i rregullt.
Gjinia femërore e emrave është dhënë në mënyrë të veçantë, p.sh. إِبْنَة ndaj إِبْنٌ . Forma e rregullt e gjinisë femërore, te mbiemrat, është dhënë vetëm sipas nevojës; kurse forma e parregullt është dhënë gjithmonë duke i paraprirë shkurtesa مـ , e cila simbolizon gjininë femërore, p.sh. زَرْقَاءُ prej أَزْرَقُ.
Nyja shquese e arabishtes الnuk është vokalizuar pos në rast të sintagmave të ndryshme. Gjithashtu nuk janë vokalizuar edhe parafjalët e dhëna pas foljeve.
Meqenëse, në gjuhën arabe, gjinia femërore e emrave dallohet qartë nga gjinia mashkullore, ndaj nuk është paraqitur fare. Mirëpo, në raste të rralla, kur emrat e gjinisë mashkullore marrin mbaresën e gjinisë femërore (ة), atëherë pas atyre emrave është dhënë shkurtesa ذ, e cila simbolizon gjininë mashkullore të emrit: خَلِيفَة halif. Tek emrat, mbiemrat dhe participet, që kanë të njëjtën formë për të dy gjinitë, zakonisht është dhënë shkurtesa سـ.
Presja, në tekstin arabisht, është përdorur për të ndarë parafjalët që pasojnë njëra pas tjetrës pas foljeve. Gjithashtu, është përdorur për hir të hapësirës, edhe pse shumë rrallë, për të ndarë disa emra të prejardhur nga e njëjta rrënjë e që kanë të njëjtin kuptim.
Pjesa shqip e fjalorit, si zakonisht, fillon nga e majta. Folja e arabishtes, në vetën e tretë të gjinisë mashkullore, është përkthyer në vetën e parë njëjës, sipas natyrës së hartimit të fjalorëve në gjuhën shqipe, me përjashtim në rastet kur përemri i vetës së tretë është i kapur me foljen, në shprehje të veçanta, në fraza ose në fjalë të urta. Në raste të tilla, është përkthyer në përputhje me tekstin arabisht. Edhe pësorja është përkthyer në vetën e parë ose me trajtën e pjesores ”të qenët”.
Me presje janë ndarë fjalë, që janë barasvlerë ose kanë kuptim të njëjtë, p.sh: i shkathët, i shpejtë, i zhdërvjellët. Me pikëpresje janë ndarë fjalët, që kanë kuptim të përafërt, p.sh: kursej; deponoj; ruaj,ose kanë kuptim tjetër, p.sh: përshtat; kufizoj; specializoj; specifikoj; saktësoj; jap të dhëna të veçanta etj.
Kllapat e rrumbullakëta janë përdorur për të ndihmuar përdoruesin të gjejë barasvlerësin më të përshtatshëm; p.sh: i implikuar në një grindje (në një zënkë, në një mosmarrëveshje). Brenda kllapave të rrumbullakëta janë vënë edhe shkurtesat me kursive; p.sh: (gr.); (zool.) etj. Kllapat katrore [] janë përdorur për të vënë brenda këtyre kllapave një shprehje plotësuese, për të lehtësuar kuptimin e një fjale. Gjithashtu, e njëjta fjalë është dalluar duke i zvogëluar fondin e madhësisë së shkronjave; p.sh të qenët [det] i valëzuar, i shqetësuar. Këto kllapa janë përdorur edhe për të dhënë sqarime shtesë për një fjalë të caktuar, p.sh.: marr pak [gjellë për të shijuar].
Në mbyllje, në këtë fjalor janë vendosur: literatura dhe shënjat e përdorura, shkurtesat në pjesën e arabishtes dhe në atë të shqipes.

Shqiptarët në rrjedhat kulturore të Sirisë

21/02/2012 Lini një koment

Dr. Isuf AHMETI

SHQIPTARËT NË RRJEDHAT KULTURORE TË SIRISË

Dr. Isuf Ahmeti

Roli i shqiptarëve në Siri, edhe pse në krahasim me kombet e tjera ishin pakicë kombëtare, në jetën kulturore ishte tejet i dukshëm. Këtë e dëshmon qartë pjesëmarrja e tyre në krijimtarinë shoqërore dhe kulturore, në letërsi e publicistikë, mandej në roman, dramë, poezi, tregim, gazetari, përkthim e fusha të tjera.

Edhe pse shumica e shqiptarëve erdhi në Siri nga fshatrat, do të thotë pa gjuhë dhe kulturë, ata prapëseprapë u ngritën në atë masë sa për t’i kontribuar kulturës dhe vendit.
Kontributi i bashkëkombësve tanë në letërsinë siriane është aq i madh sa që ata patën rol vendimtar në krijimin e tri gjinive të reja letrare në atë letërsi, e sidomos në dramë, roman dhe në tregim. Përveç kësaj, shqiptarët u dalluan edhe në poezi, gjini kjo që është me një traditë të lashtë shekullore në Siri.

Në romanin sirian Maruf Arnauti (1852) kishte një rol thelbësor në zhvillimin e kësaj gjinie letrare në letërsinë siriane. Më nuk vehet në dyshim se romani i parë në Siri u shkrua nga shqiptari M. Arnauti, i cili u paraqit në vitin 1929 në tri vëllime me titull “ “Sejid Kurejsh” (Zotriu i Kurejshit). Në këtë vepër bëhet fjalë për gjendjen shoqërore-politike të arabëve para islamit, për ç’gjë në atë kohë kishte qëndrim kundër mendimeve të prapambetura mbi lidhjen e nacionalitetit me fenë. Romani ka tri vëllime me gjithësej 918 faqe. Ky roman i vetëm deri më tani në letërsinë siriane është botuar katër herë.

Iniciativa e M. Arnautit që kjo vepër të mbështetet në histori, tek lexuesit u prit shumë mirë dhe zgjoi kërshërinë tek të gjithë dashamirët e letërsisë dhe pikërisht për këtë arsye romani Zotriu i Kurejshit autorin e shtyri që të shkruajë edhe më shumë në këtë drejtim. Kështu, më 1936 në Damask u botua romani i tij i dytë në dy vëllime “Omer ibn el-Hatab”, roman ky që ka përmbajtje historike-shoqërore, e në të cilin autori, midis të tjerash, përshkruan jetën shoqërore dhe politike të arabëve, si dhe luftën e tyre për çlirimin e Sirisë dhe të Irakut.

Pesë vjet më vonë, po në Damask i botohet romani i tretë me titull “Tarik ibn Zijad”. Aty autori trajton ngjarjet që kanë të bëjnë me pushtimin e Spanjës.
Në vitin 1942 në Damask u botua edhe romani i tij i katërt me radhë “Fatima elbetul”, kurse një vit më vonë M. Arnauti filloi të shkruajë romanin e pestë të titulluar “Al-Kahira”. Kjo vepër për fat të keq mbeti e papërfunduar për shkak të vdekjes së autorit.6 Maruf Arnauti është autor i romanit të parë, të dytë dhe të pestë në letërsinë siriane, gjë që është kontribut i rrallë i ndonjë shqiptari në një letërsi të huaj. Edhe pse me karakter historik, romani i M. Arnautit mbetet vepër që ka dominuar për një kohë të gjatë në Siri.

Përveç M. Arnautit, në lëmin e romanit përmendet edhe Abdylatif Arnauti (1931). Romani më i njohur i A. Arnautit është “Al-Hatabun” (Druvarët), i cili bën fjalë për shpërnguljen dhe jetën e shqiptarëve në mërgim.
Kontributi i tij është më i dukshëm në përkthimin e romaneve shqiptare në gjuhën arabe. Deri më tashti A. Arnauti ka përkthyer dy romane (“ Gjenerali i ushtrisë së vdekur“ dhe “Dasma“) të shkrimtarit tone të mirënjohur Ismail Kadare. Këto përkthime gjenden në bibliotekën e Degës së orientalistikës në Prishtinë.

Sa i përket gjinisë së dramës, shkrimet që flasin për kontributin e shqiptarëve në këtë drejtim nuk mungojnë. Në këtë lëmë vend të merituar zë Maruf Arnauti (?)… 1851-1948, i cili është ndër të parët që shkroi drama me plot kuptimin e fjalës. Arnauti shumë herët filloi të interesohet për teatër, kështu që në rini punoi një kohë në teatër e më pastaj studioi artin teatral. Mirëpo, aktiviteti i tij krijues ka filluar në dekadën e dytë të këtij shekulli kur ka përkthyer shumë drama nga gjuha frënge, të cilat i janë botuar në revista të ndryshme në Liban (Al-Ikbal, Al-Balag, Al-rai al-Am etj.). Më vonë M. Arnauti filloi të shkruajë edhe drama origjinale nga të cilat dallohen ” Xhemal Pasha Assafah “, (Xhemal Pasha gjakatari) dhe “Ebu Abdullah Essagir”, më 1929

Drama e parë origjinale e Maruf Arnautit (“Xhemal Pasha gjakatari“) është shfaqur që në kohën e pavarësisë së parë të Sirisë, më 1919, dhe është pritur me entuziazëm të madh nga publiku i Damaskut.
M. Arnauti realizoi një kontribut të shumëfishtë në historinë e dramës siriane. Nga një anë, ai ishte i pari që në dramën siriane futi një temë aktuale, që rrjedh drejtpërdrejt nga realiteti. Drama bën fjalë për komandantin e ushtrisë osmane në Siri, Xhemal Pashën, i cili shprehu një armiqësi të madhe ndaj Lëvizjes kombëtare në Siri. Vërtet është për t’u habitur se si një shqiptar kaq herët ka mundur të shkruajë me një entuziazëm të tillë për kombëtarizimin arab, i cili në atë kohë sapo kishte filluar të paraqitej.

Si në këtë ashtu edhe në dramën tjetër që mban titullin “Abu Abdullah Essagir”, M. Arnauti realizoi edhe një kontribut të veçantë në pikëpamje artistike. Ai me këtë e bindi opinionin e gjerë se teatri mund të shfrytëzojë të gjitha temat letrare, artistike, historike, lirike, shoqërore dhe patriotike.
Shqiptarët u dalluan edhe si aktorë të teatrit të Sirisë. Në këtë drejtim u dallua Ekrem Huluki (1903-1968), i biri i letrarit Mustafa Huluki. Ekrem Huluki u dallua së pari me pjesëmarrjen e tij në revolucionin e viteve 1925-1927, për ç’shkak edhe u dënua me vdekje. Për shkak të dënimit ai iku në Kajro, ku qëndroi disa vite para se të kthehet në Damask. Në fillim u mor me pikturë, kurse më vonë u orientua kryesisht në teatër. Që nga viti 1940 ai ka bashkëpunuar me aktorin Abdyl Vehab në disa drama me tema patriotike e shoqërore, të cilat u shfaqën në Damask dhe në Bejrut.14 Më vonë, në bashkëpunim me të vëllain, përgatiti disa drama në radio me tematikë nga historia arabe e nga legjendat greke, si dhe nga veprat e shquara teatrale. Për aktivitetin dhe kontributin e tij në teatër kryetari i Republikës e shpërbleu me Dekretin për Mirënjohjen Siriane, në vitin 1964.

Nga veprat e tij dallohen “Dumuë” (Lotët). ”El-Xhela” (Tërheqja), “Katiatu Abë” (Mëkati i një ati), “Xherimetul Umë” (Krimi i një nëne) e vepra të tjera.
Rrugën e tij artistike e vazhdoi i biri Usama Huluki, i cili arriti të bëhet aktor i shquar në teatër, në televizion dhe në film.
Në teatër u dallua edhe Ajshe Arnauti (1948), e cila u angazhua që nga mosha e hershme 10-vjeçare. Ajo mori pjesë në Damask dhe në Bejrut me më se 18 vepra teatrale.

Ndërkaq, në lëmin e poezisë shqiptari Mustafa Huluki (1850-1915) zë një vend të merituar e të veçantë. Shkrimet e tij dëshmojnë se a i filloi studimet në shkollën ushtarake në Damask, por në ndërkohë kaloi në shkollën ushtarake në Stamboll dhe prapë u kthye në Damask me gradë oficeri.
Në Damask ai u mor me poezi e përkthime dhe flitet se mori pjesë në përkthimin e Enciklopedisë së Parë Arabe (Enciklopedia e el-Bustanit).18 Për një kohë M. Huluki ishte edhe drejtor i shkollës së njohur El-Sultanie në Bejrut. Ai zotëronte mirë edhe gjuhën turke, gjuhën persishte dhe gjuhën frënge.

Vjershat e tij janë botuar në shumë gazeta e revista siriane dhe në ato libaneze. Në poezinë e M. Hulukit ndihet së pari fryma e kohës, e kjo shihet më së miri në vjershat e tij me përmbajtje lirike. Mirëpo, veçori kryesore e këtij poeti është llojllojshmëria e poezisë së tij. Nga poezitë e M. Hulukit në dispozicion kemi edhe ato që i janë kushtuar më shumë largimit ndaj Atdheut, ku shpreh indinjatën e thellë të vetmisë dhe jetën e tij larg atdheut. Vjershat e tij më të njohira janë: “Qiriut”,” Vetmia”, etj.

Sipas Dr. Lukës, poezia e M. Hulukit ka rëndësi të madhe sepse ai frymëzoi këtë gjini letrare me çështje patriotike. Për këtë arsye poezia e tij përhapej fshehurazi, mirëpo më vonë edhe publikisht. Dhe, nga fundi i jetës ai u verbua, por edhe më tej vazhdoi të shkruajë letra me karakter politik dhe artikuj letrarë. Sipas burimeve, i ati i M. Hulikit ishte prej Kavallës.
Pothuaj përafërsisht në të njëjtën periudhë kemi edhe krijimtarinë e poetit Thabit Niman Ferizaj (1860-1950). Këta dy krijues shënuan fillimin e poezisë te shqiptarët e Sirisë dhe jetuan gati në të njëjtën periudhë. Poezitë e tyre dallohen njëra nga tjetra.

Mustafa Huluki poezitë e tij i shkroi në gjuhën arabe, kurse Thabit N. Ferizaj në gjuhën shqipe me alfabetin arab.
Poezia e tyre dallohet shumë edhe për nga motivet. Kështu, M. Huluki u dallua në poezinë siriane si pionier i poezisë kombëtare, ngase poezia e tij kishte përplot motive antiturke. Ndërkaq, Thabit N. Ferizaj kishte në poezinë e tij vetëm motive fetare-mistike, që për ne mund të kenë vetëm ndonjë vlerë gjuhësore.

Njëherësh poeti Thabit N. Ferizaj është dëshmi e një momenti në jetën e shqiptarëve të Sirisë në atë kohë, gjë që ka të bëjë me dominimin e frymës fetare mbi frymën kombëtare. Thabit N. Ferizaj është nga ato familjet e ardhura në Ferizaj, muhaxherëve, në prag të Kongresit të Berlinit. Në Ferizaj mësonte persisht dhe arabisht, e më vonë punoi si mësues. Që në rini ka filluar të shkruajë poezi në gjuhën shqipe dhe në atë persishte. Ndër të tjera, ka shkruar diçka edhe mbi ndikimin e kolinizimit osman në shtetet ballkanike.

Thabit Nimani është detyruar të largohet nga Ferizaj për shkak se ka thyer traditat me rastin e martesës së tij të papranueshme për këtë anë.

Në Damask talenti i Th. Nimanit u shpreh jo vetëm në letërsi, por edhe në shkencë. Shkruante libra nga lëmi i astranomisë dhe i shkencave natyrore. U mor edhe me poezi. Shkruante vjersha në gjuhën arabe dhe në atë shqipe. Të gjitha vjershat e tij janë me përmbajtje gati mistike dhe shpeshherë i janë lexuar me rastin e festave fetare.

Është me interes të përmendet se Th. Nimani u orvat të përkthejë në gjuhën shqipe “Shahnamenë e Firdeusit”. Është me interes po ashtu të përmendet se ai shkroi një libër të veçantë me titull ” Mendimet e mia në historinë dhe në letërsinë arabe persiane, turke dhe shqipe “.27 Nga kjo shoqëri u dalluan edhe dy krijues të tjerë: Sheuket Gavoçi dhe Abdulatif Arnauti, nxënësi i tij më i interesuar. Nga këta dy krijues është krijuar një poezi shqiptare me plotkuptimin e fjalës, gjë që mund të jetë pjesë përbërëse e poezisë shqiptare në përgjithësi. Ndonëse këta dy jetonin së bashku, megjithatë krijimtaria e tyre poetike dallonte shumë.

Shevket Gavoçi u lind në Shkodër, ku kreu shkollën fillore. Më vonë, në vitin 1937, erdhi në Kajro ku kreu shkollën e mesme në gjuhën arabe. Në Egjipt qëndroi deri në vitin 1944, prej nga kaloi në Damask. Në Siri përkrahu formimin e shoqërisë së parë shqiptare në Damask, si dhe mbrojtjen e frymës patriotike brenda kësaj shoqërie.

Edhe pse jetoi dhe jeton në rrethin arab, ky është shumë larg ndikimit të kulturës arabe dhe mbeti në botën e kulturës shqiptare, përkatësisht në poezinë shqiptare. Shevket Gavoçi në një mënyrë praraqet vazhdimin e traditave të poezisë shqiptare. Vjershat më të njohura të tij janë: ” Në dhe të huaj, ç’ka dielli që s’bën dritë”, “Malli për Atdhe”, etj.
Fitohet përshtypja për praninë e Shirokës në botën e tij poetike. Ndoshta kjo nuk është gjë e rastit, pasi që poeti në vitet e dyzeta jetoi një kohë të gjatë në Egjipt, pra atëherë kur vjershat e Shirokës ishin ende të freskëta në atë vend. Në vjershat e tij vërehet ndikimi i klasikëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, sidomos i Shirokës. Edhe pse shkroi qysh herët veprat filloi t’i botojë vonë. Deri më tani disa poezi të tij i janë botuar në periodikun tonë kosovar.

Në lëmin e poezisë mund të veçojmë edhe Abdulatif Arnautin i lindur në Damask, më 1931, me origjinë nga Dobërlluka. Pasi i mbaroi studimet një kohë të gjatë filloi të punojë në arsim në cilësinë e drejtorit. Në ndërkohë e mbaroi edhe Fakultetin Juridik në Universitetin e Damaskut.

Abdulatif Arnauti përfaqëson një botë të përzier, meqë ishte i frymëzuar me motive kombëtare, në njërën anë, dhe ndër të parët që ranë në kontakt me poezinë shqiptare të shekullit XIX, në anën tjetër. Ai është i pajisur edhe me kulturë arabe, qoftë me atë klasike, qoftë me atë të kohës së tij. Në fillim të të pesëdhjetave-gjashtëdhjetave ai shkruante vjersha në gjuhën arabe, vjersha këto me motive shqiptare, në të cilat shprehte mallin dhe dashurinë e tij për vendlindje.Këto vjersha i botoi atëherë me një pseudonim mjaft karakteristik- “Ibn Kosova”, që në gjuhën shqipe do të thotë “I biri i Kosovës”. Më vonë, pas vendosjes së kontakteve me vendlindjen, në vitet e gjashtëdhjeta-shtatëdhjeta, Abdyli do të hyjë në një fazë krejtësisht të re, në të cilën do ta braktisë shkrimin e vjershave në gjuhën arabe dhe do të orientohet ekskluzivisht në shkrime në gjuhën shqipe.

S’do mend se komunikimi me vendlindjen bëri që ai të vërshojë opinionin me një sërë vjershash në gjuhën shqipe. Në saje të përkthimeve të shumta të tij, publikut arab iu mundësua të lexojë vjershat e Nolit, Naimit, Migjenit, Asdrenit, etj.
Vjershat e Abdylit janë botuar në disa gazeta e revista, si në “Drita”, “Nëntori”, “Fjala”, etj. Poezitë më të njohura të tij që i kemi janë: “Botë e huaj”, “Psherëtimë”, “Psalmë”, “Dëshiroj”, “Në kujtim të nënave”, “Zjarri i mallit”, “Lulet e Kosovës”, “Krua i fshatit tim”, “Mirupafshim”, “Ofshamë”, etj. Ai njëherësh është edhe anëtar i Unionit të Shkrimtarëve Arabë në Damask.

Së bashku me A. Arnautin përmendet edhe i vëllai Abdylkadër Arnauti, i lindur më 1936 në Damask, kurse me origjinë është nga Dobërlluka. Studimet e arteve figurative i mbaroi në Romë dhe në Paris ku edhe u diplomua. Pas mbarimit të studimeve u kthye në Damask, ku edhe sot punon si profesor në Fakultetin e Arteve Figurative. Ndonëse në Siri njihet më shumë si piktor, ai është njëherësh është edhe poet i mirë, meqë merret edhe me poezi. Vjershat e tij janë me përmbajtje lirike, e kjo shihet qartë në përmbledhjen e fundit “Remadun ala Arden baride” (Hiri mbi tokën e ftohtë).

Vjershat më të njohura të Abdukadër Arnautit që i kemi janë: “Zoti dhe Ademi”, “Gozhdë e ndryshkët”, “Arkivoli”, “Varri”, “Dashuria sot”, “Vinjetë”, etj.
Është me rëndësi të përmendet fakti se edhe femrat shqiptare nuk mbetën prapa, ndonëse ato u çliruan vonë nga dogmat dhe traditat fetare. Në mesin e tyre dallohet Hatixhe Arnauti, e lindur më 1933 në Damask36, kurse me shkrime filloi të merret qëkur ishte nxënëse e shkollës së mesme.

Hatixhja ka botuar poezi në disa gazeta dhe revista para se të paraqitej përmbledhja e saj e parë e titulluar “Rebiu Kalben” (Pranvera e një zemre) në vitin 1954. Përveç kësaj, ajo ka edhe një përmbledhje tjetër të titulluar “El-harifu hazijnu fi bejti” (Vjeshta e hidhëruar në shtëpinë time).38 Në poezinë e Hatixhes ndihet një frymë lirike, por më tepër dominon hidhërimi i përzier me ndonjë shpresë që e mban. Vjershat më të njohura të saj janë: “Jam vajzë pa Atdhe”, “Flamuri”, etj.

Mirëpo, si poete më e njohur në mesin e shqiptarëve të Sirisë është Aisha Arnauti, e lindur më 1948 në Damask, me origjinë nga Dobërlluka. Në Damask kreu studimet e mesme dhe ato universitare – Gjuhën dhe Letërsinë Frënge. Para një kohe kaloi në Paris, ku edhe sot jeton dhe punon. Aisha filloi të shkruajë poezi në moshën shtatëvjeçare. Në moshën 11-vjeçare botoi vjershën e parë në gazetën e Damaskut “Al-Ahbar”. Në moshën 14-vjeçare ajo ishte në qendër të vëmendjes së shtypit arab-në Lindjen e Mesme, ngase u konsiderua që atëherë si një Sagan ere në Siri).

Poezinë e Aishes e karakterizon një frymë patriotike e shumanshme. Kështu, ajo u prezentua me shumë vjersha në Antoligjinë e poeteshave arabe që doli në Nju-Jork në vitin 1979. Vjershat më të njohura të saj që i kemi janë: “Dyndja”, “Agimi i fëmijërisë”, “Pa titull”, “Çdo gjë është e rreme”, “I ndëshkuar e i dhunuar”, “Nga herë kur”… etj. Nuk është e tepërt të thuhet se një gazetë e Damaskut shkruante se Aisha Arnauti u bë objekt i gazetave dhe i revistave angleze, të cilat botuan fragmente nga poezia dhe biografia e saj, duke komentuar se ajo është mrekulli letrare e këtij viti.

Në radhën e poeteshave shqiptare me nam bën pjesë edhe Raxha Arnauti, e lindur më 1946 në Damask ku edhe e kreu shkollën e mesme. Më vonë ajo kaloi me punë në Algjeri dhe studimet universitare i vazhdoi në Degën e Letërsisë Frënge. Raxha dallohet me një gjuhë më të thjeshtë poetike, por me ndikime më të dukshme të rrethit të ri arab, përkatësisht atij algjerian. Në vjershat e saja vërehet dominimi i dy elementeve të jetës algjeriane-Saharaja dhe deti.42 Poezitë më të njohura të saj janë: “Shpresë”, “Prekje”, “Deti”, “Valët”, “Një shenjë”, “Lindje”, “Stuhi”, “Lumi”, etj. Poezitë e saja u botuan në gazeta e revista të ndryshme dhe përshkohen kryesisht nga fryma e ndjenjës emocionale.

Në lëmin e poezisë kemi edhe Barakat Latif Arnautin, i lindur më 1935 në Damask, me origjinë nga Kosova. Në Damask kreu vetëm shkollën e mesme, kurse më vonë u inkuadrua në punë në hekurudha. Një kohë ai kaloi në Gjermaninë Demokratike për ushtrime profesionale, ku e tërhoqi kultura letrare. Prej atëherë filloi të interesohet për kulturë e për letërsi, sidomos për poezi.43 Në vitet e shtatëdhjeta Barakati është paraqitur si poet dhe është bërë fenomen në letërsinë siriane. Deri në moshën dyzetvjeçare ishte punëtor i thjeshtë si shumë të tjerë. Mirëpo, në vitin 1976 është paraqitur përnjëherë si poet i mirë me një gjuhë të pasur. Së pari u prit me interesim të madh dhe menjëherë pas kësaj Nga Ministria e Kulturës iu botua një përmbledhje vjershash me titull “Këngët e lokomotivistit” në Damask në vitin 1973.44 Pa dyshim, Barakati është, tash për tash, një fenomen i rrallë në letërsinë siriane. Vjershat më të njohura të tij janë: “S’ka frikë”, “Gjethet e limonit”, “Tymi dëshmon Njeriun”, “Makinat”, “Një parajsë prapa natës”, “Shpresë”, “Gjykim,” “Shokut udhëtar”, “Ah, tash e pranoj varfërinë tënde”, etj. Ndonëse punonte fizikisht, ai arriti të krijonte një gjuhë e një botë poetike që pasqyrojnë vdekjen e punëtorit e jo lumturinë e tij.

Edhe në lëmin e tregimit sirian shqiptarët e Sirisë patën një rol të posaçëm. Në Siri tregimi është paraqitur shumë vonë. Shkak i kësaj vonese merret qëndrimi i pushtetit osman ndaj kulturës së re.
Në këtë lëmë shqiptari Mustafa Huluki (1850-1915) në Siri përkthente dhe botonte për herë të parë tregimet e para në librin e tij ” Vezaif el-Inath” (Detyrat e fëmijëve), i cili u botua që në vitin 1880 në Damask. Ky libër është përkthyer nga gjuha turke dhe sot gjendet në bibliotekën “Al-Dhahirije” në Damask. Vlera e librit në fjalë qëndron në faktin se është botim i parë i këtij lloji pas sjelljes së shtypshkronjës në Siri në vitin 1855.

Në fillim të këtij shekulli, kur tregimi sirian filloi të zhvillohet, u paraqit shqiptari Maruf Arnauti (1892-1948) me tregimin e tij “Firdeus al-Mearri” (Parajsa e Mearrit), i cili u botua në vitin 1915. Vlera e tregimit të M. Arnautit nuk qëndron vetëm në pikëpamjen artistike-historike, por edhe në qëndrimin e autorit, të cilin e formulonte me anë të tregimit.
Kur flitet për ndonjë kontribut të shqiptarëve në lëmin e tregimit padyshim meriton të përmendet Ali Huluki (1910), i biri i letrarit Mustafa Huluki me origjinë nga Kavalla. Ali Huluki hyri në historinë e tregimit sirian si pionier i këtij tregimi. Kohëve të fundit kritika moderne rolin e tij e ka ngritur shumë. Ai nuk është më vetëm pionier i tregimit, por edhe i realizimit dhe i angazhimit në Siri. Ali Huluki u dallua së pari në jetën patriotike, me pjesëmarrjen e tij në demonstrata kundër francezëve. Nga ana tjetër, ai u angazhua me grupin përparimtar të posaformuar, i cili hapi një front kundër vijës reaksionare, duke hapur në këtë mënyrë një faqe të re të historiesë së shoqërisë siriane.

Ali Huluki ka filluar të shkruajë tregime me tematikë nga rrethi i tij plot kontradikta shoqërore, gjë që ishte krejtësisht e re në tregimin sirian. Përmbledhja e tij e parë “Rebie vel Harif” (Pranverë e vjeshtë), e cila u botua në Damask më 1931, u prit me simpati nga ana e kritikëve, ngase ajo shënonte një lindje të re të tregimit sirian.50 Në këtë drejtim, Ali Huluki vazhdoi të shkruajë tregime të tjera, të cilat iu botuan në revista të ndryshme të Sirisë e të Libanit (Ed-duhur, Al-Ehad, Al- Bajrak, Al-Ahrar) e revista të tjera.

Kritiku sirian Abdel abu Shaneb në librin e tij “Faqet e panjohura në historinë e tregimit sirian” për kontributin e Ali Hulukit thekson: “Ai ishte i pari që në tregimet e veta ka trajtuar problemet e njerëzve në mënyrë imanente”. Ali Huluki është një pionier në shkrimin artistik të tregimit që si i tillë dallohet nga përralla. Në të shkruarit e tregimeve ai mbështetet në parime mendore të qarta. Huluki ishte angazhuar rreth problemeve të masave të varfëra; ishte kundër shtypjes shoqërore dhe kundër kontradiktave shoqërore. Me fjalë të tjera, angazhimi i tij në tregime ishte mbështetur në një qëndrim politik. Ishte i kujdesshëm në personifikimin e njerëzve të përditshëm dhe mu këtu qëndron krijimtaria e tij letrare.

Më vonë në tregimin sirian u dalluan edhe femrat shqiptare, të cilat gëzuan shpërblimet më të larta për veprat e tyre. Njëra ndër to është Hatixhe Arnauti (1934), e cila fitoi shpërblimin e parë për tregimin sirian në konkursin letrar, të organizuar nga redaksia e gazetës “Al-Bilad” të Damaskut në vitin 1956.
Përveç kësaj, u dallua edhe Aishe Arnauti (1946), e cila po ashtu fitoi shpërblimin e parë letrar për tregim në Liban në vitin 1960. Kjo fitore bëri një jehonë të madhe, ngase autorja ishte e moshës 14-vjeçare. Ndërkaq, në artin figurativ dallohet Abdulkadër Arnauti (1936), i cili që nga viti 1962 konsiderohet si njëri nga piktorët më të dalluar në Siri. Abdulkadër Arnauti organizonte ekspozita të shumta. Në vitin 1961 hap ekspozitën e tij të parë me 64 piktura, të cilat me motivet dhe stilet e tyre tronditën tërë Damaskun.

Në këtë drejtim cilësohet arti i tij për respektimin e thesarit arab, i cili në këtë kuadër paraqitet abstrakt e plastik, plot elemente reale artistike, të cilat nuk i mori nga ambienti shumë i komplikuar evropian, por nga ai i lagjeve popullore të Damaskut.

Është e vërtetë se këta krijues jetuan dhe vepruan në një kohë të vështirë, të ikur nga vendlindja dhe të vendosur në Siri. Mirëpo, me kontributin e tyre në letërsinë siriane ata kanë shprehur ndjenjat e tyre mallëngjyese të prekura thellë në shpirt për vendlindjen. Një pjesë e tyre shkruan në gjuhën arabe, por ndjenjat e tyre për atdheun, për vendlindjen e tyre stërgjyshore, i shprehën përmes kësaj gjuhe, të huaj për ta. Këto ishin ndjenja shqiptare, gjë që shihet në faktin se një pjesë e tyre u inkuadruan drejtpërdrejt në letërsinë shqiptare.

Zonja Roza Hanaj

16/02/2012 Lini një koment

Halil XHIBRAN (Khalil GIBRAN)*

 

ZONJA ROZA HANAJ

Halil Xhibran

Halil Xhibran

Pjesa e parë

 

I mjerë është ai mashkull që dashuron një femër, e merr për grua, derdh tek këmbët e saj djersën e ballit, gjakun e trupit dhe rrahjet e zemrës. Që vendos në duart e saj frutin e rraskapitjes dhe të ardhurat e zellit të tij; vetëm për të kuptuar një ditë që zemra të cilën ai ishte munduar të blejë, i është dhënë falas dikujt tjetër për hir të kënaqësisë së sekreteve të saj të fshehura dhe më të thellës dashuri.
E mjerë është ajo femër që zgjohet prej ëndrrave me sy hapur dhe ngutjes së rinisë, vetëm për të gjetur veten në shtëpinë e një burri i cili e mbulon me ar e argjend, me dhurata të çmuara, me argëtime luksoze, por që nuk është i aftë t’i kënaqë shpirtin me verën e parajsës të cilën Zoti e derdh prej syve të mashkullit tek zemra e femrës.
Rashid Bej Nu’manin e njihja prej vitesh. Ai ishte libanez i lindur e rritur në qytetin e Bejrutit. Duke qenë se rridhte prej një familje të vjetër e të pasur e cila ruante traditën dhe famën e paraardhësve, Rashidi i pasonte me fanatizëm zakonet familjare që asaj kohe mbizotëronin Lindjen e Mesme.
Rashid Bej Nu’mani ishte bujar e zemërmirë, por ashtu sikurse shumë të tjerë shikonte më shumë sipërfaqen sesa realitetin e gjërave. Kurrë nuk ia vinte veshin asaj që zemra i diktonte. Gjithmonë i bindej zërave të ambientit ku jetonte. E kënaqte veten me objekte të shndritshme të cilat ia qërruan sytë dhe zemrën e nuk e lejonin të shihte e perceptonte sekretet e jetës. Shpirti i tij i ishte larguar të kuptuarit të ligjeve natyrore drejt një gjendje të përkohshme vetëkënaqje. Ai ishte një prej atyre meshkujve që nxitonin t’u rrëfenin të tjerëve dashurinë apo urrejtjen e pastaj pendoheshin atëherë kur ishte tepër vonë e në vend të faljes apo dënimit mbartnin mbi vete turpin dhe të qenurit qesharak.
Këto cilësi e shtynë Rashid Bej Nu’manin të martohej me Roza Hanaj shumë përpara se shpirti i saj të përqafonte shpirtin e tij në hijen e dashurisë së vërtetë që e shndërron bashkimin në parajsë.
Pas disa vitesh mungese, u riktheva në Bejrut. Kur shkova që të vizitoj Rashid Bej Nu’manin e gjeta kockë e lëkurë. Lehtësisht në fytyrën e tij mund të dalloje spektrin e plotë të zhgënjimit. Sytë e tij të hidhëruar flisnin për një zemër të thyer e një shpirt të dëshpëruar. Isha kurioz të gjeja shkakun e mjerimit të tij. Aspak nuk hezitova që ta pyes të më shpjegonte, e duke iu drejtuar: “Çfarë të ka ndodhur Rashid? Ku janë e qeshura dhe fytyra e lumtur që të kanë shoqëruar prej fëmijërisë? Mos vdekja të ka marrë ndonjë mik të dashur? Apo mos vallë netët e zeza të kanë vjedhur arin që e pate mbledhur gjatë ditëve të bardha? Në emër të miqësisë më trego ç’të ka shkaktuar këtë mërzitje të zemrës e dobësi të trupit?”
Më pa me trishtim sikur t’i kisha ringjallur imazhin tashmë të larguar të ditëve të bukura. Me një zë të pikëlluar e plot ligështim m’u përgjigj: “Kur dikush humbet një mik, mbështetet tek miqtë e tjerë, nëse humbet arin mediton për një kohë dhe e largon fatkeqësinë prej mendjes, sidomos kur është akoma i shëndetshëm e plot ambicie. Por kur humbet qetësinë e zemrës, ku mund të gjejë ngushëllim e me çfarë mund ta zëvendësojë? Cila mendje mund ta udhëzojë? Kur vdekja godet pranë teje ti vuan. E megjithatë kur dita dhe nata kalon e ti ndjen prekjen e lëmueshme të gishtave të butë të jetës, buzëqesh e ngazëllehesh përsëri”.
“Fati vjen papritur duke sjellë me vete shqetësim, të vështron me sy të frikshëm, të shtrëngon në grykë me gishta si darë, të përplas përtokë, të shkel me këmbë të hekurta e pastaj gajaset e të lë ashtu. Më vonë pendohet për veprimet e tij e të lutet me fatmbarësi ta falësh. Të zgjat dorën e mëndafshtë, të ngre lart, të këndon Këngën e Shpresës e të bën të harrosh e neglizhosh. Krijon tek ti një oreks të ri për besim në vetvete dhe ambicie. Nëse fati yt është një zog i bukur të cilin ti e do me gjithë shpirt, me dëshirë do t’a ushqeje me farat e brendësisë tënde shpirtërore, kafaz do i bëje zemrën e fole shpirtin. E ndërkohë që ti me pasion je duke e admiruar e kundruar me sytë e dashurisë, zogu të ikën prej duarve, fluturon lart e zbret te kafazi i dikujt tjetër, hyn aty e kurrë më nuk del. Çfarë mund të bësh? Ku do mundesh të gjesh durim e ngushëllim? Si do mund t’i ringjallësh shpresat dhe ëndrrat? Çfarë fuqie do mund ta qetësojë zemrën e turbulluar?”
Pasi i shqiptoi këto fjalë me një zë të mekur e shpirt të vuajtur, Rashid Bej Nu’mani u ngrit duke u dridhur si një fije xunkthi midis erërave të veriut e jugut. I shtriu duart sikur donte të kapte diçka me gishta e ta shkatërronte. Fytyra e tij e rrudhur ishte e nxirë prej zemërimit, sytë iu zgurdulluan për pak çaste teksa iu duk sikur pa një demon që kishte ardhur prej mos ekzistencës për ta marrë me vete. Dikur e fiksoi shikimin tek unë dhe papritur pamja i ndryshoi. Zemërimi iu shndërrua në një vuajtje dhe shqetësim therrës, dhe me zë vajtues më tha: “Është gruaja që unë shpëtova prej kthetrave vdekjeprurëse të varfërisë. Asaj ia hapa dyert e kasafortave, e bëra ta kishin zili shoqet për veshjet e bukura, xhevahiret e rrallë e karrocat e mrekullueshme me kuaj plot hijeshi. Gruaja të cilën zemra e dashuroi e tek këmbët e së cilës unë derdha dhembshuri. Gruaja ndaj të cilës unë isha një mik i vërtetë, shok i sinqertë e burrë besnik. Gruaja e cila më tradhëtoi e më la për një tjetër për të ndarë me të bukën e pështirë të gatuar me turp e përzier me çnderim. Gruaja që dashurova, zogu i bukur që ushqeva, të cilës kafaz i bëra zemrën e fole shpirtin, iku prej meje e hyri në një kafaz tjetër. Engjëllushja e dëlirë që njëherë banonte në parajsën e dhembshurisë dhe dashurisë time, tani më paraqitet si një demon i tmerrshëm e hedhur në errësirë të vuajë gjynahun e saj e më bën të vuaj dhe unë mbi tokë krimin e bërë nga ajo”.
E mbuloi fytyrën me duar sikur donte të mbrohej prej vetvetes. Heshti për një moment. Pastaj më tha: “Kjo është gjithçka që mund të tregoj. Të lutem mos më pyet më tej. Mos më bëj të nxjerr tinguj vaji. Le të jetë fatkeqësia ime e heshtur. Ndoshta do vazhdojë të rritet në heshtje duke më bërë të pandjeshëm që dikur të pushoj në paqe”.
U ngrita me lot në sy dhe keqardhje në zemër, e me një fije zëri i thashë Rashidit mirupafshim. Fjalët e mija nuk kishin forcë të mjekonin zemrën e tij të plagosur dhe dijenia ime nuk gjente dot asnjë pishtar për të ndriçuar shpirtin e tij të errët.

 

Pjesa e dytë

 

Pas disa ditësh për të parën herë, në një kasolle të varfër, të rrethuar me lule dhe pemë, takova zonjën Roza Hanaj. Ajo kishte dëgjuar për mua nëpërmjet Rashid Beut, zemrën e të cilit ajo e kishte shkelur e thërrrmuar dhe e kishte lënë vetëm nën thundrrat e tmerrshme të jetës. Kur i pashë sytë e ndritshëm e kur i dëgjova zërin e çiltër, i thashë vetes: “A mundet të jetë kjo gruaja e pistë? A mundet që kjo fytyrë e pastër të fshehë një shpirt të keq e një zemër kriminele? A është kjo gruaja tradhtare? A është kjo gruaja për të cilën kisha folur keq? Ajo të cilën e kisha imagjinuar si një gjarpër i pështirë në formën e një zogu të bukur?” I pëshpërita vetes duke i thënë: “A është kjo fytyra engjëllore që e mjeroi Rashid Beun? A nuk kemi dëgjuar që bukuria e dukshme është shkaku i sa e sa shqetësimeve të fshehura e dhimbjeve të thella? A nuk është hëna e mrekullueshme që frymëzon poetët dhe po e njëjta hënë që zemëron qetësinë e detrave dhe oqeaneve me oshëtimë të tmerrshme?”
U ulëm. Zonja Roza Hanaj me sa duket m’i kishte lexuar mendimet e nuk donte të m’i zgjaste më shumë dyshimet. E mbështeti kokën e saj të bukur në pëllëmbat e duarve e me një zë më të ëmbël se tingulli i lirës më tha: “Edhe pse kurrë nuk të kam takuar, i dëgjova jehonat e mendimeve dhe ëndrrave të shkaktuara prej gojëve të njerëzve. Jehona që më bindën se ti je i mëshirshëm dhe kupton se ç’do të thotë të jesh grua e shtypur. Grua të cilës ia ke zbuluar sekretet e zemrës dhe dhembshurinë e së cilës e ke njohur. Më lejo të të hap zemrën e ti do t’a kuptosh që Roza Hanaj nuk ka qenë kurrë një grua tradhtare”.
Akoma nuk i kisha mbushur 18 vjeç, kur fati më çoi tek Rashid Bej Nu’mani që në atë kohë ishte 40 vjeçar. Ai ra në dashuri me mua, në bazë të asaj që njerëzit thonë, më martoi, më futi në shtëpinë e tij madhështore, më dha rroba të mrekullueshme e xhevahirë të çmuar. Më prezantoi si një gjë çuditërisht të rrallë para miqve e familjarëve. Buzëqeshte i ngazëllyer kur të tjerët më shikonin me habi dhe admirim. E grinte mjekrën lart kur i dëgjonte zonjat të më lavdëronin e të më merrnin si shembull. E megjithatë kurrë nuk mundi t’i dëgjojë psherëtimat: “A është kjo gruaja e Rashid Bej Nu’manit apo e bija e adoptuar?” E dikush tjetër që komentonte: “Nëse do të ishte martuar në moshë, fëmijën e parë do ta kishte më të madh se Roza Hanaj”.
E gjitha ndodhi përpara se të zgjohesha nga zalisja e thellë e rinisë, përpara se Zoti të ma ndizte zemrën me pishtarin e dashurisë e para se të rriteshin farat e ndjenjës. Po, dhe e gjithë kjo ndodhi pikërisht atëherë kur unë besoja që lumturia e vërtetë vjen prej rrobave të bukura e pallateve madhështore. Kur u zgjova prej gjumit fëmijënor, ndjeva flakët e zjarrit të shenjtë të më djegin zemrën e brejtjen e shpirtit të uritur. E gjithë kjo më bëri të vuaj.
Kur i hapa sytë, i pashë flatrat të më lëviznin lart e poshtë duke u munduar të më ngrejnë drejt kupolës së dashurisë, të pafuqishme nën peshën e vargonjëve të ligjeve që më kishin burgosur trupin kohë përpara se unë ta kuptoja domethënien e vërtetë të atyre ligjeve. I ndjeva të gjitha këto dhe kuptova që lumturia e një gruaje nuk rrjedh prej serës dhe madhështisë së burrit, as prej bujarisë dhe dhembshurisë së tij, por prej dashurisë dhe ndjenjës që i bashkon të dy shpirtrat e trupat në NJË.
Kur E VËRTETA u shpalos para meje, e pashë veten të burgosur prej ligjit në pallatin e Rashid Bej Nu’manit, si një hajdut që vidhte bukën e tij e fshehur në errësirën e natës. E kuptova që çdo orë që kaloja me të nuk ishte asgjë tjetër vetëm se një gënjeshtër makabre e shkruar mbi ballin tim me shkronja zjarri para tokës e qiellit. Nuk mund t’ia jepja dashurinë time si shpërblim të bujarisë dhe sinqeritetit të tij. Më kot u mundova ta dua. Dashuria është forcë që na ndërton zemrat, por zemrat nuk munden ta krijojnë këtë forcë. U luta e u luta në heshtje që Zoti të krijojë në thellësitë e zemrës time një lidhje shpirtërore që do më mbarte më pranë burrit që ishte zgjedhur të jetë shoku im i jetës.
Lutjet nuk m’u plotësuan, sepse Dashuria zbret në shpirtrat tanë me vullnet të Zotit e jo me lutjet e përgjërimet e individit. Kështu pra, qëndrova dy vite në shtëpinë e Rashid Bej Nu’manit duke pasur zili lirinë e zogjve të fushës, ndërkohë që miqtë më kishin zili zinxhirët e artë të dhimbjes. U bëra si ajo gruaja që ia kanë rrëmbyer të vetmin fëmijë, si një zemër e mjerë që ekziston e pa kapur kërkund, si një viktimë e pafajshme e ligjit të egër human. Isha pranë vdekjes prej etjes dhe urisë shpirtërore.
Një ditë të zezë, kur vështrova përtej qiejve të rëndë, pashë një dritë të ëmbël që derdhej prej syve të një burri që çapiste i dëshpëruar shtegun e jetës. Ia mbylla sytë asaj drite dhe i thashë vetes: “Oh shpirti im, errësira e varrit është fati yt, mos e lakmo dritën”. Më pas dëgjova një melodi të bukur prej qiellit e cila ma ringjalli zemrën e plagosur me dëlirësinë e vet. I mbylla veshët e i thashë vetes: “Oh shpirti im, të qarët e ferrit është fati yt, mos lakmo këngët e parajsës. I mbylla përsëri sytë që mos të shoh e veshët që mos të dëgjoj, por sytë edhe pse të mbyllur e panë dritën e ëmbël dhe veshët edhe pse të mbyllur e dëgjuan atë zë qiellor”. Për herë të parë u frikësova, për të parën herë u ndjeva si ai lypsari që gjen një diamant pranë pallatit të princit e nuk mund ta marrë prej frikës e as mund ta lejë aty për shkak të varfërisë. Qava. Sikurse qan një shpirt i etur që sheh një burim të rrethuar prej bishave e që rrëzohet në tokë në pritje e frikë.
I largoi sytë prej meje sikur të kujtonte të kaluarën që e turpëronte të më vështronte në sy, por nuk ndali së foluri. Ata njerëz të cilët shkojnë në përjetësi para se të shijojnë ëmbëlsinë e jetës së vërtetë, nuk mund ta kuptojnë se ç’është vuajtja e një gruaje. Në veçanti kur kjo e fundit ia përkushton shpirtin atij që dashuron me vullnet të Zotit dhe trupin ia jep një tjetri për të cilin kujdeset nën presionin e ligjit të tokës. Është tragjedi e shkruajtur me gjak prej gjakut të gruas e lotëve të saj, të cilat burri i përqesh si shenjë dobësie pa qenë në gjendje t’i kuptojë. E më keq akoma nëse do t’i kuptonte e qeshura do t’i shndërrohej në përbuzje e blasfemi që do shërbenin si zjarr mbi zemrën e saj. Është një dramë e aktruar prej netëve të zeza mbi skenën e shpirtit të gruas, trupi i së cilës është i lidhur rreth një mashkulli që ajo e thërret burrë kohë përpara se ajo të kuptojë kuptimin që Zoti i ka dhënë martesës. Shpirti i saj prêt mashkullin që ajo adhuron me të gjitha grimcat e dashurisë së dëlirë e të vërtetë. Me çdo qelizë të bukurisë së saj. Është kjo gjendja agonie e cila ekziston prej atij momenti kur te gruaja u mboll dobësia e te burri forca. Nuk do të zhduket deri atëherë kur ditëve të skllavërisë së të dobtit nën të fortin t’ju vijë fundi. Është kjo një luftë e tmerrshme mes ligjit të korruptuar të njerëzve dhe ndjenjës së paprekshme – qëllimit të shenjtë të zemrës. Në këtë fushë-betejë ndodhesha unë dje, por gjeta forcë të mbledh mbeturinat e qenies time, i theva vargonjtë e çeliktë të frikës, i rraha fort krahët e fluturova prej pelenave të dobësisë drejt kupolës së dashurisë e lirisë.
Sot unë jam me burrin që dua, ai dhe unë shpërthyem si një burim prej dorës së Zotit para krijimit të botës. S’ka fuqi nën këtë diell të ma marrë lumturinë sepse lumturia të cilën ndjej e përjetoj është rrjedhim i përqafimit të shpirtrave, i përfshirjes së tyre prej të kuptuarit reciprok, rrezatimit të dashurisë mbi ta e mbrojtjes së qiellit.
Më vështroi sikur donte të penetronte me sy zemrën time për të zbuluar se ç’efekt kishin bërë fjalët e saj tek unë, që të dëgjonte jehonën e zërit të saj brenda meje. Unë mbeta i heshtur e ajo vazhdoi. Zëri i saj ishte plot hidhërim kujtimesh, plot ëmbëlsi sinqeriteti e liri kur tha: “Njerëzit do të të thonë që Roza Hanaj është një heretike dhe grua aspak besnike e cila ndoqi epshet e saj dhe e la burrin që e futi në gjirin e vet dhe e titulloi hijeshi të shtëpisë së tij. Do të të thonë që ajo ishte një e përdalë, një prostitutë që me duart e saj të ndyra shkatërroi kurorën e martesës së shenjtë, duke e zëvendësuar atë me një lidhje të përlyer të premtuar mbi ferrat e ferrit. Ajo, do të të thonë, çveshi petkat e virtytit dhe hodhi supeve zhelet e gjynahut dhe turpit. Do të të thonë shumë më tepër se kaq sepse shpirtrat e baballarëve u jetojnë akoma në trup. Ata janë si shpellat e braktisura në male jehonat e të cilave nuk deshifrohen. Ata nuk kuptojnë as ligjin e Zotit, as nuk perceptojnë dot qëllimin e vërtetë të fesë e as dallojnë dot një të pafajshëm prej një gjynahqari. Shikojnë vetëm sipërfaqen e gjërave pa i ditur sekretet e tyre. I marrin vendimet me injorancë, gjykojnë qorrazi duke e bërë një kriminelin dhe të pafajshmin, duke barazuar të mirën dhe të keqen. Mjerim! Mjerim për ata që ndjekin e gjykojnë njerëzit.
Para Zotit unë isha tradhtare dhe e përdalë vetëm gjatë kohës që shpenzova në shtëpinë e Rashid Beut. Ai më mori për grua në bazë të zakoneve dhe traditave. Më mori për grua me forcën e nxitimit para se qielli ta bënte atë timin në pajtim me ligjin shpirtëror të dashurisë dhe afeksionit. Në sytë e Zotit dhe sytë e mi unë isha gjynahqare për aq kohë sa ia haja bukën dhe i jepja trupin si shpërblim të bujarisë së tij karshi meje. Tani jam e dëlirë dhe e pastër sepse ligji i dashurisë më bëri të lirë, më bëri të ndershme dhe besnike. Nuk kam pse e shes më trupin tim në shkëmbim të strehës, e ditët e mia nuk kam pse t’i shkëmbej me rroba. Po. Kam qenë e përdalë dhe kriminele atëherë kur njerëzit më shikonin si më të ndershmen dhe më besniken grua. Sot unë jam e dëlirë dhe fisnike në shpirt edhe pse për njerëzit jam e shthurrur. Ata e gjykojnë shpirtin prej rezultateve të trupit dhe e masin atë (shpirtin) me standardet e materies.”
Pastaj, pa nga dritarja dhe me dorën e djathtë bëri me shenjë nga qyteti sikur të kishte parë fantazmën e korrupsionit dhe hijet e turpit mes pallateve të mrekullueshme. Me një zë vajtues tha: “Shikoji ato saraje të magjishme e pallate madhështore ku hipokrizia banon. Në ato godina, mes mureve të dekoruara me hijeshi jeton tradhtia krah kalbëzimit. Nën tavanet e dekoruar me ar të shkrirë jeton gënjeshtra krah shtirjes. Shikoji mirë ato shtëpi. Ato që rrezatojnë lumturi, krenari dhe dominim, s’janë asgjë tjetër veç shpella të mjerimit dhe ankthit. Ato janë varret e patinuara ku tradhëtia e grave të dobëta fshihet nën rimelin e qerpikëve e nën të kuqin e buzëve. Aty jeton egoizmi dhe kafshëria mashkullore që mes arit e argjendit sundon në mënyrë supreme.
Nëse këto ndërtesa të larta e të pathyeshme do ndienin erën e urrejtjes, mashtrimit dhe korrupsionit, besomë që do ishin krisur, thyer e shembur. Fshatari i varfër i shikon këto banesa me lot në sy, por kur të kuptojë që zemrat e atyre që jetojnë aty janë bosh e nuk kanë as grimcën më të vogël të asaj dashurie të dëlirë që ekziston në zemrën e gruas së tij, atë ndjenjë të pastër që mbush banesën e tij të thjeshtë, do buzëqeshte e me gëzim do kthehej tek ara e vet”.
Pastaj ma mori dorën e më drejtoi për tek cepi i dritares. “Eja!” – më tha. “Eja të të tregoj sekretet e fshehura të atyre, shtegun e të cilëve refuzova të ndjek”. Shikoje atë pallatin me kolona gjigande. Në të banon një burrë i pasur që e trashëgoi floririn prej të atit. Pas një jete të pisët e të kalbur, vendosi të martohej. Aspak nuk e njihte gruan e vet, veç faktit që i ati i saj ishte një prej titullarëve të sulltanit. Menjëherë pas muajit të mjaltit atij iu shpif gruaja dhe filloi të kalojë kohën në shoqërinë e bukurosheve që shesin trupin për monedha të argjendta. E la të shoqen vetëm në atë pallat si një shishe boshe e hedhur pa kujdes prej një pijaneci. Ajo qau dhe vuajti në fillim, por më pas e kuptoi që lotët e saj ishin shumë më të vlefshëm sesa burri i saj i degjeneruar. Tani ajo është e zënë me dashurinë dhe devocionin e një djaloshi me të cilin ajo ndan orët e kënaqësisë e në zemrën e të cilit ajo derdh dashurinë e saj të vërtetë.
“Po atë shtëpinë e bukur rrethuar me park, a e sheh?” Është shtëpia e një burri i cili rrjedh prej një familje fisnike që e ka udhëhequr vendin për gjenerata e gjenerata. Pasuria dhe mirëqenia e tyre ra ndjeshëm kur ata filluan të shpenzojnë pa masë e përtonin të punonin. Para ca vitesh ky burrë u martua me një grua mjaft të pasur, por mjaft të shëmtuar. Pasi ia mori pasurinë ai e injoroi atë plotësisht duke iu përkushtuar një bukurosheje të re. E shoqja tani e kalon kohën duke ia ndrequr flokët të dashurës së burrit, duke i lyer buzët e parfumosur trupin. E veshur në mënyrën më elegante dhe me rrobat më të shtrenjta që ekzistojnë, e gjora prêt se mos ndonjë çunak ia hedh sytë e vjen e viziton. Për fatin e saj të keq kjo pritje është krejt e kotë e ajo e shkreta mund t’i gëzohet vetëm buzëqeshjes së vet prej fytyrës së saj të shëmtuar në reflektimin e pasqyrës.
“Vështroje atë sarajin atje të rrethuar me statuja të mermerta!” Është shtëpia e një gruaje të bukur me karakter të çuditshëm. Kur i vdiq burri i parë, ajo trashëgoi të gjithë pasurinë e tij, bashkë me pronat e shumta. Zgjodhi një burrë me mendje të shkurtër e trup sakat e u martua me të për të ruajtur veten prej gjuhëve të liga. Në këtë moment ajo është mes admiruesve të saj si bleta që thith prej luleve më të mira.
Arkitekti më i zoti i provincës ka ndërtuar atë shtëpinë pranë. Është shtëpia e një burri të uritur i cili e konsumon ditën dhe natën duke u munduar të mbledhë sa më shumë ar. Ka një grua me bukuri mbinatyrore, në paraqitje dhe në shpirt. E shkreta edhe ajo si shumë syresh është viktimë e martesës së nxituar. I ati ka bërë krim kur e martoi me burrin që ka, përpara se kjo të arrinte pjekurinë mendore i vari në qafë peshën e martesës së korruptuar. Tani është bërë kockë e lëkurë aq sa nuk gjen dot një veshje të përshtatshme. Po mbytet ngadalë duke u lutur ta marrë vdekja një orë e më parë që të lërohet prej peshës së skllavërisë e jetesës pranë një burri që tërë kohën e kalon duke e mallkuar ditën që u martua me dikë që nuk mund t’i falë një fëmijë që do të trashëgonte pasurinë e grumbulluar.
Në atë shtëpinë mes drurëve frutorë jeton një poet ideal. U martua me një grua injorante që ia tall punët sepse nuk mund t’ia rrokë mendja. Qesh me sjelljet e tij sepse nuk mundet të përshtatet më mënyrën sublime të jetesës së tij. Ky poet gjeti liri shpirtërore tek dashuria për një grua të martuar e cila e kupton dhe që ia vlerëson inteligjencën. Kjo grua e martuar e frymëzon duke i ndezur në shpirt pishtarin e ndjenjës e duke i falur çdo grimcë të bukurisë dhe sharmit të saj.
Për pak çaste mbretëroi heshtja. Zonja Roza Hanaj u ul në një minder pranë dritares sikur t’i ishte lodhur shpirti prej ec e jakeve nëpër godinat e Bejrutit. Më pas vazhdoi ngadalë: “Këto janë banesat në të cilat unë refuzova të jetoj. Këto janë varret në të cilat shpirtërisht, edhe unë kam qenë e varrosur. Këta njerëz, prej të cilëve e lirova veten, janë ata që tërhiqen prej trupit dhe zbrapsen prej shpirtit. Janë ata që asgjë nuk dinë për dashurinë e as për bukurinë. Ndërmjetësuesi i vetëm mes tyre dhe Zotit është keqardhja e Zotit për injorancën e tyre karshi ligjit të Tij. S’mund t’i gjykoj se kam qenë vetë njëra prej tyre e megjithatë më vjen keq për ta. Më dhimbsen prej thellësisë së zemrës. Nuk i urrej. Urrej kapitullimin e tyre para dobësisë dhe mashtrimit”. T’i thashë këto që të tregoj realitetin e atyre prej të cilëve unë u arratisa pa ua marrë pëlqimin. U mundova të të shpjegoj jetën e atyre që thonë të gjitha të këqijat për mua sepse unë humba miqësinë e tyre dhe së fundi fitova timen. Ika prej humnerës së tyre të errët e i drejtova sytë drejt dritës ku sinqeriteti, e vërteta dhe drejtësia triumfojnë. Më kanë dëbuar prej shoqërisë së tyre dhe unë jam shumë e kënaqur për këtë. Jam e kënaqur sepse njerëzimi nuk dëbon askënd vetëm se kur shpirti i këtij të fundit rebelohet kundër despotizmit dhe shtypjes. Kushdo që nuk zgjedh dëbimin para skllavërisë nuk mund të jetë i lirë prej çdo pikëpamje të kuptimit të lirisë, të së vërtetës apo obligimit.
Dje unë isha si një tabaka me ushqimet më të shijshme dhe Rashid Beu kurrë nuk m’u afronte për aq kohë sa nuk kishte nevojë të shijonte ushqimet e mrekullueshme që unë mbaja. Shpirtrat i kishim larg si dy shërbëtorë të përulur e dinjitoz. U mundova ta modifikoj veten në përputhje me atë që njerëzit e quajnë fatkeqësi, por shpirti refuzoi të shpenzojë jetën i gjunjëzuar me mua para idhullit të tmerrshëm të eksituar prej kohëve të errta dhe të quajtur ligj. I durova zinxhirët deri në momentin kur dëgjova dashurinë të më thërrasë dhe e pashë shpirtin që ishte bërë gati të nisej. Atëherë i theva zinxhirët që më mbanin lidhur dhe u largova nga shtëpia e Rashid Bej Nu’manit si një zog i liruar prej kafazit të hekurt duke lënë pas xhevahiret, veshjet dhe shërbëtorët. Erdha të jetoj me atë që dashuroj sepse isha e sigurtë që çfarë po bëj është e ndershme. Qielli nuk do për mua të qarat dhe vuajtjet. Sa e sa net jam lutur që agimi të vijë shpejt e kur dita zbardhte lutesha që dielli të perëndonte. Zoti nuk do që unë të jetoj një jetë të mjerueshme ndaj dhe vendosi në thellësinë e zemrës time dëshirën për të qenë e lumtur. Triumfi i Tij jeton në lumturinë e zemrës time.
Kjo është historia ime. Kjo është protesta ime para qiellit dhe tokës. Kjo është ç’ka këndoj e përsëris ndërkohë që njerëzit i mbyllin veshët prej frikës se mos më dëgjojnë. Që kënga ime mos t’ia nxisë shpirtrat të ngrejnë krye e të shkatërrojnë themelet e shoqërisë së tyre sakate.
Ky është shtegu i ashpër që unë rrëmova deri sa arrita në majën e malit të lumturisë time e nëse vdekja vjen të më marrë, me gjithë dëshirë do t’a dorëzoja veten para Fronit Suprem të Qiellit pa frikë e pa turp. Jam gati për Ditën e Gjykimit e zemrën e kam të bardhë si bora. I jam bindur vullnetit të Zotit në çdo gjë që kam bërë dhe kam ndjekur thirrjen e zemrës teksa dëgjoja zërin engjëllor të qiellit. Kjo është drama ime të cilën qytetarët e Bejrutit e quajnë “Mallkim mbi buzët e jetës” dhe “Sëmundje në trupin e shoqërisë”. E megjithatë, një ditë dashuria do t’ia zgjojë zemrat si rrezet e diellit që i bëjnë lulet të çelin mbi plehun e kalbur. Një ditë, udhëtarët do ndalen pranë varrit tim, do përshëndesin tokën që më mbështjell trupin e do thonë: “Këtu prehet Roza Hanaj që e çliroi veten prej skllavërisë së ligjeve të kalbura të njerëzve në mënyrë që t’i bindej ligjit të Zotit, dashurisë së dëlirë. Ajo ia ktheu fytyrën diellit për të mos parë hijen e trupit të vet mes kafkave dhe gjembave”.
Dera u hap dhe një burrë hyri. Sytë i shndritnin rreze magjike e mbi buzë i shihej buzëqeshja e plotë. Zonja Hanaj u ngrit në këmbë, e mori djaloshin prej krahu dhe na prezantoi. E dija që ishte ai për hir të të cilit ajo mohoi gjithë botën dhe dhunoi të gjitha traditat dhe zakonet tokësore.
Teksa u ulëm mbretëroi përsëri qetësia. Secili prej nesh ishte i zhytur në mendime të thella. Një minutë e vlefshme qetësie kaloi e teksa shikoja çiftin të ulur krah për krah, vërejta diçka që kurrë s’e kisha parë më parë e menjëherë e kuptova atë që historia e zonjës Hanaj deshte të më tregonte. E kuptova sekretin e protestës së saj kundër shoqërisë e cila përndjek ata që rebelohen kundër ligjeve dhe zakoneve kufizuese përpara se të gjejë dhe kuptojë shkakun e rebelimit. Pashë përpara meje një shpirt qiellor të përbërë prej dy personash të bukur e të bashkuar, mes të cilëve qëndronte Ajo; Dashuria që i mbronte me krahët e saj të hapura prej gjuhëve të këqija. Pashë një të kuptuar të plotë që buronte prej dy fytyrave të qeshura, të ndriçuar prej sinqeritetit e të rrethuar prej virtytit. Për të parën herë në jetë gjeja shpirtin e lumturisë të qëndrojë mes një burri e një gruaje, teksa mallkohej prej fesë e kundërshtohej prej ligjit. U ngrita, i përshëndeta të dy e u largova prej asaj kasolleje të varfër që ndjenja e kishte ngritur altar të dashurisë dhe mirëkuptimit. Eca krah ndërtesave të cilat zonja Hanaj m’i tregoi me gisht. Kur arrita në fund të asaj lagjeje m’u kujtua Rashid Bej Nu’mani, gjendja e tij e mjerueshme e i thashë vetes: “Ai është i shtypur. A do ta dëgjojë Qielli nëse ankohet ndaj zonjës Hanaj? A ka gabuar ajo grua kur e la dhe ndoqi lirinë e zemrës? Apo mos Rashid Beu ka bërë krim duke e ndrydhur zemrën e saj në dashurinë e tij? Kush prej këtyre të dyve është i shtypur e kush është i shtypuri? Kush është krimineli dhe kush është i pafajshmi?”
Pasi u mendova për disa momente vazhdova t’i flas vetes: “Shumë herë mashtrimi dhe dinakëria e ka joshur dhe shtyrë gruan ta braktisë burrin e të shkojë pas pasurisë, sepse dashuria e saj për pasuri dhe veshje të bukura e verbon duke e çuar drejt turpit. A thua vallë zonja Hanaj u tregua e ulët, dinake dhe mashtruese kur e la pallatin e burrit të saj të pasur për kasollen e varfër të një tjetri?” Shumë herë injoranca ia vret nderin gruas e i ngacmon pasionin, ajo lodhet dhe e lë burrin e shtyrë prej epshit dhe dëshirës duke ndjekur një tjetër për të cilin ajo e ul veten. A thua vallë zonja Hanaj është injorante që ndoqi dëshirat dhe epshet e trupit kur ajo shpalli publikisht pavarësinë e saj dhe iu bashkua atij që dashuronte? Ajo mund ta kishte kënaqur veten fshehurazi teksa ishte tek shtëpia e burrit. Sa e sa djelmoshë të hijshëm ishin gati të jenë skllevërit e dëshirave dhe martirë të dashurisë së saj? Zonja Hanaj ishte një grua e mjeruar. Ajo deshi vetëm të jetë e lumtur, e gjeti dhe e përqafoi. Kjo është e vërteta që njerëzia e merr nëpër këmbë. Me zë të ulur pëshpërita në eter duke pyetur veten: “A është e lejueshme për një grua të blejë lumturinë e saj me mjerimin e të shoqit?” dhe shpirti shtoi: “A është e lejueshme për burrin të skllavërojë ndjenjën e gruas së tij kur e kupton që nuk do ta ketë për vete kurrë?”
Vazhdoja të ecja e zërin e zonjës Hanaj e kisha në vesh teksa po mbërrija në fund të Bejrutit. Dielli po zhdukej në horizont dhe qetësia sundonte fushat dhe stepat ndërkohë që zogjtë nisën të këndojnë lutjet e mbrëmjes. Qëndrova ca çaste ashtu duke medituar e dikur i thashë vetes: “Para Fronit të Lirisë, pemët ngazëllehen me flladin e lehtë duke iu gëzuar rrezeve të diellit dhe ndriçimit të hënës. Në veshët e Lirisë këta zogj psherëtisin e rreth Lirisë rrahin krahët nën gurgullimën e përrenjve. Përgjatë qiellit të Lirisë lulet lëshojnë aromat e tyre e para syve të Lirisë ato buzëqeshin kur dita zbardh”.
Çdo gjë mbi tokë jeton në përputhje me ligjin e natyrës. E prej këtij ligji del në shesh lavdia dhe kënaqësia e lirisë. Njeriu e mohon këtë pasuri sepse për të ashtuquajturin Zot të tij njeriu vetë ka përgatitur ligjin e mangët tokësor. I vendosi vetes rregulla të ngurta. I ndërtoi vetes një burg të ngushtë e të dhimbshëm në të cilin kyçi ndjenjën dhe dëshirën. Gërmoi një varr të thellë ku hodhi zemrën e vet dhe qëllimin e saj. Nëse individi përgjatë diktatit të shpirtit, deklaron tërheqjen e tij prej shoqërisë duke ia dhunuar ligjin kësaj të fundit, të tjerët do të thonë që ai është rebel dhe e ka hak syrgjynosjen. Të tjerët do të thonë që ai është një krijesë e pavlerë që ka hak ekzekutimin. A do të mbetet njeriu skllav i vetizolimit deri në fund të kësaj bote, apo do të çlirohet me kalimin e kohës e një ditë të jetojë në Shpirt për Shpirtin? A do të vazhdojë njeriu me këmbëngulje të shohë vetëm poshtë dhe pas, apo do t’i kthejë sytë e tij nga dielli që mos të shohë hijen e trupit të vet mes kafkave dhe gjembave?

 

Shqipëroi nga arabishtja: Enis BAÇOVA

 

* Halil Xhibran është një nga letrarët dhe shkrimtarët më të njohur arabë të Libanit, që ka jetuar në fillim të shekullit XX.

* Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 1/1, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2008, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Mrekullia letrare e Kuranit

09/02/2012 Lini një koment

Ismail FARUKI

MREKULLIA LETRARE E KURANIT

Ismail Raji al-Faruki

Tani mund të shtrohet pyetja, që nga e morën myslimanët orientimin për një revolucion të tillë në të shprehurit e realitetit transcendent? Mos vallë qe ky zhvillim i tyre në artet pamore thjesht një rastësi gjeniale? Si mundi t’i shkojë përshtat zbulimi i arabeskës vlerave të Islamit në lëmenj të tjerë? Nëse arabeska u bë parimi mbizotërues i punimit të tekstilit, të metalit, të qelqit, të drurit, i arkitekturës, i hortikulturës dhe i akuakulturës, i ilustrimit dhe i stolisjes së dorëshkrimit, deri edhe i muzikës dhe i të kënduarit, sigurisht që rrënjët e saj duhet të shkojnë shumë më thellë në traditë sesa ç’tregon zbulimi i saj në artet pamore. Ku gjenden ato rrënjë dhe cili është burimi i tyre?
Të gjitha këto pyetje e gjejnë përgjigjen e tyre përfundimtare në dukurinë e Kuranit, si zbulesa që e mbështeti tërësinë e mëtimit e vet për prejardhjen hyjnore mbi përmbushjen absolute të madhështisë letrare nga ana e saj. Kurani, duke shprehur vetëdije të plotë për cilësinë e tij sublime, e sfidoi audiencën e vet për të prodhuar një të barabartë me të (Kurani 10: 38; 28: 49); duke shprehur vetëdije të plotë për paaftësinë që audienca e tij ta bënte këtë, ai e uli sfidën në dhjetë sure apo kapituj (Kurani 11: 13), më pas në një kapitull (Kurani 2: 23), më pas në pak vargje (Kurani 52: 33). Duke e lartësuar veten krenarisht mbi këtë audiencë, ai e thumboi atë duke shpallur paaftësinë e saj edhe nëse njerëzimi dhe xhinët i viheshin së bashku me vendosmëri punës për ta kryer detyrën në fjalë (Kurani 17: 88). Armiqtë e Islamit ngarkuan më të aftët ndërmjet njëri-tjetrit për t’u përballur me këtë sfidë, por ata qenë të parët që i fajësuan garuesit si të dështuar kur këta të fundit paraqitën për vlerësim prodhimet e tyre.
Shumë kohë përpara Profetit, arabët e kishin përsosur artin e tyre letrar dhe kishin arritur shkëlqim të veçantë në të. Aftësia e tyre për të prodhuar vepra me vlera të mëdha letrare ishte pa krahasim në çfarëdo kulture tjetër. Historia nuk njeh tjetër popull, tek i cili fjala dhe bukuria e saj të kishte po kaq rëndësi. Për arabët, bota ishte çështje jete dhe vdekjeje, harrese dhe përjetësie, lufte dhe paqeje, virtyti dhe vesi, fisnikërie dhe rëndomësie.
“Ixhaz” është emri që i është dhënë dukurisë së Kuranit për t’i sfiduar të gjithë njerëzit në të gjitha kohërat, por veçanërisht bashkëkohësit arabë të Profetit, për të prodhuar një vepër që të ishte e barabartë me të në bukuri e përsosmëri. Ai përmban dy elemente: i pari është karakteri prej natyre i Kuranit, i cili, kur perceptohet prej mendjes së aftë për ta perceptuar atë, prodhon ndjenjën e mahnitjes, të të qenit i prekur, të të ndierit të vlerave më të larta e më të thella, shkurt, të përballjes së realitetit përfundimtar me të gjitha përvojat shoqëruese për një përballje të tillë. E dyta është të kuptuarit e dallimit që ndan njeriun, perceptuesin, nga Zoti, i perceptuari, një tregues i të cilit është paaftësia e njeriut për të prodhuar diçka të ngjashme me Kuranin. E para është prej natyre për Kuranin; e dyta, për njeriun. Arabët të dytës i thonë thjesht “ixhaz”, dukuri apo ngjarje e të mrekullueshmes; por të parën e quajnë “vuxhuh el ixhaz” apo aspekte të mrekullisë së Kuranit.
Ixhazi, si ngjarje, ka ndodhur mes arabëve besimtarë e jobesimtarë gjatë kohës së Muhamedit, si dhe mes myslimanëve në të gjitha epokat dhe është një fakt i pamohueshëm i historisë. Sfida e Kuranit ndaj jobesimtarëve dhe dështimi i tyre për t’u përballur me këtë sfidë është regjistruar në Kuran me shije (takrî). Sidoqoftë, ixhazi nuk është një ngjarje e historisë. Sfida e Kuranit, si dhe suksesi i saj, nuk njohin kohë. Prova për këtë është forca e Kuranit për të konvertuar njerëzit në Islam, për t’i bindur ata menjëherë për prejardhjen e tij hyjnore. Nuk ka njeri që të lexojë atë që myslimanët kanë shkruar në lidhje me përvojën e tyre me Kuranin, apo që vëzhgon ndikimin e Kuranit mbi ndërgjegjen, jetën dhe mendimet e tyre, dhe të mund të shmangë përfundimin se Kurani ka një karakter të tillë.
Vetëm Kurani është parë prej arabëve si i denjë në mënyrë të mjaftueshme për të qenë hyjnor. Gjykimi i tyre, si një gjykim prej njohësi të mirë, i pranuar prej të diturve, qofshin këta dashamirës apo dashakeqë, ka qenë se cilësia e Kuranit është e denjë për Zotin transcendent dhe është shprehëse e vullneti të Tij. Ndryshe nga profetët e hershëm, profetësia dhe zbulesat e të cilëve u ngritën përmes thyerjesh të ligjeve të natyrës (d.m.th. përmes kapërcimit të fuqive epistemike të vetëdijes njerëzore), Kurani ua paraqiste “mrekullinë” e tij vetë atyre fuqive që ishin të afta ta kuptonin atë dhe i ftonte ato që ta vlerësonin dhe ta pohonin me kujdes këtë mrekulli apo prejardhjen e tij hyjnore. Thirrja e tij i drejtohej të menduarit apo arsyetimit. Ndërsa zbulesat e tjera e “shtrëngonin” ndërgjegjen përmes thyerjeve të ligjit të natyrës nga ana e tyre, Kurani e bindte atë përmes përmbushjes së asaj çka arsyeja më së tepërmi priste të përmbushej. Kjo është arsyeja se pse natyra e mrekullueshme e Kuranit u bë temë e studimit dhe e analizës më të thellë e më të gjerë. Një mrekulli fizike si e Moisiut apo e Jezusit thjesht i trondiste shikuesit. Një mrekulli e tyre ishte, për nga natyra e saj, përtej arsyetimit dhe përtej diskutimit.
Në mënyrë të spikatshme, Kurani duhet të ketë një apo më shumë cilësi përbërëse, të cilat, nëse perceptohen prej atij që ka aftësinë t’i perceptojë, janë treguese të transcendencës. Myslimanët i vunë vetes detyrën e identifikimit dhe të analizimit të këtyre cilësive.
Elementi i parë është natyra joevoluese e prozës kuranore. Kjo është cilësia që i huton të gjithë lexuesit perëndimorë, pasi Kurani nuk kas as fillim, as fund. Renditja e sureve apo e sureve të tij nuk është as kronologjike, as sistematike. Kur një mysliman dëshiron të recitojë Kuranin, ai lexon “mâ tejassera”, d.m.th., atë pjesë të tekstit që “i vjen më lehtë për mbarë”. Ai mund të jetë duke lexuar në cilindo varg që dëshiron dhe mund të ndalet në cilindo varg tjetër. Cilado që të jetë zgjedhja e tij, recitimi është kurdoherë i përsosur. Pavarësisht nëse lexuesi është mysliman, i krishterë, çifut, hindu apo budist, ateist apo agnostik, nëse ai është një njeri që ka njohuri të arabishtes, recitimi është kurdoherë sublim. Fillimi është kurdoherë po aq i ëmbël dhe i përkryer sa edhe mesi apo fundi. Ky karakter joevolues e bën tekstin kuranor një fushë pamjeje, të cilën Zoti e ka shkëputur prej vullnetit të Tij hyjnor. Ta njohësh atë, do të thotë ta perceptosh si të tillë, d.m.th., si janë mjet për të arritur lëmin e pafund, shprehje e të cilës është, sepse vetëm e mbinatyrshmja, apo hyjnorja, është po aq e mirë në cilëndo pjesë sa edhe në tërësinë e pafund.
Ky aspekt i sublimes letrare në Islam, që do të thotë, joevoluimi, është edhe i kudogjendshëm, edhe i domosdoshëm. Drama, e kundërta e joevoluimit, është përjashtuar krejtësisht, për arsye se ajo është, në formën e saj ideale, shprehje e hyjnisë politeiste konkrete dhe natyrore. Joevoluimi karakterizonte poezinë dhe prozën arabe që nga fillesat, deri në shekullin në fjalë. Poezia më e mirë arabe është ajo që, në të lexuar, ështe e bukur para dhe pas, për arsye se çdonjëri prej vargjeve të saj është i plotë, autonom dhe i bukur në vetvete dhe prej vetvetes.
Aspekti i dytë i mrekullisë së Kuranit është vrulli. Ai mund të analizohet në një faktor letrar dhe në një faktor muzikal, të cilët punojnë së bashku dhe përforcojnë njeri-tjetrin. Sa më shumë që të lexosh, aq më shumë dëshiron të lexosh. Çdo pasazh i recituar bën të lindë brenda lexuesit dhe dëgjuesve një nxitje të përfytyrimit për të vazhduar recitimin ad infinitum. Çdo pasazh është një pistë nisjeje, nga e cila imagjinata merr vrull e niset për të fluturuar në hapësirën e pafund, perceptimi i së cilës shkaktohet nga pasazhi në fjalë. Nuk është fjala për krijim vargjesh të reja, por rikrijim në imagjinatë, të ndihmuar prej kujtesës së vargjeve tashmë të recituara. I njëjti proces ndodh kur poetët e zotë mblidhen në musha’arah, një tubim për recitim poezish, në të cilin çdo pjesëmarrës reciton poezi të së njëjtës metrikë e rimë si ajo që reciton pararendësi i tij. Nganjëherë, poezia që recitohet është klasike dhe e njohur për të gjithë; nganjëherë ajo thuret në mënyrë të improvizuar për atë rast. Në secilin prej këtyre rasteve, recitimet janë aq të bukura e aq prekëse, saqë i nxisin dëgjuesit që e çmojnë atë që të kënaqen me krijimin poetik të improvizuar duke vërejtur të njëjtën metrikë, rimë e mënyrë. Ajo çka është e jashtëzakonshme në këto tubime është se ato ndodhin krejt rëndom, jo vetëm mes popujve arabishtfolës, por edhe mes popujve që flasin persisht, urdisht, turqisht e malajzisht, ndërgjegjja poetike dhe estetike e të cilëve është mbrujtur prej Islamit.
Aspekti i tretë është belagati (belagah) apo elokuenca, në krye të së cilës vjen “badī’”, apo sublimja letrare. Ky aspekt është një funksion i bukurisë së krijimit poetik, i mjeshtërisë artistike të rrjedhës së vargut, të përshtatjes së saktë të fjalëve, të hijeshisë së interpretimit. Nga njëra anë, fjalët e fjalitë, figurat dhe të ligjëruarit, kuptimet që ato sjellin, si dhe krijimi i të gjitha këtyre, të marra së bashku në një përkim të plotë; dhe nga ana tjetër, sendet, ngjarjet apo gjendjet që ato skicojnë, kuptimet që përcjellin, të gjitha këto janë të pafundme në numër, në shumëllojshmëri e në lidhje. E megjithatë, ka vetëm një interpretim të tyre që përshtatet me “muktedâ el hâl” (realitetin e kërkuar). Kur kjo masë është në pikën më të lartë, pasazhi njihet si “badī’”. Është pikërisht ky ideal që Kurani e ka përmbushur në çdo varg. Çdo ndryshim i tij do të ishte një ndryshim për keq. Disa njerëz gjenialë kanë arritur të realizojnë një masë të vogël të kësaj cilësie sipërore, por vetëm në përshkrimin nga ana e tyre të atij realiteti, në të cilin ka qenë i kufizuar gjenia e tyre. Arabët kanë njohur Imru el Kajsin si një poet që i afrohej kësaj kategorie, por vetëm kur kalëronte në luftë; El Nebigah el Dubjaniun, por vetëm kur shprehej për frikën; Zuhejr ibn Ebi Selmanë, por vetëm kur shprehte dëshirat e ëndjet. Kurani i ka përmbushur të njëjtat norma sublime në çdo çështje që ka prekur. Çdo fjalë në varg është një xhevahir; dhe e tillë është çdo sure. Kurani nuk ka asnjë copëz metali të zbukuruar me pak perla; Ai është i tëri veç prej perlash!
Badia krijuese e Kuranit është e ndërthurur me badinë ideore, d.m.th., me më të lartin, më fisnikun mendim fetar, etik, shoqëror e vetjak, për të bërë një njëshmëri të pandashme. Në Kuran, forma është sublime; përmbajtja është sublime; dhe si forma, ashtu edhe përmbajtja janë të ndërkyçura me njëra-tjetrën në mënyrë të tillë që ndarja e tyre është e pamundur pa shkatërrimin e natyrës sublime të së tërës. Në cilësinë sublime që është karakteristike për të, asgjë nuk është e arritshme pa tjetrën. Rrjedhimi i ndërthurjes së tyre në Kuran janë joshja dhe lebetitja e papërmbajtshme. Asnjë krijim letrar në historinë njerëzore nuk ka prekur kurrë kaq thellë, kaq fuqishëm, për një kohë kaq të gjatë, kaq shumë breza burrash e grash sa ç’ka bërë Kurani. Asgjë nuk ka rrënuar dhe/ose rindërtuar kaq shumë jetë! Edhe presbiteriani H. A. R. Gibb pranonte se ndiente tokën t’i dridhej nën këmbë ndërsa recitonte vargjet e sures “Tërmeti”. Sublimja në Kuran nuk është statike, por dinamike. Askush nuk mund t’i qëndrojë joshjes, tmerrit apo trallisjes së saj.
I gjithë mëtimi për ixhaz nga ana e Kuranit do të ishte i kotë nëse pushteti i tij mbi mendjet dhe zemrat e njerëzve do të ishte zbehës, duke e fshirë apo hipnotizuar vetëdijen në kuptimin e pushtimit të saj duke i zvogëluar fuqinë e perceptimit, fuqinë intelektuale. Krejt e kundërta është e vërtetë. Kurani e lartëson vetëdijen dhe e rrit atë për të shfaqur qartë fuqinë kritike perceptive, arsyetuese, intelektuale dhe empirike në maksimumin e mundshëm. Puna e saj vihet në jetë në dritën e diellit, me një realizëm të patejkalueshëm.
Më lart pamë se atributet hyjnore nuk duhen interpretuar në mënyrë alegorike; se ato duhen pohuar ashtu siç janë, “bilâ kejfe”, pa lejuar aspak antropomorfizëm. E njëjta vlen për Kuranin në tërësinë për të cilën atributet janë veçse një pjesë. Nëse ai nxit intuitën e transcendentes pa antropomorfizëm, e megjithatë pa interpretim alegorik, ai e bën këtë përmes cilësisë së ixhazit të tij. Gjuha e Kuranit prek përmes ndjelljes së figurave poetike si një poezi; por ndryshe nga poezia njerëzore, Kurani prek përmes formës dhe përmbajtjes, teksa të dyja këto tregojnë së bashku transcendencë. Forma e bën këtë përmes kategorive estetike të joevoluimit, të vrullit dhe të belagatit, ndërsa përmbajtja duke përcjellë një brendi që është vetë transcendente e kështu, e pafund, absolute, sui generis dhe prekëse. Në praninë e tij, njeriu e humbet vetëpërmbajtjen dhe ekuilibrin e tij, sepse ai, nëse kupton, ka vendosur kontakt me burimin e të gjithë qenies, të gjithë lëvizjes, me transcendenten tremendum et fascinosum. Intuita e transcendentes përmes letërsisë artistike (belle-lettres) nuk është thjesht ëndërrimtare, por dinamike. Pasi realiteti transcendent që letërsia artistike thekson është normativ, ftues, prekës, urdhërues dhe ndalues. Pikërisht nën ndikimin e transcendentes, të shprehur në sublimen letrare, vetëdija semite e pa vetveten si mbartëse të misionit hyjnor, si qerthull i historisë njerëzore dhe si përmbushje e fatit të pashmangshëm.

Përktheu: Edvin CAMI

Marrë nga faqja: http://www.erasmusi.org/afisho_temat.php?f=17

Hasan Kaleshi – Një prej personaliteteve më të njohura të kulturës islame

28/01/2012 Lini një koment

HASAN KALESHI – NJË PREJ PERSONALITETEVE MË TË NJOHUR TË KULTURËS ISLAME

Hasan-KaleshiMë 19 korrik të vitit 1976, u nda nga jeta një personalitet tepër i njohur i shkencës, me kombësi shqiptare, vepra e të cilit përbën një kontribut të pallogaritshëm në fushën e studimeve islamike dhe orientalistike. Ky ishte doktor Hasan Kaleshi, një figurë realisht dinjitoze, e cila la gjurmë të ndritshme në fushën e studimeve orientale, por që, me ndarjen e tij nga jeta, krijoi një boshllëk të pazëvendësueshëm për të gjithë. Zakonisht, kur bëhet fjalë për Orientalistikën, bota arabe kthen vështrimin e saj menjëherë drejt orientalistëve më në zë të perëndimit, edhe pse vlen të përmendet fakti që përherë e ka shoqëruar një ndjenjë e theksuar dyshimi ndaj tyre. Ndërkohë, kur bëhet fjalë për burime të studimeve orientale në shtetet e Evropës Lindore ku, padyshim, një rol themelor e pozitiv në këtë drejtim luajti feja islame, ndodh e kundërta, pasi rrallëherë është evidentuar një interesim serioz nga bota arabe ndaj këtyre vende.

Dr. Hasan Kaleshi, si një orientalist i kulluar, kurrë nuk e ngatërroi jetën e tij me ambicie politike dhe mbeti njëkohësisht besnik i fakteve shkencore dhe studiues i mirëfilltë. Faktor tjetër i rëndësishëm në jetën e tij dhe që, përbënte një veçori në fushën e studimeve, ku u bë i njohur ky personalitet shqiptar, ishte identiteti fetar, i cili qe urë lidhëse midis këtyre vendeve ballkanike, prej nga ishte vetë dr. Kaleshi, dhe botës arabe. Nisur nga kjo përvojë jetësore, ai u gjend në krah të Lëvizjes Orientalistike apo studimeve arabo-islamike, duke ofruar thesare të reja, me produktin e tij në fushat respektive që, për nga vlerat që përfaqëson, meriton një përkujdesje dhe interesim të veçantë. Me veprën dhe kontributin e tij në fushën e Orientalistikës, ai u vlerësua si një nga emblemat e shquara të saj.

Dr. Hasan Kaleshi
Biografia e Dr. Hasan Kaleshit

Dr. Hasan Kaleshi lindi në fshatin Serbetinë në Maqedoninë perëndimore, në gjirin e një familjeje me origjinë shqiptare, shumë tradicionale për nga aspekti i ruajtjes së vlerave dhe identitetit kombëtar. Gjyshi i tij quhej Ali Kaleshi dhe ishte një prej emrave më të njohur të dijetarëve të fesë islame në zonë, pasi kishte përfunduar studimet teologjike në Stamboll. Po kështu dhe i ati i tij, duke ndjekur vijën e gjyshit në përvetësimin e kulturës islame, përfundoi studimet teologjike në Medresenë e Fatihut në Stamboll. Pra, në mes të një ambienti kulture dhe vlerash islame, u rrit ky fëmijë, nën përkujdesjen e vazhdueshme të të atit, që e nxiste të mësonte Kur’anin Famëlartë dhe gjuhën arabe qysh në moshë fare të njomë, atë gjashtëvjeçare. Me gjithë këtë përkujdesje, përsëri i ati e regjistroi në shkollën publike në vendlindjen e tij. Shkollimin para të mesëm dhe të mesëm e kreu në Shkup, pasi familja e tij u transferua në këtë qytet. Shkolla, ku studionte djaloshi Hasan Kaleshi, u mbyll pas shpërthimit të Luftës II Botërore, kështu që u detyrua të përfundonte shkollimin në qytetin e Prishtinës – Kosovë. Më pas, u thirr në vendlindje, në fshatin Serbetinë, për të punuar si përkthyes në administratën e vendit.

Pas përfundimit të Luftës dhe formimit të shtetit jugosllav, në vitin 1943, ai u regjistrua në Universitetin e Beogradit për të ndjekur studimet e larta në degën e orientalistikës, ku dhe u diplomua në vitin 1952. Për rezultatet e tij të shkëlqyera, u caktua asistent-profesor në Universitet, por në kushtet e një trysnie të vazhdueshme që vazhdonte ndaj popullsive me përkatësi islame në Jugosllavi, u detyrua të emigrojë në Turqi me gjithë familjen e tij. Pavarësisht kësaj, titujt “Master” dhe “Doktor” iu akorduan nga Universiteti i Beogradit, ku dhe mbrojti disertacionin e titulluar “Dokumentet më të hershme të vakëfeve në gjuhën arabe, për zonën e Maqedonisë”. Më vonë, megjithë përpjekjet e tij për t’u emëruar profesor asistent në Universitetin ku kishte studiuar vetë, nuk pati sukses, për shkak të origjinës së tij shqiptare, e cila, në këndvështrimin e shtetit të atëhershëm jugosllav, përbënte një pengesë serioze, pasi trajtohej në fokusin e mosmarrëveshjeve ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë, që asokohe kishin arritur kulmin e tyre. Përveç kësaj, ai ishte mysliman, në një periudhë kur e gjithë Jugosllavia ndiqte një politikë nacionaliste nën motivin “e serbizimit të saj”. Nuk u vlerësua as fakti që vetë dr. Kaleshi ishte martuar me një grua serbe. Megjithë situatën e vështirë që mbizotëronte, ai zgjodhi një drejtim shkencor që faktikisht ishte shumë larg politikës, e cila nuk përbënte për të kurrfarë interesi. Megjithatë, edhe në këto kushte të vështira, ai ia doli mbanë: afirmoi veten fuqishëm si studiues dhe hulumtues i mirëfilltë, që ia vlente për t’u marrë shembull, për kulturën dhe njohuritë e tij të thella në shkencat arabo-islamike.

Bazuar mbi të kaluarën dhe përvojën e shkollimit të tij, dr. Kaleshi arriti të zotëronte mjaft mirë disa gjuhë të huaja, si: shqip, maqedonisht, turqisht, serbisht, arabisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht etj., të cilat i mundësuan të publikonte studimet e veta në shumë gjuhë. Por kjo larmi gjuhësh të zotëruara, nga njëra anë ndikuan drejtpërdrejt në çpërqëndrimin e energjive të tij, pasi veçse për pak nga këto studime në gjuhë të huaj, u mundësua përkthimi i tyre në gjuhën amtare të autorit. Nga ana tjetër, këto gjuhë të huaja ishin një faktor i rëndësishëm ndihmës, ato i dhanë autorit një famë të admirueshme në nivel ndërkombëtar, duke e promovuar atë si një orientalist tepër të aftë, që përfaqësonte shembullin e unifikimit të Orientalistikës Perëndimore dhe veçorive të saj me Orientalistikën Lindore, me metodat dhe parimet e saj tradicionale. Njohuritë e gjera që mbartte mbi supe, kultura dhe niveli intelektual i mundësuan dr. Hasan Kaleshit zgjerimin e vazhdueshëm të horizonteve të tij, po ashtu një optikë më të thellë në rrafshin studimor si dhe e dalluan atë për nga mënyra e qasjes së studimeve të tij të gjithanshme. Këto afirmuan, pa mëdyshje, figurën e këtij akademiku, duke merituar plotësisht notat vlerësuese më pozitive.

Në vitin 1965 kthehet në Jugosllavi dhe punon në Institutin e Studimeve Albanologjike në Prishtinë. Vazhdoi aty deri në vitin 1973, vit në të cilin zgjidhet Shef i Departamentit të Orientalistikës në Universitetin e Kosovës. Ndërron jetë pas tre vjetësh, në 1976.

Dr. Hasan Kaleshi ishte pedagog i gjuhës dhe literaturës arabe. Ka publikuar një sërë studimesh të tij në revista, që trajtojnë çështje të Orientalistikës e gjithashtu çështje të vendit dhe të huaja. Ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare për Orientalistikën. Në Egjipt ai pati fatin të takojë shumë nga shkrimtarët, të cilëve u kishte shërbyer, duke përkthyer pjesë nga veprat e tyre, si: Mahmud Tejmur, Teufik Al-Hakim etj. Ai, gjithashtu, zhvilloi biseda të drejtpërdrejta të fokusuara në lëmin e profilit të tij si orientalist.

Vepra letrare

Gjatë periudhës 1949-1976 dr. Kaleshi shkroi dhe publikoi shumë studime dhe kërkime të rëndësishme në gjuhë të ndryshme. Një pjesë të madhe prej tyre nuk mundi t’i përkthejë prej gjuhëve në të cilat u publikuan. Ndërkohë që disa prej tyre kanë humbur, pjesa tjetër është grupuar në një seri vëllimesh. Numri i studimeve dhe kërkimeve të realizuara i kalon 350, pa përfshirë këtu librat e botuar. Këto studime përfaqësojnë më së miri interesimin intelektual dhe përkujdesjen e dr. Hasan Kaleshit në fushën studimore të kulturës orientale, të cilën mund ta ndajmë në tri kategori:
1. Trashëgimia kulturore shqiptare – Gjuha dhe literatura shqipe.
2. Trashëgimia kulturore arabo-islamike.
3. Trashëgimia kulturore osmano-turke.

Gjuha dhe literatura shqipe

Gjatë viteve ‘50 të shekullit të shkuar, menjëherë pas diplomimit, dr. Hasan Kaleshi shfaqi një interesim të veçantë për gjuhën shqipe. Studimin e tij të parë në gjuhën shqipe e publikoi në vitin 1949. Ai titullohej “Vërejtje rreth gjuhës së përdorur në gazetarinë tonë”. Më 1952 publikon studim-artikullin me temë: “Letërsia bashkëkohore shqipe në Jugosllavi”, me synimin për t’ua ekspozuar letërsinë shqipe sa më shumë popujve të tjerë jugosllavë. Në vitin 1957 botoi artikullin me temë “Letërsia e shkruar shqipe me shkrim arab”. Lëvroi në masë letërsinë popullore shqipe; ndërmori një studim krahasues mbi figurën e famshme të Nastradinit, mbi pjesë të rralla të shkrimtarit të madh shqiptar Sami Frashërit, si dhe mbi rrëfenjat popullore shqipe. Punoi një sërë artikujsh për figura të shquara shqiptare, që kanë spikatur gjatë historisë së Perandorisë Osmane; është marrë me korrigjimin e shumë fakteve të lidhura me historinë osmane-shqiptare, si dhe ka publikuar dokumente historike që flasin rreth kryengritjeve kombëtare shqiptare të periudhës 1909-1912.

Trashëgimia kulturore arabo-islame

Përveç përgjegjësisë së mësimdhënies së gjuhës arabe dhe funksioneve në të cilat punoi, dr. Hasan Kaleshi pati ndikim të fuqishëm në promovimin e literaturës arabe nëpërmjet përkthimit të shumë kryeveprave të letërsisë bashkëkohore dhe klasike arabe. Gjithashtu, ai punoi shumë studime dhe analiza të vyeshme rreth kësaj letërsie. Ka përkthyer në gjuhë të ndryshme të rajonit një mori letrarësh arabë, si: Ibni Rumi, Xhubran Khalil Xhubran, Bulend El-Hajderi, Nizar Kabbani, Sulejman Al-Isa etj. Ka publikuar studime të veçanta në kuadër të letërsisë arabe, si: “Letërsia bashkëkohore egjiptiane” 1956, “Risitë në poezinë moderne arabe” 1965. Ka përkthyer një seri tregimesh të shkrimtarit të njohur arab Mahmud Tejmur, si dhe ka përgatitur një tekst universitar që trajton Historinë e Letërsisë Arabe, të cilin ia propozoi Rektoratit të Universitetit të Kosovës, por që, për ironi të fatit, ky dorëshkrim nuk u publikua.

Interesimi i dr. Kaleshit në studimet gjuhësore dhe të leksikut del në pah shumë qartë në studimin prej tij të gjuhëve serbe, shqipe dhe turke, e, gjithashtu, në pasqyrimin që u bëri veprave të shkrimtarit dhe studiuesit enciklopedik shqiptar, Sami Frashëri. Në kryeveprat e realizuara nga dr. Hasan Kaleshi, bën pjesë dhe “Fjalori serbokroatisht-arabisht”, të cilin e përfundoi me sukses në bashkëpunim me studiuesin e njohur Kamil El-Buhi, një ndër personalitetet më të njohura të fushës së Orientalistikës gjatë viteve ‘50. Fjalori doli nga shtypi pas ndarjes nga jeta të të dy autorëve. Ai përfshin rreth 50 mijë fjalë e idioma në të dyja gjuhët dhe pati ndikim të jashtëzakonshëm në brezat që erdhën më pas në përhapjen dhe lehtësimin e mësimit të gjuhës arabe nga popujt serbo-kroatishtfolës.

Një prej sektorëve ku u shqua orientalisti Hasan Kaleshi, ishte verifikimi dhe publikimi i dokumenteve të vakëfeve, pasi kjo përfshihej në specialitetin e tij shkencor. Në mënyrë të veçantë, ai mbuloi sektorin e vakëfeve të regjistruara në gjuhën arabe, i mblodhi dhe i botoi ato në një libër të veçantë, i cili doli nga shtypi në vitin 1972 me titull “Dokumentacion në arabisht i vakëfeve në Republikën Federative Jugosllave”. Ky libër njohu një shpërndarje të gjerë në mjediset e bibliotekave private dhe shkollore, si dhe nëpër xhami dhe institucione të ndryshme fetare.

Trashëgimia kulturore osmano-turke

Orientalisti Hasan Kaleshi, midis larmisë së gjuhëve që zotëronte, mësoi edhe gjuhën turke gjatë qëndrimit të tij në Shkup, Beograd dhe Stamboll. Në fushën e studimeve osmano-turke bashkëpunoi dhe përfitoi nga përvoja e studiuesve më të njohur. Publikoi një sërë artikujsh e studimesh në serbisht, arabisht dhe shqip, me të cilat synonte të bënte të njohur literaturën e vjetër dhe të re turke, e, njëkohësisht, përktheu vepra të shkrimtarëve më të shquar osmanë. Arritja më e madhe në këtë fushë për dr. Hasan Kaleshi ishte vlerësimi i tij, nëpërmjet pasqyrimit të jetës dhe veprës së një prej figurave më të mëdha, siç ishte ajo e dr. Ibrahim Temo, themelues i “Organizatës për Unitet dhe Zhvillim”, e cila luajti rol të rëndësishëm politik në sistemin e pushtetit osman, si dhe në marrjen e këtij të fundit nga Qemal Ataturku. Studimi me titull “Faqja tjetër e unitetit dhe zhvillimit” u publikua në disa gjuhë, si në gjermanisht, serbokroatisht dhe arabisht. Autori, me analizën e tij, i ndriçon të dyja frontet e “Lëvizjes për Unitet e Zhvillim”, njëra prej të cilave ishte fronti Turani, që përfaqësonte një lëvizje tradicionale me tipare të theksuara nacionaliste turke. Fronti tjetër, që përfaqësohej me vetë themeluesin e Lëvizjes për Unitet e Zhvillim, dr. Ibrahim Temo, ishte për bashkimin e gjithë popujve që përfshiheshin në administrimin perandorak, nën flamurin e pushtetit osman në drejtimin e një shteti federal, duke i dhënë gjithsecilit të drejta kombëtare, përfshi këtu një formë të vetëqeverisjes administrative, të drejtën për mësimin e gjuhës amtare të secilit në kuadër të shtetit osman, ku përfshiheshin shtetet e Ballkanit dhe disa shtete arabe. Ndoshta ne, në ditët e sotme, nuk dimë shumë për këtë aspekt tjetër të fronteve të “Lëvizjes për Unitet e Zhvillim” të themeluar në sajë të përpjekjeve në atë periudhë të dr. Temos, një mjek okulist në Shqipëri, i cili ishte ndikuar nga veprat e liberalizmit perëndimor, që bënin thirrje për liri të mendimit dhe nxitje të hapave të zhvillimit e të progresit tek ideologët dhe intelektualët turq, si p.sh., intelektuali Namik Kemal. Vlen të përmendet se organizata “Lëvizja për Unitet dhe Zhvillim” u themelua thuajse në një mënyrë identike me atë të organizatës ilegale “Karbonara” të Italisë, si dhe në ndikimin e Masonerisë dhe organizimeve të tyre të fshehta.

Përktheu nga gjuha arabe:
Eris KOLIQI

Marrë nga revista “Haxhi dhe Umreja”, Nr 11, Viti i 61 i botimit
(Dhul Ka’de 1427 – Mbretëria e Arabisë Saudite)

I kuqi i buzëve (tregim arab)

17/01/2012 Lini një koment

Ali Mustafa EL MISRATI*

 

I KUQI I BUZËVE

Ali Mustafa el Misrati

Ali Mustafa el Misrati

Nexhva Vefa me gjithë përkëdheljet dhe dashamirësinë e madhe të shfaqur ndaj saj nga bashkëshorti Tajib Dervish, ishte nga ai lloj i grave që gjithmonë shqetësoheshin, e frikësoheshin për çdo gjë.
Me gjithë vetëpërmbajtjen, besnikërinë dhe devotshmërinë e saj për të ruajtur jetën bashkëshortore, ajo ishte grua dyshuese, vesvese, që bëhej me fiksime, xheloze më shumë se ç’duhet… ishte mësuar të ndiqte hapat e tij, të kontrollonte xhepat, të lexonte letrat, të inspektonte këmishat dhe shamitë e tij… të meditonte gjendjen e paraqitjen e tij kur kthehej në shtëpi… mundohej të parashikonte e të kuptonte lëvizjet dhe tiparet e fytyrës, e më pas të kuptonte e zbulonte se çfarë fshihej pas tyre… kjo grua e zhytur në dyshime dëgjonte vjedhurazi e në fshehtësi bisedat e tij telefonike… sikur ajo të ishte një nga engjëjt përgjues… dhe mjerë për atë në qoftë se vonohej qoftë dhe pak nga koha e zakonshme që kthehej në shtëpi… në heshtje pyeste veten, herë në pikëllim e herë herë në zemërim e egërsim: vallë ku të ketë qenë? Me kë qëndroi deri kaq vonë?! Cili është shkaku i vonesës së tij?
Bashkëshorti i saj Tajib Dervishi i duroi të gjitha këto me pikëllim por pa bërë fjalë… se mos ndoshta kjo përkujdesje e tepërt dhe përndjekje vinte si shkak i dashurisë së tepërt, sjellje e motivuar nga dëshira e posedimit të tejkaluar, dhe vetë përvetësimit… ka dëshirë që të mos i afrohet ose të përkujdeset për të askush përveç saj.
Mirëpo rrahja e daulles u shtua… tingujt u rritën edhe më shumë… dhe në qoftë se e bardha shtohet tepër në lëkurë atëherë ajo kalon në lebrozë… e në qoftë se xhelozia apo dyshimi i tejkalojnë kufijtë atëherë ato kthehen në ferr e zjarr… ndoshta kjo frikë e këto vesvese ajo i ka trashëguar nga nëna e saj, ose nga zbatimi i këshillave të cilat ia jepte gjyshja, zonja Xhilbihar, amvisa e vjetër dhe zonja e shtëpisë, e cila kishte përjetuar fundshekullin dhe kishte hyrë për të ndjekur fillimet e këtij shekulli.
Bëj kujdes të të mos ikë zogu yt, përgjoje, shkurtoja krahët, shkulja puplat që të mos ketë mundësi të fluturojë. Tajib Dervishi mundohej që sjelljet apo marrëzitë e gruas së tij t’i konsideronte si veprime të lindura nga dashuria e rrebeshtë, ose të motivuara nga xhelozia e tepërt, edhe pse këto sjellje e kalonin formën e sjelljeve normale… e i tejkalonin kufijtë:

Çfarë nate me furtunë qe ajo mbrëmje.
Në shaminë dhe në njërën anë të këmishës së tij gjeti njolla me ngjyrën e të kuqit të buzëve… ngjyrë e kuqe flakë…
Ngriti buzët përpjetë, u egërsua… ofshau… e humbi durimin. Heshti sikur heshtin përgjuesit e ata që zënë pritë… zjarri iu ndez në kraharor… qe një natë e zezë…
Mendoi në ndarje dhe shkatërrimin e marrëdhënieve familjare.
Ia mbushi mendjen vetes me argumente e sebepe… me fakte që nuk linin vend për dyshime… ja tek e kam argumentin para syve… kjo shenjë nuk lë vend për të diskutuar… nuk ka asnjë arsyetim për të hedhur më të voglin dyshim… argument i qartë skandaloz… nuk mund të hidhet poshtë e as të bëhet kompromis me të… kështu koka iu mbush me mendime e përfytyrime të tilla, dhe pyetjet vazhdonin të shtoheshin më tepër brenda saj…
Vallë kush të jetë ajo ngordhësirë e mallkuar, të cilën e ka puthur kaq fort e kaq gjatë, puthje e ndezur zjarr aq sa të njolloset edhe këmisha… edhe shamia me shenjat e buzëve…
Ishin buzë të kuqe… por jo prej të ftohtit e acarit… sepse ne jemi në mes të verës… e në kulm të zhegut të saj…
Edhe po të jenë buzët e tij këto që ka fshirë me shami… ato nuk janë kaq të kuqe… kështu që përsëri filloi të mendojë e të radhisë argumentet e të lidhë ngjarjet në vetvete… filloi të rikthejë parashikimin e kohës dhe motit… të ditëve të shkuara… dje u vonua një orë e pesë minuta nga orari i zakonshëm që kthehet në shtëpi… patjetër që këtë kohë ai do ta ketë kaluar me këtë farë të përdale… eehhh… posi… ato janë të shumta në qytet… i cili i ka të hapura dyert për këdo që shkon e vjen… për njerëz të papunë e të pafytyrë… për të përdalët… ose ajo mund të jetë nga ato femra të dala duarsh… nga ato turistet… të llojit të veçantë… të cilat kanë mbushur hotelet… disa prej tyre ulen edhe në trotuaret e disa kafeneve e bareve… e gjuajnë për meshkuj e për të tillë që u ngjajnë meshkujve… ose mund të jetë nga ato të cilat gjuajnë për pasuri e kënaqësi të momentit… ato janë shfrytëzuese të rasteve… janë qeflinje e rrugaçe që kalojnë nga një qytet në tjetrin…
E zonja e kësaj njolle në shami e në këmishë… vallë të jetë e huaj… vajzë shëtitëse… e bija e çastit dhe e hanit… apo të jetë nga gratë e qytetit… apo të jetë studente e dështuar në shkollë… apo mos vallë është ndonjë e vobektë që ka rënë viktimë… apo të jetë grua që tradhton bashkëshortin e saj…? aaahhhh sa sekrete fshihen pas mureve e perdeve… të fshehta që mund të shkatërrojnë familje… e jetë bashkëshortore… të fshehta që ia marrin fytyrën njeriut për sa kohë të ketë jetë… një fshikullimë e ndjenjave është më e gjatë se brirët e djallit… mirëpo të çoroditurit e të pakujdesshmit apo të humburit e të përdalët nuk e shohin këtë…
Si ta zbuloj nëse kjo shenjë është puthje e një gruaje nga lindja apo nga perëndimi… apo ka ardhur nga vendet pas deteve… apo pas shkretëtirave… vallë këtë grua ta ketë shoqëruar e kërcyer me të në ndonjë vend turistik apo në ndonjë pishinë noti…?
Kështu që Nexhva Vefaja u fundos në iluzione dhe ndërthurje përfytyrimesh… dhe u zhyt thellë në dunat e dyshimeve…
Shpiku një komplot dhe vendosi zbatimin e një plani surprizë… në vend që t’i shprehë atij mendimet e saj, dhe t’i zbulojë atij gjithçka, do të lerë shtëpinë… dhe nuk do të ankohet tek njerëzit e familjarët e tij… ato janë njerëz të mirë dhe mjaft të dashur… nëse ajo do të ankohet… e t’u shpjegojë atyre këtë problem… ata do të fillojnë e do të organizojnë ndonjë mbledhje familjare… e do të kërkojnë për një pajtim të ndershëm e të shpejtë… e do ta mbushin kokën e saj me fjalë, këshilla e tregime për t’u ribashkuar, e për t’u pajtuar e falur njëri tjetrin… e këtë gjë ajo nuk e dëshiron… e nuk e pëlqen aspak …
Kështu që patjetër duhet vendosshmëria, dhe të japë një goditje të fortë e të prerë… që ta zgjidhë këtë problem një herë e mirë… këputja e nyjës është më e lehtë se zgjidhja e saj…

Në mëngjes ajo nuk e përgatiti filxhanin e kafesë, të cilin e kishte mësuar bashkëshortin e saj ta pinte i qetë e me ngadalë në shtratin e tij para se të ngrihej për të ngrënë mëngjesin…
Po ashtu nuk kishte përgatitur edhe mëngjesin… bile as edhe përshëndetjen e mëngjesit nuk ia kishte dhënë… zemërimi i saj ishte shtuar më tepër.
Kur hyri në kuzhinë… dhe hapi frigoriferin… u habit kur pa me një kaush letre të cilin e kishte sjellë bashkëshorti i saj natën vonë… kaush me rrush… që i përngjante llojit të manave të kuq… ishte nga ai lloj rrushi që shquhej për të zona e Taxhurës[1]… ishte e njohur për shegët, dhe llojet e perimeve të ndryshme… ditëve kur pemëtaria ishte e zhvilluar… çdo krahinë ka diçka që e bën atë të veçantë nga të tjerat…
Këtë kaush me rrush ai e la aty në frigorifer kur u kthye natën vonë, sepse ajo ishte në gjumë… dhe nuk pati dëshirë ta zgjonte dhe e la të qetë tek flinte.
Dhe kur po kthehej atë natë të vonë, tek shkallët pa dashur gishtat e tij shtypën fort kaushin e letrës… dhe një nga kokrrat e rrushit e spërkati me lëngun e saj… fshiu majat e gishtave në shaminë e tij… dhe me një lëvizje të paqëllimtë lëvizi anën e këmishës së tij të bardhë… dhe zonja Nexhva Vefa, e mori shaminë, dhe si të ishte ndonjë police detektive, këtë njollë të kuqe flakë si gjaku e krahasoi me një njollë të sajuar nga shtrydhja e një kokrre rrushi, dhe pasi e sajoi këtë njollë, vrapoi për tek pasqyra dhe pa se ajo i përngjan njollës që kishte në buzët e saj… ishte njollë e krijuar nga lëngu i rrushit… ishte më i kuq se lëngu u manit…
Vrapoi drejt tij… dhe ai u habit nga përqafimet dhe shtrëngimet e saj të forta që desh i morën frymën… i dha atij një puthje të nxehtë, të gjatë e të fortë, puthje që u pasua nga të tjera puthje… e përqafime… të cilat ai as natën e parë të martesës si kishte parë të tilla si këto… dhe në vesh ajo i pëshpëriti: më fal…
Dhe qeshi…
Tajib Dervishi… ktheu kokën.
Ai nuk mundi t’i japë përgjigje pyetjes që i kishte lindur në kokë këto momente.
Thua të gjithë njerëzit xhelozë të jenë kështu?
A kishte kaluar ndonjë nga shokët e tij, ngjarje dhe përvojë si kjo e tij…?! Ai që nga ajo ditë nuk e provoi më kurrë shijen e manit dhe rrushit.
* * *
[1] Zonë periferike, rreth 20 km në Lindje të Tripolit.

 

* Autori është me origjinë shqiptare (Arnaut), dhe jeton në Misrata të Libisë.

Tregim është shkëputur nga libri “Palltoja është ende e varur”.

 

Përktheu nga gjuha arabe: Roland VISHKURTI

Maruf Arnauti – Romancieri i parë në letërsinë siriane

12/01/2012 Lini një koment

Dr. Muhamed MUFAKU (ARNAUTI)

 

MARUF ARNAUTI - ROMANCIERI I PARË NË LETËRSINË SIRIANE

Dr. Muhamed Mufaku

Dr. Muhamed Mufaku

Në vitin 1973 u botua në Damask libri i kritikut të njohur sirian Adnan Ibn Zarril, me titull “Romani sirian”, i cili merret me çështjet e romanit sirian, qysh nga fillet e kësaj gjinie letrare në Siri. Në këtë libër, autori jep listën e romaneve në letërsinë siriane qysh nga viti 1928 e deri në vitin 1973. Sipas kësaj liste del se shqiptari Maruf Arnauti është autori i romanit të parë, të dytë, të pestë e të gjashtë, gjë që është një kontribut i rrallë i ndonjë shqiptari në ndonjë letërsi të huaj.

Kush është Maruf Arnauti?

Në gjysmën e shekullit XIX erdhi nga Vlora në Bejrut shqiptari Hasan Aga Jusufi. Ai, pari arriti në Bejrut, u emërua përgjegjës i sigurimit të këtij qyteti. Ai shumë shpejt u dallua, në krye të detyrës së vet, edhe pse nuk e dinte arabishten. Mirëpo, historiani i njohur arab Jusuf I. Jazbeku zbulon se emërtimi i këtij shqiptari në këtë detyrë nuk qe për një qëllim të mirë. Në të vërtetë, ai u internua në Bejrut me urdhrin e sulltanit Abdul Maxhit (1839-1861) për shkak të tendencave të tij patriotike. Në Bejrut, ai rrëfente tregime për “trimërinë e stërgjyshit të tij Skënderbeut për çlirimin e territorit shqiptar nga pushtuesit e huaj”. Përveç kësaj, historiani Jusuf I. Jazbeku tregon një gjë shumë interesante. Sipas fjalëve të këtij historiani, ai kishte lidhje edhe me arbëreshët e Italisë, me qëllim që të njihej me interesimin e tyre për atdhe. Hasan Jusufi kishte lënë në Bejrut shumë djem e nipa. Njëri prej tyre është edhe Maruf Arnauti.
Marufi u lind në Bejrut në vitin 1892, ku edhe u shkollua. Në fillim u dallua me aktivitetin e tij revolucionar. Ai iku nga ushtria osmane, ku shërbente si oficer, dhe mori pjesë në Revolucionin Arab (1916) kundër pushtetit osman. Më vonë, ai mori pjesë aktivisht në lëvizjen çlirimtare kundër kolonializmit francez në Siri. Për shkak të aktivitetit të tij, ai u dënua me vdekje nga pushteti francez. Mirëpo, pas një kohe, ai u amnistua. Pasi vendosi të jetonte në Damask (1920), u mor kryesisht me letërsi. U dallua me krijimtarinë e vet të llojllojshme: shkroi tregime, drama, u mor me gazetari, sidomos u dallua si romancier.
Në fushën e tregimit, Maruf Arnauti, dallohet me tregimin e tij “Firadus al-Mari” (Parajsa e al-Mariut), i cili u botua në vitin 1915, atëherë kur tregimi sirian filloj të zhvillohej. Ky tregim, sipas kritikut sirian Samir Sheik al-Ardi, është “ndër tregimet e para të zhvilluara në Siri”.
Si dramaturg, Maruf Arnauti, gëzon një vlerësim të posaçëm në kritikën siriane. Ai, sipas kritikut Adil Abu Shanab, është “i pari në Siri që ka shkruar dramën me plot kuptimin e fjalës. Kontributi i Maruf Arnautit në dramën siriane është shumë i madh, gjë që e vlerëson shumë lart kritiku sirian Adnan Ibn Zarril. Ky kritik shkruante në një rast se Maruf Arnauti “ka realizuar fitore të mëdha, se ai e bindi opinionin që teatri mund të shfrytëzojë të gjitha temat letrare, artistike, historike, lirike, shoqërore, dhe patriotike”. Ndër dramat e Maruf Arnautit dallohet veçmas “Xhemeal Basha al-Safah” (1919) dhe “Ebu Abdullah al-Sagir” (1929).
Edhe në gazetari kishte një aktivitet të gjallë. Ai mori pjesë në nxjerrjen e gazetës “al-Istiklal al-Arabi” (Pavarësia Arabe, në vitin 1917). Më vonë, në vitin 1919, ai vetë nxjerr revistën “al-Alam al-Arabi” (Flamuri Arab), e cila kishte përmbajtje letrare. Një vit më vonë, më 1920, ai nxjerr gazetën e përditshme “Fata al-Arab” (I riu arab), e cila vazhdoi të botohet deri në vdekjen e tij, në vitin 1948. Kjo gazetë, e cila ishte e përhapur jo vetëm në Siri, kishte një përmbajtje të llojllojshme. Në këtë gazetë, Maruf Arnauti ka qenë njëkohësisht kryeredaktor, redaktor, përkthyes, korrektor, lektor dhe arkëtar!
Ndërkaq, kontributin e tij më të madh në letërsinë siriane e dha si romancier. Siç e pamë më lart, ai është autor i romanit të parë, të dytë, të pestë dhe të gjashtë në letërsinë siriane. Romani i tij i parë “Sejjid Kurejsh” (1928) qe botuar në tri vëllime, me gjithsej 918 faqe. Në vitin 1971 doli botimi i tretë i këtij romani, gjë që tregon vlerën e tij. Pikërisht prej këtij romani ne kemi zgjedhur një fragment me titull “Lindje”. Në këtë fragment ndoshta vërehet ndonjë dobësi artistike, por është e natyrshme, meqë fragmenti është marrë nga romani i parë në letërsinë siriane. Me fjalë të tjera, vlera e këtij fragmenti, por edhe e romanit, në përgjithësi është më shumë historike se sa artistike.
Në këtë fragment, Maruf Arnauti trajton një temë të traditës së përhapur dikur te arabët: vrasjen e vajzave të porsalindura. Sipas mendimit tonë, ky fragment ka një vlerë të posaçme, ngase autori tregon se kjo traditë nuk rrjedh nga mentaliteti i arabëve, por nga mjerimi dhe varfëria e tyre.
Është e vërtetë se Maruf Arnauti, edhe në veprat e tij, u dallua si luftëtar i palodhshëm për arabizmin, për çlirimin e arabëve dhe bashkimin e tyre. Ai luftoi dhe krijoi për të tjerët, për arabët, por ai nuk është as shqiptari i parë e as i fundit që luftoi për të tjerët.
Është e vërtetë se Maruf Arnauti nuk e dinte shqipen, por kjo nuk do të thotë se ai ishte pa ndjenja kombëtare. Nga gjuha shqipe, ai dinte vetëm një fjali: “Unë jam shqiptar”…

Maruf ARNAUTI

LINDJE
(fragment romani)

Në Ukaz, në qytezën e vogël, njerëzit që erdhën nga çdo anë, u kënaqën me poezinë e mirë. Kështu Ukazi, edhe në këtë sezon të ri e të frytshëm, tregoi se ç’tradita ka në ruajtjen e poezisë, gjë me të cilën mburret Saharaja e arabëve, e cila përvëlon në forcimin e unitetit të saj letrar dhe kombëtar.
Mirëpo, në këtë moment të këndshëm, njerëzit dëgjuan një zë të fuqishëm, panë një burrë duke dalë nga radhët e njerëzve, duke u afruar në atë vend ku gjendeshin Uaraka Ibn Nufal dhe Mauija, gruaja e Adiut. Burri ishte i armatosur deri në dhëmbë. Njerëzit duke u frikësuar prej tij, filluan të ikin duke pyetur se si kishte mundur ky të hynte me armë në Ukaz. Burri filloi të klithte:
- Ku është gruaja ime? Më thanë se është këtu…
Ai u ndal afër Vereka Ibn Nufalit. Mauija fare nuk deshi të largohej prej këtij plaku. Burri përsëri thërriste:
- Kthema gruan, o plak! Gruaja dridhej prej tmerrit, dhe filloi të qante duke klithur:
- Më ruani prej këtij tirani… Ky do të më vrasë…
Njerëzit u shqetësuan para kësaj skene dhe filluan të shqirren:
- Ky është Adiu vjedhës…
Vereka u ngrit në këmbë duke bërtitur:
- Mauija gjenden nën mbrojtjen e Ebu Sufjanit, dhe i tha: largohu prej këtu…
- Por, ajo është gruaja ime!
Ebu Sufjani dëgjoi këto fjalë dhe së shpejti erdhi për ndihmë. Ai u ndal ndërmjet plakut dhe gruas.
- Ç’do, o i pafytyrë?
Adiu u përgjigj:
- U betova se do ta vras gruan time nëse lind vajzë.
- Ç’njeri i keq je! Merreni armën e tij!
Njerëzit u tubuan rreth Adiut dhe filluan ta çarmatosin, kurse gruas i ra të fikët në tokë. Disa njerëz e morën atë në shtëpinë e Ebu Sufjanit, kurse disa nga zotërinjtë e fisit Kurejsh erdhën për ta mbrojtur. Njerëzit filluan ta largojnë Adiun jashtë sheshit. Ndërkohë gruaja lindi një vajzë.
Adiu ishte ende në luftë me njerëzit kur dëgjoi klithjet e gruas së tij. Ai ngeli pa fuqi, filloi t’i pyesë njerëzit përreth për gruan e tij, duke bërtitur:
- Ma ktheni gruan! Kjo është punë për mua!…
- Ky është i dehur – thanë njerëzit.
Ebu Sufjani u kthye i shqetësuar te Adiu dhe i tha:
- Qetësohu, gruaja jote po vuan, ajo ka nevojë për mëshirë.
- Ç’po thua, o zotëri?
- Po të them se gruaja jote e mjerë sapo lindi, ka nevojë për qetësi, përndryshe do të vdesë së bashku me vajzën.
- Çka? Po më thua se lindi vajzë?
- Po të vjen keq, o i mjerë, që të lindi vajzë? Ajo është e bukur si lule dhe e ndritur si dielli.
- Por…
- Por çmenduria të pushtoi dhe të bëri të pamëshirshëm, të vështirë si vërshimi. Kthehu në veten tënde, sonte e ke një pranverë që ta mbushë jetën me kënaqësi.
- Ç’po thua, o zotëri?
- Më shiko… më njeh?
- Kush nuk të njeh në Ukaz, o zotëri?
- Atëherë harroje këtë urrejtje që e kafshon veten tënde, mendo se tash je bërë babai i një krijese të dobët, që ka nevojë për dashurinë tënde.
- Por jam i mërzitur nga jeta ime e mjerë, nga jeta në errësirën e varfërisë; nuk mund ta siguroj kafshatën e jetës për këtë vajzë të porsalindur!
- Ky është ai mjerimi që e mbyti mëshirën në zemrën tënde?
- A e di se ç’është mjerimi? Mjerimi është det dhembjesh dhe dëshpërimesh; mjerimi është shtëpi pa kulm dhe pa dritare; mjerimi është një zemër e errët dhe pa ndjenja; mjerimi është varr i etshëm që e hap gojën për viktimat dëshmorë.
- Ky është mjerimi?
- Po, o i ndershëm. Mjerimi është ajo urrejtje që e pengon zemrën për të kuptuar bukurinë dhe dashurinë. Mjerimi në kulmin e tij është ajo revoltë kundër të mirës në çdo formë.
- Dëgjo! Dëshiroj të të shpëtoj nga mjerimi.
- Si?! Ç’po thua? Do të ma shtrish dorën tënde të mëshirshme?
- Po, në këtë moment, e në këtë vend.
Vereka Ibn Nufali nuk qe larg Ebu Sufjanit. Ai iu afrua dhe e pyeti:
- Më lejon mua, o zotëri, që të flas me këtë njeri?
- Po. Fol, o plak i urtë! – u përgjigj Ebu Sufjani.
Ai ia shtrëngoi dorën Adiut dhe i tha:
- Mjerimi është ashtu siç e ke përshkruar, por ndikimi i tij është i dobët në shpirtin e mirë… Ka shumë të mjerë në mesin e njerëzve, por fatet e tyre nuk janë të ngjashme. Mjerimi mbjell urrejtjen dhe dhunën në shpirtrat e dobët… Jeta është një stinë, stinë e dimrit të cilën e quajmë mjerim, e shpirtrat e mirë janë ata që i pastrojnë shirat e kësaj stine.
- Më ke zbutur me këto fjalë.
- Hiqe nga shpirti yt atë gjarpër që e shpërndan helmin në veten tënde!
- Po, do ta shkul gjarprin që më pushtoi nga dehja. Do ta shikoj jetën me sy e me zemër të shëndoshë…
- Po Mauija?
- Do të kthehem te ajo i penduar për atë që bëra.
- Po fëmija?
- Do të jem për të ai baba, që e shoh në fytyrën e saj të buzëqeshur këtë dritë që mbush malet e Faranit.
- Atëherë, do ta gjesh në shtëpinë time atë lumturi, që e ke kërkuar derisa të lodhi… Shko me gruan e vajzën te bija e xhaxhait tim, Hadixhja, në Mekë. Ajo është bujare, është më e ndershmja e më e pasura ndër gratë e fisit Kurejsh. Kur të takohesh me të, tregoi se Vereka më dërgoi te ti, që të jem në mesin e burrave që i dërgon për tregtinë tënde në Siri. Do të shkosh tek ajo?
Adiut iu mbushën sytë me lot, e mori dorën e plakut dhe tha:
- Do të shkoj nesër… Kurrë nuk do të të harroj për këtë të mirë. Më ke shpëtuar nga vuajtja.
Ai e shikoi Ebu Sufjanin me sy plot falënderim dhe i tha:
- O zotëri, zëri yt zgjoi një mall të fjetur në zemrën time, që nuk e shijova kurrë më parë. Më trego tani se ku është gruaja ime…
Ebu Sufjani e mori deri në shtëpi. Ai hyri brenda në qetësi. Kur e pa gruan e tij të shtrirë me vajzën, ai u gjunjëzua afër këmbëve të saj, e përqafoi duke shikuar sytë e saj të mbushur me lot.
Mauija i ngriti sytë dhe i tha:
- Adi, ç’do të bësh me mua?
- Oh, e mjerë, të erdha i penduar, të kam tmerruar me urrejtjen time të rrejshme dhe me mendjen time që kurrë nuk u zgjua.
- Po e kaluara?
- E varrosa në harresë. Tash u zgjua shpirti im, të erdha si njeri i ri me mend e me zemër. Po vajza, ku është?
- O bijë, zemra ime ishte deri më sot si dru i zhveshur prej gjetheve dhe i mbushur me mjerim. Por lindja jote ia ktheu drurit gjethet dhe lulet, që e fshijnë mjerimin…

 

Përktheu nga gjuha arabe:
Dr. Muhamed MUFAKU (ARNAUTI)

 

*Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 2, Pranverë-Verë, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

 

Revista “URA” në Facebook: https://www.facebook.com/pages/Revista-URA-Tiranë/383945141873

Kontributi i Hafiz Ali Korçës në reformimin e medreseve dhe arsimit islam

12/08/2011 Lini një koment

Ledian CIKALLESHI
Teolog, mësues në medresenë “H. Ali Korça”, Kavajë

 

KONTRIBUTI I HAFIZ ALI KORÇËS NË REFORMIMIN E MEDRESEVE DHE ARSIMIT ISLAM

Hafiz Ali Korça

Hafiz Ali Korça

Shekulli i fundit i Perandorise Osmane ishte i mbushur me sfida të mëdha të cilat ishin kryesisht ne fushat politike dhe ekonomike. Mirepo kjo gje reflektonte ne te gjitha fushat dhe shtresat shoqerore. Njera nga keto fusha ishte dhe fusha e arsimit fetar ne te gjithe perandorine. Mejtepet dhe medresete tanime nuk po luanin rolin qe kishin luajtur dikur, ku nxirrnin kuadro te zote si ne fushen fetare ashtu edhe ne ate shkencore dhe shoqerore. Nder shkaqet me kryesore qe çoi ne renien e ketyre medreseve ishte mosreformimi i procesit arsimor sipas nevojave te vendit dhe kohes, si dhe metodat e vjetra dhe jo te pershtatshme te mesimdhenies dhe edukimit fetar.

Ne te kaluaren keto medrese krahes arsimimit fetar zhvillonin edhe mesimdhenie te lendeve shkencore. Kjo bente qe shume nxenes te zgjuar te zgjidhnin kete shkolla dhe krahas hoxhallareve te dilnin edhe shkencare te mirëfillte. Ndersa tani me heqjen e ketyre lendeve nga programi mesimor beri qe te binte interesimi per keto medrese. Si rezultat shume nxenes te zgjuar zgjidhnin shkollat moderne ku mungonte arsimimi fetar. Ky fenomen beri qe te bije suksesi i ketyre shkollave dhe mos kryerjen e funksionit qe kishin persiper.

Rritur dhe arsimuar ne keto kushte, Hafiz Ali Korca i kishte konstaktuar keto probleme qe lartpermendem dhe ishte menduar te gjeje nje zgjidhje te ketij problemi. Njera nder pikat e dobeta qe H.Ali Korca ngulmonte me shume ishte mesimdhenia dhe metodat e mesimit te gjuhes arabe. Kjo gjuhe per shekuj kishte qene gjuha e qyteterimit dhe urelidhja midis popujve myslimane. Keshu qe çelsi per te arritur thesaret klasike te qyteterimit Islam ishte gjuha arabe. Mırepo medresete te cilat kishin per detyre te mesonin keto gjuhe studenteve te rinj, nuk po e kryenin si duhet funksionin. Sipas H.Ali Korçes arsyeja kryesore ishte metoda e gabuar e mesimdhenies se gjuhes arabe. Megjithe kohezgjatjen prej dhjet vjetesh, perseri nxenesit qe maturoheshin nga keto medrese nuk arrinin te pervetesonin gjuhen arabe. Kjo gje reflektonte edhe ne shkencat e tjera Islame, sepse librat klasike ishin ne kete gjihe. Keshtu qe myslimanet ne asnje fushe nuk po perparonin.

Ne kohen kur myslimanet ishin triumfante ne fushen politike dhe ekonomike, ishin per arsye se kishin medreste me te perparauara te kohes. Keto medrese krahes shkencave fetare, zhvillonin edhe mesimin e lendeve shkencore dhe shoqerore. Shembull kemi historine kur ne kohen e Abbasive ne Bagdat ndodheshin medresete Nizamijje dhe ne Endulus (Spanje) me ane te ketyre medreseve myslimanet edukuan edhe shume te krishtere dhe çifute. Ndersa ne kete kohe me degjenerimin dhe renien e ketyre medreseve nuk po binte vetem perandoria e myslimaneve, por edhe qyteterimi Islam bashke me fene. Siç thekson edhe vete H.Ali Korca feja mbahet vetem me dituri. Ndersa padituri nuk mund te behet asgje edhe Zoti diturin e quan ngjallje dhe injorancen vdekje. Per arsye te paditurise dhe injorances shume vende dhe mbreteri myslimane kane rene nen zgjedhen e jomyslimaneve. Dituria sjell zotesi ndersa injoranca sjell roberi. Po te mos ishte keshtu si do te ishte e mundur qe myslimanet kur ishin te pakte ne numer por duke pasur diturine sunduan boten dhe tani e anasjellta. Vendet kolonizatore megjithese ne te patken ne numer arrine te mbajne shume koloni ku midis tyre ka edhe vende myslimane.

Siç e theksuam kete ceshtje H.Ali Korca e quan çeshtje ontologjike per myslimanet, si ne bote ashtu edhe ne Shqiperi. Ne qofte se duam te jetojme si myslimane dhe te mbajme fene e Hz. Muhammedit (a.s) medoemos duhet te riperterijme dhe reformojme arsimin ne medresete ekzistuese. Keshtu qe te mundim te nxjerrim dijetare si Fahruddin Razi, Ibn Sina, Sujuti, Gelenbeviu, Molla Fenari, Hoxha Tahsini etj. Ne te kundert feja ne Shqiperi nuk do te mbahet dhe se shpejti neve do te na thote (Elveda) “Lamtumire”.

Keto pikpamje dhe mendime H.Ali Korça i pati shprehur ne kongresin e Dibres, kur midis 5 pikave qe i kishte propozuar komisjonit, pika e pare dhe e dyte ishte per mesimdhenien e gjuhes shqipe neper shkolla dhe permiresimin e programit mesimor neper medresete e vendit. Keto pika komisjoni i pati pranuar me kenaqesi. Me pas H.Ali Korça kishte dhene edhe shume artikuj neper gazetat turke qe dilnin ne Stamboll ate kohe lidhur me permiresimin e programit mesimor ne te gjithe perandorine, mirepo fatkeqesisht askush nuk ja vuri veshin. Ne kete periudhe perandoria po perjetonte momente te veshtira te shoqeruara me dekadenca dhe humbje territoriale, keshtu qe nuk ishin ne gjendje te mendonin shume lidhur me kete problem, edhe pse ishte problem ontologjik per ta.

Disa vite me pas kur ne shqiperi ndodhi princ Vidi, H. Ali Korça u emerua si drejtor i Drejtorise Arsimore per disa rrethe u mundua te cetle nje medrese me pikpamje dhe program te till mirepo konservatoret fetare e penguan sepse nuk perputhej me metoden e tyre mesimore. Gjate luftes se Pare boterore kur shqiperia ishte e pushtuar nga Austro-Hungaria, H.Ali Korça emerohet Anetar i Keshillit te Larte te Sheriatit dhe i Besueshmi i Fetvave nga perfaqesuesi i Ministrise se Jashtme te Austro-Hungarise August Krali. Kete detyre ai e zhvillonte ne Shkoder dhe perveç kesaj kishte edhe detyren e anetarit te Komisionit te Gjuhes bashke me Ndre Mjeden dhe disa figurave te tjera. Keto mendime H. Ali Korça ja shpalos popullit te Shkoderes dhe gjen mbeshtetje. Per kete blihet toka dhe mblidhen 1000 korona nga 2000 qe ishin planifikuar. Mirepo nga disfata e Austro-Hungarise dhe koha e luftes koronat e mbledhura u dogjen ne banke.

Pas luftes administrata u zhvendos ne Tirane dhe H.Ali Korça vazhdoj ta mbaje detyren e Anetarit te Keshillit te Larte te Sheriatit. Gjate nje asambleje qe organizohet H. Ali Korça perseri parashtron nevojen dhe domosdoshmerine per hapjen e nje medreseje. Fatmiresisht kesaj radhe ai gjen perkrahjen e disa shokeve anetar te Keshillit si Qamil Bala, Shejh Karbunara dhe Salih Vuçiterni. Ne kete menyre meret vendimi per hapjen e Medreses se Tiranes, ku Qamil Bala emerohet drejtor dhe H. Ali Korça ngarkohet me detyren e mesimit te gjuhes arabe. Keshtu H. Ali Korça per mesimin e gjuhes arabe sjell disa libra nga Berlini te shkruara me metoden Berliç dhe me ndihmen e disa librave te tjere si “Mufassal” te Zemahsherihut, “Shafije” dhe “Kafije” te Ibn Haxhibit pregatit librin “Çelesi i Librit Shqip-Arebisht”. Metoda Berliç ishte nje metode qe bazohej vetem ne praktiken e gjuhes dhe e mbushur me shembuj nga gjuha e perditshme si dhe pjese leximi. Ne kete metode Gramatika nuk kishte vend. Ndersa ne librin qe pregatiti H.Ali Korça megjithese pjesen me te madhe e ze praktika a i ka vene edhe gramatiken por jo me doza te larta si ne metoden e vjeter. Metoda e vjeter si primare kishte gramatiken, ndersa shembujt praktike ishin ne doza te paketa. H. Ali Korça metoden e tij e formoi midis ketyre dy metodave.

Ne hyrje te librit “Çelesi i Librit Shqip-Arebisht” H.Ali Korça, krahas keshillave per mesimdhenien nga mesuesi i lendes, flet dhe per metoden e tij te mesimit te gjuhes arabe. Duke krahesuar metoden e vjeter te mesimdhenies se gjuhes arabe me metoden e re ai nxjerr ne pah anet pozitive dhe avantazhet e kesaj metode. Shkurtimisht ai shprehet se metoda e vjeter ngaqe ishte bazuar me shume mbi mesimin e gramatikes sesa gjuhes,kjo gje shkaktonte uljen e rendimentit te mesimit si dhe ineresit te nxenesve. Keshtu qe edhe pas nje kohe relativisht te gjate prej 10 vjetesh mesim, nxenesit e maturuar ende nuk arinin te mesonin gjuhen ne nje nivel te mjaftueshem. Ndersa me metoden e re nxenesit mund te arinin te mesonin gjuhen arabe brenda 2 vjetesh dhe me nje rendiment te shkelqyer.

H.Ali Korca metoden e tij te mesimit te gjuhes arabe e quan “Metoda Qiellore” ose “Metoda e Natyres Foshnjore”. E para bazohet ne ayetin Kur’anor “Dhe Zoti ia mesoi Ademit te gjithe emrat”(Kur’an 2:31). Domethene mesimi i gjuhes fillon nga emrat dhe jo nga gramatika siç bente sistemi i vjeter. Ndersa e dyta bazohet ne mesimin e gjuhes te cilat nenat ja mesojne femijeve te vegjel kur ata pyesin “Ç’fare eshte kjo?”. Pra, femijet e vegjel mesimin e gjuhes nuk e fillojne nga gramatika por praktika dhe mesimi i fjaleve. Siç e thekson dhe vet H.Ali Korca, gjuha pjell gramatiken, dhe jo gramatika gjuhen.

H. Ali Korça do ta vertetoje me sukses, se kjo metode ishte me e pershtateshme per mesimin e gjuhes arabe. Nxenesit e tij brenda 2 vjetesh do te mesojne te shkruajne dhe lexojne me lehtesi gjuhen arabe. H. Ali Korça krahas gjuhes arabe i jep te lexojne edhe Isaguxhine (liber llogjike, Mantık) si dhe Tefsirin e Xhuzit Amme te autoreve Xhemaleddin Afgani dhe Muhammed Abduh. Disa nga keta nxenes do te shkojne dhe jashte shtetit per studimet e larta ne Egjipt.

Ne kete menyre H.Ali Korca i kthehet konservatoreve te cilet ngulmonin ne metoden e tyre te vjeter se metoda e tyre nuk ishte e zbritur nga qielli dhe duke pare rezultatet e kesaj metode te re duhet ta pranonin ate. Perndryshe feja ne Shqiperi do te dobesohej dhe nuk do te dilnin kuadro te rinj hoxhallaresh per te mesuar fene. H.Ali Korca thekson se me pare ne vendin tone ka pasur me shume se 200 hoxhallare ndersa tani kan ngelur vetem 20 te tille (behet fjale per vitet 30-40). Nese nuk mendohet per te ardhmen dhe punohet per nxjerrjen e kuadrove te rinj dhe modernizimin e medreseve atehere feja nuk e ka te gjate jeten ne Shqiperi. Se shpejti ajo do te na thote “Lamtumire”.

H.Ali Korca gjithashtu mundohet qe kjo medrese te njihet ne nivelin e nje shkolle te mesme, mirepo shteti i atehereshem nuk ja vuri veshin. Nga ana tjeter nga reformat e bera ne kuadrot fetare nuk gjeti mbeshtetje dhe keshtu H. Ali Korça nuk arriti te realizoje planet dhe endrrat e tij per kete vend. Ne vend te kesaj enderre realizohet endrra ose mankthi komunist te cilen H.Ali Korça kishte shkruar me pare ne librin “Bolshevizma a Çkaterrimi i Njerezimit”. Ai bile e quan te panevojshme te shkruaj endrren e 8-te krahas “Shtat enderrat e Shqiperise” sepse te gjithe e dime.

Si perfundim mund te themi qe H. Ali Korça nuk u kuptua si duhet nga bashkekohesit si dhe nuk ju vu veshi per arsye te ndryshme. Megjithese perpjekjet e shumta te H.Ali Korçes per te mbajtur te gjalle fene ne Shqiperi, ne librat dhe veprat e tij nuk gjeti mbeshtetjen e duhur dhe si rezultat jeta fetare ne Shqiperi dalengadale do te humbte mbeshtetjen e saj intelektuale. Keshtu qe komunizmi do ta kishte me te lehte te vazhdonte procesin e tij antifetar ne vend. Kete do ta kurorezonte me ndalimin e fese si dhe mbylljen dhe prishjen e shume xhamive dhe kishave.

 

Marrë nga faqja: http://www.kmsh.al/personalitete/134-kontributi-i-hafiz-ali-korces-ne-reformimin-e-medreseve-dhe-arsimit-islam.html

 

(Shënim: Megjithese nuk jane perdorur dipnota per ata qe jane te interesuar te dine burimin dhe literaturen e shfrytezuar mund te shikojne ne librat: Ismail Ahmeti, Hafiz Ali Korça – Jeta dhe Vepra; H. Ali Korça, Shtat endrrat e Shqiperise, Çelesi i Librit Shqip-Arebisht dhe Rubaijjati a Katroret e Umer Khajjamit te gjitha ne kompletin e veprave te H. Ali Korçes botuar nga shtepia botuese Logos-A, Shkup-2006)

Të jetosh në gjuhën arabe

16/07/2011 Lini një koment

Dr. Edward W. SAID

 

TË JETOSH NË GJUHËN ARABE*

Edward Said

Dr. Edward W. Said

Debati mbi nevojën e reformimit të Islamit, arabëve dhe gjuhës së tyre – duke përvetësuar arabishten popullore më tepër se arabishten klasike – vazhdon. Para vdekjes së tij në shtator 2003 Edward Said i argumentoi mendimet e një debati të tillë si një mungesë të jashtëzakonshme të përvojës së përditshme të të jetuarit në arabishte.

Fjala elokuencë (gojëtari) nuk përdoret shpesh sot. Ajo ç’kam ndërmend është kuptimi që kish dikur, një praktikë e dalluar verbale (e shkruar si dhe e folur, por kryesisht e dyta), një zotësi me fjalët që mund të jetë pjesërisht një dhunti e lindur por që sakaq ka gjithashtu nevojë edhe të zhvillohet e përsoset në mënyrë të tillë saqë ta tregojë një folës gojëtar si zotërues të diçkaje që të tjerët s’e kanë. Ajo ç’vjen rrëmbimthi në mendje është oratoria, por edhe pasja e një kujtese të mirë. Studimi i shkëlqyer mbi artin e kujtesës i të ndjerit Frances Yates na e shfaq këtë lidhje, por na tregon gjithashtu se sa prej kësaj aftësie është zhdukur pak a shumë, ose së paku nuk mësohet më si e tillë. Shpesh e kam vrarë mendjen nëse kishte ndonjë fill lidhës të padukshëm në mendjen time ndërmjet mahnitjes sime me elokuencën dhe faktit se Giambattista Vico, filozofi italian i shek. 18, ka qenë një figurë kaq me rëndësi për mua dhe se ai profesionalisht ishte një Profesor i Retorikës me specialitet elokuencën në Universitetin e Napolit.

Nëse sot lexon punën e vjetërsuar dhe gati qesharake të Vico – përpara se ai të botonte versionin e parë të The New Science më 1725 – menjëherë vihet re se pjesa më e madhe e kësaj pune merret me studimin filologjik dhe historik të mënyrës se si autorët e vjetër e përdornin formalisht gjuhën në forma të tilla saqë detajohej dhe i nënshtrohej një shqyrtimi të imët. Për breza të tërë, studimi humanist i gjuhës kërkonte një njohje të mirë të retorikës dhe të të gjitha llojeve të ngjyresave të ligjëratës që mësoheshin deri jo më larg se tre ose katër dekada më përpara në kontekstin e shkollimit në kolegj, madje edhe në kurse hartimi, si dhe përfshihej në programe mësimore që kishin për qëllim të mësonin të rinjtë e të rejat sesi të lexonin dhe çmonin letërsinë duke u nisur nga përdorimet figurative, figuracionet e ligjëratës, dhe mjetet e retorikës që kishin emra dhe përdorime të veçanta që merrnin funksion në ligjërime të sojit që vetë Vico mbante, studionte dhe imitonte me shkrim. Nuk ka dyshim se paraqitja dhe mjeshtëria e lartë janë pjesë e elokuencës, megjithëse shumë teoricienë klasikë, duke përfshirë dhe Vico, tërheqin vëmendjen kundër paraqitjeve të fryra e mendjelehta si qëllim në vetvete.

Mahnitja e dëgjuesit me zgjuarsinë verbale, e madje as thjesht zotërimi i teknikës së retorikës, nuk është e njëjta gjë me gojëtarinë e vërtetë. Vico na e thotë këtë në autobiografinë e tij, për gjithçka që mendon në lidhje me gojëtarinë: në mësimet mbi lëndën e tij, Vico ishte gjithnjë i interesuar në përparimin e të rinjve, që t’ju hapte sytë dhe t’i parandalonte karshi mashtrimit nga doktorët e rremë që ai ishte i gatshëm të ngjallte armiqësinë e pedantëve. Ai kurrë nuk diskutonte çështje të gojëtarisë veças urtisë, por thoshte se gojëtaria s’është gjë tjetër veçse të flasësh me urtësi; katedra e tij [e gojëtarisë dhe retorikës] ishte ajo që duhej të udhëzonte mendjet dhe t’i bënte ato më universale; të tjerat merreshin me pjesët e ndryshme të diturisë, por katedra e tij duhet t’u mësonte të rinjve njohuritë si një pjesë integrale të plotë ku secila prej pjesëve pajtohet me çdo pjesë tjetër duke e marrë kuptimin nga e tëra. Pa marrë parasysh se cila ishte lënda, ai tregonte në leksionet e tij sesi përmes gojëtarisë çdo lëndë merrte shpirt njësoj si një shpirt i vetëm merrte jetë nga të gjitha shkencat që lindnin prej tij. (198-9).

Kjo qasje organike ndaj gojëtarisë i paraprin interesit romantik në formë poetike, tema e një pjese të madhe të shkrimeve të Coleridge mbi rolin e imagjinatës, po ashtu dhe interesimit të ngjashëm nga bashkëkohësit e tij gjermanë si p.sh. vëllezërit Schlegel. Interesimi i Vico, sidoqoftë, është tejet i vjetërsuar e në një mënyrë të pazakontë, thënë më mirë i vjetërsuar dhe bashkëkohor në të njëjtën kohë, dhe mundësohej, besoj, sepse studentët e tij mendohej të kishin njohuri dhe përvojë në një prej gjuhëve të vjetra jo-popullore, d.m.th. latinisht. Ndoshta një arsye se pse kemi humbur aftësinë për të çmuar atë gojëtari në dukje të vjetërsuar është se latinishtja nuk mësohet më apo mësohet si një kusht i domosdoshëm për një edukim të plotë universitar. Askush sot as nuk përpiqet që të rivalizojë të folurën tingëlluese të Dr. Johnson apo Burke, përjashto ndoshta rastin e ndonjë shtirje tallëse. Prej kësaj ndoshta na vjen një theksim i tillë i komunikimit, mbusha-mendjes të menjëhershme, dhe aftësisë për të “shitur” ide, edhe pse mënyra shpesh e ngrirë dhe e fryrë e oratorëve bashkëkohorë Jugorë si Barbara Jordan apo Billy Graham duket e tepruar dhe e pavend, sikur ata po përpiqen të bëjnë diçka pa një auditor apo sfond gjuhësor të përshtatshëm. Ekzistenca e një modeli të largët, si dhe të vështirë për t’iu qasur pa një disiplinë të konsiderueshme vëmendjeje dhe rregullash, ndriçon interpretimet gjuhësore tejet të zbukuruara dhe të përpunuara që Vico dhe bashkëkohësit e tij e konsideronin gojëtari.

Përkarshi gjithë kësaj gjendet një formë e barasvlershme e përafërt në të praktikuarit e arabishtes së folur e të shkruar, e cila në SHBA (mjerisht) konsiderohet një gjuhë e diskutueshme dhe gati e frikshme nisur nga arsye krejt ideologjike që s’kanë aspak të bëjnë me mënyrën sesi kjo gjuhë jetohet, shpaloset, dhe përjetohet nga folësit vendas dhe përdoruesit e saj. Nuk di se nga ku vjen ky konceptim i arabishtes si një gjuhë që në thelb ngjall frikë dhe shpreh dhunë të pakuptueshme, por sigurisht të gjithë ata batakçinj të Hollivudit me turban të viteve ’40 dhe ’50 të cilët iu lëshohen me tërsëllëmi viktimave të tyre me një kënaqësi sadiste kanë bërë punën e tyre, sikundër mania ndaj terrorizmit duke përjashtuar gjithçka tjetër rreth arabëve në mediat amerikane. Për çdo arab modern të edukuar kudo në botën arabe, gojëtaria në fakt i ngjason më shumë asaj çfarë Vico përjetonte dhe fliste sesa asaj që mund ta ngjasojnë anglisht-folësit.

Retorika dhe gojëtaria në traditën letrare arabe, shkon mbrapa në kohë një mijë vjet, në kohën kur shkrimtarët Abbasidë (e Halifatit Abbasid) Al-Xhahiz dhe Al-Xhurxhani, të cilët shpikën skema tepër komplekse për të kuptuar retorikën, gojëtarinë dhe tropet që ngjajnë në mënyrë të habitshme moderne. Por e gjithë puna e tyre bazohet në arabishten e shkruar klasike, dhe jo në atë të folur popullore: në rastin e të parës, e cila mbizotërohet nga prania e Kur’anit, i cili është njëherësh origjina dhe modeli për çdo gjë gjuhësore që vjen pas tij (siç në fakt pati goxha zhvillime që pasuan). Kjo ka nevojë të shpjegohet ca, dhe është, mendoj, krejt e panjohur për përdoruesit e gjuhëve moderne evropiane, ku gjendet një përputhshmëri e përafërt ndërmjet versioneve të folura dhe letrare, dhe ku shkrimet e shenjta e kanë humbur krejtësisht autoritetin e tyre gjuhësor.

Të gjithë arabët kanë një formë të foluri bisedor që larmon konsiderueshëm nga një krahinë apo vend në një tjetër. Sidoqoftë, gjuha e shkruar është krejt e ndryshme, të cilës do t’i kthehem sërish pak më vonë. Unë u rrita në një familje gjuha e folur e së cilës ishte një amalgamë e asaj që flitej rëndom në Palestinë, Liban dhe Siri: kishte disa ndryshime të vogla ndërmjet këtyre tre dialekteve (mjaftueshëm që një vendas i Mashrikut (Lindjes), siç njihen tokat arabe të Mesdheut Lindor, për të identifikuar një tjetër vendas nëse vinte prej, le të themi, Bejruti apo Jerusalemi) por kurrë aq mjaftueshëm sa për të penguar një komunikim të lehtë e të drejtpërdrejtë. Por për shkak se unë vajta në shkollë në Kajro dhe kalova pjesën më të madhe të rinisë sime atje, isha njëkohësisht i rrjedhshëm në gjuhën e folur, një dialekt më i shpejtë, më i shkurtuar e më elegant se i çdo dialekti që njihja nga prindërit dhe të afërmit. Dialekti i Egjiptit u përhap edhe më shumë prej faktit se thuajse të gjithë filmat, radio-dramat dhe, më vonë, seritë televizive në arabisht, bëheshin kryesisht në Egjipt, dhe kështu, idiomat e tyre të folura u bënë të njohura dhe u mësuan nga arabët kudo gjetkë; mbaj mend shumë qartë se të rinjtë e moshës sime në Liban ose Palestinë mund të këndonin këngët e shkurtra dhe të imitonin të folurën e shpejtë të komedianëve egjiptianë me një stil të konsiderueshëm, megjithatë, sigurisht që nuk tingëllonin kurrë aq të shpejtë e zbavitës sa origjinali.

Gjatë viteve 1970 dhe 1980, si pjesë e bumit të naftës të atyre viteve, dramat televizive filluan të bëheshin edhe në vende të tjera, kryesisht drama në arabishten klasike, të cilat rrallë ishin të njohura (popullore). Jo vetëm sepse ishin drama historike të llojit që duhet të ishin të ngritura dhe të përshtatshme për shijet e arabëve muslimanë (dhe të krishterë, por zakonisht të vjetërsuara dhe më puritane) që mund të kenë dalë jashtë loje prej filmave më me hov të Kajros, por edhe pse ishin të programuar për të qenë dobiprurës në mënyra që mua të paktën më ngjanin jo tërheqëse dhe të pashpresa. Edhe shfaqja më e pandreqshme e ditëve të sotme, madje edhe muselsel (ose seriali) egjiptian i bërë më me nxitim është kryekëput më i këndshëm për t’u parë se më e mira prej dramave në gjuhën klasike. Vetëm dialekti egjiptian e ka këtë lloj vlere. Kësodore, nëse do të përpiqesha të kuptoja një algjerian nuk do të arrija kund, sepse format bisedore janë kaq të ndryshme dhe të pangjashme nga njëra-tjetra sapo ke lënë brigjet e Mesdheut Lindor. E njëjta gjë qëndron me mua me një dialekt irakian, maroken, ose të Gjirit të thellë Persik. E përsëri, në mënyrë paradoksale, të gjitha transmetimet e lajmeve arabe, diskutimet televizive, si dhe dokumentarët, për të mos folur për mbledhjet, seminaret, arsyet retorike që nga ceremonitë në xhami deri tek tubimet nacionaliste, si dhe takimet e përditshme ndërmjet qytetarëve me ndryshime të mëdha të gjuhëve të folura kryhen në versionin e modifikuar dhe të modernizuar të gjuhës klasike, ose një të përafërte të saj e cila mund të kuptohet nëpër të gjithë botën arabe, që nga Gjiri Persik deri në Marok.

Arsyeja pse kjo ndodh është se arabishtja klasike, ashtu si latinishtja për gjuhët e folura evropiane deri para një shekulli, ka pasur një prani të gjallë si gjuha e zakonshme e të shprehurit në mënyrë letrare pavarësisht burimeve të gjalla dhe të gatshme të një morie të tërë dialektesh vendase, të cilat, përveç rastit të sipërpërmendur egjiptian, nuk kanë arritur kurrë të marrin përmasa përtej lokales. Për më tepër, këto dialekte të folura nuk kanë aspak letërsi të zhvilluar në lingua franca klasike, pavarësisht faktit se në çdo vend arab ekziston një organ i rëndësishëm i poezisë në version dialektor, për shembull, i cili pëlqehet dhe shpesh recitohet vetëm nga folësit e tjerë të asaj gjuhe të folur.

Kështu, edhe shkrimtarët të cilët konsiderohen rajonalë tentojnë të përdorin gjuhën klasike moderne në shumicën e kohës dhe vetëm me raste i drejtohen arabishtes dialektore për të shprehur jo më shumë se disa copëza dialogu. Pra në fakt, një person i edukuar ka dy persona gjuhësorë thuajse të ndryshëm në gjuhën e nënës. Është një gjë krejt e zakonshme të bisedosh me një reporter gazete ose televizioni dhe më pas, kur fillon regjistrimi, të rregullohet pa bërë kalimin në versionin e gjuhës klasike, i cili është më formal dhe më njerëzore. Prandaj “çfarë kërkon?” në të folurën e Libanit ose të Palestinës është, kur i drejtohesh dikujt, shumë e thjeshtë, shu bidak? Në versionin klasik do të ishte madha turid?

Kjo nuk do të thotë se nuk ka asnjë lloj lidhje ndërmjet dy idiomave. Sigurisht që ka – shkronjat janë shpesh të njëjta, renditja e fjalëve është afërsisht e barasvlershme, dhe theksimet personale mund të përcillen me të njëjtin ton. Por fjalët dhe shqiptimi janë krejt të ndryshme në atë se arabishtja klasike ose e shkollimit si version standard i gjuhës humbet çdo gjurmë të dialektit rajonal apo lokal dhe del si një lloj instrumenti me zë të plotë, i rregulluar me kujdes, i ngritur dhe i moduluar e i aftë për një gojëtari madhështore dhe shpesh (por jo gjithmonë) të formuluar. I përdorur me vend, është i pakrahasueshëm sa i përket saktësisë së të shprehurit dhe mënyrës mahnitëse me të cilën shkronjat e veçanta brenda një fjale (por veçanërisht në fundin e tyre) ndryshojnë për të thënë gjëra të qarta dhe krejt të ndryshme.

Ajo është njëkohësisht një gjuhë qendërzimi i së cilës për një kulturë të tërë është i pakrahasueshëm në atë që (siç ka thënë Jaroslav Stetkevych, autor i librit më të mirë modern mbi vetë gjuhën), “venusiane, lindi në një gjendje të përkryer bukurie dhe e ka ruajtur atë bukuri pavarësisht gjithë rreziqeve të historisë dhe forcave gërryese të kohës”. Për studentët perëndimorë “arabishtja i ngjan një ideje abstrakte gati matematikore. Sistemi i përkryer i tre bashkëtingëlloreve themelore, format e përftuara foljore me kuptimet e tyre bazë, formimi i përkryer i emrit foljor, i pjesoreve – çdo gjë është e qartë, e logjikshme, sistematike dhe abstrakte. Gjuha është njësoj si një formulë matematikore.” Por ajo është gjithashtu një objekt i bukur për t’u parë në formën e saj të shkruar; kështu që pozicioni qendror i kaligrafisë në arabisht, është një art i kombinuar i komplikimit më të lartë, gjithmonë e më afër ornamentit dhe arabeskës sesa shpjegimeve pa lidhje.

Deri tani kam njohur vetëm një person i cili në fakt fliste vetëm arabishten klasike gjatë gjithë kohës, një shkencëtar politik dhe njëkohësisht politikan palestinez të cilin fëmijët e mi e kishin zakon ta përshkruanin si “burri që flet si libër” ose, një tjetër herë si “burri që tingëllon si Shekspiri” – një përkufizim i arabëve jo të rrjedhshëm në anglisht që simbolizon majën e anglishtes klasike, gjë të cilën Shekspiri sigurisht nuk e kishte, duke pasur parasysh praninë e aq shumë klounëve, fshatarëve, lundërtarëve dhe palaçove në pjesët e tij teatrale. (Milton do të ishte një shembull më i mirë i gjuhës klasike me peshë e plot zë). Të gjithë miqtë e këtij akademiku palestinez e pyesnin nëse bënte dashuri në gjuhën klasike (gjë e cila është dukur si një pamundësi, meqë dialekti i folur është thuajse gjithmonë gjuha e intimitetit), por ai u jepte atyre si përgjigje jo më shumë se një buzëqeshje enigmatike. Në njëfarë mënyre ekziston një marrëveshje e pashkruar sipas së cilës vendoset se cila arabishte do të përdoret, në cilat raste, për sa kohë e kështu me radhë.

Gjatë ditëve të para të luftës në Afganistan shikoja kanalin satelitor kontradiktor Al-Xhazira në gjuhën arabe për diskutime dhe raportime lajmesh të padisponueshme në mediat e SH.B.A.-ve. Çfarë më bëri përshtypje, krejt veçmas asaj çka thuhej, ishte niveli i lartë i elokuencës midis pjesëmarrësve të zjarrtë dhe të pakëndshëm, përfshi edhe Osama bin Laden. Ai është (ose ishte) një folës i butë dhe i rrjedhshëm as nuk heziton e as nuk bën as rrëshqitjen më të vogël gjuhësore, sigurisht një faktor në ndikimin e tij të dukshëm; por gjithashtu, në një nivel më të ulët, janë edhe joarabët si Burhanedin Rabani dhe Hikmet Gulbandjar, të cilët nuk e njohin arabishten e folur por ngasin me lehtësi të admirueshme në gjuhën klasike (të bazuar në Kur’an).

Kjo nuk do të thotë se ajo që tashmë quhet standardi modern (d.m.th. klasikja moderne) i arabishtes është saktësisht i njëjtë me Kur’anin, i shkruar 14 shekuj më parë. Nuk është e njëjta gjë: megjithëse Kur’ani është një tekst shumë i studiuar, gjuha e tij (si shembulli i mësipërm i folësit të gjuhës klasike) është antike, madje jo e natyrshme dhe e papërdorshme në jetën e përditshme, dhe e krahasuar me prozën moderne të përdorur kudo sot ajo i ngjan një poezie në prozë me tingëllim shumë “të lartë”.

Gjuha moderne klasike është rezultat kryesisht i një modernizimi tërheqës të gjuhës që fillon gjatë dekadave të fundit të shekullit 19 – periudha e Nahda-s, ose rilindjes – e udhëhequr kryesisht nga një grup burrash në Siri, Liban, Palestinë dhe Egjipt (një numër i madh prej të cilëve ishin të krishterë) të cilët ndërmorën detyrën kolektive për ta sjellë arabishten si gjuhë në botën moderne duke e modifikuar dhe deri diku duke e thjeshtuar sintaksën e saj, përmes procesit të arabizimit (isti’rab) të origjinalit të shek. 7, që do të thotë futja e fjalëve të tilla si “tren”, “kompani”, “demokraci” dhe “socializëm” të cilat nuk kanë mundur të ekzistonin gjatë periudhës klasike, dhe duke gërmuar në burimet e pamatshme të vetë gjuhës përmes procesit teknik gramatikor të el-kijas, ose analogjisë (një çështje e diskutuar në mënyrë të shkëlqyer nga Stekevych i cili paraqet në detaje të imëta sesi ligjet e prejardhjes së gramatikës së arabishtes u përdorën nga reformuesit e Nahda për të përthithur fjalë dhe koncepte të reja brenda sistemit pa e dëmtuar aspak atë); prej këtej, në njëfarë mënyre, këta burra imponuan në arabishten klasike një fjalor tërësisht të ri, i cili përbën përafërsisht 60 % të gjuhës standarde klasike sot.

Nahda solli një lloj çlirimi nga tekstet fetare, dhe një shekullarizim të fshehtë të prezantuar në atë çfarë arabët thoshin dhe shkruanin. Në këtë mënyrë, pakënaqësitë bashkëkohore nga i dituri-idiot i New York Times Thomas Friedman dhe nga orientalistë të lodhur e të vjetër si Bernard Lewis të cilët vazhdojnë të përsërisin formulën se Islami (dhe arabët) kanë nevojë për një Reformë nuk ka asnjë bazë, meqë njohja e tyre e gjuhës është kaq sipërfaqësore dhe përdorimi i saj nga ana e tyre aq i pazbatueshëm saqë ata nuk shfaqin ndonjë njohje të çfarëdo lloji të përdorimit aktual të arabishtes ku gjurmët e reformimit në mendim dhe praktikë gjenden kudo.

Madje edhe disa arabë të cilët për arsye të ndryshme janë larguar nga bota arabe qysh në moshë të vogël dhe tani punojnë në perëndim po përsërisin të njëjtën marrëzi, megjithëse në të njëjtën frymë pranojnë se nuk kanë ndonjë njohuri serioze të gjuhës klasike. Unë u trondita kur mora vesh që Leila Ahmed, një egjiptiane e cila ishte një mikeshë e ngushtë e motrave të mia në Kajro, ndoqi të njëjtat shkolla angleze si ne dhe vinte nga një familje e edukuar arabisht-folëse, mori Doktoratën në letërsi angleze në Cambridge, shkroi një libër interesant mbi çështjet gjinore në Islam para thuajse dy dekadash, është rishfaqur si një pjesëtare e fushatës kundër gjuhës klasike dhe, krejt çuditshëm, një profesoreshë e fesë (më saktë Islamit) në Harvard. Në kujtimet e saj Një Kalim Kufiri: Nga Kajro për në Amerikë – Udhëtimi i Një Gruaje (1999), ajo flet plot gojëtari mbi virtytet e gjuhës së folur egjiptiane ndërsa pranon se në të vërtetë ajo nuk e njeh aspak gjuhën fus-ha (arabishten klasike); kjo nuk e ka penguar atë të japë mësime mbi Islamin në Harvard sado që është e panevojshme të përsërisim se arabishtja është Islami dhe Islami është arabishtja në një nivel shumë të thellë.

Për shkak të një mungese të jashtëzakonshme të përvojës së përditshme ose të të jetuarit në atë gjuhë, nuk duket se asaj i shkon ndërmend se arabët e edukuar i përdorin aktualisht edhe gjuhën popullore edhe klasiken, dhe se kjo praktikë krejt e zakonshme as nuk e pengon natyrshmërinë dhe bukurinë e të shprehurit e as nuk nxit automatikisht në dhe nga vetja një ton jo të natyrshëm dhe didaktik siç ajo duket se mendon. Të dyja gjuhët janë poroze dhe përdoruesi kalon nga jashtë brenda secilës prej tyre si një aspekt thelbësor i asaj çfarë do të thotë të jetosh në arabisht. Të lexosh bisedën e gjatë patetike të Ahmedit të bën të të vijë keq që ajo kurrë nuk begenisi të mësonte gjuhën e saj, një gjë krejt e lehtë për t’u bërë nga ana e saj në qoftë se do të kishte një mendje të hapur dhe nëse do të ishte e gatshme.

Për 15 vitet e para të jetës sime kam jetuar vetëm në vende arabisht-folëse, megjithëse ndoqa vetëm shkolla koloniale anglisht-folëse, të administruara ose nga një grup misionar kishtar ose nga British Council shekullar. Sigurisht, arabishtja klasike mësohej në shkollat që kam ndjekur, por ajo ngelej në rangun e të barasvlershmes lokale të latinishtes, d.m.th. një gjuhë e vdekur dhe e ndaluar (dhe rrjedhimisht duke ndjekur ndjesinë që Leila Ahmed kishte për të). Unë mësova të flas arabisht dhe anglisht në prehrin e nënës sime, dhe njëherësh, kam qenë gjithmonë i zoti të kaloj nga njëra te tjetra, por arabishten time klasike së shpejti e lashë pas nga investimi i madh që bëra në shkollë duke e përqendruar vëmendjen tek anglishtja. Gjatë viteve të para gjuha klasike ishte për mua simbolikë e rrethanave detyruese prindërore dhe institucionale, ku më duhej të ulesha në kishë e të dëgjoja ceremonitë pa fund, ose në gjithë ato lloj mbledhjesh shekullare ku folësit predikonin virtytet e një mbreti, ministri, doktori apo të një studenti, dhe ku në një lloj qëndrese karshi këtyre rrethanave ndaloja së dëgjuari fjalimet pa fund dhe iu rikthehesha vetëm duke pasur një lloj moskuptimi të shtangur. Në praktikë, unë dija përmendësh pjesë nga himnet, Libri i Lutjeve të Përgjithshme (përfshi Lutjen e Zotit) dhe materiale të tjera devotshmërie të ngjashme, e madje edhe disa ode patriotike në poezinë klasike (që mua në atë kohë më ngjanin) në mënyrë të palejueshme lajkatuese, por vetëm vite më vonë kuptova se si atmosfera e të mësuarit përmendësh, e mësuesve dhe klerit me prirje në gjendje të mjeruar dhe shtypëse, dhe një lloj qëndrimi detyrues “është mirë për ty” kundër së cilës isha në rebelim të vazhdueshëm për të minuar të gjithë projektin.

Gramatika e arabishtes është kaq e ndërlikuar dhe logjikisht tërheqëse, mendoj, saqë ndoshta mund të mësohet më mirë nga një nxënës më i rritur i cili mund të çmojë përpikëritë e arsyetimit të saj; ashtu siç është, mjaftueshëm në mënyrë ironike, mësimi më i mirë i arabishtes bëhet për jo-arabë në institutet gjuhësore në Egjipt, Tunizi, Siri, Liban dhe Vermont. Sidoqoftë, çfarë kurrë nuk e zotërova me të vërtetë, ishte ajo së cilës iu referova pak më lart, aftësia për të kaluar nga një mënyrë të foluri në një tjetër, nga gjuha e folur në atë klasike, ose duke folur gjuhësisht nga versioni zyrtar në atë jozyrtar. U tjetërsova aq shumë nga shtresat e autoritetit shtypës që mbështillnin personin tim si fëmijë dhe adoleshent saqë rebelimi mori formën e përdorimit të gjuhës së rrugëve, duke e rezervuar gjuhën e nderuar klasike vetëm përdorim në forma tallëse të përgjithshme, imitime të egra të pompozitetit të mërzitshëm, dhe fyerje kundër kishës, shtetit dhe shkollës.

Por kur, pasi tashmë isha në SHBA (me vizita të shpeshta në Kajro dhe Liban) që prej 1951, dhe pasi kisha studiuar vetëm gjuhët dhe letërsitë evropiane gjatë gjithë karrierës sime 16-vjeçare në shkollë e në universitet, lufta arabo-izraelite e vitit 1967 më shtyu pa dëshirë në angazhim politik në distancë, gjëja e parë që më habiti ishte se politika nuk kryhej në amije, ose gjuhën e publikut të përgjithshëm, siç quhet arabishtja e folur, por më shpesh në gjuhën fus-ha të rreptë dhe formale (e shqiptuar fuss-ha, ku ‘s’-të dyshe dhe “h”-ja janë grykore që nuk kanë të barasvlershme në gjuhët evropiane), ose në gjuhën klasike. Duke kujtuar qëndrimet e mia të fëmijërisë ndaj gjuhës formale shpejt ndjeva se, siç shfaqej në tubime ose mbledhje, analizat politike bëheshin që të tingëllonin më të thella seç ishin, ose se shumë prej çfarë thuhej në këto përafrime deri diku tepër pedante të ligjëratës formale bazoheshin në modele gojëtarie që ishin mësuar përmendësh si rivalitete të seriozitetit, më shumë sesa vetë gjëja. Ky, siç e zbulova me zhgënjim, ishte veçanërisht rasti i përngjasimit me zhargonin marksist dhe lëvizjeve për liri të asaj kohe, ku përshkrimet e klasës, interesit material, kapitalit dhe luftës sociale – me të gjitha kurthet e kundërshtimit, antitezës dhe “të mjerëve të botës” gjë që kishte qenë trashëgimia që Fanon na la – u arabizuan dhe u përdorën në monologë të gjatë drejtuar jo popullit por militantëve të tjerë të sofistikuar. Privatisht, udhëheqësit popullorë si Arafati dhe Naseri, me disa prej të cilëve kam pasur kontakt, përdornin të folurën bisedore me më shumë ndikim sesa marksistët (të cilët ishin gjithashtu më të edukuar sesa lideri palestinez apo egjiptian), kështu mendoja asokohe; Naseri në veçanti, i drejtohej në fakt masave të ndjekësve në dialektin egjiptian të përzier me fraza tingëlluese nga fus-ha. Dhe, meqë gojëtaria në arabisht ka të bëjë shumë me mënyrën dramatike të shqiptimit, Arafati zakonisht shfaqej në daljet e tij të rralla publike si një orator i një niveli nën mesatar, ku keqshqiptimet, hezitimet dhe tepria në fjalë e të cilit për një vesh të edukuar e bëjnë të duket si një elefant që sillet pa qëllim rreth e rrotull një fushe me lule.

Brenda pak viteve ndjeva se nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër veçse t’i përkushtohesha një riedukimi në filologjinë dhe gramatikën arabe (rastësisht, fjala për gramatikë në shumës është kawa’id, njëjësi i së cilës është kuai’da, fjalë që përdoret edhe për një bazë ushtarake, si edhe për rregull, në kuptimin gramatikor). Isha me fat që pata një mik të vjetër të babait tim, Enis Frajha, profesorin e dalë në pension të gjuhëve semite në Universitetin Amerikan të Bejrutit, si mbikëqyrësin tim dhe i cili, ashtu si unë, zgjohej herët; për pothuajse më shumë se një vit ndërmjet orës shtatë dhe dhjetë të mëngjesit më merrte që të bënim kërkime të gjuhës pa një libër mësimi, por me qindra fragmente nga Kur’ani, i cili në thelb është themeli i arabishtes, autorë klasikë si El-Gazali, Ibn-Haldun dhe El-Mes’udi, si dhe autorë modernë, që nga Ahmed Sheuki deri te Mahfuz.

Një mësues i efektshëm në mënyrë të habitshme, mësimet e tij shpalosën për mua mënyrën e funksionimit të gjuhës në një formë të tillë që i shkonte përshtat interesave të mia profesionale dhe përgatitjes filologjike në letërsinë krahasuese perëndimore, fushë në të cilën pak a shumë në po atë kohë unë po jepja seminare mbi spekulime rreth gjuhës (e quaja letërsia e gjuhës) nga autorë të shekullit të 18-të dhe 19-të si Vico, Rousseau, Herder, Wordsworth dhe Coleridge, Humboldt, Renan, Nietzsche, Freud dhe de Saussure. Falë Frayhas unë u prezantova me, dhe më vonë e paraqita në vetë mësimet dhe shkrimet e mia mbi gramatikanët arabë dhe spekulatorët linguistikë, përfshi Al-Khalil ibn Ahmed, Sebauajh dhe Ibn Hazm, punët e të cilëve i paraprinin në kohë figurave të mia evropiane me gati shtatë shekuj.

Siç u ndriçua dhe shpjegua më vonë nga Frajha, kalimi mes arabishtes së folur dhe asaj klasike ishte një përvojë magjepsëse për mua, veçanërisht meqë bëja krahasime me fjalorin dhe gramatikën në frëngjisht dhe anglisht. Si fillim, meqë arabishtja është një gjuhë imtësisht e lakueshme – mund të mësosh nëntë prejardhjet formale të përdorura zakonisht të një folje – thelbi i gjuhës – nga një rrënjë me tre bashkëtingëllore, e cila në mënyrë sintaksore i bën të mundura ato format e përdorura në përgjithësi (shumica e fjalive në arabisht fillojnë me një folje) prej të cilave shkruesi – folësi duhet të zgjedhë, megjithëse me kohën kjo bëhet automatike. Pastaj, së dyti, fjalori i arabishtes është pjesa më e pasur e gjuhës, meqë fjalët mund të formohen nga një metodë logjike nisur nga rrënjët marramendëse, dhe rrënjët e rrënjëve pak a shumë të pafundme, dhe me një rregullsi në dukje e përkryer. Sigurisht, ka variacione në shprehje që kanë ndodhur me kohën, por arkaizmat dhe zhargonet moderne në ligjërimet klasike nuk paraqesin të njëjtat probleme si në anglishten apo frëngjishten moderne, për shembull.

Arabishtja klasike, rregullat e saj, lakimet, mënyrat sintaksore, dhe pasuria e bukurisë së saj gjithëpërfshirëse duket se ekziston në një lloj qenësie të njëkohshme që është krejtësisht jo e ngjashme me ndonjë gjendje tjetër gjuhësore që njoh, bile edhe kur bashkëbisedimet në versionin bisedor kthehen në formën serioze ose komplekse bisede e pastaj i drejtohet asaj si në një episod të shkurtër ose të ndërmjetëm: nevoja për biseda të shkurtra personale si “ma kalo sheqerin,” ose “më duhet të iki” të bën t’i kthehesh të folurës popullore. Por, në rastet kur ajo ligjërohet në tubime publike bie fjala në një takim biznesi, ndonjë seminar, ndonjë panel ose leksion akademik, folësit shndërrohen në bartës të kësaj gjuhe tjetër, në të cilën edhe shprehje të tilla si “jam i gëzuar të jem këtu sot” ose “nuk dua t’ju marr shumë kohë” mund të kthehen në formula klasike që funksionojnë si pjesë organike e tërë vetë ligjërimit.

Në formë shpjeguese, më duhet të përmend se kanali Al-Xhezira, aq i rrezikshëm në mediat e SHBA-së prej pseudo-ekspertëve dhe të cilin mund ta ndjek pa vështirësi përmes antenës sime satelitore, jo vetëm që përcjell një gamë më të gjerë opinionesh politike sesa çdo media amerikane, por për shkak të përdorimit të standardes klasike nuk gjen asnjë rëndomësi verbale prej të fortësh që shfytyron bisedat e transmetuara dhe panelet e diskutimit këtu, madje edhe kur diskutuesit grinden plot zjarr mbi çështjet madhore në politikë dhe fe.

Kurrë nuk i kam shpëtuar troshitjes zhangëlluese e mahnitëse që vjen kur dëgjon një fjalë të përdorur rëndom që ka kuptime tërësisht të papërputhshme në të dy gjuhët. Emri Sami, për shembull. Në anglisht dikujt mund t’i vejë mendja te Sam Weller, ose Sammy Glick, një aktor komik, ose të paktën t’i kujtojë një nofkë jo elegante ose një formë të shkurtuar e të zakonshme të dinjitarit “Samuel” me rezonancën biblike të tij jo aq të përshtatshme për kohët tona. Në arabisht Sami është gjithashtu një emër i zakonshëm për një burrë (gjinia femërore është Samia, e cila është gjithashtu fjala për “semitik”), por rrjedh nga fjala “qiell”, sema, dhe prandaj do të thotë “i lartë” ose “qiellor” dhe është shumë larg në kuptim nga Sam ose Sammy siç mund të vërehet. Ata bashkëjetojnë në veshin dygjuhësor, të pazgjidhura, asnjëherë në paqe.

Ndryshe nga anglishtja, arabishtja e folur – ose standardi ose dialektet e folura – është përplot formula që përbëjnë atë që quhet edeb el-lugha, ose sjellja e përshtatshme në gjuhë. Një individi i cili nuk është mik i ngushtë gjithmonë i drejtohemi në shumës, dhe pyetje të tilla si “Si ju quajnë?” bëhen gjithmonë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë dhe plot nderime. Ashtu si japonishtja, dhe në një shkallë më të ulët frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja dhe spanjishtja, përdoruesit e arabishtes bëjnë një shumëllojshmëri dallimesh në tonalitet dhe fjalor për të përcaktuar se si i drejtohen njëri-tjetrit në situata të caktuara dhe mbi tema të veçanta. Kur’ani gjithmonë përmendet si el-Kur’an el-Kerim, Kur’ani i Ndershëm, dhe pasi thuhet emri i Profetit Muhamed është e detyrueshme të thuhet fraza “Paqja e Zotit qoftë mbi të”; një variant disi më i shkurtër i të njëjtës frazë që përdoret kur përmendet Jezusi, dhe në bashkëbisedimin e rregullt në arabisht emri i Zotit thirret dhjetëra herë me një arsenal jashtëzakonisht të ndryshëm frazash që të kujtojnë shprehjen deo volente në latinisht, apo ojala në spanjisht, ose in God’s name në anglisht, por gjithsesi në më shumë forma.

Kur dikush pyetet sesi ndihet apo ç’po bën, përgjigjja e menjëhershme është thuajse gjithmonë el-hamdulilah, për shembull, dhe ajo që pason është një seri e tërë pyetjesh, që gjithashtu përmendin Zotin, që kanë të bëjnë me anëtarët e familjes asnjëri prej të cilëve nuk thërritet në emër por në raport me pozitën dhe prestigjin që ka (djali nuk përmendet me emër por i thuhet el-mahrus, ai të cilin e ruan Zoti). Unë kam një xhaxha i cili, kur punonte si ekzekutiv banke, kishte një aftësi gjeniale për të vazhduar pa pushim për 15 minuta një bisedë të sjellshme mbi mbledhjen e pambukut, e paimagjinueshme në anglisht por e mësuar më së miri kur ishte i ri dhe e përqendruar për përdorim në situata kur ka më shumë fjalë për të thënë sesa përmbajtje për t’u shtjelluar. Unë gjithmonë e kam parë mrekullisht zbavitëse, veçanërisht sepse më dukej tepër e vështirë që ta bëja vetë, përjashto një ose dy çaste.

Një prej kujtimeve të mia më të hershme sesa pritet prej folësit të arabishtes klasike, ose hatibit, fjala për orator, në një situatë formale është një histori që më është treguar shumë vite më parë nga nëna dhe tezja ime e madhe, një mësuese e arabishtes, pasi ato kishin ndjekur një ligjëratë akademike në Kajro të mbajtur nga një personalitet i njohur egjiptian, i cili mund të ketë qenë Taha Husein ose Ahmed Lutfi Al-Sejjid. Mund të ketë qenë ndonjë takim politik ose përkujtimor, nuk më kujtohet mirë, por mbaj mend të thoshin se të pranishëm ishin një sërë sheih-ësh (sheih, fjalë arabe për dijetarin) të Ez-herit. Duke theksuar fjalimin shumë solemn dhe të përpunuar, kishte vënë re nëna ime, ndonjëri prej shejhëve çohej në këmbë dhe thoshte “allahume”, pastaj ulej menjëherë, shprehja prej një fjale siç mu shpjegua donte të thoshte miratim (ose mosmiratim) për përsosuri në shprehje (ose gabim në shqiptim).

Vetë historia ilustron domethënien e madhe në lidhje me gojëtarinë, ose anasjelltas, dështimet në të. Ajo na ndihmon që të dimë se Universiteti i El-Ezherit në Kajro nuk është vetëm institucioni më i vjetër i edukimit të lartë në botë, por konsiderohet edhe si vatra e ortodoksisë për Islamin, dhe rektori i tij është autoriteti më i lartë fetar në Egjiptin Sunit. Më e rëndësishme është se në El-Ezher para së gjithash, por jo vetëm, studiohen shkencat islame thelbi i të cilave është Kur’ani, dhe gjithçka që shoqërohet me të nga pikëpamja e metodave të interpretimit, jurisprudencës, hadithit, gjuhës dhe gramatikës. Mjeshtëria e arabishtes klasike është pra qartazi zemra e studimeve islame për arabët dhe muslimanët e tjerë në El-Ezher meqë gjuha e Kuranit – e cila konsiderohet si Fjala jo e krijuar e Zotit që i “zbriti” (fjala arabisht për këtë është munzel) në një varg shpalljesh Muhamedit – është e shenjtë, me rregulla dhe paradigma në të që konsiderohen të detyrueshme për përdoruesit megjithëse, në mënyrë krejt paradoksale, ato nuk mund të jenë urdhëresa (ixhaze) doktrinare, të jenë imituese të saj apo, si në rastin e Vargjet Satanike, të sfidojë në çfarëdolloj mënyre prejardhjen e saj tërësisht hyjnore.

Gjashtëdhjetë vjet më parë gojëtarët dëgjoheshin dhe komentoheshin pafund për saktësinë dhe aftësinë shprehëse të gjuhës së tyre po aq sa edhe për atë çfarë thoshin. Unë vetë kurrë nuk kam qenë dëshmuar i një ngjarje të tillë si ajo që m’u tregua, megjithëse më kujtohet me njëfarë sikleti kur mbajta fjalimin tim të parë në arabisht (po në Kajro) para dy dekadave, dhe duke folur anglisht dhe frëngjisht në publik për shumë vite por kurrë në gjuhën time, një prej të afërmve të mi të rinj më erdhi pasi kisha përfunduar dhe më tha se sa i zhgënjyer ishte për faktin se nuk isha më elokuent. Por ju e kuptuat se çfarë thashë, e pyeta ankueshëm, meqë shqetësimi im ishte të kuptohesha në disa pika të ndjeshme politike dhe filozofike. Po, sigurisht, m’u përgjigj pa pranuar të shpjegohet, s’ka problem: por ju nuk ishit aq retorik apo elokuent. Dhe ajo pakënaqësi ende më ndjek sa herë që flas meqë nuk jam i aftë ta transformoj veten në një fasih klasik, apo në një gojëtar elokuent. Unë i përziej idiomat klasike dhe bisedore në mënyrë pragmatike, me rezultate (siç kam rrëfyer një herë me dashamirësi) që i ngjasojnë dikujt që ka një Rolls Royce por preferon të përdorë një Volkswagen. Ende sot e kësaj dite përpiqem ta zgjidh këtë problem sepse, si një person që punon me disa gjuhë të ndryshme, nuk dua të më akuzojnë që them një gjë në anglisht e nuk e them po në të njëjtën mënyrë në arabisht.

Më duhet të them se, pavarësisht shfajësimit tim se mënyra ime e të folurit shmang perifrazimin dhe spitullimin ornamental (shpesh duke pasur në përmbajtje sinonime pafund, dhe përdorimi ose i “dhe” si mjet për të stërholluar mendimet pa i kushtuar shumë vëmendje logjikës ose zhvillimit, ose përdorimi i një koleksioni të tërë formulimesh të mësuara në mënyrë rutinë për të folur tërthorazi dhe eufemizma të llojit që Orwell i përqesh te “Politika dhe Gjuha Angleze,” por të cilat gjenden në çdo gjuhë) endemike për rënien e shkrimit bashkëkohor politik, gazetaresk dhe kritik në arabisht, dhe është gjithashtu një justifikim që unë përdor për të mbuluar ndjesinë time të të bredhurit në periferitë e gjuhës më shumë se të qëndrimit me siguri në qendër të saj.

Vetëm në këto dhjetë ose 15 vitet e fundit kam zbuluar se proza më e përsosur, më e imët, dhe më e fortë në arabisht që e kam lexuar ose dëgjuar është krijuar nga romancierë (ose kritikë) si Elias Khouri ose Xhemal El-Ghitani, ose nga dy prej poetëve tanë më të mëdhenj të gjallë, Adonis dhe Mahmud Dervish, secili prej të cilëve në odet e tyre ngjitet në lartësi të tilla rapsodike aq sa nget turma të mëdha dëgjuesish në eksitime të dalldisjes entuziaste, e njëkohësisht për secilin prej tyre proza është një instrument i mprehtë aristotelian eleganca e së cilës i ngjan asaj të Empson ose Newman. Por njohuria e tyre për gjuhën është aq mjeshtëri e lartë dhe e natyrshme sa ata mund të jenë edhe elokuentë edhe të qartë duke u mbështetur në dhuntinë e tyre pa pasur nevojën e plotësuesve, ose llafazanërisë së lodhshme, apo krekosjes për hir të saj, ndërsa për një njeri të vonuar në idiomën klasike siç jam unë – dikush që nuk e ka mësuar atë si pjesë të një formimi të veçantë islam, apo në sistemin shkollor kombëtar arab (përkarshi atij kolonial) – ende më duhet të mendoj me vetëdije për të vendosur një fjali klasike në mënyrë të saktë dhe qartazi, dhe jo gjithmonë me rezultate elegante, për ta thënë butësisht.

Kjo sepse arabishtja dhe anglishtja janë gjuhë kaq të ndryshme në mënyrën sesi funksionojnë, dhe gjithashtu sepse ideali i gojëtarisë në një gjuhë nuk është i njëjtë me atë të gjuhës tjetër, një dygjuhësh i përsosur i llojit që unë shpesh ëndërroj, dhe ndonjëherë me guxim mendoj se thuajse ia kam arritur, nuk është në të vërtetë e mundur. Gjendet një literaturë teknike e gjerë rreth dygjuhësisë, por unë me sa kam parë ajo thjesht nuk mund të merret me aspektin e të jetuarit aktual në të, si e kundërt me njohurinë, dy gjuhë nga dy botë të ndryshme dhe dy familje gjuhësore të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të jesh i shkëlqyer, siç ishte polaku vendas Conrad, në anglisht, por çuditja mbetet gjithnjë. Përveç kësaj, çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh i përkryer, në një mënyrë tërësisht të barabartë, dygjuhësore? A i ka studiuar dikush mënyrat sesi një gjuhë krijon hendekë kundrejt gjuhëve të tjera, në rastet kur ndokush mund të rrëshqasë në ndonjë territor të ri?

Shpesh e gjej veten duke vënë re aspekte të përvojës dhe duke mbledhur të dhëna rreth e qark meje të cilat përforcojnë edhe cenin (tim) torturues edhe gjendjen dinamike të të dy gjuhëve, do të thotë pabarazinë e tyre të përkryer, e cila është shumë më e kënaqshme sesa një arritje e ngrirë, e plotësuar por në fund të fundit krejt teorike siç është lloji i interpretuesve dhe përkthyesve profesionistë por sipas meje nuk e arrijnë meqë ata nuk munden për nga vetë përkufizimi të jenë elokuentë. Pasi e kam lënë pas të folurën lokale në jetën time që ose është shkatërruar nga lufta ose nuk ekziston për arsye të tjera, dhe meqë nuk kam pasuri në formë prone dhe objektesh që vijnë prej jetës sime të hershme, më duket se i kam bërë këto gjuhë, si përvoja, një ambient që mund ta mbart me vete, përplot timbër, ritëm dhe theks të veçantë në varësi të kohës, vendit dhe personit. Mbaj mend dhe vazhdoj ende t’i vë veshin asaj se ç’thonë njerëzit, mënyrës sesi e thonë, ç’fjalë mbartin theksin dhe si e mbartin saktësisht dhe kjo, mendoj, është arsyeja pse në poezinë angleze është Hopkins dhe karakteret komike të Shekspirit të cilët kanë lënë gjurmë në veshët e mi në mënyrë kaq të pashlyeshme.

Si pasojë, kur mendoj për vitet e mia të hershme, edhe si imazhe të forta që më ngjajnë kaq të gjalla tani sa dhe atëherë, dhe gjendjet e gjuhës në arabisht dhe anglisht që gjithmonë fillojnë në intimitetin familjar: anglishtja me theks të çuditshëm dhe muzikore e nënës sime, e marrë në shkollat misionare dhe në mjedisin palestinez të fillimit të shekullit (shek. XX), arabishtja e saj mrekullisht shprehëse, që luhatej në mënyrë magjepsëse ndërmjet të folurës popullore të vendlindjes së saj Nazaret dhe Bejrutit, dhe asaj të fituar më vonë gjatë qëndrimit të gjatë në Kajro, dialekti i çuditshëm anglo-amerikan i babait tim, përzierja më e varfër dialektore e Jerusalemit dhe Kajros, ndjesia paralajmëruese edhe shpesh kërkuese që më përcillte në mënyrë të pasuksesshme për fjalën e duhur në anglisht si dhe në arabisht. Dhe pastaj, më vonë, arabishtja e gruas sime Mariam, një gjuhë e mësuar natyrshëm në shkollë kombëtare pa pasur shqetësimin fillestar të anglishtes apo frëngjishtes, megjithëse të dyja i mësoi pak më vonë. Kështu që ajo e ka të lehtë të kalojë nga e folura klasike në të folurën bisedore, gjë që unë nuk do ta bëja dot kurrë siç e bën ajo apo të ndihem krejtësisht rehat siç ndihet ajo. Dhe njohuria mahnitëse e djalit tim mbi gjuhën arabe si një strukturë madhështore e disi të vetë-ndërgjegjshme të cilën ai e mësoi vetë në mënyrë të përpiktë në universitet dhe më pas përmes qëndrimeve të gjata në Kajro, Palestinë, Jordani, Siri, Liban, duke mbajtur shënim çdo shprehje të re ligjore, Kur’anore, poetike, dialektore të cilat i mësoi derisa ai, një fëmijë i rritur në New York tanimë një jurist gjuha e parë e të cilit është dukshëm anglishtja, është bërë në fakt një përdorues i kultivuar i “lëndës” së stërgjyshit të tij (gjyshit të Mariam), gjuhës arabe të cilën ai e pati dhënë mësim si profesor universiteti në Bejrut para Luftës së Parë Botërore; apo veshi i përkryer i vajzës sime si një aktore e arrirë dhe si një talent i parakohshëm në letërsi e cila, ndonëse nuk bëri atë që i vëllai i saj më i madh bëri e të shkonte për të zotëruar lojërat e çuditshme të fjalëve të Muttersprach-it tonë origjinal, mund të riprodhojë tingujt me përpikëri dhe është thirrur (veçanërisht tani) që të luajë pjesë në filma komercialë, filma televizivë me seri, dhe pjesë teatrale, role që janë “gjinisore” të gruas së Lindjes së Mesme, gjë e cila e ka shtyrë atë gradualisht drejt interesimit për të mësuar gjuhën e zakonshme familjare për herë të parë në rininë e saj.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Përktheu nga gjuha angleze:

Arian GJIKOLA


* Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 2, Pranverë-Verë, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Mbi historinë e fjalës bejtexhi

30/03/2011 Lini një koment

Genciana ABAZI (EGRO)

 

MBI HISTORINË E FJALËS BEJTEXHI

BejtexhiFjala “bejtexhi” është një fjalë problematike e shqipes. Ajo herë ka emërtuar në folklor poetët që thurrin bejte e herë në letërsi poetët e shekullit XVIII që shqipen e shkruan me alfabet arab, e shumë herë është përdorur edhe me ngjyrime negative e zhvlerësuese. Kjo ka ndodhur sidomos gjatë ‘50 viteve të fundit të shekullit të kaluar kur filloi të përdoret edhe si term në historinë zyrtare të letërsisë shqipe.

Së pari dua të theksoj se bejtexhi është një krijim i shqipes nga bashkimi i dy trajtave që i ka huazuar nga turqishtja, me fjalën bejte dhe prapashtesën xhi. Këtë fjalë nuk e hasim në turqisht.

Bejte do të thotë dyvargsh apo distik siç njihet në literaturën shkencore, dhe është njësia bazë mbi të cilën ndërtohet letërsia klasike orientale. Këto dy vargje shërbejnë për krijimin e formave poetike më të mëdha, ashtu sikurse mund të shfaqen edhe si poezi më vete. Në shqip kjo fjalë ka pësuar një modifikim kuptimor: ajo emërton një strofë katërvargëshe, ndërtuar kryesisht me vargje tetërrokëshe, mirëpo shumë herë përdoret edhe me kuptimin e një vjershe të plotë. Kurse -xhi është një prapashtesë shumë e përdorur në turqisht e cila ka kaluar dhe është bërë produktive edhe në shqipe dhe quhet prapashtesa e profesionit sepse në shumicën e rasteve si funksion kryesor të saj ka emërtimin e profesioneve. Prandaj formalisht mund të duket normale që shqipja ka bashkuar këto dy trajta, pasi ka emërtuar një mjeshtëri, mjeshtërinë e të thurrurit bejte. Por vetëm nga pikëpamja formaler është kështu. Them formalisht sepse historia e përdorimit të kësaj fjale në gjuhën shqipe më shtyn të mendoj ndryshe.

Bejtexhi fillimisht në shqipe janë quajtur vjershëtorët popullorë, kryesisht ata vjershëtorë që krijonin lehtësisht vargje me rimë, madje në shumicën e rasteve edhe të natyrës satirike. Me këtë kuptim e përdor edhe Ernest Koliqi në punimin e tij mbi Epikën popullore shqiptare (1937), madje ndër shembujt më të mirë të këtyre vjershëtorëve rendit Oson e Falltores, Zef Hilën nga Shkodra apo Ali Dinjën nga Gjirokastra. Edhe Fjalori i Gjuhës Shqipe i vitit 1954 vazhdon që me bejtexhi të quajë vetëm vjershëtorët popullorë që thurrin bejte. Madje ky Fjalor i ka dhënë vend edhe fjalës “bejtar” e cila prapashtesën nga turqishtja -xhi e ka zëvendësuar me prapashtesën shqipe të profesionit -tar.

Kurse poetët e shekullit 18 që shqipen e shkruan me alfabet arab u quajtën ‘zyrtarisht’ bejtexhinj në tekstin e Historisë së Letërsisë Shqipe, botuar në vitin 1959. Përdorimi i këtij termi përveç faktit se vendoste një lidhje analogjike të drejtëpërdrejtë me poetët popullorë,ishte jo normal edhe në kushtet e politikës gjuhësore që po ndiqej lidhur me pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja. Këtë mungesë normaliteti dhe këtë ‘risi’ e dëshmon qartë edhe mënyra se si ky term është përdorur në këtë tekst.

Në hyrjen prezantuese të punimit të shkruar nga Dhimitër Shuteriqi përdoret vetëm termi “bejtexhi” dhe letërsia e krijuar nga poetët e shekullit 18 quhet “letërsi e bejtexhinjve”. Kurse në pjesën ku trajtohet kjo letërsi, e hartuar nga Mahir Domi, ajo është quajtur “letërsi shqipe me alfabet arab” e krahas saj përdoren tek tuk edhe termat “bejtexhi” e “bejtar”. Madje nënkapitulli përkatës në këtë tekst është quajtur “Letërsia shqipe me alfabet arab”, duke ju referuar kështu termit që Osman Myderrizi, studiuesi kryesor i kësaj letërsie, kishte përdorur në studimet e veta.

Në të vërtetë ky tekst, përsa i përket përdorimit të termave paraqet një periudhë tranzitore në studimet letrare shqiptare. Në tekstin zyrtar pasues të Historisë së Letërsisë (1983), nuk shfaqet më asnjë lloj hezitimi në përdorimet terminologjike. Sikurse ishte paralajmëruar që në 1958 kjo letërsi tashmë pa asnjë mëdyshje quhet “letërsi e bejtexhinjve”, kurse poetët e saj “bejtexhinj”.

Ndërsa në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (1980) kjo fjalë vazhdon të emërtojë “Vjershëtarët popullorë, që thurrin vargje lirike e satirike, zakonisht aty për aty.” Ndërkohë që vihet re se gjatë kësaj periudhe ka fituar edhe një kuptim të dytë me një ngjyrim negativ “vjershëtarin e keq, që shkruan vargje pa vlere artistike,” për analogji me “kalemxhi”, apo me fjalën “ahengxhi” që kishte pësuar gjithashtu të njëjtin modifikim kuptimor.

Por në ditët tona si përdoret kjo fjalë? Të rinjtë e sotëm fjalën “bejtexhi” e njohin thjeshtë si një term që emërton disa poetë të shekullit XVIII, madje një pjesë prej tyre nuk dinë as shumë gjëra teknike, përfshirë këtu edhe faktin që shqipen e kanë shkruar me alfabetin arab. Kurse konotacionin negativ e ruan vetëm për brezin i cili ka jetuar mënyrën se si është lancuar dhe përdorur kjo fjalë nëpër tekstet zyrtare të historisë së letërsisë. Ndërsa në literaturën shkencore, ai vazhdon të jetë termi kryesor i përdorur, pavarësisht përpjekjeve të pasuksesshme në vitet ‘70 të studiuesit Hasan Kaleshi për ta zëvendësuar me termin “alhamijado”, të huazuar nga spanjishtja. Përdorimi pa konotacione dhe paragjykime në literaturën shkencore dhe zbehja e lidhjeve shoqërizuese me bejtexhijtë si një lloj grupim i caktuar i poetëve popullorë, ka bërë që kjo fjalë te fitojë statusin e një termi neutral. Prandaj mendoj se sot nuk përbën shqetësim përdorimi i kësaj fjale, për sa kohe që vetë fjala “bejtexhi” gradualisht ka fituar statusin e një termi, i zhveshur nga ngjyrimet që i janë veshur në një formë apo në një tjetër, gjatë periudhës komuniste. Por ajo që më shqetëson lidhur me këtë term, dhe që në të vërtetë reflektohet edhe në vetë mënyrën se si konceptohet letërsia e bejtexhinjve është fakti se ai emërton një grup poetësh të cilët vështirë se mund të klasifikohen të gjithë në të njëjtin grup. Dhe kjo është një çështje që kërkon një vëmendje të veçantë.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 57 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: