Archive

Posts Tagged ‘Mehdi Polisi’

Mehdi Polisi – shkencëtari i heshtur që i dha zë edhe Frashërit

02/12/2023 Leave a comment

Besarta ELSHANI

Mehdi Polisi – shkencëtari i heshtur që i dha zë edhe Frashërit

Mehdi Polisi

Kolegë, miq e bashkëpunëtorë janë bashkuar të shtunën në Strugë, në tribunë shkencore në nderim të profesorit e studiuesit tashmë të ndjerë, Mehdi Polisi. Është cilësuar si studiues i madh e pedagog i ditur dhe modest. Mbi të gjitha, figurë e madhe e veprimtarisë shkencore, i cili u dha zë në shqip edhe veprave të Sami Frashërit.

Mehdi Polisi, prej të parëve orientalistë në vend, është kujtuar të shtunën, në 70-vjetorin e lindjes. Krijimtaria e tij shkencore, letrare, përkthimore e veçmas ajo për Sami Frashërin, ka qenë kryefjalë në tribunës së mbajtur në Strugë, organizuar nga dega në këtë qytet e Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Polisi – i cili vdiq më 21 maj të 2014-s në Prishtinë, në moshën 61-vjeçare – është kujtuar si studiues i madh e pedagog i ditur dhe modest. Mbi të gjitha, figurë e madhe e veprimtarisë shkencore i cili veprat e njërit prej shkrimtarëve të mëdhenj i bëri të flasin shqip.Të tilla janë “Dashuria e Talatit me Fitneten” të Sami Frashërit, Veprat 9, 10 dhe 11 të tij, “Anekdota”, “Qielli”, Toka”, “Njeriu”, “Përsëri njeriu” dhe “Mitologjitë”. E gjatë është edhe lista e botimeve autoriale me studime kryesisht për Frashërin.

Te kumtesa “Veprimtaria arkivore dhe publicistike e Prof. dr. Mehdi Polisit” e studiuesit Mixhait Pollozhani përfshihet krijimtaria e profesor Polisit. Pollozhani ka thënë se ai tërë jetën ia kushtoi kulturës kombëtare dhe fetare.

“Nëse profesor Mehdi Polisi do të ishte ende gjallë, sigurisht që mund të kishte edhe më shumë për t’u përfshirë në këtë kumtesë, i cili me përkushtim dhe devotshmëri tërë qenien e tij ia kushtoi kulturës sonë kombëtare dhe fetare”, ka thënë Pollozhani në ngjarjen e organizuar në vendlindjen e Polisit.

Studiuesi Isa Memishi ka veçuar përkthimet e veprave të Sami Frashëri në gjuhën shqipe.

“Për krijimtarinë e Sami Frashërit kishin shkruar shumë studiues të huaj dhe shqiptarë, por profesor Mehdi Polisi, me kompetencë shkencore, ia doli që pjesën më të madhe të krijimtarisë shkencore dhe letrare të Sami Frashërit t’ia prezantojë opinionit shqiptar në gjuhën shqipe”, ka thënë Memishi, i cili ka prezantuar kumtesën “Kontributi i dr. Mehdi Polisit në Revistën ‘Dituria Islame’”. Me këtë pjesë të krijimtarisë së tij e a kujtuar edhe Liri Ziba.

“Profesor dr. Mehdi Polisi ishte një figurë e madhe e veprimtarisë shkencore. Kontributi më i madh i profesorit ishte me përkthimin dhe botimin e veprave të dijetarit dhe rilindësit shqiptar, Sami Frashëri. Veprimtaria e tij është mjaft e pasur edhe në fusha të tjera”, ka thënë profesor Liri Ziba që ka prezantuar kumtesën “Katalogu i publikimeve shkencore të prof. dr. Mehdi Polisi”.

Profesorët Isak Sherifi dhe Ismet Krosi e kanë vlerësuar si studiues të madh, të heshtur, pedagog të ditur e modest.

Profesor Nebi Dervishi ka thënë se Polisi u shua në kulmin e krijimtarisë së tij.

“Kishte edhe shumë projekte të tjera, por atëherë kur pritej më shumë, kur ishte në kulmin e krijimtarisë e të profesionalizmit, ndërroi jetë. Por pas vetes la shumë vepra që do t’i shërbejnë shumë gjeneratave”, ka thënë Dervishi që ka prezantuar kumtesën “Si e kam njohur Prof. Dr. Mehdi Polisin”.

Mehdi Polisi shkollën fillore e ka kryer në Dobovjan dhe Veleshtë të Strugës, kurse të mesmen në Prishtinë në medresenë “Alaudin” më 1973. Po këtë vit është regjistruar në Fakultetin Filozofik (tash Filologjik) të Universitetit të Prishtinës, në Degën e Orientalistikës dhe diplomoi më 1977. Ishte student i gjeneratës së parë e student shembullor. Pas diplomimit ka punuar në Arkivin Historik në Ohër e prej 1980-s nisi punën në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë në Degën e Orientalistikës.

Studiuesi Ilmi Veliu duke cituar nga “Evokimet e mija për kolegun dhe mikun prof. dr. Mehdi Polisi” ka thënë se “profesor Mehdi Polisi si student ka ngritur zërin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Për hulumtimet e tij shkencore, orientalisti i gjeneratës së parë ka qëndruar edhe në Stamboll. Më 1988, në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, ka mbrojtur punimin e magjistraturës me titullin “Adaptimet fonetike dhe morfologjike të huazimeve orientale në gjuhën shqipe” dhe më 1997, po në këtë Fakultet, ka mbrojtur edhe punimin e disertacionit të doktoratës me titullin “Turqizmat në të folmet shqipe të Maqedonisë” dhe kështu mori gradën: Doktor i Shkencave Filologjike. Në dy mandate ka qenë shef i Degës së Orientalistikës. Në periudhën prej 2004 deri më 2012 ka qenë prodekan i Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Bashkëpunëtori i tij, Eljesa Ismaili, në tryezën shkencore ka prezantuar “Gramatikë e gjuhës turke (Fonetika dhe Morfologjia), kontribut i çmuar i prof. dr. Mehdi Polisit”. “Mehdi Polisin e kam njohur përmes veprave, ndërsa jam krenar që kam kontribuuar si asistent i tij”, ka thënë ai.

Polisi ka qenë i angazhuar edhe në Universitetin e Tetovës që nga themelimi i tij në vitin 1994, në Degën e Historisë për lëndën e osmanishtes. Për lëndën gjuhë turke-osmane ka qenë i angazhuar edhe në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, po ashtu nga themelimi i tij (1997), e deri në qershor të vitit 2002.

Ka qenë anëtar për hartimin e Enciklopedisë së Republikës së Kosovës, sipas projektit të Shtetit të Kuvajtit: Enciklopedia e Kuvajtit për Botën Islame dhe Pakicat Myslimane. Ka marrë pjesë aktive (me kumtesa) në tubime shkencore, konferenca, tryeza, seminare, simpoziume etj., si në vend ashtu dhe jashtë tij.

Profesori Zejni Mazllami ka thënë se “pa veprat e profesor Mehdi Polisit, Sami Frasheri ndoshta do të fliste, por do të fliste me zë më të ulët”, ka thënë ai. Në ngjarjen e organizuar në Strugë ka prezantuar kumtesën “Prof. dr. Mehdi Polisi, studiuesi që mundësoi ‘Sami Frashëri të flasë shqip’”.

Disa muaj pas vdekjes së Polisit ishte organizuar simpoziumi shkencor ndërkombëtar “110-vjetori i vdekjes së Sami Frashërit” për veprimtarinë e Sami Frashërit. Profesori Abdullah Hamiti do ta lexonte kumtesën e Polisit me titull, “Sami Frashëri në fushën e gjuhësisë”.

“Ka kaluar një kohë bukur e gjatë, 110 vjet, prej se Sami Frashëri është ndarë nga kjo jetë, megjithatë, emri i tij, falë punës vëllimore të shumanshme dhe, pa dyshim, cilësore, vazhdon të jetë në kujtesë të secilit njeri që sadopak është i lidhur me botën e letrave. Për Sami Frashërin dhe veprën e tij janë bërë shumë studime, si nga studiues vendës, shqiptarë, ashtu dhe nga studiues të huaj”, kishte lexuar Hamiti punimin e të ndjerit Polisi.

I pyetur në një intervistë për angazhimet e tij si prodekan e ligjërues dhe në të njëjtën kohë autor e përkthyes, profesori Polisi, kishte thënë se rrugët nuk kanë qenë të lehta a të shtruara me lule.

“Gjithmonë kemi pasur probleme, prej 80-s, 81-shi, kështu me radhë, gjithmonë kemi qenë nën presione të ndryshme, po vullneti dëshira për të arritur më tepër për t’u ndihmuar studenteve në të gjithë lëmenjtë në fushat profesionale i mund, edhe pse në probleme me vuajtje”, kishte thënë ai.

Kishte shtuar se vullneti për t’u ndihmuar të tjerëve, në rend të parë kulturës së vendit, e kishte shtyrë drejt punëve shkencore. Atë kohë mungonin tekstet.

“Një punë e tillë është vlerësuar mirë nga ana e studentëve, është një tekst profesional. Gjithmonë kam pasur dëshirë të merrem me një personalitet të vlerësuar historikisht të çmuar si Sami Frashërin. Kur kam kontaktuar së pari me veprat e tij, shumë prej tyre i kam hulumtuar. E kam edhe bibliotekën time personale. Kam një mori veprash. Samiu është një autor që ka shkruar shumë, në të gjitha fushat e dijes. Ai ka qenë enciklopedist i shkencave natyrore, ka qenë poliglot, gjuhëtar, filolog… Në shumë pjesë, në shumë vepra, shumë fusha, është pionier, ai është i pari që ka shkelë në botën e Perandorisë Osmane, në atë kohë në shekullin e XIX, edhe dëshira për të arritur, meqë ai ka shkruar në turqisht, osmanishte, në fakt krejt veprimtarinë e ka në osmanishte, e u desh që si profesionist i asaj, të merrem me problemet”, kishte thënë ai në vitin 2012 për revistën “Orientalizmi Shqiptar”.

Studimet e Polisit përfshijnë botimet “Rreth disa Orientalizmave në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, “Adaptimet fonetike të arabizmave në gjuhën shqipe”, “Disa fjalë rreth Kamus al-a’lamit: Abdul Beu (Frashëri)”, “Sami Frashëri – enciklopedist”, “Përdorimi i terminologjisë islame në gjuhën shqipe” e shumë të tjera. Profesori Polisi ishte në mesin e studiuesve të zellshëm të historisë dhe orientalistikës. Jeta dhe vepra e tij përbëjnë një tërësi pune e angazhimi për edukimin dhe arsimimin e brezave si dhe angazhim në ndriçimin e së kaluarës shqiptare.

Burimi: https://www.koha.net/kulture/400418/mehdi-polisi-ndash-shkencetari-i-heshtur-qe-i-dha-ze-edhe-frasherit/