Archive

Archive for 23/12/2012

Kijameti nuk do të bëhet, mos u trembni!

23/12/2012 Leave a comment

Ahmet ÇAUSHI*

 

KIJAMETI NUK DO TË BËHET, MOS U TREMBNI!

Ahmet Çaushi

Ahmet Çaushi

Prej shumë kohësh është shkruar në media, është biseduar e po bisedohet nëpër televizione e në mbarë botën, se më 21 dhjetor 2012 do t’u bëka Kijameti. Ku e ka nisjen kjo shpallje? Priftërinjtë, pasi kanë lexuar një kalendar të vjetër, kanë caktuar këtë datë si fundin e botës. Nuk është hera e parë që mashtrohet me thëniet e vjetra. Nga këto mashtrime janë nxjerrë edhe fitime të shumta. Më 21 mars të vitit 2000, “Gazeta Shqiptare” shkruante lajme tronditëse për këtë çështje. Në shtatorin e vitit 2000, njoftonte kjo gazetë, se në datën e caktuar për Kijamet, në rrethinat e qytezës Luwero, banorët kishin shitur pasuritë e tyre dhe paratë ia kishin dhënë priftit Eilson Busharo. Në tubim praktikohej seksi në masë, që t’i gjejë fundi i botës në këtë punë “të mirë”. U vranë me dashje 400-600 persona, ndërsa shteti arrestoi 1000 pasues. Më 19 nëntor 1978 ndodhi vetëvrasja masive më e tmerrshme në historinë e njerëzimit. Të udhëhequr nga prifti amerikan Jim Jones, u çuan në varr 914 vetë. Të gjithë ishin anëtarë të sektit “Tempulli i Diellit”. Një ditë më parë ata vranë senatorin amerikan Leo Ryan dhe katër të tjerë, të cilët ishin duke hetuar jetën e këtij sekti. Kush refuzonte, merrte një plumb kokës. (“Gazeta Shqiptare”, 21 mars 2000). Po në këtë datë, po në këtë artikull, shënohen edhe 13 raste të tjera.
Pas kërkimit falje nga papa për krimet e kishës, në muajin mars 2000, në rrethinat e një kishe katolike në Uganda u gjetën 1000 burra, gra e fëmijë të masakruar nga prifti për t’i nisur për në “parajsë”. Të gjithë ishin të sektit kristian “Dhjetë porositë e Zotit”. Kështu njoftonte radio “Zëri i Amerikës”.
Ç’thotë Kurani i Madhëruar? Në sure “Hixhr”, ajeti 85 (faqe 309) Zoti thotë: “Qiejt dhe tokën i krijova me urtësi (arsyetim e mjeshtri) të madhe. Nuk ka dyshim se fundi i tyre do të vijë e, ju silluni me njerëzishmëri.” Më tej, në sure “Araf”, ajeti 187 (faqe 209) thuhet: “Të pyesin ty (o Muhamed) për kijametin se “kur do të ndodhë ai?” Thuaju: “E di vetëm Allahu se kur do të ndodhë ai. Nuk mund ta zbulojë kush veç Zoti (Ai që krijoi botërat, Ai i di sekretet e fillimit e të mbarimit të tyre).” Po, Zoti i krijoi botërat dhe, më së miri, Ai di krijimin (fillimin), vazhdimësinë dhe kohën e ndryshimit të tyre.
Si do të bëhet kijameti dhe përmasat e tij sipas Kuranit. Kurani, para afro 1400 vitesh, shpjegon dhe paralajmëron. Në këtë libër, së pari jepen disa shenja paralajmëruese. Tri prej tyre po i rradhisim. 1) Do të rikthehet në tokë profeti Isa dhe do të ritregojë se ishte vetëm profet dhe se ai nuk është Zot; 2) Kur të humbë tërësisht besimi në një Zot të Vetëm; dhe 3) Kur të lindë dielli nga perëndimi. Asnjëra nga shenjat e lartpërmendura nuk ka ardhur, prandaj nuk ka ardhur koha për kijamet, nuk do të bëhet më 21 dhjetor 2012.
1. Kurani, në sure “Araf”, ajeti 187 (faqe 209), shkruan: “(O Muhamed) Të pyesin ty për kijametin se “kur do të ndodhë?” Thuaj: “Atë e di vetëm Allahu (Ai që ka krijuar botërat, Ai di edhe ndodhitë e tyre). Çështja e kijametit –vazhdohet më tej- është preokupim shumë i rëndë në qiej e në tokë. Ai do të vijë vetëm befas”. Thuaj: “Për të di vetëm Allahu, por dituria e njerëzve nuk e di (nuk e njeh).”
2. Si do të ndodhë kijameti?
3. Edhe këtë e shpjegon Kurani 1400 vjet më parë. E çuditshme! Pas 1400 vitesh shkenca arrin në këtë përfundim, si të Kuranit. Dhe ja:
4. Në sure “Tur”, ajeti 9 (faqe 604), thuhet: “Ditën kur qielli bën një tronditje të tmerrshme (të fortë)” do të jetë nisja e kijametit.
5. Sure “Enbija”, ajeti 97 (faqe 378), thuhet: “Në momentin e kijametit, sytë do të mbeten të shtangur.”
6. Në sure “Naziat”, ajeti 6 – 9 (faqe 691), thuhet: “Ditën që vrullshëm bëhet dridhja” fillon kijameti.
7. Në sure “Zelzele”, ajeti 1 – 2 (faqe 724), thuhet: “Kur të dridhet toka me dridhje të fuqishme e ajo të nxjerrë çka ka brenda”.
8. Në faqe 729 përsëri vazhdohet: “Këto dridhje do të shoqërohen me krisma të fuqishme e shurdhuese”.
9. Në sure “Inshikak” (faqe 703): “Kur të pëlcasë qielli, kur toka të shtrihet në tërë gjerësinë e saj të nxjerrë çka ka brenda, të çlirohet e t’i bindet realizimit të planit të Zotit”.
10. Në sure “Tekvir” (faqe 697) thuhet: “Kur dielli të jetë mbështjellur (errësuar), kur yjet të kenë rënë. Kur kodrat të kenë udhëtuar. Kur bagëtitë të lihen pa barí (edhe barinjtë, edhe bagëtitë ikin për të shpëtuar). Kur egërsirat të jenë bashkuar (harrojnë gjahun e të frikësuara kërkojnë ndihmën e njëra-tjetrës). Kur detet të marrin flakë e dallgët flakërojnë. Kur vajzat e vogla të varrosura të gjalla (vetëm pse ishin vajza) do të pyeten se për çfarë mëkati janë mbytur (vrasësit do të japin llogari e do të shijojnë dënime të tmerrshme). Kur qielli të jetë hequr”.
11. Në sure “Infitar” (faqe 699) shkruhet: “Kur qielli të çahet, kur të shkapërderdhen yjet, kur të përzihen detet e kur të trazohen varret, njeriu do ta kuptojë se ç’ka ka punuar dhe ç’ka ka lënë prapa.”
Nga sa u përmend, kuptohet se kijameti do të përfshijë tokën, diellin, yjet dhe qiellin, pra gjithçka dhe, njeriut nuk do të mund t’i hyjë në punë as shtëpia, as tuneli, as hapësira ndërmjet trupave qiellorë e as yjet, sepse kijameti përfshin gjithçka të kësaj bote kështu siç është.

Ç’do të bëhet? A do të vazhdohet më tej?

Në sure “Ibrahim”, ajeti 48 (faqe 303), thuhet: “Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë e, edhe qiejt. Dhe ata (njerëzit) të gjithë dalin para Allahut, që është mbizotërues.” Qartë kuptohet se do të rikrijohen botëra të tjera dhe jeta do të vazhdojë. Kështu thuhet në Kuran e kështu do të bëhet, sepse çdo problem për të cilin flet Kurani e ka vërtetuar patjetër shkenca dhe vazhdon ta vërtetojë.
Ja, kështu ka deklaruar e shpallur Kurani para afro 1400 vitesh. Dhe, NASA, qendra më e madhe e më serioze shkencore, pas 1400 vitesh, vërteton fjalët e Kuranit, ashtu siç vërtetoi para 4 – 5 vitesh fillimin e botërave. Dy shkencëtarë amerikanë morën çmimin “Nobel” kur arritën në konkluzionin se tërë trupat qiellorë dhe toka në fillimin e tyre kanë qenë së bashku dhe në një kohë të largët, sipas “Big Bangu”-t, nuk ka qenë trup më i madh se një top golfi. Ja si thuhet në Kuran, në sure “Enbija”, ajeti 30 (faqe373), “A nuk e dinë ata që nuk besuan se qiejt e toka ishin të ngjitura e Ne i ndamë dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi! A nuk besojnë?!” Ja, ky është Kurani, kjo është feja Islame. Ndodhi të shumta kanë ndodhur e do të ndodhin dhe për besimin Islam nuk ka asnjë problem shqetësues.
Pas pranimit të NASA-s se më 21 dhjetor 2012 nuk do të bëhet kijameti, dy ditë më vonë pranoi edhe Papa. Pra iu bind Kuranit, megjithëse në vitin 2000 hipi në helikopter e u ngjit në hapësirë që kijameti të mos e gjejë në tokë.
Nëpërmjet kësaj flete, u bëjmë thirrje njerëzve besimtarë islamë, besimtarë të besimeve të tjera si dhe ateistëve që të mos tremben, të vazhdojnë punën normalisht dhe le të vërejnë lëvizjen e diellit, vazhdimin e jetës e të binden se ka një Zot, që i ka rregulluar punët në mënyrë të përsosur e të mos u shkojë mendja tek Zoti vetëm kur kanë para vështirësi të mëdha.
Profeti Muhamed, në një hadith të mrekullueshëm, na këshillon e na porosit: “Nëse kijameti ju gjen duke mbjellë një pemë, vazhdojeni mbjelljen e saj”, sepse edhe mbjellja e saj do të shkruhet e do të vlerësohet tek punët e mira”. Ky mesazh i fuqishëm i profetit Muhamed, kjo porosi le të na mbushi me besim, me vullnet e qëndrueshmëri, që në çdo kohë ta bëjmë jetën tonë të dobishme për vete, për njerëzimin e jo të shesim pasuritë e të vrasim, a helmojmë njëri-tjetrin. Vazhdoni jetën dhe punën të qetë, gjithashtu vëzhgoni ndodhitë rreth jush dhe në hapësirat qiellore, se do të bindeni në madhështinë e Atij që i ka krijuar, që i mban e do t’i tjetërsojë në kohën e planifikuar prej Tij.

*Myftinia Dibër

Burimi: http://sot.com.al/index.php?option=com_content&view=article&id=48403:kijameti-nuk-do-te-behet-mos-u-trembni&catid=87:koment-a-analize&Itemid=539