Maruf Arnauti – Romancieri i parë në letërsinë siriane

Dr. Muhamed MUFAKU (ARNAUTI)

 

MARUF ARNAUTI – ROMANCIERI I PARË NË LETËRSINË SIRIANE

Dr. Muhamed Mufaku

Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti)

Në vitin 1973 u botua në Damask libri i kritikut të njohur sirian Adnan Ibn Zarril, me titull “Romani sirian”, i cili merret me çështjet e romanit sirian, qysh nga fillet e kësaj gjinie letrare në Siri. Në këtë libër, autori jep listën e romaneve në letërsinë siriane qysh nga viti 1928 e deri në vitin 1973. Sipas kësaj liste del se shqiptari Maruf Arnauti është autori i romanit të parë, të dytë, të pestë e të gjashtë, gjë që është një kontribut i rrallë i ndonjë shqiptari në ndonjë letërsi të huaj.

Kush është Maruf Arnauti?

Në gjysmën e shekullit XIX erdhi nga Vlora në Bejrut shqiptari Hasan Aga Jusufi. Ai, pari arriti në Bejrut, u emërua përgjegjës i sigurimit të këtij qyteti. Ai shumë shpejt u dallua, në krye të detyrës së vet, edhe pse nuk e dinte arabishten. Mirëpo, historiani i njohur arab Jusuf I. Jazbeku zbulon se emërtimi i këtij shqiptari në këtë detyrë nuk qe për një qëllim të mirë. Në të vërtetë, ai u internua në Bejrut me urdhrin e sulltanit Abdul Maxhit (1839-1861) për shkak të tendencave të tij patriotike. Në Bejrut, ai rrëfente tregime për “trimërinë e stërgjyshit të tij Skënderbeut për çlirimin e territorit shqiptar nga pushtuesit e huaj”. Përveç kësaj, historiani Jusuf I. Jazbeku tregon një gjë shumë interesante. Sipas fjalëve të këtij historiani, ai kishte lidhje edhe me arbëreshët e Italisë, me qëllim që të njihej me interesimin e tyre për atdhe. Hasan Jusufi kishte lënë në Bejrut shumë djem e nipa. Njëri prej tyre është edhe Maruf Arnauti.
Marufi u lind në Bejrut në vitin 1892, ku edhe u shkollua. Në fillim u dallua me aktivitetin e tij revolucionar. Ai iku nga ushtria osmane, ku shërbente si oficer, dhe mori pjesë në Revolucionin Arab (1916) kundër pushtetit osman. Më vonë, ai mori pjesë aktivisht në lëvizjen çlirimtare kundër kolonializmit francez në Siri. Për shkak të aktivitetit të tij, ai u dënua me vdekje nga pushteti francez. Mirëpo, pas një kohe, ai u amnistua. Pasi vendosi të jetonte në Damask (1920), u mor kryesisht me letërsi. U dallua me krijimtarinë e vet të llojllojshme: shkroi tregime, drama, u mor me gazetari, sidomos u dallua si romancier.
Në fushën e tregimit, Maruf Arnauti, dallohet me tregimin e tij “Firadus al-Mari” (Parajsa e al-Mariut), i cili u botua në vitin 1915, atëherë kur tregimi sirian filloj të zhvillohej. Ky tregim, sipas kritikut sirian Samir Sheik al-Ardi, është “ndër tregimet e para të zhvilluara në Siri”.
Si dramaturg, Maruf Arnauti, gëzon një vlerësim të posaçëm në kritikën siriane. Ai, sipas kritikut Adil Abu Shanab, është “i pari në Siri që ka shkruar dramën me plot kuptimin e fjalës. Kontributi i Maruf Arnautit në dramën siriane është shumë i madh, gjë që e vlerëson shumë lart kritiku sirian Adnan Ibn Zarril. Ky kritik shkruante në një rast se Maruf Arnauti “ka realizuar fitore të mëdha, se ai e bindi opinionin që teatri mund të shfrytëzojë të gjitha temat letrare, artistike, historike, lirike, shoqërore, dhe patriotike”. Ndër dramat e Maruf Arnautit dallohet veçmas “Xhemeal Basha al-Safah” (1919) dhe “Ebu Abdullah al-Sagir” (1929).
Edhe në gazetari kishte një aktivitet të gjallë. Ai mori pjesë në nxjerrjen e gazetës “al-Istiklal al-Arabi” (Pavarësia Arabe, në vitin 1917). Më vonë, në vitin 1919, ai vetë nxjerr revistën “al-Alam al-Arabi” (Flamuri Arab), e cila kishte përmbajtje letrare. Një vit më vonë, më 1920, ai nxjerr gazetën e përditshme “Fata al-Arab” (I riu arab), e cila vazhdoi të botohet deri në vdekjen e tij, në vitin 1948. Kjo gazetë, e cila ishte e përhapur jo vetëm në Siri, kishte një përmbajtje të llojllojshme. Në këtë gazetë, Maruf Arnauti ka qenë njëkohësisht kryeredaktor, redaktor, përkthyes, korrektor, lektor dhe arkëtar!
Ndërkaq, kontributin e tij më të madh në letërsinë siriane e dha si romancier. Siç e pamë më lart, ai është autor i romanit të parë, të dytë, të pestë dhe të gjashtë në letërsinë siriane. Romani i tij i parë “Sejjid Kurejsh” (1928) qe botuar në tri vëllime, me gjithsej 918 faqe. Në vitin 1971 doli botimi i tretë i këtij romani, gjë që tregon vlerën e tij. Pikërisht prej këtij romani ne kemi zgjedhur një fragment me titull “Lindje”. Në këtë fragment ndoshta vërehet ndonjë dobësi artistike, por është e natyrshme, meqë fragmenti është marrë nga romani i parë në letërsinë siriane. Me fjalë të tjera, vlera e këtij fragmenti, por edhe e romanit, në përgjithësi është më shumë historike se sa artistike.
Në këtë fragment, Maruf Arnauti trajton një temë të traditës së përhapur dikur te arabët: vrasjen e vajzave të porsalindura. Sipas mendimit tonë, ky fragment ka një vlerë të posaçme, ngase autori tregon se kjo traditë nuk rrjedh nga mentaliteti i arabëve, por nga mjerimi dhe varfëria e tyre.
Është e vërtetë se Maruf Arnauti, edhe në veprat e tij, u dallua si luftëtar i palodhshëm për arabizmin, për çlirimin e arabëve dhe bashkimin e tyre. Ai luftoi dhe krijoi për të tjerët, për arabët, por ai nuk është as shqiptari i parë e as i fundit që luftoi për të tjerët.
Është e vërtetë se Maruf Arnauti nuk e dinte shqipen, por kjo nuk do të thotë se ai ishte pa ndjenja kombëtare. Nga gjuha shqipe, ai dinte vetëm një fjali: “Unë jam shqiptar”…

Maruf ARNAUTI

LINDJE
(fragment romani)

Në Ukaz, në qytezën e vogël, njerëzit që erdhën nga çdo anë, u kënaqën me poezinë e mirë. Kështu Ukazi, edhe në këtë sezon të ri e të frytshëm, tregoi se ç’tradita ka në ruajtjen e poezisë, gjë me të cilën mburret Saharaja e arabëve, e cila përvëlon në forcimin e unitetit të saj letrar dhe kombëtar.
Mirëpo, në këtë moment të këndshëm, njerëzit dëgjuan një zë të fuqishëm, panë një burrë duke dalë nga radhët e njerëzve, duke u afruar në atë vend ku gjendeshin Uaraka Ibn Nufal dhe Mauija, gruaja e Adiut. Burri ishte i armatosur deri në dhëmbë. Njerëzit duke u frikësuar prej tij, filluan të ikin duke pyetur se si kishte mundur ky të hynte me armë në Ukaz. Burri filloi të klithte:
– Ku është gruaja ime? Më thanë se është këtu…
Ai u ndal afër Vereka Ibn Nufalit. Mauija fare nuk deshi të largohej prej këtij plaku. Burri përsëri thërriste:
– Kthema gruan, o plak! Gruaja dridhej prej tmerrit, dhe filloi të qante duke klithur:
– Më ruani prej këtij tirani… Ky do të më vrasë…
Njerëzit u shqetësuan para kësaj skene dhe filluan të shqirren:
– Ky është Adiu vjedhës…
Vereka u ngrit në këmbë duke bërtitur:
– Mauija gjenden nën mbrojtjen e Ebu Sufjanit, dhe i tha: largohu prej këtu…
– Por, ajo është gruaja ime!
Ebu Sufjani dëgjoi këto fjalë dhe së shpejti erdhi për ndihmë. Ai u ndal ndërmjet plakut dhe gruas.
– Ç’do, o i pafytyrë?
Adiu u përgjigj:
– U betova se do ta vras gruan time nëse lind vajzë.
– Ç’njeri i keq je! Merreni armën e tij!
Njerëzit u tubuan rreth Adiut dhe filluan ta çarmatosin, kurse gruas i ra të fikët në tokë. Disa njerëz e morën atë në shtëpinë e Ebu Sufjanit, kurse disa nga zotërinjtë e fisit Kurejsh erdhën për ta mbrojtur. Njerëzit filluan ta largojnë Adiun jashtë sheshit. Ndërkohë gruaja lindi një vajzë.
Adiu ishte ende në luftë me njerëzit kur dëgjoi klithjet e gruas së tij. Ai ngeli pa fuqi, filloi t’i pyesë njerëzit përreth për gruan e tij, duke bërtitur:
– Ma ktheni gruan! Kjo është punë për mua!…
– Ky është i dehur – thanë njerëzit.
Ebu Sufjani u kthye i shqetësuar te Adiu dhe i tha:
– Qetësohu, gruaja jote po vuan, ajo ka nevojë për mëshirë.
– Ç’po thua, o zotëri?
– Po të them se gruaja jote e mjerë sapo lindi, ka nevojë për qetësi, përndryshe do të vdesë së bashku me vajzën.
– Çka? Po më thua se lindi vajzë?
– Po të vjen keq, o i mjerë, që të lindi vajzë? Ajo është e bukur si lule dhe e ndritur si dielli.
– Por…
– Por çmenduria të pushtoi dhe të bëri të pamëshirshëm, të vështirë si vërshimi. Kthehu në veten tënde, sonte e ke një pranverë që ta mbushë jetën me kënaqësi.
– Ç’po thua, o zotëri?
– Më shiko… më njeh?
– Kush nuk të njeh në Ukaz, o zotëri?
– Atëherë harroje këtë urrejtje që e kafshon veten tënde, mendo se tash je bërë babai i një krijese të dobët, që ka nevojë për dashurinë tënde.
– Por jam i mërzitur nga jeta ime e mjerë, nga jeta në errësirën e varfërisë; nuk mund ta siguroj kafshatën e jetës për këtë vajzë të porsalindur!
– Ky është ai mjerimi që e mbyti mëshirën në zemrën tënde?
– A e di se ç’është mjerimi? Mjerimi është det dhembjesh dhe dëshpërimesh; mjerimi është shtëpi pa kulm dhe pa dritare; mjerimi është një zemër e errët dhe pa ndjenja; mjerimi është varr i etshëm që e hap gojën për viktimat dëshmorë.
– Ky është mjerimi?
– Po, o i ndershëm. Mjerimi është ajo urrejtje që e pengon zemrën për të kuptuar bukurinë dhe dashurinë. Mjerimi në kulmin e tij është ajo revoltë kundër të mirës në çdo formë.
– Dëgjo! Dëshiroj të të shpëtoj nga mjerimi.
– Si?! Ç’po thua? Do të ma shtrish dorën tënde të mëshirshme?
– Po, në këtë moment, e në këtë vend.
Vereka Ibn Nufali nuk qe larg Ebu Sufjanit. Ai iu afrua dhe e pyeti:
– Më lejon mua, o zotëri, që të flas me këtë njeri?
– Po. Fol, o plak i urtë! – u përgjigj Ebu Sufjani.
Ai ia shtrëngoi dorën Adiut dhe i tha:
– Mjerimi është ashtu siç e ke përshkruar, por ndikimi i tij është i dobët në shpirtin e mirë… Ka shumë të mjerë në mesin e njerëzve, por fatet e tyre nuk janë të ngjashme. Mjerimi mbjell urrejtjen dhe dhunën në shpirtrat e dobët… Jeta është një stinë, stinë e dimrit të cilën e quajmë mjerim, e shpirtrat e mirë janë ata që i pastrojnë shirat e kësaj stine.
– Më ke zbutur me këto fjalë.
– Hiqe nga shpirti yt atë gjarpër që e shpërndan helmin në veten tënde!
– Po, do ta shkul gjarprin që më pushtoi nga dehja. Do ta shikoj jetën me sy e me zemër të shëndoshë…
– Po Mauija?
– Do të kthehem te ajo i penduar për atë që bëra.
– Po fëmija?
– Do të jem për të ai baba, që e shoh në fytyrën e saj të buzëqeshur këtë dritë që mbush malet e Faranit.
– Atëherë, do ta gjesh në shtëpinë time atë lumturi, që e ke kërkuar derisa të lodhi… Shko me gruan e vajzën te bija e xhaxhait tim, Hadixhja, në Mekë. Ajo është bujare, është më e ndershmja e më e pasura ndër gratë e fisit Kurejsh. Kur të takohesh me të, tregoi se Vereka më dërgoi te ti, që të jem në mesin e burrave që i dërgon për tregtinë tënde në Siri. Do të shkosh tek ajo?
Adiut iu mbushën sytë me lot, e mori dorën e plakut dhe tha:
– Do të shkoj nesër… Kurrë nuk do të të harroj për këtë të mirë. Më ke shpëtuar nga vuajtja.
Ai e shikoi Ebu Sufjanin me sy plot falënderim dhe i tha:
– O zotëri, zëri yt zgjoi një mall të fjetur në zemrën time, që nuk e shijova kurrë më parë. Më trego tani se ku është gruaja ime…
Ebu Sufjani e mori deri në shtëpi. Ai hyri brenda në qetësi. Kur e pa gruan e tij të shtrirë me vajzën, ai u gjunjëzua afër këmbëve të saj, e përqafoi duke shikuar sytë e saj të mbushur me lot.
Mauija i ngriti sytë dhe i tha:
– Adi, ç’do të bësh me mua?
– Oh, e mjerë, të erdha i penduar, të kam tmerruar me urrejtjen time të rrejshme dhe me mendjen time që kurrë nuk u zgjua.
– Po e kaluara?
– E varrosa në harresë. Tash u zgjua shpirti im, të erdha si njeri i ri me mend e me zemër. Po vajza, ku është?
– O bijë, zemra ime ishte deri më sot si dru i zhveshur prej gjetheve dhe i mbushur me mjerim. Por lindja jote ia ktheu drurit gjethet dhe lulet, që e fshijnë mjerimin…

 

Përktheu nga gjuha arabe:
Dr. Muhamed MUFAKU (ARNAUTI)

 

*Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 2, Pranverë-Verë, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

 

Revista “URA” në Facebook: https://www.facebook.com/pages/Revista-URA-Tiranë/383945141873

Shkruani një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.