Home > Trashëgimi kulturore, Trashëgimi orientale > Ura e Kadipashaj ose Ura e Haxhi Sali Bej Prrenjasit

Ura e Kadipashaj ose Ura e Haxhi Sali Bej Prrenjasit

Pëllumb GORICA

 

URA E KADIPASHAJ OSE URA E HAXHI SALI BEJ PRRENJASIT

Ura Kadipashaj

Lumi i Devollit, gjatë gjithë historisë së tij, në periudhat e dimrit dhe veça­nërisht shirave me ujëra të rrëmbyera bëhej i pakalueshëm dhe prob­lem kryesor i banorëve të krahinës së Sulovës. Karakteri bujqësor e blegtoral i krahinës, tregtia, nevoja e komunikimit të banorëve për më tej e sidomos të lidhjeve me tregjet e Elbasanit dhe Beratit, përcaktonte edhe domosdoshmërisht të kaloje lumin Devoll. Rrëfimet e shumta thonë se s’kish burrë të kalonte valët e rrëmbyera të lumit Devoll, kur fillonin shirat. Po që të kaloje lu­min e Devollit me prurje të mëdha, patjetër duhej të ndërtoheshin ura. Pra­nia e rrugëve kushtëzonte edhe ndërtimin e tyre. Qysh prej kohëve antike ishin bërë përpjekje për ndërtimin e urave, gjurmët e të cilave gjenden edhe sot gjatë shtratit të lumit. Dhe çdo herë pas ngritjes së tyre, ishin shembur nga luftërat, mosmirëmbajtja ose nga vetë prurjet e lumit. Histori gojore dhe legjenda për këto ura mpleksen e ndërthuren me çudi e të vërteta. Nuk mungojnë as shënimet e udhëtarëve të huaj të cilët i datojnë.

Le t’i referohemi Ami Bues. “Në mesin e shekullit XVIII sundimtari Axhi Sali Bej Prrenjasi ndërtoi urën e Mollasit (Kadipashajt ) mbi Devoll në Gostimë me 3 qemerë. (Ami Bue “Rezueil d’itinerarires doms la turquic”, 1854, faqe 319.) Ndërsa studiuesi Valter Shtylla në botimin “Rrugët dhe urat më të vjetra në Shqipëri’’, faqe 205 shkruan: “Kjo urë është projek­tuar e ndërtuar nga kryearkitekti i perandorisë osmane Mimar Kasemi nga Tomorrica.’’ Urë që ishte një dëshmi e zhvillimit ekonomik të krahi­nës së Sulovës në kohët e kaluara e cila dëshmon se karvanët që rrihnin këtë krahinë përshkonin Shqipërinë e Mesme për në Jug. Kjo urë në fakt ishte i vetmi mjet komunikimi gjatë rrjedhës së poshtme të lumit Devoll në shekujt e XVIII-XIX dhe përbënte një lidhje të domosdoshme të Sulovës me krahina të tjera. Ahmet Kurt Pasha i Beratit ishte derven pasha i emëruar nga porta e lartë për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e rrugëve dhe urave në gjithë Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut. Gjithashtu ai përgjigjej edhe për mirëmbajtjen e kësaj ure, për të cilin tregohen shumë histori. Njëra pej tyre thotë: “E ngriti një pasanik i madh, Haxhi Sali bej Prrenjasi i cili ka qenë një bej i madh për kohën kur e ndërtoi këtë urë, sundimtar i Sulovës’’(Histori e mbledhur nga studiuesi Petrit Basha nga Gramshi në ”Legjenda nga rrethi i Gramshit’’) “Thonë se beu nga ligësitë e shumta që kishte bërë filloi të kishte shqetësime nervore dhe nuk flinte dot. Për këtë arsye ai shkoi tek një hoxhë i njohur, i cili i thotë, se mënyra e vetme e shërimit të tij ishte të bënte për banorët e kazasë vepra bamirësie dhe të mos kërkonte prej tyre asnjë shpërblim.” Natyrisht ç`ka ka mbërritur deri në ditët tona nga jeta e kontributi i tij në shekullin e XVIII, është e mbështjellë me shumë rrëfime interesante e bamirësi për krahinën. E vërteta është që në Sulovë janë  të njohura  shumë ndërtime të vjetra si: Rruga e karvaneve, Ujësjellësi i Grekanit, Çezma e Dufshanit, xhami në shumë vendbanime, që mbajnë emrin e Haxhi Sali Bej Prrenjasit. “Do ta ndërtojë urën që të mos e shkulin më valët e lumit Devoll, u tha banorëve”. Kontriboi në këtë urë, që mbeti ndër breza si punë e mirë e tij. “ Në fillim dogji 5 furra me gëlqere dhe i la shumë vite në gropë. Me vonë grumbulloi qindra metra kub gurë të bardhë e të fortë nga kodrat shkëmbore të Goricës së Çalës. Kur u bë gati t’i hynte punës, dërgoi agallarët e tij në Opar, që t’i sillnin ustallarë të zgjedhur, më të mirët që ishin asaj kohe në punimin e gurit dhe ndërtimet e urave e rrugëve. Beu i shoqëroi vetë ustallarët në bërrylin e lumit.

-Filloni nga të doni, vetëm urën e dua të fortë dhe sa më shpejt!- u tha ai atyre.

-Është e pamundur!- ia kthyen ata,-nuk e shihni sa i thellë dhe i rrëm­byer është lumi?!

Beu e kuptoi menjëherë se vetëm me fjalë nuk bëhej ura, ndaj nxori një qese me monedha flori dhe i zbrazi në ujë. Kur panë verdhushkat tringëlli­nin mbi valët e ujit, ustallarët i thanë me përunjësi:

-Kështu, po, o bej! Nuk thonë më kot se, leku, bën jo vetëm urën që kërkon zotëria juaj, por e çon edhe ujin përpjetë! Dhe shpejt-shpejt ia fil­luan punës”.

Mjeshtërit ndërtues oparakë, pasi gërmuan në dy brigjet e lumit, nisën plot merak gdhendjen e gurëve të ashpër nga shkëmbijt e Goricës së Çalës. Ngritën këmbët e forta të urës dhe mbi to shtruan dyshemenë me pllaka guri të gdhendura mirë e bukur. Thuhet se në të gjithë vendin, nuk ka pa­sur mjeshtër më duarartë se oparakët, veçanërisht në ndërtimet e harqeve dhe qemerëve të gurtë, të urave!

Për muaj me radhë, banorëve të krahinës iu shtua puna angari. Nuk mbeti kafshë pune e banor që të mos punonte për urën: disa trasportonin gurët e rëndë nga Gorica e Çalës, disa të tjerë trungjet e mëdhenj nga pylli i Radshit dhe të tjerë gëlqeren. Një histori gojore tregon që, edhe fëmijët 8 vjeçar e gratë shtatzëna u rresh­tuan në vargun e gjatë të njerëzve që u shtri si gjarpër nga Gorica e Çalës deri tek vendi ku do të ndërtohej ura, teksa transportonin gurët nga dora në dorë. Kur përfundoi së ndërtuari, urë mori dy emra: e Kadipashajt (sot Lumas), vendbanimit më të afërt dhe, ura e Haxhi Sali Bej Prrenjasit, atij që edhe e ndërtoi. Kështu, u ndërtua kjo urë shumë e bukur e gjatë tridhjetë metra. Gurët e u gdhëndën me kujdes, u lidhën me llaç gëlqere të përzier me lesh dhie, mjeshtri që trashëgohej qysh prej ndërtimeve në periudhën e Arbërisë së herëshme. Sigurisht, vetëm një ndërtues urash është në gjendje të sjellë të gjallë kënaqësinë që të shkakton ndërtimi i një vepre kaq mjeshtërore, ku mplekseshin llogaritjet inxhinierike të pesh­mbajtjes, si dhe problemi i paraqitjes arkitektonike. Urë me tre qemerë, njërën në mesin e lumit dhe një nga secilën breg.

Në të vërtetë ajo urë kur përfundoi mori dy emra: Kadipashaj (sot Lumas i Elbasanit) e vendbanimit më të afërt dhe ura e Haxhi Sali Bej Prrenjasit e atij që  kontriboi për ndërtimin e saj. Dhe një ditë pasi kishte mbaruar së ndërtuari, beu, bëri një festë të madhe dhe theri qindra kokë bagëti. Lëkurët e bagëtive i mori e i shiti në pazar të Beratit. Disa dhjetra kokë të bagëtive i futi në themelet e urës për kurban”.

Ura nisi të ushtronte ndikimin e vet mbi levizjet e rrugës së karvaneve. Mijra e mijëra kalimtarë, karvanë, ushtri do të kalonin mbi atë urë në  verë, në shi e në rrebesh, duke ecur drejt gëzimit ose fatkeqësisë së tyre në shekuj.

Pas kalimit të dhjetra e dhjetra viteve, erozioni dhe mungesa e kujdes­it bëri që edhe kjo urë të mos i shpëtonte shkatërrimit. Ajo nuk i rezistoi egërsisë së lumit nga vërshimi i ujërave në kohë shirash, që merrte ç’gjente përpara: pemë, trungje, gurë. Urë që sipas gojdhënës u rrëzua në fillim të shekullit të kaluar. Kjo ishte një humbje e madhe për  banorët e krahinës, por edhe më gjërë. Historitë gojore rrëfejnë për prishjen e urës. “Një herë ra një shi shumë i madh, aq sa lumi solli sasi të mëdha uji dhe bashkë me të edhe drurë, ku mes tyre edhe një trung të madh i cili zuri tej e tej këmbët e urës duke mos e lejuar ujin të kalonte nga poshtë. Për pasojë, niveli i ujit u rrit deri pranë dysh­emesë kaluese dhe në një moment, presioni i fuqishëm i ujit të mbledhur e këputi urën në mes. Ndërsa banorët e komentuan kështu shëmbjen e saj: Ajo u shemb sepse beu nuk e mbajti premtimin që kishte dhënë dikur, për të mos përfituar asgjë nga mirësitë e tij, sepse ai mori lëkurët e bagëtive gjatë festimit për ndërtimin e saj”. Se sa e vërtetë është historia e treguar na bënë të mendojmë se kjo ishte fryt i fantazisë së banorëve dhe besytnive të asaj kohe, por urën mund ta kenë shëmbur vërshimet e e prurjeve të ujërave me rrëmbim të Devollit gjatë muajve të dimrit ose të pranverës.

E ura mbeti kështu për vite e vite e shkatërruar, duke mos vazhduar të lidhte brigjet dhe për shkak të kësaj rrethane iu desh që edhe rruga e karvaneve Elbasan-Berat, të humbiste rolin e vet e të shëndërrohej në rrugë të shkelur rrallë. Sot nga ajo trashëgimi e së kaluarës, s’ka mbetur asnjë fragment ure, apo gurë të sterosur e të ngrënë nga rrjedha e lumit në shekujt. Veçse, morinë e historive gojore e kujtimin, që këtu ngrihej një urë, në një fotografi të vitit 1967.

  1. No comments yet.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.