Home > Edukim > Medreseja në Mijëvjeçarin e Ri – Traditë që vazhdon –

Medreseja në Mijëvjeçarin e Ri – Traditë që vazhdon –

Ermal BEGA

 

MEDRESEJA NË MIJËVJEÇARIN E RI

– Traditë që vazhdon –

medreseja

Me titullin e lartpërmendur, sot më datë 14 tetor 2010, duke filluar që prej orës 11:00, në një nga ambientet e Tirana International Hotel u mbajt një aktivitet tepër i veçantë kulturoro-fetar, i organizuar nga KMSH (Komuniteti Musliman i Shqipërisë).

Të pranishëm në këtë aktivitet të larmishëm ishin disa prej ish-medresistëve të mbetur ende gjallë, tashmë tepër të moshuar, të cilët kanë qenë ndër medresistët e brezave të medresesë së Tiranës para ardhjes së pushtetit famëkeq komunisto-ateist. Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe medresistë meshkuj dhe femra të medreseve islame që gjenden tashmë në Shqipëri, drejtues të muftinive të ndryshme në Shqipëri, drejtorë dhe mësues të medreseve të tanishme, imamë, teologë etj. Po ashtu, kishte të ftuar nga organizata kulturore dhe fetare shqiptare dhe të huaja.

Në tavolinën kryesore, përveç kryetarit të KMSH-së, Haxhi Selim Muçës, ishin ulur edhe drejtori i arsimit pranë KMSH-së, Altin Shima, zv/ministri i arsimit Halit Shamata, kryetari i Komitetit të Kulteve Rasim Hasanaj dhe drejtori i Medresesë së Tiranës, Hiqmet Patozi.

Hapja e këtij aktiviteti u bë me recitimin e disa ajeteve të Kur’anit të Shenjtë nga teologu Elton Karaj.

Moderatori i këtij aktiviteti ishte Gazmend Aga, i cili që në fillim bëri një retrospektivë të shkurtër të historikut të Medresesë së Tiranës (ish-Medreseja e Përgjithshme), që nga fillimet e saj, dhe duke përmendur kontributet e mëdha të ish-drejtuesve të parë të Medresesë së Tiranës. Ai përmendi dhe kontributin e famshëm të grupit themelues për hapjen e kësaj medreseje, të cilët ishin Hafiz Vehbi Dibra, senatori Salih Vuçiterni, intelektualët e shquar Qamil Bala, Mehdi Frashëri, Ferid Vokopola etj. Më 1924, në nivelin e gjimnazit klasik dhe teologjik dhe me personel tërësisht shqiptar, u themelua Medreseja e Përgjithshme e Komunitetit Musliman të Shqipërisë në Tiranë.

Më pas, moderatori i këtij aktiviteti ia dha fjalën përshëndetëse kryetarit të KMSH-së, Haxhi Selim Muçës. Ndër të tjera, kryetari i KMSH-së shprehu vlerësime për realizimin e këtij aktiviteti të veçantë i cili mbart vlerën e një historie të gjatë të arsimimit islam dhe shkencor në Shqipëri. Ai falënderoi gjithashtu të gjithë të pranishmit, sidomos brezin e vjetër që kanë mbetur gjallë nga ish-medresistët e vjetër të Medresesë së Tiranës.

Pas kësaj përshëndetje, për të pranishmit u paraqit një album me disa nga fotot e vjetra të Medresesë së Tiranës dhe personaliteteve fetare dhe arsimore të kësaj medreseje në hapat e para të saj, si dhe të periudhës së rihapjes së saj pas vitit 1990.

Fjala më tej iu dha zv/ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, i cili ngriti lart rolin edukues të medreseve që gjenden në Shqipëri për arsimimin e brezave të rinj. Zv/ministri Halit Shamata, duke përmendur rëndësinë historike të medresesë tha: “Medreseja e Tiranës, përveçse që konsiderohet si shkolla e parë fetare në Shqipëri, ajo gjithashtu konsiderohet dhe si gjimnazi i parë klasik jo vetëm në Tiranë por në të gjithë historinë e arsimit shqiptar. Këto dy misione, medreseja i ka mbajtur gjatë shekullit të kaluar, dhe si asnjë shkollë tjetër shqiptare, ajo e ka kaluar sfidën e regjimit komunist”. Ai gjithashtu kërkoi që t’i bëhet një homazh atyre që nuk janë të pranishëm në sallë dhe në këtë botë, si respekt për vazhdimësinë e kësaj medreseje në mijëvjeçarin e ri. Ai gjithashtu përmendi emrat e Shaban Demiraj dhe Vexhi Buharasë, për të treguar vlerat e mëdha që mbart arsimimi në këtë medrese. Në fund, Halit Shamata i ka dorëzuar certifikatën për suksesin e lartë të treguar Kastriot Capas, si studenti më i dalluar për vitin 2010.

Përshëndetjen e rastit më vonë e mori z. Rasim Hasanaj, kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve. Ai përmendi harmoninë fetare në Shqipëri, dhe vlerësoi lart rolin e medreseve shqiptare në edukimin e vlerave të mirëfillta fetare dhe kombëtare të brezit të ri.

Drejtori i tanishëm i Medresesë së Tiranës, z. Hiqmet Patozi (ish-drejtori i medresesë “Hafiz Ali Korça” në Kavajë), i bëri një panoramë historikut të Medresesë së Tiranës. Z. Hiqmet Patozi, në lidhje me historikun e kësaj medreseje, ndër të tjera tha: “Në muajin mars të vitit 1924, me vendim të Kongresit të Parë të Bashkësisë Islame të Shqipërisë, u hap Medreseja e Tiranës e cila do të quhej Medreseja e Përgjithshme. Ajo u miratua nga Ministria e Arsimit të shtetit shqiptar të asaj kohe, me shkresë nr. 101/1. Drejtori i parë i saj u emërua Qamil Bala nga Gjilani i Kosovës, dhe pas tij ndër vite shkollën e kanë drejtuar me kompetencë personalitete shqiptare si Hafiz Ismet Dibra, Haki Sharofi, Esat Myftija, Sherif Putra etj. Maturantët e parë të kësaj medreseje si Vexhi Demiraj, Musa Shehu, Sadik Bega, Sherif Putra etj. u diplomuan në vitin 1932. Medreseja e Tiranës është shkolla e dytë e hapur në Tiranë, pas Shkollës Teknike. Medreseja ka qenë traditë dhe simbol i dhënies së edukatës fetare e mishëruar kjo edhe me dituri shkencore bashkëkohore. Edhe pse këtij simboli iu desh të zbehej përgjatë periudhës së diktaturës komuniste, ai përsëri arriti të rilindte me ardhjen e demokracisë në vitet 90’ dhe kjo falë fryteve të kësaj shkolle model, të cilët, si fetarë e atdhetarë që ishin, arritën të mbanin të pashuar flakën e edukatës fetare e asaj kombëtare e t’ua transmetonin atë edhe brezave që do të vinin më pas”.

Në lidhje me situatën e sotme të medreseve në Shqipëri, fjalën e mori Altin Shima, drejtori i arsimit në KMSH. Ndër të tjera, për veprimtarinë e përgjithshme arsimore të medreseve, ai tha: “Drejtoria e Arsimit e Komunitetit Musliman të Shqipërisë ka pasur gjithmonë një bashkëpunim me të gjitha drejtoritë e medreseve dhe ka bërë përpjekje maksimale për të realizuar me sukses të gjitha obligimet që i janë dhënë nga Ministria e Arsimit.”

Në këtë moment, u ftuan tri nga nxënëset e medresesë, Sara Tujani, Dajana Mati dhe Luljeta Halimi të cilat recituan nga një poezi islame me këtë rast, të cilat ngjallën emocione tek pjesëmarrësit.

Në fund, për të pranishmit u shtrua një koktej, i cili shërbeu edhe si një njohje më nga afër mes brezave të rinj e të vjetër të fesë islame.

Categories: Edukim Tags:
  1. No comments yet.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.