Tanush Mulleti: Në ’39, Qazimi u kthye nga emigrimi 15-vjeçar. Shokohet Jakomoni

Fatos VELIU

TANUSH MULLETI: NË ’39, QAZIMI U KTHYE NGA EMIGRIMI 15-VJEÇAR. SHOKOHET JAKOMONI

Tanush Mulleti dhe Fatos Veliu

Zoti Tanush. Do të doja të dija për momentet që Qazim Mulleti mbërriti në Shqipëri pas një emigrimi shumë të gjatë, kur kemi parasysh se ai u largua që pas rrëzimit të Nolit, në 26 dhjetorin e vitit 1924.

Së pari, Qazimi dhe të gjithë miqtë e tij bënë përçapje për të kaluar në kontakte dhe për të siguruar mbështetjen e Zogut për t’u rikthyer në Shqipëri. Kjo ndodhi kur Shqipëria ishte në nevojë, për të gjitha situatat e turbullta që kishte hyrë vendi në fundin e vitit 1938-të dhe fillimin e 1939-ës. Por kur mori kërkesën e të gjithë këtyre patriotëve, Ahmet Zogu u ka kthyer përgjigje refuzimi, duke u thënë: “Është shumë vonë që ju të kujtoheni për Shqipërinë”. Zogu ishte tip i zgjuar dhe shumë i mprehtë dhe dinte të kundërpërgjigjej edhe kur “lakun” e kishte në fyt.

Dhe si vijoi jeta e tyre pas këtij refuzimi të prerë?

Me shumë pak fjali ju rikujtoj rezymenë e momentit të rrëzimit të Ahmet Zogut. Ishte viti 1939. Shqipëria kaloi nën mbikëqyrjen e Italisë. Juridikisht kurora mbretërore i kaloi Viktor Emanuelit III. Ahmet Zogu u largua jashtë Shqipërisë pas një rezistence veçse simbolike, për të thënë që ishte në eficencë me luftën kundër Italisë. Kuptohet se, fjala ishte që të vijonte të kishte trashëgiminë e fronit edhe duke u larguar.
Doja të dija mendimin tuaj personal, meqenëse jeni pasardhës i një familjeje antizogiste. Ahmet Zogu, bëri mirë që bëri një qëndresë simbolike, apo bëri keq?

Pra, si e konsideroni ju ikjen e tij?

Kuptohet lehtë përgjigjja, kur unë të të them se po të kishte filluar Ahmet Zogu një luftë frontale, duke bërë një rezistencë të rregullt ndaj Italisë në atë kohë, që do të arrihej me një mobilizim të përgjithshëm të popullsisë, atëherë do të kishim një statistikë të vdekurish me të paktën 300 mijë vetë. Mirëpo po t’i heqësh Shqipërisë 200 apo 300 mijë vetë për atë kohë do të thoshte të zhdukej gjysma e popullsisë, se Shqipëria s’ishte Rusi. Gjithsesi, siç dihet, në 7 prill të ’39-ës erdhi Italia. E veçanta që duhet ta keni të qartë juve dhe lexuesi që ndjek këtë intervistë është se, në ushtrinë italiane kur ajo zbarkoi zyrtarisht në Shqipëri nuk ka pasur asnjë shqiptar që kishte origjinën e mëvonshme të Shqipërisë. Ishin gjithsej gjashtë arbëreshë, me banim shumë të hershëm në Itali.

Qazim Mulleti

Qazim Mulleti

Pas kësaj u kthye Qazim Mulleti?

Pikërisht në këtë moment të gjithë elementët e njohur antizogistë në Francë, u rimblodhën dhe nën drejtimin e Qazimit bënë një proklamatë (kërkesë), ku u kërkonin autoriteteve italiane që mbulonin vendin tonë për t’u lejuar që të ktheheshin në atdheun e tyre. Mirëpo këtu lindi një problem tjetër shumë delikat, se autoritetet italiane e refuzua rikthimin e tyre.

Po pse duhet t’u kërkonin autoriteteve italiane për të hyrë në vendin e tyre? Çfarë të drejte kishin italianët, pavarësisht si erdhën dhe çfarë synonin në Shqipëri?

Po italianët morën administrimin e shtetit dhe ata tashmë përgjigjeshin për gjithçka. Pra rregulli, administrimi dhe mbikëqyrja e shtetit tashmë po bëhej nga autoritetet italiane. Dhe ata nuk i lejuan shokët e Qazim Mulletit të ktheheshin në vendin e vet, pas kërkesës që morën nga Parisi.

Pse nuk i lejuan, ndërkohë që dihej se ata ishin antizogistë?

Nuk i lejuan, sepse të gjithë ata konsideroheshin nacionalistë të fuqishëm dhe si të tillë mund të hapnin probleme, për vetë faktin se në vendin e tyre ishin pjesë e familjeve të mëdha, që kishin influencë të madhe në popull.

Dhe si e zgjidhën?

Interesimi i Qazim Mulletit dhe zhurma që ai bëri për të thyer këtë barrierë të paimagjinueshme u bënë shumë të////. Ata përpiluan një deklaratë dhe një kërkesë, në të cilën kërkonin rikthimin në shtëpinë e tyre, dhe e dërguan në mënyrë urgjente në Lidhjen e Kombeve. Në Lidhjen e Kombeve ka ndërhyrë direkt Kardinali, i cili ishte mik i afërt i Qazim Mulletit, duke deklaruar: “Ç’bëhet kështu? Njerëzit duan të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe kjo është një e drejtë themelore e kujtdo”. Pas kësaj ndërhyrjeje të fuqishme, Qazim Mulleti ka marrë “ok”-ejin për t’u rikthyer në Shqipëri.

Sigurisht, erdhi me bujë?!

Patjetër! Qazim Mulleti kishte fis dhe shoqëri tepër të zgjeruar këtu. Ai kishte mbi 15 vjet që ishte larguar dhe e prisnin të gjithë me padurim të madh. Pas ndonjë muaji e gjysmë si kishte marrë dritën jeshile për të ardhur, dhe pikërisht në qershorin e 1939-ës, ai dërgon një telegram në drejtim të Tiranës, ku thotë: “Vij në 3 maj, në Durrës. Ju përqafoj të gjithëve!”.

Dhe erdhi?

Atë ditë u mblodhën në Durrës, miq, të afërt, shokë dhe fisi i tërë, me nipër e me mbesa. Ishte një miting i vërtetë, që përbëhej nga jo më pak se 2000 vetë. Por ajo pritje koinçidoi me një moment tepër të çuditshëm. Në të njëjtin vapor me Qazim Mulletin, që udhëtonte që nga Bari, ishte edhe vetë Françesko Jakomoni, i cili kur pa gjithë atë turmë ekzaltuese njerëzish kujtoi se ishin duke pritur atë, si mëkëmbës i mbretit që ishte në Shqipëri. Por nuk kaloi shumë dhe u kuptua se po pritej një ish-emigrant politik, autoriteti dhe prestigji i të cilit dukej qartë nga ajo pritje emocionuese.
Qazimi ndërkohë, sa zbriti në tokë, u ul në gjunjë dhe puthi i përmalluar tokën e vendit të tij, që e kishte lënë para pesëmbëdhjetë vjetësh, që më ’24-ën kur kishte ikur me Fan Nolin. U çua me ngazëllim dhe u vu re qartë se lotët i rridhnin çurk, aq sa u prekën mbarë të pranishmit. Atje u betua se nuk do të merrej më me politikë. “U mora plot 30 vjet dhe punova për Shqipërinë time. Tashmë nuk mundem më”. Për qejf të saj nuk kishte pasur rastin të hidhte një grusht dhé mbi varrin e së ëmës, që vdiq e plasur nga malli, dhe se kishte bërë një jetë emigranti larg njerëzve të afërt. Nënës së tij, Nailes, që kishte plot pesë fëmijë të shëndetshëm dhe të zgjuar, kur vdiq iu ndodh afër vetëm im atë, Hakiu, ndërsa të tjerët ishin në mërgim prej politikës.

Jakomoni e ka vërejtur me një vëmendje të habitshme të gjithë procedurën e pritjes së atij njeriu. Pas kësaj, ka pyetur: “Çfarë presin këta njerëz të grumbulluar? Çfarë është ky njeri, që pritet me kaq pompozitet?”.

I treguan që është një njeri i betuar antizogist dhe se kishte dalë në duet të hapur me të, – aq sa kishte qenë pjesëmarrës në atentat, – dhe se ishte dënuar prej Zogut me vdekje.

Dhe kush ishte reagimi i Jakomonit?

Iku, shumë i habitur sigurisht, për në zyrën e vet, por pa harruar që të merrej me problemin e Qazim Mulletit.

Në ç’mënyrë?

Menjëherë ka njoftuar SIM-in, pra zbulimin e fshehtë italian, dhe kërkoi informacion të hollësishëm për atë njeri. Pas kësaj ata i kthejnë përgjigje, ku nëpërmjet një raporti përmbledhës informativ, vetë shefi i SIM-it shkruan: “Qazim Mulleti është një nacionalist me reputacion të madh”, ndërkohë që jo pa qëllim i theksoi se është mysliman, pastaj i thotë se është person i pabesueshëm.

Por si ka mundësi që u bë kryebashkiak menjëherë?

Ju thashë se Jakomonit i ra në sy personaliteti dhe popullariteti i tij, dhe, si mori dhe informacionin e SIM-it, menjëherë dha porosi që të thërritej në një takim të veçantë. Ai nuk mund ta linte të humbiste një njeri me reputacion aq të madh, gjë që e konstatoi me sytë e vet. Jakomoni konstatoi edhe një gjë që i kishte bërë përshtypje në figurën e tij, prerja autoritare që Qazimi kishte prej natyre.

Dhe çfarë i tha në takimin e veçantë?

I kërkoi që të pranonte detyrën e nderuar të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Dhe rezultati?

Me gjithë këmbënguljen e Jakomonit, Qazimi nuk pranoi dhe i tregoi, se kishte bërë një betim, pas 30 vjetësh që i ishte kushtuar fizikisht dhe shpirtërisht çështjes shqiptare. Gjithsesi, Jakomoni nguli këmbë të mendohet dhe se personin e tij e kishte vlerësuar si një pasuri për kryeqytetin shqiptar. Mirëpo refuzimi i Qazimit shqetësoi gjithë bejlerët e kryeqytetit dhe shoqërinë e ulët tiranase, të cilët, të alarmuar nga ky refuzim menduan se si të kthenin mendjen e njeriut të tyre të vlerësuar, që të pranonte detyrën e lartë.

KUSH ËSHTË QAZIM MULLETI

FËMIJËRIA

Qazim Reshit Mulleti
Lindi në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, në 20 dhjetor të vitit 1893.
Studimet e para i kreu në Manastir, i vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kryen studimet e larta në Kolegjin Perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me medalje ari.
Ai ishte poliglot. Dinte turqisht, osmanisht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht, greqisht.
Hobi i tij ishte hipizmi, koleksionimi i suvenirëve, – ku në shtëpinë e vet një kat e kishte shndërruar në një muze të posaçëm, – si dhe patinazhi në akull.
Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë.
Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të Mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës.

PARA LUFTE

Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesim Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë).
Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, de jure u bë Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925).
Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë.
Më 25 Prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia-Zgjimi”, së bashku me z.Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z.Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe z.Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”.
Në Qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan Nolit, pati një detyrë të rëndësishme, si prefekt në Dibër.
Mbas dështimit të Revolucionit largohet nga Shqipëria. Në fillim vendoset në Zara të Jugosllavisë, ndërsa më vonë në Vjenë, ku ndenji si emigrant politik deri në vitin 1931. Kur ishte në Vjenë, pikërisht në vitin 1929, ai martohet me Hajrie Kusin, me të cilën pati vetëm një djalë. Reshiti, bashkë me të ëmën, Hajrien, vuajtën për 45 vjet në kampet e përqendrimit të Tepelenës, Savrës, Gradishtit, Porto Palermos, etj. Zj.Hajrie vdiq në vitin 1980, kur ishte në kampin e përqendrimit në Savër të Lushnjës. Ajo u cilësua si një grua e rrallë, që diti të bënte durim dhe të mbante me nder deri sa vdiq emrin e bashkëshortit, Qazim Mulletit, i cili që prej ’44-ës ishte larguar në Itali, ku dhe vdiq në vitin 1956. Zj.Hajrie Mulleti është e para grua që diti të këmbëngulte që të mund të merrte pensionin që i takonte duke qenë në internim. Me këmbënguljen e saj ajo arriti të bindte vetë Kadri Hazbiun, se pensioni i takonte t’i lidhej edhe pse ishte e internuar për shkak të së kaluarës së familjes së saj antikomuniste.
Mbas dështimit të atentatit kundër Mbretit Zog, në 1931-in, Qazim Mulleti dënohet nga mbretëria shqiptare me “Vdekje në mungesë”. Pas kësaj ishte dënuar edhe në Vjenë me dy vjet burg, për bashkëpunim në atentatin kundër mbretit Zog. Pas përfundimit të burgut ai shkon në Paris, ku u bashkua me të vëllanë, Hysniun, i cili gjithashtu ishte dënuar nga mbretëria me vdekje, megjithëse s’kishte lidhje fare me atentatin në fjalë. Hysniu në atë kohë vazhdonte studimet për Inxhinier Bankar. Së bashku filluan të merren me biznes privat, ku hapën një restorant i cili saktësisht ndodhej në rrugën Nr.5, pikërisht pranë Harkut të Triumfit. Në Paris, Qazim Mulleti zgjidhet Kryetar i Emigracionit Politik jashtë atdheut, organizatë që ishte njohur nga Lidhja e Kombeve. Miqtë dhe shokët e tij ishin: Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Dom Lazër Shantoja, Eqerem Vlora, Dom Frano Karma, Qazim Kondi, etj.

GJATË LUFTËS

Në qershor të vitit 1939, kthehet në Shqipëri. Me kërkesën e qytetarëve të Tiranës zgjidhet Kryetar Bashkie i Tiranës. Në 1941-in, ai emërohet Komisar i Jashtëzakonshëm për lirimin e tokave të robëruara në Kosovë, Dibër të Madhe, etj.
Në vitin 1942 emërohet Prefekt i Klasit I të Tiranës.
Në qeverinë e Regjencës emërohet përsëri Prefekt i Klasit I, deri në shtator të vitit 1944 kur u largua përfundimisht nga Shqipëria.
Si Prefekt i Klasit I, ai kishte pushtet të plotë. (Ishte Kryeministër për Tiranën dhe Kavajën). Mbulonte policitë, bashkitë, rendin, forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Kishte dhe gradën e Gjeneralit.
Gjatë kohës së luftës, me iniciativën e tij u ndalua gjakmarrja. Dihet që, gjatë kohës së drejtimit të Qazim Mulletit në Tiranë sundonte stabiliteti, rregulli, siguria, dhe tregtia vazhdonte normalisht punën, duke përjashtuar rastet sporadike. Në atë periudhë në Tiranë u zhvilluan ndërtime të reja, si rrugë, ujësjellës, që i dhanë Tiranës fizionominë e një qyteti perëndimor. Është e dokumentuar ndihma dhe këshillimi që i ka dhënë shumë të rinjve që të mos bëheshin pre e bindjeve komuniste, të cilat u vërtetuan që qenë shumë të dëmshme për popullin shqiptar. Gjithashtu, në këto arkiva dokumentohet dhe ndihma që u ka dhënë hebrenjve gjatë luftës, duke i pajisur dhe me dokumentet lehtësuese përkatëse, në bazë të marrëveshjes ndërmjet Regjencës dhe përfaqësuesit gjerman të Europës Juglindore, Nuenbaher…

PAS LUFTE

Qeveria Komuniste ia konfiskoi të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme dhe i grabiti “dhomën-muze” me souvenirë dhe dokumente të rralla për historinë e Shqipërisë.
Mbas largimit nga Shqipëria, Qazim Mulleti shkon në Austri dhe dorëzohet pranë forcave aleate anglo-amerikane, ku e gjykojnë dhe e lënë të lirë. Me afrimin e trupave të Ushtrisë së Kuqe (sovjetike) aleatët e këshillojnë të largohet nga Austria.
Pas kësaj vendoset përfundimisht në Romë, së bashku me vëllain e tij, Hysniun. Gjatë kësaj kohe ka qenë konsulent i ambasadave të huaja për emigracionin politik shqiptar jashtë atdheut.
Vdiq në 28 gusht të 1956-ës, në Romë dhe larg familjes, që në atë kohë e kishte të internuar në malësitë e Tepelenës. U varros në ‘Roço di Pappa’.
I kushtoi jetën çështjes kombëtare shqiptare. Ishte shumë serioz dhe shumë bujar. Jetoi në kryeqytetet e ish-perandorive, me dinjitet, por gjithmonë larg familjes. I përshtatet më së miri thënia e Nolit të madh “Syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur”.

Referencat:

Biseda dhe fjalime në Kuvendin shqiptar; arkivat e Ministrisë së Brendshme dhe ato të shtetit; Ernest Koliqi, “Shija e bukës së mbrume”; Ibrahim Hosnaj, “Kujtime”; Gazetat “Flatra”, “Republika”; shtypi i përditshëm shqiptar në shumë lloje gazetash, Visar Zhiti, “Kujtime”; Herman Nuembaher, “Themelimi i Shtetit”; Doktor Hakif Bajrami, “Dokumente gjermane 41-44”; dokumentet e arkivit sekret të Ministrisë së Brendshme dhe të shtetit, etj.

Marrë nga faqja: http://www.balkanweb.com/intervista/2688/tanush-mulleti-ne–39-qazimi-u-kthye-nga-emigrimi-15-vjecar–shokohet-jakomoni-102272.html

  1. No comments yet.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.