Archive

Archive for 08/01/2012

Hafiz Ibrahim Dalliu – Mufessir shqiptar

08/01/2012 1 comment

Dr. Ismail BARDHI

 

HAFIZ IBRAHIM DALLIU – MUFESSIR SHQIPTAR

“Ne nuk kemi dërguar asnjë profet që ai për t’ia shpjeguar të mos ketë folur me gjuhën e popullit të vet.” (Kur’an, Ibrahim: 4)

Dr. Ismail Bardhi

Libri i Shenjtë shenjtërinë e tij përpos në besim e ka edhe në lutje, gjegjësisht në origjinalitetin e tij metahistorik, por edhe në aspektin historik, e vetë Urdhëruesi i paraqitjes së Librit të Shenjtë, në këtë rast të Kur’anit, na tregon se si besimi ashtu edhe gjuha janë dy kategori të cilat në esencë burojnë nga vet Ai – Zoti: “Nga argumentet e Tij është edhe krijimi i qiejve dhe tokës, llojllojshmëria e gjuhëve tuaja…” (Kur’ani, er-Rrum: 22)

Pra, Kur’ani përveç dimensionit të vet metahistorik e ka edhe dimensionin historik dhe atë me vetë paraqitjen e tij si për dëgjimin, të pamurit dhe shkrimin, duke iu prezentuar njeriut në formën e fjalës njerëzore, sepse gjuhën e merr si mjet për t’u bërë i dukshëm.

Gjuha e Islamit nuk njeh asgjë tjetër pos besimit dhe jobesimit, për këtë arsye ai as që e ka si problem nacionalizmin në gjuhë. Në Kur’an lexojmë për Zotin i cili porosinë e vet ua drejton të gjithë kombeve në gjuhët e tyre.

Tefsiri, sipas shkrimeve të shumta dhe përmbajtjeve të tyre, mund të konsiderohet si aftësi dhe njohuri për interpretim të duhur të të folurit, librit apo tekstit. Ai ka qenë disiplinë ndihmëse metodologjike në teologji dhe jurisprudencë. Parim i tij kryesor ka qenë interpretimi i tekstit, analiza e gjuhës, vënia e tekstit në kontekst historik dhe studimi i raportit mes formës letrare dhe përmbajtjes. Tefsiri kërkon që teksti edhe të kuptohet, d.m.th. jo vetëm që të përkthehet/interpretohet lashtësia, por edhe gjendja e lashtësisë shpirtërisht të adaptohet në gjendjen e tashme.

Tefsiri rrënjët e veta i ka që nga koha e Muhammedit a.s., të cilin edhe e kishte si interpretuesin më të afërt për zemrën, për shkak se ai ishte nën hijen e Zotit. Kjo problematikë gradualisht shndërrohet në disiplinë në vete, e cila ka vend të posaçëm në shkencën e teologjisë islame.

Në këtë përpjekje vërehen punime të shumta nga dijetarët e proviniencës islame, të cilët i janë përkushtuar të kuptuarit dhe të interpretuarit sa më të mirë të Fjalës së Zotit. Për këtë arsye ne, duke e pasur parasysh historiatin e gjatë të disiplinës së ekzegjezës së Kur’anit dhe mufessirëve të ndryshëm, që ta tregojmë pasurinë e kësaj disipline do ta prezentojmë një mufessir shqiptar, Hafiz Ibrahim Dalliun, së pari ia dhënë vendin e duhur në korpusin e ekzegjezës, duke u ndalur në disa pika të jetës dhe veprimtarisë së tij, burimeve të tefsirit dhe metodës së tefsirit të cilat vërehen në tefsirin e tij të quajtur Ajka e Kuptimevet të Kur’ani Qerimit.

 

Pak jetëpërshkrim

Hafiz Ibrahim Dalliu u lind në qytetin e Tiranës, më 1878 në një familje me kulturë të lartë fetare, në kohën kur në Shqipëri lëvizja arsimore rritej e bëhej gjithnjë më intensive.

I përket plejadës së nderuar të figurave të shquara të kulturës fetare tek shqiptarët, po ashtu edhe një periudhe shumë të rëndësishme për historinë e popullit shqiptar, siç është ajo e Rilindjes kombëtare. Jeta e tij nuk ka qenë e qetë, përkundrazi, ajo qe e vështirë, plot shqetësime e brenga me lëvizje të detyruara nga rrethanat tragjike historike gjatë shumë lëvizjeve që ndodhnin asokohe.

Nga gjurmimi i literaturës e nga autobiografia e tij mësojmë se shkollimi i hafiz Ibrahim Dalliut u bë në faza të ndryshme, shkollën fillore dhe të mesme i kreu në atdhe, pastaj për arsimim të mëtejmë u dërgua në Stamboll, të cilin për fat të keq e ndërpreu për arsye ekonomike.

Në kushtet e jetës e të punës së tij përpos problemeve fetare, kishte edhe probleme të tjera siç ishin problemi i gjuhës shqipe, shkollës dhe arsimit, publicistikës e që njëkohësisht ishin edhe probleme të përgjithshme të asaj kohe në mesin e shqiptarëve. Si mësues i shkollës shqipe, ai filloi në shkollën e parë shqipe në Tiranë, ndihmoi hapjen e shkollës për femra po ashtu në Tiranë më 1908, nga dolën edhe mësueset e para të gjuhës shqipe në këtë qytet.

Në fund të vitit 1909 radhitet me mësuesit e Normales së Elbasanit. Punën e tij për këtë shkollë hafiz Ibrahim Dalliu e kishte filluar edhe para Kongresit të njohur të Elbasanit, që vendosi për hapjen e Normales. Në këtë Kongres ai mori pjesë si i deleguar nga tiranasit, së bashku me disa shokë.

Veprimtaria kulturore e Hafiz Ibrahim Dalliut rrok një fushë të gjerë pune e përpjekjeje, duke filluar së pari nga aktiviteti i tij që kishte rreth gjuhës amtare, mësues i së cilës ishte, siç thamë më parë, në shkollën e Tiranës, ku përgatiti breza të arsimuar për të cilët ndjehej nevojë e madhe në vend. Përveç gjuhës amtare, ky atyre ua mësonte edhe gjuhët e huaja, si osmanishten dhe arabishten. Këtë veprimtari përveç se në Tiranë, e kreu edhe në Elbasan dhe në vende të tjera dhe atë edhe në fushen e mendimit social-pedagogjik dhe atij fetar, ku punoi me aq pasion në publicistikë si autor i shumë veprave, shkrimeve e sidomos me përkthimin e tij të Kur’anit dhe komentit të tij, duke qenë ndër të parët të cilët në mënyrë sistematike i kanë hyrë kësaj pune, e deri në pjesëmarrjen aktive në radhët e luftëtarëve për krijimin dhe mbrojtjen e vatanit.

Duke punuar me fëmijë e të rinj, hfz. Ibrahim Dalliu u bë i njohur në popull dhe gëzonte një respekt të dalluar. Ai shquhej në trupin pedagogjik të Normales si edukator dhe gjithmonë ishte i gatshëm për biseda me të rinjtë.

Hfz. Ibrahim Dalliu bëri një jetë aktive shkencore e sociale e në radhë të parë fetare. Atje ku ishin ngjarjet e mëdha të vendit, nuk ishte e mundur mos të vërehej edhe hfz. Ibrahim Dalliu. Ai bashkëpunoi edhe me deputetin e Perandorisë Osmane, Hasan Prishtinën dhe me figura të jetës kulturore si Ismail Ndroqin, Hasan Voglin, Muslim Llagamin, Musa Maçin, me Ibrahim Hasnajn etj. Po ashtu hfz. Ibrahim Dalliu u bë i afërt edhe me personalitete të njohura ndërkombëtare në fushën e gjuhës shqipe nga të cilët mund ta përmendim Norbert Joklin. Hfz. Ibrahim Dalliu mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, në atë të Elbasanit më 1909, në shpalljen e Pavarësisë më 1912, po ashtu edhe në Kongresin e Lushnjës më 1920.

Për shkak të veprimtarisë së tij ai edhe u burgos: më 1908 u thirr në prefekturë për t’i bërë presion që të heqë dorë nga problemet e arsimit e të kulturës shtetërore, por ai nguli këmbë se kushtetuta ua jepte të drejtën për të mësuar në gjuhën amtare.

Më 5 shtator 1910 hfz. Ibrahim Dalliu gjendet përpara torturave më të egra për shkak të një artikulli në formë letre të hapur ku dënoheshin xhonturqit. Njihet thënia e tij: “Injoranca nuk zhduket me top, topi zhduk vetëm njerëzit.” Edhe në burgimet e mëvonshme, gjatë sundimit të mbretit Zog, gjatë sundimit fashist si dhe gjatë diktaturës komuniste, asnjëherë nuk i mbrojti armiqtë e popullit, por çdoherë ju përmbahej parimeve të veta fetare/morale, duke mbetur njëkohësisht atdhetar i flaktë, i cili kurrë nuk i ka shikuar shqiptarët si të ndarë dhe hoxhë besnik i Kur’anit dhe i fesë islame.

Hafiz Ibrahim Dalliu bën pjesë në plejadën e atyre teologëve shqiptarë të cilët janë dalluar me punën e tyre të frytshme fetare e kulturore. Nëse i bëjmë një vështrim kohës se kur ka jetuar dhe vepruar ai, mund të vërejmë se në shkrimet e tij ndjehet ndikimi dhe hovi reformator, me çka lirisht mund ta radhisim në mesin e ithtarëve të rrymës reformuese, e cila në literaturën islame njihet me termin islaha. Në botën islame në këtë kohë vërehet veprimtaria e emrave eminentë të historisë islame, siç janë Xhemaludin Afganiu, Reshid Rida, Muhammed Abduhu, Muhammed el-Behij, Ahmed Hani, Muhamed Vehbi, Mehmet Akif Ersoj etj., shumica prej të cilëve janë marrë me komentimin e Kur’anit. Sa u përket emrave të cilët kanë zënë vend të posaçëm në hapësirën tonë, sidomos në Bosnje dhe tek hapësira shqiptare, mund t’i përmendim Shukrija Alagiqin, Muhamed Tufon, Xhemaludin Çausheviqin, Mehmed Hanxhiqin, pastaj Hafiz Ali Korçën, Vehbi Dibrën, Hoxhë Vokën, Ibrahim Dalliun etj.

Megjithëse në “liri”, shëndetlig nga mundimet e burgut vdiq në Tiranë më 1952. Në varrimin e tij që u bë në Tiranë mori pjesë vetëm familja më e afërt. Meqë ishte element “antiqeveritar” nuk u vu kurrfarë shenje apo mbishkrimi mbi varrin e tij.

Veprat

Si teolog i thelluar në shkencat e teologjisë dhe njohës i mirë i diturisë së fesë islame konsiderohet se Hafiz Ibrahim Dalliu është autor i pesëmbëdhjetë veprave të vlefshme fetare, disa nga të cilat përkthime nga arabishtja e turqishtja, kurse shumica e tyre janë origjinale.

Sipas teologut të shquar shqiptar, Imam Vehbi Ismailit, i shpërngulur në SHBA, hafiz Ibrahim Dalliu ka shkruar apo përkthyer afro dhjetë mijë faqe me përmbajtje fetare, që do të thotë më tepër se çdo shqiptar tjetër musliman. Një gjë të ngjashme e pohon edhe shoku i Hafiz Ibrahim Dalliut, Ibrahim Hasnaj.

Hafiz Ibrahim Dalliu lirisht mund të konsiderohet si njëri nga punëtorët shkencorë dhe teologët më të njohur të asaj kohe si për nga shkrimet, po ashtu edhe për nga ligjërimet e shumta.

Përkitazi me veprat e Ibrahim Dalliut, mund të thuhet se një pjesë prej tyre janë botuar, ndërsa edhe shumë dorëshkrime të tjera kanë mbetur të pabotuara, ose, në rastin më të keq, edhe qëllimisht janë zhdukur. Përveç veprave origjinale, krijimtaria letrare e hfz. Ibrahim Dalliut në masë të madhe është e karakterizuar nga përkthimet e tij dhe atë si nga osmanishtja, po ashtu edhe nga arabishtja.

Veprimi i klasifikimit dhe sistematizimit të veprave të Ibrahim Dalliut mund të bëhet në bazë të tematikës dhe përmbajtjes së atyre veprave. Opusi i përmbajtjeve të veprave të këtij autori është i gjerë dhe përfshin ato: fetare – të besimit (akide) dhe praktike (ibadet), tefsir (hermeneutikë), hadith; letrare, sarkastike, humoristike.

Veprat e këtij autori janë: Ajka e kuptimevet të Kur’ani Qerimit;Texhvidi i Kur’anit; Besimet e muslimanëvet; E lemja e të madhit Profit dhe jeta e tij; Hadithi Erbain; Dhantie Ramazani; Mësime teorike dhe praktike të moralit islam; Ç’është islamizma; Një broshurë mbi degat e imanit; Libri i së falmes; Udha Muhammedane; Grenzat e kuqe të Tiranës; Kreshniku i atdheut; Dokrrat e hinit; Patriotizma në Tiranë.

Tefsiri Ajka e kuptimevet të Kur’ani Qerimit

Në vazhdim theks të veçantë do të vëmë mbi veprën Ajka e kuptimevet të Kur’ani Qerimit, e cila megjithëse e pambaruar konsiderohet edhe si kryevepër e Hafiz Ibrahim Dalliut.

Muslimanët shqiptarë të cilët konsiderohen edhe si popull që me shumicë i takon fesë Islame, natyrisht se fesë ia kanë treguar respektin si në kohën kur nuk kanë shkruar në gjuhën e tyre amtare, po ashtu edhe pas themelimit të alfabetit të gjuhës, kur aktiviteti i tyre në fushën e shkrimit merr një hov shumë të madh.

Në këtë fushë kulturore me punën e tij të palodhshme shquhet edhe vetë Hafiz Ibrahim Dalliu, si me përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe, po ashtu edhe me komentin, mund të thuhet të parin në hapësirën shqiptare, të cilin e ka titulluar Ajka e kuptimevet të Kur’ani Qerimit.

Sipas analizave tona, si në bazë të dokumenteve të shkruara po ashtu edhe atyre gojore, del se kjo vepër, megjithëse askund nuk shkruan apo figuron emri i tij, është vepër e hafiz Ibrahim Dalliut. Për nga përkthimi është e dyta, kurse për nga komenti i këtij lloji sistematik, por, fatkeqësisht jokomplet, është e para.

Në kopertinën e tefsirit Ajka e kuptimevet të Kur’ani Qerimit shkruan se ky botim “u lexue, u shqyrtue e u pëlqye prej Këshillit të Naltë të Sheriatit”. Me këtë dëshmohet rëndësia e veprës, të cilën e merr përsipër qendra më e lartë e cila është kujdesur për çështjet fetare islame në kuadër të Komunitetit Musliman Shqiptar. Ky tefsir është shtypur në Shtypshkronjën “Ora e Shkodrës” më 1929 dhe është i formatit 23 x 15 cm.

Kjo vepër fillimisht është botuar në formë fletoresh apo fashikullash, por më vonë edhe në formë të tubuar dhe atë me kopertinë të fortë mbi të cilën shkruan Tefsiri i Kur’ani Qerimit, pa emër autori por me një shkrim kur’anor si ornament.

Në punën time kërkimore kam hasur në material të shtypur deri në faqen 1572 të këtij tefsiri dhe atë në formë libri duke filluar nga faqja 1, d.mth. nga sureja Fatiha, e deri në faqen 699, ku përfundon sureja Âli Imrân. Pjesa e dytë, të cilën e kam tubuar në një vend, fillon me ajetin 1 të sures en-Nisa, d.m.th. nga faqja 701, e përfundon në faqen 1316 me ajetin e fundit të sures el-En’am. Pjesa e tretë fillon nga faqja 1317 me ajetin e parë të sures el-A’raf dhe përfundon në faqen 1572 me ajetin 16 të sures et-Tevbe, megjithëse me kaq nuk përfundon edhe tefsiri i tërë.

Brenda tekstit çdo sure fillon me Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim dhe atë në origjinal në arabishte. Disa herë merr një e herë më tepër se një ajet të cilin e ka edhe në arabishte edhe në përkthim në shqipe, por nuk përdor një sistem konstant në tekstin e tij, sepse ka edhe vende ku përveç origjinalit në arabishte teksti i ajetit jepet edhe në transkribim me germa shqipe, e pastaj vijon përkthimi i ajetit dhe vazhdon duke bërë spjegime, në disa vende edhe shkoqitje e diku tjetër ku e jep përkthimin e ajetit e shkruan nën Thalbi i kuptimit. Por, fjala spjegim është më e përdorura. Për çdo sure tregohet vendi i zbritjes, ndërsa diku-diku edhe shkaku i zbritjes së sures së caktuar. Autori përpiqet të jetë i përpiktë dhe për këtë arsye bën një Deklaratë, ku tregon për ndërrimin e metodës së punës së vet. Brenda tekstit, gjegjësisht brenda komentimit të Kur’anit përmenden edhe burime të ndryshme të përdorura, disa herë duke përmendur emrat e mufessirëve, e disa herë titujt e veprave të tyre.

Tefsirit të Hafiz Ibrahim Dalliut, të quajtur Ajka e kuptimevet të Kur’ani Qerimit, nga dita e botimit të të cilit kanë kaluar afro 70 vjet, për fat të keq deri më tani nuk i është bërë kurrfarë studimi, përpos të llojit informativ. Edhe pse në këtë vepër nuk e përmend emrin e vet si autor, e as si përkthyes i Kur’anit, gjë që e vështirëson identifikimin e autorësisë dhe përkundër supozimeve se ai është përkthyes i kësaj vepre, mbetet një enigmë shkencore për këtë pretendimin e fundit meqë brenda tekstit hasim në emrat e mufessirëve të ndryshëm, qoftë arabë apo joarabë, të cilët kanë jetuar në periudha të ndryshme kohore dhe atë duke filluar nga emrat e njohur të as’habëve, siç është Ibn Abbasi, e deri te bashkëkohësi i h. Ibrahim Dalliut – Muhammed Vehbi ef. Konjalliu – gjë që dëshmon të kundërtën. Po ashtu, në koment vërehet preokupimi i brendshëm social, kulturor, politik, gjuhësor e tradicional.

Kjo vepër si për nga përkthimi i Kur’anit, po ashtu edhe për nga komenti i tij paraqet ndërmarrje të rëndësishme në kulturën e tefsirit dhe dëshmon inteligjencën e lartë të mufessirit shqiptar, i cili me siguri meriton vend shumë të privilegjuar në mesin e mufessirëve, si të hapësirës ballkanike, ashtu edhe më gjerë.

Tefsiret e shfrytëzuara nga hfz. Ibrahim Dalliu

Në tefsirin Ajka e Kuptimevet të Kur’ani Qerimit, hafiz Ibrahim Dalliu shfrytëzon sintezën arabo-osmane dhe tërë traditën fundamentale të tefsirit, që mund të vërehet në vetë veprën e tij.

Nga shumësia e mufessirëve të përmendur: Taberiu, Muxhahidi, Fahruddin er-Raziu, Bejdaviu, Medariku, Nimetull-llah efendiu, Ebu Suud efendiu, Ismail Haki efendiu si dhe Muhammed Vehbi efendiu, fitohet përshtypja se ky dijetar musliman ka shfrytëzuar si literaturë veprat e këtyre mufessirëve dhe natyrisht i ka cituar ata në mënyrë të interpretimit. Edhe pse në tefsirin e lartpërmendur më së tepërmi citohen Fahruddin er-Raziu dhe Kadi Bejdaviu, nuk është e mundshme, për shkaqet e lartpërmendura, të sillet përfundim se ky tefsir është përkthim. Për këtë problematikë në mënyrë bindëse teologu i shquar dhe bashkëkohasi i Hafiz Ibrahim Dalliut, Imam Vehbi Ismaili, thotë se ky është tefsir origjinal i tij. Përpos këtij mendimi kemi edhe një mendim tjetër se në këtë tefsir ka bashkëpunuar një kolegium dijetarësh. Mirëpo, të cituarit e shumtë të mufessirëve vërtetojnë se h. Ibrahim Dalliu është autor i këtij tefsiri, ndërsa sa i përket krahasimit ose ndjekjes tekstuale të ndonjë tefsiri tjetër, kjo nuk është e mundshme të vërtetohet, për shkak se, siç thamë edhe më lart, nëse bëjmë krahasimin mes Raziut, Kadi Bejdaviut dhe Vehbi efendiut, mund të vërehet se të dhënat që i kanë tefsiret e tyre janë të afërta, si informata e jo si tekst i gjerë, që sërish nuk do të thotë se fuqia e tefsirit të Ibrahim Dalliut kalon te të tjerët.

H. Ibrahim Dalliu në fillim komentin e bën më të zgjeruar, megjithëse te pjesët e tjera, sidomos kah fundi, nuk vërehet ajo hapësirë e gjerë e komentit, saqë ka raste kur e jep vetëm përkthimin e ajetit, duke mos dhënë ndonjë koment. Ai i largohet përsëritjes për arsye se më parë është dhënë koment, siç ishte edhe rasti me Besmelen.

Është e vërtetë se metoda e tefsirit për shkak të asaj se është përdorur literaturë e shumtë, nënkupton se i takon tefsirit të lirë, tefsirit bi rej, por vërehet se nuk i është shmangur edhe metodës tradicionale. Më mirë do të ishte të thuhet se ky tefsir është i llojit teologjik me liri fetare e me përpjekje racionale. Në këtë tefsir ai bazohet edhe në rregullat e Usul-i tefsirit, ndjek me kujdes sebebi-nuzulin, thekson abrogimin me theks të veçantë ndalet në çështjet e besimit, e largon çdo dyshim nga monoteizmi, duke paraqitur tevhid të pastër; bazohet në rrugën e ehli-sunnetit, tregon mendimet e rrymave kelamiste, siç janë Maturidiu, mu’tezilitët e esh’aritët. Ky është tefsir që me të vërtetë lexuesit shqiptar ia mundëson kuptimin sa më të mirë, sa më të lehtë të Fjalës së Zotit.

Kur kemi parasysh kohën e zbritjes së Kur’anit, leximin dhe interpretimin e tij nga Muhammedi a.s. dhe kohën se kur u është paraqitur kjo Fjalë shqiptarëve, kemi të drejtë të themi se ky koment është i pari pas Kur’anit për lexuesin shqiptar. Historia e tefsirit me këtë koment është pasuruar dhe ka marrë rrugën e zhvillimit dhe të rritjes, që për gjeneratat pas-Ibrahimiane është me rëndësi të veçantë, sidomos në krijimin e terminologjisë kur’anologjike dhe të një fillimi që për kulturën e muslimanëve do të jetë ndihmesë e madhe në interpretimin dhe kuptimin e Kur’ani Kerimit.

Prezantimi fragmentar i metodës së tefsirit “Ajka e kuptimevet të Kur’ani Qerimit”

Mendimi i tefsirit te Hafiz Ibrahim Dalliu pothuajse është unik në kontekstin e lëvizjeve shpirtërore në këto hapësira. Përveç asaj se ky mendim deri diku e ndjek diskursin racionalist të disa mufessirëve, ai në masën më të madhe mbështetet mbi komentimet tradicionale të Kur’anit, të cilat ekzistojnë në botë, megjithëse jetoi në një kohë kur ideologjia “scientiste” përjetonte kulmin e saj historik, duke shkatërruar çdo gjë të shenjtë dhe duke e kundërshtuar çdo mendim që rridhte nga tradita e që nuk mund të mbrohej para gjyqit të arsyes së pastër. Ai mendim paraqet një sintezë tejet të popullarizuar shpirtërore e cila, përskaj përvojave të realizuara deri atëherë në shkencën e tefsirit, në themel në vete i përthith të gjitha përvojat e mendimit bashkëkohor shkencor që e realizonte shpirti njerëzor i kohës së tij në përmasat më të gjera gjeografike. Mirëfillësia e mendimit të tij është e padyshimtë dhe në një masë është e hijesuar nga depërtimi i tij mendjelirë dhe i thellë në tekstin e shpallur kur’anor, duke e respektuar frymën, nevojat, praktikën zakonore, mentalitetin dhe horizontet kulturologjike të humanumit të këtushëm ballkanik. Duke i sjellur në lidhje të pashkëputshme Shpalljen dhe arsyen, të shenjtën dhe të përbotshmen, traditën dhe shkencën, shpirtëroren dhe materialen, etj., autori në atë mënyrë e ka dëshmuar se sa kujdeset që ta ndërgjegjësojë nevojën e leximit dhe të bashkëkohësimit të përmbajtjes kur’anore në çdo moment konkret historik. Pothuajse nuk ekziston asnjë segment brenda interpretimeve të tij të tekstit të shpallur kur’anor e që nuk i shpreh kujdesin dhe përpjekjen e tillë të autorit. Ja disa shembuj nga komentimi i autorit i disa rasteve nga përmbajtja kur’anore.

Duke diskutuar paarritshmërinë e tekstit kur’anor, në kuadër të interpretimit të ajeteve 23 dhe 24 të sures el-Bekare, Hafiz Ibrahim Dalliu mes arsyeve tjera të asaj paarritshmërie thekson hyjnësinë apo prejardhjen hyjnore të tekstit. Në këtë drejtim ai Kur’anin e vështron në dy horizonte: si vepër hyjnore, në të cilën janë dhënë të gjitha rregullat, parimet dhe mësimet të cilat kanë të bëjnë me jetën e botës dhe të cilat Muhammedi a.s. nëpërmjet Xhibrilit ua ka dorëzuar njerëzve; si fjalë e gjallë hyjnore e cila është e Vërteta e pashterrshme, Ligj dhe Rrugë, rinia e amshuar shpirtërore dhe efikasiteti praktik i të cilës në themel burojnë nga natyra e brendshme hyjnore.

Duke diskutuar rreth vetë tekstit, ashtu siç ka hyrë ai në gjuhën njerëzore dhe e ka pranuar mbi vete petkun e përditshmërisë semitike, d.m.th., duke diskutuar rreth përmbajtjes kur’anore në nivelin e gjuhës së pastër, autori konsideron se ajo përmbajtje rrezaton me paarritshmërinë e dyfishtë: Artistiken (Belaga) dhe mendoren (ideoren). Paarritshmëria artistike e kësaj përmbajtjeje, thotë autori, vërehet jo vetëm se në formën, por edhe në përmbajtjen, në ndërtimin e fjalisë e cila është dhënë në një mënyrë krejtësisht të re dhe të panjohur deri atëherë, në mënyrën individuale të shijes hyjnore të shpalljes urtësia e të shpallurit të të cilit e ka bërë të njohur Shpalljen në gjuhën e përditshme, kështu që i është shmangur përdorimit të çfarëdo gjinie letrare të hulumtimit të zakonshme të asaj kohe e cila ka qenë e zakonshme në shpirtëroren e përgjithshme të traditës lindore e perëndimore semitike.

Paaritshmëria ideore e përmbajtjes, sipas mendimit të autorit, është akoma më e lartësuar dhe më e rëndësishme. Madhësia e saj ideore para së gjithash vërehet në atë se çdo fakt brenda Kur’anit, sipas domethënies të cilën e shpreh, në mënyrë shembullore është e mbërthyer (palosur) me njërin nga realitetet e krijuara në gjithësi, ashtu që Kur’ani paraqet një formulë të shkruar për atë që Zoti me ndërmarrjet e tij krijuese që moti e ka kryer në botën e natyrës së arsyeshme e të paarsyeshme të krijesave. Me një fjalë, në Kur’an ka ngjarë përputhja absolute e frymës të natyrës me frymën e Shpalljes dhe, në atë mënyrë, me qëllimin dhe urtësinë e amshuar të Zotit. Përputhja e tillë tekstit të shpallur ia dhuron furinë e përhershme të rimëkëmbjes dhe rinisë së pakalueshme e cila në çdo çast kohor sërish shkëlqen me çdo ndërmarrje të re shkencore në sferën e përvojës së përditshme njerëzore, me të cilën për çdo ditë përvijohet fryma shkencore, artistike, teknike e krijuese e njeriut, duke e zgjeruar rrethin e tij kulturor në themel të shënuar me domethëniet e amshuara të Shpalljes kur’anore.

Brenda interpretimit të kaptinës së njëjtë kur’anore, duke e ndjekur ritmin e tekstit, autori kalon në interpretimin e misionit të njeriut në Tokë, dhe në atë mënyrë e përvijon modelin ekzegjetik për formimin e të a.q. antropologji dogmatike në Islam, të cilën mjaft e ka zhvilluar një traktat i veçantë brenda teologjisë muslimane për njeriun si fotografi që është shembull, kurorë dhe art suprem e çdo krijese hyjnore në botë. Në dritën e faktit për njeriun si halif apo mëkëmbës i Zotit në Tokë, autori do të përfundojë se njeriu, si sintezë e shpirtit dhe trupit, tokës, zjarrit dhe dritës është tempull i vërtetë i Zotit mbi Tokë, brenda të cilit në mënyrë të bollshme ndodh prania e Zotit, e cila me fuqinë e saj ruajtëse, e cila kurrë nuk shterrohet, gjithmonë në zemrën e njeriut e ndrit dritën e besimit e cila është ajo xixë e shpirtit hyjnor sipas së cilës është krijuar njeriu dhe përgjithmonë ka mbetur të jetë i pavdekshëm.

Duke pasur parasysh faktin se njeriu është qenie njohëse, respektivisht qenie e vetme e cila në vete posedon fuqi të llojllojshme psiko-fizike dhe mendore, se është qenie e gjuhës e cila me fuqitë e veta shprehëse dhe foljore realizon komunikimin themelor me botën që e rrethon dhe po asaj bote që e rrethon ia zbulon pasurinë e jetës dhe të botës së vet të brendshme, dmth., duke pasur parasysh të gjitha këto fakte të lartpërmendura autori do të përfundojë se njeriu, pos asaj se është halif dhe tempull i Zotit në Tokë, është edhe vet qenësi e gjuhës që çdo gjë ontoëogjike e ngërthen në të vërtetën, çdo gjë e përkthen në meta-gjuhë, duke paralajmëruar asisoji vendlindjen ontologjike të botës dhe të njeriut të cilët, në prototipet e tyre ideale i paraprijnë formës së trupëzuar, të përbotshme të qenësisë.

Në kuadër të interpretimit të kaptinës së njëjtë, autori do ta komentojë edhe nocionin e shfuqizimit apo të abrogimit të disa teksteve apo të dispozitave të caktuara nga Kur’ani. Në këtë kontekst është me interes të paraqitet pikëpamja e autorit lidhur me këtë, ku ai mendon se përmbajtja kur’anore në asnjë segment të saj nuk është e shfuqizuar dhe se nuk ka asnjë vend në Kur’an që sot do të mund të paraqiste pleonazëm përmbajtësor, tepricë tekstuale e cila ka qenë aktuale dhe interesante për ndonjë kohë të kaluar, për një mjedis dhe njerëz të cilët qysh moti janë zhdukur nga skena historike. Para së gjithash, konsideron autori, kur Kur’ani e përmend nocionin e abrogimit dhe e konstaton ndërprerjen e disa dispozitave apo teksteve, kjo në çdo rast duhet marrë si abrogim jo i përmbajtjes kur’anore apo dispozitës së shpallur Muhammedit a.s., si përfundues i të gjitha Shpalljeve hyjnore, por duhet kuptuar si abrogim i dispozitave të disa shpalljeve të mëparshme apo teksteve që janë ndryshuar, gjymtuar në burimësinë e tyre dhe të interpoluara n ndonjë përmbajtje të shpallur më parë si krijim i thjeshtë njerëzor, si një lloj observimi teologjik që është infiltruar në Shpalljen.

Përmbajtja kur’anore, thotë autori, nuk mund të vjetërsohet për shkak se ai paraqet plotësinë e të gjitha qëllimeve hyjnore lidhur me botën dhe njeriun, për shkak se qenësisht është e përqëndruar në fenë si fluid i gjallë shpirtëror, natyrën më të thellë dhe të pakapërcyeshme njerëzore e cila gufon njësoj si në makro ashtu edhe në mikrokozmosin dhe i lëshon degët e veta të llojllojshme shpirtërore, ashtu që dinamika e fesë gjithmonë e ndjek nivelin e zhvillimit të vetëdijes njerëzore e cila mund të jetë prezente në kohën e njëjtë kalendarike, por vetëdija njerëzore, duke e ndjekur ritmin e fesë, nuk mund ta jetojë pleqërinë e njëjtë të fesë në çdo nënqiell dhe në çdo mentalitet. Kështu, një rregullë e fesë, e cila në shikim të parë mund të mos jetë interesante dhe joaktuale në një nënqiell dhe mentalitet, mund të jete interesante dhe tejet e aktualizuar në ndonjë nënqiell apo mentalitet tjetër. Që këtu, nuk ekziston asnjë çast historik brenda të cilit përmbajtja kur’anore në këtë apo atë mënyrë nuk aktualizohet.

Duke e komentuar ajetin 134 të të njëjtës kaptinë, autori i rreket interpretimit të fakteve për vazhdimësinë e Shpalljes që merret vesh nga teksti i ajetit të mësipërm. Në këtë kuptim auori do të theksojë se Kur’ani shpallet në gjurmët e shpalljeve të mëparshme në formën e tyre të mirëfilltë, duke konsideruar se ato shkallë të mëparshme të shpalljeve formëjnë përgatitjen për përfundimin dhe plotësinë e shpalljes që është arritur me Kur’anin. Ai gjithashtu konsideron se të gjitha llojet e mëparshme të shpalljeve të shpalljeve i kanë përjetuar dhe qetësuar të gjitha refleksionet e tyre shpirtërore në Kur’an, në të vërtetë jo në kuptimin verbal, por edhe në atë substancial, që do të thotë se në tekstin kur’anor nuk kanë hyrë në mënyrë integrale dhe tekstuale tekstet e shpalljeve të mëparshme, por janë vetëm porosi themelore nga sfera fetare, morale dhe ligjdhënëse të teksteve të mëparshme të shpalljes të shkrira në shpirtin dhe natyrën e porosive dhe ligjeve universale kur’anore. nëpërmjet faktit për vazhdimësinë e Shpalljes autori zbulon edhe disa fakte të cilat janë relevante për përmbajtjen e Kur’anit dhe për jetën e përditshme të besimtarëve muslimanë, e këto janë: fakti për unitetin (njëjësi) e fesë, si traditë primordiale fetare e cila është forma historike e arketipit të vet unik metahistorik, pastaj fakt për unitetin e ligjit fetar i cili në çdo çast historik e ka rregulluar jetën e çdo bashkësie të gjallë të besimtarëve, pavarësisht se a i kanë takuar ata kohës së Ademit, Nuhut, Ibrahimit apo Muhammedit a.s. Më në fund, nga vazhdimësia e Shpalljes rrezaton edhe fakti për unitetin e pejgamberisë dhe misioneve pejgamberike, me atë se çdo mision i mëparshëm pejgamberik në fund ka qenë e shënuar me natyrën themelore të natyrës përfunduese, pejgamberike të Muhammedit a.s., duke formuar në këtë mënyrë përgatitjen historike dhe hyrjen për misionin e tij.

Duke e dhënë komentin e tij për vetë dukurinë e shpalljes, ç’është ajo dhe në çfarë mënyre ngjan, autori thekson se shpallja në vetvete shpreh një proces të vazhdueshëm të ngjarjes së asaj hyjnores që paraqitet në dy lloje: si krijim i natyrës së paarsyeshme të krijesës, ku gjurmët e shpalljes hyjnore i zbulojmë në faktin e vargut shkak-pasojë, dhe si krijim i natyrës së arsyeshme të krijesës, respektivisht njeriut i cili në një mënyrë paraqet vestigo Dei, gjurmën e gjallë të Zotit. Lloji tjetër është shpallja e dhënë në shkrim apo në librin i cili mund të jetë fryt i shpalljes së dyfishtë: diktimit të drejtpërdrejtë të tekstit të shpallur të cilin Xhibrili (a.s.) e vulos në zemrën e Pejgamberit si Vahj apo Revelatio, në të cilën mënyrë është shpallur Kur’ani; frymëzimit të mëpastajmë të cilin shpirti Shpallës ia dhuron hagiografit në kuptimin e Inspiratio-s, në të cilën mënyrë është kodifikuar i tërë materiali biblik i Dhiatës së Vjetër e të Re. Shpallja nën llojin e krijimit akoma vazhdon, thotë autori, dhe do të vazhdojë deri në fund të kohës, ndërsa shpallja në llojin e librit tashmë ka përfunduar.

Përfundim

Vepra e Dalliut në mënyrë burimore dhe të drejtpërdrejtë obligon. Në dukje pamjaftueshëm koherente në tërësinë e përmbajtjes së saj, në shumicën e teksteve e ngutshme dhe jokonsekuente, më së shpeshti e thellë dhe provokuese, gjithnjë e sinqertë, e hapur dhe deri në skajshmëri nxitëse, ajo nuk mund nga ndonjë anë neutrale të vlerësohet, klasifikohet, rregullohet. Çdo përpjekje që do të nisej në atë drejtim do të thoshte tradhtim i saj, ndërsa ai i cili në të do të kërkonte konsekuence logjike, themel pozitivist do të dëshpërohet. Kjo vepër presupozon standarde të tjera. Hafiz Ibrahim Dalliu nuk ka shkruar nën hijet e tempujve të ideve të pastërta, dhe për ndonjë depo të shuguruar (përkushtuar) të sistemeve, shkencave dhe mësimeve të pakundërshtueshme ideore. Vepra e Hafiz Ibrahim Dalliut buron nga jeta, si të thuash kundër jetës dhe për jetën, me të cilin që nga rinia e hershme ka qenë në shqyrtim të vazhdueshëm dhe të flaktë islamik. Shumicën e punimeve të tij teologjika i ka shkruar në një frymë dhe pa u kthyer, si përgjigje personale ekzistenciale dhe ideore ndaj sfidave të vetë jetës. Ndërsa jeta kurrë nuk ka qenë logjike dhe konsekuente, aq më tepër në ngjarjen e vet autentike kurrë nuk është kujdesur për shabllonet dhe parashikimet pozitiviste. Tani më nuk e kemi të vështirë të përfundojmë se vepra e shkruar e Dalliut qëndron në dritën e interpretimeve të tij të Kur’anit, ndërsa interpretimi i tij i Kur’anit i takon asaj lëvizjeje botërore të ringjalljes së Islamit i cili ka filluar dhe është realizuar si vendosje e lidhjes së drejtëpërdrejtë të muslimanëve me tekstin e Shpalljes së fundit të All-llahut xh.sh. Në përpjekjet e veta që Kur’anin ta hapë për të kuptuarit e porosive të tij, ai padyshim i takon plejadës specifike teologjike të rimëkëmbësve të Islamit të asaj kohe, e rezultatet e veprimit të tij korrespondojnë me veprimin e veprave të rimëkëmbësve të tjerë në anët tjera të botës islame.

Vepra e Dalliut është e hapur e epokës së ringjalljes së Islamit. Mbase nesër ajo do të tejkalohet nga ndonjë fazë tjetër në realizimin jetësor të Islamit në trojet tona, ashtu siç tashmë janë tejkaluar veprat e bashkëkohasve të tij në disa anë të botës islame nga kërkesat e gjeneratave të reja muslimane, që ndërmjet Kur’anit dhe jetës të ndërpritet ajo urë që e formojnë komentimet e Kur’anit, e ndërtuar me vetë rimëkëmbjen e Islamit; të ndërpritet çdo ndërmjetësim mes Kur’anit dhe jetës dhe ato të shkrihen në një lidhje të pastër e të plotë; që Kur’ani aspak mos të intepretohet por, thjesht, të jetohet. Nëse kjo do të ndodhte edhe tek ne, atëherë vepra e Hafiz Ibrahim Dalliut me siguri paraqet kontributin e parë për këtë e koha që do të mbetet pas asaj periudhe të re do të mbetej e përhershme, e shënuar me atë vepër të tij.

———————————————

Dr. Ismail BARDHI

HAFIZ IBRAHIM DALIU – ALBANIAN MUFESSIR

SUMMARY IN ENGLISH

Hafiz Ibrahim Dalliu, Albanian mufessir born in Tirana, a renowned theology who gave great intellectual, cultural and religious contribution during his life.

Political, cultural and religious problems of his time, as well as many wars that toke place then were factors that influenced the life of this mufessir. This may be witnessed not only from his works, but also from the injustice done to him by leaving him forgotten.

The intellectual work of this mufessir is consisted of original works and translations from the Ottoman and Arabic languages and especially his translation of the Qur’an into Albanian language and its commentary called Ajka e kuptimevet të Kur’ani Qerimit (“The Essence of the Meanings of the Holy Qur’an”), that makes him alive forever. In this commentary he uses the rational and traditional methods of tafseer, with a high knowledge of this science, by creating a tradition of tafseer within the range of the Albanian language.