Archive

Posts Tagged ‘Shteti Osman’

Peqinasi që drejtonte ushtritë osmane

24/04/2022 Leave a comment

Fatos SALLIU

PEQINASI QË DREJTONTE USHTRITË OSMANE

Abdurrahman Abdi Pasha Shqiptari

Abdurrahman Abdi Pashë Shqiptari (Peqini), Arnavut Abdurrahman Abdi Pasha (1616-1686). Historia e tij është vërtet mahnitëse. Rasti kur një ushtar bëhet komandant, pasha, guvernator, lider, hero. Një lavdi që haset rrallë në histori. Ishte ushtaraku më i besuar i Portës së Lartë për kohën. Dhe jo pa qëllim e komanduan në vijën më të rrezikshme të frontit. Aty ku ndaheshin dy perandori. Sa i përket luftës, unë dyshoj se ai u la i vetëm në qytet, i rrethuar nga qindra mijë ushtarë dhe dhjetëra ushtri. Sulltani nuk mund ta mbante dot më Budapestin dhe përplasja mes ushtrive mund të ishte një katastrofë e përgjakshme, ndonëse e tillë përfundoi me mijëra të masakruar, por gjithsesi jo në qindra mijë. Ai vdiq si “peqinas”, si shqiptar, si njeri i besës, në vijën e parë të frontit edhe pse ishte 70 vjeç. Vdiq, jo si komandant apo guvernator, por si një ushtar i perandorisë. Abdurrahman Pashë Peqini, i njohur si Abdurrahman Abdi Pashë Shqiptari, lindi më 1616 në fshatin Çiçul (Çopanaj) të Peqinit. Turqisht Peqin (Bekleyin) nënkupton vend mikpritës. Mësimet e para i mori në Medresenë e këtij qyteti dhe më pas vazhdoi studimet e larta ushtarake në Stamboll. Në vitin 1667 u bë Aga (komandanti) i jeniçerëve dhe u dërgua në betejë, në Kretë (luftë e cila kishte filluar para 100 vitesh). U shqua për komandant dhe trimëri, duke thyer keq kundërshtarët. Për këtë fitore iu dha titulli “Pasha” dhe të drejtën për të zotëruar kazanë e Peqinit. Por ky ishte vetëm fillimi i karrierës së tij. Bie në sy të Sulltanit dhe Vezirit dhe nis të emërohet në postet e larta në shërbim të perandorisë. Në vitin 1673 fitoi gradën e Vezirit dhe postin e guvernatorit në Bagdad. Në vitin 1675 u bë guvernator i Egjiptit. Në vitin 1680 u bë guvernator i Bosnjës. Në vitin 1681 u bë guvernator i Budës në Hungari dhe në vitin 1685 u emërua komandant i ushtrisë Osmane në Hungari. Po atë vit shkoi guvernator në Halep (Alepo). Në vitin 1686 u emërua për herë të dytë guvernator i Budës në Hungari. Ishte lider politik dhe ushtarak. Shpejt u bë zot duke sunduar territoret e Hungarisë. Gëzonte respekt të madh në popull. Madje Budapesti ishte një nga qytetet e Perandorisë me status të veçantë. Me më shumë “demokraci”.

Lufta e Madhe Turke

Rrethimi i parë, 1684

Në pranverën e vitit 1684 një ushtri prej rreth 80.000 vetë marshuan drejt Budës nën komandën e Karlit V, Dukë i Lorraine, për të çliruar qytetin nga turqit. Pasi ushtria kryesore kaloi Danubin në Esztergom më 13 qershor, pararoja e ushtrisë perandorake, nën komandën e Maximilian Lorenz von Starhemberg dhe gjeneralit të kalorësisë Louis William, Markoni i Baden-Baden, mbërriti në qytetin kështjellë të Vishegradit më 15 qershor. Më 16 qershor, qyteti i Esztergom u mor nga stuhia e trupave perandorake perëndimore. Pavarësisht nga muret e fortë, një portë u shkatërrua nga goditjet e topave. Shumica e trupave okupuese turke u vranë dhe qyteti u plaçkit. Vetëm pak turq arritën të tërhiqen në kështjellën shkëmb që ndodhej mbi qytet. Pasi rezistoi edhe dy ditë, garnizoni turk kapitulloi më 18 qershor. Më 27 qershor, ushtria perandorake u përlesh me një ushtri të fortë turke e përbërë nga 17.000 ushtarë në Vác nën komandën e Vezirit të Madh, Kara Ibrahim Pashait i cili dëboi Habsburgët.

Edhe pse turqit ishin në një pozitë të favorshme, Karli V nisi luftën duke qëlluar me topa. Ushtria qendrore perandorake, nën komandën e Maximilian Lorenz von Starhemberg, pas një lufte tepër të shkurtër, mundi trupat turke. Vác ra nën këmbët e ushtrisë perandorake në të njëjtën ditë. Më 30 qershor, ushtria kryesore perandorake hyri në qytetin Pest, të cilit turqit i kishin vënë flakën para se të largoheshin. Pasi ushtria kaloi Danubin në Vác, filloi rrethimin e Budës e mbrojtur nga 7.000 turq. Ushtria perandorake, e përbërë nga 43.000 vetë, filloi bombardimin e kështjellës së Budës me 200 topa në 14 korrik 1684, në përvjetorin e fillimit të rrethimit të Vjenës. Marshal Graf Ernst Rüdiger von Starhemberg ishte caktuar për të kryer rrethimin. Më 19 korrik, trupat perandorake morën kontrollin e pjesës së poshtme të qytetit të Budës. Megjithatë, pasi shumë pak trupa ishin në dispozicion për ta zënë atë, Ernest Rudiger urdhëroi të digjen shtëpitë në atë pjesë të qytetit. Gjatë muajve korrik dhe gusht, ushtria perandorake bëri disa përpjekje për të sulmuar kështjellën, por u zmbraps nga mbrojtja e vendosur turke. Në fillim të shtatorit, një gjeneral perandorak raportoi se numri i ushtarëve të aftë për shërbim ishte zvogëluar dhe morali ishte i ulët.

Më 22 shtator arriti një ushtri mbështetëse turke e cila sulmoi menjëherë forcat që mbanin rrethuar qytetin. Ushtria perandorake megjithatë arriti ti zmbrapsë, por nuk ishte në gjendje që ti mposhte ata. Këmbësoria turke sulmoi herë pas here ushtrinë perandorake duke mos e lënë të qetë. Bashkë me sulmet e garnizonit turk në qytet, ata bënë që të bjerë morali i ushtrisë perëndimore. Ernest Rudiger, u plagos rëndë dhe u përball me kritika të ashpra nga ushtria e tij. Ai u zëvendësua gjatë rrethimit. Goditja përfundimtare ishte një “magji” në favor të turqve e shkaktuar nga kushtet e këqija të motit gjatë muajit tetor. Ndaj u mor vendimi për t’u tërhequr. Më 30 tetor, ushtria perandorake u tërhoq pas një rrethimi që kishte zgjatur 109 ditë. Disa faktorë bënë që madhësia e Forcave Aleate të tkurret me rreth gjysmën e numrit kur nisi fushata. Humbjet e betejave, dizanteria, epidemia dhe ethet, llogoret e dobëta dhe gabimet taktike në rrethim, bënë që ushtria perandorake të shkojë në disfatë. Kapiteni Paul Joseph Jakob von Starhemberg, dhe aleatët e krishterë pas kësaj fushate, pësuan një humbje e llogaritur në 24.000- 30,000 burra. Për ironi, faji për dështimin ju hodh njeriut i cili vetëm udhëhoqi ushtrinë në fillim të rrethimit: Ernest Ruediger von Starhemberg.

Rrethimi i dytë

Në vitin 1686, dy vjet pas rrethimit të parë të pasuksesshëm, aleatët perëndimorë ndërmorën fushatën e dytë çlirimtare të Budës. Këtë herë, ushtria e “Lidhjes së Shenjtë” ishte shumë më e madhe në numër. Ajo numuronte 90.000-100.000 ushtarë duke përfshirë në përbërje të saj gjermanë, hungarezë, kroatë, holandezë, anglezë, spanjollë, çekë, italianë, katalonjas, francezë, danezë, suedezë dhe vullnetarë të vendeve të tjera evropiane që e mbështetën sulmin me topa, artileri dhe oficerë. Mbrojtja turke përbëhej vetëm nga 7.000 burra që ndodheshin nën komandën e komandantin 70 vjeçar shqiptar; Arnaut Abdurrahman Abdi Pashait. Rrethimi nisi në mes të qershorit 1686. Më 27 korrik, ushtria e “Lidhjes së Shenjtë” filloi një sulm në shkallë të gjerë i cili u kushtoi atyre 5.000 të vrarë.

Ndryshuan taktikë dhe nga sulmi kaluan në mbrojtje. Një ushtri mbështetëse turke thuhet se mbërriti në Budë në mes të gushtit e udhëhequr nga Veziri i Madh Sari Sulejman Pashai. Por mjaft kronikanë dhe dëshmi të betejës thonë se ajo nuk mbërriti kurrë. Forcat e rrethuara osmane (garnizoni i qytetit) të udhëhequra nga Abdurrahman Abdi Arnaut Pasha nuk ishin në gjendje që t’i rezistonin ushtrisë së përbërë prej 100 mijë vetë. Përpjekjet mbrojtëse të Abdi Pashë Shqiptarit janë të referuara si “heroike” nga Tony Jaques në librin e tij “Fjalët e betejave dhe rrethimeve”. Princi Eugene i Savojës dhe dragonjtë e tij, nuk ishin të përfshirë drejtpërdrejtë në hyrje të qytetit, por qëndruan në mbrojtje, në prapavijë të ushtrisë, nga frika e sulmeve të ushtrisë mbështetëse turke.

Masakra e hebrenjve dhe myslimanëve

Pas pushtimit, ushtarët fitimtarë e shprehën zemërimin e tyre me mjaft urrejtje ndaj “paganëve”. Njohja e kërcënimit turk u mishëruar fort në ndërgjegjen e Evropës në atë kohë, nxitur nga raportet e krimeve turke kundër civilëve dhe qëndrimet ndaj fesë së krishterë. Ja si përshkruhet në një dokument situata fill pas pushtimit të Budës: “Buda është marrë, braktisur dhe plaçkitur. Ushtarët kryen masakër kundër turqve, për shkak të rezistencës së gjatë e cila u kishte marrë jetën një numri marramendës të shokëve të tyre. Ata nuk kursyen as moshën, as seksin. Elektori i Bavarisë dhe Duka i Lorraine, të shqetësuar se burrat do vriteshin dhe gratë do të dhunoheshin, dhanë urdhër për të ndalur kasaphanën, duke shpëtuar jetën e mbi 2000 ushtarëve turq”. Mbi 3.000 turq u vranë në masakrën e kryer nga trupat perandorake dhe dhuna u drejtua, jo vetëm kundër myslimanëve, por gjithashtu kundër popullsisë çifute të Budës. Si subjekte të Perandorisë Osmane, të cilët gëzonin tolerancë më të madhe nën osmanët në krahasim me Habsburgët, judenjtë kishin luftuar krah për krah me turqit dhe u konsideruan aleatët e tyre.

Pas pushtimit të qytetit, komuniteti hebre i Budës, i cili në kulmin e vet kishte numëruar 3.000 banorë, u shkatërrua pothuajse plotësisht. Afro 1000 hebrenj, banorë të qytetit, u masakruan; qindra hebrenj dhe 6.000 myslimanë të tjerë u kapën dhe u shitën si skllevër ose u mbajtën si shpërblim, për besnikërinë e tyre ndaj turqve otomanë. Shtëpitë dhe pronat e hebrenjve u plaçkitën dhe u shkatërruan. Ata që mbijetuan u tërhoqën bashkë me turqit. Ata që u kapën u dërguan në Vjenë, Pozsony apo Mikulov. Xhamitë dhe minaret e Budës u shkatërruan nga ushtria e Perandorisë së Shenjtë Romake. Po kështu edhe tre sinagoga, bashkë me libra shumë të çmuar, u dogjën dhe shkatërruan. Ngjarjet më të përgjakshme të betejës janë regjistruar nga Johann Dietz i Brandenburgut, një mjek i ushtrisë perandorake: “… As foshnjat në mitrat e nënave të tyre nuk u kursyen. Të gjithë u dërguan drejt vdekjes. Unë kam qenë mjaft i tmerruar nga ajo që është bërë këtu. Burrat ishin shumë mizorë me njëri-tjetrin më shumë se sa kafshët e egra (Bestien)”. Trupat perandorake varrosën të vdekurit e tyre ndërsa kufomat e turqve dhe çifutëve i hodhën në Danub.

Vdekja e Abdurrahman Abdi Arnaut Pashës gjatë Betejës së Budapestit (1686)

Forcat e Vezirit të Sulejmanit të Madh, në ndihmë të 7000 ushtarëve turq që mbronin Budapestin, nuk arritën në kohë. Pas më shumë se 2 muaj bombardimesh dhe një seri sulmesh të pasuksesshme, në ditët e para të shtatorit 1686, qyteti u transformua në pluhur e hi. 2000 nga trupat e Abdurrahman Pashë Peqinit mbijetuan, 5000 të tjerë ranë në betejë dhe vetë komandanti 70 vjeçar u vra në vijën e parë të frontit më 2 shtator të atij viti. Trupat e perandorit të Habsburgëve shkelën në muret veriore të qytetit pikërisht në këtë ditë duke i dhënë fund pushtimit 145 vjeçar të Budapestit.

Shekuj më vonë, një memorial i komandantit, u ngrit në “Buda Castle”. Memoriali u ndërtua në vitin 1932 nga pasardhësit e György Szabó, i cili ishte një ushtar hungarez i ushtrisë çlirimtare që gjithashtu ra në këtë vend më 2 shtator. Mbishkrimi, në gjuhën hungareze dhe turke, thotë: “Guvernatori i fundit i pushtimit 145 vjeçar të Buda-s, Abdurrahman Abdi Arnaut Pasha. Ra në këtë vend më 2 shtator, 1686, kur ishte 70 vjeç. Ai ishte një armik heroik. U prehtë në paqe!

Tamesvarli Gazi Asik Hasan, një ushtar poet i shekullit XVII shkroi një poemë shumë të pikëlluar për humbjen e Budapestit.

Çfarë bëri simbolikisht për Peqinin, vendlindjen e tij, pashai i famshëm?

Abdurrahman Pasha ndjente detyrime ndaj vendlindjes së tij. Në vitin 1666 ndërtoi xhaminë e Peqinit, një ndër më të bukurat për kohën. Ndërtoi një hamam, shtatë kroje, hane, dyqane, ura etj. Përveç vakëfeve që ka lënë në Peqin, ka rindërtuar edhe tyrben e Maruf-i Kerhit në Bagdad.

Legjenda e Budapestit

Bilbilat nuk këndojnë, vera nuk erdhi pas pranverës
Vajtimet e bilbilave shpuan gjoksin tim
Tani është koha për blerjen dhe shitjen e trandafilave
Austriakët kapën vajzën tonë të prishur të quajtur Budapest.

Tani myslimanët nuk lahen pas lutjeve nga burimet e saj
Askush nuk është duke u lutur në xhami
Shtëpitë të gjitha u shkatërruan
Austriakët kapën vajzën tonë të prishur të quajtur Budapest

Tregu i gjatë i Budapestit
Dhe Xhamia e Sulltan Ahmetit në qendër
Duket si Kaba e Mekës
Austriakët kapën vajzën tonë të prishur të quajtur Budapest.

Unë jam bir i Pashës së Budapestit
Unë i dua sytë e prindërve të mi
Unë jam një llambë në një kafaz
Austriakët kapën vajzën tonë të prishur të quajtur Budapest

Papritmas gjëma shpërtheu dhe në ne të gjithë u habitëm
Të gjitha xhamitë me gjashtë minare u qëlluan dhe dogjën
Të gjithë fëmijët e vegjël të pafajshëm ranë në zjarr
Austriakët kapën vajzën tonë të prishur të quajtur Budapest.

Budapesti është kryeqyteti i të gjithë kufijve turq
Të gjithë gurët e dhe toka e tij janë krijuar me gjak
Ne na udhëheq ideali i dëshmorëve
Austriakët kapën vajzën tonë të prishur të quajtur Budapest

Nga jugu tri armë qëlluan
Ishte e enjte kur dielli u eklipsua
Të premten Budapesti ra
Austriakët kapën vajzën tonë të prishur të quajtur Budapest.

Komandant ushtarak

Si komandant i sprovuar i perandorisë mori përsipër udhëheqjen ushtarake në Buda në vitin 1682 dhe u bë guvernatori i Hungarisë më 1684. Pikërisht në këtë vit, nga frika e kërcënimit osman, u krijua “Lidhja e Shenjtë”. “Lidhja” u ngrit me misionin për të larguar turqit nga Hungaria e cila sundohej prej tyre që prej 145 vjetësh. Me iniciativën dhe mbështetjen financiare të Papa Innocentit XI, Perandori i Shenjtë Romak, mbreti i Polonisë dhe Republika e Venedikut, dërguan 80.000 trupa në Budapest. Ushtria ishte e përbërë nga saksonë, bavarianë, brandenburgas, suedezë, holandezë, spanjollë dhe me numër më të vogël italianë, anglezë, francezë dhe gjermanë. Ata mbështeteshin edhe nga 15.000 hungarezë. Ushtritë ishin të udhëhequr nga ushtarakët më të shquar të kohës në Europë.