Arkiv

Posts Tagged ‘Tirana’

Po flitet se…

11/03/2015 Lini një koment

Cenë PUSHKOLLI

 

PO FLITET SE…

Cenë Pushkolli

Cenë Pushkolli

Nëpër çarshi të Prishtinës, të Shkupit, të Tiranës, (lexo: të Çamërisë që aktualisht jetojnë jashtë Çamërisë), të Preshevës, të Tuzit e të Plavë e Gucisë, ku më pak e ku më shumë flitet se shqiptarët do të jenë më mirë vetëm atëherë kur bëhet RIBASHKIMI KOMBËTAR SHQIPTAR. Po, po kështu po flitet. Po flitet se menjëherë pasi është ndërprerë loja e futbollit ndërmjet Kombëtares Shqiptare dhe të asaj Serbe, ideja e Ribashkimit Kombëtar është ngulitur në zemrat e shqiptarëve atdhetarë. Loja e futbollit të sipërpërmendur merret si pretekst përndryshe ideja e RIBASHKIMIT KOMBËTAR SHQIPTAR ka marrë hovë që nga Pavarësia e Kosovës, zaten për atë kauzë ka luftuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe jo vetëm ajo. Po, po flitet gjithashtu se Ribashkimi Kombëtar Shqiptar është i mundshëm nëse për këtë pajtohen edhe klasat politike gjithandej trojeve shqiptare.

Për hir të vërtetës tash e disa kohë, respektivisht që nga Pavarësia e Kosovës, ku më pak e ku më shumë po flitet se Shqiptarët dhe trojet shqiptare (në kufijtë e sotshëm, sepse dihet se si Londra 1913 na ka copëtuar dhe na ka lënë në këto hapësira ku jemi sot).

Zoti i Plotfuqishëm e nderoi kombin shqiptar dhe trojet tona duke na dhuruar tokë të mirë, pasuri mbitokësore, pasuri nëntokësore, me pasuri ujore, si edhe me klimë të mirë. Për të gjitha këto njeriu do të duhej të ishte falënderues, por mjerisht nuk është sa duhet. Le që nuk është mirënjohës ai edhe nuk punon sa duhet nuk i jepë hakun, tokës, pasurive tokësore, pasurive nëntokësore, pasurive ujore qofshin ato ujëra të ëmbla apo të njelmëta.

Fatmirësisht sot shqiptarët gjithandej trojeve shqiptare janë më mirë se që ishin bie fjala dje e pardje, kjo është meritë e popullit e jo e klasave politike. Pikërisht pse janë sot më mirë se dje e pardje, po flitet se vetëm klasa politike në gjithë hapësirën shqiptare është duke ia humbur vlerat këtyre pasurive.

Po, po, po flitet se asgjë nuk është duke e penguar klasën politike me u marrë me probleme nacionale, me interesa kombëtare. Bile-bile po flitet se sikur klasa politike e Shqipërisë Londineze, e Kosovës Historike, e Iliridës e Kosovës Lindore si edhe shqiptarët e Malësisë së Tuzit, të Plavë e Gucisë e të Çamërisë tregonin pak më tepër interesim që marrëdhëniet ndërmjet veti të jenë më të mira në të gjitha fushat e jetës, nesër çështja e Ribashkimit Kombëtar do të ndodhte shumë më lehtë. Kështu siç janë të ndarë shqiptarët në disa shtete të mirat që na i ka dhuruar Zoti i Plotfuqishëm jemi fare pak duke i shfrytëzuar, prandaj sa më parë që do të ndodhë Ribashkimi Kombëtar aq më përpara Shqiptarët në gjithë Rajonin dhe jo vetëm në rajon do të ishin faktor i stabilitetit ekonomik e besa edhe atë politik. Një Shqipëri e tillë(lexo: e tërë, pra e Ribashkuar) edhe Evropës dhe më gjerë do ti ndihmonte me vende të reja pune, po, po në atë Shqipëri do të kishte “bukë” për të gjithë sepse dihet se shqiptari denbabaden ka qenë bukëdhënës, po, po ka qenë dhe është bukëdhënës si në kohëra të luftës po ashtu edhe në paqe.

Po flitet gjithashtu se sikur klasa politike e të gjitha trojeve shqiptare të kthjelleshin dhe të largoheshin nga haku që nuk u takon në njërën anë e në anën tjetër të mendonin më shumë për vëllezërit e motrat e tyre sigurisht se nuk do të kishte kaq skamje nëpër vendet tona. Kosova kohëve të fundit po ballafaqohet edhe me një dukuri mjaftë shqetësuese, e ajo është migrimi nëpër vende të ndryshme të Evropës, ky migrim kaq i madh në shekullin 21 është i pa shpjegueshëm dhe i pa pranueshëm. Por gjendja e shqiptarëve është në pozita të vështira e të pafavorshme për një jetës normale, kështu që në këto rrethana ai është i shtrënguar të kërkojë shpëtim për vete dhe për anëtarët e familjes.

Sikur klasat politike të angazhoheshin më shumë për popull se sa për veti me siguri se gjendja e shqiptarëve do të ishte për lakmi. Mjerisht sot për sot ne shqiptarët përkundër pasurive që i zumë në gojë më sipër nuk jemi në gjendje të organizohemi që ato resurse ti shfrytëzojmë sa më shumë që është e mundur. Është mirë dhe e thërras klasën politike si edhe atë akademike e shkencore të trojeve shqiptare që të bashkëpunojnë ndërmjet veti për një të ardhme kombëtare më të mirë si në aspektin politik, ekonomike si edhe në aspekte të tjera. Njerëzit e pendës si edhe klasat politike këtë gjë ia ka borq popullit, zaten ky ka qenë edhe betim i ushtarëve të të tri ushtrive kombëtare shqiptare.

Natyrisht se nëpër çarshi flitet edhe për shumëçka tjetër, flitet për korrupsion, flitet se si gjyqësia është e politizuar dhe si e tillë i jep të drejt partiakut të vetë e jo ati që ka të drejt. Flitet edhe për njerëz pa merita se si janë bërë magjistra e doktor shkencash brenda nate, flitet gjithashtu se si janë pasuruar brenda këtyre pesëmbëdhjetë viteve të pas luftës. Mendojmë dhe shpresojmë se në një Shqipëri të RIBASHKUAR nuk do të ketë vend për ata që kombëtarisht nuk janë të pajisur sa duhet.

Advertisements

Tirana, 95 vjet kryeqytet nga historia e një tradite

12/02/2015 Lini një koment

Alba KEPI

 

TIRANA, 95 VJET KRYEQYTET NGA HISTORIA E NJË TRADITE

Tirana kryeqytet

9 shkurt 1920-2015, plot 95 vjet kur Tirana shpallet kyeqytet. Prej gati një shekulli është pjesa kryesore e një guide, e një trupi që bashkon shumë elementë, qyteti kryesor i një kombi, paçka se ende ka mjaft që mllefen duke analizuar se e meritoi ose jo këtë rëndësi politike. Shqipëria e kërkoi, Kongresi i Lushnjës e vulosi e banorët e pranuan këtë rol që të dhuroi historia. Kjo është e gjitha!
Jugu i vendit vuante ngacmimet e Greqisë, Veriu provokohej shpesh nga serbët dhe Tirana ishte ashtu siç parashikonte më 1899 profecia e Samiut të madh “Mez’ i Shqipërisë, domethënë kryeqytet’ i përgjithshëm, do të jetë një nga qytetet, që ndodhenë në mest të Shqipërisë, e në të cilët të flitet gjuha shqip. Po më mirë do të qe të bëhesh një qytet i ri në mest të Shqipërisë në një vend të shëndeçëm e të bukur. Ky qytet, të cilin ne mundim ta quajmë Skënderbegas, do të goditetë me një mëndyrë fort të bukurë, me udhë të gjëra e të drejta, me shtëpi të mira, me sheshe e me gjithë ç’duhetë; edhe në pak kohë mund të rritet’ e të madhohetë shumë, se gjithë parësi e Shqipërisë e shqipëtarët’e xgjuarë do të kenë nevojë të mblidhenë e të bëjnë shtëpi atje. Kështu, ky qytet i ri do të jet’ i çpenguarë nga të gjithë zakonet’ e keq, që kanë qytetet e vjetër; edhe me qenë qe ndejësit’ e ti do të jenë të mbledhurë nga gjithë anët e Shqipërisë, edhe gjuha që flitetë atje, do të jet’ e përzjerë, që të muntnjë të quhetë gjuh’ e përgjithçme e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë. Ky qytet me pak vende rrotull do të qeverisetë si një nënëgastr’e veçantë.”
Një fotografi bardhë e zi e bën të pavdekshëm hyrjen e qeverisë shqiptare në Tiranë, dy ditë pas vendimit zyrtar të Kongresit të Lushnjës. Më 11 shkurt 1920 përfaqësues të Këshillit të lartë Kombëtar, ministra e patriotë, fetarë e luftëtarë, ecin krah më krah, të gjithë bashkë e me të njëjtin hap, drejt kryeqytetit të ri të vendit. Mes tyre Ismail Efendi Ndroqi, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Ahmet Zogu, Eshref Frashëri, Mytesim Këlliçi etj, vijnë nga krahina të ndryshme të Shqipërisë e askush prej tyre nuk do ta kishte imagjinuar se, vendimi i shpalljes së Tiranës kryeqytet do të ngjallte në këtë epokë të sotme të modernizmit debate që limitohen në inate krahinore. Zgjedhja e tyre politike e me interes kombëtar, prej sot e një dekade sjell në çdo përvjetor retorikën e mërzitshme mediatike se e meritonte o jo të ishte kryeqytet. Si Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Tirana qe e është një qytet i Shqipërisë e nuk duhet harruar se pa kushtet e përshtatshme të brendshme të qytetit, vendimi i Kongresit të Lushnjës nuk do të ishte miratuar kurrë, pavarësisht pozitës së favorshme gjeografike që kishte.
Pranë Tiranës, në Qafë Kashar 95 vjet më parë qe vetë Kryetari i Bashkisë së Tiranës Ismail Efendi Ndroqi, ai qe priti përfaqësuesit e qeverisë së re për të hyrë në qytet, ndërsa ministri i brendshëm Ahmet Zogu i shpërndante të gjithë Prefekturave të Shqipërisë qarkoren; “T’i bahet me dijt popullit atjeshëm se kabineti ri i zgjedhun nga mbledhja Kombtare e Lushnjës, më 11. të k. muajit mrriti në Tiranë e filloji nga puna. Tirana u shënua për kryeqytet”.
95 vjet më parë Tirana kishte rregullin e qetësinë sociale, zhvillimin e qartësinë ekonomike, ecurinë e largpamësinë urbanistike, dijen e urtësinë intelektuale për të qënë pejsë e betimit të të gjithë deputetëve të Kongresit të Lushnjës; “Mbledhja kombtare jep fjalën e nderit e besën e shqiptarit duke u betuar në emën të perëndis se deri sa Këshilla e Naltë vepron mbas ligjet të Shtetit tue ruejtun indipendencën e plotë të Shqipnis me mish e me shpirt, do të jetë mprojtës e përkrahës i gjithhershëm i kësaj Këshille”.
“Pa një traditë të qëndrueshme nuk ka civilizim”- shkruan më 1895 Gustave Le Bon e frutet e kësaj tradite ritesh, zakonesh, dokesh, ndikuan pa dyshim në zhvillimin e qytetit të Tiranës. Falë aftësisë së banorëve të saj autoktonë u krijua një ekulibër i shëndoshë mes asaj çka të ofronte e përditshmja dhe asaj çka të këshillonte e kaluara. Kështë qe dje, e kështu vazhdon të jetë dhe sot.
95 vjet histori urbane, poltike e ekonomike e këtij qyteti, por dhe 95 vjet nga historia e një tradite kulturore që nuk zvenitet kurrë. Tì kujtosh disa prej tyre sot është një dhuratë morale ndaj Tiranës që feston ditëlindjen e saj si kryeqytet.

 

Kanuni i Bendës

 

Në Tiranë si kryesisht në tërë zonën e Shqipërisë së Mesme ka vepruar Kanuni i Bendës, norma dokësore, që rregullonin bashkëjetesën e marrëdhëniet sociale e ekonomike mes banorëve. Këto norma ligjore të traditës kanë si tipare etnopsikologjike nderin, barazinë, atdhetarizmin, përkatësinë sociale, mirësinë, besimin fetar, mikpritjen e besën. Kanuni i Bendës merr emrin nga krahina e Bendës e cila lidh Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut e të Jugut. Në Perëndim kufizohet nga rrethi i Krujës, Mali i Dajtit e mali i Linzës. Në Lindje nga Mali me Gropa dhe mali i Xibrës. Në jug nga krahina e Shëngjergjit, ndërsa në Veri nga Qafë Shtama. Sipas Profesor Eqerem Cabej fjala Bendë ka rrjedhur nga togfjalëshi “toka pas malit”, pasi kjo krahinë shtrihej pas vargmalit Krujë-Dajt. Po sipas tij në këtë zonë fjala “buenë” do të thotë vërshim ujrash e ndryshimet fonetike kanë çuar në trasformimin e saj në fjalën Bendë. Dhjetra nene e qindra paragrafë rregullojnë e orientojnë lidhjet e fejesës, martesës, ceremonitë, marrëdheniet në familje, farefis e shoqëri, përcaktojnë rregullat ekonomike e sociale mes të gjithë bnorëve. Karakteristikë e Kanunit të Bendës është origjinaliteti i tij, pa dyshim me mjaft ngjashëmëi me Kanunin e Skëndërbeut, por dhe me të Lekë Dukagjinit. Veçanti qe hierakia në vendosjen e rregullave e respektimin e zakoneve dhe riteve. Një vend kyç në Kanunin e Bendës e zinte Kuvendi i pleqve i cili ndahej në dy niveli, niveli më i ulët, Kuvendi i Pleqve të katundit dhe niveli më i lartë, Kuvendi i pleqve të Bajrakut. çdo katund kishte Plakun e tij që mbante rreth vetes pleqësinë që merrej me organizmin e administrimin e jetës shoqërore, ekonomike, familjare e fetare të banorëve. Kur shtëpia e Plakut të katundit kalonte një shekull pleqërim, ajo quhej shtëpi kanuni e gëzonte të drejtën të përfaqësonte bajrakun në çdo kuvend dhe jashtë kufijve. Si çdo Kanun që vepronte në krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe Kanuni i Bendës pasqyronte shkallën e zhvillimit ekonomiko-shoqërore ku vepronte.

“Me kanun duhet respektu rradha”; “Me kanun çunat e shtëpisë nuk martohen pa u rehatu motrat”; “Me kanun goca e ka shtëpinë ke burri”; “Me kanun gruja e keqe (pa moral) shkatërron shtëpinë e ndyn emrin e fisit”; “Me kanun do shkoj bari n’rronjë” janë shprehje që në familje tiranse i gjen sot në një përdorim të shpeshtë e të zakonshëm. Kanuni i të drejtës zakonore shqiptare siç e përkufizon dhe kodifikuesi e përpiluesi i Kanunit të Skënderbeut Dom Ilia konsiderohet: “se sot jeton si i mbuluem prej kohës dhe qet kryet dhe vepron në çdo rrethanë anarkie. Ai asht rrajë e drejtësisë, e parimet e tija që në thellësi të shekujve mbeten themel për çdo legjislacion shqiptar të gjitha kohve, në ma të ndryshmet rrethana. Ai asht fryt i nji mendjehollësie të vazhdueshme e të mahnitshme të popullit tonë”.

 

Familja Tiranse

 

Fjala familje në Tiranë është përdorur vonë, në vend të saj përdoreshin terma si “kulm”, “votër”, “zjerrm” e që nënkuptonte dy o tre banesa, pra një bashkësi familjare, një grupim njerëzish në lidhje gjaku vertikalisht o horizontalisht me një ekonomi të përbashkët. Familja tiranse ka të përbashkët e zotëron shtëpitë e prona, bagëti e toka. Karakteri historik që mbart familja tiranse është lidhur ngushtë me ndryshimet, zhvillmet, dukuritë sociale, ekonomike e politike të territorit ku jeton. Familja tiranse karakterizohej nga katër funksione bazë;

Funksioni ekonomik që nënkupton përpjekjet e të gjithë anëtarëve të familjes për të siguruar të mirat materiale për të plotësuar çdo nevojë të domosdoshme e më tepër. Pra qëllimi i këtij funksioni ishte përmirësimi gjithnjë e më shumë i pozitës ekonomike, gjithmonë falë punës e përkjekjeve të ndershme të çdo anëtari. Sado të arrinte numri i familjarëve të një oxhaku ekonomia do të ishte një ekonomi e përbashkët.
Funksioni jetik e biologjik i përcaktuar nga martesa, pra tek bashkimi i një mashkulli e një femre për të pasur një jetë sa më të plotë biologjike e sociale.
Funksion riprodhues që bazohet në aftësinë për të përtëritur jetën, për të pasur trashëgimtarë të emrit të familjes, fisit, pasurisë, trojeve e pronave.
Funksion edukues i cili ndërtohet eskluzivisht për të rritur e edukuar fëmijët, pra pasardhësit, përcjellësit e virtyteve, vlerave, e nderit të një familje.
Familjet autoktone tirranse, shekuj më parë, dalloheshin me njëra-tjetrën veç nga emrat, por shtimi i popullsisë e përsëritja e emrave solli vështirësi në evidentimin e personave të veçcantë. Lindi kështu një tjetër mënyrë dalluese, duke i shtuar pas emrit të personit dhe emrin e lagjes, zonës, fshatit ku banonte. Por nuk mbaroi me kaq pasi iu shtua kësaj dukurie dhe thirrja e personave duke i bashkangjitur emrin e babait. Vec viti 1937 me urdhëresën e qeverisë së Mbretit Zog vendosi e detyroi që familjet të ndryshonin mbiemrat e tyre duke përjashtuar emra fshatrash e qytetesh.

 

Kulti i trashëgimisë

 

Ritet, zakonet, traditat në një familje tiranse bazohen tek kulti i trashëgimisë, frymëzohen në aspiratën e jetës, për të realizuar vazhdimësinë e ekzistencës së emrit të një familje e mbi të gjitha të një qyteti. Por kanë në themel dhe kultin e së shkuarës, një sistem normash e ligjesh popullore të përmbledhura në shprehjet; “Kshu na e konë lonë amanet pleqtë” apo “kshu e kena zakon ne tironsit”. Trashëgimi i emrit, trojeve, pasurisë, vazhdimësia e brezave ishte një preokupim jo vetëm për familjen, por për të gjithë fisin.

Gjysëm shekulli diktaturë komuniste influencuan negativisht deri në eleminim të këtij tipari zakonor. Familjet tiranse të shtresës së lartë e të mesme, qenë nga të parat që u vulosën me emërtimin “armik të popullit e kulak”. Me prona, shtëpi, para të konfiskuara e të vjedhura “në emër të populllit”, burra të pushkatuar, djem të burgosur, nuse të reja me fëmijë në djep internuar në periferi të humbura; ky qe skenari i jetës pas lufte për familjet fisnike, patriotike, dyert e mëdha e të mira të qytetit. Pushteti popullor i shfuqëzoi ekonomikisht me synim dobësimin e rolit social e të influencës së tyre në komunitetin autoktonë. Dhuna shumëvejcare e kësaj politike pati pa dyshim pasoja dhe në traditën e lidhjeve mes të rinjve, trashëgimtarët e emrit të këtyre familjeve.
Memoria kolektive nuk harroj asnjëherë “dyert me emër”, “xhinset e mira”, i mbrojti, i respektoi, e fshehtazi aq sa mundësia ua lejonte, “lidhja e fjalës” me përkatësi sociale të njëjtë, vazhdonte të ruhej. Por në kulmin e egërsisë së regjimit komunist, rreziku më i madh në Tiranë qe jeta.
Mbijetesa e autoktonëve, trashëgimia njerëzore, vazhdimësia e asaj c’ka të parët e këtij qyteti kishin krijuar në shekuj fillimisht në formën e një dëshire, u shdërrua në ovjektiv e qëllim jete. Pikërisht në këtë fazë tiparet, karakteri, tradita, kultura e banorëve tiranas zëvendësuan kriterin e respektimit të lidhjeve martesore me të njëjtin nivel social, në një kriter rigoroz lidhjesh fjale “mes nesh tironsish” e mënjanimin e fejesave “mes nesh e atyre”. Epitezimi me “atyre” apo me “ata” ishte mjaft i qartë për çdo banor, nënkuptoheshin vjedhësit e pronave, trulleve, shtëpive, dyqaneve, vrasësit e burrave, torturuesit e bijve, dhunuesit e grave, pra komunistët. Shprehja “tironasit japin e marrin me njëri-tjetrin” gjen lulëzimin e saj të plotë. Në këtë moment të vështirë, qyteti i tyre duhej të mbijetonte, duhej të ruhej historia e tij dhe e të gjitha familjeve vendase që kontribuan në krijimin e zhvillimin e Tiranës, duhej nderuar jeta e çdo banori autokton që adhuron këtë tokë, e me dashuri përcolli brez pas brezi traditën e tij të jetës. Çdo ditë e më shumë u krijua “lidhjet e fjalës” mes familjeve autoktone, u trashëgua emri i vendalive, zakonet, ritet, virtytet e kultura e qytetit të tyre. Përjashtime? Pa dyshim që ka pasur, por jo aq mjaftueshëm sa prezenca e fuqishme e shprehjes “ne tironsit japin e marrin veç me njoni-tejtrin!”
Shprehja se “tironasit japin e marrin veç me njoni-tjetrin” ndikoi në fuqizimin ekonomik të shtresave sociale të qytetit në fund të shekullit të XIX e në fillim të XX. Ndërsa në gjysmën e shekullit të XX u kthye në një pamflet politik për të mbijetuar fizikisht dhe ekonomikisht shtresën autoktone të qytetit. Sot kjo shprehje vazhdon të jetë amanet shpirtëror i dashurisë së banorëve vendali ndaj qytetit të tyre.

 

I Pari i shtëpisë

 

I zoti i shtëpisë në kulturën tiranse njihet si i Pari i shtëpisë. Pozita e tij lihej në trashëgimi e roli i tij ishte i padiskutueshëm nga të gjithë anëtarët e familjes. Në çdo familje tiranse kishte dy ose më shumë burra të martuar e që përfshinin një njësi familjeje që ndiqej nga kushërinjtë e brezit të parë, të dytë e me radhë. Kanuni, pra ligji dokësor impononte që çdo familje të kishte një sistem qeverisje në krye të të cilit qëndronte i Pari i Shtëpisë. Ky i fundit stërvitej që në rini për rolin e tij të ardhshëm të përcaktuar nga paraardhësi. Përgatitja e tij kishte të bënte në rregullimin e marrëdhënieve mes anëtarëve të familjes, fqinjëve, kufijtë e trojeve, rrugëve e arave, punëve të përbashkëta në familje, raportin me parinë e qytetit e me shtetin. I pari i shtëpisë mbi të gjitha duhet të ishte një njohës i mirë i Kanunit, i ligjeve të shtetit por dhe të karakterizohej nga objektiviteti i gjykimit e karakteri i fortë. Duhet të ishte dhe një punëtor i madh në mënyrë që kur mungonte krahu i punës të përballonte sic duhej nevojën ekonomike të familjes, por dhe mbikqyrte e të organizonte aktivitetin e familjes në të gjitha drejtimet. Në qëndër të funksionit të tij duhej të ishte mbrojtja e interesave ekonomike, sociale e juridike të familjes. Por në rast se i Pari i shtëpisë ndahej nga jeta në mënyrë të papritur, një kuvend burrash të familjes mblidheshin e zgjidhnin njeriun më të përshtatshëm për t’u bërë i Pari i shtëpisë. Në familjet tiranse këtë pozitë e merrte pothajse gjithmonë djali më i madh i familjes, duke respektuar rradhën e moshën.

Për çdo anëtar të familjes tiranse roli e funksioni i të Parit të shtëpisë nuk vihej kurrë në diskutim. Ishte pika e referimit e të gjithëve. Cdo vendim e veprim i tij ishte për të mirën e emrit të shtëpisë e respektohej pa u vënë kurrë në dyshim. Për brezat e rinj, nipër e stërnipa ishte shembulli i mësimit për çdo zakon, rit, traditë e sjellje që nuk duhej t’i mungonte kurrë një tiransi të vërtetë.

 

E zonja e shtëpisë

 

Për këdo që ka lindur dhe është rritur në një familje tradicionale tiranse vendi që zë brenda saj e zonja e shtëpisë, gruaja, nusja, goca, mbesa e stërmbesa është i përcaktuar mirë në mënyrën e jetesës, sjelljes, në aktivitetin ekonomik e social e në marrëdhniet me të gjithë anëtarët. Për fat të keq historiografia komuniste për vite e dekada me rradhë këtë pozitë familjare të femrës tiranse e ka trajtuar në mënyrë mediokre, të ngushtë në këndvështrimin e të kushtëzuar të mentalitetit shtypës komunist. Duke synuar të poshtëroj shtresën e mesme e të lartë tiranse të pas Luftës së dytë Botërore, fuqia e së cilës ishte forca lëvizëse ekonomike, politike e sociale e qytetit, sistemi komunist doktrinizoj e fallsifikoi dhe historinë. Gruaja tiranse nga studiuesit e kësaj epoke, prezantohet si e përulur, pa asnjë të drejtë ekonomike, shërbëtore e burrit dhe e pavlefshme brënda familjes. Po për fat të keq në disa përpjekje të kryera gjatë viteve të fundit për të përcjellë historinë e zakoneve e riteve të traditës tiranse, përsëritet i njëjti gabim, i justifikuar nga referimi i vazhdueshëm që i bëhet materialeve të historiografisë komuniste, si dhe nga mosnjohja e vërtetët e jetesës në një familje tiranse. Pozita e gruas tiranse brenda familjes nuk ishte aspak më e ulët se pozita e cdo gruaje shqiptre në cdo familje shqiptare, pavarësisht krahinës ku ndodhej. E pra nëse i Pari i shtëpisë ishte truri i familjes tiranse, Zonja e Shtëpisë, gruaja, nusja, vajza, mbesa e stërmbesa ishte zemra pa të cilën truri nuk mund të vinte në lëvizje asnjë mekanizëm të kësaj familje. Kultura tiranse e veshi gruan kokë e këmbë me ar, kostumi i saj tradicional ishte dhe është nga më të bukurit, më të kushtueshmit e më të vlerësuarit në kostumografinë popullore shqiptare. Bizhuteritë e ballit, të gushës, të gjoksit, të duarve e këmbëve dëshmonin vlerësimin e respektin për vlerën shpirtërore, sociale e ekonomike të gruas brenda familjes. Jeleku, këmisha, dimiqtë e çdo pjesë e veshjes duhet të ishte eksluzivisht e qëndisme me ar dhe e punuar mbi pëlhurën më të kushtueshme që ekzistonte në treg. çdo vakti të ditës i përgjigjej një veshje e caktuar. Të tilla ishin rrobat e drekës, rrobat e pazarit, rrobat e dasmës, e sebepevve etj etj. Duke u bazuar në ligjet dokësore historiografia komuniste shqiptare e ka preantuar gruan tiranse si pa asnjë të drejtë ekonomike. Ky pohim bazohet në keqdashësinë e injorancës për të mos njohur sic duhet realitetin. Gruaja tiranse ishte goca tiranse e cila kishte mbërritur në familjen e burrit, me të gjitha pasuritë e tundshme e të patundshme të dhuruara nga familja e saj e origjinës e që i duheshin për të përballuar dejësisht jetën. Fuqia ekonomike e saj në shtëpinë e burrit ishte e pandashme nga pasuria që bashkëshorti apo dhe vetë i Pari i shtëpisë zotëronte për çdo anëtarë. Gruas tiranse nuk i mungonte asnjëherë e drejta për të pasur lirinë ekonomike në zgjedhjet apo nevojat e saj, kishte “qesen” e saj që e gëzonte dhe e administronte vetë. Për të gjithë jetën ajo e fëmijët e saj ishin të siguruara në mënyrën më të mirë të mundshme që familja mund t’i grantonte mbi ushqimin, banimin, veshjen e kënaqësitë e gëzimit sa më mirë të saj. Pra në familjen tiranse nuk ka ekzistuar kurrë as me ligj dokësor e as në mentalitet një grua shërbëtore. Gruan, burri e djali tirans e mbante mbi kaptinë e i thurte vargjet e këngët më të bukura duke e krahasuar me bukuritë më të padiskutueshme të natyrës si hëna, lulja, ajri e jeta.

 

Burimi: http://www.standard.al/tirana-95-vjet-kryeqytet-nga-historia-e-nje-tradite/

Aq sa ka krahët Shqiponja, katër janë vilajetet tona

28/12/2014 Lini një koment

Prof. dr. Eshref YMERI

 

“AQ SA KA KRAHËT SHQIPONJA, KATËR JANË VILAJETET TONA”

Lefter Çipa

Eshref Ymeri

Eshref Ymeri

Në një njoftim të faqes internetike të gazetës “Panorama” me titull “Presidenca greke: Himara, Vorio Epir”, të botuar më 18 tetor 2014, lexova këtë informacion:

“Njoftim në faqen zyrtare të Presidencës greke për takimin e Papuliasit me një qytetare nga Himara. Presidenti priti 81-vjeçaren Pringu nga Himara e Vorio Epirit”.

Nga ky informacion mësohet, gjithashtu, se Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, i ka kërkuar ambasadorit grek Rokanas heqjen e termit Vorio Epir nga faqja e Presidencës greke, pasi “ky term nuk është koncept politiko-administrativ në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që përdoret rëndomë në qarqe antishqiptare, të cilat, në kuadër të pretendimeve territoriale, identifikojnë me këtë term Shqipërinë e Jugut”. Por rezulton se termi Vorio Epir nuk është lëvizur nga faqja zyrtare e Presidencës greke.

Është për të vënë duart në kokë që Tirana zyrtare, gjatë gjithë këtyre viteve të pluralizmit politik, vazhdon të përdorë shprehjen “qarqe antishqiptare”, një shprehje kjo e shpëlarë që i ka dalë boja me kohë e me vakt dhe që dëshmon për mjerimin politik ku shteti ynë e ka katandisur veten në sytë e opinionit publik mbarëshqiptar.

Si është e mundur që Tirana zyrtare të deklarojë për qarqe antishqiptare, kur duket sheshit, ditën për diell, që në këtë mes kemi të bëjmë jo me “qarqe antishqiptare”, por me politikë zyrtare greke, të kristalizuar, kundër Republikës së Shqipërisë. Presidenti Papulias është President i Republikës Greke dhe shprehet botërisht në faqen zyrtare të Presidencës greke se Himara është tokë greke. Të njëjtën gjë e ka pas deklaruar para disa vjetësh edhe paraardhësi i tij Stefanopulos:

“A mund të lejojmë që në Himarën greke… dhe në Korçën vllaho-greke të mos ketë shkolla greke..?” (Gazeta “Republika”. 25 shtator 2005, f. 8).

Unë mendoj se përgjigjja që duhet t’i jepet jo vetëm Presidentit Papulias, por edhe kishës shoviniste greke, Kryeministrit grek, parlamentit grek dhe mbarë politikës shoviniste grekokaragjoze, është fare e thjeshtë:

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, në sallën e pritjeve solemne dhe në kabinetin e vet, prapa kolltukut të tij, të varë në mur hartën e Shqipërisë Etnike.

Kryeministri Edi Rama, në sallën e pritjeve solemne dhe në kabinetin e vet, prapa kolltukut të tij, të varë në mur hartën e Shqipërisë Etnike.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, në sallën e Kuvendit, në sfondin prapa kolltukut të tij, pranë flamurit kombëtar, të varë edhe hartën e Shqipërisë Etnike.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha, në sallën e madhe të selisë së Partisë Demokratike, në murin prapa kolltukut të tij, të varë hartën e Shqipërisë Etnike.

Dhe në të katra hartat, të shkruhen përsipër tyre, me shkronja ari, dy vargjet e mësipërme lapidare të një strofe nga një poezi e poetit mitik Lefter Çipa, e këtij zëri të fuqishëm të Labërisë dhe të mbarë shqiptarisë që kërkon ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të vetëm, me një stemë dhe me një flamur.

Këto katër figura kryesore të politikës së sotme shqiptare, le ta varin hartën e Shqipërisë Etnike dhe të mos u trembet syri hiç, se kanë me vete mbarë popullin shqiptar të të gjitha trevave etnike, kanë me vete rininë mbarëshqiptare, që e përfaqësuan aq denjësisht futbollistët tanë trima, të cilët, me aq burrëri shqiptare, morën në mbrojtje flamurin e Shqipërisë Etnike në mes të bishave fashiste serbogreke në stadiumin e Beogradit.

Jam i bindur që këta katër kryepolitikanë shqiptarë janë burra të vendosur, prandaj, përballë aleancës së ndërkryer sllavogreke kundër etnisë shqiptare, siç u demonstrua më 14 tetor 2014 në Beograd, kanë rastin ta tregojnë vendosmërinë e tyre që të lënë emër në histori.

 

San Diego, Kaliforni

21 tetor 2014

Trilogjia orientaliste e islamofobe e Spartak Ngjelës

21/11/2014 Lini një koment

Enis SULSTAROVA

 

TRILOGJIA ORIENTALISTE E ISLAMOFOBE E SPARTAK NGJELËS

Enis Sulstarova

Enis Sulstarova

Emri i Spartak Ngjelës është i njohur në Shqipërinë e paskomunizmit. Pinjoll i një familjeje të lidhur me regjimi komunist, megjithatë ai qysh në rini shfaqi një sjellje kundërkonformiste dhe kundërkomuniste. Si pasojë e spastrimeve të mëdha që ndërmori Hoxha në radhët e udhëheqjes së lartë partiake e shtetërore, i ati i Spartakut burgoset dhe pas ca kohësh edhe i biri. Në fillimin e viteve të ’90-ta, Spartak Ngjela aktivizohet në politikë dhe në jetën publike. Fillimisht u bë pjesë e Aleancës Demokratike, pjesa e opozitës së viteve 1992-1996, të përbërë nga ish-anëtarët e Partisë Demokratike – kundërshtarë të presidentit Berisha. Më 1997 mori pjesë në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar si pjesë e Partisë monarkike të Legalitetit. Më pas, si pjesë e Partisë Demokratike të Sali Berishës konkurroi kundër Edi Ramës për ofiqin e kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe humbi me një diferencë të vogël të votave, por zgjedhjet ishin plot manipulime nga ana e pushtetit socialist. Më 2005 bëhet pjesë e maxhorancës parlamentare të Partisë Demokratike, por pas një viti përjashtohet nga grupi parlamentar i PD-së pas kontradiktave me kryeministrin Sali Berisha. Në vitin 2008 themelon partinë e tij dhe bëhet pjesë e opozitës së kryesuar nga Partia Socialiste e Edi Ramës. Ndërsa pritej gjerësish që Ngjela të bëhej ministër i drejtësisë në qeverinë e tanishme socialiste, kjo gjë nuk ndodhi dhe pritet pozicionimi i ri i tij ndaj pozitës së re qeverisëse.

Gjithashtu Ngjela njihet edhe për publicistikën e retorikën që shfaq në ekranet e televizioneve. Në vitin 2011 ka filluar botimi i kujtimeve të tij, të shoqëruara me një analizë të politikës shqiptare që nga viti 1957. Deri tani janë botuar tri vëllime që arrijnë mbulimin e ngjarjeve kryesore të Shqipërisë nga viti 1957 deri në vitin 1996. Kujtimet mbajnë titullin domethënës Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare, me anë të së cilës autori e pozicionon veten si kundërshtar të paepur të tiranisë së Hoxhës e i tendencave tiranike të Berishës. Në trajtimin e tij, tirania shqiptare nuk është thjesht vepër e Hoxhës, por një dukuri me rrënjë më të thella në historinë e popullit shqiptar, e cila është e pashkëputur nga zhvillimet në historinë e Evropës e të botës. Liria dhe tirania, sipas Ngjelës, janë dy frymë ose dy logjika që përplasen në historinë e njerëzimit dhe që kanë krijuar e mbështetur sisteme politike të kundërta. Ajo që ka ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri është një pjesë e betejës së gjatë dhe të pandërprerë midis këtyre dy logjikave dhe forcave, që kanë pasur mishërimet e tyre në gjeopolitikën evropiane e atë botërore.

Në këtë artikull do të merremi pikërisht me këtë premisë themelore të arsyetimit të Ngjelës, me paradigmën e cila gjendet në të gjitha shpjegimet që ai jep për kthesat e politikës shqiptare. Paradigma është shumë e thjeshtë dhe, si e tillë, përthith gjithçka që ka ndodhur dhe do të ndodhë në botë, që nga lindja e qytetërimeve njerëzore. Me pak fjalë, ajo që thotë Ngjela është se liria është krijim e veti e Perëndimit, ndërsa tirania veti e Lindjes. Perëndimi e zhvilloi idenë e individualizmit, ndërsa Lindja atë të kolektivizmit. Për pasojë, liria në Perëndim kërkonte format e shprehjes në politikë, prandaj kemi demokracinë athinase dhe ligjet romake, kurse Lindja ka synuar për nga “despotizmi oriental” dhe nënshtrimin e popullit ndaj Njëshit. Së bashku me trashëgiminë e antikitetit greko-romak, krishterimi ka qenë, si të thuash, filozofia e lirisë së Perëndimit, ndërsa islami ka përfaqësuar tendencën tiranike të Lindjes.

Kjo linjë e arsyetimit të Ngjelës nuk është aspak origjinale dhe prej kohësh ekziston një kritikë e kësaj ndarjeje me thikë të historisë, qytetërimeve, kulturave etj. në dy pjesë antagoniste që përfaqësojnë Evropën e Azinë, Të Mirën e Të Keqen, përparimin dhe prapambetjen apo lirinë e tiraninë. Kjo formë e të menduarit në kategori binare Perëndim-Lindje është kritikuar si një trajtë e paragjykimeve dhe, madje, e racizmit perëndimor ndaj pjesëve të tjera të botës dhe si frymëzues e justifikues i imperializmit. Emri që i është dhënë këtij përfytyrimi dhe mënyre të të menduarit nga Eduard Said është “orientalizëm” dhe vepra e tij me titull të njëjtë tashmë është botuar në gjuhën shqipe nga Logos-A. Varianti shqiptar i orientalizmit, brenda të cilit kategorizohen edhe shumë shkrime të Ngjelës, është analizuar nga autori i këtij artikulli në librin Arratisje nga Lindja, botimi i tretë e i ripunuar i të cilit sapo ka dalë nga shtypi.

Trilogjia me kujtime e Ngjelës përbën një shembull të mirë të orientalizmit bashkëkohor shqiptar, i cili shoqërohet me islamofobinë, duke dashur të gjejë te pushtimi osman dhe islamizimi i shqiptarëve shkakun themelor të prirjes tiranike të politikës shqiptare. Ngjela ka shkruar se fryma e tiranisë e ka prejardhjen nga perandoria e lashtë perse dhe në mesjetë rishfaqet me islamin dhe kalifatin arab. Meqenëse fryma e tiranisë nuk e duron lirinë individuale, ajo ka dashur ta mbysë atë, prandaj orientalët qysh në lashtësi kanë dashur të pushtojnë Ballkanin, që është djepi i Perëndimit: “Që nga koha e Sokratit dhe e të gjithë filozofisë greke, skulpturës dhe teatrit, që nga koha e demokracisë klasike greke, bota lindore kishte dashur shembjen e saj. Kjo kërkesë e brendshme e satrapisë orientale, që kishte filluar me persët, erdhi e u mbyll me turqit otomanë… Me urrejtjen orientale shekullore kundër njeriut të lirë, të pavarur dhe të një kulture demokratike, një regjim aziatik islamik, realizoi më në fund shtypjen e popujve të Ballkanit” (Vëll. 3, 2013, f. 163).

Për popullin shqiptar ai pohon se është perëndimor në thelb, sepse ka qenë në fqinjësi me grekët dhe romakët e lashtë dhe është bërë herët pjesë e botës së krishterë (Vëll. 1, 2011, f. 39). Familja shqiptare, si bërthamë e shoqërisë, ka funksionuar në mënyrë individualiste. Prej këndej lind pyetja, se përse ky tharm ka mbetur në sferën familjare dhe nuk është zhvilluar edhe në jetën publike e në politikë? Përgjigja e Ngjelës është se pushtimi turk dhe islamizimi, si forma historike të logjikës kolektive, nuk e kanë lejuar perëndimorizmin shqiptar të dalë nga sfera e familjes dhe vetëm këtu ai ka mundur të mbijetojë, si “një tharm ilir, epirot apo albanez” (po aty, f. 50). Mirëpo, islamizimi, pjesërisht i kryer me “kolonë të ardhur nga Lindja” (po aty, f. 39) nuk e ka prekur thelbin perëndimor, sepse raca shqiptare është treguar më e fortë, duke e evropianizuar edhe “islamin shqiptar”: “Islamizmi shqiptar pati gjithmonë një trajtë evropiane dhe aspak me ingredientët e kulturës arabe, që mbartte si religjion” (po aty, f. 371-372). Këtu ndeshemi me motivin, aq të përhapur në letrat shqipe, të zbutjes së thepit orientalo-arab të islamit prej racës iliriko-albane shqiptare. Me gjithë trafikun fetar Perëndim-Lindje, për orientalistët shqiptarë ka rëndësi që të mos kapërcehet vija racore që i ndan shqiptarët e bardhë nga orientalët ezmerë, edhe pse mund ta pranojnë se ka pasur kolonizim turk në disa zona të Shqipërisë. Madje ndonjëri, si Agron Gjekmarkaj, pedagog i historisë së qytetërimeve në Universitetin e Tiranës, mund të pranojë edhe që bejlerët orientalë – turq apo shqiptarë qofshin – e kanë praktikuar ritin e prima nocta-s me rajanë e tyre.

Për t’u kthyer te tekstet e Ngjelës, karakteristika e politikës në mesin e shqiptarëve ka qenë fryma kolektiviste orientale. Efekti i saj ka qenë pengues për shpalosjen në jetën publike të prirjes individuale dhe familjare të shqiptarëve. Autori na thotë se ndërmjet shqiptarëve ka pasur edhe grupe “periferike” që prireshin nga fryma kolektiviste që e ka ushqyer gjithmonë politika. Prandaj përplasja Perëndim-Lindje është shfaqur në jetën shoqërore e politike shqiptare. Sipas Ngjelës, edhe brenda komunizmit shqiptar ka pasur një përplasje midis modernizimit perëndimor dhe frymës të prapambetur kolektiviste. Në fazën e parë që shkon deri nga fillimi i viteve të ’60-ta, regjimi komunist shqiptar ishte reformues dhe është tërësisht faji i Enver Hoxhës që parapëlqeu “komunizmin oriental” nga ai “komunizmi evropian”, për hir të ruajtjes së tiranisë së tij mbi shqiptarët. Enver Hoxha në vitin 1967 “e futi Shqipërinë në neo-osmanizmin e tij, i cili për fat të keq, është ende i pranishëm në shoqërinë shqiptare” (po aty, f.19). Madje Enver Hoxha shkoi përtej stalinizmit me refuzimin që i bëri Perëndimit. Ashtu siç e sheh këtë çështje Ngjela, Stalini, edhe pse e kolektivizoi Rusinë, nuk ndërmori një revolucion kulturor të tipit maoist, sepse në Rusi “evropianizmi” i nisur me Pjetrin e Madh e kishte fituar luftën me “modelin aziatik”. Sa kohë që Shqipëria ishte e lidhur me Moskën, edhe pse dominonte kolektivizmi, gjithsesi “gjithçka zhvillohej në një sens evropian” (po aty: 323). Këtë kufizim të Stalinit e kishte kuptuar edhe Enver Hoxha (përpara Ngjelës), prandaj ai e imitoi revolucionin kulturor kinez në Shqipëri, që të bënte atë që nuk arriti ta bënte Stalini në Bashkimin Sovjetik: ta zëvendësonte kulturën perëndimore në gjenet e shqiptarëve (Vëll. 2, 2012, f. 309-310). Kështu, komunizmi shqiptar në fazën e tij të dytë, që nga ndarja me revizionistët sovjetikë e deri sa u shemb, dëshmoi se ishte një forcë politike orientale.

Nga i buronte kjo prirje orientale Enver Hoxhës, në kundërshti me atë shumicës së popullit shqiptar? Sipas shpjegimit të Ngjelës, prirjen aziatike Enver Hoxha e kishte të kultivuar nga fryma islamike me të cilën ishte rritur në familje dhe nga dështimi që provoi në rininë e tij ku nuk arriti që të shkollohej dhe të pranohej në shoqërinë perëndimore (Vëll. 1, f. 269-270). I frustruar psikologjikisht, ai te Mao Ce Duni gjeti për ca kohë shpirtin binjak (po aty: 303), por kur ky i fundit filloi ndërrimin e kursit izolacionist të Kinës, orientimi “i natyrshëm i Hoxhës” do të ishte për nga islamistët e Iranit, prej të cilëve priste mbështetje për regjimin e vet kolektivist e të mbyllur ndaj botës: “Gjithçka duhej mbyllur në Mesjetën e tyre [të Khomeinit dhe të Hoxhës] fetare, pavarësisht nga sloganet e përdorura: marksizëm-leninizmi, lufta e klasave apo Kurani” (Vëll. 2, f. 457). Hoxha e la pas vetes litarin e Orientit në Shqipëri, sepse edhe “brenda [Ramiz] Alisë notonte një tension oriental dhe një urrejtje kundër Perëndimit”. Kjo ka qenë arsyeja primare që Enver Hoxha e kishte zgjedhur si pasardhës” (Vëll. 3, f. 82).

Nga ana e tij, Alia ia la stafetën Berishës, duke bërë që edhe në Shqipërinë e tranzicionit të vazhdonte përplasja midis individualizmit të shoqërisë dhe imponimit kolektivist të politikës: “Koha e tregoi se dy njerëz, Alia dhe Sali Berisha, në fakt kishin qenë  përfaqësuesit më të fshehur të parimit oriental të zhvillimit shqiptar” (po aty, f. 89). Ndoshta Ngjela besonte se “tirani” Berisha i viteve 1992-1997 kishte zënë mend nga dështimi për t’iu imponuar shoqërisë shqiptare, prandaj u bashkua pikërisht me të për të ndërtuar qeverisjen e parë oksidentale sui generis në Shqipëri, siç shprehej vetë Ngjela pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Por, iluzionet e tij morën fund shpejt. Ndoshta tiparet orientale e islamike të Berishës do të na i shpjegojë në hollësi Ngjela në vëllimin e ri të kujtimeve që besoj se po shkruan për vitet nga 1998-ta e në vijim….

Siç e shohim te shembulli i kujtimeve të Ngjelës, orientalizmi bashkëkohor shqiptar bazohet mbi koncepte binare, homogjene, transcendenciale dhe reduktuese, të cilat nuk janë të përshtatshme për të kuptuar dinamikat politike dhe shoqërore në Shqipëri dhe në botë. I huazuar prej periudhës imperialiste të shteteve evropiane, prej ligjërimeve të darvinizmit social dhe ideve organiciste mbi hierarkinë e racave, kombeve dhe kulturave, orientalizmi bie ndesh me projektin e ndërtimit të një shoqërie të lirë, të bazuar mbi respektimin e të drejtave dhe dinjitetit njerëzor dhe të hapur ndaj dallimeve kulturore. Prej kohësh akademikë dhe intelektualë të shquar të vendeve perëndimore po përpiqen ta shkëputin diturinë prej perspektivave eurocentriste e koloniale. Orientalizmi në studimet serioze perëndimore konsiderohet tashmë i kapërcyer dhe termi “orientalist” përdoret rëndom për të kritikuar qasje anakronike ndaj kulturave dhe popujve joperëndimorë ose për të akuzuar ato raste kur shkenca dhe mendimi vihen në shërbim të projekteve politike neo-imperialiste.

Shumë nga ata që sot e performojnë intelektualin në hapësirën publike shqiptare, kapen fort pas ligjërimeve që intelektualët seriozë në Perëndim i kanë braktisur me kohë dhe që shkenca shoqërore nuk i konsideron si kritere epistemologjike. Për më tepër, për intelektualët orientalistë bashkëkohorë shqiptarë vlen ajo për të cilën na kujton Eduard Saidi: ata e kanë tradhtuar pikërisht atë veçori të mendimit që e dallon intelektualin, përpjekjen për të rrokur përvojën njerëzore në larminë dhe tërësinë e saj dhe në përpjekjen për ta drejtuar vetëdijen e shoqërisë për nga vlera dhe ide universale. Duke mos bërë përpjekje për t’u identifikuar me tërë botën, edhe pse globalizimi është një nga termat e preferuar të tyre, duke mos bërë përpjekje për të përfytyruar botëkuptimin dhe gjykimet e “tjetrit”, por përkundrazi, duke i mëshuar çarjeve kulturore ekzistuese ose duke rikrijuar të tilla prej dallimeve dhe larmisë kulturore, orientalistët bashkëkohorë në Shqipëri kanë përqafuar islamofobinë dhe racizmin ndaj popujve të tjerë, por edhe ndaj kategorive të caktuara në shoqërinë shqiptare që etiketohen prej tij si “lindore” ose “orientale”. Ligjërimi orientalist synon ta eliminojë larminë kulturore shqiptare, ta spastrojë “trashëgiminë joperëndimore”, në emër të një qenie imagjinare shqiptare  “njëqind për qind evropiane”. Në këtë aspekt orientalizmi u kundërvihet vlerave më themelore të identitetit shqiptar: larmisë së nënkulturave, bashkëjetesës së feve dhe qytetërimeve, që historikisht janë takuar dhe kanë bashkëvepruar në mesin e shqiptarëve.

Në mendimin shqiptar deri tani ka qenë e dobët ajo vetëdije kritike, përmes së cilës e veçanta kombëtare të shihet nga prizmi universal, por edhe trajtat institucionale bashkëkohore që merr universalja të kritikohen kur janë mbulesë e interesave të veçanta ose e arbitraritetit të fuqisë. Siç sugjeron filozofi francez Mishel Fuko, besnikëria ndaj kritikës me anë të arsyes dhe dijes laike e universale nuk do të thotë që t’i përmbahesh me domosdo një doktrine të dhënë, por që të ruash një qëndrim problematizues, të riaktivizosh një frymë kritike për të gjykuar mbi kufizimet që ndeshim brenda dhe jashtë vetes. Liria nuk është një vlerë abstrakte për t’u adhuruar, por merr kuptim si një praktikë e pareshtur për të testuar kufijtë historikë të subjekteve njerëzore dhe për të eksperimentuar kapërcimin e tyre.

 

Burimi: http://shenja.mk/index.php/opinion-analize/5248-trilogjia-orientaliste-e-islamofobe-e-spartak-ngjeles.html

Cilët janë “tironsit e vërtetë”

31/10/2014 Lini një koment

Luela MYFTARI

 

CILËT JANË “TIRONSIT E VËRTETË”

Bedri Alimehmeti

Bedri Alimehmeti

  • Fjalorthi me mbiemrat e familjeve tiranase në kuadër të 400-vjetorit të themelimit të qytetit
  • Intervistë me gazetarin Bedri Alimehmeti. Ai rrëfen mbiemrat e familjeve tiranase, ndryshimet e tyre me kohën dhe rrënjët e të parëve që mbërritën në Tiranë

 

Rreth 400 vjet më parë është themeluar një qytet i madh, ai që do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Dhe ndër festimet e 400-vjetorit të themelimit të kryeqytetit, por jo si metropol, vijnë aktivitete dhe botime të shumta. E parafundit, ishte mbrëmja poetike ku aktorë tiranas interpretuan poezi të vjetra e të reja nga shkrimtarë të po kësaj zone. I fundit është një botim i ri, i cili nuk ka shumë ditë që është regjistruar në Bibliotekën Kombëtare. Është një fjalorth me mbiemrat e familjeve tiranase. Është përkujdesur për detajet një gazetar i vjetër sportiv, tiranas. Bedri Alimehmeti nuk e kishte menduar kurrë që do të botonte diçka të tillë, por sot e ndien veten mirë që ka bërë një fjalorth me mbiemrat e tironsve, siç i quan ai. Në një intervistë për “Shekullin” ai rrëfen se ky fjalorth mund të mos jetë më i miri, por ishte një nevojë urgjente që i nevojitej familjeve tiranase. Ai tregon edhe për projektin që do ta ndihmojë edhe më shumë botimin e tij.

Tirana e vjetër

Tirana e vjetër

Si lindi ideja e një fjalori të tillë?

 

Nuk e kisha menduar kurrë se, do të vinte një ditë e do të merresha edhe me përgatitje fjalorësh ose thënë më saktë të hulumtoja në fushën e kërkimeve shkencore. Ndërkohë më duhet të pohoj se, fjalorët më kanë tërhequr gjithnjë, qoftë ato gjuhësorë, terminologjikë apo enciklopedikë.   Pas këtyre të fundit sidomos grishja ime është ende e pafund. “Zhytem” në to dhe nuk dua t’ia di për asgjë tjetër. Përpos obligimit qytetar them se realizimin e këtij fjalori modest e ka nxitur edhe ajo dëshira e madhe prej tiransi zemërplot, që dëshiron t’u dhurojë diçka me vlerë bashkëqytetarëve, pa harruar se domosdoshmëria e kësaj pune për të gjithë ne banorët e kësaj treve të pakrahasueshme në vlera mendoj, ka qenë më shumë se imediate.

 

Sa i vështirë ishte rrugëtimi drejt botimit?

 

Nga dita në ditë teksa pyesja të afërm, miq e shokë, bisedoja me prindërit e mi që në atë periudhë ende jetonin. Pyesja plot tiranas të moshuar, sidomos kur më jepej mundësia nëpër ambiente të ndryshëm, përfitoja nga ç’më informonin intelektualë e njerëz të thjeshtë dhe shënoja pa pushim në bllokun tim, faqet e të cilit nga dita në ditë mbusheshin. Ndërkohë, gjatë punës e deri në çastet që jetonin, kam pasur konsulencën e vazhdueshme të Prof. Dr. Shefqet Ndroqi në atë kohë kryetar i Shoqatës “Tirana” dhe të pedagogut Petrit Kusi në atë kohë sekretar i shoqatës. Gjithë këto vite, kam udhëtuar jo pak thuajse nëpër të gjithë fshatrat e rrethit të Tiranës, me qëllimin e mirë për ta pasuruar sa më shumë këtë studim, për të cilin kam mendimin që pavarësisht punës e përpjekjeve të mia, jam i bindur që në drejtim të nivelit shkencor ai mbetet në atë modest.

 

Keni ndër mend ta përsosni edhe më tej? Si?

 

Për ta përsosur sa më shumë këtë studim do të kërkoja nga të gjithë lexuesit, e sidomos për familjet tiranase plotësimin e një skede të thjeshtë, të cilën mund ta përcjell edhe këtu. Janë pesë pyetje të cilat me siguri do të më ndihmojnë mua të bëj një libër edhe më të mirë. Pyetja e parë: Afërsisht deri në sa breza mbahet mend në familjen tuaj vendosja e të parëve në qytetin e Tiranës? Pyetja e dytë: Nga ç’katund apo zonë e kësaj treve erdhën të parët e familjes tuaj? E treta: Në ç’zonë të qytetit të tanishëm e ngritën ata vendbanimin e tyre? E parafundit por jo më pak e rëndësishmja është profesioni bazë apo karakteristik që ka trashëguar apo ka ushtruar familja? Po ashtu edhe figura të shquara që   spikatën ndër vite nga gjiri i fisit tuaj: atdhetarë, klerikë, dijetarë, mësues, artistë, shkenctarë, sportistë, shkrimtarë, poetë, muzikantë inxhinierë, doktorë, këngëtarë, piktorë, skulptorë profesionistë të njohur në ushtrimin e zanatit të tyre, figura të nderuara, dëshmorë, të persekutuar nga diktatura etj. janë shumë të rëndësishëm. Sikur të gjitha këto detaje të vinin për çdo familje tiranase në adresën time elektronike unë do të isha i prirur për të realizuar një botim edhe më të pasur.

 

Si mund t’ua bashkëngjisin këto të dhëna tiranasit e vjetër?

 

Nëse nuk do të mungoj dëshira e mirë në plotësimin e këtij pyetësori të thjeshtë, e sidomos dërgimi i të dhënave të tij në adresën time elektronike (balimehmeti2006@ yahoo.it), pse jo dorazi mua personalisht apo edhe në zyrën e Shoqatës “Tirana”, kam mendimin që në një botim të dytë ky studim do të përmbajë vërtet vlera të pakrahasueshme, për të cilat brezat e ardhshëm sigurisht do të na jenë shumë mirënjohës, pa harruar që niveli i tij do të ngrihet në atë të një fjalori enciklopedik, çka do të na nderonte të gjithëve.

 

Urdhëresat që i detyruan tiranasit të ndërronin mbiemrat

 

Historia e njerëzimit vërteton se, në krye të herës mbiemri nuk ka qenë bashkudhëtar me emrin. Fillimisht, njerëzit dallonin nga njëri-tjetri vetëm nëpërmjet emrave, por me kalimin e kohës kur shumë prej tyre nisën të përsëriteshin, çka solli padyshim jo pak vështirësi në evidentimin e personave të veçantë, kjo gjë u bë e pamundur. Kjo dukuri solli domosdoshmërisht mënyrën tjetër të dallimit të tyre nga njëritjetri duke shtuar pas emrit fshatin, qytetin apo diçka tjetër me të cilën kishte lidhje personi. Personat nisën të dalloheshin mes tyre nëpërmjet emrave të nënave e baballarëve. Kjo vazhdon ende sot. Por, tashmë është më etike ta thërrasim njëri-tjetrin me mbiemra. Alimehmeti na tregon edhe për shndërrimet e mbiemrave të familjeve tiranase.

 

A keni hasur mbiemra të zonave të tjera?

 

Po, sidomos në zonat e fshatrave të Tiranës, kam hasur mbiemra me prejardhje nga krahina të veriut e jugut të Shqipërisë. Lidhur me këtë problem burime gojore qartësojnë se, një fenomen i tillë migrimi ka qenë i kushtëzuar për shkak të gjakmarrjes. Për të mos u shuar nga hasmëria familje të ndryshme nga zonat e lartpërmendura janë shpërngulur dhe kanë kërkuar strehë në fshatra të thella të malësisë por, edhe brenda në qytetin e Tiranës.

 

A ka pasur ndryshime mbiemrash?

 

Duke iu referuar zhvillimeve historike mësojmë se, veçmas gjithë këtyre dukurive që thamë ka pasur edhe arsye të tjera, që kanë detyruar familje të caktuara të ndryshojnë mbiemrin më shumë se një herë. Kështu e para urdhëresë qeveritare e shtetit shqiptar, që detyronte të ndryshonin mbiemrin familjet të cilat mbanin si të tillë emra fshatrash apo qytetesh, ka qenë ajo e vitit 1937, dalë nga qeveria e Mbretit Zog. Nuk dihen arsyet që detyruan qeverinë e asaj kohe të nxirrte atë urdhëresë, por pas publikimit pati jo pak familje, të cilat e bënë realitet këtë gjë. Në trevën e Tiranës lidhur me këtë dëshmon rasti i fisit Arbana, disa prej familjeve të të cilit morën mbiemrin Mema, emri i një lagjeje të këtij fshati të Tiranës, prej nga kishin origjinën. Kështu ndodhi edhe në fisin Tufina, një pjesë e familjeve të të cilit morën mbiemrin Balena. Në fisin Mëniku, që mori mbiemrin Beliu etj. Edhe pas çlirimit, u hodh sërish idea e ndryshimit të mbiemrave, por këtë herë për familjet që mbanin për mbiemër emra njerëzish.

 

Po ju keni diskutuar ndonjëherë në familjen tuaj për ndryshim mbiemri?

 

Kam qenë i vogël në moshë por, gjithsesi më kujtohet shumë mirë për disa net me radhë në shtëpinë tonë mblidheshin burrat e bisedonin deri vonë me gjyshin për këtë problem. Them me gjyshin, sepse ai e kishte shumë të vështirë ta bënte këtë gjë. Gjithsesi, falë pikërisht atyre diskutimeve të gjata u gjet mbiemri Metali, i cili në një farë mënyre e ngushëllonte tim gjysh, ngaqë edhe pse bëhej fjalë për një mbiemër “metalik” në përbërje të tij ishin si Aliu i pari i fisit ashtu edhe Meti (Mehmeti) i ati i tij. Një pjesë e familjeve të fisit tonë, nuk e di për ç’arsye kishin vendosur të mbanin mbiemrin Arxhami. Ndërkohë, familje të tjera tiranse kishin bërë projektet e tyre. Por, një gjë e tillë u bllokua shpejt, madje vetëm pak ditë pas daljes së urdhëresës. Shkaku e arsyeja nuk u thanë kurrë. Ndonëse jo pak njerëz e kishin më se të qartë se, urdhri për ndalimin e saj duhej të kishte dalë nga zyrat e sigurimit të shtetit. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Madje, nëse do të ishte zbatuar ai vendim, gjurmët e shumë “armiqve” të popullit do të ishin zhdukur.

 

Tironsit, minoritet në shtëpinë e tyre

 

“Ne tiransit kemi mbetur pakicë fare, më mirë me thonë jemi shndërruar në një minoritet në shtëpinë tonë.” Kjo ishte fjalia që e shtyu gazetarin sportiv, Bedri Alimehmeti që të niste e të mendonte për fjalorthin që sot mund ta kemi në dorë shumë thjesht.

 

Kur nisët të punonit për këtë fjalor?

 

Momenti i pikënisjes për punimin e këtij studimi, kujtoj ka qenë viti 1995. Ishte një e diel pranverore me shi. Atë ditë në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve (sot në ambientet e kinemasë tek Pedonalja e kryeqytetit) zhvillonte punimet Konferenca III e Shoqatës “Tirana”. Edhe pse mot i keq me shi, tiransit ishin grumbulluar me dëshirën e zjarrtë e dashamirësinë e pakufishme për të kontribuar sadopak për qytetin e tyre. Nuk kishte ardhur ende ora e fillimit. Bisedat midis shokësh e miqsh ishin “ndezur” në korridorin përpara hyrjes si edhe në ambientet e sallës. Befas tek po shkëmbeja disa mendime me një grup shokësh tek dera e hyrjes për në sallë, më kapi veshi tekstualisht këtë frazë: “Ne tiransit kemi mbetur pakicë fare, më mirë me thonë jemi shndërruar në një minoritet në shtëpinë tonë”.

Ishte një frazë vërtet tronditëse, që si një thikë e mprehtë m’u ngul keqas në thellësi të shpirtit. Kur u ktheva ta shikoja në sy bashkëqytetarin që kishte lëshuar atë “mandatë”, për fat të keq isha vonuar. Prapa meje nuk kishte asnjeri. Sigurisht, bashkë me turmën e pjesëmarrësve ai duhej të kishte zënë vend në sallë, ku pas pak do të mbahej konferenca. Gjithsesi përgjigjen që isha bërë gati t’ia thoja atë çast vendosa ta shkruaj në radhët e këtij bashkëbisedimi me ju: “Jo nuk është ashtu i nderuar vëlla. Ne kemi qenë, jemi dhe gjithnjë kemi për të qenë shumë. Madje, të jap fjalën që do t’i kërkoj e do t’i mbledh një e nga një të gjithë mbiemrat e familjeve autoktone tiranse dhe të të gjithë trevës tonë. Dhe do t’i radhis mirë e bukur për t’i ditur e mos i harruar kurrë së pari unë e ti, pastaj fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve brez pas brezi të të gjithë ne bashkëqytetarëve të kësaj treve si dhe të gjithë ata që i duan, i çmojnë e i nderojnë tiransit zemërbardhë, shpirtmëdhenj, gojëmbël e bujarë si askush. Të jap fjalën e burrit për këtë”. Dhe sinqerisht jua them, shënimet e para për këtë studim, nisa t’i hidhja në bllokun tim që në atë sallë.

 

Emrat shkurt

 

Konkretisht, mua shumë nga të afërmit e farefisi vijojnë të më evidentojnë ende me emrin e tim eti. “Bedriu i Qazimit”, – jo pak herë qëllon të më thonë edhe sot. Ndërkohë që, më kujtohet në mëhallën tonë kishim katër shokë që quheshin: Skënder ose shkurt Neri siç ishim mësuar t’i thirrnim ne. Këtyre shokëve për t’i dalluar nga njëri-tjetri u shtonim nga pas emrat e nënave: “Neri Dijes”, “Neri Hones”, “Neri Mides” dhe “Neri Vajes”. Shokë të tjerë, që mbanin të njejtët emra i thirrnim duke u shtuar nga pas emrat e baballarëve si psh: “Meti Shabonit”, “Meti Shitit”, “Meti Kasemit”, “Meti Hasonit” etj. Rast tjetër: “Çimi Tahirit”, “Çimi Tutit”, “Çimi Rremës” etj. Ose sërish me emrin e nënës: “Gimi Shadijes”, “Gimi Nadires”, “Gimi Shajes”, “Gimi Meremes” etj. Dhe me shembuj të tillë mund të   vijojmë gati pafundsisht. Por, nuk mbaron këtu. Gjatë këtyre ndryshimeve jo pak nga mbiemrat u mbetën përjetësisht personave. Pra, familje të caktuara vijuan të evidentoheshin përfundimisht nëpërmjet tyre me këtë lloj mënyre. Pati gjithashtu edhe nga ata që përdorën për mbiemër emrin e të parit të fisit, të cilit i shtuan nga pas atë të babait, duke krijuar kështu një bashkim emrash që i dallonte mirë e bukur nga të tjerët. Dhe për të qenë sa më të saktë në këtë drejtim po ju sjell si shembull rastin e mbiemrit të familjes time. Sipas gojëdhënës, e cila ka mbijetuar brez pas brezi nëpër familjet tona, i pari i fisit quhej Ali, kurse i ati i tij Mehmet. Në krye të herës e për shumë vite me radhë ai thirrej “Aliu i Mehmetit” derisa përfundimisht u krijua mbiemri Alimehmeti, të cilin vijojmë ta mbajmë edhe sot e kësaj dite.

 

Burimi: http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=54772&kat=104

Mëhalla e vjetër (poezi)

25/09/2014 Lini një koment

Bedri ALIMEHMETI

 

MËHALLA E VJETËR

(Poezi)

Tiranë - Çarshia e Vjetër

Tiranë – Çarshia e Vjetër

Eh moj mëhalla ime e vjetër
Kujtimet e tua gjithë balsam
Nuk të ndërroj me asnjë tjetër
Përjetsisht në zemër të kam

Ndën asfalt flenë kalldramet
Aty dhe topi leckës ka mbetur
Tabakët e balonës dhe kallamet
Kurrë jo jo s’kanë për t’u tretur

Ja dhe kukullat e motrës time
Si gjithnjë radhitur tek penxherja
Mbrapa shtëpis kumlla shenjine
Gati trahanaja pret ke tenxherja

Po rrethi i diskut të biçikletës?
Ku do të ketë mbetur kush e di?
Librat e verdhë, historia Kozetës
Filmi “Timuri dhe skuadra e tij”

Kafazi i pëllumbave lart tek hatllat
Gugat hinsi dykaçlyçs pa pushim
Kokbardhi e pullkuqi rrahin flatrat
Nonija te pusi mush ujë me nxitim

Nuk po e gjej krrabën e llastikut
Ku e ke lon çimo e mban mend?
“Shifni t’keqen nona n’moj t’fikut
Atjena e kini lonë jo m’qetër ven”

Skena teatrit, atje poshtë te hajati
Mbi telin e lëverve, perde një çarçaf
Grupi jonë: unë, çimi, Niku e Taqi
“Shërbtorin e dy zotnive” do shfaq

S’ka llafe të gjithë me bileta
Jari i shet tek shtylla leterikut
Gocat lejnë lojën me peta
Hall Netit i këputet litari çikrikut

Moma përkul tek makina qepse
Gjyshi mbi pastiqe këndon Kuran
Nonija në dorë me lugën qepshe
“Qyqja, s’paska farë kosi n’filxhan!”

Gocat kapin marë punët e shpisë
Shkunin qylymat, pastrojnë oborrin
Usta Bërhimi në mojë të çatisë
çikat nji nga nji me kujdes i mori

Dasëm, gjithë mëhallja u tund
Martohet Seri, perria me dy gërsheta
Bukuri e saj nuk gjendet kërkund
Shtatin selvi, sytë e vetllat e zeza

Synetlliqe, gjithë verës papushim
Vlon kënga e ahengu nëpër oborre
Rrem Mumajesi në mandoll xhind
Rrem Gurra mjeshtër në qemone

Burrat n’karrike oborrit për rreth
Nuset këndojnë “Tufa-tufa zerdeli”
Berberi gatitet, briskun mirë mpreh
“Njefshi ei martofshi çunat synetli”

Degët e monit po tunden fort
“Majeni mirë çarçafin t’keqen nona
Asnji kokërr t’mos na bjeri m’tokë
Të hani e të kënoqeni me mona”

Po ai çuni i vogël, ç’ka që po qa?
Kush e rrafi, iu thafshin dy durët?
Buka me voj e krypë nga dora i ra
Puthe tre herë lali dhe vene ke gurët

Mëhallë e shtrenjtë tek rruga trenit
Shkolla jonë tek Dervish Hatixheja
Me emrin simbol “Lidhja e Prizrenit”
Në rrjesht të gjithë me rroba të reja

Nga zërat tanë oborri gumëzhin
Ne me çanta lecke, gocat me përparëse
Oh zilja ëmbël-ëmbël po tringëllin
Pa zhurmë brënda, klasë pas klase

Eh moj mëhalla ime e vjetër
Kujtimet të gjitha m’u zgjuan
Nuk di për ty ç’të të them tjetër?
Tashmë, kur kaq e kaq vite shkuan…

 

—————-
Tiranë, Shtator 2014

Myzejen Myftari (Intervistë)

06/07/2014 Lini një koment

MYZEJEN MYFTARI

(Intervistë)

Myzejen Myftari

Myzejen Myftari

– Në fillim dy fjalë për veten – Kush është Jeni?

Më quajnë Myzejen Myftari, ose Jeni Myftari, siç më thërrasin të afërmit, shokët, miqtë dhe pothuajse të gjithë britanikët këu. Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Vij nga një familje qytetare tiranase, me tradita të thella atdhetare dhe fetare, cilësi të cilat me shumë përkushtim na i kanë mëkuar mua dhe vëllait tim, Bledarit. Lindur dhe rritur gjatë periudhës së monizmit, e arsimuar jashtë dhe brenda Shqipërisë, specializuar në fusha që vështrojnë nga pika krejt të ndryshme me njëra tjetrën, një udhëtare e përhershme nëpër botë, njohëse e kulturave dhe gjuhëve të ndryshme, mund të them se jeta ime është një varietet i plotë. Aq shumë ndryshime kanë ndodhur në jetën timë sa shpesh më duket se kam mbi një shekull që kam lindur.

Në mars të 1992 udhëtova për në Kairo, bashkë me vëllanë dhe me katër shoqe, të gjitha nga Tirana. Në Kairo mësuam gjuhën Arabe, pranë Universitetit të Al Az’harit. Më pas udhëtuam grup, për në Jordani ku kreva studimet në Jurisprudencë Islame dhe Gjuhë Letërsi Angleze. Në 1998 u kthyem në Tiranë. Lufta e Kosovës më gjeti N.Kryetare të Gruas në Komunitetin Mysliman dhe mësuese të lëndëve juridike në Medresen e Durrësit e të gjuhës Angleze në Medresen e Tiranës. Veç punës së përditëshme iu përkushtuam të largurve nga Kosova, që u strehuan në vakëfet shqiptare. Kanë qëne kohë të rënda, që kërkonin shumë energji dhe përkushtim. Në 2000-shin fillova punë në Ambasadën e Arabisë Saudite ku punova deri me ardhjen time në Britani.

 

1. Si e mbani mend ardhjen tuaj të parë në Londër – cfarë ju shtyu të merrni vendim që të jetoni këtu?

Për herë të parë në Londër kam ardhur në vitin 2003. Jam diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Jordani dhe më duhej t’a mbroja gjuhën në një universitet të një vendi anglishtfolës. Atë kohë punoja si Këshilltare Politike në Ambasadën e Arabisë Saudite në Tiranë dhe gjatë fundjavave punoja si punonjëse sociale për programin e Edukimit të Jetimëve, me një organizatë bamirëse Britanike. Duke patur këto mundësi e pata shumë të lehtë të aplikoj për vizë, veç kësaj kam bindjen personale se gjuha mësohet dhe perfeksionohet në vendin e saj të origjinës.

Lidhur me pyetjen tuaj se çfarë më shtyu të marr vendimin për të jetuar në Britani, mund të them se nuk ishte një vendim i imi, por një vendim i paracaktuar nga Zoti. Thjeshtë, ishte e shkruar të martohesha me një shtetas shqiptaro-britanik, i cili jeton dhe punon në Londër, që prej 22 vitesh.

2. Sa e vështirë ka qenë për ju që të përshtateni me botën londineze?

Nisur nga fakti se nuk kam patur problem me gjuhën dhe se në Britani kam qenë edhe dy herë të tjera para martesës sime, më 2009, kohë nga e cila jetoj në Britani, mund të them se nuk e kam patur të vështirë të përshtatem me jetën e këtushme. Londrën e njihja si qytet, ndërsa si njerëz mund të them se nuk e njoh mirë akoma, as sot. Në Britani mund të takosh dhe të krijosh me lehtësi shoqëri me britanikët, por nuk është aq lehtë të krijosh shoqëri me anglezët. Ata janë më konservatorë në kuptimin e shoqërisë. Edhe nëse i njeh, mbetesh i njohuri i tyre por nuk do të thotë se je miku i tyre.

3. Ju ndërkohë edhe studioni – mund të na flisni pak për studimet tuaja?

Po vërtet, kam në dorë një Master, të cilin për momentin e kam ndërprerë për arsye financiare. Ky është Master në Diplomaci Ndërkombëtare të cilin po e bëj në Akademinë Diplomatike të Londrës, pranë Universitetit East Anglia.

Diplomacia është fusha në të cilën kam punuar për dhjetë vite në Tiranë, deri ditën që udhëtova për Britani. Për hir të së vërtetës, Diplomacia Ndërkombëtare nuk është aspak fushë e re për mua, por këtë herë kam patur mundësinë ta shoh nga një këndvështrim ndryshe prej studimeve të mëparëshme, nga këndvështrimi i një vendi anëtar të BE dhe konservator në pikëpamjet e tij, në të njejtën kohë.

4. Jeni bashkëshorte e një diplomati – si do ta përshkruanit jetën tuaj së bashku?

Të jesh bashkëshorte e një diplomati nuk është aspak e lehtë. Në planin personal të duhet të bësh shumë sakrifica duke filluar që nga pritjet e stërzgjatura për shkak të vonesave me karakter pune të bashkëshortit e duke vazhduar më pas me atë që është shumë e rëndësishme në jetën e një njeriu; kariera personale. Bashkëshortes së një diplomati, në të shumtën e rasteve, i duhet të heqë dorë nga kariera personale për hir të karierës së bashkëshortit.

Përsa i përket jetës sonë së bashku, mundohemi ta bëjmë sa më të gjallë, larg rutinës së përditëshme. Ka ditë që janë shumë intensive dhe të mbushura me aktivitete sa nuk të mbetet pothuajse aspak kohë as për vete e as për familjen ashtu siç ka ditë që janë më të qeta.

Kemi shumë të përbashkëta me Bejton që i ndajmë me njëri-tjetrin. Përveç diplomacisë ajo që na bashkon të dyve është edhe dëshira dhe pasioni për të studiuar. Atë pak kohë që kemi në dispozicion së bashku, e kalojmë duke u konsultuar e biseduar për tema nga më të ndryshmet, më së shumti që kanë të bëjnë me historinë e shqiptarëve, me kërkimet në arkiva dhe biblioteka të ndryshme, ose ulemi pranë kompjuterit në kërkim të gjurmëve të historisë së harruar të shqiptarëve. Të shtunat zakonisht i kalojmë në Arkivin Kombëtar Britanik ose në bibliotekë, gjithmonë në kuadër të studimeve apo në kërkim të burimeve historike. E djela është dita që tërësisht ia kushtojmë familjes.

5. Sa ka ndryshuar jeta juaj në Angli krahasuar me atë në Shqipëri? Cili është ndryshimi?

Nëse kërkohet një përqindje për të bërë krahasimin, atëherë do të thoja 100%. Mund të them prej fillimit se më mungon Tirana. Në Tiranë kam patur një jetë shumë aktive.

Pas një kohe të gjatë studimi dhe experience, pata krijuar karierën time në katër plane njëkohësisht; atë të Jurisprudencës Islame, të fushës së Diplomacisë, drejtuese e një program edukimi për fëmijët jetimë dhe studente (në 2002 kam mbrojtur Masterin për Jurisprudencë Islame në Kairo, më 2008 kam kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, pranë Universitetit të Tiranës dhe në 2009 kam mbrojtur masterin për Marëshënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Strugë), krejt të kundërta në dukje, por që me personin tim përshtateshin plotësisht. Kam qenë gjithmonë në lëvizje, nuk kisha kohë të pushoja kurrë. Punoja nga e hëna në të hënë. Pasditeve i ipja një dorë mamit në shtëpi, mbrëmjet ishin të mbushura me aktivitete shoqërore. Dua të theksoj se kemi patur gjithmonë të njejtën shoqëri me vëllanë, kështu që dhe lëvizjet bëheshin shumë më të lehta. Linim takim në shoqërinë në qendër të Tiranës, por shpesh përfundonim duke pirë kafe në Durrës. Pas darke gjithmonë kam studiuar. Më pëlqen të studioj natën, kur të tjerët flenë dhe është qetësi e plotë. Gjumë flija fare fare pak, por isha shumë e lumtur dhe e suksesshme.

Kur erdha në Britani të gjithë më thanë se nuk do të kisha asnjë problem për punësim, pasi kisha njohuri dhe eksperiencë në dy fusha shumë të rëndësishme për këtë vend; atë të Jurisprudencës Islame dhe të Diplomacisë, një kombinim mjaft i kërkuar në një vend multikultural si Britania. Por realiteti ishte krejt ndryshe. Vendosja ime në Briani përkoi me fillimin e krizës financiare në këtë vend. Shumë institucione u mbyllën dhe për pasojë me mijëra e mijëra vende pune u shkurtuan dhe vazhdojnë të shkurtohen dita-ditës.

Ajo që mund të them është se edhe pse tashmë jam shtetase Britanike, akoma dhe sot, jam pa punë. Bëj punë të shumta vullnetare, veçanërisht me komunitetin por ajo që është e rëndësishme, një punë me pagesë, nuk e kam gjetur. Kam bërë me mijëra aplikime online, pothuaj në të gjitha organizatat që merren me të Drejtat e Njeriut, Grave, Fëmijëve, me çështjet e emigracionit, në Universitete të ndryshme, institucione diplomatike etj. por duket edhe këtu sistemi funksionin njëlloj si kudo; duhet të njohësh dikë nga brenda ose … të kesh shumë fat.

Përsa i përket jetës shoqërore mund të them me plot gojën se, përveçse më mungon familja ime, më mungon edhe jeta, hareja dhe shoqëria e Tiranës.

6. Sipas jush cili është ndryshim mes grave shqiptare që jetojnë në angli dhe atyre që jetojnë në Shqipëri e Kosovë?

Pyetje shumë e vështirë për të dhënë një përgjigje difinitizuese. Në përgjithësi nuk më pëlqen difinitizimi pasi më duket se duke përkufizuar një fenomen, lemë jashtë, shumë prej realitetit të tij.

Para se të them ndryshimin mes shqiptareve në Britani dhe atyre në vendin e origjinës, Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni (që shpesh harohen ose nënkuptohen kur përmendim Kosovën) më duhet të them se paçka vendit ku jetojnë femrat shqiptare kanë mentalitet dhe mendësi të ndryshme në varësi të vendit të origjinës nga vijnë.

Kam patur mundësi të jetoj pranë komunitetit shqiptar të Kosovës dhe Maqedonisë që prej vitit 1992 e në vazhdim. Pas martesës sime, më 2009, kam patur mundësi t’a vëzhgoj më nga afër këtë komunitet, jo vetëm për faktin se këtu në mërgim njerëzit sikur ndihen të afërm me njëri-tjetrin por edhe për faktin se bashkëshorti im është nga Prizreni.

S’di ç’të them…! Më duket (mbase jam gabim por është mendimi im personal) se shqiptaret e Shqipërisë, në përgjithësi, janë më mendjehapura, më të prirura për të pranuar ndryshimet, më luftarake dhe kanë ambicje për të ecur përpara, ambicje këto të cilat përpiqen shumë për t’i realizuar. Vështrimi i tyre është drejt arsimit, jo vetëm për fëmijët por edhe për veten e tyre. Edhe pse të përkushtuara ndaj familjes dhe fëmijëve, nuk mënojnë të përballen me sfidat e të ecurit përpara. Janë, si i thonë fjalës, edhe të shkollës e karierës edhe të shtëpisë.

Jo e njejta gjë ndodh me masën e femrave që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia. Sipas meje,  duke ardhur në origjinë nga një ambjent më konservator ato e kanë më të vështirë të dalin jashtë këtij ambienti, edhe pse jetojnë në një vend multikultural si Britania. Mendoj se shqiptaret e Kosovës dhe Maqedonisë janë më tradicionale, vërtet dashamirëse ndaj arsimit të fëmijëve, por pjesa më e madhe nuk bëjnë përpjekje për arsimin apo ndërtimin e një karriere profesionale. Kjo, jo pse ju mungon aftësia por mbase jo të gjitha i kanë mundësitë për ta bërë këtë. Duket se kjo gjendje, më shumë se përzgjedhje personale është përzgjedhje e bashkëshortëve të tyre apo e familjes së bashkëshortit e rrethit ku ato jetojnë, që nuk i le të lira as këtu në Britani. Shqiptaret e Kosovës dhe Maqedonisë sikur janë më tradicionale dhe janë më shumë të përkushtuara pas familjes se pas përparimit të tyre. Në fund gjithçka mvaret nga ajo që njeriu kërkon nga vetja.

Por gjithsesi, pesha kryesore në këtë frenim të femrës shqiptare, për të ecur përpara, i bie konservatorizmit të burrit, në pikpamjen ndaj bashkëshortes. E përgjithshmja e meshkujve  shqiptarë, paçka se nga vijnë, është se ata mundohen të tregohen dhe sillen shumë liberalë në shoqëri, por kur vjen puna tek bashkëshortja, një pjesë e mirë e tyre, madje dhe intelektualë, i kthehen Kanunit të Lekës.

A ka ndryshim ndërmjet femrave shqiptare në Britani dhe atyre që jetojnë në vendet e origjinës?

Po sigurisht që ka dhe këto ndryshime janë të shumta. Mundësitë që ofron Britania janë më të shumta se ato që ofrojnë vendet e origjinës. Duke patur në mendje faktin që pjesa më e madhe e shqiptarëve këtu ne Britani, vijnë nga zonat rurale, mund të them se në jeta e pjesës më të madhe prej tyre ka ndryshuar ndjeshëm. Femrat, në veçanti, nuk janë më ato nuset shtëpiake që kanë qenë në vendlindje, por mundohen të ndryshojnë vetveten dhe familjen duke ju përshtatur vendit ku jetojnë dhe kulturës së këtij vendi.

Nuk dua që dikush të preket dhe ta marri personal këtë opinion timin, pasi unë po mundohem të bëj një përmbledhje të fenomenit në përgjithësi. Sigurisht që ka përjashtime dhe ato janë të shumta.

7. Nëse do të zgjidhnit ku të jetonit cili është vendi juaj i preferuar?

Pa dyshim që do të zgjidhja Tiranën.

8. Cili është synimi juaj për të ardhmen – si e shihni të ardhmen tuaj?

Synimi për të ardhmen?? Shpresoj që në një afat të shkurtër Zoti të më mundësojë të gjej një punë dhe të mund të siguroj mjetet e nevojshme për të vazhduar Masterin aty ku e kam lënë. Më pas dëshiroj të përmbush ëndërrën time dhe të prindërve të mi për të përfunduar studimet në PhD, për të cilën, gjithashtu, më duhen mjetet financiare. Ndërkohë nuk e di nëse një ditë do të mund t’a vazhdoj karrierën time aty ku e kam lënë, apo do të më duhet t’a nis gjithçka nga zero. Jam në kërkim të të qenit përsëri vetvetja.

Si e shoh të ardhmen time?

Të jesh anëtar i një trupi diplomatik do të thotë të bësh një jetë gjithmonë në lëvizje. Dikur thonim “si oficerët me rroba në krahë”, tani mund të themi “si diplomatët me valixhe në dorë. Ti si individ asnjëherë nuk je në gjendje të bësh një plan fiks për të ardhmen dhe nuk je ti që vendos për lëvizjen tjetër në jetën tënde. Kur dhe ku do të lëvizësh për të vazhduar jetën më tutje nuk mvaret prej teje.

Jeta në lëvizje të vashdueshme, nuk të jep mundësinë të krijosh vizione të qarta për të ardhmen tënde. Ato mbeten në kufinjtë e dëshirave dhe përpjekjeve për t’i arritur këto dëshira. Nga ana tjetër, një jetë gjithmonë në lëvizje ka pozitivitetet e saj, për faktin se ke mundësinë të njihesh me vende dhe kultura të reja. Ky variacion krijon tek individi një eksperiencë që pak kush ka mundësinë ta akumulojë, por që shoqëria duhet të gjejë rrugët dhe mundësitë t’a shfrytëzojë për të mos mbetur i mbyllur në kufinjtë personal.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: