Home > Ngjarje të rëndësishme > Tanush Mulleti: Xhaxhai im, Qazim Mulleti, e filloi punën si adjutant i Vidit

Tanush Mulleti: Xhaxhai im, Qazim Mulleti, e filloi punën si adjutant i Vidit

Nga Fatos VELIU

 

TANUSH MULLETI: XHAXHAI IM, QAZIM MULLETI, E FILLOI PUNËN SI ADJUTANT I VIDIT

This image has an empty alt attribute; its file name is qazim-mulleti.jpg

Qazim Mulleti

Vjen para lexuesit shqiptar, vetë nipi i njeriut më publik të viteve ’40-të, – ish-kryebashkiakut historik dhe prefektit të plotfuqishëm të Tiranës, Qazim Mulleti.
Tanush Mulleti, për herë të parë rrëfen për fëmijërinë e njeriut që u bë i njohur në disa epoka të nxehta të shtetit shqiptar.
– Historia e arsimimit të vështirë, ku në vitet 1900 do t’i duhej që, në moshë të njomë, të udhëtonte më shumë se 12 orë me kafshë për të mbërritur në manastirin e largët ku vijonte studimet.
– Përfundimi i arsimit ushtarak të Stambollit dhe spikatja e emrit të tij në shoqëritë patriotike të kohës, që përgatisnin autonominë e vendit.
– Ardhja në Tiranë dhe organizimi i Ditës së Flamurit në Vlorë, ku ishte thërritur në krah të Ismail Qemalit.
Momentet e pabesueshme kur, në ditën e pavarësisë në Vlorë, vdiq delegati i Tiranës, Xhafer Bej Stërmasi, dhe angazhimi i Mulletit për të sjellë trupin e tij në Tiranë.
– Si u krijuan situatat kur, me ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri, kërkoi të njihte personalisht Qazim Mulletin, të cilin e emëroi menjëherë adjutantin kryesor të tij.
– Interesimi i vetë Mareshallit austriak për Ballkanin, Trollman, për t’u akorduar dy djelmoshave shqiptarë që jetonin përkohësisht në Vjenë, Ahmet Zogut dhe Qazim Mulletit, studime specifike në fusha të rëndësishme të kohës.
– Ngjarja e spikatur, kur Qazim Mulleti dhe miku i tij i atëhershëm, Ahmet Zogu, që banonin në Vjenë, u paraqitën me kortezi para Perandorit Ferdinand për ta uruar për hipjen në Fron pas vdekjes së të atit të tij, Franc Jozef.
Këto dhe të tjera, në vijim të intervistës së vetë Tanush Mulletit, nipit të Qazim Mulletit.

 

Zoti Tanush, pyetja e parë e kësaj interviste të zgjeruar që po bëj në lidhje me figurën kaq publike, por edhe kaq enigmatike të xhaxhait tuaj, Qazim Mulletit, ka të bëjë pikërisht me faktin se, kush është në të vërtetë origjina dhe fëmijëria e Qazim Mulletit?

 

Qazim Mulleti ka qenë fëmija i parë i familjes së Reshit Bej Mulletit dhe Naile (Këlliçit) Mulletit.

 

Nga vinte nëna e Qazimit?

 

Naile Këlliçi apo Mulleti që u quajt më vonë, ka qenë motra e patriotëve të njohur Mytesim Këlliçi dhe Masar Këlliçi.

 

Më falni për insistimin ndoshta vulgar, por më duhet të di saktësisht çfarë ka qenë daja i Qazim Mulletit, për të cilin thatë se quhej Mytesim Këlliçi?

 

Mytesim Këlliçi është një figurë shumë e njohur e periudhës së viteve ’20-të. Ai ka qenë myftiu i Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë. Ka të spikatur në memorien e historisë kombëtare pikërisht momentin më kulminant, që ka lidhje me pavarësinë e vendit tonë, meqenëse tashmë ne po festojmë dhe jubileun e 100-vjetorit të kësaj dite.

 

Konkretisht?

 

Konkretisht Mytesim Këlliçi ka ngritur flamurin kombëtar të pavarësisë në Durrës, të cilin e ngriti jo pas 28 Nëntorit siç ndodhi në gjithë Shqipërinë, por nisur nga rrethanat ekstreme të paraqitura, qysh më datën 26. Por Mytesim Këlliçi ka dhe një moment tjetër të spikatur në historinë tonë kombëtare, se ai ka qenë njëri nga drejtuesit kryesorë të Kongresit të Lushnjës, nga e cila ka dalë qeveria e Sulejman Delvinës. Jo vetëm kaq, por ai ka qenë pikërisht personi që ka hapur punimet e atij kongresi, i cili do të shënonte një faqe të lavdishme në historinë e patriotëve shqiptarë.
Nuk është e rastit që sot një rrugë në Tiranë mban emrin e Mytesim Këlliçit.
Por Qazim Mulleti ka pasur edhe një dajë tjetër po aq patriot sa i pari, i cili së bashku me të vëllanë ka qenë në Kongresin e Lushnjës, madje ai ka dalë dhe si deputet i atij Kongresi. Quhej Masar Këlliçi.

 

E kuptova origjinën patriotike nga nëna, që qenka shumë e ndritur. Mund të rikthehemi te e kaluara e vetë Qazim Mulletit?

 

Qazim Mulleti ka lindur në Tiranë, në vitin 1893. Siç të thashë, ai ka qenë fëmija i parë i Reshit Beut dhe Nailes. Pas tij vinin dhe dy vëllezërit, Hakiu dhe Hysniu, si dhe dy motrat, Bakushe Stërmasi dhe Aishe Kazazi.

 

Kush ishte babai juaj, nga vëllezërit e tij?

 

Babai im ishte Haki Mulleti.

 

Qartë. Kush është jeta e hershme e Qazimit?

 

Xhaxhai im, Qazim Mulleti, mësimet e para i ka marrë në Manastir dhe këtë nuk e bënte çdo familje, por veçse ato që ishin të etura për dije. Pra arsimimin me çdo sakrificë e bënin familjet e mirëfillta intelektuale apo “Dyer të Mëdha”, siç quheshin në atë kohë.

 

Pse mund të ishin vetëm këto familje për një gjë të tillë?

 

Sepse arsimimi në Manastir nuk ishte i thjeshtë. Kjo, pasi siç e di, që Manastiri ndodhet shumë larg dhe në atë kohë që flasim, pra në vitet 1900, e kufizonte shumë mundësinë për të shkuar deri aty për shkollën që pakkush e vlerësonte në atë kohë. Qazim Mulleti, për të shkuar në Manastir, bënte të paktën 12 orë rrugë me karvanët e asaj kohe. Pra me kafshë, pasi nuk kishte dhe mundësi transporti. Ndërsa aty i duhej të rrinte larg familjes deri në fund të vitit shkollor, ku sigurisht do t’i duhej të përballonte fillikat njëqind e një probleme që do të haste gjatë procesit të vijimësisë së veprimtarisë në shkollë. Pastaj rikthehej në shtëpi, për t’u çmallur dhe për të marrë energji për të vijuar vitin e radhës. Pra siç e shikon, kërkonte jo pak sakrificë, prandaj edhe unë t’u shpreha që familjet që bënin një sakrificë të tillë ishin vetëm familjet me sens të theksuar për arsimimin e fëmijëve të tyre. Madje për kuriozitet po të tregoj një episod të çuditshëm. Në kohën që Qazimi ka qenë Prefekt i Tiranës, një burrë i moshuar kishte një problem të madh, se i kishin arrestuar dikë nga familja. Nuk e mbaj mend se kë konkretisht, por duhet të ketë qenë arrestuar nipi apo i biri i tij. Ky person na qenkësh pikërisht karvanari i mushkave apo drejtuesi i karvanit të kafshëve si mund ta quajmë, për të çuar njerëzit që udhëtonin dikur në Manastir. Ai shkoi te Qazimi për ta ndihmuar. Kur e ka takuar Qazimin, i ka thënë duke qeshur: “A e din ti kush jam unë!? Unë jam pikërisht ai që të çoja e të sillja ty nga shkolla kur ishe i vogël”. Sigurisht Qazimi u gëzua shumë dhe e ndihmoi atë person, duke ia nxjerrë nga burgu njeriun për të cilin interesohej.

 

Po pas arsimit fillor?

 

Pas arsimit fillor në Manastir, Qazim Mulleti ka vijuar gjimnazin e famshëm “Zosimea” në Janinë. Ju kujtoj se atë gjimnaz ka mbaruar edhe vetë Naim Frashëri. E vërteta është se Qazimi në atë gjimnaz ka shkëlqyer si askush tjetër.
Kështu mund të thotë kushdo. Kush ishte treguesi i këtij shkëlqimi të tij në atë shkollë?
Sepse për çdo vit kalendarik ka asimiluar dy vite mësimore apo siç i thonë shpesh që, për një vit ka marrë dy vite. Ky është një fakt që dihet dhe mendoj se nuk është pak për të kuptuar çfarë kërkoni. Kryesisht talenti i tij i spikatur ka qenë në drejtimin e njohjes së gjuhëve të huaja. E veçanta është, se Perandoria Osmane e përzgjodhi për në kolegjin ushtarak të elitës së kohës, i cili ishte hapur në Stamboll dhe që njihej me emrin “Gallata Saraj”.

 

Çfarë shkolle ishte ajo?

 

Ishte shkollë ushtarake shumë e njohur për kohën, ku u rezervohej e drejtë studimi pinjollëve të familjeve shumë të mëdha të perandorisë, ku sigurisht duhej të kishin rezultate ekstra. Ajo shkollë quhej Kolegji i Elitës “Gallata Saraj”. Vazhdon të funksionojë akoma, sigurisht në kushtet e reja, por që vazhdon të ekzistojë dhe të presë studentë edhe në ditët e sotme. Pra, vlerësimi i jashtëzakonshëm që iu bë Qazim Mulletit për rezultatet që kishte, ishte akordimi i një të drejte mësimore pikërisht për atë kolegj. Ishte kolegj ushtarak që ishte nën influencën gjermane. Ishin ato marrëveshjet që bënte qeveria perandorake me aleatët dhe një ndër këto marrëveshje ishte edhe mbështetja që u duhej bërë shumë shkollave nga Gjermania. Kemi parasysh se këto mbështetje ishin që nga baza materiale me të cilat kishte të bënte, duke filluar me armët luftarake e deri te disiplinat e programeve mësimore. Pra, ai kolegj ku mësonte Qazim Mulleti mori natyrë absolutisht ushtarake, aq më shumë që marrëdhëniet e perandorisë me shtetin gjerman ishin në linjën ushtarake. Aty, ai e justifikoi vlerësimin që i bënë.

 

Duke arritur rezultate të mira?

 

Jo të mira, por ai arriti rezultate të shkëlqyera. Qazim Mulleti e ka përfunduar atë shkollë me medalje ari. Dhe kjo është e verifikueshme, se siç thashë ai kolegj vazhdon të jetë i hapur edhe në ditët e sotme dhe verifikohen lehtë ish-studentët që kanë marrë vlerësime me medalje ari, që nga themelimi i saj në shekullin e kaluar.

 

Pas mbarimit të këtij kolegji të veçantë?

 

Në vitin 1912, Qazim Mulleti, me shumë miq të vetët që ishin entuziastë dhe tepër të vendosur për autonominë e vendit, kthehet në Shqipëri për të dhënë kontributin maksimal në këtë çështje aq madhore për Shqipërinë.

 

Në ç’mënyrë u kthye?

 

U kthye me shoqatat patriotike të shqiptarëve që ishin krijuar në atë kohë në Stamboll. Këto organizata bënë një punë të madhe përgatitore për t’i paraprirë ditës së pavarësisë dhe pikërisht në momentin e duhur mbërritën në atdhe për të kontribuar konkretisht në ditën e madhe të kombit.

 

Këto organizata, me sa di unë, kanë ardhur për të siguruar autonominë e Shqipërisë nën influencën e Perandorisë, apo jo?

 

Ashtu është. Por kur mbërritën në atdhe, panë se plasën në mënyrë të menjëhershme luftërat ballkanike, ku u dukën qartë synimet grabitqare të fqinjëve për Shqipërinë. Pas kësaj është kërkuar autonomi e plotë e Shqipërisë. Madje këta patriotë, duke pasur parasysh situatën tejet të ndezur në Shqipërinë e Mesme, kryesisht në Tiranë, e kanë ngritur flamurin më herët se sa ta ngrinte në Vlorë Ismail Qemali.

 

Sa më herët?

 

Në atë kohë serbët po i afroheshin Tiranës, madje në datën 26, divizioni i tyre ishte larg saj vetëm për disa orë. Në këtë situatë menjëherë në Tiranë u ngrit flamuri kombëtar dhe u legjitimua pavarësia e saj në sinkron me atë të vendit, ku pritej të ngrihej në Vlorë nga çasti në çast. Kështu, pas ngritjes në Tiranë, u ngrit në Durrës dhe në Elbasan.

 

Ju thoni se, në këto qarqe u ngrit flamuri para se të mbahej zyrtarisht në Vlorë Kuvendi Kombëtar?

 

Kjo është e vërtetë historike dhe ka ardhur momenti që këto të vërteta të thuhen sikurse kanë qenë. Në Tiranë dhe në Durrës flamuri është ngritur më shpejt, për shkak të serbëve. Në këtë mënyrë, kur hynë serbët në Tiranë e gjetën atë të pavarur dhe autonome, në kuadrin e gjithë Shqipërisë, pasi në Vlorë pritej të mbahej vetëm simbolikisht Kuvendi, pasi kushtet ishin absolutisht të përgatitura dhe të pjekura.

 

Dhe çfarë bënë serbët në këtë situatë?

 

Çfarë do të bënin tjetër veçse të përballeshin me armëpushimin?! Ata u vendosën në kazermat ushtarake që ishin ngritur nga ushtarët turq dhe me porosi të Ismail Qemalit u sigurua nga popullata, nëpërmjet parisë patriotike, ushqim për një javë. Pas një jave ata u larguan nga Tirana. Me sa di unë komandanti serb ka siguruar nga paria e Tiranës edhe një fond buxhetor në valutë, rreth 7000 napolona ari, të cilat u dorëzuan për të mundësuar largimin, dhe kështu janë larguar. Nuk kishte si të vepronin ndryshe. Patriotët shqiptarë janë treguar shumë të saktë dhe të shpejtë në ato momente, që nuk u lanë asnjë shans shteteve fqinje për të realizuar synimet e tyre.

 

Po a kishte delegatë të Tiranës për në Kuvendin Kombëtar në Vlorë?

 

Kjo dihet që kishte, sepse në atë kuvend ka pasur përfaqësues nga gjithë trevat e Shqipërisë dhe s’kish si të mungonin nga Tirana, por unë e kuptoj idenë e pyetjes suaj, pasi është e qartë se e keni fjalën për Qazimin, mbi jetën e të cilit po mbajmë edhe këtë intervistë të hollësishme. Qazim Mulleti, ashtu si dhe shumë aristokratë të tjerë, ishte në parinë e qytetit, kështu që ishte ndër të zgjedhurit për në Vlorë. Por aty ka ndodhur një ngjarje shumë e çuditshme dhe Qazim Mulleti në të vërtetë nuk mori pjesë në kuvendin historik, për faktin se do t’i duhej të rikthehej në Tiranë.

 

Çfarë ishte kjo ngjarje kaq e veçantë, që bëri që ai të largohej nga një moment i tillë?

 

Në një farë mënyre ai quhet delegat legjitim, pavarësisht se u detyrua që, prej Vlorës të rikthehet në Tiranë. Atëherë ai ishte veçse një djalosh 19-20 vjeçar, megjithatë nuk u ngurrua ta përfshinin në delegatët e Tiranës që u nisën për në Vlorë. Aktiviteti i tij në shoqëritë patriotike të Stambollit kishte qenë shumë i spikatur, prandaj shikohej me një respekt të veçantë nga të gjitha qarqet intelektuale të vendit, kryesisht të Shqipërisë së Mesme. Por kur shkuan në Vlorë, delegatët e Tiranës pësuan një fatkeqësi të madhe.

 

Çfarë fatkeqësie?

 

Shoku i tyre delegat i atij grupi, Xhafer Bej Stërmasi, vdiq papritur nga një atak në zemër, që i ndodhi në qytetin e Vlorës.
Mirëpo Qazim Mulleti e kishte shumë më tepër të njohur se të tjerët, pasi e kishte komshi, kështu që u detyrua të kthehej në Tiranë me kufomën.
Në atë kohë, patrioti i madh tiranas, Hafiz Ibrahim Dalliu, shkruan për këtë moment të përcjelljes së trupit të Xhafer Bej Stërmasit nga Qazim Mulleti, duke thënë:
“Xhafer Beu me shal të gjata,
Zogu i shqipes i shkonte mbrapa”.
Dihet tashmë një fakt në lidhje me këtë ditë të veprimtarisë së Qazim Mulletit, se në vitin 1940 ai i ka kërkuar Bashkisë së Vlorës të konfirmonte zyrtarisht, nëpërmjet dokumenteve arkivore që dispononte, mbi pjesëmarrjen e tij në Vlorë në ditën e pavarësisë. Dhe pas verifikimeve atij i është dorëzuar një vërtetim ku konfirmohej emri si pjesëmarrës apo si delegat i Tiranës në atë ditë.

 

Pas momentit të Pavarësisë, Mulleti vijoi të qëndrojë në Tiranë?

 

Po, po, qëndroi në atdhe. Ai ka vijuar të punojë edhe me Princ Vidin dhe ka qenë jo pak por adjutanti i tij.

 

Si ka mundësi?

 

Kur në vitin 1914 u dërgua në Shqipëri nga Fuqitë e Mëdha Princ Vidi, ai donte të lidhej me kryemyftiun e vendit, Mytesim Këlliçi, që ishte daja i Qazim Mulletit. Mytesimi i rekomandoi nipin e vet, Qazimin, i cili siç t’u shpreha, ishte shumë i kualifikuar tashmë si njeri i arsimuar, pasi mbante me vete diplomën e shkëlqyer të “Zosimesë” së Janinës dhe medaljen e artë të kolegjit ushtarak “Gallata Saraj” të Stambollit. Kështu, me dëshirën e madhe të Princit, Qazim Mulleti kaloi adjutanti personal i tij.

 

Dhe me ikjen e Princ Vidit?

 

Princ Vidi ishte me gradën “Gjeneral Armate”, kështu që, me trazirat e jashtëzakonshme që ndodhën në vend dhe me situatën e krijuar në arenën e luftës botërore në shtatorin e 1914-ës, pra pak muaj më mbrapa, ai u nis në frontin e luftës, me gjermanët. Qazim Mulleti, duke qenë njeri fisnik dhe besnik i tij, nuk e la në mes të rrugës tashmë që ai ra nga froni, por e shoqëroi me nderim e përkushtim deri në Durrës, nga ku u nis me anijen detare për në Vjenë. Ai mban edhe një dekoratë të veçantë nga Princ Vidi.

 

Pas këtij momenti, kush është jeta e Qazim Mulletit?

 

Pas kësaj, Qazim Mulleti largohet sërish nga vendi dhe përfundon në Vjenë. Aty kishte edhe vëllanë e vet student.

 

Kë vëlla?

 

Ka qenë pikërisht babai im, Haki Mulleti, pasi kryente studimet e larta në Vjenë. Aty, siç të thashë, në shtatorin e 1914-ës shkoi edhe Qazim Mulleti.

 

Jetoi së bashku me babanë tuaj në Vjenë?

 

Po. Madje, qoftë im atë dhe qoftë Qazimi, vijuan studimet. Im atë ishte me studime, por dhe Qazimi u interesua për specializime të mëtejshme, pasi siç të thashë ishte shumë i apasionuar.

 

Dhe e siguroi të drejtën?

 

Është interesuar vetë mareshalli austriak për Ballkanin, Trollman, i cili i ka nxjerrë të drejtën e studimit në Kolegjin e Mbrojtjes, ku u profesionalizua për marrëdhëniet civilo-ushtarake.

 

Pra, ishte me babain tuaj, Haki Mulletin; mendoj se jeni interesuar edhe për adresën e shtëpisë ku banonin?

 

E vërtetë që jam interesuar, se nuk mund të flas me hamendje, aq më shumë për tim atë. Ata kanë jetuar në adresën: Rruga ‘Nussedorfshrase’, 36, Vjenë. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Vjenë ka edhe një moment të veçantë, pasi ai ka qenë ndër njerëzit që përbënin delegacionin që ka shkuar për të uruar Princin Ferdinand kur u bë perandor pas vdekjes së të atit të tij, Franc Jozef.

 

Cili ishte ky delegacion urimi, se nuk e kuptokam?

 

Flitet për vitet kur Shqipëria ka qenë nën influencën austriake. Atëherë ka shkuar për urim apo në ceremoninë e hipjes në fron të Ferdinandit, një delegacion i stërmadh me plot 36 shqiptarë, që përfaqësonin gjithë krahinat dhe trojet shqiptare.

 

Dhe në atë delegacion ka qenë edhe Qazim Mulleti, thatë?

 

Po, ka qenë Qazim Mulleti. Por ka qenë edhe Ahmet Zogu, që ashtu si Qazimi ishte gjithashtu student në Vjenë në atë kohë.

 

Ishin të dy me Zogun studentë?

 

Duhet të kuptosh se për ta nuk flitej për studime të mirëfillta, por për specializime apo shkolla të dyta pas diplomave që kishin marrë. Por për sa pyetët, po ju them se të dy ishin në të njëjtat kushte dhe ishin të dy në Vjenë. Por duhet të kuptosh se nuk ishin në të njëjtën shkollë, pavarësisht se edhe Zogut ia kishte nxjerrë të drejtën e studimit i njëjti person që ia kishte nxjerrë Qazimit, që siç ta përmenda ishte pikërisht Mareshalli austriak për Ballkanin, Trollman. Këtu për Ahmet Zogun ka një përjashtim, sepse Zogu, duke qenë me studime ka marrë menjëherë gradën “Kolonel”.
Ju kuptova deri këtu. Pastaj, së bashku me Zogun kanë vijuar të dy në Kongresin e Lushnjës me sa di, apo jo?
Qazim Mulleti, që jua shpjegova edhe në fillim, ishte i lidhur ngushtë me dy dajat e tij, që ishin patriotë të mëdhenj. Ata kanë qenë Mytesim dhe Masar Këlliçi. Të dy ata së bashku me Qazimin ishin delegatë në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920, prej të cilit doli qeveria e Sulejman Delvinës. Po ashtu edhe Ahmet Zogu ka qenë delegat në atë kongres, madje ai u zgjodh dhe ministër i Brendshëm i asaj qeverie. Ndërsa njëri dajë i Qazimit, Mytesimi, ka hapur dhe ka drejtuar punimet e kongresit, ndërsa tjetri, Masari, u zgjodh deputet i tij. Pra siç e shikon, edhe në këtë moment Qazim Mulleti ka qenë së bashku me Ahmet Zogun, me të cilin, nga ai moment u bënë armiq. Pra kishin qenë shokë të ngushtë bashkërisht në Stamboll, Vjenë e gjetkë dhe tashmë sërish bashkë në kongresin e famshëm, dhe pas tij ata u shpallën armiq.

Shkruani një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.