Arkiv

Arkiv për Kategorinë ‘Shteti shqiptar’

Said Najdeni (Hoxhë Voka-Vogli)

01/07/2013 1 koment

SAID NAJDENI HOXHË VOKA (VOGLI)

“Nuk vuaj për para e për grada por për komb e atdhe”

Said Najdeni Hoxhë Voka

Said Najdeni

Said Najdeni (Hoxhë Voka)

Said I. Najdeni, i cili njihet edhe si Hoxhë Voka apo Hoxhë Vogli, rilindës, patriot, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, lindi në Dibër të Madhe në vitin 1864. Ishte biri i Islam dhe Esma Najdenit, që rridhnin nga një familje zejtare. Arsimin fillor dhe atë plotësues Saidi i kreu me sukses në vendlindje në vitin 1882, ndërkohë inteligjenca dhe zgjuarsia e tij bënë që babai i tij me dëshirë dhe vullnet të madh për ta shkolluar të birin sa më shumë e dërgoi së pari në Edirne e më pas në Stamboll, ku Saidi me sukses i përfundon studimet teologjike në medresenë e Hajdar Pashës.

Gjatë studimeve të tija në Stamboll, edhe pse ishte i ri, Saidi pati fatin që të takohej me Naim e Sami Frashërin dhe Ismail Qemalin, të cilët ia forcuan vendosmërinë për t’iu kushtuar me tërë energjinë dhe potencialin intelektual dhe moralin e karakterin e lartë njerëzor që kishte, idealit të çështjes kombëtare, që edhe popullit të tij sikurse popujve të tjerë t’i mundësohet arsimimi dhe shkollimi në gjuhën amtare.

Pas kryerjes së shkollimit në Stamboll në vitin 1888, një vit pasi ishte hapur shkolla e parë shqipe në Korçë, Saidi i urtë dhe i dashur, punëtor, i palodhur dhe trim, i frymëzuar për idealin kombëtar, u kthye në atdhe ku iu përvesh me zell çështjes kombëtare. Saidi mori me vete një sasi të madhe abetaresh të Shoqërisë së Stambollit (1879), dhe ato të Samiut (1886), me dëshirën e flaktë që të hapë në vendlindje shkollën e parë shqipe dhe në të njëjtin vit, më 1888, Saidi arriti që në shtëpinë e tij të hapë shkollën e parë shqipe, e cila punonte në fshehtësi. Asokohe shtypi i kohës për Dibrën shkruante: “Si në vende të tjera, edhe këtu në Dibër zuri me hy dashuria e mëmëdheut bashkë me të gjuhës! Sot në Dibër kemi shumë zotëri pleq të ndershëm që përpiqen për pavarësinë e gjuhës shqipe… i madh e i vogël thërrasin: me gjuhë ruhet mëmëdheu, me shkollë mirësohet kombi!”

Mirëpo veprimtaria e kësaj shkolle sa vinte e vështirësohej. Ndërkaq autoritetet qeveritare Hoxhë Vokën filluan ta akuzojnë, si njeri që e largon rininë nga rruga e fesë. Hoxhë Voka i mençur, i vendosur, plot energji dhe guxim, ishte zotuar se asgjë nuk do të mund ta shmangte nga rruga e interesit kombëtar, ndërkaq që ai kishte si udhërrëfyese për besimtarët fjalët: “Myslimanët e vërtetë duhet të dinë se feja islame urdhënon me e dashtë atdheun”, dhe “Për mëmëdhenë duhet me qenë shërbëtorë, njeriu sa dashuri të ketë në mëmëdhenë, aq dashuri ka në fenë”.

Shkolla u mbyll pas një viti. Autoritetet osmane Hoxhë Najdenit i ofruan punë në administratë, por ai zgjodhi dhe eci në rrugën tjetër, siç kishte thënë edhe vetë: “Nuk vuaj për para e për grada, por për komb e atdhe. Unë dua të fitoj liri me i mësua këtij populli gjuhën shqipe, që ta njeh veten e tij e të përpiqet për vetvete”.

Veprimtarinë dhe aktivitetin ai nuk e pushoi dhe përsëri e rihapi shkollën në vitin 1893, duke i pajisur nxënësit me tekste shkollore libra dhe fletore, të cilat i sillnin tregtarët dibranë dhe patriotët, siç ishin Selim Rusi dhe Kadri Fishta. Me rihapjen e kësaj shkolle, interesimi për mësim në gjuhën shqipe vinte gjithnjë duke u shtuar, kështu që numri i nxënësve prej 9 vetash tashti kishte arritur në 26. Por pas një vit pune për herë të dytë u mbyll me 1894. Shkollat u mbyllën por jo ideja, këshillat, dhe frymëzimi i Hoxhës që ndikonte edhe në rrethanat politike. Në këtë mënyrë dhe në këto kushte dhe rrethana, Hoxhë Saidi ndiente nevojën për të kontaktuar drejtpërdrejti me krerët dhe veprimtarët e lëvizjes shqiptare të Stambollit, që t’i njoftojë për gjendjen në Dibër e cila ishte mjaft kritike. Kështu që në vitin 1895, Saidi bashkë me shokun e tij të medresesë Hafiz Ibrahim Mitrovicën marrin rrugën për në Stamboll. Autoritetet e ndoqën lëvizjen e tyre dhe i arrestuan, duke i çuar në burgun e Edirnesë, ku ndodheshin të burgosur patriotë të tjerë shqiptarë si Haxhi Zeka dhe Hamdi Ohri.

Saidin dhe H. Ibrahimin i dënuan me nga 15 muaj burgim. Gjatë qëndrimit në burg Saidi kishte qëndisur një flamur të cilin më vonë e nxirrte në dasma. Me t’u kthyer në Dibër nga burgu i Edirnesë, Hoxhë Voka vazhdoi punën.

Në Dibër në fushën Qernanica (Kërnanica) me iniciativën e Saidit u organizua një kuvend i ngjashëm me atë të Lidhjes Shqiptare të Pejës të janarit 1899, të kryesuar nga Haxhi Zeka. Ky Kuvend punimet e tij i filloi me një miting të madh dhe të hapur më 27 shkurt 1899 ku morën pjesë 1000-1500 vetë. Në të përveç kadive, e myftinjve kishte edhe qytetarë, zanatlinj, tregtarë, fshatarë dhe persona të cilët deri atëherë kishin qenë të mbyllur nga gjakmarrja. Kuvendi i Dibrës i kishte kaluar edhe caqet lokale të këtij sanxhaku dhe ishte kthyer në një mbledhje të përgjithshme shqiptare, në të cilën kishin marrë pjesë delegatë edhe nga vise të tjera të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme. Në organizimin e këtij kuvendi një ndihmesë të madhe dha edhe Said Hoxha.

Meqë në njërën nga vendimet e Kuvendit të Dibrës ishte edhe hapja e shkollave shqipe në territorin e Dibrës, Hoxhë Voka nuk ndenji duarkryq, por menjëherë iu vërsul angazhimit dhe meqenëse në Dibër tani kishte një rreth përkrahësish e sidomos duke pasur mbështetjen e Xhemal Pashës, Sali bej Dohoshishtit dhe të Abdurahman Salihut, hapi në vitin 1900 për herë të tretë një shkollë të vogël për mësimin e gjuhës amtare. Por kjo shkollë sërish shumë shpejt u mbyll nga autoritetet. Sidoqoftë funksionimi i saj për një kohë shumë të shkurtër arriti t’i japë frytet e saja.

Lëvizjet dhe angazhimet e mëdha ia kishin përkeqësuar shëndetin, tek i cili tanimë kishin filluar të paraqiten shenjat e para të tuberkulozit dhe prindërit e tij më kot kishin kohë që e këshillonin të kujdesej për veten.

Në vitin 1903, Hoxhë Vogli ndërmori një udhëtim të vështirë, por të nevojshëm për çështjen kombëtare në Tripoli, ku do të hartohej programi për një kryengritje shqiptare. Në këtë mbledhje Said Hoxha përfaqësonte Dibrën dhe Kosovën, Refik Toptani Shkodrën, simboli i pavarësisë, Ismail Qemali, përfaqësonte Janinën. Mbledhja kryesohej nga Xhemal Pasha. Lajmi për këtë takim të përfaqësuesve shqiptarë i kishte tronditur autoritetet. Hoxha me ndihmën e shokëve arriti të kthehet në Tiranë. Por ky udhëtim ia kishte përkeqësuar shumë shëndetin dhe sapo kthehet në Dibër, ra në shtrat dhe nuk arriti të çohet më. Për sëmundjen e tij na informon edhe Ismail Qemali në kujtimet e veta kur thotë: “Një nga miqtë e mi më të vjetër shqiptarë, Said Efendi me rastin që shkonte në Tripoli, erdhi të konsultohej në Romë, për të patur një marrëveshje me Mareshal Rexhep Pashën. U kthye pas pak kohësh nga Tripoli shumë i vrarë, nga një sëmundje që e shqetësonte prej kohësh. U bë një konsultë me mjekët më të mirë të Romës, por ishte një sëmundje e pashërueshme. Arriti të marrë pak forca, dhe shkoi në qytetin e tij të lindjes në Dibër, ku vdiq pak ditë më vonë.”

Më 21 nëntor 1903, idealisti dhe punëtori i palodhur për të mirën dhe përparimin e kombit të tij, Hoxhë Said Najdeni, ndërroi jetë në moshë mjaft të re, 39 vjeçare.

Në momentet e fundit të jetës, para se t’i pushonte rrahja e zemrës, Hoxhë Saidi kishte lënë këtë porosi: “Pa fituar Shqipëria lirinë, mos më vini gurë mbi varrin tim. Pasi të fitohet liria të m’i vini gurët duke i shkruar shqip. Mbi ta të vini një flamur.”

Hoxhë Voka prej gjuhëve të huaja fliste turqisht, arabisht dhe frëngjisht.

Me rastin e vdekjes së Said Hoxhës nëpër gazetat e kohës u botuan artikuj nga njerëz që e njohën dhe i çmuan përpjekjet e tij për çështjen kombëtare, ndër të cilat veçojmë:

Kristo Luarasi do të shkruajë: “Në fund të motit 1903 vdiq në Dibër shqiptari me zemër e me mend Said Hoxha… Ish njeri i matur, me veti të mira dhe do t’i kish bërë shumë shërbime kombit sikur të kish rrojtur akoma.”

Nikolla Naço do të shkruajë: “Me të keqe të madhe mësuam vdekjen e atdhetarit Said Dibrani një shqiptari të vërtetë, një të madhi ushtar të palodhur të Shqipërisë.”

Kurse Sotir Kolea duke e portretizuar personalitetin e Hoxhës do të shkruajë: “I butë e i urtë, fjalë e gojë mjaltë, me zemër të gjerë dhe të thellë. Said efendiu qe atdhetar i rrallë, i pjellë e i lindur për punë propagande së cilës i qe dhënë me mish e me shpirt.”

Ndërsa Shahin Kolonja njeriu i cili i ndihmoi hoxhës shumë, gjatë vuajtjes së dënimit me burg në Stamboll do të theksojë: “Said Efendi Dibrani përhapi mendime të pëlqyera e bëri punë të mirë… Said Efendiu ishte shqiptar i vërtetë, i stolisur me veti të mira e me urtësi, me mish e me shpirt për mbarëvajtjen e Atdheut.”

Delegatët e Kongresit të Dibrës (1909) në mesin e të cilëve ishin edhe Aqif Pasha, Mytesim Këlliçi, Sadik Pasha, Islam Vrioni, Qenani Abdyli, Prenç Xhelali, Dervish Biçaku, Dervish Hima, dr. Ibrahim Temo, dhe Hafiz Ali Korça e vizituan varrin e tij dhe mbajtën fjalime.

Prej veprave që na kanë mbetur nga ky rilindës janë dy: “Fe rrëfenjësja e myslimanëve”, botuar në shtypshkronjën Mrothëria në Sofje në vitin 1900, që ka 64 faqe dhe e dyta është “Abetare e gjuhës shqipe ndë të folë gegënisht”, botuar po në Sofje më 1900, por pa emër të autorit, pra anonime me 16 faqe. E para është një vepër fetare e mbështetur në parimet Kur’anore, që janë të detyrueshme për të gjithë besimtarët myslimanë. Ky përfaqëson një manual fetar, por me mjaft të dhëna patriotike dhe filozofike. Ai pranon dy dituri: atë fetare dhe atë të mendjes, të cilat, duke u mbështetur në Kur’an, nuk i kundërvihen njëra-tjetrës. Ai mendonte se feja luan rol në ndërtimin moralo-etik të njeriut, nuk e pengon njeriun të ketë dashuri ndaj atdheut… dhe nëse shqiptari e pranon alfabetin latin nuk bën kurrfarë mëkati, sepse mund të mbetet përsëri besimtar i devotshëm… Parulla e Hoxhë Najdenit ishte: “Që shqiptarët të shpëtojnë nga rreziku, ka vetëm një rrugë: me u zgjua kombi, me mësue gjuhën e tij, me i dalë zot vetes.”

Në shenjë nderi dhe respekti sot në qytetin e Dibrës një shkollë mban emrin e këtij patrioti dhe veprimtari të paharruar.

Marrë nga enciklopedia “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”.

Skandaloze: Maqedonia iu jep nënshtetësi veç shqiptarëve që pranojnë ta ndërrojnë fenë dhe kombësinë!

14/05/2013 Lini një koment

SKANDALOZE: MAQEDONIA IU JEP NËNSHTETËSI VEÇ SHQIPTARËVE QË PRANOJNË TA NDËRROJNË FENË DHE KOMBËSINË!

Raporti

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë u mohon shqiptareve shtetësinë. Këtë fakt e bënë të ditur një raport që trajton çështje të shtetësisë, dhe e cila do të shkojë deri në Departamentin e Shteteve të Bashkuara. Edhe ata shtetas që kanë fituar shtetësinë maqedonase, e kanë bërë nën presione të ndryshme. Në këtë raport do sjellim emrat e disa shqiptarëve që u është mohuar e drejta e shtetësisë me motivacionin, “persona që rrezikojnë integritetin dhe sigurinë e qytetarëve dhe të Republikës së Maqedonisë.”

Lista:

Një shqiptar nga Shqipëria kishte fituar shtetësinë e Maqedonisë duke ndryshuar kombësinë nga shqiptare në maqedonase, duke ndryshuar fenë islame në ortodokse, ka ndryshuar emrin edhe mbiemrin nga Alban Limani në Antonio Limanovski.

Duke bërë këto ndryshime ai kishte fituar shtetësinë maqedonase. Sipas tij, ky i kishte bërë të gjitha këto ndryshime nën presionin e policisë për të fituar shtetësinë maqedonase në vitin 2001.

Fatbardha Shabanit, një grua nga qyteti i Kavajës ka 16 vite e martuar në Maqedoni, por i është refuzuar disa herë shtetësia.

Hana Asani e martuar më 2003, me shtetas të Maqedonisë, nënë e tre fëmijëve i është refuzuar shtetësia e Maqedonisë me pretekstin se rrezikon sigurinë e Republikës së Maqedonisë.

Fahrije Neziri nga Ferizaj i Kosovës dhe që nga 1985 është martuar me Muhamedin nga fshati Idrizovë. Ka disa vite që bashkëshortes së tij jo vetëm i refuzohet shtetësia, por MPB i refuzon edhe lejen e qëndrimit për të huaj. Znj.Fahrije i rrezikohet ndarja familjare sepse pa leje qëndrimi nuk mund të vazhdojë të jetojë në Maqedoni legalisht. Pra, siç shihet kemi një rast flagrant ku janë shkelur rëndë të drejtat e njeriut, kujdesia e shtetit maqedonas për bashkimin familjar.

Fatmir Hoxha me origjinë nga Kaçaniku ka 27 vite që i refuzohet shtetësia bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes. Kjo familje është pa asnjë kujdesie nga institucionet humanitare në Maqedoni edhe pse ky shtet thith fonde në emër të kësaj kategorie.

Avdulla Ibrahimi ka lindur në vitin 1965 në Kumanovë dhe ka patur shtetësi, por Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ia ka hequr pa asnjë arsye. Gruaja e tij nga Presheva e ka fituar shtetësinë në bazë të martesës me të në vitin 2001, po ashtu edhe 3 fëmijët e tij e kanë shtetësi, ndërsa ai vetë jo. Edhe pse ai ka mbi vete shtëpinë, dyqanin, të gjithë faturat vijnë në emrin e tij, Avdulla Ibrahimi nuk ka asnjë dokument verifikimi, certifikatë, leje qëndrimi. Është një njeri që po t’i ndodh diçka e keqe nuk mban përgjegjësi morale dhe ligjore askush.

Në fillim të vitit 2013 për herë të tretë MPB-ja i refuzon shtetësinë këtij shqiptari të lindur dhe shkolluar në Maqedoni. Shkresa që ka pranuar Avdullah Ibrahimi për refuzimin e shtetësisë ndryshon nga origjinali që zakonisht dërgon MPB. Në letrën që ka pranuar Ibrahimi mungon logoja e MPB-së, mungojn numri i dosjes dhe shumë elementëve të kësaj ministrie. Ibrahimi sqaron se në MPB-ja i kanë kërkuar që të nisë proceduar për të marrë shtetësinë, njëjtë si shtetasit e huaj, procedurë kjo që zgjat së paku katër vjet. “Unë kam lindur në Maqedoni dhe nuk kam pse të kërkoj shtetësi njëjtë si shtetasit e huaj. Unë nuk jam shtetas i huaj, por jam shtetas i Maqedonisë. Unë kam letërnjoftim të Maqedonisë, të cilit i ka dal afati në vitin 2005, ndërsa shtetësinë ma kanë hequr në vitin 2002. Nuk e di pse më kanë hequr por besoj se qëllimi është veç me i pakësuar shqiptarët”, ka deklaruar, Avdulla Ibrahimi.

Naxhie Osmani, ka lindur në vitin 1967 në Çair të Shkupit dhe jeton në fshatin Bukoviç që i përket Komunës së Shkupit, edhe pse ka lindur në Shkup dhe është banore e kryeqytetit zonja Naxhie nuk ka shtetësi të Maqedonisë, ndërsa bashkëshorti i saj dhe dy fëmijët janë shtetas të Maqedonisë. Ajo pasi ka parashtruar kërkesë për shtetësi i është mohuar në vitin 1997. Për fat të keq për kategorinë e këtyre shqiptarëve që u mohohet shtetësia e Maqedonisë pa të drejtë nuk janë interesuar asnjëherë partitë, deputet dhe ministrat shqiptar.

Mirdita Dibrani, me prejardhje nga Kosova. E martuar prej 14 vjetësh në fshatin Shipkovicë të Tetovës, dhe me dy fëmijë, kjo grua nuk ka arritur ende të pajiset me nënshtetësi. Arsyetimi i autoriteteve është se ajo paraqet rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e shtetit të Maqedonisë. Për 3 vite me radhë, familja Dibrani mundohet të arrijë këtë të drejtë, por pa sukses. Fillimisht, vendimi i parë nga MPB-ja erdhi pozitiv, por brenda dy-tre ditësh, ai u anulua, me një përgjigje negative. Ironia qëndron tek arsyetimi; edhe pse ajo konsiderohet rrezik sigurie, ajo është e kapshme në çdo kohë nga shteti, dhe nuk është dënuar asnjëherë për ndonjë vepër penale.

“Si të ndjehem unë që jetoj në punën time se nguci askënd, me hallet e dertet e veta dhe tët kthehet kjo punë në kurriz tëndin është shumë e rëndë. S’mund ta marr me mend se asnjëherë se kam bë një gjë të tillë. 1000 kopje letrash kam pru se s’jam e dënuar asnjëherë prej gjyqit as në Kosovë e as në Maqedoni nuk e di ku bazohen at atë unë se jam e rrezikshme për shtetin”, tha Mirdita Dibrani.

Ahmet Laçi, i lindur në vitin 1946 në fshatin Pustenik të Kosovës, prej moshës 8 vjeçe ai jeton në Maqedoni, por edhe pse ka kaluar plot 58 vjet në këtë shtet ai kurrë nuk arriti të bëhet shtetas i Maqedonisë. Ahmeti Laçi thotë se nuk ka lënë institucion pa trokitur për të kërkuar ndihmë për shtetësinë. Deri tani, ai thotë se ka aplikuar pesë herë ndërsa të gjitha përgjigjet që ka marrë kanë qenë negative. Ajo që e bën edhe më tragjike këtë rast, sipas Laçit, është arsyetimi se është shtetas i padëshiruar dhe i rrezikshëm për Maqedoninë.

“Prej vitit 1994 kam aplikuar për nënshtetësi të Maqedonisë, kjo është e pesta herë, gjithmonë është problemi i njëjtë, vendimi vjen negativ megjithëse unë i plotësoj të gjitha kushtet, qe 40 vite jam i martuar, tre fëmijë i kam, krejt janë nënshtetas të Maqedonisë përveç meje. Unë nuk e di ku është problemi, unë kam edhe shtëpi këtu, kam edhe burime jete këtu, paguaj tatim, ushtrinë e kam bë në Maqedoni, klasën fillore e kam kryer në Maqedoni, shkollën e mesme e kam kryer në Maqedoni në maqedonisht, unë mendoj se i plotësoj të gjitha kushtet, nuk e di nga lind ajo ide e cila vjen kjo negativ”, tha Ahmet Laçi, banor i Shkupit

Me të njëjtën problematikë ballafaqohet edhe një tjetër banor i Shkupit, 59 vjeçari Aziz Bekteshi me prejardhje nga Lubishta e Kosovës. Ai jeton në Shkup prej rreth 50 vjetësh por asnjëherë nuk ka arritur të fitojë nënshtetësinë e Maqedonisë me të njëjtin arsyetim sikur se bashkëqytetari i tij, se konsiderohet si rrezik për shtetin.

“Jam i gatshëm sot me dëshmuar, sot me dëshmuar edhe me polici edhe me gjyq që as nuk më kërkon gjyqi as nuk më kërkon policia, jo vetëm këtu po as në Kosovë po askund në botë, a po më kupton, këtë mundem me dëshmuar kur të donë. Me të vërtet unë jam aq i emocionuar edhe aq i habitur, nuk e di se kush mundet me më ndihmuar se të gjitha ato institucione i kërkova edhe askush nuk ma shtriu dorën me thanë që ngadalë se nuk është punë e vogël dhe e thjeshtë. A unë prapë po e them se unë mundem me dëshmua kur të doje dhe në çfarëdo rasti”, thotë Aziz Bekteshi, banor i Shkupit

Naser Bela, 45 vjeç, gruaja dhe djali i tij tani 16 vite kërkojnë shtetësinë e Maqedonisë. Edhe pse i lindur në Shkup ku edhe aktualisht jeton dhe punon, atij që nga viti 1993 kur edhe aplikoi për herë të parë, në vazhdimësi kërkesat i refuzohen. Bela thotë se në stacionin policor në Draçevë në atë kohë, e kanë kushtëzuar të bashkëpunojë me policinë, në dëshiron të pajiset me shtetësi në të kundërtën gjithë jetën do ti mohohet e drejta për shtetësi. “Unë e refuzova me një fjalë thash jo se punoj, më than atëherë s’do ta marrësh asnjëherë nënshtetësinë, thash as nuk më duhet ashtu nënshtetësi, se ajo është e imja, do të vije dita kur do ta marr, edhe unë e di arsyen se për atë e refuzon, mirëpo më ka humbur dokumentacioni i asaj nuk e kam për fat të keq, më ka humb ai vërtetimi se shumë mirë shkruan Naser Bela të vish në ora 7 në stacionin policor në Draçevë për nënshtetësinë, mirëpo ato hynë në punë tjera, unë si pranova të punoj se nuk më interesonte. Tash për së fundi herë i kam dhënë në 2005 dhe s’ka asgjë, dhe vetëm malltretojnë, kërkojnë dokumentacione që një gjë s’mund ta bëjmë. Mu më intereson me çfarë të drejte nuk më takon nënshtetësia? Shoqja 24 vjet ka kurorëzim me mu në Draçevë dhe s’ka kurrfarë dokumentacioni të Maqedonisë, i ka vdekë baba s’ka mund të shkoj, nëna i ka vdekur nuk mund të shkon, tash i ka vdekur vëllai  para 20 ditësh edhe nuk mund të shkojë, dhe këtu më tregon dikush se ne i kemi të gjitha drejtat! S’kemi ne shqiptarët të drejta, këto janë rrena”, tha Bela.

Arben Llalla shpallet nga MBP e Maqedonisë Person i Rrezikshëm që rrezikon integritetin dhe sigurinë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë. Si pasojë MPB i ka refuzuar në bazë të martesës shtetësinë e Maqedonisë dhe lejen e qëndrimit të përhershme Arben Llallës. Për herë të parë atij i është refuzuar në mars 2008, duke vazhduar në dhjetor 2008, ndërsa në korrik 2011, i është refuzuar edhe leja e qëndrimit të përhershme. Së fundi në Maj 2012 përsëri i refuzohet kërkesa për shtetësi në bazë të martesës pa të drejtë ankinimi. Arben Llalla që në vitin 2003 është martuar me shtetase të Maqedonisë dhe nga kjo martesë kanë një djalë. Edhe përse i plotëson të gjitha kushtet, MBP kundër ligjeve për shtetësinë e ka shpallur person me Rrezikshmëri të Lart disa herë. Dy herë Komisioni i qeverisë së shkallës së dytë i ka dhënë të drejtë z.Llalla, MPB gjithnjë ka dërguar përgjigje përfundimtare se është person me rrezikshmëri të lartë.

Fadil Curi nga Hani-Elezit i Kosovës është i martuar me shtetase të Maqedoni prej më shumë se 25 vitesh dhe i mohohet shtetësia e Maqedonisë edhe përse ky i plotëson të gjitha kushtet.

Aqif Krasniqi i datëlindjes 1950 nga Kosova i martuar në vitin 1979 me shtetase të Maqedonisë dhe nga viti 1972-1989 ka punuar në Postën Telefonike në Shkup i është refuzuar disa herë e drejta e shtetësisë në Maqedoni.

Rive Islami nga Kosova, është martuar në Tetovë në vitin 1984, dhe prej atëherë i është refuzuar disa herë e drejta e shtetësisë. Ajo nuk e gëzon të drejtën e shtetësisë në vendin ku jeton prej 30 vitesh edhe pse i plotëson të gjitha kushtet.

Në qytetin e Kumanovës dhe fshatrat përreth u refuzohet shtetësia qindra njerëzve që kanë mbi 40 vite që jetojnë dhe punojnë në këtë shtet me pretekstin se janë të rrezikshëm për Maqedoninë.

Zyra e Avokatit të Popullit në Kumanovë deklaron se në vitin 2006 janë mbi 366 kërkesa ndihmë për të fituar të drejtën e shtetësisë. Ndërsa më 2007 janë bërë 237 kërkesa të tilla. Ndërsa në zyrën së avokatit të popullit në Tetovë janë formuar 183 lëndë për çështjen e mohimit të shtetësisë më vitin 2007. Banorët e dy fshatrave Goshinca dhe Llukara nuk kanë shtetësi dhe jetojnë pa letërnjoftime, njerëz që nuk kujdeset askush për ta. Këta banorë mund ti vrasin dhe asnjeri nuk mbanë përgjegjësi morale dhe ligjore. Në rajonin e Kumanovës nga viti 2002 ka filluar në heshtje një proces për çregjistrimin e shqiptarëve me qëllim që të pakësohet popullsia jonë atje.

Në një gazetë, disa vite më parë shkruhej se janë rreth 100 mijë shqiptarë që u mohohet e drejta e fitimit të shtetësisë. Ndërsa 3.800 maqedonas të Shqipërisë në mënyrë të lehtë kanë fituar shtetësinë e Maqedonisë duke mos plotësuar asnjë kusht elementar.

Siç shihet problemi i mohimit të shtetësisë nga shteti maqedonas mijëra shqiptarëve të cilët kanë krijuar familje me shqiptar shtetas/e të Maqedonisë është një fenomen me prapavija politike duke përdorur standarde të ndryshme në bazë të kombësisë etnike dhe përkatësisë fetare.

Racizmi i një ligji

Aplikuesi me kombësi shqiptare edhe po të plotësojë kushtet që i kërkohen për fitimin e shtetësisë, mundet ajo t’i refuzohet në qoftë se zyra e sigurimit shtetëror nuk jep mendim pozitiv. Në këtë rast i huaj duhet t’i drejtohet avokatit të popullit për ndihmë, Gjykatës Supreme Administrative dhe gjykatave ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të njeriut nga ana e Institucioneve të Republikës së Maqedonisë. Dua të shtoj se edhe Gjykata Administrative nuk funksionon siç duhet, ka fakte që rastet e ndihmës për shtetësitë i zgjat në pafundësi me pretekstin se MPB nuk i jep materialet e dosjes për shfrytëzim.

Ligji për rrezikshmëri që ende funksionon pa të drejtë në Maqedoni është bërë i famshëm duke u refuzuar të drejtën njerëzore më shumë shtetasve nga Shqipëri dhe Kosova të cilët kanë mbi 10 vite martesë me shtetas të Maqedonisë. Këtij ligji i ka skaduar mandati sepse lufta e ftohtë ka mbaruar. Ky është një ligj që shkel të drejtat e njeriut, krijon kushte për prishjen e familjeve dhe nxit urrejtjen etnike dhe fetare midis qytetarëve.

Në bazë të kushteve të sotme politike dhe shoqërore ligji në fjalë nuk duhet të funksionojë pasi Maqedonia është kandidate për në BE e NATO dhe ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi miqësor me të gjitha Institucionet e Republikës së Shqipërisë. Midis Maqedonisë dhe Shqipërisë janë hequr regjimi i vizave. Strukturat e policisë, ushtrisë dhe të sigurimit kanë një bashkëpunim të ngushtë midis tyre në luftën kundër terrorizmit dhe kontrabandave të ndryshme. Së shpejti pritet që policë nga Shqipëria dhe Maqedonia do të patrullojnë në vendet e njeri-tjetrit bashkë.

Shumë aplikuesve për shtetësi maqedonase u bëhen presione nga strukturat e sigurimit për tu bërë informator ose bashkëpunëtorë i këtyre strukturave. Kjo metodë e vjetër që është përdorur në kohën e diktaturës komuniste e cila bie ndesh me ligjet kushtetuese dhe të demokracisë që pretendojmë se zhvillohet në Maqedoni.

Deklaratë skandaloze e  zëvendësministri shqiptar për rastet e shtetësive

Më 11 shkurt 2013, zëvendësministri i brendshëm, Xhelal Bajrami deklarojë për rastin e MirditaDibranit me origjinë nga Kosova, e cila nuk ka dokumentin e shtetësisë edhe pse e martuar tani 14 vite në Shipkovicë të Tetovës. Xhelal Bajrami deklarojë “Ka pasur vendim negativ nga ana e Sigurimit Shtetëror mirëpo arsyet unë ende nuk i kam të elaboruar mirë pse është marrë një vendim i tillë. Ndoshta vendimi i tillë do të mund të ndryshojë pasi varet nga momenti ndonjëherë mundet që bashkëshorti i personit në fjalë apo ndonjë i afërt i saj të merret me ndonjë veprimtari të palejuar në Maqedoni dhe ajo të jetë si pasojë pse vendimi ka qenë negativë nga ana e organeve të Sigurimit Shtetëror”.

Pra, sipas këtij ministri shqiptar të gjithë ata shqiptar që aplikojnë për shtetësi të Maqedonisë nuk duhet të kenë asnjë kushëri të burgosur apo keqbërës sepse mbajnë edhe këta përgjegjësi penale. Kjo është injoranca shqiptare që na përfaqësojnë në qeverinë e Maqedonisë sepse çdo individë mban përgjegjësi personale për ato vepra keqbërëse që kryen.

Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithë atyre njerëzve që u është mohuar e drejta e shtetësisë së Maqedonisë pa të drejtë, të sjellin fotokopjet e vendimeve për refuzimin e shtetësisë nga ana MPB në zyrën e Programit Unik Shqiptar që ndodhen në qytetin e Tetovës, në adresën Bllok 77, e-mail levizja.push@gmail.com, dhe numër tel: 070928833. Në zyrën tonë do jenë përfaqësuesit tanë të cilët do t’ju presin dhe do t’ju japin këshilla për të vazhduar më tej betejën për të

Gjykata e Strasburgut e stërngarkuar me lëndë nga Maqedonia

Qytetarët e Maqedonisë i prijnë listës së kallëzimeve penale të ngritura pranë Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg. Në këtë gjykatë janë parashtruar mbi 1.200 kallëzime penale nga ana e qytetarëve kundër shtetit të Maqedonisë, për shkeljen e të drejtave të njeriut./Almakos

Çamëria, toka e ndaluar për shqiptarët

09/04/2013 Lini një koment

Fabjola BRAMO

ÇAMËRIA, TOKA E NDALUAR PËR SHQIPTARËT

Trevat shqiptare tanimë të pushtuara nga grekët 

I love ÇamëriaNë vitin 1944 rreth 28 mijë çamë u dëbuan nga shtëpitë e tyre në drejtim të Shqipërisë, ndërsa rreth 7 mijë drejt Turqisë. Militarët grekë vranë rreth 300 civilë të pafajshëm, që nuk pranuan të merrnin rrugën drejt Shqipërisë dhe të linin tokën e të parëve, dogjën dhjetëra fshatra e prona. Qindra familje u ndanë, mijëra pronarë u shpronësuan brenda natës. Asnjë çam nuk ka arritur t’i rifitojë pronat e humbura. Si të mos mjaftonin këto, policia greke nuk lejon hyrjen në Greqi të atyre që kanë në pasaportën vendlindjen në Çamëri. Sot, edhe pse kanë kaluar rreth 68 vjet, çështja çame ende mbetet e pazgjidhur.

Kur isha fëmijë, diku rreth moshës 6-7-vjeçare,  dëgjova për herë të parë fjalën “çam”. Në pallatin ku banoja kishte disa familje çame. E folmja e tyre ishte disi ndryshe me atë që përdornim ne. Në fillim mendova se çamët mund të ishin të ndonjë kombësie të huaj, por që banonin në Shqipëri. I shihja me habi, pasi në atë lloj izolimi që jetonim asokohe, më dukej jashtë mendsh që dikush të zgjidhte të jetonte si ne. Im atë më shpjegoi se çamët ishin shqiptarë si ne, si kosovarët, si shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë etj., por historia ishte treguar shumë e padrejtë me ta. Vite më pas, kur u rrita mjaftueshëm sa për të kuptuar historinë, mësova se prapa dëbimit masiv të çamëve si etni, fshiheshin interesa të lidhura me përfitimin e tokave, pronave e pasurive të begata të Çamërisë.

Dëshirojmë që udhëtimin tonë të revistës “Shenja” nëpër trevat shqiptare për këtë vit, që posa ka trokitur, ta nisim me Çamërinë. Do të vizitojmë historinë e çamëve, pasuritë natyrore, folklorin, personazhet e gastronominë e veçantë të këtyre shqiptarëve. E zgjodhëm jo më kot këtë destinacion, pasi çështja çame është një nga pikat më nevralgjike të kombit shqiptar dhe se protestat e këtij komuniteti janë më të forta se asnjëherë tjetër.

Ku shtrihet Çamëria

Çamëria shtrihet në jugun e Shqipërisë, në veri të territoreve të sotme greke. Më së shumti emërtohet me këtë emër territori ndërmjet Thesprotisë dhe Prevezës, në brigjet joniane të Epirit. Emri Çamëri mendohet se ka lidhje me lumin Thyamis, i cili shqipërohet çam. Një hipotezë tjetër e ngritur lidhet me etimologjinë me emrin e Thesprotisë nën ndikimin osman. Zyrtarisht, territoret çame përfshinin trevat Thesprotia, duke u shtrirë në veri në Gjirin e Ambrakisë, dhe në lindje në malet e Pindit. Lumi Thyamis ishte kufiri verior i kësaj krahine. Mendohet se Çamëria është tkurrur në hartën e shtrirjes së vendbanimeve. Në ditët tona, territoret e dikurshme çame janë pjesë e Sarandës dhe Delvinës dhe kufizohen me Llogoranë dhe malet e Muzinës në veri dhe veri-lindje.

Në kohët moderne Çamëria u reduktua vetëm në territorin dialektologjik të tyre duke u ngushtuar mes lumit Acheron në jug, Butrintit në veri dhe maleve të Pindit në lindje. Aktualisht nën territorin administrative të Shqipërisë gjenden vetëm Konispoli dhe Markati. Të gjitha qytetet dhe fshatrat çame mbetën nën Greqinë. Qytetet më të rëndësishme ishin Janina, Filati, Follorina, Gumenica, Paramithia, Arta etj. Ato janë qytete të zhvilluara, më së shumti Janina dhe Gumenica. Kjo e fundit shërben si një nga portet më të rëndësishme në bregdetin jonian.

Pas vendosjes në Shqipëri, çamët morën nënshtetësinë shqiptare në vitin 1953 dhe u trajtuan si shqiptarë. Çamët më së shumti u vendosën në qytetet e Durrësit, Vlorës dhe Tiranës. Por, pati dhe një pjesë të këtij komuniteti që u vendos në Himarë, në bregdetin e Jonit, në fshatin Borsh dhe sidomos në zonën Sarandës dhe Delvinës.

Tokat dhe pronat e çamëve patën të njëjtin fat. Greqia ishte e interesuar të përvetësonte tokat e begata të etnisë që përzuri dhe të merrte pa të drejtë pronat e tyre. Një ligj i turpshëm i parlamentit grek në vitin 1953 i konsideroi këto toka si të braktisura nga banorët, të cilët ishin larguar nga Greqia pa leje dhe pasaportë. Në vitin 1956 tokat dhe pronat e tjera kaluan nën pronësinë e shtetit grek ndërsa në vitin 1956, zona u popullua me banorë grekë, të cilët përvetësuan gjithçka gjetën. Çështja e kthimit të pronave pronarëve të dikurshëm ka ngjallur prej vitesh mjaft debate. Një komision i krijuar në vitin 1997 mes palës greke dhe asaj shqiptare për të zgjidhur çështjen e pronave, mendohej se mund të bënte të mundur kompensimin e çamëve, por shpresat u vakën që në nisjen e punës, pasi komisioni nuk funksionoi asnjëherë.

Denigrimi për shkaqe fetare

Një arsye e rëndësishme e denigrimit të popullsisë çame nga Greqia është dhe fakti se shumica e tyre i përkasin fesë islame. Sipas burimeve të ndryshime, islamizimi i Çamërisë ka ndodhur në periudhën kur Perandoria Osmane ishte në kulmin e lulëzimit të saj. Në shekullin e 17-të, thuajse të gjitha qytetet dhe fshatrat adoptuan fenë islame. Veç këtij fakti, familjet dhe përfaqësuesit e tyre më elitarë luajtën një rol të rëndësishëm në islamizimin e Çamërisë. Pashallarët dhe bejlerët përhapën islamin në popull, ndërsa në jugun e vendin, në Acheron dhe Prevezë, popullsia qëndroi ortodokse, duke ndjekur ritet fetare të grekëve.

Përfundimi i Luftës Greko-Turke dhe nënshkrimi i Traktatit të Lozanës, vendosi që çamët muslimanë të dërgoheshin në Turqi dhe ortodoksët të silleshin në Greqi. Mijëra çamë u çatdhesuan dhe u dërguan në Stamboll. Ky denigrim u duk se u zbut në periudhën kur kryeministër i Greqisë ishte Teodor Pangalos-i, gjysmëshqiptar e gjysmëgrek, i cili shprehej krenar për origjinën e tij shqiptare. Popullsia muslimane qëndroi në trojet e veta për sa kohë që Pangalos-i qëndroi në pushtet. Periudha e regjimit të Janis Metaksas-it ishte më e vështira në historinë e Çamërisë. Jo vetëm që ata nuk lejoheshin të ushtronin veprimtari fetare, por u ndaluan madje të flisnin dhe gjuhën shqipe.

Aktualisht në trevat çame jeton një pjesë e popullsisë autoktone që kanë përqafuar besimin ortodoks. Ata janë folës të gjuhës shqipe dhe e përcjellin atë brez pas brezi. Thuhet se të vjetrit njohin vetëm gjuhën shqipe dhe nuk janë në gjendje të flasin greqisht. Praktikimi i fesë ortodokse u ka mundësuar atyre qëndrimin në Çamëri.

Kontributi çam në çështjen kombëtare

Patriotët çamë nuk munguan në asnjë rast në dhënien e kontributit të tyre për çështjen kombëtare. Lidhja e Prizrenit mbajtur në vitin 1878 kishte dhe delegatët e saj nga Çamëria, me në krye Abedin Dinon. Madje, me përpjekjet e tij ai arriti të ngrinte dhe një degë të Lidhjes në bregdetin jonian. Ai u vra kur shkonte të merrte pjesë në Lidhjen e Pejës.

Osman  Taka ishte një tjetër bashkohës i Dinos, i cili gjithashtu ishte pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit. Në Çamëri ai themeloi një degë funksionale në Prevezë. Ai u arrestua dhe ekzekutua në Konispol kur u shpërbë Lidhja e Prevezës.

Asambleja e Prevezës, mbajtur menjëherë pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, është një tjetër pikë e rëndësishme e kontributit çam në ruajtjen e kufijve shqiptarë. Delegatët nga Labëria dhe Çamëria, numri i të cilëve arriti në 400 delegatë, synonte të pengonte dhënien e Epirit. Asambleja nuk arriti të përmbushte synimet e veta, pasi Artën dhe gadishullin me këtë emër e mori nën sundim Greqia, ndërsa pjesa tjetër e Çamërisë mbeti nën ndikimin osman, nën Vilajetin e Janinës. Në Kongresin e Vlorës, në vitin 1912, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë, Çamëria kishte 6 delegatët e saj, të cilët u shprehën pro pavarësisë.

Muzika, vallja dhe veshja

Çamët janë mjaft të apasionuar pas muzikës, e cila në fakt është disi e ndryshme nga ajo shqiptare. Muzika popullore çame ndahet në kategorinë e polifonisë, isopolifonisë dhe baladave popullore. Ndikimi i përgjithshëm është ai toskë, me përfaqësuesit më të njohur labët. “Kënga e Çelo Mezanit” është më e njohura këngë çame dhe i dedikohet një revolucionari çam. Kjo këngë këndohet ende nga grupi i çamëve të Rrogozhinës, me solist Refat Sulejmani. Me të njëjtat motive shumë këngëtarë çamë këndojnë këngë patriotike, si Enkelejda e Hysni Alushi, të cilët janë përfaqësuesit më të denjë të këngës çame në Shqipëri.

Një valle çame me emrin “Osman Taka” është mjaft e njohur dhe popullore nga ky komunitet. Tematika e saj lidhet me emrin e patriotit Osman Taka. Ai ishte i arrestuar nga osmanët, por duke kërcyer këtë valle, arriti ta mrekullonte komandantin osman dhe në këtë mënyrë të arratisej nga burgu.  Në periudhën e totalitarizmit, një grup valltarësh shqiptarë morën pjesë në një konkurs ndërkombëtar vallesh ku merrte pjesë edhe Greqia. Përfaqësuesja greke tentoi të merrte pjesë në konkurs me “Vallen e Osman Takës”, ndonëse ai ishte një çam musliman që nuk kishte asnjë lidhje me Greqinë. Juria asnjanëse ia hoqi të drejtën Greqisë ta përvetësonte këtë valle të bukur dedikuar këtij patrioti.

Një valle tjetër e rëndësishme është edhe “Vallja e Zallongut”, e cila i referohet një ngjarjeje historike të fillimit të shekullit të 19-të në zonën e Sulit.

Lidhur me veshjen e çamëve, vërehet qartë se ka ndikimin e zonës së jugut të Shqipërisë. Veshja e burrave është fustanella, e qëndisur me fije argjendi, jeleku i shkurtër, këmisha e shkurtër me mëngë të gjera, fezi, opingat e lëkurës me xhufkë të kuqe dhe çorapet e bardha deri në gju. Një tjetër ornament është dhe mbajtësja e armës në gjoks, e qëndisur me argjend. Fustanella e çamëve ndryshon nga ajo e burrave të Toskërisë për nga gjatësia.

Gratë çame kanë veshje tipike tumanet. Kështu i quajnë çamet dimitë e gjera të mëndafshit oriental ose të pambukut. Në ditët e zakonshme ato vishnin tumane cope, ndërsa në ditë të veçanta ato të mëndafshta. Pjesa e sipërme e veshjes ishte një këmishë e qëndisur me fije ari ose argjendi dhe, shpesh, shoqërohej me një jelek të shkurtër. Në fund të shekullit të 19-të gratë qytetare çame nisën të vishnin funde ose fustane të gjata, të  ngjyrave vishnje dhe lejla të qëndisura me fije ari. Jeleku i zbërthyer dhe këmisha e mëndafshit me mëngë të gjera, ishin pjesë shoqëruese që qëndiseshin me finesë. Në raste të veçanta vishnin dhe një xhaketë treçerekëshe të qëndisur me motive floreale. Brezi i argjendtë ishte pjesa më e bukur e veshjes, por edhe shamia e mëndafshtë e kokës, vathët, unaza, byzylykë e gjerdanët, e plotësonin kuadrin e veshjes tipike të gruas çame.

Burimi: http://almakos.com/shenja/17984-cameria-toka-e-ndaluar-per-shqiptaret.html

E keqja e shqiptarëve

23/03/2013 1 koment

Abdi BALETA

E KEQJA E SHQIPTARËVE

Abdi Baleta

Abdi Baleta

Ecejaket në kohë dhe hapësirë

Ditët e ndërrimit të viteve, si rregull, sjellin njëfarë apatie dhe shkrehjeje edhe në publicistikë. Në ndërrimin e viteve 2012-1013 për afro një javë në Tiranë nuk dolën gazeta në qarkullim. Egërsia e programeve televizive ra disi për t’i lënë më shumë hapësirë humorit vulgar, këngëve e valleve pa shumë shije, filmave jo aq tërheqës, deri rrëfimeve e bisedave kot më kot. Të gjitha këto u shoqëruan edhe me plot lajme tronditëse për ndodhi e për krime tragjike.

Do të ishte mirë që titulli i këtij shkrimi të kishte zënë vend me kohë mbi kapakun e një libri të mirëfilltë studimor si në librin “Le mal français” (“E keqja franceze”) të politikanit e shtetarit francez Alen Peirefit, bashkëpunëtorit të afërt të Gjeneralit De Gol, kur ky ishte President i Francës. Libri me titull “Le mal français” është botuar në Francë në vitin 1979. Në të është bërë një analizë e thelluar dhe në frymë kritike e të gjitha aspekteve të jetës kombëtare dhe shtetërore, politike dhe ekonomike, shpirtërore dhe kulturore, administrative dhe shoqërore, si dhe të politikës së jashtme e të diplomacisë së Francës. Ai cilësohej nga revista “Le Point” si: “Libri më i rëndësishëm që është shkruar mbi vendin tonë qysh nga koha e luftës”.

Kuptohet vetvetiu se një libër i ngjashëm, mbi “Të keqen shqiptare (Le mal albanais)”, do të ishte shumë i dobishëm për shqiptarët në fillim të shekullit XXI, kur shqiptarët ndodhen në udhëkryqin e historisë së tyre dhe nuk arrijnë dot të bien në një mendje se çfarë duan e çfarë u duhet; çfarë duhet të kërkojnë e çfarë duhet të pranojnë nga ato që u ofrohen; çfarë duhet të nderojnë e të mbrojnë dhe çfarë duhet të rishikojnë nga historia e trashëgimia e tyre; çfarë duhet të ripërtërijnë e çfarë duhet të flakin nga kujtimet, doket dhe huqet e tyre, nga mënyra e tyre e të jetuarit e të ëndërruarit; çfarë stereotipash duhet të braktisin e çfarë tabush duhet të krijojnë e të rrënjosin në mendimin e sjelljen e tyre politike kombëtare lidhur me miqtë e me armiqtë; çfarë përfytyrimi duhet të kenë mbi individualitetin, personalitetin dhe dinjitetin kombëtar shqiptar, etj. Shqiptarët ende nuk e dinë mirë se ku janë, ku po shkojnë, çfarë po lënë pas si të panevojshme dhe se çfarë i pret përpara si e panjohur. Me një fjalë, shqiptarët janë në një krizë të përgjithshme e të gjithanshme, që degëzohet në një mori krizash specifike në të gjitha fushat. Nuk mund të pritet sa të dalë një penë e fortë shqiptare si ajo që ka shkruar “Le mal français” për t’u ballafaquar me “të keqen shqiptare”. Prandaj duhet bërë përpjekje që, edhe nëpërmjet copëzash publicistike, të gërvishtet lëkura e së keqes, gjatë këtij viti të trishtë 2013, kur mbushet shekulli i copëtimit të kombit e të trojeve etnike shqiptare.

* * *

Ditët e ndërrimit të viteve, si rregull, sjellin njëfarë apatie dhe shkrehjeje edhe në publicistikë. Në ndërrimin e viteve 2012-1013 për afro një javë në Tiranë nuk dolën gazeta në qarkullim. Egërsia e programeve televizive ra disi për t’i lënë më shumë hapësirë humorit vulgar, këngëve e valleve pa shumë shije, filmave jo aq tërheqës, deri rrëfimeve e bisedave kot më kot. Të gjitha këto u shoqëruan edhe me plot lajme tronditëse për ndodhi e për krime tragjike.

Në një atmosferë si kjo ai që nuk shkëputet dot nga leximi e ndjen të nevojshme të gjejë diçka të këndshme e të dobishme për të lexuar pa u sforcuar. Libri i parë që mora të lexoja për këtë vit ishte përmbledhja e shkrimeve satirike të shkrimtarit dhe poetit shqiptar që pëlqej më shumë, Mitrush Kutelit (alias Dhimitër Pasko), e titulluar “Havadan më havadan”. Me satirat e sarkazmat e tij shkrimtari ka prekur një tematikë të larmishme nga jeta, zakonet, huqet, psikologjia dhe politika e shqiptarëve deri në LDB. Por, ato duken sikur janë shkruar për të stigmatizuar edhe ngjarjet e zhvillimet e sotme në shoqërinë shqiptare. Kur në gazetat e Shqipërisë lexon tituj si “djali u vetëvar se e keqtrajtuan në polici për akuzën e vjedhjes së pesë pulave të fqinjit” ose “kryeplaku i fshatit vrau fqinjin se i ra me shuplakë djalit të tij për vjedhjen e dy pulave” ose “dy të rinj u plagosën me thika për një gërvishtje të makinës ose pas një grindje në vendin e parkimit”, të dalin para syve skenat e dhimbshme dhe qesharake në satirat e Kutelit: “dikush kishte vrarë dikënd vetëm se duke kaluar rrugës i kishte shkelur hijen, ose e kishte vështruar vëngër”; “dikush kishte vrarë një kalimtar që shkonte rrugës në punën e vet për t’i provuar bashkëbiseduesit se arma që po vajiste kishte qitje të saktë”, “njërin e kishin vrarë se i kishte sytë të zinj, tjetrin se i kishte të gjelbër, të tretin se i kishte të hirrët, dhe njerëzit nuk kuptonin më se të çfarë ngjyre duhej t’i kishin sytë e tyre që të mos viheshin në shënjestër të armëve të trimave pa tru në kokë”.

Po të jetonte Kuteli sot, mund të llahtarisej me larminë e absurditeteve për të cilat bëhen krime të shumta e tejet të shëmtuara. Në satirat e tij Kuteli nuk bën fjalë për “baballarë që vrasin bijtë, për bij që vrasin babën, nënën ose gjyshen për ca para që të luajnë bixhoz, të blejnë drogë, të shkojnë në lokal nate”. Vrasjet në emër të Kanunit që stigmatizonte Kuteli sot janë shumë më të përçudnuara. Figurën e lopçarit të fshatit, të cilit në satirën e Kutelit i shkrepi të bëhej “kaçak” që të fliste fshati për të dhe pyeste gjithnjë “ç’thotë fshati për mua?”, sot e gjejmë shpesh në figurën e politikanit, të pushtetarit, të propagandistit që pasi ka dalë “kaçak” në politikë e në propagandë e vepron krejt mbrapsht me fodullëk dhe pyet “ç’mendon elektorati apo opinioni publik për mua?”. Servilizmi ndaj pushtetarëve e shefave, korrupsioni, fryma e tarafit, që i vinte në lojë Kuteli, sot janë në përmasa të pakrahasueshme me ato të kohës kur ai i shkroi satirat. Çdo gjë që vërejmë, që prekim, që provojmë, na tregon se “e keqja shqiptare” është shtrirë e thelluar në përmasa e me ritme marramendëse. Politikanët partiakë të përfshirë në rivalitetin për pushtet, zëdhënësit e propagandistët e tyre dhe disa grupime të mbyllura opinionistësh “të pavarur”, flasin të shumtën e kohës “havadan më havadan” që ashtu të trullosin opinionin publik.

Në atmosferën e një debati të pazakontë, që u ndez midis shqiptarëve pas deklarimit të papritur të kryeministrit të Shqipërisë se edhe ai ishte kthyer në mbështetës për idenë e bashkimin kombëtar të shqiptarëve, nga libri “Havadan më havadan” më tërhoqën së tepërmi tri skicat e para satirike “Jam patriot”, “Edhe unë jam patriot!” dhe “Patriot, una”, ku shpërthen një sarkazëm e fortë ndaj atyre që spekulojnë me patriotizmin për të nxjerrë përfitime për vete.

Në skicën “Jam patriot” ka një renditje fjalësh të fuqishme që nuk të bën dora t’i cungosh kur të duhet të citosh: “Rroftë Shqipëria! Rroftë atdheu kombëtar shqiptar! Rroftë Flamuri nacional shqiptar, kombëtar, kuq e zi me zhgabën madhështore, trimërore, dykrenore, shqiptare e Lekës, Pirros edhe e Skënderit, që e ngriti Ismail Qemali! Rrofshin gjithë dëshmorët edhe heronjtë e kombit që vdiqnë për mëmëdhenë! Rroftë! Rroftë! Rroftë!”. I them këto të gjitha nga fundi i zemrës, i mëlçisë dhe i plëncit kombëtar, sepse jam patriot i vërtetë edhe i flakët, si flaka e zjarrit! I kulluar si llomi! I pastër si balta! I drejtë si drapri! Kurdoherë kam qenë patriot kombëtar, i drejtë dhe me qëndrim të patundur si shkëmbi. Kam prova sa të doni dhe sa të mos doni.

Në skicën e dytë “Edhe unë jam patriot” na shfaqet një “më i hershëm në patriotizëm”, i cili më 1925 kishte thirrur “rroftë republika, rroftë presidenti e qeveria kombëtare”, që në emër të popullit pa brekë u dërgonte telegrame urimi ministrave kur merrnin postin dhe shpërblehej me të mira prej tyre; i cili më vonë i predikoi popullit se republika duhej të kthehej në monarki “si në kohën e Skënderbeut” dhe kur e pa se “populli u mërzit me republikë” i tha tij se “duhej të bëheshim perandori kombëtare” e zuri të thërriste “Duçe, Duçe”. Kur ranë Duçja me Viktorin (Emanuelin) në Itali, filloi të mendonte se kujt do t’ia shiste edhe një herë lëkurën, siç ia kërkonte “zanati i tij i patriotit kombëtar”.

Në skicën e tretë “Patriot, una” Kuteli bën fjalë për patriotë edhe më të vjetër që kishin lëvduar me radhë Sulltanin e Stambollës, Mbretin e bukur të Nemces, para se të përuleshin para atij shkurtabiqit të Italisë. Kuteli ka shkruar kështu para se në skenën e historisë shqiptare të shfaqeshin “patriotët komunistë”, që do të përuleshin para Titos, Stalinit e Maos dhe “patriotët e demokracisë”, që po përulen para gjithkujt, sidomos para “integruesve europianë”, që të qëndrojnë ata në pushtet ose të rrëmbejnë ata pushtetin kur nuk e kanë. Çfarë sëmundje e vjetër, e pakuruar dhe në dukje e pakurueshme qenka kjo e “patriotizmit shqiptar” jo-nacionalist!

Sarkazma e fuqishme e Kutelit zbulon se si prej kohësh disa shqiptarë kanë bërë pazar me patriotizmin e interesin kombëtar, si është ngjizur e pse ka vazhduar deri në ditët tona kriza e nacionalizmit shqiptar. Në periudhën që erdhi pasi ishin shkruar satirat e Kutelit kjo krizë e nacionalizmit u kthye në një dukuri të përgjithshme, në antinacionalizëm politik, ideologjik e kulturor. Edhe pas shembjes së komunizmit kriza e nacionalizmit nuk kaloi. Gjatë 20 viteve të paskomunizmit tipat që ka fshikulluar Kuteli nuk kanë munguar në politikën, në mendimin politik, në kulturën e në propagandën shqiptare dhe kanë ndikuar në përhapjen e të keqes së antinacionalizmit në opinionin publik. Prandaj edhe debatet rreth çështjes së bashkimit kombëtar shqiptar janë kthyer në një “kakofoni patriotike” zërash kumbues politikë, intelektualë e propagandistikë në të gjitha territoret shqiptare.

Megjithatë edhe kjo kakofoni nuk është krejt pa dobi. Dobia e saj e parë është se opinioni publik shqiptar po vëren se çështja e bashkimit kombëtar nuk paska qenë një çështje e kapërcyer, sikurse i është predikuar për disa dekada, por qenka një çështje e shtruar për zgjidhje, siç kanë filluar ta quajnë tashmë edhe disa organe të propagandës që kanë heshtur deri tani. Një dobi tjetër është se opinioni publik do të kuptojë më mirë rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe do të vetëdijesohet se cilat forca politike, cilat rryma të mendimit politik e cilët intelektualë duhet të mbështesë që të çohet përpara çështja e bashkimit kombëtar dhe të ngushtohen hapësirat për veprimtarinë e “patriotëve” që ka demaskuar me kohë Kuteli. Gjëja më pozitive në këtë kakofoni zërash të nacionalizmit të ripërtërirë politik populist, të “nacionalizmit të vonuar”, të “antinacionalizmit të prapambetur”, të “antishqiptarizmit vulgar”, “ të patriotizmit të trembur nga fantazmat ndërkombëtare”, të “intelektualizmit mistrec”, është se kësaj radhe çështja e bashkimit kombëtar shqiptar u ngrit në nivel qeveritar, pra hyri në programin zyrtar shtetëror pas deklaratave të kryeministrit Berisha në Shkup e në Vlorë me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë dhe në paraqitjet e tij të mëvonshme televizive. Si e pati kryeministri këtë punë, nga qejfi apo nga zori, me dëshirë të vet e me vullnet të mirë, apo me hile dhe nën trysninë e sinjaleve ndërkombëtare, kjo është punë për të dhe do ta shohim më vonë.

Tani për tani ka rëndësi që vetë kryeministri i Shqipërisë shpalli para shqiptarëve dhe para diplomacisë ndërkombëtare se shqiptarët duhet të bashkohen, se bashkimi kombëtar shqiptar nuk mund të trajtohet më si një “aspiratë e lavdishme, por e vdekur”, siç shprehej gjatë shumë vitesh, por duhet parë e trajtuar si një problem i shtruar për zgjidhje. Për nacionalistët dhe nacionalizmin e sinqertë shqiptarë që gjatë 20 viteve kanë predikuar e kërkuar pikërisht këtë orientim të politikës zyrtare shtetërore e qeveritare, kjo është një fitore e madhe teorike dhe praktike, përderisa një kryeministër kundërshtar i idesë së bashkimit kombëtar shqiptar u bë promovues e mbështetës i kësaj ideje.

Të tërbuar nga këto zhvillime janë vetëm ata (pseudo)shqiptarë që kurrë nuk e kanë dashur dhe nuk e duan bashkimin kombëtar shqiptar me vetëdije të plotë, apo për mendjelehtësi në gjykimin e trajtimin e problemit dhe për interesa të posaçme. Këta edhe tani do të ngrihen kundër bashkimit kombëtar shqiptar, do të bëjnë çështje të përbashkët me nacionalizmat antishqiptarë sllavë e grek në Ballkan, duke tjerrë lloj-lloj argumentesh të shpëlara gjeopolitike, juridike-ndërkombëtare, gjeostrategjike, realiste-pragmatiste, moderniste-mondialiste për të çorientuar më tej shqiptarët. Ata do të përsërisin si më parë deklaratat se bashkimi shqiptar qenka i vonuar dhe i kapërcyer në histori, se është i panevojshëm në demokraci, është i pakuptimtë në epokën e të drejtave të njeriut e të individit, anakronik në kohën kur kufijtë shtetërorë do të humbasin rëndësinë e tyre; është i papajtueshëm me liberalizmin europian, i padëshiruar dhe i patolerueshëm për diplomacinë ndërkombëtare, madje do të rezultoka i sikletshëm për vetë shqiptarët e bashkuar që e paskan të vështirë të merren vesh midis tyre. “Argumenteve” të tilla u ka dalë boja.

Libri i Kutelit, me të cilin nisa punën e vitit 2013, lexohej shpejt. Prandaj pas tij mora në dorë një libër të veçantë dhe tejet intrigues që kërkon durim e përqendrim të madh për t’u lexuar, “Hakmarrja e gjeografisë. Çfarë na tregon harta për konfliktet e ardhshme dhe betejën kundër fatit”” (Robert D. Kaplan, “The Revenge of Geography. What the Map Tells Us About Coming Conflicts and the Battle Against Fate”, Random House, New York, 2012). Publicisti i mirënjohur amerikan, Robert D. Kaplan, është edhe autor i librit “Fantazmat ballkanase. Një udhëtim nëpër histori” (“The Balkan Ghosts. A Journey Through History”, 1993). Është thënë se ky libër i Robert D. Kapllanit mbi Ballkanin kishte tërhequr vëmendjen e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, kur iu desh të përpunonte vendimet e rëndësishme që duhej të merrte për Bosnjën dhe për Kosovën. Kjo është një arsye më shumë që libri “Hakmarrja e gjeografisë” të lexohet me kujdes dhe me nge nga vëzhguesit politikë.

Në këtë libër Robert D. Kapllan ka bërë një paraqitje dhe analizë të thelluar krahasuese të teorive të gjeografëve dhe të mendimtarëve të mëdhenj të gjeopolitikës në të shkuarën e afërme dhe të largët, me qëllim që të përshkruajë në mënyrë kritike strumbullarët e zhvillimeve historike dhe të hedhë vështrimin mbi ngjarjet globale që po ndodhin. Autori ka synuar në radhë të parë të nxjerrë në pah se “gjeografia është pikënisja e vetë vargut të ngjarjeve njerëzore”, të shpjegojë ndikimin e faktorëve gjeografikë krahas faktorëve të tjerë, në përcaktimin e zhvillimeve botërore deri sot dhe në të ardhmen, duke qenë i vetëdijshëm se “po shkel në një terren të rrezikshëm kur e ngre gjeografinë në një piedestal”. Për të mos u keqkuptuar, ai ka shkruar se: “Sigurisht gjeografia, historia dhe karakteristikat etnike ndikojnë, por nuk përcaktojnë ngjarjet e ardhshme”( f. 30, 36).

Burimi: http://almakos.com/shenja/21014-e-keqja-e-shqiptareve.html

Mbërrita në Shqipëri mbi trupat dhe gjakun e njerëzve të mi

26/02/2013 Lini një koment

MBËRRITA NË SHQIPËRI MBI TRUPAT DHE GJAKUN E NJERËZVE TË MI

tragjediacameriseFlet për masakrat e Napoleon Zervës 80-vjeçarja Kadrie Jakupi

Një jetë plot dhimbje, një jetë plot lot dhe tashmë, e lodhur nga ky kalvar i gjatë dhimbjesh dhe malli, loti i ka ngrirë dhe heziton të flasë për atë që kurrë nuk do ta kujtojë. Masakër, dhimbje, fëmijë, nëna, baballarë, të moshuar u përfshinë në atë që tashmë njihet nga të gjithë si “gjenocidi ndaj çamëve”.

Rrëfimi…

Rrëfen dhe druhet të tregojë shumë gjëra, pasi kërkon t’i harrojë, edhe pse e ka të pamundur: vegimet, ëndrrat e natës e rikthejnë në ato vite të vegjëlisë së saj, të pafajësisë së saj, moshë që e përballi me situata të frikshme, por ajo mbijetoi…

Është plot 80 vjeç, rrethohet nga fëmijë, nipër e mbesa, rrudhat i kanë përshkruar tërë pjesët e trupit, por vuajtjet e kanë mësuar të jetë e fortë. Kadrie Jakupi, e njohur nga të gjithë me pseudonimin “Dea”, do të rrëfehet pikërisht përpara mbesës së saj, e cila bashkë me të do të hynë në atë botë që rinia e sotme e pagëzon me emrin “bota e vrasjes”. “Isha vetëm 15-vjeçe, pikërisht në vitin 1944. Jetoja në fshatin Nihuar të qytetit të bukur Paramthi. Napoleon Zerva, ‘Banditi’, të paktën me këtë emër e njihnim në fshat, pushtoi Paramthinë. Nëna më kishte vdekur dhe unë jetoja me babanë dhe vëllanë, që ishte vetëm 5 vjeç. Zerva pushtoi qytetin, theri gra, fëmijë, burra dhe u drejtua për në fshatin Nihuar. I gjithë fshati u grumbullua në Nimin (qendra e fshatit), aty isha dhe unë me babanë dhe vëllanë tim. Më kujtohet se në këtë qendër mblidheshim gjithmonë kur kishte alarm dhe, edhe pse isha e vogël, kuptova se diçka e keqe po ndodhte me ne popullin çam. Ikëm fshat më fshat, nga Minina në Varfaj, në Spatar dhe aty na kapi Napolon Zerva me ushtarët e tij. I mori të gjithë burrat dhe u tha se do të shkonin në një xhami shumë pranë Spatarit. Por në të vërtetë më pas dëgjuam se burrat i burgosi në një burg të Filatit, kryeqytetit grek, dhe pas një kohe shumë të shkurtër i vrau. Shumë u vranë me armë, shumë të tjerë u bënë copa me thika e sëpata. Më morën edhe babanë, i cili mbaj mend se më puthi në ballë dhe më tha: ‘Mos u nda nga turma dhe ik… ik…Mos e lësho nga dora vëllanë.’ Me lot në sy, e humba babanë tim dhe kurrë nuk e pashë më. E vrau Zerva atje në burg, e kështu mbeta fillikat, e vetme. Pasuria ime ishte vëllai dhe unë gjithashtu isha e vetme pasuri e tij. Isha me fat, sepse dija greqisht dhe dëgjova ushtarin, i cili në një gjuhë të egër greke tha: Parta vrosta tuta ta korica! (“Merri këto vajzat përpara!”), ndërsa dëgjova ushtarin tjetër, që ia ktheu: Ine mikra (“Janë të vegjël”). Dhe kështu u detyrova të pushoja vëllanë, i cili nisi të dëneste, dhe u nisa drejt. Ecja, ecja, pa e ditur ku shkoja. E zbathur, e lodhur, pa ngrënë, me vëllanë herë në krahë dhe herë për dore, ndiqja turmën e madhe me gra e me vajza, që po shkonin drejt kufirit, në Konispol. Ikëm fshat më fshat, nga Minina në Varfaj, Spatar, flinim në rrugë, pinim ujë moçali, shumë fëmijë vdiqën rrugës, shumë të moshuara patën të njëjtin fat. Por unë ecja e ecja, shikoja krime, masakra, të vrarë, të sëmurë, të plagosur, të cilët kanë vdekur më pas dhe nuk mund të ndalonim. Zerva mund të vinte pas nesh dhe ne mund të kishim të njëjtin fat. Ushtarët e Zervës kishin vetëm një qëllim: të na vrisnin. Duke ecur me ditë të tëra, dëgjoja ngjarje nga më të ndryshmet: nëna pa dashur hodhi fëmijën në humnerë, fëmija vdiste nga e pangrëna dhe nga etja, burrat, gratë shtatzëna vdisnin në rrugë bashkë me fëmijët e tyre në bark. Dhe pas shumë vuajtjesh, mes dhimbjesh, se vëllai im ishte shumë i sëmurë, munda të shpëtoja dhe të arrija në Konispol. Me qindra çamë kishin ngritur çadrat dhe munda të gjeja xhaxhanë tim, i cili kishte më shumë se pesë ditë që më kërkonte. Isha shumë e vogël për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia me vete. I vetmi kujtim ishte një shami e babait, të cilën atë ditë që u ndava ma dha pasi lotët më rridhnin çurg. Kisha shumë nevojë për të, i cili pas vdekjes së nënës asnjëherë nuk na kishte lënë vetëm. Por gjithsesi shpëtova, xhaxhai u kujdes për ne të dy, për mua dhe vëllanë. Pasi ndenjëm njëfarë kohe në Konispol, erdhëm këtu ku jetojmë sot. Kurrë nuk dua të shkoj më atje! Torturat që përjetuan njerëzit e mi atje, edhe sot e kësaj dite më dalin përpara szve. Ajo tokë, po të shtrydhet, nxjerr veç gjak. Ne populli çam jemi të zotë, uroj që një ditë të marrim vatanin tonë, uroj që fëmijët e mi të gëzojnë atë që nuk e gëzova dot unë, por unë uroj që atë ditë të prehem e qetë dhe të mos kthehem më atje, ku në çdo rrugë, në çdo fshat, në çdo shtëpi prehen shumë shpirtra, shumë njerëz, të cilët vdiqën padrejtësisht nga një barbar.

Përkujtohen viktimat e gjenocidit grek ndaj çamëve. Memorial në mes të Elbasanit

Ardian Tana: “Klithma” për të mos harruar të shkuarën

Shoqëria “Çamëria”, komuniteti çam në Elbasan, Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe pushteti vendor kanë kontribuar në vendosjen e një memoriali në qendër të qytetit të Elbasanit, që simbolizon edhe gjenocidin ndaj shqiptarëve në të gjitha kohërat, por edhe rezistencën e tyre. Ky memorial, i titulluar “Klithma”, ka hapur siparin e aktiviteteve në përkujtim të viktimave të popullsisë çame të dëbuar nga trojet e veta më 1944 nga shovinistët grek. Kreu i shoqërisë atdhetare politike “Çamëria” Ardian Tana në një intervistë përcjell ndjenjat, përshtypjet dhe jehonën e çështjes çame në këtë ditë të rëndësishme

Z. Tana, ndryshe nga vitet e tjera, 2008-ta shënon vendosjen e një memoriali të veçantë dhe mjaft kuptimplotë, që nuk i përket vetëm Elbasanit, por gjithë shqiptarëve. Si e përjeton populli çam 27 qershorin?

Në çdo 27 qershor ne përkujtojmë viktimat e masakrës së vitit 1944, që zgjati për disa muaj, një dhunë dhe një gjenocid i pashembullt i shovinizmit grek i udhëhequr nga Napolon Zerva. Këtë vit, disi ndryshe nga vitet e tjera, ne kemi menduar të sjellim disa veprimtari për të përkujtuar viktimat e kësaj ngjarje të dhimbshme, por që na kujton se të mblidhemi të gjithë bashkë me këmbëngulje brenda të gjithë kuadrit demokratik e të kërkojmë zgjidhjen e çështjes çame. Tiparin e aktiviteteve e kemi nisur me inaugurimin e monumentit kushtuar 27 qershorit titulluar “Klithma”. Ideja për realizimin e këtij monumenti ishte e drejtuesve të shoqërisë “Çamëria” të degës Elbasanit me kryetar zotin Neritan Sejko, e mbështetur fuqimisht edhe nga kryesia e përgjithshme dhe u kontaktua me skulptorin Vladimir Caridha, i cili arriti të materializojë me skulpturën e tij idetë e përfaqësuesve të shoqërisë “Çamëria”.

Çfarë simbolizon ky monument?

Monumenti ka qenë mjaft i realizuar dhe mjaft impresionues, gjë që e kanë shprehur të gjithë ata që kanë mundur ta shohin qoftë në ditën e inaugurimit, qoftë edhe në ditët e tjera. Falënderoj realizuesit e këtij monumenti përkujtimor, i cili në fakt i kushtohet 27 qershorit, pra masakrës greke kundër popullsisë çame, por njëkohësisht ai simbolizon edhe të gjithë viktimat e gjenocideve të ushtruara mbi shqiptarët në Kosovë në Mal të Zi dhe kudo ku janë keqtrajtuar dhe masakruar shqiptarët. Ky monument mund të qëndronte shumë mirë edhe në Vlorë, edhe në Tiranë, edhe në çdo vend tjetër. Qëllimi i këtij monumenti është për të mos harruar, se kush harron të shkuarën, nuk mund të shohë nga e ardhmja. Vetë kjo vepër tregon me trupin e gjymtuar, që mund të jetë një trup njeriu, por edhe një skulpturë. Pra, kemi gjenocid ndaj njerëzve, por edhe ndaj kulturës dhe artit. Gjenocidi ndaj njeriut është ajo femra që ngre duart lart dhe thotë: “Mjaft, boll më me masakra!”, ndërsa ndërthurja dhe vendosja e trupave tregon edhe mbijetesë, edhe qëndresë.

Cilat kane qenë të rejat e këtij 27 qershori?

Tashmë është bërë traditë që të marrin pjesë qindra banorë nga Çamëria nga të gjitha zonat e Shqipërisë ku ata janë vendosur në pelegrinazhin për në Qafëbotë, por këtë vit është vendosur të organizohet edhe nata finale e valles për Çamërinë. Ky festival, në fakt, ka filluar më 25 qershor dhe finalja është vendosur ditën që përkujton gjenocidin, duke sjellë edhe një element të ri, që nuk ka qenë vitet e shkuara. Pra, aktivitetet këtë vit do të zhvillohen gjatë gjithë javës. Ka pasur edhe aktivitete të tjera, si p.sh. promovimi i librit të Ahmet Mehmetit “Nektari i shpirtit shqiptar”.

Do të jetë zgjidhja e çështjes çame një hap i radhës pas pavarësisë së Kosovës?

Pavarësia e Kosovës e vështirë, por tepër rezultative dhe shumë impresionuese dhe na ka dhënë ne të tjerëve njëlloj modeli se si mund të zgjidhen çështje të tilla. Unë besoj se tashmë është koha që kjo gjë të marrë rrugën e drejtë dhe me vullnet të mirë çështja çame është një çështje e zgjidhshme. Ne kërkojmë që ky vullnet të realizohet nga të dyja qeveritë: nga qeveria shqiptare dhe nga qeveria greke, duke pasur ndërmjetës ndërkombëtarët.

Bumerangu i shifrave epike

09/02/2013 Lini një koment

Doan DANI

BUMERANGU I SHIFRAVE EPIKE

Doan Dani

Doan Dani

Teza e varfërimit demografik të Arbërisë në momentin e pushtimit osman, si njësi e katastrofizmit historik dhe specifik shqiptar, ka qenë rregullisht e pranishme në botimet dhe ribotimet zyrtare nga të cilat janë sintetizuar librat shkollor ose, e thënë ndryshe, mjetet e masivizimit dhe standardizimit të memories kolektive. Ajo përmbledh eliminimin fizik dhe skllavërimin, nga njëra anë, si dhe braktisjen e trojeve, kryesisht në drejtim të shteteve italiane, nga ana tjetër, pra domosdoshmërisht shprehet nëpërmjet shifrash të efekteve të qëndresës, e për rrjedhojë ndjek ose përforcon shifra të tjera të lidhura direkt, për shembull, me pjesëmarrësit në këto dekada luftimesh. Siç kam pohuar, sa më e lartë të prezantohet shifra e ushtarëve armiq – sa më i madh të jetë Golia – aq më epike do të ngjasojë rezistenca, ndërsa, përsa i përket varfërimit demografik, sa më i bymyer të jetë ai, aq më lehtësisht lulëzojnë idetë e “barbarizmit aziatik”, e “dorës së hekurt” dhe stigma të tjera, pa anashkaluar paradigmën e luftës për liri të shek. XIX-XX si vazhdimësi e epopesë së shek. XV. “Loja” me shifrat është një metodë sa antike aq edhe bashkëkohore, sa shqiptare aq edhe universale: serbët kanë shumëfishuar të shpërngulurit në “eksodet” e tyre legjendare në funksion të urrejtjes patologjike ndaj osmanëve dhe kulturës së tyre në përgjithësi, si dhe për shpjegimin e pranisë masive shqiptare në Kosovë, pasi në të kundërt nuk do të mund të propagandonin mitin e “djepit”; sot jemi të gjithë dëshmitarë si shifrat e pjesëmarrësve në një protestë, kundër politikave qeveritare, rriten nga organizatorët dhe tkurren nga ato ndaj të cilëve adresohet pakënaqësia kolektive. Mirëpo kjo është çështje interesash të ndryshme nacionaliste, partiake, gjeopolitike, në përgjithësi ideologjike ose thjesht materiale, ndërsa etika historiografike rrugëton parimisht në një plan tjetër, ndonëse ngelet thuajse vazhdimisht si monumenti të cilit të gjithë i kalojnë pranë, por asnjëri s’e vë re.

Prekshmëria e katastrofizmit

Nga fjalët e hartuesve të vëllimit I të Historia e Shqipërisë lexohet qartazi vullneti dhe projektishqiptarozhdukës i Mehmetit të II, i përforcuar nga shifra kronikash dhe përshkrime përgjithësuese: «brenda 15 ditëve që qëndroi Mehmeti i II, ushtritë e shumta turke u përpoqën të çfarosnin pa mëshirë të gjithë popullsinë e vendit»; «në këto vite u shpërngulën në masë me dhjetëra mijë familje»; «numri i të mërguarve llogaritet të ketë arritur në dyqindmijë veta», etj. Mungesa e dokumenteve justifikon enigmën e numrit të viktimave dhe skllavërimit, prandaj hartuesit kanë preferuar elasticitetin shumëpërfshirës, që përçon mjaft mirë shijen e katastrofizmit demografik, ndërsa shuma përmbledhëse lidhet me emigracionin (ASHSH 1967).

Në botimin e vitit 2002 kjo shifër mungon dhe vëmendja është zhvendosur plotësisht drejt hiperbolave biblike me «valë të papara mërgimesh». Si numër i përgjithshëm jepet popullsia e sotme (!) arbëreshe në Itali (ASHSH 2002). Përsa i përket paraleles tjetër të varfërimit demografik, edhe në këtë botim, nuk tejkalohet patosi i kronikave, çka pamundëson një kornizë numërike të lëvizjeve, megjithëse është e ndjeshme nga artificializmi letrar i rrëfimeve, sikur këto mjaftojnë dhe janë përherë objektive. Mund të na ndihmojë në këtë aspekt studimi i vëllimshëm i Aurel Plasarit, në të cilin gjejmë rreth 300 mijë viktima dhe skllevër – vetëm në territoret nga Shkodra në Berat – të shpërndarë përgjatë librit, sipas shijeve të kronistëve të ndryshëm, si të atyre që kërkojnë të nxisin opionin e aristokracisë italiane ose thjesht të ndërtojnë “barbarin aziatik” – këtu, përveç përshkrimeve italike, renditen edhe disa kronika greke – ashtu edhe të atyre që në të kundërt tentojnë madhërimin e veprimtarisë sulltanore nëpërmjet inflacionit të viktimave, në shenjë nënshtrimi, siç bëjnë kronistët osman dhe ndonjë panegjerist grek (Plasari 2010).

Arrihet kështu në një rezultat konkret dhe të prekshëm prej një gjysëm milioni individësh të zhdukur nga territori kryesisht malor i Shqipërisë së sotme – në këto konstatime vazhdon të jetë e mjegullt numërikisht përmasa e përfshirjes së arbërve të Moresë.

Enigma, paradokse dhe mospërputhje

Përse Perandoria Osmane – konkretisht Mehmeti II – projektoi dhe ngulmoi në zhdukjen e shqiptaro-arbërve? Si shpjegohen: (ri)popullimi i territorit shqiptar në fillimet e sundimit osman; etnia dominuese shqiptare e banorëve; rritja demografike në ecuri të ngjashme me Evropën Perëndimore? Përse shifrat e mësipërme zyrtare – kryesisht derivate kronikash – nuk përputhen aspak me shifrat e regjistrimeve të ndryshme?

Përgjigja më komode e pyetjes së parë ka qënë, vijueshëm, rezistenca e pashembullt e arbërve nën udhëheqjen e Skënderbeut, e cila shkaktoi shpagimin ndaj popullsisë e për rrjedhojë edhe largimin masiv. Mirëpo kjo nuk ështe bindëse për disa arsye dhe realitete të menjëhershme të nënshtrimit të Arbërisë. Vetë Akademia ka pranuar se «mërgimet shqiptare në krahun [...] jugor qenë më intensive se ato veriore» dhe «vatra e nisjes së tyre qenë territoret në jug të lumit Shkumbin», duke nënkuptuar se u “boshatisën” territoret e përjashtuara nga angazhimi konstant dhe direkt në epopenë skënderbejane, territore për të cilat sulltani, sipas teorisë akademike, nuk kishte më arsyen parësore – rezistencën – të “hakmarrjes” (ASHSH 2002). Defterët e ndryshëm kanë regjistruar rritje të popullsisë së qyteteve të nënshtruara, ndërsa kronikat rrëfejnë për popullsi, të tërhequr përkohësisht nëpër male, që rikthehet drejt fshatrave dhe qyteteve, siç është rasti i Elbasanit të përshkruar nga Tursun Beu – kjo pikë do të jetë më qartë në vazhdim.

Fataliteti i këtyre interpretimeve vjen nga mospërputhja e shifrave, megjithëse eksplorimi i tyre është një terren i minosur. Përsa i takon emigracionit, botimet dhe ribotimet zyrtare, përcaktojnë dy rajone kryesore për Italinë, me disa vatra dhe vite specifike. Territoret venedikase në veri dhe ato aragoneze në jug, në vitet 1468, 1479, 1481, 1492 dhe 1506, përbënin destinacionin e lëvizjeve: «veçanërisht në krahinat e Kalabrisë dhe Siqelisë u strehuan më tepër se njëqindmijë shqiptar [...], në vitet 1530-1535 në Siqeli u vendosën edhe disa dhjetëra mijë shqiptarë të tjerë» dhe «vala më e madhe migruese i përket vitit 1479, kur pas rënies së Shkodrës [...] shumë luftëtar shqiptar [...] u detyruan të largohen për t’i shpëtuar hakmarrjes osmane», kurse gjysma tjetër (100.000) u shpërnda nëpër krahinat e tjera italiane (ASHSH 1967, 2002).

Tek Lucia Nadin, edhe pse flitet ‹‹për disa mijëra vetë›› në 1479 – i konsideruar si vit i shpërnguljeve më të mëdha (!) –, nuk është e qartë sasia e saktë: ajo numëron 70 familje në fillim të vitit, më pas, në muajin maj, shton edhe 200 familje të tjera, duke vijuar në disa shembuj individual deri në shifrën e 1440 personave të cituar nga Marin Beçikemi. Nga e njëjta periudhë dhe në vijim Brunilde Imhaus saktëson praninë e rreth 2.938 emigrantëve, nga të cilët 637 shqiptar, 1210 dalmat dhe 932 grekë – në mesin e tyre mund të supozojmë praninë e shqiptarëve ortodoks të konsideruar si grek, megjithëse ngelet vetëm hipotezë – (Zamputi 1979; Imhaus 1997; Nadin 2002). Sidoqoftë, shifra përfundimtare e propozuar nga Imhaus luhatet rreth 5-6.000 individë, nga të cilët gjysma ishin me origjinë greke.

Komuniteti arbëresh i regjistruar në capitulat siçiliane – mjaft domethënës në aspektin sasior sipas ASHSH – numëronte në shek. XV rreth 7.500 individë dhe 8.958 në vitin 1589, pra asgjë e përbashkët me «disa dhjetëra mijë shqiptarë» të hedhur në treg: popullsia arbëreshe e regjistruar në Italinë e vitit 1861 arrinte shifrën 55.453, diçka më shumë se numri i përgjithshëm i arbëreshëve – maksimumi  45 mijë – që George Nasse ka përllogaritur, duke u bazuar mbi mesataren e popullsisë së fshatrave arbëreshe, në Italinë e fundshekullit të XV dhe fillimshekullit të XVI (Garufi 1948; Nasse 1964; Resta 1996).

Përplasja me statistikat e defterëve

Që të kemi një gjysëm milioni të vrarë dhe të mërguar natyrisht nevojitet një popullsi më e madhe, ndryshe nuk do shpjegohej prania e vazhdueshme e shqiptarëve në trojet e tyre, ose të paktën matematikisht duhet të kemi një popullsi të barabartë me shifrën e zhdukur. Defteri osman i 1431 ka regjistruar rreth 33.547 familje, që, duke i shtuar edhe 1301 shtëpi të zotërimeve venedikase në zonën e Shkodrës (1416-17), me numrin mesatar të 4,5-5,5 anëtarëve për familje, të pranuar nga medievistika perëndimore dhe disa ballkanologë, na jep një popullsi me rreth 170 mijë banorë. Edhe duke aplikuar shifrën e sforcuar prej 7,5-9 antarëve, të preferuar nga Oliver Schmitt dhe Kasem Biçoku – ky i fundit nënkupton mesataren e përgjithshme të familjeve arbërore të shek. XV duke u bazuar në dy relacione të shek. XVII mbi zonën e Pukës, Këlmendit, Pultit dhe Dukagjinit –, përsëri numri i popullatës së zhdukur është më i lartë se ekzistuesja. Eshtë gjithashtu domethënes fakti se mesatarja e popullsisë në territoret venedikase paraqitet afërsisht dy herë më e ulët se ajo e territoreve arbërore nën sundimin osman (1431), sipas regjistrave në fjalë, dhe vetëm 33% më e lartë (1467) se popullsia e zonës së Krujës, në gjendje konstante luftërash dhe gjeomorfologjikisht malore (Pulaha 1968; Zamputi 1977; Schmitt 2001, Biçoku 2005; Duka 2009). Pra, shifrat e propozuara nga vitet ’50 deri në dekadën e dytë të shekullit aktual vazhdojnë të tejkalojnë popullsinë ekzistuese. Por nuk mbaron me kaq, pasi çështja komplikohet nga defterët e mëvonshëm.

Kështu, regjistrimi i sanxhakut të Shkodrës (1485) pasqyron një numër më të lartë familjesh se Arbëria Venedike (1416-17) dhe Mali i Zi (pa pjesën bregdetare), të cilët ishin inkuadruar në këtë sanxhak – sepse, ndër të tjera, ishte shtuar edhe rajoni i Pejës – e gjthashtu numri i familjeve rritet vazhdimisht: nga viti 1488 në vitin 1491 rritja është rreth 6%. Në regjistrimin e viteve 1452-53 Shkupi numëronte rreth 5.600 familje, Tetova rreth 5.044, ndërsa në regjistrimin e vitit 1469 numëronin përkatësisht 5.800 dhe pothuajse 6.900 familje. Në vitin 1488 sanxhaqet e Vuçiternës, Prizrenit, Shkodrës, Dukagjinit, Ohrit, Elbasanit, Vlorës dhe Janinës kishin mbi 170 mijë familje dhe për tre vite shtohen rreth 6 mijë të tjera, gjithmonë të krishtera, çka nënkupton një rritje natyrore vjetore, mesatarisht për të gjithë Ballkanin osman, nga 0.65% (shek. XV) në rreth 1% (shek. XVI), një fenomen paralel me ritmet evropiane (Veinstein 1999; Minkov 2004; Biçoku 2005; Benigno 2008). Kjo rritje konflikton me tezën e projektit shfarosës osman dhe me valët e migracionit biblik në fundshekullin e XV.

Sigurisht që përgjatë zonave konfliktuale ka mjaft fshatra dhe qytete demografikisht të reduktuar ose të braktisur, siç dëshmojnë diferencat mes regjistrimeve të 1416-17, 1431, 1467 dhe 1485, sepse çdo luftë ka koston e vet humane dhe nuk mund të bëjë përjashtim ky konflikt i zvarritur, por kjo nuk është domosdoshmërisht sinonim i vrasjes, emigracionit apo projektit hakmarrës. Ka vendbanime që reduktohen, ashtu siç ka të tjerë që zgjerohen me fillimet e sundimit osman dhe kjo, thuajse përherë,çuditërisht mënjanohet në favor të apokalipsit. Ja një krahasim mes dy regjistrave në zonën e Shkodrës (1416-17 dhe 1485): Kalldruni kalon nga 50 shtëpi të regjistrimit venedikas në 32 shtëpi në regjistrimin osman; Kopliku nga 80 në 70 shtëpi, Samrishi nga 50 në 5 shtëpi, Baleçi nga 25 në 4 shtëpi, Mesi nga 17 në 9 shtëpi; Grizha nga 39 në 72 shtëpi, Shati nga shpopullimi në 30 shtëpi, Rrjolli nga 8 në 32 shtëpi, Leporoshi nga 7 në 12 shtëpi, Egreshi nga 6 në 14 shtëpi, Dobrea nga 7 në 12 shtëpi, etj (Pulaha 1974; Zamputi 1977). Si mund të zhduket një popullsi dhe njëkohesisht të rritet vazhdimisht?

Thellimi i hendekut teorik

Rritja natyrore ishte mesatarisht rreth 1%, mjaft e ulët për të shumëfishuar, për shembull, popullsinë e kazave të Krujës dhe Peshkopisë nga 1467 në 1501. Duke përjashtuar ringjalljen dhe rikthimin e emigrantëve, ripopullimi është shpjeguar në dy mënyra. Së pari, autoktonia (vazhdimësia) shqiptare e popullsisë, e mbrojtur gjërësisht nga historianët shqiptar dhe e përshkruar hollësisht, në mënyrë të veçantë, nga dy studime të Selami Pulahës, të bazuara kryesisht tek analiza antroponimike. Përveç pamjaftueshmërisë së rritjes natyrore, kjo autoktoni mund të jetë rezultat i tkurrjes së përkohshme dhe të pjesshme në zonat malore, jashtë rrezikut të luftës, për një rikthim të menjëhershëm, pas stabilizimit politik. Meqenëse të njëjtët historian sinonimizojnë vendbanimet e braktisura me rezultatin e politikës vrasëse-hakmarrëse ose antishqiptare, do të ishte koherencë me vetveten një reflektim mbi pamundësine e bashkëkzistencës racionale të katastrofizmit demografik – kështu të përshkruar – dhe rritjes së shpejtë e të njëtrajtshme, e gjithashtu, vetëdijesimi se numrat e shpopullimit janë më lart se realiteti dhe potenciali demografik arbëror ose, përndryshe, duhet të pranojnë alternativën e dytë, kolonizimin.

Mënyra e dytë, kolonizimi, ka qënë mjaft e përdorur nga shkolla serbe në justifikimin e popullimit të Kosovës me shqiptarë. I ndodhur përballë vakumit demografik, të mbrojtur me këmbëngulje gjatë gjithë studimit, Plasari nuk i ka shpëtuar tundimit të kolonizimit, sepse, pas krijimit të idesë së shfarosjes, është e pashmangshme përballja me regjistrimin e një popullsie të pranishme dhe gjithnjë në rritje. Nga vjen kjo masë? Për Akademinë, siç pohova, as që mund të diskutohet për kolonizim, e kjo mbrohet nga mjaft historianë të huaj: Speros Vryonis, për shembull, ka kundërshtuar hipotezat e Ömer Barkanit në lidhje me kolonizimin e Ballkanit dhe defterët i japin plotësisht të drejtë, të paktën për territorin shqiptar (ASHSH 1959; Vryonis 1981; Malcolm 1998; Minkov 2004). Përqindja e lartë e popullsisë së krishterë në territoret shqiptare, varfëria humane e Anadollit për të zëvendësuar popullsi të tjera, që përkthehet si pamundësi e transplantimeve demografike, si dhe nevoja perandorake për territore të shfrytëzueshme dhe taksaprodhuese, përforcojnë akoma më tepër dobësinë e procesit kolonizues.

Faktikisht Plasari nuk shkon përtej dy shembujve jetimë të kolonizimit, Gecies dhe Elbasanit, madje për rastin e dytë i referohet Tursun Beut kur ai pohon se, pas ndërtimit të kështjellës, «u dyndën njerëz islamikë nga të gjitha anët», por i njëjti kronist, disa faqe më tutje, rrëfen se «njerëzit [jo islamikët] që jetonin nëpër malet e ashpra përreth Elbasanit [...] zbritën në rrafshinën e kështjellës»: në defterët e viteve 1520-35 sanxhaku i Elbasanit, edhe pse ka numrin më të lartë të muslimanëve, regjistron rreth 94,4% të krishterë. Ngadalësia e procesit të islamizimit në trojet shqiptare është gërryes i pashmangshëm i tezës kolonizuese. Nëse zhvillimet e këtij procesi anashkalohen, pyetje të tjera kërkojnë përgjigje: osmanët kanë importuar kolon të krishterë; po atëherë, osmanët e paskan favorizuar krishtërizimin; nëse po, nga i morën, si u shqiptarizuan në pak dekada? E mbi të gjitha, përse dokumentet – dhe antroponimia – nuk e konfirmojnë kolonizimin e përmasave zëvendësuese të popullsisë arbërore? Përkundrazi, defterët dëshmojnë të kundërtën, praninë e shqiptarëve edhe aty ku më përpara kemi pak e aspak gjurmë të dokumentuara, e këtë nuk po e komentojmë si meritë e sundimtarëve.

Janë regjistrat, pjesërisht edhe kronikat, që rrjedhimisht na adresojnë tek vazhdimësia demografike dhe imponojnë përjashtimin e skenave groteske: hipoteza e kolonizmit në shek. XV-XVI, ndonëse do të ishte funksionale – të kuptohemi, këtu përjashtohen administrata fillestare dhe garnizohet ushtarake –, nuk ka baza historike dhe as mundësi realizimi, fakt i cili na rikthehen tek vazhdimësia, por kjo nënkupton detyrimisht shmangien e hiperbolizimeve letrare me shifra dhe përshkrime nacional-romantike, që, me pretekstin e hakmarrjes së programuar, tjetër nuk bëjnë veçse fshijnë numërikisht gjurmët e paraardhësve. E thënë ndryshe: duke pranuar vazhdimësinë e regjistruar, zhvlerësohen njëkohësisht kolonizimi dhe shpopullimi homerik, ndërsa me “kiametin numërik”, përveç shembjes të urës lidhëse me mesjetën, vazhdojmë aktrimin nostalgjik sipas formulës «të vjedhësh armikun është akt patriotik», porse realisht është thjesht vjedhje e vetvetes.

Marrë nga faqja: http://www.e-zani.com/2012/03/12/bumerangu-i-shifrave-epike/

Serbia dhe ndarja e mundshme e saj

08/02/2013 Lini një koment

Xhelal ZEJNELI

SERBIA DHE NDARJA E MUNDSHME E SAJ‏

Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Ideja e ndarjes së Kosovës ka qenë e ngulitur në mendjet e nacionalistëve serbë, në të gjitha konferencat dhe takimet për Kosovën, që nga Rambujea e deri në ditët tona.

Mirëpo serbët, kurrë nuk kanë dashur ta bëjnë publike një ide të tillë. Përse? Për arsye se pala që del me idenë e ndarjes së Kosovës, vetvetiu dëshmon se ajo (Kosova) nuk është e saj.

Pas largimit të forcave kolonialiste serbe nga Kosova më 1999 dhe pas shpalljes së pavarësisë së saj, Beogradi e kuptoi përfundimisht se Kosovën e ka humbur përgjithmonë. Rrjedhimisht, idetë për ndarjen e saj nisën t’i afirmojnë gjithnjë më shpesh dhe gjithnjë më hapur.

Ish-kryetari i Serbisë Boris Tadiqi shpesh e përsëriste refrenin e vet: “S’është mirë që njëra palë t’i realizojë të gjitha kërkesat, e tjetra asgjë. Nuk është mirë që njëra palë t’i marrë të gjitha, e tjetra të mbetet me duar zbrazët”. Kjo fjali e B. Tadiqit ishte propozim i drejtpërdrejtë për ndarjen e Kosovës. Më në fund, njëri prej ministrave të qeverisë serbe – Ivica Daçiqi (tani kryeministër), disa herë e shtroi publikisht kërkesën e Beogradit për ndarjen e Kosovës. Fjalia: Edhe ne serbët duhet të nxjerrim diçka nga Kosova është bërë refren i T. Nikoliqit dhe i I. Daçiqit. Këta pandehin se territoret historike, të banuara nga popuj etnikë dhe rrënjës, janë mall që nxirren në treg.

Duhet shtuar se serbët shfaqën edhe një ide tjetër: Bisedimet për ndarjen e Kosovës, të zhvillohen ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

Duke qenë se serbët kërkojnë ndarjen e Kosovës, vetvetiu kjo dëshmon se Kosova s’është e tyre. Mund ta nxjerrësh në ankand vetëm një mall që s’është i yt.

Deri më sot, kur bëhej fjalë për Kosovën, autoritetet serbe i referoheshin Kushtetutës së Serbisë, sipas së cilës Kosova na qenkësh pjesë e saj.

Meqë sot, edhe ministrat serbë, përfshi dhe kryetarin e qeverisë, dalin botërisht me idenë e ndarjes së Kosovës, shtrohet pyetja: Ç’u bë vallë me kushtetutën serbe, sipas së cilës Kosova është pjesë e Serbisë?!

Me fjalë të tjera, serbët, kur duhet t’i mbajnë nën sundim territoret joserbe, i referohen kushtetutës së tyre, dhe vice versa: Kur u shkon në favor diç tjetër, atëherë aspak nuk ngurojnë ta shkelin kushtetutën e vet.

*     *     *

BE-ja duhet të ketë parasysh faktin se Kosova, si çdo shtet tjetër i kontinentit, përpos popullit shumicë shtetformues, ka edhe disa pakica etnike. Nga kjo del se, trajtimi i veçantë i minoritetit serb në Kosovë, do të ishte në kundërshti me parimet perëndimore mbi minoritetet. Shkëputja e një pjese të Kosovës, do të krijonte një Kosovë pothuajse etnikisht të pastër, gjë që do të ishte në kundërshti me standardet evropiane mbi pakicat.

BE-ja duhet të ketë parasysh faktin se minoritetet serbe në disa nga ex-republikat e Jugosllavisë, s’janë të vetmit që jetojnë jashtë vendi amë – Serbisë.

Shqiptarët jetojnë në gjashtë shtete të rajonit: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Greqi.

Po qe se serbët e veriut të Kosovës kërkojnë të shkëputen nga Kosova për t’iu bashkëngjitur Serbisë, atëherë të njëjtën do ta kërkonin:

- shqiptarët e Kosovës lindore;

- shqiptarët në Maqedoni;

- shqiptarët në Mal të Zi;

- shqiptarët në Greqi.

Ndarja e Kosovës do të determinonte edhe ndarjen e Maqedonisë midis Shqipërisë dhe Bullgarisë. Me fjalë të tjera, ajo do të tretej si flluskë sapuni dhe do të zhdukej nga harta gjeografike dhe politike e Ballkanit.

Mirëpo, Serbia nuk çanë fort kokën për pasojat e mundshme të amputimit të një pjese të Kosovës. Beogradi dëshiron trazira dhe rrëmujë. Ideologjitë johistorike ushqehen me të keqen.

Sikundër shihet, me ndarjen e Kosovës do të çelej Kutia e Pandorës dhe do të shkaktohej edhe efekti i dominosEfekti i dominos do t’i përfshinte të gjitha shtetet e rajonit, ngase kudo ka minoritete, grupe etnike dhe pakica.

Pakica kombëtare ka në çdo shtet të gadishullit: turq – në Bullgari; hungarezë – në Rumani, në Vojvodinë (Serbi), në Sllovaki, në Kroaci; myslimanë boshnjakë – në Sanxhak të Serbisë dhe të Malit të Zi; grupi etnik sllavofon – në Greqi; kroatë – në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Vojvodinë; serbë – në Kroaci dhe në Republikën Serbe të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Në vitin 1920, Hungaria i humbi dy të tretat e territorit të vet, ndërsa sot, një e treta e kombit hungarez jeton jashtë vendit amë – Hungarisë.

Në çdo vend të rajonit ka edhe: romëvllehë (aromunë, cincarë), hebrenjegjiptasgrupi etnik me fe islamee që flet në gjuhët sllave (në vende të ndryshme figurojnë me emra të ndryshëm).

Sipas të dhënave britanike, në Turqi ka mbi katërmbëdhjetë milionë kurdë.

Serbët duan që privilegji i bashkëngjitjes vendit amë t’u takojë vetëm atyre dhe askujt tjetër në rajon. Në këtë pikëpamje, BE-ja nuk duhet ta ledhatojë Serbinë.

Atë që e kërkon për vete, Serbia ua ndalon bashkësive etnike që jetojnë nën sundimin e saj. Për shembull, ua ndalon shkëputjen:

shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë);

myslimanëve të Sanxhakut;

hungarezëve të Vojvodinës;

bullgarëve, në juglindje të Serbisë.

Sanxhaku është një rajon i administruar nga Serbia. Sipas regjistrimit të vitit 2003, të zbatuar nga Beogradi, aty banojnë rreth 235.000 banorë. Prej tyre, 134.000 boshnjakë (myslimanë), të cilët përbëjnë 56% të popullsisë së përgjithshme; 8000 myslimanë, të cilët përbëjnë 4% të popullsisë dhe 89.000 serbë, të cilët përbëjnë 37% të popullsisë. Numri i përgjithshëm i boshnjakëve (myslimanë) dhe i atyre që janë deklaruar myslimanë (si kombësi) është 142.000, që përbën 60% të rajonit të Sanxhakut. Këto të dhëna serbe mbi strukturën e popullsisë së Sanxhakut nuk përputhen me realitetin. Me fjalë të tjera, përqindja e popullsisë joserbe në këtë rajon, është më e madhe.

Vojvodina është një rajon nën dominimin e Serbisë. Në të jetojnë 26 minoritete, duke përfshirë edhe hungarezët. Sipas regjistrimit të popullsisë të kryer nga Beogradi në vitin 2011, në Vojvodinë jetojnë mbi 251 mijë hungarezë, që përbëjnë 13% të popullsisë së përgjithshme të kësaj krahine. Që nga viti 1945 e deri më sot, Serbia ndaj hungarezëve të Vojvodinës ka ndjekur politikën e shkombëtarizimit. Ka tentuar që nëpërmjet kolonëve serbë dhe malazezë, ta ndryshojë strukturën etnike të popullsisë së krahinës. Rrjedhimisht, numri i hungarezëve në Vojvodinë është shumë më i madh se ajo që rezulton nga regjistrimi zyrtar i Beogradit.

Në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, shumë hungarezë të Vojvodinës, nën trysninë serbe, u detyruan të largohen nga vatrat e tyre, ndërsa shumë të tjerë, nën akuzën se kanë qenë kolaboracionistë të ushtrisë gjermane – u ekzekutuan.

Dëbimi i gjermanëve të Danubit nga Vojvodina – Para Luftës së Dytë Botërore në Vojvodinë ka pasur 350.000 gjermanë, të quajtur gjermanë të Danubit. Numri real i tyre ka qenë shumë më i madh. Në periudhën tetor 1944 – maj 1945, që njihet si vjeshta e përgjakshme, nën akuzën se  kanë qenë kolaboracionistë të ushtrisë gjermane, Serbia zbatoi spastrimin etnik të Vojvodinës, duke dëbuar nga kjo krahinë mbi 250 mijë gjermanë civilë. Këta u detyruan të largohen bashkë me tërheqejn e ushtrisë gjermane. Ndaj gjermanëve etnikë të Vojvodinës, serbët ushtruan reprezalje, ua morën shtetësinë, ua konfiskuan pronat. Në shtëpitë e tyre vendosën kolonë serbë, malazezë dhe maqedonas.  Të dhënat tregojnë se në vitet 1944-1945, në Jugodllavi, kryesisht në Vojvodinë, serbët kanë vrarë 56.000 gjermanë civilë. Nëpër burgjet serbe, në periudhën e sipërthënë kanë vdekur nga uria, nga sëmundjet edhe nga të ftohtit 48.447 gjermanë civilë. Shumë gjermanë të Vojvodinës, serbët ia kanë dorëzuar Armatës së Kuqe sovjetike, të cilët menjëherë janë deportuar në Siberi, ku si robër lufte kanë punuar në fushat e minuara. Asnjë prej tyre nuk është kthyer i gjallë.

Të njëjtën dramë e kanë përjetuar edhe mijëra hungarezë të Vojvodinës.

Duke i dëbuar gjermanët e Danubit, duke i ekzekutuar, duke ua shkaktuar vdekjen nëpër burgjet famëkeqe dhe duke ua dorëzuar sovjetikëve (rusëve) për t’i deportuar në Siberi, serbët arrijnë ta ndryshojnë përbërjen etnike të Vojvodinës.

Asnjëra nga bashkësitë etnike joserbe që jetojnë nën pushtetin serb, si shqiptarët e Kosovës lindore, myslimanët e Sanxhakut dhe hungarezët e Vojvodinës, nuk e ndjejnë Serbinë si shtet të vetin. Përkundrazi, e ndjejnë veten nën pushtim.

Kosova lindore (tri komunat shqiptare) si dhe rajoni i Sanxhakut, që qeverisen nga Beogradi, janë rajonet më të pazhvilluara dhe më të prapambetura të Serbisë. Serbia, në këto dy rajone, kurrë s’ka investohen gjë. Si pasojë, në këto dy rajone mbizotëron një shkallë e lartë e papunësisë. Ndaj tyre, Beogradi zbaton një politikë të heshtur të spastrimit etnik dhe ushtron gjenocid. Si rrjedhojë e prapambeturisë ekonomike të skajshme, banorët e këtyre dy rajoneve fare nuk janë të integruar në proceset ekonomike, shoqërore dhe kulturore të Serbisë. Këto dy rajone, Serbia i ka shndërruar në geto. Banorët e këtyre dy rajoneve, perspektivën e tyre e shohin në shpërngulje: shqiptarët – drejt Perëndimit, ndërsa myslimanët e Sanxhakut – për në Turqi.

Getoizimi i Kosovës lindore dhe i Sanxhakut është pasqyrë e qartë e politikës serbe mbi barazinë kombëtare.

Kur thotë BE-ja se azilkërkuesit vijnë nga Serbia dhe nga Maqedonia, me këtë nënkuptohet se ata vijnë, jo nga Serbia dhe Maqedonia, por nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja si dhe nga viset shqiptare në Maqedoni. Nëpërmjet papunësisë së skajshme, Beogradi dhe Shkupi e bëjnë pastrimin etnik të Luginës së Preshevës si dhe të pjesëve veriperëndimore të Maqedonisë.

Përveç kësaj, për të ngulfatur çfarëdo kërkese të shqiptarëve të Kosovës lindore, Serbia në atë rajon ka përqendruar forca ushtarake të mëdha.

BE-ja duhet t’i imponojë Serbisë një Plan të Ahtisarit, që do t’u garantonte të drejta ekskluzive shqiptarëve në Kosovën lindore (tri komunat shqiptare), si dhe myslimanëve të Sanxhakut.

Mbi çfarë baze Serbia e kërkon për vete atë që s’ua njeh të tjerëve?! Në bazë të politikës së forcës?!  Dhe shih hipokrizinë, dhelpërinë dhe dredhinë! Në një anë Beogradi, pa reshtur deklaron se “çështjes” së veriut të Kosovës do t’i qaset në rrugën paqësore, e në anën tjetër, qasjen paqësore e mbështet kryekëput më forcë. Çfarë paradoksi! A duhet ta lejojë vallë BE-ja një kundërthënie dredharake të këtillë .

Beogradi synon t’ia shkëpusë Kosovës pjesët e banuara me 5% serbë. Atëherë shtrohet pyetja: Si do ta kompensojë dhe në ç‘mënyrë do ta arsyetojë shfrytëzimin  serb të Kosovës – të viseve të banuara me shqiptarë – që nga  pushtimi më 1912 e deri më 1999?

Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli, duhet t’ia bëjnë me dije Beogradit se, më parë se ndarja e Kosovës, duhet të bëhet ndarja, dekompozimi dhe fragmentarizimi i Serbisë. BE-ja pra, nuk duhet ta mbajë gjallë Serbinë e Madhe, por duhet t’ia bëjë me dije Beogradit se procesi dekompozimit dhe i fragmentarizmit të Serbisë garashaniniste, mund të fillojë në çdo çast.

Prej Serbisë duhet të ndahen: Kosova lindore (tri komunat shqiptare), Vojvodina dhe Sanxhaku (i banuar me myslimanë).

Politika serbe e dy kritereve – Serbia është ndër shtetet e rralla në botë, në mos i vetmi, që për vete e kërkon atë që nuk ua njeh të tjerëve. Serbia është i vetmi shtet  i rruzullit, i cili për minoritetin e vet jashtë Serbisë e kërkon atë që nuk ua njeh shqiptarëve të Kosovës lindore, myslimanëve të Sanxhakut dhe hungarezëve të Vojvodinës. Beogradi, për një grusht serbë të Kosovës, kërkon autonomi, d.m.th. shtet brenda shtetit, ndërkaq ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore, ndaj myslimanëve të Sanxhakut dhe ndaj hungarezëve të Vojvodinës, ndjek politikë të shkombëtarizimit, të margjinalizimit dhe të getoizimit, duke nxitur edhe shpërnguljen e tyre nga trojet e veta historike.

Serbia e Madhe e radikalëve dhe e socialistëve serbomëdhenj synon të instalojë më Kosovë një Serbi të vogël. Beogradi kërkon autonomi për serbët e Kosovës, si fazë kalimtare që një ditë, pjesët autonome t’i shkëpusë dhe t’ia bashkëngjitë Serbisë. Në thelb, me këtë nënkuptohet ndarja e Kosovës, e kryer në mënyrë të tërthortë.

Kosova lindore (tri komunat shqiptare) është zonë strategjike, për arsye se nëpër të kalon  korridori 10, që e lidh Serbinë me Greqinë, me Egjeun dhe me Mesdheun.

Lidhur me tërësinë e tokave të Kosovës, për dallim nga vende të caktuara të Evropës që janë të pavendosur, SHBA-ja dhe Gjermania kanë qëndrim të prerë: Tërësia tokësore e Kosovës është e pacenueshme.

Greqia si spiunoi Shqipërinë në NATO

27/01/2013 Lini një koment

GREQIA SI SPIUNOI SHQIPËRINË NË NATO

115588Sa janë shqiptarët që banojnë në Republikën e Shqipërisë? Sa janë minoritarët grekë në Shqipëri? Përgjigja befasuese vjen nga një dokument zyrtar i prodhuar nga ministria e jashtme greke: “… të përqënduar në jug (grekët) përbëjnë tre të pestat e popullsisë, pa përfshirë vllehët greqishtfolës”. Ky dokument nuk është përpiluar nga “segmente të caktuara nacionaliste të fqinjit, anëtar prej vitesh në BE e NATO, siç thuhet rëndom për to, ai është një dokument zyrtar i vetë qeverisë greke. Ky fakt është shkëputur nga një letër zyrtare e firmosur nga ish-ministri i jashtëm grek Maliviotis dhe i është dërguar ish-homologut të tij holandez Bernard Bott, në javën e dytë të qershorit 2004. Në datën 1 korrik të të njëjtit vit, Hollanda merrte presidencën e radhës të BE-së dhe një letër e tillë synonte të vinte atë në dijeni për probleme të mundshme që një vend anëtar i BE-së kishte me një vend tjetër. “Çdo gjashtë muaj, në ministrinë e jashtme të cilitdo vend që merr presidencën, dërgohet pothuaj i njëjti dokument, që në vetvete është qëndrimi zyrtar i qeverisë greke ndaj Shqipërisë”, pohon një burim diplomatik i cili nuk mund të identifikohet. Sipas tij, në raste të tilla, vendi që ka presidencën fillimisht njeh palën e interesuar me pretendimin e vendit tjetër dhe e shënon zgjidhjen e këtij problemi në axhendë. Në rastin e përplasjes shqiptaro-greke ka ndodhur e njëjta gjë. Një procedurë që vetëm formalisht ngjan si rutinë, por që në thelb jep një shfaqje të padiskutueshme të asaj çka nuk është dhe nuk mund të konsiderohet thjesht dhe vetëm si “frymëzim që vjen nga qarqe të ndryshme dhe segmente të caktuara të shoqërisë dhe politikës greke”, por si një qëndrim konstant i saj dhe tërësisht zyrtar.
MAPO ka mundur të sigurojë dokumentin integral që jep provën pikërisht për një gjë të tillë. Ky është një dokument nga ata që në gjuhën diplomatike konsiderohet si sekret, MAPO e publikon atë për të hedhur dritë përtej asaj që konsiderohet si suprinë e qetë marrëdhëniesh mes dy vendeve. Mes Shqipërisë dhe Greqisë, që prej vitit 1941 vazhdon të qëndrojë në fuqi një ligj absurd lufte, pavarësisht se Shqipëria tashmë ka marrë ftesën e anëtarësimit në NATO dhe Greqia është anëtar i këtij pakti ushtarako-politik prej dekadash.
Sot, katër vjet pas firmosjes së këtij dokumenti nga Maliviotis, problemet mbeten po aty në rastin më të mirë ose kanë shkuar dhe më tej. Nën pretekstin e “ndjeshmërisë së thellë” të opinionit publik grek, Greqia zyrtare ka kërkuar në mënyrë gati ultimative ndërtimin e katër varrezave për ushtarët grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. I pari në Këlcyrë është ndërtuar tashmë, kërkohet dhe Korça e gjetkë, çka e parë në hartë shënon pikërisht kufirin virtual të ashtuquajturit Vorio Epir. Muaj më parë, kjo kërkesë është transmetuar në mënyrë gati ultimative nga Kasimatis, zëvendësministër i jashtëm grek, i cili e ka lidhur madje pranimin e kësaj kërkese me firmosjen apo refuzimin e MSA-së për Shqipërinë nga Parlamenti grek.
Të martën e kaluar, në Tiranë, në ministrinë e jashtme u zhvillua një takim maratonë mes dy delegacioneve teknike, shqiptaro-greke, pikërisht për çështjen e varrezave. Sërish asnjë detaj publik e zyrtar për takimin në nivel drejtorësh të drejtorive. Diskutimet e gjata konkluduan vetëm në një pikë, që ato të vazhdojnë të zgjaten përsëri.

Dokumenti sekret

Eshtë plot 11 faqe dhe mban titullin “Minoriteti etnik grek në Shqipëri”. Në dukje një material prezantues, i ndarë në nënkapituj, që fillon që me “background”-in historik dhe përfundon me radiot dhe televizionet në gjuhën e minoritetit. Referencat e të shkuarës janë të shumta dhe në to gjen çudira që shpjegojnë edhe “detaje” po kaq të çuditshme për të sotmen.
Ato fillojnë me numrin e popullsisë së minoritetit në jug, ku sipas dokumentit përbëjnë tre të pestat e gjithë popullsisë, numër në të cilin nuk përfshihen vllehët greqishtfolës. Vazhdojnë me arsimin në gjuhën greke. Sipas dokumentit, në vitin 1921, mbas hyrjes së Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, u garantua në vend “arsimimi në gjuhën amtare, e drejta për të praktikuar lirisht besimin fetar, e drejta për përfaqësim të barabartë në punësimin publik…”. Një dekadë më pas, po sipas të njëjtit dokument, në 1933, kushtetuta shqiptare mbylli një numër shkollash të minoritetit, çka u bë problem në Lidhjen e Kombeve dhe në “Permanent Court of International Justice in the Hague”. Për të dëshmuar thellësinë e problemit, dokumenti përmend se në 1913, mbas shpalles së pavarësisë, në Shqipëri ndodheshin 409 shkolla greke, nga të cilat 86 në Gjirokastër, 74 në Korçë, 73 në Berat, 21 në Himarë. “20 vjet më pas, në 1933, mbeten vetëm 10 të tilla”, shkruhet në dokument.
“Mbas Luftës së Dytë Botërore, minoriteti grek… u ndodh nën një plan të orkestruar për të zvogëluar numrin e tij…”. Dokumenti pretendon se minoritarët u bënë subjekt i një shtypjeje qeveritare për të fshehur identitetin e tyre etnik, duke i larguar nga vendbanimet, duke shmangur të drejtën e arsmimit në gjuhën kombëtare dhe duke shqiptarizuar emrat e tyre. “Një nga vendimet e para të regjimit të E. Hoxhës ishte që të limitonin territorin ku jetonin… vetëm në zona të veçanta në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër dhe Përmet. Grekët që jetonin ose lëviznin jashtë këtyre zonave, humbisnin automatikisht të drejtat e minoritetit”, shkruhet në dokument, i cili gjithashtu shënon se në 1967, “janë konfiskuar pronat e institucioneve religjioze dhe u shkatërruan… rreth 2500 kisha”. Po të njëjtat tone përdoren për të përshkruar dhe të sotmen në sjelljen e qeverive shqiptare ndaj këtij problemi: të drejtat e minoritetit… “janë ende të parespektuara janë zonave të minoritetit”. Shënohen arreste të minoritarëve – në 1994 – manipulime të rezultatit të zgjedhjeve dhe refuzimi shqiptar për të përfshirë pyetjen për kombësinë në regjistrimin e popullsisë, (2001). “Kisha po ristabilizon veten, por problemet me administratën ekzistojnë ende”.
Në dokument theksohet disa herë fakti që lëvizja e minoritarëve grekë, nga zonat “minoritare”, ka bërë që ata të humbasin statusin e tyre si të tillë. Pa dhënë shifra konkrete, dokumenti referon se në 1919, popullsia greke në Shqipëri numurohej deri në 120 mijë banorë, kurse për këto shkaqe, në regjistrimin e 1989, ajo ishte shënuar në 60 mijë banorë. Për të mbërritur 12 vjet më pas, në numrin 49 mijë, por pa përmendur se regjistrimi konsideron si banorë ata qytetarë që ndodhen në vend në momentin e kryerjes së tij dhe pa marrë parasysh emigracionin masiv.
Dokumenti vazhdon me probleme të arsimit, të administratës publike dhe përfshirjes së grekëve minoritarë në të, shqiptarizimin e emrave të tyre, çështje të sigurisë, zgjedhjeve të lira, të pronave, të toponimisë, përdorimin e greqishtes në marrëdhënie me autoritetet e deri tek transmetimet radiotelevizive.

Përgjigja shqiptare

Besohet se letra e ish-ministrit të jashtëm grek Maliviotis, u bë e njohur në Shqipëri gjatë takimit të kryeministrit të atëhershëm Fatos Nano me Bernard Bott, ministri i jashtëm holandez, në vjeshtën e vitit 2004. Asgjë zyrtare nuk u botua në lidhje me këtë detaj të takimit. Besohet se palët pozuan problemin, Bott neutral, kurse Nano duke e kundërshtuar këtë dokument. Një vit më pas, diplomacia shqiptare ka prodhuar gjithashtu një material bazë, i cili jep përgjigje, pothuaj në mënyrë simetrike për të gjitha pretendimet zyrtare greke. Materiali është i klasifikuar, por MAPO ka mundur të sigurojë në vija të përgjithshme përmbajtjen e tij, të shtrirë në 15 faqe.
Materiali shqiptar ka gjithashtu një prapavijë historike. Ai nis me problemin e shkollave në gjuhën greke, por me shifra tërësisht të ndryshme nga ato që përmenden në dokumentin grek. “Në vitin 1922 në Shqipërinë e Jugut ekzistonin 36 shkolla në gjuhën greke, me 2614 nxënës dhe 49 profesorë. Në Himarë, me një popullsi dy gjuhëshe, kishte tre shkolla me 318 nxënës. Në 1933 në gjithë Shqipërinë kishte vetëm 77 shkolla private, nga të cilat 10 ishin fillore greke”. Një vit më pas, 54 fshatra me popullsi greqishfolëse prej 29 mijë banorësh, kishte secila nga një shkollë fillore.
“Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë regjimit komunist, pjestarët e pakicës greke nuk kanë qenë objekt i diskrimimit të posaçëm dhe ata kanë ndarë fatin me shumicën e shqiptarëve”, ndërsa për periudhën e pluralizmit pohohet se “pakica gëzon të gjitha të drejtat në përputhje me standartet demokratike evropiane…”.

Numrat e minoritetit

Kjo është dhe pjesa më interesante e materialit përgjegjës shqiptar. Ai i referohet fillimisht vitit 1922 kur një Komision i Lidhjes së Kombeve kryen inspektim në jug të vendit dhe rezulton se minoritarët grekë shkonin në shifrat 35 deri në 40 mijë banorë, ose një të gjashtën e popullsisë së zonës. Në regjistrimin e vitit 1930, popullsia greqishfolëse llogaritej në 37271 banorë. Në vitin 1989, përqindja e popullsisë joshqiptare luhatej në kufinjtë nga 2 për qind deri në 3.5 për qind. Dhe nga ky numër, grekët përbënin rreth 90 për qind të totalit të pakicave të përbërë edhe nga maqedonas, serbomalazezë, arumunë e të tjerë. Pakica greke shkonte deri në 58759 banorë. Një vend të veçantë në material zë dhe arsimimi që përfshin në gjuhën greke, të tre nivelet e shkollimit, parashkollor, nëntë vjeçar dhe të mesëm të përgjithshëm.
Më pas kapitujt e materialit shqiptar vazhdojnë me të njëjtën renditje si dokumenti zyrtar grek, flitet për administratën publike dhe përfshirjen e minoritarëve në të, përdorimin e emrave dhe mbiemrave të pakicave, njësitë administrative, zonat zgjedhore, çështjen e pronave, toponimet, përdorimi i greqishtes në marrëdhënie me autoritetet e programet radiotelevizive.

/Revista Mapo/

Çmimi i tortës

20/01/2013 Lini një koment

Ergys MËRTIRI

ÇMIMI I TORTËS

Torta e Pavarësisë

Torta e Pavarësisë

Masakrimi publik i tortës së pavarësisë nga një turmë e çakërdisur njerëzish gjatë kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë, provokoi një indinjatë masive dhe reagime të shumta. Shumë njerëz fajsuan organizatorët e festës, apo edhe vetë politikanët, të cilët u treguan të paaftë të ndalonin këtë turp publik që nuk ka kaluar pa u transmetuar edhe nga disa televizione të huaja. Pati prej komentuesve që nuk ngurruan të shtrojnë pyetjen: a duhet të durojmë ende të udhëhiqemi nga politikanë të tillë që na nxijnë faqen me paaftësinë e tyre.

Përtej reagimit kjo ngjarje na shpërfaq shumë nga subkoshienca e shoqërisë shqiptare, si një dukuri që merr forma të ndryshme në të gjitha shkallët e hierarkisë shoqërore. Duhet pranuar se pothuaj pjesa më e madhe e shoqërisë vuan gjithashtu nga të njëjtat sëmundje, simptomat e së cilës shfaqen apo maskohen në mënyra të ndryshme, në nivele e shtresa të ndryshme. Torta vetëm sa nxorri në pah, atë që duket se fshihet tek të gjithë, babëzinë, e cila ka pushtuar egërsisht individin shqiptar, duke e bërë të tregojë pangopësinë e vet thuajse në çdo sferë të veprimtarisë njerëzore. Korupsioni, imoraliteti, vrazhdësia, na rrethojnë kudo duke shëmtuar jetën tonë.

Pra çështja nuk është aspak një problem administrativ. Ajo ka të bëjë shoqërinë në tërësi dhe kryesisht me atë çfarë është gatuar tek individi shqiptar, tek njeriu i ri dhe përfytyrimi i tij për botën. Problemi duhet kërkuar në raportin midis elitave dhe popullit, që përbën ndoshta indin më qenësor të sistemit shoqëror ku jetojmë, aty ku gjendet edhe brava që mbërthen pazgjidhshmërisht problemet tona e që gjithashtu zbërthen më së miri kuptimin e tyre.

Ndokujt që nxiton të konkludojë, jo pa të drejtë, se çdo popull meriton qeverinë (elitat, klasën politike e kulturore) që ka, mund ti themi se njëkohësisht, në këtë rast, vlen po aq edhe e anasjellta: Qeveria meriton këtë popull që ka. Kjo pra do të thotë se jemi në kurthin e një raporti dialektik ku palët nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën, si e vetmja mënyrë për të përjashtuar çdo formë tjetër të marrëdhënies me pushtetin përtej ”unitetit parti-popull”. Elitave u duhet ky lloj populli për të sunduar, ndërsa popullit i duhet kjo lloj elite, që u ofron tagjinë e kërkuar: spektakël, hare, aheng e hallvë.

Kjo shfaqje nuk është gjë tjetër vetëm se një demonstrim realist i thelbit të demokracisë shqiptare, i paradoksalitetit të saj, që e vuajmë të gjithë. Ne do të vazhdojmë të turpërohemi për gjendjen ku  ndodhemi, për sa kohë bashkëjetojmë çdo ditë me të keqen, e nuk kemi kultivuar shpirtin e reagimit publik ndaj vulgaritetit që na rrethon. Përsa kohë nervi i reagimit do të vazhdojë të mbetet i fjetur në mes të shëmtisë rutinore që jetojmë e ndërtojmë, syri ynë i përdhunuar estetikisht do të natyralizohet me të.

Zhdukja e normalitetit

Natyrisht, shoqëria shqiptare nuk mund të përfaqësohet prej një grushti njerëzish të babëzitur rreth e qark një masivi sheqeror 15 tonësh. Kultura dhe qytetaria e shqiptarëve, ndonëse mungojnë në një masë të konsiderueshme, nuk mund të përfaqësohet nga ajo që u demonstrua në atë gosti barbarie. Problemi këtu qendron në faktin se, sistemi shoqëror ku jetojmë, ashtu siç deformon jetën shoqërore, deformon edhe përfaqësueshmërinë e saj. Deshëm s’deshëm ata pak njerëz atje në shkallët e Pallatit të Kulturës, i dhanë shijen e tyre bajate kësaj feste. Kjo vjen sepse vëmendja e publikut mbetet gjithmonë tek protagonistët, qofshin këta edhe shëmtaqë.

Këtu jemi në thelbin e një problematike të trajtuar në mënyrë të gjerë, të cilën Guy Debort e quan ”shoqëria e spektaklit”. Kjo është shoqëria ku realiteti i vërtetë gjendet në zgrip të një realiteti virtual që, nëpërmjet medias, tregut e komunikimit, përthith tërë vëmendjen e opinionit. Në shoqëritë moderne, shoqëritë e spektaklit, ekziston vetëm ai realitet që shfaqet, ekspozohet, komunikohet. Të ekzistosh këtu do të thotë, të shfaqesh. Ky sistem shoqëror të detyron të përfaqësohesh gjithmonë nga ata që bien në sy, për mirë apo për keq, gjë që do të thotë se ne përfaqësohemi nga ekstremet, nga të pazakontët. Vëmendja tërhiqet gjithmonë drejt të veçantës, jo drejt të përgjithshmes, dhe normalja përjashtohet si diçka që nuk ngjall interes. Kjo bën që shoqëria e spektaklit të mohojë vazhdimisht vetveten, duke ekspozuar gjithmonë minorancat si objekt kërshërie e duke i shndërruar ato në modele shoqërore.

Këtë e shohim të ilustruar më së miri në politikë. Për çfarë tjetër mund të duhen turmat, nëse jo për të legjitimuar sundimin e minorancave? Për çfarë tjetër duhen mitingjet elektorale masive, përveç se për të fabrikuar imazhin e një maxhorance false, në kushtet kur shoqëria ushqen indinjatë për politikën? Por nuk është kaq. Ekspozimi i vazhdueshëm i një realiteti të stisur, fillon dhe margjinalizon gradualisht realitetin e vërtetë. Modelet që ofrojnë minorancat fillojnë gradualisht të natyralizohen, deri sa brendësohen plotësisht duke dominuar jetën shoqërore. Anormalja fillon kështu të normalizohet dhe shoqëria fillon e merr formën e enës ku elitat e kanë hedhur.

Epshi i turmës

Turmat e babëzitura pëpara një torte gjigande, nuk janë gjë tjetër vetëm se produkt i një shoqërie që kultivon epshin e lakminë dhe asgjë që ka të bëjë me virtytin dhe dinjitetin njerëzor. As institucionet arsimore, as mediat, as shoqëria civile nuk motivojnë sot askënd për të kultivuar vlerat e duhura humane, etike, kulturore apo estetike. Natyrisht, nuk mund të presim gjë tjetër në shtresat e tjera, ku uria intensifikohet ekstremisht nga jargavitja e përditshme përballë vitrinave që reklamojnë sistematikisht “mollët e ndalueme” të hedonizmit konsumist. ”Njeriu i ri”, i prodhuar tashmë në kushte demokracie, është krejt i zhveshur nga mekanizmat shoqërore të vetpërmbajtjes, sqimës, njerëzillëkut e fisnikërisë, sepse shoqëria e spektaklit nuk ofron modelet e njerëzve normalë, por ato të atyre që maten me vlera materiale, të cilat promovojnë si vlerë absolute suksesin. Suksesi është ai që legjitimon në mënyrë makiaveliste çdo mjet, duke i dhënë shoqërisë imazhin e një fushëbeteje ku të duhet të luftosh egërsisht për të arritur majat ose dhe llumin, – në fakt, të dyja janë shpesh e njëjta gjë. Pothuaj të gjitha spektaklet e sotme televizive ofrojnë garë, konkurencë, luftë për të arritur triumf e përfitime. Të gjithë personazhet që shfaqen sot në arenën e spektaklit janë subjekte lakmie dhe aspak përçues vlerash. Suksesi dhe përvetësimi janë ato që peshojnë sot vlerën e individit dhe jo paqja e brendshme individuale, vetmjaftueshmëria apo humaniteti e altruizmi.

Nuk janë vetëm politikanët shkaktarët e këtij realiteti, është e gjithë armata e analistëve, gazetarëve, artistëve, njerëzve që mbajnë në këmbë këtë sistem deformues të prangosur në botën e komercit.Markuze pohon se bota moderne ka arritur të deformojë natyrën tonë në një element shumë thelbësor siç janë dëshirat. Ajo ka injektuar brenda nesh dëshira artificiale, duke na bërë të besojmë se janë tonat. Rrjedhimisht, ky sistem na mëson fillimisht se çfarë duam, e pastaj na e ofron atë kundrejt çmimit përkatës, ndërsa ne mendojmë se nevojat tona po përmbushen. Rrjedhimisht, njerëzit sot duan tortë, aheng, striptizë, boks në parlament e gazeta, dhe politikanët, artistët, biznesmenët angazhohen plot zell t’ua garantojnë me bollëk. Njerëzit duan hare, shfrim e tërbim, sepse kjo është gjithçka që kanë mundur të brendësojnë në kushtet e zbrazëtisë së plotë ku jetojnë.

Natyrisht, një mori e madhe njerëzish aty në shesh, ndoshta edhe shumica, mund të kenë qenë vërtetë të vetëdijshëm për patriotizmin e tyre dhe kanë dalë, në mënyrë krejt legjitime, të dëshmojnë, ndjejnë dhe përjetojnë solidaritetin e këtij ideali krejtësisht të vyer për çdo shoqëri. Por zemra dhe zemreku i festës, të paktën i asaj feste ku përqendrohet vëmendja mediatike, qendron pikërisht tek ajo kategori që zjen nga uria për hare dhe harbim. Këtu ekziston realiteti spektakolar, i aftë të tërheqë vëmendjen, të magnetizojë objektivët duke instaluar në ekrane fytyrën e vet si identikit të turmës.

Sovrani i dehur

Spektakli i tortës nuk ishte aspak diçka e papritur dhe e çuditshme për një sy të stërvitur në diagnostifikimin e problemeve të kësaj shoqërie. Ky fenomen është i vjetër sa dhe vet njeriu i ri që ka trashëguar, që prej gjysmës së shekullit të kaluar, mëvetësinë e këtij vendi. E gjejmë këtë karrikaturë të demonstruar në brohoritjet e turmave ndaj vendimeve shkatërrimtare të diktaturës, vrasjeve, rrëmbimit të pronës, shkatërrimit të vlerave. Gjithashtu, atë e gjejmë në lotët e krokodilit të derdhur masivisht për vdekjen e diktatorit, në hezitimin popullor për të votuar ndryshimin e sistemit në vitin ’90 me frikën se prona do ti kthehej të zotit, në dyndjen e turmave për të lënë paratë në firmat piramidale, e më pas, në vërshimin e tyre për të sulmuar repartet ushtarake, duke shpërthyer depo armatimi, me cigare në buzë, në kërkim të instrumenteve luftarake me të cilat mund të ushtronin sportin e preferuar të qitjeve në ajër…

Kjo barbari vijon të shfaqet sot e gjithë ditën në njerëz që shesin votën për 20 euro në pamundësi të këmbimit të saj për një vend pune, në të tjerë që brohorasin me të njëjtin zell në mitingjet e të dyja palëve, që japin e marrin vullnetarisht rryshfet në çdo shërbim publik, që shtyhen e grinden në stacion të autobuzit për të zënë një sedilje… S’ka dyshim se po ata njerëz, pasi kanë kursyer vaktin e drekës në shtëpitë e tyre, oreksprerë për shkak trazimit sheqeror në stomak, janë dyndur në koncertin e darkës për të ngopur syrin me mish femëror vipash nga turbofolku mbarëshqiptar, ofruar falas për fukaranë ngadyert e nalta të pushtetit.

Nuk duhet të prisnim shpërthimin e neverisë shërbetore të tortës për të kuptuar se çfarë alivanie po kultivojmë në shoqërinë tonë. Kjo histeri dëshmohet sistematikisht. E pamë një vit më parë në hapjen e TEG-ut, kur këta njerëz vërshuan duke shqyer dyer e qepena për të blerë një televizor me zbritje çmimi, e kemi parë gjithashtu gjatë koncerteve në shesh gjatë festimit të Vitit të Ri, teksa ndërmjet duartrokitjeve dhe brohoritjeve u lëshonin këngëtarëve të preferuar edhe nga një fishkezjarr, për tu argëtuar e gajasur me trembjen e tyre të pafajshme. Këta njerëz janë ata që ngulen çdo ditë përpara ekraneve për të vënë lloto a për të ndjekur plot interes spektaklet surrogato të kanaleve shqiptare duke folur e përfolur mbi jetën e personazheve që, më shumë se rilindasit që na sollën pavarësinë, janë heronjtë e tyre të vërtetë. Janë ata që dynden masivisht në çdo event, politik kulturor, sortiv, striptistik të cilësdo ngjyrë politike, ideologjike, kulturore apo estetike.

Këta janë sovranët e sistemit tonë politik, ekonomik, kulturor, demosi i Shqipërisë së Re, konsumatori, masa. Këta janë mbretërit e ekonomisë së tregut: klientët. Për këtë arsye ata kanë të gjithë të drejtën të godasin brutalisht me fishekzjarre çingiet e tyre, në një akt sadizmi perversiv mes klientit dhe prostitutës, të shqyejnë dyer e banaqe supermarkatesh, të shkatërrojnë festat kombëtare e ndërkobëtare me shqyerje tortash. Fundja për ta funksionon e gjithë kjo industri banaliteti e vulgariteti që buron prej zyrave shtetërore, selive të partive e gjithashtu prej studiove televizive apo diskografike. Për gjithçka ata paguajnë, jo vetëm me paratë e tyre, por akoma më shumë, me fukarallëkun material, shpirtëror, kulturor, mendor e njerëzor. Për këtë arsye verdikti i tyre është ligj. Ata janë sundimtarët legjitimë të shesheve.

_______________________________

Botuar në revistën “Shenja”.

Marrë nga faqja: http://www.e-zani.com/2013/01/17/cmimi-i-tortes/

Shqipëria e ka të vështirë të përpunojë të kaluarën e saj

12/01/2013 Lini një koment

Oliver Jens SCHMITT

SHQIPËRIA E KA TË VËSHTIRË TË PËRPUNOJË TË KALUARËN E SAJ

Oliver Jens Schmitt

Oliver Jens Schmitt

Ndërsa në shtetet e Europës Lindore përpunimi faktik dhe moral i komunizmit ka filluar të paktën pjesërisht, në Shqipëri nuk ndodh pothuaj asgjë. Shoqëria është akoma shumë e kushtëzuar nga koha e Enver Hoxhës, për të guxuar të hedhë vështrimin e saj në tmerret e së kaluarës.

Tridhjetë vjet më parë, Republika Popullore e Shqipërisë ishte Korea e Veriut e Europës. Diktatori Enver Hoxha, sundues që prej 1944-ës, e izoloi vendin dhe banorët e tij nga pjesa tjetër e botës. Shqiptarët e izoluar u indoktrinuan se ishin avangardët e komunizmit botëror, ruajtësit e vetëm të ortodoksisë së vërtetë marksiste-staliniste pas devijimit të Bashkimit Sovjetik mbas vdekjes së Stalinit dhe largimit të Kinës prej mësimeve të Maos. Kësisoj, Shqipëria ishte e rrethuar prej armiqve, nga “imperialistët” në Perëndim, “monarkofashistët” në Greqi, “titistët” jugosllavë në lindje dhe veri. Edhe brendapërbrenda “popullit të rrethuar” rrinin në pritje kundërshtarët, të cilët duhet të luftoheshin pa mëshirë, mbi të gjithë “poliagjentët”, si Mehmet Shehu, bashkëluftëtari i fundit i Hoxhës nga koha e partizanëve në Luftën e Dytë Botërore dhe për shumë vite ministër i Brendshëm dhe Kryeministër, i akuzuar më 1981 si spiun i shumë fuqive të huaja dhe, sipas gjasave, i shtrënguar të vrasë veten. Frika e rrethimit u vizualizua me ndërtimin e qindra mijërave bunkerëve, një deri katër vetësh, prej të cilëve do të sulmoheshin pushtuesit. Kritikët e programit absurd ushtarak dhe ekonomik u ekzekutuan në vitet ’70.

Vazhdimësi e fortë elitash

Bota përtej nuk merrte asnjë informacion mbi luftën për pushtet të komunistëve shqiptarë apo mbi kushtet e jetës së qytetarëve.  Kështu, Shqipëria u kthye në vendin më të mistershëm të Europës, një vend rreth të cilit edhe vetë atyre pak specialistëve shpesh nuk u ngelej veçse të spekulonin. Perëndimi e vështronte me rrëqethje këtë diktaturë, që sa e parrezikshme ishte për fqinjët e tij, aq penetruese ishte në jetën e njerëzve të kyçur në Shqipëri. Vetëm pak grupe të vogla maoiste-leniniste, si p.sh. ato në Republikën Federale Gjermane, e glorifikonin vendin si një parajsë socialiste mbi tokë.

Çfarë dimë sot rreth Shqipërisë enveriste? Përgjigjja është deziluzionuese: Në Shqipëri, historianët e lidhur me partinë i shmangen Epokës së Komunizmit. Varianti zyrtar i historisë paraqitur nga Akademia Shqiptare, për t’iu shmangur çdo lloj saktësimi të termave dhe, si rrjedhim, edhe vlerësimit ideologjik, flet për “kohën e pasluftës”. Vazhdimësia e elitave në politikë dhe në shkencë është e fortë. Nëse flitet për epokën komuniste, kjo ndodh në mënyrë tepër të politizuar dhe emocionale. Ai përpunim kritik që ndodh i dedikohet iniciativës së disa intelektualëve të angazhuar të shoqërisë civile, si Fatos Lubonja dhe Revista e tij “Përpjekja”, ose Ardian Klosi, ndarë pak kohë më parë nga jeta. Këta, dhe kolegët e tyre, kur kërkojnë një debat mbi pasojat e diktaturës shumëvjeçare, përballen shpesh me urrejtje të pastër.

Lexuesi shqiptar gjendet përballë një bulevardizimi të fortë të kujtesës, që kryhet nga gazetarë të orientuar nga sensacioni dhe ish-kuadro të partisë, që në kujtimet e tyre përshkruajnë merita të pretenduara personale para vitit 1991 dhe persekutimin e tyre të supozuar më pas. Kur publicisti Blendi Fevziu botoi para pak kohësh biografinë e parë të Diktatorit, libri i mbushur plot anekdota pati një sukses të madh te publiku. Por simpatizantët e regjimit u irrituan me zë të lartë; në Ferizajn kosovare, madje, libri u dogj, shenjë se Enver Hoxha, si një udhëheqës i fortë, nuk glorifikohej vetëm në epokën jugosllave.

Arkivat e shërbimit sekret, të frikshmit Sigurimi, vazhdojnë të qëndrojnë kryesisht të mbyllura. Prej viteve nëntëdhjetë ato përdoren si prej kundërshtarëve të papajtueshëm “socialistëve” postkomunistë ashtu edhe prej “demokratëve” në krye të pushtetit, të cilët përtej retorikës janë po aq të lidhur me regjimin e Hoxhës, mbi të gjitha, për të diskretituar kundërshtarin politik. Trashëgimia e rrjetit të plotë të spiunëve të regjimit të Hoxhës përfaqëson sot një dollap helmesh të shoqërisë shqiptare, prej të cilit ushqehen thashetheme dhe dyshime.

Edhe jashtë Shqipërisë interesi dhe dija mbi diktaturën e Hoxhës janë minimale. Se sa i vështirë është klasifikimi i sistemit e tregoi një takim i historianëve të rinj bashkëkohorë në fillim të vitit në Vjenë: teksa për RDGJ dhe Çekosllovakinë e viteve shtatëdhjetë – tetëdhjetë shkenca flet për “shtete socialiste” dhe e sheh të tejkaluar tashmë teorinë e totalitarizmit, vlerësimi i historianit të ri shqiptar, se Shqipëria duhej konsideruar si një sistem totalitar ngjalli çudi e, madje, refuzim.

Shoqëria e transformuar

Ashtu si në regjimet e tjera komuniste, edhe në rastin e Shqipërisë interpretimet luhaten midis theksimit të dhunshmërisë së regjimit dhe ndryshimeve që ka arritur një “diktaturë modernizuese”. Është e padiskutueshme që komunistët e transformuan shoqërinë e tyre: Industrializimi, një nga kolektivizimet më radikale të tokës në Europën Lindore, ndërtimi i një infrastrukture arsimore, shkencore dhe transporti, alfabetizimi i një populli gati të paarsimuar, ndalimi i feve dhe barazia formale e gruas e ndryshuan rrënjësisht shoqërinë që më 1945 ishte akoma osmane.

Por regjimi ndërtoi edhe një sundim të terrorit. Ai erdhi në pushtet i dalë nga një luftë civile (1941-1945) kundër partizanëve jo komunistë me mbështetjen e Jugosllavisë së Titos; eliminoi elitat e vjetra kulturore dhe shoqërore; veproi në mënyrë klanoredhe mirëmbajti deri në vitet tetëdhjetë kampe ndëshkimore, ku me mijëra detyroheshin të punonin në kushtet e një skamjeje të tmerrshme. Emigracioni u ndalua kurse migrimi brenda vendit u kufizua radikalisht: Populli shqiptar, migrues klasik, u burgos me plot kuptimin e fjalës. Regjimi u imponoi shtetasve të tij orientime të ndryshme: Mbas Jugosllavisë (deri më 1948) pasoi Bashkimi Sovjetik (deri më 1961) e më pas Kina maoiste (deri 1978) si fuqi proteksioniste, të cilat sollën parà për mbështetjen e ndërtimit të industrisë dhe ideologjisë, parà të cilën Shqipëria nuk ishte gati t’i kthente, gjë që shpjegon shumë herë më mirë sesa histeria ideologjike prishjen me fuqinë proteksioniste të radhës.

Shqipëria importoi “revolucionin kulturor” të Maos, por i dha atij edhe karakteristika të vetat: Duke filluar prej viteve shtatëdhjetë, nacionalizmi arriti kulmin e tij dhe prejardhja e shqiptarëve prej ilirëve u kthye në doktrinë shtetërore. “Njeriu i ri” i llojit shqiptar nuk duhej vetëm të kapërcente të gjitha pengesat e natyrës, të kishte ndërgjegje klasore, të ishte i shëndetshëm dhe i fuqishëm ashtu si modeli i tij shembull sovjetik dhe kinez, por ai duhet të ishte edhe një nacionalist i bindur dhe ateist.

Dekretimi i ndalimit të fesë më 1968, i cili u zbatua me një brutalitet të jashtëzakonshëm, e ktheu Shqipërinë, të paktën zyrtarisht, në shtetin e vetëm ateist të botës. Stalinizmi dhe nacionalizmi, me theksin te kjo e fundit, përbënin ideologjitë bazë të regjimit. Brenda këtij nuk mungonte as larja e hesapeve mes kuadrove të lartë të partisë, që i tërheq vazhdimisht historianët te komunizmi: Hoxha, në “spastrimet” e tij, ndiqte me zell shembullin e Stalinit. Në këtë kontekst harrohet shpesh fakti që viktimat e tij ishin vetë gjithashtu përgjegjës për krime të rënda. Nomenklatura e Hoxhës i ngjante në shumë aspekte asaj të Stalinit: një klan që kishte në dorë edhe pushtetin edhe të mirat materiale.

Në Shqipëri mbizotëron sot më shumë interesi te personat sesa te çështjet e strukturave sociale. Për shembull, sesi ndërtimi i një metalurgjiku gjigant e shndërroi qytetin osman të Elbasanit në një kombinat dhe qytetarët e tij në rrotëza të një mekanizmi industrial, sapo ka filluar të hulumtohet. Mbetet akoma për t’u analizuar nëse barazimi i brohoritur propagandistik i gruas solli vërtet një përmirësim apo thjesht një ngarkesë të dyfishtë në familje dhe në pune. Sesi izolimi i vendit ndryshoi edhe vetë jetën private të njerëzve po bëhet gjithmonë e më e qartë: nga frika, shpesh heshtej edhe në rrethin më të ngushtë familjar.

Sigurimi kishte vendosur një sundim të terrorit. Kontrolli i regjimit mbi çdo gjë që ndodhte i ngjante skenave Orwell-iane, si p.sh. kur klasa punëtore mallkonte me parulla urrejtjeje grupet e politikanëve të rrëzuar. “I jemi betuar Partisë dhe shokut Enver se do t’u qëndrojmë besnikë dhe se jemi gati t’u falim jetën tonë, sepse jetën dhe fatin ia dedikojmë Partisë.”

Raporte të shërbimit sekret tregojnë edhe se ku gjendeshin rezervatet e vogla të privates, veçanërisht në periudhën e fundit të regjimit: në zonat kufitare njerëzit i drejtonin antenat nga vendet fqinje dhe u justifikoheshin kontrolluesve se drejtimin ua kishte ndryshuar era. Në fshehtësi praktikoheshin madje edhe rite fetare. Por edhe pse hapësirat private ishin tepër modeste, në fillim të viteve tetëdhjetë Partia përforcoi luftën kundër asaj pak prone private që i kishte mbetur fshatarit. Kësisoj, me përjashtim të nomenklaturës së furnizuar mirë në lagjen e rrethuar të “Bllokut”, që e përkëdhelte veten me qumësht të freskët dhe spaghetti italiane, në fund të kohës së Hoxhës në Shqipëri mbizotëronte varfëria e madhe dhe mungesa e furnizimeve.

E mbrujtur me trashëgiminë e Hoxhës

Për të kuptuar Shqipërinë e Hoxhës duhet të dimë më shumë për njerëzit që mbështetën atë dhe ndërtimin e komunizmit, që kontribuan në luftën pa mëshirë kundër atyre që mendonin ndryshe. Botëkuptimi manichais-t (manikeist) i Hoxhës shpjegon pjesërisht paaftësinë për dialog e kompromis të elitës së sotme politike. Asaj nuk i bie në sy se sa shumë e mbrujtur është me trashëgiminë e Hoxhës. Për këtë asaj do i duhet të mësojë që të flasë mbi të kaluarën (edhe mbi atë personale) dhe që të gjejë një gjuhë për atë që ka ndodhur. Por koha e Hoxhës ka mbrujtur të gjithë shoqërinë shqiptare. Prandaj, çelësi për të kuptuar të kaluarën dhe të sotmen e Shqipërisë nuk është te vështrimi nga udhëheqësi komunist, por te pyetja se cilët ishin njerëzit e thjeshtë që kontribuan për komunizmin. Deri atëherë, shumica e shqiptarëve janë të vendosur të mos i hedhin sytë në këtë pasqyrë.

*Marrë nga Neue Zürcher Zeitung. Përktheu: Selfmaderadio.

http://www.mapo.al/2012/08/17/shqiperia-e-ka-te-veshtire-te-perpunoje-te-kaluaren-e-saj/

Zbulohet Deklarata e panjohur e Pavarësisë

31/12/2012 Lini një koment

Fatmira NIKOLLI

ZBULOHET DEKLARATA E PANJOHUR E PAVARËSISË

Deklarata e panjohur e Pavarësisë (osmanisht)TIRANË - Një zbulim epokal! Kështu e konsideron Prof.Dr.Eqerem Zenelaj dokumentin e gjetur në arkivin e Vjenës, që mban emrin “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, sqaron se ajo është në gjuhën osmane, ka pak rreshta dhe në fund janë edhe firmat e delegatëve. Së bashku me të, në arkivat vjeneze Zenelaj ka siguruar edhe një kopje gazete të kohës, që lajmëron se Pavarësia e Shqipërisë u shpall në Durrës nga Ismail Qemali, si edhe një telegram që konsulli austriak dërgon nga Vlora në Vjenë, ku thotë: “Sot ishte te unë Ismail Kemal Bej Vlora, i cili më njoftoi për Deklaratën e Pavarësisë në Durrës dhe se ai me mbi 20 delegatë ka udhëtuar më datë 26 nëntor, natën nëpër Fier për në Vlorë”. Për Zenelajn, rëndësia e këtij zbulimi është shumë e madhe. Madje në telefonatën tonë të parë me të, ai e cilëson zbulim epokal. Ditë më parë, ai u paraqit në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha për t’i dhuruar një kopje të Deklaratës. Qe nga ky takim që u nxit kërshëria jonë për të mësuar më shumë mbi këtë dokument të panjohur. Profesor Zenelaj iu përgjigj pozitivisht interesimit tonë për një intervistë dhe na vuri në dispozicion faksimilen e dokumentit të Deklaratës, që botohet sot. Prof. Eqrem Zenelaj hedh dritë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, firmosur në Durrës më 26-27 nëntor 1912! Çfarë është kjo deklaratë, ku dhe nga kush u firmos, pse në Durrës, pse nuk është folur më parë për të, cili është teksti i saj dhe pse ka përfunduar në Vjenë? Zenelaj u përgjigjet pyetjeve tona.

Profesor, ju takuat kryeministrin Berisha dhe i dhuruat atij një deklaratë pavarësie. A mund të na shpjegoni se çfarë është kjo deklaratë dhe si ratë në gjurmët e saj?

Është “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”, shpallur në Durrës më 1912-ën. Rastësisht, në muajin gusht 2012, ndërsa isha duke hulumtuar në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare Austriake në Arkivin “Albertina”, aty ku janë gazetat që ruhen në mikrofilma të arkivuara, papritmas pashë një gazetë me emrin “Wiener Bilder” domethënë “Portrete (Foto) Vjeneze”. Në të pashë disa shkrime të datës 8 dhjetor 1912, ditë e diel, për konfliktet në Ballkan dhe në po atë faqe tri foto: dy ushtarakë austriakë dhe në mes tyre fotoja e Ismail Bej Vlorës. Nën foto lexova diçka të pazakontë që më intrigoi dhe që shkruante: “Der albanische Führer Ismail Kemal Bey, der an der Spitze einer Versammlung von Notabeln in Durazzo die Unabhängigkeitsdeklaration proklamiert hat”. E përkthyer në shqip do të thotë: “Udhëheqësi shqiptar Ismail Kemal Bej, i cili në krye të një asambleje nga paria në Durrës e shpalli Pavarësinë e Shqipërisë”.

Por, Pavarësia është shpallur në Vlorë. Çfarë menduat?

T’ju them të vërtetën u befasova, se nuk e prisja që një dokument të tillë do e zbuloja pas 100 vitesh, edhe atë pothuaj pa e ditur e pa pasur ndonjë ide. E gjeta krejt rastësisht, ndërsa bëja kërkime mbi veprimtarinë diplomatike të Ismail Bej Vlorës për hir të 100-vjetorit.

Ku kërkuat për të gjetur dokumentin?

Më pas shkova në arkivin e Vjenës dhe mora tre austriakë, të cilët i pagova për të hulumtuar mbi 416 kartonë, ku secili përmbante mbi 500 dokumente etj. Mua më ra kartoni me numër 417, dhe nga mesi i dokumenteve gjeta njërin ku shkruhej: “Unabhängigkeitsdeklaration Albaniens” që e përkthyer në shqip do të thotë: “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”.
Veç këtij shkrimi gjermanisht, ishte një letër e shkruar në osmanishte dhe kishte pak rreshta. Në fakt unë kam filluar të mësoj edhe osmanishte, por dokumentin e skanova në CD dhe fillimisht e dërgova te dy studentë arabë. Më pas iu drejtova një profesori vjenez që njeh osmanishten. Edhe ai ma përktheu po ashtu sikurse arabët. Pas kësaj, kur erdha në Kosovë, iu drejtova Prof.Dr.Nehat Krasniqit që është osmanolog i shkëlqyer, përkthimi i të cilit ishte njësoj me dy përkthimet e para në Vjenë.

Si e përktheu profesor Krasniqi?

Prof.Krasniqi (osmanolog) pas një jave më solli tekstin e përkthyer, ku shkruan po ashtu sikurse në gjermanisht, se është Deklarata e Pavarësisë së bërë në Durrës, e datës 26/27 nëntor 1912. Unë kisha lexuar se Ismail Bej Vlora ka udhëtuar nga Durrësi për në Vlorë më datë 23 nëntor 1912, por në deklaratë del se ai është i nënshkruar 2 herë e pranë tij edhe djali i tij, Musa Qazimi. Gjeta edhe telegramin tjetër nga Vlora që i dërgohet Vjenës, ku Konsulli i Austro-Hungarisë në Vlorë, po ashtu thotë se “sot ishte te unë Ismail Kemal Bej Vlora, i cili më njoftoi për Deklaratën e Pavarësisë në Durrës dhe se ai me mbi 20 delegatë ka udhëtuar më datë 26 nëntor, natën, nëpër Fier për në Vlorë”. Pra, kjo është Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë e shpallur në Durrës. Po atë natë, sipas Konsullit të Austrisë, pas orës 12:00, dy pari shqiptare ia kanë dhënë menjëherë Konsullit për ta përcjellë për në Vjenë.

Ku ruhej ajo deri tani?

Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë në Durrës gjendet në Arkivin e Monarkisë së Austro-Hungarisë, që quhet së bashku me Arkivin e Shtetit: HHStA.Wien.P.A.Türkei, Liasse 45.Kartoni Nr.417/Fol 9/10.

A mund të na thoni se cila është përmbajtja e saj?

Unë nuk dua të them as më tepër as më pak pos përmbajtjes së vërtetë, që është mësuar nga përkthyesit osmanologë e në mënyrë të veçantë nga Prof. Dr. Nehat Krasniqi. Në osmanishte, përmbajtja e saj është kjo: (TRANSKRIPTIMI)
Avusturya ve Macaristan Devleti fahriyesinin Draç Konsulatuna
Ilân
Hiç bir devlete tâbi olmayarak simdi Istiklal edildi. Hukûki Serbiye-i müstekilemizi ayaklar altina alinmasi içün lütfen muhâfazamizi istidâ- ü istirhâm ediriz ol bâbde. Fi 13/14 tesrin-i sânî, sene 1328.
Draç ahâlisi vekili:
Draç müderrisi – Yusuf, ulemâdan – Hüsejn, ulemâdan – Ali, müderris – Yusuf, ulemâdan – (Muhamed bin Receb), muteberandan – Murteza, muteberandan – (?)
muteberandan – Ismail Kemal, muteberandan – Mahmud Sevki, muteberandan – (?), muteberandan – Mehmed, muteberandan – Musa Kazim, muteberandan – Ismail Kemal, muteberandan – Hüseyn Hakki, Katolik cemiyeti muhari – Filip Sereki, muteberandan – Abdulah, muteberandan – (?), muteberandan – Mehmed Akif, muteberandan – Hasan Bitik, muteberandan – Hüseyn Bala, muteberandan – Bahtiyar Dervi?
Ndërsa nga përkthimi në shqip lexojmë: “Konsullatës së Shtetit të ndershëm të Austro-Hungarisë në Durrës.
Shpallje
Duke mos iu nënshtruar asnjë shteti, tani u bë Pavarësia. Andaj në këtë cilësi ju lutemi me përgjërim që ta mbroni sovranitetin tonë që të mos nëpërkëmbet nga qeveria e Serbisë.
Më 26/27 nëntor të vitit 1912.
Përfaqësues të popullsisë së Durrësit (pasojnë nënshkrimet):
Myderrizi i Durrësit – Jusufi, nga ulema – Hysejn (Tartari), nga ulema – Aliu, myderriz – Jusufi, nga ulema (Muhamed Rexhepi), nga pushtetarët e çmuar – Myrteza (?), nga pushtetarët e çmuar – (?), nga pushtetarët e çmuar – Ismail Qemali, nga pushtetarët e çmuar – (Mahmud) Shefkiu, nga pushtetarët e çmuar – (?), nga pushtetarët e çmuar – Muhamedi, nga pushtetarët e çmuar – Musa Qazimi, nga pushtetarët e çmuar – Ismail Qemali, nga pushtetarët e çmuar – Hysejn Hakiu, Kryeplaku i komunitetit katolik – Filip Sereqi, nga pushtetarët e çmuar – Abdullahu, nga pushtetarët e çmuar – (?), nga pushtetarët e çmuar – Mehmed Akifi, nga pushtetarët e çmuar – Hasan (Bytyqi ose Bikiqi ?), nga pushtetarët e çmuar – Hysejn Balla, nga pushtetarët e çmuar – Bahtijar Dervishi.”

Cilët ishin delegatët që e kanë firmosur?

Deklarata është firmosur në Durrës dhe aty janë të nënshkruar 21 delegatë. I keni më sipër të gjithë emrat, disa janë të palexueshëm. Nëse i krahasojmë emrat e Lef Nosit në librin e tij që e kam në Vjenë, nuk përputhen me emrat nënshkrues të Deklaratës së gjetur. Lef Nosi nuk ka qenë në Durrës, me gjasë e ka shkruar sipas të dëgjuarit dhe mbi 20 vjet pas kësaj date e viti.

Kush e ka marrë nismën për ta firmosur atë dhe pse?

Për këtë nuk di asgjë. Unë jam hulumtues arkivor, jo analist e as politikan. Ja dokumenti, ja të dhënat! Jam shumë krenar që e kam zbuluar unë këtë pas 100 vjetësh, sikurse do isha krenar ta kishte zbuluar çdo shqiptar, – kjo nuk ka rëndësi, dhe po ashtu që është zbuluar në këtë vit jubilar, – dhe aq më tepër jam krenar që po ashtu babai i Pavarësisë, Ismail Bej Vlora, është aty dhe i njëjti është në Vlorë më 28. Pra rëndësi ka që është dokument arkivor, është i yni dhe që e kemi zbuluar ne shqiptarët, e jo të tjerët dhe sidomos që tani ne e kemi në duart tona.

Ku ndryshon ajo me Deklaratën e Pavarësisë së Vlorës?

Ndryshimi është se këtu quhet SHPALLJE. Unë nuk e kam parë asnjëherë Deklaratën e Pavarësisë së Vlorës. Nuk e di se a ka pasur apo nuk ka pasur, edhe nëse ka pasur, siç shkruhet aty ndryshon, sepse në atë që dimë ne thuhet se: Të gjithë delegatët, pasi dëgjuan fjalimin e Ismail Bej Vlorës… të gjithë venduan që Shqipëria të jetë e lirë dhe e mosvarme” kështu shkruan te libri Lef Nosi.
Pra pa paragjykime, aty nuk shkruhet SHPALLJE dhe aty nuk shkruhet që “shpallet” por “venduan”, d.m.th. “vendosën”. Tjetër dokument është edhe një telegram që ia dërgon Ismail Bej Vlora Fuqive të Europës. Ky telegram mban numrin Nr.7198.RefI e aty shkruhet se Asambleja Kombëtare e përbërë nga delegatët e të gjitha viseve shqiptare pa dallim feje etj. sot në Vlorë shpalli (nuk thuhet Pavarësinë por Qeverinë Provizore. Në vend të Pavarësisë janë 20 pika. Në fund të këtij telegrami shkruhet në gjermanisht si fusnotë: “Verstümmelt” që në shqip domethënë pjesë e gjymtuar, e shkëputur, e hequr nga autori i telegramit. Pse është kështu, unë nuk e di, e as që e paragjykoj. Ja si shkruhet decidivisht në Tel.Nr. 7198 të Ismail Bej Vlorës më datë 28 nëntor 1912:
“L’assamblée nationale composée des délégués de toutes les contrées albanaises sans distinction de religion réunis aujourdhui dans la ville de Valona vient de proclamer… Gouvernement proviso ire etj”. Pra, aty ku duhet të ishte ‘shpallje e Pavarësisë’ është vetëm ‘shpallje’, e pastaj janë 9 pika e pas tyre shkruan qeveria e përkohshme. Pra, mjaft interesante.

Si mund të bindet opinioni publik për vërtetësinë e saj?

Ky është dokument i saktë dhe kushdo që dëshiron ta shohë origjinalin, të shkojë në Arkivin e Vjenës në Ballhausplatz. Ai ndodhet në të njëjtën ndërtesë me qeverinë, vetëm se hyrja e Arkivit është në anën tjetër, afër Metros U3. E kërkon në këtë shifër: HHStA. Wien. P. A.Türkei, Liasse 45. Kartoni Nr. 417/Fol 9/10.
Pra, aty në këtë arkiv të shtetit mik, të atij shteti që e sponsorizoi Pavarësinë e 1912-ës, atij shteti që e mbështeti Ismail Bej Vlorën. Me Austrinë ne kemi lidhje tradicionale që nga Traktati i Karllovcit 1699, që në nenin 13, i jep të drejtën e kultprotektoratit Austrisë e më pas me Traktatin e Sistovës, Beogradit dhe deri më 1913-ën, apo edhe më 1918-ën, por edhe sot një shtet mik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë arkiv është ruajtur që 100 vjet dhe aty do qëndrojë, ndërsa 100 metra afër tij kemi edhe armët e Gjergj Kastriotit siç është helmeta dhe shpata me këllëfin e tij. Për fat, falë angazhimit të Ambasadorit Dr.Villi Minaroli, kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe qeverisë së Austrisë, këto do jenë në Tiranë për 100-vjetorin dhe do i shohin njerëzit në origjinal dhe nga afër.

Përse ekzistenca e këtij dokumenti mësohet vetëm pas 100 vitesh?

Tani është zbuluar dhe shqiptarët nuk janë fajtorë për këtë. Ju e dini se hulumtimi në arkiv është shumë i vështirë, ka shumë barriera ka shumë mundim e sakrificë. Unë as nuk jam më i mençur e as më i dijshëm, por jam munduar të hulumtoj dhe për fat tani në gusht krejt rastësisht e zbulova pa e ditur fare që është aty, sepse unë jam shkolluar në Vjenë, Niza dhe Passau, në Vjenë jam prej 18 vitesh. Nuk e dija se ekzistonte, se po ta dija do e zbuloja që në fillim.

Si ka mbërritur ai në Austri? E dini ju historinë e udhëtimit të dokumentit nga Durrësi në Vjenë?

Në Austri është thënë, në një telegram të Konsullit të Vjenës në Durrës, ku shkruhet: “Mbrëmë pak pas mesnatës dy pari shqiptare më dërguan një dokument në dorë. Është Shpallja e suksesshme e Pavarësisë së Shqipërisë”. Pra, mu për këtë, Konsulli i Austrisë e dërgon në Vjenë dhe aty arkivohet. Nga ana tjetër ata ia kanë dhënë Austrisë sepse Austria ishte sponsorizuese e Pavarësisë dhe po me vaporin e Austrisë, Ismail Bej Vlora ka ardhur nga Treshta për në Durrës.

A është përfolur ekzistenca e saj më parë? Nuk e kemi hasur as në kohën e Zogut as në atë të komunizmit, madje në Shqipëri asnjë historian nuk ka informacion për të…

Të themi të vërtetën unë kam dëgjuar aty-këtu se data e Shpalljes së Pavarësisë është 28, 26 apo 27. Por në Vjenë gjeta librin e Lef Nosit, i cili quhet “Dokumente Historike për t’i shërbye çështjes kombëtare” (përafërsisht kështu). Aty Lef Nosi shkruan për Deklaratën e Durrësit, por janë krejt emra të tjerë nga ata që janë të nënshkruar në Deklaratën e Durrësit. Dua të them se ne kemi një histori shumë të begatshme, shumë të ndritur dhe disi të pazbuluar nga ne shqiptarët deri më sot. Kemi pasur pengesa nga regjimet, si në Jugosllavi, ku shqiptarët nuk guxonin të mësonin historinë e vërtetë të tyre. Madje, në kohën e Rankoviqit, po të kishe një abetare dënoheshe. Shqiptarët dënoheshin njësoj, si për një libër, si për armëmbajtje pa leje. E si mund të mësohej e vërteta jonë nën regjimin okupues jugosllav?!
Nga ana tjetër, në shtetin amë, Shqipërinë e shtrenjtë, diktatura komuniste ka vrarë shumë figura kombëtare e intelektualë të shkolluar ose të ardhur nga jashtë, d.m.th nuk ka pasur qasje në arkiva të huaja. Aty-këtu, kemi pasur edhe Eqerem Çabejn, Ekrem Bej Vlorën, Selami Pulahën, Aleks Budën, por ja që kanë qenë shumë të pakët edhe nuk iu është mundësuar.
Një mik nga Vjena më tha: Profesor Zenelaj, një popull që nuk e shkruan historinë e tij vetë, ia shkruajnë armiqtë. Pra, neve na e kanë shkruar historinë shpesh armiqtë dhe na e kanë mësuar mbrapsht. Ose kemi pasur të dhëna të retushuara, ose të falsifikuara ose të pavërteta.

Marrë nga faqja: http://www.balkanweb.com/intervista/2688/zbulohet-deklarata-e-panjohur-e-pavaresise-shpallur-ne-durres-me-1912-te-108747.html

Rezoluta e plotë për zgjidhjen e çështjes çame

10/12/2012 Lini një koment

REZOLUTA E PLOTË PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES ÇAME

46972_32RELACION SHPJEGUES I REZOLUTËS PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES ÇAME
100 vjetori i shtetit shqiptar, shfaqi një vetëdije të re kombëtare të qytetarëve për fatet e kombit. Interpretë të kësaj vetëdije, ne parlamentarët duhet që në lartësinë e misionit historik që kemi, të ofrojmë një zgjidhje për çështjen çame, çështja më e rëndësishme e pazgjidhur në plotësinë e çështjes shqiptare në Ballkan.

PËRKUFIZIMI I PROBLEMIT
Çështja çame është përbërë nga problematika e krijuar prej:
a) largimit me forcë të mijëra shqiptarëve myslimanë të krahinës së Çamërisë nga trojet e tyre etnike pas Luftës së parë botërore, dhe
b) largimit përfundimtar të pjesës së mbetur në fund të Luftës së Dytë Botërore, nëpërmjet vrasjeve masive, dhunimeve, shkatërrimeve të pronës, objekteve të kultit, etj. Të gjithë këto akte kryer mbi popullsinë çame, programuar sipas doktrinave nacionaliste i plotësojnë kushtet për t’u konsideruar si genocid, ashtu si me të drejtë e ka cilësuar Parlamenti shqiptar në 30 qershor 1994 në ligjin 7839, “për shpalljen e datës 27 qershor në kalendarin kombëtar si dita përkujtimore e genocidit të shovinistëve grekë ndaj shqiptarëve të Camërisë”, shpallur me dekretin 885, në datën 12.7.1994. Viktima të këtij genocidi janë mijëra të vrarë, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, ashtu dhe të afërmit e tyre të zhvendosur kryesisht në Shqipëri. Sot komuniteti çam në Shqipëri arrin në një numër prej afro 300.000 mijë vetësh. Në Çamëri sipas vlerësimeve të një figure të shquar të këtij komuniteti si Niko Stillo, sot jetojnë midis 70 dhe 100.000 çamëve ortodoksë, pjesë e një komuniteti që s’ka asnjë të drejtë ta shpërfaqë identitetin e vet etnik, pasi i është nënshtruar një procesi të gjatë asimilimi. Në favor të ekzistencës së tij ka folur dhe ambasadori amerikan në OSBE Clifford Bond në tetor 2006 .
Pasuritë e grabitura nëpërmjet ligjesh të ndryshëm grekë, miratuar pas largimit të tyre, duke filluar me Ligjin e luftës 2636/1940 e që veproi mbi pronat e grupit të parë të para fillimit të konfliktit të madh botëror në 1939, dhe ato të pas Luftës së dytë botërore kapin një vlerë prej mbi 10 miliard eurosh, vlerësuar sipas një studioje britanike. Të gjithë pasuritë dhe pronat shqiptare në Greqi vlerësohen në rreth 20 miliard euro. Genocidi mbi çamët, u shfaq fillimisht dhe u përmbyll si luftë klasore, etnike, dhe fetare ndaj tyre.
Në këto kushte, shteti shqiptar që mbushi 100 vjet, nuk mund të mos bëjë një akt për zgjidhjen e këtij problemi. Rezoluta do duhet të përfaqësojë vijën e sjelljes së çdo qeverie shqiptare tash e tutje ndaj kësaj çështjeje.

SHPJEGIME PËR TEKSTIN E REZOLUTËS
Propozuesit e rezolutës, zotërinjtë deputetë të PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri janë të vetëdijshëm për marrëdhëniet në përgjithësi të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona, anëtare të NATO-s. Ata e njohin rëndësinë e këtyre marrëdhënieve, qoftë për trajtimin e qindra mijë emigrantëve që punojnë me djersën e tyre në vendin fqinj, qoftë dhe në kuadër të kushtëzimeve për integrimin europian dhe rolin që ka Greqia në këtë kuadër. Në rezolutë nuk ka pretendime territoriale, përkundrazi. Rezoluta propozon zgjidhje që janë brenda kuadrit ligjor ndërkombëtar, atij dypalësh- më konkretisht Traktatit të Miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë, legjislacionit grek, për çështje të tilla si fajësia individuale dhe jo kolektive e çamëve, e drejta e lëvizjes së lirë, të pronës, të shtetësisë, etj. Rezoluta në thelb kërkon të bëjë aktiv Traktatin e miqësisë dhe jo ta lerë atë si një letër e vdekur siç është sot, sa i takon të drejtave të shqiptarëve çamë dhe më gjerë.
Teza dominante greke është se çamët kanë bashkëpunuar me fashizmin italian dhe gjerman dhe janë larguar nga frika e ndëshkimeve si bashkëpunëtorë të tyre. Brenda këtij vizioni, qëndrimi grek është se Shqipëria, shteti shqiptar (?!) e ka sulmuar Greqinë së bashku me Italinë në tetor 1940, ndaj dhe çamët u rreshtuan në krah të pushtuesve. Rezoluta është mbështetur mbi premisën që populli shqiptar nuk e ka sulmuar kurrë ushtarakisht popullin grek, sepse shteti shqiptar e kishte humbur sovranitetin me pushtimin italian në 7 prill 1939. Në këto kushte, as mbajtja në këmbë e Ligjit grek të luftës megjithë pasojat e tij ende në fuqi për pronat, nuk ka logjikë juridike. Nuk është as legal, as njerëzor, por tërësisht fyes, irealist, dhe cinik konsiderimi kolektiv i shqiptarëve të Camërisë si kriminelë lufte. Ja disa argumenta të thjeshtë që i rrëzojnë këto pretendime.
Së pari, gjyqet e kryera mbi individë të ndryshëm çamë të akuzuar për krime lufte, (rreth 2000 individë) dënuar në mungesë me pushkatim dhe me konfiskim pasurie, janë gjyqe të pavlefshëm sipas legjislacionit penal grek, siç e tregojnë shkresa të ndryshme të administratës gjyqësore greke të Janinës në vitet 70 . Madje është e çuditshme sesi administrata shtetërore greke, po sipas të njëjtës shkresë ka kërkuar zhdukjen e materialeve të këtyre gjyqeve, pikërisht në periudhën kur ne vendosëm marrëdhënie diplomatike me Greqinë dhe ka një vendim të Këshillit grek të Shtetit, Gjykata e Lartë administrative sipas të cilit ka pushuar gjendja e luftës me Shqipërinë me vendosjen e këtyre marrëdhënieve.
Së dyti, edhe sikur të konsiderohen të rregullt këto gjyqe, prej Greqisë janë dëbuar mbi 20 mijë vetë sipas historianëve grekë, dhe rreth 30 mijë sipas historianëve shqiptarë. A mund të konsiderohen si bashkëpunëtorë të fashizmit, gratë, fëmijët dhe pleqtë ? A ka kuptim në Evropën e qytetëruar koncepti i fajësisë kolektive ? Një numër i madh afro 1000 vetë të popullsisë çame, u rreshtua në Lëvizjen partizane greke ELAS siç provohet nga dokumentet e kohës. Pra shqiptarët nuk ishin popullsi bashkëpunëtore, as dhe në masën që ishte popullsia greke (sipas historianëve grekë rreth 30 mijë vetë ishin bashkëpunëtorë të fashizmit në në popullsi prej pak milionësh), me përjashtim të një grupi individësh. Nuk duhet harruar këtu që shumë kohë para se të flitej për raste bashkëpunimi me pushtuesit, Greqia internoi në ishujt grekë mijëra meshkuj të këtij komuniteti.

KUADRI LIGJOR REFERUES, TRAKTATI I MIQËSISË DHE KONVENTA EVROPIANE.
Ka dy momente thelbësore në këtë tekst rezolute. I pari është Traktati i miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë, hyrë në fuqi në me ligjin grek 2568 miratuar në 4 shkurt 1998, në të cilën palët që në fillim e njohin dhe respektojnë integritetin territorial të njeri tjetrit. Autorët e Rezolutës duke u mbështetur në nenin 15 të këtij Traktati, i cili thotë se “çdo vend nënshkrues do të përballojë mundësinë për heqjen, brenda kuadrit ligjor, të pengesave që vështirësojnë gëzimin e pasurive që kanë nënshtetasit e njërit vend në shtetin e tjetrit» kërkojnë që të hiqen këto pengesa.
Momenti tjetër është Konventa Europiane e Lirive dhe të drejtave të njeriut, Protokolli i parë shtesë i tij, neni 1 që ndalon çdo pengesë për gëzimin e të drejtës së pronësisë.
Pra ne kërkojmë që çdo pengesë administrative, ligjore, politike ndaj popullsisë shqiptare çame, të hiqet dhe të zbatohet vullneti i palëve parashikuar në nenin 15 të Traktatit të miqësisë dhe në përgjithësi në gjithë Traktatin, dhe Konventës Europiane. Traktati i miqësisë (dhe vetë Konventa Europiane) janë akte superiore në raport me çdo akt tjetër juridik që bie në kundërshtim me to, të cilët duhet të shfuqizohen shprehimisht, apo të mos përdoren si pretekste për të bllokuar gëzimin e të drejtave pasurore dhe të tjera nga ana e shqiptarëve në Greqi. Neni 15 i këtij Traktati nuk mund të zbatohet me ankimime të qytetarëve shqiptarë dikur shtetas grekë në gjykatat greke siç justifikohen autoritetet greke. Duhen akte të tjera ligjore që të jetësojnë Traktatin, akte që të ofrojnë zgjidhje kolektive ligjore për të gjithë komunitetin çam dhe atë shqiptar në përgjithësi, dikur shtetas grekë, dhe jo inisiativa individuale gjyqësore, kur për më shumë qytetarët me origjinë çame bllokohen në kufi.
Duhen akte simbolike që heqin barrën e rëndë të diskriminimit mbi popullsinë çame, siç është korrigjimi i teksteve të historisë që mësohet në shkollat greke, një kërkesë analoge me atë që grekët e kanë bërë për tekstet tona.
Duhen akte nderimi për viktimat e pafajshme në territorin grek, gra, pleq, fëmijë, të ngjashme me ato që ne i kemi toleruar për ushtarët grekë të rënë gjatë Luftës së dytë botërore, në territorin tonë, si përshembull dy lapidarë, dhe mundësi për përkujdesje për varrezat e shqiptarëve çamë në Greqi.
Dhe më në fund, nëse pala greke refuzon të konsiderojë këto kërkesa në dritën e drejtësisë europiane, ne duhet t’i rezervojmë vetes që të angazhojmë instancat e kësaj drejtësie ndërkombëtare.

PENGESAT NË ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES ÇAME SIPAS TRAKTATIT TË MIQËSISË DHE KONVENTËS EUROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Cilët janë pengesat kryesore sipas këtyre dy akteve ligjore referuese?
E drejta e pronës, që përcakton të gjithë të drejtat e tjera, siç është e drejta e kthimit në vendlindje, rimarrja e shtetësisë, etj, është cënuar me Ligjin e luftës 2636/1940, 2637/1940 dhe disa ligje greke të miratuara pas dëbimit të shqiptarëve çamë, me forcë dhe me akte masive vrasjesh dhe dhunimesh.
Së pari, Ligjet greke të luftës 2636 dhe 2637/1940. Këto ligje kishin si pasojë kryesore, ende aktive, vënien në sekuestro konservative të pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi. Ligjet në fjalë vepruan mbi pronat e çamëve dhe shqiptarëve joçamë të larguar para Luftës së Dytë botërore, dhe pas marrjes së detyruar të shtetësisë shqiptare prej çamëve në 1953, filloi të veprojë dhe mbi pronat e të tjerëve, që u larguan pas 1944-ës.
Së dyti një sërë ligjesh të tjera greke të miratuara nga vitet 50 deri në 80. Si pasojë e Luftës civile greke dhe një plani genocidal për të krijuar një Greqi homogjene etnikisht dhe fetarisht, së bashku me çamët janë dëbuar dhe larguar nga vendi në atë periudhë, dhe shtetas të tjerë grekë, me kombësi greke ose me kombësi të tjera. Në vitin 1971 dhe në 1985, administratat greke të kohës miratuan respektivisht ligjet 1108 dhe 1540 të cilat parashikonin mundësinë e rikthimit të të larguarve, por me kusht që të kishin kombësinë greke. Të dy këto ligje bien në kundërshtim me Deklaratën Universale të Lirive dhe të Drejtave të njeriut, neni 2, me Konventën europiane të lirive dhe të drejtave të njeriut, sepse “diskriminojnë mbi bazë kombësie dhe feje në gëzimin e të drejtave themelore”.

PROPOZIMET E REZOLUTËS
Rezoluta kërkon që në përputhje me neni 15 të Traktatit të miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë mes dy vendeve tona, dhe nenit 1 të Protokollit shtesë të KEDNJ-së, të hiqen pengesat që nuk lejojnë gëzimin e lirë të të drejtës së pronës dhe të drejtave të tjera për qytetarët shqiptarë çamë, dikur shtetas grekë. Për këtë duhet bërë abrogimi shprehimisht i Ligjit të Luftës dhe jo Gjendjes së Luftës e cila nuk ekziston normalisht që me vendosjen e Marrëdhënieve diplomatike në 1971, e sanksionuar dhe më vonë me vendimin e Qeverisë Papandreu në 1987. Rezoluta i kërkon qeverisë që nëpërmjet kontakteve diplomatike ta parashtrojë këtë kërkesë duke aktivizuar dhe instrumentet që dikur funksiononin, siç kanë qenë Komisionet dypalëshe. Këto janë instrumente që kanë funksionuar më herët dhe që sot nuk funksionojnë më. Këto Komisione duhet të identifikojnë ato akte ligjore, apo administrative që bien në kundërshtim me Traktatin e miqësisë dhe Konventën Europiane.

NË VEND TË PËRFUNDIMIT
Rreth 20 vjet më parë, kur Shqipëria ende nuk kishte këtë reputacion ndërkombëtar, këtë shkallë integrimi ndërkombëtar, dhe kishte prioritete të tjera si mundja e urisë, ndërtimi i shtetit demokratik, integrimi ndërkombëtar, diplomacia jonë e ngrinte rregullisht çështjen çame për zgjidhje. Bashkëbiseduesit e vet grekë, përfshi dhe Presidentin aktual, zotin Karolos Papulias, pranonin nevojën e zgjidhjes së problemit të pronës të paktën. Presidenti Karolos Papulias, asokohe ministër i jashtëm i tha homologut të vet Serreqi : « Katastrofa më e madhe për Greqinë ka qënë Lufta Civile, e cila ka bërë plagë që janë ende të freskëta. Shkencërisht keni të drejtë, por ato nuk çrrënjosen lehtë. Pra tema e çamëve është shumë e hidhur. Duhet të kalojnë disa breza që ato të harrohen. Pas 20-30 vjetëve këto mund të harrohen » .
Kanë kaluar 20 vjet, Shqipëria e sotme është anëtare e NATO-s dhe nuk ka prioritete ekzistenciale për t’u përballur si ato të fillimit të tranzicionit. Është koha për drejtësi evropiane, dhe që marrëdhëniet tona me fqinjët të vendosen në baza barazie të vërtetë.

REZOLUTË MBI ZGJIDHJEN E ÇESHTJES ÇAME
Prezantuar nga deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, më 10 dhjetor 2012

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

I orientuar përherë nga qëllimet e larta të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon;

Duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë;

Duke mbështetur dhe inkurajuar rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë si dy vende fqinje dhe aleate në strukturat euroatlantike;

Duke shprehur mirënjohjen për luftën e përbashkët antifashiste të popullit shqiptar dhe popullit grek, e në veçanti të shqiptarëve çamë, themelues dhe të inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare Greke (ELAS) dhe në Ushtrinë Antifashiste Nacional Çlirimtare (UANÇ)

Nisur nga fakti se populli shqiptar, dhe asnjë shtet sovran shqiptar nuk e ka sulmuar popullin dhe shtetin grek gjatë Luftës së Dytë Botërore;

I bindur se edhe Populli Grek, Parlamenti dhe Qeveria e Republikës së Greqisë vlerësojnë lart marrdhëniet e mira ekzistuese midis dy vendeve tona, dhe nevojën për përmirësim të pandërprerë të tyre,që nënkuptondhe zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të mbetura pezull nga e kaluara e afërt;

I bindur se me vullnet të mirë të të dy palëve, ekzistojnëhapësirat e mundshme të negocimit dhe mund të gjenden instrumentat e nevojshëm për konsolidimin e mirëkuptimit nëpërmjet drejtësisë në zgjidhjen eçështjes çame, në interes thelbësor të të dy vendeve e popujve tanë;

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;

Duke marrë parasysh qëllimet dhe parimet e larta të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, të parimit të mosndëshkueshmërisë kolektive, si dhe të akteve ndërkombëtare më të rëndësishme në lidhje me to;

Duke marrë në konsideratë Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në veçanti neneve 1.2.6, 9, 13, dhe 15; Rezolutën 4780 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi « “Spastrimin etnik” dhe urrejtjen raciale »; Nenin 1 të Protokollit shtesë nr. 1 të Konventës Evropiane për Liritë dhe të drejtat e njeriut ;

Mbështetur në ligjin 7839, të datës 30.06.1994, “Për shpalljen e datës 27 qershor në kalendarin kombëtar si dita përkujtimore e genocidit të shovinistëve grekë ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, shpallur me dekretin e Presidentit nr.885, datë 12.7.1994.

Nën frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke (këtu e më poshtë Traktati i Miqësisë);

Duke vlerësuar sefryma e nenit 15 dhe gjithë teksti i Traktatit të Miqësisë, midis dy vendeve, fryma e akteve ndërkombëtare të lartcituara, imponojnë heqjen e pengesavepër restaurimin e të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Greqisë nëpërmjet një kuadri ligjor adeguat për gjithë komunitetin e cënuar dhe jo nëpërmjet rrugëveindividuale gjyqësore,

1. Njeh, mbështet, dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi genocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to si dhe frymën e Traktatit të miqësisë midis dy vendeve.

2. Kërkon rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare.

3. Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare,

4. Kërkon shtrirjen e efekteve të ligjit grek 1540/1985 “për rregullimin e refugjatëve”, tek të gjithë shtetasit grekë të larguar si pasojë e konfliktit civil, pa diskriminim kombësinë e tyre, ligj që bie në kundërshtim me shumë akte ndërkombëtare, për mosdiskrimimin mbi bazë kombësie, race, feje, etj;

5. Kërkon nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, që së bashku me Qeverinë e Republikës së Greqisë, të riaktivizojë Komisionet e Posaçme Dypalëshe, të sanksionuara në Traktatin e Miqësisë, të shqyrtojnë çështjen, të njohin përmasat e saj, të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim;

6. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të padëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata;

7. Kërkon ngritjen në Paramithi dhe Filat, të dy lapidarëve, që do të përkujtojnëgratë, pleqtë, e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve kryera nga njësitë paramilitare greke.

8. Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve, ish qytetarëve grekë, të vrarë gjatë genocidit grek;

9. Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare në tekstet shkollore;

10. Ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe sporteve që, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së Greqisë, të promovojë vlerat kulturore të tyre dhe objektet kulturore që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të shkencës t’i kërkojë Ministrisë homologetë nxisë heqjen në tekstet greke të referimeve fyese dhe diskriminuese ndaj popullsisë çame;

11. Ngarkon Qeverinë shqiptare, që në përputhje me këtë Rezolutë, t’i shprehë palës greke në kontaktet diplomatike qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë problem;

12. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare.

13. I rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqisëçështjen në instancat ndërkombëtare adeguate.

(er.nu/BalkanWeb)

Libri “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian” (1878-1881) vepër e rrallë në historiografinë shqiptare

06/12/2012 Lini një koment

Dr. Feti MEHDIU

LIBRI “LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT NË SHTYPIN EGJIPTIAN” (1878-1881) VEPËR E RRALLË NË HISTORIOGRAFINË SHQIPTARE

Dr. Feti Mehdiu

Dr. Feti Mehdiu

Magjistër Qemajl Morinës, gjatë studimeve në Kajro në vitet 1977-78, kur në Kosovë shënohej 100 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i lindi ideja dhe shfrytëzoi rastin e përshtat­sh­ëm që të hulumtojë një pjesë të shtypit arab – gazeta që botoheshin në Egjipt – dhe të vjelë shkrimet që i re­feroheshin Lidhjes shqiptare të Pri­zr­enit. Unë e përgëzoj për idenë dhe për rezultatet që ka arritur dhe dëshiroj që këtë rrugë të autorit Morina ta ndjekin edhe kuadro të tjera prej nesh, të cilët gjenden në studime anekënd botës.

Ma. Qemajl Morina qysh në vitin 1978, me kumtesën e paraqitur në konf­ere­ncën shkencore ndërkombëtare që iu kushtua njëqindvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u mbajt në Prishtinë, i dha sinjal opinionit shkencorë shqiptarë se në Egjipt po fshihet një lëndë me interes për his­torinë shqiptare, kurse tash pas tri dekadash, me përkrahjen e Bashkësisë Islame të Kosovës, i jep opinionit shkencor e kulturor shqiptarë një ve­për të rrallë: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian” (1878-1881).

Kjo vonesë ka ndodhur si me poro­si. Rastisi të realizohet në një moment kyç për Kosovën. Rrethanat aktuale në planin e politikës ndërko­mbëtare që i përjeton sot populli shqi­ptar, sidomos ai në Kosovë, ka shumë ngjashmëri me rrethanat e para një­qi­nd e tridhjetë vjetëve. Pikëpjekjet dhe pikëdallimet le t`i shqyrtojnë ekspertët me kompe­tencë për historinë, poli­tikën dhe diplomacinë shqiptare.

Dallimi thelbësor të cilin duhet përmendur këtu, sipas mendimit tim, është fakti se gjatë kësaj periudhe 100 vjeçare, pjesa dërmuese e botës së qytetëruar konstruktive janë bindur se në Kongresin e Berlinit, 1878, popullit shqiptarë iu bë padrejtësi e madhe. Ata sot janë vënë në përkrahje të popullit shqiptar dhe kanë vendosur që ta korrigjojnë gabimin e para një shekulli.

Në këtë vepër të Mr. Qemajl Morinës, hulumtuesit e historisë kombëtare gje­jnë një pasqyrë të qartë se si është reflektuar një ngjarje shumë e madhe në një vend shumë të largët gjeo­grafikisht për shqiptarët, por të afërt për shumë aspekte tjera. Ta theksojmë faktin nga i cili del edhe një pyetje.

Shqiptarët qysh në fillim të shekullit 19 u bënë faktor qeverisës në Egjipt. Në kohën e tyre fillon pikërisht në Aleksandri shtypi i përditshëm në gjuhën arabe. Tash hulumtuesve tanë u mbetet të përgjigjen, a thua në ato gazeta mos ka vepruar, në prapavijë, ndonjë Sami Frashër, sikur që ishte rasti me gazetat e Stambollit Terxhu­m­an-i shark dhe Terxhuman-i haki­kat?[1]

Fakti tjetër është se tani më bota arabe përmes disa shkrimeve të bo­tu­ara në shtypin e Libanit kishin mësuar se te populli shqiptar kishin vëllezërit e tyre edhe për kah përkatësia islame. Këtë e kanë theksuar disa herë edhe në Al-Ahram.[2]

Të shpresojmë se organet kompe­te­nte shkencore e kulturore të Koso­vës do të mendojnë edhe për këtë dhe do të nxisin e të përkrahin hulumtimet në këtë drejtim.

Libri, Lidhja Shqiptare e Prizre­nit në shtypin egjiptian 1878-1881, një titull, i cili sipas mendimit tim do të ishte më i plotë sikur të ishte shtypi arab egjiptian,[3] përkundra faktit se kjo është e qartë në brendi të veprës, për­bëhet nga tri pjesë:

Boshti i kësaj vepre është: Çë­shtja shqiptare në shtypin egjiptian. Pasojnë:

Shtojca 1, shtojca 2, dhe përmbyllet me literaturën ndihmëse që ka përdorur autori gjatë mbarështimit të kësaj vepre. Në pje­s­ën kryesore, së cilës i prinë pa­ra­thënia e autorit, f. 5-7, dhe va­zh­dojnë temat kryesore e këtij libri, shi­het se Egjipti nuk kishte korrespondent të vetin në këto vise, por shërbehej me burimet e shtypit dhe agjencive infor­mative nga Evropa: Vjena, Parisi, Lo­ndra dhe Stambolli, si: La korespondans, Ko­res­pondans vest, Leurop de politik, Viene Cajtung, Terxhumani hakikat, Al havadith, Elbstrolvid, Times, Rojters, Il Mesaggero, etj.[4], Është inter­e­sant fakti se disa herë e kanë shfrytëzuar edhe gazetën zyrtare Ko­sova.[5] Në librin e Morinës shohim se si janë reflektuar ato informata në shtypin e Kajros, në gazetat Alvakai al Misrijje dhe al-Ahram. Përmes këtyre organeve të shtypit arab në Egjipt, lexuesi i botës arabe përcillte ngjarjet që ndodhnin në një vend, për ata të largët gjeogra­fikisht- në Evropë, ko­n­kretisht ngjar­jet e mëdha që refl­e­k­to­nin padrejtësitë e mëdha që i bëheshin një populli, në numër jo aq të madh, por me emër të madh në këtë pjesë të Evropës – shqiptarëve.

Nga kjo vepër e Qemajl Morinës, sa për ilustrim, do të sjellim disa citate, pçr të cilët mendo se janë në funksion të informimit më të plotë për studi­uesit dhe hulumtuesit shqiptar.

Al-Ahram, me 29 janar 1880, ndër të tjera thoshte: “…shqiptarët me këto veprime dëshirojnë t ia bëjnë me dije Evropës se pa rregullimin e çë­shtjes së tyre në mënyrë të drejtë nuk do të ketë qetësi në këtë pjesë të Ev­ropës. Çështja shqiptare është me rëndësi të veçantë. Traktati i Berlinit mund të shqyrtohet dhe të bëhen ndry­shime në të, e koha ka ardhur që shte­tet e mëdha duhet ta kenë parasysh këtë.”

Gazetat arabe të Egjiptit Vakai Mi­srijje dhe al-Ahram, kjo e dyta va­zhdon edhe sot, duke filluar prej vitit 1876, të cilat i ka hulumtuar Ma. Qe­mal Morina,[6] për periudhën e ngja­rjeve të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, 1878-1881, me informatat që sillnin dhe frymën që u jepnin atyre info­r­ma­cioneve, e mbanin zgjuar ndërgjegjen e lexuesit arab se në Ballkan një po­pull i vogël,

”…Afër një milion shqiptarë… kër­kojnë më shumë të drejta nga Tra­ktati i Shën Stefanit, pasi që populli shqiptarë është popull shumë i vjetër dhe ata i meritojnë t`i gëzojnë të dre­jtat sikurse bullgarët.”

Dhe vazhdon:

“…ata janë tepër të revoltuar për lëshimin e një pjese të tokave të tyre nën sundimin bullgar me ndihmën e Rusisë… Bullgarët nuk janë në gjendje të përdorin armët, por pas tyre fshihen 100.000 ushtarë rus.[7]

Në faqet e al-Ahramit, lexuesi arab, siç po shihet gjatë periudhës më dramatike të Lidhjes Shqiptare të Priz­renit, kishte informacione për tëra ngjarjet që ndodhnin me tokat shqi­ptare. Ishte i informuar për pazarllëqet që bëheshin me Plavën e Gucinë, me Ulqinin, Hotin e Grudën, etj. Gazetat arabe inkurajonin opinionin shqiptarë që të vazhdojë kërkesat për zgjidhjen e çështjes shqiptare, sepse “… populli shqiptar sot nuk është ai i djeshmi, populli shqiptarë është zgjuar dhe është pjekur, posedon armë moderne, të cilat i kanë ardhur pa pritur, ata janë ngritur në kryengritje me vepra jo me fjalë…”[8]

Në pjesën e dytë, f. 125, vjen:

Shtojca 1. Artikuj të botuar në të përditshmen Rilindja. Këta artikuj janë botuar në vitin 1979, në të për­ditshmen Rilindja dhe paraqesin një vazhdimësi të informacioneve, të cilat i kanë parapri veprës së Ma. Qemal Mo­rinës, të cilën sot e ka në dorë opinioni shqiptar. Këta artikuj janë në shërbim të njohjes së popullit shqiptarë në opinionin arab, jo vetëm për situatën politike por edhe për atë gjuhësore. Profesor Hasan Dada lidhur me gju­hën shqipe thotë: “Çështja e kësaj gjuhe të habit. Qëndroi me mijëra vjet si ishull gjuhësor në mes të dy po­pu­jve më të qytetëruar dhe perandorive më të mëdha…. kur motrat e saj janë qit në pluhurin e harresës, ajo dëgjo­het në tokat shqiptare të Siujdhesës Ballkanike…[9]

Disa nga këto informata i gjejmë edhe në pjesën e parë.

Në pjesën e tretë, f. 153, vjen:

Shtojca 2. Faksimile të artikujve të botuar në “El-Ahram” dhe “Vekai Misrijje”.

Këtu jepen faksimilet e gazetave që ka hulumtuar autori i kësaj vepre. Me këtë ia shton vlerën shkencore kësaj vepre, sado që janë të ndara nga teksti i përkthyer në gjuhën shqipe.

Në fund, vjen Literatura, për të ci­lën mendoj se në rast ribotimi do të ishte mirë që autori Morina të ketë parasysh një radhitje më korrekte.[10] Gjithashtu ka mundësi që këtë lite­raturë ta pasurojë me informacione bi­bl­iografike të cilat i referohen pasqyrimit të ngjarjeve të Lidhjes shqiptare të Prizrenit në periodikun e kohës.[11]

Vepra e Ma. Qemajl Morinës, Lidhja shqiptare e Prizrenit në shtypin egji­ptian 1878-1881, është një vepër e rra­llë për studiuesit e historisë, sidomos për historianët e periudhës së gjysmës së dytë të shekullit 19, dhe jo vetëm për historianët.

Kjo vepër mund dhe duhet t`u shërbejë edhe qarqeve diplomatike shqiptare, sidomos sot kur në qendrat vendosëse botërore zhvillohet një aktivitet sikur ai i viteve 1878,[12] për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës, nga e cila zgjidhje varet jo vetëm e ardhmja e popullit shqiptarë, por e tërë rajonit.

Përfundim

Unë shpresoj, dhe këtë shpresë e mbështes në potencialin hulumtues real që disponon sot Kosova, për këtë fushë, se institucionet shkencore e kulturore të Kosovës do të bëjnë më tepër se deri tash, për hulumtimin dhe vjeljen e kësaj lënde të çmueshme nga orienti për historinë kombëtare.

Sot kur, vetëm në Kosovë, falë fryteve të orientalistikës shqiptare ka dhjetëra kuadro – e në hapësirën shqi­ptare ka edhe më shumë – është një obligim historik i këtij brezi, që hu­lumtimet në hapësirën arabe: Kajro, Liban, Damask e gjetiu, ku ka mbet i mbuluar nga pluhuri i historisë një pasuri e madhe për kulturën shqiptare, të mos i lejë në fatin e hulumtimeve individuale.

Ma. Qemajl Morina me këtë vepër ka arrit që me një botim të veçantë nga kjo fushë të vejë një gurë i cili peshon rëndë në themelet e këtyre hulumti­me­ve, që është për lakmi dhe për urime.

Institucionet kompetente të Koso­vës, besoj se do të jenë më eks­peditivë dhe do të veprojnë në përputhje me rrethanat dhe detyrat që parashtrohen në këtë drejtim, ngase koha bën punën e vet.

Për këto hulumtime duhen më shumë hulumtues.

Botuesi, “Dituria Islame” që ve­pron në kuadër të Kryesisë së Ba­shkësisë Islame të Kosovës meriton çdo respekt për këtë realizim të su­ksesshëm. Mbetet të shpresojmë se kjo veprimtari nuk do të mbetet me kaq.


[1] Konferenca Shkencore e 100-vjetorit të Li­dhj­es Shqiptare të Prizrenit, I, Prishtinë, 1981, f. 405, Feti Mehdiu, Lidhja shqiptare e Prizrenit në Terxhuman-i Shark, fusnota 2.

[2] Ma. Qemal Morina, Lidhja shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian, 2006, Prishtinë, f. 18. (në vazhdim vetëm: Ma. Qemal Morina, Lidhja…)

[3] Ky përcaktim është më i saktë nga arsyeja se në Egjipt janë botuar edhe gazeta në gjuhë të tjera.

[4] Shih: Ma. Qemal Morina, Lidhja…, f. 29, 53, 56, 116, etj.

[5] Po aty, f. 53.

[6] Krahaso faqe 13, me artikullin: Feti Mehdiu, Disa të dhëna të shtypit arab për Lëvizjen kombëtare shqiptare, Kosova, nr. 5, 1976, Prishtinë, f. 177, fus. 1., sipas të cilës duket se në faqe 13 është përvjedhur gabimisht viti 1875.

[7] Ma. Qemal Morina, Lidhja…, f. 18.

[8] Po aty, f. 37.

[9] Po aty, f. 140.

[10] Duhet respektuar radhitja sipas A-b-c-së, të cilën gjë autori, me siguri nga shpejtimi nuk e ka vërejtur.

[11] Ma. Qemajl Morina i referohet me shumë korrektësi veprës Konferenca shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. I, II, Prishtinë, 1981 dhe ka përmend disa nga ato kontribute, por do të ishte me interes sikur të evidentoheshin edhe kontribut: “Srpske novine” mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në shtypin e Malit të Zi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në Terxhuman-i Shark, Jehona e Lidhjes së Prizr­enit në të përkohshmet shqipe, 1878-1912, Trajtimi i autonomisë së Shqipërisë në shtypin kroat, dhe ndonjë tjetër që trajton tematikë të ngjashme me këto.

[12] Në zhvillimet e sotme ka një dallim thelbësor në raport me ato të para njëqindetridhjetë vjet­ëve. Asokohe ishin në skenë forcat me oreks gllabërues të trojeve shqiptare, kurse sot ka dashtë Zoti që të jenë në skenën politike bo­tërore forca të cilat angazhohen për zgjidhjen e drejtë të problemit shqiptarë, me qëllim të korrigjimit të padrejtësive kundër shqiptarëve në të kaluarën dhe për hir të stabilizimit në rajon.

Dhurata Struga (Hafizi), mbesa e Myrteza Ali Strugës, firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë

05/12/2012 Lini një koment

DHURATA STRUGA (HAFIZI), MBESA E MYRTEZA ALI STRUGËS, FIRMËTARIT TË DEKLARATËS SË PAVARËSISË

Dhurata Struga (Hafizi)

Dhurata Struga (Hafizi)

Me rastin e festës së 100 vjetorit të Pavarësisë u njoftua se do të hapet ekspozita me portretet e 40 firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë, piktura të realizuara nga Arben Morina. Vendosa që të shkoja ta shikoja këtë ekspozitë, për më tepër që njëri nga 40 firmëtarët është edhe xhaxhai im Myrteza Ali Struga. E vizitova ekspozitën por ngela e befasuar nga diçitura që ishte vendosur në pikturën e xhaxhait tonë Myrteza Ali Struga. Po e shkruaj diçiturën fjalë për fjalë:

Lindur në Strugë, rreth dekadave të fundit të shek. XIX. Shumë pak të dhëna diskutohen nga biografia e tij, ngaqë nuk ka mbetur trashëgimi. Pas disa përpjekjeve, mundëm të gjejmë para disa vitesh në Strugë vendin ku ndodhej godina e banesës së tij, por që sot është zëvendësuar me të tjera, jo prej të afërmve të doktorit. Në kuvendin e Vlorës, në nëntor 1912, përfaqësoi Strugën dhe me këtë status firmosi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, me siglën “Dr. H. Myrteza”.

Nga kjo diçiturë del se Myrteza Ali Struga ishte pa trashëgimi, ndërkohë që ai ka katër djem, tre vajza dhe rrjedhimisht shumë nipër e mbesa dhe që të gjithë banojnë në Tiranë. Kur pashë këtë diçiturë m’u kujtua shkrimi në një gazetë të Shkupit të datës 28 Nëntor 2011 ku thuhej për Myrteza Ali Strugën se:

Duke shikuar me kujdes dokumentin me nënshkrimet e nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë, latohet edhe emri ”Dr. H. Myrteza”?! Struga dhe natyrisht Struganët, krenohen me të gjitha figurat dhe personalitetet e Rilindjes Kombëtare, e bashkë me ta edhe Dr. Ali Myrtezain, jo vetëm delegat por edhe nënshkrues i Aktit të Pavarësisë në Kuvendin e Vlorës, më 28.11.1912. Deri më tani, nuk është publikuar diçka më shumë për këtë personalitet, ose së paku autori i këtyre rreshtave nuk ka hasë në shënimet dhe publikimet për këtë figurë të historisë shqiptare në përgjithësi”.

Më pas, njëri nga fëmijët e Myrteza Ali Strugës ka shkruar disa artikuj për babanë e tij  për të vënë në dukje veprimtarinë e jetës së Dr. Myrtezait. Por me gjithë këto artikuj të djalit të tij, më erdhi keq që ai opinion i parë për Myrteza Ali Strugën si “njeri pa trashëgimtarë” kishte mbetur ende sot në diçiturën e pikturës së Myrteza Ali Strugës, realizuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Mendoj se kjo ngatërresë ka ndodhur pasi fëmijët e tij (s’e di arsyen) kanë ndërruar mbiemrin nga Struga në Dibra.

Shukri StrugaNë fakt, djali i Myrteza Ali Strugës e ka përshkruar mjaft mirë veprimtarinë patriotike të babait të tij, por pa qenë e nevojshme ai ka shkruar në këto artikuj edhe për dy vëllezërit e babait të tij Zejnel dhe Shukri Struga, por më vjen keq që në lidhje me vëllezërit Zejnel dhe Shukri Struga ka shkruar disa të pavërteta. Meqenëse ai kishte dëshirë të shkruante për xhaxhallarët e tij, të paktën të konsultohej dhe të merrte të dhëna të sakta nga ne fëmijët e tyre që s’jemi të pakët këtu në Tiranë. Prandaj e ndiej detyrim moral, si vajza e vogël e Shukri Strugës, që të sqaroj këto të pavërteta rreth babait tim Shukri Struga dhe xhaxhait tim Zejnel Struga, pasi dëshiroj që ata që i kanë njohur prindërit tanë në Strugë të mos ngelen të zhgënjyer nga heshtja jonë dhe të mendojnë që edhe vëllezërit e Myrteza Ali Strugës janë pa “trashëgimtarë”. Përkundrazi ata kanë lënë shumë trashëgimtarë dhe të gjithë jetojmë në Tiranë dhe Durrës.

Zejnel Struga ka pasur dy vajza dhe tre djem, ndërsa Shukri Struga ka pasur gjashtë vajza. Së bashku me nipërit dhe mbesat e tyre ne jemi një familje e madhe Strugane në Shqipëri.

Siç e thashë edhe më sipër, djali i Myrteza Ali Strugës ka paraqitur shumë mirë veprimtarinë patriotike të të atit dhe jemi shumë krenarë që kemi pasur një xhaxha kaq të nderuar. Por për hir të së vërtetës po kaq krenarë jemi edhe për baballarët tanë Zejnel dhe Shukri Struga. Ndoshta Struganët që i kanë njohur janë habitur nga të pavërtetat që janë shkruar për ta, prandaj këto gabime, të bëra besoj pa dashje, kam dëshirë që t’i sqaroj nëpërmjet këtij artikulli.

Xhaxhai i madh Myrtezai së bashku me gruan dhe fëmijët e tij kanë jetuar në një shtëpi më vete në Strugë, kurse dy vëllezërit e tjerë të Myrtezait, Zejneli dhe Shukriu kanë jetuar me familjet e tyre në një shtëpi të përbashkët në Strugë në rrugën 1 Maji, ku sot banon familja Pollozhani.

Shtëpia e Zejnel dhe Shukri Strugës

Në fakt, gjyshi ynë Ali Struga ka qenë në gjendje të mirë ekonomike dhe pasurinë e tij ia ndau fëmijëve. Xhaxha Myrtezai u tregua më largpamës, sepse mendoi që pasurinë e tij ta investonte për shkollën të cilën e kreu në Stamboll (për shkollimin e tij ka folur gjerë e gjatë djali i tij). Dy vëllezërit e tjerë Zejneli dhe Shukriu e investuan pasurinë e tyre për t’u marrë me tregtinë e manifakturave, me të cilat furnizoheshin nga e gjithë Europa. Njëkohësisht ndërtuan edhe një shtëpi dykatëshe në adresën e mësipërme, shtëpi e cila kishte një oborr që arrinte deri në lumin Drini i Zi, për të cilën Struganët sot shprehen se për atë kohë ka qenë shtëpia më e mirë e ndërtuar në Strugë. Me kalimin e viteve pasuria e tyre u rrit nga tregtia dhe bëri të mundur që ata të shtojnë pronat e tyre në mënyrë progresive. Të jesh “vetëm një shitës” është punë e ndershme si çdo punë, por fakti siç duket nga sa më sipër flet ndryshe dhe nuk kemi pse gënjejmë sepse në fakt dy vëllezërit Zejnel dhe Shukri Struga ishin shumë të pasur dhe jo vetëm kishin pasuri për shkollimin e fëmijëve të tyre, por kanë bërë bamirësi edhe për shumë njerëz në nevojë (sa për vërtetësi djali i Zejnelit, Xhevat Struga, ka studiuar për farmaci në Gjermani dhe jo në Austri).

Foto në Strugë, 1926Qyteti i Strugës i njeh mirë vëllezërit Zejnel dhe Shukri Struga sepse për atë kohë ata ishin tregtarët më të mëdhenj të qytetit dhe njerëz shumë të respektuar. Motrat e mia më të mëdha sa herë që shkojnë në Strugë gjejnë miq që kanë njohur prindërit tanë dhe japin opinionet më të mira për ta. Kjo gjë na nderon së tepërmi.

Dëshiroj të theksoj se nga prindërit kam mësuar se harmonia ndërmjet tre vëllezërve Myrteza, Zejnel dhe Shukri ka qenë gjithmonë e admirueshme, ndërkohë që pasuritë i kishin krejtësisht të ndara.

Shtëpia në StrugëPër arsye të veprimtarisë patriotike, xhaxha Myrtezait iu desh të largohej nga Struga kundër dëshirës së tij bashkë me familjen sepse shihej me sy jo të mirë nga regjimi i kohës. Më vonë për të njëjtën arsye, u bë i rëndë qëndrimi në Strugë edhe për dy vëllezërit e tij Zejnel dhe Shukri Struga, pasi edhe ata e përkrahnin veprimtarinë patriotike të vëllait të madh Myrtezait. Si për çudi, në të njëjtën kohë u projektua “nga lart” falimentimi i tregtisë së dy vëllezërve Zejnel dhe Shukri Struga nëpërmjet administratorit të tyre Mitre Radozhda. Shtëpia e tyre dykatëshe dhe gjithë pronat e tyre përfunduan në duart e administratorit. Kjo gjë shpejtoi ikjen e tyre nga Struga për në Shqipëri.

Kur erdhën në Shqipëri secili prej vëllezërve e rindërtoi jetën në shtëpi më vete me familjen e tij. Fatkeqësisht gjendja ekonomike e tre vëllezërve tashmë ishte ndryshe nga ajo e Strugës dhe asnjëri s’kishte mundësi të ndihmonte njëri-tjetrin, pasi secili kishte vështirësitë e veta. Pra, secila familje pati një fillim të vështirë në Shqipëri por me shumë punë arritën të mbijetonin.

Dy ditë para 28 nëntorit mësova se pllaka përkujtimore në nderim të Myrteza Ali Strugës nuk do të vendosej në shtëpinë e tij, por në shtëpinë e dy vëllezërve të tij Zejnel dhe Shukri Struga. Ne krenohemi me emrin e xhaxhait tonë dhe na vjen mirë që kjo pllakë vihet në shtëpinë e vëllezërve të tij, megjithatë i propozova djalit të Myrtezait që meqenëse në të vërtetë shtëpia ku do të vihet pllaka përkujtimore është shtëpia e Zejnel dhe Shukri Strugës, vëllezërve të Myrtezait, do të ishte në nderin e të gjithëve që në pllakën përkujtimore të shtohej edhe një rresht i vetëm ku të thuhej se “Myrteza Ali Struga ka banuar në këtë shtëpi së bashku me vëllezërit e tij Zejnel dhe Shukri Struga”, por kjo gjë nuk u realizua. Ky veprim krahas nderit për xhaxha Myrtezain m’u duk njëkohësisht si humbje identiteti për dy vëllezërit e tjerë Zejnel dhe Shukri Struga, të cilët e ngritën këtë shtëpi me shumë punë e mund.

Në fakt, ne sa herë vijmë në Strugë në verë me pushime, afrohemi pranë shtëpisë tonë sepse kemi mall dhe na duket sikur kemi lënë një pjesë tonën brenda saj. Mirë pronat që humbën, por të paktën të gdhendej emri i baballarëve tanë në muret e asaj shtëpie. Sa për dijeni vajza ime nga ato që ka dëgjuar nga ne për prindërit tanë dhe për Strugën, ka një dashuri shumë të madhe për këtë qytet. Përveç kësaj, ajo e do shumë Strugën edhe për njerëzit e saj të mirë dhe bukurinë e rrallë të këtij qyteti, që me të drejtë quhet qyteti i poezisë. Ajo është aq e dhënë pas Strugës saqë me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së gjyshes së saj, nënës sime Fatime Struga (bashkëshortja e Shukri Strugës), bëri një video album me fotot e tërë familjes tonë “Struga” në formën e një peme gjenealogjike të kësaj familjeje autoktone Strugane. Këtë album e kanë edhe kushërinjtë tanë në Strugë. Ky album u bë me dashuri për prindërit tanë dhe për Strugën si Struganë që jemi.

Mendoj që me këtë shkrim hodha dritë mbi të vërtetat kryesore për dy vëllezërit Zejnel dhe Shukri Struga, pasi veprimtaria e tyre ka qenë edhe më e madhe se kaq. Me këtë mendoj që kam kryer një minimum të detyrimit tim ndaj tyre, të cilët ishin po aq të mirë dhe dinjitozë sa vëllai i tyre i madh Myrteza Ali Struga.

Me këtë rast po i prezantojmë Struganët edhe me familjet e tre vëllezërve Myrteza, Zejnel dhe Shukri Struga si më poshtë.

Familja e Myrteza Ali Strugës

====================================

Familja e Zejnel Ali Strugës

====================================

Familja e Shukri Ali Strugës

P. S.:

Në fund të këtij artikulli po citojmë disa nga të pavërtetat e shkruara nëpër artikuj të ndryshëm rreth Zejnel dhe Shukri Strugës. Të pavërtetat janë shënuar me nënvizim.

Duke parë perspektivën e zhvillimit të farmacisë së tij në Strugë dhe gjetkë, ai dërgon me studime në Austri, me shpenzimet e veta, nipin e tij, Xhevat Strugën, një djalë i zgjuar i shkathët dhe energjik i cili diplomohet atje (djali i Zejnel Strugës, në atë kohë tregtar, i cili së bashku me Shukri Strugën, vëllanë e tij, dhe ortakun Mitre Radozhda, kishin dyqanin e tyre në Strugë).”

“Dy vëllezërit e tij Zejneli dhe Shukriu, falimentuan në tregti. Doktor Myrtezai u detyrua të nxirrte në ankand shtëpinë e tij dhe tokat që zotëronte, për të shpëtuar të dy vëllezërit.”

Pikërisht në atë kohë falimentojnë nga tregtia në Strugë dy vëllezërit e tij, Zejnel dhe Shukri, të cilët kishin një dyqan të përbashkët bashkë me një tregtar tjetër maqedonas. Ky i fundit duke përfituar nga ikja e doktor Myrtezait nga Struga vë dorë mbi pasurinë e doktor Myrteza Ali Strugës, e rrëmben shtëpinë e tij dykatëshe të Strugës gjoja për nevojat e bashkisë së qytetit, por në fakt e përvetëson me falsifikime dhe me matrapazllëqe. Po në këtë mënyrë përfunduan edhe tokat e shumta që dispononte doktor Myrtezai”.

Vëllai i Myrtezait, Zejneli, nuk ka mbaruar për farmaci në Vjenë, sepse ai ka qenë vetëm një shitës. Për farmaci ka mbaruar me shpenzimet e Myrtezait, djali i Zejnelit, Xhevat Struga”.

Me dashuri dhe respekt për të gjithë Struganët.

Dhurata STRUGA (HAFIZI)

/Orientalizmi Shqiptar/

Një historik i shkurtër i 28 nëntorit 1912

02/12/2012 Lini një koment

Besart PECI

NJË HISTORIK I SHKURTËR I 28 NËNTORIT 1912

Besart Peci

Besart Peci

Neve shqiptarëve si popull përkundër privilegjeve që kemi, trimërisë e rezistencës shekullore kundrejt valëve armiqësore, na pëlqejnë shumë lëvdatat e mburrjet me heronj, “festat kombëtare”, ndonjë ngjarje historike e imagjinuar dhe shumë e shumë gjëra të tjera.

Kur janë këto përvjetorë, padyshim se të gjithë jemi të fokusuar në ditëlindjen e 100-të të shtetit amë. Shohim fillimet e përgatitjeve për festim, aktivitete të ndryshme, madje edhe interesante e të mundimshme. (sepse punët i kemi rregulluar veçse na ka mbetur ta teprojmë me shpenzime)

Përveç festimeve, shohim përgatitjet edhe të shumë aktiviteteve historike, ngjarjeve kulturore, dhe një rishfletim të asaj se çfarë ndodhi 100 vjet më parë.

Vazhdimi i  mësimit të historisë sonë në mënyrë të padrejtë, me fakte të pavërteta, vluarje paragjykimesh, nganjëherë na bënë jo-krenarë me identitetin tonë, me të kaluarën tonë dhe me gjithçka autentike që është e jona. Nisur nga kjo, do ishte një super-dhuratë hedhja e idesë për korrigjimin e historisë nga ana e udhëheqësve tanë. Kjo do ishte më e frytshme sesa fjalët patriotike që po i lançojnë nëpër manifestime kudo në trojet shqiptare. Madje edhe në ditëlindjen e 100-të, Shqipëria nuk e ka aktin origjinal të pavarësisë.

Nëntori i 1912-ës?

Brenga e europianëve ishte se si ta shkatërrojmë Shtetin Osman dhe pastaj si t’i ndajmë tokat e kësaj perandorie që t’i zvogëlojmë shanset në maksimum që mos ribashkohen më.

Duke qenë se disfata e Perandorisë Osmane në Europë shquhej qartë udhëheqësit shqiptarë u përpoqën të organizonin një përpjekje të bashkërenduar për të ruajtur tërësinë territoriale të Shqipërisë. Megjithatë, sado të mëdha të ishin përpjekjet e tyre, beteja vendimtare e Shqipërisë duhej zhvilluar jo në malet dhe fushat e Ballkanit, por në zemrat dhe mendjet e politikanëve perëndimorë, fati i së cilës ishte në dorë të tyre.

Më 19 nëntor të vitit 1912, Qemal Bej Vlora u kthye nga Europa në Durrës që të mbante një kongres kombëtar. Ai urdhëroi ministrin e brendshëm që të mos lejonte që ky kongres të mbahej, meqenëse qeveria donte t’i ruante lidhjet me Shqipërinë. Duke mos qenë në gjendje për të mbajtur kongresin në Durrës, Ismail Bej Vlora e shpërnguli bazën e veprimeve në Vlorë, ku i biri Et’hemi u kishte bërë thirrje ndërkohë përfaqësuesve të qyteteve nga e gjithë Shqipëria.

Më 28 nëntor, Ismail Bej Vlora shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe formoi qeverinë e përkohshme. Shumë shpejt edhe Durrësi, Berati dhe Gjirokastra e shpallën pavarësinë e tyre ( pasi armiku na ngushtoi territorin vetëm në këto qytete).

Këshilli osman i ministrave ishte shumë i pakënaqur me këtë rrjedhë që morën ngjarjet, duka pasur frikë se mos paralajmëronte pavarësia shqiptare telashe të tjera për perandorinë.  Ata më shumë pëlqenin autonomin e saj në suazën osmane.

Pas pavarësisë?

Pas 1912-ës, Evropa ishte hartuese e fateve tona. Shqipëria ishte në një gjendje të vështirë. Pjesa më e madhe e tij vazhdonte të qëndronte e pushtuar nga ushtritë serbe dhe greke, që ushtronin terror dhe masakra çnjerëzore ndaj shqiptarëve.

Konferenca e Ambasadorëve u mblodh në Londër për të diskutuar vendimin e tyre për fatin e tokave shqiptare, ose më mirë të themi për ta cunguar territorin shqiptar. Europianët kinse garantuan neutralitetin e trojeve shqiptare, ata i rezervuan vetes privilegjin për ta zgjedhur një princ të huaj për të qeverisur vendin, që më vonë përzuri të parin e shqiptarëve.

Qeveria e Beogradit në kundërshtim edhe me vendimet e konferencës së Londrës, kishte vendosur në mënyrë arbitrare një kufi strategjik që kalonte gjatë luginës së Drinit duke përfshirë pjesërisht edhe Matin, gjoja për të siguruar mbrojtjen nga sulmet e shqiptarëve dhe po përpiqej me të gjitha mënyrat ta detyronte popullsinë e zonës strategjike të kërkonte bashkim me Serbinë. Për këtë qëllim ajo i kërcënoi malësorët me vdekjen nga uria duke i izoluar në vendin e tyre. Në deklaratën që ishte shtojcë e fshehtë e Traktatit pan-ortodokse të aleancës midis Greqisë dhe Serbisë, më 19 maj 1913, u ndanë sferat e interesit mes tyre. Territori prej grykës së lumit Seman deri në malin e Kamjes hynte në sferën serbe. Pjesa jugore e Shqipërisë, prej kësaj vije, hynte në sferën greke. Austro-Hungaria shfrytëzoi kontradiktat nacionale midis Shqipërisë dhe dy fqinjëve të saj, Serbisë dhe Malit të Zi, dhe i përdori patriotët shqiptarë në interes të synimeve të saj.

Po pra, europianët e “civilizuar” pa menduar ia dhuruan Kosovën si dhuratë ortodoksëve, Çamërinë ortodoksëve dhe një pjesë të bukur Malit të Zi si dhe Iliridën maqedonasve po ashtu ortodoksë.

Kështu edhe ia lanë një copë trotuari popullit shqiptar që sot e atë ditë quhet “Shqipëri”!

Pavarësia e shqiptarëve erdhi më tepër si rezultat i një bashkërrjedhjeje mes zhvillimeve në vend dhe ato jashtë tij, sesa nga dëshirat dhe vullneti i vetë shqiptarëve.

A ishte kjo kërkesa e prijësve të Lidhjes së Prizrenit? A ishte kjo kërkesa e trimave shqiptarë që rezistuan dhe luftuan gjerë në fund? A ishte kjo dëshira e udhëheqësve e patriotëve shqiptarë?

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 59 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: