Promovime

==========

Promovohet libri “Arkitektura osmane në Shqipëri”

Arkitektura osmane në Shqipëri, 1385-1912, Machiel Kiel

Titulli i librit: ARKITEKTURA OSMANE NË SHQIPËRI, 1385-1912

Autori: Dr. Machiel Kiel

Botues: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam

Viti i Botimit: 2012

 

Për herë të parë në gjuhën shqipe: Gjithçka mbi historikun e arkitekturës dhe administrimit osman në vendin tonë

Në mjediset e panairit të 15-të librit “Tirana 2012”, ditën e shtunë, u promovua botimi më i fundit i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) “Arkitektura osmane në Shqipëri”, me autor studiuesin holandez Machiel Kiel.

Aktiviteti u çel me fjalën e studiuesit dhe botuesit Dr. Ramiz Zekaj, i cili theksoi rëndësinë që ka për kulturën shqiptare ky libër, por edhe detaje nga jeta dhe përvoja hulumtuese e studiuesit holandez Machiel Kiel nëpër vendet e ndryshme ballkanike dhe në Shqipëri.

Më tej, për veçantinë e këtij studimi dhe rolin e madh që ka për kulturën shqiptare, folën edhe studiuesit Prof. dr. Aleksandër Meksi dhe Prof. Dr. Sulejman Dashi, të cilët e konsideruar këtë vepër si “enciklopedi” të trashëgimisë kulturore osmane në Gadishullin Ballkanik. Ky është një libër themelor që përmbush hendekun e  të dhënave të qytetërimit osman në historinë e kulturës së trevave ballkanike dhe shqiptare në mënyrë të veçantë. Deri në dekadat e fundit, kryesisht për shkak të arsyeve politike, kishte një injorancë të plotë mbi trashëgiminë osmane në Evropën Lindore, edhe pse përgjatë pesë shekujve ky rajon ishte pjesë integrale e botës muslimane dhe qytetet e Ballkanit ishin ndër qytetet më të rëndësishme të Perandorisë Osmane. Pas përfundimit të autoritetit osman në Gadishullin Ballkanik, shumica e ndërtesave osmane u shkatërruan dhe u trajtuan jo siç duhet, sidomos gjatë shekullit XX. Sikurse tregon Prof. Kiel: “Në disa vende të Ballkanit ende është më e lehtë për të shembur një xhami se sa për ta restauruar atë”. Duke qenë i vetëdijshëm për këtë situatë, Kiel ka udhëtuar në Ballkan çdo vit që nga viti 1959 dhe e ka kaluar jetën e tij duke mbledhur informacione në lidhje me ndërtesat osmane në rajon.

Në sajë të përpjekjeve të tij të mëdha, në librin “Arkitektura Osmane në Shqipëri, 1385-1912” ne kemi mundësinë për të pasur të dhëna në lidhje me një sasi të konsiderueshme të monumenteve osmane, disa prej të cilave edhe pse të shkatërruara, me informacionin e sjellë rreth tyre, ringjallin kujtesën historike për brezat e kohës sonë. Analiza është vendosur në kontekstin e administratës shtetërore, të jetës kulturore e sociale dhe të sistemit institucional. Si i tillë, libri është shumë më tepër se një studim arkitekturor; ai reflekton, gjithashtu, sistemin administrativ osman të aplikuar në provinca, funksionet sociale të shtetit, si dhe strukturën institucionale të shoqërisë.

Në fund të promovimit u theksua fakti se historianët e arkitekturës do ta vlerësojnë më së shumti librin dhe studentët e periudhës osmane dhe të historisë së artit evropian do të përfitojnë, gjithashtu, nga ky studim mbi baza të shëndosha.

==========

Promovohet libri që dëshmon shkatërrimin e trashëgimisë islame në Kosovë

Shkatërrimi i trashëgimisë islame në Kosovë

Java e Tolerancës dhe Pajtimit vazhdon me Promovimin e Librit të titulluar “Shkatërrimi i trashëgimisë islame në Luftën e Kosovës, 1998-1999”

Sot në Prishtinë u promovua libri i titulluar “Shkatërrimi i Trashëgimisë Islame në Luftën e Kosovës 1998-1999”.

Autor i këtij libri është Sabri Bajgora, Kryeimami i Kosovës, ndërsa është redaktuar nga Robert Elsie dhe Petrit Selimi.

Libri përmban fotografi shtesë dhe një parathënie nga Andras Riedlmayer nga Programi Aga Khan për Arkitekturë Islame i Universitet të Harvardit.

Publikimi është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe donatorët ndërkombëtarë të përfshirë përmes nismës Interfaith Kosova.

Gjatë promovimit, Bajgora tha: “Gatishmëria jonë për të jetuar së bashku, përkrahur nga nismat ndërfetare nga ana e Qeverisë, kanë kontribuar në rivendosjen e tolerancës për të cilën ne si kosovarë jemi shquar gjithmonë. Prandaj, unë dua të theksoj se qëllimi ynë nuk është që t’i ringjallim armiqësitë e vjetra. Ajo që ne synojmë është që t’u lëmë brezave të ardhshëm një dokumentim të detajuar për atë së çfarë ka ndodhur, me qëllim që të mos përsëritet më kurrë”.

Robert Elsie tha se ky projekt ka filluar realizimin dy vite më parë, në pranverë të vitit 2012, kur Petrit Selimi e kontaktoi dhe i kërkoi nëse do ta ndihmonte në përgatitjen e një katalogu për regjistrimin e dëmeve të tmerrshme që kanë pësuar monumentet kulturore islame në luftën e Kosovës të 1998-1999”.

“Unë e pranova këtë punë, sepse e ndjeva që kishte ende shumë për t’u bërë për të vetëdijesuar publikun ndërkombëtar për Kosovën dhe problemet e shumta që ka trashëguar nga e kaluara e zymtë”, tha ai. “Përderisa populli i Kosovës e di çfarë ka ndodhur në vendin e tyre në vitet 1998 dhe 1999, shkatërrimi i bërë ndaj trashëgimisë dhe arkitekturës islame ka mbetur kryesisht i panjohur në skenën ndërkombëtare”.

Libri “Shkatërrimi i Trashëgimisë Islame në Luftën e Kosovës 1998-1999” është promovuar në kuadër të “Javës së Tolerancës dhe Pajtimit” të këtij viti duke ofruar një platformë për komunitetet lokale dhe audiencën globale për të reflektuar për gjendjen e marrëdhënieve ndërfetare. /Telegrafi/

 

Burimi: http://www.telegrafi.com/magazina/promovohet-libri-qe-deshmon-shkaterrimin-e-trashegimise-islame-ne-kosove-18-1391.html

==========

U promovua “Identiteti islam i Europës”

Identiteti islam i Europës

Në praninë e një auditori të zgjedhur, si dhe të referuesve të denjë, por edhe të vetë autorit, u realizua promovimi i parë i veprës “Identiteti islam i Europës”.

Ashtu siç ishte planifikuar, Fondacioni “Qendra e Civilizimit Islam” (FOCIC) të shtunën, më 14 dhjetor 2013, në Tiranë e promovoi librin “Identiteti islam i Europës” të autorit Ferid Muhiq. Ky libër që është botuar nga SHB “Logos-A” nga Shkupi, ndërsa me mbështetje të FOCIC-it, paraqet një vepër kapitale të filozofit boshnjak nga Maqedonia Ferid Muhiq, e cila para se të dalë në gjuhën e saj origjinale – boshnjakisht, doli në gjuhën shqipe. Në praninë e një auditori të zgjedhur, si dhe të referuesve të denjë, por edhe të vetë autorit, u realizua promovimi i saj i parë pas daljes nga shtypi. I pari në këtë promovim foli prof. Nexhat Ibrahimi nga Prizreni, i cili duke marrë shkas nga të dhënat dhe mesazhi i librit, foli për rëndësinë që ka libri për t’i plotësuar të dhënat tashmë të botuara se islami erdhi edhe në trojet iliro-shqiptare qysh në mesjetë. Ai u shpreh se ky libër është një dëshmi më shumë se Europa është myslimane po aq sa është kristiane dhe një vegëz më shumë në ndërkomunikimin religjioz për të ardhmen e përbashkët të kontinentit të vjetër. Pas tij foli sociologu Ergys Mërtiri, i cili u ndal në keqkuptimet dhe stereotipat që janë krijuar edhe ndër shqiptarët për termin “Identitet evropian” dhe rëndësinë që ka ky libër, i cili e ndryshon rrënjësisht qasjen e gabuar se të jesh evropian kjo apriori nënkupton që nuk mund të jesh mysliman. I fundit nga referuesit ishte pedagogu i Universitetit të Arteve, Edison Çeraj, i cili duke e rrokur këtë vepër në kuadër të botës mendimore të filozofit Ferid Muhiq, foli për guximin intelektual që sjell kjo vepër dhe faqen e re të debatit shkencor që duhet ta nxisë ajo. Në fund foli edhe autori i librit, prof. Ferid Muhiq, i cili i falënderoi të pranishmit, FOCIC-in, botuesin, por edhe referuesit. Pastaj në dy-tri fjalë foli për mesazhin qendror të librin, i cili – tha ai – ka për synim ta ndryshojë perceptimin e Europës dhe të islamit në të. Pas kësaj u zhvillua edhe një debat, në të cilin u inkuadruan edhe të pranishmit përmes pyetjeve dhe komenteve të tyre. Promovimi përfundoi me dhurimin e librave dhe nënshkrimin e tyre nga vetë autori.

Promovimet e këtilla do të vazhdojnë edhe në Prishtinë e Shkup, ndërsa libri së shpejti do të botohet edhe boshnjakisht. Ky libër është përkthyer edhe në anglisht dhe së shpejti do të jetë edhe në gjuhën gjermane dhe turke. /Shenja/

==========

PROMOVOHET LIBRI “LIDHJET LETRARE SHQIPTARE-ARABE” NGA DR. MUHAMED MUFAKU (ARNAUTI)

Qendra Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania), në vazhdën e aktiviteteve dhe botimit të librave të ndryshëm në fushën e Orientalistikës, botoi dhe promovoi njëkohësisht dhe librin e Dr. Muhamed Mufakut, që njëkohësisht është dhe punimi i tij i doktoraturës, me titull ‘Lidhjet letrare shqiptare-arabe”.

Në ambientet e bar-librari E7E (E Përshtatshme), në një ambient oriental dhe nën shijen e çajrave të ndryshëm me shije orientale, më datë 30/12/2009 me pjesëmarrjen e shumë bashkëpunëtorëve, krijuesve, intelektualëve dhe dashamirësve të librit dhe njëkohësisht dhe të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale u bë dhe promovimi i këtij libri.

Libri i Dr. Muhamed Mufakut bën pjesë në ato libra të rrallë, ku paraqiten analizat, faktet objektive dhe një studim i thellë dhe i veçantë.

001

Për rëndësinë dhe vlerën e veçantë të këtij libri fillimisht fjalën e mori Dr. Xhevat Lloshi, që është dhe redaktori gjuhësor i këtij libri. Dr. Xhevat Lloshi e cilësoi vlerën dhe rëndësinë e këtij libri me të njëjtën vlerë si librat e të madhit Sami Frashëri. Mënyra dhe punimi i kësaj doktorature fillimisht dhe më pas botimi në libër për Dr. Xhevat Lloshin është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për lidhjet letrare, por njëkohësisht dhe lidhjet shpirtërore, sociale, dhe ato politike. Në punimin e tij Dr. Muhamed Mufaku ka arritur të përshkruajë e të nxjerrë fakte shumë të rëndësishme jo vetëm për lidhjet letrare që mbizotërojnë që në kohëra të hershme mes shqiptarëve dhe arabëve, por njëkohësisht në këtë punim Dr. Muhamed Mufaku ka arritur të tregojë dhe lidhjen kombëtare dhe emocionale që ekziston mes këtyre dy vendeve, shprehet Dr. Xhevat Lloshi.

Më pas fjalën e mori Mr. Edvin Cami, pedagog në Universitetin e Durrësit, si korrektori letrar i këtij libri. Sigurisht dhe Edvin Cami shprehu vlerësimin më të mirë dhe rëndësinë e veçantë që paraqet botimi dhe promovimi i këtij libri. Ai shprehet se në këtë libër lexuesi gjen shumë gjëra të cilat e bëjnë të kuptojë lidhjet e ngushta letrare që ekzistojnë mes këtyre dy popujve.

002

Për të përshëndetur të pranishmit dhe për të folur dhe për qëllimin e botimit të këtij libri, fjalën pastaj e mori drejtori i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, gjithashtu dhe botuesi i këtij libri z. Ermal Bega. Ai në këtë promovim shprehu kënaqësinë që pati rastin të botojë një libër të këtij lloji dhe të këtij niveli, gjithashtu duke mos anashkaluar dhe vlerësimin që i bëri këtij libri duke komentuar rreth vlerave dhe analizës së veçantë që Dr. Muhamed Mufaku ka arritur të përdorë me një mjeshtëri të rrallë.

Në një promovim të tillë sigurisht nuk do të mungonin dhe komentet dhe vlerësimet e të pranishmve duke veçuar atë të profesorit dhe pedagogut të muzikës z. Pëllumb Vorpsi i cili në fjalimin e tij e vlerësoi këtë punim duke shprehur gjithashtu dhe rëndësinë që i jep rolit të muzikës orientale dhe ndikimi apo lidhjet e saj me muzikën e mirëfilltë popullore tradicionale shqiptare.

Për kontributin dhe rëndësinë e këtij libri në këtë promovim fjalën e morën dhe z. Eris Koliqi, z. Alban Kodra. z. Ergys Mërtiri etj.

003

Duhet veçuar se nga të pranishmit në këtë takim, u kërkua nga botuesi i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale z. Ermal Bega, që ky libër dhe ky lloj promovimi të marrë përmasa më të mëdha dhe ta zgjerojë gamën e vetë të vlerësimit dhe në trojet e tjera shqiptare.

Duke shpresuar se me këtë promovim është arritur dhe qëllimi i botimit të këtij libri shumë të veçantë në llojin e vet, u mbyll dhe ky takim i ngrohtë dhe miqësor, duke uruar për suksesin e mëtejshëm si të librit por dhe të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, si dhe me një dëshirë të mirë për t’u takuar përsëri në promovime të tjera të kësaj qendre.

==========

PROMOVOHET FJALORI I PARË ARABISHT-SHQIP

TIRANË, 22 Maj, 2010/ ATSH- Suada Daci/– Një fjalor Arabisht -Shqip, me më shumë se 70.000 mijë fjalë, fraza idiomatike, shembuj dhe fjali që ilustrojnë përdorimin, u promovua sot në mjediset e Akademisë së Shkencave nga diplomati shqiptar Sulejman Tomçini. Ky fjalor është produkt i një pune disavjeçare e diplomatit Sulejman Tomçini, njohës i mirë i gjuhës arabe, që është botuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, me mbështetjen e Akademisë së Shkencave, dhe Qendrës Albanologjike në Tiranë. Në të janë përfshirë, gjithashtu, shumë sinonime me qëllim që të përcaktohen sa më saktë caqet e përmbajtjes semantike, brenda së cilës mund të përdoret një fjalë e dhënë. “Puna për këtë fjalor ka kërkuar një kohë shumë të gjatë (1992-2002), sepse gjuha arabe është një gjuhë shumë e vështirë, me një gramatikë shumë preçize si një formulë gjeometrike, sepse arabishtja ka vetëm 3 zanore”, tha autori Sulejman Tomçini gjatë këtij promovimi. Duke u ndalur te botimi i tij, Tomçini u shpreh se “e veçanta e këtij fjalori qëndron në faktin se ai është një fjalor shumë kompleks dhe shumëpërfshirës. Ka fjalorë me 11.000, 12.000 mijë fjalë, por ky është një fjalor enciklopedik, dhe është shumë më i kompletuar”, tha ai. Ndërsa akademiku Myzafer Kurti e cilësoi këtë botim si “një fjalor me rëndësi të veçantë nga pikëpamja leksikore. Ky fjalor i është referuar edhe shumë fjalorëve të tjerë të gjuhës arabe, duke plotësuar në këtë mënyrë atë boshllëk që ishte krijuar në studimet arabike”. Drejtori i Institutit Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Dr.Ramiz Zekaj, tha se “nevoja e botimit të një fjalori arabisht në Shqipëri është ndjerë prej kohësh dhe do të jetë ndihmë e konsiderueshme për vendosjen e urave të bashkëpunimt mes vendit tonë dhe botës arabfolëse’. Për hartimin e këtij fjalori është ndjekur mënyra tradicionale e ndërtimit të fjalorëve arabë. Renditja merr për bazë rrënjën e fjalës në gjuhën arabe dhe pastaj derivatet e saj, çka do të thotë se përdoruesit e fjalorit duhet të kenë njohuritë fillestare të gramatikës dhe të morfologjisë së arabishtes. Kush është Sulejman Tomçini: Sulejman Tomçini ka lindur në Peshkopi në vitin 1940. Në 1958 mbaron shkollën pedagogjike të Elbasanit dhe studimet e larta i kreu në Moskë për gjuhë- letërsi arabe. Me prishjen e marrëdhënieve Shqipëri- Rusi, kthehet në Tiranë dhe mbaron fakultetin Filologjik. Rreth viteve 1963 shkon në Irak me studime, dhe pas mbarimit të studimeve punon si redaktorë dhe komentator politik i seksionit arab në Radiotelevizionin Shqiptar, ku më vonë bëhet shef i seksionit arab. Në vitin 1977 mbaron shkollën e Partisë për filozofi dhe emërohet Ambasador në Egjipt, në vitin 1991 Ambasdor në Algjeri dhe në 2001 Ambasador në Arabinë Saudite./s.s./

==========

Mexhid YVEJSI – Gjakovë

NJË PROMOVIM QË SOLLI FRYMËZIM…

Më 28 Maj 2010, pak kohë pas namazit të xhumasë, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare e Universitare të Kosovës në Prishtinë, u bë promovimi i kompletit “Nexhat Ibrahimi vepra 1-10”.

Promovimi i kompletit “Nexhat Ibrahimi vepra 1-10”, të cilin e organizuan Bashkësia Islame e Kosovës dhe Shtëpia Botuese Logos-A,Shkup, filloi n’ora 16:15, me këtë renditje: 1. Prof. Fitim Flugaj – Mbajti fjalën e hapjes. 2. Mulla Mastafë Dervisholli – Këndoi pjesë nga Kur’ani i madhërishëm 3. Mr. Naim ef.Tërnava, Myftiu i Kosovës, mbajti fjalën e rastit. 4. Mr. Qemajl Morina, veprimtar i shquar, ishte referuesi i parë, i cili, kryesisht foli rreth biografisë dhe veprimtarisë së Prof. Nexhat Ibrahimit. 5. Mr. Sabri ef.Bajgora, Kryeimami i Kosovës, referuesi i dytë, foli gjërësisisht rreth veprimtarisë së Prof. Nexhat Ibrahimit. 6. Adnan Ismaili, Drejtor i Shtëpisë Botuese Logos-A, nga Shkupi, ndër të tjera, tha se: “Kompleti “Nexhat Ibrahimi vepra 1-10”, doli në 50 vjetorin e lindje së autorit dhe në 10 vjetorin e daljes së autorit-Nexhat Ibrahimit, nga burgjet e Sërbisë, gjithashtu falënderoi Myftiun e Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnavën, si edhe Edi Agagjyshin, disenjatorin e kompletit, që është vërtetë madhështor. 7. Prof. Nexhat Ibrahimi, autori i kompletit, pakëz i emocionuar, përshëndeti dhe falënderoi pjesëmarrësit në këtë promovim, në veçanti, Mr. Naim  ef.Tërnava, Myftiun e Kosovës, referuesit, Mr. Qemajl Morinën dhe Mr.Sabri ef. Bajgorën, Kryeimamin e Kosovës, falënderoi organizatorët  Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Shtëpinë Botuese Logos-A, si edhe recensentët: Dr. Ismail Bardhi, Dr. Metin Izeti, Dr. Qani Nesimi. Prof. Nexhat Ibrahimi në fjalën e tij, rrjedhshëm, me oratori, ndër të tjera, foli me një vështrim kritik, rreth Islamit në përgjithësi, rreth besimtarëve shqiptarë në veçanti, që mund t’i përmbledhim me një fjali: ” Qysh jemi, ashtu punët i kemi…” Për këtë promovim – kishte mjaft interesim, kjo dëshmohet me amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare e Universitare të Kosovës në Prishtinë, i cili ishte mbushur përplotë me dashamirë të librit, të diturisë, të kulturës islamike-shqiptare, djelm e vajza, studentë e pedagogë, akademikë, si prof.dr. Pajazit Nushi, dhe qytetarë të ardhur nga Shkupi, Prizreni, Gjakova dhe nga mbarë Kosova… Pasi përfundoi promovimi, për rreth gjysmë ore vazhdoi kokteli, bisedat dhe urimet për kompletin e Prof. Nexhat Ibrahimit…

KUSH ËSHTË NEXHAT IBRAHIMI?

Lindja, shkollim dhe edukimi

Nexhat Ibrahimi lindi më 10 Qershor 1960 në katundin Zgatar të Opojës, në rrethin e Prizrenit. Në katundin Zgatar të Opojës ka lindur në vitin 1821 Haxhi Ymer Prizreni, një nga figurat  kryesore fetare-kombëtare të historisë shqiptare; një personalitet me njohuri të thella fetare, letrare, pedagogjike, filozofike, ushtare, politike… Ka qenë hoxhë, imam, myderriz, professor, myfti, haxhi, sufi, shejh, udhëheqës shpirtëror i tarikatit Nakshibendi-Uvejsi… Ka qenë përfaqësues i Sanxhakut të Prizrenit në Kuvendin Osman në Stamboll… Ka qenë udhëheqësi  ideor e drejtuesi kryesor i Lidhjes së Prizrenit (1878-1881), organizata politike-ushtarake shqiptare, e cila e zgjoi vetëtijen kombëtare… Nexhat Ibrahimi pasi kreu mësimet fillestare, në vitin 1974 resgjistrohet në Medresenë “Alauddin”, në Prishtinë, ku ishte ndër nxënësit më të shquar, më të dalluar, ku sa kishte filluar me shkruar… Në vitin 1980, regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë, ku diplomoi me 24 Tetor 1984. Gjatë studimeve, në vitin 1981, kur shpërthyen demonstratat në Prishtinë, Nexhat Ibrahimi u arrestua, u dënua dhe vuajti dënimin prej 63 e diteve në Burgun Qendror të Sarajevës. Akuza ishte: “Irredentizmi shqiptar dhe klero-nacionalizmi, shfrytëzimi politik dhe ekonomik i Kosovës nga Serbia, e drejta e studentëve për demonstrata, Kosova Republikë, etj”.

Diplomimi, shërbimi dhe burgimi

Nexhat Ibrahimi diplomoi me 24 Tetor 1984 në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë. Në vitin 1990, në Kuvendin e Shoqatës së Ulemave në Prishtinë, u zgjodh për anëtar të Kryesisë së Shoqatës së Ulemave të Kosovës në Prishtinë, por aty, menjëherë, Kryesia e Shoqatës së Ulemave të Kosovës, njëzëri e zgjodhi për kryetar. Në vitin 1991, në Kuvendin e Bashkësise Islame të ish-Jugosllavisë, në Sarajevë, u zgjodh anëtar i Rijasetit të Bashkësise Islame të Jugosllavisë, me qendër në Sarajevë, por që përfaqësonte Bashkësinë Islame të Kosovës. Më 14 Dhjetor 1992, në Prizren, Nexhat Ibrahimi u arrestua në krye te grupit politik ilegal, i njohur në atë kohë si “afera e hoxhallarëve.” Në këtë “aferë të hoxhallarëve”, Nexhat Ibrahimi u dënua me 8 vjet burg. Në vitin 1994 nga burgu i Prizrenit u transferua në burgun e Dubravës së Istogut, ku u vendos në izolim, rreth tre muaj në mbikqyrje të veçantë, për të vazhduar për tre muaj të tjerë, përsëri në mbikqyrje të veçantë… Në vitin 1999, në muajin maj, pasi u bombardua Burgu i Dubravës nga forcat e NATO-s, kurse forcat paramilitare, policore serbe bënë masakra mbi të burgosurit shqiptarë, ku vranë mbi 200 të burgosur, , ata që shpëtuan, në fillim të muajit qershor 1999 u dërguan në Serbi, kurse Nexhat Ibrahimi, me 17 të burgosur të tjerë, u dërgua në Burgun e Qarkut të Zajeçarit. Në burgun e qarkut të Zajeçarit, Nexhat Ibrahimi qëndroi burrnisht në izolim, me pakëz ushqim… Më 15 Dhjetor 1999, pas shtatë vitesh e një dite burg të rëndë, Nexhat Ibrahimi u lirua, me disa të burgosur shqiptarë dhe nën përcjelljen e organizatës “Kryqi i Kuq Ndërkombetar”, u sollën në Prishtinë… Më 1 shkur të vitit 2000, Nexhat Ibrahimi filloi sërish punën në Këshillin e Bashkësise Islame, në Prizren…

Krijimtari – që do shënohet në histori

Pas daljes nga burgu, që lënë pasoja e probleme shëndetësore, ai me gjithë këtë, më shumë përkushtim vazhdoi me shkrime dhe botime, duke dhënë një kontribut të shkëlqyer, jo vetem në shtypin fetar Islam, por edhe në atë laik, periodik, si në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje, Maqedoni, etj. Bashkëpunimi me gazeta Ai ka bashkëpunuar e botuar në gazetat dhe revistat e njohura si:  Gazeta “Besa”, Prizren, “Besimi”, Prizren, “Drita islame”, Tiranë, “Besimtari”, Shkodër,  “Impakt”, Tiranë,  “Epoka e Re”, Prishtinë, “Elif”, Podgoricë, “Koha Jonë”, Tiranë, “Rilindja”, Prishtinë, “Preporod”,Sarajevë, etj. Bashkëpunimi me revista Përveç gazetave të lartëpërmendura, Nexhat Ibrahimi  ka bashkëpunuar e bashkëpunon me shumë revista, disa prej të cilave janë:  “Edukata Islame”, Prishtinë, “Dituria Islame”, Prishtinë, “Etika”, Shkodër, “Familja”, Tiranë, “Fjala”, Prishtinë, “Jeta e Re”,  Prishtine, “Globi”, Shkup, “Glasnik”, Sarajeve, “Hëna e Re”, Shkup, “Impakt”, Tiranë, “Flaka”, Shkup, “Mendimi Islam”, Prizren, Tirane – Prizren, “Nacional” – Tetove, “Mendimi Islam”, Tiranë,  “Nur ul-Kur’an”, Prishtinë, “Studime Orientale”,  Prishtinë, “Takvimi”, Prishtinë, Prishtinë, “Vjetari”  i Arkivit të Kosovës, Prishtinë, “Univers”, Tiranë, “Vepra”, Shkup, “Takvimi”, Shkup, “Frymëzimi” Gjakovë, etj. etj. Përveç kësaj veprimtarie publicistike, me shkrime, studime të ndryshme, Nexhat Ibrahimi  ka përkthyer e botuar mbi 90-të vepra të zhanreve te ndryshme, ka shkruar e botuar mbi 30 vepra autoriale, ka marrë pjesë në shumë simpoziume, konferenca të ndryshme shkencore, brenda dhe jashtë Kosovës… Pasqyrë e veprave të botuara 1990: 1. N. Ibrahimi, Shkolla juridike hanefite, Prizren, 1410 / 1990, fq.78. (separat) 2. N. Ibrahimi, Suzi Prizrenasi – dijetar e bamirës i shek. XV-XVI, Prizren, 1410/1990, fq.36. (separat) 3. N. Ibrahimi, Muslimanët në Ballkan në periodën paraosmane, Prizren, 1410/1990, fq. 34. (separat) 1992: 4. N. Ibrahimi, Aspekte islame, Prizren, 1413/1992, fq. 108. 5. N. Ibrahimi, Tre hadithe me përkthim e komentim, Prizren, 1413/ 1992, fq. 40. 1997: 6. N. Ibrahimi, Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periudhën paraosmane, Shkup, 1997, fq. 102. Libri i njëjtë por me titull tjetër: N. Ibrahimi, Islami në Ballkan para shekullit XV, botimi II, Prizren, 1421/2000, fq. 102. 1998: 7. N. Ibrahimi, Shkolla juridike hanefite dhe karakteristikat themelore të doktrinës së saj, Shkup, 1998,fq.162.; Bot. II, Prizren, 1421/2000. 8. N. Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup, 1998, fq. 300; botimi II, Shkup, 1999, fq. 300; bot. III, Prishtinë, 2000, fq. 300. 2000: 9. N. Ibrahimi, Paragjykimet ndaj Islamit gjatë shekujve, Prizren, 1421/2000, fq. 18. 10. N. Ibrahimi, Imam Ebu Jusufi dhe Imam Muhammedi, Prizren, 1421/ 2000, fq. 62. 2001: 11. N. Ibrahimi – Përgatiti, shkroi dhe përktheu, Mevludi në gjuhën shqipe, Prizren, 2001/1422, fq. 150. 2003: 12. N. Ibrahimi, Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar (sh. IX-XIV), Shkup, 2003/1424, 145 fq. 2004: 13. N. Ibrahimi, Dimensione kur’anore, Shkup, 2004, fq. 78. 14. N. Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, Shkup, 2004, fq. 178. 15. N. Ibrahimi, Aspekte të marrëdhënieve islamo-kristiane në Mesjetë, Prishtinë, fq. 67. 2005: 16. N. Ibrahimi, Kronologji e historisë islame dhe e popujve muslimanë në botë, Prishtinë, 2005, 156 fq. 17. N. Ibrahimi, Imami dhe xhemati, Shkup, 2005, 44 fq. 18. N. Ibrahimi, Bazat e etikes islame, Shkup, 2005, 240 fq. 2006: 19. N. Ibrahimi, Islami si provokim global, Shkup, 2006, 370 fq. 2007: 20. N. Ibrahimi, Imam Ebu Hanifeh dhe Imam El-Maturidiu perla te akaidit islam, Prishtinë, 2007, fq. 47. 21. N. Ibrahimi, Suksesi i garantuar – Edukimi i drejtë, Prishtinë, 2007, fq. 72. Pasqyrë e veprave të përkthyera: 1983: 34. Ebu Hanife, Kitab‘ul-vasijjeh, Prishtinë, 1983, (Edukata islame) 1984: 35. Ebu Hanife, Fikh‘ul-ekber, Prishtinë, 1984, (Edukata islame). 1985: 36. Imam El-Maturidiu, Traktati mbi besimin islam, (me koment), Prishtine, 1985-1986, Edukata Islame. 1986: 37. Imam El-Gazaliu, Ballsami i lumturisë, fq. 50. (I botuar në disa revista). 1987: 38. M. Mahmud, Prej dyshimit deri në besim, Prishtinë, 1987, fq. 114; Disa botime. 1988: 39. Muhammed A. Draz, Agjërimi i ramazanit, Prishtinë, 1988, fq. 62: Disa botime. 1989: 40. El-Mevdudi, Muhammedi a.s dhe Kur’ani i shenjtë, Prizren, 1409/1989, fq. 120. 41. Imam En-Nesefiu, Akaidi i Nesefiut, (me koment), Prishtinë, 1989, (Edukata islame). 1990: 42. Et-Temimi, Parimet e besimit islam, (bashkëpërkthyes), Prizren, 1410/ 1990, fq. 24. 43. M. Mahmud, Dialogu me mikun ateist, Prishtinë, 1990, fq. 164. Disa botime. 44. M. Ikball, Poezi te zgjedhura, bashkeperkthyes, Prizren, 1410/1990, fq. 36. 45. Vexhi Demiraj, Filozofet muslimane, Prizren, 1410/1990, fq. fq. 64. 46. En-Neveviu, Dyzet hadithe, Prizren,1410/1990, fq.102. Disa botime. 47. Gjozo, Mbi varrin e Muhammedit a. s., Prizren, 1419/1990, fq. 22. 48. Sharofi, Edukata fetare e morale, I, Prizren, 1410/1990, fq. 23. Disa botime. 49. A. Izetbegoviq, Islami sot dhe neser – Deklarata islame, Prizren, 1411/1990, fq. 77; Disa botime. 50. A. Izetbegoviq, Kundërthëniet e Marksit dhe dështimet e marksizmit, Prizren,1410/1990, fq.8. 1991: 51. Imam El-Gazaliu, Rruga deri në shpëtim, (me koment), Prizren, 1411/1991, fq. 62. 52. Ramiq, Hutbe te zgjedhura të Muhammedit a.s., bashkëpërk., Prizren, 1411/1991, fq. 126. 53. Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve në diturite islame, Prizren, 1411/1991, fq. 120. 54. R. Garodi, Islami dhe kultura, Sarajevë, 1411/1991, fq. 166. 55. Imam En-Nesefiu, Akaidi i Nesefiut, (me koment), Prishtine, 1989, (Edukata Islame). 56. Imam El-Gazaliu, Ballsami i lumturisë, fq. 50. (I botuar në disa revista). 57. M. Mahmud, Prej dyshimit deri në besim, Prishtinë, 1987, fq. 114; Disa botime. 58. Muhammed A. Draz, Agjerimi i ramazanit, Prishtinë, 1988, fq. 62: Disa botime. 1992: 59. F. Sheta, Martesa islame, bashkëpërkthyes, Prizren, 1992, fq. 22. 60. En-Neveviu, Dyzet hadithe dhe shtojca e Ibni Rexhebit, Shkup, 1413/1992, fq.126. 61. M. Abdulvehhab, Tre themelet dhe argumentet e tyre, Shkup, 1992, fq. 36. 62. Jasini në transkriptim e përkthim shqip, Prizren, 1413/1992, fq. 64. 63. Ulfe Azizussamed, Islami dhe Krishterizmi, Prizren, 1412/1992, fq. 78. Disa botime. 64. Imam Homeini, Mesazhi drejtuar M. Gorbaçovit, Prizren, 1992, fq. 24. 1993: 54. Izetbegoviq, Deklarata islame, Shkup, 1413/1993, fq. 70. Disa botime. 1995: 55. El-Mevdudi, Sistemi i jetës në Islam, Prizren, 1415/1995, fq. 68. 1996: 56. En-Neveviu, Rijad‘us-salihin, bashkëpërkthyes, Shkup, 1996, fq. 645. 57. Grup autoresh, Jeta familjare islame, Prizren, 1416/1996, fq. 96. 58. K. Silajxhiq, Texhvidi (bashkëpërkthyes), Prizren, 1416/1996, fq. 48. 59. En-Neveviu, Rijad ‘us-salihin, bashkëpërkthyes, Shkup, 1996, fq. 645. Disa botime. 1997: 60. M. Mahmud, All-llahu xh. sh., Tetovë, 1997, fq. 82. Botimi II, Prizren, 1421/2000, fq. 82. 61. El-Behij, Imani – besimi në All-llahun xh. sh., Shkup, 1418/1997, fq. 116. Botimi II, Prizren, 2000/1421. fq. 116. 62. M. Hanxhiq, Hyrje në shkenën e tefsirit, Shkup, 1997, fq, 70. 63. M. Hanxhiq, Hyrje në shkencën e hadithit, Shkup, 1997, fq. 66. 64. Corbin, Historia e filozofise islame, I –II, Shkup, 1997, fq. 446. 1998: 65. A. Bulaq, Islami dhe demokracia, teokracia e totalitarizmi, Shkup, 1419/1998, fq. 220. 2000: 66. Si ta njohim artin islam, Prishtinë, 2000, fq. 64. 67. Gj. Shushnjiq, Fuqia dhe pafuqia e shkencës në kritiken e religjionit, Prizren, 2000, fq. 46. 68. Muslimani i vogel, I, Prizren, 2000, fq. 50. (për fëmijë) 69. Muslimani i vogel, II, Prizren, 2000, fq. 50.   – – – – – – 70. Muslimani i vogel, III, Prizren, 2000, fq. 50. – – – – – – 71. Muslimani i vogel, IV, Prizren, 2000, fq. 62. – – – – – – 72. Ibn Hazmi, Sherimi i shpirtrave, Prizren, 2001/1421, fq. 93. 73. Muharrem Omerdiq, Përçarja dhe pasojat e saj, Prizren, 2001/1421, fq. 43. 74. Hasan Kaleshi, Sofi Sinan-pasha dhe xhamia e tij, Prizren, 1422/ 2001, fq. 34. 75. N. Ibrahimi – Përgatiti, Mevludi shqip, Prizren, 2001/1422, fq. 150. 76. Andrew Rippin, Historiku i tefsirit të Kur’anit, Prizren, 2001, fq. 38. 77. Hutbeja lamtumirëse e Muhammedit a. s., Prizren, 2001, fq. 20. 2002: 78. Muhammed Asad, Islami në udhëkryq, Prizren, 2002/1423, fq. 117. 79. Grup autoresh, E vërteta rreth vehabizmit dhe vehabistëve, Tetovë, 2002/1423, fq.76. Bot. II, Prizren, 2002/1423, fq.75. 80. Ahmed Fuad El-Ehwani, Filozofia islame, Prizren, 2002, fq. 156. 2003: 81. En-Nesefij, Besimi islam sipas Imam En-Nesefiut, Prizren, 2003, fq. 88. 82. Muhammed Asad, Rruga për në Meke, Shkup, 2003, fq. 503. 83. Imam Maturidiu, Jeta, vepra dhe mësimi, Prishtinë, 2003, fq. 96. 84. N. Smailagiq, Halifet besimdrejtë, Prizren, 2003, fq. 40. 85. M. S. Kayani & H. Murad, Djaloshi guximtar – Aliu r. a., Prizren, 2003, fq. 28. 86. Imam Nevevi, Rijadus-salihin, ribotim, Shkup – Prishtinë – Tiranë, 2003, fq. 506. 87. Haki Sharofi, Edukata fetare dhe morale, ribotim, I-II, Shkup, 2003, fq. 2004: 88. Ser Thomas W. Arnold, Historia e përhapjes së islamit, Prishtinë, 2004, fq. 501. 2005: 89. N. Ibrahimi, Fikh’ul-ekber – parathënia, përkthimi dhe komentimi, Prishtinë, 2005, 120 fq. 2006: 90. Ibn Tejmijje, Kitab ‘ut-tewhid (Monoteizmi islam), Prishtinë, 2006, fq. fq. 80. 91. Mid’hat Shamiq, Si shkruhet vepra shkencore, Shkup, 2006, fq. 350. 92. Muhammed Ikball, Ripërtëritja e mendimit fetar në islam, Shkup, 2006, fq. 240. 2007: 93. Seid Ramadan, E drejta islame – Burimi dhe zhvillimi, rreth fq. 220. 2008: 94. Grup autoresh, Fundamentalizmi islam – ç’ështe ky?, rreth fq. 280. 95. N. Ibrahimi, Vepra të zgjedhura të Imam Vehbi Ismailit, 1-27, Shkup, 2009. Përveç gjithë këtyre veprave, Nexhat Ibrahimi ka të gatshme për botim edhe rreth 50 vepra të tjera, autoriale dhe të përkthyera. Fjalët e mija janë të tepërta, të kota, sepse Nexhat Ibrahimin e njeh tërë bota…! Sot, Nexhat Ibrahimi është në moshën 50 vjeçare, por, mjerisht, për shkak të paragjykimeve, ende i injoruar nga bota intelektuale shqiptare…!

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: