Arkiv

Archive for the ‘Shqiptarët në Turqi’ Category

Shqiptari që u dashurua në sulltaneshën Mihriman

10/06/2015 Lini një koment

SHQIPTARI QË U DASHURUA NË SULLTANESHËN MIHRIMAN

Arkitekt Sinani

Arkitekt Sinani

Arkitekt Sinani u dashurua marrëzisht me Sulltan Mihrimanin, së cilës zjarri i dashurisë ja pushtoi zemrën, vetëm atëherë e bija e Roksollanës e kuptoi ndjenjën më të lartë të dashurisë.

E përmendur për inteligjencën natyrale në mënyrë që ta përcillte sa më bukur ndjenjën e dashurisë, ajo u përkushtua artit të pikturës – por pikturës mbi ujë –të quajtur ebru. Jeta e saj ishte si pikturat që bënte mbi sipërfaqe – disa figura vetëm i prekte, të tjerat shkriheshin. Pikturat e saj ishin plot me dashuri për Arkitekt Sinanin, por edhe me vuajtje, me ndrydhje të shpirtit që pikonte lot…

Vajza e vetme e Sulltanit të madhërishëm-Mihrimah, mbetet në hijen e nënës së saj të famshme- ish skllaves Roksollana, e cila hyri në historinë e Turqisë si bashkëshortja e pabindur e perandorisë Osmane. I ati Sulltani Sulejmani i madhërishëm e quajti “Mihrimah Trëndafili i Perandorisë Osmane”. Por Sulltana e ndriçoi historinë e perandorisë si një personazh shumë i rëndësishëm- si një grua me një finesë të dukshme, tepër elegante dhe shumë e ndryshme nga nëna e saj.

Emrin Sulltanës ja vuri vetë Sulejmani, emri Mihrimah përmban Diellin dhe Hënën: i ati Sulejmani simbolizon diellin, që ndriçon tokën, ndërsa e ëma Hyrjem (lindur në stepat e Ukrainës në familjen e famulltarit e quajtur Roksollana) – ndriçon natën me dritën hënore.

Vajza e vetme të cilën Sulltani e donte veçanërisht më shumë se fëmijët e tjerë, e mbante shumë afër dhe kujdesej shumë për të, por ajo ndjehej si ai zogu i ndrydhur në kafaz, në pallatin e madh në Topkapë. Mihrimah nga karakteri nuk i ngjante as të ëmës dhe as të atit, nuk trashëgoi nga Sulejmani si ndjenjën e shfrenuar të pushtetit por as makutërinë e të ëmës së saj.

Duke qenë vajza e Sulejmanit të Madhërishëm ishte e detyruar të ndiqte me zemër të thyer të gjitha ritualet e rënda të perandorisë Osmane, si fundin tragjik të vëllezërve të saj në luftën e pamëshirshme për fronin e Sulltanit. Por edhe rituale të tjera që ishin jashtë natyrës së saj. Mihrimani ishte me karakter të butë dhe e ndjeshme, i donte shumë njerzit e familjes si hallat e saj, kushurinjtë dhe vëllezërit e saj. Ishte më e lidhur me të atin se sa me të ëmën, ishte shumë e dhënë pas artit dhe kulturës.

Në vitin 1539 Mihrimani ishte 17 vjeç dhe e ëma vendosi ta martojë me një burrë me diferencë moshe shumë të madhe, ai ishte Rustem Pasha, të cilin ajo nuk e donte dhe nuk e deshi kurrë.

Me zemër të thyer ju bind rregullave të rrepta të perandorisë. Martesën e saj ato e quajtën si një xhest mirësie të Roksallanës ndaj pashait të madh të perandorisë, të cilin Sulltani e kishte zgjedhur për dhëndër. Ai ishte i përzgjedhuri i familjes së madhe, ata i falën skllaven e mençur e të bukur dhe të re zotit të saj të ligjshëm. Rusja nuk harroi sakrificën e të bijës për humbjen lirisë dhe të drejtës për të dashuruar, që t’ja çonte pashait plak. E merrni me mend shtypjen që shaktoi në shpirtin e një vajze fare të re kjo martesë e imponuar.

Por faktet historike burimore tregojnë një të fshehtë shumë interesante, në atë kohë Bullgaria si shumë shtete të tjera të botës ishte pushtuar nga perandoria turke. Ishte viti 1558, 160 vjet pas pushtimit të turqve, vendi i quajtur Strellca, i famshëm për burimet e shumta me ujë mineral, u bë pronë e të bijës së Sulltanit të madhërishëm si dhuratë e tij personale për vajzën Mihrimanin e shtrenjtë. Këtë fshat të bukur ja kishte bërë dhuratë Sulltani Mihrimanit për martesën.

Ndërsa Rustem pasha si vakëf përfitoi vendin e quajtur Arbanas (që ishte populluar nga shqiptarë).

Me të ardhurat e këtyre vakëfeve dhe vakëfeve të tjera çifti filloj të merrej me bamirësi si dhe me aktivitete kulturore.

Mihrimani porositi shqiptarin e famshëm në të gjithë perandorinë arkitekt Sinanin – që ishte arkitekti kryesor i perandorisë, të ndërtonte ndërtesa të veçanta. Sipas urdhërit të saj ai ndërtoi xhaminë e quajtur “Mihrimah xhamija” në Odrin, “Iskile xhamija” në Stamboll dhe shumë imarete (ambjente bamirësie, strehëza ku shpërndahej ushqim falas për të varfërit dhe të pastrehët).

Arkitekt Sinani ka ndërtuar edhe xhaminë e madhe që gjendet në qendër të Sofjes.

Por një dashuri e zjarrtë ja pushtoi zemrat dy të rinjve.

Arkitekt Sinani u dashurua marrëzisht me Sulltan Mihrimanin, së cilës zjarri i dashurisë ja pushtoi zemrën, vetëm atëherë e bija e Roksollanës e kuptoi ndjenjën më të lartë të dashurisë. E përmendur për inteligjencën natyrale në mënyrë që ta përcillte sa më bukur ndjenjën e dashurisë, ajo u përkushtua artit të pikturës – por pikturës mbi ujë –të quajtur ebru.

Jeta e saj ishte si pikturat që bënte mbi sipërfaqe – disa figura vetëm i prekte, të tjerat shkriheshin. Pikturat e saj ishin plot me dashuri për Arkitekt Sinanin, por edhe me vuajtje, me ndrydhje të shpirtit që pikonte lot…

Por çfarë thonë kronikat e asaj kohe për dasmën e të mirës e të bukurës Sulltan Mihrimanit dhe Rustem pashës.

Siç e përmenda edhe më lart ajo ishte pika e dobët e Sulejmanit të Madhësishëm. Dasma e tyre ishte me të vërtetë si në përrallat e njëmijë e një netëve e pa imagjinueshme. Për vite me radhë tregohej e tregohej për këtë dasëm të rrallë.

Njerëzit e tregonin si përrallë, për të ftuarit e mrekullueshëm, për kalorësit e zbukuruar por edhe kuajt i kishin zbukuruar si njerëzit, për kostumet e verdha me të kuqe të jeniçerëve, pjesa ku ishin të ftuara vetëm vajzat zbukuruar me qirinj shumë ngjyrësh të gjata sa selvia me kurora prej lulesh ngjyra ngjyra, po veshjet e tyre të mahnitshme, ndërsa për njerzit e ritur kënaqeshin duke ja treguar fëmijëve dhe nipërve të tyre dhe kështu rëfimi shkonte brez pas bezi. Karroca e çiftit të sapo martuar ishte e mbuluar me tyl mëndafshi nga të dyja anët, tërhiqej nga katër kuaj të bardhë, provokonte një marramendje të vërtetë.

Dhurata pa fund nga e gjithë bota, pallto dhe gëzof me lëkura nga kafshë të rralla, bizhu me gurë të çmuar, djamante, ar, zjarre, fishekzjarre deri në mëngjez, bakllava, ëmbëlsira nga gjithe bota, byreqe nga më të ndryshmet, ushqim për të gjithë. Kjo ceremoni u mbajt mend shumë gjatë jo vetëm në Stamboll por edhe nëpër qytete të tjera të Turqisë.

Akrobat dhe cirk, zhonglerë apo magjistarë të ardhur enkas nga shumë vende të botës që mahnitën popullin me numrat e tyre artistike. Këngëtarë, valltarë, orkestra të shumtë mbetën në mendjen e popullit turk për një kohë shumë të gjatë. Pleqtë u tregonin nipërve dhe mbesave se si dyzetë ditë dhe dyzetë netë vazhduan festimet dhe ceremonia e martesës së Mihrimanit të mjerë.

Advertisements

Shqiptarët që administrojnë qytetin e sulltanëve

07/05/2015 Lini një koment

Luela MYFTARI

 

SHQIPTARËT QË ADMINISTROJNË QYTETIN E SULLTANËVE

Bursa

  • Reportazh nga Turqia. Bursa, qyteti i gjelbër që udhëhiqet nga një shqiptar. Traditat dhe kultura shqiptare në mes të Bursës

Udhëtojmë drejt Turqisë. Sapo mbërrijmë në Bursa, një qytet shumë i madh pranë Stambollit, qyteti i sulltanëve të Perandorisë Osmane, kuptojmë që na presin shqiptarë. Këshilltari i kryetarit të Bashkisë së Bursës, Emir Bej, siç e thërrisnin të gjithë na rrëfen se edhe kryetari i këtij qyteti është shqiptar. Edhe në mbrëmje do të na presin shqiptarë. Sepse në Bursa ka shumë shqiptarë. Një lagje e tërë, përpos katër milion banorëve të këtij qyteti ishte me shqiptarë. Na quanin arnautë, por për ta nuk dukeshim të huaj. Sepse mirëpritjen, ngrohtësinë, traditën dhe kulturën shqiptare e ruajnë me xhelozi të madhe.

Traditën e shqiptarëve e gjetëm edhe te shqiptarët e Turqisë, sidomos te shqiptarët e Bursës, një krenari e këndshme që thonë me gojën plot “kemi prejardhje shqiptare”. Një pritje si shqiptarët Na priti në aeroport Emir Bej, të cilit i shkonte shumë emri që kishte. Deri në fund të qëndrimit tonë në Bursa ai ka qenë prezent kudo, për të qenë guida jonë, guida e gazetarëve që kishin mbërritur aty për të kuptuar më shumë për binjakëzimin e dy qyteteve, atë të Tiranës dhe Bursës. Ai ishte një nga ata shqiptarët që e njihnin të gjithë të tjerët, me kostumin, apo pa kostumin zyrtar.


Festonin shqip 

Që në ditën e parë të qëndrimit tonë në Bursa, rreth 700 mijë shqiptarë që jetonin aty ishin informuar për ardhjen tonë. Disa prej tyre, pjesë e një shoqate që ruante dhe kultivonte traditën, gjuhën dhe kulturën shqiptare, na pritën në mbrëmje me këngë, valle, muzikë dhe përshëndetje në shqip. Ishin mbledhur të gjithë për të na uruar mirëseardhjen në shqip. U çuditëm, kur edhe fëmijë të vegjël, që ndoshta kurrë nuk kishin qenë në trojet e tyre, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, dinin të kërcenin aq bukur vallet dhe këngët popullore shqiptare. Vallja popullore e kostumi shqiptar ishte aty jo vetëm tek të rriturit, por edhe te fëmijët e tyre që kishin mësuar se të parët e tyre vinin nga trojet e Skënderbeut.


Një ansambël ku gjithë Shqiptaria bëhej një

Vetë Emir Bej u ngrit të kërcente ca këngë, ashtu si nga anët e tij, duke u bashkuar me shqiptarët e tij. Ishte gati të vishte edhe kostumin popullor, por u mjaftua duke hequr xhaketën që t’i kërcente vallet njëlloj si valltar. Një ansambël i tillë që mblidhte bashkë Napolonin, vallen e Osman Takës, vallen e Kukësit, vallet shkupjane dhe ato të Kosovës, vështirë se do ta gjeje edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi, sepse ata nuk bënin dallim se prej nga vinin. Ata ishin të gjithë shqiptarë dhe kishin kostume popullore të jashtëzakonshme.

 

Gjuha shqipe 

Në pesë ditë qëndrimi në Bursa thuajse të gjithë na folën shqip. Edhe shitësja, edhe taksisti, edhe pronari i një lokali në qendër të Bursës, sapo merrnin vesh që ne ishim mysafirë nga Shqipëria, na flisnin shqip. Edhe shitësja e një butiku në qendrën tregtare të sheshit Zafer, dinte shqip, edhe pse vetë nuk ishte arnaute. Ishte martuar me arnaut dhe fëmijët e saj që mësonin shqip nga i ati, e kishin bërë të fliste shqip. Ditën tjetër, një e moshuar që sapo hyri në tramvaj e njohu gjuhën tonë teksa flisnim me njëritjetrin. Nuk na tha asgjë, por kur njëra prej gazetareve u ngrit në mënyrë që të ulej e moshuara, kjo e fundit tha me gjuhën shqipe gjysmë të harruar: “Faleminderit”.

Gjatë udhëtimit na tregoi se kishte lindur aty, në Turqi, por prindërit ia kishin mësuar shqipen, që tashmë mezi e fliste, sepse kujtesa bënte të vetëm me kalimin e viteve. Ishte kryesisht një gegërishte e vjetër, e pastër, pa sllavizma dhe e ruajtur me fanatizmin të madh. Kjo gjuhë e vjetër që ruhej prej më se një shekulli hasej në shumë familje shqiptare që jetonin e punonin aty. Kanë kaluar vite, dekada, po edhe shekuj që e kanë lënë atdheun e të parëve, jetojnë me mijëra kilometra larg, por gjuhën shqipe nuk e kanë harruar. Dhe kjo na çuditi shumë.

Më shumë se 800 mijë shqiptarë jetojnë në Bursa  Numri më i madh i shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve të tyre etnike duket se është ai në Turqi. Sipas studiuesve dhe historianëve të ndryshëm shqiptarë, në Turqi llogaritet të jenë më shumë 6 milionë shqiptarë. Sigurisht kjo shifër nuk përfshin të gjithë shqiptarët që kanë ikur nga trojet e tyre, por edhe shqiptarët që janë shkrirë me popullsinë vendase. Sipas statistikave, numri i shqiptarëve që janë strehuar në shtetin turk zë vendin e parë të emigracionit shqiptar. Dhe llogaria nis që nga fundi i pushtimit osman, kur ishin të shumta familjet që jetonin në Turqi, për të vazhduar më pas me shpërnguljet masivet të shqiptarëve nga serbët. Nga Kosova drejt Turqisë serbët dëbuan një numër të konsiderueshëm shqiptarësh. Pjesa më e madhe janë vendosur në Stamboll, Bursë, Izmir, Tokat, Ankara, Sakarja dhe Samsun. Vetëm në Bursa dhe rrethinat e saj llogaritet se gjenden më shumë se 800 mijë shqiptarë.

Pjaca e quajtur Zafer, njihej si lagjja e shqiptarëve. Gjendej në qendër të qytetit, ashtu sikurse edhe shumë dyqane apo lokale të cilat administroheshin nga shqiptarë të lindur aty, apo të ardhur më vonë. Po ashtu edhe shoqata e biznesmenëve në Bursa ka në përbërje të saj 70 për qind shqiptarë. Që në takimin e parë me kryebashkiakun, Rexhep Alltepe apo administruesin e qytetit, siç e quanin ata biseduam pë mundësinë e përfitimeve që Tirana mund të ketë nga bashëpunimi me Bursën. Të gjithë të pranishmit, biznesmenët dhe kryetari, u treguan të gatshëm pë të investuar në Tiranë, duke filluar që nga tramvaji, i cili ishte një prodhim i Bursës, e deri tek shkollat shqipe që së shpejti priteshin të hapeshin në Bursa për shkak të kërkesave që ka pasur.

Kur Alltepe na tha se administronte një qytet me afro 4 milion banorë. Disa pëshpërisnin duke pranuar se katër milionë banorë nuk janë pak, por sa e gjithë popullsia e Shqipërisë. Dhe po të mblidhje numrin e shqiptarëve në të gjithë Turqinë mund të lindte edhe ndonjë anektodë tjetër si ajo që dëgjuan në ambientet e redaksie mediatike. Thuhej se, në një takim zyrtar, një kryeministër turk në mes të viteve ‘90 bën shaka me njërin nga udhëheqësit shqiptar që kishte shkuar në Turqi duke i thënë: “Unë drejtoj më shumë shqiptarë sesa ju”.

 

Arkitektura, një vend plot xhami  

Bursa ishte kryeqyteti i parë në fillim të vitit 1200 dhe në fund të vitit 1300 të Perandorisë Osmane. Në këtë prizëm kryeqyteti i dikurshëm i Perandorisë Osmane filloi të zhvillohej shumë nga ana arkitetkturës. Sarajet dhe banesat e sulltanëve dhe pasardhësve të tyre gjenden akoma aty dhe janë monumente të mbrojtura. Për shkak të të qenit kryeqyteti i parë osmane, Bursa është shumë e pasur edhe me monumente fetare, afro 1.575 xhami, varre, tyrbes, banja etj. Një nga vendet më të bukura në Bursa është Xhamia Yesil (Green Xhamia), me portë prej mermeri të gdhendur.

 

Konsumi  

Gatimi ishte thuajse njëlloj si tek shqiptarët, kjo edhe pasi trojet tona kanë qenë nën tutelën e tyre për gati pesë shekuj. Balkllavaja, kadaifi, mishi, peshku, thuajse të gjitha gatuheshin njëlloj. Gështenjat e ëmbëlsuara janë një specialitet dhe kanë një shije të paharrueshme. Pjeshkët e Bursës janë unike. Në këtë vend, nuk konsumohej thuajse fare alkool.Por nëse dëshironi diçka për të blerë, Bursa është një qendër e tregtisë dhe prodhimit të mëndafshit.

 

Iskënderi i Madh  

Heroin tonë kombëtar, Skënderbeun, shqiptarët e Turqisë dhe vetë turqit e quanin Iskënderin e Madh. Ashtu sikurse të gjithë ata që iu kundërvunë sulltanit, bashkë me jeniçerët, ashtu konsiderohej edhe figura e heroit tonë. Turqit nuk e komentonin figurën e tij me një krenari të madhe. Ata komentonin për të vetëm pjesën e parë të jetës së tij. Ata thonin se Skënderbeun e kishin rritur ata. Ndërsa shqiptarët me plot gojën rrëfenin se ai kishte luftuar për vatanin. Ishte një rrëfim ndryshe, një lloj krenarie që justifikonte çdo veprim apo zgjedhje të heroit tonë të madh.

 

Sami Frashëri  

Sami Bej Frashëri, i cili ka lindur në Frashër të Shqipërisë dhe ka vdekur në Stamboll, konsiderohej si një nga figurat e tjera arnauto-turke. Ai ishte rilindës i shquar, ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist, sipas tyre. Në literaturën e huaj, Sami Frashëri është njohur me emrin Shemseddin Sami. Dhe kështu njihej edhe në Turqi. Madje, ata që e njihnin më së miri, pra shqiptarët e dinin që ishte shqiptar dhe e pranonin. Turqit nga ana tjetër mendonin se ai ishte shkrimtar turk. E fakti që ai shkroi në të dyja gjuhët na bën t’i pranojmë të dyja versionet, njëlloj sikurse edhe për heroin tonë kombëtar, Skënderbeun.

 

Burimi: http://shekulli.com.al/web/p.php?id=48169&kat=104

Koha e rilindjes kombëtare shqiptare në Turqi

23/02/2015 Lini një koment

Isa MULAJ

 

KOHA E RILINDJES KOMBËTARE SHQIPTARE NË TURQI

Mehmet Akif Ersoj

Mehmet Akif Ersoj

Turqia është shteti me numrin më të madh të shqiptarëve në botë. Stambolli më 1850 kishte 60.000 shqiptarë (mbi 4 herë më shumë se Prizreni) dhe sot mbetet qyteti me numrin më të madh të shqiptarëve.

Shqiptarët në Ballkan duhet t’i shikojnë shqiptarët e Turqisë dhe Turqinë siç e shohin hebrenjtë e Izraelit SHBA-në, bullgarët e Maqedonisë Maqedoninë, dhe serbët e Republikës Serbe Serbinë. Shqiptarët nuk kanë tjetër aleat të ngushtë më të madh pos Turqisë dhe SHBA-së.

Të gjithë ata shqipfolës që shajnë e bërtasin si gjàja kundër Turqisë, do të ishte rast analog po qe se hebrenjtë e Izraelit të shanin SHBA-në, çka në realitet është e pamundur për izraelitët.

Gjersa shqiptarët në Perëndim janë duke ikur nga identiteti i tyre kur i ndërrojnë emrat nga Hajdar në Hary Bajraktari, në Shqipëri dhe Kosovë u ngjesin fëmijëve emra “shitoresh multi-etnike” që nuk dihet të cilit nacionalitet janë, shqiptarët në Turqi mbajnë emrat origjinal si Almeda Abazi dhe u kthehen mbiemrave të trojeve prej nga kanë emigruar si: Kosova, Ipek, Presheva, Toplica, Mitrovica, Gjilan.

Kjo duhet të jetë periudha e rilindjes së dytë kombëtare, sepse edhe ajo që e njohim si rilindje, ka ardhur nga shqiptarët e atij drejtimi, pra nga Stambolli. Ata që janë kundër kësaj rilindje dhe fëlliqin me gojë kundër shtetit ku jeton numri më i madh i shqiptarëve, duhet t’i fusni në lista me emër e mbiemër si sabotues dhe antikombëtarë, dhe duhet të ndiqen si armiq të kombit. Shqiptarët në Perandorinë Osmane ishin bashkësundues, i zgjeruan territoret e veta në të katër anët, dhe fama e tyre kishte arritur zenitin.

Sot, shqiptarët në Ballkan nuk kanë forcë ajrore, por ata në Turqi kanë. Në vijim po u sjell fjalimin tim nga Simpoziumi i mbajtur më 1 dhjetor para 700 studiuesve në Stamboll. Simpoziumi ishte organizuar nga Shoqata e Mësimdhënësve Ndërkombëtarë dhe Udhëheqësve të Arsimit.

 

Mehmet Akif Ersoj, tekstet e historisë dhe letërsia shqipe në Kosovë

 

Është një nder i madh dhe kënaqësi e veçantë për mua sot të jem i pranishëm në mesin tuaj këtu në Stamboll për herë të parë në jetën time, në qytetin i cili që nga viti 1850 është vendbanimi me numrin më të madh të shqiptarëve në botë.

Unë quhem Isa Mulaj. Vij nga një familje dhe shtet që nuk ka himn të vetin shtetëror, pra nga Kosova. Mirëpo, vij nga familja, një pasardhës i së cilës e ka shkruar himnin e sotëm të Turqisë. Po ashtu, vij nga shteti i cili ende nuk ka ushtri të vetën dhe në të gjenden ushtarët e huaj, por vij nga familja që ka dhënë dy anëtarë në luftë për Republikën e Turqisë. Njëri quhej Selim, që njihej në fshatin Shushicë si asker i mbretit dhe luftëtar trim që kishte shërbyer në Vilajetin e Kosovës, i cili më 1913 ishte rekrutuar në luftërat përreth këtij qyteti ku jemi sot dhe në Çanakala. Ai shërbeu në armatën e pestë, divizionin e 19-të të korpusit të III-të që udhëhiqej nga Mustafa Kemali, i cili, siç e dini, ishte promovuar në këtë pozitë komanduese të divizionit në fjalë nga atasheu ushtarak i Perandorisë Gjermane, Otto Liman von Sanders. Anëtari tjetër quhej Nazif dhe ishte kapiten i Flotës së Dardaneleve gjatë Luftës së Turqisë për Pavarësi.

Selimi ishte djali i Halitit, nipi i Tahir Efendiut ose babait të Mehmet Akifit, ndërsa Nazifi nipi i Selimit. Nga gjashtë djem sa i kishte Haliti, vetëm Shabani ose më i madhi kishte mbetur në fshatin Shushicë dhe ka lënë pasardhës, prej nga e kam prejardhjen unë. Djali i dytë Rexha dhe i pesti Misini kishin emigruar në Turqi dhe nuk kemi informata se ku mund të ndodhen pasardhësit e tyre. I treti Selimi dhe i gjashti Zeneli nuk kanë lënë pasardhës, ndërsa i katërti Hajredini (që është emër i ripërtërirë i gjyshit të Mehmet Akifit), ka pasur vetëm një djalë, Nazifin ose këtë kapitenin e flotës së Dardaneleve që ka e mbyllur jetën në Turqi, por nuk e dimë se kur. Këto janë migrimet e familjes Mulaj pas Tahir Efendiut, respektivisht nipave të tij.

Sot unë nuk kam ardhur këtu t’iu tregoj apo t’a pyes ndokënd prej jush se ku janë e ku s’janë të shpërndarë pjesa më e madhe e familjes së Hajredin Mulajt ose babait të Tahir Efendiut, edhe pse e di se ata janë shumë më në numër në Turqi se sa që kemi mbetur ne në Kosovë. Shpresoj se këtë do ta bëjmë së bashku ndonjëherë tjetër.

Qëllimi im nuk është as t’iu tregoj diçka rreth veprave të Mehmet Akifit pasi shumica prej jush këtu mund t’i keni studiuar dhe i njihni ato më mirë se unë, por t’iu tregoj se çka nuk kemi ditur ne si familje, institucionet arsimore të Kosovës dhe Shqipërisë për Mehmet Akif Ersojin, në kohën kur pjesa më e madhe e botës kishte njohuri të bollshme për të. Kjo mos njohuri e jona rreth tij, është njohuria më e madhe që ju mund ta merrnit nga unë deri në vitin 2000. Në fillim të këtij fjalimi unë e theksova se vij nga një familje, shteti i së cilës nuk ka himn të vetin, por njëri nga pasardhësit e kësaj familje më 1921 e ka shkruar Himnin Kombëtar të Turqisë.

Kjo mund të duket ironike, por e vërteta është kjo: para se të shkruajë Marshin e Pavarësisë për Turqinë, Mehmet Akifi kishte shkruar, siç i quaj unë “disa himne kombëtare” ekskluzivisht të lidhura me shqiptarët, me një vlerë shumë të rrallë dhe mësime të qarta si për të kaluarën ose atë kohë, ashtu edhe për të sotmen dhe të ardhmen, por që historia dhe letërsia shqipe qëllimisht apo nga mosdija i ka anashkaluar në tërësi, si veprat ashtu dhe vetë autorin e tyre. Paraqitja shumë e thellë e identitetit dhe mentalitetit shqiptar në poezitë e Mehmet Akifit, fatkeqësisht ende nuk ka depërtuar nëpër institucionet arsimore shtetërore të shqiptarëve, madje ai as që përmendet kund si personalitet. Po them fatkeqësisht, sepse çdo studiues i huaj kur analizon poezitë e tij për shqiptarët, është në gjendje t’i kuptojë këta si kolektiv më mirë se sa që vetë shqiptarët sot janë në gjendje t’ua përshkruajnë vetveten.

Një prej befasive të (pa)këndshme të mia ishte kur në enciklopeditë anglisht për Mehmet Akifin kam hasur në këtë vlerësim: “Botërisht i cilësuar si një prej mendjeve më të spikatura letrare të kohës së tij”. Kur mendoja se sa e sa shkrimtarë të huaj me lloj-lloj vjershash, tregimesh, përrallash dhe mitologjish i kisha mësuar në shkollë, dhe në mesin e tyre askund nuk figuron Mehmet Akifi me gjithë atë bagazh kontributi shumë domethënës për shqiptarët, më është dukur tmerr. Ky tmerr më ka detyruar të filloj ta shkruaj një punim.

Shumë shpejt e kuptova se një punim nuk mjafton dhe duhen disa punime të cilave në turqishten e vjetër u thonë Safahat që është kryevepra e Mehmet Akifit, pra veç ekziston një Safahat dhe s’dija si ta emërtoja, pos ta quaja Safahat 2! Sidoqoftë, punimin vendosa ta bëjë libër i cili është në proces dhe mban titullin: E vërteta historike dhe origjinaliteti si mollë e ndaluar: pasojat e censurës, indoktrinimeve dhe propagandës komuniste, në të cilin jam duke përdorur qasjen ontologjike dhe epistemologjike. Përpos Mehmet Akifit, libri gjurmon edhe aspekte të tjera të historisë së shqiptarëve, të cilat në një pjesë janë shtrembëruar e sajuar, e në pjesën tjetër janë censuruar për interesa të politikës dhe rrjedhave historike.

Unë sot po u drejtohem juve në gjuhën angleze, e cila nuk është gjuhë amtare as e imja, as e shtetit ku po mbahet kjo konferencë. Gjuhët e ndryshme nuk duhet të jenë shkaqe për të krijuar dallime ndërmjet nesh këtu, dhe këtë më së miri na e vërteton poema e Mehmet Akifit me titullin “Unë jam shqiptar” e shkruar më 1913 pas përçarjes ndërmjet shqiptarëve dhe xhonturqve që solli edhe luftën ndërmjet tyre, ku humbës dolën të dyja palët, barrën e tragjedisë më të madhe e përjetuan shqiptarët, ndërsa përfitues në kurriz të tyre ishin palët e treta. Duke e ditur se cili ishte epilogu i kësaj lufte, Mehmet Akifi kishte të drejtë, ndërsa shqiptarët dhe xhonturqit e kishin gabim. Prandaj, ne që jemi këtu, pavarësisht se kemi gjuhë të ndryshme, kemi shumë gjëra të përbashkëta që na bashkojnë, madje edhe dallimet gjuhësore na bashkojnë.

Zonja dhe zotërinj. Këto dhe shumë shembuj të tjerë të panumërt, jam duke i hulumtuar në libër. Librin po e shkruaj në shqip, por do ta botoj jashtë Kosovës, sepse statusi i gjuhës shqipe me kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk është aq i qartë. Gjuha shqipe në Kosovë nuk është gjuhë shtetërore sikur turqishtja në Turqi apo persishtja në Iran, por është vetëm njëra prej gjuhëve zyrtare si serbishtja dhe anglishtja.

Përveç kësaj, në gjuhën shqipe sot në Kosovë botohen shumë libra që përmbajnë edhe të pavërteta. Për librat e këtij lloji mund të kërkoni financim nga institucionet e Kosovës, dhe sigurisht se do ta merrni atë. Këtë të vërtetë do t’ua vërtetoj në librin tim që jam duke shkruar, i cili mes të tjerash bënë një analizë kritike të teksteve shkollore nga lënda e historisë në Kosovë. Tekstet në fjalë përmbajnë, nëse nuk është shprehje e ashpër ta përdor, edhe shumë gënjeshtra, jo vetëm nga historia, por edhe nga realiteti i sotëm që shihet me sy.

Nuk kam kohë këtu të hyjë në shumë detaje pasi ato do t’i keni në libër kur ta përfundoj e botoj. Por ajo që dua të them është se kudo që shikon nëpër tekstet shkollore të historisë në Kosovë, nuk po them se ka vetëm paqartësi ose gabime, por edhe gënjeshtra. Për shembull, në këtë libër të historisë që e kam këtu, Historia 7, shkruan se Galipoli gjendet në Bullgarinë e sotme, në këtë tjetrën ose Historia 6, Karpatet janë male që ndajnë Evropën me Azinë.

Në të tjera që s’i kam marrë me vete mund të shkruaj se Barak Obama ka marrë pjesë në Betejën e Kosovës, apo edhe se Hakan Shykyr e ka zbuluar pushkën automatike AK-47! Juve u duken këto gjëra shumë qesharake dhe u bëjnë të gjithëve të qeshni, por mua, pa hyrë në detaje të atyre pjesëve ku trajtohet historia e Kosovës dhe shqiptarëve gjatë Perandorisë Osmane e ku ka të pavërteta të shumta, janë shumë shqetësuese dhe më bëjnë të qaj, sepse, nxënësit në Kosovë për të marrë notë kaluese nga lënda e historisë, duhet t’i mësojnë këto gjëra ashtu si u shërbehen. E vërteta është se autorët e këtyre të pavërtetave paguhen dyfish në të njëjtën kohë; një herë si autorë, e herën tjetër si mësimdhënës ose punonjës, në vend se të japin llogari.

Unë mund të kem të drejtë të them se Stambolli është kryeqytet i Brazilit, dhe me këtë nuk kam përgjegjësi ndaj jush dhe nuk e dëmtoj askënd këtu, por ata në Kosovë paguhen për t’i detyruar nxënësit të mësojnë gjëra që nuk janë të vërteta ose gënjeshtra. Dhe ç’është më e keqja, të ashtuquajturit intelektualë dhe disa media të manipuluara të Kosovës, nënshkruajnë edhe peticione për moskorrigjimin e këtyre deformimeve.

Kjo mbase mund t’i bindë shumë popuj nëpër botë se shqiptarët e Kosovës përfundimisht janë njerëz kundër të vërtetës, kundër civilizimit, dhe mbi të gjitha, edhe kundër natyrës. Unë po bëj një përpjekje të vogël që njerëzimi të mos vijë deri në atë gjykim të arsyeshëm se shqiptarët janë njerëz që nuk duan të marrin vesh.

Nëse nuk e zgjata shumë, më lejoni me këtë rast të falënderoj organizatorin e kësaj konference për ftesën, studiuesit dhe institucionet nga Turqia siç është instituti Junus Emre për respektin e tyre ndaj origjinës së Mehmet Akifit dhe vizitat e shpeshta që na kanë bërë neve si familje në Kosovë, e në veçanti edhe Agjencinë e Turqisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) për rindërtimin dhe trefishimin në madhësi të shkollës fillore Mehmet Akif në fshatin Shushicë, ku unë i kam vijuar katër klasë, por atëherë shkolla quhej “Jedinstvo” që në serbisht do të thotë “Bashkimi”.

Historianët kosovarë le të vazhdojnë t’ua marrin serbëve Millosh Obiliqin dhe shqiponjën e zezë dykrenare, Kalkutës Nënë Terezën, ata në Shqipëri muzikën e himnit të Shqipërisë prej rumunëve, dhe ta heshtin gjeniun më të madh të shqiptarëve, Mehmet Akif Ersojin.

Duke u bazuar në sajimet e tyre, sot në Kosovë ka shumë shqiptarë të indoktrinuar që më shumë flasin zi e terr kundër Turqisë se sa që flasin kundër Millosheviqit, regjimi i të cilit i kishte goditur shumë dhe mund t’i shfarroste në masë po të mos ishte NATO dhe Forca Ajrore e Turqisë për të larguar makinën ushtarake dhe kriminelët e tij nga Kosova. Është e qartë se shqiptarët e tillë e kanë humbur kontaktin me realitetin, dhe harrojnë se shqiptarët ekzistojnë si komb kryesisht pse ishin pjesë dhe bashkësundimtarë të Perandorisë Osmane. Edhe sot, Turqia duket si mbrojtës i identitetit shqiptar, kur ajo nuk na rekomandon neve t’i vjedhim personalitetet e serbëve apo kujtdo qoftë tjetër, por të mësojmë nga ai që është i yni, pra nga Mehmet Akif Ersoj.

 

(Fjalim nga një simpozium që u mbajt në Stamboll më 01.12.2013, ku ishin të pranishëm afër 700 studiues)

Drejtori, alias rilindësi i shqipes në Stamboll

22/01/2015 Lini një koment

Rexhep RIFATI

 

DREJTORI, ALIAS RILINDËSI I SHQIPES NË STAMBOLL

Qamil Bytyçi me kursistët e sivjetmë të shqipes në Stamboll

Qamil Bytyçi me kursistët e sivjetmë të shqipes në Stamboll

Bashkëkombësi Qamil Bytyçi (Kamil Bitiş), drejtor i Qendrës Kulturore të Kosovës në Stamboll, i shpërngulur gjysmë shekulli më parë në Turqi, e bën një punë titanike për zhvillimin e shqipes, qoftë nëpërmjet organizimeve të kurseve, internetit, apo publikimeve të ndryshme

Drejtori i Qendrës Kulturore të Kosovës në Stamboll, Qamil Bytyçi (Kamil Bitiş), njihet si figurë kyçe ndërlidhëse ndërmjet shqiptarëve të trojeve etnike dhe atyre që prej dekadash jetojnë në Turqi. Këtë personalitet për herë të parë pata rastin ta takoj para një çerek shekulli në Stamboll, gjatë një vizite me disa anëtarë të Ansamblit Muzikor «Kastriotët» nga Ferizaj.

Atëbotë, Qamil Bytyçi (Kamil Bitiş) ishte sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Vëllazëria Turko-Shqiptare. Ai me anëtarët e kësaj shoqate angazhohej edhe atëherë me të madhe për sensibilizimin e pavarësisë së Kosovës në qarqet zyrtare të Turqisë.

Rrugëtimi jetësor

Për të mësuar më tepër për jetën dhe veprimtarinë e Qamil Bytyçit, këto ditë janari e zhvillova një bisedë me të nëpërmjet postës elektronike. Për biografinë e tij tekstualisht, në gjuhën shqipe, ai nga Stambolli na shkroi:

– Unë kam lindur në Sllovi të Lypjanit. Në vitin 1964 jemi shpërngulur në Turqi. Shkollën fillore dhe të mesme e kam mbaruar në Stamboll, kurse makinerinë në Kosovë, ku edhe e kam mësuar gjuhën shqipe më mirë. Deri në vitin 2012 kam punuar si përkthyes turqisht-shqip. Kam pasur rast të përkthej për të gjithë udhëheqësit e Kosovës, duke filluar nga Rugova, Fehmi Agani, Adem Demaçi, Hashim Thaçi etj., dhe ata të Shqipërisë, si për Bamir Topin, Lulzim Bashën e të tjerë gjatë vizitave të tyre në Turqi.

Ai njëherësh mban lidhje të ngushta edhe me shumë shoqata shqiptare jashtë trojeve etnike, duke shkëmbyer përvoja rreth avancimit të gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare.

Veprimtaria botuese

– Që nga muaji nëntor i vitit 2012 jam emëruar drejtor në Qendrën Kulturore të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës. Ndërkaq më parë, që nga viti 1991 kam qenë për dy mandate anëtar i Kryesisë dhe dhjetë mandate (20 vjet) sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Vëllazëria Turko-Shqiptare.

Ai është marrë edhe me publicistikë, duke trajtuar tema me interes për shqiptarët në Turqi dhe në trojet etnike. Në kuadër të këtij aktiviteti, e ka nxjerrë revistën «Besa”, në emër të shoqatës. Për ta sensibilizuar opinionin dhe autoritetet vendëse, në vitin 1998 e ka botuar në gjuhën turke librin «Çështja e Kosovës». Ndërsa vitin e kaluar e ka përkthyer në turqisht librin «Shpërngulja e shqiptarëve nga Serbia Jugore në vitet 1877/1878 dhe vendosja e tyre në Rrafshin e Kosovës», të autorit Sabit Uka.

Kurse të njëpasnjëshme të shqipes

Se cili është aktiviteti i sotëm i këtij veprimtari në kuadër të Qendrës Kulturore, Bytyçi deklaroi për portalin «dialogplus.ch»:

– Qendra Kulturore e Kosovës është hapur me 23 shkurt 2013 në Bayrampaşa të Stambollit. Në kuadër të saj janë zhvilluar disa aktivitete arsimore e kulturore. Më 29 prill të po atij viti e kemi filluar kursin e gjuhës shqipe në dy grupe, në fundjavë dhe ditën e hënë e të enjte. Në muajin shtator është hapur përsëri një kurs i gjuhës me një grup tjetër. Ndërsa me grupet e mëparshme kursi ka mbaruar. Po ashtu, edhe në vitin 2014 i kemi hapur dy kurse të gjuhës; njërin në muajin shkurt, kurse tjetri në muajin shtator. Këto dy grupe ende e vazhdojnë kursin. Kursi i hapur në shtator është i ndarë në dy grupe: njëri vazhdon ditën e shtunë e të diel, kurse grupi tjetër të mërkurën dhe të premten në mbrëmje.

Kur dhe si zhvillohet mësimi?

– Për shkak se kursistët të gjithë janë në punë, kurset mbahen jashtë orarit të punës: në mbrëmje pas orës 19:00 dhe në fundjavë pas orës 12:00. Kursin e fundit, që ka filluar më 10 janar 2015, janë duke e vazhduar 35-40 kursistë. Mësimet i kemi dy ditë në javë nga tri orë: ditën e shtunë dhe ditën e diel nga ora 18:00 deri në orën 20:30. Të gjitha kurset janë 6 orë në javë. Kurset zgjasin nga 5-6 muaj në një nivel.

Në javë punoj me pesë grupe të ndryshme. Ditën e shtunë dhe ditën e diel, duke filluar nga ora 12:00 deri në orën 20:30, punoj me tri grupe. Kurse gjatë javës punohet mbrëmjeve nga ora 19:00 deri në orën 21:30. Ndërkaq, me grupin e nivelit të tretë punohet ditën e mërkurë e të premte, nga ora 19:00 deri në orën 21:30.

Pa vikende e pushim vjetor!

Në pyetjen si arrin ta përballojë këtë dinamikë, ai shpjegon:

– Në Qendrën Kulturore të Kosovës punën e filloj rreth orës 9:30 dhe, përveç ditës së hënë, çdo ditë punoj deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Madje edhe në fundjavë: ditën e shtunë dhe ditën e diel, duke filluar nga ora 11:30 deri në orën 21:00. Në punë jam pa asnjë ditë pushimi. Për këto orare të zgjatura më shumë nuk marr ndonjë pagesë shtesë. Tash e dy vjet nuk kam marrë as pushim vjetor, nënvizon Bytyçi, duke shtuar se kjo dinamikë jashtë orarit nuk i është imponuar nga Ministria e Diasporës, por se këtë e bënë nga dëshira që qendra të afirmohet dhe shqiptarët e shumtë në këtë anë ta mësojnë sa më mirë gjuhën shqipe, qoftë edhe nëpërmjet kurseve, përderisa mungojnë shkollat për mësim të rregullt në gjuhën shqipe.

S’ka pagë që e mbulon shqipen!

Edhe para se të emërohej drejtor në këtë qendër, ai thotë se për një kohë në Küçükçekmece të Stambollit, në kuadër të Shoqatës Vëllazëria Turko-Shqiptare, ka udhëtuar afër 20 km larg lagjes ku ka banuar për të mbajtur ditën e shtunë dhe të diel nga tri orë në ditë kursin e gjuhës shqipe. Madje një vit e gjysmë pa asnjë pagesë, duke i mbuluar edhe shpenzimet e rrugës vetë. Përfundon se të gjitha këto i bën me të vetmin qellim që t’ua mësojë gjuhën shqipe bashkëkombëseve të tij. Krejt në fund shton: «Kjo është paga më e madhe për mua». Sepse, sipas tij, s’ka pagë që e mbulon shqipen! Vërtet një model që ky atdhetar nuk mund ta gjejë më as në vendin e origjinës.

Qendër Kulturore edhe në Ankara

Krejt në fund, drejtori i kësaj qendre kulturore në Stamboll, Qamil Bytyçi (Kamil Bitiş), shton se edhe në Ankara Ambasada e Kosovës dhe e Shqipërisë në Ankara do ta hapin po ashtu një qendër kulturore. Ndërkohë, me insistimin e Qendrës Kulturore të Stambollit, kursi i shqipes është hapur edhe në Adapazar, ndërsa mësuesin që e zhvillon mësimin atje e paguan e paguan Bashkia e Adapazarit. Tani përpjekjet e zotëri Bytyçit janë drejtuar për hapjen e këtyre kurseve edhe në Izmir dhe ne Bursa, ku jeton një komunitet i madh shqiptarësh.

Krejt në fund, do shtuar se atdhetari Qamil Bytyçi edhe në Stambollin e sotëm e kultivon frymën e rilindëseve të dikurshëm shqiptarë në këtë qytet milionësh. Shembull që meriton lëvdatë.

 

Burimi: http://www.dialogplus.ch/portret/drejtori-alias-rilindesi-i-shqipes-ne-stamboll/

Bursa, qyteti më i madh në botë që udhëhiqet nga kryetar shqiptar

22/04/2014 Lini një koment

BURSA, QYTETI MË I MADH NË BOTË QË UDHËHIQET NGA KRYETAR SHQIPTAR

Bursa

Bursa

Rexhep Altepe, shqiptar me prejardhje nga Shkupi, tani dhjetë vite me radhë udhëheq metropolin tre milionësh Bursa, që është qyteti i katërt në Turqi për nga popullsia, kurse i dyti pas Stambollit, sa i përket eksportit vjetor që realizon jashtë vendit. Anketat që bëhen nga institute të ndryshme tregojnë se Altepe pa ndonjë problem të madh do të fitojë edhe mandatin e tretë, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 30 mars të këtij viti.

Rexhep Altepe

Rexhep Altepe

Rexhep Altepe nuk është i popullarizuar te mediat shqiptare në Ballkan sa prefekti i Tiranë Lulzim Basha, ose sa prefekti i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai nuk është i popullarizuar te ne as sa kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, ose sa kryetari i Strugës Zijadin Sela dhe kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari.

Mirëpo Rexhep Altepe, shqiptar me prejardhje nga Shkupi, është kryetar i një qyteti i cili ka më tepër popullsi se sa nëse bëhen bashkë Tirana, Prishtina, Shkupi, Tetova, Struga e Kërçova.

Altepe tani dhjetë vite me radhë është kryetar i metropolit tre milionësh Bursa, që është qyteti i katërt në Turqi për nga popullsia, kurse i dyti pas Stambollit, sa i përket eksportit vjetor që realizon jashtë vendit.

Karrierën e vet politike, Altepe e ka filluar si kryetar i komunës Osman Gazi, ndryshe komuna më e madhe në kuadër të qytetit të Bursës, ku jeton komuniteti më i madh shqiptar në këtë qytet. Pas rezultateve të treguara në udhëheqjen e kësaj komune, Altepe në vitin 2004 ka vendosur të marrë pjesë në garën për kryetar të qytetit të Bursës, duke fituar këtë garë si kandidat i AK Partisë së kryeministrit turk Rexhep Tajip Erdogan. Fitoren e ka përsëritur edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2009, kurse të gjitha anketat që bëhen nga institute të ndryshme tregojnë se ai pa ndonjë problem të madh do të fitojë edhe mandatin e tretë, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 30 mars të këtij viti.

“Anketat tregojnë se kryetari Rexhep Altepe gëzon popullaritet prej 46 deri 50 për qind, kurse rejtingu i rivalit të tij nga partia opozitare CHP (Xhe-Ha-Pe) është rreth 25 për qind. Mendoj se pa asnjë problem do të fitojmë edhe në zgjedhjet e 30 marsit”, tha për “Lajm” Emir Xhemal, këshilltar i kryetarit Altepe, i cili poashtu është shqiptar me prejardhje nga fshati Nerez i Shkupit.

 

Pse fiton bindshëm Altepe?

 

Parashtrohet pyetja se pse fiton kaq bindshëm garën për kryetar të Bursës shqiptaro-shkupjani Rexhep Altepe? Athua fiton në bazë të fjalëve dhe premtimeve, apo në bazë të punës që ka bërë? Nuk diskutohet fare se ai është orator i mirë dhe elokuent, por është e qartë se popullaritetin e madh që gëzon te votuesit, më tepër bazohet në veprat që ka bërë se sa në fjalët që i thotë.

Altepe konsiderohet si një nga reformatorët më të mëdhenj në këtë qytet, sepse ka avancuar edhe më tepër industrinë e kësaj qendre tradicionale industriale. Në Bursë funksionojnë 25 zona të lira ekonomike, kurse vetëm njëra prej tyre realizon eksport në vlerë prej 6 miliardë dollarëve. Krahas kompanive të shumta turke, në Bursë funksionojnë edhe një numër i madh i kompanive të huaja, mes të cilave edhe kompani me nam botëror. Pjesa më e madhe e këtyre kompanive me investimet e tyre në Bursë kanë ardhur gjatë dhjetë viteve të fundit, që paraqet dëshmi të qartë për politikën e suksesshme të kryetarit Rexhep Altepe për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Para dhjetë viteve në Bursë kishte 300 kompani të huaja. Sot në qytetin tonë funksionojnë 800 kompani të huaja, të cilat kryesisht eksportojnë në Evropë dhe në SHBA. Gjatë krizës financiare botërore edhe pse nuk kishte rritje të  eksportit ët kompanive nga Bursa, megjithatë nuk kishte as rënie por nuk pati as ulje, falë orientimit të eksportit drejt vendeve të Azisë dhe Afrikës Veriore. Tani eksporti ka filluar sërish të shënojë rritje, fakt që na gëzon tej mase”, tha Altepe gjatë takimit që realizoi me një grup gazetarësh nga Maqedonia, që qëndruan katër ditë me radhë në Bursë.

 

Bursa, Ballkan i vogël

 

Vizita e grupit të gazetarëve nga Maqedonia ishte në funksion të politikës së kryetarit të këtij qyteti për të forcuar lidhjet e Bursës dhe Turqisë në përgjithësi, me vendet ballkanike.

“Unë jam një ballkanas i vërtetë. Babai im është nga Shkupi, nëna ime nga Kosova, bashkëshortja ime nga Kavalla e Greqisë. Turqia si një nga vendet më demokratike është e interesuar të zhvillojë raporte miqësore me të gjitha vendet jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe në botë”, thotë Altepe.

Krenari për industrinë e Bursës paraqet fakti se në fabrikat e këtij qyteti bëhet prodhimi i plotë i tramvajit. Ky fakt është edhe krenari për krejt Turqinë, sepse është bë vendi i gjashtë në Evropë që mund të lavdërohet si vend ku bëhet prodhimi i plotë i këtij mjeti të rëndëishëm transporti.

Mirëpo krahas zhvillimit të industrisë, gjatë mandatit të kryetarit Rexhep Altepe, rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe ekologjisë. Gjatë pesë viteve të fundit hapësirat e gjelbra në këtë qytet janë zgjeruar për një milion hektarë, kurse për pesë vitet e ardhshme parashikohet të krijohet edhe aq hapësirë e gjelbër. Në funksion të zgjerimit të hapësirave të gjelbra janë rrënuar edhe kuarte të tëra banesore, ku ka pasur kryesisht ndërtesa të vjetra. Pronarëve të banesave ose shtëpive në këto kuarte u është dhënë kompensim më i lartë se vlera e banesave apo shtëpive që kanë poseduar. Pas një muaji krenari e qytetit Bursa do të jetë edhe stadiumi i ri i qytetit, i ndërtuar sipas standardeve më moderne dhe që do të ketë kapacitet të pranojë 45 mijë shikues.

 

Bursa, qytet me rreth 200 mijë shqiptarë

 

Bursa është qytet popullsinë e të cilit e përbën komunitet i madh i emigrantëve nga vendet ballkanike, që në këtë qytet kanë arritur në periudha të ndryshme kohore. Komunitetin më të madh të ardhacakëve e përbëjnë turqit e Bullgarisë, kurse pas tyre vijnë shqiptarët. “Bursa ka popullsi prej 2.8 milion banorëve. Gjysmën e popullsisë e përbëjnë emigrantë nga vendet ballkanike, kurse 15-16 për qind të numrit të emigrantëve e përbëjnë shqiptarët”, sqaron Altepe. Nëse bëhet një llogaritje e thjeshtë e kësaj përqindje, rezulton se në Bursë jetojnë 170 deri 200 mijë shqiptarë.

Media turke: Shqiptarët në Turqi po zgjohen

21/03/2014 Lini një koment

Hüsrev TABAK
Today’s Zaman

 

MEDIA TURKE: SHQIPTARËT NË TURQI PO ZGJOHEN

Today's Zaman

Hüsrev Tabak, zëvëndës presidenti CESRAN (Qendrës Strategjike për Kërkime dhe Analiza), në një analizë botuar në gazetën më të madhe turke Today’s Zaman i kushton vëmendje deklaratës së ish futbollistit të famshëm Hakan Şükür, i cili deklaroi që ishte shqiptar. Tabak përshkruan shkurt marrëdhëniet turko-shqiptare në vite, dhe thekson se shqiptarët në Turqi tashmë po zgjohen. Sipas tij Turqia duhet t’i kushtojë shjumë rëndësi shqiptarëve, sepse sipas tij ata tashmë shqiptarët janë grupi i tretë etnik më i përfaqësuar në Parlament, megjithëse përkatësia e tyre politike nuk ndjek një linjë etnike.

 

Zgjimi shqiptar: Krimbi është kthyer!

 

Deklaratat e artikuluara javën e kaluar nga Hakan Şükür, një ish-lojtar i njohur i futbollit dhe tani deputet në parlament, tërhoqi shumë vëmendje dhe i kujtoi publikut se në Turqi jetojnë shqiptarë etnikë. Şükür deklaroi: “Për hir të unitetit kombëtar, diskurset racore duhen lënë mënjanë. Nëse ne i perceptojmë dallimet që kemi si ndarje dhe jo si diversitet, atëherë jemi ne ata që humbasim. Për shembull, unë jam etnikisht shqiptar, dhe nga këndvështrimi i parë (nëse do të marrim etninë si faktorin primar që përcakton kombësinë), unë nuk jam turk. Por kjo gjë nuk na çon ne drejt së vërtetës. Duke bërë këtë, ne të gjithë do të jemi në kërkim të asaj çfarë është e drejtë. Në këtë pikë shteti duhet të jetë në kërkim të drejtësisë.”

Me sa duket ajo çfarë ai tha është në përputhje me vijën politike të partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK), dhe debatet se deklarata e Hakan Şükür do të thoshte se ai po refuzon pjesën turke të identitetit të tij, është tërësisht një marrëzi e medias. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim në Turqi është përpjekur gjatë për të lënë identitetin etnik jashtë vijës politike, për hir të unitetit kombëtar. Pas raportimeve mashtruese të mediave, Şükür doli për të konfirmuar qëndrimin e tij dhe vendosi theksin mbi “një komb, një atdhe, një flamur dhe një gjuhë” në fjalimin e tij shpjegues.

Konkluzioni që del nuk është njëanshmëria e medias kundër partisë që është në pushtet, ose qasja ndaj etnisë dhe diversitetit etnik. Përfundimi i vërtetë i këtij incidenti është se kjo ishte një thirrje për një zgjim të komunitetit shqiptar, identiteti etnik i të cilit ka mbetur nën sipërfaqen e shoqërisë për më shumë se gjashtë dekada në Turqi.

 

Rrënjët e multikulturalizmit në periudhën osmane

 

Prania e shqiptarëve etnikë në Turqi është një trashëgimi e mbetur nga periudha e Perandorisë Osmane. Që nga fundi i shekullit të XIX-të, populli shqiptar në Ballkan emigroi për në zemër të Anatolisë, për shkak të luftërave dhe presioneve politike që kanë hasur vendet e tyre. Turqia, veçanërisht gjatë periudhës republikane, lejoi emigrimin e shqiptarëve etnikë në vend.

Historia Osmane, veçanërisht e shkruar nga nacionalistë, mallkon shpesh përfshirjen e shqiptarëve muslimanë në rebelimet e shekullit të XIX-të që rezultuan në toka të ndryshme në Ballkan, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, në të cilat ushtria Osmane humbi kontrollin. Nga ana tjetër, historia shqiptare akuzon osmanët se kanë shfrytëzuar Shqipërinë për më shumë se katër shekuj. Përveç kësaj, që kur shqiptarët luftuan dhe u çliruan nga osmanët, ato historikisht i kanë parë osmanët si “të tjerë” dhe Turqinë si pasardhësit e vetëm të këtyre “të tjerëve”.

Ndërkohë që të dyja palët kanë ndërtuar mite dhe armiqësi kombëtare që kanë mbetur në retorika të qarqeve dhe politika nacionaliste kombëtare, njerëzit e zakonshëm kanë vazhduar një marrëdhënie vëllazërore me njëri-tjetrin. Lidhjet ndërpersonale dhe transnacionale, të ndërtuara pas emigrimit masiv të shqiptarëve, sidomos nga Jugosllavia në Turqi, kanë luajtur rol të madh në këtë gjë.

Për këtë qëllim, Turqia pothuajse asnjëherë nuk ka pasur problem me shqiptarët si minoritet. Për këtë kanë luajtur rol dy faktorë. Në rradhë të parë, emigracioni i shqiptarëve u pranua nga Turqia sepse këta shqiptarë kishin deklaruar, përmes vizave që kishin marrë nga trupi diplomatik turk në Jugosllavi, se ata ishin etnikisht turq.
Kjo ishte pjesërisht e vërtetë, sepse ato mund të flisnin gjuhën turke; turqishtja ishte folur në vendin e tyre që në kohën kur ato kishin qenë të pushtuar nga osmanët. Përveç kësaj kultura e tyre ishte e përzier me kulturën turke, dhe kështu nuk kishte shumë dallime jeta urbane shqiptare nga jeta urbane turke, dallimet ishin të dukshme vetëm në jetën që bëhej në fshat. Në fakt situata mbetet pothuajse e njëjtë edhe sot në Kosovë: Afërsisht 200000 njerëz mund të flasin turqisht edhe pse vetëm një e katërta e tyre e deklarojnë veten etnikisht si turq. Në fund të fundit, për shkak se vala e emigrantëve që erdhën në Turqi deklaruan se ishin turq, dhe për shkak se ato ishin mirënjohës ndaj Turqisë, se ajo u hapi dyert dhe u mundësoi një mënyrë për të fituar jetesën, ato nuk kanë insistuar në njohjen e identitetit të tyre etnik autentik.

Së dyti, Turqia kurrë nuk ka lejuar që pakicat të flasin në skenën politike në mbrojtje të të drejtave të tyre etnike dhe ka qenë gjithmonë për asimilimin e minoriteteve në kombin turk. Shqiptarët, kanë qenë gjithmonë bashkëpunues për lulëzimin e Turqisë, ishin të lumtur të ishin pjesë e një kombi, himni i të cilit ishte shkruar nga një shqiptar, Mehmet Akif Ersoj.

 

Ndikimi i shqiptarëve në punët e jashtme

 

Në jetën e përditshme, ne rrallë dëgjojmë për prezencën etnike shqiptare në Turqi. Ato të cilët e identifikojnë veten vullnetarisht si shqiptarë, sillen si një urë konstruktive mes Shqipërisë dhe Turqisë, apo Kosovës dhe Turqisë. Ashtu siç sugjeron edhe literatura ndërkombëtare në çlirimin e Kosovës nga sundimi serb, shqiptarët e Kosovës në Turqi kanë kontribuar shumë në marrëdhëniet Kosovë-Turqi gjatë vitit 1990, kur shqiptarët në Kosovë u tërhoqën nga institucionet shtetërore dhe sistemi arsimor, dhe filluan të angazhohen në sulmet rebele kundër Serbisë. Roli i tyre në ndërtimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Kosovës gjatë kohës të bombardimit të Serbisë nga NATO, ishte përsëri konstruktiv. Kjo gjë gjithashtu vazhdoi edhe pas pavarësisë së Kosovës.

Pamja e mësipërme tregon se shqiptarët kanë qenë njerëz besnikë të shtetit dhe kombit turk dhe se kjo besnikëri është krijuar nga shqiptarët duke lënë jashtë politikës përkatësinë dhe identitetin e tyre etnik. Deklaratat e Hakan Şükür verifikojnë pikërisht këtë gjë.

Megjithatë, duke parë anën tjetër të medaljes, ne do të marrim një ide më konkrete të vendit që zënë shqiptarët në trekëndëshin përkatësi etnike, besnikëri dhe kombësi. Gjatë kohës kur deklarata e Hakan Şükür u përfol shumë në mediat shqiptare, një figurë kyçe e komunitetit shqiptar në Turqi, presidenti i marrëdhënieve ndër parlamentare Turqi-Shqipëri dhe deputeti i Izmirit i partisë AK, Rıfat Sait, duke miratuar identitetin shqiptar të Hakan Şükür, deklaroi: “Unë jam shqiptar. Sot janë rreth 50 deputetë shqiptarë nga parti të ndryshme në Parlament.”

Në të vërtetë, kjo është diçka për të cilën publiku në Turqi nuk di gjë dhe nuk e ka dëgjuar më parë. Turqia ka vuajtur gjatë nga nacionalizmi ndonjëherë racist turk i ushqyer nga pushteti dhe forcat militariste të opozitës kurde, ndërkohë që këto dy forca zënë shumicën e vendeve në parlament. Shqiptarët janë grupi i tretë etnik më i përfaqësuar në Parlament, megjithëse përkatësia e tyre politike nuk ndjek një linjë etnike.

Kur kemi parasysh se besimtarët e identitetit etno-politik përpiqen për të përcaktuar kufijtë e grupit të tyre, pohimet e Rifat Sait marrin më shumë kuptim. Turqia është një vend multietnik, dhe grupet historikisht të shtypura (ose që kanë heshtur vullnetarisht) kanë mësuar shumë nga lufta etnike kurde për njohje ligjore. Ata janë shumë të kujdesshëm për të mos qëndruar jashtë me pretendimet e hapura etnike, edhe pse në të kundërt, ato sillen në mënyrë bashkëpunuese dhe përpiqen që të perceptohen si një komunitet farefisnor, vëllezër që ndajnë një histori, kulturë dhe fe të përbashkët. Më saktësisht, ata përdorin pozitën e tyre si një urë mes vendit të tyre të origjinës dhe vendit pritës për të afirmuar përkatësinë e tyre etnike. Shqiptarët në Turqi, dhe veçanërisht Rafat Sait, duke ruajtur një marrëdhënie të ngushtë me Kosovën dhe Shqipërinë, dhe duke i lidhur marrëdhëniet e këtyre vendeve me rrethanat e Turqisë, kanë futur një formë romani për njohjen e luftës etnike, nga e cila grupet e tjera etnike në Turqi mund të mësojnë më shumë.

Deklaratat e fundit në lidhje me praninë shqiptare në Turqi janë me të vërtetë një shenjë e një zgjimi politik që është mbështetur nga marrëdhëniet ndërshtetërore të Turqisë. Prandaj ky është një veprim në një kohë të përshtatshme që ndoshta mund të reflektojë në draftin e Kushtetutës së re.

 

Elita shqiptare e Turqisë

 

Jahja bej Dukagjini

Është një nga djemtë e familjes së Lekë Dukagjinit, që mund të jetë strehuar ose marrë peng dhe është rritur në oborrin e Sulltanit, dalluar si ushtarak i zoti. Ka marrë pjesë në luftimet që komandonte Sulltan Sulejman Kanuni në Tameshvar (Hungari).

 

Osman bej Dukagjini

Nipi i vezirit hero, Ahmet Pashë Dukagjinit, dhe biri i Mehmet Pashë Dukagjinit. Ai ishte dijetar i urtë e punoi si kadi në Stamboll. Hartoi veprën biografike “Kaditë e Stambollit”.

 

Arkitekt Kasem Agai

Ka lindur në fshatin Grëmsh, të krahinës së Tomoricës. Rininë e parë e kaloi në Berat. Pastaj i ati e dërgoi në Stamboll për studime profesionale. U bë asistent pranë Koxha Mimar Sinanit (të madh) dhe Sedefqar Mehmet Elbasanit. Duke u dalluar në punime arkitekturale, më 1595 u afirmua arkitekt i pallatit. Më 1622 u bë kryearkitekt. Ka ndërtuar JENI XHAMI (Xhaminë e re) të Stambollit dhe ka edhe shumë vepra të tjera.

 

Kryemjeshtër Mehmet Isa

Është arkitekt me origjinë shqiptare, një nga kryemjeshtërit e Tyrbes së famshme TAXH-MAHAL në INDI. Mehmet Isai kishte lindur në Opar.

 

Arkitekt Sinan Atik Agai

Ky arkitekt quhet edhe Sinan Isuf. Megjithëse nuk dihet plotësisht jeta e tij, shumë shkrimtarë thonë se Sinan Atiku ka qenë shqiptar, edukuar në pallatin osman. Ishte arkitekti që kishte ndërtuar XHAMINE FATIH të Stambollit.

 

Arkitekt Mehmet Sedefqar

Është marrë nga Elbasani më 1562 dhe u bë nxënësi dhe asistenti i Koxha Mimar Sinanit. Bëri studime në Rumeli dhe Lindje të Mesme. Në vitet 1597–1598 ai ishte drejtor i përgjithshëm i krojeve të Stambollit, ku shërbeu 8 vjet. Më 1606 u bë kryearkitekt, ndërtoi dhe zbukuroi mjaft faltore dhe pallate. Kryevepra e tij është Xhamia e Sulltan Ahmetit (Xhamia Blu).

 

Dedë Ismail Efendi

Ka lindur në Stamboll, por rrjedh nga një familje shqiptare. Babai i tij, Sulejman Agai, ishte shpërngulur nga Elbasani për në Stamboll. Kishte blerë një hamam dhe nga ky mbante mbiemrin Kosturi, që e shndërroi në Hamamizade (bir hamamxhiu). Këngët e tij u pëlqyen edhe nga Oborri i Sulltanit. Më pas atë e emëruan kryemuzikant në Pallat. Këngët ishin me karakter popullor dhe hartuar me një turqishte të thjeshtë. Kënga e titulluar “Fati im i zi, varet te flokët e tua”, u pëlqye shumë prej Sulltan Selimit. Dede Ismail Efendiu kishte kompozuar më tepër se 200 vepra muzikore. Sot kanë mbetur të paharruara dhe dëgjohen me kënaqësi, 160 këngë klasike turke.

 

Dijetarë të shquar turq, me origjinë shqiptare

 

HALIL PASHA BUSHATI

Poet dhe dijetar

 

HUSEIN QAMIL BEJ TEPELENA

Nipi i Ali Pashë Tepelenës, poet, ka vepra të botuara dhe rreth 15 dorëshkrime.

 

SELIM SIRRI PASHA

Nipi Ali Pashë Tepelenës, poet lirik i dalluar

 

MUSTAFA RESHIT SALIH PASHA

Lindi në Janinë, biri i Vezir Mehmet Aqif Pashës. Kishte hartuar poema filozofike.

 

HASAN HAKI PASHA

Ka lindur në Shkodër dhe padishahut i qe paraqitur me petka shqiptare. Shërbeu si zëvendësvali.

 

NUMAN MENEMENXHIOGLU

Diplomat i dalluar, shërbeu si ambasador në Paris në fillim të Luftës II Botërore. Deputet gjatë viteve 1955-1956 dhe 1957-´58.

 

TURHAN PASHA

I lindur në Janinë, diplomat dhe burrë shteti. Në kohën osmane shërbeu si ambasador në Vjenë, Moskë, Madrid etj. Pas Luftës I Botërore mori pjesë në qeverinë shqiptare. Në Konferencën e Paqes, mbajtur në Paris më 25 shkurt 1919, mbrojti të drejtat shqiptare, duke bashkëpunuar me shumë delegacione të diasporës shqiptare.

 

Mehmet Akif Ersoy, shkrimtari i Himnit Kombëtar turk

 

I lindur më 1873, Mehmet Akif Ersoy edhe pse me profesion veterinar, kishte ndikim të madh në letërsi dhe rrethet fetare të periudhës së fundit të Perandorisë Osmane. Poemat e tij përmbledhin proza, derisa ai përdorte gjuhën e zakonshme edhe në vargjet e sofistikuara të poezive të tij. Përmbledhja e famshme e poemave të tij “Safahat”, lexohet me të madhe në Turqi. Mehmet Akif, babai i të cilit ishte një shqiptar nga Kosova dhe nëna e tij një turke, është lindur në Fatih të Stambollit më 1873. Ai kishte një jetë të thjesht dhe të stilit tradicional. Emri i tij origjinal është Mehmet Ragiyf. Ai jetoi në një kohë kur dëshpërimi dhe varfëria ishin në nivelin më të lartë në administratën e vendit, pas kapitullimit të Perandorisë Osmane. Akifi vdiq më 1936 në Stamboll por veprat e tij jetojnë edhe sot e kësaj dite.

 

Kryeministrat e Perandorisë Osmane me origjinë shqiptare

1. Zaganos Pasha

2. Gedik Ahmed Pasha

3. Davud Pasha

4. Dukakinzade Ahmed Pasha

5. Pargali Ibrahim Pasha

6. Ayas Mehmed Pasha

7. Çelebi Lutfi Pasha

8. Kara Ahmed Pasha

9. Lala Kara Mustafa Pasha

10. Koca Sinan Pasha

11. Serdar Ferhad Pasha

12. Yemisçi Hasan Pasha

13. Gumulcineli Damad Nasuh Pasha

14. Ohrili Huseyin Pasha

15. Mere Huseyin Pasha

16. Tabaniyassi Mehmed Pasha

17. Sultanzade Mehmed Pasha

18. Kara Dev Murad Pasha

19. Tarhoncu Ahmed Pasha

20. Zurnazen Mustafa Pasha

21. Koprulu Mehmed Pasha

22. Koprulu Fazıl Ahmed Pasha

23. Koprulu Fazıl Mustafa Pasha

24. Arabaci Ali Pasha

25. Amcazade Koprulu Huseyin Pasha

26. Koprulu Numan Pasha

27. Hacı Halil Pasha

28. Ivaz Mehmed Pasha

29. Ivazzade Halil Pasha

30. Alemdar Mustafa Pasha

31. Çavusbasi Memis Pasha

32. Mustafa Naili Pasha

33. Avlonyali Mehmed Ferid Pasha

34. Said Halim Pasha

35. Ahmed Izzet Pasha

Hasan Tahsini – Shkencëtari, filozofi dhe patrioti shqiptar në Perandorinë Osmane

07/03/2014 Lini një koment

Ledian CIKALLESHI*

 

HASAN TAHSINI

~ SHKENCËTARI, FILOZOFI DHE PATRIOTI SHQIPTAR NË PERANDORINË OSMANE¨ ~

Hoxhë Hasan Tahsini

Hoxhë Hasan Tahsini

“Ai (Allahu) i jep urtësi kujt të dëshirojë, dhe kujt i jepet urtësi atij i janë dhënë të mira të shumta (të pafundme).” (Bekare, 269)

 

Hasan Tahsini, ishte rilindës, filozof, matematikan, psikolog shqiptar. Dijetar i shkallës botërore e atdhetar pararojë i Rilindjes Kombëtare. Përveç gjuhës amtare, ai zotëronte edhe disa gjuhë të huaja si turqisht, arabisht, persisht dhe frëngjisht. Ishte njohës i thellë dhe shtjellues i shkencave të natyrës dhe i atyre shoqërore; vëzhgues dhe shkoqitës i dukurive mbi gjithësinë e rruzullimin, themeluesi dhe drejtuesi i të parit universitet shtetëror në Perandorinë Osmane si dhe i “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar), institucion që u përdor edhe si “Dâr-ul Funùn” (universitet). Kështu, i ndjeri hoxhë Hasan Tahsin efendiu u bë dhe mbeti i pari dhe i vetmi shqiptar që organizoi dhe drejtoi një universitet ndërkombëtar; – atë osman, – si dhe ishte ngritësi dhe drejtuesi i dy nyejve eprore për diturinë shqiptare. Ai ishte i pari që mbolli dhe përhapi në Perandorinë Osmane shkencat e natyrës dhe ligjet e gjithësisë e rruzullimit, psikologjinë etj. Por, ai ishte edhe i pari që mbolli dhe përhapi në masë mendimin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes Kombëtare, Hasan Tahsini ka hyrë si një nga figurat më të shquara të shekullit të XIX, kurse në historinë e shkencës turke, si më i larti ndër të lartët dhe, në historinë e arsimit të lartë të Turqisë, si rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si ligjëruesi i parë në shkencat sociale e ato natyrore. Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte atë të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera për të treguar personalitetin e popullit të tij. Tahsini qe mësues i Abdylit, Naimit e Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit e Daniel Oparakut.[1]

 

Fëmijëria dhe arsimi

 

Hasan Tahsini lindi më 7 prill 1811. Babai i tij, Osman efendi Rushiti ishte nga fshatin Ninat afër qytezës Filat të Çamërisë në Vilajetin e Janinës. Osman efendiu, familjen e mbante përherë pranë vetes, në vend-emërimet me detyrë dhe se të bijtë i mësonte vetë. Kështu Hasan Tahsini njohuritë e para fetare dhe edukative i mori nga i ati. Më pas shkoi në Stamboll për të marrë me tepër dije. Në Stamboll ai shkoi në moshë të pjekur, ndoqi mësimet në medresenë “Fatih”, ku, ngaqë shkëlqente, drejtori-dijetari me emër, hoxhë Mustafa efendiu prej Vidìni – i dha edhe mësime të veçanta dhe cilësimin: “Tahsin” (i Pëlqyeshëm, i Lëvduar, Shembullor). Prandaj e mbajti emrin e bashkangjitur: “Hasan Tahsin”. Në përfundim të studimeve, Tahsinin e emëruan muderriz (mësues) të filozofisë dhe të matematikës po në atë medrese.[2]

 

Vajtja në Paris

 

Nga fundi i vitit 1856 për studentët turq të dërguar për inxhinierë, ushtarakë dhe ata të dërguar nga Porta e Lartë dhe vendet e tjera në Europë, u mor një vendim shtetëror që t’iu mësohej arabisht, persisht dhe të ndihmoheshin të zgjeronin njohuritë e tyre fetare si dhe t’u mësohej turqishtja jomuslimanëve nga Sulltanati (Perandoria). Hasan Tahsini ishte një nga emrat e parë të përshtatshëm për këtë punë. Kështu merret vendimi që Hasan Tahsinit së bashkë me një nga nxënësit e shkëlqyer të Darul-muallimîn (Fakultetit Pedagogjik), Selim efendiun t’i jepej ky mision. Qëllimi kryesor i dërgimit të tyre ishte përgatitja e kuadrove të ardhshëm në matematikë dhe shkencat natyrore për universitetin që do të hapej. Në mars të vitit 1857 arritën në Paris dhe për një kohë të shkurtër fillojnë punën si mësues në Mektebi Osmanije (mejti osmanlli) ku mësonin nxënësit turq muslimanë dhe jomuslimanë.[3]

Siç do ta shikojmë në veprimtaritë dhe veprat që do të shkruante më vonë Hasan Tahsini gjatë kësaj kohe me një përkushtim dhe zell të madh do të pasurohej shumë me njohuri në lëndët natyrore dhe ekzakte. Me dërgimin e tij në Paris, Hasan Tahsini hap një faqe të re në jetën e tij, duke qenë se ishte brumosur me dijet fetare dhe filozofike dhe tani përjetonte emocionin e kalimit në shkencat moderne. Krahas matematikës ai mëson edhe degët e tjera si fizikën, kiminë, mekanikën, gjeologjinë. Sidomos astronomia dhe kozmografia ishin fushat e tij të preferuara.[4]

Gjatë kësaj periudhe Hasan Tahsini kishte marrëdhënie dhe takime me shumë anëtarë të Société Asiatique në Paris. Edhe orientalisti francez Bianchi shkruan që është takuar me të dhe që ai ishte një figurë e ndritur e klasës së dijetarëve. Bile ai e informon për ekzistencën e një katalogu të librave që ndodheshin nëpër bibliotekat e Stambollit.[5]

 

Përsëri në Paris…

 

Kur mbaron afati i caktuar për ta, Hasan efendiu bashkë me Sabit efendiun kthehen në Stamboll në vitin 1861. Në shtatorin e vitit 1862, Hasan Tahsinin e shikojmë përsëri në Paris, ku kësaj radhe ai vazhdon detyrën e imamit në Ambasadën Otomane. Ambasadori i Parisit Xhemal Pasha, me të cilin njihej që më parë, gëzohet që e shikon përsëri hoxhë Tahsinin. Gjatë kësaj kohe thuhet që Hasan Tahsini ishte kureshtar të njihte filozofitë materialiste që kishin kapluar Europën dhe ai frekuentonte qarqet kulturore të Parisit dhe vendet ku shkonin të famshmit e asaj periudhe si Café Vachette duke lënë edhe përshtypje të thella me personalitetin i tij. Hasan Tahsini njihej për neglizhencën e tij në detyrimet e fesë, kështu që çështja e imamllikut mund të ishte një lloj justifikimi për të mundësuar qëndrimin e tij në Paris.[6]

Qëndrimi i dytë në Paris ishte më i begatshëm nga ana e përvojës dhe bagazhit kulturor për Hasan Tahsinin sesa hera e parë. Kështu, ai pati mundësinë të njihte dhe të studionte më mirë filozofinë materialiste dhe ta përdorte atë për të shpjeguar disa aspekte të krijimit. Hasan Tahsini e quante Parisin si qendrën e qytetërimit dhe mosvajtjen atje me mosardhjen në këtë botë.

Shko në Paris ore zotëri, në qoftë se ke mend në kokë!

Ata që nuk shkojnë në Paris, s’quhen se kanë ardhur në botë.[7]

 

Jeta në “Darul Funun”

 

Megjithatë, hoxhë Hasani e vazhdon qëndrimin e tij në Paris deri në muajt e parë të vitit 1869. Kur kthehet nga Parisi, ai hap një faqe të re në jetën e tij. Bashkëkohësit e tij ishin pasuruar me para dhe tituj ndërsa ai mbeti “modest”. Megjithatë, nga bagazhi i tij kulturor, shkencor dhe filozofik të përfituara në Europë, jeta e tij merr një ngjyrë tjetër me ngritjen e menjëhershme në detyrë. Kështu vetëm një muaj e gjysmë mbas kthimit nga Parisi ai shikohet si i përshtatshëm dhe me kapacitet që të drejtonte universitetin e ri që do të hapej, prandaj më 8 prill 1869 ai emërohet nga vetë sulltani “Dârulfunûn-ı Osmanî müdîri” (Rektor i Akademisë e Shkencave të Shtetit Otoman). Akademia ishte planifikuar të hapej në muajin maj, mirëpo me shtyrjen e hapjes së tij u planifikua që gjatë muajit të Ramazanit, mbas namazit të Teravive të jepeshin konferenca të hapura për mbarë popullin. Këto konferenca të drejtuara nga Hasan Tahsini patën një interes të madh nga mbarë populli. Mirëpo në natën e 26 me ndihmën e mikroskopit dhe teleskopit si dhe të përziera me shkencat moderne dhe filozofinë mbahet fjalimi ku diskutohet për “pafundësinë e madhe dhe të vogël”. Me gjithë interesin e madh për këto konferenca ku diskutoheshin tema shkencore kishte edhe instanca të tilla fanatike të cilët nuk e pëlqenin këtë veprimtari. Ata filluan të përhapnin thashetheme që këto gjëra ishin në kundërshtim me fenë dhe besimin. Ata e shikonin të papranueshme të studiohen fenomenet natyrore dhe të fshehtat pas tyre, si dhe të shpaloseshin argumentet dhe fuqia e Zotit duke gjetur argumente në natyrë.

Më në fund, më 20 shkurt 1870, u hap Akademia me një ceremoni të madhe ku mbajtën fjalime Hasan Tahsini dhe Xhemaludin Afgani. Mbas 6 muaj veprimtarie edukative dhe mësimore, pikërisht në dhjetor të vitit 1870 filluan përsëri konferencat. Mirëpo, kësaj radhe reaksioni ishte më i madh. Në ditën e dytë, ndërkohë që mbanin fjalime Hasan Tahsini dhe Xhemaludin Afgani, atmosfera kësaj radhe u ndez ashpër dhe këtë nuk e ndaloi dot as Porta e Lartë. Kështu, Porta e Lartë ndërhyri duke i dhënë fund detyrës së atyre të dyve. Shkaku për dhënien fund të detyrës paraqitet në forma të ndryshme, por ajo që bie në sy është fjalimi i Xhemaludin Afganit ku e quante profetësinë si një lloj arti. I indinjuar thellë nga kjo gjendje ai shprehet në këtë formë me anë të një vargu të shqipëruar nga Vexhi Buharaja:

 

Respektohen injorantët, e kuptova,

Të fitosh dituri është krim,

Perëndi më fal për fajin e përpjekjes,

Që kam bërë për të mësuar.

 

Veprimtaria e mëtejshme

 

Pas kësaj, pra pas largimit nga puna, për shkak të titullit shkencor që kishte arritur, pushteti i kishte caktuar një pension të vogël. Më vonë, ai mori një vend, një medrese të vogël të papërdorshme në Stamboll dhe filloi të mbante kurse private sipas dëshirës mbi shkencat natyrore, astronomi, matematikë, frëngjisht, filozofi dhe historinë e filozofisë. Ndërkaq, kohën e lirë e kalonte duke u thelluar në studimin dhe leximin e veprave artistike dhe në librat e shumta që kishte përgatitur më parë. Thuhet që kurset i jepte me para dhe me ato jetonte, mirëpo një nga nxënësit e tij Nexhip Asim shprehej që ai jepte mësim falas. Megjithatë, edhe këtu nuk do ta linin rehat dhe do ta denonconin se u mësonte fëmijëve mësime që i nxirrnin nga feja. Mirëpo, me ndërhyrjen e miqve ai u shpëtoi akuzave dhe vazhdoi përpjekjet për të mësuar dhe dhënë mësim.[8]

 

Armiqtë e mi, më thanë se je i pafe,

E pranojnë të shpifin menjëherë.

Edhe unë atyre u thashë se jeni fetarë,

Kështu gënjeshtrës iu përgjigja me gënjeshtër.

 

Udhëtimet në Shqipëri dhe veprimtaria atdhetare

 

Pas ngjarjeve të hidhura dhe me prishjen e shëndetit, Hasan Tahsini mori një sërë udhëtimesh në Shqipëri, ndër të cilat vlen të përmendet ai i vitit 1873-1874. Gjatë këtij udhëtimi ai shkoi në Ninat, në Filat, Konispol e Delvinë. Kudo shpërndau dhe u mësoi shqiptarëve alfabetin e vet në trajtën e një flete fluturuese. Kështu në Filat, gjatë kohës që ai ndenji atje, mësuan prej tij të shkruajnë dhe të këndojnë shqip sipas abecesë që ai kishte formuluar vetë.

Në Delvinë Hasan Tahsini punoi së bashku me Naim Frashërin, i cili në këtë kohë ishte me detyrën e nëpunësit të doganës në Sarandë. Në Berat, nxënës dhe bashkëpunëtor i tij ishte Jorgji Karbunara, me të cilin përpiqeshin të hapnin këtu një shkollë shqipe. Në Tiranë ai strehohet në shtëpinë e patriotit Seit Toptani. Së bashku me Kristoforidhin që ndodhej aty, janë munduar të përhapin ndjenjat kombëtare shqiptare ndër muslimanët dhe të krishterët.

Në Shkodër takohet me patriotët e atjeshëm si Zef Jubani, Isuf Tabaku etj. Hasan Tahsini ka qenë edhe në Dibër, Manastir dhe Vlorë. Veprimtaria e tij tërhoqi vëmendjen e konsujve të huaj francezë, austrohungarezë, anglezë etj.[9]

Siç dihet, Hoxha Tahsini ka marrë pjesë më së pari në diskutimet për hartimin e alfabetit të Xhemijeti Ilmije-i Arnavudije (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar) në vitin 1879 për të përgatitur alfabetin e gjuhës shqipe e cila ishte rezultat i punës në Lidhjen e Prizrenit, për të përforcuar ndjenjat kulturore dhe patriotike të shqiptarëve. Mirëpo, ndaj synimeve politike të kësaj organizate thuhet që Hasan Tahsini ka qëndruar larg.[10]

 

Një yll që i shuhet qiellit të njerëzimit

 

Po në atë vit, ai do të bëhej promotori i krijimit të një organizate tjetër kulturore dhe shkencore me emrin Xhemijeti Ilmije (Shoqëria Shkencore). Në vitin 1879 kjo shoqëri do të nxirrte revistën Mexhmua-i Ulum (Revista e Dijeve ose Revista “Dituria”) të cilën Hoxha Tahsini do ta mbështeste duke botuar edhe shkrimet e tij.

Me keqësimin e sëmundjes së tuberkulozit që e kish mbërthyer rëndë, duke ndjerë dhe afrimin e vdekjes, Hoxha Tahsini një vit mbasi ndaloi botimi i revistës Mexhmua-i Ulum, shkrimet e tij filloi t’i dërgonte në revistën Hazine-i Evrak. Shkrimet që jepte në revistë mbanin firmën “Bir mariz” (Një i sëmurë). Munif Pasha, duke parë gjendjen në përkeqësim të Hoxha Tahsinit e mori atë në vilën e tij në Erenkoj ku ai banonte vetë.[11]

Një ditë para vdekjes, në një reportazh të zhvilluar me të, ai shprehet për lidhjen e tij tek Allahu dhe besnikërinë ndaj Hz. Muhamedit (s.a.v.s.) dhe bën një llogari të jetës së tij të thurur me mendime filozofike. Ai do të shuhej nga kjo botë më 3 korrik 1881 në Erenkoj dhe do të varrosej në varrezat e Sahrajixhedidit në Stamboll.[12]

Ashtu siç e cilëson edhe Profeti Muhamed (s.a.v.s.):

Allahu nuk jua merr me zor dijen njerëzve, por duke tërhequr dijetarët. Ata tërhiqen (vdesin) dhe nuk mbetet asnjë i ditur. Ndërsa populli bën për udhëheqës injorantët. Këtyre i bëhen pyetje dhe ata japin vendim pa u bazuar në dije. Kështu që dalin nga rruga vetë pastaj nxjerrin edhe të tjerët.”[13]

Shuarja e një ylli të tillë nga qielli i njerëzimit do të ishte një humbje e madhe si për shqiptaret, si për Sulltanatin Osman, ashtu dhe për boten islame që humbi një shkencëtar, një enciklopedist, një filozof dhe një dijetar të madh.

 

Veprat

 

Hasan Tahsini ka shkruar një numër veprash, kryesisht në gjuhën turke, në prozë dhe në poezi. Megjithatë, numri i veprave të tij që njihen sot është i vogël në krahasim me atë që përmendin bashkëkohësit e tij.

Disa nga veprat më të rëndësishme të Hasan Tahsinit janë:

Edukimi i Fëmijëve (Murebbi-i Atfal) – bashkautor me Mahmud Nedim

Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit (Psikoloji yahut Đlmi Ruh)[14]

Bazat e Astronomisë (Esasi ilmi Heyet)[15]

Historia e Formimit të Botës ose Krijimi (Tarihi tekvin yahut Hilkat)[16]

Të Fshehtat e Ujit dhe të Ajrit (Esrar-ı Ab u Hava).

Përveç këtyre veprave, ai ka edhe disa libra të tjerë, përkthime, artikuj nëpër revista, poezi etj.[17]

 

Përfundim

 

Hasan Tahsini ishte një filozof i shquar, jo vetëm në një degë por një dijetar i gjithanshëm. Ky filozof dhe enciklopedist kaq i madh i shekullit të kaluar kishte një kulturë kaq të gjerë saqë studionte me kompetencë në fusha të ndryshme, që nga logaritmet e deri te astronomia. Ai e njihte shumë mirë edhe filozofinë e iluministëve francezë.

Ai ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit, i cili ka pasur një rëndësi të madhe në Sulltanatin Osman. Aty jepnin mësim profesorë që vinin nga vende të ndryshme si Damasku, Kajro dhe Teherani. Hasan Tahsini ishte edhe një patriot i madh. Ai punoi me alfabetin shqip dhe donte ta kishte të ndryshëm nga të tjerët, për të treguar kështu personalitetin e kombit tonë.

Hasan Tahsini la një pasuri të çmuar për ne, e cila konsistonte si në libra ashtu edhe në nxënës. Këta ishin shqiptarë dhe turq. Librat e tij kishin një vlerë të madhe për kohën, sepse ishin të parat të shkruara në Sulltanatin Osman dhe në botën islame. Vlera e tyre konsistonte në pikëpamjen islame të shpjegimit të teorive shkencore dhe filozofike.

Mirëpo, ai ende vazhdon të ketë përsëri fatin e keq për t’u njohur ashtu si duhet në vendin tonë, si dhe të marrë vendin që i takon në botën islame si një filozof dhe shkencëtar musliman.

Shpresojmë që sa më shpejt në të ardhmen ai të zërë vendin që i takon.

 

© /Orientalizmi Shqiptar/

 


* Autori i shkrimit ka mbaruar studimet post-diplomike për Studime Islame në Turqi, dhe ky artikull botohet ekskluzivisht për këtë numër.

¨ Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com.

[2] Ömer Faruk Akün, “Hoca Tahsin”, TDV Đslam Ansiklopedisi, vëll. 18, Stamboll 1998, f. 198-199. (Përkthimi shqip shiko: Laurant Bica, “Enciklopedia Islame – Hoxha Tahsin”, Profesor Hasan Tahsini, vëllimi II, West Print, Tiranë 2009, f. 385-430)

[3] Shih. Ömer Faruk Akün, po aty.

[4] Po aty.

[5] Po aty.

[6] Ömer Faruk Akün, artikulli i cituar, f. 200.

[7] Po aty.

[8] Ömer Faruk Akün, artikull i cituar, f. 201.

[9] Laurant Bica, Profesor Hasan Tahsini, vëllimi I, West Print, Tiranë 2009, f. 89-90.

[10] Ömer Faruk Akün, artikull i cituar, f. 201-202.

[11] Po aty.

[12] Po aty.

[13] Buhariu, ilm 34, i’tisam 7; Muslimi, ilm 13; Tirmidhiu, ilm 5.

[14] Vexhi Buharaja, “Psikologjia e Hasan Tahsinit”; Yzedin Hima, Vexhi Buharaja, pa mite e mjegull, AIITC, Tiranë 2008, f. 384-426.

[15] Vexhi Buharaja, “Astronomia”; Yzedin Hima, Vexhi Buharaja, pa mite e mjegull, AIITC, Tiranë 2008, f. 349-383.

[16] Bilal Yurtoğlu, Remzi Demir, “Unutulmus bir osmanlı düsünürü Hoca Tahsin Efendi’nin Tarihi Tekvin Veya Hilkat adlı eseri ve Heackelci evrimciliğin Türkiye’ye girisi”, Nüsha: Sarkiyat Arastirmalari Dergisi, 2001, Vëll. I, Nr: 2, f. 166-196.

[17] Për më tepër shiko: Laurant Bica, vepër e cituar, f. 105-108; Ömer Faruk Akün, artikull i cituar, f. 203-206.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: