Arkiv

Posts Tagged ‘Lokarno’

Historia e kinematografisë iraniane

06/12/2013 Lini një koment

Shahrouz FALAHATPISHEH

 

HISTORIA E KINEMATOGRAFISË IRANIANE

Shahrouz Falahatpisheh

Shahrouz Falahatpisheh

Përmbajtja e artikullit:

» Kinemaja e hershme iraniane

» Pas vitit 1953

» Periudha pas Revolucionit Islamik të vitit 1979

» Festivali i Filmit Fajr

» Festivali ndërkombëtar i filmit për fëmijë dhe të rinj i Isfahanit

» Çmimet e kinemasë iraniane

» Çmimet ndërkombëtare për kinemanë iraniane

Kinemaja e hershme iraniane
Kinemaja kishte vetëm 5 vjet që kishte lindur kur ajo u shfaq dhe në Iran në fillim të shekullit të 20-të. Producenti i parë i filmit iranian ishte Mirza Ebrahim Khan Akkas Bashi, fotografi zyrtar i Muzaffer al-Din Shah, sundimtari i Iranit nga viti 1896-1907. Në vitin 1904, Mirza Ibrahim Khan Sahhafbashi hapi teatrin e parë në Teheran pasi Mirza Ebrahim Khan, edhe shumë producentë të tjerë si Russi Khan, Ardeshir Khan, dhe Ali Vakili u përpoqën të ngrinin teatro filmi të reja në Teheran. Deri në fillim të viteve 1930, kishte vetëm 15 teatro në Teheran dhe 11 në provincat e tjera.

Në vitin 1925, një kineast armeno-iranian, Ovanes Ohanian, vendosi të themelonte shkollën e parë të filmit në Iran. Brenda 5 vjetëve ai arriti të drejtonte sezonin e parë të shkollës nën emrin “Parvareshgahe Artistiye cinema” (Qendra e mësimit të artit).

Pas vitit 1953
Me ngritjen e disa kompanive producente dhe me rritjen e interesit për kinemanë, patëm një lulëzim të kësaj të fundit. Megjithatë, fatkeqësisht, fokusimi në nxjerrjen e fitimeve nga investimet në fushën kinematografike si dhe situata politike e Iranit pas grushtit të shtetit, i cili kufizoi lirinë, që është faktori kryesor përsa i takon rritjes kulturore, bëri që kinemaja iraniane të prodhonte kryesisht filma të rëndomtë dhe me buxhet të vogël, të cilët formuan traditën e filmit iranian të asaj kohe. Në vitet në vazhdim, prodhuesit e filmave si për shembull Samuel Khachikian, Hooshang Kavoosi, Parrokh Ghaffari, Ebrahim Golestan, Masuod Kimiai, Dariush Mehrjooie, Fereidoon Rahnama dhe Ali Hatami inspiruan një trend të ri kulturor në kinemanë iraniane, e cila deri diku ishte jashtë frymës së traditës popullore.

Periudha pas Revolucionit Islamik të vitit 1979
E rrethuar nga çrregullimi i krijuar nga përmbysja e madhe dhe mosekzistenca e rregullave të rrepta kinemaja iraniane u gjet në një kaos tërësor . Mbas vitit 1983, kur tematika e filmave e bë në përputhje me vlerat dhe normat e postrevolucionit, skenat e dhunës dhe të seksit mbetën jashtë kinemasë iraniane. Për më tepër, në sajë të konfiskimit të shumë kinemave dhe kompanive të prodhimit të filmave dhe të vënies së tyre nën kontrollin e shtetit, fitimi i kësaj industrie nuk ishte aq i rëndësishëm sa më parë. Të gjithë këta faktorë çuan në ngritjen profesionale të producentëve iranianë, si për shembull edhe të atyre të viteve 70 si Kiarostami, Beyzaie, Mehrjooie, të cilët patën një impakt mjaft pozitiv në industrinë e filmit iranian. Pavarësisht nga kufizimet, regjisorët iranianë prodhuan filma të cilët patën një jehonë ndërkombëtare dhe fituan  admirimin e kritikëve botërorë. Në atë periudhë, regjisorë të rinj si Mohsen Makhmalbaf, Ebrahim Hatamikia, Ja’afar Panahi, Rakhshan Banietema’d, Majid Majidi, dhe Abolfazl Jalili, ku secili hyri në historinë e kinemasë me origjinalitetin dhe orientimin e tij të ndryshëm nga tjetri, fituan një eksperiencë të gjerë dhe përdorën shumë elemente të ndryshme kinematografike dhe ku rolin i tyre për zhvillimin e këtyre elementeve ishte jetik.

Një faktor tjetër, i cili kontribuoi në rritjen e interesit të shikuesit për kinemanë iraniane dhe që ndikoi drejtpërsëdrejti në rritjen e saj ishte mbajtja e festivalit të përvitshëm të Bahman (në Janar), i njohur ndryshe si Festivali Ndërkombëtar i Filmit Fajr.

Festivalet e filmit në Iran kanë një histori më të hershme, e cila daton diku nga fundi i viteve 50. Festivali i Parë i Filmit Ndërkombëtar i Teheranit, u çel në Prill të vitit 1973. Megjithëse festivali nuk arriti kurrë lartësinë e festivaleve të Kanës ose të Venecias, ai u bë i njohur dhe u klasifikua si festival i shkallës së parë “A”. Ai pati një reputacion të madh dhe në të morën pjesë regjisorë të mëdhenj me famë botërore. Filmat e regjisorëve të mëdhenj botëror si Francesco Rosi, Grigori Kozintsev, Alain Tanner, Pietro Germi, Nikita Mikhalkov, Krzysztof Zanussi, Martin Ritt fituan çmimet e festivalit.

Festivali i Filmit Fajr
Festivali i Filmit Fajr ka filluar të zhvillohet që nga viti 1983, me synimin për t’u kthyer në shfaqjen më të magjishme dhe spetakolare të mundshme. Ai pati një background po aq të fuqishëm sa Festivali Ndërkombëtar i Teheranit dhe synonte të mbetej po aq i rëndësishëm. Megjithëse, ky festival nuk konsiderohet si një nga festivalet më të mira, ai ka qenë tepër i suksesshëm përsa i takon politikave dhe modeleve të kinemasë së ardhshme iraniane.

Në vitet e para të tij, kishte një seksion mbi konkurrimin e filmave profesionalë dhe amatorë (8 mm, 16 mm). Që nga viti 1990, ka pasur dhe një seksion për filmin ndërkombëtar. Gjithashtu në festival kishte dhe një konkurrim për reklama, postera dhe reklama filmash. Në vitin 2005, festivalit iu shtua dhe konkursi për filmin aziatik si dhe ai i filmit shpirtëror. Çmimi i madh është ai i quajtur “Crystal Simorgh”.

Festivali ndërkombëtar i filmit për fëmijë dhe të rinj i Isfahanit
Ky festival zhvillohet duke filluar që nga viti 1985. Në tri vitet e para, ai ishte pjesë e Festivalit të Filmit Fajr. Në vitet 1988 deri 1989, ai u zhvillua në Teheran dhe që nga viti in 1996, u vendos në Kerman. Në festival konkurronin dhe video e filma kombëtarë dhe ndërkombëtarë.  Çmimi i madh ishte “Golden Butterfly” (Flutura e artë).

Çmimet e kinemasë iraniane
Në 12 shtator, ditën e kinemasë iraniane, në Pallatin e Kinemasë (House of Cinema) mbahet ceremonia vjetore e ndarjes së çmimeve. Në vitin 2006, u nderua regjisori i madh Akira Kurosawa.
– 2006  Filmi më i mirë: Udhëkryq (Crossroad)- me regjisor Abolhassan Davudi
– 2005  Filmi më i mirë: Sa afër, sa larg (So Close, So Far)- me regjisor  dhe  producent Reza Mir-Karimi.

Çmimet ndërkombëtare për kinemanë iraniane
Më poshtë po ju paraqesim një listë me çmimet e mëdha dhënë kinemasë iraniane nga festivalet më prestigjioze:

Kanë
Prezantimi i parë i kinemasë iraniane në Kanë, i takon vitit 1991 me “Shtigjet e dashurisë” (In the alleys of love) me regji të Khosrow Sinai dhe në vitin 1992 me “Jetë dhe asgjë tjetër” (Life and nothing more) me regji të Abbas Kiarostami, të prezantuar në festivalin iranian.
– Palma e Artë: Abbas Kiarostami (1997)
– Çmimi i Jurisë: Marjane Satrapi (2007)
– Çmimi i Jurisë: Samira Makhmalbaf (2000 & 2003)
– Kamera e Artë: Mohsen Amiryoussefi (2004), Hassan Yektapanah (2000), Bahman Ghobadi (2000), Jafar Panahi (1995)

Venecie
– Luani i Artë: Jafar Panahi (2000)
– Luani i Argjendtë: Abolfazl Jalili (regjia më e mirë-1995), Abbas Kiarostami (Çmimi i Madh i Jurisë 1999), Babak Payami (regjisori më i mirë -2001) Berlinale
– Ariu i Artë: disa nominime
– Ariu i Argjentë: Reza Naji (2008), Jafar Panahi (2006), Parviz Kimiavi (1976), Sohrab Shahid Saless (1974).

Lokarno
Filmi i parë iranian që mori çmim në festivalin e Lokarnos ishte “khaneie doost kojast” me regji të Abbas Kiarostami (1989).
– Leopardi i Artë: Saman Salvar (2006), Abbas Kiarostami (2005), Jafar Panahi (1997).
– Leopardi i Argjendtë:  Hassan Yektapanah (2004), Abolfazl Jalili (1998),
Londër.
– Trofeu Sutherland: Marjane Satrapi (2007), Siddiq Barmak (2003), Samira Makhmalbaf (1998).

San Sebastian
– Guaska e Artë: Bahman Ghobadi (2004 & 2006).
– Guaska e Argjentë: Niki Karimi (1993).

FIPRESCI
– Çmimi i Madh: Jafar Panahi (2001).
– Çmimi FIPRESCI prize: Rakhshan Bani-Etemad (1995 & 1998), Abbas Kiarostami (1999), Marzieh Meshkini (2000), Mohsen Makhmalbaf (2001), Jamshid Usmonov (2002), Atiq Rahimi & Kambuzia Partovi (2004), Ramin Bahrani(2005), Kambuzia Partovi (2006), Bahman Ghobadi (2000 & 2006).

Çmime të tjera të mëdha
– Abbas Kiarostami: Prix Roberto Rossellini, Festivali i Kanës (1992).
– Abbas Kiarostami: Çmimi François Truffaut (1992).
– Abbas Kiarostami: Honorary doctorate, Ecole Normale Sup?rieure (2003).
– Abbas Kiarostami: Medalja e Artë Federico Fellini, UNESCO (1997) .
– Behrouz Gharibpour: Çmimi Hans Christian Andersen (2002).
– Abbas Kiarostami: Çmimi Henri Langlois (2006) .
– Mohsen Makhmalbaf: Çmimi Parajanov për kontributin e madh në kinemanë botërore (2006).
– Mohsen Makhmalbaf: Medalja e Artë Federico Fellini, UNESCO (2001).
– Rakhshan Bani-Etemad: Çmimi Prince Claus (1998).
– Ezatolah Entezami: Çmimi UNESCO (2006).
– Farroukh Qasim: Çmimi Prince Claus (2004) .
– Behrooz Vossoughi, Festivali i Filmit Ndërkombëtar San Francisko, Çmimi  “I Pamposhturi” (The Unvanquished) (2006).
– Jafar Panahi: Podo Award, në Festivalin e Filmit Valdivia (2007) Oskar.
– 1997: Habib Zargarpour (Nominim për efektet më të mira vizuale; “Twister”).
– 1997: Darius Khondji (Nominim për kinematografinë më të mirë; Evita).
– 1997: Hossein Amini (Nominim) për “The Wings of the Dove”.
– 1998: Zahra Dowlatabadi (Nominim).
– 1999: Majid Majidi (Nominim për filmin e huaj më të mirë, “Fëmijët e Parajsës” (Children of Heaven)
– 2001:  Habib Zargarpour (Efektet më të mira vizuale; “Stuhia Perfekte” (The Perfect Storm)
– 2004:  Shohreh Aghdashloo (Aktorja më e mirë jo protagoniste; “Shtëpia e rërës dhe e mjegullës).
– 2007:  Kami Asgar, (Nominim) Editimi më i mirë audio për “Apokalipsin” (Aocalypto) e Mel Gibsonit.
– 2008:  Marjane Satrapi (Nominim), animim, Persepolis.

“Sa afër, sa larg” (So Close, So Far)Reza Mirkarimi, Drama
Mori çmimin “Crystal Simorgh” për filmin më të mirë në Festivalin 24 të Filmit Fajr, përzgjedhur për të përfaqësuar Iranin në çmimin Oskar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj.

Botuar në revistën “PERLA”, revistë kulturore-shkencore tremujore, 2009, Nr. 2.

 

Advertisements
Këtë e pëlqejnë %d blogues: