Archive

Posts Tagged ‘protestantët’

Pse fajësohet Islami?

24/01/2014 Leave a comment

Dr. M. A. QAZI

 

PSE FAJËSOHET ISLAMI?

Bus Miami

Islami është një fe e paqes, e pranuar dhe e praktikuar nga më shumë se 1.25 miliardë njerëz në të gjithë botën. Islami është feja me rritjen më të shpejtë në botë, dhe nëse do të ishte ashtu siç pohojnë disa kritikë, pse njerëzit nga të gjitha anët e botës vazhdojnë ta përqafojnë Islamin?

 

Ku është shpata tani?

 

Në Islam, një njeri ka të drejtë që të mbrojë veten e tij, familjen e tij, vendin e tij ose fqinjin (fqinjët) e tij, gjë e cila vërtetohet në qëndresën që po bëhet nga populli i Afganistanit, Bosnjës, Çeçenisë, Irakut, Kashmirit dhe Palestinës, ndaj sulmeve kundër tokave të tyre nga të ashtuquajturit çlirimtarë, të cilët në të vërtetë janë pushtues.

Kur’ani i Shenjtë tregon qartë se nëse shpëtohet jeta e një njeriu është njësoj sikur të shpëtohet i tërë njerëzimi, dhe nëse vritet një njeri është njësoj sikur të vritet i tërë njerëzimi.

Ajo çfarë po ndodh në vendet e nënshtruara islame është një reagim natyral ndaj okupimit, bombardimeve, vrasjeve dhe terrorizimit të civilëve të pafajshëm (fëmijëve, të moshuarve dhe grave), përdhunimeve, përveç grabitjes së pasurive, veprave antike dhe pasurive kombëtare, por mbi të gjitha shkatërrimit të pronave të tyre nga pushtuesit.

 

Terrori shkakton terror!

 

Ne i sigurojmë ata të cilët e godasin Islamin se nëse nuk do të kishte pushtime në këtë botë nga pushtuesit e huaj, atëherë nuk do të kishte rezistencë – të ashtuquajtur terror.

Ne dëshirojmë që ata të cilët e kritikojnë Islamin të shpjegojnë veprimet në vazhdim të cilat janë kryer nga të krishterët ndaj çifutëve, të krishterëve të tjerë dhe muslimanëve, gjatë gjithë historisë:

– Me qindra e mijëra burra, gra e fëmijë muslimanë janë vrarë nga kryqtarët, të cilët ishin të krishterë.

– Inkuizicioni i çifutëve dhe muslimanëve të Spanjës nga mbretëresha Isabela, një e krishterë.

– Miliona njerëz të vrarë nga të krishterët europianë dhe amerikanë gjatë dy luftërave botërore dhe luftërave civile.

– Mizoritë të cilat janë kryer ndaj miliona çifutëve dhe të krishterëve nga Adolf Hitler, i deklaruar si i krishterë.

– Qindra mijëra të krishterë të vrarë çdo vit nga të krishterët irlandezë, duke përfshirë britanikët dhe IRA, katolikët dhe protestantët, gjatë disa shekujve të kaluar. Përse ata nuk janë fajësuar si “terroristë të krishterë, ose terroristë katolikë, ose terroristë protestantë?”

Të dy këto grupe besojnë te Jezus Krishti, i cili u tha atyre që të kthejnë faqen tjetër, dhe të dy grupet besojnë në të njëjtin Zot, i cili këshillon që “Ju nuk duhet të vrisni.”

– Timothy McVeigh, i cili e bombardoi Ndërtesën Federale Murrah në qytetin e Oklahomës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte katolik. A janë terroristë të gjithë të krishterët?

Për më shumë se 60 vjet, sionistët janë përfshirë në mënyrë aktive në gjenocidin e një kombi të tërë, duke vrarë një numër të madh muslimanësh në territoret e pushtuara të Palestinës sipas të dhënave ditore me mitraloza, raketa nga helikopterët, me tanke, dhe bomba nga avionët F16, nën mbikëqyrjen e vendeve perëndimore, të ashtuquajtur mbrojtës të të drejtave të njeriut. Si mund ta shpjegoni këtë?

Vetëm duke i etiketuar luftëtarët e lirisë si terroristë dhe duke lëshuar një tjetër holokaust ndaj palestinezëve të varfër si hakmarrje nuk do të zhduken krimet ose faji i Hitlerit! Ku janë drejtësia, barazia, liria, dhe mbi të gjitha të drejtat e njeriut ndaj palestinezëve, të vdekur ose të gjallë, të përhapur nga këta përkrahës të të drejtave të njeriut?

Në fund por jo më e vogël për nga rëndësia, si i shpjegoni bombardimet, vrasjet, linçimet, masakrimet dhe përdhunimet e indianëve autoktonë të Amerikës dhe robërve të zinj (afro-amerikanëve) të kryera nga të ashtuquajturit të krishterë në Shtetet e Bashkuara gjatë historisë së 200 viteve të kaluara?

 

Si është puna me ata?

 

A munden këta të cilët janë të mbushur me urrejtje ndaj Islamit që ta fajësojnë krishterimin për veprimet e lartpërmendura çnjerëzore të kryera nga të krishterët në pjesë të ndryshme të botës që nga fillimi i tij?

Nëse jo, atëherë pse ata e fajësojnë Islamin për atë e cila është një reagim natyral ndaj pushtimit të vendeve islame nga pushtuesit e huaj?

Më e rëndësishme është se këta popuj duhet të dinë se të tri fetë e mëdha që rrjedhin nga Ibrahimi (Abrahami – fetë Abrahamike) – Judaizmi, Krishterimi dhe Islami – kanë një bazë të përbashkët, që është Një Zot i Plotfuqishëm.

“Të gjithë burrat dhe gratë janë krijuar në mënyrë të barabartë, dhe ne të gjithë jemi një popull para Zotit të Plotfuqishëm,” është një thënie e qartë sipas Kur’anit të Shenjtë dhe është sqaruar shumë mirë në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, një nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

Së fundi, por shumë me rëndësi, si vëllezër në njerëzim, ne i këshillojmë ata Islamofobë të mbushur me paragjykime që të jetojnë dhe të mësojnë historinë e Islamit dhe muslimanëve, para se ata të guxojnë të shkruajnë letërsi, artikuj dhe lajme të pakëndshme, duke përdorur jashtë kontekstit ajete nga Kur’ani i Shenjtë dhe thënie të shtrembëruara nga thëniet e vërteta të Profetit tonë Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), të mbushura plot me urrejtje dhe hakmarrje të rrënjosur kundër Islamit dhe muslimanëve.

Ne duhet të kënaqemi duke i ofruar dikujt kopje falas të Kur’anit të Shenjtë dhe literaturës islame në anglisht ose në ndonjë gjuhë tjetër, të cilat do t’i ndihmojnë ata që të kuptojnë të vërtetën rreth Islamit dhe muslimanëve dhe të çlirohen nga e gjithë urrejtja e sistemeve të tyre, me vullnetin e Zotit.

Lutemi që Zoti i Plotfuqishëm t’ju tregojë dritën të gjithë atyre, të cilët besojnë në një njerëzim, si fëmijët e Ademit dhe Havasë (Adamit dhe Evës), si vëllezër dhe motra, pa marrë parasysh se në çfarë besojnë ata. Amin!

 

“Perëndimi e fitoi botën jo nga epërsia e ideve, vlerave apo fesë të vet por për shkak të epërsisë së tij në zbatimin e dhunës së organizuar. Perëndimorët e harrojnë shpesh këtë fakt, ndërsa jo-perëndimorët asnjëherë.”

– Samuel P. Huntington (autori i librit Përplasja e Qytetërimeve)

 

Përktheu nga anglishtja: Ermal BEGA

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Burimi: http://www.sahilonline.org/english/news.php?cid=14&nid=8812