Arkiv

Posts Tagged ‘Kosovë’

Kush po kërkon shkatërrimin e objektit të mejtepit të Llukës së Deçanit?!

05/11/2014 Lini një koment

Arif MOLLIQI

 

KUSH PO KËRKON SHKATËRRIMIN E OBJEKTIT TË MEJTEPIT TË LLUKËS SË DEÇANIT?!

Mejtepi Lluka e Epërme

Ky objekt është ndërtuar në vitet 1886-1889 nga Tahir Efendi Lluka dhe konsiderohet një ndër shkollat e para shqipe në Kosovë.

Në zanafillën e arsimit të shqiptarëve të Kosovës në gjuhën amtare, rol të caktuar kishin mejtepet, që nuk ishin shkolla të mirëfillta kombëtare shqiptare, por kanë rëndësinë e vet në kultivimin e dashurisë ndaj gjuhës shqipe dhe për ruajtjen e saj, duke u bërë kështu shkolla popullore. I tillë ishte edhe mejtepi i Tahir Efendi Llukës, në Llukën e Epërme, i ndërtuar diku mes viteve 1886-1888, kurse si shkollë ishte hapur në vitin 1889.

Ky mejtep, për njëqind vjet u përballoi sulmeve barbare të kohës, mirëpo si i përballoi këtyre sulmeve, kësaj herë nuk është temë e këtij shkrimi. Ajo që na proukupon këto ditë, është tendenca që ketë objekt-ketë tempull të kulturës shqiptare ta rrënojnë më themel. Kjo vërtet është e habitshme të ndodhë kur Kosova është e lirë.

Mirëpo, edhe pse disa njerëz po duan ta bëjnë këtë, besojmë se Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Pejë, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Prishtinë, Instituti Albanologjik në Prishtinë, Kryetari komunës se Deçanit dhe, vetë fshatarët e Llukës se Epërm nuk do ta lejojnë një rrënim të tillë, pa marrë parasysh pretendimeve të disa “besimtarëve” laik, të disa dashakëqinjëve që nuk e kuptojnë rëndësinë e këtij monumenti,

Ky mejtep-objekt, i përballoi kohës për mbi njëqind vjet për të ardhur gjer në ditët e sotme. Gjatë kësaj kohe ai disa herë ishte sulmuar për t´ua shkatërruar, qoftë nga pushteti turk i atëhershëm, nga serbët dhe nga pushteti komunist. Mirëpo, disa herë fshatarët e Llukës së Epërm e mbrojtën nga rrënimet, disa herë bënë meremetime, që herë-herë edhe ishin të gabuara, por megjithatë u ruajt.

Se Mejtepi i Llukës ishte ndër shkollat e para në gjuhën shqipe, vërtetojnë shumë studime nga historian, albanolog, orientalist, studiues të osmanishtes e tjerë. Njëri nga këta që është marrë në mënyrë serioze më studimin e themeluesit të kësaj shkolle dhe me rilindësin Tahir Efendi Llukën, është Dr. Avdullah Hamiti. Pastaj, Dr. Muhamet Pirraku, në librin e tij “ Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”, faqe 393-395, ka dhënë edhe alfabetin shqip të Tahir Efendi Llukës të krijuar para vitit 1878, alfabet ky që është përdorur në shkollën shqipe në Llukë të Epërm. Për veprimtarinë e Tahir Efendi Llukën kanë shkruar edhe Shuteriqi, Idriz Ajeti, Ramiz Zekaj etj.

Tahir Efendi Lluka (Molliqaj), ka lindur në Llukë e Epërme, midis viteve 1840-1845.Tahir Lluka, i cili jetoi dhe veproi në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ishte intelektual i shquar i kohës, i pajisur me dije fetare të larta, njohës i mirë i gjuhëve orientale dhe i letërsive të atyre gjuhëve. Këtë e dëshmoi edhe me veprimtarinë e tij krijuese në gjuhën shqipe dhe me përkthimet nga arabishtja e osmanishtja. Se vërtet ishte intelektual i madh, dëshmon edhe e dhëna se ai një kohë ishte ligjërues në Fatih (shkollë e lartë islame) të Stambollit, në kohën kur rektor i Universitetit të Stambollit ishte Hoxha Tahsini.Kontaktet e tij me rilindësit e shquar shqiptarë që vepronin në Stamboll, bënë që pas vitit 1874, kur Hoxhë Tahsini u largua nga Universiteti i Stambollit, edhe Tahir Lluka të humbte punën në Fatih. Sipas disa të dhënave, pas vitit 1881 Tahir Lluka kthehet në vendlindje, dhe duke shitur patundshmërinë e vet (hisen e tokës nga trashëgimia), ai në truallin që ia fali Bardhosh Isufi (Molliqaj), ndërtoi Mejtepin në vitin 1886, në Llukën e Epërme, nahija e Gjakovës. Për të punuar si mësimdhënës, krahas vetes, kishte angazhuar një hoxhë nga Peja dhe më vonë një tjetër nga Carrabregu. Në këtë shkollë fillore mësohej shqip, kuptohet me grafi arabe. Por me rëndësi është se mësohej shqip dhe mbase ajo mund të jetë shkolla e parë shqipe në Kosovë. Për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e punës së shkollës, Tahir Lluka kishte hapur një dyqan në një dhomë të mejtepit

Pra, për sa i përket arsimimit, Lluka nuk bën dallim, sepse ai parasheh që të mësojnë edhe djemtë edhe vajzat. Hartimi i këtyre teksteve nga ana e Llukës, nuk synonte vetëm mësimin e lexim-shkrimit, siç mund të supozohet në dukje të parë, por autori i tyre synonte njëkohësisht, siç do të synojnë edhe rilindësit e kësaj periudhe, zgjimin e dashurisë ndaj gjuhës amtare dhe përparim të shpejtë për t’u futur në radhën e popujve të qytetëruar. Hapja e mejtepit dhe përpjekjet e tij për punë të suksesshme, kujtojmë se dëshmojnë për ndërgjegjen e këtij intelektuali shqiptar, për nevojën dhe domosdoshmërinë e shkollës në gjuhën amtare.Këtë e shpreh me fjalët:

 

“Gjithsa kavm (komb A. H) me guh t’vet

jon tuj knue, hem tuj shkrue

për dynja dit per dit kta tuj fitue, tuj madhnue,

veç kavmi ynë pa fitue tuj voglue…!”

 

Me këto Lluka dëshmon vetëdijen për diturinë dhe qytetërimin, si mjete që do të zhdavarisnin errësirën, ku ishte katandisur popull. Në vazhdim në veprën e tij “Broshurë mbi moralin” Tahir ef. Lluka, me mjaft mjeshtëri, përshkruan gjendjen arsimore të shtresave të gjera të Shqipërisë, të cilën e paraqet mjaft të mjerueshme, një gjë që e brengoste shumë edhe

atë:

 

Kjo Shqipni ka met krejt në pa dit xho n’xhahili

Erdhi vakti me dal n’mejdan kjo Shqipni

N’selamet për me dal kjo Shqipni fukara

keka çillue

Un po due me shka kam marue ket te’lif

(vepër) çi osht i ri

Din devletit hizmet mej bo m’ket turli me

hurufi arabi

Hem ni temel me lidh per Shqipni

Mos me kon fukaraja n’ket Shqipni pa

dit xho krejt n’xhahili

Pse t’gjith katundet n’per Shqipni fukaraja

kurfar gjuhe hiç nuk din

Dy tre vet çi jon n’medrese ja mektepli

N’koft me dit kta per devlet per turni

Tjert jesin mashkull femen pa dit xho

krejt n’xhahili.

 

Këtu qëndron aftësia dhe gjeturia e Tahir Llukës, i cili diti ta shfrytëzonte këtë gjendje të mjerueshme të injorancës, siç thoshte ai fetare, ngase ata nuk dinin gjuhë tjetër përveç asaj amtare, dhe duke kërkuar që njohuritë fetare t’i nxinin në gjuhën amtare, u angazhua për arsim kombëtar shqiptar, për ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, për mbjelljen e dashurisë ndaj gjuhës amtare si dhe për emancipimin e popullit në përgjithësi, që, siç dihet, arrihet me arsimim në gjuhën amtare, pra me dije.

Sado që veprimtaria e Tahir Llukës zhvillohej në mejtep dhe me grafi arabe, nga vetë fakti që zhvillohej në gjuhën shqipe, nuk u shkonte për shtati qeveritarëve turq. Prandaj kjo veprimtari arsimore në gjuhën shqipe e Tahir efendi Llukës, iu bë hale në sy organeve të pushtetit turk. Shkoi në Stamboll, ndoshta për ndonjë sqarim, por nuk arriti ta shlyente akuzën se po i mësonte fëmijët “kaurrisht” dhe as të kthehej më në vendlindje. Mendohet se kishte vdekur më 1908, pa u ditur rrethanat e vdekjes.

Për fund do të themi se veprimtaria kulturore-pedagogjike e Tahir Llukës dhe Mejtepi i tij si shkollë e parë shqipe në Kosovë, duhet vështruar në kontekst me kohën kur punoi dhe veproi. Dhe nga vetë fakti se dihet që asokohe nuk kishte shkolla të tjera publike shqipe, duhet vlerësuar mejtepi i Tahir Llukës.

Tahir Lluka është angazhuar drejtpërdrejt që fëmijët e popullit të vet t’i nxirrte nga injoranca, t’i mësonte të shkruanin e të lexonin shqip, dhe kështu t’i emanciponte dhe t’i aftësonte për një të ardhme më të lumtur, që ai e besonte.

Advertisements

Ambasadori i poezisë shqipe

12/04/2014 Lini një koment

AMBASADORI I POEZISË SHQIPE

Fahredin Shehu

Fahredin Shehu

Shkrimtari i lidhur me traditën ezoterike të Orientit dhe Oksidentit, Fahredin Shehu, u lind më 1972 në Rahovec. Kreu studimet universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Prishtinës, në Orientalistikë dhe Letërsi. Është autor i shtatë librave me përmbajtje të lartë artistike dhe të shumë punimeve në gazeta e revista, shumica prej tyre janë të përkthyera në 20 gjuhë të botës.

Intervistoi: Albana Haxhimustafa – Murseli

Fahredin Shehu është Ambasador i Poetëve për Shqipëri “Poetas del Mundo”, Santiago de Chile, anëtar i Asociacionit Botëror të Poetëve, Greqi, Anëtar i Këshillit të librit dhe Botimeve pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Anëtar i PEN Qendrës së Kosovës. Poezitë e tij janë të botuara në Antologji botërore, revista letrare, kulturore dhe shkencore si Mobius Magazine në New York, Istanbul Literary Review në Stamboll, World Poets Quarterly në Pekin ehe World Living Poets Lexicon financuar nga UNESCO, poashtu në Pekin, Kinë, Auillrelle në Bruksel, RAL, M Magazine në Paris, Gray Scale në Nigeri, në Antologjnë Spanjolle, Brazil, Kil, Portugali etj, shumë Antologji…; nga Festivali i Poezisë në Lodeve, Francë, Strugë, Malta, Nazareth, Ballkan Poets në Beograd e kështu me radhë. Ka kumtuar shumë referate në shumë kongrese botërore lidhur me Filozofi, Letërsi dhe Misticizëm, si në Kajro, Teheran, Qom, Isfahan, Bruksel, Shkup, Stamboll, Canakkale etj. Mbi të gjitha është baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm, Tamarës dhe Reisit.

 

Do t’i shtonit edhe diçka këtij prezantimi? 

Po do të shtoj edhe diçka që duhet të potencohet për ta respektuar lexuesin tuaj. Kam ekspozuar kaligrafi në Kajro dhe shkruaj vështrime estetike për Artin pamor. Jam i katalogizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Shqipërisë, Kroacisë, Serbisë, Bayern dhe Egjiptit.

Arti i kaligrafisë dhe poezia mistike shpirtërore janë pothuajse të panjohura në Kosovë, ndërsa ju konsideroheni mjeshtër i këtyre dy fushave. Si arrini t’i kultivoni paralelisht të dyja?

Shumë natyralisht. Flas për traditën shpirtërore të trashëguar, kujtoj se para më se 300 vitesh stërgjyshi im ka shkruar poezi mistike, po ashtu jam rritur në Rahovec, ku ka disa tradita mistike, andaj në këtë garë mendimesh dhe doktrinash, mendësia e njerëzve dallon nga ato të rajoneve tjera të Kosovës. E gjithë kjo ka ndikuar në formimin tim shpirtëror dhe me hulumtime të mëtejme, lexime të shumta, observimet dhe kontemplacionet sigurisht se krijohet një mundësi për kultivimin e një arti më të veçantë. Ndoshta ka ndikuar edhe trashëgimia e lashtë ilire e kultivimit të hardhisë së rrushit, pastaj edhe preparatet kozmetike, e shumë e shumë zeje tjera, sigurisht se ndikon në formimin e një mendësie dhe vetëdije më të qytetëruar. Shpesh edhe nga metodologjia e kultivimit të hardhisë kam bërë analogji edhe me poezinë, se një poezi që të jetë më cilësore nuk duhet të ngarkohet me fjalë, figuracione, motive, etj. Një lloj si një lastar i hardhisë i cili për të dhënë frutin më cilësor të rrushit duhet të shartohet, kitet, lihet në gixhë, apo herret nga tepricat, madje edhe të largohen kokrra nga kalaveshi, që kokrrat tjera të jenë më të mëdha, më të shijshme etj. Prandaj kur këtë e aplikoj në Poezinë time, ajo ndodh që të absorbohet aq mirë sa që njerëzit e përvetësojnë dhe shpesh citojnë madje pa ma përmendur emrin, një varg u bëhet pjesë e vokabularit më tej edhe të diskursit të përditshëm.

Lidhur me Kaligrafinë po them se edhe ajo rrjedh në mënyrë fluide nga shpirtënia ime. Poezinë të cilën dua ta krijoj në një moment kur më paraqitet një vizion, unë e transformoj në pikturë, duke e kristalizuar në poezi, andaj kam thënë se Kaligrafia për mua është kristalizimi i fluidit kreativ poeti. Krahas frymëzimit, dijes dhe observimit duhet edhe një dozë bajagi e madhe e mbëltimit të Hyjnorës dhe Pasioni që të krijohet një Poezi apo madje edhe një Kaligrafi dhe kjo në mënyrë paralele.

 

Njiheni si ekspert i letërsisë transcendentale dhe hulumtues i trashëgimisë shpirtërore botërore. Çfarë do të thotë për ju kjo eksperiencë dhe ku fshihet misteri i shpirtërores?

Kjo temë është aq e gjerë dhe aq komplekse sa që duhet një hapësirë shumë e madhe për t’u elaboruar dhe më vonë për t’u kuptuar. Unë do të përpiqem që sa më thjeshtë dhe më qartë të shpjegoj nëse e arrij këtë, në vetëm disa fjalë.
Kam studiuar mjaft dhe në të gjitha traditat shpirtërore kam gjetur esencën e misterit shpirtëror. Prandaj asgjë njerëzore nuk është e huaj për mua, është një thënie latine ‘Nilil Humani ame alienum puto’. Flas në kontekstin e vërtetësisë shpirtërore.
Gjithsesi është një përvojë interesante duke pasur parasysh kohën dhe vendin në të cilin po jetojmë, pastaj trendi i dinamikës jetësore, zhvillimi teknik e teknologjik, etj.
Unë konsideroj se misteri i shpirtërores fshihet në quintesëncën njerëzore. Njeriu është e vetmja krijesë e Zotit e cila e ka vullnetin e lirë dhe ka aftësi të vendimmarrjes, ka aftësinë e krijimit dhe rikrijimit, ka aftësinë e të folurit dhe kjo ndoshta është kryevepra e evolucionit madje edhe të involucionit human. Unë konsideroj se është fjala, diskursi, fenomen më i abuzuar nga vet njeriu. Këtu qëndron Gënjeshtra dhe Plagjiatura.

Një matematikan më pat pyetur, lehtë e keni ju shkrimtar, me fjalë mund të thoni çka të doni, por në matematikë 1+1 është 2. Po kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës, por sado që dikush thotë që e ka mendjen praktike, është ateist apo materialist, matematikan dhe ithtar i shkencave ekzakte, ai prapë flet me grema dhe fjalë e jo me numra e formula matematikore. Madje kur flasim për ekzaktësinë matematikore, unë nuk e ndal asnjë matematikan ta mas + – infinitivin apo ta imagjinoj një numër, sepse e dimë se ka numër imagjinar. Nëse ai ka të drejtë ta imagjinoj një numër, atëherë unë kam drejtë po ashtu të imagjinoj se ka Zot, dhe të besoj e krijoj gjërat e bukura, sepse Zoti është i bukur dhe e do bukurinë.

Shkenca ende duhet të emancipohet që të kuptoj kuintesencën e realiteti kozmik. Ashtu si nga Ligji i Njutonit është mbi ndërtuar ligji i fizikës kuantike dhe asnjëra e as tjetra nuk mohohen, por jetojnë në simbiozë. Për këtë duhet implikuar Inteligjencën intuitive e cila duhet të emancipohet nga Inteligjenca aktive e deri tek niveli i Inteligjencës së Adeptit.

 

Botimet tuaja, çfarë kanë të përbashkët dhe çfarë i dallon me njëra-tjetrën?

Oqeani i shpirtërores është shumë më i madh dhe më i gjerë se Oqeanet të cilat ne mund t’i navigojmë apo masim. Prandaj unë kam shumë hapësirë për të krijuar dhe secili botim dallon njëri nga tjetri, sepse edhe unë psikologjikisht, mentalisht dhe shpirtërisht jam në një meditim aktiv e dinamik dhe në evolucion permanent, andaj edhe mund të vërehen nuancat; natyrisht për ata të cilët i dallojnë mirë ngjyrat dhe nuk janë të ftohur, por erëmojnë parfumin e këtij lloji të vargut.
E përbashkët është platforma shpirtërore e paeksploruar dhe refleksionet e kësaj platforme në rastin tim, në trajtë të fjalës së shkruar, poezi prozë, apo fjalës së pikturuar, qëndisur, gravuar, në trajtë të kaligrafisë.
Dallimi është në senzibilitet, në çastin “Tash” dhe “Këtu”, etj.

 

E veçanta e krijimtarisë suaj është se, i thërrisni poezisë transcendentale, mistike, e jo asaj epiko-lirike siç jemi mësuar t’i dëgjojmë rëndom. Është ky fakti që veprat tuaja janë më të njohura jashtë vendit se sa në Kosovë, apo…?

Po, pikërisht kjo. Në botë emrat si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, janë të njohur, tek ne këto janë të panjohur andaj kultivimi i një poezie/arti të tillë tek në krijon refuzim. Dua të them se realiteti im është shumë ngjyrësh, shumë dimensional, dhe shumë lëndor, unë nuk shoh bardh e zi, por është paleta e gjerë e ngjyrave, ngjyrave bazë dhe nuancave, madje dalloj edhe humnerën e cipërs dhe sipërisë, bazën, mesin dhe kulmin, si tek parfumi simfonikisht i kompozuar, ku ka esencën bazë, esencat e mesit dhe esencat sipërore. Prandaj themi se një parfum është cilësor, ai që i ka këto shtresa dhe nuanca. Një poezi e tillë e cila ka shtresa dhe nuanca, ku implikohet dashuria ndaj të gjitha krijesave të Perëndisë, ku matematikisht përdoret secila fjalë dhe asaj i kushtohet vendi dhe hapësira adekuate sa që shndërrohet në simbol dhe ikonë.
Tek ne kurrë nuk është përkthyer poezia e Solomon Ibn Gabriolit, Henry Thorreu, Upanisada, poezia e Galibiut, Enuma Elish, poezia e Hafizit, poezia e Alistair Crowley, Imrul Qaisi, Libri tibetan i të vdekurve, Kebra Nagast e Etiopisë, e shumë e shumë të tjerë, prandaj edhe lëngon formimi shpirtëror dhe intelektual tek artistët tanë. Fatkeqësisht poezia është shndërruar në estradë dhe këtu përfundon.

 

Çfarë i bën të veçantë botimet tuaja dhe çfarë shtrirje territoriale kanë arritur ato deri tani – ku janë botuar dhe lexuar?

E veçanta kryesore është origjinaliteti, përkatësia etnike, formimi intelektual shumë dimensional, meditimi, që të gjitha këto ndikojnë në gjithë këtë veçanti. Një krijesë komplekse për dallim nga amebat janë shumë qelizore andaj sinergjia e të gjitha këtyre krijon harmoninë dhe unitetin në llojllojshmëri.

Kur jemi tek origjinaliteti them se duhet të jesh vetja jo sikur pula e dekoruar me puplat e palloit. Por llojllojshmërinë e ngjyrave të puplave tuaja duhet ta arrish vetë e vetë të bëhesh palloi. Kur jemi tek palloi unë kam be një poezi të mrekullueshme të cilën e ka përkthyer akademiku francez Athanase Vantchev de Thracy, në gjuhën frënge dhe botuar në mëse 20 revista elektronike frankofone nga kritiku dhe botuesi francez Marc Galan. Është fjala për poezinë Palloi i bardhë, ku flas për puplat, bardhësinë dhe se si ai transfomohet dhe fiton ngjyrat e mrekullueshme të puplave të tij.
Ai që ka lexuar librin tim ‘Shumësi e padukshme’ e di për çka e kam fjalën. Madje kam krijuar edhe poezi të nivelit nano, nano/ poezi, kur vetëm titulli dhe një fjalë e vetme apo grafikon krijon tek lexuesi portal të ri kontemplacioni.
Gjeografikisht mund të them se kanë shtrirje interkontinentale, në Lindjen e largët Mongoli, Kinë, Indi, pastaj në Turqi, në Evropë, në Amerikën Veriore dhe Jugore, në Afrikë.

 

Sipas jush, sa përkon me realitetin thënia: “Individi është ai që e çon botën përpara”?

Po është individi ai që e ka çuar botën përpara, prej Steve Jobs, nëpërmjet Anjshtajnit, Galileos, Van Ghog, Da Vinci, Amenhotep, Bhudda, e deri tek Adam Kadmon dhe vet Adami, është individi ai i cili fillimisht ka qenë i përbuzur për idetë revolucionare që më pastaj nga po këta të paemancipuar, përbuzës permanent, janë mbëltuar si Hyjni. Jezuin e gozhduan, Muhamedin e përzunë nga Mekka, Giordano Brunon e dogjën.

 

Krijimtarinë e shikoni si një rrugë drejtë karrierës, apo nevojë shpirtërore?

Jam shumë rehat në këtë pikëpamje. Më kohë i kam dalluar këto të dyjat dhe për secilën e jap nga një tas të peshores, të majtin dhe të djathtin. Vetë fakti se nuk jam në asnjë antologji të Kosovës dhe të Shqipërisë, gjë më krijon satisfakcion të veçantë, është dëshmi se nuk po krijojë karrierë me shkrimet dhe librat e mi. Nuk shkruaj për sot, as për pas dhjetë vitesh. Kritikët në Serbi kanë thënë: ”kjo është fjala e përhershmërisë, këto nuk janë vargje të cilat do të lexohen sot, por në të ardhmen”.
Unë punoj ashtu që poezia ime siç lexohet sot nga disa pas disa shekujsh do të lexohet me të njëjtën freski, si Haiku i Issa dhe Basho, apo Kasida e Imrul Qaisit, Masnavi e Rumiut, apo Rubaira e Khajamit. Sepse ka imazh, figurë stilistike, metër dhe ritëm i cili është kardiak dhe i cili e përcjell vetëm impulsin kozmik kreativ dhe ky reflekton në qenësinë time e cila më vonë ato i përçon në fjalë.

 

‘…Neve na mungon vokabulari tokësor për çështje qiellore’. Është motoja e juaj e preferuar. Çfarë dëshironi të thoni me këtë fjali?

Vetëm të vërtetën, asgjë më shumë. Kjo thënie tek unë ka eruptuar ka një kohë të gjatë. Tek romani ‘Nektarina’ të cilin e kam punuar plot 4 vjet, për shembull kur kam dashur ta përshkruaj personalitetin e Jezuit, nuk kam gjetur fjalë adekuate, prandaj është dashur ta farkoj vetë, kur një krijesë e Zotit si Jezui, në tërësi e shuan epshin dhe arrin nivelin e engjëllit, pra shuarja totale e libidos, unë kam gjetur një fjalë për të cilën kam shkruar edhe një poezi, e ajo fjalë është “Angeloid”, një entitet gjysmë njeri gjysmë engjëll.
Tevona, për përshkrimin e vizioneve dhe të përsiatjeve të mia më mungon vokabulari, nuk kam fjalë dhe në fjalorët e gjuhës shqipe nuk ka fjalë që do ta përshkruaja saktë atë që shoh dhe po këtë kur dua t’u transmetoj të tjerëve. Të gjithë të tjerët që hasin në këtë problematikë, përdorin analogji, por larg është analogjia nga realiteti, një fëmije nuk mund t’i flasësh për kënaqësinë gjatë aktit seksual, por i thua se është sikur çokollata, apo ndonjë kënaqësi që ai e ka të njohur dhe më të përafërt. E sa larg është akti seksual prej kënaqësive të fëmijës para pubertetit e dimë në të rriturit. Edhe në Zhvillimin shpirtëror, deri tek arritja e Matanoia-s, respektivisht pjekurisë shpirtërore, doemos duhet të përdoret analogjia, me diçka më të përafërt për t’u receptuar më lehtë një fenomen i tillë.
Kur’ani është përplot me analogji, aty thuhet se në botën tjetër do të ketë verë nga e cila nuk dhëmb koka dhe nuk të deh, apo qumësht që nuk prishet, apo mjaltë me bollëk, po çka i duhet shpirtit vera, mjalti apo qumështi. Drita ushqehet vetëm me dritë dhe asgjë nuk humb nga vetvetja.

A keni diçka të veçantë që dëshironi t’i thoni lexuesve tuaj?

Po. Kam. Madje. Shumë. Por. Do. Të. Ndalem. Në. Vetëm. Disa. Pika. Me qëllim kam vënë pikë mbas secilës fjalë këtu që lexuesi të ndalet dhe të lexoj me kujdes. Në këtë mënyrë krijoj edhe efekt psikologjik edhe gjatë leximit. Kam paragraf të caktuar në roman, apo edhe strofë të tërë të artikuluar në këtë mënyrë, sepse në mënyrë instinktive lexuesi mbas secilës pikë, me inercion edhe lexon më ngadalë. 

Lexuesit i them atë që i kam thënë vetvetes që nga vetëdijesimi im i parë për ekzistencën time, Shkenca, Morali dhe Dashuria janë peri virtual tribojësh i cili duhet të lidhet në konop e të pështillet në një litar të fortë që të të lidh për hyjnoren, për zhvillimin vertikal të psikologjisë personale, për sukses horizontal në jetën e shkurtë në këtë planet.
Për këtë litar, dua ta shoh të mbajtur fort secilin lexues timin.

 

Çka mund të pres lexuesi nga ju në të ardhmen, është fjala për ndonjë vepër të re?

Kam planifikuar që më 20 dhjetor të këtij viti ta bëj promovimin e romanit më të ri HOJET, Librin PENDA i cili u botua në Beograd nga shtëpia botuese “Arhipelag” dhe PEN Qendra e Serbisë, si dhe Medaljen nga Filipine. Plani është që këto të promovohen në Prizren, pas kthimit nga Beogradi ku kam prezantimin e librit PENDA, në lokalet e PEN qendrës së Serbisë.

 

Keni marr ndonjë çmim letrar në Kosovë apo jashtë?

Jo në Kosovë, asnjëherë, por jashtë po, po pres medaljen e artë dhe mirënjohje nga Filipinet, që akordohet për Poezinë si urë lidhëse mes popujve, nga Axlepin Publishing në Filipine. /Telegrafi/

 

Burimi: http://www.telegrafi.com/magazina/ambasadori-i-poezise-shqipe-19-367.html

Të dhëna bibliografike për Prof.dr. Muhamet Pirrakun

26/03/2014 Lini një koment

TË DHËNA BIBLIOGRAFIKE PËR PROF.DR. MUHAMET PIRRAKUN

 

Pashtriku.org, 31. 01. 2014 – Mbrëmë me datë 30. 01. 2014 ndërroi jetë historiani ynë i shquar dhe ish i burgosuri politik, Prof. Dr. MUHAMET (MAN) PIRRAKU 1944-2014. Nesër, me datë 01. 02. 2014 mbahet mbledhja komemorative në ambientet e “Institutit Albanologjik” në Prishtinë në ora 11.00, ndërsa varrimi bëhet në fshatin Flamuras (Sankoc) në ora 15.00. Pamja mbahet në Prishtinë, Rruga “Bledi II”.

 

“Askush nuk të pyet: ç’ka bëri Atdheu për ty por të pyet, ç’ke bërë ti për Atdheun?!” – JFK(1)

Prof. dr. Muhamet Pirraku u lind në fshatin Flamuras, të Drenicës, më 12 tetor 1944. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje dhe në Bushat, më 1957. Për shkak se i ati, Mani, i përkiste “Lëvizjes Kombëtare Kaçake” të viteve 20, të shek. XX dhe “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës” gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe ishte jatak i njësiteve të NDSH-së, Muhameti, ndonëse nxënës shembullor, nuk u pranua në Shkollën Normale të Prishtinës. Pasi punoi një vit punëtor fizik në ndërmarrjen ndërtimore “Granit”, të Shkupit, në saje të rezultatit në fillore në vitin shkollor 1959-1960 u regjistrua pa provim pranues në Shkollën e Mesme Bujqësore të Prishtinës, të cilën e mbaroi me sukses të dalluar në qershor të vitit 1963.

PROF.DR. MUHAMET (MAN) PIRRAKU (12.10.1944 – 30.01.2014)

Pasi për disa muaj punoi drejtor teknik i bujqësisë në Bushat, u regjistrua në Fakultetin Filozofik, në Degën e Historisë, në Prishtinë, ku u diplomua më 1968.

Në fakt pas vitit të dytë pa shkëputje nga puna, nga fillimi i vitit shkollor 1965/66 punoi si arsimtar i historisë në Shkollën fillore “Emin Duraku”, të Prishtinës.

Në vitet në vijim punoi arsimtar jo i rregullt edhe në Medresenë “Alaudin”, ku i dha historinë dhe retorikën.

Nga tetori i vitit 1967 deri në tetor të vitit 1971 ishte arkivist për hulumtime e publikim të lëndës arkivore në Arkivin Shtetëror të Kosovës.

Këso kohe e mbajti mësimin e historisë në Shkollën e Mesme Teknike dhe pak kohë në Shkollën Normale të Prishtinës.

Shërbimin ushtarak e mbaroi nga gushti 1969-gusht 1970. Pasi punoi për një vit inspektor i arsimit në komunën e Drenasit, u zgjodh asistent i historisë në Entin e Historisë së Kosovës, prej nga, pa shkëputje nga puna, i ndoqi studimet në shkallën e tretë të studimeve pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit. Tezën e magjistraturës e mbrojti më 1976.

Mr. Muhamet Pirraku, duke e lexuar kumtesën në Simpoziumin për 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

Për aktivitetin politik antijugosllav, Pirraku, u përcaktua në fillim të viteve 60 të shek. XX.

Realisht, Pirraku, më 10 shtator 1960 u betua para Fazli Greiçevcit, me dorë mbi flamur kombëtar të cilin Fazliu e mbante në xhep.

Betimi u krye në Fushë të Madhe mbi “Tumën Ilire, e njohur si Gomilaq”. Teksti i Betimit ishte: “Betohem se prej sodit jetën do t’ia kushtojë lirisë së Kosovës dhe ribashkimit të Shqipërisë Etnike!”

Sipas udhëzimeve të Fazli Greiçevcit, Pirraku më 10 tetor 1960, e organizoi bojkotin e parë publik kundër mësimit në gjuhën serbokroate në Shkollën e Mesme Bujqësore të Prish¬tinës. Ai i solli tri paralele të klasës së dytë në Këshillin Ekzekutiv të Krahinës së Kosovës së me kërkesën këmbëngulëse: “…Duam që mësimi të zhvillohet në gjuhën shqipe!”

Prishtinë, Janar 1981: Prof.Muhamet Pirraku, në Institutin Albanologjik.

Bojkotuesit i priti përgjegjësi për arsim, Kolë Shiroka. Bojkoti do të kurorëzohet me plotësimin e kërkesës në vijimësi, brenda viteve shkollore 1960/1962.

Nga nëntori i viti 1963, Muhamet Pirraku i takonte “Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve” të prometeut Adem Demaçi.

Muhamet Pirraku nuk u zbulua nga Fazli Greiçevci (bashkëvendës), Dastan Muja nga Likashani (vëlla i gruas), Ahmet Mehmeti nga Plluzhina (dajë i gruas) dhe Ahmet Haxhiu nga Lupqi (krahu i djathtë i Demaçit), me të cilët bashkëvepronte gjatë viteve 1963- 1964.

Në vitet shkollore 1965 përfundimisht me vitet 70, Pirraku, i përkiste grupit të intelektualëve, i njohur si “Çeta e Bajo e Çerçiz Topulli”.

Bajo ishte Murat Blaku, kurse Pirraku ishte Çerçizi.

Ky grup, nga viti 1968, kishte 12 bashkëveprimtarë me korife Ismail Dumoshin. Çeta “Bajo e Çerçiz Topulli” e lidhte aktivitetin politik kombëtar shqiptar disident brenda shoqërisë shqiptare në Jugosllavi me frymën kombëtare të shoqërisë shqiptare në Shqipëri dhe me aktivitetin kombëtar të ilegales shqiptare në Jugosllavi e në botë, me rëndësi politike në të gjitha ngjarjet-kthesat historike shqiptare në Jugosllavi e më gjerë.

Muhamet Pirraku ishte lidhja kryesore e përpjekjeve studentore të Prishtinës me demonstratën studentore në Universitetin e Beogradit të qershorit 1968. Pirraku, asokohe, hulumtonte në arkivat e Beogradit për arkivin e Kosovës dhe pas punës u bashkohej demonstruesve, për të cilët shkroi disa pamflete serbisht, të cilat, studentët i lexonin me altoparlant në selinë “Cerveni Univerzitet”. Pirraku ishte krahu i djathtë i Ismail Dumoshit në përgatitjet e demonstratave studentore të “Nëntorit 1968” në Prishtinë e rrethinë.

Studiuesi i historisë sonë të anatemuar, e gati të “harruar”, Muhamet Pirraku, punën shkencore-kërkimore profesionale e filloi nga viti 1967, por shkrimin e parë nga historiografia e botoi në prill të vitit 1968, kurse persekutimin e parë politik e administrativ nga pushteti e përjetoi në fillim të viteve 70, i goditur nga mesazhi politik i “Letrës së Titos”. Pirraku, përkrah Halil Alidemës e Dem Fetës organizoi përpjekjen studentore kundër “Stafetës së Titos”, më 26 mars 1981, që realisht ndikoi në masivizimin e “Demonstratës së 1 dhe 2 prillit 1981”.

Pirraku nuk qëndroi si “sehirxhi” as pas pranverës shqiptare të mars-prillit 1981.

Do të përcillet këmba-këmbës deri më 4 gusht 1981, kur do të arrestohet me motivim se ishte “organizuesi kryesor i demonstratave të prillit 1981”.

Faktikisht, Sigurimi Shtetëror i Kosovës e arrestoi në bazë të urdhërarrestit të nënshkruar nga Fadil Hoxha, ndërsa në ekipin e Hetuesisë morën pjesë edhe udëbashë nga Serbia e Jugosllavia.

Pirraku nuk pranoi të kishte pasur ndonjë rol në demonstrata, “përpos si pjesëmarrës pasiv” dhe as që pranoi të fliste për aktivitetin politik të shokëve bashkëveprimtarë nga mesi i viteve 60 dhe 70. Më 19 gusht 1981, udbashi Lorenc Selmani, në prani të Sabah Muhaxherit (shef i stafit të hetimeve ndaj Pirrakut) e të Lutfi Ajazit, e torturoi mizorisht, ia dëmtoi përjetë 100 % nervin e dëgjimit të veshit të majtë, e rreth 30 % në veshin e djathtë, e pothuajse e paralizuan duke i rënë duarve e këmbëve me “pendrek”, sa e bënë në gjendje të tillë që ta vishte e ta ushqente Osman Visoka nga Besiana (një burrë i pashoq, i burgosur sipas një kurthi kinse e ka vjedhur shitoren ku ai ishte shitës).

Pirrakut, duke ndjekur shembullin e korifeut-heroit të kombit Fazli Greiçevcit, udbashët nuk arritën t’ia shoqëronin lëndën për akuzë as një emër të bashkëveprimtarëve, përpos emrit të të vëllait, Zejnullah Pirrakut, asokohe kryetar i Gjyqit Komunal të Gllogovcit, në bazë të një letre që Muhameti ia kishte dërguar Ismail Dumoshit në qershor të vitit 1968, për demonstratat studentore të Beogradit.

Kjo letër, për siguri ishte adresuar në emrin e të vëllait Habib Pirrakut, student, por udëbashët e hetuesisë, sipas diktimit të Lutfi Ajazit atë letër ia ngarkuan Zejnullahut, duke ia deformuar emrin në Zunullah siç e thirrnin Lutfiu me të atin. Nga ankesat e Mr. Muhamet Pirrakut shihet përpjekja e tij për t’ia atribuuar letrën atij që ia kishte adresuar nga Beogradi Habibit.

Mirëpo Habibi kishte vdekur në vitin 1972 dhe udëbashët vendosën ta persekutonin Zejnullahun nga frika se ai do të mund të ndikonte në rrjedhën e gjykimit të të vëllait, Muhametit. Vërtet, Zejnullahu e pagoi rëndë, e larguan nga vendi i punës dhe ia morën gradën e “togerit” (2).

Muhamet Pirraku këto mustaqe i la në “Burgun e Prishtinës” të shtunën e parë pas dhunës së 19 gushtit 1981.

*  *  *

E sapo Muhamet Pirraku do të këndellet për të ecur pa e mbajtur, Gjykata Komunale e Prishtinës, më 12 nëntor 1981, e dënoi me dy vjet burg, por shkalla e dytë (Gjykata e Qarkut e Prishtinës), pas një viti të mbajtjes së dënimit në burgun e qarkut të Prishtinës, të Mitrovicës e të Sarajevës (këtu në vetmi), e dënoi me një vit, realisht aq sa e kishte vuajtur deri atëkohë.

U lirua më 4 gusht 1982.

Me rastin e arrestimit të historianit Pirraku, Sigurimi Shtetëror Jugos¬llav ia konfiskoi atij pa kthim rreth dhjetë mijë faqe dorëshkrime: shënime të kujtesës historike, punime shkencore, shumë ditarë dhe rreth tridhjetëmijë vargje poetike si edhe literaturë historio¬grafike e politike me vlera të mëdha për kohën (3).

Këtu duhet të konstatojmë se shumë shkrime të Profesor Pirrakut nga vitet 70 e më vonë i përdorën organizatat “klandestine” në vend dhe në botë, si pamflete e prova shkencore për pasqyrimin e gjenocidit serb e jugosllav ndaj shqiptarëve. Ky fakt, studiuesit Pirraku i krijoi alibi për ta survejuar politikisht, që rezultoi me faktin se nga viti 1976 deri në fillim të viteve 90 pati ndalesa e pengesa për botim e veprimtari shkencore.

Pas burgut, duke mos dashur të jetonte e t’i shkollonte pesë fëmijët me ndihma të bashkëveprimtarëve e as të vëllezërve të vet e të gruas, një kohë punoi punë fizike të mjeshtrit-murator në Prishtinë e rrethinë, kurse në Institutin Albanologjik të Prishtinës-IAP do të kthehet me konkurs, më 13 dhjetor 1983, për ta filluar punën nga fillimi i vitit 1984, me titull shkencor më të ulët sesa e pati para burgosjes dhe me ndalesa për punë kërkimore-shkencore deri në tatëpjetën e madhe të shthurjes së Jugosllavisë avnojiste.

Pas shumë peripecive, nëpërkëmbjeve e persekutimeve politike, studiuesi Pirraku, arriti që Këshillin Shkencor të Universitetit të Prishtinës ta sjellë para një akti që nuk ishte i njohur deri asokohe.

I paraqiti tri teza të shkruara të doktoratës më kërkesën që Këshilli Shkencor ta zgjedhë njërën, e ta ngrejë Komisionin pa mentor! Nëse nuk mund ta mbronte ta rrëzojnë!

Pas shumë pritjeve, u realizua kërkesa dhe Pirraku në tetorin e vitit 1988 arriti ta mbronte tezën e doktoratës (deri atëherë), i vetmi pa mentor në Universitetin e Prishtinës.

Prof.Dr.Muhamet Pirraku, gjatë aksionit të Pajtimit të Gjaqeve 1991

Veprimtari i orëve të para, Dr. Muhamet Pirraku, duke mos hequr dorë nga aktiviteti politik kombëtar, sapo në Zagreb u ngrit “Shoqata e të Burgosurve Politikë”, nga fundi i vitit 1989 i tuboi disa të burgosur politikë më markantët e kohës dhe e formoi “Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës”, ndërsa, sapo u ngrit “Lëvizja Demokratike e Kosovës”, mori rolin e aktivistit me përvojë për punë me masat, e që rezultoi me zgjedhjen e Dr. Muhamet Pirrakut kryetar i Degës së Dytë të LDK të Prishtinës, e cila e barti barrën organizuese të referendumit për Republikën e Kosovës të 26-30 shtatorit 1991.

Së paku këtu e kemi për detyrë të konstatojmë se në fillim të “Aksionit Studentor Njëmujor për Faljen e Gjaqeve” (shkurtit 1990), Profesor Pirraku me fillimin e saj e bashkoi “Kryesinë e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës” me “Aksionin Studentor”, e në rolin e koordinatorit të “Kryesisë së Këshillit Qendror të Lëvizjes”, ndikoi që “Aksioni” të rritet në “Lëvizje për Pajtimin Kombëtar Shqiptar”, gjë që zgjati mbi dy vjet, me ndikim të madh në kthesën vendimtare shqiptare për çlirimin nga pushtuesi jugosllav.

Profesor Pirraku, me pseudonimin “Pajtim Shala”, realisht luajti rolin e një zëdhënësi të “Lëvizjes për Pajtimin Kombëtar Shqiptar”. Dr. Muhamet Pirraku është i vetmi veprimtar i “Lëvizjes për Pajtimin Kombëtar Shqiptar”, i cili për dy vite të lëvizjes mbajti “Ditar” për 476 ditë.

Profesor Pirraku, në verën e vitit 1990, i organizoi dy aktivitete në vendlindjen e tij, në Flamuras të Drenasit .

E para, në krye të flamurasve e rivarrosi Prometeun Fazli Greiçefci.

Veprimtari Pirraku, Atij para të të cilit ishe betuar më 1960, me duar të veta pa dorëza ia nxori eshtrat nga Sarkofagu i blinduar nga udëbashët, të cilët e mbytën me llos në Burg më 1964, e ia vuri në arkivolin që meritonte “Dëshmori-Hero i Kombit” dhe ia mbuloi me Flamurin Kombëtar, për ta varrosur në themel të përmendores dedikuar për atë, kurse në sarkofagun e blinduar të UDB-së veprimtari Pirraku e vendosi poezinë “Mbi Varrin e Fazli Greiçefcit”, të shkruar mbi varrin e tij në vitet 60 të shekullit të 20-ë.

Pirraku e mbajti referatin për jetën dhe veprimtarinë politike të Fazliut, në kohën kur pushtuesi serb bënte kërdi, me çka i frikësoi shumë pjesëmarrës në Akademi.

Pastaj Profesor Pirraku në krye të flamurasve i rivarrosi tre NDSH-istët emblematikë: Hoxhë Avdin (Arif Shala), Izet Muratin (Gjoshi) e Sokol Brahimin (Haxolli), të vrarë në vitin 1946, e të varrosur në “Vorre të Lopëve”, në Mirenë.

Prof.Dr.Muhamet Piraku – gjatë hulumtimit të gjenealogjisë së Hasan Prishtinës.

Profesor Pirraku, me duar të veta e pa doreza, ua nxori eshtrat nga gropa dhe ua vendosi në një arkivol të cilin e merituan “Dëshmorët e Shqipërisë Etnike”, të mbuluar me Flamurin Kombëtar e për t’i varrosur në një varr në themel të përmendores për Ata. Të pranishmit në Akademinë Solemne kurrë nuk do t’i harrojnë theksimet e Profesor Pirrakut në referatin e tij.

Në vijim, veprimtari Pirraku, me prani të bashkëvendësve e të Amet Haxhisë, me duar të veta e pa doreza, ia nxori eshtrat dëshmorit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, Shaip Haxhisë së Lupqit të Lapit (i ati i Ahmet Haxhisë), i vrarë nga ushtria jugosllave, më 1945 në malin Kulla të Flamurasit.

Fjala e Profesor Pirrakut në rivarrimin e dëshmorit Shaip Haxhiu u prit e u përgëzua nga të pranishmit.

Kurrë nuk do të harrohet fjala e Profesor Pirrakut në Akademinë me rastin e ngritjes së Përmendores së Rifat Berishës, pastaj fjala në Akademinë me rastin e ngritjes së Përmendores së Ibrahim Lutfut e të Zenun Kepës si edhe fjala në Akademinë me rastin e ngritjes monumentit mbivarror të Saban Palluzhës.

Profesor Pirrakut deri në vitin 1993 nuk i dhanë pasaportë, kurse udhëtim e parë e pati në Tiranë për hulumtime njëmujore për t’i plotësuar boshllëqet për veprën “Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1941-1952”. Ky libër realisht shërbeu si Program Kombëtar edhe për UÇK-në. Profesor Pirraku nëpërmjet arsimtarit Vesel Shabani, nga Mikushnica, sapo doli nga shtypi Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1941-1952”, ia dërgoi 10 copa (për falas) ADEM JASHARIT në kullën e të atit. Ademi i mori librat me një falënderim të sinqertë për Profesor Pirrakun, ndërsa Veselit ia dha 400 marka gjermane për autorin e veprës.

lugë, Gusht 2011: Prof.Dr.Muhamet Pirraku me Sh.Berishën, të Obilesku i Heroit të Kombit Afrim Zhitia.

Prof. dr. Muhamet Pirraku është ndër historianët tanë, i cili me kurajë e me guxim e mori në mbrojtje UÇK-në që nga aksionet e para deri me çlirimin e Kosovës.

Pas çlirimit të Kosovës, Profesor Muhamet Pirraku, u doli në mbrojtje UÇPMB-në në Kosovën Lindore e UÇK-së në Iliridë.

Me ngritjen e PDK-së, Pirraku, ishte njëri ndër aktivistët që kontribuoi për masivizimin e saj, ndaj u zgjodh anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së dhe deputet i saj në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Si gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së, edhe pas çlirimit, Profesor Pirraku mbajti shumë referate në akademitë për luftën çlirimtare të UÇK-së dhe dëshmorët e saj.

Një pjesë të këtyre referateve i botoi në veprat: “Për Kauzën e UÇK-së dhe për Kauzën e shtetësisë së Kosovës”. Profesor Pirraku më 2001 i propozoi zërat e “Luftës Çlirimtare të UÇK-së” dhe të “Dëshmorëve” të saj për “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, dhe po në vitin 2001 e përgatiti një simpozium në nivel të kombit për UÇK-në.

Prishtinë,Janar 13: Prof.Dr.Muhamet Pirraku me kryeredaktorin e pashtriku.org-Sh.B.

Prof. dr. Muhamet Pirraku pati rol të rëndësishëm në “Komisionin për Ligjin për Dëshmorët e Martirët e UÇK-së” si edhe në Këshillin Komunal të Prishtinës për emërimin e rrugëve, lagjeve e të shesheve, 1999-2000, që shërbeu si bazë edhe për komunat e tjera.

Prof. dr. Muhamet Pirraku e barti barrën profesionale në “Komisionin për emërtimin e rrugëve, lagjeve e shesheve të Prishtinës”, ndërsa pati rol të rëndësishëm edhe për ngritjen e “Këshillit për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës 1999- 2001”.

Në fushë të dijes historiografike, Prof. dr. Muha¬met Pirraku, u bë emër i mirënjohur, me shkrime të guximshme të mbështetura në faktografi burimore. Me emër të tij, e me pseudonime, deri tashti i publikoi mbi 6010 zëra bibliografikë-studime, artikuj, trajtesa, recensione, kritika, fejtone, historiografike, mbi 49020 faqe A-4.

Përpos atyre, i botoi edhe këto vepra:

– Kultura Kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, Prishtinë, 1989 (Doktorata)

– Historia për klasën VII (bashkautor S. Rizaj), Prishtinë, 1975;

– Salih Gjukë Dukagjini: Shkrolaria e shqypes (nga osmanishtja: dr. Feti Hehdiu, mr. Mehdi Polisi), Prishtinë, 1991;

– Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992;

– Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës, TIVARI 1945, Prishtinë, 1993;

– Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941- 1952, Prishtinë, 1995;

– Albania e Konicës, Prishtinë, 1995;

– Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (bashk¬autor dhe kryeredaktor), Prishtinë, 1995;

– Lidhja Shqiptare “Besa-Besën” në burimet serbe 1892-1902, Prishtinë, 1996;

– Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992. Kronikë, Prishtinë, 1998;

– Për kauzën shqiptare 1997-1999, Prishtinë, 2000;

– Dritë e re për kryetarin e parë të Shqipërisë Etnike (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë, 2002;

– Jo katedrale në emër të shqiptarisë së imagjinuar, Prishtinë, prill 2003 (Botim i Dytë, i zgjeruar, qershor 2003);

– Myderriz Ymer Prizreni-Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Prishtinë, 2003;

– Arrestimet e Pjesëtarëve të TMK-së-Ç’është kjo?! (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë, 2004;

– Tivari 1945-Kalvari i Kosovës, Prishtinë, 2005;

– Masakra në Burgun e Dubravës 19-24 maj 1999 (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë 2005;

– Për kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006;

– Për kauzën e shtetësisë së Kosovës, Prishtinë, 2008;

– Adem Guta ekzemplari i patriotizmit të gjeneratës (1916-1945), Prishtinë, 2008.

– Martirët e Shqipërisë Etnike nga Derë e Stak Mark Mirditës,2011.

Në nëntor 2013 botohet vepra “Hasan Prishtina-Vlerë Sublime e Kombit”.

Veprimtari politik kombëtar, Prof. Dr. Muhamet Pirraku ka edhe libra të tjerë të botuar me emra të tjerë e në dorëshkrim. Ishte këshilltar shkencor në Degën e Historisë së Institutit Albanologjik të Prishtinës, kurse nga prilli i vitit 2010 ishte në pension.

____________

Bibliografia:

1. Këtë Biobliografi të veprimtarit Muhamet Pirrakut e kemi hartuar mbështetur në të dhënat biobliografike në veprat e në ditarët e tij në dosjen e autorit, Arkivi Historik i Qytetit të Prishtinës-Dosja: Gjyqi Komunal i Prishtinsë, K. br. 405/81.

2. Arkivi Historik i Qytetit të Prishtinës-Dosja: Gjyqi Komunal i Prishtinsë, K. br. 405/81.e arkiva shkencore Muhamet Pirrakut dhe arkiva e advukatit Zejnullah Pirrakut.

3. Më gjerësisht Shih në dosjen e Muhamet Pirrakut, në Arkivi Historik i Qytetit të Prishtinës, Komunal K. br. 405/81.

———————————

Prishtinë, 27. 12. 2013: Gjatë një vizite në shtëpinë e Prof.Dr.Muhamet Pirrakut, pas botimit të librit: “Hasan Prishtina vlerë sublime kombit”. Fragmente të këtij libri (në dorëshkrim) janë botuar në portalin pashtriku.org.

 

Burimi: http://www.pashtriku.org/index.php?kat=64&shkrimi=2339

Batoni si khomeinist

16/03/2014 Lini një koment

Arbër FETIU

 

BATONI SI KHOMEINIST

Arbër Fetiu

Arbër Fetiu

I kam lexuar duke mbajtur frymën dy shkrimet e fundit te Baton Haxhiut (“Shamia” dhe “Tre momentet e Aidës” tek Gazeta Tema) siç bëjë shpesh kur shkruhet për fenë apo për Islamin në atë hapësirë që ndanë me hapësirat tjera post-komuniste “panikun moral” sahere qe flitet per sferen publike dhe religjionin. Kështu bëj zakonisht kur lexoj nga deklaratat e Marine Le Pen-it, apo kur dikur lexoja ndonjë intervistë të Jörg Heider-it te Austrisë. Ka aq shumë piktakime ku diskursi i Batonit dhe disa opinionisteve e qytetarëve të tjerë puqet me diskursin e të djathtës ekstreme në Evropë dhe të paternalizmit selektiv të tyre. Por ka një dallim subtil këtu, ngase e djathta ekstreme diskursin e saj fashist e drejton ndaj “imigracionit” apo “te huajve”në përgjithësi, e ndaj imigracionit arabo-musliman në veçanti, ndërkaq diskursi i Batonit, i shprehur “si fabul” në muhabetin rreth “shamisë”, siç thotë ai, më ngjason më shumë me diskursin dhe pasqyrimin anti-semitik të nazizmit. Shamia e këtë diskurs, është “hunda e hebrenjve” në diskursin nazist racial, ku fshihej armiku i Gjermanisë së Hitlerit. Në portretin e hundës hebrejë ndërtohej narrativa naziste e rrezikut dhe gjindej elementi identifikues i konspiracionit e i komplotit i cili trasonte rrugën e shkatërrimit te Gjermanisë, mendonin nazistet. Tek hunda hebreje që merrte frymë në Evropë për 2 mijë vjet, papritmas do të zbulohej simboli i armikut të Gjermanisë, aty diku, në “gjeometrinë e hundës” fshihej armiku kombetar i arianeve. Nuk është ndryshe me shaminë, edhe pse kjo nuk ndanë komponentin racial që i vente shkencizmi racial i Hans Guntherit në Raihun e Tretë hundes së hebrejve, ajo megjithatë nëpër portale të ndryshme tashmë edhe është “racializuar” ngase perflitet se bartet nga “vajzat talebane” e nga “këto far arabet” , nga njerez nga “Tora Bora” që nuk e kanë kuptuar ende se, siç thotë Batoni, ne “jemi të bardhë”, pra jemi disi ariane. Pa harruar këtu të folurën prej burrave me kravata kroate që çohen kundër “veshjeve iraniane” (me ngjyra të zeza e të mbylltë thoshte në dokumentin e tij drejtori i gjimnazit në Gjilan, nuk guxojnë të kthehen në shkollë vajzat, por vetem me ngjyra te kuqe e portokalli thoshte ai, pra me ngjyra “ariane” disi) duke i vënë kështu ketij racizmi pa race atë komponentin “patriotik” për ta shndërruar fashizmin në akt të mbrojtjes së kombit, e të kulturës primordiale shqiptare.

Fryma disi ndalet kur lexon Batonin e disa te tjerë tek thirrin në ngufatjen e çdo debati rreth fesë në hapësirën publike, duke u përmendur laicitetin ne formen e tij me fetishe si “ndarje e shtetit prej fesë” e duke i veshur atij të paqenën, për të legjitimuar absurdin e fashizmit që përmbajnë dy shkrimet e tij. I shprehur në Kushtetutën e Kosovës tek neni 8, laiciteti pasqyron rendin politik e institucional të Kosovës. Por krahas kesaj, Kushtetuta garanton edhe lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes. Në parim, laiciteti si nocion i regjimit politik ka pikërisht për qëllim të garantoj këto të dyja, që janë vet objektivi i këtij nocioni politik, që mund të përmbushet përmes dy nën-principeve të rëndësishme: neutralitetit të shtetit dhe ndarjes së institucionit fetar (e jo të individit fetar) nga institucioni politik. Laiciteti nuk është laicizimi i shoqërisë dhe individit, ai është thjeshtë një emër tjetër për rregullimin e pluralizmit në hapësirën publike e institucionale duke i maksimizuar të drejtat fondamentale të individëve, të cilat mund të kufizohen vetëm e vetëm për motive të ruajtjes së “rendit publik, sigurisë dhe shëndetit” siç përcakton e njëjta Kushtetutë e Kosovës tek neni 55. Ajo që Batoni shpreh kuturu, e bashkë me të edhe shumë të tjerë po aq të panjohur me nocionin, është forma e tij ideologjike, kallëpi pozitivist i Charles Renouvier-it apo sot i Henri Pena-Ruiz-it, që tek ne funksionon disi si “kalë Troje” për të shprehur ngërçin që Batonët kanë me një fe të caktuar në Kosovë. Funksioni ideologjik i laicitetit është përtej funksionit politik të tij, është në fakt antitezë e tij, prandaj edhe tek Pena-Ruiz sot apo Charles Renouvier dje,kjo forme e ideologjizuar e tij funksionon, siç thote Henry Cox tek “The Secular City” , “si përpjekje hegjemonike nga larte-poshte për të zhveshur individin nga çdo referencë metafizike e orientuar atë nga empirikja, per ta çliruar ate nga transcedentalja per ta shendruar ne pozitivist”. Por Batoni nuk është tamam kështu, ngase Renouvier dhe Pena-Ruiz janë disi me inkluziv në ideologjinë e tyre anti-fetare, ata aty fusin çdo reference transcendentale e çdo fe : por Batonët janë më shumë sikur Le Pen dhe Jörg Heider që koncentronin ekskluzivisht fashizmin e tyre ndaj myslimanëve kur kërkonin që shamitë të ndalohen edhe në rrugët e Francës dhe Austrisë, gje qe mund te zë vend ne shkrimin e ardhshëm te Batonit. Këtu Batoni, kur kërkon që mos të ketë fare debat për shaminë, ai është po aq ekskluziv, ngase nuk e kanë penguar ndonjëherë muzika liturgjike në Filharmonine Publike të Kosovës ku unë kam kënaqësinë te dëgjoj Ave Maria-an, Agnus Dei-n apo Magnificat-in….apo nuk e kanë penguar ndonjëherë shamitë e motrave të nderit në spitalin e Gjakovës ku ato me shërbenin me profesionalizëm, e as që duket ta kenë penguar ndonjëherë (ajo qe mbase vërtetë do duhej) fletushkat evangjelike me sheqerka e me fletore qe u ndahen vazhdimisht fëmijëve të shkollave fillore nëpër Kosovë (apo forma e tyre e modifikuar, kur fëmijët në shkolla ftohen të marrin dhurata përtej oborrit të shkollës, ku përveç sheqerkave dhe ndonjë fletoreje, u jepen materiale proselituese) që sillen si “hedije” nga ndonjë shkollë private evangjelike diku në ndonjë fshat të humbur të Teksasit. Rrjedhimisht, Batonët që përdorin “laicitetin” si “kalë Troje” për të mashtruar popullin që nuk ka ende një libër mbi laicitetin në gjuhën shqipe, janë laiket me të përçudnuar, laikët me deficit, laikët antiteze e laicitetit pra. Batonët që përflasin “laicitetin” në formën e tij ideologjike vetëm për shamitë, disi në disa cepa bien në atë që filozofi frëng Edgar Morin quante “catho-laicité” , apo “kato-laicitet”. Në anën tjetër të taborit batonist është kategoria anti-laicitet, e cila ndanë me batonistët pikërisht injorancën ndaj nocionit. Në fakt të kuptuarit e laicitetit prej këtyre dy kategorive është krejt i njëjtë. Shumë nga myslimanët që hidhen kuturu me retorikë kundër “laicitetit” e gjejnë legjitimitetin e tyre pikërisht tek diskursi kategorisë absolutiste të batonistëve: ata janë kundër “laicitetit” ashtu siç shpërfaqet në këtë diskurs ideologjik të Batonit, ata janë kundër po ashtu sepse mbase diktaturat e lindjes ishin laike dhe se thirreshin batonisht në laicitet, janë kundër ngase në mendje ju vie Ataturku e jo Kanadaja, ngase në mendje u vie Le Pen, Vildeers, Heider, Pim Fortyn e jo Charles Taylor, Jean Bauberot, Micheline Milot, Habermas etj. Loja e ndotur luhet mes ketyre dy kategorive ku njëra gjurmon material tek tjetra.

Ka diçka të çuditshme dhe të neveritshme në debatet publike në Kosovë. Natyrisht nëse pajtohemi se ka “debat”. Kjo hapësirë është e dominuar nga kategori absolutiste, që bëjnë ping-pong mes veti dhe që në fakt kanë një mardhënje ndër-ushqyese njëra me tjetrën, një mardhënje ndër-inspiruese. Kategoria absolutiste ku bënë pjesë Baton Haxhiu, bashkë me disa opinionistë të tjerë aty jashtë, ndanë një seri “pikash kontakti” me diskursin e disa të rinjve ultrakonservator myslimanë që krijojnë një kategori absolutiste në vete. Njëri nga segmentet e territorit të tyre i përbashkët është konspiracionizmi: ashtu siç mund të gjesh nëpër disa portale myslimanësh shkrime të përçudnuara ku çdo akt ligjor lokal i Amerikës, çdo vepër orinentalistẻsh apo çdo prononcim mbi të vërtetën e tyre nga njerëz që nuk i takojnë asaj, pasqyrohet disi si “luftë kundër Islamit” (mbase jo pse nuk ka një gjë të tillë, por se në atë kallëp futen edhe kritikat legjitime e edhe prononcime thjeshtë “ndryshe” rreth Islamit) si njëfarë përpjekje për ta “shkatërruar Islamin”; njëlloj edhe diskursi i batonistëve ndërthur elementet konspiracioniste që sheh shaminë si hap drejt “luftës civile”, apo si veshje “me rrogë” (Flaka Surroi), apo si hap më kompleks te cilin në mënyrën më patetike e shprehte Teuta Sahatçiu në një debat televiziv (thuajse të kishte përkthyer fjalë për fjalë nga një interviste e Jörg Heiderit) ku deputetja thoshte se “këta (!?) njëherë kërkojnë ta fusin shaminë në shkolla, masanej ta fusin fenë në shkolla, masanej ta marrin parlamentin, masanej ta bojnë shtetin, e t’na kpusin durt e t’na vnojnë shamia grave, e t’na vrasin me gurë”….Disi mungon vetëm zbulimi i “Protokolleve të të Urtëve të shpellës Hira” apo “Protokollet e Urtakeve të Stambollit” për të kompletuar pikturën e ketij teatri absurd. Ka edhe shumëçka tjetër që mund të ndajnë këto dy diskurse (që janë vetëm dy nga kategoritë absolutiste e oqeanin e absolutizmave partiak e ideologjik të shoqërisë sonë), e kjo shfaqet kur për shembull disa myslimanë ndërtojnë “argumentin” e tyre në formën “vajzat me minifund po lejohen në shkollë e ato me shami nuk po lejohen” e kështu në mënyrë implicite disi thurin argument të ngjashëm me batonistët, por këtu duke shprehur ndaj minifundeve atë që batonistët shprehin ndaj shamisë. Territori i përbashkët i këtyre kategorive absolutiste përmban edhe elementë të tjera që ska hapsire ketu për ti elaboruar, por ajo që është disi e qartë është se këto të dyja disi ushqejnë njera tjetrën dhe flasin me njëra tjetrën. Por flasin me njëra tjetrën disi nëpër agora jo të barabarta: përderisa batonistët bëjnë këtë nëpër gazeta ditore e programe televizive, të tjerët kanë facebook-un a ndonjë portal të çuditshëm. Përderisa batonistët shihen si “intelektualë” , të tjerët janë “taleban”. Por ajo që është edhe më skandaloze është se Shteti i cili me nenin e 8-të të Kushtetutës obligohet të jetë neutral në kritikën apo favorizim e këtyre kategorive absolute është “palë” , është kategori absolutiste në vete. Në fakt ajo që është me problematikja në këtë hapësirë diskursesh absolutistë është të jesh diku në mes, të kritikosh këtë lloj absolutizmi, ngase atëherë këto kategori e kanë disi problem të të pozicionojnë se më ke je me “ne” apo me “ata (jo çuditërisht shkrimet e Batonit literalisht e bëjnë ndarjen mes “neve” dhe “atyre”) , e kanë disi vështirë të të bien “n’fije”. Nga kjo vështërsi dhe ky siklet, kur një ateist, agnostik apo një qytetar i sekularizuar shkruan apo flet parimisht mbi të drejtën për të bartur shamitë apo për të drejten e besimtarëve dhe ateistëve qe të jetojnë lirshëm në paradigmat e tyre, ai apo ajo shndërrohet në dhunshem në “fundamentalist islamik” apo “kolaborator” nga kategoria batoniane, ai bëhet “ata”, ngjashë sikurse kur një mysliman i cili kritikon ndonjë irracionalitet të ndonjë hoxhe ai bëhet me “ata” bëhet disi “tradhetar”, sepse në mendësinë absolutiste operohet vetëm në terma kategorish e jo principesh, në terma ideologjik e jo parimor, me bajraqe e jo me drejtësi. Kësisoj Aida Derguti bëhet “ata” e disi diku larg, sikur ne bilardo disi me “shpontë” edhe Alan Badiou e Bruno Latour shndërrohen idiotsisht në “fundamentalist islamik” , pra edhe në tradhtar të njëfarë nacionalizmi të përçudnuar të Le Pen-it apo te Batonit/isteve. Aida e të tjerë bëhen komplice të “Endrrës Islamike” të Imer Mushkolajt e të “Luftës Civile” të Baton Haxhiut, ajo “tradhtarizohet me dhunë” në imagjinaren apokaliptike të së djathtës ekstreme shqiptare, sepse fundja si është e mundur që dikush tjetër përveç fanatikëve, radikalëve e fundamentalistëve (siç bëhen shpesh sallatë këto terma nëpër gazetat tona) të mbështes të drejtën e vajzave për të mbajtur shami në kokë !? Aida e të tjerë si Aida, disi fillojnë të përfytyrohen si “kripto-fanatik” apo “kripto-radikal islamik” në imagjinaren e kategorisë absolutiste batoniane. Çdo person i sekularizuar që merr guximin për të folur parimisht për çështjen e fesë në sferën publike, rrezikon të “islamizohet me dhunë” nga kjo kategori absolutiste ashtu si cdo musliman i cili ngreh ndonje debat të brenshem në komunitet rrezikon të trajtohet për “heretik” nga absolutiste të anës tjetër.

Ka diçka jashtëzakonisht khomeiniane në diskursin e Baton Haxhiut apo në konkludimet ideologjikisht anti-imigracion të Komisionit Stasi (emër që ironikisht nuk ngjallë kujtime të mira për Evropën) në Francë. Ajo që ndodhë në Francën e kompleksit kolonial e që bluhet në kokën e Baton Haxhiut ngjason shumë me modusin e khomeinizmit pas Revolucionit Iranian. Përderisa khomeinizmi ligjërisht obligoi femrat që të mbulohen në krejt sferën publike (apo ndryshe ndaloi femrat që të zbulojnë kokën) duke e homogjenizuar veshjen përmes normave hegjemonike, në shkollat e komisionit Stasi të Francës apo në bluarjet e Baton Haxhiut, modus operandi është identik, dhe vetëm përmbajtja ndryshon: khomeinizmi e saudizmi “neutralizon”shkollën duke ndaluar zbulimin e flokëve, khomeinistet tanë me të njëjtën skemë ndalojnë mbulimin e flokëve ne shkolla . Të dyja këto ndjekin të njëjtin model dhe puqen bashkë tek hegjemonia dhe koercioni nga lartë-poshtë.

Shamia si objekt e diskursit të së djathtës ekstreme shqiptare, në fakt është edhe “çështje burrash” për aq sa ajo është një mikrokozmos ku derdhet fashizmi e ksenofobia. Ajo është çështje qytetarësh, jo si shami, por si pikë debati ku shprehen qëndrime të përçudnuara rreth religjionit dhe sferës publike në përgjithësi. Shamia e sotme, është turbani e kippa e burrave nesër. E përderisa shamia është emri ku shpërthen karakteri ideologjik i retorikes mbi “laicitetin” , ajo mbetet njëra nga fushat ku shprehen fashizmit, për aq sa debati përcillet me absurditete si ato te Baton Haxhiut.

I tërë ky diskurs mbeshtetet ne kugeza letre, në thirrje të rrejshme, në fatamorgane. Ai mbështetet tek një Evropë e përfytyruar rrejshëm. Tek një Evropë fetish. Mbështetet aty pikërisht ngase vetëm në këtë retorikë disi mund të gjinden partizanë në hapësirën tonë ku semantika për Evropën është ajo që bllokon masat, e ku retorika për të e rreth saj është më shumë se obsesion. Evropa e fetishizuar per shqipëtarët, është opiumi i popullit. Aty ku ka diskurs të tillë në emër të Evropës, ku për të flitet shumë, mbase ka më se paku “Evropë”.

Të gjithë muslimanët janë terroristë, përveç 99.9% të tyre

01/02/2014 Lini një koment

Amir AHMETI

 

TË GJITHË MUSLIMANËT JANË TERRORISTË, PËRVEÇ 99.9% TË TYRE

Amir Ahmeti

Amir Ahmeti

Ka kohë që në trojet tona shqiptare disa islamofob dhe antiteista po mundohen të frikësojnë popullin tonë nga kinse radikalizmi, fundamentalizmi, ekstremizmi e terrorizmi islamik. Madje nga shumë politikbërës dhe pseudointelektual në Kosovë dëgjojmë shpesh fjalime e prononcime për kinse rrezikun nga radikalizmi dhe terrorizmi islamik. Aq shumë është bërë propagandë anti islame në botë por edhe në vendin tonë, saqë kur përmendet termi radikalizëm ose terrorizëm, menjëherë nënkuptohet se fjala është për radikalizëm ose terrorizëm islamik, sikur të ishin këto dy terme të dedikuar enkas për islamin dhe muslimanët.

Fillimi i titullit ka mundur të gëzoj pa masë disa islamofob e antiteista në Kosovë. Por gëzimi i tyre nuk ka mundur të zgjasë më shumë se një sekond, derisa kanë vazhduar së lexuari edhe pas presjes, duke iu shkaktuar huti dhe përsëritje të leximit të titullit nga ana e tyre derisa e kanë kuptuar mirë domethënien e tij.

Ajo që më shtyri të shkruaj këtë artikull dhe të hulumtoj për terrorizmin dhe radikalizmin islamik në botë por edhe në Kosovë, janë pikërishtë këto prononcime të disa antiteistave në Kosovë, që kohën e fundit i kanë shpeshtuar ato por kulmi ishte edhe një pyetje e pështirë parlamentare e deputetes Alma Lama për 16 milion euro që Kosova i ka marrë si kredi nga Arabia Saudite për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë.

Ajo alarmoi aq shumë parlamentin dhe frikësoj popullin e Kosovës që kanë qenë duke e shikuar dhe dëgjuar, se vallë çfarë gabimi të madh paskemi bërë që kemi pranuar kredi nga një vend si Arabia Saudite. Duke e paraqitur dhe konsideruar këtë vend si shumë të rrezikshëm për sigurinë tonë kombëtare nëse do të bashkëpunonim. Deri në këtë masë ka arritur islamofobia te ne.

Sot në botë ndodhin krime të ndryshme për çdo ditë. Ato janë të kategorive të ndryshme, por krimet terroriste ishin interesimi i hulumtimit tim. Por do të jeni të habitur, sikur që edhe unë u habita me rezultatet. Ky lloj krimi për të cilin sot muslimanët janë fajtor kujdestar dhe janë të dyshuarit e parë, del se më së paku janë të shkaktuara nga muslimanët.

Një hulumtim i prezantuar nga CNN-i që ishte realizuar nga “Duke University” dhe “University of North Carolina” në Chapel Hill, rezulton se rreziku nga terrorizmi që iu mveshet muslimano-amerikanëve është i tepruar.

Artikuj të kësaj natyre lexova shumë gjatë këtyre 10 ditëve të cilat shpalonin faktin se edhe përkundër argumenteve që pafajësonin muslimanët nga krimet terroriste, amerikanët ende jetojnë me trishtimin nga radikalizmi islamik dhe krejt kjo si rezultat i propagandës të pandërprerë nga islamofobët dhe ektremistë të tjerë që dezinformojnë popullin që t’i mbajnë larg nga feja islame. Madje është thurrur një slogan: “Jo të gjithë muslimanët janë terrorista, por afërsisht të gjithë terroristët janë musliman”. Ndërsa sipas statistikave të FBI-së për krimet terroriste në ShBA,

prej vitit 1980 e deri më 2005, rezulton kjo pasqyrë: 42% e akteve terroriste janë shkaktuar nga latino-amerikanët; 24% nga grupet ekstremiste majtiste; 7% nga ektremistët çifut; 6% nga ektremistët musliman; 5% nga komunistët dhe 16% të tjerë. Si rezultat i këtyre satistikave gjeta një artikull me titullin: “Të gjithë muslimanët janë terrorist… përveç 94% që nuk janë”.

Poashtu edhe nga të dhënat e Europolit gjeta fakte të ngjashme, madje edhe më të habitshme. Sipas statistikave dhe raporteve vjetore mbi terrorizmin në Evropë që ka nxjerrë Europoli, rezlultati i grupeve terroriste është edhe më i ngushtë se ai në ShBA kur është fjala për muslimanët. Sipas raporteve vjetore të 2007, 2008 dhe 2009 për periudhën 2006 – 2008, aktet terroriste në vendet e BE-së janë shkaktuar nga këto grupe terroriste: 84.8% nga grupet seperatiste; 6.5% nga grupet majtiste; 0.4% nga islamistët dhe 8.3% nga të tjerët. Kështu nga i njëjti autor e gjeta edhe shkrimin me titullin: “Të gjithë muslimanët janë terrorist… përveç 99.6% që nuk janë”, që ia dedikonte këtyre raporteve të Europolit.

Sikur t’ia shtojmë vendeve evropiane edhe trojet shqiptare, atëherë këto statistika do të ndryshonin në …99.9% dhe do të kishte sens edhe titulli që i dhashë këtij artikulli, që teorikisht mund të jetë i saktë në përfshirjen e disa muslimanëve në krime të tilla por e vërteta qëndron në faktin se feja islame nuk pranon radikalizmin e lere më terrorizmin. Kështu që ato krime kurrë nuk mund të cilësohen islame, sepse vet islami është kundër tyre.

Kurse ajo që më ka befasuar nga këto fakte që lexova është se gjithë këto akte terroriste nga këto grupe të ndryshme të terrorizmit seperatist, çifut, majtist e djathtist, në mediat botërore por edhe në Kosovë shumë rrallë shkruhet për to. Ndërsa kur ndodhë ndonjë akt i tillë dikund në botë, i shkaktuar nga ndonjë musliman dhe pa marrë parasyshë a ndodhë ai akt kriminal për motive fetare apo personale të kriminelit, vetëm për faktin se ai i takon besimit islam, krimi i tij dhe ai vetë cilësohen menjëherë me termin e mirënjohur “terrorizëm islamik” dhe lajmi pushton botën.

Kjo dukuri ka filluar me të madhe të plasohet edhe në Kosovë, madje edhe nga zyrtarë të lartë shtetëror në Kosovë, të cilët janë të njohur si antiteista të përbetuar. Në fjalimet, intervistat dhe prononcimet e tyre siç thashë edhe më herët, nuk hezitojnë të nxisin frikë te populli por edhe te bashkësia ndërkombëtare për kinse rrezikun nga radikalizmi ose terrorizmi islamik në vendin tonë. Madje frikësimin e bashkësisë ndërkombëtare, e bëjnë edhe përmes presionit mbi mediat ose disa gazetarëve politik, duke i detyruar të plasojnë lajme të frikshme për fenë islame. Kjo vërehet shumë lehtë, sepse sa herë që bashësia ndërkombëtare kërkon luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ose kur vjen raporti i progresit, i cili evidenton probleme të shumta, këta plasojnë në media fjalime të tilla si dhe ndonjë ligjeratë të hoxhollarëve të Kosovës, madje edhe duke ia devijuar ligjeratën vetëm që të duket e frikshme. E gjitha kjo për të dërguar mesazhin te bashkësia ndërkombëtare që mos t’i qortojnë shumë se janë të zënë duke luftuar radikalizmin dhe “terrorizmin islamik”.

 

Autori është deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës.

Përurohet 40-vjetori i degës së Orientalistikës në Prishtinë

04/01/2014 Lini një koment

Liridon KADRIU

 

PËRUROHET 40-VJETORI I DEGËS SË ORIENTALISTIKËS NË PRISHTINË

Dega e Orientalistikës, Prishtinë 2013

Në Prishtinë u shënua dyzetvjetori i degës së Orientalistikës. Me këtë rast u promovua edhe libri “ Monografia e Degës së Orientalistikës (1973-2013)”, në të cilën janë përfshirë biografitë dhe bibliografitë e të gjithë profesorëve të kësaj dege që nga fillimi i saj, kurse në pjesën e dytë artikuj dhe punime shkencore të shkruara ndër vite nga këta profesorë.

Në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë është përuruar Salla e bibliotekës së degës së Orientalistikës e cila posedon libra me vlera të veçanta nga gjuhët orientale si: arabe, turko-osmane dhe perse.Realizimi i këtij projekti është mundësuar nga donacioni i TIKA-së turke, ndërsa përurimi u bë në kuadër të shënimit të 40 vjetorit të themelimit të degës së Orientalistikës.

Më këtë rast u promovua edhe libri “ Monografia e Degës së Orientalistikës (1973-2013)”, në të cilën janë përfshirë biografitë dhe bibliografitë e të gjithë profesorëve të kësaj dege që nga fillimi i saj, kurse në pjesën e dytë artikuj dhe punime shkencore të shkruara ndër vite nga këta profesorë.

Në fjalimin e tij, rektori Gashi e çmoi lartë punën e kësaj dege e në veçanti punën e palodhshme të themeluesit të kësaj dege, professor Hasan Kaleshit, i cili sipas Gashit ishte një profesor me renome evropiane.

Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Sedat Kuçi falenderoi TIKA-n turke për këtë donacion duke e vlerësuar si mjaftë domethënës për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies. Ai shtoi se personeli akademik i departamenteve të gjuhëve të huaja, që funksionojnë në kuadër të Fakultetit të Filologjisë, karshi përgatitjes së kuadrit profesional, shkencor, gjithmonë ka qenë në shërbim të studimeve albanologjike dhe afirmimit të vlerave kombëtare jashtë vendit.

Ndërsa ambasadorja e Turqisë, Songul Ozan përmes një letre përgëzuese, e cila u lexua në këtë përvjetor, ka theksuar se dega e Orientalistikës së Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës ka kontribuar në pasurimin e marrëdhënieve në fushën e shkencës, kulturës dhe artit ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës karshi marrëdhënieve në fushat tjera të cilat janë të nivelit të shkëlqyeshëm ndërmjet vendeve tona.
Shefi i degës së Orientalistikës, Isa Memishi u shpreh se gjatë këtyre viteve stafi i Degës së Orientalistikës ka arritur të vë ura bashkëpunimi me institucione të ndryshme kulturore dhe shkencore nga vendet e ndryshime arabe, me Republikën e Turqisë dhe me Iranin, pra gjithandej ku fliten gjuhët orientale. Falë këtij bashkëpunimi arsimtarët e Degës së Orientalistikës kanë marrë pjesë në shumë konferenca dhe tubime shkencore gjithandej botës arabe dhe në Turqi. Me pjesëmarrjen e tyre nëpër këto konferenca ndërkombëtare arsimtarë e Degës së Orientalistikës kanë afirmuar kulturë dhe trashëgiminë tonë kulturore të trashëguar me shekuj me radhë. Gjithashtu në saje të këtij bashkëpunimi studentët e diplomuar në Degën e orientalistikës ndjekin studimet e masterit dhe doktoratës nëpër shumë universitete të Orientit” u shpreh ai.

Në këtë degë deri më tani kanë diplomuar afër 300 studentë. Në fund të manifestimit u ndanë edhe mirënjohje për profesorët e pensionuar siç janë akademik Feti Mehdiu dhe prof.dr.Ismail Ahmedi. /KultPlus.com

UP-ja të hapë Katedër të Osmanistikës

21/12/2013 Lini një koment

UP-JA TË HAPË KATEDËR TË OSMANISTIKËS

Prof. Dr. Nehat Krasniqi

Prof. Dr. Nehat Krasniqi

Osmanologu i njohur, profesor dr. Nehat Krasniqi, i cili e ka përkthyer Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, të cilën e ka zbuluar profesor dr. iur. Eqrem Zenelaj, ka thënë se mësimi i osmanistikës në universitet është shumë i rëndësishëm për nxjerrjen në pah të historisë së shqiptarëve në kohën e Perandorisë Osmane.

 

Ai në këtë intervistë për “Epokën e re” ka kërkuar nga zyrtarët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të angazhohen për themelimin e Katedrës së Osmanistikës. “Është shumë i nevojshëm themelimi i Katedrës së Osmanistikës, e cila do të ishte krah i djathtë për Institutin Albanologjik”, ka deklaruar Krasniqi. Në këtë kontekst, osmanologu Krasniqi ka vlerësuar se, në kuadër të Institutit Albanologjik, do të ishte mirë të ekzistojë një sektor i veçantë, në të cilin do të angazhoheshin shkencëtarë-osmanologë. “Osmanistika ka rëndësi kardinale për studimet albanologjike. Albanologjia nuk mund të merret me mend pa osmanistikën si krahun e saj të djathtë”, ka thënë Krasniqi.

Osmanologu Krasniqi ka folur edhe për punën që bën në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në kuadër të Departamentit të Koleksioneve të Veçanta. Ai ka thënë se që një kohë të gjatë merret me koleksionimin, hulumtimin, përpunimin dhe studimin e dorëshkrimeve orientale. Në këtë departament Krasniqi ka bërë me dije se ekzistojnë mbi 728 vëllime dorëshkrimesh në gjuhët orientale, të cilat kanë të bëjnë me historiografinë dhe kulturën shqiptare gjatë kohës së Perandorisë Osmane. “Dorëshkrimi më i vjetër, i cili është i koleksionuar në këto dorëshkrime, është i vitit 1348. Ky dorëshkrim ka qenë pronë e Medresesë së Madhe të Gjakovës. I njëjti dorëshkrim ka arritur atje falë Murat Beut”, është shprehur osmanologu Krasniqi.

 

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, me çfarë po merreni kohët e fundit?

 

Krasniqi: Puna ime në sektorin e dorëshkrimeve, respektivisht në Departamentin e Koleksioneve të Veçanta pranë Bibliotekës Kombëtare, ka të bëjë me hulumtimin, përpunimin dhe studimin e dorëshkrimeve orientale, osmanishte, arabisht dhe persisht, përfshirë këtu edhe dorëshkrimet në gjuhën shqipe me alfabet arab, një pjesë e vogël e të cilëve janë koleksionuar në këtë sektor. Krahas kësaj pune, qysh nga viti 1996 jam ligjërues i angazhuar në Fakultetin Filozofik, konkretisht në Degën e Historisë, për lëndën Gjuhë osmane. Në dy-tre vjetët e fundit jam ligjërues i angazhuar në Universitetin e Prizrenit. Atje ligjëroi dy lëndë, të cilat ndërlidhen me antropologjinë kulturore. Këto janë punët e mia të përditshme, por natyrisht interesimet e mia shtrihen edhe në rrafshin e punës kërkimore shkencore, rezultatet e së cilës kam filluar t’i publikoj që nga viti 1991. Jam i angazhuar edhe në disa projekte shkencore. Aktualisht jam i angazhuar në një projekt të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës lidhur me hartimin një fjalori enciklopedik të Kosovës. Konkretisht në redaksinë e periudhës osmane dhe të kulturës orientale. Po ashtu, jam i angazhuar edhe në një projekt të Ministrisë se Arsimit të Kuvajtit, për hartimin e një enciklopedie botërore, në të cilën Kosova do të ketë një hapësirë. Në këtë enciklopedi Kosova do të ketë një hapësirë të mirë prezantuese.

 

“Epoka e re”: Kur flisni për dorëshkrime, sa janë të vjetra ato, ku janë marrë dhe cila është rëndësia e tyre?

 

Krasniqi: Deri tani në këtë departament, si rezultat i punës sonë kërkimore në terren, kemi arritur të mbledhim dhe të koleksionojmë 728 vëllime dorëshkrimesh. Dhe meqenëse një dorëshkrim mund të ketë brenda kopertinave më shumë se një vepër, atëherë numri i veprave që përmban ky koleksion i dorëshkrimeve shkon mbi 1 300. Rëndësia e këtyre dorëshkrimeve është jashtëzakonisht e madhe. As që mund të merret me mend rekonstruimi i historisë së kulturës shqiptare të periudhës pesëshekullore osmane pa këto burime shumë relevante. Në këto dorëshkrime ka vepra letrare të autorëve tonë. Po ashtu, ka komente të autorëve tanë për vepra letrare të klasikëve persianë, arabë, turq etj. Nga aspekti përmbajtjesor koleksioni ynë i dorëshkrimeve ka një tipologji të larmishme fushash dhe disiplinash shkencore. Ka vepra të karakterit letrar, gjuhësor, historik, teologjik, mjekësor, pedagogjik etj. Për ne më të rëndësishmet janë veprat e autorëve tanë shqiptarë, pa dallim nga viset nga të cilët ata vijnë. Ne u japim rëndësi dorëshkrimeve që kanë përmbajtje me interes për albanologji dhe ballkanologji. Pastaj i vlerësojmë dorëshkrimet që janë kopjuar në institucionet edukative arsimore të vendit tonë dhe nga njerëzit tanë. Gjithashtu, kanë rëndësi për ne veprat dorëshkrimore që na japin informacione për institucionet edukative arsimore, ku janë shkruar apo kopjuar ato, për bibliotekat në të cilat janë koleksionuar dhe janë ruajtur, si dhe për pronarët e tyre të dikurshëm. Natyrisht një kronikë historike që përmban informacione për vendin dhe për popullin tonë, apo një përmbledhje poetike e ndonjë autori shqiptar, qoftë edhe në gjuhët orientale, është shumë më e vlefshme për ne si institucion sesa një dorëshkrim me përmbajtje nga ndonjë disiplinë fetare.

 

“Epoka e re”: Mund të na thoni emrat e disa dorëshkrimeve dhe nga cila datë datojnë?

 

Krasniqi: Dorëshkrimi më i vjetër, i cili është i koleksionuar në këtë sektor, është i vitit 1348. Ky dorëshkrim ka qenë pronë e Medresesë së Madhe të Gjakovës. I njëjti dorëshkrim ka arritur atje falë themeluesit të kësaj medreseje, Murat Beut, pinjoll i familjes Kryeziu. Ndërsa në bibliotekë ky dorëshkrim ka ardhur si dhuratë nga familja e Hasan efendi Nahit. Po ashtu, kemi autografin e Vehbijes të shkruar nga dora e Tahir Efendi Gjakovës. Janë ruajtur kopje të ndryshme të asaj vepre në koleksione dhe biblioteka të ndryshme, madje edhe në Stamboll dhe Vjenë, por autografi i saj është ruajtur në Gjakovë dhe ne sot e kemi në koleksionin tonë. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre veprave janë të karakterit letrar, janë divane të ndryshme të autorëve tanë. Këtu do ta veçoja divanin e Sheh Sylejman Axhiz babës përfunduar në vitin 1718, vepër kjo, e cila, përpos vlerave letrare, ka edhe të dhëna historike me interes të veçantë. Në përgjithësi këto koleksione paraqesin një thesar shumë të çmuar. Interesimi për këtë koleksion dhe këto dorëshkrime tek ne, për fat të keq, është i vonuar. Përderisa në bibliotekat kombëtare të vendeve evropiane qysh në shekullin e XIX janë botuar katalogët e dorëshkrimeve orientale nga bibliotekat e Vjenës më 1865-1867, e Londrës më 1888, e Berlinit më 1889, më vonë e Parisit më 1913 etj., interesimi i institucioneve shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë për koleksionimin dhe katalogimin e këtyre dorëshkrimeve është më i vonuari në Ballkan. Sot në bibliotekat dhe arkivat tona publike si në BKUK, Arkivin e Kosovës, Bibliotekën Kombëtare të Tiranës dhe Arkivin Qendror të Tiranës numri i dorëshkrimeve orientale arrin deri në 2 000 vëllime.

Sipas rezultateve që kanë dalë nga një projekt i mbështetur nga Zyra e SHBA-së për regjistrimin e përgjithshëm të dorëshkrimeve orientale në Kosovë (gjatë viteve 2002-2004), del se në numri i dorëshkrimeve që është në pronësi private në Kosovë arrin rreth 3 000 vëllime. Ky është një thesar kolosal që do interesim institucional. Shumë dorëshkrime janë marrë e grabitur ose janë shitur nga Kosova në vende të tjera në të kaluarën. Sot bibliotekat e huaja mburren me to. Në këtë kontekst vlen të theksohet biblioteka e familjes Imami nga Peja, e cila ka pasur mbi 100 dorëshkrime të cilat ruhen në Bibliotekën Universitare të Beogradit. Ato dorëshkrime kanë vlerë të jashtëzakonshme për historinë e Sanxhakut të Dukagjinit dhe më gjerë. Shumë dorëshkrime gjenden nëpër familje, për të cilat shumëkush nuk e di rëndësinë e tyre që kanë për shkencën. Prandaj, të gjithë duhet të angazhohemi që këto dorëshkrime të koleksionohen në institucionet tona shtetërore, në radhë të parë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

 

“Epoka e re”: Në këtë kontekst, çfarë janë mundësitë e hulumtimit profesional shkencor të kësaj trashëgimie dhe sa është i rëndësishëm themelimi i një katedre përkatëse nga ana e Universitetit “Hasan Prishtina”?

 

Krasniqi: Mundësitë për hulumtimin e këtij thesari trashëgimor, sidomos të asaj që ka mbetur e shkruar nga periudha osmane, qoftë si dorëshkrime apo dokumente, janë shumë modeste tek ne, për faktin se nuk kemi bërë aq sa duhet për krijimin sistematik të kuadrove për osmanistikë. Krijimi i kuadrove të specializuar për osmanistikë është imediat për albanologjinë, sepse historia jonë dhe historia e kulturës sonë as që mund të merret me mend të shkruhet pa hulumtimin e dokumenteve osmane, të cilat sot janë të koleksionuara jo vetëm në Turqi, por edhe në vende të ndryshme të Evropës. Është shumë e nevojshme themelimi i Katedrës së Osmanistikës, e cila do të ishte krah i djathtë për albanologjinë, Institutin Albanologjik. Po aq e rëndësishme është që kuadrot që do të dalin nga studimet të kenë mundësi ta japin kontributin e tyre në institucionet kërkimore-shkencore, siç është Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë etj.

 

“Epoka e re”: Ka pasur një nisëm të themelohet një sektor i osmanistikës në Institutin Albanologjik. Mendoni se është i nevojshëm themelimi i tij?

 

Krasniqi: Para sa kohe drejtori i Institutit Albanologjik ka bërë kërkesë në MASHT për hapjen e sektorit të osmanistikës në këtë institut. Ajo kërkesë është pranuar mirë nga zyrtarët e kësaj ministrie dhe është dërguar në Ministrinë e Financave për formalitetet buxhetore lidhur me pranimin e tre hulumtuesve shkencorë me përgatitje përkatëse në Institutin Albanologjik. Këta hulumtues do ta përbënin bërthamën e parë të sektorit të osmanistikës në kuadër të këtij instituti. Një veprim i tillë do të ishte me shumë interes për albanologjinë. Osmanistika ka rëndësi kardinale për studimet albanologjike në përgjithësi. Albanologjia nuk mund të merret me mend pa osmanistikën si krahun e saj të djathtë.

 

“Epoka e re”: Doni të thoni se osmanishtja si studim të jetë edhe në Institutin Albanologjik?

 

Krasniqi: Osmanishtja si gjuhë duhet të mësohet në universitet, kurse osmanologët, si kërkimtarë shkencorë, veprimtarinë e tyre duhet ta ushtrojnë në institucione shkencore qoftë në Institutin Albanologjik apo atë të Historisë. Të gjitha vendet që kanë qenë pjesë e Perandorisë Osmane i kushtojnë një rëndësi të madhe kësaj periudhe, duke hulumtuar dhe studiuar dokumentet historike, letrare, gjuhën, antropologjinë kulturore etj. Prandaj popujt e tjerë kanë vëllime të tëra historike nga periudha osmane, ndërkaq në historiografinë tonë kjo periudhë kalohet fluturimthi me 30-40 faqe. Shpresoj se kjo nismë e Institutit Albanologjik të hasë në mirëkuptim nga institucionet përkatëse, sepse një anashkalim dhe neglizhim i kësaj nisme, dëmin më të madh mund t’ua shkaktojë studimeve albanologjike.

 

“Epoka e re”: Cila është porosia juaj për institucionet e shtetit karshi këtyre dokumenteve dhe shumë të tjerave që presin të dalin në dritë?

 

Krasniqi: Është shumë me rëndësi që shoqëria jonë ta bëjë një revalorizim të gjithë trashëgimisë sonë kulturore. Ne kemi kaluar në periudha të ndryshme, kemi qenë të okupuar dhe kemi qenë nën trysninë e një ideologjie komuniste, e cila trashëgiminë kulturore e ka shikuar me preferenca ideologjike. Kështu që, deri pas çlirimit të Kosovës, fati dhe rrethanat kanë qenë të vështira, megjithatë kemi arritur të bëjmë diçka, pra kemi arritur të shpëtojmë një pjesë të dorëshkrimeve, të cilat kanë qenë në shtëpi private e gjetiu. Sot nuk kam të drejtë morale t’u drejtohem pronarëve privatë të koleksioneve që t’ua dorëzojnë institucioneve shtetërore, por shteti duhet të gjejë mjete që këtë trashëgimi ta marrin në pronësi institucionet përkatëse, në radhë të parë Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

 

Osmanologu Krasniqi vlerëson punën e profesor Zenelajt

 

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, ju jeni përkthyesi i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, të cilën e ka zbuluar profesor Eqrem Zenelaj. Saktësinë e përkthimit tuaj e kanë vërtetuar edhe tetë osmanologë gjermanë si dhe profesori turk Hakan Karagez nga Universiteti “Sylejman Demirel” nga Antalia. Sipas jush, cila është rëndësia e këtij dokumenti në aspektin kombëtar dhe ndërkombëtar?

 

Krasniqi: Profesor Zenelaj ka bërë një punë të madhe në hulumtimin e dokumenteve jo vetëm në arkivin e Vjenës, por në një varg arkivash ku janë të koleksionuara dokumente të cilat bëjnë fjalë për historinë tonë. Profesor Zenelaj ka pasur fat që e ka gjetur këtë dokument, të cilin disa historianë kanë përmendur në një mënyrë, por konkretisht nuk kanë pasur në dorë asgjë. Kjo është hera e parë që pas 100 vjetësh është zbuluar ky dokument. Unë kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoj me profesor Eqrem Zenelajn dhe ta përkthej këtë dokument. Dokumenti të cilin e ka zbuluar profesor Zenelaj është një dokument zyrtar, pra është i shkruar në gjuhën zyrtare të vendit. Duhet ta keni parasysh se në atë kohë gjuhë zyrtare ka qenë osmanishtja. Kjo nuk duhet ta befasojë askënd, sepse të gjitha shkresat diplomatike në Perandorinë Osmane janë shkruar në gjuhën osmane. Ruajta e Deklaratës së Pavarësisë në Vjenë është sinjifikative, pra ka një domethënie. Në arkivat e botës ka shumë dokumente të cilat presin studiuesit t’ia heqin velin e harresës dhe t’ia prezantojnë publikut.

 

Një biografi e shkurtër e osmanologut Nehat Krasniqi

 

Profesor Nehat Krasniqi ka lindur më 20 korrik të vitit 1956 në fshatin Brezne të Opojës. Në vendlindje ka përfunduar shkollimin fillor. Shkollën e mesme e ka kryer në Prishtinë. Është diplomuar në Degën e Orientalistikës pranë Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Po në këtë fakultet ka mbrojtur edhe disertacionin e doktoratës. Pas përfundimit të studimeve Nehat Krasniqi ka punuar tre vjet (1980-83) si bibliotekar në Bibliotekën Memoriale të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më vonë, Krasniqi është kthyer për të punuar në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, atëherë Biblioteka Popullore dhe Universitare. Aty fillimisht ka punuar në Sektorin e Bibliografisë, kurse që nga themelimi i Departamentit të Koleksioneve të Veçanta, në tetor të vitit 1984, ka punuar dhe vazhdon të punojë në Koleksionin e Dorëshkrimeve dhe librave të rrallë në gjuhët orientale. Për një kohë të gjatë ka punuar si shef i këtij departamenti. Po ashtu, Krasniqi ka punuar afër një mandat edhe si zëvendësdrejtor i kësaj biblioteke. Në vitin 1987 Nehat Krasniqi ka specializuar për gjuhë dhe paleografi osmane në Fakultetin e Edukimit në Stamboll. Është ndër specialistët e rrallë ndër ne, për gjuhë dhe paleografi osmane. Është pjesëmarrës aktiv në më shumë se 20 konferenca, tryeza shkencore, kongrese e simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka botuar mbi 40 punime shkencore në revista shkencore në vend dhe jashtë vendit. Në vitin 2011 Instituti Albanologjik ka botuar veprën e tij me titull Kontribute Albanologjike (Studime dhe dokumente historike e letrare të periudhës osmane), e cila është vlerësuar lart nga mendimi kritik shkencor.

 

(Lirim GECI)

 

Burimi: http://www.epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=4&LID=2&ACatID=3&AID=31936&Ctype=1

Këtë e pëlqejnë %d blogues: