Arkiv

Archive for the ‘Ngjarje të rëndësishme’ Category

Për fe dhe atdhe: Argumentet e klerit mysliman në debatin mbi modernizimin e Shqipërisë në vitet 20-30

07/08/2013 1 koment

Enis SULSTAROVA*

 

PËR FE DHE ATDHE: ARGUMENTET E KLERIT MYSLIMAN NË DEBATIN MBI MODERNIZIMIN E SHQIPËRISË NË VITET 20-30

Enis Sulstarova

Enis Sulstarova

Hyrje

Artikulli është një shikim në debatin publik midis intelektualëve laikë dhe intelektualëve klerikë myslimanë në vitet midis dy luftërave botërore. Synimi ynë është që të paraqesim apologjinë për praninë e fesë islame në shoqërinë e re shqiptare, përballë argumentave të atyre intelektualëve laikë, për të cilët fetë në përgjithësi dhe ajo islame në veçanti përbënin pengesa strukturore për “oksidentalizimin” e Shqipërisë. Këto diskutim publike të intelektualëve shoqëronin politikën konstante të shtetit shqiptar të kohës, si agjent që vepronte në emër të kombit shqiptar, për të vënë në kontrollin e tij bashkësitë fetare. Prandaj, pjesa e parë e kumtesës trajton marrëdhëniet e shtetit shqiptar me klerin e bashkësisë islame dhe pozicionimin e intelektualëve laikë ndaj fesë islame. Në pjesën e dytë shqyrtojmë argumentet e disa klerikëve myslimanë, si Hafiz Ali Korça, Hafiz Ali Kraja dhe Hafiz Ibrahim Dalliu, të cilët me librat dhe artikujt e tyre morën pjesë në debatin publik për çështjen themelore të ditës: reformimin e shoqërisë shqiptare. Pjesa e tretë e artikullit përbëhet nga përfundimi.

Islami si çështje

Megjithëse shumica e shqiptarëve ishin myslimanë, shteti i ri shqiptar nuk miratoi asnjë fe zyrtare dhe shpalli se ndiqte një politikë afetare, ose laike në marrëdhëniet me bashkësitë dhe praktikat fetare të popullsisë. Kjo u bë qëllimisht për të forcuar lidhjen kombëtare midis shqiptarëve të tri besimeve dhe ishte shprehje e ideve të Rilindjes Kombëtare. Për pasojë, shteti laik e shpallte veten si agjentin veprues të kombit dhe, në emër të njësimit kombëtar, ai ushtronte kontroll të rreptë mbi çështjet dhe organizatat fetare (Clayer, 2010: 2). Edhe debati publik u mbizotërua nga publicistë laikë, të cilët shpallën misionin e tyre për modernizimin e Shqipërisë. Modernizimi thirrej prej tyre edhe “evropianizim”, ose “oksidentalizim”, meqenëse nënkuptonte se modeli që duhej ndjekur ofrohej tashmë nga shtetet e zhvilluara kombëtare të Evropës Perëndimore. Edhe atëherë kur intelektualët shqiptarë shpallnin se modeli që duhej ndjekur në Shqipëri ishte ai i Turqisë republikane, në fakt bëhej fjalë gjithnjë për “oksidentalizimin”, të cilin Ataturku po e zbatonte me sukses në vendin e tij.

Sikurse po ndodhte në Turqi, edhe në Shqipëri islami në debatin publik shihej në marrëdhënie me “qytetërimin perëndimor”, “Evropën”, “modernitetin”, “reformën”, shkencën, përparimin dhe emancipimin e grave. Në këtë kuadër shteti shqiptar kërkonte njëkohësisht që ta centralizonte organizimin e brendshëm të Bashkësisë Islame, ta kontrollonte atë dhe ta përdorte edhe si një instrument për kontrollin dhe reformën shoqërore (Clayer, 2008: 107-108). Nën shtytjen shtetërore, Bashkësia Islame ndërmori ose dha pëlqimin për mbylljen e shumë xhamive, riorganizimin e medreseve, shkëputjen e lidhjeve institucionale me kalifatin, mbylljen e gjykatave të sheriatit, heqjen e vellos së fytyrës për gratë në mjedise publike dhe në përgjithësi reformimin e islamit, sipas atyre që gjykoheshin si kërkesa të kohës moderne dhe të imponuara nga pozicioni i Shqipërisë në Evropë. Në statutin e Bashkësisë Islame përmendej “inkurajimi i myslimanëve për t’iu konformuar qytetërimit modern” dhe ndihmesa që ajo duhej të jepte për të “zhvilluar vëllazërimin kombëtar ndërmjet shqiptarëve të çdo besimi” (cit. te Morozzo della Rocca, 1994: 33).

Përveç institucioneve shtetërore, trysnia për të reformuar praktikat dhe institucionet myslimane vinte edhe nga intelektualët laikë, të cilët përmes shtypit paraqisnin vizionet e tyre të Shqipërisë “oksidentale” dhe kritikonin tiparet “orientale” të shoqërisë. Sipas tyre, shqiptarët duhej që të kapërcenin pasojat negative të pushtimit shekullor osman, midis të cilave në vend të parë ishin mendësia dhe zakonet “aziatike” që po pengonin përparimin e shpejtë të kombit drejt qytetërimit modern evropian (Sulstarova, 2007: kap. 3-4). Edhe pse “zgjedha” osmane kishte mbaruar, problematik për ta mbetej vazhdimi i ndikimit të “Orientit” përmes fesë islame, diçka që nuk mund të tolerohej ndërkohë që Shqipëria kërkonte të bënte pjesë në kulturën dhe qytetërimin evropian. Për intelektualët laikë, laicizmi ishte baraz me “çosmanizimin”, gjë që do të thoshte se feja islame përçmohej për faktin se kishte lidhje me shekujt e pushtimit turk. Për pasojë u morën masa që simbolika e islamit të përjashtohej nga sfera publike, veçanërisht në shkolla dhe institucione shtetërore (Clayer, 2008: 124).

Në shtypin e kohës herë pas here islami në përgjithësi, varianti i tij synit, apo kleri mysliman shqiptar akuzoheshin se ishin faktorë që po pengonin evropianizimin e Shqipërisë. Mehdi Frashëri, një ndër politikanët dhe intelektualët më të shquar, theksonte papajtueshmërinë e islamit synit me modernitetin. Në librin e tij mbi historinë e Shqipërisë, të botuar për herë të parë në vitin 1928, Frashëri shkruante se islami synit dhe ortodoksizmi e kanë penguar përpjekjen kombëtare shqiptare, ndryshe nga bektashizmi dhe katolicizmi që e kanë përkrahur atë (Frashëri, 2000: 44-47). Sipas tij, ishte e nevojshme që islami në Shqipëri e pavarur të reformohej thellësisht, përndryshe ai do të zhdukej. Ai rekomandonte që të ndalohej mbulimi i grave dhe që klerikët myslimanë të shkolloheshin në Perëndim. Askush nuk mund të emërohej myfti ose myderriz pa kryer më parë studimet universitare. Këto ide ai i shprehu në mënyrë konstante në një sërë botimesh deri në vitet 1940. Në mesin e Luftës së Dytë Botërore, te libri Problemet shqiptare, Frashëri sugjeronte që edhe kleri i bektashive, i konsideruar më liberal se sa klerikët synitë, të hiqte “kijafetin [veshjen] aziatik” dhe të martohej (Frashëri, 2006: 115).

Edhe intelektualë të tjerë shpreheshin se zakone të caktuara të imponuara nga feja islame nuk pajtoheshin me qytetërimin modern dhe me misionin e përparimit të kombit shqiptar. Polemikat e tyre me intelektualët klerikë myslimanë ashpërsoheshin sidomos kur diskutohej zbulimi i fytyrës së grave myslimane në publik. Shamia, apo velloja, me të cilën vajzat dhe gratë besimtare myslimane mbulojnë fytyrën dhe/apo kokën, është ndoshta çështja më e nxehtë e debateve mbi përputhshmërinë e fesë islame me modernitetin dhe qytetërimin perëndimor. Ajo trajtohet edhe në ditët tona si një vijë demarkacioni që dallon Perëndimin laik ndaj botës myslimane, duke u bërë madje objekt i rregullimeve ligjore në disa shtete të Evropës. Siç shkruajnë lidhur me këtë dy studiues bashkëkohorë nga Britania e Madhe, në Perëndim “është bërë ë pamundur të flasësh për islamin pa përmendur gratë dhe është e pamundur të flasësh për gratë myslimane pa përmendur vellon” (Williamson & Khiabany, 2010: 93)Prandaj duhet kuptuar se rëndësia që mori gjatë viteve 30 debati mbi mbulimin-zbulimin e fytyrës së grave myslimane në publik, buronte nga  çështja thelbësore e “oksidentalizimit” të kombit shqiptar (Clayer, 2008). Kështu Selim Shpuza në shkrimin “Modernizma dhe çarçafi”, botuar në vitin 1936, kërkonte që velloja e fytyrës të hiqej sepse është çnjerëzor, pengon zhvillimin e femrës myslimane, forcon konservatorizmin edhe ndër të krishterët, pengon zhvillimin e fshatit, i turpëron shqiptarët në sytë e të huajve (perëndimorëve). Ai e përfundonte artikullin duke shkruar se “ndodhemi në mes të Evropës dhe kshtu anakronikë siç jemi, pa bamë reformat e duhuna, nuk kemi të drejtë të marrim pjesë në kolektivitetin e popujve të qytetnuem” (Shpuza, 1999: 123). Një vit më vonë në vazhdën e polemikës për vellon, te artikulli “Zani i Naltë kundra Qytetnimit”, i njëjti autor shkruante se ndryshe nga porositë që shqiptarëve u lanë Naimi, Vreto apo Pashko Vasa, Zani i Naltë, organi qendror i shtypit të Bashkësisë Islame, po përpiqej “të imponojë pikëpamjet orientale të vet në drejtimin që duhet të marrë problemi shqiptar” dhe se me frymëzimin e ideve konservatore e kundërkombëtare, po kërkonte që në Shqipëri të “përvetësohet primitiviteti i trashëguem nga sundimi turk e që Shqipëria të mos arrijë kurrë në gradën e popujve të lirë e të qytetnuem” (po aty: 149). Për temën tonë është me interes të citojmë një artikull që gazetari Tajar Zavalani botoi më 1936 lidhur me çështjen në fjalë:

Një nga mbeturinat më të shëmtuara të botës së vjetër është pa dyshim ferexheja që mbulon gruan myslimane…. S’na shkonte nga mëndja se ka burra që i thonë vehtes të dijshëm dhe duan të ecin me hap me kohën dhe guxojnë të dalin publikisht e të përligjin me argumenta gjoja serioze, mshehjen e gruas myslimane mrapa një perde të zezë. Por ja ku duallën zotërinjtë e Zanit të Naltë dhe deshën të na provojnë pa qeshur se ferexheja nuk e pengon qytetërimin e gruas myslimane (Zavalani, 1998: 269).

Në citatin e mësipërm nuk merren fare në konsideratë fakti se përdorimi i vellos është ose jo një normë fetare për besimtarin, por gjykohet si pjesë e kohës së shkuar të pushtimit turk. Perdja e zezë e ferexhesë për gruan shqiptare është pjesë e errësirës totale ku ndodhej kombi shqiptar nën sundimin e huaj. Koha e tanishme ku shqiptarët kanë fituar lirinë kërkon edhe që gruaja myslimane të heqë perden e ferexhesë. Prandaj, Zavalani mendonte se çdokush që mbron vellon në publik është jashtë kohe dhe kundërshtar i përparimit e evropianizimit të kombit. Kompromis nuk mund të ketë dhe për intelektualin laik formula e betejës është e thjeshtë dhe e qartë: “Jo myslimanizmit dhe Orientit, po shqiptarizmit dhe Oksidentit”. Me këto fjalë do t’i përgjigjej Safet Butka (2003: 790-791) klerikut Hafiz Ali Korça në një letër të hapur më 1924.

Vetë Bashkësia Islame mbante një qëndrim të luhatshëm për çështjen e vellos. Ndërsa udhëheqësit e Bashkësisë e justifikuan vendimin që morën autoritetet shtetërore mbi ndalimin e vellos në publik, duke vënë në dukje se në Kuran nuk ekzistonte ndonjë detyrim apo udhëzim të posaçëm fetar për mbajtjen e vellos, në krahun tjetër disa intelektualë myslimanë me shkrimet e tyre në Zanin e Naltë  e mbronin përdorimin e vellos, si duke iu referuar traditës fetare, si duke iu referuar mbrojtjes së moralit të gruas. Sidoqoftë, udhëheqësit e bashkësisë islame deri diku e miratuan dhe e adoptuan vetë argumentin e intelektualëve laikë mbi nevojën që Shqipëria të integrohej me vlerat dhe zakonet e mira të kombeve të Evropës. Në këtë këndvështrim, ata e shikonin si të nevojshëm zbulimin e fytyrës së gruas myslimane në publik, sepse kjo “masë sociale” do ta ndalte keqpërdorimin e vellos dhe do të shfaqte natyrën e vërtetë e të ndriçuar të islamit. Jo më pak i rëndësishëm ishte edhe argumenti se pas kësaj mase turistëve të huaj do t’u hiqej mundësia për ta paraqitur islamin si barbar (Clayer, 2008: 118-120). Megjithëse debati publik mbi vellon ishte më i mprehti midis intelektualëve laikë dhe klerikëve myslimanë, këta të fundit rolin publik të fesë islame e mbrojtën duke iu referuar dobisë që fetë në përgjithësi dhe midis tyre islami kishin për kombin dhe njësimin kombëtar. Pjesa e mëposhtme e artikullit i kushtohet analizimit të disa teksteve me autorë Hafiz Ibrahim Dalliun, Hafiz Ali Korçën dhe Hafiz Ali Krajën.

Kombi, islami dhe modernizimi në shkrimet e klerikëve myslimanë

Disa klerikë myslimanë spikatën si pjesëmarrës në debatet publike në shtypin shqiptar dhe si autorë të librave me tema kombëtare, shoqërore përveç se fetare. Me hulumtimin e disa prej këtyre teksteve me autorë Hafiz Ali Korçën, Hafiz Ibrahim Dalliun dhe Hafiz Ali Krajën, mund të themi se apologjia publike që këta autorë i bënë islamit dhe klerit mysliman në Shqipëri kategorizohet në katër argumente kryesore: (1) kleri mysliman ka dhënë ndihmesën e tij në lëvizjen kombëtare; (2) feja islame nuk është kundër kombit dhe njësimit kombëtar; (3) feja islame nuk e kundërshton shkencën dhe qytetërimin modern; dhe (4) feja islame e mbron kombin shqiptar prej komunizmit.

Argumenti i parë është tema e dy librave, Shtatë ëndrat e Shqipërisë me autor Hafiz Ali Korçën, botuar së pari më 1924 dhe Patriotizmi në Tiranë me autor Hafiz Ibrahim Dalliun, botuar më 1930. Të dy librat janë autobiografikë dhe tregojnë përpjekjet e autorëve të tyre për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Korça e hap rrëfimin e tij me arrestimin dhe burgosjen në vitin 1894 në Stamboll për shkakun se mbante me vete libra në gjuhën shqipe, midis tyre edhe Historinë e Skënderbeut të Naim Frashërit. Më pas vijon me pjesëmarrjen e tij në çetat e kryengritësve shqiptarë, fjalimin që mbajti në Korçë për shpalljen e kushtetutës dhe me hapjen e Klubit Shqip në Korçë. Ai ndalet gjatë në rolin parësor që ka luajtur në Kongresin e Dibrës për gjuhën shqipe dhe nuk harron të përmendë, midis patriotëve të tjerë, edhe emrat e klerikëve myslimanë që ishin pjesëmarrës në atë kongres. Autobiografia vijon me persekutimin që përkrahësit e qeverisë osmane i shkaktonin në Korçë si përkrahës i arsimimit në gjuhën shqipe. Të drejtën e arsimit në gjuhën shqipe Korça e mbrojti me guxim dhe zgjuarsi edhe përpara Talat Pashës, njërit prej krerëve të xhonturqve në Stamboll, edhe pse rrezikonte dënimin me vdekje (Korça, 2006a: 86-91). Një tjetër pikë kulmore e kujtimeve të Korçës është edhe burgosja e tij prej rebelëve në vitin 1914. Sërish ai shpëton për fije të perit prej ekzekutimit, falë ndërhyrjes së miqve të tij. Gjithashtu ai përmend edhe punën që ka bërë për ngritjen e institucioneve të arsimit shqiptar, përkrah arsimtarëve të shquar si Aleksandër Xhuvani etj. Në mesin e paraqitjes së vuajtjeve të tij për gjuhën shqipe dhe pavarësinë e Shqipërisë, Korça me pezmatim vëren se në shtetin shqiptar atë e mbajnë për fanatik e të prapambetur dhe nuk ia përkrahin planet për reformimin e bashkësisë e klerit mysliman:

Çudi, në kohën e rinisë kur luftonja për shkronjat e gjuhës përbuzesha dhe dënohesha me vdekje dhe quhesha latinxhi e pa fe, por tashti q’u formua një Shqipëri dhe për të përmbajtur fenë islame në gjirin e saj u mundova, çela një medrese, filluan të më thonë fanatik (po aty: 60).

Ngjashëm me Korçën, edhe Dalliu në qendër të librit Patriotizmi në Tiranë vendos kujtime e tij nga përpjekja për gjuhën shqipe dhe pavarësinë e shqiptarëve prej Perandorisë Osmane. Interesant është fakti se jeta e Dalliut përshkon pothuaj po atë trajektore me atë të Korçës. Dalliu ishte mësues i gjuhës shqipe dhe themelues i Klubit Bashkimi në Tiranë. Ai mori pjesë në çetat e patriotëve shqiptarë në kohën e revolucionit xhonturk. Ai u torturua dhe u burgos si nga turqit, po ashtu edhe nga rebelët e Haxhi Qamilit (Balla, 2008: 14-15). Arsyeja pse ai vendosi të shkruajë kujtimet e tij mbi lëvizjen kombëtare në Tiranë në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX, ishte për të shpërndarë opinionin e pabazë në Shqipërinë e pavarur se populli i Tiranës ishte kundër pavarësisë së Shqipërisë dhe përkrahu rebelizmin e Musa Qazimit dhe Haxhi Qamilit. Mbështetja më e fortë që mund të gjente ky paragjykim ishte mbizotërimi i fesë islame në Tiranë dhe rrethinat e qytetit, prandaj qëllimisht Dalliu te lista e tij e patriotëve tiranas shënon emrat e atyre hoxhallarëve dhe shehlerëve që u burgosën dhe u persekutuan prej turqve dhe prej rebelëve për shkakun e vetëm se ishin pjesëmarrës ose përkrahës të lëvizjes kombëtare. Në fund të listës ai shkruan:

Sikundër që shihet, numri i shqiptarëve [nacionalistëve] të Tiranës kapet deri në njëqind e pesëdhjetë dhe numri i hoxhallarëve shqiptarë [nacionalistë] deri në pesëdhjetë. Pra në krahasim me ato qytete që kishin një sasi frymësh baras me Tiranën a nuk ka pas ma shumë Tirana se qytetet e tjera? Sidomos hoxhallarë!… Përse, pra, të akuzohen tiranasit si antikombëtarë pa ekseption? (Dalliu, 1995: 7).

Edhe te kujtimet e Dalliut, pjesët kulmore janë burgosjet, rrahjet dhe dëbimet e nacionalistëve shqiptarë. Vetë Dalliu rrezikoi të humbiste jetën më shumë se një herë për shkak të bindjeve dhe veprimtarisë së tij. Të dy librat me kujtime të klerikëve në kohën kur u botuan rrekeshin të dëshmonin se në vetvete islami nuk i kundërvihet identitetit kombëtar dhe se një pjesë e mirë e klerikëve myslimanë shqiptarë janë përpjekur e kanë luftuar përkrah shqiptarëve të besimeve të tjera për lirinë e atdheut dhe për mësimin e gjuhës shqipe.

Argumenti i dytë që ofruan klerikët myslimanë në shkrimet e tyre është se feja islame nuk e përçan, por e bashkon kombin shqiptar. Hafiz Ali Kraja nga Shkodra në vitin 1934 botoi një broshurë pikërisht me titullin A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar? Në parathënie Kraja e shpreh qartë se libri i drejtohet atyre “pseudo-intelektualëve” që mendojnë se feja nuk nevojitet më në kohën moderne ngaqë përhap fanatizëm dhe urrejtje për besimet e tjera. Një ndër pohimet që ai paraqet në broshurë është se islami nuk i njeh për kundërshtarë të krishterët, prandaj nuk ka arsye përse islami të pengojë vëllazërimin e shqiptarëve myslimanë me atë të krishterë. Gjithashtu me interes është mendimi i Krajës se feja e pajis njeriun me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj detyrave dhe përgjegjësive shoqërore. Gjithashtu, kombi është një bashkësi vëllazërore, anëtarët e së cilës kanë detyrime të përbashkëta: “Do të ishte gabim të paramendohet kombi si një shoqërim ndërmjet individëve, të cilët nuk kanë ndjenjat e përgjegjësisë e të detyrimit” (Kraja, 2010: 63). Si rrjedhim, feja jo vetëm që nuk mund të dilte kundër bashkimit kombëtar, por e përçonte këtë të fundit.

Meqenëse kombi përfytyrohet si një bashkësi horizontale e individëve me të drejtat dhe detyrime të barabarta, Kraja ofron edhe mbështetje teologjike për idenë e demokracisë. Sipas interpretimit që ai i bën disa haditheve, rezulton që islami e përkrah idenë e demokracisë, duke lejuar vetëm pabarazinë morale dhe intelektuale (po aty: 67). Në vitin 1924 edhe Korça (2006b: 35) kishte shkruar te Zani i Naltë  se “në myslimanizmë aristokraci s’ka fare, gjith myslimanët janë demokrat”. Sipas tij, çdo mysliman ngarkohet me përgjegjësi për të vepruar mirë dhe kësaj ideje Evropa moderne po i afrohet me anë të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët. Jo vetëm kaq, por islami barazinë dhe demokracinë nuk e shikon të kufizuar vetëm te shteti kombëtar por si parime të zbatueshme në të gjithë botën: “Në gjuh të Kur-anit jo vetëm ne nënshtetasit e nji shteti po edhe gjith bota janë vllazën, demokrata e jo aristokrata” (po aty: 37). Duhet të kemi parasysh se në vitet 20-30 intelektualët laikë që kërkonin reforma shoqërore në favor të shtresave të ulëta të popullit dhe kritikonin pabarazinë ekonomike vetëquheshin demokratë. Duke gjetur mbështetje për demokracinë në traditën fetare islame, klerikët myslimanë kërkonin jo thjesht që të legjitimonin rolin e fesë në sferën publike, por edhe të shpallnin si të panevojshëm idetë “demokratike” dhe socialiste që shprehnin në shtyp intelektualët e majtë. Më 1937 Bashkësia Islame u kërkoi myslimanëve të pasur që të dhuronin diçka nga pasuria e tyre për të varfrit e papunë, në mënyrë që të dëshmohej se socializmi dhe komunizmi ishin të panevojshëm në Shqipëri. Autoritetet shtetërore po e shikonin dobinë e përdorimit të feve islame kundër ideve komuniste që kishin filluar të gjenin terren te të rinjtë dhe më 1937 mësimi fetar u lejua në shkollat shtetërore (Clayer, 2008: 109).

Argumenti i tretë i klerikëve myslimanë në vitet 20-30 ishte se islami nuk e kundërshton modernizimin dhe evropianizimin. Në debatin mbi modernitetin, edhe klerikët myslimanë i referoheshin Evropës në shkrimet e tyre, por përdorimi i tyre ishte i ndryshëm nga ai i intelektualëve laikë. Ndërsa për të dytët në çështjen e islamit përballë Evropës, Evropa ishte gjithmonë pozitive, për intelektualët myslimanë Evropa mund të ishte pozitive ose negative. Ajo ishte pozitive atëherë kur ata pranonin nevojën që islami të përshtatej me qytetërimin evropian, ose kur u kujtonin funksionarëve shtetërorë dhe intelektualëve laikë mbështetjen që shtetet perëndimore u jepnin institucioneve dhe shkollave fetare. Evropa mund të ishte edhe referencë negative për klerikët myslimanë atëherë kur ata e quanin atë “materialiste”, ateiste apo sipërfaqësore (po aty: 127). Në këtë aspekt, ligjërimi publik i klerikëve myslimanë ishte i ngjashëm me atë të klerikëve katolikë. Këta ndërsa e mburrnin praninë e katolicizmit në Shqipëri si një faktor oksidental në një vend gjysmë-oriental, në krahun tjetër kritikonin materializmin, individualizmin, kulturën e masave dhe humbjen e zotit të qytetërimit modern perëndimor, dukuri që, sipas tyre, shqiptarët duhej t’i shmangnin duke kultivuar kulturën e tyre origjinale (shih Sulstarova, 2012: 217-223).

Lidhur me reformimin e islamit, spikasin shkrimet e Ali Korçës të botuar te Zani i Naltë më 1924. Aishprehej se “myslimanizma është një fe moderne, një fe shëndetësije që i përshtatet shqencës… një fe qytetërimi… Dihet mirë se feja t’onë nga përparimi kurrë s’na ndalon” (Korça, 2006b: 22, 43). Me këtë ai pranonte idenë e reformimit të fesë në kushtet e reja të Evropës, por ai mendonte se reformimi i islamit duhej t’i referohej traditës së vet dhe jo referencave jashtëfetare: “Faji është i neve muslimanëve që nuk jemi muslimanë si duhet” (po aty: 49). Sipas tij, islami është fe e dijes dhe ai e kishte provuar këtë përballë gjendjes së Evropës mesjetare: “Ndë nji kohë kurë ndë perëndimi, ingjizisjonet [inkuizicionet] përbytnin botën, renonin shtetet, çpiknin rrebeshet, myslimanizmi përhapte shkëndijat e çkëlqyeshme në të gjithë anën e botës” (po aty: 17-18). Korça qytetërimin e ndan në dy pjesë, në qytetërimin lindor shpirtëror, të cilin ai e quan “qytetërimin e vërtetë” dhe në qytetërimin teknik të Perëndimit modern. Gjatë dy-tri shekujve Evropa dhe Amerika kanë përparuar shumë në lëmin e qytetërimit teknik dhe Lindja që të jetojë në kohën e sotme duhet të përfshijë teknikën e Perëndimit. Mirëpo, ndërkohë njeriu perëndimor ka humbur shumë nga bota e tij shpirtërore, diçka që nuk ka ndodhur në Lindje. Lindja përfaqëson qytetërimin e vërtetë, sepse ajo është djepi i feve monoteiste. Në këtë kuptim, edhe Perëndimi e ka në shpirt Lindjen. Për më tepër ishte dija që Lindja ruajti në Mesjetë ajo që i dha shtysë përparimit teknik të Perëndimit (po aty: 74-75). Perëndimi vërtet tani është në një shkallë më të lartë se sa Lindja për sa i përket teknikës, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sa i përket botës shpirtërore, sepse Perëndimi po i largohet besimit te zoti. Prandaj, vendet e Lindjes nuk kanë përse të marrin shembull për gjithçka Perëndimin, por vetëm aspektin teknik të tij. Korça përmend Japoninë e kohës, e cila, sipas interpretimit të tij, e ka huazuar teknikën e Perëndimit, por ka ruajtur qytetërimin e vet lindor. Të njëjtën metodë Korça e rekomandon për shqiptarët: “Ne nga perëndimi mundim të marim vetëm qytetërimin mjeshtëror [teknik] edhe të mbajmë qytetërimin të vërtetë bashkë me disa zakone të bukura ashtu si i kemi trashëguar nga prindit t’onë… Ne për shëmbëll përparimi të kemi pasqyrë Japonezët” (po aty: 41).

Për këto ide, Korça tërhoqi pas vetes sulmet e disa intelektualëve laikë, të cilët gjetën në personin e tij një mbrojtës aq shumë të kërkuar të “Orientit”, kundër të cilit ata po zhvillonin misionin e tyre qytetërues në Shqipëri dhe betejën e “të rinjve” ndaj “të vjetërve”. Sado që Korça modernitetin teknik të Perëndimit e vlerëson më poshtë se sa qytetërimin shpirtëror, duke nënkuptuar islamin si pjesë të këtij të fundit, ka gjasa që ai të jetë ndikuar sadopak edhe nga fryma e zhgënjimit ndaj idesë së përparimit të pandalshëm të njeriut përmes teknologjisë që përshkoi Evropën pas Luftës së Parë Botërore. Optimizmi mbi natyrën njerëzore dhe mbi të ardhmen e lavdishme u rrënua para kasaphanës që i shkaktuan njëri-tjetrit popujt që mbaheshin si model i qytetërimit. Menjëherë pas lufte u shfaqën shumë libra apo artikuj titujt e të cilëve përmbanin fjalë si “rënie”, “degradim”, “katastrofë”, “sëmundje” etj. Në vitet 20, libri Rënia e Perëndimit i Osvald Shpenglerit [Oswald Spengler], po korrte sukses të jashtëzakonshëm në publikun evropian, pikërisht në sajë të tezës së tij se kulturës perëndimore i ishte shterur fuqia shpirtërore, se dominimit material të Perëndimit në botë po i afrohej fundi dhe se vendin e tij do ta zinte një kulturë më vitale (Spengler, 1962). Ishte po Shpengleri ai që më 1931 do të shkruante te libri tjetër, Njeriu dhe teknika, se “popujt me ngjyrë” po e huazojnë teknikën e Perëndimit dhe do ta përdorin për t’i dhënë fund vetë Perëndimit (Spengler, 2011). Edhe në kritikën e tij ndaj qytetërimit teknik të Perëndimit, Korça, qoftë edhe padashur, po ndiqte tendencat e kohës në mendimin perëndimor. Gjithashtu, siç e vumë në dukje më sipër, kritikat ndaj materializmit, ateizmit dhe humbjes së vlerave shpirtërore të Perëndimit gjendeshin te shkrimet e klerikëve katolikë shqiptarë, sikurse edhe te shkrimet e disa intelektualë laikë.

Argumenti i katërt i klerikëve shqiptarë në vitet 20-30 ishte se islami i shërbente kombit shqiptar, sepse mbante larg prej tij doktrinën komuniste. Klerikët myslimanë u angazhuan në luftën kundër ndikimit komunist në Shqipëri. Sërish, Hafiz Ali Korça u shqua në këtë drejtim me librin e tij Bolshevizma, a çkatërimi i njerëzimit, botuar më 1925, vit i restaurimit të sundimit të Zogut, pas shtypjes së asaj që regjimi e quante si kryengritje me orientim bolshevik. Qysh në krye autori e bën të qartë se qëllimi i shkrimit të librit është që t’i shërbejë atdheut dhe bashkëatdhetarëve me anë të tregimit të natyrës së vërtetë të bolshevizmit. Sipas Korçës, bolshevizmi është më i vjetër se sa Lenini dhe Marksi, ai burimin e ka te armiqësia që çifutët kanë ndaj myslimanëve dhe të krishterëve. Çifutët dhe idetë e tyre për gjoja barazinë kanë qenë shkaktarët e përçarjeve të hershme në gjirin e islamit dhe më në fund ata arritën sukses në botën moderne duke shtënë në dorë fuqinë ekonomike të botës. Çifuti Marks kishte për qëllim që të rrënonte fetë monoteiste dhe të rrëzonte qeveritë e mbarë botës dhe Lenini ishte nxënësi i tij. Duke përshkruar se çfarë po ndodh në Rusi, Korça përmend edhe se komunizmi nuk e njeh familjen dhe as patriotizmin. Çifutët e sundojnë Rusinë përmes bolshevizmit, por edhe Perëndimin e dominojnë me anë të kontrollit mbi ekonominë. Vetëm në shtetet myslimane nuk ka depërtuar dot bolshevizmi, gjë që nënkupton se prania e islamit në Shqipëri është një digë e fuqishme për të ndaluar ndikimin e çifutëve përmes doktrinës komuniste (Korça, 2006c). Libri Bolshevizmanuk është tjetër veçse një propagandë e rëndomtë kundërsemite, faqet e tij më shumë shfaqin atmosferën e kohës kur janë shkruar se sa përmbajnë informacion të saktë apo rigorozitet në shtjellimin e temave. Të vjen keq kur lexon se një studiues serioz i jetës dhe i veprës së Ali Korçës e quan këtë libër si tregues të “një vizioni të qartë e largpamës për të ardhmen jo vetëm kombëtare por edhe gjithënjerëzore”, si “konceptim pak kozmopolit e universal” dhe më poshtë shkruan se libri “shënon fazën e pjekurisë politike të Hafiz Aliut” (Ahmedi, 2006: 73-75). Pavarësisht meritave që libri i Korçës mund të ketë pasur për paralajmërimin ndaj rrezikun komunist që i kanosej shqiptarëve, sot vlera e tij konsiderohet e kapërcyer. Madje, duke pasur parasysh se vepra e Korçës po ribotohet pas rënies së komunizmit dhe në një atmosferë të polarizuar për shkak të luftës kundër terrorit dhe përmbysjeve të mëdha politike në Lindjen e Mesme, që në disa qarqe fundamentaliste islamike shihen si komplote të Perëndimit dhe të zionistëve kundër islamit, mund të jetë e rrezikshme nëse kundërsemitizmi do të ushqehej sot në shoqërinë shqiptare përmes këtij libri të Korçës, apo autorëve të tjerë klerikë apo laikë të brezit të tij, pa u shoqëruar tekstet e tyre me shënimet përkatëse kritike bazuar mbi dijen shkencore bashkëkohore që filtron informacionin. Fatkeqësisht, një kritikë të tillë  nuk e gjejmë te studimi i Ahmedit për Hafiz Ali Korçën, studim i cili në aspekte të tjera është mjaft i përpiktë.

Përfundim

Në Shqipërinë e viteve 20-30 të shekullit të kaluar, zyrtarët e shtetit dhe intelektualët laikë e shihnin veten si agjentë të modernizimit dhe reformimit nga lart-poshtë të shoqërisë shqiptare. Edhe pse zyrtarisht shteti i përmbahej formulës së laicizmit, në praktikë kjo do të thoshte kontroll dhe dominim të shtetit mbi pavarësinë e institucioneve fetare, sepse shteti e shihte veten si mbrojtësin e njësisë kombëtare ndaj elementeve përçarëse. Autoritetet politike, luajtën një rol aktiv në riorganizimin e Bashkësisë Islame. Në këtë drejtim ndikuan edhe disa intelektualë laikë që shihnin te islami strehën e kryesore të ndikimeve të dëmshme “orientale” pas pavarësimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në shtypin e kohës nuk mungonin akuza ndaj islamit si burim i prapambetjes, fanatizmit, injorancës etj.

Disa klerikë myslimanë, duke e pranuar idenë e një reformimi të islamit në Shqipëri, njëkohësisht bënë edhe apologjinë e islamit, duke përmendur nevojën që kombi dhe shoqëria shqiptare kishin për fetë në përgjithësi dhe për islamin në veçanti. Argumentet e tyre kryesore ishin katër. Së pari, se kleri mysliman kishte kontribuar në lëvizjen kombëtare dhe se dëshmia më e mirë për këtë ishin kujtimet e vetë protagonistëve, siç ishin Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Hafiz Ali Korça. Së dyti, se feja islame nuk ishte kundër njësimit kombëtar e idesë së demokracisë, siç synonte të shpjegonte libri i Hafiz Ali Krajës, apo artikujt e Hafiz Ali Korçës. Së treti, se feja islame nuk shkonte kundër qytetërimit modern dhe shkencës. Në këtë drejtim, Hafiz Ali Korça u përpoq që ta paraqiste islamin si fe moderne dhe në pajtim me shkencën dhe reformën e institucioneve myslimane në Shqipëri ta orientonte për nga vetë tradita e islamit. Së fundi, se feja islame ishte mburojë e kombit kundër efektit përçarës së komunizmit. Këtë e mori përsipër ta argumentonte Hafiz Ali Korça duke botuar një libër ku bolshevizmi paraqitej si pjesë e një komploti historik çifut për dominimin e botës.

Në shek. XXI, edhe pse konteksti shqiptar ka pësuar mjaft ndryshime që nga koha midis dy luftërave botërore, është interesante të vëresh shfaqjen e argumenteve të ngjashëm në shtypin shqiptar në mbrojtje të fesë islame. Sikurse atëherë, edhe tani apologjitë për ekzistencën e islamit ndër shqiptarët shpeshherë janë si përgjigje ndaj përpjekjeve për ta konsideruar islamin si “tjetrin” e Perëndimit dhe si të huaj, apo rrezik për identitetin kombëtar shqiptar.

*Kumtesë e mbajtur në Konferencën Shkencore “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar” organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Islame e Maqedonisë, me rastin e 100 vjetorit të Shqipërisë. Konferenca zhvilloi punimet më 28-29 shtator 2012.

(Botuar me shkurtime në revistën “Drita Islame”, Nëntor 2012)

Burimi: http://www.dritaislame.al/per-fe-dhe-atdhe-argumentet-e-klerit-mysliman-ne-debatin-mbi-modernizimin-e-shqiperise-ne-vitet-20-30/

Kush ishin 39 kryeministrat shqiptarë të Perandorisë Osmane?

04/08/2013 Lini një koment

Ilir KONTI

 

KUSH ISHIN 39 KRYEMINISTRAT SHQIPTARË TË PERANDORISË OSMANE?

SulltanTrojet shqiptare, pas vdekjes së Skënderbeut, ranë tërësisht nën pushtimin osman, me përjashtim të disa zonave autonome në bregdet dhe malësi dhe viti 1506 njihet si viti i këtij pushtimi tërësor.

Ashtu si në Romë edhe në Bizant, regjimi ushtarak u jepte mundësi ushtarakëve më të zotë të qeverisnin perandorinë. Shqiptarët, ashtu si në perandoritë e tjera, janë dalluar për forcën e krahut dhe të mendjes, edhe në perandorinë osmane.

Ata e qeverisën me shekuj, duke i dhënë asaj një pushtet të fortë dhe lavdi. Pa frikë mund të themi se perandorinë osmane e krijuan shqiptarët sepse ata pushtuan të gjitha territoret që hynë nën perandori, dhe i qeverisën ato gjatë gjithë ekzistencës së saj. Ka një numër të madh kryeministrash dhe strategësh të perandorisë. Si kryeministrat e parë me origjinë shqiptare flitet se kanë qenë Bajazit Pasha dhe Isak Pasha, por të dhënat më të sakta janë për Gjedik Ahmet Pashën.

1 – Gjedik Ahmet Pasha

Kryeministër i perandorisë me origjinë shqiptare. Ai ka qenë kryeministër në vitet 1475-1479. Gjatë kohës së qeverisjes së tij me anë të flotës ushtarake, arriti të pushtojë pjesën më të madhe të Krimes, e cila bllokoi rrugën tregtare të Evropës për në lindje. Arriti që të fitojë luftën kundër Venedikut, duke i imponuar një marrëveshje paqeje të favorshme, sipas së cilës Venediku do u kalonte osmanëve të gjitha ishujt e Egjeut, përveç Kretës dhe Korfuzit dhe do i paguante tribute vjetore perandorisë. Në 1478 ushtritë osmane ndërmorën ekspedita plaçkitëse në territoret austriake. Ai nuk pranoi të merrte pjesë në pushtimin e Shkodrës, dhe për këtë u shkarkua nga posti i kryeministrit. Kryeministrat kishin meritën për sukseset ushtarake, sepse ata ishin komandantë të operacioneve ushtarake dhe përgjigjeshin me kokë para sulltanit në rast dështimesh.

2 – Daut Pasha

Sipas Sami Frashërit, është me origjinë shqiptare, i marrë rob nga sulltani kur ishte fëmijë. Në saje të aftësive dhe talentit të tij të lindur, në kohën e sulltanit Mehmed II u bë bejlerbe i Rumelisë dhe Anadollit. Në vitin 1483, në kohën e Sulltan Bajazitit, duke qenë bejlerbe i Anadollit, kaloi në postin e kryeministrit dhe arriti të drejtojë me sukses punët e rëndësishme të shtetit osman. Në vitin 1496, u largua nga detyra, dhe pas dy vitesh vdiq.

3 – Haim Ahmet Pasha

Kryeministër me origjinë shqiptare nga vitet 1496-1514. Gjatë qeverisjes së tij nënshtroi Hercegovinën dhe ndërmori disa ekspedita plaçkitëse në Hungari, Austri, Poloni. Edhe pse ishte vendosur paqja me Venedikun, ai ende mbante disa pika strategjike të cilat lakmoheshin nga osmanët, prandaj vazhduan luftimet, kryesisht në det.

Flota osmane korri një fitore historike në betejën e Leopantos në Korinth, kundër flotës së Venedikut me të cilin ishte bashkuar Hungaria, Franca dhe Spanja, të bekuara nga Papati. Fitorja mbi Venedikun nuk solli ndonjë plaçkë lufte të madhe, por vetëm u futi frikën evropianëve që të mos merreshin me osmanët, dhe nga ana tjetër, nxori superioritetin e flotës osmane kundër flotës perëndimore. Në këtë kohë, e gjithë Azia e vogël u përfshi në shtetin osman. Gjatë qeverisjes së tij filloi një luftë e gjatë me shahun e Iranit, sepse ai kishte pushtuar Irakun, Armeninë, Kurdistanin dhe kërkonte edhe Azinë e Vogël shtëpinë e osmanëve. Kjo luftë mori karakter fetar, sepse iranianët ishin shiit dhe turqit synit. Përfundimisht, Irani u mund në vitin 1514 aq sa Osmanët hynë në territoret e vetë shtetit të Iranit dhe morën një pjesë të madhe të arkës së shtetit. Ai arriti që gjatë qeverisjes së tij të mundte Venedikun fuqinë mesjetare detare, dhe pas kësaj edhe vetë Iranin, i cili kishte më tepër zotërime se sa osmanët. Përfundimisht, Azia e vogël, gjatë qeverisjes, së tij u bë e osmanëve, që do të ishte dhe qendra e kombit turk. Pra, shqiptarët pushtuan edhe territoret historike ku shtrihet sot kombi turk.

4 – Ahmet Pash Dukagjini

Ka qenë kryeministër për një periudhë të shkurtër kohe nga vitet 1514, deri në vitin 1515 dhe rrjedh nga familja e madhe e Dukagjinëve. Gjatë qeverisjes së Sulltan Selimit, ai ka qenë ushtarak i lartë me titullin gjeneral, dhe më pas ka qenë bejlerbe i Rumelisë, pra, qeveritar i Ballkanit, dhe më vonë u bë kryeministër. Dukagjini, gjatë kohës së qeverisjes së tij si qeveritar i Egjiptit, synoi pavarësinë e këtij vendi nga pushteti i Sulltanit. Ai u rebelua kundër sulltanit, por u mund nga forcat ushtarake, dhe koka e tij e prerë iu dërgua sulltanit në Stamboll.

5 – Ibrahim Pasha

Ishte me origjinë nga Butrinti, por ka studiues që thonë nga Parga e Çamërisë, gjithsesi, ishte shqiptar. Gjatë një ekspedite ushtarake në trojet shqiptare sulltani e mori, dhe e rriti në pallatin e tij së bashku me të birin, Sulejmanin, i cili në 1520, bëhet sulltan, dhe shokun e tij të fëmijërisë e bën kryeministër. Pra, ai u rrit me sulltan Sulejmanin e ndritur që ishte një nga sulltanët më të mëdhenj të perandorisë, ndoshta më i madhi. Ai u edukua dhe mori arsimin e mjaftueshëm për të qenë një ushtarak dhe politikan i zoti. Ka qenë kryeministër nga vitet 1523-1536. Ai u martua me motrën e sulltanit, i cili i bëri një dasëm madhështore. Si u bë kryeministër, drejtoi fushatat për pushtimin e Beogradit dhe Rodosit.

Kështu, në vitin 1526 ai u vu në krye të një ushtrie prej 100.000 vetash, dhe u nis kundër Hungarisë. Në gusht të po atij viti u zhvillua beteja e Mohaçit ku Hungarezët u mundën dhe, pas kësaj, ushtria osmane mori Budën kryeqytetin e vendit. Kjo betjë, në të cilën mori pjesë dhe sulltan Sulejmani, ishte një betejë historike, sepse osmanët pas kësaj erdhën në kufijtë e Evropës qendrore dhe e kërcënonin seriozisht atë. Beteja e Mohaçit ishte një nga betejat më të mëdha që kanë zhvilluar osmanët, por me komandant shqiptar. Po të kihet parasysh që Hungaria bëri një luftë 100-vjeçare, që nga 1444 kur kërkoi ndihmën e Skënderbeut, rëndësia e kësaj fitoreje është historike.

Në vitin 1529 ushtria osmane prej 250.000 ushtarësh, të komanduar nga Ibrahimi, në të cilën merrte pjesë dhe vet sulltani, rrethoi Vjenën. Vjena u bombardua ashpër por nuk u dorëzua. Në dështimin e ushtrisë osmane, në marrjen e Vjenës, ndikoi negativisht i ftohti me të cilin nuk ishte mësuar ushtria osmane, pasi ajo vinte nga një zonë e ngrohtë. Në vitin 1532 ishte kryekomandant i një lufte tjetër me Austrinë por më tepër për territoret hungareze. Në këtë luftë ai i shkaktoi disfatë Austrisë dhe arriti që përfundimisht të kthente Hungarinë në një provincë të perandorisë osmane. Në vitin 1534 arriti të pushtonte Azerbajaxhanin dhe zgjeroi më tej territoret e shtetit osman në lindje. Ibrahimi ka nënshkruar dhe Kapitulacionet me Francën, që shumë studiues i quajnë në disfavor të Turqisë përsa i përket ekonomisë, sepse tregtarët francezë ishin të privilegjuar në perandori, por nga ana tjetër kapitulacionet ishin një marrëveshje me Francën kundër armikut të përbashkët, Austrisë, të cilën donin ta sulmonin njëkohësisht. Kështu, e parë në kuadër të politikës së jashtme nuk ishte aspak një marrëveshje e keqe, sepse bënte aleate një shtet perëndimor. Ai arriti të shtypte me armë të gjitha kryengritjet brenda vendit.

Në vitin 1536 vritet në pallatin e Sulltanit aty ku u rrit, por nuk dihet se kush e vrau dhe për çfarë, megjithëse shumë historianë thonë se u vra për xhelozi, ngaqë kishte arritur të kishte sukses. Nuk besoj të ketë pasur dorë sulltani në vrasjen e tij ashtu siç ndodhte rëndom tek osmanët, sepse ata ishin rritur bashkë që fëmijë, dhe një sulltan i madh si Sulejmani nuk mund të kishte shpirt kaq të vogël. Në histori mbetet një nga vezirët më të mëdhenj të njërit prej sulltanëve më të mëdhenj të perandorisë osmane. Ai ka meritën se arriti të pushtojë Hungarinë, e cila kishte 100 vjet që sfidonte osmanët, sulmoi Austrinë edhe pse s’e pushtoi me atë veprim tmerroi Evropën, pushtoi Azerbajxhanin, nënshkroi marrëveshje aleance me Francën etj.

6 – Ajaz Mehmet Pasha

Qe kryeministër në vitet 1536-1539 pas vdekjes së Ibrahimit. Ishte nga Vlora dhe kishte lindur në Vuno. Hyri në pallatin e Sulltanit me sistemin e devishermesë, që ishte marrja e fëmijëve të krishterë në moshë të vogël, dhe edukimi për shërbimin në ushtri ku më të mirët mbaheshin për shërbimin në pallatin e sulltanit. Në fillimet e karrierës së tij ka qenë bejlerbej, pra qeveritar i Anadollit dhe i Damaskut. Shtypi kryengritjen e shqiptarit Ahmet Pasha, një funksionar i lartë i shtetit i rebeluar ndaj qeverisë qendrore. Mori pjesë në betejën e Mohaçit dhe të Rodosit krahas shqiptarit tjetër që ishte në atë kohë kryeministër Ibrahm Pashës. Në vitin 1536 u bë kryeministër, detyrë që e mbajti derisa vdiq në 1539. Gjatë qeverisjes së tij ai drejtoi fushatën ushtarake kundër Rumanisë dhe arriti të pushtojë Rumaninë e Mildavinë. Midis lumenjve Dniepër dhe Dniestër u krijua një sanxhak i ri me tokat e pushtuara.

Në vitin 1538 flota osmane mundi në Prevezë flotën e tre fuqive të perëndimit, atë të Karlit të V Habsburg, të Venedikut dhe Papatit. Pas kësaj humbjeje Venediku u detyrua të lëshonte disa qytete në Dalmaci dhe të paguante një tribut vjetor të rëndë në favor të osmanëve. Ai mori pjesë në shtypjen e kryengritjes në vendlindjen e tij, Himarë, pasi ishte kryeministër e ndoshta nuk mund të bënte dot ndryshe se i priste kokën sulltani. Kryeministri Ajaz Ahmet Pasha ka meritën se pushtoi Rumaninë dhe Moldavinë si edhe mundi flotën detare evropiane.

7 – Lutfi Pasha

Qeverisi si kryeministër në vitet 1539-1541. Ishte me origjinë nga Vlora, nga ku osmanët e morën që të vogël. Ai u rrit në pallatin e sulltanit, ku mori të gjithë edukimin e nevojshëm politiko-ushtarak. Historianët e kohës kanë thënë se është “Shqiptar kokëfortë e inatçi Ai mori pjesë në rrethimin e Vjenës në vitin 1529 së bashku me ushtarakë të lartë shqiptarë, dhe kryeministrin po shqiptar. Ka qenë bejlerbe i Rumelisë, pra i Ballkanit. Ai ka marrë pjesë në betejën e Otrantos kundër italianëve, të cilët edhe u mundën. Pas vdekjes së kryeministrit, shqiptari Ajaz Mehmet Pasha, ai u bë kryeministër. Gjatë qeverisjes së tij, bëri paqe me Venedikun, që ishte tepër e favorshme për osmanët sepse ajo sillte territore, para dhe qetësi. Ai hyri në bisedime për paqe me Austrinë. Në luftë me arabët mori disa territore të Jemenit, dhe arriti të dalë në detin e Kuq. Në vitin 1541 u tërhoq nga detyra me dëshirën e vet, por arsyet nuk dihen. Marrëdhëniet e tij me sulltanin qenë të mira, sepse ai ishte dhëndër te sulltani, pasi ishte martuar me motrën e tij.

8 – Rustem Pasha

Kryeministër i perandorisë me origjinë shqiptare, që qeverisi në vitet 1544-1552 dhe për herë të dytë, në vitet 1555-1560 pas vdekjes së Kara Ahmet Pashës, pra ai qeverisi perandorinë për 13 vjet. Ai arriti të fusë në perandori disa vise të Jemenit. Në qeverisjen e tij u pushtua Tripoli në Libi, pasi theu flotën spanjolle, që mbante një pjesë të madhe të Afrikës Veriore. Ai organizoi e drejtoi një luftë të dytë kundër shahut të Iranit në vitin 1548 e cila do të përfundonte me disfatë për Iranin dhe marrëveshjen e paqes do e nënshkruante një shqiptar tjetër, Kara Ahmet Pasha.

9 – Kara Ahmet Pasha

Atë e morën të vogël nga trojet shqiptare dhe e rritën në pallatin e sulltanit, ku mori dhe edukimin e nevojshëm për të qenë një qeveritar dhe ushtarak i zoti. Sulltani i dha të motrën për grua, ashtu siç bënin shpesh sulltanët me figura të mëdha e të forta të shtetit. Gjatë karrierës së tij ka qenë bejlerbej i Rumelisë, me këtë emër quheshin zotrimet osmane në Ballkan. Në 1526 mori pjesë në betejën e Mohaçit kundër Hungarisë. Gjatë kohës që ishte kryeministër, në vitet 1553-1555, u ngarkua të merrej vesh me shahun e Iranit dhe nënshkroi me të një marrëveshje paqeje, sipas së cilës Iraku mbeti nën sundimin osman, Gruzia dhe Armenia u ndanë më dysh, ndërsa Azerbajxhani kaloi nën sundimin e shahut të Iranit. Marrëveshja e paqes ishte e favorshme se perandoria doli në gjirin Persik, pra ishte një tjetër shqiptar pas atij që e nxori perandorinë në detin e Kuq, që i dha gjirin Persik shtetit osman. Me flotën osmane u kryen edhe disa pushtime në Afrikën Veriore. Në 1555 i prenë kokën, edhe pse qe dhëndërr i sulltanit, arsyet se përse nuk dihen.Megjithëse qeverisi për një kohë të shkurtër ai arriti që t’i japë perandorisë gjirin Persik dhe një pjesë të Afrikës Veriore.

10 – Semiz Ahmet Pasha

Ishte kryeministër me origjinë shqiptare gjatë viteve 1579-1580 pra, për një kohë të shkurtër, ku nuk janë shënuar shumë ngjarje të rëndësishme. Përpara se të bëhej kryeministër ishte bejlerbe i Rumelisë. Ai mori për grua të bijën e ish-kryeministrit Rustem Pasha.

11 – Koxha Sinan Pasha (1506-1596)

Ka qenë kryeministër i perandorisë 5 herë në vitet 1580-1582; 1584-1585; 1589-1591; në 1593; 1595-1596. Ka lindur në Topjanë të Lumës, pra ishte shqiptar dhe u rrit në pallatin e sulltanit. Gjatë karierës së tij ka shërbyer si qeveritar në Tripoli të Libisë dhe në Damask të Sirisë. Ai ka meritën që nënshtroi përfundimisht Jemenin të cilin pjesërisht e kishin nënshkruar dy shqiptarë të tjerë. Me pushtimin e Jemenit perandoria doli në detin Arabik.Në vitin 1580 drejto vetë fushatën ushtarake kundër Persisë dhe Hungarisë, edhe pse ishte në moshë të thyer. Ai mori pjesë edhe në një luftë tjetër kundër Austrisë, e cila përfundoi me marrëveshje paqeje, por pas vdekjes së tij. Vendlindjes së tij, Lumës, i lehtësoi taksat dhe detyrimet, gjithashtu ngriti në Kaçanik një kështjellë dhe një xhami.

12 – Ferad Pasha

Edhe ai si kryeministrat e tjerë shqiptarë u rrit në pallatin e sulltanit ku mori edukimin e nevojshëm. Gjatë karrierës së tij qeverisi Rumelinë, si bejlerbe. Qe kryeministër gjatë viteve 1591-1592 dhe në vitin 1595. Ka marrë pjesë në luftë kundër Austrisë e cila në këtë kohë zgjati disa vjet. Ai drejtoi luftën kundër Vllahisë, pas së cilës u pushua nga puna dhe u vra nga rivalët e tij po shqiptarë.

13 – Merre Husein Pasha

Ishte me origjinë shqiptare. Ka nisur karrierën si kuzhinier, dhe më vonë shërbeu si vali në Misir. Shërbeu si kryeministër në vitet 1601-1602, pra për një kohë të shkurtër. Ai quhej Merre, sepse për kundërshtarët e tij përdorte fjalën shqip merre, zhduke, kështu që i mbeti ky emër.

14 – Jemishxhi Hasan Pasha. Sipas Sami Frashërit është me origjinë shqiptare. (Sami Frashëri… f.komp.45).Ka ngjitur shkallët e karrierës ushtarake dhe qeveritare në sajë të aftësive të tij. Në vitin 1602-1603, ishte kryeministër i perandorisë.

15 – Kujxhu Murat Pasha. Ka qenë me origjinë shqiptare. Ishte kryeministër gjatë viteve 1606-1611, pra për rreth 5 vjet. Gjatë qeverisjes së tij u nënshkrua amrrëveshja e paqes me Austrinë, me të cilën perandoria kishte disa vite që kishte rifilluar luftën. Në 1606 me Austrinë u nënshkrua një traktat paqeje 10 vjeçare, sipas së cilës, të dyja palët nuk patën përfitime territoriale. Austria i dha perandorisë një tribut vjetor prej 200 000 dukatësh ari dhe nga ana tjetër, osmanët njohën sundimtarin e Vjenës si perandor. Këto kushte nuk ishin të favorshme për osmanët, por shteti u detyrua, pasi në vend kishte plasur një kryengritje e madhe dhe nuk kishte se si të luftohej jashtë kur kishte probleme e anarki brenda vendit. Ai arriti që të shtypte kryengritjen e madhe brenda vendit, të quajtur si kryengritja Xhelaliane. Kështu në një betejë në vitin 1608, kur kryeministri ishte 90 vjeç, arriti të shkatërrojë ushtrinë kryengritëse dhe të asgjësojë pjesën më të madhe të sajr.

16 – Nasuh Pasha

Ishte shqiptar dhe qeverisi si kryeministër në vitet 1611-1614 vite gjatë të cilave mbretëroi një gjendje paqeje pa luftra të mëdha. Para se të bëhej kryeministër ka punuar si qeveritar i Halepit dhe i Bagdadit.

17 – Ohril Hysein Pasha

Ai lindi në zonën e Pogradecit, dhe vdiq në vitin 1622. U rrit në pallatin e sulltanit dhe më pas u bë komandant i jeniçerëve, dhe qeveritar i Rumelisë. Mori gradën vezir dhe shërbeu si kryeministër gjatë vitit 1621.

18 – Hasan Pasha.

Ai ishte me origjinë shqiptare. U mor i vogël dhe u edukua në oborrin e sulltanit. Në fillim ka qenë bejlerbej i Rumelisë, pastaj vezir i gradës së ulët deri sa u bë vezir i madh ose kryeministër në vitin 1624.

19 – Taban Mehmet Pasha

Ishte kryeministër me origjinë shqiptare i perandorisë në vitet 1631-1637, pra për 5 vjet. Vite që nuk patën ngjarje të mëdha. Pas detyrës u burgos dhe u ekzekutua, sepse kështu bënin shpesh sulltanët.

20 – Mustafa Pashë Kamekeshi

Lindi në Vlorë, dhe hyri në ushtrinë osmane me anë të sistemit të devishermes. Kushti i parë që të bëje karrierë në perandorinë osmane ishte që të bëheshe mysliman, kështu, duke qenë se shqiptarët nuk janë fanatikë fetarë, por përkundrazi, janë tepër tolerantë për fenë e tjetrit, nuk e patën problem të ndërrojnë fenë. Në fillim hyri në radhët e ushtrisë së jeniçerëve, dhe arriti deri në postin e komandantit të flotës ushtarake osmane. U dallua si kryekomandant në rrethimin e Irakut ku merrte pjesë dhe vetë Sulltan Murati IV, për suksesin e së cilës mori dhe titullin vezir i madh që ishte titulli më i lartë në hierarkinë e qeverisjes, dhe qeverisi vendin në vitet 1637-1644. Ai nuk ishte vetëm ushtarak i zoti, por edhe financier i zoti, sepse arriti të kryejë me sukses një reformë financiare me anë të së cilës nxori buxhetin e shtetit nga kriza. E vrau sulltani sepse ky donte të ndërmerrte një reformë administrative që nuk i pëlqeu, pasi binte ndesh me interesat e tij.

21 – Xhixhan Mehmet Pasha.

Me origjinë shqiptare nga i ati, ndërsa nga e ëma nga familja e sulltanit. Ai u rrit dhe u edukua në oborrin e sulltanit, dhe qeverisi në vitet 1644-1645. Karrierën e nisi si vali i Egjiptit, dhe më vonë i Damaskut. Gjatë kohës së qeverisjes së tij mori Kretën, të cilën e mbante ende Venediku. Marrja e Kretës ishte një fitore për perandorinë, sepse ajo kishte një pozitë gjeografike të mirë, dhe nga ana tjetër dëbohej përfundimisht Venediku nga Egjeu dhe Mesdheu lindor.

22 – Kara Mustafa Pasha

Me origjinë shqiptare, i lindur në Shqipëri. Ai shkoi në Stamboll si jeniçer dhe arriti të bëhej komandant i ushtrisë së jeniçerëve. Ka qenë dy herë kryeministër në vitet 1649-1650 dhe 1655. Gjatë detyrës si ministër i marinës, mundi flotën Venedikase.

23 – Tarhanxhu Mustafa Pasha

Ishte me origjinë nga Mati dhe qeverisi vendin në vitet 1652-1653. Karrierën e nisi si qeveritar i Egjiptit, dhe më vonë i Selanikut. Ishte kryeministër i parë që në kushtet e ndalimit të fushatave dhe plaçkitjeve arriti të bëjë buxhetin e shtetit për të menaxhuar më mirë të ardhurat dhe shpenzimet. Ai ra viktimë e zgjuarsisë së vet, sepse askujt nuk i interesonte buxheti i shtetit, se të gjithë kërkonin të hanin sa të mundeshin, pra fenomeni i korrupsionit është aq i vjetër sa dhe profesioni më i vjetër në botë. Për të thuhej se ishte i pakorruptueshëm, dhe bënte detyrën si duhej, kështu që natyrisht s’do ta kishte të gjatë. Xhelozitë e kundërshtarëve bënë që ai të pushohej nga puna dhe të ekzekutohej.

24 – Qypyrli Mehmet Pasha

Ishte shqiptar nga Berati, lindur në një familje të varfër dhe kishte punuar si kuzhinier i sulltanit. Ai nuk kishte arsim, madje, ishte analfabet, nuk dinte të shkruante dhe të lexonte. Por edhe pse i pashkolluar, kishte cilësi të tjera që e bënë kryeministër të perandorisë në vitin 1656-1661, në moshën 75-vjeçare. Para se të bëhej kryeministër, kishte punuar si qeveritar i Damaskut, Jerusalemit dhe Tripolit. Ai e mori pushtetin duke i vendosur disa kushte sulltanit si; të zgjidhte vetë ndihmësit e bashkëpunëtorët e tij në qeverisje dhe të ishte i lirë në qeverisjen e vendit, gjë që s’e kishte bërë asnjë kryeministër deri në atë kohë. Vendi ishte futur në krizë, dhe ai arriti të balancojë buxhetin e shtetit duke vënë dorë në arkën e vakëfeve dhe të sulltanit. Forcoi disiplinën në ushtri e cila kishte filluar të çartej dhe të humbiste betejat, rriti efikasitetin e flotës ushtarake. Gjatë qeverisjes së tij mundi Venedikun, dhe drejtoi fushatën ushtarake në Poloni. Vendosi qetësinë në vend duke vrarë me mijëra vetë që nuk i bindeshin dhe midis tyre partirarkun ortodoks të Stambollit.

25 – Fazlli Ahmet Pasha Qypyrliu

Pas vdekjes së Mehmetit vendin e tij e zuri i biri Fazlliu, që qeverisi për një kohë prej 15 vjetësh nga 1661-1676. U edukua në Stamboll dhe ishte më pak i ashpër se sa i ati. Karrierën e filloi si vali i Damaskut dhe pastaj si kryeministër në një moshë të re 26-vjeçare. Në politikën e jashtme u mor me Austrinë, të cilën gjeneralët shqiptarë nuk e kishin thyer dot. Ai pushtoi kështjellat rreth Vjenës, dhe po përgatitej të pushtonte dhe vetë kryeqytetin Austriak, gjë që tmerroi Evropën. Me gjithë përpjekjet e mëdha nuk arriti të pushtojë Vjenën. Gjatë qeverisjes së tij pushtoi tërësisht Kretën, pasi shqiptari që e pushtoi për herë të parë kishte lënë disa kështjella pa pushtuar dhe në vitin 1666 ripushtoi Jemenin i cili ishte pushtuar më parë nga 2 kryeministra shqiptarë, por që nga 1635 ishte shkëputur nga perandoria.Vdiq në moshën 46-vjeçare, në vitin 1676 nga një sëmundje e pashërueshme.

26 – Fazlli Mustafa Pashë Qypyrliu

Ishte djalë i dytë i Mehmet Qypyrliut dhe ngjiti shkallët e karrierës shumë shpejt me ndihmën e të afërmve, por dhe me meritat e veta.

Në vitin 1690-1691 u emërua kryeministër në një kohë kur Austria, gjatë mungesës së shqiptarëve, në qeverisje, nga 1676 deri në 1690, pra për 14 vjet kishte mundur ushtrinë osmane në vitin 1683 dhe kishte marrë territore të mëdha në Ballkan. Në krye të një ushtrie mundi austriakët dhe rimori territoret në Danub, Nishin dhe Beogradin. Ai trajtoi shumë mirë të krishterët dhe popullsinë jomyslimane të perandorisë, ashtu siç kanë bërë historikisht shqiptarët.r

27 – Ali Pashë Arabxhiu

Lindi në Ohër. Hyri në ushtri si jeniçer dhe përfundoi si komandant i jeniçerëve. Më vonë u bë komandant i rojeve në oborrin e sulltanit. Në vitin 1691 bëhet kryeministër deri në 1692. Sulltani nuk miratoi disa veprimtari politike të tij në drejtimin e shtetit, dhe për këtë arsye e ekzekutoi.

28 – Hysen Qypyrliu

Me origjinë nga familja e madhe e Qypyrlinjëve, kushëri i parë me bijtë e Mehmet Qypyrliut. Në fillim qe ministër i marinës, dhe pas mbrojtjes së Beogradit kundër austriakëve, u bë kryeministër në vitet 1697-1702.

29 – Dalltaban Mustafa Pasha

Ishte shqiptar i lindur në Manastir, i cili ngjiti shkallët e karrierës në sajë të aftësive të tij politiko-ushtarake. Nga jeniçer në komandant të jeniçerëve. Ai qeverisi në disa vilajete si në Bagdad, Bosnjë dhe Anadoll. Qeverisi vendin si kryeministër në vitet 1702-1703.

30 – Numan Pashë Qypyrliu

Me origjinë nga familja e qypyrlinjëve, ishte nipi i Mehmet Qypyrliut, dhe qeverisi shtetin në vitin 1710. Para se të bëhej kryeministër në vitin 1708 u martua me të bijën e sulltanit.

31 – Haxhi Halil Pashë Shqiptari

Ishte nga Shqipëria i lindur në Elbasan. Ai ngjiti shkallët e karrierës me mundim dhe punën e vet, duke kryer disa detyra si komandant ushtarak e qeveritar, deri sa në vitin 1716 u bë kryeministër.

32 – Ivaz Zade Halil Pasha u bë kryeministër në vitin 1770.

33 – Almedar Bajraktar Mustafa Pasha

Ishte shqiptar dhe mori detyrën e kryeministrit pasi hipi në fron sulltan Mahmut Hani II. Ka qenë një ushtarak dhe tregtar i zoti. Ka marrë pjesë në ekspeditën ushtarake kundër Rusisë. Ai ndihmoi Selimin III që të reformonte ushtrinë e pabindur të jeniçerëve dhe u bë kryeministër nga sulltan Mahmuti II.

34 – Memish Pasho i zgjuar ishte kryeministër në vitet 1808-1809.

35 – Gjirtili Mustafa Nail Pasha

Ishte me origjinë nga Kosturi, që sot grekët e quajnë Kastoria, dhe u bë kryeministër 3 herë me ndërprerje në 1853, 1854, 1857. Përpara se të bëhëj kryeministër ai qeverisi Kretën për disa vjet duke vendosur paqen dhe qetësinë atje. Ai qe ministër disa herë, derisa u bë kryeministër i perandorisë.

36 – Mehmet Ferit Pashë Vlora

Ishte kryeministër në vitet 1902-1908 dhe ka lindur në Janinë, pasi la postin e kryeministrit u bë kryetar senati dhe ministër i brendshëm.

37 – Mirsili Said Halim Pasha

Ishte nipi i Mehmetit të Kavallës. Ai u bë senator dhe më pas kryetar i Senatit në 1912, ministër i brendshëm, dhe kryeministër në vitet 1913-1917.

38 – Ahmet Izet Pasha

Me origjinë nga Manastiri, qe kryeministër në vitin 1918.

39 – Demat Ferit Pasha

Ishte kryeministri i fundit i perandorisë osmane në 1919-1920.

Shqiptarët qeverisën perandorinë osmane si kryeministra, për një periudhë prej afro 150 vjetësh. Kryeministrat shqiptarë i dhanë osmanëve Anadollin, Konstandinopojën, Irakun, Jemenin, Egjiptin, Algjerinë, Libinë, Arabinë, Sirinë, Hungarinë, Krimenë, Kretën etj. Pra, me punën dhe mendjen e shqiptarëve, u ngrit perandoria osmane. Ky është një fakt që pranohet nga vetë turqit dhe historianët që studiojnë këtë periudhë të historisë. Gjatë shekullit të 18-19, nuk ka pasur shumë shqiptarë në rangun e kryeministrit dhe shihet që perandoria pati disfata të tmerrshme që vunë në pikëpyetje ekzistencën e saj. Po të mos ishte për disa shtete perëndimore të cilat donin ta mbanin për kundrapeshë ndaj Rusisë, patjetër që do të kishte rënë. këto 2 shekuj shqiptarët nuk ishin pa pushtet, por kishin fituar pavarësinë nga sulltani, dhe qeverisnin për llogari të vet në disa shtete, si në Arabi, Siri, Egjipt etj.

Burimi: Gazeta Votra

 

Lufta e Çanakkalasë – 1915

28/07/2013 Lini një koment

Prof. Savash VELIU

 

LUFTA E ÇANAKKALASË – 1915

Savash Veliu

Savash Veliu

Me rëndësi është hidhërimi i madh i Vinston Çerçilit në frontin e luftës nga humbjet e shumta, me ç’rast do të thotë: “Muslimanët nuk janë njerëz, prandaj ata zhdukni”. Me urdhër të tij u përdorën edhe helmet kimike.

Pasi Sulltan Abdylhamidi refuzoi të shpërngulet nga Stambolli para aleancës shkatërruese, atëherë hiseja ra që Turqia të mbrohet nga Çanakkalaja. Në perandorinë otomane vinin gjeneralë të lartë gjermanë si vullnetar lufte. Armada e pestë tokësore osmane iu dha Gjeneralit gjerman për mbrojtjen e gjirit të Çanakkalasë. Kurse, gjermanët fshehurazi otomanëve, si gest të mirë, ua dhuroi një fregatë luftarake. Ishte ky një komplot gjerman ndaj Otomanëve, që gjithsesi t’i involvojë në luftë me Rusinë, për të dëbuar atë nga fronti i Evropës, që Gjermania lirshëm të merrte frymë nga trysnia e madhe në luftë.

Anija me ekuipazhin luftarak gjerman, hyri në port në shërbim të otomanëve, duke ngritur flamurin osman. Fregata merr rrotën drejt veriut dhe futet në Detin të Zi, duke iu afruar brigjeve të Krimes prej ku bombardoi tokat ruse. Kështu plani gjerman u krye me sukses. Rusia nuk vonoi dhe shpalli luftë Turqisë.

Turqia e raskapitur nga luftërat e mëparshme perandorake, me padëshirën e saj u fut në një luftë të pabarabart. Gjeneralët gjermanë udhëhiqnin ushtrinë otomane në Luftën e Çanakkalasë me një strategji tinëzake, duke e ndryshuar taktikën luftarake me tërheqjen e ushtrisë osmane prej skajeve të Geribollusë në brendi të gadishullit.

Me pretekst të zgjatjes së luftës mes Anzakëve, që gjermanët në frontin evropianë t’ua dobësojnë sulmet e Aleancës në favor të vet. Anzakët nga deti furishëm sulmuan otomanët duke shpejtuar në mposhtjen e tyre, që për ditëlindjen e Mbretëreshësës, 18 qershor, t’ia dhurojnë si peshqesh fitoren e madhe, por ndërkohë me sulme detare duhej të kalohej gjiri i Çanakkalas, për t’i dalur në ndihmë Rusisë me drithë, gjë e cila i mungonte në frontin luftarak. Por, fushata dështojë. Anzakëve u shkoi puna huq!

Tani “Aleanca” ndërroi taktikën luftarake duke ndërmarr invazionë tokësor. Tmerri luftarak filloi më 18 mars të vitit 1915, kur aleanca franko-britanike e ndihmuar nga Rusia, me tendenc për mposhtjen e qytetit perandorak – Stambollin, bashkë me Perandorinë Osmane. Ata gjatë invazionit përdorën dredhira të ndryshme, duke tubuar rekrutë muslimanë nga India, Pakistani etj, me pretekst se do ti luftoninë fashistët evropian. Gjatë sulmit të parë nga dy anët u dëgjua “Allah-Allah” dhe ezanet.
Rekrutët musliman të habitur u ngulfatën, duke kuptuar se ishin të manipuluar nga kolonistët e tyre. Lufta megjithatë filloi, drama e luftimeve zgjati plotë shtatë muaj e gjysmë (245 ditë) pa ndërprerë !!!

Tentimi i Anglezëve që të kalojnë gjirin e Çanakkalasë, ishte dalja në ndihmë Rusisë në luftën kundër Gjermanisë dhe Turqisë, duke pushtuar Perandorinë Osmane, e në veçanti Irakun dhe Iraninë me basenet e pasura të naftës. Rusia në atë kohë përgatite plane “Nihiliste (hiqin)”, me reformatorët mësimorë për t’i aplikuar tek muslimanët, si në vendet e perëndimit ashtu edhe në Rusi, duke u bazuar tek mendja, e jo librave të fesë dhe dijetarëve të Islamit. Me deshirën e Zotit, aleatët e Rusisë nuk i dolën në ndihmë dhe në vitin 1917, në rusinë Cariste shpërtheu Revolucioni Bolshevik. Në pushtet vjen Bollshevizmi, dhe programi Rus dështoi. Revolucioni Bolshevik u inicua nga Cionistët Çifut, duke ua dërguar valixhet prej Parisi përplot me para – Trockit dhe Leninit. Këta ishin Lider bolshevikë të organizuar dhe të paguar nga Llozha Masone e Parisit.

Lufta çdo ditë vinte dhe bëhej më e përgjakshme, distanca e cakut të zjarrit mes ushtrive arriti deri në 8 metra, plumbat qëllonin njëri-tjetrin. Me vetëdije të lartë ushtari osman pas çdo tre minute shkonte në vdekje, duke marrë pozicionet e shokëve të vrarë. Një anglez dhe australian, shokun e vrarë e varrosnin tre herë, sepse predhat e topave u’a nxirninë trupat e të vdekurve mbi sipërfaqe të tokës.

Në këtë luftë të përgjakshme, në ushtrinë osmane merrninë pjesë turk, shqiptarë, boshnjak, torbesh, rom, kurd dhe arab si një ummet të fesë islame dhe nuk vërehej që ushtari osman të mos falte namaz. Çaushi Mehmed, urdhëroi “prej sot pa abdest të mos luftohet, mbushja e topit të përcillet me ezanin Muhammedin, pas zjarrit të thuhet me zë të lartë tekbiri, dhe të lexohet pa ndal Kurani. Në luftën e përgjakshme do të vriten 560 mijë ushtarë. Në anën e osmanëve u vranë 253000 mijë ushtarë. Lufta gjoks më gjoks mposhti forcat aleate.

Analistët perëndimorë çmuanë lartë ushtarin osman për moralin dhe sjelljen e tij si luftëtar fer plej, sepse armikun e plagosur e ndihmonte dhe e shëronte në spital me mjekim dhe ushqim, kurse ata i bombardonin me qellim spitalet ushtarake osmane, duke vrarë me mijëra të plagosur! Lufta e Çanakkalas do të karakterizohet si: “Lufta e fundit e Xhentlemenëve”.

*Lufta e Çanakkalasë do t’i japë gjithë historisë së shekullit XX-të një dimension dhe kahje tjetër, duke e ndryshuar rrënjësisht karakterin e saj. Vlenë të theksohet se me largimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani e gjetiu, gjithë bota do të fundoset në gjak !

Hyrja e aleatëve Franko-Anglez në Lindjen e Mesme u kry me anë të udhëheqsit Lanby. Luftërat e kryqëzatave pësuan humbje, por pas kësaj vijnë kryqëzatat e teta, në këtë luftë ajo ngadhënjeu. Gjenerali Britanik Lanby me atë rast do të thotë: “Sot përfunduan luftërat e kryqëzatave”.

Marrëveshje shumë më e mirë ka mundur të bëhet 10 vjet më parë

10/07/2013 Lini një koment

Nexhmedin SPAHIU

 

MARRËVESHJE SHUMË MË E MIRË KA MUNDUR TË BËHET 10 VJET MË PARË

Nexhmedin Spahiu

Nexhmedin Spahiu

Nënshkrimi i marrëveshjes mes Thaçit e Daçiqit shtron çështjen e zbatimit. Në çdo marrëveshje palët marrin e japin diçka. Problemi është se me këtë marrëveshje Kosova fitoi pak e Serbia shumë dhe për më tepër Serbia e fitoi menjeherë, ndërsa Kosova veresie.

Sido që të jetë kjo tashmë është e pakthyeshme dhe nuk ia vlen të vajtohet. Përpjekjet tona duhet të fokusohen në atë që të merret sa më parë ajo gjë pak që është veresie. Kjo nënkupton angazhim maksimal dhe punë në terren. Kjo kërkon angazhim edhe të Beogradit edhe të Brukselit por puna kryesore i mbetet Prishtinës.

Kjo punë që duhet të bëhet tani, shumë më lehtë e më mirë për Kosovën ka mundur të bëhet para 10 viteve, por nuk është bërë vetëm pse atëherë Thaçi nuk ishte në krye të vendit dhe i pengonte tjerët ta kryenin pa të.10 vite më parë ishte më e lehtë çfarëdo marrëveshje për shkakun se ende nuk ishte shpallur pavarësia e Kosovës dhe pushtetin në Serbi e kishin ata që sot animojnë pavarësinë e Kosovës.

Në vijim po e jap artikullin tim të botuar në “Koha Ditore”, “Fakti”, Shkup, dhe “Shekulli” Tiranë, më 07.11.2003

Domosdoja e bisedimeve shqiptaro-serbe në Mitrovicë

Paraqitja e bujshme e bisedimeve Prishtinë-Beograd në Vjenë përfundoi pothuajse me fiasko falë qasjes së gabuar të ndërkombëtarëve dhe mosgatishmërisë së klasës politike serbe e kosovare për t’u ballafaquar me sfidat e kohës.

Pra thënë shkurt, Vjena demonstroi në njërën anë paaftësinë e Beogradit për ta dominuar Kosovën, dhe paaftësinë kosovare për t’u prezentuar si shtet.
Kjo është vetëm forma, ndërsa substanca ka të bëjë me faktin se nga pala kosovare bartës të dialogut me Beogradin nuk mund të jenë vetëm ata që përfaqësojnë shumicën e qytetarëve të Kosovës (LDK-ja) por edhe ata që përfaqësojnë pjesën më dinamike të Kosovës (PDK-ja).

Këtë e kuptojnë të gjithë: edhe kosovarët edhe Beogradi edhe ndërkombëtarët. Ishte pikërisht pjesa e popullsisë që përfaqëson Thaçi e Rexhepi ajo që prishi ekulibrat ekzistues Beograd-Prishtinë më 1998-1999 dhe është ajo që mund t’i krijojë ekuilibrat e rinj. Pikërisht ky fakt ka bërë që kryeministri Rexhepi dhe kreu i PDK-së Thaçi nuk shkuan në Vjenë. Mosshkuarja ua ngriti atyre pazarin politik, por i demtoi interesat e Kosovës. Thjesht, ata e shfrytëzuan rastin ta akcentojnë faktin se pikërisht ata janë lojtarët kyçë të dialogut me Beogradin.

Natyrisht se kjo lojë nuk mund të vazhdojë pafundësisht, sepse interesi i dialogut Prishtinë – Beograd i takon më shumë Prishtinës sesa Beogradit, Brukselit apo Uashingtonit. Beogradi i ka rregulluar punët me Hungarinë, Rumuninë, Bullgarinë, Maqedoninë dhe së fundit edhe me Kroacinë e Malin e Zi. Gjysmën e Bosnjës e ka më Serbi se sa vetë Serbia dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Brukselin e Uashingtonin është një proces që po përshpejtohet.
Në anën, tjetër klasa politike e Kosovës akoma nuk e ka kuptuar se Kosova nuk ka dalje në det. Katër vitet e pasluftës Kosova bëri jetën e foshnjës politike në duart amerikane. SHBA-të në ndërkohë kanë krijuar foshnje të reja (Afganistanin, Irakun) të cilat po i krijojnë kokëçarje ndoshta edhe të paparashikuara dhe nuk ia ka ngenë të merret me foshnjën xhuxhe katërvjeçare që quhet Kosovë. Kosova duhet tani të hecë vetë. Të çajë rrugët vetë. Krerët e institucioneve të Kosovës nuk duhet të presin dhurimin e kompetencave të plota për të vepruar, por duhet të veprojnë me ato mjete, me ato kompetenca dhe me ato forca që kanë.

Kryeministri Bajram Rexhepi ashtu siç nuk ka pritur rroba antiplumb, armë moderne dhe paisje të duhura medicinale për të shkuar në UÇK, por ka shkuar me ato mjete që ka disponuar, po ashtu duhet të çajë rrethimin e Kosovës, duke u takuar me homologët e tij të Maqedonisë dhe të Malit të Zi për të pasur një pozitë më të favorshme në bisedimet me kryeministrin serb.

Çfarë problemi ka të takohet ministri kosovar i arsimit me ministrin maqedonas të arsimit? Që të dy janë shqiptarë. Interesi reciprok ekziston. Kush mund t’i ndalojë ata që të nënshkruajnë marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave? Shumë shqiptarë të Maqedonisë kanë probleme me njohjen e diplomave të fituara në Kosovë.

Pra Prishtina, ka nevojë për dialog me Beogradin më shumë se që Beogradi ka nevojë dialogu me Prishtinën.I vetmi interes i Beogradit për dialog me Prishtinën është shmangia e presionit ndërkombëtar. Prishtina duhet të jetë ajo që duhet të tregojë rëndësinë e dialogut edhe Beogradit edhe Brukselit e Uashingtonit dhe jo e kundërta. Dhe dialogu duhet të nisë aty ku është thelbi i problemit: Mitrovica.

Prishtina duhet të jetë ajo që dialogu të jetë shqiptaro-serb brenda Kosovës, kurse Beograd-Prishtinë kur është fjala në raportet me Serbinë. Është kundër interesit të Kosovës bisedimet Beograd-Prishtinë të quhen dhe të trajtohen si bisedime shqiptaro-serbe, gjë që nënkupton që serbët e Kosovës të rreshtohen në pjesën serbe të tavolinës. Bisedimet shqiptaro-serbe (të cilat duhet të zhvillohen brenda Kosovës) duhet t’iu paraprijnë bisedimeve Beograd-Prishtinë. Ç’është e vërteta, liderët lokalë shqiptarë të Mitrovicës vazhdimisht e kanë kërkuar këtë, por përkrahja nga Prishtina ka munguar dhe mungon akoma.

Është koha e fundit që Prishtina të ndërmarrë iniciativën në këtë drejtim për të imponuar një dialog shqiptaro-serb në Mitrovicë. Janë shumë çështje jetike për qytetarët e Mitrovicës dhe tërë Kosovës të cilat mund të zgjidheshin përmes këtij dialogu. Ekzistenca e universitetit serb të Mitrovicës është përkrahur publikisht në një formë apo një formë tjetër nga kryeministri Bajram Rexhepi. Ky ka qenë një rast i humbur për imponimin e dialogut.

Një rast për fillimin e dialogut është edhe çështja e rindërtimit të Xhamisë së Ibrit dhe ndërtimit të Kishës Ortodokse serbe në veri të Mitrovicës. Si, kur, pse e qysh? Kjo iniciativë dhe presioni mbi ndërkombëtarët duhet të rrjedh prej Prishtinës.

Burimi: http://www.zeri.info/artikulli/4681/marreveshje-shume-me-e-mire-ka-mundur-te-behet-10-vjet-me-pare

Me mrekulli ekonomike Erdogan shkruan historinë e Turqisë

03/07/2013 Lini një koment

Ajni SINANI

ME MREKULLI EKONOMIKE ERDOGAN SHKRUAN HISTORINË E TURQISË

“Ne e nisëm këtë udhë me qefinin në dorë dhe, me lejen e Allahut, ky karvan do ta vijojë rrugën ashtu siç e ka nisur. Ky popull i del për zot qeverisë së tij, ky popull cilado qoftë partia, prejardhja etnike dhe karakteri i tij, i del për zot qeverisë që ka. Ja pikërisht në këtë pikë ai i del për zot demokracisë, vullnetit kombëtar dhe të ardhmes së tij. Sot, ku po i bëjmë thirrje botës me këtë miting, unë iu falënderoj të gjithë një e nga një”. (Erdogan në mitingun e Ankarasë)

Ajni Sinani

Ajni Sinani

Erdogan ka arritur një mrekulli ekonomike në Turqi. Ai, gjatë udhëheqjes së tij prej një dekade, e ka transformuar Turqinë dhe ekonominë e saj, që ishte përlotë kriza dhe e zhytur në borxhe për dekada të tëra, në një vend me ekonominë dhe rritjen më të shpejtë në Evropë dhe botë. Turqia sot zë vendin e shtatëmbëdhjetë në rang botëror. Në një kohë kur shumica e vendeve të Bashkimit Evropian janë përfshirë nga falimentimi dhe recesioni ekonomik paralizues, ky udhëheqës musliman i ka trefishuar të ardhurat për frymë.

Kjo ka bërë që Erdogani të jetë politikani më popullor dhe lideri më i fuqishëm që nga koha kur Mustafa Qemali themeloi shtetit laik turk pas rënies së Hilafetit Islam Osman, nëntëdhjetë vjet më parë.
Politika e Erdoganit në Republikën e cila konsiderohet ndër më laiket në botë në planin e saj të jashtëm shihet nga të huajit si neo-osmane, kurse në planin e brendshëm si politikë që vë në pikëpyetje laicitetin e saj.
Lojërat në parkun Gezi
Forca të huaja të fshehura kanë qëndruar mbrapa protestave të Parkut Gezi në Taksim. Organizata të brendshme dhe institucione të jashtme, që vlerësojnë sipas standardeve të dyfishta, deshën që përmes grupe vandalësh të përhapnin kaos për të shkatërruar çdo gjë që kishte ndërtuar Erdogani në 10 vjet, për ta kthyer Turqinë me vite pas.
Por Erdogani dhe ata që qëndrojnë përkrah tij i kanë kuptuar komplotet dhe shpresojmë që me ndihmën e Allahut dhe zgjuarsinë e popullit do të kalohet ky kurth: “Ata bënin kurthe, por edhe Allahu ngrite kurthe (kundër tyre). Allahu është që i ngre më mirë kurthet”, (El Enfal: 30).
Duke reaguar ndaj disa mediave që bënë transmetime për t’i hedhur baltë Turqisë, Erdogani i është drejtuar mediave ndërkombëtare dhe fuqive të huaja të cilat kanë shtrembëruar ngjarjet, duke thënë:
“Imazhi, respekti dhe fuqia e Turqisë nuk mund të lëkunden me 3 lajme të gënjeshtërta. Këto media le të shkojnë në republikat e bananeve dhe le të bëjnë atje operacione me lajme të gënjeshtërta, sepse operacione të tilla nuk pinë ujë në vendin tim. Ata nuk mund të bëjnë ndërhyrje të tilla këtu”.
Disa komentatorë politikë janë shprehur kundër ‘tiranisë’ së Erdoganit gjatë këtyre njëmbëdhjetë vjetëve dhe kjo, sipas tyre, na qenka një kohë e gjatë për brezin e ri i cili dëshiron president çdo katër orë! Të rinjtë dhe njerëzit, thonë këta analistë destruktivë, janë të lodhur nga imazhet e Erdoganit, prandaj ata duan ndryshime! Kur njeriu dëgjon kësisoj analizash mendon se ato vijnë nga komentues të dehur nga alkooli, pije të cilën Erdogani e ka ndaluar në afërsi të universiteteve pas orës 10:00 të natës, ndalesë e cila mbase nuk vlen edhe për ta.
Disa analistë të mbrapshtë janë përpjekur që Erdoganin ta përshkruajnë madje si Hosni Mubaraku dhe kishin paralajmëruar një minutë heshtje për të mbajtur zi për jetën e tij politike të ‘tiranisë’, por nuk kanë përmendur edhe atë të ‘korrupsionit’!
Por, njerëzit në Turqi i kanë kuptuar lojërat e rrezikshme dhe, me këmbëngulësinë dhe vendosmërinë e tyre, karvani i nisur nga Erdogani do të vazhdojë përpara drejt një të nesërme edhe më të ndritshme për Turqinë.
Gjatë gjithë këtyre ditëve, rrugët e qyteteve të mëdha të Turqisë janë vërshuar nga një lumë i pafund njerëzish që dalin në përkrahje të Erdoganit kundër krokodilëve dhe demonëve që kërkonin të rrëzonin qeverinë në Sheshin Taksim për shkak të 13 pemëve.  Qëllimi i këtyre krokodilëve dhe gjarpërinjve ishte për të goditur Erdoganin politikisht, në emër të gjoja mbrojtjes së mjedisit. Prandaj është e qartë se parku ishte vetëm një shkas.
Sot kemi një shtim të vetëdijes së populli turk dhe ai do ta prishë këtë lojë të madhe i cili është i paluhatshëm për t’i ruajtur këto të arritura të mëdha, që të mos shkaktohet konfuzion dhe të mos joshen ata që duan ta pengojnë përparimin e paparë të Turqisë nga zilia që fshehin mercenarët e brendshëm, lobet e përfitimeve dhe interesave nga kamata dhe armiqtë e jashtëm.
Një nga arritjet më të rëndësishme të AKP-së janë përpjekjet e vazhdueshme dhe serioze për sjelljen e ligjeve që eliminojnë korrupsionin dhe çoroditjen morale dhe sociale në Turqi. Këto ligje lidhen me doktrinën e drejtë që beson populli turk dhe përputhen me natyrën e shëndoshë dhe moralin, duke parandaluar korrupsionin dhe duke luftuar gradualisht dukuritë shkatërruese për shoqërinë. Qeveria ka sjellë, brenda agjendës së saj konservatore, disa ligje dhe rregullore që lidhen me abortin, shitjen dhe përdorimin e alkoolit, madje edhe ato që lidhen me makijazhin dhe veshjen e stjuardesave.
Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP-ja), që është në pushtet dhe që i ka rrënjët e saj në Islam – thotë se ligji është duke kërkuar që ta mbrojë shoqërinë, dhe të rinjtë në veçanti, nga efektet e dëmshme të alkoolit. Ndërkaq, kundërshtarët e akuzojnë AKP–në se gradualisht po imponon një agjendë islamike.
Projekte gjigante
Në mesin e këtyre projekteve janë: ura, kanali detar, një xhami e madhe, aeroporti i tretë në Stamboll, centrale nukleare dhe Projekti Marmara.
Ura
Ura me gjerësi prej 59 metrash, që është planifikuar të përurohet në vitin 2015, do të jetë ura e varur më e gjerë në botë. Kostoja e kësaj ure, mbi të cilën do të kalojë edhe një linjë hekurudhore, do të jetë rreth 2.5 miliardë euro. Nëpër të do të kalojnë tetë korsi për qarkullim rrugor dhe dy hekurudha.
Aeroporti
Pas përfundimit, aeroporti do të ketë një kapacitet prej 150 milionë pasagjerësh në vit dhe do të jetë njëri prej aeroporteve më të mëdha në botë. Kostoja e përgjithshme e investimit është 10 miliardë euro. Kur të mbarojnë të gjitha fazat e projektit, ai do të jetë me 165 ura për hyrje të pasagjerëve në aeroplanë, katër terminale, tre blloqe teknike, tetë kulla kontrolli dhe gjashtë pista.
Kanali detar
Gjatë qershorit, Turqia do të fillojë ndërtimin e një kanali detar, që do të lidhë Detin e Zi dhe Detin Marmara. Qëllimi i këtij projekti është që të zvogëlohet komunikacioni i stërngarkuar detar në Ngushticën e Bosforit. Me ndërtimin e këtij kanali pjesa evropiane e Stambollit do të shndërrohet në një ishull të madh. Nëpër kanalin e ri, që do të jetë me gjatësi prej 45 kilometrash, parashikohet të vitalizohet i tërë qarkullimi prej rreth 50 000 anijesh transporti dhe tankera, që tani kalojnë në këtë ngushticë. Në të ardhmen, thonë qeveritarët turq, Bosforin do ta shfrytëzojmë vetëm për aktivitete sociale dhe kulturore.
Centrale nukleare me vlerë prej dhjetëra miliardë dollarësh. Centralin nuklear në Akkuyu të Mersinit do ta ndërtojë Rusia. Kurse centralin bërthamor në Sinop do ta ndërtojë Japonia.
Projekti Marmara
Qeveria turke, në bashkëpunim me kompani japoneze, po punon për projektin Marmara, tunel që do të lidhë dy pjesët e Stambollit, duke kaluar poshtë Ngushticës së Bosforit.
Erdogan është këmbëngulës për këto projekte, që janë ‘të rënda’ prej dhjetëra miliarda dollarësh amerikanë,  me të cilat ai do ta shndërrojë vendin e tij në një fuqi të madhe botërore.
Prandaj nuk duhet të lejohet që disa vandalë, marksistë, anarkistë, satanistë, plaçkitës, konsumues të alkoolit, drogës, homoseksualë, laikë të tërbuar dhe njerëz të tjerë të korruptuar, ta dëmtojnë Turqinë.
Ndërkaq pakica opozitare, që nuk po arrin të fitojë me vota, duhet ta respektojë mendimin e shumicës dërrmuese të popullit turk, të heqë dorë nga shkatërrimi i pronës shoqërore e private dhe të mos bjerë pré e konspiracioneve të jashtme, të cilat e shohin me zili zhvillim e Turqisë dhe pozicionimin e saj në favor të çështjeve të muslimanëve kudo në botë.
Vendet perëndimore, që kundërshtojnë anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian pavarësisht reformave të bëra, pa marrë parasysh përgjigjen ndaj kushteve të anëtarësimit, nuk mund të harrojnë se ushtria osmane mbërriti deri në Vjenë, në zemër të Evropës për ta pushtuar.
Gabimi më i madh i Erdoganit, në sytë e aleatëve të tij perëndimorë, ishte reagimi e tij ndaj arrogancës dhe bllokadës së padrejtë izraelite ndaj Rripit të Gazës, një gabim që nuk është shlyer dhe harruar. Kjo që po ndodh në Turqi është një kosto që Turqia po paguan për qëndrimet dhe pozicionimet e drejta ndaj Palestinës, Somalisë, Sirisë, Irakut dhe çështjeve të tjera të drejta dhe humanitare.

Mevludi, poema më e recituar në botë

20/06/2013 Lini një koment

MEVLUDI, POEMA MË E RECITUAR NË BOTË

mevludi-sherifCila mendoni se është poema më e recituar në botë? A ka ndonjë poemë që recitohet përpara një audience të madhe pothuajse çdo ditë?

Një kryevepër e letërsisë Turke shkruar në 1409, Mevludi është një poemë e gjatë e cila është përgjigjja e saktë e pyetjes së mësipërme. Bashkë me të qenit një poemë e gjallë që reflekton dashurinë e popullit për Profetin (a.s.), kjo vepër 800 vargëshe është kthyer në një lutje me vlerë. Kjo është aq e vërtetë, saqë mund të themi se pothuajse në të gjitha vaktet e faljeve mund të bëhemi dëshmitarë të mbajtjes së një ceremonie Mevludi dhe dëgjojmë recitimin e kësaj poeme plot ndjenja dashurie për Profetin (a.s.). Është një praktikë e zakonshme e njerëzve të mbajnë Mevlud në raste lindjesh, diplomimesh, vdekjesh, përvjetorësh dhe shumë të tjera. Në këtë kontekst, Mevludi ka një vlerë që nuk mund të krahasohet kurrë me asnjë poemë tjetër në botë. Greku Homer, francezët La Fonten, Bodelar apo Rimbaud, anglezët Shekspir dhe Milton, gjermani Gëte, rusi Pushkin, apo Edgar Alen Po ose Emily Dikinson i amerikanëve; asnjë nga veprat e këtyre poetëve nuk është recituar kaq shumë sa ajo e Sulejman Çelebiut. Imagjinoni sikur veprat e këtyre poetëve të mëdhenj të recitoheshin rregullisht dhe të dëgjoheshin nga grupe të mëdha njerëzish në kohë të caktuara të ditës; kjo është ajo çka në mënyrë të natyrshme ndodh me Mevludin e Sulejman Çelebiut.

Duke filluar që nga shekulli X janë shkruar me qindra poema në gjuhë të ndryshme dedikuar kujtimit të bekuar të Profetit (a.s.), mesazhit dhe mrekullive të tij. Fakti që të gjitha këto poema patën të njëjtat tema çuan drejt një stili. Padyshim Mevludi i Sulejman Çelebiut fillimisht vjen në këtë perspektivë. Ky punim influencoi në vepra të ndryshme të të njëjtit lloj në arabisht dhe në gjuhë të tjera, gjithashtu ekziston edhe një përkthim i drejtpërdrejtë në arabisht.

Ekzistojnë përkthime të mevludeve në shumë gjuhë, si p.sh., në arabisht, persisht, boshnjakisht, shqip etj.

Mevludet e para në gjuhën shqipe gjejnë fill me Mevludin e parë të Hasan Zyko Kamberit e vazhdojnë deri në ditët tona. Mevludet e para në gjuhën shqipe kanë qenë të shkruara me alfabetin turko-arab e më vonë në alfabetin shqip. Këto mevlude kanë qenë përkthime, përshtatje dhe origjinale, dhe kanë përfshirë të gjitha zonat e Shqipërisë, trojet shqiptare dhe diasporën. Në gjuhën shqipe sot mund të numërojmë më shumë se njëzet Mevlude të botuara në kohë të ndryshme.

Mevludet në gjuhën shqipe kanë pasur përhapjen e tyre në zona të ndryshme, disa prej tyre janë ribotuar disa herë dhe kanë patur një shtrirje më të gjerë.

Nga Mevludet më të njohura të autorëve shqiptarë mund të veçojmë Mevludet e Hafiz Ali Ulqinakut, Hafiz Ali Korçës, Farudin Osmanit, Hafiz Zemblakut dhe Tahir Popovës.

Mevludi është një vepër e cila i prezantoi botës poemën më të recituar në botë, është e rëndësishme sepse pasqyron në mënyrë objektive ndjenjat fetare të shoqërisë. Shpresojmë që vepra të tilla të rrënjosura në kulturën e popullit do të ndihmojnë ata që duan të dinë rreth Islamit, të kuptojnë botën e brendshme të myslimanëve, dashurinë që ata ushqejnë për Profetin dhe lidhjet shpirtërorë midis tyre dhe atij në mënyrë korrekte.

Disa vargje nga vepra:

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Për nder të Muhamedit mos kurse rahmetin

Na dhuro neve o Zot bukurinë e xhenetit.

Sado faje të kemi, shpresën nuk e presim

Zot i madh prej Teje shumë mëshirë presim.

Madhështia Jote na jep shumë shpresë

Mëshira që ke, nuk na lë pa pjesë.

Nëse na i fal gabimet tregona bukurinë

Nëse na përzë, prapë tek Ti ne vijmë.

Me zemër të djegur Allah të thërresim

Me Allah në gojë Zot! edhe kur të vdesim!

(nga Mevludi i H. Ali Korçës)

Referencat

Mevludet në gjuhën shqipe, Faik Luli-Islam Dizdari, Sh.B. Camaj-Pipa, Shkodër 2002

Burimi: http://www.dritaislame.al/mevludi-sherif-poema-me-e-recituar-ne-bote/

Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare

29/05/2013 Lini një koment

Ajni SINANI

REXHEP QOSJA DHE ISMAIL KADARE

Ajni Sinani

Ajni Sinani

Shkrimi “Identiteti evropian i shqiptarëve”, nga Ismail Kadare, vlerëson Rexhep Qosja me çka pajtohemi edhe ne “është i mbështetur në premisa të gabuara në përpjekje për të dëshmuar, në njërën anë kundërshtitë kulturore midis Evropës e Lindjes muslimane, kurse, në anën tjetër, sipërinë e identitetit evropian ndaj identiteteve të tjera, para së gjithash, ndaj identitetit musliman!”

Kohëve të fundit nuk janë të rralla rastet kur Kadare vlerësohet për ide raciste. Dhe sigurisht se edhe shkrimet e tij ndaj Islamit dhe muslimanëve kanë përmbajtje raciste.

Gjykimet e padrejta të Ismail Kadaresë në adresë të Islamit, për njohësit e veprës së tij, nuk janë edhe gjithaq befasuese. Ato mund të shihen edhe si reflektim dhe interpretim i një raporti acarues politik dhe fetar të kohës së sotme.
Është evidente se ekziston një klimë dyshimi ndërmjet SHBA-së dhe shumë vendeve muslimane, veçanërisht pas pushtimit të Afganistanit dhe të Irakut. Disponimi  antiamerikan sa vjen e rritet në shumë vende muslimane. E njëjta gjë është duke ndodhur edhe me disponimin kundërmusliman në vende të ndryshme perëndimore.
Jo rrallë analistët muslimanë fjalët e Bushit pas 11 shtatorit dhe gjithë mobilizimin e tij ndaj disa vendeve muslimane në luftë kundër terrorizmit, i përshkruajnë si një kryqëzatë moderne.
Nuk ishin të rastësishme as karikaturat blasfemuese ndaj Muhammedit a.s. Kjo madje vlerësohet se ishte bërë për të matur impulsin e botës muslimane.
Çdo ditë mund të lexojmë se si muslimanët dhe xhamitë e tyre në perëndim shkaktojnë dhe ngjallin dyshim si tek qarqet shtetërore njashtu edhe tek popullata civile.
Disa madje profetizojnë epokën e konflikteve dhe luftërave ndërmjet civilizimeve e veçanërisht ndërmjet Krishterizmit dhe Islamit.
Propaganda e shfrenuar dhe e pandershme ndaj Islamit ka arritur apologjenë e saj.
Teologë të shumtë protestantë, katolikë dhe ortodoksë në mënyrë neveritëse dhe shumë të ultë shpifin duke shkruar dhe propaganduar gjithfarë të pavërtetash kundër Islamit. Me qindra e qindra milionë dollarë jepen për një propagandë të tillë antiislame.
Se popët, priftërinjtë dhe pastorët, gënjeshtrat e tyre ndaj Islamit mund t’i vlerësojnë si “shërbim ndaj fesë dhe Zotit” kjo është e kuptueshme.
Por nuk është gjithaq e kuptueshme se përse Kadare merr rolin e një telalli kundër identitetit musliman të shqiptarëve?!
Janë të paktë ata që kanë marrë guximin për t’iu kundërvënë ideve dhe përfytyrimeve  shpërfytyruese të Kadaresë ndaj Islamit. Është për çdo lëvdatë veprimi i Rexhep Qoses i cili pa hamendje, është ngritur kundër tij.
Me punën e tij për të hedhur poshtë idetë dhe përfytyrimet e gabuara të Kadaresë zotëri Qosja ka fituar simpatinë e gjithë dashamirësve të së Vërtetës Hyjnore.
Po të krahasonim pozicionimin e Qosjes mbase do të ishte deri diku i ngjashëm me qëndrimin e Ebu Talibit, xhaxhait të Muhammedit a.s.
Ndërkaq, Ismail Kadare me qëndrimet e tij ndaj Islamit na duket se është më afër poetit arab të injorancës Velid bin El Mugire. Velidi kur kishte dëgjuar Kur’anin i magjepsur kishte deklaruar se ai nuk është fjalë njeriu. Por interesi ia kërkonte që megjithatë të pozicionohej dhe të ishte kundër Islamit. Velid bin El Mugire edhe sot e kësaj dite përmendet si një njeri që pati rastin të jetë në anën e së Vërtetës Hyjnore, por që vdiq si një idhujtar injorant dhe kundërshtar i Islamit. Me sa kuptohet edhe Kadare preferon që në të  ardhmen, meqë dëshiron të përmbyllë jetën e tij ashtu sikurse edhe Velid bin El Mugire, të përmendet si një kundërshtar injorant ndaj Islamit.
Kurse zotëri Qosja, është pro Islamit sikurse thotë jo sepse e ka emrin musliman Rexhep. Jo, pse shkon në xhami, e as që fal pesë vaktet e ditës! Jo. As nuk shkon në xhami për t’u lutur, dhe as nuk fal asnjë vakt të ditës. E bëni këtë sikurse thotë për hir të perëndive të tij: të Vërtetës dhe të Drejtës. Edhe Ebu Talibi, as nuk kishte shkuar në xhami dhe as që kishte falur ndonjë vakt, madje as që arriti të pranonte Islamin. Megjithatë ai deri në çastet e fundit e mbrojti Muhammedin a.s. Ne do të donim që Rexhep Qosja megjithatë të bënte edhe një hap tutje dhe të ndiqte shembullin e Omerit r.a. i cili jo vetëm që u bë një luftëtar i denjë dhe i përkushtuar i Islamit deri në çastet e fundit të jetës së tij, por edhe vdiq si musliman i devotshëm.
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 77 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d blogues: