Home > Albanologji, Orientalizmi shqiptar > Ferid Vokopola: Rebeli i Lushnjës, që përkthente Kuranin dhe dashuritë e Khajamit

Ferid Vokopola: Rebeli i Lushnjës, që përkthente Kuranin dhe dashuritë e Khajamit

Ferit Vokopola

Myzaljen HOXHA

FERID VOKOPOLA: REBELI I LUSHNJËS, QË PËRKTHENTE KURANIN DHE DASHURITË E KHAJAMIT

I frymëzuar nga kjo ngjarje historike, ai shkroi himnin e Kongresit të Lushnjës. Poezia e këtij himni është një muzikalitet me tinguj melodioz, po ashtu sikurse vetë muzika është poezi me tinguj. Në fushën e legjislacionit Ferid Vokopola u shqua si një nga ligjbërësit kryesorë të Parlamentit të viteve ‘20-‘30. Ai së bashku me deputetë të tjerë të besimit mysliman përgatitën dhe miratuan në Parlament Kodin Civil të viteve ’30 dhe që u vlerësua si hapi më i rëndësishëm për përparimin dhe zhvillimin e vendit.
Ferid Vokopola lindi në Vokopolë të Beratit në 18 gusht 1887. Atdhetar dhe njëri nga pjesëmarrësit e Kuvendit Kombëtar të Vlorës. Në 1920-n ishte ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës. Gjithashtu, iu përkushtua fesë dhe ishte ndër themeluesit e Medresesë së Tiranës dhe bashkëpunëtor i njohur i shtypit laik e fetar. Autor i veprës “Gjëmimi i Tomorrit”, përmbledhjes me vjersha “Symbyllazi me ëndërrime” dhe vëllimit me poezi “Fluturimet e shpirtit”.
Ai përktheu Kuranin dhe la në dorëshkrim Kalendarin osman. Në shtypin shqiptar të viteve ‘20-‘30 ndriçoi pena e fuqishme e Ferid Vokopolës, si një prej figurave poliedrike të kohës.
Studioi në Universitetin e Stambollit për drejtësi dhe ekonomi. Ai ishte politikan, ekonomist, teolog, poet, filozof dhe eseist.
Më 28 nëntor 1912, Ferid Vokopola firmosi dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë si delegat i Vlorës. Më 1914 bëri pjesë në ekipin e Ministrisë së Bujqësisë të Qeverisë së Durrësit. Pikërisht në këtë kohë ai hartoi kriterin e përkthimit dhe të komentimit të Kuranit.
Atdhetari i flaktë Ferid Vokopola në kujtimet e tij, lidhur me ato ditë të vështira të pragshpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, viti II, nr. 6-7 të dt. 30 janar e 1 shkurt 1914, shkruan: “Vjen miku im, i ndjeri Nebi Sefa para se të nisesh për Kavajë e më lajmëron se Komanda Otomane ka burgosur në hotel të Shaqir Beut delegatët nga Kosova, zotërinjtë Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovicën. Menjëherë biseduam me shokë dhe morëm udhën të vemi, unë, Nebi Sefa e Taulla Sinani me një patrullë pesë vetësh për t’i liruar, dhe i liruam për të shkuar drejt Vlorës…”
“Pastaj u nisëm përmes Myzeqesë në ato kohëra të këqija nga dimri i fortë e arritëm në Fier, ku takuam edhe Ismail Qemal beun me shokë. Ismail Qemal beu në zyrën telegrafike merrte shpjegime mbi situaten e okupasjoneve dhe jepte këshilla mbi masat që duheshin e me padurim te mblidheshin delegatët shpejtësisht në Vlorë. Kur ishim në zyrën telegrafike më vjen një telegram mua nga nëna ime që ishte me plevit tepër të rëndë dhe Ismail beu më thotë: shko biri im në Berat, hallallosu me mëmën, ti marrësh uratën e pastaj hajde ne Vlorë me delegatet e Beratit. Duke e digjuar, unë i thashë se jam nisur për Mëmën Shqipëri, e uratën kam me ja marë kësaj. Ai më përgëzoi atenisht me një bravo, e cila i buroj nga zemra… dhe vuna re se sytë i kishte të lotueshëm. Nga Fieri u nisëm për Vlorë. Atje Agallarët Sharra çelën shtëpinë e na pritën me bujari të madhe. Ndërkohë prisnin me padurim të vinin delegatët e vëndeve të tjerë”.
Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë u botua në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, edhe nën kujdesin e firmëtarit më të ri të Aktit të Pavarsisë (vetëm 25 vjeç) Ferid Bej Vokopola.
Gjatë periudhës 1920-1928 u zgjodh deputet i Vlorës, kurse gjatë viteve 1928-1939 deputet i Beratit. Pikërisht në këtë kohë, në bashkëpunim me Sali Vuçiternin e të tjerë, ai bëhet një nga organizatorët kryesorë për themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe jep një kontribut të ndjeshëm për ngritjen e Medresesë së Përgjithshme të Tiranës.
Më 26.10.1927 deri më 10.5.1928 Ferid Vokopola mbuloi postin e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Shqiptare.
Në Kongresin e Lushnjës (21.1.1920) ai mbajti fjalën e hapjes dhe u zgjodh Sekretar. I frymëzuar nga kjo ngjarje historike, ai shkroi himnin e Kongresit të Lushnjës. Poezia e këtij himni është një muzikalitet me tinguj melodioz, po ashtu sikurse vetë muzika është poezi me tinguj. Më 1919 boton “Fluturimet e Shpirtit”, në vitin 1920 botoi vëllimin me poezi “Symbyllazi me ëndërrimet”, në vitin 1942 botoi veprën poetike “Gjëmimet e Tomorrit”.
Stili i tij është atraktiv, gjuha plot figura, metrika e respektuar. Figurat e përdorura në poezinë e tij kanë karakter simbolesh, gjithmonë brenda botës së madhe të emocioneve.
Ai është përfaqësuesi më i shquar i misticizmit islam në Shqipëri, në gjysmën e parë të shekullit 20-të, dhe radhitet një ndër iranologët më të rëndësishëm shqiptar.
Poezia e poetit Ferid Vokopola është e udhëhequr tërësisht nga misticizmi dhe qëndron në tre përbërësit kryesor, njeriu, natyra dhe Zoti, ku mbi të gjitha qëndron Zoti. Për të ilustruar tre komponentët e mësipërm, po jap një strofë nga poezia “Mbarështrimi i gjithësisë” të botuar në librin e tij, “Fluturimet e shpirtit”.
“ Si një gjë të vogël mos e kujto njerëzinë,
Se në brendësinë e saj ka një botë!
Rrezet e gjithësisë nga një pikë vinë…
Dhe pastaj kthehen tek i madhi Zot…”

Në revistën më të shquar të kohës “Zani i Naltë”, poeti dhe filozofi i shquar Ferit Vokopola botoi poezinë “Perëndimi i Shejh Shaban Tixhanisë”, si dhuratë miqësore e gjurmuesve të udhës së Tixhanisë, në promovimin e Bektashizmës, duke i bërë himn vetë njeriut, që qëndron në thelb të doktrinës së tij filozofike dhe religjioze.

“Prënditni i Shejh Shaban Tixhanisë”
Fryni era plot thëllime
Edhe lulet na i shoi
Shejh – Shaban’ i Tixhanive
Në Rexhep na perëndoi.
S’mund të themi perëndoi,
Aji Yll i Perëndisë,
Kurse shpirt’ i tija shkoi,
Drejt për drejt në Paradisë,
Kurse prapa si zevendës
Na ka lèn’ nji Shejh të ditur,
N’ka ndryshuar form’ e lëndës,
Rron “Aji” si shpirt i ndritur…
S’mund të shuhet Drit’ e Zotit,
Mbretëron Fuqi e Ti;
Në ndryshon jeta e Motit,
Ngjallet tjetra përsëri.
Nga vdekja ka lindun jeta,
Pra të gjallët nuk jesin;
Çdo gjë kthen tek e Vërteta:
Besimtarët nuk vdesin…

Frymën e misticizmit islam e solli në vjershërimin poetik shqip Naim Frashëri, dhe e vazhdoi Ferid Vokopola. Ai shprehej në vargjet poetike:
“Fillonj` me emnin e t`madhit Zot
Që është bekues e Mëshirplotë”.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, Ferid Vokopola u tërhoq nga jeta politike dhe administrata shtetërore, duke iu kushtuar krejtësisht aktivitetit fetar. Në këtë kohë, ai themeloi në Tiranë organizatën fetare “Drita Hyjnore”, që pati si organ të vetin revistën “Njeriu”, e cila doli rregullisht nga korriku 1942 deri në qershor 1944. Në këtë revistë ai botoi një pjesë të shkrimeve të tij, ku shquhen në mënyrë të veçantë poezitë e tij simbolike me theks filozofik. Duke qenë njohës i mirë i mistikës islame, ai e përçon këtë frymë pothuajse në të gjitha poezitë e tij.
Kjo frymë ndihet sidomos në veprën e tij poetike “Gjëmimi i Tomorrit”.
“Zani i Naltë” ishte një revistë letrare që u publikua në Tetor 1923, në të njëjtën kohë me “Udhën e s`vërtetës”. Mirëpo, ndërsa “Udha e s`vërtetës” u publikua në Shkodër, “Zani i Naltë” që ishte botim i Komunitetit Mysliman Shqiptar dilte në Tiranë. Tirana ishte kryeqendra e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Kjo reviste letraro-kulturore doli periodikisht deri në vitin 1938. Gjatë gjithë kësaj kohe ajo u drejtua nga figura të shquara të kulturës shqiptare, të tillë, si Ferid Vokopola, Isa Domni dhe Ismail Maçi.
Nga Ferid Vokopola në të u pasqyruan dy të drejtat më të respektuara të njeriut. E drejta e pluralizmit kulturor, ku kulturat e ndryshme zhvillohen së bashku dhe e drejta e pavarësisë kulturore, ku një kulturë zhvillohet e vetme në hapësirën e saj. Pra kultura e lindjes (perse) dhe ajo perëndimore u ngjizën në kulturën shqiptare, nëpërmjet inteligjencës krijuese të Ferid Vokopolës.
Përpos, këtyre hulumtimeve kulturore, kjo revistë pati publikuar dhe artikuj të karakterit laik. Në faqet e saj u botuan kryevepra të gjenive të mendimit njerëzor si: “Njeriu dhe universi”, “Kozmologjia përtej kaosit”, “Idealizmi dhe materializmi”, “Edukimi modern”, “Teoria planetare” etj. Si një revistë e hapur kundrejt mendimit dhe fjalës së lirë, në të u botuan dhe esetë filozofike me karakter fetar, por trashëgimi e shkëlqyer e kulturës islame si: “Dante dhe Islami”, “Njeriu dhe feja”, ”Pavdekshmëria e njeriut” etj.
Ai bëri përqasjen e kulturës dhe shkencës islamike në kulturën dhe shkencën shqiptare.
Pikërisht këtu, kontributi intelektual i Ferid Vokopolës është i rëndësishëm, i pazëvendësueshëm dhe emancipues në kulturimin dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
Ky njeri i urtë e i kulturuar, erudit dhe me drejtësi të kulluar, mendjen e ndritur e zemrën e zjarrtë, fjalën e shenjtëruar e veprën e tij ia kushtoi prosperitetit dhe ngadhënjimit të atdheut dhe kombit.
Dhe tek revista “Zani i Naltë”, Ferid Vokopola ishte bashkëpunëtor letrar, krahas figurave të mëdha publike të kohës si Hafiz Vehbi Dibra, Haviz Ali Korça, Sali Vuçiterni, Haki Sharofi, Mit`hat Frashëri dhe Ismet Dibra.
Në faqet e kësaj reviste u pasqyruan problemet e karakterit teoriko-filozofik si “Hyrje në Filozofinë Islame”. Një ndër studimet filozofike me karakter monografik i Ferid Vokopolës ishte i titulluar “Përhapja e Islamit”.
Në aspektin e vlerësimit teologjik dhe filozofik të moralit islam, ai u shpreh për çështje madhore dhe shkroi esetë filozofike “Problemi i Zotit dhe Djallit”, “Verdikti i fatit” dhe “Morali dhe epshi i masave”. Në këtë revistë më të shquarën e kohës, ai botoi dhe studimet dhe esetë në fushën e historisë së artit si “Kuptimi i artit dhe kufijtë e tij”, “Shkrimtarët e Letërsisë Islamike në Shqipëri” etj.
Në korrik 1942, doli në Tiranë revista kulturore dhe fetare “Njeriu”. Qysh në numrat e parë, kjo revistë periodike e përmuajshme e kishte të përcaktuar orientimin shpirtëror dhe kulturor të saj.
Me përkthimin e vargjeve kuranike dhe të mësimeve të profetit, dhe botimin e tyre në faqet e revistës “Njeriu” të edituar dhe drejtuar nga Ferid Vokopola u kontribuua në formimin e një pikëpamjeje bashkëkohore mbi moralin, filozofinë, edukimin, qytetërimin dhe besimin islam.
Revista “Njeriu” ishte organ i shoqatës “Drita Hyjnore”., e themeluar nga Ferid Bej Vokopola.
Në përmbajtjen e saj ne gjejmë një gërshetim të teorisë me praktikën, me misticizmin si epiqendër të saj. Politika redaksionale e Ferid Vokopolës e definoi këtë teori si “Misticizmi me të gjithë karakteristikat e ngjashme të tij, është rruga e zakonshme e njohjes së të vërtetës, dhe ajo është boshti, i cili ka të përfshirë të gjithë atë luftë e përpjekje në kuptimin, ndikimin, këmbënguljen dhe përhapjen e veprës së ndritur të mirëbërësisë. Vetëm me dëlirësinë dhe vetëmohimin e njeriut, madhështia dhe krenaria e tij mund të arrihet, dhe e gjithë kjo nëpërmjet ngjizjes së të gjitha idealeve, të cilët pajtohen me qëllimin e lartë të pasurimit dhe zhvillimit të jetës njerëzore. Qenia njerëzore konsiderohet si mister i të gjitha mistereve, e zgjedhur midis të gjitha krijesave të Zotit, sa e vogël dhe e madhe në të njëjtën kohë, vetëm ai, njeriu, ka të drejtën për të depërtuar në brendësi të ligjeve të natyrës, i cili ka fituar përsosmërinë dhe jopërsosmërinë në vetvete”.
Qysh në botimet e para të publikuara, publiku u njoh me shumë shkrime filozofike, politike dhe fetare të intelektualëve të mëdhenj shqiptarë të kohës, të tillë si poeti dhe filozofi Ferid Vokopola, Haki Stërmilli, shkrimtari Kristo Floqi, poeti Vasfi Sami Visoka dhe profesorët Filip Ndocaj, Beqir Haçi, Vexhi Buharaja etj.
Në faqet e kësaj reviste Ferid Vokopola botoi edhe shkrime të Fan Nolit, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Mithat Frashërit dhe intelektualëve më të rinj si Suat Haxhit, Mustaf Greblleshit, Jup Kastratit etj. Revista doli në 27 numra dhe u mbyll në qershor 1944.
Ferid Vokopola botoi dhe përkthime të pjesshme në revistën tjetër të kohës “Kultura Islame” ku bashkëpunoj ngushtësisht me figura të shquara të kulturës shqiptare si Sherif Putra, Haki Sharofi, Sadik Bega e të tjerë.
Edhe në fushën e përkthimeve nga osmanishtja, ai u shqua mbi të tjerë, duke prurë në shqip thesare të letërsisë dhe kulturës perse në veçanti dhe asaj islamike në përgjithësi.
“Rubaij-jati” (Rubairat) i Omar Kajamit u botua për herë të parë më 1942, në Tiranë, vepër në vargje prej 139 faqesh i Hafiz Ali Korçës. Me kërkesë të tij, Ferid Vokopola shkroi parathënien e kësaj vepre fondamentale të kulturës perse, që vinte në shqip për herë të parë.
Ferid Vokopola, një nga zotëruesit e mirënjohur e më të përkryer të disa gjuhëve të huaja të lindjes dhe të perëndimit, në parathënien e këtij libri, vëren: “Shtatë shekuj fjeti në hirin e harresës edhe vepra e “Rubairave” të Omar Kajamit, pra, s’dihej të çmohej prej një bote fantastike e fanatike, realiteti i jetës, që ai poet e filozof i shquar, ishte munduar të shpjegonte në vargjet e bukura katrore”.
Më tej, pasi lëvdon veprën e Kajamit, Ferid Vokopola thotë: “Në vendin tonë ishte një e metë e madhe letrare mospasja e një përkthimi shqip, besnik i origjinalit, i marrur prej persishtes”.
Kjo gjë, vinte në panjohuri të vërtetë personalitetin poetik, filozofik e më tepër monotheist të atij njeriu të madh, që nuk ka qenë e lehtë të kuptohet se çfarë është me tërë kuptimin e fjalës. Këtë të metë të madhe të botës së botimeve shqiptare, e plotësoi Hafiz Ali Korça, “pasi ne na mungojnë dijetarë që t’i dinë mirë të dy gjuhët: persishten e shqipen dhe njëkohësisht të pajisur edhe me talentin poetik”, – thotë Rauf Fico.
Dhe Rauf Fico, duke iu drejtuar përkthyesit, poetit dhe filozofit, Ferid Vokopola, vëren: “Përkthimi i zotërisë suaj, do të ngelë një përkujtim i dobishëm për brezat e ardhshëm”.
Përkthimi i poetëve persë fitoj në fillim-shekullin e 20-të një traditë në shqipërimin shqip. Përpjekje në këtë drejtim u bënë nga filozofi mistik Ferid Vokopola, dhe i talentuari Vexhi Buharaja, që të dy njohës të shkëlqyer të persishtes. Ferit Vokopola në ndërmarrjen e vështirë për t’i dhënë rrugë disa koncepteve, si dhe raportit në mes të “misticizmit” dhe të “atomizmit” të marra në kuadrin filozofik, shpjegoj se Omar Kajami para “misterit jetik” është thelluar në “çështjet mëmë”, ku terma të veçanta përdoren si simbole. Duke u ndalur p.sh. në simbolin “Elif” ai shpjegon se Kajami i jep këtij termi kuptimin më të lartë, të barabartë me togfjalëshin “Vetë – Jeta”.
Në fushën e legjislacionit Ferid Vokopola u shqua si një nga ligjbërësit kryesorë të Parlamentit të viteve ‘20-‘30. Ai së bashku me deputetë të tjerë të besimit mysliman përgatitën dhe miratuan në parlament Kodin Civil të viteve ’30 dhe që u vlerësua si hapi më i rëndësishëm për përparimin dhe zhvillimin e vendit.
“Me këtë kod, – theksoi Ferid Vokopola në Parlament në vitin 1932, – shoqëria shqiptare ka hedhur çapin më të qëndrueshëm në rrugën e prosperimit dhe të qytetërimit modern”.
Ferid Vokopola nxiti dhe frymëzoi ngjizjen e kulturës islame në kulturën dhe inteligjencën krijuese shqiptare. Ai vazhdoi me vendosmëri rrugën e reformimit të besimit islam, edhe në kongresin e tretë të myslimanëve, të mbajtur më 6 korrik të vitit 1929, në Tiranë. Kongresi u hap me fjalën e “shpirtit” të Islamit shqiptar, Vehbi Dibrës, i cili përmendi edhe një herë nevojën e reformimit dhe organizimit të trupit mysliman.
Agjah Libohova, i dërguari i qeverisë dhe Ferid Vokopola – deputet, shpjeguan më pas reformat që duhej të kryheshin dhe rëndësinë e tyre. Ky kongres, ndryshe nga dy të parët, u mor edhe me sigurimin e mirëmbajtjen e objekteve fetare, ndërsa një komision i veçantë u mor me hartimin e raportit vlerësues për të ardhurat e vakëfeve. Kongresi shqyrtoi probleme të njohura në këtë komunitet, por që nuk kishin marrë ende zgjidhje deri në atë kohë.
Në vitet ‘20 ishte pjekur mendimi për të krijuar një shkollë të mesme fetare islame me fizionomi bashkëkohore. Ithtarë të kësaj ideje dhe iniciatorë të kësaj ndërmarrjeje u bënë personalitete të shquara të politikës shqiptare të atyre viteve. Me shkatërrimin e Kalifatit, ngritja e një shkolle të tillë shtrohej si një çështje emergjente.
Grupi i iniciatorëve kryesorë përbëhej nga Hafiz Vehbi Dibra, senatori Sali Vuçiterni, intelektualët e shquar Ferid Vokopola dhe Qamil Bala.
Medreseja që do të ngrihej synonte të përgatiste klerikë të ditur, të pajisur me njohuri të larta fetare, filozofike e shkencore, në përkatësi me arritjet e arsimit bashkëkohor.
Në mesin e shumë studiuesve të “Kuranit” në botë, bëjnë pjesë edhe shqiptarët, të cilët kanë dhënë mendime dhe vlerësime për librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin. Ndër të parët që u morën me studimin e Kuranit në mbarim të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, ishin Ferid Vokopola, Hafiz Ali Korça dhe Haxhi Vehbi Dibra. Këta studiues pa dyshim bëjnë pjesë në bashkësinë e artë të studiuesve më të famshëm shqiptarë të Kuranit, gjatë shekullit që lamë pas. Pushteti komunist e burgosi. Në qelinë e burgut nuk ra as në dëshpërim, as në pesimizëm. Në këtë kohë ai shpesh thoshte: “Unë nuk jam as pesimist dhe as optimist, por mundësist”. Dhe ai kishte të drejtë, mbasi mundësia vjen vetëm me punë dhe përkushtim të inteligjencës krijuese në krijimin e vlerave të shoqërisë dhe të kombit.
I bindur në pikëpamjet e tij islame, ai iu dedikua përkthimit të Kuranit, punë të cilën ai e vazhdoi dhe e përfundoj për dhjetë vjet. Kur doli nga burgu, ai gjeti rreth e rrotull mjedise të tjera, larg lirisë së fjalës e të mendimit, kundërshtarë deri në armiqësi ndaj fesë.
Në këto rrethana, duke zotëruar gjuhët orientale, ai iu ofrua Institutit të Historisë si bashkëpunëtor, duke i kaluar vitet e pleqërisë deri sa vdiq në vitin 1969, si përkthyes i dokumenteve historike nga osmanishtja.
Në postmortum-in e tij, vepra e tij flet. Ne mund të themi me tërë energjinë e mendjes dhe forcën e shpirtit, se mesazhi që ajo jep është: “Nëse më shumë politikanë njohin poezinë, dhe më shumë poetë njohin politikën, bota është vendi më i mirë për të jetuar”.

“Himni i Kongresit të Lushnjës”

Shpresa humbi, atdheu ty po të thërret
Të shpëtosh nga kjo natë

Bëhu i zoti në do të rrosh në jetë

Armikut jepi datë.

Refreni

Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell
Shqipëria lidhi besë.
Dëshmoi bota, dëshmuan yjet në qiell
Për ty, o i larti Kongres.
Me sa humbet drejtësia
Aq shuhet shpresa jonë
Nuk pushtohet tokë e Kastriotit
Trimërinë e ka zakon.

Refreni

Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell
…………………………….………………………

Në të varet shpresë e Kombit Shqiptar
Në statutin tënd të shtrenjtë
Çliro tokat e Shqipërisë sa më parë
Bashko atdheun e shenjtë.

Refreni

Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell
……………………………….……………………

Sikur tym e flakë të dal nga faqe e dheut
Shkrepëtim të bjerë e flakë
Bëj detyrën që ke kundrejt atdheut,
Mos kurse as shpirt as gjak.

Refreni

Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell

Marrë nga: http://www.standard.al/index.php/kulture/5004-ferid-vokopola-rebeli-i-lushnjes-qe-perkthente-kuranin-dhe-dashurite-e-kajamit.html

Shkruani një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.