Home > Mesele botërore > I dashur z. Kerry, islamofobët dhe racistët nuk duhet të shpërblehen me çmime inkurajuese

I dashur z. Kerry, islamofobët dhe racistët nuk duhet të shpërblehen me çmime inkurajuese

Dr. Olsi JAZEXHI

 

I DASHUR z. KERRY, ISLAMOFOBËT DHE RACISTËT NUK DUHET TË SHPËRBLEHEN ME ÇMIME INKURAJUESE

1

Më datë 8 mars 2015, Departamenti Amerikan i Shtetit nderoi 10 gra nga e gjithë bota me çmimin ‘International Women of Courage Award’. Një nga këto gra ishte gazetarja kosovare Arbana Xharra. Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry shkroi më pas një shkrim në Huffington Post ku shpjegonte vendimin për t’i dhënë këtë çmim Arbana Xharrës. Ai argumenton se ajo ka shkruar: “ Një seri raportimesh hulumtuese rreth ekstremsitëve fetarë ne vendin e saj. Përpjekjet e saja të palodhshme kanë zbuluar lidhjet me organizatat e huaja terroriste dhe na kanë ndihmuar në luftën kundër rritjes së esktremizmit radikal, i cili kërcënon paqen dhe prosperitetin global.” Z. Kerry vazhdon duke thënë se “shembulli i saj ka frymëzyar një brez të ri gazetaresh, që të punojnë në një demokraci në rritje e duke i bërë ballë padrejtësive dhe korrupsionit.”

Për ata që vijnë nga Ballkani e ndjekin çdo ditë zhvillimet në Kosovë, deklarata e z. Kerry vjen si një suprizë e madhe. Ndërkohë që administrat e njëpasnjëshme amerikane janë munduar që t’i bindin muslimanët se lufta e fundit e Amerikës kundër terrorit nuk është luftë kundër Islamit, veprimet e saj tregojnë të kundërtën. Duke nderuar Arbana Xharrën, Shtetet e Bashkuara u kanë lënë një shije të hidhur shumë njerëzve në Ballkan. Ata që i kanë lexuar artikujt e Xharrës, apo të xhaxhait të saj Fahri Xharrës, janë plotësisht të vetëdijshëm për sulmet e tyre të egra kundër muslimanëve shqiptarë, Islamit, arabëve, palestinezëve dhe Turqisë. Këta muslimanë, tani kanë filluar të pyesin: “A gënjen Obama kur thotë se Shtetet e Bashkaura nuk janë në luftë me Islamin, apo zyrtarët e tij në Prishtinë e kanë mashtruar atë?

Arbana Xharra nuk është kundër ekstremizmit në mënyrë specifike, ajo është kundër Islamit dhe muslimanëve në vetvete. Provë për këtë janë artikujt e shumtë që ajo ka shkruar rreth Islamit dhe komunitetit musliman në Kosovë gjatë viteve të fundit. Madje, një nga “raportet e saj hulumtuese” është sponsorizuar nga Robert Bosch Stiftung dhe fondacioni ERSTE. Këto, në pjesën më të madhe, janë shumë larg idesë së “frymëzimit të një brezi të ri gazetarësh… për t’i bërë ballë padrejtësisë dhe korrupsionit,” apo prodhimit të “raporteve hulumtuese mbi esktremistët fetarë,” siç thotë z. Kerry. Ndërkohë që z. Kerry ndoshta nuk e di se kush është Arbana Xharra dhe nuk i ka parë ndonjëherë postimet e saj të mbushura me sulme të ashpra dhe fyerje ndaj muslimanëve shqiptarë, turqve, serbve, etj., ai ka vendosur ta ndërojë atë me një çmim në bazë të rekomandimit të ambasadës amerikane në Prishtinë, e cila ia propozoi emrin Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas mendimit tim, z. Kerry nuk ka faj pse ka zgjedhur këtë kategori islamofobësh për t’i shpërblyer me një çmim kaq prestigjioz dhe besoj se po t’i kishte lexuar artikujt e saj, me siguri do të kishte ndërruar mendje.

Arbana Xharra është pjesë e një grupi të ri të lindur të krishterësh/islamofobësh kosovarë. Ajo ka bërë karrierë me artikuj dhe postime në internet ku fyen Islamin dhe muslimanët. Edhe pse është e vërtetë se ajo ka shkruar rreth ISIS-it dhe kosovarëve që kanë shkuar për t’ju bashkuar këtij grupi – të cilët qeveria kosovare vetë i ka nxitur për të shkuar e për të luftuar në Siri kur revolucioni ishte akoma në fillimet e e tij, në shumë artikuj të tjerë ajo nuk shkruan me fakte, por me emocione dhe urrejtje. Për shumë vite ajo ka pretenduar se Kosova është e rrezikuar nga “ekstremizmi Islam” dhe ka kërkuar që politikanët kosovarë të ndalojnë “predikimet urrejtjenxitëse të imamëve radikalë,” të kontrollojnë dhe hetojnë fondet e organizatave muslimane, të nxjerrin jashtë ligjit partitë islamike opozitare, të hetojnë të gjitha paratë që vijnë nga vendet arabe dhe pronat e imamëve kosovarë. Ajo nuk është e aftë që të bëjë dallimini, siç bën presidenti Obama, midis muslimanëve të zakonshëm dhe xhihadistëve të ISIS-it, ndërsa idetë e saj anti-demokratike ku bën thirrje për ndalimin e partive politike do të përshëndetëshin nga diktatorët, por jo nga demokracitë sikur Amerika.

Postimi i saj më i turpshëm, i cili tërhoqi zemërimin e opinionit publik, ishte ai i datës 23 janar 2015, kur pasi kishte parë një grup muslimanësh kosovarë duke shpërndarë kopje të Kuranit në rrugët e Prishtinës, ajo i quajti “qelbësira” dhe kërkoi që autoritetet të ndalonin “aktivitetet e tyre trushplarëse” për të mirën e fëmijëve të “vendit tonë”. Ajo sulmon rregullisht qeverinë kosovare dhe Bashkësinë Islame të Kosovës dhe kreun e saj Naim Tërnavën, të cilin e akuzon për komplot në bashkëpunim me esktremistët për të shkatërruar shtetin e Kosovës. Për të, ekstremist është kushdo që praktikon një shkollë tjetër islame nga “Islami zyrtar” i kohës së Jugosllavisë komuniste, dhe çdo musliman që nuk pranon mitografinë shtetërore të shtetit të Kosovës, e cila pretendon se shqiptarët nuk janë muslimanë të vertëtë, por katolikë, të cilët kanë luftuar përkrah Skënderbeut kundër Turqisë dhe Islamit.

Ndërkohë që Arbana Xharra sulmon aktivistët muslimanë, predikuesit e rrugëve, organizatat e shoqërisë civile dhe partitë politike, ajo kurrë nuk ka bërë të njëjtën gjë kundër misionarëve të krishterë, të cilët kërkojnë haptazi t’i konverojnë kosovarët në masë, dhe nxisin urrejtje kundër turqve, serbve dhe komuniteteve të tjera. Ajo kurrë nuk ka pohuar se Kosova është e rrezikuar nga ekstremizmi i krishterë, nuk ka kërkuar kurrë nga politikanët kosovarë që të kufizojnë fjalimet e mbushura me urrejtje të priftërinjve radikalë, të cilët lavdërojnë shfarosjen e muslimanëve në Bosnje, apo për të kontrolluar dhe hetuar fondet e organizatave të tyre, apo që të nxjerrin jashtë ligjit partitë e shumta të krishtera në Kosovë.

Për më tepër, Arbana Xharra nuk është vetëm islamofobe, por edhe raciste – një turkofobe e devotshme dhe e zjarrtë. Në shumë nga postimet e saj në facebook, artikujt etj., ajo sulmon Turqinë, aleatin e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, si “armikun” më të madh të shqiptarëve. Madje ajo ishte firmëtare edhe e një peticioni famëkeq, të shpërndarë nga disa fondamentalistë të krishterë drejtuar qeverisë së Kosovës ku kundërshtohej reformimi i teksteve shkollore të historisë për një pasqyrim më të mirë të periudhës osmane. Këto tekste, të cilat janë kritikuar haptazi nga Turqia dhe shumë intelektualë shqiptarë, promovojnë pikëpamje raciste rreth muslimanëve, turqve, serbve dhe komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë. Arbana sulmon politikanët kosovarë si Fuad Ramiqi, i cili ka bërë thirrje për të debatuar se pse natyra shekullare e shtetit të Kosovës aplikohet vetëm ndaj Islamit, ndërkohë që hapësira publike e vendit është e mbushur me ikonografi katolike dhe “heronjë” si Nënë Tereza dhe Skënderbeu.

Një grup i shoqërisë civile në vend, “Forumi i të Rinjve Musliman të Kosovës,” Xharrën e ka quajtur gënjeshtare dhe ka vënë në dukje lidhjet e saja me fanatikë katolikë të cilët, siç pohojnë ata, kanë dhënë para për fushatën e saj për të nxitur urrejtje kundër Islamit. I njëjti grup pohon se Xharra dhe xhaxhai i saj islamofob Fahri Xharra janë të frymëzuar në urrejtjenxitjen e tyre kundër Islamit nga klerikë katolikë sikur Don Anton Kqira. Për ata që i ndjekin ngjarjet në Ballkan, do t’u kujtohet sesi Kqira, një prift me banim në Shtetet e Bashkuara, është kapur duke bërë thirrje për shfarosjen e muslimanëve shqiptarë në Kosovë, sipas shembullit të masakrës së Millosheviçit kundër “qenve” boshnjakë në Srebrenicë.

A e kuptojnë Shtetet e Bashkuara se kujt ia kanë dhënë këtë çmim prestigjioz dhe dëmin që ky akt i ka shkaktuar imazhit të saj? Edhe pse Arbana Xharra nuk është e vetmja islamofobe në Kosovë që shkruan duke fyer rregullisht muslimanët shqiptarë, turqit dhe grupet e tjera fetare dhe etnike në vend, çmimi që iu dha nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe zonja e parë Michelle Obama ishte me të vërtetë i pabesueshëm. Ndërkohë që administrata Obama i ftoi muslimanët nga e gjithë bota për t’u thënë se lufta e saj ndaj ISIS-it “nuk është luftë kundër Islamit,” si pret që ta interpretojnë muslimanët dhe imamët e Kosovës çmimin që sapo ia dha Arbana Xharrës?

Kosova e pas-Jugosllavisë është një vend ku muslimanët përpiqen  në mënyrë të dëshpëruar që të ruajnë identitetin përballë fyerjeve të shumta që regjimi kosovar dhe shumë islamofobë sikur Arbana Xharra lëshojnë kundër komunitetit të tyre. Kosova nuk është Iraku apo Siria. Muslimanët aty i janë shumë mirënjohës Shteteve të Bashkuara për ndërhyrjen në vitet ’90. Pse atëherë Shtetet e Bashkuara mbështesin islamofobë si Arbana Xharra? Unë nuk besoj se administrata amerikane kërkon që kosovarët ta braktisin Islamin e të konvertohen në katolikë, siç mund të dëshirojë Xharra dhe shumë të tjerë. Për këtë arsye, mendoj se Sekretari Kerry dhe Presidenti Obama duhe të kishin pasur një diskutim më të sinqertë me aparatçikët e tyre në Prishtinë dhe t’i informonin ata se Amerika nuk është në luftë me Islamin, por me ISIS-in. Për këto arsye ata nuk duhet të shpërblejnë islamofobët dhe racistët, të cilët e përceptojnë çdo musliman që ecën mbi këtë tokë si terrorist.

 

Burimi: https://olsijazexhi.wordpress.com/2015/03/11/i-dashur-z-kerry-islamofobet-dhe-racistet-nuk-duhet-te-shperblehen-me-cmime-inkurajuese/

  1. No comments yet.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.