Arkiv

Posts Tagged ‘Sami Frashëri’

Kujtohet orientalisti që e bëri Sami Frashërin të flasë shqip

10/05/2015 Lini një koment

KUJTOHET ORIENTALISTI QË E BËRI SAMI FRASHËRIN TË FLASË SHQIP

Prof. Dr. Mehdi Polisi

Prof. Dr. Mehdi Polisi

Prof. Dr. Irfan Morina në ditën e dytë të simpoziumit shkencor ndërkombëtar “110 vjetori i vdekjes së Sami Frashërit”, të mbajtur në amfiteatrin e Fakultetit të Filologjisë ka vlerësuar lartë kontributin e Prof. Dr. Mehdi Polisi tashmë i ndjerë për veprimtarinë e Sami Frashërit. Ai tha se, simpoziumi i 110 vjetorit të vdekjes së Sami Frashëri nuk mund të kalonte pa pasur edhe një punim të bërë nga Polisi.

“Sot është dita e dytë e simpoziumit shkencor ndërkombëtar për 110 vjetorin e vdekjes së Sami Frashërit dhe unë jam i kënaqur me punimet e këtyre dy ditëve. Gjatë kohës që po bënim parapërgatitjet e këtij simpoziumi u lidhëm me personat të cilët kishin punuar për Sami Frashërin. Njëri punim ishte i personit që është marrë më shumë me veprën e Samiun, ai që edhe e kam pasur edhe shok shkolle dhe prej vitesh edhe mik. Dhe, ne në Kosovë atë e quajmë Samiun e dytë”, ka thënë Morina një nga organizatorët e simpoziumit shkencor ndërkombëtar.

Morina ka thënë se, me Polisin ka ndarë kohë shumë të mira dhe se, lajmi i mirë i dhënë familjes së të ndjerit Mehdi Polisi se do t’i lexohet edhe kumtesa e tij, ka qenë emocionuese për të dhe familjen Polisi.
“Për fat të keq këtë mik të mirë dhe këtë shok ne e humbën, por emri i këtij miku të shquar është Por. Dr. Mehdi Polisi. Unë u mërzita shumë, pasi ai ishte një nga personat që kontribuoi më shumë në veprat e Sami Frashërit edhe për realizimin e këtij simpoziumi”, ka theksuar Morina.

Në ditën e dytë të simpoziumit shkencor ndërkombëtar për veprimtarinë e Sami Frashërit është lexuar tema e Mehdi Polisit nga profesori Abdullah Hamiti.
Ai në pika të shkurtra ka paraqitur punimin e punuar nga Polisi me titullin “Sami Frashëri në fushën e gjuhësisë”. Polisi ka përkthyer nga origjinali dhjetë veprat e Sami Frashërit si dhe ka botuar shumë artikuj dhe punime shkencore.
“Ka kaluar një kohë bukur e gjatë, 110 vjet, prej se Sami Frashëri është ndarë nga kjo jetë, megjithatë, emri i tij, falë punës vëllimore të shumanshme dhe, pa dyshim, cilësore, vazhdon të jetë në kujtesë të secilit njeri që sadopak është i lidhur me botën e letrave. Për Samir Frashërin dhe veprën e tij janë bërë shumë studime, si nga studiues vendës, shqiptar ashtu dhe nga studius të huaj”, ka lexuar punimin e Polisit, Hamiti.

Edhe shefi në Degën e Orientalistikës, Isa Memishi ka thënë se kontributi i Prof. Dr. Mehdi Polisit ka qenë shumë i madh.
“Ne i mbetemi borxh profesor Mehdi Polisit për ndriçimin që ia bëri veprës së Sami Frashërit në gjuhën shqipe. Një student i yni pati thënë që profesori e bëri që Sami Frashërin të flas shqip. Falënderimet janë të vogla për profesor Mehdi Polisin, por dhashtë zoti që t’i shpërblehet gjithë mundi për veprën e madhërishme të Sami Frashëri. Familja duhet të mburret me profesor Mehdi Polisin. Edhe ne si student të tij dhe koleg do të mburremi gjithmonë”, ka thënë Memishi.

Prof. Dr. Mehdi Polisi ka lindur më 27.11.1953 në fshatin Dobovjan të Strugës. Në moshën 60-vjeçare nga një sëmundje e shkurtër ndërroi jetë më 21.05.2014 në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Advertisements

Shqiptarët që administrojnë qytetin e sulltanëve

07/05/2015 Lini një koment

Luela MYFTARI

 

SHQIPTARËT QË ADMINISTROJNË QYTETIN E SULLTANËVE

Bursa

  • Reportazh nga Turqia. Bursa, qyteti i gjelbër që udhëhiqet nga një shqiptar. Traditat dhe kultura shqiptare në mes të Bursës

Udhëtojmë drejt Turqisë. Sapo mbërrijmë në Bursa, një qytet shumë i madh pranë Stambollit, qyteti i sulltanëve të Perandorisë Osmane, kuptojmë që na presin shqiptarë. Këshilltari i kryetarit të Bashkisë së Bursës, Emir Bej, siç e thërrisnin të gjithë na rrëfen se edhe kryetari i këtij qyteti është shqiptar. Edhe në mbrëmje do të na presin shqiptarë. Sepse në Bursa ka shumë shqiptarë. Një lagje e tërë, përpos katër milion banorëve të këtij qyteti ishte me shqiptarë. Na quanin arnautë, por për ta nuk dukeshim të huaj. Sepse mirëpritjen, ngrohtësinë, traditën dhe kulturën shqiptare e ruajnë me xhelozi të madhe.

Traditën e shqiptarëve e gjetëm edhe te shqiptarët e Turqisë, sidomos te shqiptarët e Bursës, një krenari e këndshme që thonë me gojën plot “kemi prejardhje shqiptare”. Një pritje si shqiptarët Na priti në aeroport Emir Bej, të cilit i shkonte shumë emri që kishte. Deri në fund të qëndrimit tonë në Bursa ai ka qenë prezent kudo, për të qenë guida jonë, guida e gazetarëve që kishin mbërritur aty për të kuptuar më shumë për binjakëzimin e dy qyteteve, atë të Tiranës dhe Bursës. Ai ishte një nga ata shqiptarët që e njihnin të gjithë të tjerët, me kostumin, apo pa kostumin zyrtar.


Festonin shqip 

Që në ditën e parë të qëndrimit tonë në Bursa, rreth 700 mijë shqiptarë që jetonin aty ishin informuar për ardhjen tonë. Disa prej tyre, pjesë e një shoqate që ruante dhe kultivonte traditën, gjuhën dhe kulturën shqiptare, na pritën në mbrëmje me këngë, valle, muzikë dhe përshëndetje në shqip. Ishin mbledhur të gjithë për të na uruar mirëseardhjen në shqip. U çuditëm, kur edhe fëmijë të vegjël, që ndoshta kurrë nuk kishin qenë në trojet e tyre, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, dinin të kërcenin aq bukur vallet dhe këngët popullore shqiptare. Vallja popullore e kostumi shqiptar ishte aty jo vetëm tek të rriturit, por edhe te fëmijët e tyre që kishin mësuar se të parët e tyre vinin nga trojet e Skënderbeut.


Një ansambël ku gjithë Shqiptaria bëhej një

Vetë Emir Bej u ngrit të kërcente ca këngë, ashtu si nga anët e tij, duke u bashkuar me shqiptarët e tij. Ishte gati të vishte edhe kostumin popullor, por u mjaftua duke hequr xhaketën që t’i kërcente vallet njëlloj si valltar. Një ansambël i tillë që mblidhte bashkë Napolonin, vallen e Osman Takës, vallen e Kukësit, vallet shkupjane dhe ato të Kosovës, vështirë se do ta gjeje edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi, sepse ata nuk bënin dallim se prej nga vinin. Ata ishin të gjithë shqiptarë dhe kishin kostume popullore të jashtëzakonshme.

 

Gjuha shqipe 

Në pesë ditë qëndrimi në Bursa thuajse të gjithë na folën shqip. Edhe shitësja, edhe taksisti, edhe pronari i një lokali në qendër të Bursës, sapo merrnin vesh që ne ishim mysafirë nga Shqipëria, na flisnin shqip. Edhe shitësja e një butiku në qendrën tregtare të sheshit Zafer, dinte shqip, edhe pse vetë nuk ishte arnaute. Ishte martuar me arnaut dhe fëmijët e saj që mësonin shqip nga i ati, e kishin bërë të fliste shqip. Ditën tjetër, një e moshuar që sapo hyri në tramvaj e njohu gjuhën tonë teksa flisnim me njëritjetrin. Nuk na tha asgjë, por kur njëra prej gazetareve u ngrit në mënyrë që të ulej e moshuara, kjo e fundit tha me gjuhën shqipe gjysmë të harruar: “Faleminderit”.

Gjatë udhëtimit na tregoi se kishte lindur aty, në Turqi, por prindërit ia kishin mësuar shqipen, që tashmë mezi e fliste, sepse kujtesa bënte të vetëm me kalimin e viteve. Ishte kryesisht një gegërishte e vjetër, e pastër, pa sllavizma dhe e ruajtur me fanatizmin të madh. Kjo gjuhë e vjetër që ruhej prej më se një shekulli hasej në shumë familje shqiptare që jetonin e punonin aty. Kanë kaluar vite, dekada, po edhe shekuj që e kanë lënë atdheun e të parëve, jetojnë me mijëra kilometra larg, por gjuhën shqipe nuk e kanë harruar. Dhe kjo na çuditi shumë.

Më shumë se 800 mijë shqiptarë jetojnë në Bursa  Numri më i madh i shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve të tyre etnike duket se është ai në Turqi. Sipas studiuesve dhe historianëve të ndryshëm shqiptarë, në Turqi llogaritet të jenë më shumë 6 milionë shqiptarë. Sigurisht kjo shifër nuk përfshin të gjithë shqiptarët që kanë ikur nga trojet e tyre, por edhe shqiptarët që janë shkrirë me popullsinë vendase. Sipas statistikave, numri i shqiptarëve që janë strehuar në shtetin turk zë vendin e parë të emigracionit shqiptar. Dhe llogaria nis që nga fundi i pushtimit osman, kur ishin të shumta familjet që jetonin në Turqi, për të vazhduar më pas me shpërnguljet masivet të shqiptarëve nga serbët. Nga Kosova drejt Turqisë serbët dëbuan një numër të konsiderueshëm shqiptarësh. Pjesa më e madhe janë vendosur në Stamboll, Bursë, Izmir, Tokat, Ankara, Sakarja dhe Samsun. Vetëm në Bursa dhe rrethinat e saj llogaritet se gjenden më shumë se 800 mijë shqiptarë.

Pjaca e quajtur Zafer, njihej si lagjja e shqiptarëve. Gjendej në qendër të qytetit, ashtu sikurse edhe shumë dyqane apo lokale të cilat administroheshin nga shqiptarë të lindur aty, apo të ardhur më vonë. Po ashtu edhe shoqata e biznesmenëve në Bursa ka në përbërje të saj 70 për qind shqiptarë. Që në takimin e parë me kryebashkiakun, Rexhep Alltepe apo administruesin e qytetit, siç e quanin ata biseduam pë mundësinë e përfitimeve që Tirana mund të ketë nga bashëpunimi me Bursën. Të gjithë të pranishmit, biznesmenët dhe kryetari, u treguan të gatshëm pë të investuar në Tiranë, duke filluar që nga tramvaji, i cili ishte një prodhim i Bursës, e deri tek shkollat shqipe që së shpejti priteshin të hapeshin në Bursa për shkak të kërkesave që ka pasur.

Kur Alltepe na tha se administronte një qytet me afro 4 milion banorë. Disa pëshpërisnin duke pranuar se katër milionë banorë nuk janë pak, por sa e gjithë popullsia e Shqipërisë. Dhe po të mblidhje numrin e shqiptarëve në të gjithë Turqinë mund të lindte edhe ndonjë anektodë tjetër si ajo që dëgjuan në ambientet e redaksie mediatike. Thuhej se, në një takim zyrtar, një kryeministër turk në mes të viteve ‘90 bën shaka me njërin nga udhëheqësit shqiptar që kishte shkuar në Turqi duke i thënë: “Unë drejtoj më shumë shqiptarë sesa ju”.

 

Arkitektura, një vend plot xhami  

Bursa ishte kryeqyteti i parë në fillim të vitit 1200 dhe në fund të vitit 1300 të Perandorisë Osmane. Në këtë prizëm kryeqyteti i dikurshëm i Perandorisë Osmane filloi të zhvillohej shumë nga ana arkitetkturës. Sarajet dhe banesat e sulltanëve dhe pasardhësve të tyre gjenden akoma aty dhe janë monumente të mbrojtura. Për shkak të të qenit kryeqyteti i parë osmane, Bursa është shumë e pasur edhe me monumente fetare, afro 1.575 xhami, varre, tyrbes, banja etj. Një nga vendet më të bukura në Bursa është Xhamia Yesil (Green Xhamia), me portë prej mermeri të gdhendur.

 

Konsumi  

Gatimi ishte thuajse njëlloj si tek shqiptarët, kjo edhe pasi trojet tona kanë qenë nën tutelën e tyre për gati pesë shekuj. Balkllavaja, kadaifi, mishi, peshku, thuajse të gjitha gatuheshin njëlloj. Gështenjat e ëmbëlsuara janë një specialitet dhe kanë një shije të paharrueshme. Pjeshkët e Bursës janë unike. Në këtë vend, nuk konsumohej thuajse fare alkool.Por nëse dëshironi diçka për të blerë, Bursa është një qendër e tregtisë dhe prodhimit të mëndafshit.

 

Iskënderi i Madh  

Heroin tonë kombëtar, Skënderbeun, shqiptarët e Turqisë dhe vetë turqit e quanin Iskënderin e Madh. Ashtu sikurse të gjithë ata që iu kundërvunë sulltanit, bashkë me jeniçerët, ashtu konsiderohej edhe figura e heroit tonë. Turqit nuk e komentonin figurën e tij me një krenari të madhe. Ata komentonin për të vetëm pjesën e parë të jetës së tij. Ata thonin se Skënderbeun e kishin rritur ata. Ndërsa shqiptarët me plot gojën rrëfenin se ai kishte luftuar për vatanin. Ishte një rrëfim ndryshe, një lloj krenarie që justifikonte çdo veprim apo zgjedhje të heroit tonë të madh.

 

Sami Frashëri  

Sami Bej Frashëri, i cili ka lindur në Frashër të Shqipërisë dhe ka vdekur në Stamboll, konsiderohej si një nga figurat e tjera arnauto-turke. Ai ishte rilindës i shquar, ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist, sipas tyre. Në literaturën e huaj, Sami Frashëri është njohur me emrin Shemseddin Sami. Dhe kështu njihej edhe në Turqi. Madje, ata që e njihnin më së miri, pra shqiptarët e dinin që ishte shqiptar dhe e pranonin. Turqit nga ana tjetër mendonin se ai ishte shkrimtar turk. E fakti që ai shkroi në të dyja gjuhët na bën t’i pranojmë të dyja versionet, njëlloj sikurse edhe për heroin tonë kombëtar, Skënderbeun.

 

Burimi: http://shekulli.com.al/web/p.php?id=48169&kat=104

Kujt i pengon xhamia e re në Ulqin?!

06/04/2015 Lini një koment

Hajrudin S. MUJA

 

KUJT I PENGON XHAMIA E RE NË ULQIN?!

Xhamia Ulqin

Këshilla e shkrimtarit të madh rus Dostojevskit, se: “njerëzit që i janë nisur një rruge, të mos gjuajnë me gurë çdo qen që leh me ta, se vonohen”,mbetet aktuale edhe në ditët e sotit. Por është po aq aktuale edhe thënia e urtë se “qenit i duhet treguar shkopi”, që kur të ngordhin, ta përdorësh për ti shtyrë drejt një grope, për të mos qelbur vendin. Ne nuk e kemi fjalën për qentë e Dostojevskit, dhe as për qentë e ngordhur të urtësisë popullore, por për ngordhësirat që marrin ende frymë, por janë të pamoral, pretendojnë të jenë intelektualë, por janë injorantë, pretendojnë të jenë të sinqertë, e në të vërtetë janë shpifës, fyes, trilluese e qëllimkqinjë. Këto janë “dietarët analfabetë” të rrjeteve sociale, të konvertuar ose ateistë, disa edhe autorë artikujsh e librash, të cilët me komentet e tyre ‘gërditin’ edhe ushqimin më të mirë në barkun e një njeriu normal!

Si shkak mbase u bë një “copy-paste” e portali Ul-Info.com, kur publikoj më 1 mars 2015, artikullin “Pëparojnë punimet në Medrese, me të edhe xhamia”. Aty thuhej se një delegacjon 48 antarësh të Shoqatës “Iskit” nga Stambolli, ka vizituar punimet e Medresesë së femrave, ku thanë se do të ndërtohet edhe xhamia. Në takimin me kryetarin e komunës, ata i thanë gjithashtu se do të investojnë edhe në projekte të ndryshme, në të mirën e qytetarëve të Ulqinit.

Dhe tani s’do mend se ata që janë ‘alergjik’ ndaj medreseve e xhamive do të hidhen “në luftë” nëpër portale dhe do të komentojnë në mënyrat më të çuditshme, që zor se e pranon një mendje normale. Çfarë nuk lexon njeriu në këto portale: se muslimanët e Ulqinit qenkan pa identitet kombëtar, se feja kur është e krishterë ka për synim “pasunimin e shpirtit”, vetëm feja muslimane përdoret “për shpërlajren e trurit”! Se duke ndërtuar xhami po na asimilojnë! Se balta, pluhuri e xhamijat na kthyen tokën arbnore në arabi! Se me ndërtimin e xhamive po na flliqin para botës! Se ata që duan xhami, le të shkojnë në Turqi! Tek e fundit në vend të ndërtimit të xhamive, për të qenë tamam “kosher”, ata duhet të vijnë të na mbjellin arat e lëna djerr (prej nesh), kurse hoxhallarët vendas duhet të na i bëjnë shërbimet funerale pa para. Madje të vijnë të na hapin edhe shtëpi për pleq, që babat dhe nënat tona ti përjashtojmë nga bashkimi familjarë, një turp që të parët tanë kurrë nuk e kanë menduar dhe nuk e kanë lejuar. Sigurisht, nuk ja vlen të merresh me të tillë komentues, por të neveritet gjithçka kur mëson se komentuesit e këtillë mund shkruajn edhe libra!!!

Unë personalisht mendoj se hapja e një medreseje, për ndryshim nga shkolla aktuale, do ti jap Ulqinit paku tri të mira: Së pari në dyert e saja nuk do të shitet droga. Së dyti në oborrin e saj nuk do të ketë lokale, ku djemt tanë do të ikin prej orëve të mësimit, për tu ‘sorodhatur’ me ‘motrat’ e veta! Dhe së treti, veç edukimit shkencorë, do të mësojnë edhe Islamin, jo nga komentuesit e portaleve, por drejtë nga burimi Kuranorë: “Kush mbyt një njeri, pa mbytur ai nd­o­një tjetër dhe pa bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (kri­mi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit” [32:5]. Ndërkohë, hapja e një xhamie të re, poashtu do të ketë anët e veta pozitive, pasi një vizitorë sezonal i Ulqinit, që e gjenë qetësinë shpirtërore në të, nuk do të ketë nevojë të shkojë në xhamitë e periferisë, për shkak se në xhamitë e qytetit nuk ka vend për të hyrë.

E kam të vështirë ta kuptoj përse bëhet gjithë kjo zhurmë ‘komentuese’ nëpër portale, kundër kësaj godine të shumëpritur në Ulqin? Nëse një “intelektual’ i vetquajtur vetë nuk shkon brenda, kjo nuk do të thotë se nuk shkon askush! Po imagjinoj, sikur sponzorues i këti institucioni të mos ishte Turqia por Vatikani, a do të kishte kaq shumë reagime e komente boshe!? Jam i sigurtë që nuk do të kishte. Nuk pati asnjë reagim kur në verën e vitit 2007, në Ulqin u vendos busti i Nënë Terezes, që kishte lindur në Shkup, por që kishte jetuar e kishte vdekur në Kalkutë të Indisë (?!). Pa mohuar meritat e saj, unë ende nuk po kuptoj çfarë meritash pati ajo për Ulqinin!? Askush nuk pyeti pse nuk u shpenzuan ato para për të nderuar ndonjë personalitet të njohur të Ulqinit, ndonjë personalitet detar, politik, fetarë ose bamirës të devotshëm që nuk i kanë munguar.

Çfarë nderimi u bë për Mehmet Gjylin e Haxhi Mehmet Becin, që flijuan jetën dhe pasurinë si aktivistë të denjë të lidhjes së Prizrenit, në luftë kundër aneksimit të Ulqinit nga Mali i Zi? Ku i kanë bustet ato? Veç rapsodisë, a i njeh kush emrat: Hasan Ulqini, Mustafë Broçi, Cano Begu, Daut Pelinku, Halil Beci, Veli Man Bratica etj, që të shtyrë nga atdhetarizmi shkuan për t’u flijuar në betejën e Krricës? Atdhetarët Hafiz Hasan Llunji, Memin Resulbegu, Caf Canka dhe Zyhdi Fici, u pushkatuan (15 dhjetor 1944) te “Laku i Hoxhës” në Braticë dhe të gjithë bashkë i varrosen në një varr, edhe sot pa asnjë shenjë dalluese! As që u muar iniciativa së paku të ç’varrosen prej një varri të përbashkët, për t’i rivarrsur me ceremoni të veçantë?! Për atdhetarët e pushkatuar (4 nëntor 1944): Dom Nikollë Tusha, Hodo Alibegu, e shumë të tjerëve nga Ana e Malit e Kraja, nuk u dihen as varret, a u muar ndonjë iniciativë për gjetjen e tyre? A u dëgjue ndonjë zë intelektuali?

Besimtarët që frekuantojnë xhamitë, edhe këta të vetëquajtur intelektualë, kurrë nuk kanë reaguar pse të krishterët i shpenzojnë paratë duke themeluar, ndërtuar apo renovuar kishat, edhe aty ku nuk jeton asnjë besimtarë! Këta të parët, në asnjë rast, mbrenda hapsirës shqiptare, nuk kanë kërkuar dhe nuk kanë ndërtuar xhami ‘politike’, në vendet ku nuk ka muslimanë, dhe as nuk kanë ngritur simbole islame në vendet publike, siç kanë bërë të krishterët!

Nëse vështrojmë fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, sipas Sami Frashërit, Ulqini mbrenda dhe jashtë mureve të kalasë, mund të kishte rreth 5.000 banorë. Bashkë me fshatrat periferike, kishte 6.000 deri në 8.000 banorë. Në atë kohë, mbrenda dhe jashtë mureve të kalasë, veç tri medreseve funksionale, kishin në përdorim 9 xhami, kurse në fshatrat periferike funksiononin edhe tri xhami të tjera. Prej tyre, Xhaminë e Meterizit, mbreti Nikollë e shëndrroj në “Manastirin e Shën Arkangjelit”. Xhamisë së Mehmet Hanit në Kala nuk i dihet as vendi, kurse xhamia e Sulltan Selimit, gjysëm e shkatrruar është shëndrruar në muze. Nuk u ngrit më as xhamia e shëmbur e Merasë. Të tjerat janë renovuar ose rindërtuar në themelet e vjetra. Thënë ndryshe, sot që Ulqini me fshatrat periferike, numron afërsisht 26.000 banorë, kanë katër xhami funksionale më pak se kur kanë jetuar 8.000 banorë! Ku pra qëndron problemi i ngritjes së një xhamie të re, për 18.000 banorë shtesë!?

Duket shumë qartë se këtu ka gisht vazhdimsia e mjerimit intelektual, e lidhur ngushtas me vendet e tjera të trojeve etnike! Në Prishtinë dhe Tiranë janë ngritur katedralet e mëdha ‘politike’, katolike e ortodokse, por ende u injorohen muslimanëve kërkesat njëzet vjeçare për ndërtimin e një xhamie të madhe. Katedralen katolike të Prishtinës, të gjithë katolikët e Kosovës së bashku nuk do ta mbushnin, ndërsa namazin e xhumasë muslimanët e falin në rrugë, për shkak se nuk i nxënë xhamitë që kanë! Këtu s’ka si shpjegohet ndryshe veç problemit “turk” dhe “problemit” Islam! Problemin “turk” e pamë edhe në raste të tjera, kur ndërtimet nuk kishin të bënin me medrese e me xhami, dhe kur dihej se në ndërtime të tilla ndonjë ulqinak do të kishte mundësi të punësohej. Ndëkohë që problemin Islam e shohim nga lidhja që i bëjnë me “kulturën arabe” ose me “ideologjinë e Isisit”. Kaq e kanë të zhvilluar trurin, sepse gjërat nuk I mësojnë nga burimi por nga artikujt e gazetave dhe nga portalet sociale!

Këta janë një skotë injorantësh, të cilët me çdo kusht synojnë të prishin bashkëjetesen tradicionale të shqiptarëve, kur ndërtimi i kishave dhe i xhamive, nuk është parë si “ves” i keq, por si “virtyt” i mirë. Brendësitë e këtyre mureve, kanë qënë mburojat dhe fortesat pathyeshme për mbrojtjen e rodit arbëresh dhe si të tilla, shqiptarët të çdo besimi duhet t’i nderojnë dhe t’i konsiderojnë si monumente kombëtare. Aty janë ruajtur vlerat njerzore dhe traditat e shqiptartëve përgjatë shekujve. Por ateistët nuk e kuptojnë këtë dhe as që kanë për ta kuptuar deri ta shikojnë veten në pasqyrë!

Para një viti, në rrjetet sociale ishte bërë një organizim për tubimin e kurbanave për vendlindje. Dhe si zakonisht menjëherë filluan ‘kritikat’ e analfabetëve të gatshëm për komente, që tregonin “humanizmin” e tyre, se këto para duhej shpenzuar për sponzorimin e studentëve?! Eshtë e çudtishme se vetëm kur është në pytje diçka që ka lidhje me Islamin, vetëm atëherë tregojnë sa humanist janë, pastaj bien në gjumë!? Zgjohen pastaj prapë vetëm kur ndërtohen medrese e xhami dhe vetëm kur priten kurbane! Po pse këto parazitë, nuk organizojnë vetë diçka të tillë vetëm gjithmonë presin prej të tjerëve?

Kohë më parë, ky tip “Intelektualësh analfabetë”, shkruanin në portale se xhamia duhej të kishte kupolën e bardhë, që të simbolizonte plisin shqiptar, që Ezani duhej të thirrej vetëm në gjuhën shqipe. Që në xhami duhej të shkruheshin citate nga “Kanuni i Lekë Dugagjinit”. Në muret dhe hapsirat e xhamive duhej të vendoseshin apo të gdhendeshin portrete dhe skulptura të intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë dhe të gjitha xhamitë duhej të emërtoheshin me emra shqip! Në hydbe e minbere duhej të valonte flamuri kuq e zi, të cilin hoxha duhej ta puthte para se të fillonte lutjet apo predikimet. Mbrenda ose jasht xhamisë, namazi (lutjet) duhej të bëheshin në gjuhën shqipe! Dhe… sipas tyre, këtu do të ishte fillimi i ndryshimeve të mëdha.

Jo, në fakt, këtu do të ishte fillimi i çmendurisë së radhës. Këto “intekeltualë” që e shesin budallakinë e tyre për ‘patriotizëm’, çdo mëngjes vishen me rroba moderne Kineze, e pinë kafen Braziliane me një cigare Amerikane, hanë një byrek me miell serb dhe hyjnë në automjetin gjerman, për të arrijtur në vendin e punës, në një kompani Sllovene. Aty ndezin kompjuterin Tajvanez, dhe fillojnë të kryejnë punën në gjuhën angleze. Pasi kthehen nga puna, pastrojnë duart me sapunin turk, hapin frigoriferin malazez, marrin ushqimin e konzervuar Kroat dhe një gotë uji të gazuar Italian. Rehatohen në qilimin Persian, ndezin televizionin Jug-Korean dhe me kënaqësi ndekin serialet Spanjole. Pastaj, për ta qetësuar dhembjen e kokës, përdorin ilaçet me emërtimet e gjuhës së vdekur latine.

Kjo llojë ‘specie’, kur flet për Islamin, thotë se është “kulturë arabe”! U interesonte namazi dhe ezani në gjuhën shqipe, sepse nuk janë të interesuar të shërojnë sëmundjen e shpirtit. Nuk e kanë çuar kurrë kokën përpjetë, që të vështrojnë qiellin e pashembullt dhe qendrimin e tij pa shtylla, zbukurimin e tij me yje flakëruese. Dhe prandaj ngjajnë me skenën e një cirku, ku palaqot janë angazhuar në rrolin që luajn, e njerëzit habiten pas lëvizjeve të tyre! Duke qëndruar në mashtrimin e vetvetes, paraqisin një llojë “majmuni darvinianë”, që dinë shkrim e lexim, dhe që gënjejnë veten për ditët e bardha të ardhmërisë.

 

Burimi: http://ul-info.com/hajrudin-s-muja-kujt-i-pengon-xhamia-e-re-e-ulqinit/

Mendimi pedagogjik i Sami Frashërit

21/02/2015 Lini një koment

MENDIMI PEDAGOGJIK I SAMI FRASHËRIT

Sami Frashëri

Sami Frashëri

Të shkruash për rilindësin tonë, Sami Frashërin, është diçka jo e lehtë. Kjo, jo sepse shkrimet e tij, apo studimet rreth tij, janë të pakta, por, e kundërta, ato janë aq shumë dhe të trajtuara nga këndvështrime të ndryshme, rreth fushave në të cilat ka kontribuar Samiu, saqë është shumë e vështirë, për një shkrim modest si ky i yni, për t’i përmendur të gjitha.

Është hera e disatë që shkruaj për Sami Frashërin dhe mendimet dhe idetë e para që kam pasur rreth tij po i pasuroj edhe me këtë shkrim për rilindësin tonë të madh. Po të shikojmë veprat e S. Frashërit do të gjejmë në to një larmi shkrimesh, duke filluar nga gjeografia, historia, filozofia etj. Jo më kot e kanë quajtur Samiun “enciklopedi lëvizëse”. Sa për ilustrim, po përmendim këtu veprën e tij enciklopedike “Kamus al Alam”, në gjashtë vëllime, me gjithsej 4830 faqe, ku ka me mijëra njësi të veçanta historike dhe gjeografike me karakteristika të hollësishme, të cilat shumë prej tyre nuk i gjen dot diku tjetër. Samiu njihet, gjithashtu, edhe për temat që preku në shumë gjuhë të ndryshme, si: turqisht, arabisht, persisht, frëngjisht, greqisht etj.

Të shkruash për mendimin pedagogjik të S. Frashërit nuk është e mundur ta trajtosh atë jashtë kornizës historike në të cilin punoi dhe shkroi rilindësi ynë. Pra, jemi në kushtet e Rilindjes sonë Kombëtare, ku aspiratat për një shtet shqiptar të pavarur, me gjuhën dhe shkollën e tij, sa vinin dhe bëheshin me imediate. Në këtë kontekst historik duhet parë edhe kontributi i Sami Frashërit.

Shtytësit kryesorë që i nxitën rilindësit tanë, përfshi edhe Samiun, për të menduar mbi edukatën dhe për të shkruar vepra shkollore dhe pedagogjike, me qëllim zhvillimin dhe përsosjen e vetëdijes dhe kulturës së popullit qe, padyshim, tendenca kombëtare. Rilindësit këshillonin që populli shqiptar duhet të jetë i ngritur në pikëpamjen arsimore dhe kulturore, sepse këto përbënin elementet me rëndësi të zhvillimit të tyre shoqëror dhe kombëtar. Vepra e Samiut është dëshmia më e fortë dhe shembulli më ilustrativ sesa e çmonin rilindësit e shquar qenien e vet kombëtare, sesa i përshkonte ajo idetë e tyre mbi edukatën.

Kemi disa momente të rëndësishme në shkollimin, ngritjen dhe veprimtarinë arsimore të Sami Frashërit- baza esenciale e mendimeve pedagogjike të tij:

Momenti i parë i biografisë së Samiut që zgjoi interesimin e këtij djali…. për edukatën, ishin mësimet e para që i mori në Frashër… Mësimet e para i mori nga myderrizi Mahmut efendi Tetova.

Sipas Samiut, nga fundi i shek. XIX, në Frashër funksiononin 3 shkolla…

Momenti i dytë me rëndësi në formimin më të plotë pedagogjik të Samiut, pas mësimeve të para, ishte shkollimi i tij në shkollën e mesme- gjimnazin Zosimea në Janinë.

Gjimnazi Zosimea ka rëndësi të veçantë në ngritjen kulturore të Samiut. Me ndihmën e pedagogëve iluministë të kësaj shkolle, ai jo vetëm që “ra në kontakt me iluminizmin frëng”, por u pajis edhe me një kulturë greko-latine të vjetër dhe me kulturë moderne e racionale të Evropës. Në Zosime ai mësoi fizikë, kimi, biologji, kozmografi, gjeografi; po ashtu lexoi Hygonë, Rusonë dhe autorë të tjerë iluministë.

Momenti i tretë dhe tejet i rëndësishëm për veprimtarinë kulturore, edukative, artistike, shkencore dhe shoqërore të tij është puna dhe pjesëmarrja në lëvizjen përparimtare, shoqërore e pedagogjike të Rilindjes dhe kontakti i drejtpërdrejtë me inteligjencien liridashëse dhe progresive turke në Stamboll.

Momenti i katërt janë veprat e Samiut, si ato në gjuhën turke, ashtu edhe veprat e tij në gjuhën shqipe pas vitit 1879, që i kushtohen përparimit të përgjithshëm dhe arsimor të shqiptarëve.

Me veprat shkollore e të tjera, Samiu ndikoi në zhvillimin e literaturës pedagogjike dhe të përgjithshme dhe në futjen e përhapjen e gjuhës shqipe në shkollë.

Veprat e tij patën një rëndësi gjuhësore, historike dhe pedagogjike. Ato janë dëshmi e aftësive intelektuale të tij.

Për organizimin e mësimit dhe të mësuarit e shqipes në shkollat që u hapën më vonë, në klube, individualisht dhe për arsye të tjera pedagogjike e praktike, po në vitin 1879 u botua “Alfabetare e Gjuhës shqipe”. Ky libër ka 136 faqe dhe u botua në 20000 ekzemplarë.

Momenti i pestë në ngritjen dhe punën e Samiut është veprimtaria pedagogjike e tij gjatë viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë.

Por, pas gjithë këtyre që thamë deri më tani, është e pamundur që të kuptohet personaliteti poliedrik i Sami Frashërit dhe kontributi i tij i çmuar në fushën e mendimit pedagogjik pa përmendur veprën e tij madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.

Platforma e S. Frashërit që buron nga kjo vepër ishte edhe “një ide e qartë për sistemin arsimor në viset shqiptare. Pra, nuk ishte fjala për kurse të luftës kundër analfabetizmit, të cilat ishin shfaqur mjaft shpesh, sidomos nga mësuesit shëtitës, por edhe për shkollat shqipe të mbështetura nga populli ynë arsimdashës, që të viheshin në funksion të çlirimit kombëtar, të ngritjes dhe përparimit kulturor të popullit”.

Nuk vihet në dyshim se vepra kryesore e Samiut, “Shqipëria ç’ka qenë…”, është një burim primar për të kuptuar mendimet e tij të jashtëzakonshme dhe vizionin e tij mbi edukatën, mbi strukturat e karakteristikat e sistemit shkollor dhe përmbajtjen e arsimit.

Kjo vepër meriton një shqyrtim serioz dhe të veçantë nga shumë aspekte, një ndër të cilat është edhe aspekti pedagogjik. Njëkohësisht, “vepra kryesore e Samiut paraqet shkallën më të lartë të zhvillimit të kulturës dhe të inteligjencies shqiptare në periudhën e Rilindjes”.

Disa prej veprave të tij e meritojnë, për nga qëllimi dhe përmbajtja e tyre, plotësisht atributin pedagogjik.

Meqë synimi ynë kryesor është të merremi në mënyrë të përmbledhur me mendimin pedagogjik të S. Frashërit, le të kujtojmë, këtu, disa prej veprave të tij që kanë të bëjnë me këtë veprimtari:

1-     “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” (Bukuresht, 1899)

2-     “Abetare e gjuhës shqipe” (Bukuresht, 1886)

3-     “Shkronjëtore” (gramatikë, Bukuresht, 1886)

4-     Dy punime të Samiut te Alfabetare e Gluhës Shqipe (Kostandinopojë, 1879)

5-     “Dheshkronjë” (Bukuresht, 1888)

6-     “Insan” (Njeriu, Stamboll, 1880)

7-     “Kadinlar” (Gratë- turqisht, përkthyer në shqip nga shtëpia botuese Logos-A-, Stamboll 1879)

Këtu përmendëm vetëm disa prej veprave të tij, por, duhet theksuar se, ka edhe shumë punime të tjera që tregojnë për kontributin e tij në mendimin pedagogjik.

Duhen përmendur edhe tekstet shkollore të Sami Frashërit në turqisht dhe në arabisht, siç janë abetaret, gramatikat dhe fjalorët.

Një meritë e madhe e Samiut është përgatitja e teksteve për shkollat e para shqipe dhe interesimi dhe angazhimi i madh i tij për hapjen e këtyre shkollave.

Samiu kishte vërejtur se autorët e librave të mëparshëm, deri atëherë në tekstet e tyre shkollore nuk i zbatonin parimet dhe metodat e reja pedagogjike, por i përmbaheshin një forme katiketike (pyetje-përgjigje). Pra, një nga shkaqet e suksesit të dobët të nxënësve në procesin mësimor të shkollave të atëhershme, përveç të tjerash, ishte përdorimi i këtyre teksteve shumë të rënda. Librat shkollorë të Samiut, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në arabisht dhe turqisht, tregojnë dhe janë dëshmi se Samiu i ka kontribuar shumë pedagogjisë së re iluministe.

Samiu nuk ishte i kënaqur me gjendjen shkollës së deriatëhershme turke, kritikonte reformat në arsim, insistonte që shkolla dhe edukata t’i shërbenin tërë popullit dhe të liroheshin nga dogmatizmi e format e vjetra e të kapërcyera të punës edukativo-arsimore.

Samiu ishte përqendruar në postulatin thelbësor se pa shkollë shqipe dhe pa edukatë solide, pa dijeni dhe kulturë të përgjithshme kombi shqiptar nuk mund të përparojë. Kjo përputhej me frymën e Vendimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë mënyrë, që nga Lidhja e Prizrenit e deri më 1898, me gjithë pengesat që nxirrnin rrethanat e kohës, u zhvillua një lëvizje arsimore dhe gjuhësore që, sipas Samiut, “dha pemë fort t’embla e të bukura”. Këtë periudhë ai e karakterizon si vijon: “Një shkollë u hap në Korçë e për së pari herë zuri të mësohesh gjuha jonë. Shkollat nuk’u shtuanë e të vinin mbarë si duheshe, po shkronjat shqip u përhapnë nëpër gjith’anët të Shqipërisë, edhe burra e gra, djem e vazha, gjithë mësuan në pak kohë të shkruajn’ e të këndojnë gjuhën shqip”.

Samiu kërkon, gjithashtu, që “të gjithë, fshatrat dhe njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore, edhe meshkujt edhe femrat, të kenë arsim të barabartë, unik dhe shkollim fillor pa pagesë”.

Idetë demokratike në pedagogji të S. Frashërit, duken edhe në këtë fjali: “Në pak kohë të mësojnë mjaft dituri; edhe bariu, edhe bujku, edhe mjeshtri’ i mureve do të mos jenë pa dituri”.

Në veprën e Samiut, “Shqipëria ç’ka qenë…”, është edhe një kaptinë me titull “Diturija”. Në këtë kaptinë ai prezantohet si pedagog me koncepcione vizionare, me pikëpamje përparimtare dhe me frymë demokratike. Ai do një shkollë në gjuhën amtare, të përbashkët për të gjitha shtresat, shkollimin pa pagesë, në “shkolla të para” (fillore), për “djemt’ e vashtë” që nga “7 vjeç e gjer më13”, në çdo katund dhe nga disa nëpër qytete, arsimin fillor të detyrueshëm etj. Në çdo nënngastër (rreth) propozon nga një “shkollë të dytë”, po ashtu për djem e vajza, d.m.th. progjimnaze ose gjimnaze të ulëta, të ngjashme me ruzhdije në Turqi apo me skolion në gjuhën greke.

Ai propozon, gjithashtu, që në çdo ngastër (krahinë, qark) të ketë edhe “shkolla të treta”, d.m.th. gjimnaze. Në sistemin arsimor të Samiut rol të veçantë kishin edhe disa shkolla profesionale. Sipas tij, vetëm në kryeqytet të Shqipërisë të kishte një shkollë ushtarake, një për metalet e për pyjet, një për bujqësi etj. Krahas me këto, sugjeronte që në Shqipëri të kishte tre universitete: “një në kryeqytet, një në Shqipëri të Sipërme e një në të Poshtërmet”. Për universitetin përdor termin e veçantë: gjithëmësime, ndërsa në kllapa dar-yl-funun dhe panepistimion. Edhe disa institucione dhe shoqata do të kujdesen për gjuhë dhe libra, si këshillë diturie (Akademia), një shtyptore (shtypshkronjë) për të shtypur libra shkollore dhe fletore diturie dhe shoqëritë profesionale, si, për shembull, për dheshkronjë (gjeografi), histori, dhekërkonjë (gjeologji) etj.

Kërkesat e tij që arsimi të jetë i detyrueshëm, pa pagesë dhe i njëjtë për të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë sociale, fetare, gjinore etj., që shkollat të jenë të nduarnduarshme dhe pikëpamja se edukata është një proces i vazhdueshëm, faktor jo i vetëm, por i fuqishëm, që ndikon që nga lindja e në çdo fazë të jetës së njeriut, janë, njëkohësisht, ide me të cilat Samiu i pasuroi trashëgiminë dhe njohuritë pedagogjike.

Ashtu siç e përmendëm edhe më lart, Samiu kontribuoi në fushën e pedagogjisë, krahas fushave të tjera, nëpërmjet shumë librave. Një prej tyre është edhe “Kadinlar”, ose në shqip “Gratë”. Tek “Gratë” ai flet për bukurinë fizike të gruas, sidomos për gruan e re, vashën e bukur.

Samiu vazhdon më tej dhe thotë se: “Ndonëse në pikëpamje të krijimit dhe të natyrës është pak e ndryshme nga mashkulli, shihet se gruaja nuk është në gjendje të bëjë çdo punë që mund të kryejë ai, por bën edhe shumë punë që nuk mund t’i bëjë burri”. “Duke mos përfituar nga inteligjenca e shkëlqyer e sa e sa grave, … ato detyrohen ta përqendrojnë inteligjencën e tyre në gjëra të thjeshta, duke u tërhequr nga shërbimet e vlefshme që do t’i bënin njerëzisë”.

Më pas përmend atë që është edhe më e rëndësishme për ne, nga ku del edhe kontributi i tij nëpërmjet kësaj vepre në shkencën e pedagogjisë: “Çdo grua, veçanërisht për të kryer mirë detyrat e saj, duhet të dijë këndim, shkrim, matematikë, mbajtjen e llogarive, ekonomi, politikë, higjienë, fizikë, kimi, e të tjera shkenca, kurse për të mos cenuar bukurinë e brishtë, për të shpëtuar nga gabimet që mund të rrëshqasin në raste bisedash, ka nevojë të ketë njohuri edhe nga letërsia, gjeografia, historia etj. Kur një gruaje i mungojnë këto dituri, jo vetëm që nuk mund t’i plotësojë detyrat që i përkasin, por as ka të drejtë të jetë e shoqja e një dijetari”.

Samiu konstaton se: “Shoqëria njerëzore përbëhet nga grumbuj të vegjël shoqërorë që quhen familje”, dhe: “Familje do të thotë grua”, pasi mashkulli “mbetet një gjymtyrë e jashtme e familjes”. “Gruaja është themeli i shoqërisë, është shtylla e moralit të përgjithshëm. Lumturia e shoqërisë është familja e lumtur, e lumturia e familjes varet nga edukata e gruas.”

Vepra “Gratë” e Sami Frashërit, për mendimin tim, edhe pse një vepër jo shumë voluminoze, tregon edhe një herë më së qarti preokupimin e këtij dijetari shqiptar për edukimin dhe arsimimin e femrës, si përbërëse kryesore e shoqërisë. Samiu, mes të tjerash, thotë se “…kush edukon një femër ka edukuar një shoqëri të tërë”.

Vepra “Gratë” duhet parë edhe në aspektin e emancipimit të femrës në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti. Nga kjo anë vepra “Gratë”, edhe pse e shkruar në turqisht, duhet parë si një risi në fushën e emancipimit shoqëror të gruas.

Rolin e diturisë, të kulturës dhe të edukatës, Samiu e shpreh edhe në formë të anekdotave. Kjo shihet në veprën “Anekdota”, që e botoi në vitin 1883, e sidomos në një libër tjetër me titull “Fjalë të urta”. Këto fjalë të urta janë marrë nga shkrimtarë perëndimorë e të Lindjes, pjesërisht janë edhe krijime të vetë Samiut.

Vepra e tij “Fjalë të urta” tregon sesa interesohej ai për edukatën, të mësuarit dhe arsimin. Ja disa prej mendimeve të tij:

“Detyra jonë kryesore kundrejt njerëzisë është të nxejmë (të studiojmë) pa u lodhur dhe të mësojmë (të tjerët) pa u mërzitur”.

“Dijetari përpiqet të marrë mësim nga çdo njeri”.

“Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë”.

“Fëmija duhet të marrë mësime para se të bëhet 7 vjeç dhe edukimi i tij duhet të fillojë nga dita që lind”.

“Njeriu ka nevojë për arsim, ashtu si bima për ujë. Ashtu sikundër thahet pema kur është e njomë, po s’u vadit, edhe njeriu thahet shpirtërisht po nuk u edukua që në vogëli, sepse nuk i mbetet gjësendi për t’i shërbyer njerëzimit”.

“Lumturia e një kombi varet nga edukimi i grave të veta”.

“Është i ditur ai që kërkon dituri; është injorant ai që kujton se është i ditur”.

Përpara se ta përmbyll këtë shkrim, mendoj se, pas gjithë këtyre që thamë, duhet të përmendim edhe diçka: Para formimit të shtetit shqiptar rrallëkush e përmend Samiun në gazeta apo në revista si pedagog. Edhe kur përmendet si mësues i popullit, nuk analizohen idetë e tij pedagogjike dhe kontributi i tij në zhvillimin e arsimit popullor.

Jo vetëm Samiu nuk përmendet, por edhe rilindës të tjerë vetëm sa preken pak. Nga rilindësit pak përmendet Jani Vretoja, e veprimtaria e tij në Bukuresht.

Shtrohet pyetja se përse në periodikun pedagogjik shqiptar midis dy luftërave botërore nuk ka asnjë fjali për Sami Frashërin, ndërsa për pedagogë të tjerë të huaj ka disa punime, përkthime nga vepra të autorëve francezë, gjermanë dhe italianë?

Shkaku është se ende nuk ishte zhvilluar mendimi pedagogjik autentik, megjithëse, kishte një interesim për çështje arsimore dhe për pedagogjinë. Me fjalë të tjera, teoria pedagogjike midis dy luftërave botërore në Shqipëri gati kryekëput bazohej në pedagogjinë e Evropës Perëndimore. Në këtë kohë, sikurse edhe në shtete të tjera të Ballkanit, mungonte mendimi origjinal pedagogjik dhe pedagogjia ishte e gërshetuar edhe me ndikime të llojllojshme ideologjike.

Edhe pas gjithë këtyre që thamë rreth mendimit pedagogjik të Sami Frashërit, nuk mund të themi se mendimi i tij pedagogjik është i përsosur dhe pa të meta. Ajo nëse krahasohet me mendimtarë të tjerë të huaj të po të njëjtës kohë nuk është e gjithëmbarshme dhe e përpunuar. Arsyeja është se Samiu nuk ishte marrë kryekëput me pedagogji. Nuk duhet harruar e vërteta se Samiu ishte gjuhëtar aq sa historian, historian aq sa filozof, filozof aq sa pedagog, po ashtu enciklopedist, përkthyes, themelues i disa gazetave, revistave etj.

Sado që Samiu nuk është marrë me pedagogji sa pedagogët e tjerë të huaj të po të asaj periudhe, të cilët shkencën mbi edukatën e kishin gati të vetmin profesion, për pedagogjinë e Samiut edhe bazat filozofike të saj, kur krahasohet me sisteme të tjera progresive pedagogjike, mund të thuhet në anën tjetër, se ajo është më e përsosur, më progresive dhe më demokratike.

 

Burimi: http://www.dritaislame.al/mendimi-pedagogjik-i-sami-frasherit/

Ndërgjegjja (Vicdan) – Vepra më e re e Sami Frashërit

24/01/2015 Lini një koment

Prof. asc. Dr. Salih OKUMUSH

 

NDËRGJEGJJA (VICDAN) – VEPRA MË E RE E SAMI FRASHËRIT

Sami Frashëri

Sami Frashëri

Shemsedin Sami Frashëri është dijetar i shumëdimensional, i shkolluar në periudhën e fundit të shtetit Osman. Në jetën e tij të shkurtë që zgjati vetëm 54 vjet, arriti të shkruante shumë vepra. Në krye të këtyre veprave rradhisim punimet e tij në hartimin e fjalorit si dhe hulumtimet në fusha të ndryshme shkencore. Përveç këtyre, ai jep edhe shembuj të suksesshëm të disa llojeve të veprave letrare si, roman, shkrime teatrale, tregime etj. Por një pjesë e shkrimeve teatrale nuk botohen. Një prej këtyre veprave të pabotuara është edhe vepra teatrale “Vicdan”- “Ndërgjegjja”. Deri në ditët e sotme kjo vepër e Samiut është përmendur si vepër e tij teatrale, por është pohuar se nuk është gjetur në asnjë mënyrë.

Veprën të cilën sot e kemi në dorë, gjendet në fondin e librave të Samiut në Arkivin e Shtetit Shqiptar. Ky fond, shumicën e së cilës e përbjnë fotokopjet e veprave të pabotuara të Samiut, është në gjendje që të bëhet një burim i rëndësishëm për hulumtuesit.
Ne në këtë prezantim do të përpiqemi të ndalemi pak mbi veprën teatrale Ndërgjegjja të Samiut. Kjo vepër këtyre ditëve është përgatitur për botim nga Prof. Dr. Irfan Morina, profesor i gjuhës e letërsisë turke në Universitetin e Prishtinës, dhe është botuar në Shkup nga shtëpia botuese Logos-a.

Vepra Ndërgjegjja për herë të parë botohet në gjuhën shqipe dhe lexuesit iu prezantua në panairin e librit të organizuar në javëne parë të muajit qershor në Prishtinë. Pas një jave del edhe boitimi në gjuhën turke. Si bazë për punimin tonë, ne do të marrim botimin në gjuhën turke. Por do të mundohemi të vëmë në pah edhe dallimet që bien në sy në mes të dy botimeve.
Libri është lidhur me kore kartoni ngjyrë gështenjë. Në pjesën e poshtme të librit gjendet një shirit me ngjyrë të zezë. Në mes të kores së librit shihet një fotografi e njërës derë hyrëse të pallatit Al-hamra, që përfaqëson civilizimin islam në Spanjë. Në pjesën e sipërme është shënuar me shkronja të mëdha “Ndërgjegjja”. Menjëherë, poshtë emrit është shkruar “Dramë në pesë akte”. Po ashtu në pjesën e jashtme të kores së librit është shënuar edhe emri i autorit Sami Frashëri. Pasi janë dhënë disa informata të shkurtëra në lidhje me librin në pjesën e prapme të kores së librit, është dhënë vend dialogut të Fatimes, njërës prej kryeheroinave të veprës Ndërgjegjja. Në pjesën e brendshme të kores së librit gjithashtu është shënuar edhe emri i Prof. Dr. Irfan Morina, i cili ka përgatitur veprën për botim.

Vepra përbëhet nga parafjala, biografia e Sami Frashërit, hyrja, teksti, (turqisht-osmanisht), përfundimi dhe fjalori i fjalëve të përdorura.
Autori që kishte përgatitur vepën për botim, në parathënien e librit flet rreth librave që gjenden në fondin e librave të Samiut në Arkivin e Shtetit Shqiptar dhe ndalet tek arsyet përse vepra Ndërgjegjja nuk ishte botuar më parë. Pastaj duke dhënë biografinë e Sami Frashërit, lexuesin e informon shkurt për jetën, veprat letrare dhe personalitetin e tij letrar. Parathënia e veprës së botuar në gjuhën shqipe mban nënshkrimin e Xhevat Lloshit. Këtu ai flet edhe për një vepër-dramë që i shtohet trashëgimisë letrare të Sami Frashërit.

Hyrja mban firmën e Prof. Dr. Irfan Morina dhe Salih Okumuş. Autorët në këtë pjesë që mban titullin Ndërgjegjja, flasin shkurtimisht në lidhje me veprën dhe për agonin e atyre që kanë mbetur mes shpëtimit të jetës dhe shpëtimit të atdheut. Pastaj autorët ndalen në analizën e veprës. Së pari është dhënë një përmbledhje e përmbajtjes. Me pas jepen të dhëna historike mbi Spanjën dhe tregohet fillimi i periudhës dhe procesit të pushtimit të Granadës. Ndalohet pak në sqarimin e karakteristikave dhe personaliteteve të personazheve në vepër, karakteristikat e kohës, vendit, gjuhës dhe formulimeve gjuhësore të veprës. Përmbledhja e kësaj pjese është përdorur edhe në botimin shqip të veprës. Këto të dhëna lexuesit ia ofron Raif Morina si përkthyes.

Pjesa tekstuale e veprës përbëhet nga dy pjesë. Teksti i pjesës së parë jepet me shkronja latine, pastaj duke shtuar tekste osmane kjo pjesë plotësohet.
Teksti i veprës Ndërgjegjja në osmanisht përbehet nga pesë akte, 20 skena, e dhënë në 140 faqe. Faqja e fundit është jo e plotë dhe nuk dihet edhe data e shkrimit të veprës. Këtu vlen të përmendet se kam hasur në disa gabime të vogla shtypi, të leximit dhe renditjes. Por për shkak të rëndësisë së veprës dhe botimit për herë të parë, nuk jam ndalur në sqarimin e tyre. Do të ishte më mirë dhe më e përshtatshme që trajtimi i tyre të bëhet në një punim tjetër.
Veprës është shtuar edhe një fjalorth me fjalët të cilat janë përdorur në vepër, e kuptimi i të cilëve sot mund të paraqet vështirësi për lexuesin. Shpresojmë që ky fjalorth të ofrojë lehtësi të madhe lexuesve.
Pas këtyre sqarimeve tani do të ndalemi tek përmbajtja e veprës Ndërgjegjja. Ndërgjegjja është një vepër teatrale. Ngjarja është marrë nga historia e Andaluzisë. Tema ka të bëjë me dashurinë ndaj atdheut dhe lirisë. Ngjarjet zhvillohen rreth përpjekjeve të rezistencës ndaj pushtimit spannjoll të Andaluzisë, të një vajze trime, atdhedashëse dhe dashurisë së një djali ndaj saj. Në qendër të temës vendoset dashuria e Ridvanit dhe Fatimes, kështu caktohet rrjedhja e ngjarjeve e vendosur në kontekst të zhvillimeve historike.

Më 711 Andalusia themelohet nga berberët. Më 756 sundimi i dinastisë emevite zëvendësohet me sundimin e dinastisë abaside, ndërsa një princ i dinastisë emevite shkon në Spanjë dhe themelon mbretërinë e Kordobës. Kjo mbretëri jeton në pasuri dhe mirëqenie për 250 vite. Me martesën e mbretëreshës së Kastiljes me princin Ferdinand, trashëgimtar i mbretërisë fqinje të Aragonës, tokat nën sundimin e muslimanëve dalngadalë fillojnë të hyjnë nën kontrollin e mbretërisë së Kastiljes. Në këtë gjendje muslimanët e Spanjës kërkojnë ndihmë nga mbretëria e Murabitëve, të cilët tashmë kishin shtrirë sundimin e tyre në tërë Afrikën veriore. Për një kohë të shkurtër Murabitët arrijnë të bashkangjesin mbretërisë së tyre të gjitha tokat e Andalusisë përveç mbretërisë së Zaragosës.
Në shek. XII, Andalusia ndahet në dysh nga një tjetër grup fetar, Muvahitët. Në betejën e Las Navas dode Toloso të zhvilluar më 1212, forca e muslimanëve bie edhe më shumë. Më 1248 mbreti Ferdinandi i III pushton Sevilen, dhe kufitë e mbretërisë së tij shtrihen deri tek kufijtë e mbretërisë së Granadës, e cila tashmë kishte hyrë nën mbrojtjen e mbretërve spanjoll, duke tradhëtuar Muvahitët. Më 1492 bie edhe mbretëria e Granadës e cila ishte edhe kështjella e fundit e muslimanëve në Spanjë.
Ndërgjegjja është një vepër teatrale me karakter historik. Ngjarjet zhvillohen në qytetin e Granadës në fund të shek.XV dhe kanë të bëjnë me pushtimin e mbretërisë së fundit të Andaluzisë islame nga spanjollët. Por në qendër të tregimit vendoset dashuria mes dy personazheve dhe ngjarjet marrin formë më shumë rreth tyre. Tema kryesore e tregimit është dashuria ndaj atdheut.

Tregimi fillon me të bëmat e mbretit të kaluar. Mbreti duke harruar të kaluarën e vet bashkëpunon me armiqtë dhe u shërben atyre. Por fundi i tij nuk është i mirë dhe detyrohet të ik në Tunizi. Për shkak të veprave të veta sytë i verbërohen. Mbreti i ri Ebu Abdullah E’s-Safir nuk ndryshonte nga ai. Jetonte në luks dhe qejfe. Tregoi një qeverisje të dobët dhe populli nuk ishte i kënaqur me të. Pakënaqësitë në rritje ndaj qeverisjes së tij u bënë shkak i një lufte të mbrendshme civile. Duke e vlerësuar këtë gjendje si një rast të mirë armiku sulmon. Kështu edhe mbretëria e Granadës, kështjella e fundit e cila ishte në dorën e muslimanëve në kohën e mbretit E’s-Safir, bie në duart e spanjollëve. Skenat e luftës nuk janë shumë të dukshme, ato zhvillohen në prapavijë të tregimit. Për luftën informohemi nga tregimet e atyre të cilët shkojnë e vijnë nga fronti i luftës. Qëllimi kryesor i autorit është të shpalos negativitetet që solli lufta në jetët e muslimanëve, të cilët përpiqeshin të rezistojnë dhe të mbrojnë atdheun e tyre.
Granada pushtohet nga armiku. Në qytet bëhen padrejtësitë dhe fillon të sundojnë parregullsia dhe korrupsioni. Në një situate të tillë, heronjtë e veprës Ridvani dhe Fatimja vendosin që të ikin në ndonjë vend musliman si Tunisi, Algjeria, Egjipti, Buhara dhe Stambolli. Ridvani i thotë Fatimes se Osmanlinjtë ishin duke dridhur botën dhe flamuri i tyre valonte afër mureve të Vjenës. Në të vërtetë ajo çka dëshirohet të theksohet këtu në njërën anë është gjeografia e gjërë islame dhe në anën tjetër dëshirohet të theksohet forca e osmanëve në atë kohë. Në atë kohë në krye të Granadës ishte mbreti E’s-Safir. Ridvani është i mendimit se ky njeri ishte një i shkujdesur. Qeveritarët sikur Ebu Abdullah E’z-Zağal duke harruar krenarinë dhe dinjitetin e të parëve të tyre, kishin punuar kundër interesave të fesë dhe atdheut, pastaj kishin ikur në Tunisi. Mbreti i Tunisit si denim për tradhtitë e bëra nga E’z-Zağal, urdhëron që sytë e tij të verbohen. Dikur ishte ulur në fron, në pallatin Al-hamra ndërsa tash jetonte duke lypur rrugëve të Tunizisë. Ridvani fundin e Es-Safirit e sheh të njëjtë.

Mbreti Ferdinand dhe mbretëresha Elizabeta dërgojnë një përfaqësues të tyre tek Es-Safir dhe kërkojnë që ai të dorëzohet tek ata dhe të dorëzojë Granadën. Në një këshillim në këshillin mbretëror, derisa Es-Safir ishte gati duke e pranuar dorëzimin, Musa bin Ebu’l-Gazan e kundërshton këtë veprim. Duke e parë qëndrimin e tij të paepur edhe këshilltarët e tjerë, thanë që janë të gatshëm të vdesin për atdhe. Besimi dhe shpresa për shpëtimin e atdheut rritet. Por brenda shoqërisë kishte edhe të atillë që nuk mendonin ashtu.

Mbreti i Kastiljes, Aragonit, Portugalisë, Lionit, Napolit, Sicilisë, Gjermanisë, Papa dhe e gjithë Europa dëshironin që arabët të dilnin nga Spanja. Por Granadës nuk i vie asnjë ndihmë. Ushtarët e mbretit Ferdinand duke mundur popullatën përreth, kishin rrethuar kalanë e Granadës. Es-Safiri para se të dorëzonte qytetin, nënshkroi një marrëveshje me mbretin dhe mbretëreshën. Sipas kësaj marrëveshjeje, popullata e Granadës nuk do të pësonte asnjë dëm sa i përket pronës, jetës, moralit dhe dinjitetit njerëzor. Por ata nuk e respektojnë këtë marrëveshje. Ushtarët e mbretit hynë në qytet dhe pushtuan atë duke mos lënë gur mbi gur. Muslimanët ballafaqohen me një shtypje dhe padrejtësi të mëdha. Përkundër asaj kur arabët e kishin pushtuar Spanjën nuk kishin cenuar jetën, pronën dhe ndërgjegjen e askujt. Tashti muslimanët duke lënë prapa pronat dhe pasuritë e tyre, ishin duke bërë planet e braktisjes dhe ikjes nga vendi. Ata që nuk ikën ishin të detyruar të ndërronin emrat dhe fenë e tyre. Ndërsa ata që refuzonin vriteshin. Dijetarët më të mire të shekullit ishin robëruar dhe të prangosur ishin dërguar në Romë. Me qindra virgjëresha duke u marrur me dhunë nga nënat e tyre, dërgohen si dhurata mbretërve të Europës. Biblotekat vihen në zjarr. Derisa dikur muslimanët adhurimet dhe ritualet i kryenin në xhamitë e Granadës, tani ato ishin shëndërruar në kisha që mbusheshin me të krishterë. Deri dje zëri i ezanit lartësohej nga minaret, të njëjtat minare sikur ishin përkulur zërit të këmbanës. Muslimanët duke u detyruar apo duke i mashtruar me premtime të ndryshme, detyrohen të ndërrojnë emrat dhe fenë e tyre. Sipas vendimit të inkuizicionit, shpallet se ata musliman të cilët ishin konvertuar në të krishterë, në rast të kthimit të tyre përsëri në Islam, do të hidhen në zjarr. Kësaj i thuhet “ihrak-ı bi’n-nar”.
Përveç planit historik i cili vendoset në prapavijë të veprës Ndërgjegja, po ashtu ajo reflekton epokën nga pikpamja e vendit dhe hapësirës. Në qendër të aspektit vendor gjendet Granada, qyteti i fundit në duart e muslimanëve dhe pallati mbretëror Al-hamra. Pamjet dhe peisazhet e vendeve nuk marrin shumë pjesë në vepër. Arsyeja më e rëndësishme e kësaj buron nga të qenit një vepër teatrale. Edhe pse jepen disa karaktreistika të qytetit, hollësit nuk gjenden. Edhe ashtu pamjet në përgjithësi përbëhen më shumë nga hapësirat e mbyllura të kishave, shtëpiave, dhomave, manastireve dhe burgjeve. Por në pjesët e tregimit të ngjarjeve haset edhe në hapësirat e jashtme, jo të mbyllura si rrugët, lagjet, qyteti, pylli e të ngjashme. Këtu pika më e rëndësishme që na tërheq vëmendjen është të ndodhurit në një vend bashkë, të ndërtesave që u takojnë muslimanëve dhe ndërtesave që u takojnë të krishterëve.Po ashtu edhe në hapësirat e brendshme të ndërtesave jepen mobilet, rrobat, sendet tradicionale dhe kulturore të përdorura nga muslimanët dhe të krishterët.

Vepra Ndërgjegjja edhe pse është një vepër teatrale, numri i personazheve në të nuk mund të konsiderohet i vogël. Ridvani dhe Fatimja janë heronjtë e vërtetë të tregimit. Por zinxhiri i ngjarjeve që zhvillohen rreth dashurisë së tyre pasurohet edhe me heronjë të tjerë. Në mesin e personazheve gjenden: Ridvani, Fatimja, Hasani, Leonora, Don Pedro, Rafael, Amru, Kardinali, priftërinjtë, murgeshat,ushtarët dhe populli. Edhe pse historia e tregimit vendoset në prapavijë, në kuadër të personazheve shtohen edhe personalitete të vërteta historike sic janë mbretërit Ebu Abdullah Ez-Zağal, Ebu Abdullah Es-Safir, komandantët: Musa bin Ebu’l-Gazan, Musa bin Nasır, mbretëresha e Kastiljes Elizabetta dhe Arçiduka e Austrisë Ferdinandi. Gjuha e përdorur në veprën Ndërgjegjja, shprehjet dhe formulimet gjuhësore bëhen një prej pikave më karakteristike dhe përcaktuese të veprës.
Kur të analizojmë me kujdes veprën nga fillimi deri në fund, mund të shohim se autori gjatë tregimit ka përfituar nga përdorimi i disa elementeve teknike gjuhësore. Në kuadër të këtyre teknikave përshkruese na tërheqin vëmendjen teknikat si: letra, të kthyerit prapa në kohë, përmbledhja, narracioni, dialogu, monologu, rrjedha e informacionit dhe përshkrimi i vendit dhe hapësirës. Të gjitha këto në këtë vepër përdoren më shumë në formë të busollës. Rrëfyesi ndonjëherë nga koha në të cilën gjendet kthehet prapa në kohë dhe kujton ngjarjet që kanë ndodhur, por edhe ndonjëherë i përmbledh ngjarjet që tregohen në vepër në pika të shkurtëra. Shkrimtari shfrytëzon këtë teknikë, posaçërisht me rastin e përshkrimit të jetës së heronjëve dhe ngjarjeve edhe jo aç të rëndësishme në të kaluarën. Edhe ashtu nuk është e mundur që të tregohen të gjitha ngjarjet bashkë me hollësitë e tyre. Ridvani tregon se çfarë u kishte ndodhur qeveritarëve të shtetit të cilët kishin tradhtuar vendin e tyre një kohë, duke mos hyrë në hollësira por përdorur teknikën e përmbledhjes.

Në fund dëshiroj që përzemërsisht të falënderoj zotëri Irfan Morinën, i cili arriti të nxjerr në dritë një vepër të pabotuar më parë, të një turkologu të pashoq siç është Sami Frashëri dhe shtëpinë botuese Logos-a që me botimin e kësaj vepre të çmuar kontribuoi në pasurimin e jetës sonë kulturore.

 

Ky recension është botuar në revistën “Hikmet”, nr. 6, Verë, Prishtinë 2014, organ i “Institutit për shkencat humane – Ibni Sina”.

Sami Frashëri, Ndërgjegjja, Përgatiti për botim: Irfan Morina, Përktheu në shqip: Raif Morina, Shtëpia Botuese Logos-A, Shkup, 2014, 200 faqe.

Sami Frashëri dhe Abetaret Shqipe

29/12/2014 Lini një koment

Prof. dr. Njazi  KAZAZI

 

SAMI FRASHËRI DHE ABETARET SHQIPE

0001

Abstrakt

Samiu qe njëkohësisht autor i idesë dhe zbatues i veprës. Tek abetarja ai shihte librin bazë për shqiptarët e asaj kohe, atmosfera përreth të cilëve mbizotërohej nga shkollat e huaja. Tek abetarja ai nuk shikonte vetëm tekstin mësimor që do t’u jepte shqiptarëve shprehitë e lexim-shkrimit në gjuhën amtare, por shikonte edhe konsolidimin e mësonjëtoreve shqipe të asaj kohe, shikonte gurin e themelit në formimin e brezave që do të ngrinin shtetin shqiptar. 

Sami Frashëri ka hyrë në historinë e kulturës shqiptare jo vetëm si ideolog, enciklopedist, përkthyes, erudit, filozof e sociolog, por edhe si pedagog, didakt dhe autor tekstesh shkollore.[1]Tashmë janë të njohura idetë e tij për zhvillimin e arsimit kombëtar, hapjen e shkollave dhe deri te universitetet shqiptare që u shpalosën në veprën-program të Rilindjes Kombëtare “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhetë” (Bukuresht, më 1899).

Rëndësinë e shkollës, rolin dhe funksionin e saj Samiu e shprehu edhe në “Emsalet” (Fjalët e urta) e tij që i botoi më 1879. Të tilla si: “Nuk ka jetë njerëzore pa arsim,Fëmija duhet të marrë mësim para se të bëhet 7 vjeç dhe edukimi i tij duhet të fillojë ditën që lind”, tregojnë domosdoshmërinë që ndjente Samiu për ngritjen e arsimit të organizuar si dhe moshën shkollore kur duhet të fillojë ky arsimim. Në tërësi, ato shpallin synimet e përparuara të Samiut në fushën e arsimimit dhe të edukimit të fëmijëve të moshës shkollore.

Është fakt i njohur dhe tepër domethënës që në mësonjëtoret shqipe, që nga viti 1879 e deri më 1909, pra për tridhjetë vjet me radhë, u përdorën, veç të tjerave, edhe abetaret e Sami Frashërit,gjithsej pesë. Ai ndoqi kështu rrugën e hapur nga Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi dhe Daut Boriçi dhe çoi me tej traditën e krijuar prej tyre.

Në “Historinë e abetareve shqipe…”, në radhën e rreth 225 botimeve, që janë bërë për abetaret, S. Frashëri zë vendin e nderit për numrin e botimeve të tij.

002E para prej tyre “Alfabetare e gluhësë shqip” (Ndë Konstandinopojë, mbë 1879, ndë shkronjështypjet të A. Zeliçit, 136 fq.), është fryt i një pune kolektive.  Samiu aty përfaqësohet, veç të tjerave, edhe me pjesën: “Gjuha Shqip” vlera atdhetare, mësimore dhe edukative e së cilës është se transmeton ide programatike, ushqen bindje me vlera kombëtare, jep nocione të reja të cilat kanë të bëjnë me formimin e botëkuptimit të ri për kombin, për gjuhën, për fenë. Në kushtet e pushtimit turk, ai shtron çështjen e mësimit të gjuhës amtare, si shenjë dalluese e kombit, dhe shkrimit të saj me një alfabet të ri etj., sepse, “Sot është dita, -shkruante Samiu,- q’edhe Shqipëtarëtë të zënë të shkruajën’ e të këndojënë gjuhën’ e tyre, që të mundinë të ruajënë kombinë”.[2]

Në veprën që përmendëm “Alfebetare e gluhësë shqip”, Samiu ka hartuar edhe tekstin e abetares, ku paraqet idetë e tij për mësimin e gjuhës shqipe.

Në mbulojën e “Alfabetres…” Samiu nuk harron të vendosë citatin e Naum Veqiharxhit : Kurrkush me mend të vet / mos mburret se diç gjet / pa dashtun i Madhi Zot / fletë pema s’lëshon dot. /

Për rilindësit, ngritja e mësonjëtoreve kombëtare, krahas krijimit të një sistemi arsimor në të gjithë vendin, ishte një kusht i domosdoshëm për realizimin e programit të ngjeshur në fushën e kulturës.

Në këtë kuadër hartimi dhe botimi i abetareve shqipe ishte një ndër rrugët më të sigurta për përvetësimin e gjuhës së shkruar shqipe nga masat e popullit. Rruga për çlirimin kombëtar për atdhetarët – rilindës, kalonte nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare, sepse: “Kombetë mbahen nga gjuhëtë; një komb që humbet gjuhën’ e vet ësht’ i humbur dhe i harruar edhe ay vetë…Kështu janë humbur shumë kombe të vjetëra që shohim nëpër istorirat e s’i gjejmë sot mbi dhe”.[3]

Përveç vlerave atdhetare e qytetare që përmban kjo abetare, veçohet për disa parametra që e bëjnë të dallueshme, ndër të cilat theksojmë:

Tirazhi: prej 20 mijë kopjesh (kujtojmë se ajo u botua 135 vite më parë) që përbën një shifër rekord për çdo lloj botimi, deri në vitet ’40 të shek. të kaluar.

Sasia e faqeve, 136: Është tregues tjetër sasior dhe cilësor i saj. Një vëllim i tillë është ndeshur rrallë në historinë e abetareve shqipe.

Përhapja e saj e gjerë: Teksti u shpërnda të mënyrë të rrufeshme në të gjitha trojet etnike shqiptare, 10 mijë kopje u shpërndanë vetëm në Kosovë. Teksti u botua për shkollat shqipe që do të hapeshin në vazhdim në Shqipëri, por u dërgua dhe në kolonitë shqiptare si në Sofje, Bukuresht, Egjipt etj. Qenia e këtij teksti edhe në shumë biblioteka shtetërore dhe vetjake, është një treguar i përhapjes së gjerë, është tregues i shërbimeve që i solli gjuhës dhe shkollës shqipe.

Përdorimi: Disa shkrime të “Alfabeteres…” u drejtoheshin edhe shqiptarëve të çdo moshe, pa dallim krahine, ideje e feje, për të arritur synimet e mëdha në fushën atdhetare e arsimore- kulturore.

Ndikimi në tekstet e mëvonshme dhe tradita që krijoi: Ajo ndikoi fuqishëm në hartimin e abetareve të mëvonshme, hodhi themelet e teksteve shkollore   [4]

1886, ai botoi në Bukuresht tekstin mësimor për klasën e parë  “Abetare e gjuhësë shqip” (82 faqe).  Nga ana didaktike, teksti i përmbahet metodës fono-silabike. Një sistem i tërë ushtrimesh dhe përsëritjesh i hartuar nga didakti Sami Frashëri, prej 40 njësish mësimore i kushtohen kësaj faze të parë të përvetësimit të mekanizmit të të lexuarit. Nga ana e përmbajtjes abetarja përfshin pjesë të përpunuara didaskalike. Ato janë nga prozat e para artistike të letërsisë për fëmijë. Shumë prej tyre i kanë qëndruar kohës dhe kanë hyrë në fondin klasik të kësaj letërsie, sepse kanë strukturë të thjeshtë, fjalor të zgjedhur e ngarkesë emocionale në përshtatje me moshën. Të tilla, si: “Dheu është flori”, “Mbollën të tjerët, hëngre ti, mbill ti, të hanë të tjerët”, “S’ka gogol”, “Mos e fshih fajin” etj.,  i kemi ndeshur në shumë abetare të mëvonshme.

Po në vitin 1886, Samiu përgatiti dhe botoi edhe tekstin tjetër mësimor  “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”. Gramatika dhe abetarja përfaqësonin në atë kohë dy tekste bazë për mbajtjen në këmbë të një mësonjëtoreje të parë (fillore) kombëtare: njëra për mësimin e lexim-shkrimit, tjetra për mësimin e gjuhës së shkruar dhe të folur shqipe.

Si pedagog, ai na jep rrugët dhe mjetet e punës për konkretizimin e ideve të tij,  forca e të cilave do të çonte në përgatitjen dhe formimin e breznive me idealet e çlirimit kombëtar dhe shoqëror. Ndaj në këto tekste mësimore ndeshemi me përkufizime të nocioneve të tilla si: komb, gjuhë shqipe, shqiptar etj. Një numër i madh termash gjuhësore që praktikohen në gjuhën e shkollës, janë rreshtuar në këtë vepër.

0031888, vetëm dy vjet pas botimit të parë, u bë ribotimi i saj po në Bukuresht, nga Shtypshkronja e Shoqërisë “Dituri” (81 faqe).

1900, u bë ribotimi i tretë i kësaj abetareje, përsëri nga e njëjta shoqëri, po në Bukuresht, por vetëm me një ndryshim të vogël faqesh (79 faqe).

Pas vdekjes së Samiut, abetarja e tij u botua për të katërtën herë. Kësaj radhe jo me nistoret  S. H. F., por me emrin e tij të plotë /ABETARE e gjuhësë shqip/ Prej SAMI BEJ FRASHËRIT/  dhe jo më në Bukuresht, ku ishte shtypur tri herë, por në /Konstandinopojë/ Në shtypëshkronjët “Rrufeja”/,1909 (63 faqe).

Nuk kemi rënë në gjurmë se kush e ndoqi ribotimin e saj. Në këtë botim bie në sy heqja e pjesëve të leximit “Kristofor Kolombi” dhe “Jakobi e Josifi” e në vend të tyre janë zëvendësuar me dy të reja. Në këtë botim është shtuar gjithashtu “Abeceja shqip”, shoqëruar me shpjegime të shkronjave në përqasje me frëngjishten dhe turqishten. Tirazhi i abetareve të Samiut mendojmë të ketë qenë i madh dhe përdormi i gjerë, mbasi kopje të tyre kemi ndeshur në të gjitha trevat e Shqipërisë. Teksti nuk ka as parathënie, as pasthënie. Me siguri që botimin e saj e ka shtyrë nevoja që u ndje për abetare pas vitit 1908, kur lëvizja për hapjen e mësonjëtoreve mori një shtrirje të gjerë.

Në korpusin e plotë[5] të veprave të Sami Frashërit ka këtë shënim bibiografik: “Sa ishte gjallë autori vepra “Abetare e gjuhësë shqipe është botuar tri herë (1886, 1888,1900 në Bukuresht). Pas vdekjes është ribotuar përsëri më 1909 (në Kostandinopojë).[6]

Nga krahasimi i variantit të fundit me tri  botimet e mëparshme, vëmë re disa ndryshime në përmbajtje që enti botues, duke dashur ta bëjë të përdorshme edhe në zonat veriore, ka zëvendësuar disa pjesë me të reja, si: një prozë “Mësim gegnisht” dhe një poezi “Djali dhebilbili”. E para është me fjalë të urta, të përshtatura nga fondi i “Emsalet” të Samiut. Ato përshkohen nga morali klasik dhe edukata teiste.

Abetaret e Samiut u shkruan të gjitha me alfabetin e Stambollit dhe ndikuan shumë në përhapjen dhe afirmimin e tij në masat e gjera të popullit dhe veçanërisht të rinisë shqiptare të kohës. Ato ushtruan gjithashtu një ndikim të fuqishëm në edukimin e ndjenjave atdhetare të autodidaktëve dhe masës së nxënësve. Përmbajtja e tyre dëshmon për kulturën pedagogjike, për qëndrimin konsekuent e pa luhatje të tij.

Këto si dhe veprat e tjera që përmendëm, bashkë me të gjitha shkrimet e tjera të tij me subjekt arsimin dhe edukatën, përbëjnë një trashëgimi të vyer në fondin e zgjedhur të historisë së arsimit tonë kombëtar.

Po çfarë e shtyu Samiun, këtë shkencëtar të madh, këtë enciklopedik filozof, historian, sociolog, autor të “Enciklopedisë historiko-gjeografike” në 6 vëllime, të shpenzonte kohën e tij të çmuar dhe, krahas veprave madhore, të merrej edhe me hartimin e një teksti të arsimit fillor, siç ishte abetarja?004

Së pari, duhet pasur parasysh se Samiu ishte ndër mendimtarët-filozofë të rrallë shqiptarë, që ideoi të ardhmen e Shqipërisë, që përcaktoi rrugët dhe mjetet e realizimit të objektivave të kësaj ideje, duke vlerësuar në radhë të parë arsimin.

Së dyti, Samiu qe njëkohësisht autor i idesë dhe zbatues i veprës. Tek abetarja ai shihte librin bazë për shqiptarët e asaj kohe, atmosfera përreth të cilëve mbizotërohej nga shkollat e huaja. Tek abetarja ai nuk shikonte vetëm tekstin mësimor që do t’u jepte shqiptarëve shprehitë e lexim-shkrimit në gjuhën amtare, por shikonte edhe konsolidimin e mësonjëtoreve shqipe të asaj kohe, shikonte gurin e themelit në formimin e brezave që do të ngrinin shtetin shqiptar.

——————–

[1]. Shefik Osmani, Njazi Kazazi: “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”, botim i MASH dhe shtëpisë botuese “Idromeno”, Tiranë, 2000, f. 93.

[2]. Sami Frashëri, “Gjuha Shqip” në “Alfabetare…”, f. 29.

[3]. Po aty, f. 27-28.

[4]. Shefik Osmani, Njazi Kazazi: “Abetaret shqipe…”, f. 98-99.

[5]. Për Sami Frashërin janë botuar, veç të tjerave, edhe: -Rilindja, Prishtinë në 4 vëllime që përfshin edhe monografinë e Zija Xholit, 1978; -Esad Reso, Pikëpamjet filozofike, politike dhe shoqërore të Sami Frashërit. Tiranë, 1980; -Zyber Hasan Bakiu (Kruja), Bibiografi e zgjeruar e veprave të Sami Frashërit. Tiranë 1982; -ASH, I. Historisë, Shaban Çollaku, Mendimi iluminist i Sami Frashërit. Tiranë, 1986; ASH, I. Historisë, Trashëgimia kulturore e popullit shqiptar (S. Frashëri). Tiranë, 1988; -Gazmend Shpuza, Bota iraniane në veprën e Sami Frashërit. “Onufri”, 2004 dhe -Shtëpia botuese LOGUS-A,  korpusin e plotë të veprave të Sami Frashërit në 20 vëllime: nga “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”  e deri tek “Mitologjitë”,  2004.

[6]. Shënime bibliografike në fund të “Abetare e gjuhës shqipe” (1886) Logus-A, f. 96.

 

Burimi: http://zaninalte.al/2014/11/sami-frasheri-dhe-abetaret-shqipe/

Sami Frashëri (1850-1904)

15/05/2014 Lini një koment

SAMI FRASHËRI

(1850-1904)

Një historiografi e Sami Frashërit, e përkthyer nga gjuha turke

Sami Frashëri

Sami Frashëri

Shemsettin Sami Frashëri, i njohur ndër shqiptarët si Sami Bej Frashëri, ka qenë dhe mbetet një nga figurat më të spikatura jo vetëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe të vetë historisë moderne turke. Me veprat e tij madhore: Kamus’i Fransevi (1882-1905, fjalor frengjisht-turqisht), Kamus’i Fransevi (1885, fjalor turqisht-frengjisht), Kamus’ul Alam (6 vëllime, 1889-1898, enciklopedi e përgjithshme), Kamus’i Arabi (1898, fjalor arabisht-turqisht, i papërfunduar), Kamus’i Turki (2 vëllime, 1899-1900), Sami Frashëri, si shkrimtar dhe akademik, zuri një vend të patjetërsuar në historinë e kohës ku ai jetoi dhe punoi. Në vijim pashtriku.org boton një historiografi të Sami Frashërit, të përkthyer nga gjuha turke.*

Përgatitës enciklopedish, fjalorësh dhe shkrimtar turk me origjinë shqiptare. Ky është shkrimtari i romanit të parë të shkruajtur me shkronjat truke “Taashuk-i Talat dhe Fitnat (1872)”, i enciklopedisë së parë turke “Kamus-ul Alam (1889-1898) dhe i fjalorit të parë [në kuptimin e plotë të fjalës] modern turqisht “Kamus-i Turki (1901). Gjithashtu ka shkruar edhe fjalorët “Kamus-i Fransevi” frengjisht dhe “Kamus-i Arabi” arabisht. Së bashku me vëllain e tij të madh Abdyl Frashërin, kanë bërë alfabetin e parë të gjuhës shqipe duke përdorur shkronjat latine dhe ato greke në 1879. Kurse në 1886 ka shkruar një libër mbi gramatikën e gjuhës shqipe. Vëllai i tij, Naim Frashëri, pranohet si themeluesi i poezisë shqiptare. Njëkohëshit (Shemsettin Sami) është edhe babai i Ali Sami Jen, themeluesi i klubit sportiv Galatasaray.

Ka lindur në vitin 1850 në Shqipërinë jugore, në një fshat të quajtur Frashër të rrethit të Beratit. Ai është djali i dytë nga gjashtë fëmijët e Halit’it (i ati) të familjes Frashëri. Kurse dy prej fëmijëve të tjerë, Naimi dhe Abduli kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Arsimin e mesëm e ka mbaruar në shkollën e mesme Zosimea në Janinë, e cila ndodhet në Greqinë e sotme. Krahas greqishtes së vjetër (dhe te re), frengjistes dhe italishtes, ai mësoi edhe turqisht, arabisht dhe persisht. Meqenëse familja e tij ishte e besimit bektashi, ai zgjodhi të ndiqte rrugën e tyre.

Ka punuar një kohë si sekretar (shkruajtës i letrave) i guvernatorit në Janinë. Në 1871 shkoi në Stamboll dhe filloi të punojë në një shtypshkronjë. Gjatë kësaj kohe gjithashtu u mor me botimin (pjesë-pjesë) e romaneve “Taashuk-i Talat dhe Fitnat (1872-1873)”. Ka punuar edhe në gazetat “Siraxh” dhe “Hadika” te Ebuzzija Teufik’it. Këto gazeta më vonë u mbyllën meqënëse filluan të shkruanin kundër osmanllinjve të rinj. Pas famës që fitoi me shfaqjen e tragjedisë “Majori Plak” të përkthyer nga frengjishtja në 1874, shkruajti dhe vuri në skenë shfaqjen “Besa”, e cila trajtonte problemet e Shqipërisë së asaj kohe.

Në 1874 u dërgua në Trablusgarp për të drejtuar punimet në gazetën e vilajetitShemsettini qëndroi atje, nëntë muaj. Përpara kësaj detyre ai udhëtoi për në Itali. Me t’u kthyer në Stamboll në 1876 së bashku me Mihran Efendi Nakashjan filluan të botonin gazetën “Sabah”. Kjo gazetë fitoi një popullaritet të madh në një kohë të shkurtër dhe u arrit të botohej me tirazh shumë të madh, gjë që nuk ishte parë, deri në atë kohë, në shtypin turk. 

Në 1877 qëndroi për një kohë në Rodos dhe punoi si mbajtës i vulave të guvernatorit. Pas kthimit, shkrimin e tij “Shundan Bundan” [Nga këtu për atje] që shkruante tek gazeta Sabah e vazhdoi tek gazeta Tercuman’i Shark. Gjatë kësaj kohe u mor shumë edhe me çështjet e Shqipërisë. Nga njëri krah përkrahte “Lëvizja për Bashkimin Shqiptar” të drejtuar nga vëllai i tij Abduli, nga krahu tjetër dilte kundër ndarjes së Shqipërisë nga Shteti Osman.

Në 1880 me urdhër të Sulltan Abdulhamid’it u thirr në pallat dhe filloi punën në Komisionin e Kontrollit Ushtarak si sekretar. Këtë punë e vazhdoi deri në fund të jetës së tij dhe nga përfitimet ekonomike që mori këtu, pati më shumë kohë dhe mundësi për t’iu kushtuar edhe më shumë librave të tij. Gjatë këtyre viteve përktheu librin “Robinson Kruzo” të Daniel Defoe’s dhe librin “Të mjerët” të Viktor Hygo’s. Në vitet 1882-1883 botoi veprën e tij të madhe të parë“Kamus-i Fransevi” (fjalor frengjisht-turqisht) dhe në 1885 një pjesë të po kësaj vepre në turqisht-frengjisht. Si rezultat i kësaj vepre, Sulltan Abdulhamid’i e dekoroi atë me medaljen e nderit. Duke filluar nga viti 1889 dhe për nëntë vjet shkruajti (vetë) dhe botoi enciklopedinë “Kamus-ul Alam” pas së cilës u bë edhe një nga shkrimtarët më me zë në Turqi.

Akoma pa e përfunduar “Kamus-ul Alam” në 1896-1897 botoi pjesë-pjesë fjalorin me të gjerë arabisht-turqisht. Arriti të botojë vetëm 504 faqe deri tek shkronja “xhim”. Në 1898 pas rregullimeve që i bëri Shemsettin Sami, u botuan nëpër gazeta një seri artikujsh. Në 1899 filloi të shkruaj fjalorin e parë turqisht-turqshit “Kamus-i Turki” sipas parimeve moderne të asaj kohe. Në 1901 pasi e botoi këtë vepër të madhe, ia dedikoi veten plotësisht kërkimeve mbi gjuhën turke. Në 1902 përgatiti përkthimin e “Kutadgu Bilik” dhe në 1903 të “Orhun Abideleri”. Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Erenköy, akoma pa e mbaruar veprën e tij “Ortaçağ Kipçakçası” (Kipçak, është një fis turk që gjatë shekujve XI-XV ka jetuar në brigjet e Detit të Zi, kurse në ditët e sotme jetojnë në Egjipt dhe Siri). Edhe pse me origjinë shqiptare dhe i interesuar drejtpërsëdrejti me çështjet e Shqipërisë, ka mbrojtur përherë modernizimin e shtetit Osman dhe ka theksuar shumë rëndësinë e turqishtes si gjuhë e përbashkët e perandorisë. Për studimin e turqishtes, modernizimin dhe mësimin e saj në fusha të ndryshme, jo vetëm në kohën e Shemsettin Samiut, por në të gjitha kohërat kanë qenë të pakët personat si ai.

Fjalori turqisht-turqisht “Kamus-i Turki” është shkruajtur me turqishten osmane dhe përbëhet nga tre gjuhe (turqisht, arabisht, persisht). Fjalëve arabisht dhe persisht, ashtu si edhe në fjalorët e vjetër, i është kushtuar një kujdes i veçantë në përdorimin e tyre në gjuhën e përditshme. Këtyre fjalëve nuk u është dhënë kuptimi i tyre i vërtetë, por kuptimi sipas gjuhës së përdorur turke. Gjithashtu i është kushtuar kujdes i veçantë edhe fjalëve të huazuara nga gjuhët perëndimore. Por ajo që është më e rëndësishmja është se kujdesi më i veçantë i është kushtuar turqishtes (shtylla kurrizore e osmanishtes) dhe etimologjisë së saj. Shemsettin Sami ka mbrojtur përherë çështjen e thjeshtimit dhe turqizimit të gjuhës, prandaj për këtë, shumë herë ka kërkuar që nëse nevojitet t’i kthehet përseri burimeve të turqishtes së vjetër (madje edhe të turqishtes së lindjes [Çağatayca]).

Libri “Shqipëria çfarë ishte, çfarë është, çfarë do të bëhet” pishtari i Rilindjes Kombëtare, i përket Shemsettin Samiut. Duke iu mbështetur kësaj vepre, ky bashkë me Naimin dhe Abdulin quhen si kokat e mendjes kombëtare shqiptare. Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, në njërin prej shesheve të tij, gjendet edhe busti i Samiut. Libri  “Shqipëria çfarë ishte, çfarë është, çfarë do të bëhet” për herë të parë në 1899 u shkruajt në gjuhën shqipe (pa emrin e autorit). Më vonë u botua në frengjisht dhe në 1904 pas vdekjes së Shemsettin Samit ky libër u botua në Sofje (bashkë me emrin e tij si autor) i përkthyer nga gjuha shqipe në turqisht fjalë për fjalë.

Historianët turq, në përgjithësi nuk e pranojnë këtë si vepër të Shemsettin Samit, por këtë ngjarje e vlerësojnë si një përpjekje e tij për të rritur edhe më shumë famën e tij në Rilindjen Kombëtare (shqiptare). Duke marrë parasysh interesin e madh që ka treguar Shemsettin Samiu në çështjet turke dhe ato osmane, mendohet se kjo e vërteton në një farë mënyre këtë mendim. Përkundër kësaj nuk ka asnjë pikë dyshimi për autorësinë e tij në veprat e tij shqipe.

Romani “Taashuk-i Talat dhe Fitnat” i Shemsettin Samit që nga 1872 filloi të botohej pjesë – pjesë në gazetën “Hadika”. Dhe në verën e vitit 1873 përfundoi botimi i tij. Ky roman që tregon për dashurinë e Talat’it me Fitnat’it, në letërsinë turke vlerësohet si romani i parë turqisht.Vepra e Shemsettin Samit (romani) i shkruar me shkronja turke, është një çështje që nuk është vërtetuar plotësisht nëse ky është romani i parë ose jo. Por, për nga popullariteti që ka fituar, ky është padyshim romani i parë.

V e p r a t

– Roman

Taashuk-i Talat dhe Fitnat (1873)

 

– Teatër

Besa (1874)

Sejdi Jahja (1875)

Gave (1876)

Mezalim-i Endulus (nuk është botuar)

Vixhdan (nuk është botuar)

 

– Përkthime

Florian, Galatée (1773)

Dumanoir & d’Ennery – Majori Plak (1874)

Daniel Defoe – Robinson Kruzo

Viktor Hygo – Të mjerët (1880, mungon vëllimi i fundit)

Ali bin Ebi Talib –  Esh’ar-i Muntehabe (1900, përkthime nga Divan’i i Ali bin Ebu Talib)

 

– Fjalor dhe Enciklopedi

Kamus-i Fransevi (1882-1905, fjalor frengjisht-turqisht)

Kamus-i Fransevi (1885, fjalor turqisht-frengjisht)

Kamus-ul Alam (6 vëllime, 1889-1898, enciklopedi e përgjithshme)

Kamus-i Arabi (1898, fjalor arabisht-turqisht, i papërfunduar)

Kamus-i Turki (2 vëllime, 1899-1900)

 

– Librat e gramatikës (gjuhësore)

Usul-i Tenkit dhe Tertib (1886)

Nev’usul Sarf-i Turki (1891, gramatika moderne turqisht)

Elif-ba Turki (1898, libër për mësimin e arabishtes, sipas metodës së re]

Usul-i Xhedid-i Kauaid-i Arabije (1910, libër për mësimin e arabishtes, sipas metodës së re)

Tatbikat-i Arabije (1911)

 

Përveç këtyreve, ka shkruajtur edhe libra të vegjël mbi astronominë, gjeologjinë, historia e Islamit, antropologjinë, gratë, mitologjinë, gramatikën. Ka mbledhur anekdoda në një botim me dy vëllime “Letaif”. Ka mbledhur fjalë të urta në një botim me katër vëllime “Emsal”. Ka botuar për ciklet shkollore alfabete dhe libra leximi. Njëkohësisht ka botuar edhe disa vepra në shqip së bashku me librin e gramatikës “Abetarja e Shkronjëtorja”.

 

*E përktheu dhe e përshtati në shqip: Andi Kallushi

07. 08. 2010

 

Burimet:

– Shkrimi më me vlerë i shkruar për Shemsettin Samin është bërë nga Prof. Dr. Ömer Faruk Akun dhe kjo është botuar nga Alfa Yayınları Istanbul (1998).

– Islam Ansiklopedisi, M.E.B. vëllimi i 11’të, faqet 411-422.

http://www.turkceciler.com/semsettin_sami.html

Këtë e pëlqejnë %d blogues: