Archive

Archive for the ‘Qytetet e vjetra shqiptare’ Category

Tirana, 95 vjet kryeqytet nga historia e një tradite

12/02/2015 Lini një koment

Alba KEPI

 

TIRANA, 95 VJET KRYEQYTET NGA HISTORIA E NJË TRADITE

Tirana kryeqytet

9 shkurt 1920-2015, plot 95 vjet kur Tirana shpallet kyeqytet. Prej gati një shekulli është pjesa kryesore e një guide, e një trupi që bashkon shumë elementë, qyteti kryesor i një kombi, paçka se ende ka mjaft që mllefen duke analizuar se e meritoi ose jo këtë rëndësi politike. Shqipëria e kërkoi, Kongresi i Lushnjës e vulosi e banorët e pranuan këtë rol që të dhuroi historia. Kjo është e gjitha!
Jugu i vendit vuante ngacmimet e Greqisë, Veriu provokohej shpesh nga serbët dhe Tirana ishte ashtu siç parashikonte më 1899 profecia e Samiut të madh “Mez’ i Shqipërisë, domethënë kryeqytet’ i përgjithshëm, do të jetë një nga qytetet, që ndodhenë në mest të Shqipërisë, e në të cilët të flitet gjuha shqip. Po më mirë do të qe të bëhesh një qytet i ri në mest të Shqipërisë në një vend të shëndeçëm e të bukur. Ky qytet, të cilin ne mundim ta quajmë Skënderbegas, do të goditetë me një mëndyrë fort të bukurë, me udhë të gjëra e të drejta, me shtëpi të mira, me sheshe e me gjithë ç’duhetë; edhe në pak kohë mund të rritet’ e të madhohetë shumë, se gjithë parësi e Shqipërisë e shqipëtarët’e xgjuarë do të kenë nevojë të mblidhenë e të bëjnë shtëpi atje. Kështu, ky qytet i ri do të jet’ i çpenguarë nga të gjithë zakonet’ e keq, që kanë qytetet e vjetër; edhe me qenë qe ndejësit’ e ti do të jenë të mbledhurë nga gjithë anët e Shqipërisë, edhe gjuha që flitetë atje, do të jet’ e përzjerë, që të muntnjë të quhetë gjuh’ e përgjithçme e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë. Ky qytet me pak vende rrotull do të qeverisetë si një nënëgastr’e veçantë.”
Një fotografi bardhë e zi e bën të pavdekshëm hyrjen e qeverisë shqiptare në Tiranë, dy ditë pas vendimit zyrtar të Kongresit të Lushnjës. Më 11 shkurt 1920 përfaqësues të Këshillit të lartë Kombëtar, ministra e patriotë, fetarë e luftëtarë, ecin krah më krah, të gjithë bashkë e me të njëjtin hap, drejt kryeqytetit të ri të vendit. Mes tyre Ismail Efendi Ndroqi, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Ahmet Zogu, Eshref Frashëri, Mytesim Këlliçi etj, vijnë nga krahina të ndryshme të Shqipërisë e askush prej tyre nuk do ta kishte imagjinuar se, vendimi i shpalljes së Tiranës kryeqytet do të ngjallte në këtë epokë të sotme të modernizmit debate që limitohen në inate krahinore. Zgjedhja e tyre politike e me interes kombëtar, prej sot e një dekade sjell në çdo përvjetor retorikën e mërzitshme mediatike se e meritonte o jo të ishte kryeqytet. Si Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Tirana qe e është një qytet i Shqipërisë e nuk duhet harruar se pa kushtet e përshtatshme të brendshme të qytetit, vendimi i Kongresit të Lushnjës nuk do të ishte miratuar kurrë, pavarësisht pozitës së favorshme gjeografike që kishte.
Pranë Tiranës, në Qafë Kashar 95 vjet më parë qe vetë Kryetari i Bashkisë së Tiranës Ismail Efendi Ndroqi, ai qe priti përfaqësuesit e qeverisë së re për të hyrë në qytet, ndërsa ministri i brendshëm Ahmet Zogu i shpërndante të gjithë Prefekturave të Shqipërisë qarkoren; “T’i bahet me dijt popullit atjeshëm se kabineti ri i zgjedhun nga mbledhja Kombtare e Lushnjës, më 11. të k. muajit mrriti në Tiranë e filloji nga puna. Tirana u shënua për kryeqytet”.
95 vjet më parë Tirana kishte rregullin e qetësinë sociale, zhvillimin e qartësinë ekonomike, ecurinë e largpamësinë urbanistike, dijen e urtësinë intelektuale për të qënë pejsë e betimit të të gjithë deputetëve të Kongresit të Lushnjës; “Mbledhja kombtare jep fjalën e nderit e besën e shqiptarit duke u betuar në emën të perëndis se deri sa Këshilla e Naltë vepron mbas ligjet të Shtetit tue ruejtun indipendencën e plotë të Shqipnis me mish e me shpirt, do të jetë mprojtës e përkrahës i gjithhershëm i kësaj Këshille”.
“Pa një traditë të qëndrueshme nuk ka civilizim”- shkruan më 1895 Gustave Le Bon e frutet e kësaj tradite ritesh, zakonesh, dokesh, ndikuan pa dyshim në zhvillimin e qytetit të Tiranës. Falë aftësisë së banorëve të saj autoktonë u krijua një ekulibër i shëndoshë mes asaj çka të ofronte e përditshmja dhe asaj çka të këshillonte e kaluara. Kështë qe dje, e kështu vazhdon të jetë dhe sot.
95 vjet histori urbane, poltike e ekonomike e këtij qyteti, por dhe 95 vjet nga historia e një tradite kulturore që nuk zvenitet kurrë. Tì kujtosh disa prej tyre sot është një dhuratë morale ndaj Tiranës që feston ditëlindjen e saj si kryeqytet.

 

Kanuni i Bendës

 

Në Tiranë si kryesisht në tërë zonën e Shqipërisë së Mesme ka vepruar Kanuni i Bendës, norma dokësore, që rregullonin bashkëjetesën e marrëdhëniet sociale e ekonomike mes banorëve. Këto norma ligjore të traditës kanë si tipare etnopsikologjike nderin, barazinë, atdhetarizmin, përkatësinë sociale, mirësinë, besimin fetar, mikpritjen e besën. Kanuni i Bendës merr emrin nga krahina e Bendës e cila lidh Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut e të Jugut. Në Perëndim kufizohet nga rrethi i Krujës, Mali i Dajtit e mali i Linzës. Në Lindje nga Mali me Gropa dhe mali i Xibrës. Në jug nga krahina e Shëngjergjit, ndërsa në Veri nga Qafë Shtama. Sipas Profesor Eqerem Cabej fjala Bendë ka rrjedhur nga togfjalëshi “toka pas malit”, pasi kjo krahinë shtrihej pas vargmalit Krujë-Dajt. Po sipas tij në këtë zonë fjala “buenë” do të thotë vërshim ujrash e ndryshimet fonetike kanë çuar në trasformimin e saj në fjalën Bendë. Dhjetra nene e qindra paragrafë rregullojnë e orientojnë lidhjet e fejesës, martesës, ceremonitë, marrëdheniet në familje, farefis e shoqëri, përcaktojnë rregullat ekonomike e sociale mes të gjithë bnorëve. Karakteristikë e Kanunit të Bendës është origjinaliteti i tij, pa dyshim me mjaft ngjashëmëi me Kanunin e Skëndërbeut, por dhe me të Lekë Dukagjinit. Veçanti qe hierakia në vendosjen e rregullave e respektimin e zakoneve dhe riteve. Një vend kyç në Kanunin e Bendës e zinte Kuvendi i pleqve i cili ndahej në dy niveli, niveli më i ulët, Kuvendi i Pleqve të katundit dhe niveli më i lartë, Kuvendi i pleqve të Bajrakut. çdo katund kishte Plakun e tij që mbante rreth vetes pleqësinë që merrej me organizmin e administrimin e jetës shoqërore, ekonomike, familjare e fetare të banorëve. Kur shtëpia e Plakut të katundit kalonte një shekull pleqërim, ajo quhej shtëpi kanuni e gëzonte të drejtën të përfaqësonte bajrakun në çdo kuvend dhe jashtë kufijve. Si çdo Kanun që vepronte në krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe Kanuni i Bendës pasqyronte shkallën e zhvillimit ekonomiko-shoqërore ku vepronte.

“Me kanun duhet respektu rradha”; “Me kanun çunat e shtëpisë nuk martohen pa u rehatu motrat”; “Me kanun goca e ka shtëpinë ke burri”; “Me kanun gruja e keqe (pa moral) shkatërron shtëpinë e ndyn emrin e fisit”; “Me kanun do shkoj bari n’rronjë” janë shprehje që në familje tiranse i gjen sot në një përdorim të shpeshtë e të zakonshëm. Kanuni i të drejtës zakonore shqiptare siç e përkufizon dhe kodifikuesi e përpiluesi i Kanunit të Skënderbeut Dom Ilia konsiderohet: “se sot jeton si i mbuluem prej kohës dhe qet kryet dhe vepron në çdo rrethanë anarkie. Ai asht rrajë e drejtësisë, e parimet e tija që në thellësi të shekujve mbeten themel për çdo legjislacion shqiptar të gjitha kohve, në ma të ndryshmet rrethana. Ai asht fryt i nji mendjehollësie të vazhdueshme e të mahnitshme të popullit tonë”.

 

Familja Tiranse

 

Fjala familje në Tiranë është përdorur vonë, në vend të saj përdoreshin terma si “kulm”, “votër”, “zjerrm” e që nënkuptonte dy o tre banesa, pra një bashkësi familjare, një grupim njerëzish në lidhje gjaku vertikalisht o horizontalisht me një ekonomi të përbashkët. Familja tiranse ka të përbashkët e zotëron shtëpitë e prona, bagëti e toka. Karakteri historik që mbart familja tiranse është lidhur ngushtë me ndryshimet, zhvillmet, dukuritë sociale, ekonomike e politike të territorit ku jeton. Familja tiranse karakterizohej nga katër funksione bazë;

Funksioni ekonomik që nënkupton përpjekjet e të gjithë anëtarëve të familjes për të siguruar të mirat materiale për të plotësuar çdo nevojë të domosdoshme e më tepër. Pra qëllimi i këtij funksioni ishte përmirësimi gjithnjë e më shumë i pozitës ekonomike, gjithmonë falë punës e përkjekjeve të ndershme të çdo anëtari. Sado të arrinte numri i familjarëve të një oxhaku ekonomia do të ishte një ekonomi e përbashkët.
Funksioni jetik e biologjik i përcaktuar nga martesa, pra tek bashkimi i një mashkulli e një femre për të pasur një jetë sa më të plotë biologjike e sociale.
Funksion riprodhues që bazohet në aftësinë për të përtëritur jetën, për të pasur trashëgimtarë të emrit të familjes, fisit, pasurisë, trojeve e pronave.
Funksion edukues i cili ndërtohet eskluzivisht për të rritur e edukuar fëmijët, pra pasardhësit, përcjellësit e virtyteve, vlerave, e nderit të një familje.
Familjet autoktone tirranse, shekuj më parë, dalloheshin me njëra-tjetrën veç nga emrat, por shtimi i popullsisë e përsëritja e emrave solli vështirësi në evidentimin e personave të veçcantë. Lindi kështu një tjetër mënyrë dalluese, duke i shtuar pas emrit të personit dhe emrin e lagjes, zonës, fshatit ku banonte. Por nuk mbaroi me kaq pasi iu shtua kësaj dukurie dhe thirrja e personave duke i bashkangjitur emrin e babait. Vec viti 1937 me urdhëresën e qeverisë së Mbretit Zog vendosi e detyroi që familjet të ndryshonin mbiemrat e tyre duke përjashtuar emra fshatrash e qytetesh.

 

Kulti i trashëgimisë

 

Ritet, zakonet, traditat në një familje tiranse bazohen tek kulti i trashëgimisë, frymëzohen në aspiratën e jetës, për të realizuar vazhdimësinë e ekzistencës së emrit të një familje e mbi të gjitha të një qyteti. Por kanë në themel dhe kultin e së shkuarës, një sistem normash e ligjesh popullore të përmbledhura në shprehjet; “Kshu na e konë lonë amanet pleqtë” apo “kshu e kena zakon ne tironsit”. Trashëgimi i emrit, trojeve, pasurisë, vazhdimësia e brezave ishte një preokupim jo vetëm për familjen, por për të gjithë fisin.

Gjysëm shekulli diktaturë komuniste influencuan negativisht deri në eleminim të këtij tipari zakonor. Familjet tiranse të shtresës së lartë e të mesme, qenë nga të parat që u vulosën me emërtimin “armik të popullit e kulak”. Me prona, shtëpi, para të konfiskuara e të vjedhura “në emër të populllit”, burra të pushkatuar, djem të burgosur, nuse të reja me fëmijë në djep internuar në periferi të humbura; ky qe skenari i jetës pas lufte për familjet fisnike, patriotike, dyert e mëdha e të mira të qytetit. Pushteti popullor i shfuqëzoi ekonomikisht me synim dobësimin e rolit social e të influencës së tyre në komunitetin autoktonë. Dhuna shumëvejcare e kësaj politike pati pa dyshim pasoja dhe në traditën e lidhjeve mes të rinjve, trashëgimtarët e emrit të këtyre familjeve.
Memoria kolektive nuk harroj asnjëherë “dyert me emër”, “xhinset e mira”, i mbrojti, i respektoi, e fshehtazi aq sa mundësia ua lejonte, “lidhja e fjalës” me përkatësi sociale të njëjtë, vazhdonte të ruhej. Por në kulmin e egërsisë së regjimit komunist, rreziku më i madh në Tiranë qe jeta.
Mbijetesa e autoktonëve, trashëgimia njerëzore, vazhdimësia e asaj c’ka të parët e këtij qyteti kishin krijuar në shekuj fillimisht në formën e një dëshire, u shdërrua në ovjektiv e qëllim jete. Pikërisht në këtë fazë tiparet, karakteri, tradita, kultura e banorëve tiranas zëvendësuan kriterin e respektimit të lidhjeve martesore me të njëjtin nivel social, në një kriter rigoroz lidhjesh fjale “mes nesh tironsish” e mënjanimin e fejesave “mes nesh e atyre”. Epitezimi me “atyre” apo me “ata” ishte mjaft i qartë për çdo banor, nënkuptoheshin vjedhësit e pronave, trulleve, shtëpive, dyqaneve, vrasësit e burrave, torturuesit e bijve, dhunuesit e grave, pra komunistët. Shprehja “tironasit japin e marrin me njëri-tjetrin” gjen lulëzimin e saj të plotë. Në këtë moment të vështirë, qyteti i tyre duhej të mbijetonte, duhej të ruhej historia e tij dhe e të gjitha familjeve vendase që kontribuan në krijimin e zhvillimin e Tiranës, duhej nderuar jeta e çdo banori autokton që adhuron këtë tokë, e me dashuri përcolli brez pas brezi traditën e tij të jetës. Çdo ditë e më shumë u krijua “lidhjet e fjalës” mes familjeve autoktone, u trashëgua emri i vendalive, zakonet, ritet, virtytet e kultura e qytetit të tyre. Përjashtime? Pa dyshim që ka pasur, por jo aq mjaftueshëm sa prezenca e fuqishme e shprehjes “ne tironsit japin e marrin veç me njoni-tejtrin!”
Shprehja se “tironasit japin e marrin veç me njoni-tjetrin” ndikoi në fuqizimin ekonomik të shtresave sociale të qytetit në fund të shekullit të XIX e në fillim të XX. Ndërsa në gjysmën e shekullit të XX u kthye në një pamflet politik për të mbijetuar fizikisht dhe ekonomikisht shtresën autoktone të qytetit. Sot kjo shprehje vazhdon të jetë amanet shpirtëror i dashurisë së banorëve vendali ndaj qytetit të tyre.

 

I Pari i shtëpisë

 

I zoti i shtëpisë në kulturën tiranse njihet si i Pari i shtëpisë. Pozita e tij lihej në trashëgimi e roli i tij ishte i padiskutueshëm nga të gjithë anëtarët e familjes. Në çdo familje tiranse kishte dy ose më shumë burra të martuar e që përfshinin një njësi familjeje që ndiqej nga kushërinjtë e brezit të parë, të dytë e me radhë. Kanuni, pra ligji dokësor impononte që çdo familje të kishte një sistem qeverisje në krye të të cilit qëndronte i Pari i Shtëpisë. Ky i fundit stërvitej që në rini për rolin e tij të ardhshëm të përcaktuar nga paraardhësi. Përgatitja e tij kishte të bënte në rregullimin e marrëdhënieve mes anëtarëve të familjes, fqinjëve, kufijtë e trojeve, rrugëve e arave, punëve të përbashkëta në familje, raportin me parinë e qytetit e me shtetin. I pari i shtëpisë mbi të gjitha duhet të ishte një njohës i mirë i Kanunit, i ligjeve të shtetit por dhe të karakterizohej nga objektiviteti i gjykimit e karakteri i fortë. Duhet të ishte dhe një punëtor i madh në mënyrë që kur mungonte krahu i punës të përballonte sic duhej nevojën ekonomike të familjes, por dhe mbikqyrte e të organizonte aktivitetin e familjes në të gjitha drejtimet. Në qëndër të funksionit të tij duhej të ishte mbrojtja e interesave ekonomike, sociale e juridike të familjes. Por në rast se i Pari i shtëpisë ndahej nga jeta në mënyrë të papritur, një kuvend burrash të familjes mblidheshin e zgjidhnin njeriun më të përshtatshëm për t’u bërë i Pari i shtëpisë. Në familjet tiranse këtë pozitë e merrte pothajse gjithmonë djali më i madh i familjes, duke respektuar rradhën e moshën.

Për çdo anëtar të familjes tiranse roli e funksioni i të Parit të shtëpisë nuk vihej kurrë në diskutim. Ishte pika e referimit e të gjithëve. Cdo vendim e veprim i tij ishte për të mirën e emrit të shtëpisë e respektohej pa u vënë kurrë në dyshim. Për brezat e rinj, nipër e stërnipa ishte shembulli i mësimit për çdo zakon, rit, traditë e sjellje që nuk duhej t’i mungonte kurrë një tiransi të vërtetë.

 

E zonja e shtëpisë

 

Për këdo që ka lindur dhe është rritur në një familje tradicionale tiranse vendi që zë brenda saj e zonja e shtëpisë, gruaja, nusja, goca, mbesa e stërmbesa është i përcaktuar mirë në mënyrën e jetesës, sjelljes, në aktivitetin ekonomik e social e në marrëdhniet me të gjithë anëtarët. Për fat të keq historiografia komuniste për vite e dekada me rradhë këtë pozitë familjare të femrës tiranse e ka trajtuar në mënyrë mediokre, të ngushtë në këndvështrimin e të kushtëzuar të mentalitetit shtypës komunist. Duke synuar të poshtëroj shtresën e mesme e të lartë tiranse të pas Luftës së dytë Botërore, fuqia e së cilës ishte forca lëvizëse ekonomike, politike e sociale e qytetit, sistemi komunist doktrinizoj e fallsifikoi dhe historinë. Gruaja tiranse nga studiuesit e kësaj epoke, prezantohet si e përulur, pa asnjë të drejtë ekonomike, shërbëtore e burrit dhe e pavlefshme brënda familjes. Po për fat të keq në disa përpjekje të kryera gjatë viteve të fundit për të përcjellë historinë e zakoneve e riteve të traditës tiranse, përsëritet i njëjti gabim, i justifikuar nga referimi i vazhdueshëm që i bëhet materialeve të historiografisë komuniste, si dhe nga mosnjohja e vërtetët e jetesës në një familje tiranse. Pozita e gruas tiranse brenda familjes nuk ishte aspak më e ulët se pozita e cdo gruaje shqiptre në cdo familje shqiptare, pavarësisht krahinës ku ndodhej. E pra nëse i Pari i shtëpisë ishte truri i familjes tiranse, Zonja e Shtëpisë, gruaja, nusja, vajza, mbesa e stërmbesa ishte zemra pa të cilën truri nuk mund të vinte në lëvizje asnjë mekanizëm të kësaj familje. Kultura tiranse e veshi gruan kokë e këmbë me ar, kostumi i saj tradicional ishte dhe është nga më të bukurit, më të kushtueshmit e më të vlerësuarit në kostumografinë popullore shqiptare. Bizhuteritë e ballit, të gushës, të gjoksit, të duarve e këmbëve dëshmonin vlerësimin e respektin për vlerën shpirtërore, sociale e ekonomike të gruas brenda familjes. Jeleku, këmisha, dimiqtë e çdo pjesë e veshjes duhet të ishte eksluzivisht e qëndisme me ar dhe e punuar mbi pëlhurën më të kushtueshme që ekzistonte në treg. çdo vakti të ditës i përgjigjej një veshje e caktuar. Të tilla ishin rrobat e drekës, rrobat e pazarit, rrobat e dasmës, e sebepevve etj etj. Duke u bazuar në ligjet dokësore historiografia komuniste shqiptare e ka preantuar gruan tiranse si pa asnjë të drejtë ekonomike. Ky pohim bazohet në keqdashësinë e injorancës për të mos njohur sic duhet realitetin. Gruaja tiranse ishte goca tiranse e cila kishte mbërritur në familjen e burrit, me të gjitha pasuritë e tundshme e të patundshme të dhuruara nga familja e saj e origjinës e që i duheshin për të përballuar dejësisht jetën. Fuqia ekonomike e saj në shtëpinë e burrit ishte e pandashme nga pasuria që bashkëshorti apo dhe vetë i Pari i shtëpisë zotëronte për çdo anëtarë. Gruas tiranse nuk i mungonte asnjëherë e drejta për të pasur lirinë ekonomike në zgjedhjet apo nevojat e saj, kishte “qesen” e saj që e gëzonte dhe e administronte vetë. Për të gjithë jetën ajo e fëmijët e saj ishin të siguruara në mënyrën më të mirë të mundshme që familja mund t’i grantonte mbi ushqimin, banimin, veshjen e kënaqësitë e gëzimit sa më mirë të saj. Pra në familjen tiranse nuk ka ekzistuar kurrë as me ligj dokësor e as në mentalitet një grua shërbëtore. Gruan, burri e djali tirans e mbante mbi kaptinë e i thurte vargjet e këngët më të bukura duke e krahasuar me bukuritë më të padiskutueshme të natyrës si hëna, lulja, ajri e jeta.

 

Burimi: http://www.standard.al/tirana-95-vjet-kryeqytet-nga-historia-e-nje-tradite/

Berati si ka qenë, si është, si do të jetë…

23/12/2014 Lini një koment

Kevin KAPLLANI

 

BERATI SI KA QENË, SI ËSHTË, SI DO TË JETË…

Berati

Berati

Një nga qytetet më të bukur në mbarëbotën, Berati, është i lokalizuar pikërisht në jugun e Shqipërisë. Ky vend ka historikun, traditat, zakonet dhe kulturën më të lashtë në Ballkan, gjë që i jep veçantinë e të vizituarit nga turistët e çdo cepi të botës. Megjithatë, mbetet për t’u theksuar se edhe vetë Berati ka kaluar periudha mjaft të vështira në etapa të ndryshme të kohës, por dhe në disa të tjera ku është dalluar ‘’lulëzimi’’ i këtij qyteti antik. Jeta për herë të parë në këtë vend dallohet që në lashtësinë e thellë duke filluar që nga Epoka e Bronzit, mijëra vjet më parë. Berati gjithmonë është cilësuar si një qendër strategjike dhe ekonomike e çdo periudhe ku për herë të parë nën sundimin e Muzakajve, gjë që daton rreth shek XIV, qyteti arriti majat më të larta ekonomike dhe kulturore. E veçantë e këtij vendi mbetet fakti që në shoqëri gjithmonë ka mbizotëruar paqja pavarësisht nga prejardhja, krahina apo feja. Si në asnjë vend të botës, jo vetëm në Berat, por dhe kudo në Shqipëri, monumentet fetare, pra kisha dhe xhamia, qëndrojnë ngjitur njëra-tjetrës. Këto monumente të ndërtuara shekuj më parë kanë vlera të shumta turistike duke përmendur këtu : Kishat e Shën Triadhës, Shën Mëhillit të ideuara në shek. XIII-XIV dhë Xhamitë e Beqarëve, e Plumbit dhe, së fundmi, teqeja e Helvetive. Sot, sapo futesh në qytetin e Beratit, të bien menjëherë në sy mrekullitë e pafundme që ka ky vend përrallor. Së pari, dallohet Ura e famshme e Goricës ndërtuar më 1780 me vlera të shumta kulturore dhe turistike. Së dyti, lagjja e ‘’Mangalemit’’ me shtëpitë e saj karakteristike, bardhoshe e të papërsëritshme, të paprekura nga askush, vetëm nga banorët që marrin frymë në to.Së treti, Kështjella e qytetit, e cila lokalizohet në majën e një shkëmbi të lartë e hijeshi, themeluar nga Ilirët mijëra vjet më parë, por e rindërtuar disa herë deri në shekullin XIX. Sapo hyn në kështjellë dallohet porta madhështore, harkore dhe karakteristikë e veçantë është se brenda në kala sot e kësaj dite gjenden ende familje që banojnë. Maja e kalasë të ofron një pamje spektakolare e magjike të qytetit të Beratit. Ndjehesh sikur je ‘’mbret’’ i kësaj toke. Do të thosha që Berati mbetet një nga qytetet më frymëzuese për shkak të historisë së lashtë që ka, duke filluar dhe nga rrugët e ndërtuara me kalldrëm, por dhe, thuajse, gjithçka e ngritur me gur të pathyeshëm. Qyteti cilësohet si qyteti i ‘’Një mbi një dritareve’’, pra të shtëpive karakteristike e të veçanta që ngrihen madhërishëm në, thuajse, çdo pjesë të qytetit. Për shkak te bukurive e lashtësisë që ka ky qytet, UNESCO, e cila mbron trashëgimitë kulturore të cdo vendi në botë, vendos që të përfshijë edhe Beratin në këtë organizatë të rëndësishme. Sot, shumë gjëra kanë ndryshuar, sepse për shumë vite me radhë Berati ishte lënë, thuajse, në harresë të plotë. Ura e Gorices, e cila ngrihet mbi ujërat e lumit Osum, arriti të restaurohet në një gjendje mjaft të kënaqshme. Gjithashtu, një vepër kryesore ishte edhe ndërtimi i ‘’Pedonales’’ së re të qytetit ku njerëzit e çdo moshe preferojnë të shëtisin e të kalojnë një pasdite të këndshme e të qetë. Kudo shikon fëmijë të gëzuar, të cilët vrapojnë e qeshin me njëri-tjetrin. Rrugët lidhëse të qytetit po rindërtohen duke i rritur vlerat turistike Beratit.Gjithashtu, mbetet fakti për t’u theksuar se Berati është një nga vendet e rralla që vizitohet në cdo stinë të vitit: në pranverë, në verë, vjeshtë e, madje, dimër. Turistë që mahniten nga kjo bukuri dhe, sigurisht, nuk kanë më dëshirën të largohen nga ky qytet. Rinia e sotme është një shpresë edhe për të tashmen, por, madje, dhe për të ardhmen e këtij vendi, për një të ardhme më të mirë dhe të çelur. Kjo rini e Beratit është e angazhuar në shumë aktivitete për mirëmbajtjen e qytetit dhe sensibilizimin e çdo njeriu për të ndryshuar te ardhmen e tij dhe për një Berat sa më aktiv kudo dhe kurdo. Të flasësh për të ardhmen e këtij qyteti kaq magjepsës e të mrekullueshëm është pak e vështirë, megjithatë çdo njeri është i mbushur me shpresë dhe optimizëm se gjithçka do të shkojë siç duhet. Për të arritur këtë qëllim çdokush, pavarësisht moshës, gjinisë apo prejardhjes së tij duhet të veprojë për një Berat me standarde evropiane!

Cilët janë “tironsit e vërtetë”

31/10/2014 Lini një koment

Luela MYFTARI

 

CILËT JANË “TIRONSIT E VËRTETË”

Bedri Alimehmeti

Bedri Alimehmeti

  • Fjalorthi me mbiemrat e familjeve tiranase në kuadër të 400-vjetorit të themelimit të qytetit
  • Intervistë me gazetarin Bedri Alimehmeti. Ai rrëfen mbiemrat e familjeve tiranase, ndryshimet e tyre me kohën dhe rrënjët e të parëve që mbërritën në Tiranë

 

Rreth 400 vjet më parë është themeluar një qytet i madh, ai që do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Dhe ndër festimet e 400-vjetorit të themelimit të kryeqytetit, por jo si metropol, vijnë aktivitete dhe botime të shumta. E parafundit, ishte mbrëmja poetike ku aktorë tiranas interpretuan poezi të vjetra e të reja nga shkrimtarë të po kësaj zone. I fundit është një botim i ri, i cili nuk ka shumë ditë që është regjistruar në Bibliotekën Kombëtare. Është një fjalorth me mbiemrat e familjeve tiranase. Është përkujdesur për detajet një gazetar i vjetër sportiv, tiranas. Bedri Alimehmeti nuk e kishte menduar kurrë që do të botonte diçka të tillë, por sot e ndien veten mirë që ka bërë një fjalorth me mbiemrat e tironsve, siç i quan ai. Në një intervistë për “Shekullin” ai rrëfen se ky fjalorth mund të mos jetë më i miri, por ishte një nevojë urgjente që i nevojitej familjeve tiranase. Ai tregon edhe për projektin që do ta ndihmojë edhe më shumë botimin e tij.

Tirana e vjetër

Tirana e vjetër

Si lindi ideja e një fjalori të tillë?

 

Nuk e kisha menduar kurrë se, do të vinte një ditë e do të merresha edhe me përgatitje fjalorësh ose thënë më saktë të hulumtoja në fushën e kërkimeve shkencore. Ndërkohë më duhet të pohoj se, fjalorët më kanë tërhequr gjithnjë, qoftë ato gjuhësorë, terminologjikë apo enciklopedikë.   Pas këtyre të fundit sidomos grishja ime është ende e pafund. “Zhytem” në to dhe nuk dua t’ia di për asgjë tjetër. Përpos obligimit qytetar them se realizimin e këtij fjalori modest e ka nxitur edhe ajo dëshira e madhe prej tiransi zemërplot, që dëshiron t’u dhurojë diçka me vlerë bashkëqytetarëve, pa harruar se domosdoshmëria e kësaj pune për të gjithë ne banorët e kësaj treve të pakrahasueshme në vlera mendoj, ka qenë më shumë se imediate.

 

Sa i vështirë ishte rrugëtimi drejt botimit?

 

Nga dita në ditë teksa pyesja të afërm, miq e shokë, bisedoja me prindërit e mi që në atë periudhë ende jetonin. Pyesja plot tiranas të moshuar, sidomos kur më jepej mundësia nëpër ambiente të ndryshëm, përfitoja nga ç’më informonin intelektualë e njerëz të thjeshtë dhe shënoja pa pushim në bllokun tim, faqet e të cilit nga dita në ditë mbusheshin. Ndërkohë, gjatë punës e deri në çastet që jetonin, kam pasur konsulencën e vazhdueshme të Prof. Dr. Shefqet Ndroqi në atë kohë kryetar i Shoqatës “Tirana” dhe të pedagogut Petrit Kusi në atë kohë sekretar i shoqatës. Gjithë këto vite, kam udhëtuar jo pak thuajse nëpër të gjithë fshatrat e rrethit të Tiranës, me qëllimin e mirë për ta pasuruar sa më shumë këtë studim, për të cilin kam mendimin që pavarësisht punës e përpjekjeve të mia, jam i bindur që në drejtim të nivelit shkencor ai mbetet në atë modest.

 

Keni ndër mend ta përsosni edhe më tej? Si?

 

Për ta përsosur sa më shumë këtë studim do të kërkoja nga të gjithë lexuesit, e sidomos për familjet tiranase plotësimin e një skede të thjeshtë, të cilën mund ta përcjell edhe këtu. Janë pesë pyetje të cilat me siguri do të më ndihmojnë mua të bëj një libër edhe më të mirë. Pyetja e parë: Afërsisht deri në sa breza mbahet mend në familjen tuaj vendosja e të parëve në qytetin e Tiranës? Pyetja e dytë: Nga ç’katund apo zonë e kësaj treve erdhën të parët e familjes tuaj? E treta: Në ç’zonë të qytetit të tanishëm e ngritën ata vendbanimin e tyre? E parafundit por jo më pak e rëndësishmja është profesioni bazë apo karakteristik që ka trashëguar apo ka ushtruar familja? Po ashtu edhe figura të shquara që   spikatën ndër vite nga gjiri i fisit tuaj: atdhetarë, klerikë, dijetarë, mësues, artistë, shkenctarë, sportistë, shkrimtarë, poetë, muzikantë inxhinierë, doktorë, këngëtarë, piktorë, skulptorë profesionistë të njohur në ushtrimin e zanatit të tyre, figura të nderuara, dëshmorë, të persekutuar nga diktatura etj. janë shumë të rëndësishëm. Sikur të gjitha këto detaje të vinin për çdo familje tiranase në adresën time elektronike unë do të isha i prirur për të realizuar një botim edhe më të pasur.

 

Si mund t’ua bashkëngjisin këto të dhëna tiranasit e vjetër?

 

Nëse nuk do të mungoj dëshira e mirë në plotësimin e këtij pyetësori të thjeshtë, e sidomos dërgimi i të dhënave të tij në adresën time elektronike (balimehmeti2006@ yahoo.it), pse jo dorazi mua personalisht apo edhe në zyrën e Shoqatës “Tirana”, kam mendimin që në një botim të dytë ky studim do të përmbajë vërtet vlera të pakrahasueshme, për të cilat brezat e ardhshëm sigurisht do të na jenë shumë mirënjohës, pa harruar që niveli i tij do të ngrihet në atë të një fjalori enciklopedik, çka do të na nderonte të gjithëve.

 

Urdhëresat që i detyruan tiranasit të ndërronin mbiemrat

 

Historia e njerëzimit vërteton se, në krye të herës mbiemri nuk ka qenë bashkudhëtar me emrin. Fillimisht, njerëzit dallonin nga njëri-tjetri vetëm nëpërmjet emrave, por me kalimin e kohës kur shumë prej tyre nisën të përsëriteshin, çka solli padyshim jo pak vështirësi në evidentimin e personave të veçantë, kjo gjë u bë e pamundur. Kjo dukuri solli domosdoshmërisht mënyrën tjetër të dallimit të tyre nga njëritjetri duke shtuar pas emrit fshatin, qytetin apo diçka tjetër me të cilën kishte lidhje personi. Personat nisën të dalloheshin mes tyre nëpërmjet emrave të nënave e baballarëve. Kjo vazhdon ende sot. Por, tashmë është më etike ta thërrasim njëri-tjetrin me mbiemra. Alimehmeti na tregon edhe për shndërrimet e mbiemrave të familjeve tiranase.

 

A keni hasur mbiemra të zonave të tjera?

 

Po, sidomos në zonat e fshatrave të Tiranës, kam hasur mbiemra me prejardhje nga krahina të veriut e jugut të Shqipërisë. Lidhur me këtë problem burime gojore qartësojnë se, një fenomen i tillë migrimi ka qenë i kushtëzuar për shkak të gjakmarrjes. Për të mos u shuar nga hasmëria familje të ndryshme nga zonat e lartpërmendura janë shpërngulur dhe kanë kërkuar strehë në fshatra të thella të malësisë por, edhe brenda në qytetin e Tiranës.

 

A ka pasur ndryshime mbiemrash?

 

Duke iu referuar zhvillimeve historike mësojmë se, veçmas gjithë këtyre dukurive që thamë ka pasur edhe arsye të tjera, që kanë detyruar familje të caktuara të ndryshojnë mbiemrin më shumë se një herë. Kështu e para urdhëresë qeveritare e shtetit shqiptar, që detyronte të ndryshonin mbiemrin familjet të cilat mbanin si të tillë emra fshatrash apo qytetesh, ka qenë ajo e vitit 1937, dalë nga qeveria e Mbretit Zog. Nuk dihen arsyet që detyruan qeverinë e asaj kohe të nxirrte atë urdhëresë, por pas publikimit pati jo pak familje, të cilat e bënë realitet këtë gjë. Në trevën e Tiranës lidhur me këtë dëshmon rasti i fisit Arbana, disa prej familjeve të të cilit morën mbiemrin Mema, emri i një lagjeje të këtij fshati të Tiranës, prej nga kishin origjinën. Kështu ndodhi edhe në fisin Tufina, një pjesë e familjeve të të cilit morën mbiemrin Balena. Në fisin Mëniku, që mori mbiemrin Beliu etj. Edhe pas çlirimit, u hodh sërish idea e ndryshimit të mbiemrave, por këtë herë për familjet që mbanin për mbiemër emra njerëzish.

 

Po ju keni diskutuar ndonjëherë në familjen tuaj për ndryshim mbiemri?

 

Kam qenë i vogël në moshë por, gjithsesi më kujtohet shumë mirë për disa net me radhë në shtëpinë tonë mblidheshin burrat e bisedonin deri vonë me gjyshin për këtë problem. Them me gjyshin, sepse ai e kishte shumë të vështirë ta bënte këtë gjë. Gjithsesi, falë pikërisht atyre diskutimeve të gjata u gjet mbiemri Metali, i cili në një farë mënyre e ngushëllonte tim gjysh, ngaqë edhe pse bëhej fjalë për një mbiemër “metalik” në përbërje të tij ishin si Aliu i pari i fisit ashtu edhe Meti (Mehmeti) i ati i tij. Një pjesë e familjeve të fisit tonë, nuk e di për ç’arsye kishin vendosur të mbanin mbiemrin Arxhami. Ndërkohë, familje të tjera tiranse kishin bërë projektet e tyre. Por, një gjë e tillë u bllokua shpejt, madje vetëm pak ditë pas daljes së urdhëresës. Shkaku e arsyeja nuk u thanë kurrë. Ndonëse jo pak njerëz e kishin më se të qartë se, urdhri për ndalimin e saj duhej të kishte dalë nga zyrat e sigurimit të shtetit. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Madje, nëse do të ishte zbatuar ai vendim, gjurmët e shumë “armiqve” të popullit do të ishin zhdukur.

 

Tironsit, minoritet në shtëpinë e tyre

 

“Ne tiransit kemi mbetur pakicë fare, më mirë me thonë jemi shndërruar në një minoritet në shtëpinë tonë.” Kjo ishte fjalia që e shtyu gazetarin sportiv, Bedri Alimehmeti që të niste e të mendonte për fjalorthin që sot mund ta kemi në dorë shumë thjesht.

 

Kur nisët të punonit për këtë fjalor?

 

Momenti i pikënisjes për punimin e këtij studimi, kujtoj ka qenë viti 1995. Ishte një e diel pranverore me shi. Atë ditë në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve (sot në ambientet e kinemasë tek Pedonalja e kryeqytetit) zhvillonte punimet Konferenca III e Shoqatës “Tirana”. Edhe pse mot i keq me shi, tiransit ishin grumbulluar me dëshirën e zjarrtë e dashamirësinë e pakufishme për të kontribuar sadopak për qytetin e tyre. Nuk kishte ardhur ende ora e fillimit. Bisedat midis shokësh e miqsh ishin “ndezur” në korridorin përpara hyrjes si edhe në ambientet e sallës. Befas tek po shkëmbeja disa mendime me një grup shokësh tek dera e hyrjes për në sallë, më kapi veshi tekstualisht këtë frazë: “Ne tiransit kemi mbetur pakicë fare, më mirë me thonë jemi shndërruar në një minoritet në shtëpinë tonë”.

Ishte një frazë vërtet tronditëse, që si një thikë e mprehtë m’u ngul keqas në thellësi të shpirtit. Kur u ktheva ta shikoja në sy bashkëqytetarin që kishte lëshuar atë “mandatë”, për fat të keq isha vonuar. Prapa meje nuk kishte asnjeri. Sigurisht, bashkë me turmën e pjesëmarrësve ai duhej të kishte zënë vend në sallë, ku pas pak do të mbahej konferenca. Gjithsesi përgjigjen që isha bërë gati t’ia thoja atë çast vendosa ta shkruaj në radhët e këtij bashkëbisedimi me ju: “Jo nuk është ashtu i nderuar vëlla. Ne kemi qenë, jemi dhe gjithnjë kemi për të qenë shumë. Madje, të jap fjalën që do t’i kërkoj e do t’i mbledh një e nga një të gjithë mbiemrat e familjeve autoktone tiranse dhe të të gjithë trevës tonë. Dhe do t’i radhis mirë e bukur për t’i ditur e mos i harruar kurrë së pari unë e ti, pastaj fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve brez pas brezi të të gjithë ne bashkëqytetarëve të kësaj treve si dhe të gjithë ata që i duan, i çmojnë e i nderojnë tiransit zemërbardhë, shpirtmëdhenj, gojëmbël e bujarë si askush. Të jap fjalën e burrit për këtë”. Dhe sinqerisht jua them, shënimet e para për këtë studim, nisa t’i hidhja në bllokun tim që në atë sallë.

 

Emrat shkurt

 

Konkretisht, mua shumë nga të afërmit e farefisi vijojnë të më evidentojnë ende me emrin e tim eti. “Bedriu i Qazimit”, – jo pak herë qëllon të më thonë edhe sot. Ndërkohë që, më kujtohet në mëhallën tonë kishim katër shokë që quheshin: Skënder ose shkurt Neri siç ishim mësuar t’i thirrnim ne. Këtyre shokëve për t’i dalluar nga njëri-tjetri u shtonim nga pas emrat e nënave: “Neri Dijes”, “Neri Hones”, “Neri Mides” dhe “Neri Vajes”. Shokë të tjerë, që mbanin të njejtët emra i thirrnim duke u shtuar nga pas emrat e baballarëve si psh: “Meti Shabonit”, “Meti Shitit”, “Meti Kasemit”, “Meti Hasonit” etj. Rast tjetër: “Çimi Tahirit”, “Çimi Tutit”, “Çimi Rremës” etj. Ose sërish me emrin e nënës: “Gimi Shadijes”, “Gimi Nadires”, “Gimi Shajes”, “Gimi Meremes” etj. Dhe me shembuj të tillë mund të   vijojmë gati pafundsisht. Por, nuk mbaron këtu. Gjatë këtyre ndryshimeve jo pak nga mbiemrat u mbetën përjetësisht personave. Pra, familje të caktuara vijuan të evidentoheshin përfundimisht nëpërmjet tyre me këtë lloj mënyre. Pati gjithashtu edhe nga ata që përdorën për mbiemër emrin e të parit të fisit, të cilit i shtuan nga pas atë të babait, duke krijuar kështu një bashkim emrash që i dallonte mirë e bukur nga të tjerët. Dhe për të qenë sa më të saktë në këtë drejtim po ju sjell si shembull rastin e mbiemrit të familjes time. Sipas gojëdhënës, e cila ka mbijetuar brez pas brezi nëpër familjet tona, i pari i fisit quhej Ali, kurse i ati i tij Mehmet. Në krye të herës e për shumë vite me radhë ai thirrej “Aliu i Mehmetit” derisa përfundimisht u krijua mbiemri Alimehmeti, të cilin vijojmë ta mbajmë edhe sot e kësaj dite.

 

Burimi: http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=54772&kat=104

Më mungon Tirana e vjetër (intervistë me Bedri Alimehmeti)

11/10/2014 Lini një koment

Andi Myrte, Gjergji Mima

TIRANË, 7 Prill/ATSH

 

MË MUNGON TIRANA E VJETËR: INTERVISTË/ BEDRI ALIMEHMETI

Tirana e vjetër

Tirana e vjetër

“Vlerat e Tiranës së vjetër tashmë pothuajse janë zhdukur komplet dhe mua më mungon Tirana ime”. I këtij mendimi është njëri prej përfaqësuesve të familjeve të vjetra tiranase, Bedri Alimehmeti, i cili është i mendimit se zhvillimi që ka marrë Tirana nuk duhej të prekte pjesën e vjetër dhe vlerat që mbarte ajo.

“Familja Alimehmeti”, shpjegon, shkrimtari dhe gazetari, autor i dhjetra librave për Tiranën dhe personalitetet e saj, “është një ndër më të vjetrat në Tiranë, e vendosur fillimisht aty ku sot ndodhet sheshi ‘Avni Rustemi” e më pas në zonën e kinemasë “17 Nëntori” dhe megjithatë sot nuk përfillemi fare dhe të paktën në 10 vitet e fundit nuk jemi përfshirë fare në vendimmarrjen për zhvillimin e qytetit nga drejtuesit aktualë të bashkisë”.

Ai shprehet se tiranasit e vjetër, kanë paguar si në kohën e diktaturës edhe tashmë faturën më të lartë të kostos së zhvillimit urban të kryeqytetit dhe se ky fenomen duhet të ndryshojë në të ardhmen.

“Mua më mungon qyteti im vjetër, më ka humbur dhe ndjej dhimbje për qytetin tim, të cilin e kam gjetur në disa qytete, Ulqin, Tivar, Nikosia, në disa qytete greke. Ndërsa këtu në Tiranë çdo vlerë e qytetit të vjetër është shkatërruar, duke bërë që të harrohet historia kulturore, arkitekturore dhe vlerat e këtij qyteti”, shprehet me keqardhje Alimehmeti.

Si banor autokton i Tiranës, Alimehmeti thekson se qyteti tashmë e ka humbur fizionominë e vjetër. “Nuk jam kundër zhvillimit, por mendoj se vlerat e vjetra të qytetit duhet të ishin ruajtur. Tirana ka vuajtur një migrim të jashtëzakonshëm që rrallë e kanë provuar qytetet. Në botë kryeqytetet e vuajnë kudo, por këtu në njëfarë mënyre migrimi solli problemet e pronësisë, e zgjerimit të qytetit etj”.

“Në urbanistikë duket një Tiranë e çorientuar, pasi Tirana pamjen e saj të parë e ka pasur një qytet me vila. Tiranës po i fshihet historia”, shprehet ai.

Sipas Alimehemetit, është dashur ndërhyrja e shoqatës “Tirana” për të shpëtuar mos prishjen e disa rrugëve, në të cilat ishin gati lejet e ndërtimit për pallate, por ku më pas u ndalua ndërtimi dhe prishja e shtëpive karakteristike të qytetit, si rruga “Qemal Stafa”, një prej zonave të pakta ku ende mund të dallohet pjesa e vjetër e Tiranës.

Sipas autorit të librit, “Tirana e përgjakur”, i cili flet për vuajtjet e familjeve të vjetra tiranasa në kohën e diktaturës, “Tirana e re duhej të ndërtohej dhe të zhvillohej duke mos prekur dhe mos prishur vlerat e Tiranës së vjetër, ashtu siç është bërë në shumë qytete të tjera Evropiane”.

Pinjolli i familjes Alimemeti shprehet i indinjuar për mospërfilljen e familjeve të vjetra Tiranase në planet e bashkisë për zhvillimin e qytetir, duke deklaruar se, “ne si familje e vjetër, të paktën gjatë viteve kur kryetari aktual i bashkisë ka drejtuar Tiranën nuk jemi përfshirë fare në venddimmarrje përsa i përket zhvillimit të qytetit, as si banor të vjetër dhe as si shoqata “Tirana”, pjesë e së cilës unë jam prej vitesh. Ndersa si në kohën e Tomor Malasit, i cili ishte kryetari i parë i bashkisë pas viteve 90-të edhe gjatë kohës së Sali Kelmendit dhe Albert Brojkës, kemi qenë të pranishëm në vendimmarrje dhe jemi përfaqësuar edhe në këshill bashkiak. Ndërsa tashmë jemi shpërfillur nga drejtuesit aktualë”.

Përsa i përket zhvillimit të qytetit Alimehmeti shprehet se “Do të dëshiroja që Tirana të zgjerohej dhe të zhvillohet në drejtim të kodrave të Linzës”.

Në përfundim Alimehmeti thekson se në të ardhmen duhet të mendohet më tepër për qytetarët e Tiranës. Kryeqyteti dhe banorët e tij nuk duhet të shihen më thjesht për përfitime politike nga partitë gjatë fushatave, por duhet të ketë një program që të përfshijë në qendër qytetarin dhe në shërbim të tij.

Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mëhalla e vjetër (poezi)

25/09/2014 Lini një koment

Bedri ALIMEHMETI

 

MËHALLA E VJETËR

(Poezi)

Tiranë - Çarshia e Vjetër

Tiranë – Çarshia e Vjetër

Eh moj mëhalla ime e vjetër
Kujtimet e tua gjithë balsam
Nuk të ndërroj me asnjë tjetër
Përjetsisht në zemër të kam

Ndën asfalt flenë kalldramet
Aty dhe topi leckës ka mbetur
Tabakët e balonës dhe kallamet
Kurrë jo jo s’kanë për t’u tretur

Ja dhe kukullat e motrës time
Si gjithnjë radhitur tek penxherja
Mbrapa shtëpis kumlla shenjine
Gati trahanaja pret ke tenxherja

Po rrethi i diskut të biçikletës?
Ku do të ketë mbetur kush e di?
Librat e verdhë, historia Kozetës
Filmi “Timuri dhe skuadra e tij”

Kafazi i pëllumbave lart tek hatllat
Gugat hinsi dykaçlyçs pa pushim
Kokbardhi e pullkuqi rrahin flatrat
Nonija te pusi mush ujë me nxitim

Nuk po e gjej krrabën e llastikut
Ku e ke lon çimo e mban mend?
“Shifni t’keqen nona n’moj t’fikut
Atjena e kini lonë jo m’qetër ven”

Skena teatrit, atje poshtë te hajati
Mbi telin e lëverve, perde një çarçaf
Grupi jonë: unë, çimi, Niku e Taqi
“Shërbtorin e dy zotnive” do shfaq

S’ka llafe të gjithë me bileta
Jari i shet tek shtylla leterikut
Gocat lejnë lojën me peta
Hall Netit i këputet litari çikrikut

Moma përkul tek makina qepse
Gjyshi mbi pastiqe këndon Kuran
Nonija në dorë me lugën qepshe
“Qyqja, s’paska farë kosi n’filxhan!”

Gocat kapin marë punët e shpisë
Shkunin qylymat, pastrojnë oborrin
Usta Bërhimi në mojë të çatisë
çikat nji nga nji me kujdes i mori

Dasëm, gjithë mëhallja u tund
Martohet Seri, perria me dy gërsheta
Bukuri e saj nuk gjendet kërkund
Shtatin selvi, sytë e vetllat e zeza

Synetlliqe, gjithë verës papushim
Vlon kënga e ahengu nëpër oborre
Rrem Mumajesi në mandoll xhind
Rrem Gurra mjeshtër në qemone

Burrat n’karrike oborrit për rreth
Nuset këndojnë “Tufa-tufa zerdeli”
Berberi gatitet, briskun mirë mpreh
“Njefshi ei martofshi çunat synetli”

Degët e monit po tunden fort
“Majeni mirë çarçafin t’keqen nona
Asnji kokërr t’mos na bjeri m’tokë
Të hani e të kënoqeni me mona”

Po ai çuni i vogël, ç’ka që po qa?
Kush e rrafi, iu thafshin dy durët?
Buka me voj e krypë nga dora i ra
Puthe tre herë lali dhe vene ke gurët

Mëhallë e shtrenjtë tek rruga trenit
Shkolla jonë tek Dervish Hatixheja
Me emrin simbol “Lidhja e Prizrenit”
Në rrjesht të gjithë me rroba të reja

Nga zërat tanë oborri gumëzhin
Ne me çanta lecke, gocat me përparëse
Oh zilja ëmbël-ëmbël po tringëllin
Pa zhurmë brënda, klasë pas klase

Eh moj mëhalla ime e vjetër
Kujtimet të gjitha m’u zgjuan
Nuk di për ty ç’të të them tjetër?
Tashmë, kur kaq e kaq vite shkuan…

 

—————-
Tiranë, Shtator 2014

Qyteti 400 vjeçar që u themelua nga xhamitë

14/02/2014 1 koment

Ferit LIKA

 

QYTETI 400 VJEÇAR QË U THEMELUA NGA XHAMITË

 

Tirana moderne përpiu gjithçka, gjithçka nga e kaluara e saj, nga historia, nga vlerat dhe bukuritë e dikurshme. E sot në këtë 400 vjetor të themelimit të saj teksa ecën nëpër rrugët e kryeqytetit nuk sheh më asgjë që të të kujtojë të kaluarën apo historinë që i dha jetë këtij qyteti.

Përpjekjet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve janë pothuajse inekzistente. Ndërtesat dhe godinat hisorike, objektet e kultit, tirana e fortifikimeve historike, kalatë, sheshe e lulishte, e gjithçka tjetër që i jep kryeqytetit një dimension real të trashëgimisë së vërtetë të tij, duket se shekujt i rrënuan.

Kryeqytetit janë përpjekur t’ia fshijnë historinë e tij, t’ia minimizojne gjurmët që shkojnë shumë më përtej kohës kur u themelua zyrtarisht. E me sa duket ia kanë arritur, pasi vetëm një pjesë e vogël e kësaj trashëgimie njihet, e pjesa tjetër është kthyer në një gojëdhënë.

 

Xhama e Sulejman Pashës, 1917

 

Kryeqyteti i Shqipërisë u ngrit shekuj më parë, mbi themelet e një xhamie. Ishte viti 1614, kur Sulejman Pashë Bargjini, beu i Mulletit, vendosi të themelojë një qytet të ri, Tiranën, duke ngritur kështu edhe ndërtesën e parë të këtij qyteti, Xhaminë e Vjetër. Së bashku me të ai ndërtoi edhe një hamam, një shtëpi për imamin dhe një furrë buke, në vendin ku sot ngrihet monumenti i partizanit të panjohur.

Fakte e të dhëna historike tregojnë se asokohe Tirana ishte një fshat i vogël, me disa stane dhe banesat e përkohshme të barinjve, diku me rreth 15 Shtëpi, e rrethuar nga fshatra të mëdhenj me tregje e me faltoret e tyre.

Banorët e fshatrave përreth filluan të zbrisnin në qytetin e Pashës e të ndërtonin banesat e tyre, ku vendi për ndërtimin e shtëpisë dhe një kopsht përpara saj u jepej falas. Kështu, Xhamia e Sulejman Pashës do të bëhej epiqendra e një qyteti të ri me emrin Tiranë, e cila dalëngadalë filloi të merrte fizionominë e një qytetit të vërtetë.

Historiani Agim Bardhi tregon se kjo xhami ishte epiqendra e qytetit. “Rreth saj kishte disa xhami të tjera, Xhamia e Ethem Beut, Xhamia e Stërmasit tek Pazari i vjetër, Xhamia e Metfirës, aty ku është gjimnazi Sami Frashëri, Xhamia e Kokonozit tek Pazari i Ri, Xhamia e Karapicit përballë pallatit të Kulturës, por xhamia e vjetër ishte më impozante dhe me e rëndësishme. Ku për qindra vite u organizuan festat më të rëndësishme të popullit të Tiranës”, tregon hisotriani Bardhi.

Lidhur me emrin e qytetit të ri, ekzistojnë legjenda dhe gojëdhëna të ndryshme, ku thuhet se emri i është vënë nga vetë Sulejman Pasha. Në variante të tjera, thuhet se emri i Tiranës bashkë me qytetin ka ekzistuar shumë kohë më përpara se beu i Mulletit të zbriste aty.

 

1462928_597134530321747_346292399_n

 

Me shtimin e popullsisë filloi të zgjerohej edhe qyteti i ri, e rrjedhimisht, u shtuan dhe objektet e kultit. “Trualli mbi të cilin zunë vend tashmë këto objekte, ishin zemrat e lagjeve, dhe shpesh ato shërbyen si pika kyçe referimi për njerëzit, ku mblidheshin për të ndarë gëzimin me njëri-tjetrin, apo për të zgjidhur hallet e problemet e tyre”, tregon z. Bardhi.

Udhëtarë, gjeografë, historianë e konsuj të shumtë që kanë kaluar asokohe ndër viset e tona, flasin për ekzistencën e kahershme të xhamive në Tiranë, për bukuritë e tyre, funksionin dhe rolin qëndror, që ata kishin në jetën e qytetarëve.

“Ka xhamia, hane, hamame, ka carshinë dhe sheshin e pazarit, vreshtët dhe kopshtet janë të panumërta. (Evlija Çelebi, udhëpërshkrues turk, 1662)

“Tiranës i bien në sy, në radhë të parë, xhamitë e saj të stolisura me ngjyra të shkëlqyera dhe elegante, që u japin një tërheqësi të panjohur në faltoret e këtyre viseve.”  (Eduard Lir, piktor dhe udhëpërshkrues anglez 1848)

” …Tirana është një qytet i sheshtë, me rrugë të gjera me shumë ujëra të rrjedhshëm, me një carshi të madhe dhe me gjallëri. Kur hyn në qytet nga rruga e Shkodrës shihen dy xhami të bukura. Ka disa xhami e mesxhide të tjera dhe dy medrese…” (Sami Frashëri,  Kamus al Alam 1892)

Dy lagjet më të hershme të Tiranës për të cilat ekzistojnë informacione e të dhëna që në shekullin e 17, janë Lagja e Mujos, për të cilën thuhet se ka qenë lagja me e lashtë e Tiranës dhe ajo e Pazarit, të cilat kishin xhamitë e tyre dhe ndërtesat përreth nuk e kalonin lartësinë e xhamive, e ndërsa sot ndodh krejt e kundërta. Minaret e atyre pak xhamive të mbtura apo të ndërtuar rishtazi mezi shquhem mes pallateve shumkatëshe.

Në fillim të shekullit të 18-të, Tirana kishte filluar të zgjerohet edhe nga ana veriore e pazarit, lagjet dhe mëhallat morën emrat e xhamive, që u ndërtuan brenda tyre, në vendet më të zgjedhura, si mëhalla e Sulejman Pashës, e Mujos, e Fires, e Zajmit, më vonë mëhalla të tjera si ajo e Karapicit, Bërxollit, Kakonosit, Vathit, Tabakëve dhe e Terzive. Zemrën e qytetit të Tiranës e përbënte Xhamia e Vjetër me sheshin rreth saj. Rruga e sotme e Barrikadave, dikur përbënte aksin kryesor të strukturës urbanistike të qytetit. Anës saj qenë rreshtuar përveç Xhamisë së Vjetër edhe disa institucione të tjera islame.

Gjatë shekujve 15, 16 dhe 17, xhamitë bëhen objekte përcaktuese në ndërtimin e qendrave të qyteteve. Ato ndërtoheshin në pjesën më aktive të qytetit, pranë tregut dhe ndërtimeve të tjera publike të rëndësishme. Historianë, arkitektë e studiues të shumtë, thonë se qyteti i Tiranës u ngrit dhe u ndërtua mbi katër bërthama kryesore.

Bërthama e parë e qytetit lindi dhe hodhi shtat së bashku me xhaminë e vjetër të Sulejman Pashës në vitin 1614, në qendër të Tiranës. Bërthama e dytë e qytetit u krijua në fillim të shek. 18, rreth xhamisë së Firës, 600 m në Veri-Perëndim të xhamisë së parë, në vendin ku sot është shkolla Jeronim De Rada. Bërthama e tretë ndërtohet rreth xhamisë së Zaimit në 1775, në verilindje të xhamisë së vjetër. Bërthama e katërt nis me fillimin e ndërtimit të xhamisë së Et’hem Beut në vitet 1794-1821, e vendosur aty ku ndodhet edhe sot e kësaj dite. Veç kësaj në qendër të çdo lagje kishte një xhami, si ajo e Stërmasit në vitin 1840, e Karapicit më 1858, e Kokonozit dhe e Bërxollit të shek. XIX, Xhamia e Mujos, e Reçit e kështu me radhë.

Xhamitë, si ndërtesa që i shërbenin masës së gjerë të qytetarëve, morën edhe një zhvillim të madh arkitektonik me një pasuri të madhe artistike e përbërë nga dekoracione me motive floreale, me peizazhe të pikturuara dhe gdhendje druri e guri në kolonat, kapitelet, tavanet, mafilet, etj., duke u bërë një vlerë e jashtëzakonshme kulturore.

 

Xhamia e Vjeter (1)

 

Historiani Bardhi shprehet se “Xhamitë e Tiranës përveç vlerave religjioze kishin edhe vlera të mëdha artiskike, ndoshta xhamia e Ethem Beut për shumë arkitektë është shprehja e xhamisë me elegante dhe më të bukur jo vetëm të Shqipërisë por edhe më tej.Me zhvillimin e ekonomik të Tiranës, edhe xhamitë ndërtoheshin të bukura, me minare elegante e me zbukurime të shumta, ku edhe këtu dallohet xhamia e Ethem Beut për elegancën e saj dhe për pikturat murale, që mbeten edhe sot një bukuri e jashtëzakonshme me vlera të pakrahasueshme me xhamitë e tjera. Ajo ka elemente edhe të artit perëndimor. Thonë që Haxhi Ethem Beu, ka qenë një njeri që njihte mirë jo vetëm lindjen por edhe perëndimin dhe piktorët që kanë pikturuar një pjesë të kësaj xhamie ishin nga Dalmacia (Italia).”

Të gjithë ato që fati i solli nga këto anë, nuk nguruan të përshkruanin bukuritë e tyre. Konsulli frëng në Shkodër A. Degrand, kur vizitoi Tiranën në vitin 1901, do të shkruante:

“Xhamitë e Tiranës janë të mbushura të gjitha me zbukurime dhe piktura me ngjyra kaq të gjalla, sa në ditët me diell krijonjnë një ndjesi gazmore. Nuk ka qytet tjetër në shqipëri, nga sa kam parë, që të shfaqë një karakter kaq intersant”

Ndërsa Edit Durham, në vitin 1904 do të përshkruante kështu Tiranën: “Qyteti ishte jashtëzakonisht i pastër dhe shumë piktoresk. Xhamitë ishin tejmase të bukura, ngjyra ngjyra dhe të pikturuara me peisazhe të mrekullueshme.”

Në fillim të viteve ‘30 Tirana kishte rreth 40 xhami, ndërsa, përpara se komunizmi të shkatërronte ndërtesat e kultit, Tirana, vetëm qyteti, ka patur 27 xhami, e shumë pak prej tyre i shpëtuan “terrorit të kuq”. E ndërsa sot, Tirana është qyteti më i madh i Shqipërisë, qendra më e madhe sociale dhe kulturore e vendit, me një popullsi domunuese myslimane dhe ka vetëm 8 xhami kryesore.

Në të gjithë vendin shumë prona të Komunitetit Mysliman u shtetëzuan dhe u ndërtuan shkolla e ndërtesa të tjera publike. “Në qendër ku sot ndodhet Teatri i Operës dhe Baletit ka qenë Xhamia e Karapicit, tek ushtari i panjohur ka qenë Xhamia e Sulejman Pashës. Tek tregu çam Xhamia e Zelve, sot shkolla Kostandin Kristoforidhi, Xhamia e Beshirëve, sot shkolla Sami Frashri, Xhamia e Haxhi Jasës, sot Materiniteti Geraldinë, Xhamia e Islam Allës, sot  shkolla Jeronim Derada, e shumë të tjera në vend të të cilave janë ndërtuar godina shumëkatëshe”, tregon myftiu i Tiranës Ylli Gurra.

Xhami që mbanin mbi vete copëza të rëndësishme të historisë së Tiranës, u shkatërruan sistematikisht, për të shkëputur lidhjet me të kaluarën dhe t’i përgjigjeshin kushteve dhe rrethanave të reja, të krijuara nga ideologjia komuniste.

Xhamitë nuk  luanin vetëm rolin e tyre primar, atë të vendkryerjes së adhurimit, ato luan gjithashtu edhe nje rol të madh social. Lidhur më këtë sociologu Gëzim Tushi nënvizon se “Xhamitë janë institucione të dorës së parë të rëndësishme me vlera sociale të pallogaritshme, me vlera humane shumë të mëdha, me vlera purifikuese, të shpirtit të njeriut duke e bërë ata më të mirë e më njerëzorë. Unë jam i bindur që në institucionet e kultit mysliman, në xhamitë,  gjithnjë e më shumë predikohet humanizmi, solidariteti, mbështetja e të varfërve, mbështetja e njerëzve në nevojë, lidhjet humane mes njerëzve, në këtë pikëpamje dobia e tyre sociale është shumë e madhe. Shoqëria shqiptare pret shumë prej tyre, janë institucionet më të rëndësishme dhe më të vjetra të qytetërimit në këtë pikëpamje do të dëshiroja një kujdes më të madh për to, një përmirësim të kushteve.”

 

Ethem Beu - Janar 2013 (3)
Xhamia Ethem Bej, Janar 2013

 

Pas viteve ’90, gradualisht në Tiranë filloi “modernizimi” edhe ato pak objekte që kishin mbetur po u zihej fryma nga betonizimi. Gjatë kësaj kohe u vunë në funksionim disa xhami, ndërmjet tyre vetëm Xhamia e Et’hem Beut ishte mirëmbajtur si muze, e cila sot është më e frekuentuara nga vizitorët vendas dhe të huaj, për shak të bukurisë dhe historisë që ajo mbart mbi supe. Ndërsa xhamitë  e tjera të si ajo e Kokonozit, e Tabakëve dhe ajo e rrugës së Kavajës, patën nevojë për investime të mëdha për t’i kthyer në identitet. Sot kapaciteti i tyre është dyfishuar. Më vonë u ndërtuan edhe xhami të reja si ajo e Xhurës tek “Oxhaku”, xhamia në bllokun e ndërtesave të Al’Maku-t dhe INSIG. Është përshtatur mjaft mirë për falje edhe një sallë në Medrese, që quhet Xhamia e Medresesë, që u nis vetëm për nxënësit e shkollës, por në të kryejn ritet fetare edhe shumë nga banorët e lagjes.

“Në kushtet e sotme të jetës moderne institucionet e kultit fetar janë shumë të rëndësishme dhe kanë një vlerë të madhe. Moderniteti ka sjellë shumë probleme, shumë paqëndrueshmëri dhe njerëzit kanë nevojë të gjejnë burime të sigurta të orientimit social, dhe institucionet fetarë janë unikale për sa i përket orientimit dhe ndikimit në shpirtin e njeriut. Në Shqipëri po vihet re gjithnjë e  më shumë lidhja e njerëzve me objektet e kultit, kryesisht xhamitë. Sa më shumë xhami të ketë, sa më të përhapura të jenë ato, aq më mirë është, pasi në këtë kohë moderne nuk është e lehtë ti mbledhësh njerëzit ashtu siç bëjnë objektet të kultit, konkretisht xhamitë”, shprehet z. Tushi.

Realiteti është i dhimbshëm, të gjitha ato objekte kulti që i dhanë jetë kryeqytetit, u ndoqën nga zinxhiri shkatrrimtar, ku identiteti dhe historia u përçmuan, u rrënuan, u grabitën. Por ajo që nuk mund të shuhet është se banorët e këtij qyteti janë të vetëdijshëm se gurëthemeli i parë i Tiranës është Xhamia e Vjetër, ajo e cila i dha frymë dhe jetë qytetit.

Ndoshta një rreze shprese ka mbetur ende. Ajo është Xhamia e Namazgjasë, edhe pse peripecitë për të mesa duket nuk kanë të sosur, ajo premton të ngrihet mbi themelet e traditës dhe kulturës së hershme islame shqiptare, që do të mishërojë edhe traditën e gjatë dhe origjinale të xhamive tona,  e duke i rikthyer sadopak trashëgiminë e humbur kryeqytetit të shqiptarëve.

 

(Revista Drita Islame, Janar 2014)

 

Ethem Beu 1938

Xhamia Ethem Beu, Marubi, 1938

 

 

Pazari i Vjeter

Xhamia e Karapicit dhe Ethem Beu

Xhamia e Vjeter (2)

Xhamia Kokonozit - Pazari i ri Tirane - Nentor 2013

Xhamia Dine Hoxha - Nentor 2013

Xhamia Dine Hoxha – Nëntor 2013

Pse është shmangur nga kremtimet 400-vjetori i themelimit të Tiranës?!

02/02/2014 Lini një koment

PSE ËSHTË SHMANGUR NGA KREMTIMET 400-VJETORI I THEMELIMIT TË TIRANËS?!

Tiranë - Çarshia e Vjetër

Tiranë – Çarshia e Vjetër

TIRANE – Vështirë të gjesh një përgjigje për mungesën e kremtimit të 400-vjetorit të Tiranës, por justifikime do të ketë patjetër. Jemi të sigurt se pas këtij shkrimi, shoqata dhe organizime-hijena do ngrihen dhe të thonë se ato e kishin në planet e tyre. Në fakt, duke dëgjuar ato që parashtronte për festimet e këtij viti kryeministri i vendit Rama dhe artikulimet e kryebashkiakut Basha e kupton se kremtimet për Tiranën janë të fundit në interesat e tyre. Jo më kot, dy njerëzit më të fuqishëm të politikës shqiptare, në mandatet e tyre si njerëzit e parë të Tiranës s’e kanë përmendur fare atë…Në këtë intervistë me Gazmend Bakiun, një studiues i apasionuar për qytetin dhe autor monografish për të, zbërthehet i gjithë ky harrim…

A mund të konsiderohet ky vit si 400 vjetori i krijimit të Tiranës?
“Viti 2014 është 400-vjetori i themelimit të qytetit të sotëm të Tiranës. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Viti i themelimit është përcaktuar për herë të parë nga Sami Frashëri në Kamus al-alam (Dictonaire universel dhistoire et de geographie, 1893). Sepse, ai konvertoi saktësisht vitin 1023 hixhri (sipas kalendarit islam) me vitin 1614 pas Krishtit (sipas kalendarit gregorian), vit kur u ndërtua Xhamia e Vjetër, nga Sulejman pashë Bargjini (Mulleti). Kuptohet, ky vit ka kuptim simbolik (sepse smund të ndërtohet një qytet për një vit, pasi formimi i një qyteti të ri është proces që kërkon vite), por ai është i krejtpranuar nga të gjithë studjuesit dhe historianët, vendas dhe të huaj, që nga Sami Frashëri e deri më sot.
Sa më sipër, nuk mohon aspak lashtësinë e trevës së Tiranës, kështjellat, qytetet antike që lidhen me së paku dy kala (Dorëzi dhe Persqopi), Bazilikën e Tiranës (Mozaikun jemi mësuar ti themi), etj. Por, qyteti i sotëm i Tiranës nuk ka lidhje të drejtëpërdrejtë me to, sepse është një akt më vete, që ndodhi 400 vjet më parë, prandaj themi se këtë vit, ai bëhet 400 vjeç”.

Pse autoritetet qoftë lokale dhe qendrore e kanë shmangur nga kalendari i tyre i kremtimeve në këtë vit?
“Pyetje me vend. Kjo vjen sepse krerët e pushtetit qendror dhe lokal e shikojnë Tiranën më tepër si kryeqytet, dhe pak si qytet, në kontekstin historik dhe të traditës. Të zënë me punëra të mëdha, atyre s u bie ndërmend për 400-vjetorin, dhe në e zënçin me gojë, kjo vlen sa për të kaluar radhën (uroj të përgënjeshtrohem!).
Në çdo vend tjetër, përvjetori i 400-të apo i 500-të i çdo qyteti, do të kishte qenë një rast shumë i mirë promocioni, turizmi, aktivitetesh dhe plot mundësish të tjera. Do të ishte një rast shumë i mirë për të promovuar qytetarinë dhe për ngulitur tek çdo kryeqytetas dhe tek çdo pushtetar të vërtetën: “Unë jam tiranas sepse unë jetoj këtu”. Nga kjo, vetëm të fituar do të kishim; edhe qyteti natyrisht”.

Çfarë mund të bëhej me këtë rast?
“Përveç atyre që thashë më lart, do të duhej pikë së pari, të nderohej themeluesi i qytetit, Sulejman Pasha. Monumenti i tij duhet të ngrihet në një piedestal më të lartë, dhe mbase duhet zhvendosur tek trotuari, përpara kafe “Europës”, sepse nuk mund të qëndrojë pranë monumentit të Partizanit, sikur këta të ishin vëllezërit Frashëri. Ndoshta, për Sulejman Pashën duhet bërë një monument i ri, më i arrirë se ky që kemi sot.
Për 400-vjetorin e Tiranës, do të duhej të bëhej një axhendë e plotë, nga një komision i posaçëm, dhe aty mund të vendosej për gjithshka. Por siç duken gjasat do të kemi.

 

(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 87 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d blogues: